Normal view

Njohja e kualifikimeve profesionale të BE-së, gati drafti, do të zbatohet nga dita e anëtarësimit

26 August 2026 at 15:31

Ministria e Arsimit ka nxjerrë për konsultim një projektligj që synon të vendosë në Shqipëri regjimin e Bashkimit Europian për njohjen e kualifikimeve profesionale, duke përcaktuar rregulla për profesionistët e kualifikuar në BE, Zonën Ekonomike Europiane dhe Zvicër, si dhe për shqiptarët që kërkojnë të ushtrojnë profesionin në këto vende.

Drafti e përcakton si qëllim “mundësimin e lëvizjes së lirë dhe lirisë së ofrimit të shërbimeve” për profesionistët e kualifikuar, si në drejtim të Shqipërisë, ashtu edhe nga Shqipëria drejt vendeve europiane.

Ndryshimi është pjesë e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me Direktivën 2005/36/KE për njohjen e kualifikimeve profesionale dhe Direktivën 2018/958 për testin e proporcionalitetit.

Sipas relacionit të Ministrisë, legjislacioni aktual nuk ofron ende një regjim të plotë të përafruar me BE-në, duke krijuar “pengesë për mobilitetin e profesionistëve, burokraci për njohjen e diplomave dhe certifikatave”, si dhe pasiguri juridike për bizneset dhe institucionet arsimore.

 

Si do të veprohet

Projektligji krijon tre rrugë kryesore për njohjen e kualifikimeve: sistemin e përgjithshëm, njohjen automatike mbi bazën e përvojës profesionale dhe njohjen automatike për profesionet sektoriale që plotësojnë kushtet minimale të harmonizuara të formimit.

Në grupin e profesioneve sektoriale përfshihen mjekët, infermierët, stomatologët, mamitë, veterinerët, farmacistët dhe arkitektët. Relacioni përcakton se për këto profesione sistemi do të mbështetet në njohjen reciproke të kualifikimeve kur formimi i kryer në një vend të BE-së plotëson kushtet minimale të harmonizuara europiane.

Për kualifikimet e përfshira në listat që do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, drafti shkon më tej duke përcaktuar se autoritetet shqiptare “nuk kontrollojnë përmbajtjen e formimit të kryer në një shtet anëtar të BE-së”. Lista e diplomave dhe certifikatave që përfitojnë nga ky trajtim do të përditësohet sa herë që BE-ja ndryshon listat përkatëse të kualifikimeve profesionale.

Për profesionet që nuk plotësojnë kushtet e njohjes automatike do të përdoret sistemi i përgjithshëm. Nëse autoritetet konstatojnë dallime thelbësore mes formimit të aplikantit dhe kërkesave shqiptare, mund të kërkohet një masë kompensuese, një periudhë përshtatjeje deri në tre vjet ose një test përshtatshmërie.

Si rregull, profesionistit i jepet e drejta të zgjedhë mes dy alternativave.

Drafti vendos edhe afate për administratën. Autoriteti kompetent duhet të konfirmojë marrjen e aplikimit brenda një muaji, ndërsa shqyrtimi i një dosjeje të plotë duhet të përfundojë jo më vonë se tre muaj, me mundësi shtyrjeje me një muaj në raste të caktuara. Vendimi ose mungesa e tij brenda afatit mund të ankimohet.

Një regjim më i lehtë parashikohet për profesionistët e vendeve anëtare që vijnë në Shqipëri vetëm për të ofruar shërbime në mënyrë të përkohshme ose të rastësishme. Ata mund të ushtrojnë një profesion të rregulluar “pa qenë e nevojshme të kryhet njohja e kualifikimeve profesionale”, nëse janë të vendosur ligjërisht në një shtet anëtar dhe plotësojnë kushtet e përcaktuara në ligj.

Përpara ofrimit të shërbimit për herë të parë, profesionisti duhet të paraqesë një deklaratë pranë autoritetit kompetent. Në profesionet ku ekziston rrezik serioz për shëndetin ose sigurinë e përfituesit, autoriteti mund të kryejë kontroll paraprak të kualifikimeve.

Nëse administrata nuk reagon brenda afateve ligjore, drafti i jep profesionistit të drejtën të nisë ushtrimin e profesionit.

Projektligji hap gjithashtu rrugën për përdorimin e Kartës Profesionale Europiane, një certifikatë elektronike e lidhur me sistemin IMI të tregut të brendshëm të BE-së. Karta do të jetë alternativë ndaj procedurave tradicionale si për shërbimet e përkohshme, ashtu edhe për vendosjen e profesionistit në një shtet tjetër.

Për shërbimet e përkohshme që nuk kërkojnë kontroll paraprak, autoriteti shqiptar, kur vepron si autoritet i shtetit të origjinës, duhet ta lëshojë kartën brenda tre javësh. Në disa procedura ku Shqipëria është shteti pritës, nëse autoriteti nuk merr vendim brenda afatit të parashikuar, “Karta Profesionale Europiane konsiderohet e lëshuar dhe transmetohet automatikisht nëpërmjet IMI-së”.

Njohja e kualifikimit nuk eliminon kërkesën për njohjen e gjuhës shqipe.

Drafti përcakton se profesionistët duhet të zotërojnë njohuritë e nevojshme të shqipes për ushtrimin e profesionit, por kontrolli mund të bëhet vetëm në rrethana të përcaktuara, përfshirë profesionet që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e pacientit ose kur ka dyshime serioze dhe konkrete për nivelin gjuhësor. Kontrolli duhet të jetë “i justifikuar, i domosdoshëm dhe proporcional”.

Pjesa tjetër e reformës prek mënyrën se si Shqipëria mund të vendosë rregulla të reja për profesionet e rregulluara. Përpara çdo kufizimi të ri mbi hyrjen apo ushtrimin e një profesioni, autoritetet do të duhet të kryejnë një vlerësim paraprak proporcionaliteti.

Sipas draftit, vlerësimi duhet të përgatitet “në mënyrë objektive dhe të pavarur” dhe, kur është e mundur, të mbështetet edhe në të dhëna mbi ndikimin në punësim ose hyrjen në treg.

Projektligji kërkon gjithashtu informimin dhe përfshirjen e qytetarëve, përfituesve të shërbimeve dhe grupeve të interesit përpara vendosjes së kufizimeve të reja. Drafti, arsyetimi dhe vlerësimi i proporcionalitetit duhet të bëhen publikisht të disponueshme “në mënyrë transparente, të kuptueshme dhe të aksesueshme lirisht”.

 

Efektet

Ministria argumenton në relacion se sistemi i ri synon të ulë barrierat administrative, të lehtësojë lëvizjen profesionale, të ndihmojë kthimin e ekspertëve shqiptarë nga diaspora dhe t’u japë bizneseve akses më të lehtë në profesionistë të kualifikuar.

Megjithatë, zbatimi i regjimit është lidhur drejtpërdrejt me procesin e integrimit. Neni i fundit i draftit përcakton shprehimisht: “Ky ligj hyn në fuqi ditën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian.”

Edhe efekti buxhetor është shtyrë në të njëjtën kohë. Relacioni thotë se projektligji “nuk ka efekte financiare të menjëhershme në buxhetin e shtetit” dhe se ndikimi do të evidentohet me hyrjen në fuqi të dispozitave pas anëtarësimit në BE.

 

The post Njohja e kualifikimeve profesionale të BE-së, gati drafti, do të zbatohet nga dita e anëtarësimit appeared first on Revista Monitor.

