Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 December 2025Main stream

Dosja Partizani, shtyhet për në janar seanca ndaj Sali Berishës

By: A R
22 December 2025 at 15:00

Gjykata e Posaçme shtyu seancën gjyqësore në ngarkim të Sali Berishës, për dosjen Partizani. Siç raporton gazetarja Glidona Daci, seanca e radhës do të mbahet më datë 12 janar. Gjatë seancës së sotme, avokatët e kryedemokratit vijuan me parashtrimet.

Këta të fundit, pretendojnë se nuk ekzistojnë faktet penale që e ngarkojnë kryetarin e Partisë Demokratike me akuzën e korrupsionit pasiv.

“SPAK si në aktet e formulimit të akuzës nuk ka parashtruar fakte të qarta, çfarë ka bërë Berisha, cila është pasoja, nuk ka sjellë asnjë provë dhe veprim konkret se çfarë ka bërë Sali Berisha. Gjatë këtij procesi do provojmë se ndjekja penale është kryer për qëllime politike duke cënuar pluralizmin në Shqipëri”, tha avokatja Klodiana Gjyzari.

Kujtojmë se Berisha u lirua në nëntor të 2024-ës, pas afro 11 muajsh, i izoluar në banesën e tij. Gjatë asaj kohe, ai e ka zhvilluar vazhdimisht betejën në gjyqësor me ankimime të herëpashershme.

Më 3 janar 2025, Gjykata e Posaçme e Apelit caktoi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, të cilën e zbaton ende sot, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, dhe që mund të vihet në pikëpyetje nëse kjo kërkesë-padi nuk rrëzohet.

Policia Rrugore Tiranë bën bilancin: Brenda një jave mbi 4700 masa administrative

By: A R
22 December 2025 at 14:51

Policia Rrugore në Tiranë ka bërë bilancin mbi shkeljet e kryera nga drejtuesit e automjeteve përgjatë javës që kaloi, nga data 15 deri më 21 dhjetor 2025.

Përmes një njoftimi zyrtar, blutë bëjnë me dije se janë vënë gjithsej 4 mijë e 744 masa administrative.

Nga këto, 1 mijë e 838 janë për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 1 mijë e 207 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit, 722 për mosvënien e rripit të sigurimit, 653 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 250 për mosrespektimin e radhës së qarkullimit, si dhe 74 për parakalim të gabuar.

Sakaq, janë arrestuar 32 persona për shkelje të rënda të Kodit Rrugor, si dhe janë bllokuar 53 automjete.

Gjatë javës që kaloi dhe gjatë kësaj fundjave, shërbimet e Policisë Rrugore, me rastin e afrimit të festave të fundvitit dhe shtimit të fluksit të lëvizjes, kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet në të gjitha akset dhe pikat lidhëse të kryeqytetit, me objektivat madhorë, parandalimin e aksidenteve dhe përmbushjen e parametrave të sigurisë në rrugë.

Si rezultat i pranisë shtesë dhe përdorimit të pajisjeve logjistike bashkëkohore, janë konstatuar shkelje rrugore të rrezikshme, për të cilat janë vënë masat administrative si më poshtë:
•Qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara – 1838 masa;
•Përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit – 1207 masa;
•Mosvendosje e rripit të sigurimit – 722 masa;
•Mosvendosje e kaskës mbrojtëse – 653 masa;
•Mosrespektim i radhës së qarkullimit – 250 masa;
•Parakalim i gabuar – 74 masa.

Më tej, për shkelje të rënda të Kodit Rrugor dhe për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor:
•janë arrestuar/proceduar penalisht 32 shtetas;
•janë bllokuar 53 automjete.

Policia Rrugore apelon sërish, për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e tjerë të rrugës, që të respektojnë rregullat e qarkullimit, si një kontribut i përbashkët dhe tejet i rëndësishëm për garantimin e sigurisë rrugore dhe për mbrojtjen e jetës“, njoftojnë blutë.

I dënuar për pastrim parash të krimit, Prokuroria e Vlorës i konfiskon 2 mln euro pasuri

By: A R
22 December 2025 at 14:34

Me kërkesë të Prokurorisë së Vlorës janë konfiskuar mbi 2 milionë euro pasuri të shtetasit R.Z., i dënuar për ‘Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’.

Këtij shtetasi i janë konfiskuar pasuri e paluajtshme, me sipërfaqe totale prej 70m2, pasuri e paluajtshme e llojit “njësi”, me sipërfaqe totale prej 50m2, apartament me sipërfaqe prej 159m2, ndodhur në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë, në pronësi të shtetasit V.Z.; pasuri e paluajtshme e llojit “Tokë arë”, me sipërfaqe prej 5000m2, zona kadastrale në bashkëpronësi të shtetasve S.Z, L.Z, E.Z, R.Z, V.Z etj;

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u konfiskuan mbi 2 milionë euro pasuri të shtetasit R.Z. i akuzuar dhe deklaruar fajtor për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr. 1922, të vitit 2019, u pranua kërkesa e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë, duke vendosur:   Deklarimin fajtor të të pandehurit R. Z për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, të parashikuar nga neni 287 pikat (a), (b), (c) i Kodit Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 7 vite burgim. Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale ulë 1/3 (një të tretën) e masës së dënimit,  duke e dënuar përfundimisht  të pandehurin  R.Z  me 4 vjet e 8 muaj”, thuhet në njoftimin e prokurorisë së Vlorës.

