Kreu i PR, Fatmir Mediu ka qenë pjesë e forumit të Sigurisë në Uashington. Gjatë fjalës së tij, Mediu tha se shpreson që vendet e NATO-s të bien daokrd për të nisur procesin e anëtarësimit të Kosovës.
Sipas tij kjo do të sjellë më shumë stabilitet dhe më shumë partneritet në rajon. Mediu theksoi se Kosova po punon fort për të arritur çdo objektiv që kërkohet për të qenë pjesë e aleancës së NATO-s.
“Të gjithë shpresojmë që të gjitha vendet e NATOs të bien dakord, për të nisur procesin e anëtarësimit për Kosovën. Brenda NATO-s, kjo do të sjellë më shumë stabilitet dhe më shumë partneritet në rajonin tonë, në Ballkan. Dhe mendoj se ata po punojnë fort për të arritur çdo objektiv që kërkohet për të qenë pjesë e aleancës së NATO-s.
Por, ndërkohë që jeni këtu, nuk mund të rri pa falënderuar miqtë e mi nga Dallas, Teksas, komunitetin shqiptar atje të cilët kanë punuar gjithmonë ngushtë me të gjithë ju dhe kanë qenë një mbështetje e madhe për kombin tone”, ka deklaruar Mediu./Kb
Deputeti i PD-së Belind Këlliçi ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Belinda Ballukut.
Sipas deputetit deklarata e Ramës nxit edhe më shumë korrupsionin, abuzimin dhe vjedhjen. Këlliçi e akuzon Ramën si avokat zyrtar të vjedhjes dhe makutërisë.
“Edi Rama nxit dhe më shumë korrupsionin, shpallet avokat zyrtar i vjedhjes dhe makutërisë!
Edi Rama ka nxitur sot ministrat dhe zyrtarët e qeverisë së tij që të vazhdojnë abuzimin, të vijojnë me korrupsionin, pra të mos ndalen së vjedhuri, pasi është ai që do t’i mbrojë.
Kohë më parë ai qe shprehur se partia dhe ai nuk do të bëhej avokati i askujt që kryen shkelje.
Sot, ai mori sërish në mbrojtje Belinda Ballukun, e pandehur për abuzim me të paktën 1.1 miliardë euro tendera.
Por po ashtu, bëri dhe apologjinë e zyrtarëve të ndaluar për krimin e rëndë mjedisor me trafikun ilegal të mbetjeve të rrezikshme.
Duke u bërë avokat i korrupsionit, Edi Rama po tenton të mbrojë veten e tij, në një përpjekje për të mbajtur të bashkuar dhe nën kontroll organizatën kriminale që drejton.
Quan budallëk botëror hetimin dhe masat ndaj të kapurës në shpërdorim dhe në intimidim dëshmitarësh dhe flet me vlerësim për paracaktimin e fituesve, shpërndarjen e parave sipas interesave dhe zhdukjen e 50 milionë eurove vetëm me një firmë, siç ndodhi me tunelin e Llogarasë.
Kërcënimi ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që kanë guxuar të shkojnë në paradhomën e tij, shkoi sot në një nivel të ri. Ai tha se do ta zhbëjë drejtësinë e re që ka kurajon të luftojë korrupsionin e tij dhe të organizatës që drejton.
Këto janë reagimet e një Kryeministri të kapur mat në afera të rënda që kërkon ta shpallë veten mbi ligjin, të pahetueshëm, të pagjykueshëm, të padënueshëm.
Qytetarëve u lind detyra të mos e lejojnë shkatërrimin e vendit për hir të një grushti njerëzish.
Angazhimet dhe përbetimet e sotme të Edi Ramës në krah të korrupsionit dhe kundër drejtësisë, janë një thirrje më shumë që të martën të bashkohemi në shesh.
Me energji, të vendosur, me pasion e dashuri për Shqipërinë para zyrës së krimit dhe korrupsionit.
Ujëra të kristalta, shkëmbinj të thepisur, natyrë e paprekur: ajo që ju pret në veri të Shqipërisë në lumin e Shalës mund të konkurrojë edhe me Tajlandën”.
Kështu nis artikulli i një nga agjencitë gjermane të udhëtimeve, “Reise Reporter”, për një nga atraksionet turistike të vendit tonë, siç është Lumi i Shalës.
“Reise Reporter” e konsideron Shalën një perlë natyrore evropiane dhe një lumë i pastër që rrjedh në formë gjarperuese përmes natyrës së paprekur. Ky vend natyror në Alpet Shqiptare është aq piktoresk saqë e meriton edhe krahasimin me Tajlandën.
Sipas agjencisë gjermane, Lumi i Shalës është një mjedis idilik, duke krijuar një adrenalinë për të gjithë ata që kërkojnë aventurat dhe janë dashamirës të natyrës. Për të shijuar lumin unik shqiptar dhe formacionet mbresëlënëse shkëmbore përgjatë tij, ka struktura akomoduese të vogla në formë bujtinash, të cilat ofrojnë dhoma të thjeshta gjatë sezonit të verës dhe duhet të rezervohen paraprakisht.
“Reise Reporter” shkruan se për të lëvizur rreth lumit dhe për të eksploruar grykat, ujëvarat dhe burimet natyrore përgjatë tij, ka ture me kajak ose varka për të gjithë vizitorët.
Ndër të tjera, agjencia gjermane e udhëtimeve sugjeron për vizitorët se koha më e mirë për të vizituar lumin e Shalës me sa më pak turma turistësh janë muajt maj, qershor dhe shtator. Ndërsa në korrik dhe gusht, përveç temperaturave shumë të larta, ka shumë vizitorë.
Gjermanja “Reise Reporter” e mbyll artikullin duke treguar edhe mënyrën se si mund të udhëtohet drejt lumit idilik, nëpërmjet varkave ose motoskafeve në liqenin e Komanit./kb
Shqipëria vazhdon të përballet me sfida serioze në fushën e paraburgimit, si në drejtim të numrit të lartë të personave në paraburgim, ashtu edhe në kohëzgjatjen e tij, vlerëson Gianluca Esposito, drejtor i përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Evropës, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSh).
Sipas Espositos, situata aktuale paraqet arsye reale për shqetësim.
Ai i referohet raportit më të fundit të Komitetit të Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës (CPT), i cili evidenton se Shqipëria vazhdon të ketë një nga normat më të larta të burgosjes midis shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. CPT gjithashtu identifikoi një përdorim në rritje të paraburgimit, duke rezultuar në mbipopullim në disa nga qendrat e paraburgimit.