Ankimohet në KPP tenderi për studimin e fizibilitetit të menaxhimit të ujërave të shiut në Vlorë

26 August 2026 at 14:00

Tenderi për hartimin e studimit të fizibilitetit për përmirësimin dhe zhvillimin e sistemit të menaxhimit të ujërave të shiut në Vlorë është ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik pas fazës së vlerësimit të ofertave.

Procedura lidhet me studimin që Bashkia Vlorë kërkon të hartojë për sistemin e drenazhimit të qytetit, me synimin për të përgatitur një masterplan dhe një paketë ndërhyrjesh prioritare për menaxhimin e ujërave të shiut.

Sipas termave të referencës, studimi duhet të vlerësojë gjendjen e rrjetit ekzistues, kapacitetet hidraulike të kanaleve, hidrovorit dhe stacioneve të pompimit, si dhe të identifikojë zonat me rrezik përmbytjeje. Dokumenti parashikon gjithashtu ndarjen përfundimtare të ujërave të bardha nga ujërat e zeza dhe disiplinimin e ujërave të shiut në zonën urbane.

Projekti përfshin zhvillimin e një modeli të integruar hidrologjik dhe hidraulik, hartëzimin e pikave të përmbytjeve dhe testimin e skenarëve të reshjeve. Konsulenti duhet të vlerësojë edhe ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe të përgatisë projektim konceptual për ndërhyrjet prioritare, përfshirë vlerësimet paraprake të kostove të investimit dhe operimit.

Termat e referencës e përshkruajnë rrjetin ekzistues të kanalizimeve të ujërave të bardha si të amortizuar, me bllokime të pjesshme dhe të plota, kapacitete të reduktuara transportuese dhe ndërprerje të rrjetit në disa nyje. Dokumenti evidenton gjithashtu ndërthurje mes rrjetit të ujërave të shiut dhe atij të ujërave të zeza.
Studimi do të mbulojë një pellg ujëmbledhës prej 960 hektarësh dhe është konceptuar mbi një popullsi aktuale prej rreth 90,000 banorësh.

Afati i parashikuar për realizimin e studimit është gjashtë muaj. Tre muajt e parë janë rezervuar për mbledhjen e të dhënave, analizën hidrologjike dhe modelimin hidraulik, ndërsa fazat pasuese përfshijnë analizën e alternativave, vlerësimin ekonomik e mjedisor dhe përgatitjen e studimit final.

 

The post Ankimohet në KPP tenderi për studimin e fizibilitetit të menaxhimit të ujërave të shiut në Vlorë appeared first on Revista Monitor.

Përdorimi i obligacioneve si kolateral për kreditë, në rënie për të tretin vit radhazi

26 August 2026 at 13:00

Përdorimi i instrumenteve të borxhit të qeverisë si kolateral për kreditë bankare është në rënie për të tretin vit radhazi.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për 6-mujorin 2026 vlera e letrave me vlerë të borxhit qeveritar të vendosura si kolateral për kreditë bankare zbriti në 91 milionë lekë, në rënie me 56% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në numër transaksionesh, titujt e qeverisë u vendosën si kolateral në 18 raste, shifër kjo 25% më e ulët krahasuar me një vit më parë.

Përdorimi i pakët i titujve të borxhit si kolateral për kreditë këtë vit është përqendruar i gjithi te individët.

Sipas llojit, në përgjithësi titujt e vendosur si kolateral janë obligacionet, sepse ato kanë edhe afate më të gjate maturimi, ndërsa bonot e thesarit përdoren në raste të rralla. Nga 18 transaksione të lënies së titujve si kolateral për 6-mujorin 2026, në 16 prej tyre janë përdorur obligacionet dhe vetëm në dy prej tyre bonot.

Të dhënat e AMF-së tregojnë se këtë vit vetëm dy banka tregtare që veprojnë si shoqëri komisionere kryer transaksione të vendosjes së titujve si kolateral kanë pranuar titujt e qeverisë si kolateral, Banka Kombëtare Tregtare dhe Banka e Parë e Investimeve Shqipëri (Fibank).

Titujt qeveritarë mund të ofrojnë avantazhe, në raport me llojet e tjera të kolateralit të përdorur gjerësisht, kryesisht pasuritë e paluajtshme, si për huadhënësin, ashtu edhe për huamarrësin. Instrumentet financiarë janë më likuidë dhe më të lehtë për t’u vlerësuar në krahasim me tipat e tjera të pasurive. Procedurat e ekzekutimit, në rastet e mosshlyerjes së detyrimeve, janë më të shpejta dhe me më pak kosto në krahasim me llojet e tjerë të kolateraleve apo garancive të ofruara. Kjo, në përgjithësi, reflektohet në rrezik më të ulët dhe normë më të vogël të interesit për kreditë e siguruara me bono thesari dhe obligacione.

Megjithatë, duket qartë se ky lloj kolaterali përdoret shumë, qoftë sepse njihet pak si alternativë nga huamarrësit, por edhe për shkak të disa problematikave që kanë bankat në rastet kur i sigurojnë huatë me këto instrumente.

Një prej problemeve është i lidhur me vlerën e tregut të titullit të ofruar si kolateral. Nëse në momentin e ekzekutimit të pasurisë vlera e tregut ka rënë nën vlerën e detyrimit që klienti ka ndaj bankës, atëherë një pjesë e detyrimit mund të mbetet e pambuluar.

Për të shmangur këtë problem, përveç koeficientit të mbulimit pak më të lartë se vlera e kredisë, bankat kryejnë kontrolle periodike të vlerave të tregut të kolateraleve në tituj. Në momentin që konstaton se vlera e kolateralit të ofruar ka rënë nën limitin e lejueshëm, banka ka të drejtë të kërkojë nga klienti shtimin e vlerës së kolateralit.

Sipas bankierëve, çështjet të tjera që kërkojnë përmirësime dhe qartësime janë mundësia e regjistrimit të bllokimit të titullit në favor të bankës në regjistrin e titujve. / E.Shehu

Burimi:BSH

The post Përdorimi i obligacioneve si kolateral për kreditë, në rënie për të tretin vit radhazi appeared first on Revista Monitor.

Mali i Zi ul më tej akcizën për karburantet

26 August 2026 at 12:21

Qeveria e Malit të Zi uli më tej akcizat për benzinën dhe naftën, në përpjekje për të zbutur efektet e rritjes së çmimeve globale të karburanteve në tregun vendas, njoftoi të martën.

Nga 25 gushti, akciza për benzinën pa plumb do të ulet në 0.522 euro (0.600 dollarë) për litër, nga norma e zakonshme prej 0.549 euro për litër, ndërsa akciza për naftën do të ulet më tej në 0.352 euro për litër, nga 0.396 euro për litër që ishte vendosur në mesin e gushtit dhe nga norma e zakonshme prej 0.440 euro për litër, bëri të ditur qeveria në një deklaratë.

Akcizat e reja do të mbeten në fuqi deri më 5 shtator.

Ministria e Energjisë njoftoi në një deklaratë të veçantë të hënën se, pas ndërhyrjes së qeverisë për uljen e akcizës me 5% për benzinën pa plumb dhe me 20% për naftën, çmimi me pakicë i naftës do të ulet me 0.01 euro brenda javës, në 1.87 euro për litër nga 25 gushti.

Në të njëjtën kohë, çmimi me pakicë i benzinës Eurosuper 98 do të ulet gjithashtu me 0.01 euro, në 1.79 euro për litër, ndërsa çmimi i Eurosuper 95 do të mbetet i pandryshuar në 1.76 euro për litër.

Këto tarifa do të mbeten në fuqi gjatë javës 25-31 gusht. Ministria e Energjisë do të përcaktojë çmimet për javën që nis më 1 shtator, bazuar në kuotimet e bursave të mallrave për një periudhë shtatëditore dhe në kursin e këmbimit dollar amerikan-euro.

