Normal view

Posti i presidenti mban pezull konstituimin e Kuvendit të Kosovës

6 August 2026 at 15:28

Konstituimi i Kuvendit, si hap i parë në procesin e formimit të institucioneve të reja të Kosovës, nuk u përmbyll siç pritej.  Seanca konstituive e së enjtes u shty nga kryesuesi i saj, pas betimit të deputetëve të rinj.

Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së 11-të janë mbledhur në seancën konstituive të Kuvendit.

U formua Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe u bë betimi i deputetëve.

Por, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se vazhdimi i procesit të konstituimit të Kuvendit pa një marrëveshje për çështjen e presidentit mund ta vështirësojë arritjen e një dakordimi me njërën partitë parlamentare dhe praktikisht të çojë në zgjedhje të reja.

Në një konferencë për media pas ndërprerjes së seancës konstituive, Kurti ka kërkuar kohë shtesë për vazhdimin e diskutimeve politike, duke thënë se një marrëveshje për presidentin do të mundësonte konstituimin e plotë të institucioneve.

“Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për çështjen e presidentit praktikisht do të ishte parapërgatitje për shpërndarjen e Kuvendit”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se dhënia e mundësisë për dialog politik është, sipas tij, mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.

Kurti ka theksuar se që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, kanë dashur t’u japin hapësirë diskutimeve, ashtu siç kishin kërkuar partitë opozitare pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

“LDK-ja i pezulloi bisedimet pas problemeve të brendshme dhe diskutimi i radhës pardje me kryetarin e LDK-së tregoi që nuk ishte kohë e mjaftueshme për të arritur dakordim. Përballë kësaj situate është e nevojshme t’i jepet shans vazhdimit të diskutimeve para se të lëvizim për konstituimin e Kuvendit, që mund ta vështirësonte marrëveshjen potenciale dhe evitimin e zgjedhjeve të radhës”.

Sipas Kurtit, sapo të arrihet marrëveshja për presidentin, do të vazhdohet me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve.

“Kur ta kemi një marrëveshje, ta ftojmë vazhdimin e seancës konstituive. Kur të jemi të siguruar që kemi bërë gjithçka për të evituar shkuarjen edhe në një palë zgjedhje të panevojshme”, ka deklaruar Kurti.

Ai u ka bërë thirrje për bisedime edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza e të Aleancës, Ardian Gjini. Ka shtuar se bisedimet me LDK-në do të vazhdojnë.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka quajtur të papërgjegjshme kërkesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime për presidentin duke e shtyrë seancën konstituive.

Hamza ka thënë se LVV-ja po tregon mungesë serioziteti.

“Siç e vërejtët kjo është një shenjë e mungesës së seriozitetit përgjegjësisë nga partia që ka fituar numrin më të madh të ulëseve. Po shihet se vazhdojnë sjelljet e papërgjegjshme në raport me institucionet. Thirret seanca thuajse në ditën e fundit në përputhje me Kushtetutën që të kemi konstituimin, dhe në fund dalin mbajnë fjalime politike, abuzojnë me pozitën e kryesuesit dhe në vend se të propozojnë emër e shtyjnë propozimin e emrit të kryetarit dhe nuk konstituohet Kuvendi. Kosova vazhdon me vakum institucional”, ka thënë Hamza.  

I pyetur për një takim me Kurtin, Hamza ka theksuar se “s’kemi nevojë të takohemi” duke shtuar se ka pasur mungesë të “një oferte të përgjegjshme”.

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, mos konstituimin e Kuvendit të Kosovës e ka quajtur taktikë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të fituar kohë që të marrë të tri institucionet kyçe të vendit.

Tahiri ka thënë se s’ka kuptim të kërkohet kohë kur 30 ditë i ka pasur Kurti për diskutime me partitë politike për ndonjë marrëveshje të mundshme për çështjen e presidentit. Tahiri ka ngritur edhe dyshimet nëse Kurti dëshiron të krijojë ndonjë rast për Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që të shtyhet edhe më tej konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

“Jeni dëshmitarë të një tendence të skajshme, jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën, të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ka kaluar afati kushtetues sepse sot janë bërë 30 ditë dhe sot kur është dashur që Kuvendi të jetë funksional, sot del kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe iu thotë qytetarëve na duhet kohë. Po a patët morë burrë kohë 30 ditë për diskutim me partitë politike për një marrëveshje politike. Nëse ka qenë qëllimi që të dalë nga ky rreth vicioz dy-vjeçar pse nuk ka folur me partitë politike për presidentin e Kosovës sepse nyja është te presidenti por e ka neglizhuar deri në këtë ditë. A po dëshiron Kurti që ta krijojë edhe një rast në Gjykatën Kushtetuese që ende të shtyhet konstitutimi. Kjo është taktikë që të marrë ndonjë pazar politik, të fitojë kohë e t’i marrë të gjitha institucionet që në fakt nuk i takojnë një subjekti politik”, ka thënë Tahiri.

Eugen Cakollli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka theksuar se as sot e as nesër, nuk është dita e fundit kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit. Ai ka thënë se afati 60-ditor për këtë proces aktivizohet vetëm ditën pas konstituimittë Kuvendit.

Sipas tij, i vetmi afat që po shkon deri në fund është ai për konstituimin e Kuvendit, i cili siç ka thënë Cakolli, përfundon nesër, në orën 23:59.

“Edhe pse kërkesa për kohë shtesë dhe ndërprerja e seancës nuk përbën shkelje procedurale, të njëjtat nuk e pezullojnë dhe as nuk e zgjasin afatin kushtetues brenda të cilit Kuvendi duhet të konstituohet”, ka shkruar Cakolli në një postim në Facebook.

Ai ka deklaruar se pa u përmbyllur konstituimi, procedura për zgjedhjen e Presidentit nuk fillon fare.

“Pas konstituimit, partitë do t’i kenë të plota 60 ditë për diskutime, marrëveshje dhe zgjedhjen e Presidentit. Prandaj, e pakuptimtë të kërkohet “kohë shtesë për Presidentin” duke e shtyrë pikërisht procesin që e aktivizon atë kohë”.

Seanca konstituive u ndërpre pas betimit të deputetëve. Ka mbetur zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Teksa afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit – që do të hapte rrugën për formimin e qeverisë dhe për zgjedhjen e presidentit të shtetit – skadon të premten në mesnatë, dy partitë ende nuk duken afër një ujdie.

Për më tepër, procesin negociues mund ta ndërlikojë kërkesa e shprehur publikisht e LDK-së që ta ketë postin e presidentit.

Për LVV-në e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, presidenti i ri i vendit duhet të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale, ndërkaq për LDK-në kushdo që i ka 80 vota.

The post Posti i presidenti mban pezull konstituimin e Kuvendit të Kosovës appeared first on Revista Monitor.

Kultura si industri, strategjia e re hap rrugën për kapital privat, teknologji dhe turizëm  

6 August 2026 at 14:38

Qeveria po përpiqet ta zhvendosë kulturën nga një sektor i mbështetur kryesisht me fonde publike drejt një modeli që kombinon industrinë krijuese, investimet private, teknologjinë dhe turizmin.

Të paktën ky është drejtimi i Strategjisë Kombëtare për Kulturën 2026–2030,  e cila u publikua në Fletoren Zyrtare duke hyrë automatikisht në fuqi.

Dokumenti u miratua nga Këshilli i Ministrave më 30 korrik dhe ngarkon Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, së bashku me institucionet e tjera përgjegjëse, me zbatimin e planit deri në vitin 2030.

Strategjia e vendos kulturën brenda politikave të zhvillimit ekonomik dhe territorial, duke parashikuar mbështetje për industritë krijuese, reforma në financim, digjitalizim të institucioneve dhe përdorim më të madh të trashëgimisë si pjesë e ofertës turistike.

Dokumenti e përkufizon vizionin për vitin 2030 si krijimin e një “ekosistemi të integruar”, ku trashëgimia, krijimtaria dhe pjesëmarrja kulturore shërbejnë si shtylla të zhvillimit kombëtar.

Një pjesë e rëndësishme e strategjisë i kushtohet industrive kulturore dhe krijuese, ku përfshihen filmi, muzika, artizanati, botimet, dizajni, arkitektura dhe prodhimi digjital.

Sipas dokumentit, ky sektor mbetet i fragmentuar, i përqendruar kryesisht në Tiranë dhe i varur nga investimet publike dhe financimet e huaja.

Plani parashikon instrumente të reja financimi, partneritete me sektorin privat dhe skema mbështetëse për artistët, krijuesit dhe sipërmarrjet kulturore.

Synimi është që financimi të mos mbështetet vetëm te grantet vjetore, por të përfshijë programe shumëvjeçare, investime private, donacione dhe bashkëpunime ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.

