Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 2 February 2026Opinion.al

Gjyqtarët duan rritje page, Rama i kundërshton, Lala: Nuk kërkojnë rritje, por…

By: e xh
2 February 2026 at 22:58

Nëpërmjet një video në “Facebook”, kryeministri Edi Rama këtë të hënë rikthehu përsëri në vëmendje kërkesën e gjyqtarëve për të rritur pagat e tyre.

Lidhur me pagat e gjyqtarëve ka folur në emisionin “Opinion”, gazetarja Klodiana Lala e cila sqaroi pretendimet e aktorëve të drejtësisë lidhur me çështjen e pagave të tyre.

Lala shprehet se bazuar në një vendim të vitit 2016, paga e gjyqtarëve do të bazohej në rrogën e Drejtorit të Departamentit pranë Këshillit të Ministrave, shifër kjo që indeksohet.

“Në vitin 2016, sipas ligjit të kohës, qeveria shqiptare, më saktë Parlamenti, miratoi këtë ligj dhe referonte pagën e gjyqtarit tek Drejtori i Departamentit pranë Këshillit të Ministrave. Pra, thënë ndryshe për opinionin publik, do të referohej rroga e një gjyqtari tek rroga e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, zotit Engjëll Agaçi. Do të referohej aty, se pagat referohen, më pas indeksohen”, tha ajo.

Sakaq, gazetarja shprehet se në vitin 2023, ky vendim ndryshon, pasi referimi i pagave të gjyqtarëve bazohet tek ajo e Presidentit të Republikës.

“Çfarë ndodhi? Qeveria në vitin 2023 e ndryshoi referimin. Pra, i hoqi gjyqtarët nga referimi tek kjo pagë, të Drejtorit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, por i referoi me një kleçkë ligjore tek paga e Presidentit të Republikës, e cila në fakt në hierarkinë e pagave në Republikën e Shqipërisë, ëhstë paga më e lartë pas Guvernatorit të Shqipërisë”, tha ajo.

Por, edhe pse Presidenti i Republikës ka pagën më të lartë në shtet, ajo qëndron e pandryshueshme, gjë që ndikon tek rrogat e gjyqtarëve. Nga ana tjetër, Lala shprehet se gjyqtarët nuk kërkojnë rritje rroge, por referimin e pagës së tyre tek ajo e Sekretarit të Këshillit të Ministrave.

“Në pamje të parë, Presidenti i Republikës ka një pagë më të lartë se sa ajo që merr sot Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Por, e di çfarë ndodh në rastin e pagës së Presidentit? Paga e Presidentit nuk ndryshon, çka do të thotë se përgjithmonë paga e gjyqtarit të Republikës së Shqipërisë nuk ndryshon.

Gjyqtarët nuk kërkojnë rritje rroge, por i thonë qeverisë do na kthesh, të naa referosh tek ajo që në fakt ti vetë e ke miratuar”, u shpreh Lala.

Trump pritet të vizitojë Greqinë

By: e xh
2 February 2026 at 22:51

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po planifikon të zhvillojë një vizitë zyrtare në Greqi, tha të dielën ambasadorja e SHBA-së në Athinë, Kimberly Ann Guilfoyle, duke sinjalizuar interesin në rritje të Uashingtonit në rajonin e Mesdheut Juglindor.

Duke folur në prezantimin e filmit të ri dokumentar të Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump, në Athinë të dielën, Guilfoyle tha se mezi pret një vizitë nga presidenti i SHBA-së dhe bashkëshortja e tij.

“E di që Presidenti do të vijë dhe mezi pres që të dy, përfshirë Melanian, të vijnë për të vizituar Greqinë”, tha Guilfoyle.

Guilfoyle nuk specifikoi se kur do të zhvillohej një vizitë e tillë ose nëse Trump do të ndalonte edhe në vendet e afërta me rëndësi strategjike për interesat e SHBA-së, si Izraeli, Qiproja dhe Turqia.

Megjithatë, vetë njoftimi ka vlerë politike për Evropën Juglindore, një rajon ku vendet janë përfshirë në tensione që lidhen me mosmarrëveshjet detare, veçanërisht midis Greqisë dhe Turqisë, dhe mosmarrëveshjet mbi burimet energjetike.

Që kur Trump u rizgjodh si president, kompanitë amerikane kanë rritur investimet për të eksploruar gazin dhe naftën në Mesdheun Lindor. Vetë Guilfoyle e ka përshkruar Greqinë si një “lojtar kryesor në të ardhmen energjetike të Evropës”. Për më tepër, ndryshe nga shumë partnerë të Uashingtonit në BE, Greqia pajtohet me Trumpin në lidhje me nevojën që Evropa të importojë më shumë gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja.

Ndërkohë, Athina ka ringjallur marrëdhëniet me Izraelin dhe Qipron në një përpjekje për të rritur koordinimin në mbrojtje dhe energji.

Atentati në Lezhë, Klodiana Lala: Në kërkim anëtarë të fisit të ish-deputetit

By: e xh
2 February 2026 at 22:38

Në emisionin “Opinion”, gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje të reja në lidhje me atentatin e ndodhur në një berberhane në fshatin Rrilë të Lezhës.

Gazetarja u shpreh se në shënjestër ka qenë nipi i Ardian Nikulajt. Ky i fundit është ekzekutuar për shkaqe hakmarrjeje. Ajo tha se në kërkim për ngjarjen e rëndë janë shpallur anëtarë të fisit të një ish-deputeti të PS-së. Lala dha edhe detaje të reja mbi dinamikën e ngjarjes.

Ajo foli edhe për policin e arrestuar, duke u shprehur se ka dyshime se ai ka qenë shoqërues personal i të plagosurit. Lala hodhi dyshime të forta se elementë të policisë mbajnë njërin krah apo tjetrin, që janë në konflikt të ashpër në këtë zonë.