Qeveria malazeze uli për herë të parë përkohësisht akcizat për karburantet në fund të marsit, me qëllim zbutjen e ndikimit të rritjes së fortë të kostove globale të naftës pas shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme në fund të shkurtit.

Që atëherë, qeveria i ka rishikuar disa herë akcizat për naftën dhe benzinën, duke u përpjekur të përshtatet me luhatjet e tregut global të naftës.

Në mars, qeveria vendosi gjithashtu të ndryshojë mënyrën e rregullimit të çmimeve me pakicë të karburanteve, duke e shkurtuar përkohësisht periudhën e përcaktimit të çmimeve nga 14 ditë në shtatë ditë, për të mundësuar përshtatjen më të shpejtë të çmimeve vendase me kostot e naftës në tregun global./ See News

The post Mali i Zi ul më tej akcizën për karburantet appeared first on Revista Monitor.

Shqipëria dhe Britania firmosin marrëveshjen e parë në rajon për pasuritë e konfiskuara

26 August 2026 at 12:17

Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nënshkruar marrëveshjen e parë në Ballkanin Perëndimor për ndarjen e pasurive të rikuperuara nga krimi, duke nisur me rreth 54,000 paund asete të lidhura me një çështje penale për trafik droge.

Nw njw njoftim pwr shtyp u bw e ditur se shuma do të ndahet në mënyrë të barabartë mes qeverisë britanike dhe Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara të Shqipërisë. Marrëveshja u finalizua dhe u nënshkrua në Mbretërinë e Bashkuar më 6 gusht 2026, pasi ishte prezantuar në një ceremoni në Tiranë më 13 korrik.

Marrëveshja lidhet me një çështje penale të përfunduar për komplot për furnizimin me kanabis të grupeve të krimit të organizuar në Angli dhe Uells. Autoritetet britanike dhe shqiptare bashkëpunuan për identifikimin dhe rikuperimin e të ardhurave nga krimi që ndodheshin në Shqipëri.

Sipas marrëveshjes, të ardhurat e rikuperuara do të ndahen përgjysmë mes dy vendeve. Pasuritë e sekuestruara mund të riinvestohen për qëllime sociale në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Marrëveshja është e para e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor dhe përfshin bashkëpunimin mes Home Office, Agjencisë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar, Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës dhe AAPSK-së.

Bashkëpunimi mes dy vendeve është fokusuar edhe te hetimi i pastrimit të parave dhe përdorimi i kriptomonedhave nga rrjetet kriminale. Mbretëria e Bashkuar ka ofruar softuer dhe trajnime për autoritetet shqiptare dhe në vitin 2025 udhëhoqi aktivitetin e Procesit të Berlinit për financat e paligjshme, me fokus rikuperimin e pasurive në Ballkanin Perëndimor.

Shkalla e pasurive të sekuestruara në Shqipëri është rritur ndjeshëm. Në pjesën e parë të vitit 2025, vlera e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara tejkaloi 58 milionë euro, duke përfshirë më shumë se 1,000 sekuestrime të pasurive të paluajtshme, sipas njoftimit.

Marrëveshja krijon mekanizmin që pasuritë e rikuperuara në çështje të përbashkëta penale të ndahen mes dy vendeve, duke zgjeruar bashkëpunimin dypalësh nga hetimi dhe sekuestrimi drejt shpërndarjes së të ardhurave të konfiskuara.

 

The post Shqipëria dhe Britania firmosin marrëveshjen e parë në rajon për pasuritë e konfiskuara appeared first on Revista Monitor.

13 mijë dëme pezull në sigurime, 10% më shumë krahasuar me një vit më parë

26 August 2026 at 12:00

Numri i dëmeve pezull në tregun e sigurimeve është në rritje këtë vit.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në fund të muajit korrik kompanitë e sigurimit të jo-jetës raportuan 12,936 dëme pezull, me një rritje prej 9.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 8.9% që nga fillimi i vitit.

Dëmet pezull janë rritur gjithashtu edhe në vlerën e tyre. Gjithnjë sipas të dhënave nga AMF-ja, në fund të korrikut 2026 vlera e dëmeve pezull arriti në 7.51 miliardë lekë, 5.55% më shumë krahasuar me një vit më parë dhe me 4.1% që nga fillimi i këtij viti.

Dëmet pezull përfshijnë rastet në proces vlerësimi, dëmet e miratuara, por të papaguara, apo edhe dëmet që janë objekt i çështjeve gjyqësore. Është normale që kompanitë e sigurimeve të kenë një numër të caktuar dëmesh pezull në çdo kohë për shkak të kohës së nevojshme për trajtimin e tyre apo edhe për shkak të zhvendosjes së çështjeve në gjykata, në rastet kur klienti nuk është dakord me masën e dëmit të vlerësuar nga kompania e sigurimit.

Megjithatë, numri i dëmeve pezull po ndjek një tendencë në rritje.

Pjesërisht, rritja e numrit të dëmeve pezull mund të shpjegohet me shtimin e dëmeve apo ngjarjeve të sigurimit të ndodhura në total.

Për 7-mujorin 2026, kompanitë e sigurimit të jo-jetës raportuan 46,813 dëme të paguara, në rritje me 5.2% krahasuar me një vit më parë.

Nëse shohim raportin mes dëmeve pezull në raport me dëmet totale të raportuara (dëme të paguara plus dëme pezull), ky raport është rritur në 21.7%, nga 21% që kishte qenë një vit më parë.

Sipas kompanive të veçanta, raporti mes dëmeve pezull dhe dëmeve totale të raportuara është më i lartë për Insig, në nivelin 46.3%, e ndjekur nga Ansig, me 43.8% dhe Eurosig, me 43.3%. Kompanitë që e kanë këtë raport në nivelet më të ulëta janë Albsig, me 3.1%, e ndjekur nga Sigal, me 18.2% dhe Atlantik, me 18.9%.

Ligji “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” parashikon që afati për trajtimin e dëmeve ndaj personave nga kompania e sigurimit është 90 ditë, ndërsa afati i dëmtimeve në pronë do të jetë 30 ditë. Megjithatë, për dëmet në vlerë të vogël, deri në 100 mijë lekë është përcaktuar një afat më i shkurtër, prej 14 ditësh.

Më tej, shoqëria e sigurimit duhet të kryejë pagesën e dëmshpërblimit brenda 14 ditëve pas përfundimit të afatit të trajtimit të dëmit dhe nënshkrimit të deklaratës së pranimit të dëmshpërblimit. Në rast të mosrespektimit të afatit të përcaktuar në këtë nen, palës së dëmtuar i lind e drejta e përfitimit të interesit të pagueshëm për çdo ditë vonesë në shlyerjen e dëmshpërblimit nga shoqëria e sigurimit.

Pavarësisht përpjekjeve për të ulur afatet e trajtimit të çështjeve me vlerë të vogël, sërish numri i dëmeve pezull në sigurime dhe pjesa e tyre në raport me totalin paraqitet në rritje. /E.Shehu

 

 

The post 13 mijë dëme pezull në sigurime, 10% më shumë krahasuar me një vit më parë appeared first on Revista Monitor.

Kosovë, rriten çmimet e prodhimit dhe importeve: Uji, pijet e ndërtimi kryesojnë shtrenjtimet në TM2

26 August 2026 at 11:44

Çmimet e prodhimit dhe të mallrave të importuara në Kosovë u rritën gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, duke sinjalizuar presione të reja mbi kostot në ekonomi. Rritjet më të forta u regjistruan te uji, pijet dhe disa prej materialeve që përdoren në ndërtim dhe industri.

