Garancitë e sigurisë së SHBA-së për Ukrainën janë përcaktuar për një periudhë 15-vjeçare, me mundësi zgjatjeje.
Kështu u ka thënë Volodymyr Zelensky gazetarëve të hënën, duke dhënë më shumë detaje rreth asaj që u diskutua dhe u ra dakord në takimin e tij me presidentin e SHBA-së, Donald Trump të dielën në Florida.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp pas bisedimeve në Mar-a-Lago, presidenti ukrainas tha se garancitë e sigurisë së SHBA-së për Ukrainën ishin "100% të dakorduara".
"Kemi arritje të mëdha, plani i paqes me 20 pika është 90% i dakorduar dhe garancitë e sigurisë SHBA-Ukrainë janë 100% të dakorduara", u tha Zelensky gazetarëve.
"Garancitë e sigurisë së SHBA-së, Evropës dhe Ukrainës janë pothuajse të dakorduara. Dimensioni ushtarak është 100% i dakorduar", ka shtuar ai.
Më vonë ai i shpjegoi një grupi gazetarësh se garancitë janë me të vërtetë "të forta, megjithëse "për momentin, ato nuk janë të përhershme".
"I thashë (Trump) se lufta ka vazhduar për gati 15 vjet dhe ne do të donim që garancitë të ishin më të gjata", theksoi Zelensky.
"I thashë atij se do të donim të merrnim në konsideratë garancitë për 30, 40 apo edhe 50 vjet dhe ky do të ishte një vendim historik nga Presidenti Trump. Presidenti tha se do të mendonte për këtë".
"Pa garanci sigurie, realisht, kjo luftë nuk do të mbarojë".
Ndryshe, të dy presidentët thanë se nuk ka afat për hapat e ardhshëm në plan, me Trump që tregoi se pret të shohë më shumë përparim brenda disa javëve të ardhshme.
Takimi i radhës në nivel këshilltarësh midis përfaqësuesve të SHBA-së, Ukrainës dhe Evropës do të zhvillohet "në ditët në vijim", tha Zelensky, duke shtuar se Kievi ka kontaktuar tashmë të gjithë këshilltarët e përfshirë në proces. /Telegrafi/
Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky u takuan të dielën në apartamentin e Mar-a-Lago për të diskutuar përparimin e bisedimeve për paqen në Ukrainë.
Pas takimit, të dy presidentët mbajtën një konferencë për shtyp, ku ndër tjerash ra në sy një deklaratë e Trump.
Ai tha se Rusia dëshiron që Ukraina të ketë sukses dhe se Vladimir Putin kishte qenë “shumë bujar” me energjinë dhe shërbime të tjera me çmime të ulëta, përcjell Telegrafi.
Trump:
Russia wants to see Ukraine succeed. It sounds a little strange.
Megjithatë, Zelensky kishte përshëndetur "arritjet e mëdha" pas një takimi dypalësh me homologun e tij amerikan, i cili këmbënguli se lufta e Rusisë kundër Ukrainës duhet të përfundojë së shpejti.
Zelensky u tha gazetarëve në Florida se garancitë e sigurisë së SHBA-së për vendin, një pikë kyçe përpara se të finalizohet një zgjidhje paqeje, janë "100% të dakorduara" dhe një plan ekonomik për të rigjallëruar ekonominë ukrainase është "pothuajse i finalizuar". /Telegrafi/
Volodymyr Zelensky tha se garancitë e sigurisë së SHBA-së për Ukrainën ishin "100% të dakorduara" pas një takimi me Donald Trump në Mar-a-Lago të dielën.
Presidenti ukrainas përshëndeti "arritjet e mëdha" pas një takimi dypalësh me homologun e tij amerikan, i cili këmbënguli se lufta e Rusisë kundër Ukrainës duhet të përfundojë së shpejti, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Zelensky u tha gazetarëve në Florida se garancitë e sigurisë së SHBA-së për vendin, një pikë kyçe përpara se të finalizohet një zgjidhje paqeje, janë "100% të dakorduara" dhe një plan ekonomik për të rigjallëruar ekonominë ukrainase është "pothuajse i finalizuar".
"Kemi arritje të mëdha, plani i paqes me 20 pika është 90% i dakorduar dhe garancitë e sigurisë SHBA-Ukrainë janë 100% të dakorduara", u tha Zelensky gazetarëve.
"Garancitë e sigurisë të SHBA-së, Evropës dhe Ukrainës janë pothuajse të dakorduara. Dimensioni ushtarak është 100% i dakorduar", ka shtuar ai.
Trump bëri të ditur se bisedimet me Zelenskyn dhe delegacionin ukrainas do të vazhdojnë të hënën.
Ndërsa e cilësoi takimin produktiv, presidenti amerikan pranoi se çështja më e ndjeshme - ndarja e mundshme e territoreve - mbetet e pazgjidhur.
Kur u pyet konkretisht për Donbasin në lindje të Ukrainës - zona që përbëhet nga Donetsku dhe Luhansku, të cilën Ukraina e ka kundërshtuar ta heqë dorë, pasi kjo do të shpërblente Rusinë, e cila ka pushtuar pjesë të saj - Trump pranoi: "Kjo është një çështje shumë e vështirë".
Pa vendosur ose pa sinjalizuar një afat kohor, Trump tha "do ta shohim brenda disa javësh" nëse plani i paqes funksionon. /Telegrafi/
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e përshkroi takimin e tij të fundit me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, si "të shkëlqyer" pas gati tre orësh bisedimesh.
"Patëm një takim të mrekullueshëm. Diskutuam shumë gjëra", tha Trump në një paraqitje të përbashkët me Zelenskyn në Mar-a-Lago, Florida, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
"Mendoj se po i afrohemi shumë, ndoshta shumë afër", tha Trump, duke shtuar se "kemi bërë shumë përparim në përfundimin e asaj lufte".
Kjo deklaratë e tij ishte nga disa të bëra nga presidenti i SHBA-së, teksa bashkë me homologun ukrainas po flisnin me gazetarët pas takimit të tyre në Mar-a-Lago.
Trump, duke thënë se beson që një marrëveshje paqeje është “afër” për Ukrainën, përshkroi “një nga dy çështjet shumë të vështira” që mbeten.
Ai nuk pranoi të jepte një përqindje për kushtet që ishin rënë dakord, por tha se mund të jetë afër 95%.
Ai pranoi se fati i rajonit lindor të Donbasit, të cilin Rusia i ka kërkuar Ukrainës dorëzimin, mbeti një çështje e pazgjidhur.
Në anën tjetër, Zelensky ka filluar uke falënderuar Trumpin "për një takim të shkëlqyer në këtë vend të mrekullueshëm".
Ai tha se ekipet sot diskutuan "të gjitha aspektet e kornizës së paqes" dhe thotë se plani i paqes me 20 pika është "90% i dakordësuar".
"Ne ramë dakord që garancitë e sigurisë janë një moment kyç në arritjen e paqes së qëndrueshme dhe ekipet tona do të vazhdojnë të punojnë në të gjitha aspektet", ka shtuar ai.
Një bisedë midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe udhëheqësve evropianë ishte zhvilluar para konferencës së përbashkët ndërmjet tyre.
