Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 21 December 2025Main stream

Trump nënshkruan urdhrin/ SHBA synon kthimin e njerëzve në Hënë deri në 2028

20 December 2025 at 22:51

Presidenti amerikan Donald Trump përcaktoi qëllimin e SHBA-së për të dërguar njerëzit përsëri në Hënë deri në vitin 2028 dhe për të mbrojtur hapësirën nga kërcënimet me armë në një urdhër ekzekutiv gjithëpërfshirës, lëvizja e parë e madhe e politikës hapësinore të mandatit të dytë të administratës së tij.

Urdhri, i lëshuar disa orë pasi astronauti miliarder privat dhe ish-klient i SpaceX, Jared Isaacman, u betua si administratori i 15-të i NASA-s, riorganizoi gjithashtu koordinimin e politikave kombëtare hapësinore nën drejtimin e këshilltarit kryesor të shkencës të Trumpit, Michael Kratsios.

I titulluar “SIGURIMI I SUPERIORITETI HAPËSINOR AMERIKAN”, urdhri i bën thirrje Pentagonit dhe agjencive të inteligjencës amerikane të krijojnë një strategji të sigurisë hapësinore, nxit efikasitetin midis kontraktorëve privatë dhe kërkon demonstrime të teknologjive të mbrojtjes nga raketat në kuadër të programit Golden Dome të Trump.

Duket se anuloi organin më të lartë koordinues të politikave hapësinore të Shtëpisë së Bardhë, Këshillin Kombëtar të Hapësirës, një panel anëtarësh të kabinetit që presidenti e ringjalli gjatë mandatit të tij të parë dhe që ka menduar ta shkarkojë këtë vit.

Por një zyrtar i administratës tha se nuk do të anulohej dhe sugjeroi që do të vazhdonte të ishte nën varësinë e Zyrës së Politikave Teknologjike të Shtëpisë së Bardhë me një strukturë të ndryshme në të cilën presidenti, në vend të zëvendëspresidentit, do të ishte kryetar.

Qëllimi për të ulur njerëzit në Hënë deri në fund të mandatit të dytë të Trumpit në vitin 2028 ka ngjashmëri me direktivën e presidentit në mandatin e tij të parë për të bërë një kthim në Hënë deri në vitin 2024, duke e vendosur satelitin në qendër të politikës amerikane të eksplorimit të hapësirës.

Nafta në shënjestër, SHBA-të sekuestrojnë një anije pranë Venezuelës

20 December 2025 at 22:31

Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar sot, 20 dhjetor, një anije pranë brigjeve të Venezuelës. Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë amerikanë për mediat e huaja. Kjo është hera e dytë gjatë këtij muaji që SHBA-të ndërmarrin një veprim të tillë pranë këtij vendi.

Ky veprim vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të martën, 16 dhjetor, se kishte urdhëruar një “bllokadë” ndaj cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë ose dalin nga Venezuela.

Venezuela nuk ka reaguar ende për sekuestrimin e fundit, por më herët ka akuzuar Washingtonin se po përpiqet t’i vjedhë burimet e naftës.

Gjatë javëve të fundit, SHBA-të kanë shtuar praninë e saj ushtarake në Detin e Karaibeve dhe kanë kryer sulme vdekjeprurëse ndaj anijeve që i konsiderojnë si të përfshira në kontrabandë droge nga Venezuela. Sipas raportimeve, rreth 100 persona janë vrarë në këto operacione.

Megjithatë, SHBA-të nuk kanë paraqitur prova publikisht që këto mjete lundruese po transportonin drogë, ndërsa ushtria amerikane po përballet me kritika dhe hetime nga Kongresi për këto sulme.

Washingtoni akuzon presidentin venezuelian Nicolás Maduro se drejton një organizatë të shpallur terroriste, të njohur si “Karteli i Diejve”, një akuzë që Maduro e mohon. Administrata Trump pretendon se Maduro dhe grupi i tij përdorin naftën e “vjedhur” për të financuar terrorizmin, trafikun e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore, vrasje dhe rrëmbime.

Venezuela, e cila ka rezervat më të mëdha të naftës në botë, varet pothuajse tërësisht nga të ardhurat e naftës për financimin e shpenzimeve shtetërore.

Njoftimi i Trump për “bllokadën” erdhi vetëm pak ditë pasi SHBA-të sekuestruan një cisternë nafte pranë brigjeve të Venezuelës, e dyshuar si pjesë e të ashtuquajturës “flotë fantazmë”, që përdorte metoda të fshehta për të shmangur kontrollin.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se anija, e quajtur Skipper, ishte e përfshirë në transport të paligjshëm nafte dhe do të dërgohej në një port amerikan. Qeveria venezueliane reagoi ashpër, me presidentin Maduro që tha se SHBA “rrëmbeu ekuipazhin” dhe “vodhi anijen”.

Gurët e shtëpisë time/ Shega lezhjane, ishulli i mrekullive!

20 December 2025 at 22:14

Ishulli i Lezhës është pjesë e programit të qeverisë ‘100 fshatrat’ që synon të sjellë përmes projekteve zhvillimore një dimension të ri zhvillimit të agroturizmit dhe përmirësimit të ekonomisë së zonës. Laguna e Ishull-Lezhës është e pasur me specie të rralla si Rosa e Egër, Bajza, Çafka, Karabullaku.