Strategjia kërkon krijimin e “mekanizmave të qëndrueshëm të financimit”, të lidhur me objektiva të matshëm, monitorim dhe vlerësim të rezultateve.

Ajo parashikon gjithashtu masa fiskale dhe financiare për të nxitur investimet dhe për të zgjeruar burimet e kapitalit për sektorin kulturor.

Një tjetër shtyllë është rritja e autonomisë së institucioneve kulturore. Dokumenti synon që muzetë, teatrot dhe institucionet e tjera publike të kenë më shumë aftësi për të menaxhuar fondet, për të siguruar të ardhura dhe për të bashkëpunuar me partnerë privatë, duke ruajtur kontrollin dhe përgjegjshmërinë publike.

Strategjia parashikon gjithashtu ngritjen e një ekosistemi digjital kombëtar që do të lidhë muzetë, arkivat, bibliotekat dhe institucionet e trashëgimisë.

Platforma synon të bashkojë të dhënat mbi koleksionet dhe pasuritë kulturore, si dhe të standardizojë mënyrën e dokumentimit dhe publikimit të tyre.

Dokumenti përmend përdorimin e inteligjencës artificiale, realitetit të zgjeruar dhe teknologjive të tjera digjitale për të prezantuar përmbajtjen kulturore dhe për të zgjeruar aksesin e publikut.

Strategjia kërkon që investimet dhe aktivitetet kulturore të shpërndahen më gjerësisht jashtë kryeqytetit. Ajo evidenton se infrastruktura, financimi dhe pjesëmarrja kulturore mbeten të pabarabarta mes Tiranës, qyteteve të tjera dhe zonave rurale.

Për të reduktuar këtë hendek, dokumenti parashikon programe lëvizëse kulturore, mbështetje për zonat rurale, nisma për leximin dhe edukimin kulturor, si dhe përfshirje më të madhe të bashkive në organizimin dhe financimin e aktiviteteve.

Turizmi kulturor është një tjetër burim i pritshëm rritjeje. Strategjia parashikon lidhjen e monumenteve, muzeve, artizanatit dhe trashëgimisë jomateriale me itineraret turistike dhe zhvillimin ekonomik lokal.

Sipas dokumentit, institucionet e trashëgimisë pritën rreth 3.3 milionë vizitorë në vitin 2025, nga rreth 1.5 milionë në vitin 2019.

Strategjia kërkon që rritja e numrit të vizitorëve të shoqërohet me menaxhim më të mirë, standarde më të larta shërbimi dhe shpërndarje të flukseve përtej destinacioneve më të frekuentuara.

Në planin ndërkombëtar, Shqipëria synon të zgjerojë pjesëmarrjen në programet kulturore të Bashkimit Evropian dhe UNESCO-s, si dhe të rrisë praninë e artistëve dhe institucioneve shqiptare në ekspozita, festivale, bienale dhe projekte ndërkombëtare.

Strategjia identifikon katër prioritete: mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë, zhvillimin e industrive krijuese, përmirësimin e infrastrukturës kulturore dhe zgjerimin e aksesit.

 

The post Kultura si industri, strategjia e re hap rrugën për kapital privat, teknologji dhe turizëm   appeared first on Revista Monitor.

Pronat e konfiskuara kthehen në hapësira arti e punësimi, hapet ekspozita “Thurja e Qilimave”

6 August 2026 at 14:00

Një ekspozitë me punime artizanale të prodhuara nga gra të angazhuara në sipërmarrjen sociale “Tradita ime Artizanale” është hapur në Tiranë, në ambientet e një prone të konfiskuar që tashmë përdoret si qendër për artin dhe aktivitetet komunitare.

Ekspozita “Thurja e Qilimave” është vendosur në Publik Galeri, një hapësirë e administruar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, ose AAPSK. Galeria është ngritur në një pasuri të konfiskuar në kryeqytet dhe përdoret për aktivitete kulturore dhe sociale.

Punimet e ekspozuara vijnë nga një tjetër pronë e konfiskuar, në Elbasan, ku prej disa vitesh ushtron aktivitetin sipërmarrja sociale “Tradita ime Artizanale”. Aty prodhohen qilima, sixhade dhe punime të tjera tradicionale nga gra artizane.

Sipas AAPSK-së, modeli lidh dy prona të konfiskuara që janë vendosur në funksion publik: njëra si qendër prodhimi dhe punësimi në Elbasan dhe tjetra si hapësirë promovimi dhe ekspozimi në Tiranë.

“Pasuritë e konfiskuara nuk duhet të mbeten asete të ngrira, por të rikthehen në funksion të komunitetit,” tha kryeadministratorja e AAPSK-së, Risena Xhaja, gjatë hapjes së ekspozitës.

Ajo tha se agjencia synon të zgjerojë përdorimin e pasurive të konfiskuara për projekte me funksion ekonomik, social dhe kulturor. Sipas saj, prona në Elbasan shërben si qendër prodhimi dhe punësimi për gratë, ndërsa ajo në Tiranë përdoret prej disa muajsh për promovimin e artit dhe kulturës.

Ekspozita përfshin një koleksion qilimash, sixhadesh dhe punimesh të tjera të realizuara me teknika artizanale dhe me motive të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Drejtuesi i Fondacionit Joscelyn, Saimir Bakalli, tha se aktiviteti synon të promovojë si mjeshtërinë e thurjes, ashtu edhe punën e grave të përfshira në sipërmarrjen sociale.

“Qëllimi ynë është që arti dhe tradita të kthehen në të ardhura të qëndrueshme për gratë artizane dhe familjet e tyre,” tha Bakalli.

Sipas tij, ekspozita synon të krijojë mundësi për njohjen dhe tregtimin e punimeve, duke e lidhur promovimin kulturor me mbështetjen ekonomike për prodhueset.

“Thurja e Qilimave” do të qëndrojë e hapur deri më 4 shtator 2026 në Publik Galeri, në rrugën “Hasan Alla” në Tiranë. Ekspozita mund të vizitohet nga e hëna në të premte, nga ora 09:00 deri në 17:00.

Nisma është organizuar si bashkëpunim ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile, me fokus ripërdorimin social të pasurive të konfiskuara dhe mbështetjen e sipërmarrjeve sociale.

 

The post Pronat e konfiskuara kthehen në hapësira arti e punësimi, hapet ekspozita “Thurja e Qilimave” appeared first on Revista Monitor.

MABCO “zyrtarizon” kursin drejt arbitrazhit për Aeroportin e Vlorës pas lëvizjes së MIE

6 August 2026 at 13:44

MABCO Constructions SA zyrtarizoi qëndrimin se do të përdorë mekanizmat ndërkombëtarë për mbrojtjen e investimit të saj në Aeroportin e Vlorës, pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nisi procedurën për zgjidhjen e kontratës së koncesionit.

Reagimi i kompanisë me një deklaratë për shtyp erdhi një ditë pasi u bë publik lajmi se MIE kishte nisur procedurat për ndërprerjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. MABCO kundërshton pretendimet e autoritetit kontraktor dhe thotë se ka tentuar ta shmangë dërgimin e mosmarrëveshjes në arbitrazh ndërkombëtar.

“MABCO bëri gjithçka të mundur për të shmangur arbitrazhin ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e kompanisë. Në fund të dokumentit, MABCO njofton se do të përdorë të drejtat që, sipas saj, burojnë nga legjislacioni, kontrata e koncesionit, marrëveshja dypalëshe Shqipëri-Zvicër për mbrojtjen e investimeve dhe mekanizmat ndërkombëtarë.

Edhe pse deklarata nuk njofton depozitimin formal të një kërkese për arbitrazh ajo sinjalizon se kompania e konsideron të konsumuar përpjekjen për zgjidhjen e çështjes vetëm përmes komunikimit me autoritetet shqiptare.

MABCO thotë se zotëron 98% të kuotave në shoqërinë koncesionare Vlora International Airport, ose VIA, dhe pretendon se është mbajtur jashtë kantierit dhe kontrollit të shoqërisë për gati një vit. Kompania thotë se i ka drejtuar MIE-së më shumë se 90 shkresa lidhur me situatën e projektit.

Një nga pikat e mosmarrëveshjes lidhet me arsyet e mosrealizimit të punimeve sipas afateve. MABCO kundërshton që vonesat t’i atribuohen vetëm asaj, duke pretenduar se hyrja e kompanisë dhe e nënkontraktorëve në kantier është ndaluar që prej 18 majit 2026.

“MIE thotë se punimet nuk janë përfunduar, por hesht për arsyen pse ato nuk janë përfunduar”, thuhet në deklaratë. Kompania pretendon gjithashtu se ka siguruar dakordësinë e Dublin Airport Authority për rolin e operatorit ndërkombëtar dhe se ministria ishte vënë në dijeni për këtë proces.

