Normal view

11:30 Nga Leonard Veizi/ 24 gushti i vitit 79 – Dita kur Vezuvi varrosi Pompein dhe ngriu një qytet në kohë

24 August 2026 at 11:30

Nga Leonard Veizi

Në mëngjesin e 24 gushtit të vitit 79 pas Krishtit, Pompei ishte një qytet i gjallë romak. Në rrugët e tij lëviznin tregtarë, artizanë, skllevër e qytetarë; në tavernat e vogla përgatitej ushqimi dhe në shtëpitë e pasura dita kishte nisur si çdo ditë tjetër. Askush nuk e dinte se qyteti po hynte në orët e fundit të historisë së tij.

Pak pas mesditës, mali Vezuv shpërtheu.

Nga krateri u ngrit një kolonë gjigante hiri, gazrash dhe fragmentesh shkëmbore, që u përhap mbi qiellin e Kampanjës. Toka u drodh, drita e diellit u zbeh dhe mbi qytet nisën të binin copa shtufi e hi. Për banorët e Pompeit, ajo që në fillim mund të dukej si një tërmet i pazakontë u shndërrua shpejt në një katastrofë të papërfytyrueshme.

Shpërthimi vazhdoi për orë të tëra. Shtresat e hirit dhe të shtufit u grumbulluan mbi çati, rrugë dhe ndërtesa. Çatitë nisën të shemben nën peshën e materialit vullkanik. Disa banorë u përpoqën të iknin, të tjerë kërkuan strehim në shtëpitë e tyre.

Pastaj erdhi faza më vdekjeprurëse.

Nga shpatet e Vezuvit zbritën rrjedhat piroklastike – masa të dendura gazrash, hiri dhe materialesh vullkanike me temperatura ekstreme, që lëviznin me shpejtësi marramendëse. Për ata që ndodheshin në rrugën e tyre, nuk kishte më kohë për t’u larguar.

Pompei u zhduk nën një shtresë të trashë hiri dhe shtufi. Herkulaneumi, qytet tjetër pranë Vezuvit, pësoi një fat po aq tragjik, ndonëse në një mënyrë tjetër: rrjedhat piroklastike e mbuluan dhe e ruajtën nën depozitime vullkanike.

Brenda një dite, një pjesë e botës romake u shndërrua në një varr.

Një dëshmitar nga larg

Katastrofa u pa edhe nga Plini i Ri, i cili ndodhej në Mizenum, në anën tjetër të Gjirit të Napolit. Në letrat e tij ai përshkroi renë e jashtëzakonshme që ngrihej mbi Vezuv dhe tregoi se si toka dridhej ndërsa njerëzit përpiqeshin të kuptonin se çfarë po ndodhte.

Xhaxhai i tij, Plini Plaku, komandant i flotës romake në Mizenum dhe një nga dijetarët më të njohur të kohës, u nis drejt zonës së katastrofës me anije. Ai donte të vëzhgonte shpërthimin, por edhe të ndihmonte njerëzit që po përpiqeshin të shpëtonin. Plini Plaku vdiq gjatë katastrofës, në Stabie.

Përshkrimet e Plinit të Ri do të bëheshin shekuj më vonë një nga burimet më të rëndësishme për të kuptuar shpërthimin. Pikërisht nga ai përshkrim vjen edhe termi “shpërthim plinian”, që përdoret nga vullkanologët për shpërthime me kolona të fuqishme vertikale hiri dhe gazrash.

Qyteti që vdekja e ruajti

Ironia më e madhe e Pompeit është se katastrofa që e shkatërroi e ruajti njëkohësisht.

Nën shtresat e hirit mbetën rrugët, shtëpitë, dyqanet, furrat e bukës, objektet e përditshme, mozaikët dhe afresket. Në disa raste u ruajtën edhe mbishkrimet e shkruara në mure. Gjurmët e jetës së zakonshme romake mbetën të vulosura për shekuj.

Kur gërmimet arkeologjike nisën të nxirrnin në dritë qytetin, Pompei u shndërrua në një kapsulë kohe. Nuk ishte më thjesht një qytet i zhdukur, por një pamje pothuajse e drejtpërdrejtë e jetës romake të shekullit I.

Edhe format e trupave të viktimave mbetën të regjistruara në shtresat e hirit. Kur materiali organik u shpërbë, la pas boshllëqe në depozitimin vullkanik. Arkeologët mundën t’i mbushnin këto zgavra me allçi, duke krijuar forma që tregojnë pozicionet e fundit të njerëzve në çastet e katastrofës.

24 gushti – apo një ditë vjeshte?

Për një kohë të gjatë, data tradicionale e shpërthimit ishte 24 gushti i vitit 79. Ajo lidhet me një version të dorëshkrimeve të letrave të Plinit të Ri.

Por arkeologjia ka sjellë pikëpyetje të rëndësishme. Në Pompein e gërmuar janë zbuluar prova që sugjerojnë një stinë më të vonshme: fruta vjeshtore, mbetje të përgatitjeve për dimër dhe monedha të lidhura me periudhën pas verës. Për këtë arsye, disa studiues kanë propozuar se shpërthimi mund të ketë ndodhur në tetor ose nëntor të vitit 79.

Pra, 24 gushti mbetet data tradicionale, por nuk mund të paraqitet më si një fakt absolutisht i pakontestueshëm.

Pompei në ekran

Historia e qytetit të varrosur ka ushqyer edhe imagjinatën e kinemasë. “Ditët e fundit të Pompeit” është bërë disa herë film dhe serial televiziv.

Një nga versionet më të njohura është filmi i vitit 1959, me Stiv Rivs, ndërsa ekziston edhe filmi italian i vitit 1935. Por për publikun televiziv të viteve ’80, një version veçanërisht i rëndësishëm ishte miniseriali italo-amerikan i vitit 1984, “Ditët e fundit të Pompeit”, me regji të Piter R. Hantit.

Miniseriali, i prodhuar në bashkëpunim me RAI-n dhe ABC-në, bazohej në romanin e vitit 1834 të Eduard Bulver-Litonit. Në qendër të rrëfimit ishte bota e Pompeit përpara katastrofës, me gladiatorë, intriga politike e fetare, dashuri dhe përplasje shoqërore. Në kast ishin Lorens Olivie, Franko Nero, Olivia Hasi, Nikollas Klei dhe Dankan Reger, ky i fundit në rolin e gladiatorit Lidon.

Kështu, për shumë shikues shqiptarë që e kujtojnë nga transmetimet televizive, “Ditët e fundit të Pompeit” nuk ishte thjesht një film për një vullkan. Ishte historia dramatike e një qyteti që vazhdonte të jetonte, të dashuronte, të luftonte dhe të bënte plane, ndërsa nën këmbët e tij po përgatitej një nga katastrofat më të mëdha të botës së lashtë.

Dy mijë vjet më vonë, Pompei vazhdon të na japë të njëjtin mësim të zymtë: qytetërimet ndërtojnë me shekuj, por natyra mund t’i fshijë brenda pak orësh.

Dhe, ndoshta pikërisht sepse Vezuvi e varrosi, Pompei nuk vdiq plotësisht. Ai mbeti i ngrirë në kohë.

07:00 Nga Leonard Veizi/ Programi “T4”, fabrika e vdekjes për ata që nazistët i quajtën “të padenjë”

24 August 2026 at 07:00

Nga Leonard Veizi

Më 24 gusht 1941, Adolf Hitleri urdhëroi ndërprerjen zyrtare të programit “T4”. Nuk ishte një krizë ndërgjegjeje. Ishte një krizë imazhi…

…Operacioni i vrasjes sistematike të njerëzve me sëmundje mendore, me aftësi të kufizuara dhe i atyre që regjimi i quante “jetë të padenja për t’u jetuar” – lebensunwertes Leben – ishte bërë shumë i dukshëm. Familjet dyshonin. Letrat e rreme ngushëllimi nuk bindnin më. Një peshkop katolik, Clemens August von Galen, kishte guxuar të fliste hapur në Münster kundër një krimi që shteti e mbante të fshehtë.

Regjimi nuk u pendua. U tërhoq për t’u rishfaqur ndryshe.

Krimi

“T4” nuk filloi në një dhomë torture. Filloi në një zyrë. Emri vinte nga adresa burokratike: Tiergartenstraße 4, Berlin. Aty, mjekë, psikiatër, juristë dhe nëpunës plotësonin formularë. Regjistronin, kategorizonin, vlerësonin. Një kryq mbi një fletë vendoste nëse një njeri do të jetonte apo do të dërgohej në një nga gjashtë qendrat e vrasjes: Hartheim, Bernburg, Sonnenstein, Grafeneck, Brandenburg, Hadamar.

Viktimat nuk ishin armiq. Nuk ishin ushtarë. Ishin pacientë. Fëmijë që nuk kuptonin pse po i merrnin nga shtrati. Të rritur që kishin jetuar prej vitesh në spitale dhe azile. Njerëz që shteti i kishte nën kujdes dhe i vrau pikërisht sepse ishin të pambrojtur.

Metoda ishte industriale: transport i organizuar, dhoma gazi të maskuara si dushe, krematoriume, certifikata false vdekjeje me diagnoza si “pneumoni” apo “infarkt”.

Mes viteve 1940-1941, vetëm programi i centralizuar vrau rreth 70 mijë njerëz. Por 24 gushti nuk e ndali krimin. E decentralizoi. Pas urdhrit, vrasja vazhdoi me uri të qëllimshme, mbidoza, injeksione vdekjeprurëse dhe neglizhencë të programuar. Bilanci total i politikës naziste të eliminimit të personave me aftësi të kufizuara shkon në mbi 200 mijë jetë të marra.

Këtu është mësimi i parë që nuk duhet harruar: një shtet modern nuk ka nevojë për njerëz të çmendur për të kryer një krim masiv. I mjaftojnë njerëz normalë që pranojnë të mendojnë si funksionarë.

Pyetjet

“T4” është i rëndësishëm jo vetëm për numrin e viktimave, por për pyetjen që shtron.

Si arriti një nga shoqëritë më të shkolluara të Evropës, me universitete, spitale dhe gjykata, të pranojë idenë se shteti mund të vendosë se cila jetë vlen dhe cila jo?

Përgjigjja nuk është misticizëm nazist. Është logjika e zhveshur nga morali. Mjafton që mjeku të mos pyesë më “Si ta shëroj këtë njeri?”, por “Sa kushton ta mbajmë gjallë?”. Mjafton që administratori të mos shohë një pacient, por një “kosto për komunitetin”. Mjafton që juristi të mos shohë një qytetar, por një “rast social”. Mjafton që shoqëria të mësohet me gjuhën që e ndan njeriun në “të aftë” dhe “të padobishëm”.

Kur njeriu reduktohet në kosto, eliminimi i tij fillon të duket si racionalitet ekonomik. Kur sëmundja shndërrohet në kategori, vrasja shndërrohet në procedurë.

Nazizmi nuk e shpiku përbuzjen ndaj të dobëtit. Ai e ktheu atë në ligj, në buxhet dhe në formular.

Laboratori

“T4” nuk ishte një episod anësor i nazizmit. Ishte prova gjenerale. Personeli që mësoi të vriste me gaz në Hadamar dhe Hartheim u transferua më vonë në lindje, për të ndërtuar Treblinkën, Sobiborin dhe Belzecin. Teknikët e vdekjes, mjekët që firmosnin vdekje false, shoferët që transportonin viktimat – e gjithë zinxhiri u riciklua për shfarosjen e hebrenjve të Evropës. Kush pranon që shteti të vrasë të sëmurët, ka pranuar tashmë parimin që do t’i lejojë nesër të vrasë këdo që e shpall “të tepërt”.