Ishulli i Lezhës, është quajtur ‘ishull’ për shkak të sistemit lagunor që afrohet deri pranë qytetit të Lezhës. Ndodhet rreth 60 km. nga Tirana dhe me një histori të vjetër si një sistem lagunor dhe destinacion turistik. Është e para Zonë e Mbrojtur e Shqipërisë, e shpallur si Rezervë Gjuetie që nga korriku i vitit 1940. Edhe sot ruan këtë status të emërtuar si “Rezervat Gjuetie dhe Rezervë e Menaxhuar”. Kjo zonë përfshin një sistem ligatinash, ku përfshihen laguna e këneta, ujëra detare dhe, toka nën nivelin e detit dhe pyje tipike bregdetare, shkurre mesdhetare, rrjedhje ujore dhe toka bujqësore e kullota.

Laguna është e pozicionuar në jugperëndim të qytetit të Shëngjinit, në perëndim të fshatrave të ishull Shëngjinit dhe Ishull Lezhës. Edhe në këtë lagunë, ashtu si në atë të Karavastasë, janë flamingot ato që tërheqin më shumë me shfaqet e tyre të “kërcimit” në ujë. Këtu banorët kanë emigruar kryesisht në Greqi. Fatjon Vathaj tregon vuajtjet e rrugës për në Greqi, nëpër male që në moshën 15 vjeç. “Tani nuk do ta beja kurre ate rruge”, na thotë. Pjesë e odisesë së kësaj rruge ishte të gjeje një vend për të fjetur dhe ajo që gjeti Fatjoni ishte një dhomë me një “sobë me granata dhe eksplozive”.

Vendosi të kthehej dhe të hapte një fermë të vogel për familjen, të cilën e ka kthyer tashmë në biznes. Shkurtat apo thëllëzat janë zogu i shumekerkuar. Vezet e tyre kerkohen shume veçanerisht per shkaqe shendetsore. Hoteli i Gjuetisë në Ishull-Lezhë i ndërtuar në vitit 1936 është një objekt me vlera të veçanta historike. Mirditori Viktor Jushi, administrator i Hotelit të Gjuetisë, mjeshtër i punimit të gurit, thotë se “ky objekt u ndërtua nga italianët për promovimin e turizmit të të apasionuarve pas gjuetisë. Aty ndodhet edhe një ndërtesë e vitit 1939, që lidhet me emrin e Kontit Çiano, ish-ministrit të Jashtëm të Italisë. Është shpallur “Monument Kulture”.

Këtu, Konti Çiano, ish-ministri i Jashtëm i Italisë. dikur ftonte në këtë vilë shumë personalitete italiane dhe miq nga vende të ndryshme, si dhe projektuesit kryesorë të operacioneve ushtarake, strategjike e diplomatike të Duçes. Në kohën e komunizmit, këtu vinin qeveritarët e kohës, të cilët gjuanin shpendë dhe kafshë të egra të lagunës.  Jushi, I cili e bleu këtë kompleks pas kthimit nga emigracioni, thotë se “grumbulloi eksperiencë në Greqi” dhe hapi biznes këtu duke punësuar veten dhe familjen. “Kam bo mire qe jam kthy”, na thotë Jushi.

Vila e ministrit të Duçes gjendet pikërisht këtu dhe siç ka dëgjuar Viktori nga babai I tij, këtu mendohet se janë takuar madje Çiano dhe Ribentrop. Më vonë, gjatë viteve të komunizmit, këtu vinte më shumë Kadri Hazbiu. Viktori thotë se janë përpjekur të ruajnë karakterin e objektit dhe natyren. “Do sakrifica qe te mirembahet dhe te investojme”, thotë ai.  / abcnews.al/

Before yesterdayMain stream

Ishulli Hormuz shndërrohet në xhevahir të kuq/ Iran, reshjet e shiut transformojnë vijën bregdetare

20 December 2025 at 21:48

Reshjet e shiut në ishullin Hormuz të Iranit e kanë transformuar përkohësisht vijën bregdetare në një pamje mbresëlënëse natyrore me nuanca të kuqe. Plazhi është i njohur për rërën dhe shkëmbinjtë e tij me ngjyrë të kuqe të theksuar, të krijuara nga përqendrimet e larta të oksidit të hekurit. Sa herë që bie shi, siç ndodhi këtë javë, rrjedha të tokës së kuqe zbresin drejt bregut, duke ngjyrosur plazhin dhe ujërat përreth, në kontrast të fortë me blunë e Gjirit Persik.

Ky fenomen natyror tërheq rregullisht turistë, fotografë dhe vëmendje të madhe në rrjetet sociale. Përtej pamjes vizuale, toka e kuqe – e njohur lokalisht si gelak – eksportohet në sasi të kufizuara dhe përdoret në prodhimin e kozmetikës, pigmenteve dhe disa produkteve tradicionale.