“Sipas statistikave zyrtare, që nga nëntori 2025, në burgjet e Shqipërisë kishte 4578 të burgosur, nga të cilët 58% ishin në paraburgim. Shkalla e paraburgimit në Shqipëri prej 94,6 personash për 100 mijë banorë është gati katër ose pesë herë më e lartë se mesatarja e BE-së”, tha Esposito.
Ai theksoi se, një tjetër çështje kyçe në Shqipëri është kohëzgjatja e paraburgimit.
Mesatarja prej 253 ditësh (8,4 muaj) është mjaft e lartë, nënvizoi Esposito.
“Paraburgimi i gjatë dhe mungesa e arsyetimit të mjaftueshëm u identifikuan gjithashtu nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në disa vendime kundër Shqipërisë (Hysa kundër Shqipërisë, Strazimiri kundër Shqipërisë, Delijorgji kundër Shqipërisë)”, tha Esposito.
Duke folur për rreziqet kryesore që lidhen me paraburgimin e zgjatur, Esposito thekson se kjo fushë është ndër më të ndjeshmet e drejtësisë penale, pasi prek drejtpërdrejt liritë individuale dhe parimin themelor të prezumimit të pafajësisë.
Sa i përket masave që duhet të merren për përmirësimin e kushteve dhe menaxhimit të paraburgimit, ai nënvizon se nevojiten njëkohësisht përmirësime materiale dhe reforma sistemike.
“Hapi i parë për të përmirësuar kushtet është ulja e mbipopullimit. Megjithatë, kjo nuk bëhet vetëm duke ndërtuar më shumë burgje, por duke kufizuar në mënyrë aktive përdorimin dhe kohëzgjatjen e paraburgimit dhe duke i dhënë përparësi alternativave ndaj paraburgimit, duke përfshirë zbatimin e regjimit jondëshkues të paraburgimit në përputhje me prezumimin e pafajësisë”, tha ai.
Esposito vëren se kuadri ligjor në Shqipëri është kryesisht në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Problemi kryesor, thekson ai për ATSh, “është përdorimi i tepërt dhe i paarsyetuar mjaftueshëm i paraburgimit, veçanërisht në gjykatat e shkallës së parë dhe gjatë shqyrtimeve periodike”.
“Masat për të zvogëluar përdorimin e tepërt të paraburgimit duhet të adresohen në mënyrë sistematike. Ndryshimet legjislative duhet të mbështesin këto objektiva, por faktorët kryesorë janë praktika gjyqësore dhe kultura ligjore”, tha Esposito.
Duke iu referuar standardeve evropiane, ai rikujton se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, paraburgimi duhet të jetë një masë e jashtëzakonshme dhe të përdoret vetëm si mjet i fundit, kur masat më pak kufizuese rezultojnë të pamjaftueshme.
“Përmirësimi i paraburgimit është thelbësor sepse ka të bëjë me individë që supozohen të pafajshëm dhe liria e të cilëve kufizohet vetëm për të siguruar administrimin e duhur të drejtësisë”, tha Esposito.
“Fushat prioritare duhet të jenë përmirësimi i cilësisë së arsyetimit gjyqësor, rritja e përdorimit kuptimplotë të alternativave ndaj paraburgimit dhe sigurimi i shqyrtimit periodik substancial dhe efektiv”, shton ai.
Duke pasur parasysh këtë, roli i Këshillit të Evropës është të ndihmojë në sigurimin që paraburgimi të kryhet në përputhje me të drejtat themelore dhe dinjitetin njerëzor. Këshilli i Evropës ofron një qasje gjithëpërfshirëse që kombinon ekspertizën ligjore, ndërtimin e kapaciteteve dhe monitorimin, të gjitha të bazuara në standardet evropiane të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, shton Esposito.
“Në Shqipëri, ne kemi një projekt bashkëpunimi të hartuar posaçërisht me autoritetet shqiptare që adreson sfidat që lidhen me paraburgimin, ndër të tjera. Projekti bazohet në nevojat konkrete të identifikuara së bashku me autoritetet shqiptare përmes gjetjeve dhe rekomandimeve të CPT-së dhe jurisprudencës përkatëse të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ai synon të përkthejë standardet evropiane në përmirësime praktike në legjislacion dhe praktikën gjyqësore”, shprehet më tej Esposito.
Drejtori i përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Evropës shprehet mirënjohës për bashkëpunimin konstruktiv me autoritetet shqiptare dhe besimin se do të ndërmerren veprimet e nevojshme për adresimin e kësaj çështjeje.
Ai shton se Shqipëria mund të përfitojë nga praktikat e mira të vendeve të tjera evropiane, ku paraburgimi përdoret si masë e fundit, me arsyetim individual, shqyrtim të rregullt gjyqësor, përdorim të gjerë të alternativave dhe mbrojtje të posaçme për personat në situata të cenueshme.
“Standardet evropiane mbi paraburgimin janë përfshirë në shumë praktika të mira në të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Hulumtimet krahasuese kanë treguar se pavarësisht ndryshimeve midis sistemeve ligjore, problemet që ndikojnë në vendimet e paraburgimit janë të zakonshme në të gjitha shtetet anëtare dhe të vështira për t’u trajtuar. Qasjet efektive ndajnë karakteristika të përbashkëta, duke përfshirë përdorimin e paraburgimit si masë e fundit, arsyetimin individual, shqyrtimin e rregullt gjyqësor, përdorimin e gjerë të alternativave ndaj paraburgimit, aksesin në këshillim ligjor dhe mbrojtje të tjera procedurale, dhe konsideratën specifike për personat në një situatë të cenueshme. Këshilli i Evropës promovon shkëmbimin e praktikave të tilla, të përshtatura me kontekstin ligjor kombëtar dhe traditën ligjore”, thekson Esposito./kb
“Ajo jo vetëm që po i bën vajzat e reja të ëndërrojnë, por edhe po e bën të gjithë popullsinë të mbështesë atë dhe të dijë më shumë rreth sporteve të skijimit”, shton ajo.
Alesia thotë se arritja e Larës është e madhe për një vend të vogël që as nuk ka vendpushime skijimi.
Sa i përket Larës, ajo është e kënaqur që e ka vënë skijimin në hartë për Shqipërinë – dhe është pak e hutuar…
“Shqipëria nuk e dinte se çfarë ishte skijimi alpin deri më tani. Dhe tani unë jam si një personazh i famshëm atje, dhe është e mrekullueshme. Unë jam thjesht një skiatore alpine”, thotë Lara.
