Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 February 2026Main stream

Flet një nga viktimat e Jeffrey Epstein: Isha 16 vjeçe kur më abuzoi, Trump na tradhtoi

By: A R
5 February 2026 at 09:54

Haley Robson, një nga viktimat e shumta të rrjetit të pedofilisë të Jeffrey Epstein, ka dhënë së fundmi një dëshmi tronditëse për mediat italiane, duke rrëfyer tmerrin që përjetoi kur ishte vetëm 16 vjeç.

Ajo tregon se u dërgua në shtëpinë e financierit në vitin 2002 përmes njerëzve që i besonte, përfshirë një shok klase, me premtimin e rremë për diçka tjetër, por sapo mbërriti atje, Epstein e dërgoi në katin e sipërm dhe abuzoi me të për një orë rresht. Sot, ajo shpreh zhgënjim të thellë jo vetëm për drejtësinë amerikane, por edhe për presidentin Donald Trump, të cilin e akuzon se i ka tradhtuar viktimat duke mos mbajtur premtimin për transparencë të plotë mbi dosjet e këtij skandali.

Robson, e cila është e regjistruar si votuese republikane, thotë se besonte te fjalët e Trump kur ai premtonte se do të zbardhte të vërtetën, por tani është e bindur se ai ka gënjyer. Sipas saj, lidhja mes Trump dhe Epstein ishte shumë e ngushtë, aq sa financieri mbante një foto të tij në tavolinën e punës. Ajo thekson se është e pafalshme që qeveria amerikane ka mbyllur hetimet pa ndjekur penalisht njerëz të tjerë të fuqishëm, duke lënë pas shumë pikëpyetje për bashkëpunëtorët e mundshëm në këtë histori të errët.

Përveç tradhtisë politike, viktima denoncon edhe skandalin e fundit të Departamentit të Drejtësisë, i cili publikoi gabimisht të dhëna private të dhjetëra grave, duke përfshirë numra sigurimesh shoqërore, adresa dhe fotografi të vajzave të mitura pa asnjë censurë. Për Robson, kjo është një tjetër goditje që i bën gratë të ndihen viktima për herë të dytë. Lidhur me vdekjen e Epstein në burg, ajo ndan bindjen e shumë personave të tjerë se ai nuk u vetëvra, por u vra, pasi karakteri i tij manipulues dhe egoja e madhe nuk përputheshin me aktin e vetëflijimit.

Pavarësisht dhimbjes dhe traumave që vazhdon t’i trajtojë me psikologë, Haley Robson sot është kthyer në një aktiviste që lufton për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve. Ajo thotë se neglizhenca e shtetit i ka bërë këto gra më të forta dhe më të vendosura për të kërkuar llogari. Ndonëse ndjen trishtim që shoqja e saj Virginia Giuffre nuk jeton më për të parë frytet e betejës së tyre, ajo beson se ekspozimi i emrave të pushtetshëm në dosjet e publikuara është një lloj drejtësie që do t’i njollosë ata përgjithmonë.

Lufta për mineralet kritike, si SHBA synon të thyejë dominimin e Kinës

By: A R
5 February 2026 at 09:46

SHBA-të kanë nisur një përpjekje për të formuar një zonë tregtare për mineralet kritike, të cilat janë thelbësore për prodhimin e gjithçkaje, nga telefonat inteligjentë deri te armët, ndërsa përpiqet të thyejë dominimin e Kinës në këtë industri.

Të mërkurën, Departamenti i Shtetit organizoi ngjarjen e parë ministriale për Mineralet Kritike, e cila u ndoq nga vende dhe organizata si Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian, Japonia, India, Koreja e Jugut, Australia dhe Republika Demokratike e Kongos.

Siç shkruan BBC, delegatët diskutuan mbi disponueshmërinë dhe aksesin në minerale që janë të rëndësishme për prodhimin e gjërave si çipat e kompjuterëve dhe bateritë për automjetet elektrike.

Minierat dhe përpunimi i këtyre mineraleve kritike, që përfshijnë edhe tokat e rralla, dominohen nga Kina.

Në komentet e publikuara nga qeveria e SHBA-ve, zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio nuk e përmendën Kinën me emër.

Në vend të kësaj, Vance iu referua “ofertës së huaj” të këtyre mineraleve që mbushin tregjet globale, duke e bërë të vështirë për vendet e tjera me depozita minerale të sigurojnë financimin e nevojshëm për t’i prodhuar ato.

SHBA-të planifikuan të përdorin tarifa për të ndaluar rënien shumë të ulët të çmimeve të mineraleve kritike, gjë që mund të pengojë investimet.

David Copley, asistent i veçantë i presidentit Donald Trump, tha se SHBA-të kanë ndërmend të “shpenzojnë qindra miliarda dollarë kapital në sektorin e minierave për të nisur projektet“.

Ai tha se investime janë bërë tashmë në disa kompani, përfshirë prodhuesin e magneteve me toka të rralla, MP Materials, dhe Lithium Americas, e cila prodhon material të rëndësishëm për bateritë e karikueshme.

Përfaqësuesi tregtar i SHBA-ve, Jamieson Greer, gjithashtu tha se SHBA-të, Japonia dhe Komisioni Evropian po zhvillojnë “politika dhe mekanizma tregtarë të koordinuar” për të shmangur kolektivisht problemet e mundshme me aksesin në minerale të rëndësishme.

Para takimit, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze tha se “vendet duhet të ndjekin parimet e ekonomisë së tregut dhe rregullat ndërkombëtare ekonomike dhe tregtare, duke përmirësuar komunikimin dhe dialogun”.

Ngjarja ishte pjesë e një përpjekjeje më të gjerë nga qeveria e SHBA-ve për të kundërshtuar aftësinë e Kinës për të përdorur dominimin e saj në industri si një mjet presioni në negociatat tregtare.