Siç thuhej më tej, Zelensky dhe Trump folën me udhëheqësit në një telefonatë ndërsa dy presidentët u takuan në Florida për të diskutuar propozimin e fundit të paqes për Ukrainën.
Telefonata thuhet se zgjati mbi një orë dhe udhëheqësit diskutuan "hapat konkretë" për t'i dhënë fund luftës, shkroi Presidenti finlandez Alexander Stubb në një postim në X.
Pjesëmarrësit në komunikim përfshinin udhëheqësit e Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë dhe Norvegjisë, si dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe presidentin e Komisionit Evropian, shkroi Stubb.
"Ne të gjithë po punojmë drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme", tha Stubb. /Telegrafi/
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur për takimin e tij me presidentin e SHBA-së Donald Trump në vendpushimin Mar-a-Lago në Florida.
Bisedimet vijnë menjëherë pas një sulmi masiv rus ndaj Kievit dhe pas muajsh përpjekjesh diplomatike të SHBA-së për t'i dhënë fund luftës.
Dhe Trump thuhet se ka thënë se mendon që Putini është serioz për paqen këtë herë, ndërsa Zelensky mbërriti për takimin mes tyre.
Pas arritjes së tij, të dy udhëheqësit shtrënguan duart dhe u ndalën për foto ndërsa Trump ka pranuar disa pyetje nga gazetarët përpara takimit të tyre.
Në këtë drejtim, i pyetur nëse mendon që Putini është serioz për paqen këtë herë, Trump tha: “Po, po. Mendoj se është, mendoj se të dy janë”.
Ai shtoi në përgjigje të një pyetjeje tjetër: “Duhet të bëjmë një marrëveshje, duhet ta bëjmë... Mendoj se të dy presidentët duan të bëjnë një marrëveshje”.
Trump tha se beson që janë në fazat përfundimtare të bisedimeve dhe se një fund "i shpejtë" i luftës mund të jetë i mundur, duke shtuar: “Ose do të mbarojë ose do të vazhdojë për një kohë të gjatë, dhe miliona njerëz të tjerë do të vdesin. Dhe askush nuk e dëshiron këtë”.
Trump përsëriti se ata do të flasin edhe me udhëheqësit evropianë pas takimit të tyre të sotëm, dhe të dy udhëheqësit më pas u kthyen dhe hynë brenda Mar-a-Lago për të filluar bisedimet e tyre. /Telegrafi/
Presidenti amerikan, Donald Trump ka shkruar në Truth Social për të thënë se ka folur me presidentin rus Vladimir Putin përpara takimit të tij me Zelenskyn.
"Sapo pata një telefonatë të mirë dhe shumë produktive me Presidentin Putin të Rusisë", ka shkruar Trump, përcjell Telegrafi.
Ai shton se takimi me Zelenskyn do të zhvillohet në sallën kryesore të ngrënies në Mar-a-Lago dhe se gazetarët janë të ftuar të marrin pjesë.
Kremlini gjithashtu ka konfirmuar se është zhvilluar një telefonatë midis dy udhëheqësve.
Veçmas, në një postim të mëparshëm, Trump vlerësoi rolin e administratës së tij si një paqebërës global, duke iu referuar një armëpushimi të sapo dakordësuar midis Kamboxhias dhe Tajlandës, dhe duke sugjeruar se Kombet e Bashkuara kanë qenë "pak të dobishme" në zgjidhjen e konflikteve, përfshirë Ukrainën.
"Ndoshta Shtetet e Bashkuara janë bërë Kombet e Bashkuara të VËRTETA", thotë ai.
Telefonata e Trump me Putin vjen pak orë pasi ata të takohen ku Zelensky thuhet se do të kërkojë të sigurojë vulën e miratimit të presidentit amerikan për një propozim të ri për t'i dhënë fund konfliktit gati katërvjeçar me Rusinë.
Plani 20-pikësh, i cili doli nga javë të tëra negociatash intensive SHBA-Ukrainë, nuk ka miratimin e Moskës, dhe takimi ballë për ballë në Florida vjen pas një sulmi masiv rus me raketa dhe dronë ndaj Kievit, shkruajnë mediat e huaja.
Takimi, që do të organizohet nga Trump në rezidencën e tij Mar-a-Lago, sipas Shtëpisë së Bardhë, do të jetë takimi i tyre i parë ballë për ballë që nga tetori, kur presidenti amerikan refuzoi të miratonte kërkesën e Zelenskyt për raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi. /Telegrafi/
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të ulet me Donald Trump të dielën dhe do të kërkojë të sigurojë vulën e miratimit të presidentit amerikan për një propozim të ri për t'i dhënë fund konfliktit gati katërvjeçar me Rusinë.
Plani 20-pikësh, i cili doli nga javë të tëra negociatash intensive SHBA-Ukrainë, nuk ka miratimin e Moskës, dhe takimi ballë për ballë në Florida vjen pas një sulmi masiv rus me raketa dhe dronë ndaj Kievit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Takimi, që do të organizohet nga Trump në rezidencën e tij Mar-a-Lago, sipas Shtëpisë së Bardhë, do të jetë takimi i tyre i parë ballë për ballë që nga tetori, kur presidenti amerikan refuzoi të miratonte kërkesën e Zelenskyt për raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi.
Zelenskyy tha të dielën se Kievi po bënte gjithçka për t'i dhënë fund luftës me Rusinë, por se në fund të fundit sigurimi i paqes do të varet nga partnerët e tij.
“Këto janë disa nga ditët diplomatike më aktive të vitit dhe shumë gjëra mund të zgjidhen para Vitit të Ri dhe ne po bëjmë gjithçka për këtë, por nëse do të ketë vendime varet nga partnerët”, shkroi ai në aplikacionin Telegram në komentet para bisedimeve në Florida me Presidentin e SHBA-së Donald Trump.
Ai shtoi se partnerët e Ukrainës duhet të rrisin presionin mbi Moskën “në mënyrë që rusët të ndiejnë pasojat e agresionit të tyre”.
Ai tha gjithashtu gjatë një ndalese në Kanada të shtunën se shpresonte që bisedimet të ishin “shumë konstruktive” dhe tha se udhëheqësi rus Vladimir Putin kishte treguar qëllimet e tij me sulmin e fundit në kryeqytetin ukrainas.
“Ky sulm është përsëri përgjigja e Rusisë ndaj përpjekjeve tona për paqe. Dhe kjo tregoi vërtet se Putini nuk dëshiron paqe”, tha ai.
Zelenskyy zhvilloi një konferencë telefonike ndërsa ishte në Kanada me udhëheqësit evropianë të cilët, sipas kancelarit gjerman Friedrich Merz, premtuan mbështetjen e tyre të plotë për përpjekjet e tij për paqe.
