“Është thjesht shumë fat i keq për Isakun”, Jamie Carragher mbron Van de Ven
Legjenda e Liverpoolit Jamie Carragher ka deklaruar se mungesa e mundshme e Alexander Isak përbën një “goditje shumë të madhe” për klubin anglez, por njëkohësisht ka shprehur mirëkuptim për Micky van de Ven pas ndërhyrjes që çoi në lëndimin e sulmuesit suedez.
Isak ka pasur vështirësi për të lënë gjurmë te skuadra e Arne Slot që nga transferimi i tij me shifrën rekord nga Newcastle United, duke realizuar vetëm tre gola në 16 paraqitje në të gjitha garat.
Reprezentuesi suedez shënoi si zëvendësues në pushim të pjesës së parë gjatë fitores 2-1 ndaj Tottenhamit të shtunën, por u lëndua pikërisht në momentin e golit, pas një ndërhyrjeje të fortë nga Van de Ven.
Edhe pse shkalla e lëndimit të Isakut ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, raportimet sugjerojnë se Liverpooli druhet se bëhet fjalë për një problem serioz, që mund ta mbajë jashtë fushave për një periudhë të konsiderueshme.
Carragher u shpreh i zhgënjyer për situatën, por ish-mbrojtësi i Liverpoolit doli në mbrojtje të ndërhyrjes së Van de Ven.
“Kjo është një goditje shumë e madhe, sepse mendoj se Liverpooli gjithsesi ishte një sulmues më pak”.
“Është thjesht shumë fat i keq për Isakun. Ndoshta ky ishte një nga momentet e para ku pamë vërtet cilësinë e tij reale me fanellën e Liverpoolit”.
“Është folur shumë për ndërhyrjet e lojtarëve të Tottenhamit dhe shumë prej tyre nuk ishin të zgjuara. Por, nëse e vendos veten në pozicionin e Van de Ven, kjo është një ndërhyrje që ndoshta do ta bëja edhe unë”.
“Ai po përpiqet ta bllokojë goditjen, problemi është vetëm vazhdimi i lëvizjes. Nuk e di se ku tjetër mendojnë njerëzit se do të shkonte këmba e tij. Ai duhej ta bënte atë ndërhyrje. Nuk mund ta lejosh sulmuesin të gjuajë lirshëm në atë situatë”, deklaroi ai për “Sky Sports”./Telegrafi