Prandaj data 24 gusht 1941 nuk duhet mësuar si “dita kur Hitleri ndali T4”. Duhet mësuar si dita kur një shtet kuptoi se kishte kaluar një kufi që as vetë propaganda e tij nuk e mbulonte dot më.

Kufiri

Historia e “T4” nuk na kërkon vetëm të kujtojmë viktimat. Na kërkon të ruajmë një kufi. Kufiri është kjo pyetje: Kush ka të drejtë të vendosë se sa vlen jeta jote?

Në momentin kur këtë pyetje e merr përsipër shteti, kur dinjiteti kthehet në dosje, kur njeriu matet me dobinë, me koston, me produktivitetin, me racën apo me aftësinë, liria ka vdekur para njeriut.

Barbaria rrallë fillon me një armë që shkrep. Shumë më shpesh fillon me një fjali që pranohet në heshtje: “Ka njerëz që vlejnë më pak.”

Në atë moment, dhoma e gazit nuk është ndërtuar ende. Por leja për ta ndërtuar është dhënë.

11:30 Udhëtimi me avion nuk ka qenë kurrë kaq i sigurt

23 August 2026 at 11:30

Përgatiti: Leonard Veizi

Një studim i MIT-it tregon se rreziku i vdekjes në aviacionin komercial ka rënë në mënyrë spektakolare gjatë gjashtë dekadave. Nga një vdekje për çdo 350 mijë pasagjerë në fundin e viteve ’60, rreziku ka zbritur në rreth një për çdo 13.7 milionë pasagjerë në vitet e fundit të periudhës së studiuar.

Ka një paradoks të çuditshëm në mënyrën se si e perceptojmë udhëtimin ajror. Një aksident avioni, sado i rrallë, pushton menjëherë ekranet, gazetat dhe rrjetet sociale. Një aksident rrugor, edhe kur merr jetë çdo ditë, kalon shumë më shpesh si një statistikë.

Megjithatë, shifrat tregojnë një histori krejt tjetër. Aviacioni komercial është bërë jashtëzakonisht më i sigurt gjatë gjashtëdhjetë viteve të fundit.

Një studim i studiuesve të MIT-it, i botuar në Journal of Air Transport Management, analizoi rrezikun e vdekjes gjatë udhëtimit ajror në periudha të ndryshme dhe gjeti një rënie të jashtëzakonshme të këtij rreziku.

Studiuesit krahasuan periudhën 1968–1977 me 2008–2017 dhe më pas me vitet 2018–2022. Përfundimi ishte i qartë: rreziku individual për pasagjerët është zvogëluar vazhdimisht.

Sipas Arnold Barnett, një prej autorëve të studimit, probabiliteti i vdekjes në udhëtimet ajrore ka rënë me afërsisht 7 për qind në vit.

Nga një në 350 mijë në një në 13.7 milionë

Në periudhën 1968–1977, rreziku i vdekjes për një pasagjer në aviacionin komercial ishte rreth një në 350 mijë.

Katër dekada më vonë, në periudhën 2008–2017, raporti kishte zbritur në rreth një në 7.9 milionë.

Në periudhën më të fundit të analizuar, 2018–2022, rreziku ishte rreth një në 13.7 milionë pasagjerë.

Me fjalë të tjera, një pasagjer i sotëm është shumë më pak i ekspozuar ndaj një aksidenti fatal sesa një pasagjer i viteve ’60 ose ’70.

Barnett e ka krahasuar këtë përmirësim afatgjatë me një ide të ngjashme me ligjin e Moore në teknologji: jo sepse aviacioni ndjek të njëjtin ligj matematikor, por sepse edhe siguria e fluturimit ka njohur një përmirësim të vazhdueshëm dhe të jashtëzakonshëm ndër vite.

Pse u bë aviacioni kaq i sigurt?

Përgjigjja nuk qëndron te një shpikje e vetme.

Siguria moderne e aviacionit është rezultat i një sistemi të tërë: avionë më të besueshëm, motorë më të sigurt, sisteme navigimi dhe komunikimi më të avancuara, kontroll më i rreptë teknik, trajnime më të mira për pilotët dhe procedura gjithnjë e më të standardizuara.

Por një prej sekreteve më të mëdha të aviacionit modern është redundanca.

Një avion pasagjerësh nuk mbështetet zakonisht në një sistem të vetëm për funksionet jetike. Sistemet hidraulike, elektrike dhe të komandimit janë projektuar në mënyrë të tillë që një defekt i vetëm të mos çojë domosdoshmërisht në humbjen e kontrollit të avionit.

E njëjta filozofi vlen edhe për ekuipazhin. Dy pilotët monitorojnë vazhdimisht parametrat e fluturimit dhe mund të ndërhyjnë nëse njëri prej sistemeve ose njëri prej anëtarëve të ekuipazhit nuk mund të vazhdojë detyrën.

Pas kësaj qëndron një parim themelor i aviacionit: një gabim i vetëm nuk duhet të jetë në gjendje të shkaktojë katastrofë.

Një sistem që mëson nga gabimet

Aviacioni është bërë më i sigurt edhe sepse çdo aksident është trajtuar si një burim informacioni.

Kur ndodh një incident, hetuesit nuk merren vetëm me pyetjen “kush gaboi?”. Ata kërkojnë të kuptojnë se çfarë ndodhi në zinxhirin e ngjarjeve dhe cilat ndryshime mund të parandalojnë përsëritjen e tij.

Kjo ka çuar ndër vite në ndryshime të projektimit, procedurave të mirëmbajtjes, trajnimit të ekuipazheve, kontrollit të trafikut ajror dhe mënyrës së menaxhimit të emergjencave.

Një tjetër element është automatizimi. Avionët modernë janë të pajisur me sisteme që ndihmojnë pilotët në navigim, kontrollin e parametrave dhe menaxhimin e fluturimit. Por automatizimi nuk e ka eliminuar rolin e pilotit; përkundrazi, ka ndryshuar natyrën e punës së tij, duke e bërë menaxhimin e sistemeve dhe vendimmarrjen në situata të pazakonta pjesë qendrore të profesionit.

Po COVID-19?

Pandemia ishte një përjashtim i veçantë në historinë e aviacionit modern.

COVID-19 nuk e bëri avionin mekanikisht më të rrezikshëm dhe nuk shkaktoi rritje të aksidenteve ajrore. Problemi ishte tjetër: vetë fluturimi mund të bëhej një mjedis për transmetimin e virusit.

Studimi i MIT-it e mori parasysh edhe këtë faktor. Studiuesit vlerësuan vdekjet që mund t’i atribuoheshin transmetimit të SARS-CoV-2 gjatë udhëtimeve ajrore, duke përfshirë jo vetëm njerëzit që udhëtuan, por edhe persona të tjerë që mund të ishin infektuar më pas.

Kjo është një dallim i rëndësishëm. Rreziku këtu nuk ishte rrëzimi i avionit, por pasoja epidemiologjike e një udhëtimi me avion.

Siguria nuk është e njëjtë në të gjithë botën

Studimi nxjerr në pah edhe një tjetër realitet: niveli i sigurisë nuk është identik në të gjitha vendet.

Vendet me sistemet më të zhvilluara të aviacionit civil – ndër to Shtetet e Bashkuara, vendet evropiane, Australia dhe Japonia – kanë nivele shumë më të ulëta të rrezikut. Në një grup të ndërmjetëm përfshihen disa vende të Azisë dhe Amerikës Latine, ndërsa në grupin me rrezikun më të lartë përfshihen shumë vende me industri ajrore më pak të zhvilluar dhe me standarde më të dobëta sigurie.

Kjo tregon se siguria nuk varet vetëm nga teknologjia e avionit. Varet edhe nga mirëmbajtja, infrastruktura aeroportuale, kontrolli i trafikut ajror, trajnimi i personelit, mbikëqyrja shtetërore dhe kultura e sigurisë.

Pra, pyetja “A është avioni i sigurt?” nuk ka vetëm një përgjigje. Duhet pyetur edhe ku, me çfarë operatori dhe në çfarë sistemi rregullator po fluturon.

Pse avioni është më i sigurt se sa duket?

Në një makinë, një gabim i vogël mund të mjaftojë për një përplasje. Trafiku është i dendur, distancat janë të shkurtra dhe faktorët njerëzorë janë të shumtë.

Në aviacion, gjithçka është projektuar për të krijuar barriera të njëpasnjëshme kundër gabimit.

Piloti nuk është i vetëm. Ka pilotin tjetër, kontrollorët e trafikut ajror, sistemet automatike, procedurat standarde, mirëmbajtjen periodike, ekipet në tokë dhe një sistem të tërë monitorimi që funksionon në prapaskenë.

Edhe avioni vetë është projektuar me këtë filozofi. Në shumë sisteme kritike ekzistojnë burime rezervë, në mënyrë që një defekt të mos shndërrohet menjëherë në katastrofë.

Kjo është arsyeja pse një fluturim që për pasagjerin duket si një proces i thjeshtë – hipën, ulesh dhe pret të mbërrish – në të vërtetë është rezultati i një prej sistemeve teknologjike dhe organizative më të kontrolluara që ka krijuar njeriu.

Një paradoks i kohës sonë

Mund të duket e çuditshme, por ndërsa numri i fluturimeve është rritur në mënyrë marramendëse, rreziku individual i pasagjerit ka rënë.

Kjo është një nga historitë më të mëdha të suksesit të inxhinierisë moderne, por që rrallë merr të njëjtën vëmendje si një aksident ajror.

Kur një avion rrëzohet, lajmi udhëton në të gjithë botën brenda pak minutash. Kur miliona avionë ulen të sigurt çdo vit, kjo nuk është lajm.

Por pikërisht kjo është historia që tregojnë statistikat: udhëtimi ajror nuk është bërë thjesht më i zakonshëm. Është bërë edhe jashtëzakonisht më i sigurt.

Dhe ndoshta prova më e mirë e suksesit të aviacionit modern është pikërisht kjo: siguria e tij është bërë aq e zakonshme, saqë vetëm rastet e rralla kur diçka shkon tmerrësisht keq arrijnë të na kujtojnë se sa kompleks është sistemi që na çon nga një kontinent në tjetrin.

08:30 Histori/ 23 gusht 1939 – Pakti Molotov-Ribbentrop: marrëveshja që ndau Evropën në dy zona pushtimi

23 August 2026 at 08:30

Përgatiti: Leonard Veizi

Më 23 gusht 1939, në Moskë, Gjermania naziste dhe Bashkimi Sovjetik nënshkruan një traktat që në pamje të parë ishte një marrëveshje klasike mosagresioni. Në të vërtetë, pas dyerve të mbyllura, Adolf Hitleri dhe Josif Stalini po hidhnin në letër një marrëveshje që do të ndryshonte hartën e Evropës dhe do t’i hapte rrugë shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore.

Dokumenti u bë i njohur si Pakti Molotov-Ribbentrop, sipas emrave të ministrave të Jashtëm që e firmosën: Vjaçesllav Molotov për Bashkimin Sovjetik dhe Joachim von Ribbentrop për Gjermaninë.

Ishte një aleancë e çuditshme mes dy regjimeve që ideologjikisht e konsideronin njëri-tjetrin armik. Nazizmi gjerman dhe komunizmi sovjetik ishin kundërshtarë të betuar. Megjithatë, në verën e vitit 1939, interesat strategjike i afruan përkohësisht.