Konfiskimin i pasurive:

– Pasuri e paluajtshme, e llojit “Njësi”, me nr.54/9-19, me siperfaqe totale prej 70m2, vol.31, fq.87, zona kadastrale 8605, ndodhur në Vlorë, në pronësi të shtetasit R.Z.;

– Pasuri e paluajtshme e llojit “Njësi”, me nr.54/9-18, me sipërfaqe totale prej 50m2, VOL.31, fq.86, zona kadastrale me nr.8605, ndodhur në Vlorë, në pronësi të shtetasit R.Z;

– Pasuri e paluajtshme e llojit “Apartament”, me nr.pasurie 49/41 + 1-1, vol.31, faqe 180, me sipërfaqe prej 159m2, ndodhur në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë, në pronësi të shtetasit V.Z.;

– Pasuri e paluajtshme e llojit “Tokë arë”, me nr.pasurie 105/13, vol.2, fq.19, me sipërfaqe prej 5000m2, zona kadastrale me nr.2838, në bashkëpronësi të shtetasve S.Z, L.Z, E.Z, R.Z, V.Z etj;

– Pasuri e paluajtshme e llojit “Truall”, me nr.pasurie 49/41-T, me sipërfaqe prej 105m2, vol.34, fq. 117, zona kadastrale me nr.8605, ndodhur në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë, në bashkëpronësi të shtetasve V.Z dhe A.M.;

– Pasuri e paluajtshme e llojit “Apartament”, me nr.pasurie 49+41+1-2, me sipërfaqe prej 171m2, vol.31, fq. 191, zona kadastrale nr.8605, lagjja “Kushtrimi”, Vlorë, në bashkëpronësi të shtetasve V.Z dhe A.M.;

– Pasuri e paluajtshme e llojit “Bodrum”, me nr.pasurie 49-41-B, sipërfaqe prej 181m2, vol.31, faqe 179, zona kadastrale me nr.8605, lagjja “Kushtrimi”, Vlorë, në bashkëpronësi të shtetasve V.Z dhe A.M.;

– Pasuri e paluajtshme “shtesë 4-kate”, ndërtuar mbi bazën e lejes së ndërtimit me nr.2/446 datë 28/09/2011, në bashkëpronësi të shtetasve V.Z dhe A.M.; dhe

– Automjet i markës BMË, GM730D, në pronësi të shtetasit R.Z.

“Më dhunuan djalin”, 32-vjeçarja akuzon edukatoret e kopshtit, çfarë gjeti policia

By: A R
22 December 2025 at 14:28

Një 32-vjeçare nga Tirana ka denoncuar në polici se djali i saj i mitur është dhunuar nga edukatoret e kopshtit.

Por pas hetimeve të policisë ka reazuiiltuar se nuk ka patur asnjë shkelje të jashtligjshme nag ana e edukatoreve gjatë procesit të punës.

Një 32-vjeçare, se dyshon se më datë 19.12.2025, djali i saj është dhunuar nga edukatorja e kopshtit që frekuenton. Menjëherë pas kallëzimit nga specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 1 janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, si këqyrja e pamjeve filmike dhe marrja e deklarimeve, nga të cilat nuk janë konstatuar veprime të paligjshme. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, me qëllim vlerësim të mëtejshëm të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Protesta e PD, reagon Ambasada e SHBA: Shmangni bulevardin, qëndroni vigjilent!

By: A R
22 December 2025 at 14:18

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët amerikanë lidhur me protestën e planifikuar për sot, në orën 18:00, në kryeqytet nga Partia Demokratike. Demonstruesit pritet të mblidhen pranë ndërtesës së Kryeministrit, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza.

Ambasada këshillon qytetarët amerikanë të shmangin zonën e protestës dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore për informacionin më të fundit.

“Në disa raste, protestat dhe tubimet e mëdha fillojnë në mënyrë paqësore, por situata mund të ndryshojë shpejt. Rekomandimi ynë është të shmangni zonat e protestës. Nëse ndodheni në qytet, qëndroni vigjilentë dhe prioritizoni sigurinë personale”, thekson Ambasada.

Për të forcuar sigurinë personale, qytetarët amerikanë këshillohen të:

Shmangin pjesëmarrjen në këtë event;
Të jenë të vetëdijshëm për ambientin përreth;
Të kufizojnë shpërqendrimet si përdorimi i telefonit ose kufjeve në publik;
Të ndjekin mediat lokale;
Të kenë gjithmonë një plan emergjence ose strategji daljeje;
Të mbajnë një profil të ulët gjatë qëndrimit në qytet.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara thekson rëndësinë e respektimit të udhëzimeve të autoriteteve shqiptare dhe të ruajtjes së kujdesit maksimal për sigurinë personale gjatë zhvillimeve në Tiranë.

Në vitin e dytë të liberalizimit të vizave, bien kërkesat për azil në BE

By: A R
22 December 2025 at 14:11

Pa viza drejt 29 vendeve anëtare të zonës Schengen, kryesisht shtete anëtare të BE-së… Ky lajm kishte ardhur me paralajmërimin se liberalizimi i vizave mund të përkeqësojë trendin e migrimit nga Kosova.

Dhe, gjatë vitit të parë, më 2024, kishte ndodhur pikërisht kjo, sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të BE-së, Eurostat.

Trendi, megjithatë, ndryshoi në vitin e dytë të mundësisë së udhëtimit pa viza.

Edhe pse janari i këtij viti shënoi numrin më të lartë të kërkesave për azil nga qytetarët e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian për një fillimvit, trendi ra dukshëm në muajt pasues.

Në disa muaj, ky numër ishte madje më i ulët se në vitet para liberalizimit të vizave.

Në parim, liberalizimi i vizave mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga 29 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë kryesisht për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe assesi për punë apo përfitime të tjera.

Në Kosovë kishte shqetësime se shumë të rinj mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të tentuar të gjejnë punë apo për të kërkuar azil.

Edhe pse në të kaluarën kishte një numër dukshëm më të madh të burrave që kërkuan azil në BE, ky dallim pothuajse u zhduk në dy vjetët e fundit.