“Nuk ka qenë shënjestër pronari i berberhanes, por nipi i Ardian Nikulajt. Në berbarhane ka qenë vetëm fillimisht punonjësi, aty ka mbërritur një punonjës policie, që ka qenë jashtë orarit të shërbimit, ka qenë me të plagosurin G.N. Në mbrëmje, përpara berberhanes kanë ardhur dy makina dhe nga aty kanë dalë 7 persona, ku 5 persona mbanin shkopa bejsbolli dhe 2 kishin kallash. Punonjësi i policisë sa duket shoqëronte G.N. Kur ka nisur konflikti, ka pasur të shtëna nga jashtë brenda dhe nga brenda. 16 gëzhoja janë gjetur që është qëlluar edhe nga brenda. Polici ka thënë se unë parandalova tragjedi dhe prandaj kam qëlluar. Ai është arrestuar. Janë shpallur në kërkim katër pjesëtarë të fisit të një ish-deputeti socialist. Janë disa të arrestuar për hakmarrjen e egër mes fiseve, mes tyre dhe të huaj. Në rastin që flasim, makinat janë larguar në drejtim të Fushë Krujës, ku një nga makinat është ndjekur nga pas. Janë dy fise që kanë përplasje të ashpër dhe policia është bërë palë, disa me njërën palë e disa me palën tjetër. Polici i arrestuar sot nuk kishte pse të mbante armë me vete. Shkak për plagosjen e nipit të Ardian Nikulajt është një bisedë në Sky Ecc. Në 2025, G.N godet me makinën e tij një motor, ku ishin anëtarë të fisit të ish-deputetit A.N. Ata për shkak të hasmërisë që kanë, dhunojnë çdo person që kalon aty ”, tha Lala.

Atentati në Lezhës/ Emrat e personave të shpallur në kërkim, anëtarë të fisit Ndoka

By: e xh
2 February 2026 at 22:06

Policia e Lezhës vijon hetimet intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në fshatin Rrilë, Njësia Administrative Shënkoll, bashkia Lezhë, të dielën e 1 shkurtit, ku një shtetas mbeti i plagosur me armë zjarri.

Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka, janë tre nga fisi Ndoka të shpallur në kërkim. Ndërsa tjetri i shpallur në kërkim është i dyshuari si shënjestër, Merando Nikulaj, i cili ishte brenda në berberhane.

Njoftimi i policisë:

Grupi i Posaçëm Hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, është angazhuar në hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.

Në vijim të hetimeve, është ekzekutuar urdhri i ndalimit për shtetasin B. K., 24 vjeç, banues në fshatin Dragushë, Njësia Administrative Dajç, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit G. N., E. N., K. N., dhe M. N., të cilët dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen dhe janë të përfshirë në veprën penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit dhe lëndëve shpërthyese”.

Policia po vazhdon punën për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Për shkak të natyrës sensitive të hetimeve, nuk jepen më shumë detaje për momentin.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Lezhës, për procedim penal ndaj personave të dyshuar.

Strehoheshin në një ndërtesë të braktisur, policia kap 16 emigrantë në Korçë

By: e xh
2 February 2026 at 20:22

Policia Kufitare e Korçës ka konstatuar dhe ndaluar 16 emigrantë të paligjshëm të moshës dhe nacionaliteteve të ndryshme, të cilët ishin strehuar në një ndërtesë të braktisur në fshatin Qatrom.

Emigrantët ishin fshehur në një ndërtesë në afërsi të teqesë së Qatromit, ndërsa gjatë ndërhyrjes së policisë u konstatua se njëri prej tyre kishte probleme shëndetësore, pasi kishte ndrydhur këmbën.

Menjëherë pas njoftimit nga policia kufitare, në vendngjarje mbërriti ambulanca për t’i dhënë ndihmën e parë mjekësore.

Kontrollet janë shtuar nga Policia Kufitare e Korçës, me qëllim jo vetëm evidentimin e emigrantëve të paligjshëm, por edhe identifikimin e personave që ndihmojnë këta shtetas për të lëvizur drejt Tiranës apo qyteteve të tjera të vendit. Kontrollet në zonë vijojnë, ndërsa emigrantët po dërgohen drejt Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Korçë për veprime të mëtejshme.

Berisha: E lebetitëm regjimin e Ramës me protestën e fundit

By: e xh
2 February 2026 at 18:57

Protesta e fundit e opozitës për kreun e Partisë Demokratike Sali Berisha, ishte një mesazh për regjimin e Ramës dhe kancelaritë ndërkombëtare. Në fjalën e tij gjatë foltores së radhës së demokratëve, Berisha shprehu mirënjohjen për qytetarët që u ngritën në protestën e 24 janarit, duke mbushur rrugët dhe duke lebetitur, sipas tij regjimin.

“Mirënjohje të pakufishme ndaj jush, qytetarë dhe qytetare opozitarë, guximtare e guximtarë që sakrifikoni në këtë protestë, në të cilën ju përfaqësoni zërin e ndërgjegjes qytetare shqiptare. Përfaqësoni guximin e tyre, kurajën, vendosmërinë, dashurinë për lirinë dhe për këtë vend. U përshëndes përzemërsisht dhe përshëndes të gjithë ata shqiptarë që mbushën rrugët dhe bulevardet e Tiranës dhe lebetitën një regjim antishqiptar. Lebetitën një regjim armik të këtij kombi, armik të këtij vendi. Me protestën e tyre dërguan në të katër anët e botës, në të gjitha sheshet e kryeqyteteve, në të gjitha kancelaritë e vendeve të NATO-s, BE dhe në Uashington mesazhin e qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk pajtohen kurrë me një regjim që i plaçkit ata çdo ditë”, u shpreh Berisha.

Ai bëri thirrje për vazhdimin e protestave deri në fitore, duke theksuar se kjo është një betejë për dinjitetin kombëtar, pasuritë e Shqipërisë dhe të ardhmen e rinisë.

