Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 January 2026Opinion.al

Sauditët mbështesin Trump: Nuk e kundërshtojmë sulmin ndaj Iranit

By: e xh
31 January 2026 at 14:48

Në publik bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe zgjidhje diplomatike, por pas kuintave. Arabia Saudite duket se nuk i kundërvihet një sulmi të mundshëm amerikan ndaj Iranit.

Axios citon informacione të siguruara gjatë një takimi privat në Uashington, ku ministri saudit i Mbrojtjes, princi Khalid bin Salman, ka dhënë sinjale se Riadi nuk do t`i kundërvihej një ndërhyrje ushtarake të SHBA-së ndaj regjimit të ajatollahëve.

Madje, përkundrazi, sipas katër burimeve që ishin të pranishme në takim, princi Khalid ka shprehur bindjen se nëse Shtetet e Bashkuara nuk veprojnë ndaj Teheranit, regjimi iranian do të dalë edhe më i fuqishëm nga situata aktuale. Analistët vlerësojnë se ky “dualizëm diplomatik” pasqyron frikën e vazhdueshme të sauditëve nga shtrirja e influencës së Iranit në Lindjen e Mesme.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa çdo veprim i SHBA-së ndaj Republikës Islamike pritet të ketë pasoja të gjera jo vetëm për marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin e mbarë rajonit. Zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë thuhet se do të kishin mbështetjen e një aleati kyç të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, në rast se presidenti Donald Trump autorizon një sulm amerikan ndaj Iranit. Sipas Drop Site Neës, sulmet mund të nisin që të dielën, nëse SHBA vendos të veprojë.

Përveç qëllimit për të goditur objekte bërthamore, balistike dhe ushtarake, sulmet do të synonin gjithashtu shënjestrimin e qeverisë iraniane, dhe sidomos udhëheqjen dhe kapacitetet e Gardës Revolucionare.

Arrihet kompromis për azilin në Gjermani, shtohen kthimet, por edhe punësimet

By: e xh
31 January 2026 at 14:26

Partitë në pushtet në Gjermani, CDU/CSU dhe SPD, kanë arritur një kompromis për zbatimin e Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit-GEAS-, me qëllim kufizimin e emigracionit të paligjshëm dhe përshpejtimin e procedurave të azilit.

Një nga pikat kryesore të marrëveshjes ka të bëjë me të ashtuquajturat “raste të Dublinit”, apo azilkërkuesit që janë regjistruar ose kanë aplikuar për azil në një vend tjetër të BE-së. Këta persona mund të mbahen deri në tre muaj në qendra të posaçme azili, me qëllim lehtësimin e kthimeve dhe parandalimin e zhdukjes së tyre para deportimit. Vendimi për hapjen e këtyre qendrave u lihet lëndëve federale dhe kërkon gjithashtu miratimin e Bundesratit, apo dhomës së përfaqësimit të lëndëve.

Masat e reja nuk do të zbatohen në mënyrë të njëjtë për të gjithë. Sipas SPD-së, fëmijët, familjet dhe grupet e cenueshme duhet të mbrohen nga kufizime të panevojshme. Parashihet që të mos ketë ndalim për fëmijët, të sigurohet kujdes shëndetësor i përshtatshëm dhe që familjet, si rregull, të mund të largohen nga qendrat e pritjes pas gjashtë muajsh. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me tregun e punës. Azilkërkuesit dhe personat e toleruar do të kenë mundësi të punojnë pas tre muajsh qëndrimi, në vend të gjashtë muajve si më parë.

Qeveria synon gjithashtu të përmirësojë kujdesin shëndetësor për fëmijët refugjatë, duke ofruar ekzaminime më të gjera gjatë 36 muajve të parë të qëndrimit. Megjithatë, marrëveshja është kritikuar ashpër nga organizatat për të drejtat e njeriut. PRO ASYL paralajmëron se ligji i ri sjell masa më shtrënguese sesa kërkon vetë legjislacioni i BE-së, përfshirë kufizime të lëvizjes dhe ndalime, që sipas kritikëve mund të prekin edhe fëmijët dhe grupet e cenueshme.

Reforma e GEAS-it, e miratuar nga BE-ja në vitin 2024, synon ta bëjë sistemin evropian të azilit më efikas dhe të zhvendosë procedurat kryesisht në kufijtë e jashtëm të Unionit. Rregullat e reja pritet të hyjnë në fuqi në të gjitha vendet e BE-së deri në qershor 2026, ndërsa në Gjermani miratimi ligjor mund të ndodhë që në shkurt.

Ndërron jetë Catherine O’Hara, “mamaja” e Kevinit

By: e xh
31 January 2026 at 14:24

Bota e filmit dhe televizionit është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të aktores së njohur Catherine O’Hara, e cila u shua në moshën 71-vjeçare. Ikona e komedisë, e dashur për rolet e saj në Schitt’s Creek, Home Alone, Best in Show dhe Beetlejuice, ka ndërruar jetë të premten në mëngjes, sipas burimeve të afërta për TMZ. Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende publik.

Një zëdhënës i Departamentit të Zjarrfikëses së Los Angeles konfirmoi për Daily Mail: “Në orën 4:48 të mëngjesit iu përgjigjëm një thirrjeje për ndihmë mjekësore dhe transportuam një grua rreth 70 vjeç në gjendje serioze.”

O’Hara lë pas bashkëshortin e saj prej më shumë se 30 vitesh, Bo Welch, si dhe dy djemtë, Matthew dhe Luke. Paraqitja e saj e fundit publike ishte në ceremoninë e Emmy-t në shtator, ku u shfaq e dobësuar në tapetin e kuq.

Aktorja u bë një emër i njohur botërisht si nëna e Kevin McCallister në dy filmat e parë Home Alone, “I vetëm në Shtëpi”, ndërsa kulmin e karrierës e arriti me rolin e Moira Rose në serialin Schitt’s Creek, duke fituar një çmim Emmy në vitin 2020.

Rey Manaj i jep fund aventurës në Emiratet e Bashkuara Arabe,largohet nga Al Sharjah

By: e xh
31 January 2026 at 14:21

Rey Manaj i ka dhënë fund zyrtarisht aventurës së tij në kampionatin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi i Al Sharjah përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka njoftuar për zgjidhjen e kontratës në mënyrë konsensuale me Manaj.