Këtë vit, përpos rënies së përgjithshme të numrit të azilkërkuesve, vërehet një rënie drastike edhe e numrit të azilkërkuesve nën 14 vjeç.

Ky është një lajm i mirë për kosovarët, pasi që trendi i aplikimeve më të mëdha për azil rrezikon edhe marrëveshjen për liberalizimin e vizave.

Bashkimi Evropian ka në dorë të ashtuquajturin Mekanizëm të pezullimit të vizave.

Me këtë mekanizëm, një vendi joanëtar të BE-së, si Kosova, mund t’i pezullohet përkohësisht përjashtimi nga vizat, nëse bën keqpërdorime, apo ka rritje të konsiderueshme të migrimit të parregullt.

Për më tepër, këtë muaj, Këshilli i Bashkimit Evropian e përfshiu Kosovën në listën e vende të sigurta të origjinës, në përpjekje për ta përshpejtuar kthimin e migrantëve, duke e bërë më të vështirë për qytetarët nga këto vende të kërkojnë azil në BE./ Marrë nga REL

Kosova merr armatim antitank nga Gjermania, çfarë është PANZERFAUST 3

By: A R
22 December 2025 at 14:00

Kosova ka pranuar zyrtarisht armatim antitank nga Gjermania, konkretisht sistemin e njohur PANZERFAUST 3, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes ndërmjet dy vendeve.

Ky furnizim synon rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke kontribuar në modernizimin gradual të saj dhe përputhjen me standardet e partnerëve euroatlantikë. Autoritetet theksojnë se pajisjet do të përdoren ekskluzivisht për qëllime mbrojtëse dhe trajnime profesionale.

PANZERFAUST 3 konsiderohet një nga sistemet më të avancuara kundërtank në përdorim nga disa ushtri evropiane. Marrëveshja me Gjermaninë shihet si një tjetër dëshmi e mbështetjes së Berlinit për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Çështja Balluku, PD kërkesë Kuvendit për mbledhjen e Këshillit të Mandateve më 23 dhjetor

By: A R
22 December 2025 at 13:51

Partia Demokratike, ka bërë ditën e sotme, 22 dhjetor, një kërkesë në Parlament, që ditën e martë, më 23 dhjetor të mblidhet Këshilli i Mandateve për çështjen “Balluku”.

Ka qenë kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili shprehu kërkesën për mbledhjen e Këshillit të Mandateve të martën, ora 11:00.

Kujtojmë se mbledhja e të premtes, pas 5 orësh debat, u mbyll pa u rënë dakord për datën e mbledhjes së radhës, ku do të diskutohet për kërkesën për heqjen e imunitetit, pasi të gjithë anëtarët e këshillit dhe pala e akuzuar të jenë njohur me materialin voluminoz me prova dhe argumenta që janë depozituar nga prokurori i çështjes.

Avokati i Balluku, i pranishëm në mbledhje, kërkoi 3 javë kohë për t’u njohur me materialin e ardhur nga SPAK-u, dhe shumica, me argumentin se mbrojtjes i duhet dhënë kohë për t’u përgatitur, por të pritet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ankimimin e kryeministrit për konfliktin e kompetencave me strukturën e posaçme, vendosën që mbledhjet të mblidhen pas 22 janarit.

Polici bashkiak dhunon punonjësit e IMT në Vlorë, efektivi i “Rrugores” qëllon me armë

By: A R
22 December 2025 at 13:42

Një aksion për lirimin e hapësirave publike në hyrje të qytetit të Vlorës, në kthesën e Nartës, ka përfunduar në dhunë fizike. Gjatë kontrollit të një lavazhi, pronarët kanë refuzuar aksionin, duke sulmuar fizikisht drejtorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe një efektiv i Policisë Rrugore, i cili ndërhyri për të shmangur sherrin.

Sipas informacioneve, pronari i lavazhove, i cili ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të shtetit, rezulton të jetë një polic Bashkiak. Ai, së bashku me babanë dhe vëllain e tij, ka filluar të kundërshtojë me fjalë aksionin e forcave të rendit, dhe më pas ka kaluar në dhunë fizike ndaj drejtorit të IMT-së dhe efektivit të rrugores.

Gjatë ndërhyrjes, një nga efektivët është goditur me grushte nga disa persona, duke qenë i detyruar të nxjerrë armën e shërbimit dhe të qëllojë në ajër për të shpërndarë personat.

Më pas janë njoftuar forcat “Shqiponja”, të cilat kanë shoqëruar personat e përfshirë në sherr.

Trump emëron një të dërguar special për Groenlandën, rriten tensionet me Danimarkën

By: A R
22 December 2025 at 13:35

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka emëruar guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguar special për Groenlandën, duke sinjalizuar edhe një herë vendosmërinë e tij për të rritur kontrollin amerikan mbi ishullin strategjik të Arktikut, që aktualisht është territor gjysmë-autonom i Danimarkës.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump deklaroi se Landry “e kupton sa thelbësore është Groenlanda për sigurinë tonë kombëtare” dhe se ai do të avancojë interesat e SHBA-ve “për sigurinë dhe mbijetesën e aleatëve tanë, dhe të botës në tërësi”.

Nga ana e tij, Landry e cilësoi emërimin si një nder dhe tha se roli do të ishte vullnetar, pa ndikuar në detyrën e tij si guvernator, raporton Financial Times.

Emërimi ka shkaktuar shqetësim si në Groenlandë ashtu edhe në Danimarkë, aleate e NATO-s, për shkak të deklaratave të përsëritura të Trump se SHBA-të duhet të marrin kontrollin e ishullit me rreth 57 mijë banorë. Presidenti amerikan ka shkuar deri aty sa të sugjerojë blerjen e Groenlandës, një ide e refuzuar kategorikisht nga autoritetet në Nuuk dhe Kopenhagë.