“Kjo është betejë për dinjitetin tonë, kjo është betejë për dinjitetin kombëtar, kjo është betejë për t’u ngritur mbi propagandën e shpifjeve, trillimeve dhe mashtrimeve dhe të Edi Ramës dhe për t’i thënë shqiptarëve dhe botës se në këtë vend, në këtë tokë, ata që e duan Shqipërinë jemi ne, ata që i besojnë Shqipërisë jemi ne. Miq, rrugën përpara nuk e kemi të lehtë, por e kemi të qartë si rrezja e diellit. Misionin nuk e kemi të lehtë, por jemi më të vendosur se kurrë ta përmbushim atë. Dhe fatin tonë të kemi fatin e Shqipërisë. Shqipëria dhe fati ynë është një. A mundet ne, që ëndrrat, fatin ta provojmë në dhera të tjera? Jo, ne do të luftojmë këtu. Ne do bëjmë gjithçka të përmbysim këtë të keqe të madhe për të shndërruar pasuritë e Shqipërisë në begati për shqiptarët. Për të rikthyer ëndrrën shqiptare, shpresën, besimin tek Shqipëria të rinisë shqiptare. Ne dalim dhe do të dalim në protesta gjer në fitore se ne i besojmë Zotit, por i besojmë edhe Shqipërisë. I besojmë se kjo tokë është e bekuar, se ky vend ka pasuri përrallore, se Shqipëria është e bukura e dheut dhe mund të bëhet vendi i ëndrrës shqiptare”.

Balla i shqetësuar për parkimin dysh: Sjellin rrezik aksidentesh

By: e xh
2 February 2026 at 18:40

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka ndarë në rrjete sociale disa foto nga rrugët e Tiranës, ku makinat luksoze janë parkuar dysh, duke bllokuar gjithçka përreth.

Në pamje dallohet qartë se në njërin krah bllokohen kazanët e mbeturinave, duke mos i lënë punonjësit e pastrimit të bëjnë punën e tyre, ndërsa në anën tjetër mbyllet rruga, duke krijuar trafik dhe rrezik për aksidente.

“Shikojini, shikojini këta “trimat” në njërin krahë bllokojnë kazanët, duke pamundësuar punonjësit t’i pastrojnë, nga krahu tjetër bllokojnë rrugën, duke sjellë trafik apo rrezik incidentesh rrugore”-shkruan Balla.

Postimi i Ballës vjen vetëm pak ditë pasi Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal, ku parkimi dysh nuk shihet më si shkelje e vogël. Nëse nga ky parkim pengohen ambulancat, zjarrfikëset apo shërbime të tjera emergjente, parashikohet edhe dënim me burg deri në një vit.

Dyshohet se shkelën sanksionet kundër Rusinë, pesë të arrestuar në Gjermani

By: e xh
2 February 2026 at 18:32

Pesë persona janë arrestuar në Gjermani me dyshimin për shkelje të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.

Rasti ka të bëjë me eksportin e pajisjeve të prodhimit të armëve në Rusi përmes kompanive fiktive dhe besohet se përfshin shërbime të inteligjencës ruse.

Sipas Zyrës së Prokurorit Federal, e cila lëshoi ​​urdhër-arrestin, pesë burrat dyshohet se kanë fshehur dërgesa nga Lübeck në Schleswig-Holstein në Rusi të pajisjeve mekanike dhe teknike për prodhimin e armëve. Dërgesat u kryen përmes një rrjeti kompanish fiktive dhe përmes vendeve brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, dhe autoritetet gjermane dyshojnë se shërbimet e inteligjencës ruse janë të përfshira drejtpërdrejt.

Mbi 15,000 shkelje
Në afërsisht 75 rastet nën hetim, disa nga marrësit janë qartësisht kompani prodhuese armësh, ndërsa policia vlerëson se janë kryer rreth 16,000 shkelje të rregulloreve të embargos, me vlerën e produkteve që arrin në dhjetëra miliona euro.

Sipas Radios dhe Televizionit Jugperëndimor të Gjermanisë SWR, midis të arrestuarve është Nikita S., një shtetas rus dhe gjerman, i cili besohet se qëndron pas kompanisë në Lübeck dhe u arrestua me të hyrë në Gjermani.

Policia, autoritetet doganore dhe Shërbimi Federal i Inteligjencës (BND) kryen kërkime në pronat e tij, pronat e katër bashkëpunëtorëve të tij dhe vende të tjera në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, Frankfurt, Schleswig-Holstein dhe Nuremberg. Disa nga të dyshuarit janë shtetas gjermanë, disa kanë shtetësi gjermane dhe ruse, dhe një ka shtetësi gjermane dhe ukrainase.

PS gati të marrë “territorialen”, PD: Do marrim pjesë në komision

By: e xh
2 February 2026 at 17:01

Pasi deputetët i dolën kundër për bojkotin e Reformës Territoriale, duket se Sali Berisha është tërhequr. Bashkëkryetari Luçiano Boçi deklaroi se do të marrin pjesë në mbledhjen e komisionit për reformën territoriale.

“Mbledhja e sotme është nul, u thirr në ultimatum. Është nul sepse mbledhja thirret në bashkëpunim me bashkëkryetarët, s’jam njoftuar. Jo vetëm për këtë mbledhje, por edhe mbledhje të tjera që i kanë përdorur si argumente të bojkotit të PD. Nuk bashkëpunojmë me Ramën në nivele të tilla që konsiderohen si bashkëpunime politike, kjo është çështje e një komisioni të rëndësishëm. Më i rëndësishëm se ky komisionin, është këshilli i mandateve. Ai komision është dështuar nga mosmbledhja nga ana e Peleshit dhe Ballës që të mbrojnë ballukun, Mbledhja konsiderohet nul. Qëndrimi i PD pas diskutimeve është që PD do vazhdojë të jetë pjesë e komisionit, në një mbledhje sa më të afërt të dakordësuar me bashkëkryetarët”, tha Boçi.

