Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 December 2025Opinion.al

Festat e fundvitit, radhë kilometrike në Kakavijë

By: e xh
24 December 2025 at 15:44

Radhë deri në 7 kilometra janë krijuar në PKK Kakavijë nga emigrantët që po kthehen në atdhe për festat e fundvitit.

Shkak për situatën e krijuar është fluksi i lartë i udhëtarëve, ndërsa pala greke po operon vetëm me dy sportele si në hyrje ashtu edhe në dalje, duke ngadalësuar ndjeshëm përpunimin.

Sipas të dhënave zyrtare, më datë 23.12.2025, shërbimet e SPK Kakavijë kanë përpunuar gjithsej 9.362 shtetas në hyrje-dalje, nga të cilët 6.608 në hyrje dhe 2.754 në dalje.

Me pushime në Malin e Zi/ Futbollisti gjerman rrëzohet nga teleferiku, humbet jetën

By: e xh
24 December 2025 at 15:40

Futbollisti gjerman Sebastian Hertner ka ndërruar jetë në moshën 34-vjeçare pasi ka rënë nga një teleferik në Malin e Zi, ngjarje e cila ndodhi më 21 dhjetor. Qendërmbrojtësi i ETSV Hamburg, nga divizioni i pestë gjerman, po bënte ski në Savin Kuk në veri të Malit të Zi kur ra nga një lartësi prej rreth 70 metrash dhe vdiq.

Sipas ‘Bild’, një nga karriget e teleferikut u shkëput nga korniza në krahun ku ishte ulur Hertner, i cili ka qenë pjesë edhe e U-19 të Gjermanisë vite më parë. Gruaja e tij u plagos rëndë, ajo u bllokua nga karrigia dhe theu këmbën.

“Me hidhërim të madh duhet të njoftojmë se kapiteni ynë Sebastian Hertner pësoi një aksident fatal gjatë pushimeve. Jemi të tronditur dhe pafundësisht të trishtuar. Ngushëllimet tona familjes dhe të dashurve të tij. Pusho në paqe Sebastian”, njoftoi klubi i tij, ETSV Hamburg.

Në këtë ngjarje tragjike u përfshinë edhe tre turistë të tjerë që pësuan dëmtime. Tanimë stacioni i teleferikut është mbyllur përkohësisht dhe hetuesit po vijojnë me punën e tyre për të zbardhur ngjarjen.

Ipeshkvijtë e Kishës Katolike ndajnë urimin e përbashkët për besimtarët shqiptarë

By: e xh
24 December 2025 at 15:36

Ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri kanë ndarë një mesazh të përbashkët për festën e Krishtlindjes.

Imzot Gjergj Meta, Ipeshkëv i Rrëshenit, Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit, Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës dhe Imzot Otavio Vitale, Ipeshkëv i Lezhës ndanë në mediat sociale një videomesazh të përbashkët ku iu uruan besimtarëve katolikë shqiptarë një Krishtlindje të begatë e plot mbarësi.

Mesazhi i plotë:

“Të dashur vëllezër e motra këtë urim të Krishtlindjes duam t’jua bëjmë së bashku të gjithë Ipeshkvijtë e Shqipërisë. Do kishim dashur që në këtë urim të ishte pjesë edhe imzot Simon Kulli, por jemi të sigurt se ai na i uron Krishtlindjet nga qielli dhe lutet për ne. Secili nga ne ka një fjalë për t’iu drejtuar popullit të zotit që është në Shqipëri”, u shpreh Imzot Gjergj Meta, Ipeshkëv i Rrëshenit.

“Me rastin e festës së Krishtlindjes së bashku me vëllezërit e mi Ipeshkvij dëshiroj t’iu drejtoj të gjithëve një lajm shprese, një shpresë që buron nga misteri që po kremtojmë, zoti u bë njeri dhe banoi ndër në. Por Krishtlindja na kujton që zoti është pranë nesh, ai hyn në jetën tonë të përditshme dhe bëhet i pranishëm veçanërisht atje ku ka vështirësi, pasiguri dhe vuajtje, të kremtosh Krishtlindjen do të thotë të ndihesh në praninë e zotit, por njëkohësisht edhe ta komunikosh këtë prani te të tjerët. Mos të mundohemi të mendojmë vetëm për veten, mos të mundohemi vetëm të marrim, por edhe të japim, mos të kërkojmë të fitojmë gjithçka për vete, por të hapim dyert e zemrat tona ndaj të tjerëve, vetëm ashtu Krishti do të lindë e do të qëndrojë gjithmonë në zemrën tonë”, tha Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit.

“Populli që ecën në errësirë, pa një dritë të madhe e mbi këtë luginë të errët shndriti drita e fuqishme, ‘E ke shumuar gëzimin, e ke rritur harenë’, kështu thotë profeti Isai në kapitullin e 90-të. Kjo është përvoja e krishtlindjes, përvoja e daljes nga një errësirë, një errësirë që e prek njeriun deri në misterin e fundit, të pakapërcyeshëm, për atë që është misteri i vdekjes. Por ne e dimë që në fe kjo dritë, shndrit. E zoti nëpërmjet ofertës së tij shndrit në jetën tonë, e përballë këtij grazhdi në Betlehem ku jemi të ftuar të ftuar të gjithë të kremtojmë e të festojmë, të sodisim këtë zot që shndrit në errësirat e ekzistencës tonë. Të bëjmë që edhe kisha jonë të mbushet me frymën e shenjtë të Jezuzit, populli të dalë nga fryma e errët e çdo distance, çdo shkurajimi, çdo mungese shprese”, ishte mesazhi i Imzot Arjan Dodajt, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës për këto Krishtlindje.