Ministrat e Groenlandës dhe qeveria daneze kanë theksuar vazhdimisht se ishulli “nuk është për shitje”, por kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim me SHBA-të në çështje sigurie dhe në projekte ekonomike, përfshirë minierat.

Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, ka deklaruar se komentet e Trump kanë krijuar “pasiguri”, duke nënvizuar se bashkëpunimi i qëndrueshëm kërkon respekt reciprok. Këto deklarata ajo i bëri në një intervistë për Financial Times.

Strategjia fillestare e Trump ishte të ushtronte presion të drejtpërdrejtë ndaj Danimarkës për të hequr dorë nga territori i saj kryesor arktik. Kjo përfshinte edhe një bisedë telefonike të ashpër në janar me kryeministren daneze, Mette Frederiksen. Megjithatë, zyrtarët në Kopenhagë thonë se administrata amerikane tani ka kaluar drejt një qasjeje më diplomatike ndaj Groenlandës.

Përveç Landry-t, Trump ka emëruar së fundmi edhe investitorin dhe ekspertin e Rusisë, Thomas Dans, në krye të Komisionit Amerikan për Kërkime Arktike. Dans ka organizuar gjithashtu një vizitë në Groenlandë për Donald Trump Jr., djalin e presidentit.

Sipas Financial Times, Trump dhe rrethi i tij promovojnë idenë e “mbrojtjes hemisferike”, duke argumentuar se SHBA-të duhet të kenë ndikim të fortë në të gjithë Amerikën e Veriut dhe zonat përreth, përfshirë Groenlandën, Kanadanë dhe Kanalin e Panamasë, për të garantuar sigurinë e saj.

Nga ana tjetër, Groenlanda synon të zhvillojë ekonominë duke tërhequr investime amerikane dhe ndërkombëtare në sektorë si turizmi dhe minierat, me objektivin afatgjatë të pavarësisë nga Danimarka. Megjithatë, presioni i Trump ka shtyrë Nuuk-un dhe Kopenhagën drejt një bashkëpunimi më të ngushtë, ndërsa disa politikanë groenlandezë pranojnë se ishulli nuk ka kapacitet të mbrohet i vetëm.

Mbi 50 të moshuar të zhdukur në Ukrainë, dyshohet se…

By: A R
22 December 2025 at 12:53

Mbi 50 civilë, shumica të moshuar, janë zhdukur pasi dyshohet se janë marrë me forcë nga trupat ruse dhe janë deportuar në Rusi nga fshati Hrabovske, në rajonin ukrainas të Sumy-t, bëjnë të ditur autoritetet e Kievit.

Ngjarja ka ndodhur mesnatën e 19 dhe 20 dhjetorit, kur njësi të Brigadës së 36-të ruse kaluan kufirin dhe shkuan shtëpi më shtëpi, duke marrë banorët që kishin mbetur në fshat pavarësisht urdhrit të evakuimit. Sipas burimeve zyrtare, një nga personat e rrëmbyer është 89 vjeç, ndërsa fati i të gjithë të deportuarve mbetet ende i panjohur.

Hrabovske ndodhet në kufi me rajonin rus të Belgorodit dhe vetëm 10 kilometra larg autostradës strategjike R45 Sumy–Kharkiv, një arterie e rëndësishme për lëvizjen e forcave ukrainase. Për shkak të kësaj pozite, zona ka qenë objekt interesimi për ushtrinë ruse, e cila prej ditësh po përpiqej të avanconte në këtë drejtim.

Rrëmbimi i civilëve është konfirmuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës dhe nga qeveria e Kievit. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, e cilësoi ngjarjen si “një krim të hapur lufte”, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të kërkojë kthimin e personave të deportuar.

Ai theksoi se, përveç të moshuarve, mijëra qytetarë ukrainas, përfshirë fëmijë, janë marrë me forcë dhe dërguar në Rusi. Sipas autoriteteve ukrainase, numri i të miturve të transferuar me dhunë arrin të paktën në 19 mijë.

Për shkak të rrezikut të shtuar në zonat kufitare, presidenti Volodymyr Zelensky ka urdhëruar evakuimin e detyruar të 5 mijë e 700 banorëve të rajonit Sumy që ende refuzojnë të largohen nga shtëpitë e tyre. Kryqi i Kuq dhe vullnetarë lokalë kanë nisur operacionet e evakuimit, ndërsa një pjesë e popullsisë mbetet ende në zonat e rrezikut.

Ndërkohë, autoritetet ukrainase raportojnë për lëvizje të reja të trupave ruse pranë Hrabovskes, si dhe për tërheqje taktike të forcave ukrainase nga disa pozicione për shkak të ofensivës së vazhdueshme.

Sipas Avokatit të Popullit të Ukrainës, personat e deportuar janë mbajtur fillimisht në izolim dhe nuk kanë pasur asnjë mundësi kontakti me familjarët. Deri tani, asnjë informacion zyrtar nuk është bërë publik mbi vendndodhjen e tyre.

The post Mbi 50 të moshuar të zhdukur në Ukrainë, dyshohet se… first appeared on JavaNews.al.

Protesta e PD para Kryeministrisë, policia plan masash: Ja rrugët që bllokohen

By: A R
22 December 2025 at 12:44

Për shkak të protestës të lajmëruar nga Partia Demokratike pasditen e sotme para Kryeministrisë, Policia e Tiranës ka ndërmarrë një plan masash për garantimin e rendit publik dhe rregullimin e qarkullimit rrugor. Protesta është e parashikuar të nisë në orën 18:00, ndërsa kufizimet për lëvizjen e automjeteve do të fillojnë që në orën 14:00.