Të hënën, Trump njoftoi krijimin e një rezervi të mineraleve kritike, të quajtur “Project Vault“, me vlerë pothuajse 12 miliardë dollarë.

Figura të industrisë mirëpritën këtë njoftim. “Është thelbësore të shohim që Shtetet e Bashkuara po marrin hapa vendimtarë për të forcuar furnizimin tonë me të gjitha llojet e mineraleve dhe tokave të rralla,” tha Wade Senti, president i Advanced Magnet Lab.

Eventi i së mërkurës u zhvillua në të njëjtën ditë që Trump pati një bisedë telefonike me homologun e tij kinez, Xi Jinping, të cilën presidenti amerikan e përshkroi si “shumë pozitive.”

Kina ka një kontroll të fortë mbi tokat e rralla dhe ka forcuar kontrollin mbi eksportet në muajt e fundit.

Pekini kërkon që kompanitë kineze të marrin miratimin e qeverisë para se të dërgojnë këto minerale jashtë vendit.

Kur kufizimet u ashpërsuan në tetor, kjo shkaktoi një goditje të madhe për SHBA-të, industritë e së cilës varen shumë nga këto importime.

Qeveria kineze së shpejti lehtësoi ato masa më strikte, por analistët thonë se Kina po përdor dominimin e saj si një mjet kyç për të negociuar me Uashingtonin.

EMRAT/ Këta janë katër anëtarët e familjes shqiptare, që humbën jetën në Itali

By: A R
5 February 2026 at 09:38

Një tragjedi e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku një familje e tërë humbi jetën si pasojë e helmimit nga gazi në banesën e saj. Sipas mediave italiane viktimat janë babai Arti Kola, 48 vjeç, nëna Jonida Kola, 43 vjeçe, si dhe dy fëmijët e tyre, djali Hajdar Kola, 22 vjeç, dhe vajza Xhesika Kola, 15 vjeçe.

Sipas mediave italiane, që citojnë burime zyrtare, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e mbrëmjes, rreth kohës së darkës. Gjatë hyrjes në banesë, forcat e policisë dhe ekipet e emergjencës gjetën tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte bërë gati për të ngrënë, pa e ditur se po përballej me një rrezik fatal.

Alarmin e ka dhënë një i afërm i familjes, vëllai i kryefamiljarit, i cili, i shqetësuar pasi nuk kishte mundur të kontaktonte me ta, njoftoi karabinierët. Pas mbërritjes në banesën trekatëshe dhe mungesës së çdo përgjigjeje, policia u detyrua të hapë derën me forcë.

Brenda, autoritetet u përballën me një skenë tronditëse, katër anëtarët e familjes u gjetën të pajetë në dysheme. Gjatë ndërhyrjes, një familjar tjetër humbi ndjenjat për shkak të ekspozimit ndaj monoksidit të karbonit, por u shpëtua falë reagimit të shpejtë të karabinierëve dhe u dërgua me urgjencë në spitalin e Cisanellos, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

“Mos e përmendni nenin 5 të NATO-s”, Finlanda paralajmëron SHBA-të, zbulohet kabllogrami

By: A R
5 February 2026 at 09:31

Finlanda u ka bërë thirrje zyrtarëve amerikanë të shmangin përshkrimin e garancive të ardhshme të sigurisë për Ukrainën e pasluftës si “të ngjashme me Nenin 5” të NATO-s, duke paralajmëruar se një gjuhë e tillë mund të dobësojë klauzolën e mbrojtjes kolektive në zemër të aleancës, sipas një kabllogrami të Departamentit të Shtetit të siguruar nga POLITICO.

Kabllogrami i 20 janarit lë të kuptohet se ka shqetësime në disa vende lidhur me gjuhën e përdorur gjatë bisedimeve të paqes midis Kievit dhe Moskës. Ato tregojnë se sa të ndjeshme mund të jenë disa fraza në sferën e sigurisë kombëtare, edhe kur zyrtarët thjesht përpiqen t’u ofrojnë një analogji audiencave të ndryshme.

Kryediplomatja finlandeze paralajmëroi se kjo rrezikonte ngatërrimin e garancive të Nenit 5 të NATO-s me çfarëdo premtimesh dypalëshe që i bëhen Ukrainës.

Gjithashtu citohet ajo të ketë thënë se duhet të ketë një “mur mbrojtës” midis NATO-s dhe garancive të ardhshme të sigurisë për Ukrainën.

Neni 5 është një klauzolë kritike në paktin e NATO-s, që thotë se një sulm i armatosur ndaj një anëtari të aleancës me 32 anëtarë do të trajtohej si sulm ndaj të gjithë anëtarëve. NATO e ka përdorur nenin vetëm një herë, pas sulmit terrorist në SHBA më 11 shtator 2001.

“Shoqata e Gjyqtarëve, seksion i PD”, Beqiri: Kërkesa për rritje pagash, e turpshme dhe abuzive!

By: A R
5 February 2026 at 09:21

Avokati Idajet Beqiri u shpreh se kërkesa për rritje të pagave të gjyqtarëve është e tepruar në kushtet aktuale të sistemit të drejtësisë.

Ai theksoi se këto kërkesa përbëjnë një formë abuzimi dhe cenojnë parimin e paanësisë që duhet të ketë pushteti gjyqësor.

Sipas Beqirit, nuk mund të kërkohen paga më të larta kur drejtësia vonon dhe dosje të rëndësishme mbeten pa zgjidhje prej vitesh.

”Ka qenë një kohë që gjyqtarët i kishin pagat qesharake dhe të ulëta; minimumi ishte 500 mijë lekë të vjetra. Ata merrnin ryshfete dhe kjo iu dukej thërrime dhe nuk bënin asnjë kërkesë për rritje rroge. Deri në vitin 2016, kur nisi reforma dhe vettingu, ata deri në atë kohë shumica prej tyre nuk dinin a merrnin apo jo rrogë.