Klubi i uruar gjithashtu fat dhe sukses në karrierën e tij në të ardhmen sulmuesit të Kombëtares shqiptare.

Kujtojmë se prej javësh përflitej për largimin e Rey Manajt nga Al Sharjah, por tani u konfirmua gjithçka.

Futbollisti shqiptar në këtë mënyrë hoqi dorë nga një kontratë prej 3.9 milionë eurosh në mënyrë që të largohej nga ekipi.

Mbetet për t’u parë tani se cili do të jetë destinacioni i ri i Manajt, megjithëse përflitet se sulmuesi të kthehet sërish në Turqi, te skuadra nga e cila edhe u largua Sivasspor.

Endri Shabani dërgon vëzhgues në protestën e Adriatik Lapajt

By: e xh
31 January 2026 at 14:13

Zyra e Avokatit të Popullit, institucion që drejtohet nga Endri Shabani, ka njoftuar se, në kuadër të ushtrimit të mandatit te tij kushtetues për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ka ndërmarrë masa për monitorimin e protestës së organizuar sot nga partia “Shqipëria Bëhet”.

Shabani, dikur drejtues i Nismës Thurrje, ishte në koalicion me Lapajn në zgjedhjet e kaluara parlamentare, ku morën vetëm një mandat.

“Një ekip vëzhguesish të Avokatit të Popullit është angazhuar në terren, ndërsa strukturat përkatëse janë vënë në gatishmëri për të qenë të pranishme, sipas nevojës, në ambientet e komisariateve të policisë dhe institucioneve shëndetësore. Ky angazhim synon ndjekjen nga afër të çdo veprimi pasues dhe garantimin e respektimit të standardeve ligjore dhe të të drejtave të qytetarëve”, njofton zyra e Avokatit të Popullit.

“Avokati i Popullit do të vijojë monitorimin e situatës dhe do të ushtrojë kompetencat e tij ligjore në përputhje me zhvillimet në terren”.

Protesta e thërritur nga “Shqipëria Bëhet” është parashikuar të zhvillohet në orën 17:00.

Integrimi, Spiropali: Viti 2026 vendimtar, avancojmë për mbylljen e negociatave

By: e xh
31 January 2026 at 14:12

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mori pjesë në Forumin e Dialogut “Edhe disa hapa drejt BE-së”, organizuar në Vlorë nga ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj.

Spiropali iu bashkua panelit të diskutimit në krah të raporterit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, Ambasadorja e Francës në Shqipëri Catherine Suard dhe Ambasadori i Spanjës në vendin tonë, Gabriel Ventura.

Në hapje të fjalës së saj, Spiropali u ndal në rezultatet konkrete që e kanë afruar Shqipërinë më pranë familjes europiane.

Në vetëm 13 muaj, nga tetori 2024 deri në nëntor 2025, falë një vizioni të qartë, pune të ditëpërditshme, përpjekjesh të përbashkëta dhe një koordinimi të vendosmerisë politike me aftësinë institucionale, kemi hapur, së bashku me Komisionin Europian dhe me Vendet Anëtare, 33 kapitujt e negocimit.

Gjatë muajve të fundit, si asnjëherë më parë me këtë ritëm, kemi punuar me ngulm për të arritur sa më parë piketat e ndërmjetme për Themeloret. Pak ditë më parë në Parlament u miratua paketa e fundit legjislative, duke i dhënë procesit peshën dhe seriozitetin që kërkon e meriton, për avancimin sa më parë me fazën vijuese, edhe me kërkuese e sfiduese, atë të fillimit të mbylljes së kapitujve. 2026 është vit vendimtar për objektivin tonë për mbylljen e kapitujve brenda vitit 2027“.

Këto rezultate, sipas saj, nuk janë fakte të thata apo tregues statistikorë, por një sinjal politik se Shqipëria ka ndërtuar kapacitetin për të ecur me ritmin e BE-së dhe besimin për të merituar bashkimin me Europën.

Reformat që kemi ndërmarrë nuk janë të lehta. Janë reforma që prekin drejtësinë, administratën, luftën kundër korrupsionit, ekonominë, standardet, mënyrën se si funksionon shteti dhe shoqëria shqiptare. Por këto reforma nuk janë bërë për të kaluar një provim europian. Janë bërë sepse Shqipëria ka nevojë e po ndërton jo pa sfida, një shtet më të

drejtë, institucione demokratike e të qëndrueshme, një ekonomi më të hapur e më konkuruese, me më shumë mundësi e mirëqenie për të gjithë qytetarët e saj. Dhe kjo është arsyeja pse sot mund të themi se integrimi nuk është më vetëm aspiratë. Është një proces i mbështetur në kapacitet real shtetëror“, shtoi Spiropali.

Ministrja nënvijëzoi se “integrimi nuk është vetëm çështje e Shqipërisë, por edhe çështje e vetë Europës.”

Në një moment kur rendi ndërkombëtar është në tension,

kur siguria europiane vihet në provë, dhe kur besueshmëria e projekteve politike matet me rezultate, zgjerimi nuk është luks. Është domosdoshmëri strategjike. Ballkani Perëndimor nuk është periferia e Europës.

Është një nga pikat ku përcaktohet nëse Europa është një projekt që zgjeron stabilitet apo një projekt që kufizohet në vetvete. Në këtë kontekst, Shqipëria nuk kërkon thjesht të hyjë në Bashkimin Europian. Ajo kërkon të kontribuojë në të. Ne jemi plotësisht të linjëzuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Europian. Jo sepse na kërkohet, por sepse besojmë se siguria dhe  orientimi ynë janë të pandashëm nga Europa“, deklaroi Spiropali.

Për Ministren e Jashtme, Shqipëria ka nevojë për Bashkimin Europian, por edhe Bashkimi Europian ka nevojë për Shqipërinë.

Për një Ballkan Perëndimor të ankoruar fort në Europë,  për një partner që ndan vlera dhe përgjegjësi, për një zgjerim që forcon, jo që dobëson projektin europian. Sot, në Europë, ka edhe zëra që duan ta ndalin zgjerimin. Ka forca që duan të mbyllin dyert.