Indeksi i Çmimeve të Prodhimit u rrit mesatarisht me 4,6% në TM2 2026 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Në raport me tremujorin e parë të këtij viti, rritja ishte 0,9%.

Shtrenjtimi më i madh vjetor u regjistrua te grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë, ku çmimet u rritën me 32,2%. Prodhimi i pijeve pasoi me një rritje prej 20,1%, ndërsa çmimet në prodhimin e letrës dhe produkteve prej saj u rritën me 14,7%.

Rritje e konsiderueshme u regjistrua edhe në kategorinë e prodhimit tjetër, me 9,8%, ndërsa produktet e gomës dhe plastikës u shtrenjtuan me 3,8%. Produktet minerale jometalike u rritën me 3,3% dhe përpunimi i produkteve ushqimore me 3,2%.

Çmimet në prodhimin e mobilieve u rritën me 2,6%, ndërsa ato të makinerive dhe pajisjeve me 2,4%. Energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar shënuan rritje prej 2,3%, aq sa edhe prodhimi i drurit dhe produkteve prej drurit.

Në prodhimin e pajisjeve elektrike dhe te xeherorët e guroret e tjera, rritja vjetore ishte 1,9%, ndërsa në tekstile dhe produkte kimike nga 0,6%.

Jo të gjitha degët e industrisë, megjithatë, shënuan rritje të çmimeve. Prodhimi i veshjeve regjistroi rënien më të madhe vjetore, prej 6,4%, ndërsa prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej saj u lirua me 2,7%. Rënie u shënua edhe në prodhimin e produkteve të fabrikuara metalike.

Edhe në bazë tremujore, kostot e prodhimit vazhduan të rriten. Nga TM1 në TM2 2026, çmimet në prodhimin e pijeve u rritën me 3,2%, ndërsa prodhimi i mjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove u shtrenjtua me 2,6%.

Prodhimi i metaleve regjistroi rritje prej 2,3%, produktet e gomës dhe plastikës prej 2%, ndërsa energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar u shtrenjtuan me 1,1%.

Presionet mbi çmimet nuk u kufizuan vetëm te prodhimi vendor.

Indeksi i tërësishëm i Çmimeve të Importit u rrit me 1,4% në TM2 krahasuar me tremujorin e parë të vitit, sipas ASK-së. Rritjet më të mëdha u përqendruan në kategori që lidhen me ndërtimin dhe industrinë.

Artikujt e gurit, llaçit, qeramikës dhe qelqit regjistruan rritjen më të madhe tremujore, prej 5,5%. Plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre u shtrenjtuan me 4,8%, ndërsa produktet minerale me 4,7%.

Çmimet e tekstilit dhe artikujve të tekstilit u rritën me 3,6%. Shtazët e gjalla dhe produktet e shtazëve, si dhe druri dhe artikujt prej tij, u shtrenjtuan me nga 1,6%, ndërsa produktet e industrive kimike me 1,5%.

Mjetet e transportit u shtrenjtuan me 0,4%. Artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani, si dhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre, regjistruan rritje prej 0,3%. Produktet bimore u shtrenjtuan me 0,2% dhe vajrat ushqyese me 0,1%, ndërsa çmimet e këpucëve mbetën të pandryshuara.

Disa kategori të importeve, ndërkohë, u liruan.

Rënien më të madhe tremujore e regjistruan instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale e muzikore dhe mekanizmat e orës, me 3,7%. Letrat dhe artikujt prej tyre u liruan me 1,7%, ndërsa lëkura dhe artikujt e saj me 0,6%.

Pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike, si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar, regjistruan rënie prej 0,8%.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet e importeve në TM2 2026 ishin mesatarisht 2,6% më të larta.

Produktet minerale regjistruan rritjen më të fortë vjetore, prej 12,7%. Vajrat ushqyese u shtrenjtuan me 7,7%, këpucët me 5,5% dhe produktet e industrive kimike me 4,1%.

Druri dhe artikujt prej tij u shtrenjtuan me 3,2%, ndërsa shtazët e gjalla dhe produktet e shtazëve me 3%. Lëkura dhe artikujt e saj regjistruan rritje prej 2,6%.

Plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre u shtrenjtuan me 2,3%, aq sa edhe artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani. Artikujt e gurit, llaçit, qeramikës dhe qelqit regjistruan rritje vjetore prej 1,2%.

Në kahun e kundërt, produktet bimore u liruan me 5,7% krahasuar me TM2 2025. Instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale e muzikore dhe mekanizmat e orës shënuan rënie prej 3,8%, ndërsa metalet bazë dhe artikujt e tyre u liruan me 1,3%.

Letrat dhe artikujt prej tyre regjistruan rënie vjetore prej 1,1%, ndërsa tekstili dhe artikujt e tekstilit u liruan me 0,2%.

Të dhënat e ASK-së tregojnë se presionet mbi çmimet gjatë TM2 2026 u shfaqën njëkohësisht në prodhimin vendor dhe te mallrat e importuara. Në prodhim, rritja vjetore prej 4,6% u nxit kryesisht nga shtrenjtimi i ujit, pijeve dhe letrës, ndërsa te importet presionet më të forta u përqendruan te produktet minerale, materialet e ndërtimit, plastika, kauçuku dhe tekstili.

 

The post Kosovë, rriten çmimet e prodhimit dhe importeve: Uji, pijet e ndërtimi kryesojnë shtrenjtimet në TM2 appeared first on Revista Monitor.

Energjia, rritet pesha e fotovoltaikëve, prodhuan 19% të totalit, më shumë eksporte

26 August 2026 at 11:17

Prodhimi  i energjisë elektrike në vend u rrit me më shumë se një të tretën në tremujorin e dytë të vitit, ndërsa eksportet u zgjeruan me mbi 55% dhe importet ranë, në një periudhë kur investimet në kapacitete të reja fotovoltaike po zgjerojnë gradualisht bazën prodhuese të vendit.

Bilanci i energjisë i tremujorit të dytë të këtij viti, publikuar nga INSTAT, tregon se prodhimi neto vendas arriti në 2.361 GWh në periudhën prill-qershor 2026, nga 1.757 GWh një vit më parë, duke shënuar rritje vjetore prej 34,4%. Energjia në dispozicion u rrit me 5,1%.

Rritja e prodhimit u shoqërua me tkurrje të importeve dhe zgjerim të fortë të eksporteve. Importi bruto i energjisë elektrike, përfshirë shkëmbimet, ra me 21,5% në 569 GWh, nga 725 GWh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Eksporti bruto u rrit me 55,4%, duke arritur në 991 GWh, nga 638 GWh në tremujorin e dytë të vitit 2025.

Diferenca mes eksporteve dhe importeve rezultoi pozitive në 422 GWh gjatë tremujorit, duke reflektuar një nivel më të lartë të energjisë së dhënë jashtë vendit krahasuar me atë të marrë.

 

Burimet e tjera të rinovueshme arrijnë 19% të prodhimit

Hidrocentralet vijuan të dominonin prodhimin vendas, por të dhënat tregojnë një rritje të shpejtë edhe të kategorisë së prodhuesve të tjerë, ku INSTAT përfshin burimet e rinovueshme të ndryshme nga hidro dhe termo, siç janë impiantet fotovoltaike.

Kjo kategori prodhoi 448 GWh në tremujorin e dytë, nga 288 GWh një vit më parë, një rritje prej 55,6%. Ajo përbënte 19% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike në këtë periudhë, krahasuar me 42,8% të realizuar nga hidrocentralet publike dhe 38,2% nga hidrocentralet private dhe koncesionare.