Rusia ka akuzuar Ukrainën dhe mbështetësit e saj evropianë se po përpiqen të “shkatërrojnë” një plan të mëparshëm të ndërmjetësuar nga SHBA-ja për të ndaluar luftimet. /Telegrafi/
Nga: Francis Dearnley / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com
Javën e fundit të punës, para Krishtlindjeve, udhëheqësit e BE-së u mblodhën për atë që u cilësua si samit historik. Siç pritej, u përsëritën klishetë. “Vetëm Ukraina mund të përcaktojë kushtet e paqes”, këmbëngulën ata, duke bërë me dije progresin drejt anëtarësimit të Kievit në BE. Por, pas kësaj retorike, disa prej tyre - disa haptazi të rreshtuar me Moskën, të tjerët të paralizuar nga frika - kundërshtuan. Rezultati nuk ishte vendosmëria, por ekspozimi: një Evropë e përçarë për atë se si do të përballet me luftën që po riformëson të ardhmen e saj. Vërtet, asgjë nuk ndryshoi.
Nëse kjo ta kujton takimin e BE-së javën e kaluar - ku Brukseli dështoi të zhbllokojë asetet e ngrira shtetërore ruse, humbi një mundësi të rrallë për t’i shkaktuar një goditje serioze Moskës dhe në vend të kësaj detyroi taksapaguesit të garantojnë një hua prej 90 miliardë dollarëve për Ukrainën - atëherë gabohesh. Po përshkruaj një samit nga një vit më parë, në dhjetor të vitit 2024, kur për herë të fundit më kërkuan të shkruaja një reflektim për vitin që vjen.
Atëherë paralajmërova se, pavarësisht prej më shumë se një viti me sinjale të qarta se presidenca Trump ishte një mundësi reale, Evropa - përfshirë Britaninë - kishte dështuar të zhvillonte një strategji serioze dhe të pavarur për sigurinë e saj. Nuk pati riarmatim të shpejtë, as ashpërsim të qëndrimit për Ukrainën, as vija të kuqe për të penguar rezultatet më të këqija. Fati i Evropës - dhe i Ukrainës - mbeti i lidhur me vullnetin e mirë të një aleati i cili, siç argumentova, “së shpejti mund të tregojë se nuk është i besueshëm”.
Dymbëdhjetë muaj më pas, pasojat e atij dështimi kanë qenë më të rënda sesa shumëkush kishte imagjinuar. Një Rusi e trimëruar, e inkurajuar nga tapeti i kuq që Trumpi ia shtriu Putinit në samitin katastrofik të Alaskës, tani haptazi provokon Evropën. Sulmet hibride janë intensifikuar, duke kulmuar me një inkursion të dronëve në hapësirën ajrore të Polonisë, gjë që detyroi NATO-n të përfshihej për herë të parë - në historinë e aleancës - në një përballje të drejtpërdrejtë me Rusinë. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë, duke ndier dobësinë, ka poshtëruar vazhdimisht ish-aleatët e saj evropianë, ndërsa sinjalizon qartë një dëshirë për pajtim me Moskën.
Vitin e kaluar shkrova se Evropa “nuk ia kishte lënë vetes asnjë zgjedhje tjetër përveçse të kërkonte një mrekulli festive përtej Atlantikut”, duke mbështetur shpresat e saj te një paqe e negociuar me Putinin. Kjo shpresë mbështetej në një supozim të vetëm të brishtë: se Rusia do të negocionte - me mirëbesim. “Ajo që duket se askush nuk po pyet”, shkrova atëherë, “është çfarë ndodh nëse ajo nuk e bën këtë”.
Kjo pyetje mbetet e nënvlerësuar në mënyrë të rrezikshme. Pavarësisht provave dërrmuese se Putini nuk ka asnjë synim për të përfunduar luftën, përveçse nëse plotësohen kërkesat e tij - kërkesa që do të copëtonin sovranitetin e Ukrainës dhe do të dobësonin përgjithmonë sigurinë evropiane - në shumë kryeqytete vazhdon një iluzion kokëfortë. Se lufta do të përfundojë shpejt. Se një marrëveshje e keqe e imponuar ndaj Kievit mund të përballohet. Ose se ruajtja e ndihmës në nivelin e tanishëm do ta lodhë përfundimisht Rusinë deri në një armëpushim.
Po, ekonomia e Rusisë është nën trysni. Dhe, po, është e mundur që Putini në një moment të vendosë të pezullojë luftën e tij. Por, historia ofron pak ngushëllim. Regjimet që kalojnë me sukses në një ekonomi lufte rrallëherë tërhiqen vullnetarisht. Në fakt, shpenzimet ushtarake të Kremlinit janë rritur ndjeshëm, industria e tij është rikalibruar dhe ndonëse ky model nuk është pafundësisht i qëndrueshëm, ai krijon nxitje të fuqishme për të vazhduar. Lufta premton jo vetëm përfitim strategjik, por edhe shpëtim financiar - borxhe të shtyra ose të shlyera përmes pushtimit.
Kjo është arsyeja pse paralajmërimet e dhëna nga krerët e shërbimeve inteligjente, në të gjithë Evropën, kërkojnë vëmendje urgjente. Nuk ka asnjë shenjë që Moska ka ndërmend të zmbrapset, as në Ukrainë, as në fushatën e saj të frikësimit të Evropës. Disa vlerësime shkojnë edhe më tej, duke sugjeruar se Rusia tashmë po provokon përtej Ukrainës - veçanërisht në shtetet baltike - duke testuar vendosmërinë e NATO-s, duke gërryer besimin te Neni 5 dhe duke llogaritur se Evropa do të hezitojë nëse Rusia sajon një krizë atje - duke vendosur “njerëz të vegjël të gjelbër” dhe më pas trupa, siç ka bërë më parë, teksa Shtetet e Bashkuara shikojnë diku tjetër.
Tani që besueshmëria amerikane s’është më e sigurt, përfundoi bota të cilën brezat evropianë e merrnin si të mirëqenë. Kështu, viti 2025 mund të mbahet mend si viti kur “Perëndimi” pushoi së funksionuari si një koncept politik që ka kuptim. Vizioni i Woodrow Wilsonit për një “komunitet demokratik fuqie” është zëvendësuar nga fjalori për “sfera ndikimi” - gjuhë që ia dorëzon terrenin moral regjimeve autoritare dhe legjitimon pushtimet atje ku nuk duhet lejuar kurrë.
Sepse, këtu qëndron thelbi. T’ua mohosh njerëzve të drejtën për të zgjedhur të ardhmen e tyre - ashtu siç duket se bëjnë bisedimet aktuale për paqe - do të thotë të braktisësh vetë demokracinë. Ukrainasit e bënë zgjedhjen e tyre nëpërmjet votës. Putini nuk ka asnjë të drejtë ta përmbysë atë me forcë, përveç nëse jemi të gatshëm të kthehemi te rregullat e shekullit XIX. Dhe, ky është rreziku më i thellë: jo një luftë me Rusinë në izolim, por një luftë e ardhshme - ndoshta me Kinën - e lindur nga erozioni i qëllimshëm i parimeve që ruajtën paqen për dekada.
Në fund të artikullit tim, të vitit të kaluar, paralajmërova se, në vitin 2025, Rusia do të mund të refuzonte krejtësisht negociatat, ose të shtirej sikur negocion me mirëbesim teksa i zvarrit ato. Në fund, Putini bëri të dyja - duke llogaritur që padurimi amerikan do ta bënte pjesën tjetër. Skenari më i mirë ishte që keqbesimi i Moskës të dilte më në fund haptazi, duke nxitur Uashingtonin të shtonte mbështetjen për Ukrainën. Sot, kjo duket pothuajse e pamundur. Ndryshimi ideologjik në Shtetet e Bashkuara është i thellë. Gati përditë Trumpi lëvdon “marrëdhënien e mirë” me Putinin, duke mos humbur asnjë rast për të sulmuar presidentin Zelensky. Është, pa dyshim, një botë e re.