Në këtë kuadër, Policia e Tiranës ka njoftuar se do të kufizohet parkimi dhe qarkullimi i automjeteve në disa akse të qytetit:

Nga ora 14:00, do të ndalohet parkimi i automjeteve në:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”

Sheshi “Nënë Tereza”

Rruga “Ismail Qemali”

Kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me Rrugën “Ibrahim Rugova”

Rruga “Papa Gjon Pali II”

Bulevardi “Zhan D’Ark”

Bulevardi “Bajram Curri”

Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”

Rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”

Në varësi të zhvillimit të protestës, mund të ketë kufizime edhe në akse të tjera rrugore. Policia e Tiranës ka përgatitur rrugë alternative për të devijuar qarkullimin e automjeteve dhe për të minimizuar pengesat për qytetarët.

The post Protesta e PD para Kryeministrisë, policia plan masash: Ja rrugët që bllokohen first appeared on JavaNews.al.

“Të qendrojmë në shesh deri sa të largohet Rama”, Kalaja: Drejtuesja e organizatës është e shoqja…

By: A R
22 December 2025 at 12:37

Adriana Kalaja thotë se mendimi i saj personal është që Kryeministria duhet të rrethohet deri në dorëheqjen e kreut të qeverisë, Edi Rama.

Duke folur në MCN, Kalaja tha se kjo protestë do të bashkojë opozitën dhe demokratët e zhgënjyer. Ajo theksoi se në vijën e parë të protestës, apo nëse ndërmerret një veprim i tillë, duhet të jenë deputetët demokratë.

“Sot ndryshuan të gjitha kushtet politike. Jemi përballë një situate të paprecedentë. Nuk flas në emër të PD-së, pasi prej 30 tetorit jam dorëhequr nga strukturat drejtuese.

Do të dal aty si demokrate, si qytetare. Duhet të ngrihemi dhe të reagojmë. Jam për veprime radikale, që të rrethohet Kryeministria dhe të mos largohemi deri në dorëheqjen e Ramës dhe dorëzimin e tij përpara drejtësisë.

Të gjitha çështjet na çojnë te Edi Rama. Drejtuesja reale e organizatës është bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama.

Mendoj se protestat do të bashkojnë opozitën dhe ata demokratë që kanë shumë të drejtë të jenë tërhequr dhe të zhgënjyer.

Kur të shohin se deputetët dalin në krye, që policët të mos merren me qytetarët e thjeshtë, atëherë situata do të radikalizohet.

Sa kohë pretendohet se jetojmë në regjim dhe drejtohemi nga një narko-qeveri, nuk mjafton të paralajmërojmë protesta për një apo dy orë, por duhet të shkojmë pa kthim pas deri në rrëzimin e regjimit”, tha ajo.

The post “Të qendrojmë në shesh deri sa të largohet Rama”, Kalaja: Drejtuesja e organizatës është e shoqja… first appeared on JavaNews.al.

Sulmi në Australi me 15 viktima, autorët hodhën eksplozivë para se të qëllonin, kryen stërvitje për disa javë

By: A R
22 December 2025 at 12:26

Autorët e dyshuar në sulmin në Bondi Beach hodhën eksplozivë në fillim të incidentit vdekjeprurës dhe kishin praktikuar qitje me armë javë më parë ndërsa planifikonin sulmin, sipas dokumenteve të reja të gjykatës.

Pesëmbëdhjetë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën kur dy persona të armatosur hapën zjarr në një festë hebreje të Hanukkah më 14 dhjetor. Eksplozivët, përfshirë një “bombë me top tenisi”, nuk shpërthyen, sipas dokumenteve.

Naveed Akram, 24 vjeç, është akuzuar për 59 vepra penale, duke përfshirë 15 akuza për vrasje dhe një për terror. Personi i dytë i armatosur – babai i tij, Sajid Akram – u qëllua për vdekje nga policia në vendngjarje.

Sipas dokumenteve, dyshja e planifikoi “me kujdes” sulmin për disa muaj dhe dy ditë para të shtënave, vizitoi plazhin Bondi për zbulim.

Në materialet e publikuara nga policia përfshihen detajet e disa videove që gjurmojnë lëvizjet e personave të dyshuar të armatosur në muajt, ditët dhe orët para sulmit.

Një video, e bërë me një nga telefonat e tyre celularë në tetor përshkruhet si një video që tregon burrat të ulur para një imazhi të një flamuri të grupit të Shtetit Islamik (IS).

Ata dëgjohen duke bërë deklarata në lidhje me motivet e tyre për sulmin dhe dënojnë “aktet e ‘sionistëve’”, thotë policia.

Naveed Akram është gjithashtu “i regjistruar duke recituar, në arabisht, një fragment nga Kurani”.

Policia tha se pamje të veçanta nga tetori tregojnë babanë dhe djalin “duke kryer stërvitje me armë zjarri në një vend rural”, që besohet të jetë në Uellsin e Ri Jugor. Ata shihen “duke qëlluar me pushkë dhe duke lëvizur në një mënyrë taktike”, shtuan zyrtarët.

Pamjet e kamerave të sigurisë nga mbrëmja e 12 dhjetorit thuhet se tregojnë dy meshkuj “që besohet të jenë i akuzuari dhe babai i tij” në makinën e tyre pranë Bondi Beach.

“I akuzuari dhe babai i tij, S Akram, shihen duke dalë nga automjeti dhe duke ecur përgjatë urës për këmbësorë, duke qenë në të njëjtin pozicion ku ata u vendosën dy ditë më vonë dhe qëlluan ndaj anëtarëve të publikut”, thuhet në dokument.

“Policia pretendon se kjo është provë e zbulimit dhe planifikimit të një akti terrorist.”