“Të dashur vëllezër e motra jam i lumtur t’iu drejtohem të gjithëve me rastin e Krishtlindjes së shenjtë, festë që kisha kremton çdo vit duke përkujtuar lindjes e zotit tonë Jezus Krishtit. Të begatisim familjet tona, ta pranojmë me lutje dhe me gëzim atë që po vjen, shëlbuesi ynë, zoti me në. ‘Ndryshoni e kthehuni tek unë’, thotë zoti, ja lajmi që na jepet në këtë Krishtlindje të shenjtë. Si mund të gëzohemi në lajmërimin e engjëllit që sjell lajmin e gëzueshëm të lindjes së zotit të paqes nëse ne nuk jemi njerëz të paqes, si mund të themi që e duam zotin dhe e bëjmë vullnetin e tij nëse nuk jemi të gatshëm të falim atë që na bën një ofendim,  ky zot i paqes që po vjen, ka vdekur për ne dhe për mëkatet tona, për të na pajtuar me atin”, përmbylli Imzot Otavio Vitale, Ipeshkëv i Lezhës.

Shkatërrohet rrjeti i drogës në Tiranë, 22 persona të arrestuar

By: e xh
24 December 2025 at 15:33

Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal që shiste lëndë narkotike. Në operacionin “Labirinti 2” janë identifikuar 33 persona, pjesëtarë të rrjetit, ndërsa për 22 prej tyre është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest në burg”.

Pas 4 javësh hetime nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës në pranga kanë përfunduar: Renaldo Dalipi, Engelbert Pjetri, Armand Hajdini, Olsi Mici, Fatjon Cela (Çela), Xhon Boci, Laert Murataj, Artan Pullazi, Erald Sina, Blerim Mali, Gentjan Vercani, Valerjos Bushi, Olkid Hajdari, Dylber Alijaj, Angjelos Mema, Majdi Musa, Jurgen Hekurani, Erdison Gjella, Abdurahman Bollati, Klodian Rruçaj, Indri Nakaj dhe Genti Kraja.

Gjatë hetimeve janë arrestuar edhe 5 shtetas të tjerë, ndërsa 6 persona janë shpallur në kërkim. Nga operacioni u sekuestruan rreth 500 gramë kokainë, 10 kg kanabis, 100 doza kanabis, 5 automjete, 28 celularë, 6 peshore elektronike dhe 3 000 euro.

Aktiviteti kriminal shtrihej në disa zona të Tiranës, si Bllok, Kamëz, Laprakë, Selitë, Tiranë e Re, Shkozë, Ali Demi, Xhamllik, Pazari i Ri, Shkolla e Kuqe, Astir, Myslym Shyri dhe Komuna e Parisit, ndërsa droga shitej në lokale, tabakino, mjete taksi dhe e kamufluar si shpërndarje porosish.

Vendimi i qeverisë: E premtja pushim për administratën

By: e xh
24 December 2025 at 15:32

Këshilli i Ministrave ka vendosur që edhe dita e premte, më 26 dhjetor, të jetë ditë pushimi për administratën publike.

Sipas vendimit, pushimi vjen si zgjatje e festës së Krishtlindjes, pasi administrata nuk do të punojë as ditën e enjte, më 25 dhjetor, e cila është festë zyrtare.

Në këtë mënyrë, punonjësit e administratës përfitojnë dy ditë rresht pushimi, ndërsa institucionet publike do t’i rikthehen normalisht aktivitetit të hënën.

Berisha: AKSHI, ultra-mafioz me ofertat fake në tendera

By: e xh
24 December 2025 at 15:30

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar sot mënyrën si ka funksionuar Agjencia Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke vënë theksin pikërisht te fakti se ajo është një institucion që varet drejtpërdrejt nga Kryeministri Edi Rama.

Sipas Berishës, problematika kryesore nuk lidhet me individë të veçantë, por me mënyrën se si është ndërtuar dhe përdorur kjo strukturë, veçanërisht në procedurat e prokurimit publik dhe përqendrimin e përfitimeve financiare.

Ai deklaroi se varësia politike e AKSHI-t ka krijuar kushte për deformim të konkurrencës dhe mungesë transparence, duke e zhvendosur përgjegjësinë në nivel qeveritar dhe institucional.

Deklarata e Berishës

Mos harroni një gjë.

Duhet të mbani parasysh, AKSHI është agjenci që varet direkt nga kryeministri. Nga Edi Rama.

Së dyti, duhet t’u rrëfej këtu se njeriu më intim, i të gjithë zyrtarëve në Shqipëri, është Ergys Agasi. I faktuar. I faktuar. I faktuar. Ndaj dhe ky intim-Agasi na rezulton në librat e shtetit me fitime përrallore që nuk i ka njohur njeriu në historinë e njerëzimit. Fitime të cilat tejkalojnë brenda 5 muajve kapitalin fillestar 22 milionë herë. Është futur në 15 shtator me 1 mijë euro dhe ka dalë në dhjetor me 234 milionë euro. Intim-Agasi, ta quajmë këtë mafioz për ta kuptuar njerëzit më mirë se çfarë ka ndodhur.

Pra, ky Intim-Agasi ka vënë aty 1 mijë euro dhe ka dalë në dhjetor me 22 milionë herë më shumë. A mund të kuptohet kjo? A mund të ndodhë kund në botë kjo përveçse me Intim-Agasin?

Të gjitha këto para të vjedhura qytetarëve shqiptarë në kopshtin privat të Edi Ramës, për Edi Ramën.

Me këto emra, me Ermal Beqirin, me Gerond Meçen, duke legalizuar një proces ultra-mafioz në konkurrencë.