Ishulli Hormuz ndodhet në Ngushticën e Hormuzit, aty ku Gjiri Persik takohet me Gjirin e Omanit, rreth 1,080 kilometra në jug të kryeqytetit iranian, Teheranit. Reshjet e shiut në ishull janë relativisht të rralla dhe ndodhin kryesisht gjatë dimrit dhe fillimit të pranverës.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by ABC News Albania (@abcnewsal)

Musk triumfon: rikthehet bonusi 56 mld $, hapet rruga drejt 1 000 miliardëve

20 December 2025 at 21:32

Elon Musk mund të forcojë pozicionin e tij si njeriu më i pasur në botë. Gjykata e Lartë e shtetit amerikan Delaware ka rikthyer shpërblimin gjigant prej 56 miliardë dollarësh që kompania Tesla i kishte dhënë atij në vitin 2018.

Ky bonus ishte anuluar në vitin 2024 nga një gjykatë më e ulët, pas një padie nga një aksioner, i cili e quajti shpërblimin “të tepruar” dhe kundër interesave të aksionerëve. Por Gjykata e Lartë e Delaware e rrëzoi këtë vendim, duke thënë se heqja e plotë e shpërblimit ishte e padrejtë, sepse Musk kishte punuar për Teslën për 6 vite (2018-2024) pa marrë pagesë.

Çfarë fiton Musk nga ky vendim?

Falë marrëveshjes së vitit 2018 që tani është rikthyer:

-Musk mund të blejë aksione të Tesla-s me çmim shumë të ulët

-Pjesa e tij në kompani rritet nga 12,4% në 18,1%

-Vlera e aksioneve të tij rritet me rreth 139 miliardë dollarë

Musk e quajti këtë vendim një “hakmarrje të merituar” në një postim në rrjetin e tij social “X”. Pas problemeve ligjore në Delaware, ai e ka zhvendosur selinë e Tesla-s në Teksas.

Bonusi i ri, edhe më i madh

Përveç rikthimit të bonusit të vitit 2018, Elon Musk ka siguruar edhe një shpërblim të ri edhe më të madh.

Pas anulimit të kompensimit të vjetër, ai kishte paralajmëruar se mund të largohej nga Tesla nëse nuk do t’i jepej një paketë e re që do t’i forconte kontrollin mbi kompaninë. Për të mos e humbur, aksionerët pranuan t’i ofrojnë një skemë të re shpërblimi, e cila, nëse plotësohen disa objektiva, do t’i mundësojë Musk të rrisë pjesën e tij në Tesla nga 13% në rreth 25%, me një vlerë të mundshme që mund të arrijë deri në 1 000 miliardë dollarë.

Ende mbetet e paqartë nëse ky bonus i ri do të shtohet mbi atë të vjetrin që sapo u rikthye dhe sa realisht do të rritet pjesëmarrja e Musk në kapitalin e Tesla-s.

Aksident në Bradashesh, përplasen dy automjete/ Katër persona të plagosur

20 December 2025 at 20:55

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme, rreth orës 20:10, në aksin rrugor rreth rrotullimi i Bradasheshit – Paraburgimi i Elbasanit. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar panik dhe bllokim të përkohshëm të qarkullimit në këtë segment me qarkullim jo të paktë  .

Sipas të dhënave paraprake, aksidenti dyshohet të ketë ndodhur pas një manovre parakalimi të gabuar nga njëri prej automjeteve të përfshira, çka ka sjellë përplasjen e fortë mes mjeteve.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesit e të dy automjeteve si edhe dy pasagjerë kanë mbetur të plagosur. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore po monitorohet nga bluzat e bardha.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e policisë dhe ambulancat, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe normalizimin e qarkullimit rrugor.

Dritasi, toka e ullinjve/ Xhixha: Duhet të jesh agronom dhe njohës i mirë i ullirit, nuk është e thjeshtë

20 December 2025 at 20:38

Në fshatin Dritas, mes njerëzve punëtorë dhe një tradite të hershme bujqësore, kultivimi i ullirit mbetet një nga shtyllat kryesore të jetesës. Një pjesë e mirë e komunitetit siguron të ardhurat nga agrumet dhe veçanërisht nga kultura e ullirit, e cila i ka dhënë identitet kësaj zone.

Teksa udhëton në kodrat e Dritasit, përballesh me një rrugë në proces rikonstruksioni. Mjete dhe punëtorë që i japin një tjetër pamje fshatit, duke treguar se zona ka prirje zhvillimi, veçanërisht në sektorin e pemëtarisë.

Pëllumb Xhixha është një nga banorët që pasionin për tokën e ka kthyer në mënyrë jetese. Edhe pse në prag pensioni, ai vazhdon çdo ditë punën në plantacionin e ullinjve, ku e gjejmë së bashku me familjarët në procesin e vjeljes.

“Jemi të kënaqur me prodhimin, por kemi mungesë të fuqisë punëtore. Kemi marrë punëtorë, por është e vështirë për t’i gjetur.”

Plantacioni është i ndarë sipas varieteteve të ndryshme të ullirit, çka sipas Pëllumbit kërkon njohuri.

 “Kemi mbjellë varietetin italian për prodhim vaji, kemi marrë edhe kaniniotin. Fillimisht kemi nisur në vitin 2008 me forcat tona, në 2010 kemi mbjellë të tjerë dhe sot kemi rreth 600 rrënjë ullinj.”

Puna me ullirin, thotë ai, nuk është e thjeshtë dhe kërkon përkushtim gjatë gjithë vitit.

 “Me fol për ullirin duhet të jesh agronom. Ka plehërimin, krasitjen, vaditjen.”