Rritja e kësaj kategorie përkon me zgjerimin e investimeve në sektorin fotovoltaik. Të dhënat e INSTAT tregojnë se hidrocentralet publike prodhuan 1.011 GWh gjatë tremujorit të dytë, 43,6% më shumë se një vit më parë.

Hidrocentralet private dhe koncesionare prodhuan 903 GWh, me rritje vjetore prej 18%.

Në total, prodhimi nga hidrocentralet arriti në 1.913 GWh, ndërsa 448 GWh erdhën nga prodhuesit e tjerë. Shqipëria nuk regjistroi prodhim nga termocentralet gjatë periudhës.

 

Konsumi rritet 6,2%

Rritja e prodhimit u shoqërua edhe me konsum më të lartë të energjisë elektrike.

Përdorimi nga konsumatorët arriti në 1.619 GWh gjatë tremujorit të dytë, 6,2% më shumë se 1.525 GWh në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Konsumi i familjeve u rrit me 5,6%, ndërsa ai i konsumatorëve jo familjarë u zgjerua me 6,9%.

Familjet përdorën rreth 823 GWh energji elektrike gjatë tremujorit, ndërsa konsumatorët jo familjarë rreth 796 GWh.

Humbjet totale në rrjet mbetën pothuajse të pandryshuara, duke u rritur me 0,1% në 320 GWh nga 319,6 GWh një vit më parë.  Pesha e tyre ndaj energjisë në dispozicion ra në 16,5%, nga 17,3%.

Humbjet në transmetim u rritën me 20,4%, ndërsa ato në shpërndarje ranë me 3,1% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025.

 

The post Energjia, rritet pesha e fotovoltaikëve, prodhuan 19% të totalit, më shumë eksporte appeared first on Revista Monitor.

Yield-et e bonove 12-mujore arrijnë nivelin më të lartë në gati dy vjet

26 August 2026 at 10:00

Yield-i i bonove 12-mujore u rrit përsëri në ankandin e dytë të muajit gusht dhe arriti nivelin më të lartë në gati dy vjet.

Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar në ankandin e kësaj jave arriti në 2.83%, nga 2.75% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Yield-i i këtyre instrumenteve ka prekur nivelin më të lartë që prej nëntorit të vitit 2024.

Ndërkohë që deri në tremujorin e parë yield-et e këtyre instrumenteve ishin poshtë normës bazë të interesit, tani ato kanë arritur një spread prej 0.33 pikë mbi normën bazë.

Edhe në këtë ankand kërkesa totale e pjesëmarrësve rezultoi më e ulët se shuma e shpallur për financim. Nga 7.3 miliardë lekë bono të ofruara nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave në ankand ishte 7.06 miliardë lekë. Në fund, Ministria e Financave e uli shumën e emetimit në 6.36 miliardë lekë, me qëllim mbajtjen e yield-it në nivele më të ulëta. Në rast se shuma e kërkuar në ankand do të ishte pranuar e gjitha, yield-i mesatar i ponderuar do të kishte qenë pak më i lartë. Yield-i maksimal i kërkuar në ankand arriti nivelin e 3%, ndërsa yield-i maksimal i pranuar nga Ministria e Financave ishte 2.95%.

Ky ishte ankandi i tretë radhazi i bonove 12-mujore që shuma e shpallur për t’u financuar nuk u arrit të plotësohej.

Tregu i instrumenteve të borxhit të qeverisë po vazhdon të shfaqë një tendencë të qartë në rritje të yield-eve. Kjo mund të shpjegohet me një ndryshim të raportit mes kërkesës dhe ofertës në tremujorin e dytë dhe të tretë, por pjesërisht edhe me pritjet për norma më të larta interesi.

Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, shuma planifikuar e huamarrjes në ankandet e bonove dhe obligacioneve për tremujorin e tretë të vitit parashikohej në vlerën e 79.5 miliardë lekëve, në rritje me 18% krahasuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërkohë që kërkesa për financim është më e lartë, pjesëmarrja, sidomos gjatë tremujorit të tretë, ka ardhur në rënie. Kjo lidhet edhe me një trajektore në rënie të investimeve nga bankat në tregun primar të titujve qeveritarë, që është pak a shumë tipik për gjysmën e dytë të vitit.

Ndërkohë, edhe inflacioni në rritje të vazhdueshme gjatë këtij viti ka forcuar pritshmëritë për rritjen e normave të interesit. Banka e Shqipërisë deri tani nuk ka aplikuar rritje, duke besuar se goditja inflacioniste do të jetë kalimtare. Megjithatë, në treg duket se pritjet janë të orientuara drejt një rritjeje të normave për këtë vit dhe yield-et më të larta të kërkuara për të financuar huamarrjen qeveritare duken sinjale në këtë drejtim.

Rritja e yield-eve të instrumenteve të borxhit të qeverisë ndikon direkt edhe koston e huamarrjes në lekë të sektorit privat. Veçanërisht bonot 12-mujore janë instrumenti kryesor benchmark, që shërben për të kuotuar normat e interesit të kredive me interes të ndryshueshëm në monedhën vendase./ E.Shehu

Burimi: Banka e Shqipërisë

The post Yield-et e bonove 12-mujore arrijnë nivelin më të lartë në gati dy vjet appeared first on Revista Monitor.

Brazili gjobit TikTok për keqpërdorimin e të dhënave të fëmijëve dhe adoleshentëve

26 August 2026 at 09:34

Autoriteti Kombëtar për Mbrojtjen e të Dhënave në Brazil (ANPD) ka gjobitur ByteDance, kompaninë pronare të TikTok, me 153.7 milionë realë brazilianë, ose rreth 25.57 milionë euro, për parregullsi në përpunimin e të dhënave të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Sipas autoritetit, platforma nuk kishte marrë masa të mjaftueshme për të penguar përdoruesit nën 16 vjeç dhe kishte keqadministruar të dhënat e tyre personale. Përveç gjobës, ByteDance duhet të fshijë të dhënat e mbledhura në mënyrë të parregullt dhe të zbatojë një plan për forcimin e mbrojtjes së të miturve.

TikTok do të detyrohet të aktivizojë automatikisht parametrat më të rreptë të privatësisë për llogaritë e fëmijëve nën 16 vjeç, të përmirësojë sistemet e mbikëqyrjes prindërore dhe të vendosë filtra më të fortë të përmbajtjes.

Për versionin që mund të përdoret pa hapur llogari, TikTok duhet të pezullojë reklamat në të gjithë Brazilin, të shfaqë vetëm përmbajtje të përshtatshme për çdo moshë dhe të kufizojë kohën e përdorimit në 12 orë. Përdoruesit pa llogari nuk do të mund të publikojnë apo të ndjekin transmetime të drejtpërdrejta.

Brazili ka ashpërsuar vitet e fundit rregullimin e rrjeteve sociale. Një ligj i ri kërkon që llogaritë e përdoruesve nën 16 vjeç të lidhen me ato të prindërve dhe që platformat të verifikojnë moshën e përdoruesve./EURONEWS

The post Brazili gjobit TikTok për keqpërdorimin e të dhënave të fëmijëve dhe adoleshentëve appeared first on Revista Monitor.

Çanta 72-dollarëshe që po bëhet e preferuara e udhëtarëve

26 August 2026 at 09:33

Kur udhëton shpesh, zgjedhja e çantës së duhur mund të jetë po aq e rëndësishme sa edhe valixhja. Një redaktore e revistës People, e cila udhëton vazhdimisht, thotë se pas muajsh kërkimesh ka gjetur modelin që i plotëson të gjitha kërkesat: Transit Quilted Small Crossbody Tote nga marka Quince.