Trump kërcënon të padisë komedianin Trevor Noah për shakanë me Epstein

By: e xh
2 February 2026 at 16:57

Presidenti Donald Trump ka sulmuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy dhe prezantuesin e mbrëmjes, Trevor Noah. Pas një shakaje që ky i fundit bëri për Jeffrey Epstein në skenë, Trump ka kërcënuar se do të padisë prezantuesin e çmimeve Grammy.

Duke bërë shaka se ky do të jetë viti i tij i fundit si prezantues, Noah tha me shaka:

“Kënga e Vitit, kjo është një Grammy që çdo artist e dëshiron pothuajse aq sa Trump dëshiron Groenlandën, gjë që ka kuptim sepse ishulli i Epsteinit është zhdukur, ai ka nevojë për një të ri për të kaluar kohë me Bill Clinton”.

Në përgjigje, presidenti amerikan tha se komediani, i cili drejtoi emisionin The Daily Show në Comedy Central në SHBA për shtatë vjet, ishte një “humbës total”, duke shtuar:

Me sa duket do t’i dërgoj avokatët e mi të padisin këtë moderator të varfër, patetik, pa talent dhe budalla, dhe do ta padis për shumë para.

Trump kritikoi shakanë e Noah-ut, i lindur në Afrikën e Jugut, të bërë pasi u shpërnda gongu i këngës së vitit.

Duke shkruar në Truth Social, në stilin e tij të zakonshëm frenetik dhe të pandërprerë, Trump tha:

“Noah tha, GABIMISHT për mua, se Donald Trump dhe Bill Clinton kanë kaluar kohë në Ishullin Epstein. GABIM!!! Nuk mund të flas për Bill-in, por unë nuk kam qenë kurrë në Ishullin Epstein, as diku pranë tij dhe, deri te deklarata e rreme dhe shpifëse sonte, nuk jam akuzuar kurrë se kam qenë atje, as edhe nga Media e Rreme. Noah, një humbës i plotë, duhet t’i ketë faktet e sakta dhe t’i rregullojë shumë shpejt.

Përgatitu Noah, do të argëtohem pak me ty!”.

Vitet e fundit, Trump ka ndërmarrë veprime ligjore kundër një sërë mediash, përfshirë BBC-në, New York Times-in, Associated Press-in dhe Wall Street Journal-in.

Korrikun e kaluar, gjigandi mediatik amerikan Paramount, i cili zotëron CBS, pranoi t’i paguante Trump 16 milionë dollarë për të zgjidhur një padi lidhur me një intervistë të CBS me Kamala Harris, ish-zëvendëspresidenten dhe kandidaten presidenciale demokrate për zgjedhjet e vitit 2024.

Grupi i PD përçahet për bojkotin e komisioneve, Berisha: Vendimin e merr kryesia

By: e xh
2 February 2026 at 16:01

Duket se vendimi i opozitës për të bojkotuar komisionet, ka përçarë grupin e Partisë Demokratike. Në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar Berishës i kanë dalë kundër disa deputetë për vendimmarrjen e bojkotit të reformave.

Bëhet fjalë për Bledjon Nallbatin, Xhelal Mziun, Oerd bylykbashin, Ina Zhupën, Tritan Shehun dhe Arjan Ndojën, të cilët kanë deklaruar se duhet të merret pjesë në komisione për reformat

Në këto kushte Berisha është shprehur se do jetë kryesia që do marrë vendimin final.

Sot ishte afati i fundit që opozita të merrte pjesë në komisione, dhe pas vendimit të bojkotit, të martën në seancë plenare do të diskutohet kërkesa e grupit parlamentar socialist për  për ndryshimin e përbërjes të këtij komisioni dhe heqjen e paritetit të opozitës në drejtim.

I doli në dosjen “Epstein”, ish-presidentja e Kosovës: Nuk e kam njohur e as takuar

By: e xh
2 February 2026 at 16:00

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar ndaj raportimeve që përfshijnë emrin e saj në dosjen “Epstein”, duke i cilësuar ato si tërësisht të pavërteta.

Në një postim në Facebook, Jahjaga shpjegon se gjatë kohës sa mbante detyrën nuk ka pasur kurrë njohje, takim apo kontakt me Epstein. Përmendja e emrit të saj në disa media, sipas saj, lidhet vetëm me një email mes palëve të treta dhe nuk dëshmon lidhje personale.

Ish-presidentja sqaron gjithashtu se termi “Presidenti i Kosovës” në këtë korrespondencë nuk i referohet asaj personalisht dhe nuk përbën kërkesë për takim.

“Raportimet mediatike për “lidhjen time” me dosjen “Epstein”  janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë.

Përmendja e emrit tim nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me mua. Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar.

Në këtë email te palëve të treta përmendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili, dhe nuk përmendet kërkesa për takim në emër të tij apo të saj.

Çdo raportim ndryshe është insinuate dhe mashtrim i opinionit, siç mund te vërehet lehtë nga dokumentet.

Kërkoj që ky sqarim të jepet në mediat të cilat e kanë lakuar emrin tim, sidomos meqenëse as nuk e kam njohur, as takuar dhe as nuk kam kërkuar takim me personin në fjalë në asnjë pozitë që kam mbajtur deri më tani”, shkruan ajo në facebook.

Deputeti i PD kundër Berishës për bojkotimin e reformës territoriale

By: e xh
2 February 2026 at 15:48

Anëtarët e opozitës munguan në komisionin e posaçëm parlamentar “Për reformën administrativo- territoriale në Republikën e Shqipërisë”, ndërsa kundër kësaj lëvizjeje ka dalë deputeti Bujar Leskaj.