Qëndrimi i MIE

MIE ka mbajtur më herët qëndrimin se mosmarrëveshja ndërmjet ortakëve është një konflikt privat që nuk mund të përdoret si arsye për moszbatimin e detyrimeve të koncesionarit. Ministri Enea Karakaçi do të shprehej pak kohë më parë se operacionaliteti i aeroportit dhe përmbushja e kontratës janë përgjegjësi të shoqërisë koncesionare dhe se shteti do të përdorë instrumentet kontraktore për mbrojtjen e interesit publik.

Në fund të majit, ministria i kërkoi palëve që të gjenin brenda 30 ditësh një zgjidhje për konfliktin dhe të paraqisnin dokumentacionin e kërkuar për vijimin e projektit. Ajo kishte paralajmëruar se, në mungesë të një zgjidhjeje, do të ushtronte të drejtat e parashikuara nga kontrata e koncesionit dhe legjislacioni në fuqi.

Lëvizja e MIE-së për zgjidhjen e kontratës dhe reagimi i MABCO-s e zhvendosin mosmarrëveshjen nga përplasja për administrimin dhe vijimin e punimeve të Aeroportit të Vlorës drejt një konflikti të mundshëm juridik ndërkombëtar. Kontrata koncesionare prej kohësh është bërë mollë sherri për të cilën mbetet për t’u parë nëse barra do të bjerë edhe një herë mbi kompaninë apo taksapaguesit.

 

The post MABCO “zyrtarizon” kursin drejt arbitrazhit për Aeroportin e Vlorës pas lëvizjes së MIE appeared first on Revista Monitor.

Humbjet e bankave nga rreziqet operacionale pësuan rënie të ndjeshme në 2025

6 August 2026 at 13:00

Humbjet e bankave nga rreziqet operacionale pësuan rënie vitin e kaluar.

Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, këto humbje arritën vlerën e 146 milionë lekëve, në rënie me 52% krahasuar me vitin 2024. Bankat raportuan gjithsej 598 raste të humbjeve nga rreziqet operacionale, 69% më pak krahasuar me një vit më parë.

Pas rikuperimeve të realizuara, humbja neto operacionale u ul në 77.9 milionë lekë, duke rezultuar në një shkallë rikuperimi prej rreth 47%.

Rezultatet për fundin e vitit 2025 tregojnë se humbjet operacionale të bankave paraqiten përgjithësisht me materialitet të ulët, duke reflektuar kapacitete të mira për përthithjen e tyre.

Për shumicën e bankave, raporti mes humbjeve dhe të ardhurave neto të veprimtarisë bankare mbetet është nën 1%. Vlerat më të larta mes bankave për këtë raport luhaten midis vlerave 0.93% – 2.09%.

Humbjet operacionale të bankave lidhen me rreziqet të ndryshme të lidhur me operacionet bankare, por më tipiket kanë të bëjnë me vjedhje, përvetësim apo humbje të fondeve gjatë proceseve operacionale.

Tradicionalisht, rreziku më tipik për bankat ka qenë është ai i grabitjeve, qoftë në degët e bankave ose të vlerave monetare në transport. Megjithatë, në vitet e fundit, nuk janë raportuar tentativa për grabitje të këtij lloji.

Me rritjen e përdorimit të teknologjisë në shërbimet dhe produktet financiare, rreziku i lidhur me krimet kibernetike po bëhet gjithnjë e më parësor, mes rreziqeve ndaj të cilave është i ekspozuar sektori financiar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se gjatë vitit 2025, është shënuar përmirësim në cilësinë e administrimit të rrezikut të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, me një vëmendje të shtuar ndaj rrezikut kibernetik.

Kjo ka ardhur sepse bankat po bëhen gjithnjë e më të varura nga shërbimet dhe sistemet digjitale, ndërsa përballen me një rritje të numrit të kërcënimeve kibernetike.

Banka e Shqipërisë shprehet se mbikëqyrja bankare ndjek një sërë strategjish për të krijuar dhe mirëmbajtur një hapësirë të sigurt kibernetike në sektorin bankar.

Këto strategji përfshijnë masa teknologjike, organizative dhe rregullatore, të cilat synojnë mbrojtjen e të dhënave dhe sistemeve financiare nga sulmet kibernetike dhe rreziqet e tjera.

Në këtë kuadër, bazuar në “Udhërrëfyesin e Vetëvlerësimit të Rrezikut Kibernetik”, gjatë vitit 2025 është kryer vlerësimi i parë, për të pasur një pamje më të unifikuar nga Banka e Shqipërisë, mbi masën e maturitetit të proceseve e kontrolleve që lidhen me rrezikun kibernetik dhe adresimin e problematikave që burojnë prej tij.

Bazuar në vlerësimin e kryer, rezulton se sistemi bankar, në tërësi, tregon maturitet mesatar ose të mirë, por me dallime të ndjeshme ndërmjet bankave.

Nivelet e maturitetit të kontrolleve të ushtruara nga banka në lidhje me sigurinë kibernetike bazuar në grup-kontrolle paraqiten të ndryshueshme.

Kontrollet Organizative tregojnë një nivel nga 40% deri 92%. Ky nga grup-kontrollet me luhatje të lartë sa i përket nivelit të maturitetit ku, megjithëse politikat ekzistojnë, zbatimi i tyre nuk është i njëtrajtshëm;

Kontrollet e Personave tregojnë një shkallë nga 48% deri 98%, duke rezultuar në kontrolle përgjithësisht të forta në bankat me struktura të konsoliduara të burimeve njerëzore.

Kontrollet Fizike paraqiten me maturitet nga 54% deri 93% dhe përbëjnë grupin më të qëndrueshëm, me përputhshmëri të kënaqshme.

Kontrollet Teknologjike rezultojnë me maturitet nga 39% deri 94%, ku rreziqet kryesore konsistojnë në boshllëqe në ciklin jetësor të zhvillimit të sigurt, kriptografi dhe menaxhim dobësish.

Nga vlerësimi i Bankës së Shqipërisë rezulton se ekziston një nivel bazë i zbatimit të kontrolleve të sigurisë në të gjitha bankat, ku kontrollet fizike dhe të personave paraqesin përgjithësisht nivel më të lartë maturiteti, ndërkohë që kontrollet organizative dhe teknologjike mbeten fusha me nevojë për përmirësim të mëtejshëm, me fokus të veçantë në menaxhimin e rrezikut, palët e treta dhe sigurinë e aplikacioneve.

The post Humbjet e bankave nga rreziqet operacionale pësuan rënie të ndjeshme në 2025 appeared first on Revista Monitor.

Rivlerësimi i pronës me taksë 5%, Tatimet: Deri në korrik u kursyen 120,5 mln euro nga tatimpaguesit

6 August 2026 at 11:55

Nga nisja e procesit të rivlerësimit, ku për shitblerjen e pasurive të paluajtshme tatimi që paguhet nga 15% është reduktuar në 5% ka sjellë përfitime te individët mbi vlerën e 100 mln eurove.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) publikoi sërish të dhënat e përfitimeve për taksapaguesit nga procesi i rivlerësimit.

Sipas DPT-së vetëm për periudhën Janar-Korrik, përmes këtij procesi janë kursyer 120.5 milionë euro në kosto fiskale. Tatimet u kanë bërë thirrje individëve se ende kanë mundësi të përfitojnë nga kjo lehtësi fiskale, nëse do të vijojnë aplikimin brenda afateve të përcaktuara në ligj.

Nga procesi i rivlerësimit mund të përfitojnë si ata individë që kërkojnë të shesin një pasuri të paluajtshme, por edhe ata që pronat i kanë regjistruar me vlerë më të ulët se tregu.

Në të dyja rastet, tatimi i llogaritur (nga diferenca e vlerës së mëparshme të regjistruar të pronës dhe vlerës së re të shitjes apo tregut, tatimi që do të paguhet do të jetë 5% nga 15% që aplikohet në periudha të zakonshme.

Në udhëzimin për zbatimin e ligjit të rivlerësimit, i botuar në muajin shkurt 2026 në Fletoren Zyrtare përcaktohej se për individët dy janë mënyrat e rivlerësimit. Një nëpërmjet Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) me çmimet e referencës dhe nepërmjet një eksperti të licensuar, që do të përdorë çmimet e tregut.

Në Tiranë nëse një individ zgjedh të kryejë procesin e rivlersimit nëpërmjet kadastrës, llogaritja e vlerës së pronës do të bëhet me çmimet e referencës të miratuara në muajin korrik 2023.