Kjo do të thotë se për ne beteja nuk është vetëm teknike. Është edhe politike. Është edhe morale. Kjo është arsyeja pse sot më shumë se kurrë kemi nevojë të bashkohemi për ëndrrën tonë historike, interesin tonë kombëtar dhe të ardhmen e të gjithë fëmijëve të Shqipërisë. Të mos i japim askujt brenda dhe jashtë Shqipërisë mundësi për keqdashje. Të mos lejojmë të dëmtohet ajo që kemi ndërtuar me shumë mund. Marrëdhënia që ne synojmë nuk është marrëdhënie periferie. Është marrëdhënie bashkëpunimi. Jo pritjeje, por bashkë-ndërtimi. Në këtë kuptim, “ata pak hapa të fundit” nuk janë vetëm hapat e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Janë edhe hapat e Bashkimit Europian drejt një Europë më të plotë dhe më të sigurt. Kjo është arsyeja pse ne e shohim integrimin jo si një vijë përfundimi, por si proces transformues që na afron gjithnjë e më shumë në përgjegjësi, në standarde por edhe në kontributin e përbashkët për ta mbajtur Europën të begatë, hapësirë të lirisë e të paqes, dhe për ta bërë edhe më të fortë e më të sigurt“, përfundoi Spiropali.

Pazaret e Epstein/ E reja nga Tirana kërkoi punë, “ndërmjetësi” i kërkon video

By: e xh
31 January 2026 at 12:55

Në 3 milionë faqet e reja të publikuara lidhur me dosjen e Jeffrey Epstein shfaqet edhe emri i një vajze shqiptare, e cila rezulton që të ketë aplikuar për një vend pune si asistente personale. Sipas materialeve, rezulton që e reja me iniciale E.T., të ketë aplikuar në mars 2017.

Fillimisht ajo ka dërguar një CV, një personi ndërmjetësi (emri i të cilit është i mbuluar në dokumente), duke shprehur interes për pozicionin e punës. Sipas të dhënave të CV-së që shqiptarja kishte dorëzuar për të aplikuar për këtë pozicion pune, rezulton se jetonte në Tiranë.

“Përshëndetje, jam e interesuar për punën për të cilën i thatë Evan Luthra-s, por unë nuk jam me bazë në SHBA. A është kjo problem?”, thuhet në emailin që ka dërguar e reja.

Në vijim të komunikimit, personi tek i cili po aplikonte për punë, i kërkon asaj që të dërgojë “3 foto me cilësi të mirë dhe CV-në”. Kandidatja më pas përcjell dokumentet dhe tre foto personale.

Pas marrjes së materialeve, i njëjti person ia përcjell email-in Jeffrey Epstein, duke e informuar se bëhet fjalë për një vajzë 21–22 vjeçe. Edhe pse në CV thuhet se vajza jeton në Tiranë, personi që i dërgon emailin Epstein i thotë se ajo jeton në Paris, duke e pyetur: “A duhet ta intervistoj këtë?”

Në listën e bashkëngjitjeve të email-it, përveç CV-së dhe fotografive, rezulton që e reja t’i ketë dërguar edhe një video për kandidimin e saj. Nga dokumentet nuk rezulton që vajza shqiptare të ketë pasur komunikim të drejtpërdrejtë me Epstein.

Protesta, Berisha: Qëndrimi në shesh derisa të largohet Rama, rruga e vetme

By: e xh
31 January 2026 at 12:48

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ftoi edhe një herë qytetarët të jenë të shumtë në numër në protestën e paralajmëruar për t’u zhvilluar në 10 shkurt, në orën 17:00.

“Ka një panik të madh nga narko-nomenklatura, nga organizata kriminale dhe tellallët e saj në mediat e blera. Kanë një javë që nuk pushojnë me tërbim kundër qytetarëve protestues, protestës dhe përpiqen me shiringa të mbajnë, t’i japin zemër Edi Ramës, i cili ç’është e vërteta është në kohërat e fundit të regjimit të tij të urryer për shqiptarët”, tha Berisha në një bashkëbisedim online me qytetarët këtë të shtunë.

“Siç e patë vetë, ai nuk dorëzon dot për asnjë rrethanë, asnjë mundësi imunitetin e Lubi Ballukut sepse e di se duhet të dorëzojë lëkurën e tij, karrigen e tij. Dje u paraqit në Divjakë para fermerëve me Ballukun në krah, por i tronditur gjer në palcë, kërcënues dhe arrogant ndaj fermerëve që haptas i shprehnin pakënaqësitë e mëdha, denonconin politikat e tij kundër fermerëve shqiptarë. Pra, mund të themi se regjimi po ecën drejt agonisë dhe gjithçka varet nga ne, nga opozita shqiptare. Gjithçka varet nga kryengritja paqësore që nuk duhet të ndalet kurrë gjer në përmbysjen e Edi Ramës. Pikërisht në këtë kuadër, ne thirrëm protestën tjetër me datën 10 shkurt, ditën e martë, në mënyrë që të marrim dhe njëherë paralajmërimin më serioz për largimin e tyre nga pushteti. Miq, gjatë këtyre ditëve janë me qindra qytetarë dhe qytetare që kërkojnë me shumë të drejtë që në protestë të mos largohemi nga sheshi pa realizimin e qëllimit tonë. Kjo është një kërkesë jashtëzakonisht e drejtë dhe është rruga e vetme efikase për të larguar këtë regjim nga pushteti. Por kjo kërkon nga secili nga ne që të bindim gjithnjë e më shumë qytetarë se qëndrimi në shesh për aq kohë sa ta largojmë regjimin është rruga më e sigurt e fitores tonë. U garantoj se drejt asaj në mënyrë të pandalshme do të shkojmë. Edi Rama të bëjë ç’të dojë, mbrapa diellit të shkojë, shpresë nuk ka, do shkojë aty ku e ka vendin, aty ku e kanë vendin hajdutët dhe kriminelët që qeverisin një vend me lidhje të forta me kartelet e drogës, krimin dhe farsë elektorale”.

I pyetur për mundësinë e zhvillimit të protestave paralele në disa qytete, Berisha u përgjigj: “Ju rikujtoj këtu se, pasardhësit direkt të bllokmenëve nuk pyesin për Shqipërinë tjetër, përveç Tiranën e karrigeve. Më kujtohet si sot, kur Ramiz Aliaj thoshte se, Kavajën nuk e qeverisim ne, por ai gjithnjë kishte hallin e Tiranës. Ndaj dhe ne duhet të ua bëjmë ferr kësaj organizate kriminale, Tiranën. Kjo është arsyeja se pse ne përqendrohemi tërësisht në Tiranë”.