Falë suksesit të Larës, skijimi në Shqipëri po fillon të marrë hov.
“Nuk po bëj gjëra të mëdha, por për ta është thjesht mahnitëse. Dhe ata kanë disa kodra të vogla… po argëtohen shumë tani që shkojnë të bëjnë pak ski. Pra, po, është thjesht mahnitëse”, thotë Lara.
Laura po e bën Shqipërinë krenare./kb
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë, goditën një tjetër rast duke vënë në pranga shtetasit:
-A. M., 24 vjeç dhe I. V., 22 vjeç, banues në Kukës.
Këta 2 shtetas janë kapur në flagrance nga sherbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Kasharit” duke transportuar me një automjet, 5 emigrantë, të cilëve kundrejt pagesës 2700 euro secili, iu kishte premtuar transportimin me destinacion final shtetin Francez.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet dhe 2 aparate celulare.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në të./Kb
Kreu i PD-së Sali Berisha ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryeministrit Edi Rama për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ankimimin për çështjen “Balluku”.
Sipas Berishës, Rama u zotua në mënyrën më të papërgjegjshme se ai nuk do të përfillë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Lideri i opozitës tha se kryeministri Edi Rama gënjeu kur u shpreh se, nuk ka ndodhur kurrë që një ministër të pezullohet nga gjykatat.
“Sot në monologun të dielës, Edi Rama në panik dhe i fantaksur, o zotua para jush në mënyrën më të papërgjegjshme se ai nuk do të përfillë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mbasi sipas tij, nuk ka ndodhur kurrë që një ministër të pezullohet nga gjykatat.
Ky është një mashtrim i madh sa vetë Edi Rama. Në rajon, në Europë dhe në botë, gjykatat kanë pezulluar jo vetëm ministra, por edhe kryeministra.
Por në këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, ai nuk sheh një goditje për Lubi Ballukun, por sheh potencialin dhe mundësinë e pezullimit të tij si kryehajduti i kombit nga gjykatat, mbasi siç e dini, Lubia i ka bërë të qartë atij, se do të të marrë me vete.
Sot në monologun e tij, ai kërcënoi dhe Europën, i tha se, alternativë e vetme për Shqipërinë në Europë, jemi ne hajdutët e mëdhenj, ne që asgjësojmë shtetin ligjor dhe nuk njohim ligj e as Kushtetutë.
Mirëpo nesër sipas medieve, ai është thirrur pikërisht për t’i komunikuar vendimin që është marrë në rast se ky, pengon sistemin e drejtësisë dhe veprimtarinë e tij.
Dhe ky vendim, do të jetë mesa duket vendimi më i paprecedentë që është marrë ndonjëherë në BE, sepse është absolutisht i paprecedentë qëndrimi dhe vendimi i Edi Ramës, për të asgjësuar shtetin ligjor me një grusht shteti, brenda shtetit.
Në këtë kontekst, të dashur qytetarë dhe qytetare, ditën e martë, secili prej jush proteston, shpreh revoltën në kryengritjen paqësore të opozitës, jo vetëm për vete, por për fëmijët e tij, për Shqipërinë, dhe si asnjëherë tjetër, për të ardhmen evropiane të këtij vendi.
Ndaj dhe ju ftoj të marrim fatet në dorë të Shqipërisë, ti qëndrojmë ligjeve dhe kushtetutës së vendit, si rruga e vetme e integrimit të Shqipërisë në BE, si rruga e vetme për rivendosjen e shtetit ligjor, ligjit dhe kushtetutës në Shqipëri”, tha Berisha./Kb
Stuhia ‘Marta’ ka goditur sot Portugalinë dhe Spanjën, duke shkaktuar përmbytje, dëme të mëdha dhe ka shënuar një viktimë.
Një 54?vjeçar zjarrfikës portugez humbi jetën gjatë një patrullimi për vëzhgim pranë brigjeve të një lumi, në komunën e Campo Maior në zonën qendrore të Portalegres.
Stuhia ‘Marta’ ka sjellë shi të dendur, erëra të forta dhe përmbytje të mëdha, sidomos në pjesë të Andaluzisë jugore në Spanjë, ku autoritetet kanë shpallur alarm të motit dhe kanë urdhëruar evakuime të banorëve për arsye sigurie.
Autoritetet e të dy vendeve kanë nxjerrë paralajmërime për rritje të nivelit të lumenjve, si dhe për rreziqe të mundshme shembjesh dhe rrëshqitjesh dheu në zonat e mbushura me ujë. Rrugë të shumta janë bllokuar, stacionet hekurudhore janë bllokuar dhe mijëra njerëz janë evakuuar për shkak të përmbytjeve dhe kushteve ekstreme të motit./Kb
Në momentin kur bota po hyn në një garë të re industriale, atë të Inteligjencës Artificiale, Europa ka zgjedhur të mos mbetet pas.
Përkundrazi, ajo po përpiqet të ndërtojë një bazë reale teknologjike. Në thelb të kësaj strategjie janë të ashtuquajturat fabrikat e Inteligjencës Artificiale (AI factories), struktura që bashkojnë superkompjuterë, qendra të dhënash, universitete, start-up-e, SME dhe kapital financiar për të krijuar ekosisteme të plota zhvillimi të IA.
Këto “fabrika” nuk janë thjesht servera, por nyje ekonomike ku lidhen talenti, infrastruktura dhe kapitali për të prodhuar teknologji që më pas kthehet në fuqi ekonomike globale.
Ambicia financiare është po aq e madhe sa ajo teknologjike. Bashkimi Europian ka vendosur të mobilizojë deri në 200 miliardë euro investime në IA, ku vetëm 20 miliardë euro synojnë ndërtimin e 18 AI gigafactories, struktura gjigante për trajnimin e modeleve më komplekse të Inteligjencës Artificiale dhe 13 të ashtuquajtura AI Factory Antennas (porta rajonale drejt infrastrukturës europiane të Inteligjencës Artificiale).
Paralelisht, rrjeti i AI factories do të mbështesë start-up-et, industrinë dhe kërkimin shkencor në të gjithë kontinentin.