Për rrethet rivlersimi në ASHK vijon me çmimet e vjetra të referencës të miratuara në vitin 2016. Problematika me përcaktimin e zonave bregdetare ka sjellë që ende të mos ketë një përditësim dhe miratim të çmimeve të reja të referencës.

Në rrethe, në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme. Në çdo rast, vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal.

Për afatet e aplikimit në udhëzim përcaktohet se aplikimet për rivlerësim të pasurive të cilat paraqiten pranë ASHK-së, brenda datës 31 dhjetor 2026, por nuk janë përfunduar, procedohen edhe pas kësaj date, nëse tatimi i rivlerësimit paguhet brenda datës 31 mars 2027.

Procedurat e aplikimit për rivlerësimin kryhen online përmes portalit e-Albania, ku përveç kërkesës duhet të bashkëngjiten edhe dokumentacionin identifikues dhe, kur përdoret eksperti, aktin e vlerësimit të pasurisë dhe licencën e tij.

The post Rivlerësimi i pronës me taksë 5%, Tatimet: Deri në korrik u kursyen 120,5 mln euro nga tatimpaguesit appeared first on Revista Monitor.

Autoriteti i Konkurrencës, asnjë konkluzion për indeksimin e çmimeve nga operatorët e komunikimeve

6 August 2026 at 11:00

Hetimi i Autoritetit të Konkurrencës ndaj operatorëve celularë nuk ka arritur në asnjë përfundim lidhur me praktikën e indeksimit vjetor të çmimeve.

Megjithëse kjo ishte një ndër çështjet e hetimit të thelluar, vendimi i Komisionit të Konkurrencës nuk përmban asnjë konkluzion mbi këtë praktikë.

Në muajin prill të këtij viti, “Monitor” i ishte drejtuar me një kërkesë zyrtare Autoritetit të Konkurrencës, për të marrë një qëndrim prej këtij institucioni lidhur me faktin nëse praktika e indeksimit automatik të çmimeve të shërbimeve të komunikimeve elektronike shtron probleme që lidhen me të drejtën e konkurrencës.

Në përgjigjen për “Monitor”, Autoriteti i Konkurrencës shprehej se çështja ishte nga elementët e hetimit të thelluar që ky institucion ka hapur në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.

“Në këtë kuadër, bëjmë me dije se gjatë procedurës së hetimit të thelluar në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës do të vlerësojë edhe aplikimin e normës së IÇK, në kuptim të dispozitave të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”,” thuhet në përgjigjen e Autoritetit të Konkurrencës.

Por, as hetimi i thelluar nuk ka mjaftuar që institucioni të dalë me një qëndrim për këtë çështje. Në vendim, vetëm citohen qëndrimet e përcjella nga dy operatorët celularë për Autoritetin e Konkurrencës.

Vodafone Albania ka shpjeguar se iniciativa për përfshirjen e klauzolës së indeksimit sipas IÇK-së ka ardhur si rezultat i një direktive të Vodafone Group për të gjitha tregjet evropiane gjatë vitit 2022, duke marrë në konsideratë rritjen e inflacionit pas pandemisë. Sipas Vodafone, klauzola është hartuar në përputhje me kuadrin ligjor shqiptar dhe atë evropian, pas konsultimeve me AKEP, dhe mbështetet në një tregues objektiv, konkretisht Indeksin e Çmimeve të Konsumit të publikuar nga INSTAT, si dhe në praktika të zbatuara në vende të tjera evropiane. Vodafone Albania ka deklaruar se, megjithëse klauzola është përfshirë në Termat dhe Kushtet e Përgjithshme të Kontratës që nga muaji prill 2024, ajo nuk është zbatuar për asnjë pajtimtar gjatë periudhës objekt hetimi (1 janar 2022 – 18 nëntor 2025), pasi asnjë pajtimtar nuk kishte nënshkruar kontratën që përmbante versionin përfundimtar të kësaj klauzole përpara muajit prill 2024. Për rrjedhojë, sipas ndërmarrjes, gjatë periudhës objekt hetimi nuk është realizuar asnjë rritje e tarifave apo paketave si pasojë e aplikimit të klauzolës së indeksimit

Ndërmarrja One Albania a deklaruar se përfshirja e klauzolës së indeksimit sipas IÇK-së u realizua pas një procesi konsultimi me AKEP gjatë viteve 2023–2024, duke iu referuar praktikave të operatorëve 8 evropianë, kryesisht raporteve periodike të Cullen International për vitet 2023–2025 dhe burimeve të tjera publike. Sipas ndërmarrjes, klauzola synonte të përballonte rritjen e kostove operative, investimet në rrjetin 5G, rinovimin e autorizimeve dhe efektet e inflacionit, pa nënkuptuar një rritje automatike të çmimeve.

One Albania ka sqaruar se, pas vlerësimit të situatës dhe reagimeve të abonentëve, vendosi të aplikojë indeksimin vetëm për segmentin e abonentëve biznes, duke filluar nga 1 qershori 2024, në masën deri në 4.8%, bazuar në normën e inflacionit të publikuar nga INSTAT për muajin janar 2024, ndërsa indeksimi nuk është zbatuar për abonentët individualë gjatë periudhës objekt hetimi (1 janar 2022 – 18 nëntor 2025).

 

Trupa e rregullatorëve të BE-së, kundër indeksimit të çmimeve

 

Përcaktimi i një klauzole që u lejon operatorëve të indeksojnë automatikisht tarifat e produkteve dhe shërbimeve me inflacionin ngelet çështje e diskutueshme nga pikëpamja ligjore edhe në Bashkimin Europian.

As Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) në Shqipëri nuk ka mbajtur një qëndrim përfundimtar lidhur me një praktikë të tillë.

Nga informacioni i mbledhur nga AKEP në vendet e Bashkimit Europian, ka rezultuar se, përgjithësisht, e drejta për indeksim me normën e inflacionit nuk është e ndaluar në legjislacionin specifik sektorial apo në atë të përgjithshëm.

Një kuadër i ndryshëm ligjor ekziston në Angli, ku autoriteti rregullator (OFCOM) ka vendosur rregulla dhe ka dhënë udhëzime për rastet kur dhe si operatorët mund të përfshijnë indeksimin në termat dhe kushtet e përgjithshme të kontratës.

OFCOM ka kryer një proces Këshillimi Publik në lidhje me këtë çështje dhe ka miratuar gjatë vitit 2024 ndryshime në kuadrin rregullator, të cilat ndalojnë aplikimin e rritjes së tarifave të shprehura në përqindje (IÇK), ku rritjet gjatë kohëzgjatjes së kontratës duhet të shprehen në terma monetare.

Megjithatë, një qëndrim kundër një praktike të tillë ka shprehur autoriteti kryesor në rregullimin e këtyre tregjeve, Trupa e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike (BEREC).

Në një dokument të vitit 2024, të quajtur “Opinioni i BEREC mbi tregun dhe zhvillimet teknologjike dhe mbi ndikimin e tyre në zbatimin e të drejtave të përdoruesve fundorë”, i publikuar në dhjetor 2024, kjo trupë e ka konsideruar përfshirjen dhe aplikimin nga operatorët në vendet të klauzolave kontraktore për rritje të çmimeve gjatë kohëzgjatjes së kontratës (In-contract price increase clauses) sipas IÇK apo IÇK plus një marzh, si “zhvillim me ndikim shqetësues për të drejtat dhe përfitimet e përdoruesve fundorë, pasi në disa raste ato kanë rezultuar në rritje të ndjeshme të tarifave dhe/ose përdoruesit nuk kanë të drejtën e ndërprerjes pa penalitet të kontratës”.

Opinioni dhe propozimi i BEREC për Komisionin Europian për këtë çështje është se “këto klauzola paraqesin sfida për sa i përket konkurrencës, përballueshmërisë, lëvizshmërisë (ndërrimit të ofruesit së shërbimit) së përdoruesit fundor, transparencës dhe krahasueshmërisë së çmimeve. Përdorimi i tyre krijon rrezik që objektivat e kuadrit ligjor për mbrojtjen e konsumatorëve të mos përmbushen”.

Pavarësisht këtyre rekomandimeve, deri tani AKEP nuk ka shprehur ndonjë qëllim të ndërhyjë për të rregulluar apo për të ndaluar klauzola të këtij lloji nga operatorët e komunikimeve elektronike në Shqipëri.

 

The post Autoriteti i Konkurrencës, asnjë konkluzion për indeksimin e çmimeve nga operatorët e komunikimeve appeared first on Revista Monitor.

Jeff Dean dhe studiues të tjerë, largohen nga Google për të krijuar kompaninë e tyre të AI-së

6 August 2026 at 10:17

Jeff Dean, një nga drejtuesit më jetëgjatë dhe me më shumë ndikim në Google, po largohet nga kompania për të krijuar një startup të ri të inteligjencës artificiale.