Protesta në Vlorë/Tregtarët përballen me Spiropalin,ankohen për zhvendosjen e tregut

By: e xh
31 January 2026 at 12:07

Në ditën e pestë të protestës, tregtarët e Tregut të Madh të Vlorës janë mbledhur serish sot kundër zhvendosjes nga vendi ku ushtrojnë aktivitetin e tyre aktual. Ata shprehen se nuk janë kundër zhvillimit, por spostimi i tyre drejt Jalisë së Nartës është shkatërrim, pasi nuk ka asnjë kusht dhe është gati 3 km larg, gjë që sjell mbylljen përfundimtare të aktivitetit të tyre.

Paraditen e sotme, protesta u zhvendos përpara Teatrit “P. Marko” të Vlorës, ku pritej të zhvillohej një event ndërkombëtar, ku pritej që të vinte edhe kryeministri Rama, por ka mbërritur ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali.

Tregtarët zgjodhën këtë moment për të bërë zërin e tyre më të dëgjueshëm, duke protestuar gjatë kalimit të ministres Elisa Spiropali. Gjatë situatës, Spiropali ndaloi dhe u kthye për të komunikuar drejtpërdrejt me protestuesit.

“Bravo që erdhe”, i thonë qytetarët.

Unë do flas tani me kryetaren e bashkisë dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak. Edhe bashkia ka një plan të saj të zhvillimit“, u tha ministrja qytetarëve.

Pas këtij komunikimi të shkurtër, Spiropali u largua për të marrë pjesë në eventin ndërkombëtar, ndërsa tregtarët vijuan protestën, duke kërkuar zgjidhje konkrete dhe dialog me autoritetet lokale.

Dosja “Epstein”/ Ish-Sekretari i Përgjithshëm i KiE: Isha në Tiranë, vajza të…

By: e xh
31 January 2026 at 11:48

Një email i datës 25 maj 2012 tregon se Thorbjørn Jagland, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës në atë periudhë, i ka dërguar një mesazh Jeffrey Epstein, një ditë pas një vizite zyrtare në Shqipëri. Në komunikimin elektronik, Jagland shkruan shkurt: “Kam qenë në Tiranë, vajza të jashtëzakonshme”

Email-iështë dërguar më 25 maj 2012, ndërsa vizita zyrtare e Jagland në Shqipëri është zhvilluar më 24 maj 2012, sipas axhendave dhe burimeve publike.

Sipas arkivave zyrtare, gjatë vizitës së tij në Tiranë, Jagland ka zhvilluar takime institucionale me Edmond Haxhinaston, ministër i Jashtëm i kohës, Sali Berishën, kryeministër, Bamir Topin, president i Republikës. Vizita ishte pjesë e angazhimeve të Këshillit të Europës në Shqipëri.

Thorbjørn Jagland ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, institucioni paneuropian që mbikëqyr demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës në 47 vende. Ai ka qenë gjithashtu ish-kryeministër dhe ish-ministër i Jashtëm i Norvegjisë.

Email-i i publikuar nuk përmban detaje mbi takime private apo aktivitete jashtë axhendës zyrtare të vizitës në Tiranë. Komenti i bërë në këtë komunikim privat nuk shoqërohet me shpjegime apo kontekst shtesë dhe, deri më tani, nuk ka prova publike që të tregojnë për ndonjë vijimësi konkrete përtej këtij mesazhi.

Megjithatë, fakti që ky komunikim është zhvilluar me Jeffrey Epstein, një figurë e përfshirë më vonë në skandale të rënda ndërkombëtare, ngre pikëpyetje mbi natyrën e marrëdhënieve dhe kontakteve private me figura të larta institucionale, çështje që mbeten ende të paqarta dhe të hapura për sqarim.

Heroinë dhe kokainë/ Arrestohet 45-vjeçari në Durrës, përplas dhe makinën e policisë

By: e xh
31 January 2026 at 10:39

Një 45-vjeçar është arrestuar këtë të shtunë në Durrës, pasi është përfshirë në shitje drogash të forta si kokainë, heroinë, posedim të armëve te ftohta dhe vjedhje.

Gjatë tentativës për t’u arratisur nga vendi i ngjarjes, 45-vjeçari përplasi me makinën ën drejtonte, automjetin e Policisë.

Njoftimi i policisë:

-I përfshirë në shitje drogash të forta, autor i dyshuar vjedhjesh dhe posedues armësh të ftohta, arrestohet 45-vjeçari.

I arrestuari, gjatë tentativës për t’u larguar, përplasi me automjetin që drejtonte në efektin e lëndëve narkotike, automjetin e Policisë që i ishte vënë në ndjekje.

Nga kontrolli në automjet u gjetën sasi Heroine, sasi Kokaine dhe 1 elektroshok.

-Shpallet në kërkim 1 bashkëpunëtor i 45-vjeçarit, në vjedhje, dhe 1 bashkëpunëtor tjetër, në shitjen e lëndeve narkotike (ky i fundit i kishte dhënë 45-vjeçarit, automjetin, me qira).

-Procedohet penalisht një shok i 45-vjeçarit, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanosi një shtetas, me pistoletë lodër.

Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe koordinimit të veprimeve operacionale, menjëherë pas një kallëzimi të marrë për një rast kanosjeje, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, finalizuan operacionin e koduar “Përfshirja e shumëfishtë”.

Gjatë operacionit u identifikua shtetasi që dyshohet se kishte kanosur kallëzuesin, për motive të dobëta, E. H., 36 vjeç, banues në Kavajë, për të cilin nisi procedimi penal në gjendje të lirë. Në automjet, 36-vjeçarit iu gjet pistoleta lodër me të cilën dyshohet se kreu kanosjen. Sendi u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Në momentin e konstatimit të 36-vjeçarit, ai shoqërohej me shtetasin J. I., 45 vjeç, banues në Durrës, i cili sapo ka parë afrimin e shërbimeve të Policisë, është larguar me shpejtësi, me automjet. Shërbimet i janë vënë menjëherë në ndjekje dhe kanë mundësuar arrestimin e tij. 45-vjeçari gjatë lëvizjes me shpejtësi, ka përplasur me automjet, automjetin e Policisë. Si pasojë pati vetem dëme materiale.

Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi J. I. e drejtonte automjetin që kishte marrë me qira nga shtetasi B. M., 51 vjeç, në efektin e lëndëve narkotike. Nga kontrolli në automjet u gjetën sasi drogash të forta (Heroinë dhe Kokainë) dhe 1 elektroshok.

Si rezultat i verifikimeve të mëtejshme dyshohet se shtetasi J. I., në bashkëpunim me shtetasin V. K., 32 vjeç, ka vjedhur mëngjesin e djeshëm, në një servis për automjete, bateri automjeti dhe sasi nafte.

Vijon puna për kapjen e 2 bashkëpunëtorëve të 45-vjeçarit, si dhe vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për të dokumentuar plotësisht, me prova ligjore veprimtaritë kriminale ku është përfshirë ky shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

“Kur do ta vizitojmë ishullin tuaj”, publikimi i mesazheve me Epstein, reagon Musk

By: e xh
31 January 2026 at 10:35

Elon Musk ka reaguar pas publikimit të një email-i të vitit 2013 drejtuar Jeffrey Epstein, duke deklaruar se kontaktet e tij me financuesin e ndjerë kanë qenë minimale dhe se ai i ka refuzuar vazhdimisht ftesat për ta vizituar.

Në një reagim në platformën X, Musk tha se ishte “shumë i vetëdijshëm” se disa email-e mund të keqinterpretoheshin dhe të përdoreshin për të dëmtuar reputacionin e tij.

“Askush nuk ka shtyrë më shumë se unë për publikimin e dosjeve të Epstein dhe jam i lumtur që kjo më në fund ndodhi”, shkroi ai.

Miliarderi theksoi se kishte refuzuar ftesat për të vizituar ishujt privatë të Epstein në SHBA apo për të udhëtuar me avionin e tij, të njohur si “Lolita Express”. Sipas Musk, interesi i tij kryesor mbetet ndjekja penale e personave që kanë kryer krime të rënda në lidhje me Epstein.

Megjithatë, dokumentet e publikuara tregojnë se më 13 dhjetor 2013, Musk i kishte dërguar një email Epsteinit, duke e informuar se do të ndodhej në Ishujt Britanikë dhe në Shën Barthélemy gjatë festave dhe duke e pyetur nëse kishte një kohë të përshtatshme për ta vizituar. Epstein iu përgjigj se fillimi i vitit të ri do të ishte i përshtatshëm, duke shtuar se “gjithmonë ka vend për ty”.

Nga korrespondenca nuk rezulton qartë nëse Musk ka vizituar ndonjëherë ishujt e Epstein. Megjithatë, emailet zbulojnë një nivel komunikimi mes tyre që nuk ishte bërë publik më parë, në kontrast me përpjekjet e mëvonshme të Musk për t’u distancuar nga Epstein.

Në të kaluarën, gjatë përplasjes së tij me presidentin Donald Trump, Musk kishte sugjeruar se publikimi i dosjeve të Epstein po vonohej për shkak se emra të rëndësishëm përfshiheshin në to. Kjo përplasje shënoi edhe një prishje të marrëdhënieve mes tij dhe Trump, me të cilin kishte bashkëpunuar më herët.

Epstein akuzonte Trump për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me të mitura

By: e xh
31 January 2026 at 09:54

Emri i Donald Trump shfaqet më shumë se 3,200 herë në 3 milionë faqet mbi çështjen Epstein të publikuara nga Departamenti  Amerikan i Drejtësisë. Dhe disa dëshmi të paverifikuara, hedhin disa fakte të errëta mbi të kaluarën e presidentit amerikan dhe shënojnë një nga pikat më të ulëta në historinë e kohëve të fundit në Amerikë.

Grupi i fundit i faqeve të publikuara mbi rrjetin pedofil të ngritur nga Jeffrey Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019, përmban gjithashtu 2,000 video dhe 180,000 imazhe. Ndërkohë tre milionë dokumente të tjera mund të mos e shohin kurrë dritën e ditës.

Faqet e reja të publikuara u njoftuan çuditërisht jo nga Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi, e cila sipas hipotezave u la mënjanë nga Trump për trajtimin e skandalit, por nga zëvendësi i saj, Todd Blanche, ish-avokati i presidentit.

“Ka një uri të madhe për lajme, por nuk mendoj se do të kënaqet nga dokumentet e reja”, tha ai.

Brenda pak minutash, stafi editorial i gazetave kryesore amerikane vendosi ekipe gazetarësh që kërkonin referenca për Trump. Nuk u gjetën prova të dokumentuara, por dëshmitë – sa të besueshme janë nuk dihet.

Një faqe dokumenti përshkruan një vajzë 13 ose 14-vjeçare e cila, 35 vjet më parë, dyshohet se e kafshoi Trumpin ndërsa po detyrohej të kryente marrëdhënie intime me të. Një tjetër përshkruan një vajzë 13-vjeçare që mbeti shtatzënë dhe u detyrua të abortonte. Një faqe tjetër përshkruan një ankand të të miturve në të cilin mori pjesë manjati.

“Donald Trump, presidenti”, thuhet aty, “mbante festa në Mar-a-Lago të quajtura ‘vajzat e kalendarit’. Jeffrey Epstein i sillte vajzat dhe Trump i nxirrte në ankand”.

“Të ftuarit ishin burra të mëdhenj në moshë, mes tyre edhe Elon Musk”.

“Ne mbaheshim në dhoma, të detyruara të kryenim marrëdhënie me Donald Trump. Isha 13 vjeç kur Donald Trump më përdhunoi. Ghislaine Maxwell ishte gjithashtu e pranishme”.

Në këto faqe të publikuara përmenden edhe festa ku dëshmitarët pretendojnë se manjati pagoi për kryerjen e marrdhënieve seksuale. Në vitin 1987, një vajzë përfundoi në Trump Plaza për një takim me manjatin. Një i huaj ofroi ta prezantonte me të dhe i dha një pije.

Vajza, sipas këtyre dokumentave, u zgjua “e zhveshur dhe e lënduar, me 300 dollarë në shtrat”.

“Viktima nuk mbante mend se si përfundoi atje. Ajo telefonoi dikë dhe tha se ishte përdhunuar”. Së fundmi, dokumentet përfshijnë një formular të FBI-së që “lidhet me një ankesë të vitit 1994 nga një grua që akuzonte Donald Trump se e kishte përdhunuar kur ishte minorene”. Gruaja – emri i së cilës nuk u publikua – “më vonë e tërhoqi akuzën” kundër presidentit aktual.