Këtë vit, prodhimi ka qenë i mbarë dhe vjelja ka nisur në kohën e duhur.

 “Kemi filluar vjeljen dhe jemi të kënaqur këtë vit. Kemi edhe ullinj shekullorë në Qinëm. Rreth datës 20 dhjetor, fundi i dhjetorit, duhet ta gjesh të vjelur këtë varietet.”

Për sa i përket përpunimit të vajit, Pëllumbi thotë se tashmë kanë gjetur zgjidhjen e duhur, ndryshe nga vitet e para.

 “Me përpunimin e vajit kemi gjetur fabrikën më të mirë, Kadri Muka është mjeshtër i vajit të ullirit. Para vitit 1990 s’kishte fabrika, e përpunonim me këmbë, ishte stermundim”

Sot, sfida mbetet tregtimi i prodhimit, ku ai kërkon më shumë mbështetje institucionale.

 “E mira është që institucionet të na gjejnë zgjidhje për gjithë këtë prodhim. Ne e shesim te të njohurit, kemi gjetur treg.”

Cilësia e vajit të ullirit të Dritasit, sipas tij, tashmë është bërë e njohur edhe jashtë kufijve. Ndërsa mesazhi i tij shkon veçanërisht për të rinjtë.

 “I bëj thirrje të rinjve: nuk është shumë fitimprurëse, por s’të lë pa gjë. Nuk do shumë stermundim. Ka shumë familje që merren vetëm me ullirin dhe jetojnë për mrekulli, sepse kjo zonë është shumë e përshtatshme.”

Përveç plantacioneve me ullinj, Pëllumbi ka investuar edhe në përpunimin e drurit. Ndërkohë, Dritasi shihet gjithnjë e më shumë edhe si një zonë me potencial turistik, falë natyrës, historisë dhe kulinarisë.

Nga arsimi…në prodhimin e rakisë/ Ish-mësuesja kthehet në Boboshticë, fshati i manave të zinj

20 December 2025 at 20:32

Pas një karriere të gjatë në mësimdhënie në disa prej shkollave të rajonit të Korçës, Antonina Çaprazi, pas daljes në pension, vendos të rikthehet në vendlindjen e saj, Boboshticë, fshati i njohur ndryshe si vendi i manave të zinj.

Boboshtica ruan prej brezash traditën e prodhimit artizanal të rakisë së manit. Por për Antoninën, e arsimuar në kimi, kjo traditë u kthye në një mundësi për të shkuar edhe më tej. Përveç rakisë, ajo nisi të prodhojë edhe pije të tjera, si likerë të ndryshëm.

Në një rrëfim për ABC News, Antonina tregon se fillimisht gjithçka nisi si eksperiment, por pasioni dhe njohuritë profesionale e shtynë drejt një gamë më të gjerë prodhimesh.

Ndoshta është një fenomen unik në vend, që sipas traditës, në fshatin Boboshticë, gjithë procesi i nxjerrjes së rakisë, që nga mbledhja e frutave, fermentimi e deri te prodhimi,  bëhet nga gratë, ndërsa burrave u mbetet vetëm ‘dhurata’ për ta pirë.”

Fshati Boboshticë është i njohur prej kohësh për frutin e manit dhe për pemët mijëravjeçare që gjenden vetëm në disa zona të Korçës. Historia e tyre e saktë nuk dihet, por gojëdhënat flasin për një origjinë shumë të hershme.  Sipas Antoninës, gojëdhënat tregojnë se manat janë të pranishme në Boboshticë që nga koha e persëve, ndërsa historia më e dokumentuar i përket viteve të Luftës së Parë Botërore, kur disa djem të fshatit, të rekrutuar në ushtri, sollën fidanë nga Bullgaria pas përfundimit të luftës.

Sot, përveç pemëve që ka vetë, Antonina merr edhe mana me qira dhe prodhon raki dhe likerë vetëm për qëllime tregtimi. Ajo tregon se produktet e saj kanë tashmë një treg të sigurt.

Historia e Antonina Çaprazit është një shembull se si përvoja, dijet dhe tradita mund të bashkohen, duke krijuar jo vetëm produkte cilësore, por edhe një model frymëzues për rikthimin dhe investimin në vendlindje.  / abcnews.al /

Art në fije, ekspozitë në Shkodër/ Punime të bëra mjeshtërisht nga duart e grave shqiptare

20 December 2025 at 20:22

Janë punuar me shumë mjeshtëri e me dashuri…

Janë punime që flasin vetë. Çdo fije peri është një histori, një frymëzim dhe një amanet i trashëguar brez pas brezi. Ky është arti i vërtetë i grave shqiptare, të cilat përmes duarve të tyre të arta kanë sjellë modë, bukuri dhe identitet që 100 vite më parë , shumë kohë përpara se moda të ishte pjesë e industrisë së sotme.

38 jelekë të krahinave të ndryshme të vendit janë bërë pjesë e një ekspozite të veçantë në Muzeun Historik të Shkodrës, titulluar “Arti i fijes në jelek”. Ekspozita sjell për vizitorët një udhëtim përmes ngjyrës, motiveve dhe punës së hollë të dorës së gruas artizane shqiptare, një rrëfim i kulturës sonë popullore, i sjellë në dritë përmes një tradite që nuk shuhet kurrë.