Kjo mbledhje e kësaj të hëne ishte afati i fundit lënë nga maxhoraca, ndërsa sipas deputetit Leskaj, rishikimi i Reformës Territoriale është një domosdoshmëri. Demokrati thekson se sipas tij, kjo lëvizje është një tentativë për të lënë Partinë Demokratike jashtë diskutimeve, në një moment të rëndësishëm për rishikimin e Reformës Territoriale.

Reagimi i plotë i Bujar Leskaj:

Reforma Administrativo-Territoriale e vitit 2014, për 12 vite ka dëshmuar se nuk ka prodhuar asnjë rezultat pozitiv për qeverisjen vendore dhe qytetarët. Përkundrazi, ajo ka sjellë pasoja të rënda në të gjithë territorin, duke dobësuar funksionimin e njësive administrative për shkak të mungesës së menaxhimit efikas nga bashkitë e reja. Dështimi i reformës lidhet drejtpërdrejt me defekte të thella strukturore që ishin të pranishme që në fazën e hartimit, si dhe me faktin se ndarja territoriale u konceptua mbi baza elektorale, me qëllim favorizimin elektoral të Partisë Socialiste, duke dëmtuar rëndë shërbimet për qytetarin, demokracinë vendore dhe përfaqësimin real të komuniteteve.
Rishikimi i Reformës Administrativo-Territoriale është sot një domosdoshmëri. Ky proces duhet të zhvillohet në përputhje me parimet e Kartës së Autonomisë Vendore, me konsensus politik dhe social, si dhe me planifikime realiste që garantojnë autonominë financiare dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarin.
Në praktikë, reforma ka dështuar në katër drejtime thelbësore: (1) nuk rriti eficiencën ekonomike të njësive vendore, (2) përqendroi pushtetin në mënyrë të tepruar te kryebashkiakët, duke cenuar decentralizimin, (3) dobësoi mekanizmat e demokracisë dhe llogaridhënies vendore, si dhe (4) nuk arriti të nxisë zhvillimin ekonomik e social apo të zbusë varfërinë. Këto pasoja e bëjnë të domosdoshëm një rishikim të thellë dhe gjithëpërfshirës të reformës, të ndërtuar mbi parimet e autonomisë vendore, konsensusin politik dhe social dhe planifikime realiste, në mënyrë që të korrigjohen gabimet e së shkuarës dhe të shmanget përsëritja e një reforme të njëanshme dhe të rrezikshme.
Tre janë pikat tona të forta, si Parti Demokratike, për të vazhduar punën në Komisionin e Reformës Administrativo-Territoriale: (1) pasojat negative të reformës 2014/15, (2) nuk duhet të lejojmë një komision të njëanshëm, ashtu siç i intereson sektit Rama, (3) Partia Demokratike sot ka një produkt të vetin, me propozime konkrete në lidhje me rikonfigurimin administrativo-territorial, ndaj të cilit është punuar gjithë këto vite.
Më poshtë po rendis modestisht disa arsye pse Partia Demokratike e ka domosdoshmëri vazhdimin e punës në Komisionin e Rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale:
1. Të gjithë e dimë, si teorikisht ashtu edhe praktikisht, se në të gjitha shtetet e botës reforma administrativo-territoriale kërkon një konsensus politik substancial, si dhe mirëkuptim mes pozitës dhe opozitës.
2. Ashtu siç është theksuar edhe nga Partia Demokratike që në procesin e realizimit të reformës, ndarja e njëanshme territoriale sjell deformim të nivelit të qeverisjes vendore dhe të vullnetit të zgjedhësve.
3. Siç kemi denoncuar, si Parti Demokratike, gjatë këtyre viteve, ligje të caktuara të miratuara nga sekti Rama dhe ndërhyrje të pa precedenta nga Edi Rama, kanë shkelur Kartën e Autonomisë Vendore dhe decentralizimin e pushtetit vendor, duke e kthyer në shumë raste pushtetin vendor të centralizuar në duart e Edi Ramës dhe duke e shndërruar në mjet të tij.
4. Në të gjitha analizat tona si opozitë, të mbështetura edhe në vlerësimet profesionale të ekspertëve dhe sekretariateve pranë Partisë Demokratike, të cilat kanë kryer një punë kolosale në drejtim të rishikimit dhe nevojës për ndryshime në këtë reformë, veçanërisht Sekretariati i Pushtetit Vendor pranë PD-së, i drejtuar nga eksperti dhe ish-kryetari i Bashkisë z.Ylli Asllani, kemi arritur në përfundimin se kjo reformë ka nevojë për një rishikim të thellë, për një analizë të detajuar dhe gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të mos përsëriten gabimet e Reformës Administrativo-Territoriale të viteve 2014/15
5. Në qarkun e Vlorës, përpara 2 viteve, sëbashku me drejtues të Partisë Demokratike, kemi zhvilluar disa takime me qytetarët, ku jemi zotuar për rishikimin e reformës . Kjo reformë duhet të jetë e përgjegjshme dhe në shërbim të qytetarëve, sepse janë pikërisht ata që çdo ditë ndiejnë dhe përballen me mangësitë e kësaj reforme të dëmshme. Nga përvoja e katër takimeve me qytetarë në qarkun e Vlorës, të gjithë kanë miratuar, mbështetur dhe mirëpritur propozimin e Partisë Demokratike për krijimin e katër bashkive të reja: Orikumit, Amantisë (Lumi i Vlorës), Ksamilit dhe Novoselës (Topallti).