Duke paraqitur oferta fake vetëm për t’i çuar në ankime, për t’i anuluar nëse ndonjëri kishte sjellë ndonjë ofertë më të përshtatshme.

Rindërtohet Pediatria në QSUT, Rama inspekton punimet: Shërbim cilësor për pacientët

By: e xh
24 December 2025 at 14:54

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po zhvillohen paralelisht disa kantiere të rëndësishme, të cilat synojnë modernizimin e infrastrukturës spitalore, rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët, mjekët dhe studentët e mjekësisë.

Ndër projektet kryesore janë ndërtimi nga e para i Pediatrisë Infektive, rikonstruksioni i disa shërbimeve spitalore, si dhe ndërtimi i parkingut të ri multifunksional me kapacitet rreth 1 400 vende parkimi, i shoqëruar me hapësira për konferenca, trajnime dhe shërbime mbështetëse.

Për t’u njohur nga afër me ecurinë e punimeve, Kryeministri Edi Rama vizitoi sot QSUNT-në, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, si dhe Drejtuesja e QSUNT-së, Anxhela Paparizo.

Gjatë inspektimit, Drejtuesja e QSUNT-së shpjegoi  se Pediatria Infektive do të ndërtohet nga e para, ndërsa disa struktura ekzistuese po rikonstruktohen tërësisht. Kardiokirurgjia ka përfunduar ndërtimin dhe aktualisht po punohet për mobilimin dhe pajisjen me shtretër, me qëllim hapjen e saj brenda muajit mars, sipas standardeve bashkëkohore evropiane. Po ashtu, është rikonstruktuar spitali ditor, i cili do të ofrojë shërbime mjekësore që realizohen brenda ditës, si dhe shërbimi i djegie-plastikës, i cili po i nënshtrohet një rikonstruksioni total, me përfundim të parashikuar në fillim të vitit 2027.

Një nga ndërhyrjet më të rëndësishme është ndërtimi i parkingut të ri multifunksional, i cili do të ketë gjithsej 1 400 poste parkimi dhe do të përmbushë të gjitha normativat për një qendër spitalore të këtij niveli, përfshirë platformën për uljen e helikopterëve të emergjencës, ashensorë të përshtatur edhe për ambulancat, si dhe akses të dedikuar për kategori të ndryshme përdoruesish. Ndërtimi i tij parashikohet të përfundojë brenda shtatorit të vitit të ardhshëm.

Sipas Drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, akomodimi i parkimit në një strukturë të dedikuar do të lirojë sipërfaqe të konsiderueshme brenda territorit të QSUT-së, duke hapur rrugën për rikualifikimin e rreth 80 mijë metrave katrorë, të cilat synohen të transformohen në një park urban, në shërbim të pacientëve, familjarëve të tyre, stafit mjekësor dhe gjithë zonës përreth.

“Ky është parkimi multifunksional i spitalit Nënë Tereza, i cili do të akomodojë rreth 1400 poste parkimi, ndërkohë që gjithë sipërfaqja që flasim janë 790 poste parkimi, që do të thotë ky parkim do ketë gjithçka ka këtu, plus dhe kapacitete të  tjera shtesë. Ndërkohë që ka edhe hapësira të tjera, pritje, akomodimi, shërbime për të organizuar konferenca, për të organizuar trajnime për mjekët, për profesorët, të cilat duhet të jenë pjesë e këtij kompleksi. Aktualisht punimet kanë ecur me një ritëm goxha të mirë. Kemi dalë në kuotën plus një. I gjithë ndërtimi do të jetë plus 5 kate. Ndërkohë, parkimi i ka të gjitha normativat për një parkim për një qendër spitalore, duke filluar që nga platforma sipër për uljen e helikopterëve të emergjencës deri tek ashensorët, të cilët mund të futet edhe ambulanca dhe deri te ashensorët që janë të përshtatura për parkime specifike.” – detajoi Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.

Ndërsa, Kryeministri Rama vlerësoi projektin si një lehtësim të madh për funksionimin e QSUT-së, duke theksuar se modeli i partneritetit publik-publik mes QSUT-së dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit siguron ,jo vetëm zgjidhje funksionale dhe urbane, por edhe gjenerim të ardhurash në funksion të vetë institucionit shëndetësor. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e hartimit paralel të projektit të parkut, me synimin për ta kthyer QSUT-në në një hapësirë të gjelbëruar, të qetë dhe miqësore, ku qarkullimi i automjeteve do të jetë i kufizuar vetëm për nevojat emergjente dhe shërbimet e domosdoshme.

“Ky është shpëtim i madh shumë. Faktikisht, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka tashmë gjithë eksperiencën ka dhe bilancin shumë pozitiv me këto struktura parkimesh, sepse janë edhe fitimprurëse në funksion të institucionit dhe në funksion të fondit si investitor, natyrisht bëhet një ndarje midis atyre që janë punonjësit dhe që kanë një trajtim të veçantë, të atyre që vijnë pastaj nga jashtë që e përdorin dhe ndërkohë ka dhe një akses nga jashtë spitalit, po që bëhet një parkim edhe për zonën. Në një pjesë të caktuar të strukturës, akomodohen makina të zonës, të cilat paguajnë edhe bëhet gjenerator të ardhurash. Duhet bërë paralelisht projekti i parkut, se kjo ka qenë ideja që ta transformojmë gjithë QSUT-në në një park. Park me godina spitalore, kuptohet. Gjithë këto pjesë që janë këtu, nga shumë vite, të rikualifikohen, të rishikohen me këtë sy edhe vetë gjithë sistemi i rrugëve të rishikohet në syrin që s’ka më makina që hyjnë e dalin. Janë vetëm ambulanca, janë korsitë e dedikuara, pastaj një pjesë mund të jetë në kalldrëm për këmbësorët. Të bëhet diçka që realisht të ndjehesh sikur shkon në një vend për tu rigjeneruar, jo sikur shkon në pazar.” – u shpreh Kryeministri Rama.