Pas këtij pakti fshihej një dokument shumë më i rëndësishëm se vetë traktati: Protokolli Sekret, i cili përcaktonte sferat e interesit të dy fuqive në Evropën Lindore.

Pse Hitleri kishte nevojë për Stalinin

Në verën e vitit 1939, Hitleri po përgatitej për luftë. Gjermania kishte aneksuar Austrinë në vitin 1938 dhe kishte marrë Sudetet nga Çekosllovakia. Në mars 1939, trupat gjermane pushtuan pjesën çeke të vendit. Tashmë objektivi i radhës ishte Polonia, veçanërisht çështja e Danzigut dhe e korridorit polak që ndante Prusinë Lindore nga pjesa tjetër e Gjermanisë. Por Hitleri e dinte se një luftë kundër Polonisë mund të shndërrohej në një konflikt shumë më të gjerë.

Britania dhe Franca kishin dhënë garanci për pavarësinë polake. Një sulm gjerman ndaj Polonisë mund ta fuste Gjermaninë në luftë me fuqitë perëndimore.

Mbi të gjitha, Hitleri nuk dëshironte të përsëriste atë që kishte ndodhur në Luftën e Parë Botërore: një luftë në dy fronte.

Prandaj, përpara se të godiste Poloninë, duhej të neutralizonte përkohësisht Bashkimin Sovjetik.

Edhe Stalini kishte llogaritë e veta

Stalini nuk po hynte në këtë marrëveshje nga simpatia për nazizmin. Bashkimi Sovjetik kishte tentuar më parë të ndërtonte një front kundër Hitlerit me Britaninë dhe Francën, por negociatat nuk kishin prodhuar një marrëveshje të besueshme. Moska dyshonte gjithashtu se fuqitë perëndimore mund të toleronin një përplasje mes Gjermanisë naziste dhe Bashkimit Sovjetik, duke i lënë dy regjimet të dobësonin njëri-tjetrin.

Stalini kishte edhe një problem tjetër: ushtria sovjetike ishte dobësuar rëndë nga spastrimi i madh i viteve 1937–1938, gjatë të cilit një numër i madh oficerësh të lartë u arrestuan, u ekzekutuan ose u larguan nga detyra.

Një marrëveshje me Gjermaninë do t’i jepte Moskës kohë.

Por kishte edhe një shpërblim shumë më konkret: territore.

23 gusht: Ribbentrop në Moskë

Më 23 gusht 1939, ministri gjerman i Jashtëm Joachim von Ribbentrop mbërriti në Moskë. Negociatat përfunduan me nënshkrimin e traktatit të mosagresionit. Sipas marrëveshjes, Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik zotoheshin të mos sulmonin njëri-tjetrin dhe të ruanin neutralitetin nëse njëri prej tyre do të përfshihej në konflikt me një fuqi të tretë.

Në letër, ishte një traktat diplomatik. Në realitet, ishte edhe një marrëveshje për ndarjen e Evropës Lindore. Sepse traktatit publik i bashkëngjitej një protokoll sekret.

Protokolli që duhej të mbetej i fshehtë Në këtë dokument të fshehtë, Berlini dhe Moska përcaktuan zonat e tyre të interesit. Polonia do të ndahej në sfera gjermane dhe sovjetike.

Linja fillestare e ndarjes kalonte afërsisht përgjatë lumenjve Narev, Visla dhe San, megjithëse kufiri do të ndryshonte pak më vonë, pas marrëveshjeve të tjera gjermano-sovjetike. Estonia dhe Letonia u vendosën në sferën sovjetike. Lituania fillimisht iu la sferës gjermane, por më vonë, me ndryshimin e marrëveshjeve, kaloi kryesisht në sferën sovjetike. Finlanda u përfshi në sferën e interesit të Bashkimit Sovjetik.

Në jug, Moska shprehu interes për Besarabinë, territor që atëherë i përkiste Rumanisë. Kështu, pa pyetur asnjë prej këtyre vendeve, dy fuqitë e mëdha vendosën në një dokument sekret se cilës sferë do t’i përkiste pjesa e tyre e Evropës.

Ishte diplomaci e fuqive të mëdha në formën e saj më brutale: dy shtete vendosnin fatin e shteteve të tjera. Një sekret që Evropa nuk e dinte

Publikisht, bota pa vetëm traktatin e mosagresionit.

Ekzistenca e protokollit sekret u mohua për dekada nga autoritetet sovjetike. Vetëm në fund të viteve 1980, gjatë periudhës së glasnostit, Bashkimi Sovjetik pranoi zyrtarisht ekzistencën e dokumentit.

Por në gusht 1939, askush jashtë rrethit të ngushtë të udhëheqjes gjermane dhe sovjetike nuk e dinte plotësisht se çfarë ishte vendosur.

Dhe vetëm pak ditë më vonë, marrëveshja do të fillonte të zbatohej.

1 shtator 1939: Gjermania sulmon Poloninë

Mëngjesin e 1 shtatorit 1939, Gjermania pushtoi Poloninë. Trupat gjermane hynë në territorin polak nga veriu, perëndimi dhe jugu. Luftwaffe goditi objektiva polake, ndërsa forcat tokësore përparuan me shpejtësi.

Më 3 shtator, Britania dhe Franca i shpallën luftë Gjermanisë.Lufta e Dytë Botërore kishte filluar.

Por Hitleri nuk kishte përballë vetëm Poloninë. Sipas marrëveshjes me Stalinin, edhe Bashkimi Sovjetik do të ndërhynte.

17 shtator: Ushtria e Kuqe hyn në Poloni

Më 17 shtator 1939, ndërsa ushtria polake po luftonte kundër gjermanëve, Ushtria e Kuqe kaloi kufirin lindor të Polonisë. Moska e justifikoi ndërhyrjen duke pretenduar se shteti polak ishte shembur dhe se Bashkimi Sovjetik duhej të mbronte popullsitë bjelloruse dhe ukrainase në lindje të vendit. Në realitet, ishte zbatimi i marrëveshjes së fshehtë.

Polonia u pushtua nga dy anë. Gjermania mori pjesën perëndimore dhe qendrore, ndërsa Bashkimi Sovjetik pushtoi pjesën lindore. Në fund të shtatorit, dy pushtuesit e ndanë Poloninë. Një shtet i tërë ishte zhdukur nga harta.

Bashkëpunimi i pamundur

Pakti nuk ishte vetëm një dokument mosagresioni. Për një periudhë të shkurtër, Gjermania naziste dhe Bashkimi Sovjetik zhvilluan edhe një marrëdhënie ekonomike të rëndësishme.

Gjermania kishte nevojë për lëndë të para për ekonominë e saj të luftës. Bashkimi Sovjetik furnizoi Gjermaninë me naftë, grurë, minerale dhe materiale të tjera strategjike.

Në këmbim, Gjermania i ofroi Bashkimit Sovjetik makineri, pajisje industriale dhe teknologji. Kjo marrëdhënie i shërbente të dyja palëve për aq kohë sa interesat e tyre përputheshin. Por ishte një martesë interesi me një fund të paracaktuar.

Baltiku bie nën kontrollin sovjetik

Në vjeshtën e vitit 1939, Bashkimi Sovjetik ushtroi presion mbi shtetet baltike. Estonia, Letonia dhe Lituania u detyruan të pranonin vendosjen e bazave ushtarake sovjetike. Në vitin 1940, ato u pushtuan dhe u aneksuan nga Bashkimi Sovjetik. Finlanda pati një fat tjetër. Kur Helsinki refuzoi kërkesat territoriale të Moskës, Bashkimi Sovjetik sulmoi Finlandën më 30 nëntor 1939. Filloi Lufta e Dimrit. Finlandezët rezistuan me një forcë shumë më të madhe nga sa pritej, por në mars 1940 u detyruan të pranonin paqen dhe të lëshonin territore të rëndësishme. Ndërkohë, në qershor 1940, Bashkimi Sovjetik i paraqiti Rumanisë ultimatume dhe mori Besarabinë dhe Bukovinën Veriore.

Harta e Evropës Lindore po ndryshonte me shpejtësi.

Por Hitleri nuk e kishte harruar Lindjen. Pakti kishte qenë që në fillim vetëm një armëpushim strategjik. Hitleri e kishte parë prej kohësh Bashkimin Sovjetik si armikun kryesor ideologjik dhe gjeopolitik të Gjermanisë. Në librin Mein Kampf kishte shpalosur vizionin për Lebensraum, hapësirën jetike që Gjermania duhej të siguronte në lindje. Për Hitlerin, territoret sovjetike ishin një objektiv i ardhshëm pushtimi. Pakti me Stalinin nuk e ndryshoi këtë objektiv. Vetëm e shtyu.

22 qershor 1941: Pakti thyhet

Në agimin e 22 qershorit 1941, Gjermania naziste nisi Operacionin Barbarossa. Mbi tre milionë ushtarë të Boshtit kaluan kufirin e Bashkimit Sovjetik në një nga operacionet më të mëdha ushtarake në historinë e njerëzimit. Tanket gjermane u vërsulën drejt lindjes. Luftwaffe sulmoi aeroportet dhe objektivat sovjetike. Ushtria e Kuqe u kap në një situatë katastrofike. Pakti Molotov-Ribbentrop kishte zgjatur më pak se dy vjet.

Hitleri tani po sulmonte pikërisht shtetin me të cilin kishte ndarë Poloninë në vitin 1939.

Stalini u befasua nga sulmi, megjithëse inteligjenca sovjetike dhe burime të ndryshme kishin dhënë paralajmërime të shumta për përgatitjet gjermane. Lufta gjermano-sovjetike do të bëhej fronti më i madh dhe më i përgjakshëm i Luftës së Dytë Botërore.

Një marrëveshje që ndryshoi historinë

Pakti Molotov-Ribbentrop nuk ishte shkaku i vetëm i Luftës së Dytë Botërore. Përgjegjësia kryesore për shpërthimin e luftës i takon agresionit ekspansionist të Gjermanisë naziste dhe politikës së saj të pushtimit.

Por pakti krijoi kushtet që Hitleri të sulmonte Poloninë pa u përballur menjëherë me një luftë kundër Bashkimit Sovjetik. Në të njëjtën kohë, Stalini fitoi kohë dhe zgjeroi territorin sovjetik në drejtim të perëndimit.

Për gati dy vjet, dy regjime totalitare, që më vonë do të përplaseshin në një luftë për jetë a vdekje, bashkëjetuan përmes një marrëveshjeje pragmatike.

Në hartën e Evropës së vitit 1939, vijat e vizatuara në një protokoll të fshehtë nuk ishin thjesht kufij diplomatikë. Ato përcaktuan pushtime, deportime, represion dhe ndryshime të dhunshme të popullsive.

Kur Gjermania sulmoi Bashkimin Sovjetik më 22 qershor 1941, marrëveshja mori fund.

Por pasojat e saj nuk mbaruan atë ditë. Për Poloninë, shtetet baltike, Finlandën, Rumaninë dhe popujt e Evropës Lindore, 23 gushti 1939 mbeti data kur dy fuqitë e mëdha u ulën në të njëjtën tryezë dhe vendosën, në fshehtësi, se kujt do t’i përkiste një pjesë e kontinentit.