Rreth orës 02:00 (15:00 GMT) të ditës së sulmit, dy burra u kapën nga kamerat e sigurisë duke dalë nga një banesë me qira në periferi të Sydney-t, Campsie, “duke mbajtur sende të gjata dhe të rënda të mbështjella me batanije”, të cilat i vendosën në një makinë.

Dokumentet shënojnë se këto përfshijnë dy pushkë me një tytë, një pushkë Beretta, katër pajisje shpërthyese të improvizuara (IED) dhe dy flamuj të ISIS.

Policia thotë se pak pas orës 17:00 (08:00 GMT), burrat u panë duke dalë nga banesa me qira. Pamje të veçanta i kapin ata duke mbërritur në Bondi në orën 18:50 (09:50 GMT), ku parkuan dhe vendosën flamujt në pjesën e brendshme të dritareve të përparme dhe të pasme.

Më pas, ata shihen duke hequr armët e zjarrit, përpara se të ecin drejt një ure këmbësorësh, sipas dokumenteve.

Pikërisht nga ky vend, policia beson se ata hodhën eksplozivët drejt turmës, megjithëse asnjë nuk shpërtheu.

Pak kohë më vonë, ata përdorën armët e zjarrit për të qëlluar drejt turmës, thotë policia. Katërmbëdhjetë persona u vranë në vendngjarje. Një tjetër vdiq nga plagët e marra më vonë në spital.

Sajid Akram u qëllua dhe u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me oficerët e Policisë së Uellsit të Ri Jugor.

Naveed Akram u plagos rëndë nga zjarri i policisë. Ai u lirua nga spitali të hënën dhe u transferua në një burg.

Sulmi në Bondi Beach shkaktoi thirrje për kufizime më të ashpra mbi pronësinë e armëve dhe më shumë përpjekje për të mbrojtur komunitetin hebre nga antisemitizmi në rritje.

Të hënën, shteti i Uellsit të Ri Jugor thirri parlamentin e tij për të debatuar një sërë ligjesh të reja për armët dhe protestat, të propozuara pas të shtënave.

Disa grupe të të drejtave civile dhe avokatë pro-armëve kanë ngritur shqetësime se ligjet do të vendosin kufizime të panevojshme mbi armët e zjarrit dhe protestat.

The post Sulmi në Australi me 15 viktima, autorët hodhën eksplozivë para se të qëllonin, kryen stërvitje për disa javë first appeared on JavaNews.al.

“Partizani”, avokatja e Berishës në seancë: SPAK nuk ka asnjë fakt dhe nuk ka sjellë asnjë provë

By: A R
22 December 2025 at 12:14

Në seancën e së hënës të dosjes “Partizani”, avokatët e ish-kryeministrit, Sali Berisha, Klodiana Gjyzari dhe Genc Gjokutaj, pretenduan se nuk ekzistojnë faktet penale që e ngarkojnë atë me akuzën e “korrupsionit pasiv”.

“SPAK si në aktet e formulimit të akuzës nuk ka parashtruar fakte të qarta, çfarë ka bërë Berisha, cila është pasoja, nuk ka sjellë asnjë provë dhe veprim konkret se çfarë ka bërë Sali Berisha. Gjatë këtij procesi do provojmë se ndjekja penale është kryer për qëllime politike duke cënuar pluralizmin në Shqipëri”, tha Gjyzari.

The post “Partizani”, avokatja e Berishës në seancë: SPAK nuk ka asnjë fakt dhe nuk ka sjellë asnjë provë first appeared on JavaNews.al.

Si do modernizohet bujqësia? Rama: Do bëjmë regjistrin e fermave e kafshëve, fatkeqësi nëse…

By: A R
22 December 2025 at 12:09

Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të hënë, më 22 dhjetor, në aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë 2030”, ku prezantoi mekanizmat praktikë për mbështetjen e bujqësisë shqiptare dhe përgatitjen e sektorit për standardet e Bashkimit Europian.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi rëndësinë e përgatitjes për ndryshimet që sjell anëtarësimi në BE, duke paralajmëruar se prodhimet që nuk përmbushin standardet nuk do të pranohen më në tregun europian. Po ashtu, ai prezantoi edhe disa nga ndryshimet konkrete që qeveria po implementon, mes të cilave, finalizimi i regjistrave kombëtarë të fermave dhe kafshëve.

“Çfarë do të bëjmë ne konkretisht? Sepse janë dy anë të të njëjtës medalje. Ne do të bëjmë sistemin e integruar të administrimit të kontrollit, do të finalizojmë regjistrat kombëtarë të fermave, parcelave dhe të kafshëve. Është një punë e nisur dhe do ta finalizojmë. Do të ndërtojmë deri në fund laboratorët e akredituar nga BE.

Sot kemi një nivel krejt tjetër të analizës me Institutin, etj, por duhet të përfundojë gjithë projekti i laboratorëve dhe do të shtyjmë shumë fort, në projektin e shërbimeve këshillimore në terren dhe do mbështetemi tek Universiteti Bujqësor i Tiranës. Ku besojmë se vit pas viti do kemi gjithmonë e më shumë aftësi, për të na udhëhequr, neve si sektor publik dhe juve si sektor privat.“, tha Rama.

Këshilla sipërmarrësve të sektorit bujqësor: Do ishte fatkeqësi…

Kryeministri Rama i këshilloi fermerët dhe sipërmarrësit e sektorit të mos neglizhojnë investimin në dijen dhe aftësitë e stafit të tyre.