Lirohen 4 protestuesit e arrestuar pas protestës së opozitës

By: e xh
24 December 2025 at 13:59

Gjykata e Tiranës ka vendosur të lirojë 4 protestuesit e arrestuar pas protestës së opozitës më 22 dhjetor, Albi Kryeziu, Erlis Sina, Xhekson Dedaj dhe Artan Hysenaji. Ndaj tyre, Gjykata vendosi të caktojë masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, të njëjtën që kishte kërkuar edhe Prokuroria e Tiranës.

Pas përfundimit të protestës, policia shoqëroi disa persona, pasi në fund u hodhën molotovë e mjete piroteknike në drejtim të Kryeministrisë, ndërsa u tentua që të kalohej kordoni i policisë në rrethim të godinës duke u përplasur edhe me forcat e rendit. Gjatë protestës, 3 punonjës tëe Policisë mbetën të dëmtuar.

Disa qindra qytetarë iu përgjigjën për rreth dy orë thirrjes së kryedemokratit Sali Berisha për të marrë pjesë në protestën kombëtare para Kryeministrisë të hënën. Kryetari i opozitës ka denoncuar vjedhjen e parave publike nga zyrtarët më të lartë të qeverisë, si dhe goditjen që po i bën Edi Rama, sipas tij, organeve të drejtësisë.

Berisha u bëri thirrje mbarë qytetarëve, intelektualëve në mënyrë të veçantë, të zhvishen nga konformizmi për të ardhmen e familjeve dhe shoqërisë shqiptare, shkruan A2. Berisha i cilësoi Ramën dhe Rilindjen kufoma politike.

Tjetër shpërthim në Moskë, dy policë humbin jetën

By: e xh
24 December 2025 at 11:40

Dy oficerë policie dhe një person tjetër kanë humbur jetën pas një shpërthimi të ndodhur në Moskë, kanë bërë të ditur autoritetet ruse. Ngjarja ka ndodhur në rrugën Yeletskaya të kryeqytetit rus, ku dy efektivë të policisë rrugore kanë vënë re një “individ të dyshimtë” pranë një automjeti policie.

Sipas Komitetit Hetimor të Rusisë, oficerët iu afruan personit për ta ndaluar, por në atë moment u aktivizua një pajisje shpërthyese. Si pasojë e shpërthimit, dy policët humbën jetën nga plagët e marra, ndërsa një person tjetër, i cili ndodhej pranë vendit të ngjarjes, gjithashtu u vra.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi identitetin e të dyshuarit apo motivet e mundshme të sulmit. Hetimet janë në vijim, ndërsa zona është rrethuar për arsye sigurie.

Zëdhënësja e Komitetit Hetimor, Svetlana Petrenko, deklaroi në një njoftim të publikuar në Telegram se në Moskë është hapur një çështje penale “lidhur me atentatin ndaj jetës së oficerëve të policisë rrugore”.

Ky incident vjen vetëm dy ditë pas një tjetër sulmi të rëndë në kryeqytetin rus. Të hënën, një gjeneral i lartë, Fanil Sarvarov, u vra pasi një pajisje shpërthyese e vendosur nën automjetin e tij u detonua. Autoritetet po hetojnë nëse ka lidhje mes dy ngjarjeve, megjithëse deri tani nuk është konfirmuar asnjë pistë zyrtare.

Rritja ekonomike e SHBA përshpejtohet në tremujorin e tretë

By: e xh
24 December 2025 at 10:36

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara u rrit më shpejt se sa pritej në tremujorin e tretë, e nxitur nga shpenzimet e forta të konsumatorëve, por duket se vrulli është zbehur për shkak të kostos së lartë të jetesës dhe mbylljes së fundit të qeverisë.

Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me një normë të përvitshme prej 4.3% tremujorin e kaluar, tha Byroja e Analizës Ekonomike e Departamentit të Tregtisë në vlerësimin fillestar të PBB-së për tremujorin e tretë të martën.

Ekonomia u rrit me një ritëm prej 3.8% në tremujorin e dytë. Ekonomistët e anketuar nga Reuters kishin parashikuar që PBB-ja do të rritej me një ritëm prej 3.3%.

Të dhënat u vonuan nga mbyllja 43-ditore e qeverisë dhe tani janë të vjetruara. Shpenzimet e konsumatorëve u rritën me një normë prej 3.5% tremujorin e kaluar pas një rritjeje prej 2.5% në tremujorin e dytë.

Shumica e përshpejtimit të shpenzimeve të konsumatorëve erdhi nga nxitimi për të blerë automjete elektrike përpara skadimit më 30 shtator të kredive tatimore. Shitjet e automjeteve ranë në tetor dhe nëntor, ndërsa shpenzimet në fusha të tjera ishin të përziera.

Emigrantët kthehen për festa, fluks në Vlorë

By: e xh
24 December 2025 at 10:07

Në portin detar të Vlorës vijon fluksi në ardhje i festave të fundvitit. Fluks ky që ka nisur prej ditës së premte të javës që lamëpas duke vazhduar në rritje për disa ditë.

Megjithëse fundjave, e shtuna dhe e diela mbeten pika kulmore me shifra më të larta në rritje edhe ditët e kësaj jave të re kanë patur një fluks në rritje.

Këtë të mërkurë kanë mbërritur në portin e Vlorës 444 pasagjerë por edhe 46 persona nga ekuipazhi. Gjithashtu kanë zbarkuar 127 autovetura, 1 kamper, 2 minibus dhe 14 kamiona.