Çanta kushton 72 dollarë dhe është prodhuar nga materiale të ricikluara rezistente ndaj ujit, duke e bërë të përshtatshme si për udhëtime, ashtu edhe për përdorimin e përditshëm. Ajo kombinon dy mënyra mbajtjeje – si çantë krahu dhe si crossbody – çka e bën praktike për aeroportet, shëtitjet në qytet apo ekskursionet.

Pavarësisht përmasave kompakte, modeli ofron një hapësirë të bollshme të brendshme me disa xhepa organizues, ku mund të mbahen lehtësisht telefoni, portofoli, shishja e ujit dhe sende të tjera personale. Sipas përdoruesve, një nga avantazhet kryesore është fakti që sendet janë të organizuara dhe gjenden lehtësisht, pa pasur nevojë të kërkosh gjatë në çantë.

Artikulli rekomandon edhe disa modele të tjera të markës Quince për ata që udhëtojnë shpesh, si një çantë që paloset dhe zë shumë pak vend në valixhe, një belt bag prej neopreni të ricikluar për dokumentet dhe sendet e vogla, si edhe një çantë shpine rezistente ndaj motit, e përshtatshme për laptopin dhe udhëtimet e gjata. Çmimet variojnë nga 40 deri në 124 dollarë.

Quince është bërë gjithnjë e më popullore vitet e fundit për produktet që kombinojnë materiale cilësore me çmime më të ulëta se markat luksoze. Shumë prej modeleve të saj krahasohen me çanta shumë më të shtrenjta, ndërsa fokusohen te funksionaliteti dhe dizajni minimalist.

Për udhëtarët që kërkojnë një çantë të lehtë, rezistente dhe praktike, modeli Transit Quilted Small Crossbody Tote po shihet si një alternativë që ofron balancën mes stilit, komoditetit dhe çmimit./PEOPLE

The post Çanta 72-dollarëshe që po bëhet e preferuara e udhëtarëve appeared first on Revista Monitor.

Liderët e epokës së AI: Aftësitë që teknologjia nuk mund t’i zëvendësojë

26 August 2026 at 08:52

Inteligjenca artificiale po ndryshon me shpejtësi mënyrën se si punojnë kompanitë. Sot, një chatbot mund të hartojë raporte, të analizojë të dhëna, të përgatisë prezantime apo edhe të sugjerojë strategji biznesi brenda pak minutash. Megjithatë, ndërsa teknologjia po merr përsipër gjithnjë e më shumë detyra, roli i liderëve nuk po zvogëlohet. Përkundrazi, ai po bëhet edhe më i rëndësishëm.

Ekspertët e lidershipit argumentojnë se aftësitë që dallojnë një drejtues të suksesshëm nuk lidhen me shpejtësinë e përpunimit të informacionit, por me gjykimin, vizionin dhe aftësinë për të frymëzuar njerëzit. Inteligjenca artificiale mund të ofrojë alternativa dhe analiza, por nuk mund të vendosë se cili është drejtimi më i mirë për një organizatë apo të marrë përgjegjësinë për pasojat e një vendimi.

Një nga ndryshimet më të mëdha është kalimi nga modeli tradicional i drejtimit, ku menaxheri kontrollonte çdo proces, te një model ku ai krijon kushtet që ekipet të marrin vendime më të mira. Në vend që të japin përgjigje për çdo situatë, liderët duhet të përcaktojnë objektivat, vlerat dhe kufijtë brenda të cilëve punojnë ekipet, ndërsa AI përdoret për të përshpejtuar analizën dhe ekzekutimin.

Në këtë realitet të ri, aftësia për të marrë vendime në kushte pasigurie bëhet një avantazh konkurrues. Modelet e AI mund të analizojnë skenarë dhe të identifikojnë modele, por nuk mund të peshojnë plotësisht faktorë si kultura organizative, besimi i klientëve, etika apo ndikimi afatgjatë i një vendimi. Për këtë arsye, përgjegjësia për zgjedhjet strategjike mbetet te njerëzit.

Po aq e rëndësishme është edhe aftësia për të nxitur kreativitetin. Inteligjenca artificiale mbështetet te modelet ekzistuese dhe gjeneron përgjigje bazuar në informacionin me të cilin është trajnuar. Ndërsa mund të ndihmojë në zhvillimin e ideve, inovacioni i vërtetë kërkon që liderët të sfidojnë mënyrat tradicionale të të menduarit, të marrin rreziqe të llogaritura dhe të krijojnë vizione që nuk burojnë vetëm nga analiza e së shkuarës.

Ndërsa kompanitë investojnë miliarda në inteligjencën artificiale, sfida më e madhe nuk është zgjedhja e teknologjisë së duhur, por zhvillimi i liderëve që dinë ta përdorin atë. Për bizneset, avantazhi nuk do të vijë vetëm nga përdorimi i AI-së, por nga kombinimi i saj me aftësi që mbeten thellësisht njerëzore: gjykimi, empatia, besimi dhe vizioni strategjik./MCKINSEY

The post Liderët e epokës së AI: Aftësitë që teknologjia nuk mund t’i zëvendësojë appeared first on Revista Monitor.

Lista, 50% të grupeve ushqimore i paguajmë më shtrenjtë se Europa, rekord dhe në rajon

26 August 2026 at 06:02

Shqipëria ka një nga peshat më të larta të bujqësisë në ekonomi në Europë, me gati 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kundrejt afërsisht 2% mesatarisht në Bashkimin Europian dhe më pak se 8% në vendet e tjera të rajonit (shiko grafikun në fund).

Por pesha e lartë e bujqësisë nuk po përkthehet në ushqime më të lira për konsumatorët. Përkundrazi, shqiptarët i paguajnë një pjesë të produkteve bazë më shtrenjtë se mesatarja europiane dhe dukshëm më shtrenjtë se fqinjët. Avantazhi që teorikisht duhet të sillte një bazë e gjerë prodhuese bujqësore nuk po reflektohet në çmimet që paguajnë familjet.

Të dhënat e krahasueshme të nivelit të çmimeve, ku mesatarja e Bashkimit Europian është 100, e vendosin Shqipërinë në indeksin 103.8 për ushqimet dhe pijet joalkoolike për vitin 2025.

Pra, niveli i çmimeve është 3.8% mbi mesataren e BE-së dhe më i larti ndër vendet e rajonit. Serbia, që është vendi i dytë më i shtrenjtë, ka indeksin 97.1, Mali i Zi 86.5, Bosnjë-Hercegovina 85.8 dhe Maqedonia e Veriut vetëm 74.8.

Në krahasim direkt, ushqimet dhe pijet joalkoolike kushtojnë në Shqipëri rreth 7% më shumë se në Serbi, 20% më shumë se në Malin e Zi, 21% më shumë se në Bosnjë-Hercegovinë dhe gati 39% më shumë se në Maqedoninë e Veriut.

Diferenca mbetet pothuajse e njëjtë edhe nëse nga grupi hiqen pijet dhe krahasohen vetëm ushqimet. Shqipëria ka indeksin 102.9, ose 2.9% mbi mesataren europiane, kundrejt 96.6 në Serbi, 84.6 në Bosnjë-Hercegovinë dhe Malin e Zi dhe 74.3 në Maqedoninë e Veriut.

Ushqimet në Shqipëri rezultojnë rreth 6.5% më të shtrenjta se në Serbi, 22% më të shtrenjta se në Bosnjë dhe Malin e Zi dhe gati 39% më të shtrenjta se në Maqedoninë e Veriut.