Përmes kësaj lëvizjeje, Europa kërkon të krijojë sovranitet teknologjik, të reduktojë varësinë nga SHBA dhe Kina dhe të ndërtojë një ekonomi ku inovacioni prodhohet brenda kontinentit. Në praktikë, kjo do të thotë akses i SME-ve dhe start-up-eve në superkompjuterë, qendra të dhënash dhe ekspertizë, pra një nivel infrastrukture që zakonisht vetëm gjigantët globalë mund ta përballojnë.
Në rrjetin europian të infrastrukturës së IA, nga Ballkani Perëndimor janë përfshirë vetëm VEZILKA në Maqedoninë e Veriut dhe SAIFA në Serbi, si pjesë e ekosistemit që lidhet me infrastrukturën europiane të AI factories dhe kapacitetet e superkompjuterit (AI Factory Antennas).
Shqipëria, pavarësisht retorikës për ambicie në Inteligjencën Artificiale, nuk figuron në këtë hartë. Kjo nuk është thjesht çështje prestigji apo imazhi, por akses në infrastrukturë, në financim kërkimi, në rrjete ekspertize dhe në mundësi reale për bizneset dhe start-up-et që do të operojnë në ekonominë e ardhshme të IA. Dhe kjo ndodh në një moment kur vendimet strategjike për këto rrjete janë marrë tashmë.
Në këtë kontekst, spektakli politik me “Diellën”, ministren e Inteligjencës Artificiale, duket më shumë si një përpjekje për të prodhuar simbolikë sesa për të ndërtuar realisht kapacitete. Sidomos nëse shihet në dritën e vendimeve europiane të marra në vitin 2025 për arkitekturën reale të investimeve në IA. Kur infrastruktura globale po projektohet, Shqipëria duket se është përqendruar tek imazhi, jo te ndërtimi i bazës teknologjike.
Tani fokusi duket se është zhvendosur te partneritete të reja, përfshirë nisma të promovuara me partnerë ndërkombëtarë si Izraeli, për ndërtimin e qendrave të të dhënave. Por problemi themelor mbetet: pa ekosistem lokal kërkimi, pa qendra të forta të të dhënave, pa financim real për inovacion dhe pa lidhje organike mes universiteteve dhe industrisë, çdo bashkëpunim ndërkombëtar rrezikon të mbetet episodik, jo transformues.
Ironia më e madhe është se ndërkohë që Europa po investon miliarda për t’u siguruar që SME-të dhe start-up-et të kenë “oksigjen teknologjik”, në Shqipëri bizneset vazhdojnë të luftojnë për akses elementar në shërbime digjitale funksionale.
Problemet me sistemet si SelfCare apo vetë e-Albania nuk janë thjesht defekte teknike. Janë simptomë e mungesës së një arkitekture të qëndrueshme teknologjike dhe të investimeve të shpejta e që po rezultojnë me probleme të shumta, duke rrezikuar deri sigurinë e të dhënave.
Në vend që të fokusohet te marketingu institucional apo te dhënia e çmimeve ndërkombëtare simbolike për të përmirësuar imazhin “e djegur” të “Diellës”, Shqipëria ka nevojë për diçka shumë më të thjeshtë dhe shumë më të vështirë njëkohësisht: një strategji reale për zhvillimin e sektorit të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale.
Një strategji që të krijojë vende pune me vlerë të shtuar, të mbajë të rinjtë në vend dhe ndoshta, një ditë, të rikthejë edhe ata që janë larguar.
Inteligjenca Artificiale nuk është vetëm teknologji. Është ekonomi, është punësim, është gjeopolitikë dhe është talent. Dhe nëse një vend nuk ndërton terrenin ku talenti mund të lulëzojë, nuk ka rëndësi sa konferenca bën, si e shet si risi globale, shanset do të vazhdojnë të digjen, njësoj si sot dhe talentet do të vazhdojnë të largohen e as që mund të bëhet fjalë për kthimin e tyre.
Dhe ndoshta ironia më e hidhur është kjo: në përpjekje për të treguar se po hyn në epokën e Inteligjencës Artificiale, Shqipëria rrezikon të mbetet thjesht spektatore në epokën që tashmë ka filluar të ndërtohet pa të./ Revista Monitor/kb
Gripi po e godet rëndë SHBA-në këtë sezon dhe ekspertët paralajmërojnë se është ende larg fundit.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, vizitat te mjekët për simptoma të ngjashme me gripin, ethe, dhimbje fyti, lodhje ekstreme dhe dhimbje trupi kanë arritur nivelin më të lartë në gati 30 vjet.
Deri më tani, ky sezon i gripit ka prodhuar numrin më të lartë të rasteve në më shumë se 30 vjet, me rreth 11 milionë infeksione të raportuara nga CDC.
Këto raste kanë çuar në afërsisht 120,000 shtrime në spital dhe 5,000 vdekje, përfshirë nëntë fëmijë. Dhe shifrat pritet të vazhdojnë të rriten, pasi sezoni i gripit zakonisht zgjat deri në prill, shkruan Newsmax.
Aktualisht, 45 shtete po përjetojnë nivele të larta deri në shumë të larta të aktivitetit të gripit.
Lloji dominues këtë sezon është një variant i influencës A (H3N2) i njohur si lloji i “nënkladës K”, i cili shpesh quhet “super grip” për shkak të shpejtësisë së përhapjes. Ky lloj është lidhur me simptoma më të rënda dhe shkallë më të larta të sëmundjeve serioze dhe shtrimit në spital krahasuar me një sezon tipik gripi.
Edhe pse vaksina kundër gripit e këtij viti nuk është një përputhje e përkryer për llojin e nënkladës K, ekspertët theksojnë se vaksinimi ofron ende mbrojtje të rëndësishme dhe mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjes së rëndë.
Dr. Thomas Russo, shef i sëmundjeve infektive në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit në Buffalo në Nju Jork, thotë se parandalimi i gripit duhet të mbështetet ende në strategji të provuara.
“Programi ideal i parandalimit të gripit është vaksinimi kundër gripit, po, edhe tani, sepse sezoni i gripit nuk mbaron deri në prill ose maj dhe mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura me shumë njerëz”, thotë Russo.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandojnë që të gjithë personat e moshës gjashtë muajsh e lart të marrin një vaksinë vjetore kundër gripit. Shumica e njerëzve të shtruar në spital me grip janë të pavaksinuar. Gjatë sezonit të gripit 2019–2020, vaksinimi parandaloi rreth 7 milionë sëmundje, 3 milionë vizita mjekësore, 100,000 shtrime në spital dhe 7,000 vdekje.