Shtëpia e Bardhë shpjegoi se disa dokumente përmbajnë “akuza të rreme të bëra ndaj FBI-së para zgjedhjeve të vitit 2020”. Dokumentet përfshijnë gjithashtu mesazhe me tekst të shkëmbyera midis zonjës së parë të ardhshme, Melania Trump dhe Maxwell, bashkëpunëtores të Epstein. Ato datojnë që nga viti 2002. Melania komplimentoi një artikull reviste në lidhje me financierin. “Dhe dukesh shumë mirë në foto”, i shkroi ajo shoqes së saj, duke shtuar “Me dashuri, Melania”.

Nuk është e qartë se sa shumë zbulimet e reja, të pakonfirmuara nga hetimet, do ta ndryshojnë trajektoren politike të Trump, i cili fitoi zgjedhjet e vitit 2016 pavarësisht rrëfimit në kasetë se i kishte kapur gratë në pjesë intime. Akuzat nuk u vërtetuan kurrë nga hetimet policore.

Megjithatë, historia vjen vetëm disa ditë pasi Maxwell, e dënuar me 20 vjet burg, akuzoi të paktën 25 persona për arritjen e “marrëveshjeve sekrete”, ndërsa emrat e katër bashkëpunëtorëve të dyshuar në rrjetin pedofil nuk u publikuan kurrë. Akuza përmbahet në mocionin e Maxwell për të përmbysur dënimin e saj dhe u paraqit pa avokatët e saj. Duket si një paralajmërim. Por për kë? Ndërkohë, diagrami i rrethit magjik të Epstein është shfaqur në dokumente: përveç Maxwell, ka të paktën pesë foto. Të gjitha janë fshirë./La Repubblica

Dosja “Epstein”/ Princit Andrew, shfaqet sipër një gruaje të shtrirë në dysheme

By: e xh
31 January 2026 at 09:52

Një valë e re reagimesh janë shkaktuar në SHBA pas publikimit të mbi 3 milionë faqeve të reja nga dosja e Jeffrey Epstein, ku përfshihen edhe fotografi të reja që lidhen me Princin Andrew.

Në disa prej pamjeve shihet një burrë që i ngjan ish-dukës së Jorkut me një grua të shtrirë në dysheme. Nuk është bërë e ditur se kur dhe ku janë realizuar fotografitë, ndërsa mungojnë edhe shpjegime shtesë mbi rrethanat.

Dokumentet janë publikuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, i cili njoftoi se janë hequr ose modifikuar të dhëna personale të viktimave, dosje mjekësore dhe informacione që lidhen me hetimet në vijim. Fytyrat e grave, me përjashtim të Ghislaine Maxwell, janë mbuluar për arsye mbrojtjeje.

Princi Andrew ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në veprime të paligjshme. Sipas një shënimi të brendshëm të FBI të përfshirë në dosje, autoritetet amerikane vlerësojnë se ai “nuk përbën një figurë qendrore” në hetimin penal.

Kontrabandonin veshje nga Kina dhe Turqia, 3 të pranga, 4 të proceduar

By: e xh
31 January 2026 at 09:31

Finalizohet nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, operacioni i koduar “Brand 3”.

Identifikohen 7 shtetas, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kontrabandonin veshje nga Kina dhe nga Turqia, i magazinonin në Tiranë dhe i shitnin duke shmangur detyrimet tatimore.

Vihen në pranga 3 nga këta shtetas, procedohen penalisht 4 të tjerët.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Sekuestrohen 17 valixhe me veshmbathje të markave të shtrenjta dhe 2 automjete.

Si rezultat i hetimeve të shpejta të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, bazuar në informacionet e siguruara për një rast të kontrabandës së mallrave dhe shitjes së tyre në informalitet, është organizuar dhe finalizuar operacioni i koduar “Brand 3”.

Si rezultat, u identifikuan 7 shtetas, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kontrabandonin veshje nga Kina dhe Turqia, i magazinonin në Tiranë dhe më pas i shitnin duke shmangur detyrimet tatimore.

Këta shtetas u kapën në flagrancë gjatë operacionit, duke transportuar me 2 automjete, 17 valixhe me veshmbathje të markave të shtrenjta, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve:
-u arrestuan shtetasit: S. B., 69 vjeç, B. Ll., 72 vjeç dhe A. B., 57 vjeç;
-nisi procedimi penal për shtetasit: R. Ll., 45 vjeç, I. B., 39 vjeç, E. B., 23 vjeç dhe Z. M., 65 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Shkelja e të drejtës së pronësisë industriale”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

“Travel and Tour Word”: Turistët francezë dhe amerikanë, interes për Shqipërinë

By: e xh
31 January 2026 at 09:11

Turizmi në Shqipëri po ndryshon profil: Rritet ndjeshëm interesi nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, shkruan faqja e njohur “Travel and Tour Word”.

Turizmi në Shqipëri po hyn në një fazë të re zhvillimi, me një ndryshim të dukshëm të strukturës së vizitorëve të huaj dhe një rritje të fortë të interesit nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo prirje evidentohet në një analizë të publikuar nga portali ndërkombëtar Travel and Tour World, i cili thekson se ‘’vendi po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në tregjet turistike perëndimore’’.

Sipas raportimit, ndonëse Kosova dhe Italia vijojnë të jenë burimet kryesore të turistëve për Shqipërinë, ritmet më të shpejta të rritjes po regjistrohen nga tregje më të largëta dhe me fuqi më të madhe blerëse.

Turistët nga Gjermania dhe Franca po shfaqin interes në rritje për destinacione kulturore, natyrore dhe bregdetare, ndërsa vizitorët amerikanë po e shohin Shqipërinë si një destinacion të ri, ende të paeksploruar plotësisht në Mesdhe.

Tirana, Durrësi dhe bregdeti mbeten në qendër të vëmendjes.

Tirana vazhdon të jetë porta kryesore e hyrjes për turistët e huaj, falë lidhjeve ajrore në rritje dhe zhvillimit të shërbimeve urbane.

Ndërkohë, Durrësi mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara për turizmin familjar dhe atë detar, për shkak të afërsisë me kryeqytetin dhe infrastrukturës hoteliere ekzistuese.