Shqipëria shtrenjtohet më tej në 2025, çmimet e ushqimeve e kalojnë për herë të parë mesataren e BE

50% e grupeve ushqimore (ndër më të domosdoshmet) janë më të shtrenjta se në BE

Nga 12 grupe të detajuara ë raporton Eurostat, për 6 prej tyre, apo gjysmën, çmimet janë më të lartat sesa mesatarja europiane. Këtu futen produkte bazë, si qumështi e nënproduktet, vajrat dhe yndyrnat, ndërsa dhe mishi e peshku janë shumë afër niveleve të BE-së.

Diferenca më e fortë për produktet bazë është te qumështi, produktet e bulmetit dhe vezët. Shqipëria ka indeksin 135.6, ose 35.6% mbi mesataren e BE-së.
Në Serbi indeksi është 107.1, në Malin e Zi 95, në Bosnjë-Hercegovinë 92 dhe në Maqedoninë e Veriut 89.6.

Shqiptarët i paguajnë këto produkte rreth 27% më shtrenjtë se serbët, 43% më shtrenjtë se malazezët dhe mbi 50% më shtrenjtë se konsumatorët në Maqedoninë e Veriut.

Shqipëria e treta në Europë për çmimet e larta të bulmetit, 35.6% më shumë se mesatarja në 2025

Edhe ushqimet e gatshme dhe produktet e tjera ushqimore janë dukshëm më të shtrenjta. Indeksi për Shqipërinë arrin në 128.2, ose 28.2% mbi mesataren e BE-së. Serbia është në 111.2, Mali i Zi 108, Bosnja 95.5 dhe Maqedonia e Veriut 80.9. Shqipëria është rreth 15% më e shtrenjtë se Serbia dhe afro 59% më e shtrenjtë se Maqedonia e Veriut.

Për sheqerin, ëmbëlsirat dhe produktet e pastiçerisë, çmimet në Shqipëri janë 23.1% mbi mesataren e BE-së, me indeks 123.1. Në këtë kategori Serbia është pak më e shtrenjtë, me 125.3, ndërsa Mali i Zi ka indeksin 120.5. Bosnja është në 104.2 dhe Maqedonia e Veriut në 92.5.

Te pijet joalkoolike, Shqipëria rikthehet si vendi më i shtrenjtë i rajonit, me indeks 114.3, ose 14.3% mbi mesataren europiane. Mali i Zi është në 105.9, Serbia 103.2, Bosnja 97.7 dhe Maqedonia e Veriut 79.9. Krahasuar me Maqedoninë e Veriut, pijet joalkoolike kushtojnë rreth 43% më shumë në Shqipëri.

Edhe vajrat dhe yndyrnat janë mbi mesataren e BE-së, me indeks 112.5. Në këtë kategori Shqipëria nuk është më e shtrenjta në rajon: Serbia ka indeks 128.4 dhe Mali i Zi 119.4. Bosnja është pranë mesatares europiane me 99.2, ndërsa Maqedonia e Veriut në 95.

Te mishi dhe produktet e kafshëve të therura, Shqipëria ka indeksin 98, pra pak më poshtë mesatares së BE-së. Por në raport me rajonin mbetet vendi më i shtrenjtë. Serbia ka indeks 86.1, Bosnja 83, Maqedonia e Veriut 77.6 dhe Mali i Zi vetëm 71.

Ndonëse Shqipëria është një vend me shumë burime ujore, ajo është e dyta më e shtrenjtë në rajon, duke lënë pas vetëm Serbinë, pa det. Te peshku dhe produktet e detit, Shqipëria ka indeksin 96.5. Serbia është më e shtrenjtë, me 106.7, ndërsa Mali i Zi ka 90.2, Bosnja 88.3 dhe Maqedonia e Veriut 80.5.

Paradoksi i një vendi me peshë të lartë të bujqësisë është i dukshëm edhe te produktet që prodhohen gjerësisht në vend.

Për frutat dhe arrat, Shqipëria ka indeksin 92.1, nën mesataren europiane, por shumë mbi shumicën e rajonit. Serbia është pak më e shtrenjtë, me 95.9, ndërsa Mali i Zi ka 77.9, Bosnja 71.2 dhe Maqedonia e Veriut vetëm 52.4. Krahasuar me Maqedoninë e Veriut, niveli i çmimeve në Shqipëri është rreth 76% më i lartë.

Për perimet, zhardhokët, bananet e gatimit dhe bishtajoret, Shqipëria ka indeksin 91.2, praktikisht të njëjtin nivel me Serbinë, 91. Por është rreth 20% më e shtrenjtë se Bosnja, 22% më e shtrenjtë se Mali i Zi dhe 27% më e shtrenjtë se Maqedonia e Veriut.

Edhe te drithërat dhe produktet e drithërave, ku indeksi shqiptar është 84, çmimet janë më të larta se në Bosnjë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Vetëm Serbia, me indeks 87.3, është më e shtrenjtë.

Produkti më i shtrenjtë në Shqipëri janë pijet alkoolike. Shqipëria ka indeksin 159, ose plot 59% mbi mesataren e Bashkimit Europian. Asnjë vend tjetër i rajonit nuk afrohet me këtë nivel. Mali i Zi ka indeks 128.8, Serbia 116.3, Maqedonia e Veriut 99 dhe Bosnjë-Hercegovina 92.6.

Në kategorinë më të gjerë “pije alkoolike, duhan dhe narkotikë”, Shqipëria ka indeksin 81.7. Ndonëse nën mesataren e BE-së, është sërish niveli më i lartë në rajon, përpara Serbisë me 72.5, Malit të Zi me 69.7, Bosnjës me 63.6 dhe Maqedonisë së Veriut me 58.5.

Të dhënat nxjerrin në pah një kontrast të fortë për ekonominë shqiptare: bujqësia zë rreth 15% të PBB-së, një peshë shumëfish më të lartë se në Bashkimin Europian, por konsumatori shqiptar përballet me çmime ushqimore që në shumë kategori janë jo vetëm më të lartat në rajon, por edhe mbi mesataren europiane.

Avantazhi që teorikisht duhet të sillte një bazë e gjerë prodhuese bujqësore nuk po reflektohet në çmimet që paguajnë familjet. Produkti më i lirë në Shqipëri është duhani, që normalisht është i dëmshëm për shëndetin!

 

The post Lista, 50% të grupeve ushqimore i paguajmë më shtrenjtë se Europa, rekord dhe në rajon appeared first on Revista Monitor.

Bizneset e Juglindjes preken nga trafiku në autostradën e Elbasanit, bien turistët nga Tirana

26 August 2026 at 06:01

Rreth 30 minuta nevojiten gjatë fundjavës për të përshkuar vetëm 3 kilometra rrugë në autostradën Tiranë–Elbasan, për shkak të trafikut të rënduar.

Prej disa muajsh, trafiku i rënduar i mjeteve që udhëtojnë drejt qyteteve të Juglindjes së vendit po krijon radhë të gjata kilometrike përgjatë aksit Tiranë–Elbasan.

Monitor e përshkroi këtë itinerar ditën e premte, më 21 gusht, ku konstatoi se problematika me trafikun nis që në fshatin Shijon, në krah të autostradës së Elbasanit.

Konkretisht në orën 16:40, nga fshati Shijon deri te rrethrrotullimi i Bradasheshit u desh gjysëm ore, ndërsa udhëtimi vijoi me trafik të rënduar edhe në pjesën tjetër të aksit.

Në kushte normale trafiku, 3 km nga zona e Shijonit deri te rreth-rrotullimi i Bradasheshit në Elbasan do të përshkoheshin afërsisht për 4–5 minuta me makinë. Për shkak të trafikut, koha e udhëtimit ishte rreth 6–7 herë më e gjatë se normalisht.