6. Reforma Territoriale-Administrative, e cila do të miratohet, është jo vetëm një sfidë, por edhe një mision. Për këtë arsye kërkon vizion, qasje strategjike, profesionalizëm dhe analizë të drejtë në favor të qytetarëve.
7. Reforma administrativo-territoriale ka qenë kryefjala e programit tonë në zgjedhjet e 25 prillit 2021, 14 majit 2023 dhe 11 majit 2025 dhe për të jemi zotuar publikisht. Prandaj, na lind detyrimi që kemi ndaj qytetarëve, që këtë reformë ta vazhdojmë, ta mbrojmë dhe ta rishikojmë me përgjegjësi, ekspertizë dhe profesionalizëm.
8. Partia Demokratike ka ndërtuar një draft gjatë viteve 2022–2023 lidhur me propozimet për reformën, për të cilin janë analizuar dhe diskutuar përparësitë e tij. Rikonfigurimi në 94 (ose 97) bashki, gjithashtu dhe në 5 rajone të mëdha sipas specifikave për cdo rajon ( 1. Rajoni Veriut (Rrethet Shkodër—Lezhe- Pukë – Mirditë- Tropojë- Kukës)2. Rajoni Arbrit ( Rrethet Tiranë- Durrës- Kavajë-Krujë- Kurbin- Mat- Dibër)3. Rajoni Muzakajve ( Rrethet Fier- Lushnjë- Berat -Skrapar)4. Rajoni Kaonëve ( Rrethet Vlorë- Sarandë-Gjirokastër-Tepelenë- Përmet)5. Rajoni Elbasan-Korçë (Rrethet Elbasan- Librazhd – Korçë- Pogradec- Kolonjë) do të sillte respektimin e plotë të parimeve të decentralizimit dhe simetri demografike e ekonomike, jo vetëm brenda rajoneve, por edhe ndërmjet rajoneve të ndryshme të Shqipërisë.Krijimi i 33 (ose 36) bashkive të reja do të ndihmonte realisht zonat dhe njësitë administrative periferike, të cilat sot nuk marrin as fondet dhe as vëmendjen e duhur, si nga pushteti vendor ashtu edhe nga bashkitë ku ndodhen nën juridiksion. Të 94 (ose 97) bashkitë do të kishin mundësi reale për të rritur cilësinë e shërbimeve dhe për të ushtruar kompetenca në diskrecion të plotë, siç parashikohet në Kartën Europiane të Autonomisë Vendore.
9. Partia Demokratike e ka një produkt të vetin në lidhje me mënyrën se si duhet të organizohet reforma e re administrativo-territoriale, të cilën e kemi bërë publike dhe pjesë integrale të programit dhe alternativës sonë qeverisëse, dhe ndaj së cilës duhet të vazhdojmë mbrojtjen dhe argumentimin që ky produkt, drafti i Partisë Demokratike për këtë reformë, të jetë pikë kyçe e diskutimeve të Komisionit përkatës.
10. Propozimet tona si Parti Demokratike janë në përputhje të plotë me parimet e Kartës së Autonomisë Vendore dhe ofrojnë planifikime realiste për garantimin e autonomisë financiare dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarin. Për këtë arsye kemi detyrimin t’i mbrojmë dhe t’i çojmë deri në fund.
11. Reforma Territoriale-Administrative është njëkohësisht sfidë dhe mision; për këtë arsye kërkon vizion, qasje strategjike, profesionalizëm dhe gjykim jo të njëanshëm, në mënyrë të tillë që të jetë në favor të qytetarëve. Si e tillë, ne si Parti Demokratike duhet të tregojmë kthjelltësi dhe pjekuri, sepse Edi Rama e rikërkon dhe do një komision të njëanshëm për ta shndërruar reformën në mekanizmin elektoral të radhës, ashtu siç bëri me reformën e vitit 2014–2015. Një veprim i tillë, mosbërja pjesë e punës së këtij Komisioni, do të na përballte me të njëjtat pasoja negative si reforma aktuale e viteve 2014–2015.
12. Partia Demokratike nuk duhet të dekurajohet nga Komisioni fiktiv që u ngrit në vitin 2023, në lidhje me rishikimin e Reformës Administrativo-Territoriale, i cili ishte një komision fals. Përkundrazi, ne duhet t’i insistojmë qëndrimit në këtë Komision. Nuk duhet të biem pre e grackës së Edi Ramës dhe provokacioneve të tij, sepse atij i intereson një Komision pa opozitën, pa Partinë Demokratike, mundësi të cilën kurrsesi nuk duhet t’ja japim. Kemi detyrimin të mos largohemi nga ky Komision.
Nëse ne, si Parti Demokratike, nuk i shkojmë deri në fund rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale, i japim një mundësi të dytë qeverisë së sektit Rama për ta deformuar edhe më tej këtë reformë, me efekte tërësisht jashtë interesit të qytetarëve. Gabimi i dytë është gjithmonë më i madh se i pari .
Kjo reformë nuk duhet të realizohet pa praninë dhe kontributin e anëtarëve të Partisë Demokratike, të cilët janë profesionistë të aftë dhe të respektuar. Rishikimi i saj duhet të korrigjojë gabimet e bëra në vitin 2014, në respekt të plotë të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe për të cilën ne si Parti Demokratike e kemi detyrim dhe zotim për të vazhduar.