Tani kërkojnë rritje dhe unë e shoh në dy aspekte. Në aspektin pozitiv vlerësoj se tani këta nuk po fusin duart në xhepat e shqiptarëve, por tani kanë kaluar në ekstrem tjetër. Të kërkosh tani, në këtë situatë ku është drejtësia, gati dyfish, kjo do të thotë një abuzivizëm maksimal.

Në radhë të parë kemi të bëjmë me lekë që merren nga buxheti i shtetit dhe miratohen në Parlament, ku caktohet sa do të jenë pagat. Kërkesat mund të jenë maksimale, por nuk vendos dot ti. E ligjshme është, por ndërhyn në kompetencat e një pushteti tjetër. Kjo është shkelje flagrante.

Janë të pakujdesshëm, të pavëmendshëm edhe kur dalin e bëjnë deklarata; harrojnë se janë një pushtet gjyqësor që duhet të tregojë paanësi. Nga epitetet që përdorin harrojnë dhe e quajnë veten seksion të Partisë Demokratike. Veprojnë në të gjitha fushat kështu: kërkojnë rritje të pagave, dhe në Malin e Zi u kërkua rritje pagash, por nuk u realizua.

Po ti që i mban dosjet prej 10 vitesh kapicë me vite? Që nga 2019 SPAK ende nuk i jep zgjidhje. Kur nuk i jep drejtësi, për çfarë e do pagën?“

Ish-gjyqtari Gjermeni: Si u spastrua drejtësia në ‘92 dhe ‘98. Nano, i vetmi kryeministër që nuk na preku

By: A R
5 February 2026 at 09:13

Ish-zyrtari i lartë i drejtësisë, Artan Gjermeni, në emisionin “Trialog” në RTSH komentoi se përplasja e fundit mes Qeverisë dhe Gjyqësorit për pagat dhe kompetencat nuk është një “rrufe në qiell të hapur”, por vazhdimësia e një historie 35-vjeçare presioni politik.

Sipas Gjermenit, politika shqiptare ka ushtruar vazhdimisht “dhunë” mbi sistemin, që sipas tij lidhet me spastrimet masive dhe shkarkimet arbitrare të gjyqtarëve të papëlqyeshëm.

Në analizën e tij, avokati bëri një ndarje mes periudhës komuniste dhe pas shembjes së saj.

“Para vitit ‘90 s’kishte nevojë për dhunë sepse magjistratët ishin pjesë e sistemit, bindeshin. Pas vitit ’90 filloi dhuna,” tha ai. Gjermeni evidentoi dy momente kyçe të spastrimeve massive atë të vitit 1992 ku u hoqën masivisht rreth 100 gjyqtarë e prokurorë me justifikimin se ishin “komunistë”, pa bërë dallime profesionale dhe e vitit 1998, ku u organizua një provim kualifikimi, i cili sipas Gjermenit, kishte si qëllim të vetëm largimin e të padëshiruarve.

“U hoqën 200-300 veta nga sistemi në ‘92, po aq edhe në ‘98,” theksoi ai.

Përjashtimi i Fatos Nanos

Në retrospektivën e tij, Gjermeni bëri një deklaratë duke veçuar vetëm një kryeministër nga përplasjet qeveri- drejtësi.

“Vetëm ish-kryeministri Fatos Nano nuk është marrë me “dhunë” ndaj drejtësisë. Atij nuk i ka interesuar fare sistemi. Nuk ka asnjë që të thotë se këtë gjyqtar e vuri Nano,” deklaroi avokati.

Dhuna, sipas tij, u rikthye edhe me rotacionin politik të vitit 2005. Gjermeni solli një shembull të këtij realiteti: “Kemi rastin e një gjyqtari, të cilin e dhunuan psikologjikisht për ta larguar nga puna nga forca politike që ishte në qeveri, por që sot e njëjta forcë e ka bërë deputet.”

Vangjeli: Sistemi i drejtësisë po kthehet në regjim represiv, nevojitet një klithmë kombëtare

By: A R
5 February 2026 at 09:05

Analisti Lorenc Vangjeli, i ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si sistemi i drejtësisë po funksionon në vend, duke e cilësuar atë si represiv dhe të ngjashëm me mentalitetin bolshevik.

Po ngrihet flamuri i kuq për diçka që ne e dinim, e shtrirë tashmë për një masë më të madhe shqiptarësh që vuajnë një regjim represiv nga sistemi i drejtësisë. Një mentalitet represiv dhe bolshevik, flasim për masat e sigurisë. Rasti Veliaj apo raste të tjera të kalibrit të lartë janë më të dukshëm, por e vërteta është më e thellë, më e rëndë dhe prek mijëra qenie njerëzore dhe familje shqiptare,” u shpreh Vangjeli.

Ai e cilësoi këtë fenomen si një nga plagët më të mëdha sociale të vetëshkaktuara, duke theksuar se politika nuk ka marrë rolin e parashikimit dhe zgjidhjes së problemit.

Ky është një moment për një klithmë kombëtare sepse ka ndodhur në vëmendje të gjithëve dhe politika, e cila do të duhej të ishte akti i parashikimit dhe shërimit të problemit, thjesht i është shmangur këtij problemi,” shtoi analisti.

EKSKLUZIVE / Sondazhi: 90% e shqiptarëve i duan pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve ashtu siç janë ose më të ulëta

By: A R
5 February 2026 at 08:58

Javanews angazhoi sondazhistin e njohur Eduard Zaloshnja për të kryer një sondazh për opinionin e shqiptarëve rreth pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Linku i pyetësorit u shpërnda me SMS krejt te rastësishme në gjithë territorin e vendit dhe u plotësua në mënyrë anonime nga të anketuarit.