Një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe bregdetit shqiptar, veçanërisht Rivierës së Jugut, ku zonat si Vlora, Himara, Dhërmiu dhe Saranda po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë të huaj gjatë sezonit veror. Artikulli vëren se rritja e fluksit po shoqërohet edhe me shtim të kërkesës për struktura akomoduese cilësore dhe shërbime turistike më të standardizuara.

Fluturimet dhe çmimet, një faktor ndikues

Një nga faktorët kryesorë që po nxit rritjen e turizmit është zgjerimi i rrjetit të fluturimeve ndërkombëtare, veçanërisht nga kompanitë ajrore low-cost, të cilat kanë shtuar ndjeshëm destinacionet drejt Tiranës. Kjo ka lehtësuar aksesin për turistët europianë dhe ka ulur kostot e udhëtimit.

Gjithashtu, çmimet relativisht më të ulëta krahasuar me destinacione të tjera të Mesdheut, së bashku me natyrën e paprekur dhe trashëgiminë kulturore, e bëjnë Shqipërinë një alternativë gjithnjë e më tërheqëse për pushime.

Sfida për zhvillimin e qëndrueshëm

Pavarësisht rritjes së fortë sektori përballet me sfida serioze. Ndër to përmenden presioni mbi infrastrukturën, menaxhimi i mbetjeve, mbipopullimi sezonal dhe rritja e çmimeve në disa zona turistike, çka mund të ndikojë negativisht në përvojën e vizitorëve.

Ekspertët vlerësojnë se për të ruajtur ritmet e rritjes dhe për të përmirësuar cilësinë e ofertës turistike, Shqipëria duhet të investojë më shumë në turizëm të qëndrueshëm, planifikim urban dhe mbrojtje të mjedisit.

Turizmi, një shtyllë gjithnjë e më e rëndësishme e ekonomisë

Sipas të dhënave zyrtare, numri i turistëve të huaj në Shqipëri ka arritur nivele rekord, duke e shndërruar turizmin në një nga sektorët kryesorë të ekonomisë kombëtare.

Rritja e interesit nga tregje të reja shihet si një mundësi për të rritur të ardhurat, për të zgjatur sezonin turistik dhe për të diversifikuar ofertën përtej turizmit masiv veror.

Në këtë kontekst, Shqipëria po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një destinacion emergjent europian, me potencial të madh, por edhe me nevojën për politika afatgjata që të garantojnë zhvillim të balancuar dhe cilësor.

Rama ndan pamje nga kantieri “Dua të luaj” në Elbasan: Një hapësirë moderne

By: e xh
31 January 2026 at 08:43

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë pamje nga kantieri i këndit “Dua të luaj” në qytetin e Elbasanit, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

Sipas kryeministrit, ky projekt synon të krijojë një hapësirë moderne dhe gjithëpërfshirëse për komunitetin, duke ofruar ambiente çlodhjeje dhe argëtimi për të gjitha grupmoshat.

“Mirëmëngjes  dhe me kantierin e këndit ‘Dua të luaj’, në Elbasan, një hapësirë moderne prej 22 mijë m², me fusha sportive, kënde lojërash dhe ambiente rekreative për fëmijë, familje dhe të moshuar, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.

Parashikimi i motit, 31 janar 2026

By: e xh
31 January 2026 at 08:41

Për ditën e shtunë vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me alternime kthjellimesh dhe vranësirash. Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët të karakterit lokal përgjatë relieveve malore.

Era do të fryjë do të fryjë me drejtim nga juglindje-jugperëndim, në mbrëmje drejtimi i erës kthehet nga Verilindja me shpejtësi mesatare 6 m/s.

Valëzimi në det pritet të jetë i forcës 1-2 ballë.

Horoskopi, 31 janar 2026

By: e xh
31 January 2026 at 08:40

Dashi

Do iu konkretizohen shume nga ëndrrat tuaja sot dhe do ndiheni me se miri ne krahët e partnerit. Shfrytëzojeni çdo sekonde deri ne maksimum. Beqaret duhet t’i kushtojnë vëmendje çdo personi qe do iu vije rrotull sepse asnjëherë nuk i dihet çfarë mund te ndodhe. Ne planin financiar do përballeni me surpriza te këqija dhe kjo për shkak te një menaxhimi te keq qe keni bere.

Demi

Asnjë planet nuk do merret me jetën tuaj sentimentale kështu qe gjithçka do ju ece për mrekulli. Do kuptoheni mire dhe do e ruani te forte bashkepunimin ne çift. Beqaret do e bëjnë shume shpejt për vete personin qe pëlqejnë. Ne planin financiar gjerat nuk do ecin mire. Marsi do ju nxite te shpenzoni pa fund dhe gjendja do përkeqësohet.

Binjaket

Tregohuni me tolerante dhe me te përkushtuar ndaj partnerit tuaj gjate kësaj dite nëse nuk doni qe ai ta kërkoje ngrohtësinë diku tjetër. Beqaret nuk do e mbajnë mendjen tek dashuria sepse do jete te mbushur me pune dhe impenjime. Ne planin financiar do jeni te kujdesshëm dhe nuk do hidhni hapa te nxituara. Gjendja do jete mjaft e kënaqshme.

Gaforrja

Partneri do ua plotësojë te gjitha dëshirat gjate kësaj dite dhe do ju beje te ndiheni me se miri. Edhe ju do e dashuroni me pasion dhe do ndiheni me fat qe e keni ne krah. Beqaret do kenë një dite te ndërlikuar dhe nuk do e mbajnë mendjen tek dashuria. Financiarisht do jeni te bekuar. Do hiqni edhe para mënjanë, por edhe do kryeni shpenzimet e nevojshme.

Luani

Jeta sentimentale e çifteve do jete gjithë kohës e privilegjuar. Do merrni vesh për gjithçka me partnerin tuaj dhe gjerat do ecin për mrekulli. Ju beqaret nuk duhet te joshni cilindo qe do ju dale përpara sepse do i vuani se tepërmi pasojat. Ne planin financiar tregohuni te kujdesshëm me shpenzimet dhe mos jepni as para hua.

Virgjeresha

Me qetësi dhe durim do i zgjidhni te gjitha problemet qe keni pasur ne jetën tuaj ne çift gjate kësaj dite dhe do ndiheni te qete. Beqaret do e kërkojnë pa fund dhe ne çdo cep princin e tyre te kaltër. ka shume gjasa qe ta gjejnë ne momentin me pak te pritur. Ne planin financiar mos u tregoni te pakujdesshëm sepse gjendja mund te përkeqësohet tej mase.