“Nuk është diçka që duhet thënë se kështu e do muhabeti, por është diçka që del si mësim nga ajo çfarë kanë bërë të tjerët më parë. Mos lini pa investuar tek mendja e kompanisë, mos lini pa investuar tek fuqia njerëzore e kompanisë, mos lini ditë të kalojë pa trajnuar fuqinë njerëzore, pa sjellë diçka të re, sado të vogël në aspektin e të mësuarit, sepse dija është ajo që kur ka munguar, ka sjellë falimentim të menjëhershëm në momentin e hapjes së dyerve të BE-së. Thjesht dhe vetëm të vendoset dryni dhe nuk t’i pranon më njeri ato që prodhon, sepse nuk je më si sot. Sot je një fermer eksportues, që eksporton jashtë BE-së. Nesër do të prodhosh për BE-në, njëlloj si nga Lushnja për Tiranën. Nëse je ti problem për sigurinë ushqimore në Lushnjë, t’i bllokohesh në Lushnjë dhe mbaron. Do ishte fatkeqësi të vijë dita që Shqipëria të jetë anëtare në BE dhe qoftë një sipërmarrës i vetëm të thotë, nuk e dinim që do përballeshim me këto kushte të reja, nuk u përgatitëm për këto kushte të reja, apo nuk u informuam. Detyra jonë është t’ju informojmë. Detyra juaj është të informoheni. Detyra e përbashkët, që këtë ta shfrytëzojmë për të rritur kapacitetet që reciprokisht t’i vëmë në dispozicion të këtij sektori kaq jetik dhe kaq të rëndësishëm.“, vazhdoi kryeministri.

Rama e përfundoi fjalën e tij duke uruar një vit të ri të mbarë dhe të suksesshëm për fermerët, familjet e tyre dhe punonjësit e sipërmarrjeve bujqësore.

The post Si do modernizohet bujqësia? Rama: Do bëjmë regjistrin e fermave e kafshëve, fatkeqësi nëse… first appeared on JavaNews.al.

Darka e fundit dhe mesazhi sekret, publikohen videot, momenti i vrasjes së Liridonës dhe britmat e fëmijëve

By: A R
22 December 2025 at 11:56

Në Gjykatën e Prishtinës janë publikuar prova audiovizive lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Krisma arme dhe britmat e fëmijëve dëgjohen në një audio të prezantuar para trupit gjykues për vrasjen e ndodhur më 29 nëntor të vitit 2023.

Në sallë ishin të gjithë të akuzuarit, përfshirë ish bashkëshortin e të ndjerës, Naim Murseli. Paraprakisht, janë shfaqur pamje të cilat tregojnë për vendin e ngjarjes. Në vazhdim të prezantimit të këtyre provave, janë shfaqur edhe pamje në një karburant, ku shihen Naim Mueseli dhe Granit Plava.

Gjatë administrimit të provave materiale në seancën ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, janë shfaqur video nga restauranti “Etnokuqa”, ku pasi Liridona, Naimi dhe fëmijët hyjnë, pas pak minutave në të kundërtën e tyre ulet edhe Granit Plava. Në pamje shihet edhe Naim Murseli, i cili lëviz brenda restaurantit dhe i drejtohet tavolinës së Granit Plavës.

Ky i fundit kishte deklaruar se vetë Naim Murseli e kishte përgatitur armën me 5 fishekë. Ndër të tjera, Plava në dëshminë e tij ka thënë se në natën kritike ishte Naimi ai që e hapi pak xhamin e veturës, ndërsa ky i fundit shtiu me armë.

The post Darka e fundit dhe mesazhi sekret, publikohen videot, momenti i vrasjes së Liridonës dhe britmat e fëmijëve first appeared on JavaNews.al.

Gjykatësi i Gjykatës së Lartë të SHBA paralajmëron për përplasje mes presidentit, Kongresit dhe gjykatave

By: A R
22 December 2025 at 11:49

Demokracia amerikane mbetet funksionale, por po përballet me tensione serioze institucionale. Kështu shprehet gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Samuel Alito, në një intervistë për Corriere della Sera, teksa analizon gjendjen e sistemit kushtetues amerikan në prag të 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së.

“Institucionet funksionojnë, por është shumë e vështirë të miratohen ligje në Kongres. Kjo i shtyn presidentët të zgjerojnë kompetencat e tyre deri në kufi, ndonjëherë edhe përtej tij, ndërsa gjykatat përfshihen gjithnjë e më shpesh në përplasje me pushtetin ekzekutiv”, deklaron Alito.

Gjykata e Lartë aktualisht ka një supermazhorancë konservatore 6 me 3, e cila ka rishikuar precedentë të rëndësishëm ligjorë mbi abortin, të drejtën për armë, politikat e barazisë racore (affirmative action) dhe lirinë fetare. Sipas sondazheve, rreth gjysma e amerikanëve kanë një opinion negativ për institucionin më të lartë gjyqësor të vendit.

Në një kontekst ku Kongresi shihet si i paralizuar dhe presidentët përdorin gjithnjë e më shumë urdhra ekzekutivë, Alito thekson rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrit mes tre pushteteve.

I pyetur për vendimin historik Dobbs, që rrëzoi Roe v. Wade dhe ia riktheu vendimmarrjen mbi abortin shteteve dhe Kongresit, Alito thotë se kritikat ndërkombëtare janë shpesh të pabazuara.

“Në shumë vende evropiane, përfshirë Britaninë dhe Francën, ligjet për abortin miratohen nga parlamentet. Pikërisht këtë parashikon edhe vendimi Dobbs”, shprehet ai, duke pranuar se çështja mbetet thellësisht përçarëse në shoqërinë amerikane.

Alito mohon se bindjet fetare të gjyqtarëve ndikojnë në vendimet e Gjykatës, edhe pse sot gjashtë nga nëntë anëtarët e saj janë katolikë. “Vendimet merren mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjit, jo të fesë”, thekson ai.