Të shumtë në numër janë emigrantë që vijnë për festat në atdhe por nuk mungojnë as shtetas të huaj të cilët vijnë në Vlorë me rastin e festave për ti kaluar këtu ndryshe.

Shqipëria merr sistemet Javelin nga SHBA

By: e xh
24 December 2025 at 10:04

Shqipëria ka marrë sistemet raketahedhës Javelin nga Shtetet e Basskuara të Amerikës, një “dhuratë” për ushtrinë tonë që sipas ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, forcon aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, rrit parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare.

“Sapo është kryer dorëzimi i një sasie të parë të sistemeve Javelin dhe Shqipëria dhe Kosova, është e vërtetë, janë pjesë e kësaj ndihmese dhe bashkëpunimi bilateral me Shtetet e Bashkuara, si edhe raketat e para antitank që lëshohen nga këto sisteme”, tha Vengu në një video të postuar në llogarinë e tij në Instagram, nga një bazë e Forcës Tokësore, të paidentifikuar.

Sipas ministrit, marrja e këtyre sistemeve është e rëndësishme për tre arsye. “E para, sepse ka të bëjë me një kërkesë të hershme të forcave tona dhe më në fund po realizohet. E dyta, sepse bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara mbetet themelor për forcimin e kapaciteteve tona dhe rritjen e aftësive mbrojtëse. Janë sisteme antitank, të cilat mund të shërbejnë edhe në situata të caktuara për kundërshtimin e elementit kërcënues në distancë të shkurtër. Pika e tretë, po aq e rëndësishme, ka të bëjë me aftësimin e personelit tonë luftarak për përdorimin e sistemeve, pajisjeve dhe teknologjive të përditësuara. Pra, ka një domethënie të trefishtë”, tha ai.

Ministri nuk bëri të ditur sasinë e raketahedhësve që ka marrë Shqipëria, por tha se gjatë vitit 2026 është parashikuar edhe një tjetër dërgesë.

Pacolli: Në aeroportin e Vlorës po kthehet normaliteti, faleminderit drejtësisë

By: e xh
24 December 2025 at 09:48

Biznesmeni Behgjet Pacolli është shprehur se në aeroportin e Vlorës po rikthehet normaliteti.

Komentet Pacolli i bëri përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shkruar se drejtësia mbetet universal dhe e pashmangshme në zbatimin e saj.

Ai shtoi gjithashtu se është një ndjenjë krenarie për një qytetar kur drejtësia në vëndin e tij funksionon në mënyrë të pavarur, të pandikuar dhe të qëndrueshme.

Sipas Pacollit, Aeroporti i Vlorës është për të akti më i lartë i përgjegjësisë qytetare dhe patriotike. Kujtojmë se Pacolli ishte në një konflikt me ortakun e tij për aksionet në Aeroportin e Vlorës.

Postimi i Pacollit:

Po kthehet normaliteti me aeroportin e Vlorës! Akti më i lartë i përgjegjësisë qytetare dhe patriotike është kontributi ndaj familjes, shoqërisë dhe shtetit përmes punës së ndershme, profesionale dhe respektimit të parimeve të drejtësisë. Drejtësia, ndonëse shpesh përballet me sfida dhe procese të vështira, ajo mbetet universale dhe e pashmangshme në zbatimin e saj. Eshtë një ndjenjë krenarie për një qytetar kur drejtësija në vëndin e tij funksionon në mënyrë të pavarur, të pandikuar dhe të qëndrueshme. Nga sot, në Vlora International Airport, rikthehen normaliteti institucional, rendi ligjor dhe besimi duke i falenderuar drejtesise!

SHBA nuk i jep vizë ish-komisionierit europian

By: e xh
24 December 2025 at 09:36

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të refuzojnë dhënien e vizave për pesë persona, mes tyre edhe ish-komisionerin europian për tregun e brendshëm, Thierry Breton, duke i akuzuar për përpjekje për të ushtruar presion mbi platformat amerikane të rrjeteve sociale që të kufizojnë përmbajtje apo pikëpamje të caktuara.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se bëhet fjalë për “aktivistë radikalë dhe OJQ të politizuara”, të cilat, sipas tij, kanë avancuar praktika censuruese nga shtete të huaja, duke synuar drejtpërdrejt folës dhe kompani amerikane. Breton u përshkrua nga Departamenti i Shtetit si “arkitekti kryesor” i Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së (DSA), ligj që rregullon moderimin e përmbajtjes në platformat online.

Breton reagoi duke e cilësuar vendimin si një “gjueti shtrigash” dhe theksoi se censura “nuk është aty ku mendojnë amerikanët”. DSA ka shkaktuar tensione me qarqe konservatore në SHBA, të cilat e shohin atë si një përpjekje për të censuruar zëra të djathtë, akuza që Brukseli i mohon.

Në listën e personave të ndaluar përfshihen edhe drejtues të organizatave si Global Disinformation Index, Center for Countering Digital Hate dhe HateAid. Këto organizata e kanë cilësuar vendimin si një akt represiv dhe një sulm ndaj lirisë së shprehjes. Rubio theksoi se administrata Trump synon të mbrojë sovranitetin amerikan nga “ndërhyrjet ekstraterritoriale” që, sipas tij, synojnë të kontrollojnë fjalën e lirë në SHBA.

SHBA nuk i jep vizë ish-komisionierit europian

Përmbytje masive në jug të Francës

By: e xh
24 December 2025 at 09:32

Reshjet e dendura të shiut pranë një qyteti në jug të Francës, Montpellier, kanë shkaktuar përmbytje të mëdha, për të cilat zyrtarët lokalë thonë se mund të jenë më të këqijat që kanë parë në 30 vitet e fundit.