07:00 Nga Leonard Veizi/ “Sindromi i Stokholmit”, kur viktima puth dorën e agresorit që e mbajti peng

23 August 2026 at 07:00

Nga Leonard Veizi

Dashuria për dhunuesin, që dikur ishte urrejtje, është një nga paradokset më të errëta të psikikës njerëzore…

…Më 23 gusht 1973, dy grabitës u ngujuan në bankën “Kreditbanken” të Stokholmit me katër pengje. Pas gjashtë ditësh, kur policia ndërhyri, disa prej pengjeve kishin nisur t’i mbronin rrëmbyesit dhe të mos besonin te ata që kishin ardhur për t’i shpëtuar. Nga kjo ngjarje lindi shprehja “Sindromi i Stokholmit”.

Termi nuk është një diagnozë zyrtare psikiatrike dhe fenomeni është i rrallë. Por ai ka mbetur si një metaforë e fuqishme për një mekanizëm psikologjik më të gjerë: njeriu mund të lidhet emocionalisht me burimin e frikës kur është i varur prej tij për mbijetesë.

Kur liria zhduket, edhe një grimë mirësi merr përmasa të jashtëzakonshme.

Një gotë ujë nga ai që mund të të vrasë mund të duket si shpëtim. Një ditë pa dhunë mund të duket si mëshirë. Një privilegj i vogël, brenda një sistemi shtypës, mund të përjetohet si drejtësi. Këtu ndodh përmbysja tragjike: viktima nuk mat më të mirën me standardin e lirisë, por me shkallën e dhunës që i është kursyer. Dhe kjo nuk është vetëm çështje psikologjie individuale. Mund të bëhet edhe psikologji kolektive.

Shqipëria e njeh mirë këtë mekanizëm, edhe pse nuk duhet ngatërruar me diagnozën “Sindromi i Stokholmit”.

Për dekada, shteti komunist nuk ishte vetëm administratë, por autoriteti që përcaktonte kufijtë e jetës: punën, banesën, shkollimin, lëvizjen, fjalën, madje edhe fatin personal. Në një rend të tillë, ajo që duhej të ishte e drejtë mund të përjetohej si privilegj.

Dhe këtu lind një pyetje më e thellë: çfarë ndodh me psikikën e një shoqërie kur ajo mësohet për shumë kohë ta përjetojë pushtetin si burim të së mirës dhe të së keqes njëkohësisht?

Pushteti të kufizon, bet edhe të shpërblen. Të frikëson, por edhe të mbron. Të merr diçka, pastaj të kthen një pjesë dhe pret mirënjohje. Me kalimin e kohës, kufiri midis detyrimit dhe favorit fillon të zhduket. Kjo është ndoshta pasoja më e thellë e çdo sistemi paternalist: njeriu harron se ka të drejta dhe fillon të mendojë se ka mirësi që duhet t’i kërkojë.

Diktatura mund të rrëzohet brenda një dite. Reflekset psikologjike të krijuara prej saj kërkojnë shumë më tepër kohë.

Prandaj edhe në një demokraci mund të mbijetojë ideja se shteti të “ndihmon”, politikani të “zgjidh hallin”, pushtetari të “bën nder”.

Dhe kur e mira vjen si favor, lind borxhi. Kur lind borxhi, lind besnikëria. Kështu qytetari mund të fillojë të mbrojë jo institucionin që i garanton lirinë, por personin prej të cilit varet. Është një përmbysje filozofike e marrëdhënies mes individit dhe pushtetit. Në vend që pushteti t’i shërbejë qytetarit, qytetari fillon t’i shërbejë pushtetit që i jep atë që i takon.

Në thelb, liria nuk është vetëm mungesa e prangave. Është aftësia për ta mos e konsideruar dhuratë atë që është e drejtë. Njeriu i lirë nuk falënderon për çdo të drejtë që i njihet. Ai kërkon që ajo të respektohet. Kjo është ndarja mes qytetarit dhe klientit, mes dinjitetit dhe varësisë.

Dhe ndoshta këtu qëndron mësimi më i thellë i Stokholmit: pengu më i rrezikshëm nuk është ai që nuk mund të largohet nga qelia. Është ai që mund të dalë prej saj, por vazhdon ta shohë çelësin në dorën e atij që e mbajti brenda.

Sepse liria e vërtetë fillon atëherë kur nuk ke më nevojë ta duash dorën që të heq prangat.

11:30 22 gusht 2006 – Fluturimi 612: 170 njerëz humbin jetën mbi Ukrainë

22 August 2026 at 11:30

Përgatiti: Leonard Veizi

Më 22 gusht 2006, një fluturim i zakonshëm veror nga bregdeti i Detit të Zi drejt Shën Petersburgut u shndërrua në një nga tragjeditë më të rënda të aviacionit atë vit. Tupolevi Tu-154M i kompanisë ruse Pulkovo Airlines, me numër fluturimi FV 612, u rrëzua në rajonin e Donetskut, në lindje të Ukrainës. Në bord ndodheshin 160 pasagjerë dhe 10 anëtarë ekuipazhi. Asnjë prej tyre nuk mbijetoi.

Avioni, me regjistrim RA-85185, ishte prodhuar në fillim të viteve ’90 dhe kishte kryer mijëra orë fluturimi. Më 22 gusht u nis nga aeroporti i Anapas, një prej qendrave turistike të bregdetit rus të Detit të Zi. Destinacioni ishte aeroporti Pulkovo i Shën Petersburgut. Fluturimi nisi normalisht, por përpara avionit po formohej një sistem i fuqishëm stuhish.

Stuhia përpara

Teksa Tu-154 vazhdonte drejt veriut, ekuipazhi u përball me re të fuqishme konvektive dhe turbulenca. Disa prej reve të stuhisë ngriheshin në lartësi shumë të mëdha, duke e bërë kalimin përmes tyre të rrezikshëm.

Ekuipazhi fillimisht u përpoq ta shmangte zonën e keqe të motit duke ndryshuar kursin. Por përpara avionit u shfaq një tjetër sistem i fuqishëm stuhish. Në vend që të largohej më tej prej tij, ekuipazhi vendosi të fitojë lartësi dhe të kalojë mbi re.

Vendimi do të rezultonte fatal.

Tu-154 po operonte tashmë në një lartësi ku rezervat e performancës aerodinamike ishin të kufizuara. Përpjekja për t’u ngjitur më lart, ndërsa avioni ndodhej në turbulenca të forta, bëri që shpejtësia të fillonte të binte. Në një moment autopiloti u shkëput dhe avioni kaloi në kontroll manual. Këtu filloi zinxhiri i pakthyeshëm i gabimeve.

Kur avioni humbi ngritjen

Në lartësi të mëdha, kontrolli i një avioni të rëndë reaktiv kërkon veçanërisht kujdes me shpejtësinë dhe këndin e sulmit. Nëse avioni ngre shumë hundën, krahu mund të arrijë një kënd ku nuk prodhon më ngritjen e nevojshme. Ky fenomen quhet stall – humbje aerodinamike e ngritjes.

Sipas hetimit përfundimtar të Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit, pikërisht kjo ndodhi me FV 612. Ekuipazhi lejoi që avioni të hynte në lëkundje të forta të pjerrësisë dhe të arrinte kënde sulmi përtej kufijve të lejuar. Në vend që të ulej hunda e avionit për të rifituar shpejtësinë, Tu-154 vazhdoi të ngrihej. Këndi i sulmit u bë kritik. Të dhënat e regjistruesve të fluturimit treguan se avioni u ngrit papritur në një trajektore shumë të pjerrët, ndërsa shpejtësia ajrore ra në mënyrë dramatike. Në kushte të tilla, motorët gjithashtu humbën aftësinë për të prodhuar shtytjen e nevojshme. Avioni kishte kaluar nga një fluturim i kontrolluar në një stall të thellë, i cili më pas u shndërrua në një rrotullim të sheshtë.

Dy minuta drejt tokës

Nga ai moment, ekuipazhi nuk arriti më ta rikthejë Tu-154 në fluturim normal. Avioni filloi të humbiste lartësi me shpejtësi, ndërsa rrotullohej dhe zbriste në mënyrë të pakontrolluar.

Në tokë, ndërkohë, askush nuk mund ta dinte se çfarë po ndodhte brenda kabinës.

Avioni u përplas me tokën në një zonë fushore pranë Sukha Balka, rreth 45–50 kilometra në veri të Donetskut. Përplasja ishte katastrofike. Tu-154 u shkatërrua dhe më pas shpërtheu në flakë. Fusha e mbetjeve u shtri në një gjatësi prej rreth 400 metrash.

Në bord nuk kishte më shpresë për të mbijetuar. Të 170 njerëzit humbën jetën: 160 pasagjerë dhe 10 anëtarë ekuipazhi. Mes pasagjerëve ndodheshin edhe 45 fëmijë nën moshën 12 vjeç.

Nga rrufeja te shkaku i vërtetë

Orët e para pas katastrofës sollën edhe një shpjegim tjetër. Raportimet fillestare flisnin për mundësinë që avioni të ishte goditur nga rrufeja, ndërsa moti i keq u konsiderua menjëherë si një nga faktorët kryesorë. Në ditët e para, autoritetet ende nuk kishin një pamje të plotë të asaj që kishte ndodhur. Por hetimi i regjistruesve të fluturimit e ndryshoi ndjeshëm këtë tablo. Dy kutitë e zeza u gjetën pas aksidentit dhe u dërguan për analizë. Të dhënat e tyre bënë të mundur rindërtimin e minutave të fundit të fluturimit dhe përcaktimin e mekanizmit të katastrofës.

Raporti përfundimtar, i mbyllur më 12 shkurt 2007, arriti në përfundimin se shkaku kryesor ishte humbja e kontrollit të avionit në fluturim manual, pas një rritjeje të tepruar të këndit të sulmit dhe hyrjes në stall, e ndjekur nga një rrotullim i sheshtë dhe përplasja me tokën.

Hetuesit evidentuan edhe faktorë të tjerë: procedurat dhe programet e trajnimit nuk u kishin dhënë pilotëve përgatitjen e mjaftueshme për kontrollin manual të avionit në lartësi të mëdha, ndërsa mungesa e praktikës adekuate në simulator për situata të tilla e vështirësoi reagimin e ekuipazhit.

Një tjetër problem ishte menaxhimi i burimeve të ekuipazhit – mënyra se si pilotët duhet të ndajnë detyrat, të komunikojnë dhe të ndërhyjnë në mënyrë efektive kur situata del jashtë kontrollit.

Një mësim i hidhur

Katastrofa e Pulkovo 612 nuk ishte thjesht historia e një avioni që u ndesh me një stuhi. Ajo tregoi se një zinxhir vendimesh të gabuara mund ta shndërrojë edhe një avion të aftë për fluturim në një makinë të pakontrollueshme. Stuhia ishte aty, por nuk ishte ajo që e rrëzoi drejtpërdrejt avionin. Vendimi për t’u ngjitur në një lartësi ekstreme, kontrolli manual në turbulenca të fuqishme, humbja e shpejtësisë, rritja e këndit të sulmit dhe pamundësia për të rikuperuar stall-in u bashkuan në pak minuta.

Pas katastrofës, rekomandimet e sigurisë u përqendruan te shmangia e stuhive të fuqishme, respektimi i kufijve maksimalë të lartësisë në varësi të ngarkesës dhe temperaturës, si dhe përmirësimi i trajnimit të pilotëve për situata të fluturimit në lartësi të mëdha.

Më 22 gusht 2006, fluturimi FV 612 kishte nisur si një udhëtim kthimi nga pushimet. Pak më shumë se gjysmë ore pas nisjes, ai u kthye në një nga katastrofat më të mëdha ajrore të vitit. 170 njerëz u nisën nga Anapa për në Shën Petersburg; asnjëri nuk arriti në destinacion.