Atij do t’i bashkohen si bashkëthemelues disa studiues të njohur të Google, përfshirë Sanjay Ghemawat, Quoc Le, një prej themeluesve të Google Brain, dhe Oriol Vinyals nga Google DeepMind. Sipas raportimeve, Dean do të mbajë postin e drejtorit ekzekutiv.

Kompania e re, e quajtur Discovery Loop, do të funksionojë si korporatë me përfitim publik dhe synon të përdorë inteligjencën artificiale për të përshpejtuar kërkimin shkencor. Sistemet e saj do të jenë në gjendje të nisin dhe të zhvillojnë paralelisht mijëra eksperimente, duke automatizuar pjesërisht procesin kërkimor dhe duke rritur shkallën e eksperimentimit.

Startup-i synon gjithashtu ta përdorë AI-në për krijimin e sistemeve edhe më të fuqishme të inteligjencës artificiale, përmes procesit të njohur si “vetëpërmirësim rekursiv”, duke reduktuar ndërhyrjen e njerëzve në ciklin eksperimental.

Discovery Loop ka siguruar mbështetje financiare edhe nga Alphabet, kompania mëmë e Google. Raundi fillestar i financimit po drejtohet nga Radical Ventures dhe Khosla Ventures, me pjesëmarrjen e Kleiner Perkins, Lightspeed dhe Doerr Capital.

Dean iu bashkua Google në vitin 1999 si punonjësi i 30-të i kompanisë. Ai ka kontribuar në infrastrukturën kryesore të motorit të kërkimit, sistemet e indeksimit dhe modelet multimodale Gemini, si dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në kërkimet e hershme të Google në fushën e inteligjencës artificiale.

Sipas ekipit themelues, kufiri i ardhshëm i AI-së nuk është vetëm t’u përgjigjet pyetjeve, por të bëjë vetë zbulime, duke përshpejtuar inovacionin shkencor dhe inxhinierik./TECHRADAR

The post Jeff Dean dhe studiues të tjerë, largohen nga Google për të krijuar kompaninë e tyre të AI-së appeared first on Revista Monitor.

Agjencia e Shërbimeve të Trafikut Ajror të Serbisë dhe Malit të Zi do të instalojë panele diellore

6 August 2026 at 10:12

Agjencia e Shërbimeve të Trafikut Ajror të Serbisë dhe Malit të Zi (SMATSA) planifikon të instalojë panele diellore në çatitë dhe hapësirat tokësore të katër objekteve të saj në Serbi.

Kompania ka hapur një thirrje publike për hartimin e studimeve paraprake të fizibilitetit, të cilat do të vlerësojnë qëndrueshmërinë teknike dhe ekonomike të centraleve fotovoltaike. Nisma lidhet me zgjerimin e energjisë së gjelbër dhe përdorimin gjithnjë e më të madh të burimeve të rinovueshme nga ofruesit europianë të shërbimeve të navigimit ajror.

Projektet parashikohen në Qendrën e Trajnimit të SMATSA-s në Beograd, Kontrollin e Trafikut Ajror në Kraljevë, Radarin e Zonës Terminale të Beogradit dhe Qendrën Teknike të Kontrollit Ajror në Beograd.

Dy prej studimeve duhet të përfundojnë deri më 30 nëntor 2026, ndërsa dy të tjerat një vit më vonë. Objektet ofrojnë sipërfaqe të konsiderueshme: çati prej 2,000 dhe 1,200 metrash katrorë, si dhe rreth 56 mijë metra katrorë tokë pranë kullës së Kraljevës dhe radarit të Beogradit.

Studimet do të përcaktojnë kapacitetin optimal, zgjidhjen teknike, vlerën e investimit, periudhën e kthimit dhe mënyrën e furnizimit të rrjetit me energjinë e prodhuar. Ato do të shërbejnë si bazë për projektimin dhe instalimin e mëvonshëm të centraleve diellore./ Balkan Green Energy News

The post Agjencia e Shërbimeve të Trafikut Ajror të Serbisë dhe Malit të Zi do të instalojë panele diellore appeared first on Revista Monitor.

Marrëveshja e propozuar për Hormuzin do t’i jepte Iranit kontroll mbi trafikun hyrës

6 August 2026 at 10:09

Një marrëveshje e propozuar mes Iranit dhe Omanit, e cila synon t’i japë fund luftës pesëmujore mes Iranit dhe SHBA-së, parashikon që Teherani të kontrollojë anijet që hyjnë në Gjirin Persik përmes Ngushticës së Hormuzit. Kjo do të përbënte një nga lëshimet më të mëdha të bëra deri tani ndaj Iranit, thanë për Reuters një zyrtar i lartë iranian dhe dy zyrtarë rajonalë.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se negociatat po ecin shumë mirë dhe se një marrëveshje për rihapjen e ngushticës mund të arrihet së shpejti. Megjithatë, burimet rajonale theksuan se disa çështje të rëndësishme mbeten të pazgjidhura dhe kundërshtuan idenë se marrëveshja është pranë përfundimit.

Sipas propozimit, anijet që hyjnë në Gjirin Persik do të kalonin përmes ujërave territoriale iraniane. Ende po diskutohet se çfarë roli do të ketë Irani mbi anijet që lëvizin në drejtimin e kundërt. Vendet e Gjirit kërkojnë që kontrollet e anijeve të mbikëqyren edhe nga shtetet e rajonit dhe që çdo tarifë të jetë vullnetare.

Irani kërkon tarifa që arrijnë në 5–7% të vlerës së ngarkesave të transportuara, ndërsa Omani po diskuton një nivel prej rreth 3%. Uashingtoni kundërshton vendosjen e çdo tarife.

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, deklaroi se bisedimet me Omanin kanë arritur në “mirëkuptime themelore” dhe se marrëveshja është pranë finalizimit. Ai shtoi se Teherani ka marrë mesazhe sipas të cilave SHBA-ja është e gatshme t’u rikthehet angazhimeve të memorandumit të arritur në mesin e qershorit, që parashikonte ndërprerjen e operacioneve ushtarake. Megjithatë, ai mohoi që ditët e fundit të jenë zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me SHBA-në.

Ndërkohë, Irani ka paralajmëruar vendet e Gjirit se një sulm i ri amerikan ndaj territorit të tij do të sillte kundërpërgjigje ndaj infrastrukturës energjetike dhe objektivave të tjera rajonale.

Trump, i cili po përballet me presionin e opinionit publik amerikan për t’i dhënë fund konfliktit, tha se parapëlqen një zgjidhje diplomatike. Përpjekjet ushtarake amerikane nuk kanë arritur deri tani të dobësojnë kontrollin iranian mbi ngushticën, ndërsa çmimet e naftës ranë pasi Trump anuloi sulmet e reja, duke përmendur negociatat në vazhdim./REUTERS

The post Marrëveshja e propozuar për Hormuzin do t’i jepte Iranit kontroll mbi trafikun hyrës appeared first on Revista Monitor.

Shqiptarëve u duhen 28 mijë usd në vit për të arritur “pragun e lumturisë”, nga 10 mijë që kanë sot

6 August 2026 at 10:01

Një individ në Shqipëri do të duhej të siguronte rreth 28,000 dollarë të ardhura në vit për të arritur të ashtuquajturin “prag të lumturisë”, nivel pas të cilit rritja e mëtejshme e të ardhurave nuk sjell përmirësim domethënës të kënaqësisë nga jeta.

Sipas renditjes së publikuar nga Visual Capitalist, bazuar në një analizë të Remitly, paga mesatare vjetore në Shqipëri vlerësohet në rreth 10 mijë dollarë. Kjo do të thotë se të ardhurat e një punonjësi mesatar mbulojnë vetëm 34.8% të nivelit të vlerësuar si i nevojshëm për “lumturinë”, duke lënë një diferencë prej më shumë se 18 mijë dollarësh në vit.

Në terma mujorë, pragu i llogaritur për Shqipërinë është rreth 2,316 dollarë, ndërsa paga mesatare e përdorur në renditje është afërsisht 830 dollarë në muaj.

Treguesi nuk përfaqëson shumën minimale që nevojitet për të mbuluar ushqimin, banesën dhe shpenzimet bazë. Ai mat nivelin ku, sipas studimit mbi të ardhurat dhe mirëqenien subjektive, rritja e mëtejshme e pagës nuk shoqërohet më me një përmirësim të ndjeshëm të vlerësimit që njerëzit i bëjnë jetës së tyre.

Shqipëria me pagat më të ulëta në rajon dhe Europë

Hendeku i lartë mes pagave reale dhe “çmimit të lumturisë” lidhet me nivelin e ulët të të ardhurave nga puna në Shqipëri.