Kampioni: 1158 të anketuar, i ripeshuar statistikisht për të përfaqësuar sa më afërsisht 1.9 milionë banorët e rritur të vendit, gjeografikisht, demografikisht dhe politikisht.

Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor: +/-2.8%

SHËNIM: Tek 9.9-përqindëshi mbizotërojnë të anketuar që votuan për PD-ASHM më 11 maj 2025 (ndoshta për inat të Kryeministrit); tek 73.2-përqindëshi ka një përzjerje votuesish të të gjitha partive, si dhe mosvotuesish; tek 16.9-përqindëshi mbizotërojnë të anketuar që votuan për PS-në më 11 maj.

Xi paralajmëron Trumpin: Kujdes me shitjen e armëve për Tajvanin

By: A R
5 February 2026 at 08:49

Udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, e quajti Tajvanin “çështjen më të rëndësishme” në marrëdhëniet Kinë-SHBA gjatë një telefonate me presidentin amerikan Donald Trump të mërkurën.

Siç shkruan BBC, Xi i tha Trump-it të ishte “i kujdesshëm” kur furnizon armë për ishullin, duke shtuar se ai “i kushton rëndësi të madhe” lidhjeve me Uashingtonin dhe shpreson që të dyja palët të gjejnë mënyra për të zgjidhur dallimet.

Trump e përshkroi telefonatën si “të shkëlqyer” dhe “të gjatë e të plotë”.

Telefonata e së mërkurës pason një sërë vizitash nga liderë perëndimorë, mes tyre Keir Starmer nga Britania e Madhe, në Kinë gjatë muajve të fundit, me shpresën për të rivendosur marrëdhëniet me ekonominë e dytë më të madhe në botë.

Vetë Trump pritet të vizitojë Kinën në prill, një udhëtim për të cilin thotë se “e pret me shumë dëshirë”. Ai shtoi se Pekini po shqyrton blerjen e 20 milionë tonëve sojë nga SHBA-të, nga 12 milionë tonët aktualë.

Marrëdhënia me Kinën, dhe marrëdhënia ime personale me presidentin Xi, është jashtëzakonisht e mirë, dhe të dy e kuptojmë sa e rëndësishme është ta mbajmë ashtu,” shkroi ai në një postim në Truth Social.

Dy liderët kishin folur për herë të fundit në nëntor për një sërë çështjesh, përfshirë tregtinë, pushtimin rus të Ukrainës, fentanilin dhe Tajvanin, sipas Trump-it dhe ministrisë së jashtme të Kinës.

Përveç Tajvanit dhe sojës, Trump dhe Xi diskutuan gjithashtu për luftën e Rusisë në Ukrainë, situatën aktuale në Iran dhe blerjen e naftës e gazit nga SHBA-të nga ana e Kinës.

Sa i përket Tajvanit, Xi tha se ishulli i vetëqeverisur ishte “territori i Kinës” dhe se Pekini “duhet të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial (të Tajvanit)”.

“SHBA-të duhet ta trajtojnë çështjen e shitjes së armëve për Tajvanin me kujdes,” paralajmëroi ai, sipas agjencisë shtetërore Xinhua.

Kina prej kohësh ka premtuar “ribashkimin” me Tajvanin dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta arritur këtë.

SHBA-të kanë lidhje formale me Pekinin dhe jo me Tajvanin, duke ecur në një litar diplomatik të ndërlikuar për dekada. Por mbetet një aleat i fuqishëm i Tajvanit dhe furnizuesi më i madh i armëve për ishullin.

Në dhjetor, administrata Trump shpalli një shitje të madhe armësh me vlerë rreth 11 miliardë dollarë për Tajvanin, që përfshinte hedhës raketash të avancuar dhe një sërë raketash.

Pekini tha në atë kohë se kjo “përpjekje për të mbështetur pavarësinë (e Tajvanit)” do të “përshpejtonte nxitjen drejt një situate të rrezikshme dhe të dhunshme në ngushticën e Tajvanit”.

Ashtu siç SHBA-të kanë shqetësimet e veta, Kina nga ana e saj ka gjithashtu shqetësime,” i tha Xi Trump-it të mërkurën.

Nëse të dyja palët punojnë në të njëjtin drejtim në frymën e barazisë, respektit dhe përfitimit të ndërsjellë, sigurisht që mund të gjejmë mënyra për të adresuar shqetësimet e njëri-tjetrit,” tha ai.

Orë para telefonatës me Trump-in, Xi zhvilloi një takim virtual me udhëheqësin e Rusisë, Vladimir Putin, ku të dy vlerësuan forcimin e lidhjeve mes Pekinit dhe Moskës.

“Protestat i nxisin shqiptarët”, Vuçiç: Mandatin e përfundoj në vitin 2027

By: A R
5 February 2026 at 08:41

Serbia po diversifikon furnizimin e saj me energji larg Rusisë dhe është tashmë në bisedime për të blerë gaz natyror nëpërmjet një mekanizmi blerjeje të Bashkimit Evropian.

Kështu ka bërë të ditur Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një intervistë me Reuters.

Vendi ballkanik, i cili dëshiron të bashkohet me BE-në, është një nga blerësit e paktë të mbetur të gazit natyror rus në Evropë – mbi 80% e furnizimeve të tij vijnë prej andej. Por BE-ja ka ushtruar presion mbi Serbinë për të gjetur alternativa, ndërsa përpiqet të zvogëlojë flukset e parave në arkë lufte të Presidentit Vladimir Putin për Ukrainën, shkruan A2.