Epstein, trafik organesh nga Maqedonia, trutë e 1000 personave u trafikua nga Shkupi

By: e xh
2 February 2026 at 15:43

Dosja Epstein ka tronditur edhe Ballkanin. Dokumentet e fundit të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë si pjesë e hetimit për Jeffrey Epstein zbulojnë akuza tronditëse për përfshirje të mundshme të një shtetasi të Maqedonisë, profesor në Universitetin e Kolumbias – në eksportimin e trurit të njerëzve nga Maqedonia e Veriut me qëllim fundor, eksperimente shkencore në Shtetet e Bashkuara.

Në një email që mban titullin: Ilaçi 50-vjeçar që mund të zgjidhë krizën e vetëvrasjeve në Amerikë, të dërguar me datë 5 shkurt 2019-të, me emër dërguesi dhe marrësi të censuruar, thuhet se nga Maqedonia kanë mbërritur në SHBA rreth 1000 tru njerëzish, disa prej tyre nga persona që kanë kryer vetëvrasje.

Hetimi nuk përmban asnjë informacion nëse familjet e të ndjerëve dhanë pëlqimin e tyre për një përdorim të tillë të organeve, as nëse institucionet shtetërore ishin në dijeni ose dhanë leje për një lëvizje të tillë.

Në emailin e datës 5 shkurt 2019, diskutohen kërkime që lidhen me shkaqet dhe aspektet biologjike të vetëvrasjeve.

Në dokumente përmenden gjithashtu shkencëtarë nga disa universitete të njohura amerikane, duke përfshirë Pittsburgh, Columbia, Neë York dhe Yale.

Në pjesën për Maqedoninë, thuhet se “vendi i vogël ballkanik siguron “material” referuar organit të trurit tek njerëzit, falë një anëtari të fakultetit të Universitetit të Kolumbias i cili vjen nga atje dhe ndihmoi në organizimin e të gjithë procesit”.

Sipas përshkrimit, organet janë dërguar menjëherë pas heqjes, janë transportuar me aeroplan nën eskortë speciale dhe u dërguar me anije në Shtetet e Bashkuara.

Atje, ata kanë përfunduan në kuti speciale, të shënuara me kode, sipas anës së trurit dhe datës së marrjes, pa specifikuar vendin ku organet i nënshtroheshin më pas procedurave eksperimentale.

Këto pretendime tërheqin edhe një herë vëmendjen ndaj rrjetit të kontakteve dhe aktiviteteve të lidhura me Jeffrey Epstein të shtrira në të gjithë botën.

Në gusht 2019, Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut në Nju Jork dhe vdekja e tij u cilësua zyrtarisht si vetëvrasje, edhe pse rasti i tij vazhdon të gjenerojë polemika dhe dyshime…

Ronaldo “bojkoton” Al Nassr, krisen marrëdhëniet me arabët

By: e xh
2 February 2026 at 15:41

Situatë e papritur në Arabinë Saudite, ku Cristiano Ronaldo raportohet se ka vendosur të mungojë në ndeshjen e radhës së Al Nassr kundër Al-Riyadh, të planifikuar për këtë të hënë, në kuadër të javës së 20-të të kampionatit. Sipas mediave portugeze, arsyeja nuk lidhet me gjendjen fizike të yllit portugez, por me pakënaqësinë e thellë ndaj menaxhimit të klubit.

Burime pranë Al Nassr bëjnë me dije se Ronaldo është i irrituar me politikën e merkatos të ndjekur nga PIF, Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite, i cili menaxhon edhe klubin. Ai e konsideron të padrejtë trajtimin krahasuar me rivalët e Al Hilal, të cilët kanë përfituar investime më të mëdha.

Pakënaqësia e Ronaldos lidhet kryesisht me mungesën e përforcimeve në merkaton e dimrit, ku Al Nassr ka afruar vetëm mesfushorin 21-vjeçar irakian, Haydeer Abdulkareem. Kjo situatë ka tensionuar raportet dhe ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e portugezit në klub.

Macron kishte kërkuar ndihmën e Epstein, çfarë thuhet në dosje

By: e xh
2 February 2026 at 15:37

Një tjetër emër i rëndësishëm i politikës globale, në publikimin e mbi 3 milionë faqeve shtesë dokumentesh që lidhen me hetimin ndaj Epstein, është ai i Presidentit aktual të Francës. Emri i tij shfaqet në dokumente të shumta që datojnë para dhe pas zgjedhjes së tij për herë të parë si president në vitin 2017. Të dhënat sugjerojnë se Epstein pretendonte se Macron kishte kërkuar ndihmën e tij për çështje të ndryshme.

Në një email të dërguar nga Epstein më 17 shtator 2018 drejtuar presidentit dhe drejtorit ekzekutiv të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), Borge Brende, Epstein tha se informacioni që po ndante ishte konfidencial dhe citoi Macron.

“Nga Macron: Ne besojmë se duhet të rimendojmë, rindërtojmë dhe shpikim (i) qeverisjen dhe formatin e institucioneve ndërkombëtare, (ii) angazhimet dhe marrëdhëniet midis aktorëve publikë dhe privatë dhe (iii) instrumentet socio-ekonomike për t’iu përgjigjur më mirë këtyre sfidave. Cilat risi socio-ekonomike do të mbështesnit për të promovuar një të ardhme më ‘progresiste’?” – thuhet në mesazh.

Veçmas, një email i dërguar Epstein-it më 22 mars 2016 nga biznesmeni emiratas Sultan Ahmed bin Sulayem thoshte se ai kishte marrë pjesë në një drekë në Pallatin Elysee dhe kishte zhvilluar bisedime me Macron, i cili në atë kohë shërbente si ministër i Ekonomisë i Francës.

“Drekë në Pallatin Elysee,” thuhej në email. “Bisedë e këndshme me ministrin francez të Ekonomisë, z. Macron, lidhur me biznesin tonë në Francë.”

Në një tjetër email të datës 12 shtator 2018, Epstein i shkruante biznesmenit amerikan Tom Pritzker, duke iu referuar një takimi ku përfshihej Macron.

“Jacques po darkon me Macron sot, kështu që koha ishte perfekte,” thuhej në mesazh.

Në një tjetër shkëmbim emailesh të datës 30 gusht 2018, Epstein pretendonte gjithashtu se Macron kërkonte këshillat e tij për “pothuajse gjithçka, përfshirë institucionet, politikat dhe shkencën”, duke shtuar se Macron “dëshiron të udhëheqë Evropën, ndoshta botën”.

Nga presidenca franceze nuk është dhënë asnjë koment zyrtar lidhur me dokumentet. Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi së fundmi një sasi masive prej mbi 3 milionë faqesh, 2 mijë videosh dhe 180 mijë imazhesh që lidhen me Epstein-in, në kuadër të Aktit të Transparencës për Dosjet Epstein, i cili u nënshkrua në ligj nga presidenti amerikan Donald Trump më 19 nëntor të vitit të kaluar.