Autoritetet lokale njoftuan se përmbytjet u shkaktuan nga shira të rrëmbyeshëm dhe se uji i ka përmbytur plotësisht rrugët. Edhe pse uji po tërhiqet gradualisht, paralajmërimet për kushtet e motit mbeten në fuqi deri më 24 dhjetor. Deri tani nuk janë raportuar viktima.

Gati 1000 shtëpi mbetën pa energji elektrike të hënën në mbrëmje në departamentin Herault në bregdetin jugor, përfshirë 520 në Montpellier, ku parqet, kopshtet, varrezat, kopshti zoologjik lokal dhe tregu i Krishtlindjeve mbetën të mbyllura. Linjat e transportit publik janë gjithashtu pjesërisht të mbyllura.

Nivelet më të larta të ujit në rajon u regjistruan në jug të Montpellierit, në qytetin bregdetar Agde, ku lumi Herault arriti mbi 3,3 metra, duke shkaktuar përmbytjet më të rënda që rajoni kishte përjetuar për herë të fundit në nëntor të vitit 1994.

Banorët lokalë publikuan pamje të shëtitoreve të përmbytura përgjatë brigjeve të lumit.

Shërbimi francez për paralajmërimin e përmbytjeve Vigicrues lëshoi alarm të kuq për përmbytje për departamentin Herault, si dhe alarme portokalli për departamentet përreth Aveyron, Lozere dhe Tarn.

Revista britanike: Shqipëria mes vendeve më mahnitëse evropiane për t’u vizituar

By: e xh
24 December 2025 at 09:01

Në Britaninë e Madhe, jemi me fat që kemi afër Evropën. Nga gjeografia mahnitëse te kultura tërheqëse, kënaqësitë dhe sharmet e saj janë të famshme në mbarë botën. Nuk është çudi që Evropa përbën më shumë se gjysmën e të gjithë turizmit ndërkombëtar, shkruan Selene Nelson në një artikull të botuar në revistën britanike “Rest Less”.

Ndërsa vende si Franca, Spanja dhe Italia janë disa nga destinacionet më të njohura për t’u vizituar, ato nuk janë aspak më të lirat. Por ju mund të shijoni pushime po aq magjike në dhjetëra vende të tjera evropiane, dhe me kosto efektive!

Nga plazhet e kristalta të Shqipërisë te malet dhe liqenet vezulluese të Sllovenisë – për të mos përmendur shumë qytete dhe qyteza magjepsëse në të gjithë Evropën Lindore – ky kontinent është i mbushur me vende të bukura që presin të eksplorohen me një buxhet të kufizuar.

Udhëtimi mund të jetë i kushtueshëm, por nëse zgjidhni me kujdes destinacionin tuaj, mund të jetë më i përballueshëm nga sa mund të mendoni!

Ekzistojnë shumë vende të mrekullueshme, tërheqëse dhe me kosto efektive për t’u eksploruar – shumë prej të cilave janë pikërisht në Evropë.

Nëse ëndërroni pushime të paharrueshme dhe me çmime të përballueshme, ekspertët e udhëtimeve sugjerojnë 14 vendet më të lira për t’u vizituar në Evropë.

Shqipëria

E izoluar nga pjesa tjetër e kontinentit për pjesën më të madhe të shekullit XX, Shqipëria ka qenë prej kohësh një nga sekretet më të ruajtura të Evropës.

Por sot, dyert e Shqipërisë janë të hapura dhe nuk do të kalojë shumë kohë përpara se vendi të mbipopullohet nga turistët.

Bregdeti i saj i quajtur Riviera Shqiptare – është i mbushur me plazhe mahnitëse dhe ujëra të kristalta blu.

Vendpushimet më të njohura të plazhit janë, Dhërmiu dhe Ksamili, të cilat nuk janë prekur ende nga turizmi masiv. Si rezultat, akomodimi, ushqimi dhe udhëtimi mbeten mjaft të lira.

Në brendësi të vendit, do të gjeni male të larta, qytete fortesash, kështjella të rrënuara dhe rrënoja të panumërta të lashta greke dhe romake.

Pavarësisht nëse jeni – i apasionuar pas i historisë, një aventurier apo një adhurues i plazhit – ka diçka për të gjithë.

Kryeqyteti i gjallë, Tirana, është një bazë e shkëlqyer për të eksploruar pjesën tjetër të Shqipërisë dhe është një nga vendet më të përballueshme në Evropë për të ngrënë jashtë.

Revista britanike “Rest Less” rekomandon 14 vendet më të lira për t’u vizituar në Evropë;

Shqipëria, Mali i Zi, Portugalia, Malta, Republika Çeke, Greqia, Sllovakia, Bullgaria, Polonia, Rumania, Hungaria, Bosnjë-Hercegovina, Sllovenia, Estonia.

Parashikimi i motit, si do të ndryshojnë temperaturat gjatë ditës

By: e xh
24 December 2025 at 08:59

Ditën e mërkurë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të kryesisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura. Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët e lokalisht mesatar në pjesën më të madhe të territorit që në orët e para të 24-orëshit deri në mëngjes, hera-herës shtrëngata afatshkurtra. Gjatë ditës reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët të karakterit lokal.

Në Alpe dhe në lartësitë 700-800metra në verilindje dhe 900 metra në juglindje reshje dëbore me intensitet të ulët, lokalisht mesatar.

Mjegull e dendur/mjegullinë përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit si dhe në momentin e reshjeve të shiut dhe dëborës.

Era do të fryjë me drejtim nga verilindja-juglindja me shpejtësi mesatare 7 m/sek, përgjatë vijës bregtdetare e zonave luginore era fiton shpejtësi deri në 15m/s .