Drejtoresha e Muzeut Historik të Shkodrës, Majlinda Laçej, shpjegon se ideja për ekspozitën erdhi pas procesit të inventarizimit, pasi çdo jelek rezultoi të ishte një vepër më vete, me veçorinë dhe bukurinë e tij unike.

Jelekët datojnë nga fillimi I viteve 1700 e deri 50 vitë më parë, ndërsa janë nga hapësira të ndryshme të Shqipërisë. E veçanta është ekspozimi I jelektur të motrës tone, I motrës së mjeshtrit të pikturës e arkitekturës, Kolë Idromeno.

Kjo ekspozitë synon që të rinjtë, e sidomos nxënësit, të njihen me të kaluarën e historinë e vendit tonë.

Punimet e ekspozuara janë të rralla, të punuara me materiale tepër të kushtueshme dhe të gjitha të realizuara me dorë, ndërsa fijet e mëndafshit apo materialet e tjera janë siguruar brenda vendit.  Një zeje e cila kërkohet të ringjallet duke e kthyer veshjen tradicionale në një modë të ditëve të sotme

Historia e vërtetë e Tuc Makut/ Si familja Syku u godit përmes artit e kinemasë së realizmit socialist

20 December 2025 at 20:19

Propaganda kundër të pasurve, të ashtuquajturve kulakë, që sistemi komunist zhvilloi në Shqipëri, u shndërrua në dramë për shumë familje shqiptare. Kinematografia e kohës i kushtoi kësaj lufte të klasave edhe një film, i cili merrte si referencë familjen Sykaj në Tale të Lezhës. Megjithatë, personazhi i quajtur Tuc Maku, që u kthye në një terminologji fyese dhe denigruese, në të vërtetë ishte Gjon Nik Syku.

Pasuria e kësaj familjeje ishte e konsiderueshme: mbi një mijë hektarë tokë, një numër i madh bagëtish dhe një ndikim i rëndësishëm shoqëror në zonë. Pikërisht për këto arsye, regjimi komunist e demonizoi këtë familje, duke e persekutuar, burgosur dhe baltosur publikisht.

Përtej një shfaqjeje teatri dhe më pas një filmi propagandistik, e vërteta ishte krejt ndryshe nga ajo që u servir nga regjimi. David Syku, pasardhës i kësaj familjeje të madhe, rrëfen për abc news të vërtetat e dhimbshme të historisë së tyre, kalvarin e vuajtjeve dhe damkën që sistemi u vuri jo vetëm Sykajve, por edhe shumë familjeve të tjera të të njëjtit rang, përmes një filmi që synonte t’i shkatërronte moralisht dhe historikisht.

Ajo qe tregohet ne film eshte krejt e kunderta e te vertetes se madhe per familjen syku. Davidi tregon sesi erdhi I gjithe materiali mbi te cilin e prodhua teatri dhe filmi toka jone. Ishte mesuesi Kole Jakova qe gjate kohes se reformes agrare dhe jepte mesim ne Tale, shkruajti kete veper qe mbeti vepra me e vendosur ne skene gjate regjimit komunist.

Filmi toka jone ne fakt e perndoqi familjen syku. Dha impakte sepse brezat nuk e njohen realitetin dhe keto familje konsideroheshin armike. David Syku thote se edhe sot ndjehen keto impakte qe ky film dha.

Familja perballej me termin Tuç Maku qe kishte tjeter kuptim para viteve 90 dhe mori tjeter kuptim pas viteve 90. Familja nuk mundi kurre te reagojë, por ne fakt beri qe sistemi ti jape kinematografine dhe aktoret me te mire. Ne film ndryshojne vetem emrat e personazheve, por vazhdimisht u perdor emertimi Sykaj per ti identifikuar ata.

Pavarsisht moshes se re, Davidi e ka pare filmin pas viteve 90, por jo per vlerat qe transmetonte filmi, por sepse kishin mundesi te shohin pronat qe vertete kishte familja dhe disa nuk ekzistonin me.  / abcnews.al /

Kryeministri Rama ndan pamjet: Videokartolina e darkës së fundvitit me Trupin Diplomatik, krenarë për Shqipërinë!

20 December 2025 at 20:12

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një videokartolinë nga darka tradicionale e fundvitit me Trupin Diplomatik.

“Krenarë për Shqipërinë 🦅”, shkruan Rama në postimin e tij në Facebook, duke ndarë pamje nga eventi ku morën pjesë përfaqësues të misioneve diplomatike të akredituara në vend.

Britania shkurton ndihmën për Ballkanin Perëndimor

20 December 2025 at 19:42

Qeveria e Britanisë së Madhe ka vendosur të ulë ndihmën e saj të jashtme, duke shkaktuar një reduktim prej 40 për qind të fondeve të destinuara për të kundërshtuar agresionin rus dhe dezinformatat në Ballkanin Perëndimor, një rajon që konsiderohet strategjikisht thelbësor për sigurinë britanike dhe evropiane.

Fonde të ndara për këtë qëllim përmes Fondit të Sigurisë së Integruar (ISF) për vitet 2025–26 janë ulur nga 40 milionë funte (rreth 45.7 milionë euro) në 24 milionë funte (rreth 27.4 milionë euro), raporton theguardian.

Kryeministri britanik, Keir Starmer e ka përshkruar së fundmi Ballkanin Perëndimor si “vendin ku po vihet në provë siguria e Evropës”.