Peshorja

Do jeni shume te shqetësuar gjate kësaj dite për shkak te atmosferës se tensionuar qe do mbizotërojë gjate gjithë kohës. Do keni goxha mosmarrëveshje. Beqaret duhet te reflektojnë me kujdes para se te fillojnë ndonjë lloj aventure. Ne planin financiar sido qe te jete gjendja nuk duhet te merrni vendime te pamenduara, te paktën edhe për disa kohe.

Akrepi

Shprehini si t’i ndieni ndjenjat tuaja gjate kësaj dite dhe do e shihni qe atmosfera do filloje te përmirësohet. Nuk do i rezistoni dot as tundimit për te bere ndonjë çmenduri. Beqaret do jene ne humorin duhur dhe do e kërkojnë ne çdo cep dashurinë. Fati do jete ne anën e tyre. Ne planin financiar do keni shume probleme dhe do ndiheni shume te shpërqendruar.

Shigjetari

Do jeni me shume fat gjate kësaj dite ne jetën tuaj sentimentale dhe gjerat do ju ecin me se miri. Edhe ata qe kane pasur mosmarrëveshje do ndihen shume me te qete. Beqaret nuk do mendojnë aspak për te krijuar një lidhje pasi do mendojnë për çështje me te rëndësishme. Financat jo për te gjithë do jene te mira dhe kjo do varet nga mënyra sesi do i organizoni ato.

Bricjapi

Dite aspak e favorshme për te dashuruarit. Do jeni gjithë kohës me humor te keq dhe do lindin mosmarrëveshje pa mbarim. Beqaret do kenë te tjera pikësynime për jetën dhe do e lënë pas dore jetën sentimentale. Nëse doni qe t’i stabilizoni te ardhurat, mos iu besoni ne asnjë mënyrë lojërave te fatit. Keni për te humbur me tepër nga sa mendonit.

Ujori

Duhet te luftoni fort gjate kësaj dite me te gjitha “armiqtë” e jetës suaj ne çift. Mos lejoni askënd dhe asgjë t’ua prishe harmoninë qe ka mbizotëruar deri me sot. Beqaret do kenë takime, por nuk do e ndryshojnë dot statusin e tyre. Ne planin financiar do ju duhet te merreni masa shume strikte ne mënyrë qe gjendja t’iu përmirësohet.

Peshqit

Gjithçka do varet nga sjellja juaj sot ne jetën tuaj ne çift. Nëse silleni mire dhe nuk bëni çmenduri gjerat do shkojnë si duhet. Beqaret do kalojnë një dite te trazuar dhe pa ndonjë takim mbresëlënës. Asgjë nuk ka për te ndryshuar për ta. Sektori i financave do jete i privilegjuar dhe do arrini te kryeni te gjitha investimet e domosdoshme.

Zbulohen lidhjet e Jeffrey Epstein me ambasadorin britanik në SHBA

By: e xh
30 January 2026 at 22:24

Sipas dosjeve të reja që u publikuan nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, Jeffrey Epstein ka dërguar transferime bankare që arrijnë në mijëra paund pas daljes nga burgu në vitin 2009, drejt burrit të Peter Mandelson, Reinaldo Avila da Silva.

Këto dokumente të fundit ngrenë pyetje të reja në lidhje me marrëdhënien e Epstein me Mandelson, i cili u shkarkua nga posti i ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Washington pasi dolën në pah detaje mbi mbështetje financiaren që ai kishte ofruar për Epstein-in.

Seti i fundit i të dhënave të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë tregon se da Silva kishte kontaktuar Epstein më 7 shtator 2009, rreth dy muaj pas daljes së tij nga burgu, pas dënimit me 13 muaj burg për prostitucion me një minorene. Mandelson, në atë kohë Sekretar i Biznesit në Mbretërinë e Bashkuar, ishte në një marrëdhënie me da Silva, të cilët më vonë do të martoheshin në vitin 2023 pas 27 vitesh bashkëjetese.

Në emailin e tij, da Silva i kërkonte Epstein-it financim për një kurs osteopatie dhe shpenzime të tjera, duke shkruar: “I kam dërguar disa email-e javën e kaluar për shpenzimet e kursit tim të osteopatisë, përfshirë tarifën, modelet anatomike, dhe laptopin, nëse mund të më ndihmosh. Shpresoj të keni marrë ato.”

Epstein i përgjigjej menjëherë duke thënë: “Do të dërgoj shumën e huasë menjëherë.”

Ditën tjetër, da Silva i dërgoi një tjetër email Epstein-it për të pyetur nëse një pagese prej £10,000 ishte përfshirë në tarifat e tij shkollore, apo ishte transferuar drejtpërdrejt në shkollë. Epstein i përgjigjej: “Po, është përfshirë.”

Një email tjetër nga Mandelson, më vonë në atë muaj, i kujton Epstein-it që kjo shumë të ishte huatë për të shmangur pagesën e taksës së dhuratës. Da Silva konfirmoi më pas marrjen e parave, duke i shkruar Epstein-it: “Faleminderit për paratë që mbërritën në llogarinë time këtë mëngjes.”

Në prill të vitit 2010, da Silva dërgoi detajet e tij bankare dhe kërkoi më shumë fonde. Sipas raportimeve të Financial Times, Epstein i kishte kërkuar kontabilistit të tij të dërgonte 13,000 dollarë, dhe më vonë 2,000 dollarë çdo muaj për da Silva-n.

Një email tjetër nga Epstein për Mandelson, datuar 19 korrik 2009, sugjeron se Epstein kishte takuar da Silva-n ndërsa ishte ende në burg, duke shfrytëzuar një program pune-lirimi që e lejonte të linte burgun gjatë ditës dhe të kthehej mbrëmjeve.

Mandelson ka kërkuar ndjesë më parë për lidhjen e tij me Epstein dhe ka deklaruar: “Ishte gabimi im që besova Epstein pas dënimit të tij dhe vazhdova të mbaja marrëdhënie me të. I kërkoj falje pa kushte për këtë ndaj grave dhe vajzave që vuajtën.”

Ai shtoi: “Nuk kam qenë kurrë përgjegjës ose bashkëpunues në krimet e tij. Si të gjithë të tjerët, unë mësova të vërtetën vetëm pas vdekjes së tij.”

❌
❌