Nëse simptoma të tilla si ethe, të dridhura, dhimbje fyti, kollë, bllokim i barkut, dhimbje trupi ose lodhje ekstreme shfaqen papritur, mund të keni grip. Qëndroni në shtëpi, shmangni kontaktin me të tjerët dhe kontaktoni menjëherë mjekun tuaj./Kb
Uashingtoni dukej se po shtonte presionin ndaj Teheranit, ndërsa negociatorët kryesorë vizituan aeroplanmbajtësen amerikane që kryeson një forcë të fuqishme pranë ujërave të Iranit, edhe pse bisedimet bërthamore indirekte mes kundërshtarëve po vazhdonin.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner dhëndri i presidentit Donald Trump, vizituan USS Abraham Lincoln në Detin Arabik më 7 shkurt, së bashku me admiralin Brad Cooper, shef i Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane.
“Sot u takuam me marinarët trima në bordin e USS Abraham Lincoln, grupin e saj goditës dhe Krahun Ajror të Aeroplanmbajtëses 9, të cilët na mbajnë të sigurt dhe po zbatojnë mesazhin e presidentit Trump për paqe përmes forcës”, tha Witkoff në rrjetet sociale.
Aeroplanmbajtësja, me bazë në San Diego të Kalifornisë, u nis në nëntor për dislokim në rajonin Indiano-Paqësor, përpara se të mbërrinte në Lindjen e Mesme në janar, tha ushtria.
Bisedime “shumë të mira” në Oman
Vizita në aeroplanmbajtëse vjen pasi delegacione nga Teherani dhe Uashingtoni zhvilluan bisedime të ndërmjetësuara nga Omani më 6 shkurt, diskutime që Trump i cilësoi si “shumë të mira”.
Ndërsa asnjëra palë nuk njoftoi rezultate konkrete, të dyja sugjeruan se negociatat për programin bërthamor të Iranit mund të vazhdojnë në afat të afërt.
“Irani duket se dëshiron shumë të arrijë një marrëveshje. Duhet të shohim se çfarë marrëveshjeje është ajo”, u tha Trump gazetarëve.
Ali Vaez, drejtor i projektit për Iranin në International Crisis Group, i tha Radios Farda të REL-it se “fakti që bisedimet nuk dështuan dhe se të dyja palët nuk u larguan nga tryeza e negociatave tregon se ndoshta ato gjetën mjaftueshëm pika të përbashkëta ose se të dyja palët vunë në tryezë disa lëshime që ishin mjaft tërheqëse për të vazhduar bisedimet”.
Megjithatë, bisedimet u zhvilluan mes një grumbullimi ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme. Tensionet janë rritur nga javë të tëra trazirash në Iran, gjatë të cilave autoritetet nisën një goditje të ashpër që, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, vrau mijëra civilë.
Trump paralajmëron autoritetet iraniane
Ndërsa raportet për masakrën nisën të dalin nga Irani, Trump kërcënoi se do ta godiste Iranin nëse ndonjë nga dhjetëra mijëra protestuesit e arrestuar do të ekzekutohej.
Presidenti amerikan ka vazhduar të mbajë opsionet ushtarake mbi tryezë, ndërsa njëkohësisht ka theksuar përpjekjet për të frenuar programin bërthamor të Iranit, për të cilin fuqitë perëndimore druhen se synon prodhimin e një bombe, pavarësisht këmbënguljes së Teheranit se është për qëllime civile.
Pas bisedimeve në Oman, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi sanksione të reja ndaj eksporteve të naftës së Iranit, duke shënjestruar 15 subjekte dhe 14 anije të ashtuquajtura të flotës hije.
Pas bisedimeve në Oman, ministri i Jashtëm i Iranit tha se Teherani dhe Uashingtoni besojnë se bisedimet bërthamore duhet të rifillojnë së shpejti, edhe pse Teherani përjashtoi diskutimet për programin e tij raketor dhe pasurimin e uraniumit.
Abbas Araqchi i tha televizionit Al Jazeera të Katarit më 7 shkurt se të dyja palët ranë dakord që diskutimet duhet të rifillojnë së shpejti, duke shtuar se nuk ka një afat të rënë dakord për takimin e radhës.
“Ne jemi gati të arrijmë një marrëveshje qetësuese për pasurimin”, tha ai.
“Çështja bërthamore iraniane do të zgjidhet vetëm përmes negociatave”.
Netanyahu do të takohet me Trumpin
Në një tjetër front diplomatik, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se ai do të takohet me Trumpin në Uashington më 11 shkurt për të diskutuar “negociatat me Iranin”.
Netanyahu ka nxitur vazhdimisht Trumpin dhe presidentë të mëparshëm amerikanë të mbajnë një linjë të ashpër ndaj rivalit të betuar, Iranit.
Muajin e kaluar, Netanyahu tha se Izraeli do të kundërpërgjigjej nëse sulmohej nga Teherani me një “forcë që Irani nuk e ka parë kurrë”.
Shtetet e Bashkuara bombarduan objektet kyçe nëntokësore të pasurimit të Iranit në Fordow dhe Natanz gjatë luftës 12-ditore mes Iranit dhe Izraelit në qershor./kb
Kapen 4 shtetas në kërkim, të dënuar ose të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
Strukturat e DVP Tiranë, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në terren, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit policor “Catch”, kapën dhe vunë në pranga 4 shtetas të shpallur në kërkim, konkretisht:
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kapën dhe ndaluan shtetasin G. I., 30 vjeç, pasi Prokuroria kishte lëshuar urdhër ndalimi për të, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”. Ky shtetas, më datë 01.12.2025, në rrugën “Irfan Tomini”, në bashkëpunim me shtetasin E. U. (i arrestuar në flagrancë), ka plagosur me mjet prerës shtetasin M. A.Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit G. I., ditën e ngjarjes, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, kapën dhe ndaluan shtetasin R. R., 30 vjeç. Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”. Nga ky dënim, i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit, 5 muaj e 19 ditë burgim.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 kapën shtetasin në kërkim E. M., 19 vjeç, pasi Gjykata e Durrësit ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Vjedhja”. Ky shtetas iu dorëzua DVP Durrës, për veprime të mëtejshme.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 ekzekutuan vendimin e Gjykatës për ndalimin e shtetasit A. D., 22 vjeç, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./kb
Përparimi i ushtrisë ruse në Ukrainë ka nisur të ngadalësohet. Sipas planeve të Vladimir Putinit, forcat ruse në këtë fazë duhej të kishin marrë Donbass-in dhe të kishin rrethuar Zaporizhzhian për ta detyruar Volodymyr Zelenskyn të kërkonte armëpushim. Por situata në terren po rezulton shumë më e vështirë nga sa ishte parashikuar në Moskë.