“Ne e dimë se çfarë po projekton Bashkimi Evropian në lidhje me të gjitha llojet e ndalimeve të pranisë së energjisë ruse në Evropë dhe ne duhet, në një farë mënyre, t’i përshtatim dhe përshtasim politikat tona energjetike kërkesave dhe kërkesave të caktuara të atyre që janë shumë të fuqishëm”, tha Vuçiç.

Serbia dështoi të siguronte një kontratë të re afatgjatë me Gazprom të Rusisë vitin e kaluar, dhe një marrëveshje afatshkurtër e arritur në dhjetor skadon më 31 mars. Ai tha se Serbia synonte të siguronte 500 milionë metra kub gaz në vit, rreth një të pestën e nevojave të saj, në kuadër të iniciativës së BE-së për blerjen e gazit komunal, së cilës iu bashkua vitin e kaluar. Serbia tashmë po blen gaz nga Azerbajxhani, nëpërmjet Bullgarisë, dhe ndërtimi i një tubacioni gazi për në Maqedoninë e Veriut që do t’i jepte Serbisë akses në gaz natyror të lëngshëm nga Greqia duhet të fillojë këtë vit, tha ai.

“Ne ende kemi një çmim shumë të favorshëm në marrëveshjen tonë afatshkurtër me Rusinë dhe kjo është e mirë për popullin serb, por do të duhet të përshtatemi me kushtet që është Bashkimi Evropian, sido që ta quani, sugjerim, imponim apo çfarëdo që të jetë kjo”, deklaroi Vuçiç.

Moska mbështet Beogradin në kundërshtimin e tij ndaj pavarësisë së Kosovës. Vuçiç është përpjekur të balancojë marrëdhëniet me Kremlinin dhe përpjekjen e Serbisë për anëtarësim në BE. Kjo vijë është bërë gjithnjë e më e vështirë për t’u ecur që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Ndërkohë, Vuçiç tha se është i përkushtuar për t’u bashkuar me BE-në.

Ai tha se ekonomia ishte përmirësuar, si dhe standardet e jetesës dhe nivelet e borxhit. BE-ja ka kërkuar prej kohësh që Serbia të forcojë sundimin e ligjit, liritë e medias dhe të çrrënjosë krimin e organizuar dhe korrupsionin nëse dëshiron të bashkohet. Kritikët thonë se reformat e fundit në sistemin gjyqësor do të zvogëlonin pavarësinë e saj, duke e komplikuar rrugën e Serbisë drejt BE-së. Vuçiç tha se autoritetet janë gati të “shqyrtojnë” grupin e diskutueshëm të ligjeve gjyqësore me organet evropiane.

“Pa dyshim, meqenëse unë jam president, dhe deri më tani kështu ka qenë, dhe do të jetë deri në fund të mandatit tim, Serbia do të jetë në rrugën e saj drejt BE-së”, theksoi Vuçiç.

Vuçiç, një populist, pësoi një goditje politike kur çatia e një stacioni hekurudhor u shemb në Novi Sad në vitin 2024, duke vrarë 16 persona. Fatkeqësia shkaktoi protesta në të gjithë vendin, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund korrupsionit dhe zgjedhje të parakohshme.

Vuçiç pranoi se korrupsioni është një problem në Serbi dhe është “i pakënaqur” me përpjekjet për ta zhdukur atë. Megjithatë, ai i hodhi poshtë demonstratat si një komplot nga agjencitë ndërkombëtare të sigurisë – përfshirë ato nga Kroacia, Shqipëria dhe Kosova fqinje – për të përmbysur qeverinë, pa dhënë prova. Mandati i dytë dhe i fundit i Vuçiçit skadon në vitin 2027. Mes protestave në rrugë, ai ka thënë se do të thërrasë zgjedhje të parakohshme këtë vit.

Tragjedi në Itali! Katër anëtarë të familjes shqiptare gjenden të vdekur në banesë, u helmuan nga monoksidi i karbonit

By: A R
5 February 2026 at 08:00

Një tragjedi e rëndë ka tronditur komunitetin e Rughit, një fshat në Piana di Lucca të Italisë, ku një familje shqiptare është gjetur e pajetë nga monoksidi i karbonit. Siç shkruajnë mediat italiane, viktimat janë babai 48-vjeçar, nëna 42-vjeçare, djali 23-vjeç dhe vajza më e vogël, vetëm 15 vjeç.

Sipas të dhënave të para, shkaku i vdekjes së tyre dyshohet të ketë qenë thithja e monoksidit të karbonit nga një sistem ngrohjeje i prishur. Ekspertët e zjarrfikësve do të kryejnë hetimet teknike për të saktësuar shkakun e ngjarjes.

Ngjarja u zbulua pasi familja nuk iu përgjigj telefonatave të një të afërmi të familjes. Vëllai i pronarit të shtëpisë shkoi për të kontrolluar dhe, duke kuptuar tragjedinë, njoftoi autoritetet. Në vendngjarje u dërguan zjarrfikësit, karabinierët dhe shërbimet e emergjencës. Fatkeqësisht, kur arritën, të katër anëtarët e familjes ishin tashmë të vdekur.

Tre ushtarë të Armatës, të cilët u përpoqën të shpëtonin familjen Kola, u intoksikuan lehtë dhe u shtruan për kontrolle mjekësore, por gjendja e tyre është e stabilizuar. Edhe një i afërm i familjes, i cili ishte i pari që shkoi në vilë, u dërgua në spital.

Kryetari i bashkisë Leonardo Fornaciari shprehu ngushëllimet e tij: “Dhimbje e madhe, nuk ka fjalë për të shprehur atë që po ndjejmë në këtë moment. Duhet vetëm të mbështesim familjarët e tjerë.”

Monoksidi i karbonit është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe mund të shkaktojë dhimbje koke, marramendje, konfuzion, humbje të vetëdijes dhe vdekje, sidomos kur viktimat janë duke fjetur, gjë që e bën të vështirë zbulimin e rrezikut në kohë.

Hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të ngjarjes do të vazhdojnë në ditët në vijim.

Yesterday — 4 February 2026Main stream

Galaja e Festës së Pranverës, një shfaqje plot surpriza artistike mbresëlënëse

By: A R
4 February 2026 at 18:49

Të mërkurën u mbajt në Pekin një konferencë për shtypin lidhur me Galanë e Festës së Pranverës të CMG-së për vitin 2026, ku u paraqitën pikat kryesore krijuese të programit dhe aplikimet teknologjike.

Këtë vit, robotët e mishëruar do të shfaqen përsëri skenën e Galasë së Festës së Pranverës, duke arritur nivele të reja artistike. “Modeli i madh mediatik 2.0” i CMG-së do të aplikohet në këtë gala për të përmirësuar ndjeshëm cilësinë dhe efikasitetin e programit. Standardi i teknologjisë audiovizuale “Jingcai”, i zhvilluar nën udhëheqjen e Laboratorit Kombëtar Kryesor të Qartësisë së Lartë të CMG-së, do të zbatohet plotësisht në prodhimin e numrave të galasë.

Zhang Guofei, kreu i Qendrës së Arteve dhe Argëtimit të CMG-së, u shpreh se janë përgatitur me kujdes numra të ndryshëm të programit të galasë, duke përfshirë këngë dhe valle, pjesë operash, skeçe, numra shpejtësie dhe integrime krijuese, duke paraqitur atmosferën festive dhe të mbarë të Vitit të Ri. Duke përdorur inteligjencën artificiale do të krijohet një spektakël pamor. Artistë nga vende të ndryshme do të angazhohen në dialogje magjepsëse me anë të muzikës dhe vallëzimit, për shkëmbime kulturore.

Galaja e Festës së Pranverës e CMG-së do të transmetohet drejtpërdrejt njëkohësisht në “CCTV-1”, “CRI Online” dhe platforma të tjera të mediave të reja në orën 8 të mbrëmjes së 16 shkurtit.

85 kanalet e CMG-së në gjuhë të ndryshme, duke përfshirë anglishten, spanjishten, frëngjishten, arabishten dhe rusishten, do të bashkëpunojnë me mbi 3 300 media të më shumë se 200 vendeve dhe rajoneve në të gjithë botën për të transmetuar dhe për të dhënë njoftime lidhur me Galanë e Festës së Pranverës të CMG-së.

Zero tolerancë për parkimet e gabuara, Policia Rrugore e Tiranës nis heqjen e mjeteve me karrotrecë të rinj

By: A R
4 February 2026 at 17:01

Policia Rrugore e Tiranës ashpërson masat ndaj drejtuesve që parkojnë gabim në rrugët e kryeqytetit. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, uniformat blu bënë të ditur se janë pajisur me dy mjete të reja speciale – një karrotrec dhe një platformë ngritëse – të cilat do të shërbejnë për lirimin e akseve nga mjetet penguese.

Sipas policisë, fokusi do të jetë tek automjetet që bëhen pengesë serioze për qarkullimin. Këtu përfshihen parkimet mbi trotuare, në kryqëzime, para hyrje-daljeve të banesave e institucioneve, si dhe bllokimi i rampave për personat me aftësi të kufizuara apo mjetet e emergjencës.

Kosto e trefishtë për shkelësit

Policia Rrugore paralajmëron se pasojat financiare për drejtuesit e papërgjegjshëm do të jenë më të rënda. Mjeti jo vetëm që do të hiqet fizikisht nga rruga, por pronari do të përballet me tre pagesa të ndryshme si masën administrative (gjobën) për parkim të gabuar; tarifën për shërbimin e ngritjes me mjet (karrotrec); tarifën për qëndrimin e automjetit në pikën e bllokimit.

Apeli për siguri

Krahas masave për parkimin, Policia Rrugore u ka bërë apel qytetarëve për respektimin e rregullave bazë të qarkullimit, duke vënë theksin te dhënia e përparësisë për këmbësorët në vijat e bardha dhe mosdrejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike.

“Ftojmë përdoruesit e rrugës të bashkëpunojnë me shërbimet e Policisë Rrugore për një qarkullim sa më të rregullt dhe të sigurt për të gjithë,” përfundon njoftimi zyrtar.

Xi Jinping bisedë telefonike me Trump-in, pak orë pas komunikimit me Putinin

By: A R
4 February 2026 at 16:52

Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi sot një bisedë telefonike me homologun kinez Xi Jinping. Telefonata vjen ndërkohë që në prill Trump pritet të vizitojë Kinën.

Mediat shtetërore kineze nuk dhanë detaje të mëtejshme për telefonatën.

Të dy udhëheqësit folën për herë të fundit në telefon në fund të nëntorit, pas së cilës Trump vlerësoi marrëdhëniet me Kinën “jashtëzakonisht të forta“.

Telefonata me Trump erdhi vetëm pak orë pasi Xi bisedoi me Presidentin rus Vladimir Putin me anë të një video-lidhjeje.

Kremlini tha se Putin pranoi një ftesë nga Xi për të vizituar Kinën në gjysmën e parë të këtij viti.

Pas muajsh tensionesh tregtare të shkaktuara nga tarifat e Trump vitin e kaluar, marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit u stabilizuan pas një takimi midis udhëheqësve në tetor në Korenë e Jugut, ku u arrit një armëpushim i brishtë tregtar.

Në Shqipëri rihapet sot zyrtarisht TikTok, vendimi merret në Këshillin e Ministrave

By: A R
4 February 2026 at 15:57

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është vendosur sot, 4 shkurt, që të rihapet rrjeti social TikTok. Kjo do të bëjë që aplikacioni të jetë i aksesueshëm në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Në vendim thuhet se Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibemetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për realizimin e heqjes së masave për ndërprerjen e aksesit të kësaj platforme.