E mbylla artikullin e vitit të kaluar me një paralajmërim për koston e mosveprimit: nëse heq dorë nga parimet, më pas heq dorë nga territori - “dhe vdesin njerëzit e pafajshëm”.
Që atëherë, shumë më tepër njerëz të pafajshëm kanë vdekur. Dhe, më shumë do të vdesin vitin e ardhshëm nëse asgjë nuk ndryshon. Dhe, një ditë, mund të mos jenë njerëz të pafajshëm në një “vend të largët”, por bijtë dhe bijat tona që do të paguajnë çmimin për dështimin tonë për të vepruar kur ende kishte kohë. /Telegrafi/
Presidenti Volodymyr Zelensky ka përshëndetur ukrainasit në prag të Krishtlindjeve, duke thënë se Ukraina po feston Krishtlindjet në një kohë të vështirë.
Megjithatë, pavarësisht të gjitha vuajtjeve të sjella nga Rusia, ajo nuk është e aftë të pushtojë atë që ka më shumë rëndësi - unitetin e Ukrainës.
Presidenti ukrainas e tha këtë në fjalimin e tij festiv, raporton Ukrinform, përcjell Telegrafi.
"Ne e shënojmë Krishtlindjet në një kohë të vështirë. Mjerisht, jo të gjithë jemi në shtëpi këtë mbrëmje. Mjerisht, jo të gjithë kanë ende një shtëpi. Dhe mjerisht, jo të gjithë janë me ne sonte. Por, pavarësisht të gjitha vuajtjeve që ka sjellë Rusia, ajo nuk është e aftë të pushtojë ose bombardojë atë që ka më shumë rëndësi. Kjo është zemra jonë ukrainase, besimi ynë tek njëri-tjetri dhe uniteti ynë", tha Zelensky.
"Ukrainasit janë së bashku sonte - duke festuar Krishtlindjet në të njëjtën datë, si një familje e madhe", theksoi ai.
Ai gjithashtu vuri në dukje se ëndrrat e ukrainasve janë të ngjashme këto ditë.
“Sot, të gjithë ndajmë një ëndërr. Dhe bëjmë një dëshirë - për të gjithë ne... Por kur i drejtohemi Zotit, sigurisht, kërkojmë diçka më të madhe. Kërkojmë paqe për Ukrainën. Luftojmë për të. Dhe lutemi për të. Dhe e meritojmë”, ka shtuar Zelensky.
Në fjalimin e tij, Zelensky tha gjithashtu se në këtë kohë ukrainasit po luten për të gjithë në vijën e parë - që të kthehen të gjallë.
“Për të gjithë ata që janë në robëri - që të kthehen në shtëpi. Për të gjithë heronjtë tanë të rënë që mbrojtën Ukrainën me koston e jetës së tyre. Për të gjithë ata që Rusia i ka shtyrë në pushtim dhe i ka detyruar të iknin. Për ata që po luftojnë, por nuk e kanë humbur Ukrainën brenda vetes - dhe për këtë arsye Ukraina nuk do t'i humbasë kurrë”.
“Sot qëndrojmë krah për krah. Nuk do ta humbasim rrugën tonë në errësirë. Qoftë personalisht apo në mendimet tona, do t'i urojmë njëri-tjetrit të gjitha të mirat, do ta përqafojmë dhe ngrohim njëri-tjetrin, do t'i thërrasim prindërit tanë, do t'i puthim fëmijët tanë, do t'i mbajmë fort të dashurit tanë - dhe, sigurisht, mos harroni - mos harroni të gjithë njerëzit tanë”, theksoi presidenti ukrainas. /Telegrafi/
Nëse do të mbaheshin zgjedhje presidenciale në të ardhmen e afërt dhe presidenti Volodymyr Zelensky do të kandidonte, 30.6% e ukrainasve thanë se do të votonin për të.
Ish-komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Gjenerali Valerii Zaluzhnyi, renditet i dyti me 29.6% mbështetje.
Rezultatet vijnë nga një sondazh i dhjetorit i kryer nga Qendra Socis për Kërkime Sociale dhe të Marketingut, raporton Ukrinform, përcjell Telegrafi.
Kandidatët e tjerë morën mbështetjen e mëposhtme: 8.1% për Kyrylo Budanov, Shef i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes; 7.2% për ish-Presidentin Petro Poroshenko; 6.1% për Yulia Tymoshenko; dhe 5% për Dmytro Razumkov.
Nëse zgjedhjet do të shkonin në një balotazh midis Zelensky dhe Zaluzhnyi, Zelensky do të merrte 35.8% të votave, ndërsa Zaluzhnyi do të merrte 64.2%.
Nëse Zaluzhnyi nuk merr pjesë në zgjedhje, Budanov ka të ngjarë të kalojë në raundin e dytë kundër Zelensky.
Në këtë skenar, 56.2% e të anketuarve thanë se do të votonin për Budanov, ndërsa 43.8% do të mbështesnin Zelenskyn.
Më parë, Ukrinform raportoi se gjatë një konference për shtyp, Zelensky vuri në dukje se nëse ratifikimi i një marrëveshjeje paqeje midis Ukrainës, SHBA-së, Rusisë dhe Evropës kërkon një referendum mbarëkombëtar, zgjedhjet presidenciale mund të zhvillohen njëkohësisht. /Telegrafi/
Volodymyr Zelensky i Ukrainës ka dhënë detaje mbi një plan të përditësuar paqeje që i ofron Rusisë tërheqjen e mundshme të trupave ukrainase nga lindja dhe krijimin e një zone të çmilitarizuar në vend të tyre.
Duke detajuar planin 20-pikësh të dakordësuar nga të dërguarit e SHBA-së dhe Ukrainës në Florida në fundjavë, Zelensky tha se rusët do të përgjigjen të mërkurën pasi amerikanët të kenë folur me ta.
Duke e përshkruar planin si "kornizën kryesore për përfundimin e luftës", ai tha se ai propozonte garanci sigurie nga SHBA-të, NATO-ja dhe evropianët për një përgjigje të koordinuar ushtarake nëse Rusia pushtonte përsëri Ukrainën, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Ndërsa lidhur me çështjen kyçe të Donbasit lindor të Ukrainës, Zelensky theksoi se një "zonë e lirë ekonomike" ishte një zgjidhje e mundshme.
Ai u tha gazetarëve se meqenëse Ukraina ishte kundër tërheqjes, negociatorët amerikanë po kërkonin të krijonin një zonë të çmilitarizuar ose një zonë të lirë ekonomike.
Çdo zonë nga e cila tërhiqeshin trupat ukrainase do të duhej të ruhej nga Ukraina, theksoi ai.
"Ekzistojnë dy mundësi", tha Zelensky, "ose lufta vazhdon, ose diçka do të duhet të vendoset në lidhje me të gjitha zonat e mundshme ekonomike".