Pas disa sukseseve gjatë muajve të fundit të vitit 2025, forcat ukrainase po mbajnë pozicionet dhe në disa zona kanë kaluar edhe në kundërsulm.
Sipas të dhënave të “Deep State”, një platformë analistësh ushtarakë ukrainas, në nëntor ushtria ruse kishte pushtuar 505 kilometra katrorë, në dhjetor 445, ndërsa në janar vetëm 245 kilometra katrorë. Ndërkohë, humbjet në njerëz dhe pajisje nuk janë ulur, çka do të thotë se Rusia po përdor të njëjtat burime për rezultate dukshëm më të vogla, shkruan Corriere della Sera.
Një rol kyç në ngadalësimin e ushtrisë ruse po luan vala e të ftohtit ekstrem, e cila po vështirëson operacionet sulmuese ruse. Forcat ukrainase, të pozicionuara kryesisht në mbrojtje, përfitojnë nga avantazhet e terrenit dhe nga përdorimi në shkallë të gjerë i dronëve ajrorë dhe tokësorë, të nxitur nga ministri i ri i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov.
Gjithashtu vendimi i Elon Musk për t’ua mohuar forcave ruse përdorimin e sistemit satelitor Starlink ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në front. Sipas Institute for the Study of War, mungesa e këtij sistemi ka detyruar Rusinë të ulë numrin e sulmeve dhe në disa zona të ndalojë plotësisht avancimin, veçanërisht në jug të Zaporizhzhias.
Këto zhvillime kanë favorizuar edhe avancime të vogla të forcave ukrainase në Kupiansk dhe rreth Pokrovskut, ndërsa në Rusi janë shtuar zërat kritikë nga blogerët pro-luftës.
Pavarësisht kësaj, komanda ruse po përpiqet të kursejë forcat për një ofensivë të paralajmëruar në fund të pranverës. Megjithatë, analistët vlerësojnë se ushtria ruse po përballet me probleme serioze organizative dhe me humbje të mëdha ditore, të cilat janë gjithnjë e më të vështira për t’u zëvendësuar.
Sipas oficerit ukrainas Biletskyi, nëse fronti mbahet deri në fund të pranverës, Moska do të detyrohet të hyjë në negociata serioze./kb
Në Milano, protestat e djeshme, 7 shkurt, kundër Lojërave Olimpike degjeneruan, ndërsa disa individë shkaktuan dëme në infrastrukturën hekurudhore.
Incidente u regjistruan edhe në Bologna dhe Pesaro, ku u gjetën eksplozivë të improvizuar dhe u dogjën kabina që kontrollojnë sinjalizimin e trenave.
Fatmirësisht, sistemi i trenave u rikuperua shpejt falë ndërhyrjes së teknikëve, duke shmangur ndërprerje serioze të trafikut hekurudhor.
Një nga eksplozivët nuk shpërtheu dhe po ekzaminohet nga hetuesit, të cilët mund të identifikojnë teknikën dhe autorët. Teksa ende nuk ka një pistë të saktë për përgjegjësit, nuk përjashtohet mundësia se pas kësaj fshihen grupe politike ose individë me pikëpamje të majta ekstreme, shpesh anarkiste, antiqeveritare, ose kundër sistemit kapitalist.
Policia dhe shërbimet e sigurisë kanë ndërmarrë masa të rrepta vigjilence për të parandaluar incidente të tjera.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka reaguar përmes në një postimi në rrjetet sociale. Ajo i cilëson ata që kundërshtuan me dhunë Lojërat Olimpike “armiq të Italisë dhe italianëve”.
“Mijëra e mijëra italianë në këto orë punojnë që gjithçka të funksionojë gjatë Lojërave Olimpike. Shumë prej tyre e bëjnë këtë si vullnetarë, sepse duan që kombi i tyre të japë një imazh të mirë, të admiruar dhe të respektuar. Pastaj janë ata: armiqtë e Italisë dhe italianëve, që protestojnë kundër Lojërave Olimpike. Solidaritet, edhe një herë, për Forcat e Rendit, për qytetin e Milanos, dhe për të gjithë ata që do të shohin punën e tyre të shkatërruar nga këto banda të krimit”, shkruan Meloni.
Incidentet e fundit tregojnë se edhe veprimet demonstrative mund të rrezikojnë seriozisht sigurinë, sidomos kur godasin nyjet kyçe të linjave hekurudhore./kb
Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026 pritet të sjellin në skenë disa nga emrat më të mëdhenj të sporteve dimërore, duke kombinuar legjenda të njohura dhe yje të rinj që po dominojnë arenën ndërkombëtare.
🎿 Ski alpin
Mikaela Shiffrin (SHBA) vjen si një nga sportistet më të mëdha të të gjitha kohërave në ski alpin, me rekorde historike në Kupën e Botës dhe ambicie për medalje olimpike.
Marco Odermatt (Zvicër), kampion absolut i Kupës së Botës, konsiderohet favorit në disa disiplina.
Sofia Goggia (Itali) do të jetë një nga shpresat më të mëdha të vendasve, veçanërisht në zbritje.
🏂 Snowboard & freestyle
Chloe Kim (SHBA) synon të hyjë në histori duke fituar titullin e tretë olimpik radhazi në halfpipe.
Ester Ledecká (Çeki) mbetet një fenomen unik, pasi konkurron dhe fiton medalje si në ski ashtu edhe në snowboard.
⛸ Patinazh artistik dhe shpejtësie
Ilia Malinin (SHBA), i njohur për kërcimet e tij revolucionare “quad”, shihet si pretendent kryesor për arin olimpik në patinazhin artistik.
Në patinazhin e shpejtësisë, Jordan Stolz (SHBA) dhe Jutta Leerdam (Holandë) pritet të jenë ndër emrat më dominues.
🏒 Hokej mbi akull
Kthimi i lojtarëve të NHL-së e bën turneun shumë më spektakolar. Connor McDavid (Kanada) pritet të jetë një nga figurat kryesore të Olimpiadës.
🇮🇹 Shpresat italiane
Italia do të mbështetet fort te sportistë si Arianna Fontana, atletja më e dekoruar italiane në Lojërat Dimërore, duke synuar medalje para publikut vendas./kb
Një peshkaqen leopard pothuajse dyvjeçar është rikthyer në habitatin e tij natyror në ujërat blu pranë ishullit Maiton, rreth 9 kilometra në juglindje të Phuket-it në Tajlandë.