Rrjeti TikTok nuk funksiononte që prej 13 marsit të vitit të kaluar në Shqipëri. Vendimi për të mbyllur për 1 vit TikTok-un erdhi pas një konsultimi të nisur nga qeveria me prindërit, i nxitur nga vrasja e një 14-vjeçari në shkollën “Fan Noli”.

Gjatë këtij viti, qeveria shqiptare vijoi komunikimet me drejtuesit e TikTok që të merren masa për vendosjen e filtrave që pengojnë promovimin e materialeve me përmbajtje ku ka dhunë ose promovohet gjuha e urrejtjes.

Siguria në Prokurori dhe Gjykata, në tri vite u regjistruan 23 incidente ku ndërhyri Policia e Shtetit

By: A R
4 February 2026 at 15:49

Vrasja e gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja në sallën e gjyqit nuk rezulton incidenti i vetëm në godinat e gjykatave apo prokurorive.

Zv.Ministri i Brendshëm Xhemal Qefalia bëri publik të mërkurën shifrën e ngjarjeve, ku ka ndërhyrë edhe Policia e Shtetit.

“Në tre vitet e fundit janë rreth 23 incidente, për të cilat është dashur ndërhyrja e policisë për zgjidhjen e problemeve”, tha Qefalia.

Të pranishëm në komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale drejtuesit e institucioneve të drejtësisë kërkuan ndryshime ligjore dhe burime financiare që godinat e drejtësisë të kenë siguri.

Pritet që ky komision të ulë në tryezë të gjithë aktorët dhe faktorët që më pas të dilet me një vendim për mënyrë sesi do të veprohet për rritjen e parametrave të sigurisë në institucionet e drejtësisë.

Vrasjet e shqiptarëve nga banda serbe “Roja e Urës”, Mitrovica përkujtonin 4 shkurtin

By: A R
4 February 2026 at 15:41

Disa muaj pas përfundimit të luftës, kur për shqiptarët kishte rikthyer shpresën për të jetuar të lirë në Kosovë, qytetarët e Mitrovicës u përballën me vrasje dhe dëbime masive.

Në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, banda kriminale serbe e njohur si “Rojat e Urës” nisi sulmet ndaj shqiptarëve që jetonin në veri të urës së Ibrit.

Luan Abrashi, atëherë 13-vjeçar, u bë dëshmitar i vrasjes së të ëmës, Sebihasë.

“Ka qenë e organizuar shumë mirë nga ana e strukturave serbe për spastrimin etnik të shqiptarëve. Ka qenë një natë e tmerrshme, realisht vrasjet janë bërë pa dallim gjinie, pa dallim moshe, në mënyrën më barbare, me bomba dhe armë të ftohta”, tha Luan Abrashi.

Që prej 26 vjetësh, ai bashkë me familjen jetojnë në jug të Mitrovicës dhe kërkojnë drejtësi.

“Pas 26 vitesh ende nuk ka drejtësi për viktimat e asaj nate. Nuk është dënuar askush, edhe pse dihet shumë mirë se kush ka qenë në krye, si Oliver Ivanoviçi, Delibashiçi e të tjerë”, shtoi Abrashi.

Në “natën e tmerrit”, banda “Rojat e Urës” vrau dhjetë civilë shqiptarë, përfshirë fëmijë dhe pleq, plagosi 25 të tjerë dhe dëboi me dhunë rreth 12 mijë shqiptarë nga veriu i Mitrovicës. Sipas dëshmitarëve, gjithë kjo ndodhi në praninë e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.

Në këtë përvjetor, në urën e re mbi lumin Ibër është përuruar një pllakë përkujtimore për viktimat.

“Duhet të jetë e paharruar sakrifica dhe gjaku i derdhur i qytetarëve shqiptarë edhe pas çlirimit të Kosovës dhe prezencës së KFOR-it në Kosovë”, tha Faton Pec, kryetari i Mitrovicës së Jugut.

Fotografitë e trupave të të vrarëve, të atyre që u keqtrajtuan dhe të shtëpive që u dogjën do të jenë pjesë e ekspozitës së hapur në Qendrën e Kulturës në jug të Mitrovicës. Ndërkohë, drejtësia ende mungon.

Më 11 gusht 2014, Prokurori Ndërkombëtar ngriti aktakuzë ndaj Oliver Ivanoviçit, Aleksandër Llazoviçit, Dragolub Delibashiçit dhe Ilija e Nebojsha Vujaçiçit, për krime lufte kundër popullatës civile në prill 1999 dhe shkurt 2000. Pas shqyrtimit rreth një viti, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Roxana Comsa shpalli fajtor vetëm Ivanoviçin për akuzën e parë dhe liroi të tjerët për akuzën e dytë. Në tetor 2016, Gjykata e Apelit e ktheu këtë rast në rigjykim, mirëpo më 16 janar 2018, Ivanoviç u vra para zyrës së tij në Mitrovicë të Veriut.

Deklarata për Rusinë, në Ukrainë dalin kundër Infantinos: Pse nuk ke ardhur asnjëherë?!

By: A R
4 February 2026 at 15:34

Deklaratat e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, nuk janë pritur mirë në Ukrainë. Infantino deklaroi së fundmi se pezullimi i Rusisë nuk ka arritur asgjë përveçse ka shtuar urrejtjen, duke propozuar rikthimin e ekipeve ruse, të paktën në nivelin e të rinjve.

Drejtori Ekzekutiv i Shakhtar Donetsk, Serhii Palkin, nuk u kursye me deklaratën e tij, ndërsa u përgjigj me tone mjaft të ashpra, duke kujtuar se Ukraina ndodhet në vitin e katërt të një lufte totale me qindra mijëra viktima dhe infrastrukturë të shkatërruar.