Sipas të dhënave të tjera INSTAT-it, Eurostat dhe OECD, të përpunuara nga “Monitor”, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri ishte 84.1 mijë lekë në vitin 2025, ose rreth 10,300 euro në vit. Në këto nivele, Shqipëria renditej e fundit në Ballkanin Perëndimor, duke përjashtuar Kosovën.

Paga mesatare vjetore bruto arrinte në rreth 15,500 euro në Serbi, afro 15 mijë euro në Bosnjë-Hercegovinë, 14,500 euro në Mal të Zi dhe 13,200 euro në Maqedoninë e Veriut. Krahasuar me Bashkimin Europian, diferenca është edhe më e madhe. Paga mesatare vjetore bruto në vendet e BE-së llogaritet në rreth 50 mijë euro, ose pothuajse pesë herë më shumë se në Shqipëri. Në Gjermani, një nga destinacionet kryesore të emigracionit shqiptar, paga mesatare arrin në rreth 66,700 euro në vit, më shumë se gjashtëfishi i nivelit shqiptar. Në Itali është rreth 36,600 euro dhe në Greqi 26,600 euro në vit. Këto shifra nuk janë plotësisht të njëjta me pagën prej 9,670 dollarësh që përdoret në renditjen e Visual Capitalist, pasi burimet dhe metodologjitë ndryshojnë. Renditja ndërkombëtare mbështetet te të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ndërsa krahasimi i “Monitor” përdor pagën mesatare bruto të raportuar nga INSTAT dhe institutet statistikore të vendeve të rajonit.

https://monitor.al/pagat-bruto-vjetore-shqiperia-ne-fund-te-listes-me-10-mije-euro-ne-vit-sa-nje-e-pesta-e-europes/

 

Çfarë mat “çmimi i lumturisë”

Përllogaritja mbështetet në një studim të Universitetit Purdue mbi marrëdhënien ndërmjet të ardhurave dhe mirëqenies subjektive. Studiuesit përcaktuan një nivel “ngopjeje të të ardhurave”, pas të cilit më shumë para nuk përmirësojnë më në mënyrë të ndjeshme vlerësimin që individët i bëjnë jetës së tyre.

Vlerat fillestare janë përshtatur sipas fuqisë blerëse dhe inflacionit në secilin vend. Pagat mesatare janë marrë nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, ndërsa të dhënat janë përditësuar deri në mars 2026.

Pragu nuk duhet interpretuar si një garanci se një person që fiton këtë shumë do të jetë i lumtur. Mirëqenia ndikohet gjithashtu nga shëndeti, marrëdhëniet familjare, siguria, kushtet e punës, arsimi dhe mbështetja sociale.

Nga vendet e analizuara, Sllovenia ishte e vetmja ku paga mesatare rezultonte më e lartë se “çmimi i lumturisë”. Paga mesatare vjetore prej rreth 42,800 dollarësh ishte 16.3% mbi pragun e vlerësuar prej rreth 36,800 dollarësh.

Në Letoni, paga mesatare mbulonte rreth 84.7% të pragut, ndërsa në Poloni 74.5%.

Megjithatë raporti thekson se pagat e larta nuk garantojnë një hendek më të vogël. Shtetet e Bashkuara kanë pagën e tretë mesatare më të lartë në studim, prej 75,300 dollarësh në vit, por njëkohësisht kanë edhe një nga “çmimet e lumturisë” më të larta, prej 134,800 dollarësh. Si rrjedhojë, paga mesatare mbulon vetëm 55.8% të këtij pragu.

Australia ka “çmimin e lumturisë” më të lartë në renditje, në 161,300 dollarë, më shumë se dyfishi i pagës mesatare prej 59 mijë dollarësh. Me të ardhurat që mbulojnë vetëm 36.6% të pragut, vendi renditet në vendin e 39-të.

Një prirje e ngjashme vërehet edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku paga mesatare mbulon 35.9% të pragut, në Kanada me 44.4% dhe në Zelandën e Re me 34%.

Megjithëse këto vende kanë paga relativisht të larta, punonjësit e tyre mbeten më larg nivelit të të ardhurave që lidhet me mirëqenien maksimale sesa punonjësit në disa ekonomi me paga më të ulëta të Europës Qendrore dhe Lindore.

Ekuadori renditet i fundit mes 50 vendeve të analizuara. Paga mesatare prej 6,500 dollarësh mbulon vetëm 32.9% të “çmimit të lumturisë”, të vlerësuar në 19,700 dollarë.

 

 

The post Shqiptarëve u duhen 28 mijë usd në vit për të arritur “pragun e lumturisë”, nga 10 mijë që kanë sot appeared first on Revista Monitor.

Pse pajisjet nuk mund ta zëvendësojnë lidhjen njerëzore në punë

6 August 2026 at 09:30

Mark C. Crowley

 

Në vendin modern të punës, menaxherët shpesh presin që punonjësit të jenë të arritshëm në çdo moment. Emailet mbërrijnë vonë në mbrëmje. Mesazhet ndërpresin darkat, fundjavat dhe pushimet.

Sipas studimeve, normat e lindshmërisë kanë rënë ndjeshëm në mbarë botën gjatë 15 viteve të fundit, një tregues se njerëzit po kalojnë më pak kohë në ndërveprime të drejtpërdrejta. Edhe pse në këtë fenomen ndikojnë shumë faktorë, kërkimet sugjerojnë se gjithnjë e më shpesh po zëvendësojmë kontaktin njerëzor me komunikimin dixhital.

Në vendet e punës, email-et, mesazhet, Slack, Zoom dhe Teams kanë zënë një pjesë të madhe të kohës që dikur përdorej për komunikim të drejtpërdrejtë. Sot, një pjesë e konsiderueshme e jetës sonë kalon duke komunikuar përmes pajisjeve, madje edhe gjatë takimeve ballë për ballë. Teknologjia e ka bërë komunikimin më të lehtë dhe më efikas, por mund të jetë duke dobësuar një nga elementet më të rëndësishme të mirëqenies njerëzore: kontaktin e vërtetë me të tjerët.

 

Iluzioni i të qenit bashkë

Njerëzit nuk janë krijuar thjesht për të shkëmbyer informacion. Ne jemi të programuar biologjikisht për lidhje sociale dhe ndërveprim të drejtpërdrejtë. Kjo është mënyra se si organizmi ynë rregullon stresin, stabilizon humorin dhe krijon ndjenjën e sigurisë dhe përkatësisë.

Kur krijojmë lidhje të vërteta me të tjerët, sistemi nervor qetësohet dhe ne fitojmë burime psikologjike si besimi dhe qëndrueshmëria emocionale, të cilat është e vështirë, në mos e pamundur, të krijohen vetëm në mënyrë dixhitale. Megjithatë, gjithnjë e më shumë njerëz kalojnë ditët duke lëvizur nga një ekran te tjetri, me bindjen se kjo përbën një jetë sociale të plotë.

Pasojat tashmë janë të dukshme. Nivelet e vetmisë po rriten në mbarë botën. Rreth 41% e njerëzve thonë se ndihen të vetmuar shumicën e kohës, ndërsa 39% deklarojnë se kanë vetëm dy ose më pak miq. Studimet mbi vendet e punës tregojnë vazhdimisht se afërsisht gjysma e punonjësve përjetojnë simptoma të lodhjes kronike profesionale, ndërsa shumë të tjerë raportojnë stres dhe rraskapitje të vazhdueshme të lidhura me punën. Vetëm nga viti 2023 në 2024, numri i punonjësve që kërkuan leje për arsye të shëndetit mendor u rrit me 74%.

Kur puna nuk ndalet kurrë

Një nga arsyet kryesore të këtij fenomeni është se komunikimi dixhital nuk ndalet asnjëherë. Dikur punonjësit kishin kohë të shkëputeshin dhe të rikuperoheshin pas një dite të lodhshme pune. Sot, sipas Gallup dhe Byrosë Amerikane të Statistikave të Punës, 43% e amerikanëve punojnë nga pesë deri në 21 orë shtesë çdo javë përtej orarit zyrtar.

Në varësi të profesionit, shumë njerëz sot punojnë 10% deri në 50% më shumë se në vitin 2001 dhe pajisjet dixhitale janë një nga arsyet kryesore që e bëjnë të mundur këtë.

Me kalimin e kohës, kjo lidhje e pandërprerë me teknologjinë krijon atë që studiuesit e quajnë “teknostres”, një gjendje e lidhur me mbingarkesën mendore, rraskapitjen emocionale dhe lodhjen kronike profesionale.

