Asgjë e re nga fronti i SelfCare
Sot shënohet dita e 15-të e bllokimit të sistemit të fiskalizimit SelfCare, i cili siç raportojnë ekonomistët dhe bizneset që nga data 20 janar nuk arrin të funksionojë siç duhet.
Edhe pas njoftimeve të AKSH-it dhe Tatimeve për funksionim të sistemit, bizneset dhe ekonomistët ngritën sërish shqetësimin për mosfunksionimin të rregullt të tij.
Sot ekonomistët dhe bizneset raportojnë se nga SelfCare, platforma e fiskalizimit që funksionon nëpërmjet portalit e-Albania, nuk kryhen operacione hyrje-dalje, teksa aktualisht fiskalizimi bëhet, por faturat nuk printohen dhe po menaxhohen manualisht prej zyrave të financave.
“Që nga data 20 janar sistemi është i bllokuar dhe nuk funksionon fare. Nuk kryhen dot veprime hyrje-dalje (as jep as merr). Fiskalizimi kryhet, por nuk është e mundur printimi nga portali; faturat po printohen manualisht nga financa. Problemi vazhdon edhe sot, pa asnjë përmirësim”, pohon Suela ekonomistë pranë një kompani biznesi.
Të vetëpunësuarit e vetëm janë ata që po pengohen më shumë në aktivitetin e tyre nga mosfunksionimi i sistemit SelfCare. Ky i fundit është portali i fiskalizimit i vendosur në dispozicion nga Administrata Tatimore që mundëson procesin e fiskalizimit të faturave të shitjes, deklaratave doganore, ngarkimin e certifikatës së fiskalizimit dhe ndryshimet në të, etj.
Në mënyrë jozyrtare, “Monitor” mëson se të vetëpunësuarve të vetëm u është sugjeruar që të blejnë shërbime me pagesë pranë kompanive private, si alternativë për zgjidhjen e problemit.
Sipas INSTAT, në vend ka rreth 40 mijë biznese të vetëpunësuar, ose rreth 30% e totalit, por nuk ka të dhëna se sa prej tyre janë të vetëpunësuar të vetëm. Aktiviteti i këtyre të fundit është tërësisht i bllokuar prej gati 3 javësh për shkak të mosfunksionimit të programit SelfCare.
Nëse të vetëpunësuarit të vetëm do të shkojnë drejt blerjeve të pajisjeve për lëshimin e faturave të fiskalizimit, kjo pritet të sjellë kosto shtesë për këtë kategori.
Më 29 janar Tatimet njoftuan se problematika e konstatuar ditët e fundit në aksesimin e Platformës Qendrore të Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara është zgjidhur, dhe se platforma prej pasdites së 28 janarit, është në shërbim të plotë dhe funksionon normalisht.
https://monitor.al/tatimet-problemet-me-self-care-jane-zgjidhur-platforma-teresisht-funksionale/
Edhe pas këtij njoftimi, shumë subjekte raportuan për probleme, që vazhdojnë edhe sot.
“Nxitimi për të përgënjeshtruar problemet e pazgjidhura thjesht sa do të thellojë mosbesimin në infrastrukturën kritike dhe aftësinë e shtetit dhe për të justifikuar shpenzimet e larta të buxhetit të shtetit për shërbime që lënë për të dëshiruar”, shkruajti më herët një lexues.
Shqetësim tjetër i bizneseve lidhet me inventarin. Administrata tatimore u ka kërkuar bizneseve që të dorëzojnë inventarët deri në fund të janarit.
The post Asgjë e re nga fronti i SelfCare appeared first on Revista Monitor.