Shkurtimi vjen si pjesë e politikës së qeverisë për të ulur shpenzimet e ndihmës zyrtare për zhvillim (ODA), nga 31.91 milionë funte (36.45 milionë euro) në 17 milionë funte (19.42 milionë euro) për të njëjtën periudhë.

Kritikët, përfshirë ish-sekretaren e Jashtme, Emily Thornberry dhe organizata jofitimprurëse, argumentojnë se ulja e fondeve vjen në një kohë kur ndikimi rus në rajon është duke u forcuar, duke kërcënuar themelet demokratike dhe paqen, dhe se ky vendim dëmton rolin e Britanisë si një udhëheqëse e besueshme në mbështetjen e institucioneve demokratike, mediave të pavarura dhe parandalimit të konfliktit.

Megjithatë, qeveria mbrojti reduktimin duke thënë se ISF fokusohet në prioritete të reja të sigurisë kombëtare dhe projekte afatshkurtra dhe se ky vendim lë hapësirë për investime të tjera të Mbretërisë së Bashkuar në rajon që nuk pasqyrohen në këto shifra.

Tetë vrasje pa autor/ Mes tyre krime të rënda si atentati në Rinas dhe vrasja e babait të Roan Braimit

20 December 2025 at 19:05

Viti 2025 ka shënuar një bilanc shqetësues për sigurinë në vendin tonë. Nga 1 janari deri më tani janë regjistruar 39 vrasje, ndërsa në 8 prej tyre autorët vijojnë të mbeten në hije ose ende të paarrestuar. Një pjesë e këtyre krimeve të pazbardhura është përqendruar në veri të vendit, kryesisht në Shkodër dhe Lezhë, duke i kthyer këto zona në epiqendrën e ngjarjeve më të rënda kriminale të vitit.

Zinxhiri i vrasjeve pa autorë të arrestuar nisi më 27 shkurt në Shkodër, ku u ekzekutua Pavlin Preka. Mbetet mister ende vrasja e 20-vjeçarit Pavlin Preka në oborrin e banesës së tij I cili u konstatua nga xhaxhai per kete ngjarje u shoqeruan 20 persona. Pavarësisht hetimeve, deri më sot drejtësia nuk ka arritur të vërë para përgjegjësisë autorin apo autorët e kësaj ngjarjeje.

Vetëm pak javë më vonë, më 17 prill, Lezha u trondit nga vrasja e Gjovalin Prendit babait te Roan Brahimit i cili u vra ne Greqi nje vit me pare ne pranine e bashkeshortes dhe femijes se tij. Gjovalin Prendi qëndronte në tavolinë me një mik, në lokalin e tij në fshatin Pllanë të Lezhës kur dy persona të maskuar e qëlluan me breshëri automatiku. 64-vjecari humbi jetën në vend, pas ngjarjes fshihet hakmarrja pasi Roan Brahimi ishte nje emer i njohur per drejtesine dhe njihej si rivali i Ervis Martinajt.

Më 1 qershor, në të njëjtin qark u vra Pjetër Kaza, duke e çuar në dy numrin e vrasjeve të pazbardhura në këtë zonë brenda pak muajsh. Vrasje kjo e dyshuar serish me motiv kryesor gjakmarrja si pasoje e konflikteve mes fisit Kaza dhe Gjini. Saga e gjakmarrjes nisi tre dekada më pare.

Vera nuk solli qetësi. Më 4 gusht, në Vau të Dejës, u vra Frrok Lleshaj, një tjetër ngjarje e rëndë që vijon të mbetet pa asnjë të ndaluar. Vrasja e ish-policit lidhet me një hakmarrje të mundshme. Sipas dosjes hetimore dhe vendimit të gjykatës, rezulton se ai ka vrarë kushëririn e tij Dodë Lleshaj më shumë se dy dekada më parë.

Ndërkohë, më 4 shtator, Shkodra u përfshi sërish nga krimi, me vrasjen e Kristjan Kolës, rast që edhe sot mbetet pa autor. Kristjan Kola u ekzekutua nga nje atentat mafioz ndersa po pinte kafe. Motivi i vrasjes mbetet i panjohur, pasi viktima nuk kishte precedentë penalë të rëndë.

Ngjarja më e fundit dhe një nga më të rëndat ndodhi më 11 nëntor në Rinas, ku dy persona, Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani Sheqeri, u vranë në të njëjtën ngjarje kriminale.  Atentati ndodhi në një nga zonat më të sigurta, rrethrrotullimi i aeroportit të Rinasit çdo gje u kap nga kamerat e sigurise por serish pa rezultat, ne ngjarje u perfshine njerez te krimit por dhe nga radhet e ppolicise.  Edhe në këtë rast të dyfishtë, autorët vijojnë të jenë të lirë, ndërsa hetimet janë ende në vijim.

Edhe pse per te gjitha vrasjet e shenuara gjate vitit 2025 grupet hetimore kane sekuestruar kamera sigurie, kane marre ne pyetje persona qe mund te kene djeni per ngjarjen asnje prej tyre nuk ka patur rezultat pasi autoret e ngjarjeve vijojne te jene ne liri.  / abcnews.al /

Julian Shehu drejt La Ligës/ Valencia, ekipi kryesor për të marrë mesfushorin e kombëtares

20 December 2025 at 19:00

Nuk e kanë të lehtë të bëjnë pa të.