Si mund të rikthejmë lidhjen njerëzore në punë

Lajmi i mirë është se këto prirje nuk janë të pakthyeshme. Megjithatë, ndryshimi kërkon më shumë sesa përpjekje individuale. Duhet të ndryshojë edhe mënyra se si organizohet puna dhe si përkufizohet komunikimi i mirë brenda organizatave.

Vendosni norma të reja komunikimi

Një nga hapat më efektivë është reduktimi i zhurmës dixhitale. Kjo nuk do të thotë të komunikojmë më pak, por të komunikojmë më me qëllim. Për shembull, pritshmëritë e qarta për kohën e përgjigjes mund të reduktojnë presionin e disponueshmërisë së vazhdueshme dhe të ndihmojnë punonjësit të ruajnë përqendrimin.

Po aq e rëndësishme është që mesazhet e menjëhershme të përdoren vetëm kur kërkohet vërtet një reagim i shpejtë.

Rishikoni takimet

Është gjithashtu momenti për të pyetur nëse çdo takim është vërtet i nevojshëm. Sipas të dhënave të Microsoft Work Trend Index, numri i takimeve është rritur me 252% midis viteve 2020 dhe 2025.

Shumë prej tyre janë kthyer në mbledhje raportimi dhe jo në hapësira për dialog apo bashkëpunim të vërtetë. Reduktimi i takimeve të panevojshme jo vetëm që liron kohë për punë të përqendruar, por krijon edhe më shumë mundësi për biseda spontane dhe informale mes kolegëve, të cilat forcojnë marrëdhëniet dhe besimin.

Një tjetër sugjerim është që takimet të zhvillohen pa pajisje elektronike sa herë që është e mundur. Kur njerëzit nuk ndajnë vëmendjen mes diskutimit dhe mesazheve hyrëse, bisedat bëhen më cilësore dhe vendimmarrja më e qartë.

Riktheni kufijtë mes punës dhe jetës personale

Po aq e rëndësishme është mbrojtja e kohës së rikuperimit. Që nga përhapja e telefonave inteligjentë, kufiri mes punës dhe jetës private është bërë gjithnjë e më i paqartë.

Shumë drejtues vazhdojnë të besojnë se disponueshmëria pas orarit zyrtar është shenjë përkushtimi. Por truri i njeriut nuk funksionon në mënyrë optimale kur ndërpritet vazhdimisht ose kur koha për pushim reduktohet.

Pa periudha të mjaftueshme shkëputjeje, vëmendja nuk rikuperohet plotësisht. Me kalimin e kohës kjo sjell rënie të energjisë, përqendrimit dhe kapacitetit për të përballuar ngarkesat e punës. Në nivel organizativ, kjo përkthehet në mbingarkesë mendore, stres kronik dhe përkeqësim të mirëqenies së përgjithshme.

Prandaj, kufizimi i komunikimit pas orarit, gjatë fundjavave dhe pushimeve nuk është thjesht një përfitim për stilin e jetesës. Ai është një çështje performance dhe qëndrueshmërie.

Edhe drejtuesit kanë nevojë për kufij

Një aspekt që shpesh anashkalohet është se edhe drejtuesit janë po aq të ekspozuar ndaj këtij fenomeni. Ata gjithashtu janë njerëz dhe pritshmëria për të qenë vazhdimisht të disponueshëm ka kufijtë e saj.

Udhëheqja bazohet mbi vëmendjen. Kur vëmendja është e shpërndarë, njerëzit e ndiejnë. Kur ajo është e përqendruar dhe e pranishme, njerëzit e ndiejnë po ashtu.

Në këtë kuptim, mbingarkesa dixhitale nuk ndikon vetëm te produktiviteti. Ajo ndryshon cilësinë emocionale të marrëdhënieve në vendin e punës.

Drejtuesit që arrijnë të mbrojnë vëmendjen e tyre janë më të aftë të krijojnë mjedise ku edhe të tjerët mund të bëjnë të njëjtën gjë. Prania është po aq ngjitëse sa edhe shpërqendrimi.

Në përfundim

Teknologjia sjell përfitime të shumta, por ajo duhet të shërbejë për të forcuar lidhjet njerëzore dhe jo për t’i zëvendësuar ato. Gjithnjë e më shumë dëshmi tregojnë se komunikimi dixhital nuk mund të ofrojë thellësinë emocionale dhe mbështetjen psikologjike që vjen nga kontakti i drejtpërdrejtë mes njerëzve.

Në një botë ku vëmendja tërhiqet vazhdimisht nga ekranet, edhe momentet e vogla të pranisë së plotë dhe pa shpërqendrime mund të jenë ndër zgjedhjet më të rëndësishme për mirëqenien tonë, në punë dhe në jetën e përditshme./ Psychology Today

The post Pse pajisjet nuk mund ta zëvendësojnë lidhjen njerëzore në punë appeared first on Revista Monitor.

Në restorante shfaqet “venue fee”; Klientët po paguajnë më shumë pa e kuptuar

6 August 2026 at 09:27

Të ulesh në një restorant dhe, në fund të vaktit, të gjesh në faturë një tarifë shtesë që nuk e kishe vënë re më parë. Ky është fenomeni i ri që po përhapet në Shtetet e Bashkuara, ku gjithnjë e më shumë restorante po shtojnë të ashtuquajturën “venue fee” ose tarifë ambienti, duke ndezur debat për transparencën e çmimeve.

Rasti që tërhoqi vëmendjen ndodhi në një restorant në Tampa të Floridës, ku një kliente zbuloi në faturë një tarifë shtesë prej 3% që nuk ishte e afishuar në menu. Sipas stafit të restorantit, praktika po bëhej gjithnjë e më e zakonshme edhe në lokale të tjera, si një mënyrë për të përballuar kostot në rritje të biznesit.

Këto tarifa nuk janë bakshish dhe as TVSH. Ato zakonisht justifikohen si pagesa për kostot operative, mirëmbajtjen e ambientit, qiranë, sigurimet apo shpenzime të tjera që restorantet thonë se janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Problemi, sipas organizatave të konsumatorëve, është se klientët shpesh i zbulojnë vetëm pasi marrin faturën.

Pikërisht për këtë arsye, disa shtete amerikane kanë nisur të ashpërsojnë rregullat. Në Florida ka hyrë në fuqi një ligj që detyron restorantet të njoftojnë paraprakisht çdo tarifë operative, tarifë shërbimi ose bakshish automatik. Këto duhet të shfaqen qartë në menu, në faqen e internetit dhe në faturë, me zëra të ndarë nga TVSH-ja dhe bakshishi.

Edhe shtete të tjera si Kalifornia, Illinois dhe New York po ndërmarrin masa kundër të ashtuquajturave “junk fees” – tarifa të fshehura që e bëjnë çmimin final më të lartë se ai që konsumatori sheh fillimisht. Qëllimi është që klienti të dijë paraprakisht sa do të paguajë, pa surpriza në fund të vaktit.

Fenomeni nuk kufizohet vetëm te restorantet. Tarifat shtesë janë bërë të zakonshme edhe në hotele, platformat e rezervimeve, biletat e eventeve dhe shërbime të tjera, duke u kthyer në një nga debatet më të mëdha të ekonomisë së konsumatorit. Për bizneset ato përfaqësojnë një mënyrë për të përballuar rritjen e kostove pa rritur çmimet bazë në menu, ndërsa për klientët shpesh perceptohen si një mënyrë për ta bërë faturën më të shtrenjtë sesa pritej./ NEW YORK POST

The post Në restorante shfaqet “venue fee”; Klientët po paguajnë më shumë pa e kuptuar appeared first on Revista Monitor.

Të huajt në Shqipëri arrijnë rekordin e gati 39 mijë shtetasve, 60% e tyre për të punuar

6 August 2026 at 06:02

Në Shqipëri deri në qershor 2026 rezultojnë se janë të regjistruar gati 40 mijë shtetas të huaj, ku më shumë se gjysma e tyre po qëndrojnë në vend për të punuar.

Konkretisht, sipas të dhënave të Policisë së Shtetit për Monitor deri më 30 Qershor 2026 janë regjistruar gjithsej 38,712 leje qëndrimi të miratuara për shtetasit e huaj.

Sipas shtetësisë, numrin më të lartë të lejeve e kanë shtetasit e Kosovës me 7,302 leje duke përbërë rreth 19% të totalit të lejeve aktive të qëndrimit.

Pas tyre, numrin më të lartë e përbëjnë shtetasit nga Italia me 4,332 leje qëndrimi apo me 11% të totalit. Numri i lejeve të qëndrimit të shtetasve nga India arriti në 3,882 duke zënë 10% të totalit, nga Filipinet në 3,638 (9.3% të totalit) dhe nga Egjipti me 3,441 apo 8% të lejeve aktive.