Ai e sfidoi hapur Infantinon, duke e pyetur se pse në katër vite luftë nuk ka vizituar asnjëherë Ukrainën për të parë se si fëmijët luajnë futboll nën sirenat e sulmeve ajrore.

“Pozicioni i Gianni Infantinos përfaqëson një shkëputje të plotë nga realiteti dhe jam thellësisht i zhgënjyer prej tij. Ne kemi vuajtur nga një luftë totale për katër vjet. Qindra mijëra njerëz janë vrarë. Infrastrukturat politike, sportive dhe energjetike janë shkatërruar.

Deklaratat nuk janë një rrugë drejt paqes, ato janë një vazhdim i këtij tmerri. Ato janë një përpjekje për të pretenduar se lufta dhe agresioni nuk ekzistojnë. Futbolli nuk mund të ekzistojë jashtë realitetit. Dhe nuk ka të drejtë të mbyllë sytë ndaj të keqes që po bëhet.

Çfarë ju çon tani në këto deklarata? Pse, pas katër vitesh lufte, nuk keni ardhur në Ukrainë as edhe një herë për të parë me sytë tuaj se çfarë po ndodh këtu?

Le të vijë zoti Infantino dhe të shohë se si luajnë futboll fëmijët në Kharkiv, Dnipro, Kiev dhe Lviv, nën sirenat e sulmeve ajrore, pranë strehimoreve, nën kërcënimin e vazhdueshëm të raketave dhe dronëve”, deklaroi Palkin.

Gara bërthamore Rusi-SHBA, pa kontroll, të enjten skadon traktati New Start, bota në alarm

By: A R
4 February 2026 at 15:27

Traktati i fundit në fuqi për kontrollin e armëve bërthamore mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara skadon të enjten, duke hequr kështu të gjitha kufizimet për dy arsenalet më të mëdha atomike në botë për herë të parë në gati gjysmë shekulli.

Mungesa e një marrëveshje për të zgjatur traktatin New Start, apo për të formësuar një tjetër të ri, ka nxitur frikën për një garë të pakontrolluar e të papërmbajtur të armëve nukleare. Presidenti rus Vladimir Putin u shpreh i gatshëm për t’iu përmbajtur kufizimeve të traktatit edhe për një vit nëse edhe Uashingtoni bën të njëjtën gjë, por presidenti amerikan Donald Trump nuk ka shprehur angazhim për diçka të tillë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka sugjeruar vazhdimisht se synon të ruajë limite ndaj armatimeve bërthamore dhe të përfshijë Kinën në bisedime për kontrollin e këtyre armëve, sipas një zyrtari të cituar në kushte anonimiteti.

Sipas tij, Trump do të marr një vendim për këtë çështje, në momentin e vlerësuar prej tij. Pekini ka kundërshtuar çdo kufizim ndaj arsenalit të tij me të vogël bërthamor por që po pasurohet me shpejtësi. Zëdhënësi Dimitry Peskov tha të martën se bota do të ishte më e rrezikshme pa kufizimet ndaj stoqeve të armëve bërthamore të Rusisë dhe SHBA.

Megjithatë, Kremlin theksoi sedo te vepronte me kujdes dhe përgjegjësi. Teksa mungojnë vetëm orë nga skadimi i traktatit, New Start, Papa Leoni i bëri thirrje të dyja palëve të mos i braktisin limitet e parashikuara aty. I nënshkruar në vitin 2010 nga presidentët e atëhershëm Barak Obama dhe Dmitri Medvedev, traktati kufizonte secilën palë të kishte jo më shumë se 1550 koka bërthamore dhe 700 raketa e bombardues, të vendosura dhe gati për përdorim. Ai duhej të skadonte fillimisht në 2021 por u zgjat me 5vite të tjera. Ekspertët paralajmërojnë se pa një marrëveshje të re, rritet paqëndrueshmëria dhe rreziku i një konflikti bërthamor.

SPAK “i mbylli derën” komisionit, Xhafaj i përgjigjet Klodian Brahos: Kemi të drejtë kontrolli

By: A R
4 February 2026 at 15:18

Fatmir Xhafaj priti disa ditë përpara sesa ti kthente përgjigjen publike SPAK që e refuzoi ta priste në takim. Ndonëse nuk ia përmendi emrin, fjalët e thëna në mbledhjen e radhës të komisionit parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, duket se ishin një mesazh për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme i cili refuzoi t’ia hapte derën.

“Normat dhe praktikat parlamentare nuk e shohin kurrsesi funksionin kushtetues të mbikëqyrjes parlamentare si monitorim të institucioneve të pavarura dhe sidomos ndaj veprimtarisë së tyre, dhe ndaj nuk kanë aspak karakter ndërhyrës të çdo natyre qofshin ato. Vizitat monitoruese janë një praktikë e konsoliduar parlamentare edhe në legjislaturën e kaluar”, u shpreh Xhafaj.

Sipas Xhafajt, komisioni që ai drejton e ka të normuar në ligj kontrollin parlamentar, dhe ky kontroll sipas tij, shërben për të rritur bashkëpunimin dhe jo presionin ndaj tyre.

“Shqipëria është republikë parlamentare. Kuvendi në ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese shërben edhe si hapësirë e dialogut institucional ku ndërtohet mirëkuptimi ndërmjet pushteteve dhe konsolidohet kultura e bashkëpunimit institucional”, theksoi ai.

Fatmir Xhafaj kishte kërkuar që në datën 6 shkurt të zhvillonte një takim pune me SPAK në kuadër të masave të marra për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, por që për Prokurorinë e Posaçme, këto vizita janë cenim i pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme.

❌
❌