Plani 20-pikësh shihet si një përditësim i një dokumenti origjinal 28-pikësh, të dakordësuar nga i dërguari amerikan Steve Witkoff me rusët disa javë më parë, i cili u pa gjerësisht si i orientuar shumë drejt kërkesave të Kremlinit.
Rusët kanë këmbëngulur që Ukraina të tërhiqet nga pothuajse një e katërta e territorit të saj në rajonin lindor të Donetskut në këmbim të një marrëveshjeje paqeje. Pjesa tjetër është tashmë nën pushtimin rus.
Çështjet e ndjeshme, duke përfshirë pyetjet mbi territorin, do të duhej të zgjidheshin "në nivelin e udhëheqësve", por drafti i ri do t'i siguronte Ukrainës garanci të forta sigurie dhe një forcë ushtarake prej 800,000, shpjegoi Zelensky.
Pjesa më e madhe e planit të përditësuar i ngjan asaj që doli nga bisedimet e fundit në Berlin që përfshinin negociatorët amerikanë Witkoff dhe Jared Kushner me udhëheqësit ukrainas dhe evropianë.
Vendndodhja më pas u zhvendos në Miami fundjavën e kaluar ku ekipi i presidentit amerikan Donald Trump foli veçmas me të dërguarin rus Kirill Dmitriev dhe më pas me zyrtarët ukrainas dhe evropianë.
Tani duket se ka shumë më tepër detaje mbi çështjen territoriale, megjithëse është e qartë se pala ukrainase nuk arriti të arrinte një konsensus me amerikanët.
Zelensky shpjegoi se nëse Ukraina ishte e përgatitur të tërhiqte forcat e saj të rënda me pesë, 10 ose 40 km në 25% të Donetskut që ende mbante për të krijuar një zonë ekonomike, duke e bërë atë praktikisht të demilitarizuar, atëherë Rusia do të duhej të bënte të njëjtën gjë "përkatësisht me pesë, 10 ose 40 km".
Trupat ruse janë aktualisht rreth 40 km (25 milje) në lindje të qyteteve të "rripit të fortesës" të Ukrainës, Sloviansk dhe Kramatorsk, pasi kanë pushtuar qytetin e Siverskut.
Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka gjasa të impresionohet nga lloji i kompromisit që propozohet për Donetskun.
Ai tha këtë muaj se Rusia do të merrte kontrollin e të gjithë Ukrainës lindore me forcë nëse trupat ukrainase nuk tërhiqeshin.
Megjithatë, Trump po shtyn për një marrëveshje për t'i dhënë fund pothuajse katër viteve të luftës në shkallë të plotë dhe presidenti ukrainas beson se Rusia nuk mund të përballojë të refuzojë planin e SHBA-së. /Telegrafi/
Aeroplanë luftarakë polakë dhe të aleatëve u vendosën në gatishmëri mëngjesin e së martës pasi Rusia nisi sulme ajrore drejt Ukrainës perëndimore, pranë kufirit të Polonisë, thanë forcat e armatosura.
"Aeroplanët luftarakë u ngritën në ajër, dhe sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore dhe të zbulimit me radar u vunë në gatishmëri të shtuar", tha komanda operative e forcave të armatosura të Polonisë në X, përcjell Telegrafi.
"Këto masa janë të natyrës parandaluese dhe synojnë sigurimin dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore, veçanërisht në zonat ngjitur me rajonet e kërcënuara".
Ky veprim vjen pak muaj pasi Polonia mbylli hapësirën e saj ajrore ndërsa forcat ajrore ngritën aeroplanë në ajër në përgjigje të një sulmi rus ndaj Kievit në shtator, shkruan Sky News.
Polonia është detyruar të vendosë aeroplanët e saj në disa raste që kur Rusia pushtoi Ukrainën.
Kujtojmë se Rusia ka intensifikuar sulmet e saj në rajonin jugor ukrainas të Odesas, duke shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë dhe duke kërcënuar infrastrukturën detare të rajonit.
Zëvendëskryeministri ukrainas Oleksiy Kuleba tha se Moska po kryente sulme "sistematike" në rajon.
Javën e kaluar, ai paralajmëroi se fokusi i luftës "mund të jetë zhvendosur drejt Odesas".
Presidenti Volodymyr Zelensky theksoi se sulmet e përsëritura ishin një përpjekje nga Moska për të bllokuar qasjen e Ukrainës në logjistikën detare. /Telegrafi/
Nga: Rajan Menon / The Guardian Përkthimi: Telegrafi.com
Konferenca maratonë për shtyp e Vladimir Putinit më 19 dhjetor, një ngjarje e përvjetshme në fund të vitit, nuk ofroi asnjë dëshmi se Rusia mund të braktisë qëllimet të cilat presidenti i vendosi për “operacionin e posaçëm ushtarak” kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022: pushtimin e Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhias dhe Hersonit. Si gjithmonë, Putini nuk u duk i shqetësuar nga fakti se, pothuajse katër vjet pas nisjes së luftës, ushtria e tij kishte arritur të pushtonte plotësisht vetëm Luhanskun - ndonëse kishte marrë nën kontroll më shumë se një të tretën e atij rajoni, si dhe Donjeckun, që në vitin 2015.
Qëndrimi i palëkundur i Putinit nuk duhet të jetë befasues. Menjëherë pas pushtimit, Duma e Shtetit të Rusisë miratoi legjislacionin për përfshirjen e këtyre katër rajoneve ukrainase në përbërje të Rusisë - dhe, këtë muaj, ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov, dhe zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, ripohuan pretendimet territoriale të Putinit.
Paaftësia e Rusisë për të lëvizur nga pozicioni i saj bie në kundërshtim me përpjekjet e dëshpëruara të Donald Trumpit për të arritur një zgjidhje politike deri në Krishtlindje. Për të përmbushur këtë afat të përcaktuar, Trumpi madje përpiqet ta detyrojë Volodymyr Zelenskyyn të dorëzojë pjesët e Donjeckut të cilat Ukraina ende i mban. Edhe pse Zelenskyy refuzoi, ai u tregua i gatshëm të braktiste përpjekjen disavjeçare të Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe të pranonte neutralitetin - në këmbim të garancive të fuqishme të sigurisë nga Perëndimi.
Ky ndryshim nga ana e Zelenskyyt nuk do ta zbus Putinin. Shqetësimi i kahershëm - dhe i kuptueshëm - i Rusisë për zgjerimin e NATO-s i paraprin kësaj. Por, lufta e Putinit në vitin 2022 buron nga diçka më e thellë, pasi nuk ka prova që Ukraina ishte më pranë anëtarësimit zyrtar në aleancë në prag të pushtimit të Rusisë - sesa ishte në vitin 2008, kur NATO, në samitin e saj në Bukuresht, deklaroi se Ukraina do të bëhej anëtare në një të ardhme të pacaktuar.