Gjithashtu për të mbërritur deri tek Unaza e qytetit, në hyrje të saj, nevojiteshin edhe rreth 15 minuta të tjera, por për shkak të trafikut të rënduar.

Por stresi i trafikut që përjetojnë udhëtarët nga Tiranë, po reflektohet me uljen e frekuentimit të tyre për qytetet juglindore.

Në qytetin e Pogradecit, teksa bizneset pohuan se kërkesa e të huajve për akomodim, restorante dhe aktivitete turistike është në rritje, veçanërisht nga turistët nga Franca dhe SHBA,  bizneset vendase raportojnë një tjetër tendencë.

Francezët zbulojnë Pogradecin, çmimet e lira dhe ushqimi tradicional tërheqin turistët

Vizitorët nga Tirana dhe Elbasani po shfaqen më pak në Pogradec krahasuar me 2-3 vitet e mëparshme, ku bizneset e lidhin këtë rënie edhe me trafikun e rënduar në aksin Tiranë-Elbasan.

Përfaqësues të vilës “Bimbli” në Pogradec që ndër vite pushuesit kryesorë për dhoma hoteli i ka vendas, pohon se numri i kryeqytetasve është në rënie.

“Ka ende pushues që vijnë nga Tirana, por numri i tyre nuk është si vitet e mëparshme ka një rënie të tyre, kjo veçanërisht gjatë muajit korrik. Gjatë muajit ka një përmirësim të situatës, por jo si në vitet e kaluara. Një nga arsyet mund të jetë edhe trafiku i rënduar në autostradën Tiranë -Elbasan”, pohojnë ata.

Rënia e pushuesve nga Tirana konstatohet edhe nga drejtuesit e bizneseve të vogla për aktivitete sportive në liqen.

Gjergji që disponon disa varka për vozitje në liqen pohon se tashmë u bënë 2 vite që numri i pushuesve nga Tirana dhe Elbasani është në rënie në Pogradec. Sipas tij shkaku kryesor është trafiku i rënduar në autostradën e Elbasanit.

Sipas tij numri i turistëve vendas kryesohen nga qytetarët nga Maliqi, Përrenjasi dhe Korça.

 

Alternativat për shmangien e trafikut

Por tashmë trafiku i rënduar me radhë të gjata kilometrike në autostradën Tiranë -Elbasan, veçanërisht në fundjave nga dita e premte deri të dielën në darkë është tashmë një problem që prej muajsh haset nga qytetarët.

Situata paraqitet e ngjashme edhe gjatë kthimit në fundjavë pavarësisht forcave të shumta të policisë rrugore që gjenden afër rrethrrotullimit të Bradasheshit për të normalizuar situatën. Situata me trafik të rënduar është edhe nëse udhëton në orët 22:00 apo 22:30 të mbrëmjes ditë të diele.

Kjo problematika është kthyer në torturë për shumë drejtues mjetesh, edhe për ata që kthehen nga qytetet bregdetare të Jugut drejt Tiranës, që për të evituar trafikun e rënduar zgjedhin të hyjnë në kryeqytet përmes Rrogozhinës, por përfundojnë “nga shiu në breshër”, pasi rrethrrotullimi i Bradasheshit bëhet i papërshkrueshëm.

Të tjerë qytetarë pohojnë se kanë gjetur si zgjidhje alternativë kalimin nga rruga e vjetër e Qafë Kërrabës, për rastet kur trafiku nis të rëndohet që në autostradë, por edhe kjo zgjidhje nuk sugjerohet si shumë e përshtatshme prej tyre, pasi për të hyrë në qytetin e Elbasanit sërish do përballesh me trafik deri në përfundimin e unazës së qytetit.

 

Bypassi i Elbasanit, një zgjidhje e domosdoshme

Problematika me trafikun në këtë aks që përveç fluksit të lartë të udhëtarëve në fundjave, shtuar dhe ngarkesës së lëvizjes që krijojnë punimet për autostradën e re Elbasan  – Qafë Thanë sipas ekspertëve ka sjellë nevojën për ndërtimin e Bypassit të Elbasanit, i cili është i domosdoshëm që të lehtësojë trafikun e rënduar në një nga korridoret më të rëndësishme të lëvizjes kombëtare./ D.Azo

The post Bizneset e Juglindjes preken nga trafiku në autostradën e Elbasanit, bien turistët nga Tirana appeared first on Revista Monitor.

Auditimet, KLSH gjen 3.2 mln euro efekte negative në buxhet në katër muaj

26 August 2026 at 06:00

Kontrolli i Lartë i Shtetit evidentoi rreth 314.9 milionë lekë apo mbi 3.2 milionë euro efekte negative në buxhetin e shtetit nga auditimet e përfunduara gjatë periudhës janar-prill 2026.

Problematikat përfshijnë zbatimin e kontratave publike, administrimin e të ardhurave, pagesat për vendime gjyqësore dhe shpenzimet për paga e operacione. Sipas Buletinit Statistikor të KLSH-së, për këto gjetje janë dhënë 58 rekomandime.

Nga vlera totale prej 314.8 milionë lekësh, 84.3 milionë lekë janë vlerësuar si dëm ekonomik, ndërsa 230.5 milionë lekë si menaxhim joefektiv i fondeve. I gjithë dëmi ekonomik i identifikuar nga KLSH është konstatuar në fushën e shpenzimeve.

Rreth 81.4 milionë lekë, ose 97% e dëmit ekonomik, lidhen me shkelje të konstatuara gjatë procedurave të prokurimit publik dhe zbatimit të punimeve apo kontratave. KLSH përmend mes problematikave likuidime për punime të pakryera, mosllogaritjen e kostove përfundimtare të shërbimeve të projektimit dhe punime që nuk përputheshin me specifikimet teknike.

Institucioni i auditimit evidenton gjithashtu mangësi në përgatitjen e dokumentacionit të tenderëve, specifikimet teknike dhe kriteret e vlerësimit, llogaritjen e vlerës së kontratës, përzgjedhjen e procedurave të prokurimit, shqyrtimin e ofertave, shpalljen e fituesve dhe zbatimin e kontratave.

Nga 230.5 milionë lekë të klasifikuara si menaxhim joefektiv, 126.2 milionë lekë lidhen me të ardhurat, kryesisht për moszbatim të detyrimeve nga lejet mjedisore.

Prej tyre, 93.6 milionë lekë janë evidentuar te Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe agjencitë rajonale, ndërsa 32.6 milionë lekë te Universiteti “Aleksandër Moisiu”.

Efektet negative në shpenzime arritën në 188.6 milionë lekë, nga të cilat 84.3 milionë lekë dëm ekonomik dhe 104.2 milionë lekë menaxhim joefektiv. Brenda kësaj të fundit, 59.9 milionë lekë lidhen me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore përmes përmbaruesve privatë.

Sipas KLSH-së, ish-Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit rezulton me 62.2 milionë lekë dëm ekonomik dhe 56.5 milionë lekë menaxhim joefektiv, ndërsa projekti për rikonstruksionin e rrugës në Tragjas me 15 milionë lekë dëm ekonomik.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” rezulton me 4.1 milionë lekë dëm ekonomik, 46.3 milionë lekë menaxhim joefektiv në shpenzime dhe 32.6 milionë lekë efekte negative në të ardhura.

Në katërmujorin e parë, KLSH përfundoi 14 auditime në 34 subjekte dhe dha 225 rekomandime. Të 58 rekomandimet me efekte financiare rezultojnë të pranuara nga subjektet e audituara./ N.Maho

 

The post Auditimet, KLSH gjen 3.2 mln euro efekte negative në buxhet në katër muaj appeared first on Revista Monitor.

❌