I njohur për njollat karakteristike që i ngjajnë leopardit, peshkaqeni leopard dikur ishte i zakonshëm në ujërat tajlandeze.
Sot, për shkak të peshkimit dhe dëmtimit të shkëmbinjve koralorë, nuk gjendet lehtë dhe specia është e listuar si e rrezikuar nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës.
Rikthimi i tij në natyrë është pjesë e Projektit StAR Thailand, një iniciativë e drejtuar nga organizatat WildAid dhe Ocean Blue Tree, në bashkëpunim me autoritetet shtetërore.
Para lëshimit në det, peshkaqenët kalojnë një proces të gjatë përgatitor. Fillimisht rriten për rreth një vit në akuarium, më pas transferohen në Qendrën Biologjike Detare të Phuket-it për trajnim të sjelljes natyrore.
Faza e fundit zhvillohet pranë ishullit Maiton, ku me anë të pajisjeve të veçanta peshkaqeni përshtatet me kushtet reale të mjedisit.
“Ky ambient është ndërtuar për të përshtatur peshkaqenin me mjedisin natyror. Kujdestarët tanë kujdesen çdo ditë për ushqimin, regjistrojnë rritjen dhe monitorojnë shëndetin e përgjithshëm, në mënyrë që ta mbajmë të shëndetshëm dhe ta përgatisim për jetën në natyrë”, tha Metavee Chuangcharoendee , menaxhere e projektit StAR.
Dy ditë para lirimit, biologë detarë nga Departamenti i Burimeve Detare dhe Bregdetare kryejnë kontrolle të detajuara shëndetësore.
Ekzaminimet përfshijnë ultratinguj, matje të trupit, peshim dhe kontrolle fizike për të garantuar që peshkaqeni është gati për t’u rikthyer në det.
“Ky është një kontroll shëndetësor përpara se peshkaqeni të lirohet në det. Ne përdorim ultratinguj sepse shkaktojnë stres minimal. Kontrollojmë zonën e barkut, përmasat dhe kryejmë edhe ekzaminime të tjera fizike”, tha Patcharaporn Kaewmong, biolog detar.
Secili peshkaqen mban një pajisje akustike gjurmuese, e cila regjistron lëvizjet e tij përmes receptorëve të vendosur në Gjirin Phang Nga.
Të dhënat mblidhen çdo muaj për të vlerësuar mbijetesën dhe përshtatjen në natyrë. Por përzgjedhja e peshkaqenit leopard nuk është e rastësishme.
“Ne e zgjodhëm peshkaqenin leopard sepse riprodhohet shumë mirë në akuariume, por jo më në natyrë. Pse të mos përdorim këtë popullatë për ta rikthyer dhe për të ndihmuar rimëkëmbjen e saj?”, tha Metavee Chuangcharoendee, menaxhere e projektit StAR.
Një rol kyç në këtë proces ka Akuariumi Aquaria Phuket, i vetmi në Tajlandë që aktualisht rrit peshkaqenë leopard nën kushte të kontrolluara.
“Programi ynë i shumimit ka qenë shumë i suksesshëm. Cilësia e ujit dhe kujdesi profesional na kanë lejuar jo vetëm t’i shumojmë, por edhe t’i rikthejmë këta peshkaqenë në oqean”, u shpreh Metavee Chuangcharoendee – menaxhere e projektit StAR.
Në vitin 2025, programi ka arritur të lëshojë me sukses shtatë peshkaqenë leopard në natyrë.
“Sukses për mua është kur peshkaqenët shihen çdo ditë nga zhytësit, kur ata shumohen në natyrë, kur vezët gjenden në det dhe kur nuk shfaqen më në tregje. Kjo do të thotë që kemi një ekosistem detar të shëndetshëm”.
Ekspertët theksojnë se ulja e ndotjes dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve detare janë elementë kyç për mbijetesën afatgjatë të specieve të rralla./kb
Ish-fituesi i Big Brother Vip Albania Luiz Ejlli është futur në shtëpinë e Big Brother Vip Albania. Hyrja e tij në shtëpinë më të madhe të Big Brother në fakt është një rreng për banorët.
Luizi ka hyrë në shtëpi si një konkurent i vetëm me njërin nga banorët, Artan Kolën. Duket se misioni i tij do të jetë deri të martën e ardhshme.
Ajo që vihet re është se shumica e banorëve e kanë marrë të mirëqenë hyrjen e tij, ndërsa pak prej tyre e kanë kuptuar skemën dhe lojën.
Në vetëm pak orë Luizi e ka trazuar jo pak shtëpinë./kb
Kryeministri Edi Rama ka folur dhe për vendimin e qeverisë për heqjen e masave të përkohshme të Tik Tok.
Rama u është përgjigjur kritikëve që vendimi për heqjen e masave nuk është tërheqje, nuk është dorëzim dhe nuk është mbyllje sysh, por është rezultat i një procesi serioz, rishikimi dhe i një pune konkrete adresimi real të shqetësimeve për sigurinë dhe për filtrat e nevojshëm që të ketë shumë më tepër kontroll mbi gjithë aktivitetin dhe mbrojtje të fëmijëve dhe më të rinjve.
Ai theksoi në podcastin “Flasim” se janë vendosur mekanizma të rinj sigurie, ka filtra, ka kontrolle efektive dhe trajtim të shkeljeve.
“Këtë javë doli dhe vendimi i Këshillit të Ministrave për të hequr masën e bllokimit të TikTok.
Është një vendim që e pata lajmëruar kur pata shpjeguar në më shumë se një rast, jo vetëm këtu, por edhe në mediat ndërkombëtare, që për befasinë tonë të këndshme, pozitive, TikTok ishte shumë i hapur, ishte shumë aktiv në ndërtimin e një dialogu me ne, pasi ne bëmë bllokimin.
Dhe nuk është TikTok që na ka çuar në gjyq, por është ç’të të them ç‘është, kush është, dihet kush është, që na ka çuar në gjyq edhe për TikTok. Por çfarë t’i thuash! Kështu që, ajo që pata paralajmëruar ka ndodhur sepse me TikTok kemi vendosur, jo vetëm një komunikim, por kemi vendosur dhe një bazë të re dhe për këtë arsye Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk është tërheqje, nuk është dorëzim dhe aq më pak pastaj nuk është mbyllje sysh siç është komentuar me sa më thonë, por është rezultat i një procesi serioz, rishikimi dhe i një pune konkrete adresimi real të shqetësimeve për sigurinë dhe për filtrat e nevojshëm që të ketë shumë më tepër kontroll në kuptimin e mirë të fjalës, jo censure, por kontroll mbi gjithë aktivitetin dhe mbrojtje të fëmijëve dhe më të rinjve, në radhë të parë.