Ashtu si në vitin 2008, vendet e NATO-s mbeten të ndara për kandidaturën e Ukrainës - madje edhe më shumë. Kjo ka rëndësi: neni 10 i traktatit themelues të NATO-s të vitit 1949, kërkon unanimitet për pranimin e anëtarëve të rinj. Kur NATO vërtet dëshiron të rrisë anëtarësinë, ajo vepron me shpejtësi: vëreni pranimin e shpejtë të Finlandës (prill 2023) dhe Suedisë (mars 2024), të cilat aplikuan për anëtarësim në maj 2022. Për të shpjeguar motivimin e Putinit për të pushtuar Ukrainën, duhet të marrim parasysh ankesat e rrënjosura në histori.
Ai ka deklaruar, në mënyrë të përsëritur dhe të zgjatur, se ukrainasit dhe rusët kanë qenë një popull për shekuj të tërë; se ndarja e tyre në dy shtete, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ishte një tragjedi; se Jugu dhe Lindja e Ukrainës, të banuara nga një numër i madh rusësh etnikë apo ukrainasish me gjuhë amtare ruse, i përkasin me të drejtë Rusisë. Me pak fjalë, Putini beson se Rusia është plaçkitur.
Megjithatë, në konferencën për shtyp, Putini përgëzoi Trumpin për “sinqeritetin absolut” në nisjen e negociatave për t’i dhënë fund luftës, duke shtuar se Rusia mbetet e angazhuar ndaj tyre dhe do ta ndalojë ofensivën ushtarake për sa kohë që interesat e saj merren seriozisht.
Lëvdatat e Putinit kanë një qëllim - dhe një objektiv të ndjeshëm. Trumpi ka lavdëruar “gjenialitetin” e Putinit. Ai, si Putini, ka fajësuar Ukrainën për nisjen e luftës. Ai kërkon një afrim me Rusinë që përfshin investime të përbashkëta multi-miliardë dollarëshe. Ka mbështetur kërkesën e Putinit që Zelenskyy të mbajë zgjedhje, pavarësisht luftës, për të demonstruar legjitimitetin e tij demokratik. Ai, si Putini, përçmon Evropën dhe do të preferonte një marrëveshje që i lë evropianët (dhe ukrainasit) të anashkaluar. Të gjitha këto janë arsye se përse Putini përpiqet ta josh Trumpin dhe të thellojë përçarjen mes ShBA-së dhe Evropës.
Përkundër qëndrimeve të përbashkëta dhe simpatinë e Trumpit për Rusinë, ai ende nuk ka bërë një marrëveshje që i përshtatet Putinit. Nëse nuk e bën, gjakderdhja do të vazhdojë. Ukraina ka paguar tashmë një çmim të tmerrshëm - dhe kjo nuk është për t’u habitur: ajo është pala shumë më e dobët. E habitshme është humbja masive e ushtrisë ruse - në njerëz dhe pajisje. Ekonomia e Rusisë gjithashtu është nën stres të vazhdueshëm dhe mezi po rritet, megjithëse nuk është në rrezik kolapsi. Por, vuajtjet e rusëve, për të mos përmendur ato të ukrainasve, nuk do të kenë rëndësi për sa kohë që Putini beson se objektivat e tij janë ende të arritshëm - në tryezën e bisedimeve, duke bindur Trumpin të vazhdojë presionin ndaj Zelenskyyt, apo në fushëbetejë.
Ndërkohë, BE-ja ka ndërmarrë një hap të madh që do të ulë gjasat që Rusia të fitojë shpejt në cilindo drejtim, duke siguruar që arkat e Kievit të mos mbeten bosh. Krerët e bllokut kishin shpresuar të përdornin interesin e fituar nga 210 miliardë euro në asete të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën. Megjithëse ky plan dështoi për shkak të kundërshtimit të hapur të disa shteteve anëtare të BE-së dhe hezitimeve të të tjerëve, BE-ja arriti të gjente një zgjidhje tjetër. Ajo do të marrë hua 90 miliardë euro për të mbështetur Ukrainën për dy vjet - dhe, pa detyrim kthimi përveçse nëse Rusia paguan dëmshpërblime, diçka që askush nuk e pret.
Media u fokusua te mosmarrëveshjet brenda BE-së për asetet e ngrira ruse, por ajo që ka rëndësi vërtet është se një bllok prej 27 shtetesh sovrane, shpesh të vështira për t’u menaxhuar, arriti të sigurojë fondet për të shmangur kolapsin e Ukrainës. Ashtu siç fjalët e Putinit sigurojnë vazhdimin e luftës, edhe veprimet e BE-së bëjnë të njëjtën gjë. Vendimi i BE-së është gjithashtu i rëndësishëm, sepse tregon gatishmërinë e Evropës për të vepruar në mënyrë të pavarur lidhur me luftën, edhe nëse kjo nënkupton largimin nga ShBA-ja.
Në gusht, Trumpi deklaroi se amerikanët nuk kanë ndonjë interes në luftën e Ukrainës, pasi ndodhen larg saj, “përtej një oqeani të madh dhe të bukur”. Evropa nuk e gëzon këtë luks gjeografik. Kjo, së bashku me Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të Trumpit, e cila e përshkruan kontinentin si një vend të zhytur në probleme dhe për rrjedhojë me rëndësi në venitje për ShBA-në, mund t’i ketë bindur udhëheqësit evropianë të veprojnë më të pavarur.
Duke qenë se Trumpi pezulloi gjithë ndihmën e drejtpërdrejt ushtarake për Kievin, në mars, ndihma vetëm nga Evropa mund të mos mjaftojë për të qenë të sigurt që ukrainasit të arrijnë një paqe të cilën ata e konsiderojnë të drejtë. Por, kjo ka qenë një luftë e mbushur me befasi, dhe më e madhja prej tyre është që ushtria e Ukrainës ende nuk është mposhtur.
Evropa ia ka hedhur Ukrainës një jelek shpëtimi, por nuk duhet të kemi iluzione. Ukraina do të vazhdojë të luftojë me shpinë për muri kundër një armiku që ka më shumë në secilin burim të rëndësishëm për luftën - dhe lideri i të cilit e barazon “kompromisin” me kapitullimin e kundërshtarit. Në mungesë të një ndryshimi të papritur të pozicionit të Rusisë mbi çështjen territoriale, Trumpit do t’i mohohet dhurata e Krishtlindjes të cilën aq shumë e dëshiron. Ndonëse secili në mënyrën e vet, konferenca për shtyp e Putinit dhe paketa e huas së BE-së për Ukrainën, sigurojnë që lufta do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. /Telegrafi/
Peco Trajkoski nga OJQ thotë se ekziston një "frikë" midis autoriteteve të Maqedonisë se dërgimi i trupave në Ukrainë do të thoshte "marrje anësie".
"Në komunikimin publik, Ministria e Mbrojtjes e lidh vendimin me një qëndrim parimor se Maqedonia "gjithmonë ka qenë për paqe dhe siguri" dhe se siguria e qytetarëve është një përparësi, prandaj ushtarët e Maqedonisë nuk do të dërgohen në Ukrainë. Nëse e lexojmë vendimin "nën sipërfaqe", arsyet zakonisht janë më praktike sesa ideologjike.