08:30 Sa partizanë kontribuan për çlirimin e Italisë nga nazifashizmi?

22 August 2026 at 08:30

Përgatiti: Leonard Veizi

Në Rezistencën italiane kundër nazifashizmit morën pjesë qindra mijëra njerëz. Mes tyre ishin edhe dhjetëra mijëra gra, të cilat nuk luftuan vetëm me armë, por shërbyen si korriere, organizatore, informatore, infermiere dhe drejtues të lëvizjes antifashiste. Shumë prej tyre paguan me burgun, internimin, torturat dhe jetën.

Kur flitet për Rezistencën italiane, imazhi i parë që vjen ndër mend është ai i burrave me pushkë mbi supe, të fshehur në malet e Apenineve ose duke zbritur drejt qyteteve për të goditur repartet gjermane dhe njësitë e Republikës Sociale Italiane. Por kjo pamje, sado e vërtetë, është vetëm një pjesë e historisë.

Pas armëpushimit të 8 shtatorit 1943, Italia u shndërrua në një nga frontet kryesore të luftës në Evropë. Gjermania naziste pushtoi pjesën më të madhe të territorit italian, ndërsa në veri u krijua Republika Sociale Italiane e Benito Musolinit. Në këtë hapësirë të pushtuar dhe të militarizuar filloi të merrte formë një lëvizje e gjerë rezistence, ku komunistë, socialistë, katolikë, liberalë, republikanë, monarkistë dhe njerëz pa përkatësi të qartë politike luftuan, në forma të ndryshme, kundër pushtuesit gjerman dhe fashizmit.

Sa ishin?

Numri i saktë i partizanëve italianë nuk është i lehtë për t’u përcaktuar. Ai ndryshoi në mënyrë të ndjeshme gjatë luftës dhe varet edhe nga mënyra se si përkufizohet fjala “partizan”.

Vlerësimet historike i vendosin forcat partizane në një shkallë prej dhjetëra mijëra luftëtarësh aktivë, ndërsa në muajt e fundit të luftës numri i njerëzve të përfshirë drejtpërdrejt ose në mënyrë ndihmëse në Rezistencë ishte shumë më i madh. Shifrat e përdorura nga institucionet dhe shoqatat e veteranëve pas luftës mund të arrijnë në rreth 240 mijë persona, nëse llogariten edhe kategori të ndryshme të pjesëmarrësve në luftën partizane.

Por pas këtyre numrave fshihet një realitet më kompleks. Jo të gjithë ata që kontribuan në Rezistencë mbanin armë. Dhe jo të gjithë ata që nuk mbanin armë ishin më pak të ekspozuar ndaj rrezikut.

Gratë e Rezistencës

Një nga aspektet më të rëndësishme të Rezistencës italiane ishte përfshirja e grave.

Sipas të dhënave të përdorura nga Shoqata Kombëtare e Partizanëve të Italisë (ANPI), rreth 70 mijë gra morën pjesë në Grupet e Mbrojtjes së Grave dhe për rreth 35 mijë prej tyre u njoh statusi i luftëtares partizane. Shifrat ndryshojnë sipas kategorive dhe kritereve të njohjes, por ato tregojnë përmasën e një pjesëmarrjeje që për një kohë të gjatë mbeti në hije.

Gratë nuk ishin thjesht ndihmëse të partizanëve. Ato kryenin detyra që ishin thelbësore për mbijetesën dhe funksionimin e njësive të Rezistencës.

Një prej roleve më të rëndësishme ishte ai i korrieres. Gratë lëviznin ndërmjet qyteteve, fshatrave dhe bazave partizane duke transportuar urdhra, dokumente, harta, armë, ilaçe dhe informacione. Për shkak se në shumë raste ishin më pak të dyshuara nga patrullat gjermane dhe fashiste, ato mund të kalonin pika kontrolli ku një burrë në moshë luftarake do të ndalohej menjëherë.

Por kjo nuk do të thoshte se ishin të sigurta.

Një korriere e kapur mund të përfundonte në burg, në qendrat e torturës, në kamp internimi ose përpara një skuadre pushkatimi. Shumë prej tyre e dinin se një dokument i gjetur në çantë mund të zbulonte jo vetëm identitetin e tyre, por edhe vendndodhjen e një njësie të tërë partizane.

Më shumë se armë

Gratë kujdeseshin për të plagosurit, organizonin strehimin e të arratisurve, siguronin ushqime dhe veshmbathje dhe ndihmonin në furnizimin e njësive partizane. Ato mblidhnin informacione, përcillnin lajme dhe shpesh ndërtonin rrjete të tëra komunikimi.

Në qytete, roli i tyre ishte po aq i rëndësishëm. Gratë organizuan protesta, greva dhe demonstrata kundër pushtimit dhe regjimit fashist. Ato morën pjesë në shpërndarjen e materialeve propagandistike dhe në mbledhjen e fondeve për familjet e të burgosurve dhe luftëtarëve.

Në këtë mënyrë, Rezistenca nuk ishte vetëm një luftë e zhvilluar në male. Ajo ishte një rrjet i gjerë njerëzor që shtrihej në lagje, fabrika, shtëpi, spitale, fshatra dhe qytete.

Një shoqëri që ndryshonte

Për gratë italiane, pjesëmarrja në Rezistencë pati edhe një kuptim tjetër. Ajo i nxori nga rolet tradicionale që shoqëria u kishte caktuar dhe i vendosi në qendër të jetës politike.

Gruaja që deri dje konsiderohej kryesisht si nënë, bashkëshorte ose amvisë, tani mund të ishte korriere, organizatore, informatore, propagandiste, infermiere apo luftëtare.

Kjo përvojë nuk u zhduk me përfundimin e luftës.

Pas çlirimit, pjesëmarrja e grave në Rezistencë u bë një prej argumenteve të rëndësishme në debatin për të drejtat politike. Më 1 shkurt 1945, një dekret i qeverisë italiane njohu të drejtën e votës për gratë. Për herë të parë ato morën pjesë në zgjedhjet administrative të vitit 1946 dhe më 2 qershor 1946 votuan në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese dhe në referendumin që vendosi fatin e monarkisë dhe republikës.

Ishte një kthesë historike: gruaja italiane që gjatë luftës kishte transportuar mesazhe nën hundën e patrullave, kishte fshehur të arratisur dhe kishte ndihmuar partizanët, tani merrte pjesë edhe në vendimmarrjen politike të vendit.

Çmimi i Rezistencës

Rezistenca pati një kosto të lartë njerëzore. Partizanët dhe mbështetësit e tyre u vranë në luftime, në ekzekutime masive dhe në represaljet e forcave gjermane dhe fashiste. Të tjerë u arrestuan, u torturuan ose u deportuan në kampe.

Edhe gratë u goditën rëndë. Për shumë prej tyre, pjesëmarrja në Rezistencë nënkuptonte humbjen e shtëpisë, burgun, internimin ose vdekjen. Një pjesë e viktimave nuk u njohën menjëherë si luftëtare, pikërisht sepse kontributi i tyre nuk kishte marrë gjithmonë formën e një përleshjeje të armatosur.

Kjo është edhe arsyeja pse historia e Rezistencës italiane nuk mund të matet vetëm me numrin e pushkëve.

Ajo u mbështet mbi një ushtri të padukshme njerëzish: korriere që kalonin postblloqe, familje që hapnin dyert e shtëpive, fshatarë që siguronin ushqime, mjekë që mjekonin të plagosurit, punëtorë që hynin në grevë dhe gra që transportonin mesazhe nën rrezikun e arrestimit.

Kur Italia u çlirua në pranverën e vitit 1945, këta njerëz nuk kishin luftuar të gjithë në të njëjtën mënyrë. Por pa këtë rrjet të gjerë rezistence, lufta kundër pushtimit gjerman dhe fashizmit do të kishte qenë shumë më e vështirë.

Dhe për gratë, Rezistenca pati një pasojë që shkoi përtej fitores ushtarake: ajo u dha një vend të ri në jetën publike italiane. Nga korrieret e fshehta të viteve të luftës, ato u shndërruan në qytetare me të drejtë vote. Një ndryshim që nisi në rrugët dhe malet e një Italie të pushtuar dhe përfundoi në kutitë e votimit të Republikës së re.

07:00 Nga Leonard Veizi/ Domosdoshmëria e pelegrinazheve shpirtërore: nga Kisha e Laçit e Ardenica, te Mali i Tomorrit

22 August 2026 at 07:00

Nga Leonard Veizi

Në ditë të nxehta me ekuilibër të brishtë, ku bota përfshihet herë nga zjarre të ndezura “pa dashje” e herë nga bomba të hedhura mbi koka njerëzish, këtë herë me siguri “me dashje”, një pelegrinazh shpirtëror mbetet një domosdoshmëri.

Jetojmë një kohë e cila gjithnjë e më shumë po përfshihet nga dinamika e përditshmërisë dhe materializmit, nevoja për përvojat shpirtërore dhe rigjenerimin e brendshëm bëhet gjithnjë e më e domosdoshme. Përballë sfidave të përditshme dhe lodhjes emocionale, njerëzit shpesh kërkojnë një strehë të brendshme, një vend ku mund të rifitojnë balancën dhe kuptimin e jetës. Në Shqipëri, dy nga destinacionet më të njohura të pelegrinazhit shpirtëror janë Kisha e Laçit dhe Mali i Tomorrit. Këto vende nuk janë vetëm pika turistike apo qendra fetare, por edhe vende ku besimi, tradita dhe mistika ndërthuren në një mënyrë të thellë dhe të ndjeshme.

Kisha e Shën Kollit në Laç është një nga vendet më të vizituara për pelegrinazhe në Shqipëri, veçanërisht gjatë muajit Qershor. Pelegrinët shkojnë për të kërkuar bekime dhe shërim.

Teqeja e Baba Tomorrit, në malin e Tomorrit, merr një peshë të veçantë jo vetëm për bektashinjtë që zhvillojnë një pelegrinazh të rëndësishëm në Gusht, ku mblidhen për t’i kushtuar nderime këtij mali të shenjtë.

Nga ana tjetër edhe Manastiri ortodoks i Ardenicës është i njohur për pelegrinazhe të besimtarëve që kërkojnë bekime dhe qetësi shpirtërore.

Kisha e Laçit, një vend i shenjtë për të gjithë

Kisha e Laçit, e njohur ndryshe si Kisha e Shën Antonit, është një prej vendeve më të frekuentuara të pelegrinazhit në Shqipëri. E vendosur në një kodër të lartë mbi qytetin e Laçit, kjo kishë përbën një qendër të rëndësishme shpirtërore për shumë besimtarë, jo vetëm katolikë, por edhe të besimeve të tjera. Çdo vit, me mijëra njerëz ngjiten në këtë vend të shenjtë, në kërkim të bekimeve, shërimit dhe qetësisë shpirtërore. Pelegrinët, të udhëhequr nga dëshira për një lidhje më të afërt me Zotin dhe shpirtin e tyre, sjellin me vete jo vetëm lutjet dhe shpresat, por edhe ofertat dhe sakrificat e tyre, duke kërkuar bekimin e Shën Antonit.