Dosjet përfshinin foto të figurave të njohura, transkripte të jurive të mëdha dhe të dhëna hetimore, megjithëse shumë faqe ishin fort të redaktuara për të mbrojtur viktimat.

Agjencia publikoi edhe 30 mijë dokumente shtesë të martën e kaluar dhe të mërkurën njoftoi se kishte marrë mbi 1 milion dokumente të tjera që potencialisht lidhen me Epstein-in.

Epstein u gjet i vdekur nga vetëvrasja me varje në një burg të qytetit të Nju Jorkut më 10 gusht 2019, ndërsa priste gjyqin. Ai përballej me akuza federale për drejtimin e një rrjeti trafikimi seksual që përfshinte vajza të mitura dhe gra, ndërsa vdekja e tij ndodhi gjatë kohës që ishte në paraburgim në Qendrën Korrektuese Metropolitane.

Dosjet Epstein, emri i Vladimir Putinit përmendet mbi 1 mijë herë

By: e xh
2 February 2026 at 15:35

Emri i presidentit rus Vladimir Putin përmendet 1 mijë e 56 herë në më shumë se tre milionë dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein, financierin e dënuar për abuzime seksuale, i cili u gjet i vdekur në burg në vitin 2019. Moska citohet gjithsej 9.629 herë. Edhe pse nuk ka prova konkrete për një lidhje direkte mes Epstein dhe Kremlinit, hetuesit amerikanë e konsiderojnë të pazakontë një numër kaq të lartë referencash.

Sipas shërbimeve sekrete amerikane, Epstein mund të jetë përfshirë në rrjete spiunazhi për shkak të lidhjeve të tij me Robert Maxwell, ish-agjent i Moskës në vitet ’70 dhe babai i Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtores së tij, e dënuar me 20 vjet burg.

Gazeta britanike Daily Mail raporton se Epstein dyshohet se ka drejtuar një operacion të gjerë shantazhi seksual (“kompromat”) për llogari të shërbimeve sekrete ruse, duke rekrutuar gra, përfshirë edhe nga Rusia, për rrjetin e tij të personave me ndikim. Në dokumente përmenden email-e dhe letra ku flitet për takime të mundshme me Putinin, përfshirë komunikime të viteve 2011–2014.

Në një email të vitit 2014, sipërmarrësi japonez Joey Ito përmend mundësinë që Reid Hoffman, bashkëthemelues i LinkedIn, t’i bashkohej një takimi me presidentin rus. Megjithatë, pas rrëzimit të avionit Malaysia Airlines MH17 mbi Ukrainë, ideja u braktis. Në email-e të tjera, Epstein i referohet “dokumenteve Putin”, pa sqaruar përmbajtjen e tyre.

Epstein kishte ndërtuar një rrjet të gjerë ndërkombëtar kontaktesh politike dhe financiare. Ai kishte kryer pagesa ndaj figurave politike britanike dhe kishte komunikuar me ish-kryeministrin norvegjez Thorbjørn Jagland lidhur me takime me liderë botërorë, përfshirë Putinin.

Sipas dokumenteve, Epstein kishte pretenduar se mund t’i siguronte Kremlinit informacione komprometuese për Donald Trump, në prag të samitit të Helsinkit në vitin 2018. Në email-e të tjera, ai përshkruan aktivitetet e Robert Maxwell dhe lidhjet e tij me shërbime të huaja inteligjence.

Në korrik 2019, pas arrestimit në New York, avokatët e Epstein i njoftuan FBI-në se ai ishte i gatshëm të bashkëpunonte. Tre javë më vonë, ai u gjet i vdekur në qelinë e tij. Autoritetet amerikane e cilësuan vdekjen si vetëvrasje, një përfundim që vijon të ngjallë dyshime dhe debate.

25-vjeçari nga Saranda arrestohet duke vjedhur në Kavajë

By: e xh
2 February 2026 at 15:09

Një 25-vjeçar nga Saranda me inicialet G.D. është arrestuar nga policia menjëherë pasi kishte kryer vjedhje në dy banesa në Kavajë.

“Blutë” bëjnë me dije se i kanë sekuestruar 5 ora dhe 3 unaza, që ishin aksesorët e vjedhur nga i riu, i dënuar më pare për të njëjtin krim.

Gjatë operacionit “Houses” u zbardhën tri tentative për vjedhje në banesa. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, dje, ka tentuar të vjedhë edhe në 2 banesa, në fshatin Blerimaj.

Vijon hetimi për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 25-vjeçari.

PD braktis sërish mbledhjen për ‘Territorialen’, PS zhbën nesër formulën e barazisë

By: e xh
2 February 2026 at 13:38

Përfaqësuesit e opozitës kanë bojkotuar për herë të katërt pjesëmarrjen në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.

“I kemi dhënë të gjitha garancitë opozitës për të qenë pjesë e komisionit. U humbën dy muaj që mund të kishim produkt. I kemi kërkuar Parlamentit javën e kaluar të ndryshojmë mënyrën se si është formuar komisioni, duke shtuar një anëtar nga mazhoranca për të krijuar një mekanizëm zhbllokues. Kjo nuk do të thotë që opozita të mos jetë, do të ketë tetë anëtarët e saj. Ndërkohë, do të fillojmë të punojmë për këtë proces”-tha bashkëkryetari Arbjan Mazniku.

Vlorë/ Kamioni del nga rruga, drejtuesi në gjendje të rëndë

By: e xh
2 February 2026 at 12:49

Një kamion ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në zonën e plazhit, në vendin e njohur si Kalaja, në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, para pak çastesh.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se automjeti ka humbur kontrollin për shkak të shpejtësisë ose një defekti në sistemin e frenimit.

Si pasojë e aksidentit, shoferi i kamionit, Perparim Kapaj, 62 vjeç, është plagosur rëndë dhe është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Në vendngjarje ndodhen forcat e Policisë Rrugore dhe shërbimi zjarrfikës, të cilët po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

❌
❌