Julian Shehu në vetëm pak muaj është kthyer në lojtarin kryesor të Vidzevit të Lodzit në elitën e futbollit polak, por mund të mos mbajë të njëjtën fanelë që nga janari I ardhshëm.

Mediat në Varshavë shkruajnë se ka interesim të madh për mesfushorin e kombëtares shqiptare, dhe ky nga tre drejtime.

Nga La Liga e Spanjës, Superliga e Greqisë dhe Liga Profesioniste Amerikane.

Siç njofton media goal.pl, interesimi për shqiptarin është rritur ndjeshëm dhe kandidati kryesor për ta marrë është Valencia.

Klubi spanjoll nuk ndodhet në situatën më të mirë financiare, por media polake komenton se I mungon një lojtar si Shehu, dhe është gati ta bëjë një sakrificë.

Nga Greqia, pretendent është Panathinaikos I Athinës, ndërsa nga Shtetet e Bashkuara flitet për Sporting Kanzas Sitin.

Futbollisti 26-vjeçar ka rinovuar kontratën me Vidzevin deri në 2028, dhe besohet se aty është vendosur një klauzolë sekrete që vlen vetëm për largimin e tij në një nga pesë ligat kryesore të Europës, në Premier Ligën angleze, La Ligën e Spanjës, Serinë A të Italisë, Bundesligën gjermane dhe Ligën e Parë të Francës.

Nuk dihet vlera e kësaj klauzole, ndërsa tifozët komentojnë në rrjetet sociale se duan që Shehu të mbetet në ekip, por nëse për të paguhen 5 milionë euro apo më shumë, janë dakord që të largohet.

Këtë sezon, mesfushori kuqezi ka 4 gola e 3 asistë në 17 ndeshje, një paraqitje shumë e mirë, ndonëse skuadra e shquar rrezikon të bjerë nga kategoria.

Një ironi e vërtetë me 16 000 faqe në USB

20 December 2025 at 18:20

Nga Frrok Çupi

Hapen çantat dhe nxorën një gjë që nuk mund të shihej me sy të lirë. Ishte vetëm një mjet i vogël i quajtur USB, aq i vogël. Me atë mjet kishin ardhur të arrestonin zëvendës kryeministren Balluku.

Ironi e bën fati, por s’ishte ashtu. Tre prokurorë të SPAK kanë zbarkuar dje në Kuvendin e Shqipërisë, të ngarkuar me një  peshë aq të vogël sa e mban bleta në fluturim. Ishte një USB. Ata e demonstruan sendin sa një gisht të vogël misterioz. Gati- gati si një stilolaps pistoletë që ishte përdorur 15 vjet më parë për vrasjet para selisë së qeverisë.

Deputetët që pritën prokurorët nuk u tremben. Ata kanë besim se SPAK nuk vret pa paralajmërim. Por u tmerruan kur prokurori shpalli se brenda në atë send të vogël e misterioz, sa një fishek, ndodheshin 16 mijë faqe të shkruara. Janë akuza, dëshmi, përgjime, thashetheme, fjalë kafenesh, inate grash për burrat e burrash për gra… Të gjitha zënë 16 mijë faqe letër sikur misteri i mbledhur kulaç në usb të printohej diku.

Trembja e parë erdhi për nga volumi i madh i dokumenteve që duheshin lexuar. Aty ka deputetë që në jetën e tyre nuk kanë lexuar as 16 mijë shkronja. Por edhe nuk mund të fajësohet askush. 16 mijë faqe mund të lexohen për njëmijë ditë, që i bie të paktën tre vjet. Vetëm fashikujt me thashetheme dhe sharje mund të lexohen kollaj. Janë dokumente spiunësh, akuzuesish, dallkaukësh, politikanësh, skërmitës…

Këtë lloj letërsie nuk ka djalë nëne që e lexon.

Trembja tjetër, po sikur të humbë ndonjë faqe nga 16 mijë?! Në burg e kanë vendin kush e humb. Njëri nga deputetët që e parashikoi humbjen e disa fashikujve gjatë kohës që do të jetë duke i fshehur nga gruaja në shtëpi, gjeti një shpikje. Iu tha kolegëve se ka lexuar një libër nga Lufta e Dytë, ku korrieri partizan që ra në pritë armike, i hëngri letrat e shkruara që i kishin dhënë në Shtab.

“Po i humbët dokumentet, thoni që i keni ngrënë. S’ka ç’u bën SPAK se iu mbron populli për moral të lartë”, tha ai. Frika e tretë që i zuri ishte hamendja ‘sikur të jenë dokumente bosh’, domethënë pa prova dhe SPAK po bën një eksperiment si dikur me alarmet për sulme bërthamore.

Deputetet u vunë në dilema të mëdha. Zëvendës kryeministre e vendit, të cilës i kanë dedikuar një kryevepër me 16 mijë faqe, tani ndodhet më e çliruar se deputetët. As vetë Ana Kareninës nuk i kushtoi kaq shumë fletë romani Tolstoi; madje 30 herë më pak.