Deti – Valëzimi forcës 2-4ballë.

Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

By: e xh
24 December 2025 at 08:58

Dashi

Për të dashuruarit priten kontradikta te mëdha. Nuk do merreni vesh për asnjë me atë që keni në krah. Priten takime shumë të rëndësishme gjate kësaj dite për ata që janë vetëm. Nuk duhet humbur asnjë mundësi edhe sikur asgjë e jashtëzakonshme te mos ndodhe. Gjendja e financave do vije duke u përkeqësuar.

Demi

Jeta juaj në çift do jete prioritare gjatë kësaj dite. Asgjë tjetër nuk do ketë aq rëndësi sa ajo kështu qe do mundoheni gjithë kohës te ruani një klime te ngrohte. Beqarët duhet ta heqin turpin sa më parë që të munden sepse përndryshe kanë për të mbetur vetëm. Të ardhurat do kenë përmirësime të lehta, por jo aq sa për të kryer shpenzime të mëdha.

Binjaket

As që do e vrisni mendjen fare sot për jetën tuaj sentimentale dhe gjithçka do ja lini kohës. Ne fakt nuk pritet te ndodhe ndonjë gjë e keqe. Beqarët nga ana tjetër do jene shume të zënë me punë dhe nuk do merren me gjetjen e personit ideal. Në planin financiar fati do ju buzëqeshë. Do arrini të bëni investimet e menduara dhe të shlyeni një pjese të borxheve.

Gaforrja

Edhe pse në mëngjes duket se klima për të dashuruarit do jetë e ngrohtë, bëni kujdes nga influenca e jashtme. Disa persona do mundohen të gjejnë mënyrën për t’ua prishur harmoninë. Për beqarët do shfaqet dashuria e shumëpritur. Në planin financiar duhet të bëni kujdes. Shmanguni shpenzimeve të mëdha sepse gjendja do jetë vërtet delikate.

Luani

Priten shume divergjenca në çift gjatë kësaj dite dhe kjo për shkak të mos tolerancës dhe padurimit që do tregoni. Gjithsesi në mbrëmje situata mund të ketë një ndryshim të vogël. Beqarët nuk do kenë risi. Asgjë e jashtëzakonshme nuk pritet të ndodhe për ta. Financat do jenë kryesisht të qëndrueshme për aq kohë sa ju të shpenzoni me kujdes.

Virgjëresha

Tregohuni gjatë gjithë kohës të disponueshem ndaj partnerit tuaj sot sepse më shumë se kurrë ai do kenë nevojë për ju. Beqaret në vend që të mbyllen në shtëpi dhe të vuajnë nga vetmia, duhet t’i pranojnë ftesat që do iu bëhen dhe të argëtohen sa të mundin. Financat nuk do jenë të këqija, megjithatë nuk duhen ndërmarrë shume rreziqe.

Peshorja

Gjate gjithë kohës do mbizotërojë bashkëpunimi në çift sot. Do merreni vesh edhe me shikime me personin që keni në krah kështu që nuk pritet asnjë vështirësi. Beqarët nuk do mundin as sot të fillojnë një histori dashurie edhe pse mundësitë nuk do mungojnë. Në planin financiar do jeni shume impulsive dhe kjo do ju çojë drejt gabimeve.

Akrepi

Mos prisni më ju që jeni në një lidhje, por merrini sot vendimet më të rëndësishme të jetës suaj. Nuk ka më kohë për të humbur. Beqarët do e gjejnë më në fund personin për të cilin do iu rrahë zemra fort dhe do fillojnë me të një histori të këndshme dashurie. Në planin financiar çdo gjë do varet nga sjellja juaj. Mos bëni asnjë çmenduri me shpenzimet.

Shigjetari

Mos u tregoni kritik sot në jetën tuaj në çift sepse do i humbni piket përkundrejt atij që keni në krah. Beqarët nga ana tjetër duhet të tregohen realiste dhe të mos kërkojnë gjera te pamundura. Gjithçka do ndodhë në momentin e parashikuar. Sot nuk priten të reja. Në planin financiar do ju duhet të merrni disa vendime në lidhje me të ardhmen e buxhetit.

Bricjapi

Edhe pse jeni në një lidhje ka rrezik të fantazoni për dike tjetër sot dhe kjo mund t’iu çojë drejt gabimeve. Nëse nuk ndjeni me aq shumë sa në fillim për partnerin mirë është që t’ia thoni. Beqarët edhe sikur të duan nuk do i shpëtojnë dashurisë me shikim të parë. Në planin financiar do keni goxha vështirësi dhe probleme të cilat do duan durim dhe sakrifica.

Ujori

Mjedisi yjor do jetë shumë i përshtatshëm sot për të dashuruarit. Gjithçka do ju shkojë ashtu si e kishin ëndërruar. Beqarët do realizojnë disa takime, por asnjeri prej tyre nuk do ua ngrohte zemrën. Mos bëni gjëra që nuk i dëshironi vërtet. Nëse merrni pak me tepër kohë me financat dhe i menaxhoni ato me maturi gjendja do jetë shumë më e kënaqshme.

Peshqit

Ditë shume më e qetë së kohet e fundit kjo e sotmja për të dashuruarit. Nuk do keni për çfarë të qaheni. Beqarët nuk do ndihen ende gati të fillojnë një histori dashurie edhe pse personat që do iu propozojnë kanë kohë që i njohin. Financat do kenë ulje dhe ngritje. Situata do jetë më e vështirë sidomos për ata që kane pasur shume probleme së fundmi.

Avokati i Popullit/ Shabani tregon se si i mori firmat e deputetëve të PD

By: e xh
23 December 2025 at 23:49

Këtë të martë në emisionin “Opinion”, ishte Avokati i ri i Popullit, Endrit Shabani.