Kisha e Laçit simbolizon për shumëkënd një vend ku shpirti mund të pastrohet dhe ku mund të rigjenerohet fuqia e besimit. Shumë njerëz kanë dëshmuar për mrekulli dhe shërime të jashtëzakonshme që kanë ndodhur në këtë vend, duke e bërë Kishën e Laçit një vend të veçantë në ndërgjegjen shpirtërore të shqiptarëve. Kjo kishë përfaqëson një pikë ku takohen qielli dhe toka, besimi dhe realiteti.

Mali i Tomorrit, shenjtëria e natyrës dhe besimit

Jemi pikërisht në gusht. Malet ngrihen mbi horizontin e djegur nga dielli, dhe në Tomorr, ku mistika përthyhet me realitetin, nis pelegrinazhi i përvitshëm. Është një udhëtim që bart në vete peshën e një tradite të lashtë. Në rrugën e mbushur me pelegrinë, ndjehet atmosfera e përgatitjeve të një riti shekullor. Burrat dhe gratë, të veshur në të bardha, ngjajnë me hije të qeta që kërkojnë të prekin qiellin, ndërsa ngjiten lart. Dielli i gushtit, i pamëshirshëm, zbraz mbi ta rreze të nxehta, sikur të jetë një provë e fundit për të përkushtuarit që duan të arrijnë majën e shenjtë.

Nga ana tjetër, Mali i Tomorrit, i njohur si “mali i shenjtë”, është një vend me rëndësi të madhe për besimtarët bektashinj dhe jo vetëm. Për shumë shekuj, ky mal është konsideruar si një shenjtërore natyrore, ku perëndia dhe natyra bashkohen në një harmoni të plotë. Pelegrinazhi në Malin e Tomorrit është një përvojë që kërkon përkushtim të thellë shpirtëror, pasi ngjitja në këtë mal kërkon jo vetëm fuqi fizike, por edhe një përgatitje shpirtërore.

Mali i Tomorrit nuk është vetëm një destinacion për besimtarët bektashinj gjatë festës së Sulltan Novruzit, por edhe për çdo individ që kërkon një lidhje më të thellë me natyrën dhe shpirtin. Pelegrinazhi në këtë mal është një akt që simbolizon ngjitjen e shpirtit drejt lartësive, një mënyrë për të përjetuar praninë e shenjtërisë në çdo hap të rrugëtimit.

Pelegrinazhi në Ardenicën e shenjtëruar

Manastiri i Ardenicës është një nga monumentet më të rëndësishme fetare dhe kulturore në Shqipëri, dhe një destinacion i njohur për pelegrinët. I ndodhur në një kodër mbi fshatin Ardenicë në afërsi të Fierit, manastiri është i njohur për historinë dhe arkitekturën e tij unike, që daton nga shekulli i 13-të.

Manastiri u ndërtua në vitin 1282 nga perandori bizantin Andronik II Paleologu, dhe është dedikuar Shën Mërisë (Theotokos). Një nga ngjarjet më të rëndësishme që lidhet me këtë manastir është fakti se në vitin 1451 këtu është martuar Skënderbeu, heroi kombëtar i Shqipërisë.

Manastiri i Ardenicës është një kompleks që përfshin disa ndërtesa të rëndësishme, përfshirë kishën kryesore të Shën Mërisë, kisha të vogla dhe objekte të tjera ndihmëse. Arkitektura e manastirit është një përzierje stilesh bizantine, me mure të larta prej guri dhe afreske të mrekullueshme që datojnë nga shekujt e XVIII dhe XIX. Këto afreske janë vepër e mjeshtrave ikonografë, vëllezërve Zografi, që janë të njohur për punimet e tyre në manastiret ortodokse.

Pelegrinazhi në manastirin e Ardenicës është një traditë e rëndësishme për komunitetin ortodoks dhe për besimtarët e tjerë që kërkojnë një vend të shenjtë për lutje dhe reflektim. Pelegrinët vijnë për të marrë bekimin e shenjtë të manastirit, për t’u lutur në kishën kryesore dhe për të përjetuar paqen dhe qetësinë që ofron ky vend i lashtë. Gjatë festave fetare, sidomos në ditën e Shën Mërisë (15 gusht), manastiri bëhet një destinacion i njohur për pelegrinët që marrin pjesë në ceremonitë fetare dhe aktivitetet e tjera kulturore që organizohen atje.

Përveç aspektit fetar, vizita në manastirin e Ardenicës ofron edhe një mundësi për të eksploruar historinë e pasur të rajonit, si dhe për të shijuar peizazhin e bukur natyror që e rrethon këtë vend të shenjtë.

Në fund

Në ditë të nxehta ku shpesh na mbyt zhurma dhe përshpejtimi i jetës, pelegrinazhet shpirtërore ofrojnë një mundësi të rrallë për reflektim, rigjenerim dhe një rikthim në thelbin tonë shpirtëror. Këto vende të shenjta na kujtojnë se përtej materializmit dhe përditshmërisë ekziston një dimension më i thellë, i cili kërkon kohë, përkushtim dhe një zemër të hapur për t’u përjetuar. Pelegrinazhet nuk janë thjesht udhëtime fizike, ato janë udhëtime drejt vetvetes, drejt besimit dhe drejt një kuptimi më të thellë të ekzistencës sonë.

10:00 Nga Leonard Veizi/ 21 gusht 1911 – Vjedhja jospektakolare që i dha Mona Lizës një famë spektakolare

21 August 2026 at 10:00

Nga Leonard Veizi

Në agimin e nxehtë parizian të 21 gushtit 1911, korridoret e Luvrit u zgjuan me një boshllëk të frikshëm. Në vendin ku prej vitesh priste vizitorët buzëqeshja e mistershme e një gruaje të shekullit XVI, u gjend vetëm një kornizë bosh…

…Askush nuk e kuptoi menjëherë se ajo që mungonte ishte një nga pikturat më të çmuara të botës; në fillim, Luvri thjesht dukej sikur kishte humbur një prej veprave të tij. Brenda pak orësh, megjithatë, mungesa e saj do të kthehej në një nga misteret më të bujshme të shekullit. “Mona Lisa”, vepra e Leonardo da Vinçit, ishte zhdukur pa gjurmë. Lajmi për vjedhjen e saj përhapi një tronditje të paprecedentë dhe e shndërroi menjëherë pikturën në një ikonë botërore.

Plani i punëtorit italian

Autori ishte Vinçenzo Peruxhia, një italian i thjeshtë, punëtor xhami që kishte punuar në muze. I bindur se piktura i përkiste atdheut të tij, ai hyri në Luvër i veshur me uniformën e bardhë të punonjësve, e hoqi tablonë nga muri, e çmontoi nga korniza mbrojtëse dhe e fshehu nën rrobat e veta. Pa shumë vështirësi, arriti ta nxirrte jashtë ndërtesës.

Paris në panik

Kur u zbulua mungesa e veprës, në fillim u mendua se ajo ishte marrë për restaurim. Vetëm pas disa orësh u pranuar e vërteta: “Mona Lisa” ishte vjedhur. Shtypi shpërtheu me tituj sensacionalë. Policia dyshoi madje edhe te Pablo Picasso, që përkohësisht u mbajt i hetuar, por pa prova dhe u shpall i pafajshëm.

Dy vite në fshehtësi

Piktura qëndroi më shumë se dy vjet në një apartament modest parisien, brenda një kutie druri. Në vitin 1913, Peruggia tentoi ta shiste në Firence, duke u paraqitur si patriot që donte ta kthente veprën në Itali. Tregtarët e artit dhe drejtori i Galerisë Uffizi e kuptuan menjëherë se kishin përballë origjinalin dhe njoftuan autoritetet. Peruggia u arrestua, ndërsa vepra u rikthye në Francë.

Pasojat dhe fama e re

Në Itali, tabloja u ekspozua përkohësisht dhe u përjetua si “kthim në shtëpi”. Më pas u dorëzua sërish Luvrit, ku ndodhet edhe sot. Gjykata e dënoi Peruxhian me vetëm një vit e 15 ditë burg, duke marrë parasysh motivin e tij patriotik. Por pas kësaj aventure, fama e “Mona Lizës” u rrit në përmasa planetare: mijëra njerëz u dyndën për ta parë zonjën enigmatike që kishte sfiduar jo vetëm kohën, por edhe ligjin.

Frymëzimi në kinema

Ngjarja e vjedhjes frymëzoi edhe botën e kinemasë, duke u shndërruar në subjekt filmash dramatikë e komikë:

-“Nick Winter and the Theft of the Mona Lisa” (1911) – një komedi e shkurtër franceze, realizuar menjëherë pas ngjarjes, që tallej me paaftësinë e hetuesve.

-“The Theft of the Mona Lisa” (1931) – dramë gjermane e Geza fon Bolvari, ku Peruxhia paraqitet si i dashuruar që përmes vjedhjes kërkon zemrën e një kamarierjeje.

-“The Mona Lisa Has Been Stolen” (1966) – komedi franceze e Mishel Devij, që e kthen ngjarjen në një aventurë të shpenguar me magjistarë, kriminelë e policë.

Epilogu

Vjedhja e 1911-s, nga një akt i një punëtori anonim, u shndërrua në një moment të artit botëror që vulosi mitin e “Mona Lizës”. Që atëherë, buzëqeshja e saj e padukshme nuk është më thjesht një portret – por një legjendë.

08:30 20 gusht 1866 – Lufta Civile amerikane shpallet zyrtarisht e përfunduar

21 August 2026 at 08:30

Përgatiti: Leonard Veizi

Më 20 gusht 1866, më shumë se një vit pas kapitullimit të Konfederatës në fushën e betejës, Presidenti Andrew Johnson shpalli zyrtarisht përfundimin e Luftës Civile në Shtetet e Bashkuara. Lufta kishte përfunduar praktikisht në pranverën e vitit 1865, por procesi i dorëzimit të forcave konfederate dhe i rikthimit të autoritetit federal vazhdoi edhe për muaj të tërë.

Katër vjet më parë, Shtetet e Bashkuara ishin futur në konfliktin më të përgjakshëm të historisë së tyre. Më 12 prill 1861, forcat e Konfederatës hapën zjarr mbi Fort Sumter, në Karolinën e Jugut, duke shënuar fillimin e Luftës Civile Amerikane.

Por kriza nuk kishte lindur brenda një nate.

Një vend i ndarë më dysh

Në dekadat që i paraprinë luftës, përplasja midis Veriut dhe Jugut ishte thelluar vazhdimisht, mbi të gjitha rreth çështjes së skllavërisë dhe zgjerimit të saj në territoret e reja amerikane. Pas zgjedhjes së Abraham Lincolnit si president në nëntor 1860, Karolina e Jugut u bë shteti i parë që u shkëput nga Bashkimi. Gjatë muajve pasues e ndoqën Misisipi, Florida, Alabama, Xhorxhia, Luiziana dhe Teksasi.

Në shkurt 1861, këto shtete krijuan Shtetet Konfederate të Amerikës dhe zgjodhën Jefferson Davis si president. Kur Lincoln mori detyrën më 4 mars, shtatë shtete ishin tashmë shkëputur. Katër të tjera – Virxhinia, Arkansas, Tenesi dhe Karolina e Veriut – iu bashkuan më vonë Konfederatës.

Në letër, Veriu kishte avantazhe të mëdha.

Shtetet që qëndruan në Union kishin një popullsi shumë më të madhe, një industri shumë më të zhvilluar, shumicën dërrmuese të kapacitetit prodhues të vendit dhe një rrjet hekurudhor më të gjerë. Veriu kishte gjithashtu një sistem financiar më të fuqishëm dhe një industri armësh që mund të furnizonte një luftë të gjatë.