Ka pasur burra më të fortë në botë që janë trembur nga mijëra faqe me dokumente. Madje shtete janë tmerruar. Ja ku kemi Britaninë e Madhe…

Britania e Madhe nuk i duroi ‘prokurorët e SPAK’ dhe u thye. Ishulli i famshëm Anglosakson u detyrua të dalë nga radhët e  Bashkimit Europian për arsye edhe të shumësisë së faqeve me ligje dhe akte të tjerë. Ishullorët bënë ‘harakirin’ me emrin Brexit, por nuk pranuan të lexojnë 16 mijë faqe.

Bashkimi Europian ka gjithsej  19 mijë ligje dhe akte të tjera juridike. I bie që të jenë mjaft më pak se 16 mije faqe të SPAK. Por ama, Britania e Madhe nuk duroi t’i lexonte të gjitha. Kjo është ironia e botës.

-I quit!,- tha vetë Britania para marrëzisë me mijëra faqe, mjerisht të shkruara nga prokurorë e hetues.

Ish-kryeministri pakistanez dhe gruaja e tij dënohen me 17 vjet burg

20 December 2025 at 17:52

Ish-kryeministri Imran Khan dhe gruaja e tij, Bushra Bibi, janë dënuar me 17 vjet burg pasi një gjykatë pakistaneze i shpalli fajtorë për mbajtje dhe shitje dhuratash shtetërore.

Çifti u deklaruan të pafajshëm kur u paditën vitin e kaluar.

Ata u akuzuan për shitjen e dhuratave, përfshirë bizhuteri nga qeveria e Arabisë Saudite, me çmime shumë më të ulëta se vlera e tyre e tregut, ndërsa ai ishte në detyrë.

Prokurorët thanë se Khan dhe gruaja e tij deklaruan vlerën e dhuratave pak mbi 8,500 euro, shumë më poshtë vlerës së tyre aktuale të tregut prej 244,700 eurosh, duke i lejuar ata të blinin artikujt me një çmim të ulur.

Avokati i Khan, Salman Safdar, tha se do të apelonte vendimin në emër të ish-kryeministrit dhe gruas së tij.

Sipas ligjit pakistanez, që zyrtarët qeveritarë dhe politikanët të mbajnë dhuratat e marra nga personalitete të huaja, ata duhet t’i blejnë ato me vlerën e vlerësuar të tregut dhe të deklarojnë çdo të ardhur të fituar nga shitja e tyre.

Khan, 73 vjeç, u rrëzua nga pushteti në një votë mosbesimi në prill 2022 dhe partia e tij është në opozitë në parlament. Megjithatë, ai mbetet popullor në Pakistan.  / abcnews.al /

Dyshohet se ushtruan dhunë/ Tiranë, katër të arrestuar gjatë 48 orëve të fundit

20 December 2025 at 17:22

Specialistët për Hetimin e Krimeve në disa komisariate të Policisë së Tiranës kanë arrestuar disa shtetas, të dyshuar për vepra të ndryshme penale që lidhen me dhunën dhe kundërshtimin e punonjësve të policisë.

Në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u arrestua një shtetas 65-vjeçar, i cili dyshohet se, për motive pronësie, ka ushtruar dhunë fizike ndaj vëllait të tij.

Ndërkohë, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan një shtetas 41-vjeçar, pasi dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta në ambientet e një lokali, ka goditur një tjetër shtetas, i cili aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Nga Komisariati i Policisë Nr. 3 u bë arrestimi i një shtetasi 32-vjeçar, i dyshuar për ushtrim dhune ndaj ish-bashkëshortes së tij.

Gjithashtu, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan një shtetas 21-vjeçar, i cili dyshohet se ka kundërshtuar dhe goditur një punonjës policie për shkak të detyrës.

Materialet procedurale për të gjitha rastet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

” Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin H. U., 65 vjeç, pasi dyshohet se, për motive pronësie, ka ushtruar dhunë fizike ndaj vëllait të tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4: arrestuan shtetasin E. M., 41 vjeç, pasi dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta në ambientet e një lokali, ka goditur shtetasin L. Sh., i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3: arrestuan shtetasin S. K., 32 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2: arrestuan shtetasin R. Z., 21 vjeç, pasi ka kundërshtuar dhe goditur, për shkak të detyrës, një punonjës policie.” 

/ abcnews.al /

E reja arrestohet për vrasjen e foshnjës/ Tiranë, 20-vjeçarja nga Indonezia braktisi fëmijën

20 December 2025 at 17:12

Arrestohet 20-vjeçarja nga Indonezia, e cila në muajin nëntor braktisi foshnjën e saj të porsalindur në një banesë me qira në Tiranë, ku jetonte së bashku me disa vajza të tjera.

Fillimisht, e reja u procedua në gjendje të lirë për braktisje të foshnjës, e cila u dërgua në spital në gjendje të stabilizuar. Por gjendja e fëmijës është përkeqësuar dhe ka humbur jetën në spital, çka ka bërë që 20-vjeçarja të arrestohet nën akuzë për “Vrasje e foshnjës”.

E reja kishte ardhur në Shqipëri prej 4 muajsh, bashkë me disa vajza të tjera, dhe punonin pastruese në lokale në kryeqytet. Në kohën e mbërritjes në Shqipëri nga Indonezia, e reja ka qenë 5 muajshe shtatzënë, por pas lindjes e ka braktisur fëmijën në banesë.

❌
❌