Ky ishte dhe qëllimi i bllokimit, interesi publik mbrojtja e fëmijëve. Dhe kjo ishte dhe vija e dialogut dhe sot TikTok është serish i aksesueshëm sepse janë vendosur mekanizma të rinj sigurie. Ka filtra të rinj mbi përmbajtjen, ka kontrolle efektive dhe mënyra raportimi dhe trajtimi të shkeljeve që nuk ishin më parë.
Ministri i Jashtëm i Iranit Abbas Aragchi paralajmëroi se Irani do të sulmojë bazat amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme, nëse Uashingtoni synon territorin iranian. “Nëse sulmohemi, ne do të shënjestrojmë bazat amerikane në rajon”. – u shpreh ai gjatë një interviste për rrjetin Al Jazeera.
Ndërsa të premten në Oman u mbajtën negociatat indirekte, Aragchi tha se Teherani dhe Uashingtoni ranë dakord që bisedimet bërthamore duhet të rifillojnë së shpejti. Ai u shpreh se Teherani është i hapur për arritjen e një marrëveshjeje, por shtoi se çështjet që lidhen me programin raketor të Iranit dhe pasurimin e uraniumit ishin të panegociueshme.
“As tani e as në të ardhmen nuk mund të ketë negociata për raketat, sepse kjo është një çështje e mbrojtjes” – nënvizoi kryediplomati iranian. Ai kritikoi atë që cilesoi si një doktrinë dominimi që i lejon Izraelit të zgjerojë arsenalin e tij ushtarak, ndërkohë që u bën presion vendeve të tjera në rajon që të çarmatosen.
Komentet e Aragchit erdhën një ditë pasi me ndërjetësimin e Omanit, delegacione nga Teherani dhe Uashingtoni zhvilluan bisedimet e para që nga sulmet amerikane në qershor të vitit të kaluar. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se diskutimet ishin shumë të mira dhe palët do të takohen sërish javën e ardhshme, ndërsa vetë kryediplomati iranian i quajti një fillim i mirë.
“Irani duket se dëshiron shumë të arrijë një marrëveshje. Duhet të shohim se çfarë marrëveshjeje është ajo”- u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One. Pavarësisht zhvillimeve të fundit, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që parashikon tarifa dytësore me vlerë 25% ndaj vendeve që importojnë mallra nga Irani./kb
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen Balluku. Sipas ramës Gjykata Kushtetuese nuk e ka gjetur forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë.
Sipas kryeministrit Shqipëria bëhet për herë të dytë, në dy muaj, shembulli i parë i një budallallëku botëror.
Ai thekson se mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e kthen në fuqi pezullimin e ministres, e cila, nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që shpiku pezullimin e anëtarit të qeverisë me vendim të një seance të mbyllur të përgatitjes së një gjyqi.
Ram theksoi se beteja do të vazhdojë.
“Shënimi i fundit i ditës, por jo për nga rëndësia, është ai që lidhet me Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk e ka gjetur dot forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë së Shqipërisë me një mjet të paparë dhe të padëgjuar në botën demokratike, siç është pezullimi i një anëtari qeverie nga një prokuror dhe një gjykatës në një seancë paraprake, pra pa filluar akoma gjyqi.
Kështu, Shqipëria bëhet për herë të dytë, në dy muaj, shembulli i parë i një budallallëku botëror sepse Gjykata Kushtetuese u mbyt me lugën e ujit të turbullt të tyre që Servantes në librin e tij të famshëm Don Kishoti i Mançës i quan arsyet e Mosarsyes.
Por fakti është që mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e kthen në fuqi pezullimin e ministers, e cila, që të jemi shumë të qartë, pavarësisht se qartësia është një luks dhe një luks i rrallë që mund ta kërkosh, por vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve politike e mediatike, nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që shpiku pezullimin e anëtarit të qeverisë me vendim të një seance të mbyllur të përgatitjes së një gjyqi.
Sidoqoftë, zhbërja e kësaj shpikjeje 100% “Made in Albania” e drejtësisë së re dhe e drejtësisë ende të papjekur shqiptare, e cila nuk ka lidhje me rastin dhe çështjen konkrete po me një parim të panegociueshëm të demokracisë mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive të parlamentit nga pushteti gjyqësor.
Kështu që, ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë, – është vendim shumë i thjeshtë se mjafton të marrësh shembull çdo vend të botës që do apo të gjithë vendet e botës bashkë dhe nuk do të gjesh dot një gjë të ngjashme, – por një vendim po aq dhe të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë.
Në ndërkohë, kam dhe diçka tjetër.
Kujtdo që ka vënë buzën në gaz apo ka nxjerrë gjuhën jashtë pas mosvendimit të Kushtetueses dhe e bën hosana dhe fërkon duart me kuturisjet e modës së re të arresteve pa gjyq, të cilat arritën një kulm të ri këtë javë me 30 e kusur fletë-arresti të prera nga një prokuror në Durrës, i cili në fakt nuk paraburgosi vetëm veten e vet, – se të gjitha çfarë kishte rreth e rrotull për një çështje që nuk përmbush asnjë kusht, zero, hiç nga ato që Këshilli i Europës dhe drejtësia demokratike përcakton si kushte të domosdoshme për arrestin, – i futi në një thes, – u them një gjë, – kush beson se përpjekja e natyrshme për shtetin ligjor e të gjithëve bashkë, e jona, qeveri, parlament, drejtësi, me të gjitha të përpjetat dhe të tatëpjetat e saj, arritjet dhe lajthitjet e drejtësisë së re, do të prodhojë ndonjëherë kosto për këtë shumicë qeverisëse, të cilat do ta kthejnë në punë mullirin e prishur të opozitave, gabon ditë dhe natë sepse nuk kupton atë që e kupton shumë qartë populli shqiptar, njeriu i zakonshëm i Shqipërisë. Lufta për drejtësi, për shtet ligjor demokratik, për Shqipërinë europiane në Bashkimin Europian, ka vetëm një garant, ende sot për sot, mua dhe këtë shumicë qeverisëse.