Jugu, në të kundërt, ishte shumë më i varur nga bujqësia, veçanërisht nga plantacionet e pambukut dhe nga puna e skllevërve.

Në vitin 1860, rreth katër milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara jetonin në skllavëri. Për elitën ekonomike të Jugut, sistemi i plantacioneve ishte bërë baza e pasurisë dhe e fuqisë politike.

Pse lufta nuk ishte e shkurtër?

Epërsia ekonomike e Veriut nuk nënkuptonte një fitore të shpejtë.

Jugu luftonte në territorin e vet dhe kishte një traditë të fortë ushtarake. Shumë prej oficerëve më të aftë të ushtrisë amerikane iu bashkuan Konfederatës. Mes tyre ishte Robert E. Lee, i cili do të bëhej komandanti më i famshëm i ushtrisë jugore.

Edhe Lincoln, në fillim të luftës, nuk kishte përvojën ushtarake të një komandanti profesionist. Megjithatë, gjatë katër viteve të konfliktit ai u shndërrua në një nga figurat politike më të rëndësishme të historisë amerikane.

Lufta do të kërkonte mobilizim të jashtëzakonshëm njerëzor dhe ekonomik.

Lufta bëhet edhe luftë kundër skllavërisë

Në fillim, objektivi zyrtar i Unionit ishte ruajtja e Bashkimit. Por karakteri i luftës ndryshoi.

Më 1 janar 1863, Lincoln shpalli Proklamatën e Emancipimit, e cila deklaronte të lirë popullsinë e skllavëruar në territoret që ishin në rebelim kundër Unionit. Dokumenti nuk e zhduku menjëherë skllavërinë në të gjithë vendin, por e shndërroi luftën gjithnjë e më shumë në një luftë për çlirimin e skllevërve.

Ndërkohë, afro 200 mijë afrikano-amerikanë shërbyen në ushtrinë dhe marinën e Unionit deri në fund të luftës.

Appomattox

Pranvera e vitit 1865 solli fundin. Pas një serie humbjesh dhe tërheqjes nga Richmondi, kryeqyteti i Konfederatës, gjenerali Robert E. Lee e kuptoi se ushtria e tij nuk mund të vazhdonte më luftën.

Më 9 prill 1865, në Appomattox Court House të Virxhinias, Lee u dorëzua te gjenerali Ulysses S. Grant. Formalitetet e dorëzimit përfunduan më 12 prill. Kapitullimi nuk nënkuptonte se çdo forcë konfederate ishte dorëzuar, por ishte goditja vendimtare që shënoi fundin praktik të rezistencës së organizuar jugore.

Forca të tjera konfederate vazhduan të dorëzoheshin gjatë muajve pasues. Një nga kapitullimet e fundit ishte ai i anijes CSS Shenandoah, e cila u dorëzua në Liverpool më 6 nëntor 1865, pasi ekuipazhi kishte mësuar me vonesë se lufta kishte përfunduar.

Por edhe pas kapitullimeve ushtarake, në kuptimin juridik dhe politik lufta nuk ishte mbyllur plotësisht.

20 gusht 1866

Më 2 prill 1866, Presidenti Andrew Johnson kishte shpallur se kryengritja kishte përfunduar në disa prej shteteve të Jugut, por Teksasi mbetej për t’u përfshirë në shpalljen përfundimtare. Pasi qeveria federale deklaroi se edhe në Teksas ishin rivendosur kushtet e nevojshme për zbatimin e autoritetit federal, Johnson nxori më 20 gusht 1866 shpalljen përfundimtare. Në të deklarohej se kryengritja kishte përfunduar dhe se paqja, rendi dhe autoriteti civil ekzistonin në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Kështu, 20 gushti 1866 nuk është data e përfundimit të luftimeve, por data kur qeveria amerikane e shpalli zyrtarisht të mbyllur konfliktin në aspektin juridik. National Archives e përshkruan qartë këtë si shpalljen formale të fundit të Luftës Civile, 16 muaj pas Appomattox.

Një vend i shkatërruar

Çmimi i luftës ishte kolosal. Për më shumë se një shekull, numri më i pranuar i të vdekurve ishte rreth 620 mijë. Vlerësimi tradicional përfshinte rreth 360 mijë të vdekur nga Unionit dhe 258 mijë nga Konfederata.

Por një studim demografik i historianit J. David Hacker, i publikuar në vitin 2011, arriti në përfundimin se numri real mund të ketë qenë rreth 750 mijë, me një interval të mundshëm nga 650 mijë deri në 850 mijë. Arsyeja kryesore ishte nënregjistrimi i humbjeve, veçanërisht në radhët e Konfederatës.

Pavarësisht se cili vlerësim merret si më i saktë, Lufta Civile mbetet konflikti më vdekjeprurës në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Ajo rrënoi ekonominë e Jugut, vrau qindra mijëra njerëz, la miliona të plagosur dhe ndryshoi përgjithmonë marrëdhëniet midis shtetit federal dhe shteteve amerikane.

Mbi të gjitha, lufta i dha fund sistemit ligjor të skllavërisë në Shtetet e Bashkuara. Pak muaj pas përfundimit të konfliktit, ratifikimi i Amendamentit të 13-të të Kushtetutës do ta ndalonte zyrtarisht skllavërinë në të gjithë vendin.

Kështu, më 20 gusht 1866, Amerika nuk po i jepte fund një lufte që ende zhvillohej nëpër fusha beteje. Ajo po vendoste vulën e fundit mbi një konflikt që kishte përfunduar ushtarakisht më shumë se një vit më parë, por pasojat e të cilit do të vazhdonin të përcaktonin historinë amerikane për breza të tërë.

10:00 Nga Leonard Veizi/ 20 gusht 1968 – Pushtohet Praga, 500 mijë ushtarë sovjetikë dhe aleatë hyjnë në Çekosllovaki

20 August 2026 at 10:00

Nga Leonard Veizi

“Socializmit me fytyrë njerëzore” mbeti vetëm një ëndërr, sepse u shtyp nën zinxhirët e tankeve. Ajo që bota e njohu si “Pranvera e Pragës”, vetëm në pak orë  u kthye në një dimër të gjatë pushtimi dhe rezistence qytetare…

…Në agimin e 20 gushtit 1968, Praga u zgjua nën gjëmimin e tankeve dhe marshimin e ushtarëve të huaj. Trupat e Traktatit të Varshavës, të dërguara nga Bashkimi Sovjetik, hynë me dhunë në zemrën e Çekosllovakisë për të shuar një ëndërr që sapo kishte nisur të merrte formë. Qytetarët, të habitur e të guximshëm, dolën përballë tankeve me duar bosh, me flamuj kombëtarë dhe me thirrje për liri. Sheshet u mbushën me zëra që kërkonin të drejtën për të jetuar ndryshe, ndërsa mbi kryeqytet rëndonte hija e një perandorie që nuk pranonte sfida ndaj pushtetit të saj.

Shpresa e re e vitit 1968

Në fillim të vitit 1968, Çekosllovakia përjetoi një ringjallje politike e shoqërore të udhëhequr nga Aleksander Dubçek, sekretari i parë i Partisë Komuniste Çekosllovake. Ai shpalli programin e “socializmit me fytyrë njerëzore”, që synonte: -liberalizimin e mediave dhe lirisë së shprehjes, -lehtësimin e censurës, -rritjen e të drejtave qytetare, -reformimin e ekonomisë drejt një modeli më të hapur, -kufizimin e pushtetit të policisë sekrete.

Këto ndryshime u pritën me entuziazëm nga qytetarët, por me ankth nga udhëheqja sovjetike dhe aleatët e saj të Paktit të Varshavës.

Reagimi sovjetik

Bashkimi Sovjetik, i udhëhequr nga Leonid Brezhnev, i pa reformat si kërcënim për kontrollin ideologjik mbi bllokun lindor. Frika e Moskës ishte se liberalizimi i Çekosllovakisë do të krijonte një “efekt domino” në vendet e tjera socialiste. Për muaj të tërë, udhëheqësit sovjetikë u përpoqën ta bindnin Dubček-un të tërhiqej, por pa sukses. Më pas, u vendos ndërhyrja ushtarake.

Pushtimi i gushtit 1968

Më 20–21 gusht 1968, rreth 500,000 trupa shoqëruar nga të paktën 4000 tanke të Paktit të Varshavës nga Bashkimi Sovjetik, Polonia, Hungaria, Bullgaria dhe Gjermania Lindore (por jo Rumania) pushtuan Çekosllovakinë.

“The New York Times” citoi raporte për 650,000 burra të pajisur me armët më moderne dhe të sofistikuara në katalogun ushtarak sovjetik.

Tanket sovjetike u vendosën në Pragë dhe qytete të tjera kryesore. Pushtimi vrau më shumë se 100 njerëz dhe shkatërroi përpjekjet e atij vendi për të reformuar sundimin komunist.

Popullsia reagoi me protesta paqësore, ndalonte tanket, hiqte shenjat rrugore për t’u humbur orjentimin pushtuesve, dhe valëvisnin flamujt çekosllovakë si shenjë sfide.

Pavarësisht rezistencës civile, pushtimi u konsolidua shpejt. Udhëheqja reformatore u arrestua dhe u detyrua të braktiste projektin e saj.

Fundi i një ëndrre 

Pushtimi i gushtit shënoi fundin e Pranverës së Pragës. Filloi periudha e ashtuquajtur “Normalizim”, ku censura u rikthye, liritë qytetare u shtypën dhe mijëra intelektualë, studentë e punëtorë u përjashtuan nga jeta publike ose u detyruan të emigronin.

Megjithatë, shpirti i rezistencës nuk u shua. Në janar të vitit 1969, një student i ri, Jan Pallak, në shenjë proteste kundër pushtimit dhe humbjes së lirisë, iu vuri flakën vetes në sheshin “Wenceslas” të Pragës. Vdekja e tij tronditi botën dhe u bë simbol i sakrificës për lirinë.

Reagimi i Shqipërisë

Qëndrimi i Shqipërisë ndaj pushtimit të Çekosllovakisë në gusht 1968 ishte i ashpër dhe unik në botën socialiste, sepse Tirana doli hapur kundër Bashkimit Sovjetik dhe Traktatit të Varshavës. Shqipëria ishte e vetmja anëtare e Paktit të Varshavës që kritikoi publikisht ndërhyrjen sovjetike. Udhëheqja komuniste shqiptare e dënoi hapur pushtimin e Çekosllovakisë, duke e quajtur një “akt agresioni imperialist të tipit fashist” dhe një tradhti ndaj parimeve të socializmit.

Si pasojë e kësaj ngjarjeje, më 5 shtator 1968, Shqipëria shpalli zyrtarisht daljen e saj nga Pakti i Varshavës. Argumenti kryesor ishte se Pakti nuk kishte më karakter mbrojtës, por ishte shndërruar në një instrument për të nënshtruar kombet e tjera socialiste.

07:00 Nga Leonard Veizi/ Trimëria që na turpëron

20 August 2026 at 07:00

Nga Leonard Veizi

Diçka nuk shkon me ne shqiptarët.

Ka një lloj agresiviteti që po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në shoqërinë tonë. Jo vetëm ai që shpërthen në një sherr të çastit, por një agresivitet aktiv, i gatshëm të ndizet për hiçgjë. Një nervozizëm që kërkon menjëherë përplasje, që kalon nga fjala te grushtet, nga konflikti banal te dhuna dhe, shumë shpesh, te arma.