Në këtë intervistë, Shabani iu përgjigj pyetjeve që nga marrja e firmave nga deputetët e PD, përplasja me PD deri te votat e PS që e zgjodhën në krye të institucionit të Avokatit të Popullit.

“Po! Si gazetari më i vjetër në Shqipëri besoj duhet ta dije se ka diferencë mes Avokatit që emërohet me firmë të kryeministrit dhe atij nga deputetët e zgjedhur në Parlament me votat e shqiptarëve. Unë garova, në listë, dhe roli nuk është pjesë e qeverisë, është gjithmonë opozitar”.

-Relativisht, s është e thënë!

Shabani: Monitoron punën e qeverisë, mbron qytetarët, denoncon korrupsioni, është vazhdimësia e asaj që unë kam bërë si aktivist në 20 vjet.

U pyet edhe për rastin e Belinda Ballukut dhe skandalin te AKSHI.

Shabani: Ju e keni pasqyruar punën time si aktivist dhe e dini mirë se nga 6 kallëzimet që kam çuar në SPAK, njëri është për zonjën që përmendët. Roli im nuk është prokurori, unë s’jam prokuror për të hetuar, por nëse zyrtart shkelin të drejtat e njeriut, të jesh i sigurt që nëse deri dje kam denoncuar, kësaj radhe kam një institucion për ta luftuar abuzimin e tyre.

-A keni ju një opinion?

Shabani: Jam i njëjti njeri si dje, por unë kam bërë një betim që të mbroj një institucion prej 70 vetësh dhe qytetarin shqiptar.

-Një njeri i lirë që erdhi kundër këtij sistemi, tani futët në një kuti ku s’ka dot një mendim të vetin?

Shabani: Është përgjegjësi publike që unë të përfaqësoj një pozicion kushtetues.

-Si i morët firmat e opozitës?

Shabani: Kur u hap gara, ka qenë periudha kur ne kishim vendosur një grup të përbashkët, një front të gjerë opozitar. Takova deputetë të të gjitha partive, personalisht! I kam kontaktuar personalisht! Takova dhe deputetë të PS-së që i kam miq, më thanë nuk firmosim dot se e kemi vendim politik. PS nuk lejonte që të mbështeste askënd dhe do të gjykonte atë që do të sillte opozita. Mblodha firmat, i dorëzova.

-Nuk bisedove me zotin Berisha?

Shabani: Jo!

-Kur ata thanë po tërheqim firmat, moralisht nuk ndjeve që duhet të tërhiqeshe?

Shabani: Më duheshin 28 firma, mblodha 35 firma, pikërisht duke menduar se dikush do të vendosej në siklet. Kam pritur deri më 2 dhjetor që ishte afati i fundit, ata i kanë tërhequr pasi mbaroi gara, ishte e pamoralshme, ishte përpjekje për të më hequr mua nga gara. Edhe ligjërisht, ka një parim që quhet e sigurisë juridike, një e drejtë e fituar, nuk mund të përdoren procedurat për t’ja marrë një individi.

Pavarësisht sa më sipër, Shabani theksoi “se një pjesë e mirë e tyre e kanë uruar për postin”. Skepticizmit të Fevziut për mënyrën si Shabani siguroi votat, ai iu përgjigj kështu:

Ishin pesë parti në votim të fshehtë, PS ka vetëm 82 mandate në sallë. Qartazi e vetmja që mungon ishte PD-ja. Pse mungoi ajo në sallë është pyetje për Partinë Demokratike. Nuk ka nevojë për teori kaq të mëdhaja konspirative!

Po pse Shabani u “thye” me PD-në?

“Ata kanë patur vendim për t’u tërhequr nga procesi, është hera e tretë që e bëjnë”, u përgjigj ai.

Artan Hoxha: Ergys Agasi kontakti i drejtpërdrejtë i kryeministrit

By: e xh
23 December 2025 at 23:03

Gazetari Artan Hoxha ka folur në lidhje me hetimet e drejtësisë ndaj Ergys Agasit dhe rolin e tij në takimet e bëra me zyrtarë të lartë dhe biznesmenë.

Në emisionin “Opinion”, shprehet se Agasi ishte kontatki i drejtpërdrejtë i kryeministrit me persona të tjetër, ndërsa shtoi se që para disa muajsh “koordinatori” i këtyre takimeve është ndryshuar.

“Agasi u bë kaq i rëndëishëm për shkak të atributeve që mori, nuk ka patur as grup më parë, nuk ka qenë njeri më mbështetje të madhe etj. Ky është përzgjedhur për të bërë atë rol. Durrësi ka sjell gjatë dy dekadave të fundit tre koordinatorë që kanë qenë midis botës së nëntokës dhe mbi tokës. I pari ka qenë Nar  Koka ai që realizonte takimet e kryeministrit me kryetarin e opozitës, pra Berisha me Ramën, Rama me Metën, Rama me Nano. Ishte Nar Koka që relizonte takimet e nivelit të lartë. Nari u kap në një moment në ndërrimin e pushtetit të vitit 2005… Në prill ose në maj kam deklaruar që kooridnatori që lidh botën e nëndheshme apo mbidheshme është ndryshuar dhe po pres të arrestohet Ergys Agasi. Patjetër që është ndërruar se është dikush që do e bëjë atë punë… Nuk është problemi Gysi, problemi është ai që i dha pushtet Gysit. Ai ishte një çunak Durrësi që e vinë aty dhe u bë i rëndësishëm. Më parë ka qenë i pa dukshëm në skenë. Ka qenë aty se ishte kontakti i drejtpërdrejt”,-tha Hoxha.

❌
❌