Punësimi mbetet arsyeja kryesore e qëndrimit të shtetasve të huaj në Shqipëri. Sipas të dhënave, numrin më të madh të lejeve të qëndrimit e zënë lejet unike për punëmarrës dhe lejet unike të vetëpunësimit. Për të dyja këto kategori, numri i tyre deri në qershor 2026 arriti në 22,693 leje për punësim, duke përbërë 59% të totalit të lejeve të qëndrimit.

Numrin e të huajve të pajisur me leje unike nga punëmarrësit e kryesuan shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti. Këto vende kanë së bashku të miratuara 10,258 leje unike për punëmarrës, duke përbërë rreth 50% të totalit të punësuarve në vend.

https://monitor.al/rekord-punesimi-i-te-huajve-arrin-227-mije-shtetas-50-e-tyre-nga-filipinet-india-dhe-egjipti/

Pas tyre janë lejet për bashkim familjar. Deri në qershor 2026 numri i tyre arriti në 7,124 leje aktive duke përbërë 18% të totalit të lejeve aktive të qëndrimit.

Numri i lejeve për bashkim familjar dominohet nga shtetasit nga Kosova me 2,978 leje apo duke zënë rreth 42% të totalit të lejeve me motiv bashkimin familjar.

Edhe shtetasit italianë kanë një numër të konsiderueshëm të lejeve për bashkim familjar. Numri i tyre ka arritur në 783 leje apo 11% të lejeve për bashkim familjar. Pas tyre janë shtetasit turq të pajisur me 518 leje qëndrimi (apo 7% e totalit të lejeve për këtë kategori).

Ndërsa numri i lejeve për motivi studimi arriti në 1,261 duke përbërë 3% të totalit të lejeve aktive. Për këtë kategori lejet kryesohen nga shtetasit italiane me 462 leje apo që zënë rreth 37% të tyre. Pas tyre vijnë shtetasit indianë. Me leje studimi janë të pajisur 426 shtetas indianë apo 34% e totalit për këtë kategori lejesh.

Për lejet me motiv humanitar, numri më i madh është regjistruar për shtetasit e Iranit ku numri i tyre arrin në 2,440, ndërsa shtetasit e vendeve të tjera paraqesin një numër dukshëm më të ulët në këtë kategori./ D.Azo

The post Të huajt në Shqipëri arrijnë rekordin e gati 39 mijë shtetasve, 60% e tyre për të punuar appeared first on Revista Monitor.

INSTAT: 13% e territorit të vendit rezulton i braktisur nga 2011-2023, kryesojnë zonat malore

6 August 2026 at 06:01

Një hartë e publikuar mbi zonat e braktisura nga 2011 në 2023, në kuadër të propozimeve të reformës se territoriale bazuar në të dhënat e INSTAT, tregon se fenomeni i braktisjes është i përhapur pothuajse në të gjithë vendin, por ai shfaqet më i theksuar në zonat malore, të thella dhe me dendësi të ulët popullsie.

Sipas hartës si me poshtë sipërfaqja e klasifikuar si e braktisur arrin në rreth 13% të territorit, ose afërsisht 1,519 kilometra katrorë.

Vihet re se përqendrimi më i madh i zonave të braktisura është në veri dhe verilindje të vendit, në bashki si Tropojë, Kukës, Dibër, Mat, Mirditë, Fushë-Arrëz, Pukë dhe Malësi e Madhe.

Në këto zona, njollat e kuqe që tregojnë braktisjen janë më të dendura dhe më të shpërndara në hapësira të gjera, çka sugjeron tërheqjen e popullsisë nga fshatrat dhe vendbanimet periferike.

Fenomeni është i dukshëm edhe në brezin qendror-lindor të vendit, duke përfshirë zona të Librazhdit, Elbasanit, Gramshit, Përrenjasit dhe Skraparit, si dhe në disa pjesë të Beratit e të Korçës.

Edhe në jug, harta tregon prani të konsiderueshme të zonave të braktisura në bashki si Përmeti, Tepelena, Kolonja, Memaliaj, Gjirokastra dhe zona të tjera të brendshme.

Në krahun tjetër, korridori perëndimor dhe qendrat urbane më të mëdha paraqiten më pak të prekura nga braktisja. Zona me dendësi më të lartë popullsie, si Tirana, Durrësi, Fieri dhe pjesë të bregdetit, shfaqin grumbullime më të forta të popullsisë dhe relativisht më pak sipërfaqe të braktisura në bërthamën e tyre, edhe pse në periferi dhe në njësitë më të largëta shfaqen sërish vatra braktisjeje.

Harta konfirmon një zhvendosje të vazhdueshme të popullsisë nga zonat rurale, malore dhe me akses më të dobët drejt qendrave urbane dhe ultësirës perëndimore.

Braktisja e rreth 13% të territorit të vendit është pasojë e një sërë faktorësh ekonomikë dhe demografikë. Shkaku kryesor lidhet me tkurrjen ekonomike të fshatrave dhe zonave malore, ku mungesa e mundësive për punësim dhe vështirësitë në sigurimin e të ardhurave e bëjnë jetesën e përditshme të pamundur për banorët.

Kjo situatë rëndohet ndjeshëm nga mungesa e shërbimeve thelbësore publike, si infrastruktura rrugore e amortizuar, mungesa e transportit publik, si dhe vështirësitë në aksesimin e kujdesit shëndetësor dhe arsimit cilësor në zonat e thella.

Emigracioni i lartë dhe largimi masiv i popullsisë, veçanërisht i shtresës së re, drejt qendrave urbane brenda vendit apo jashtë shtetit kanë lënë pas zona të tëra të boshatisura. Plakja e popullsisë në këto rajone ka përshpejtuar rënien demografike, duke sjellë shuarje natyrore të vendbanimeve.

Kjo ecuri ka krijuar polarizim territorial, ku përqendrimi i investimeve, zhvillimit dhe mundësive ekonomike në korridorin perëndimor dhe në qendrat e mëdha urbane ka tërhequr popullsinë, duke lënë pas në harresë të thellë fshatrat dhe zonat periferike./ B.Hoxha

Screenshot

The post INSTAT: 13% e territorit të vendit rezulton i braktisur nga 2011-2023, kryesojnë zonat malore appeared first on Revista Monitor.

Francezët zgjerojnë epërsinë në Airbnb-të shqiptare, gjermanët të dytët por pesha e tyre në rënie

6 August 2026 at 06:00

Francezët po forcojnë pozicionin si tregu kryesor i huaj për qiratë ditore në Shqipëri, ndërsa vizitorët nga Shtetet e Bashkuara po i afrohen Gjermanisë në renditjen e netëve të qëndrimit.

Të dhënat e AirDNA për periudhën 12-mujore të mbyllur në qershor 2026 tregojnë se 17.7% e netëve në strukturat shqiptare të listuara në platformat e qirave afatshkurtra u rezervuan nga vizitorë francezë. Një vit më parë, pesha e tyre ishte 15%.

Franca jo vetëm ruajti vendin e parë, por regjistroi edhe rritjen më të fortë mes tregjeve kryesore, me një zgjerim prej 2.7 pikësh përqindjeje brenda një viti.

Gjermania mbeti tregu i dytë, por pesha e saj zbriti në 13.39%, nga 13.7% në periudhën e mëparshme. Menjëherë pas saj renditen Shtetet e Bashkuara, që siguruan 12.99% të netëve të qëndrimit, nga 11.7% një vit më parë.

Diferenca mes Gjermanisë dhe SHBA-së është ngushtuar në vetëm 0.4 pikë përqindjeje, duke reflektuar rritjen e pranisë së vizitorëve amerikanë në tregun shqiptar të akomodimit afatshkurtër.

Mbretëria e Bashkuar renditet e katërta me 11.4% të netëve, por pesha e saj ra nga 12.62%. Në rënie ishin edhe Holanda dhe Italia. Vizitorët holandezë përfaqësuan 4.15% të qëndrimeve, nga 5.17%, ndërsa italianët zbritën në 3.75%, nga 4.93%.

Kanadaja vijoi të fitojë terren, duke arritur në 3.43% të netëve të qëndrimit, nga 2.94% një vit më parë.

Vizitorët vendas përfaqësuan vetëm 2.91% të totalit, nga 3.05% në periudhën e mëparshme.

Kjo do të thotë se rreth 97.1% e netëve të regjistruara në Airbnb dhe platformat e ngjashme në Shqipëri erdhën nga klientë të huaj. Tregjet e tjera, jashtë vendeve të identifikuara veçmas nga AirDNA, përbënë së bashku 30.28% të qëndrimeve./N.Maho

Screenshot

The post Francezët zgjerojnë epërsinë në Airbnb-të shqiptare, gjermanët të dytët por pesha e tyre në rënie appeared first on Revista Monitor.

❌