Gjyqtari amerikan paralajmëron se polarizimi politik ka dobësuar rolin e Kongresit, duke i lënë më shumë hapësirë pushtetit ekzekutiv. Kjo ka sjellë një rritje të ndjeshme të çështjeve urgjente që përfundojnë në Gjykatën e Lartë, përfshirë vendime mbi rishpërndarjen elektorale dhe përdorimin e Gardës Kombëtare.

Duke komentuar vendimin për imunitetin presidencial, Alito thotë se ai nuk përbën kërcënim për Kushtetutën. “Imuniteti nuk vlen vetëm për një president, por për të gjithë. Demokracia funksionon vetëm nëse humbësi i zgjedhjeve e pranon rezultatin dhe dorëzon pushtetin”, shprehet ai.

Alito pranon se Gjykata e Lartë po përballet me një krizë besimi, por paralajmëron se delegjitimimi i saj nga politika dhe media dëmton vetë shtetin e së drejtës.

The post Gjykatësi i Gjykatës së Lartë të SHBA paralajmëron për përplasje mes presidentit, Kongresit dhe gjykatave first appeared on JavaNews.al.

Rolling Hills Liqeni, drejt finalizimit faza e parë e projektit

By: A R
22 December 2025 at 11:43

Punimet për realizimin e fazës së parë të projektit Rolling Hills Liqeni po avancojnë me ritme të qëndrueshme dhe njësitë e para pritet t’u dorëzohen banorëve brenda vitit të ardhshëm. Aktualisht, disa prej njësive janë në fazën e ndërtimit të karabinasë, ndërsa të tjerat i janë afruar përfundimit të rifiniturave. Ndërkohë, Piazza po përmbyll fazën e karabinasë dhe vijon me punimet për ndarjet e brendshme dhe sistemimet përreth.

Shumë shpejt pritet të nisin edhe punimet e fazës së dytë të projektit, duke sjellë më pranë realitetit një nga projektet më moderne në periferi të kryeqytetit.

Pozicionuar në kodrat e liqenit të Farkës, vetëm 10 minuta larg qendrës së Tiranës, Rolling Hills Liqeni është alternativa ideale për ata që kërkojnë qetësi, pa sakrifikuar komoditetin dhe aksesin në të gjitha shërbimet.

Rezidenca ofron një mënyrë jetese ekskluzive me vila dhe apartamente të ndërtuara sipas standardeve më të larta të cilësisë dhe një arkitekturë moderne.

Fare pranë kompleksit ndodhet parku rekreativ, me hapësira të dedikuara për sport, relaks dhe aktivitete në natyrë, krijuar për t’i shërbyer çdo grupmoshe.

Ngjitur me parkun, banorët do të kenë edhe një qendër shërbimesh që do të funksionojë si një hapësirë dinamike jo vetëm për komunitetin, por edhe për vizitorët. Piazza do të ketë lidhje direkt në Lungolagon e Liqenit të Farkës dhe pritet të shndërrohet në një pikë referimi për jetën sociale dhe ekonomike të zonës.

Hapësirat komerciale të Piazza-s janë konceptuar për të mbuluar një gamë të gjerë shërbimesh që variojnë nga supermarketet, farmacitë dhe dyqanet, tek baret, restorantet, palestrat dhe qendrat SPA. Infrastruktura e projektit është e detajuar për të siguruar funksionim efikas të çdo biznesi, me parkime të dedikuara për klientë dhe furnitorë, ashensorë të veçantë për mallra dhe vizitorë, akses të garantuar për persona me aftësi të kufizuara, si dhe administrim dhe siguri 24/7.

Me ecurinë e shpejtë të punimeve, e gjithë kjo zonë pritet të shndërrohet shumë shpejt në një qendër dinamike, me një komunitet të gjallë që do të mirëpresë jo vetëm banorë të rinj, por edhe vizitorë. Rolling Hills Liqeni nuk është thjesht një rezidencë banimi, por një mundësi për të përjetuar një stil modern jetese në mes të natyrës, me gjithë komoditetin që ofron një projekt premium.

Zhvillimi i projektit mbështetet në një bazë të rregullt ligjore dhe ndjek me përpikëri të gjitha kërkesat e legjislacionit në fuqi, duke garantuar siguri dhe transparencë për çdo investim.

The post Rolling Hills Liqeni, drejt finalizimit faza e parë e projektit first appeared on JavaNews.al.

Protesta e Berishës, Policia e përgatitur për çdo skenar, rreth 1300 efektivë në terren

By: A R
22 December 2025 at 11:34

Protesta e thirrur në orën 18:00 nga Opozita ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit dhe ka marrë masat për çdo skenar të mundshëm. Burime nga policia bëjnë me dije se rreth 1300 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA.

Gjithashtu edhe Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve. Ndërkohë në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundërgaz. Do të ketë edhe 5 autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh.

Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para Kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, të cilët do të jenë të shumtë për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.

Burime për A2 CNN bëjnë me dije se dje Policia e Tiranës ka zhvilluar mbledhje për protestën duke qenë e angazhuar maksimalisht. Në mbledhje kanë qenë të gjithë drejtuesit e policisë së Tiranës dhe shefat e rendit dhe sigurisë dhe shefat e komisariateve të Tiranës. Në mbledhje janë dhënë porositë lidhur me detyrat e policisë për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestës. Efektivëve u është kërkuar që të kenë kujdes dhe të mos provokohen nga protestuesit dhe të ruajnë qetësinë. Gjithashtu u është kërkuar që ndërhyrjet të jenë të minimizuara vetëm në raste nevoje dhe mos të krijohen përplasje të provokuara.

The post Protesta e Berishës, Policia e përgatitur për çdo skenar, rreth 1300 efektivë në terren first appeared on JavaNews.al.

❌
❌