Së pari, për ushtritë e vogla, çdo vendosje e re do të thotë një zgjedhje që do të sakrifikohet në vend ose në misionet/detyrimet ekzistuese, dhe një mision në Ukrainë do të mbartte rrezik më të lartë, logjistikë më të madhe dhe potencialisht rregulla më të vështira angazhimi", tha për "Lokalno" Peco Trajkoski nga OJQ-ja - Qendra për Kërkime dhe Analiza Strategjike pas qëndrimit të përsëritur të ministrit të Mbrojtjes, Vllado Misajlovski, se Maqedonia nuk do të dërgojë ushtarët e saj në një mision të mundshëm paqeruajtës në Ukrainë.
Sipas Trajkovskit, më e rëndësishmja, në një periudhë kaq të trazuar, qeveritë shpesh nuk duan të dalin përpara vijës së partnerit më të fortë, në këtë rast Shteteve të Bashkuara.
"Analizat vendase dhe të huaja sugjerojnë se pozicionimi zyrtar ka një element përputhjeje me administratën e re amerikane dhe një fokus në prioritete "më të sigurta" në vend të një vendosjeje të rrezikshme në Ukrainë", thekson Trajkoski.
Analisti vlerëson se ekziston njëfarë “frike” midis autoriteteve të vendit se dërgimi i trupave do të thoshte “marrje anësie”, por, siç thotë ai, nuk duhet të jetë “frikë” në një kuptim dramatik, por më tepër kujdes strategjik./Telegrafi/
Rusia ka intensifikuar sulmet e saj në rajonin jugor ukrainas të Odesas, duke shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë dhe duke kërcënuar infrastrukturën detare të rajonit.
Zëvendëskryeministri ukrainas Oleksiy Kuleba tha se Moska po kryente sulme "sistematike" në rajon, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Javën e kaluar, ai paralajmëroi se fokusi i luftës "mund të jetë zhvendosur drejt Odesas".
Presidenti Volodymyr Zelensky theksoi se sulmet e përsëritura ishin një përpjekje nga Moska për të bllokuar qasjen e Ukrainës në logjistikën detare.
Më parë në dhjetor, presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi të ndërpresë qasjen e Ukrainës në det si hakmarrje për sulmet me dronë ndaj cisternave të "flotës në hije" të Rusisë në Detin e Zi.
"Flotë në hije" është një term që i referohet qindra cisternave të përdorura nga Rusia për të anashkaluar sanksionet perëndimore të vendosura pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Siç bëhet e ditur më tej, të hënën në mbrëmje, sulmet goditën infrastrukturën portuale në Odesa, duke dëmtuar një anije civile, tha guvernatori rajonal.
Ky ishte i fundit në një seri prej qindra sulmesh që kanë ndërprerë furnizimin me energji në rajon për ditë të tëra dhe kanë shkaktuar disa viktima.
Natën e së dielës, sulmet ndërprenë energjinë elektrike për 120,000 njerëz dhe shkaktuan një zjarr në një port të madh, i cili shkatërroi dhjetëra kontejnerë me miell dhe vaj perimesh.
Porti i Odesas ka qenë gjithmonë kyç për ekonominë e vendit. Qyteti është i treti më i madh në Ukrainë pas Kievit dhe Kharkivit. Tani ai ka rëndësi strategjike pasi portet e tjera në rajonet Zaporizhzhia, Kherson dhe Mykolayiv janë të paarritshme për Ukrainën për shkak të pushtimit rus.
Pavarësisht luftës, Ukraina mbetet një nga eksportuesit kryesorë në botë të grurit dhe misrit.
Që nga gushti i vitit 2023, Odesa ka qenë pika fillestare e një korridori të rëndësishëm që i lejon asaj të eksportojë drithëra jashtë vendit, duke ndjekur vijat bregdetare të Rumanisë dhe Bullgarisë përpara se të arrijë në Turqi.
Zelensky, i cili më parë e ka akuzuar Rusinë për "mbjellje kaosi" mbi popullin e Odesas, tha se "të gjithë duhet ta shohin se pa presion mbi Rusinë, ata nuk kanë ndërmend t'i japin fund vërtet agresionit të tyre".
Komentet e tij erdhën ndërsa raundi i fundit i përpjekjeve diplomatike të udhëhequra nga SHBA-të përfundoi në Miami.
SHBA-të u takuan veçmas me delegacionet ukrainase dhe ruse, me takimet që dhanë deklarata optimiste, por pa përparim të qartë për ta afruar më shumë fundin e luftës gati katërvjeçare të Moskës në Ukrainë. /Telegrafi/
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar udhëheqësit evropianë dhe SHBA-në për zhvendosjen e afërt të sistemit raketor Oreshnik nga Rusia në Bjellorusi.
"Ne e kuptojmë se ku do të vendoset", tha ai në X.
"Ne po e ndajmë këtë informacion me partnerët tanë. Vetë partnerët mund ta vlerësojnë këtë kërcënim dhe të kuptojnë se si t'i përgjigjen atij", ka shtuar ai, përcjell Telegrafi.
Në këtë drejtim, Zelensky paralajmëroi se raketat përbëjnë "një kërcënim për shumë vende evropiane".
"Deri tani, Oreshnik nuk mund të interceptohet nga dronë", shtoi ai.
"Ata tashmë e kanë përdorur Oreshnik kundër Ukrainës. Ne e kuptojmë se si ti kundërvihemi këtij kërcënimi".
Reagimi i tij vjen pas një vendimi të udhëheqësve të Bashkimit Evropian për të mbështetur Ukrainën me 90 miliardë euro është një garanci sigurie financiare për të gjithë në Ukrainë.
Ai shprehu mirënjohje për të gjithë ata që ndihmuan në arritjen e kësaj.
Presidenti ukrainas theksoi gjithashtu se "është e rëndësishme që asetet ruse të mbeten në Evropë dhe të mbeten të ngrira".
Presidenti falënderoi udhëheqësit evropianë, përfshirë António Costa-n, Ursula von der Leyen-in dhe të gjithë udhëheqësit shtetërorë që mbështetën Ukrainën. /Telegrafi/
Dronët ukrainas me rreze të gjatë veprimi kanë goditur dy aeroplanë luftarakë rusë Su-27 në aeroportin ushtarak Belbek në Krimenë e pushtuar nga Rusia, tha Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) më 20 dhjetor.
Dronët operohen nga Qendra e Operacioneve Speciale "A" (Alpha) e SBU-së, sipas agjencisë.
Belbek është një aeroport ushtarak rus në Krimenë e pushtuar që ndodhet pranë Sevastopolit.
Ai është përdorur nga forcat ruse si një qendër kyçe për vendosjen e aeroplanëve luftarakë dhe pozicionimin e aseteve të mbrojtjes ajrore në gadishull.
"Dronët me rreze të gjatë veprimi të Qendrës së Operacioneve Speciale Alpha të SBU-së goditën dy aeroplanë Su-27 në aeroportin ushtarak rus në Belbek, Krimenë e pushtuar përkohësisht. Njëri nga aeroplanët ishte në një pistë taksie me një ngarkesë të plotë luftarake dhe gati për një sulm luftarak - u shkatërrua", shkroi SBU në Telegram.
SBU tha se kostoja e kombinuar e dy aeroplanëve vlerësohet në rreth 70 milionë dollarë. Gjithashtu tha se kulla e kontrollit të aeroportit u godit, gjë që "mund të ndërlikojë organizimin dhe kontrollin e fluturimeve në aeroport".
"Ky është tashmë sulmi i dytë i suksesshëm i SBU-së në aeroportin Belbek në ditët e fundit. Më 18 dhjetor, dronët tanë goditën pajisje ruse me vlerë qindra miliona dollarë - duke përfshirë dy radarë Nebo-SVU, një radar 92N6 të sistemit S-400 Triumph, një sistem mbrojtjeje ajrore Pantsir-S2 dhe një avion MiG-31 me ngarkesë të plotë luftarake", shtoi agjencia.
Sulmet në aeroportet kryesore ruse dhe shkatërrimi i aeroplanëve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore në Krimenë e pushtuar "e zvogëlojnë ndjeshëm potencialin ushtarak të armikut në rajon", tha agjencia.
"Kjo punë sistematike do të vazhdojë", shtoi SBU. /Telegrafi/
Ushtarët rusë të uritur po “copëtojnë dhe hanë” ushtarët e tjerë mes mungesës së ushqimit.
Kështu së paku pretendojnë mediat e huaja, duke iu referuar një mesazhi radiofonik të përgjuar.
Sipas tyre, Forca e inteligjencës ushtarake të Ukrainës, GUR, publikoi një audio që, sipas tyre, tregon ushtarakë rusë në Zaporizhia “duke u përgatitur të hanë ndihmësit e tyre “më të rinj”.
Një përgjim thuhet se regjistroi një rus që thoshte: “Do ta hamë njëri-tjetrin,...”.
“Ne tashmë po kërkojmë dikë më të ri. I kam mprehur thikat e mia”.
“Nuk më intereson se kë duhet të copëtoj. Dua vetëm të ha. Të gjithë të tjerët”.
Dhe forcat ukrainase thanë se kanibalizmi po bëhet “praktikë e zakonshme” midis rusëve për shkak të mungesës së ushqimit në dispozicion për trupat, shkrujnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Në qershor, agjencia e inteligjencës pretendoi se kishte përgjuar një bisedë që tregonte një ushtar rus që hëngri “bashkëluftëtarin” e tij për dy javë.
Në regjistrimin e postuar në Telegram, një komandant rus mund të dëgjohet duke i thënë një vartësi se një ushtar, i referuar si "Brelok", vrau dhe hëngri shokun e tij ushtar "Foma" për dy javë.
Një komandant mund të dëgjohet duke thënë: "Askush nuk iku. 'Brelok' e nxori jashtë dhe pastaj e hëngri për dy javë të mallkuara".
Ndërkohë në maj 2024, Moscow Times raportoi se një kanibal rus Dmitry Malyshev iu bashkua një prej njësive ushtarake penale Stuhia V të vendit.
Ukraina thotë se u jep të burgosurve rusë të luftës ushqim tre herë në ditë - dhe i fton trupat e uritura të Putinit të dorëzohen vullnetarisht nëse duan të ushqehen. /Telegrafi/
Vendimi i udhëheqësve të Bashkimit Evropian për të mbështetur Ukrainën me 90 miliardë euro është një garanci sigurie financiare për të gjithë në Ukrainë.
Kjo u theksua nga presidenti Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij në video në mbrëmje, sipas Ukrinform, përcjell Telegrafi.
"Po e përfundojmë këtë javë historike për Ukrainën - një javë të rëndësishme diplomatike. Rezultati kryesor është se kemi siguruar 90 miliardë euro për Ukrainën për dy vjet. Ky është rezultati kryesor i dhjetorit dhe, në shumë aspekte, një rezultat i rëndësishëm i të gjithë vitit. Evropa ka marrë një vendim pozitiv. Ne luftuam për këtë vendim për një kohë shumë të gjatë", tha Zelensky.
Ai shprehu mirënjohje për të gjithë ata që ndihmuan në arritjen e kësaj.
Presidenti theksoi gjithashtu se "është e rëndësishme që asetet ruse të mbeten në Evropë dhe të mbeten të ngrira".
Sipas tij, "Ukraina do të marrë të paktën 45 miliardë euro në vit gjatë dy viteve të ardhshme. Dhe këto fonde mund të shlyhen vetëm nga fondet ruse - Rusia duhet të paguajë për luftën e saj. 90 miliardë eurot janë një garanci shumë reale sigurie financiare për të gjithë në Ukrainë".
Presidenti falënderoi udhëheqësit evropianë, përfshirë António Costa-n, Ursula von der Leyen-in dhe të gjithë udhëheqësit shtetërorë që mbështetën Ukrainën.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë për të siguruar që të gjitha asetet ruse të drejtohen drejt mbrojtjes reale kundër luftës së Rusisë dhe drejt rindërtimit të shtetit tonë. Asete të tilla nuk ndodhen vetëm në Evropë - ne jemi në kontakt me çdo qeveri për këtë çështje. Kjo është një nga detyrat më të vështira - jo më pak e vështirë se sigurimi i armëve për Ukrainën. Por ne do ta zgjidhim edhe këtë. Fondet për rindërtim do të jenë të disponueshme”, tha kreu i shtetit.
Siç raportohet nga Ukrinform, Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa njoftoi se udhëheqësit e BE-së ranë dakord për një paketë mbështetjeje për Ukrainën në vlerë prej 90 miliardë eurosh për vitet 2026-2027. /Telegrafi/
Puna e fortifikimit mbrojtës vazhdon në rajonet e vijës së frontit të Ukrainës, me 2,130 pika të forta të ndërtuara tashmë dhe më shumë se 3,000 kilometra kanale antitank të përfunduara.
Sipas Ukrinform, kjo u raportua në Telegram nga Denys Shmyhal, Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, përcjell Telegrafi.
Gjatë një vizite në rajonin e Zaporizhzhia, Shmyhal dëgjoi një informim nga Gjeneral Major Oleksandr Yakovets, Shefi i Shërbimit Shtetëror të Transportit Special, mbi ndërtimin e fortifikimeve në rajonet Zaporizhzhia, Donetsk, Sumy, Kharkiv, Chernihiv dhe Kiev.
Thousands of kilometers of defensive fortifications have been built in Ukraine’s frontline regions
Defense Minister Denys Shmyhal released a video showing anti-tank ditches, “dragon’s teeth,” and other fortifications stretching for hundreds of kilometers.
Dhe sipas raportit, Shërbimi Shtetëror i Transportit Special ka ndërtuar tashmë 2,130 pika të forta togash, mbi 3,000 km kanale antitank, më shumë se 1,000 km piramida pengesash, 16,000 km linja barrierash teli dhe 4,300 km pengesa me dukshmëri të ulët.
Shmyhal falënderoi Shërbimin Shtetëror të Transportit Special për punën e tij të koordinuar.
“Ne duhet të vazhdojmë të rrisim ritmin e ndërtimit të fortifikimeve dhe të përmirësojmë teknologjitë e ndërtimit, sepse kjo është një linjë kritike e aftësisë mbrojtëse të Ukrainës”, theksoi ministri.
Siç është raportuar më parë nga Ukrinform, Shmyhal inspektoi ndërtimin e fortifikimeve në boshtin Zaporizhzhia. /Telegrafi/