Dhe ndoshta problemi nuk është vetëm se jemi të dhunshëm apo po bëhemi më të dhunshëm. Problemi është se po fillojmë ta konsiderojmë dhunën si një mënyrë normale për të zgjidhur konfliktin.

Deri dje ishim gati të përgjëroheshim vetëm të na vinin ca turistë më shumë. Sot turisti na vjen te dera e shtëpisë dhe ne, duke shkelur edhe disa prej dokeve tona më të vjetra të mikpritjes, arrijmë deri aty sa ta vrasim.

Kaq e nevojshme qenka të tregojmë trimërinë tonë duke vrarë turistë? Çfarë është kjo nevojë për ta dëshmuar burrërinë me thikë, si të ishim ende në ndonjë luftë të vjetër me turkun a me serbin?

Po çfarë mund të ketë bërë ai 20-vjeçari portugez që erdhi në Shqipëri për pushime? Nuk më mbushet mendja se i mori koka erë dhe erdhi të bënte gangsterin në Ksamil, ndaj edhe “e meritonte” të goditej me thikë.

Vështirë ta besosh.

Një truprojë i stërvitur, nëse është vërtet i tillë, nuk ka nevojë për thikë për t’ia bërë të qartë një 20-vjeçari se ka kaluar kufirin. Dy shpulla do të mjaftonin për ta larguar, nëse ky do të ishte qëllimi. Por kur njeriu kërkon hakmarrjen dhe jo zgjidhjen e konfliktit, masa humbet.

Dhe ja ku jemi: një ngacmim në plazh, një konflikt banal, një vajzë me rroba banje, disa fjalë më shumë, dy njerëz që përplasen dhe, në fund, një njeri i vdekur.

Në ç’pikë të kësaj historie humbet masa?

Në ç’pikë një provokim kthehet në dënim me vdekje?

Këto janë pyetje që duhet t’ia bëjmë vetes, jo vetëm policisë apo drejtësisë.

Sepse çështja nuk është vetëm një ngjarje kriminale. Çështja është klima shoqërore që e bën të mundur atë.

Dhe agresiviteti vazhdon me shpejtësi marramendëse, sidomos natën.

Mëngjeseve marrim lajmet e trishta me të cilat paguajmë orët e gjumit. Një makinë është përplasur. Një tjetër ka dalë nga rruga. Dikush ka humbur kontrollin e timonit. Dikush ka humbur jetën. Dikush tjetër ka humbur një njeri të afërt.

Fate të çuditshme njerëzore.

Njerëz që nisen për të kaluar disa ditë pushime, për të parë një vend tjetër, për të pirë një kafe buzë detit, për të bërë fotografi dhe për t’u kthyer në shtëpi me kujtime — dhe kthehen në arkivol.

Këtu agresiviteti nuk ka më fytyrë. Nuk ka kombësi. Nuk ka viktimë të huaj apo shqiptare. Është i njëjti mekanizëm: unë duhet të kaloj, unë duhet të fitoj, unë duhet të tregoj se jam më i fortë, unë duhet të arrij më shpejt, unë duhet t’ia kthej.

Dhe rruga kthehet në arenë… plazhi në arenë… lokali në arenë… parkingu gjithashtu kthehet në arenë. Edhe një vështrim i gabuar mund të bëhet arsye për një sherr.

Çfarë lloj shoqërie kemi ndërtuar e po vazhdojmë ta ndërtojmë kështu?

Na pëlqen të themi se kemi qenë gjithmonë popull mikpritës. E kemi përdorur këtë si një nga portretet tona më të bukura përballë botës. Dhe, në shumë raste, është e vërtetë.

Por mikpritja nuk është vetëm të hapësh derën, të shtrosh sofrën apo të thuash “mirë se erdhe”. Mikpritja fillon pikërisht aty ku ti di të kontrollosh veten kur tjetri të provokon.

Sepse të jesh mikpritës kur mysafiri sillet mirë është e lehtë. Të jesh mikpritës kur mysafiri të bezdis, të kundërshton apo bën diçka që nuk të pëlqen, aty fillon qytetërimi.

Një shoqëri nuk matet vetëm nga mënyra se si sillet me mikun kur gjithçka shkon mirë. Matet sidomos nga mënyra se si reagon kur dikush i prish qetësinë.

Dhe këtu duket se kemi një problem serioz.

Po ushqejmë një agresivitet banal, të përditshëm, që nuk u kushton vetëm të tjerëve. Po na kushton edhe neve.

Thika që ngrihet kundër një të huaji mund të ngrihet nesër kundër një shqiptari. Makina që ecën me shpejtësi të çmendur nuk pyet nëse viktima është turist apo vendas. Dhe zemërimi që sot kërkon një “armik” jashtë nesh, nesër do të gjejë një tjetër brenda nesh.

Në fund të fundit, kjo është edhe tragjedia më e madhe: agresiviteti nuk na bën më të fortë. Na bën më të pasigurt.

Sepse kur secili beson se duhet të mbrojë veten me forcë, se çdo fyerje kërkon përgjigje, se çdo konflikt duhet fituar, atëherë askush nuk është më i sigurt.

Ndoshta duhet të ndalemi një çast dhe të pyesim veten: çfarë po na ndodh?

Sepse nuk është aspak normale ta shohim këtë si diçka që thjesht “ndodh”.

Diçka nuk shkon me ne shqiptarët.

Ndoshta nuk kemi nevojë për më shumë trimëri. Kemi nevojë për më shumë vetëpërmbajtje. Sepse ka një lloj trimërie që nuk të nderon kur e demonstron me thikë në dorë.

Të turpëron.

08:30 1978 – Zjarri i Kinemasë Rex në Iran: nata që e dogji besimin te Shah-u

19 August 2026 at 08:30

Përgatiti për botim: Leonard Veizi

Mbrëmjen e 19 gushtit 1978, në Abadan, një nga qytetet më të rëndësishme të industrisë së naftës në jugperëndim të Iranit, qindra njerëz hynë në Kinemanë Rex për të parë filmin “Gavaznha” (Drerët), një dramë e njohur e regjisorit Masoud Kimiai. Pak më vonë, ajo që duhej të ishte një mbrëmje e zakonshme kinemaje u shndërrua në një nga tragjeditë më të mëdha të historisë moderne iraniane.

Katër burra hynë në veprim. Sipas dëshmive dhe hetimeve të mëvonshme, ata përdorën lëndë djegëse për t’i vënë zjarrin ndërtesës dhe bllokuan daljet. Flakët u përhapën me shpejtësi. Spektatorët u përpoqën të gjenin rrugëdalje, por dyert ishin të mbyllura dhe tymi i dendur e bëri pothuajse të pamundur arratisjen. Disa njerëz mundën të shpëtonin nga çatia, por shumica mbetën të bllokuar brenda.

Numri i viktimave mbetet një nga pikat e debatueshme të kësaj historie. Shifra zyrtare e raportuar në atë kohë ishte 377 të vdekur, ndërsa burime të tjera kanë dhënë 410, 422, 430 apo edhe 470 viktima. Kjo është arsyeja pse në literaturë gjenden shpesh formulimet “më shumë se 400” ose “rreth 400”.

Por zjarri nuk u bë vetëm një tragjedi njerëzore. Ai u shndërrua menjëherë në një armë politike.

Një vend ku gjithçka ishte gati për shpërthim

Irani i vitit 1978 ishte tashmë në krizë. Në pushtet ishte Shah Mohammad Reza Pahlavi, monarku që kishte drejtuar vendin që nga viti 1941. Regjimi i tij kishte ndërmarrë modernizimin e shpejtë të vendit, por në të njëjtën kohë ishte bërë gjithnjë e më autoritar. Kundërshtarët e akuzonin për represion politik, korrupsion dhe varësi të tepruar nga Perëndimi.

Në anën tjetër, opozita ishte e fragmentuar. Kishte liberalë, nacionalistë, marksistë, studentë, intelektualë dhe, gjithnjë e më fuqishëm, klerikë shiitë të lidhur me ajatollah Ruhollah Khomeinin.

Kinemaja vetë ishte bërë simbol i konfliktit kulturor. Për shumë militantë islamikë, kinemaja, alkooli, muzika dhe format e tjera të kulturës perëndimore përfaqësonin dekadencën që, sipas tyre, Shah-u po i impononte Iranit. Në muajt e trazirave, disa kinema në qytete të ndryshme ishin sulmuar ose djegur. Cinema Rex, megjithatë, ishte diçka tjetër. Aty nuk po digjej vetëm një ndërtesë. Po digjeshin njerëz.

Kush e ndezi zjarrin?

Kjo është pjesa më e errët dhe më e debatueshme e historisë.

Në orët dhe ditët e para pas tragjedisë, përgjegjësinë e hodhën njëri-tjetrit regjimi dhe opozita. Qeveria e Shahut foli për “fanatikë” dhe për akte sabotazhi kundër modernizimit të Iranit. Në anën tjetër, opozita revolucionare përhapi versionin se pas zjarrit qëndronte SAVAK-u, policia sekrete e Shahut. Ky version u përhap me shpejtësi.

Khomeini vetë e fajësoi regjimin e Shahut. Për një popull tashmë të zemëruar, ideja se policia sekrete kishte djegur të gjallë qindra qytetarë ishte një akuzë pothuajse e pamundur për t’u kundërshtuar. Dhimbja u shndërrua në zemërim dhe zemërimi në revoltë.

Por pas revolucionit, historia filloi të merrte një tjetër drejtim.

Katër burrat

Hetimet dhe gjyqet e mëvonshme çuan te një grup prej katër personash: Hossein Takbalizadeh, Faraj Bazrkar, Fallah Mohammadi dhe Yadollah Mohammadpur. Sipas versionit që doli në gjyqin e posaçëm të zhvilluar në vitin 1980, ata kishin marrë pjesë në vendosjen e zjarrit. Takbalizadeh ishte i vetmi nga katër autorët që mbijetoi.

Dëshmia e tij ishte tronditëse. Ai tregoi se ishte afruar me qarqe fetare dhe revolucionare dhe se veprimi kundër kinemasë shihej si një goditje ndaj asaj që konsiderohej “kulturë e korruptuar perëndimore”. Në versionin e tij, grupi kishte marrë frymëzim nga figura fetare lokale. Kjo dëshmi ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si shumë historianë e kanë parë ngjarjen.

Sot, një pjesë e rëndësishme e historiografisë e konsideron të mbështetur në prova versionin se zjarri u shkaktua nga militantë islamikë, ndërsa akuza ndaj SAVAK-ut mbetet pjesë e rëndësishme e historisë politike të ngjarjes, sepse pikërisht ajo akuzë pati ndikim të jashtëzakonshëm mbi opinionin publik në vitin 1978. Pra, paradoksi është i jashtëzakonshëm: ata që e ndezën zjarrin mund të mos ishin ata që përfituan më shumë politikisht prej tij.

Një gjyq i vonuar

Pas Revolucionit Islamik të shkurtit 1979, familjarët e viktimave kërkuan që përgjegjësit të nxirreshin para drejtësisë. Por gjyqi nuk erdhi menjëherë.

Familjet e viktimave akuzuan autoritetet e reja se po pengonin hetimin. Disa prej tyre zhvilluan një protestë të gjatë, që zgjati rreth katër muaj e gjysmë, duke kërkuar një hetim serioz dhe një gjyq publik.

Në vitin 1980 u krijua një tribunal i posaçëm në Abadan. Në proces u përfshinë 26 persona. Takbalizadeh, i mbijetuari i vetëm i grupit të zjarrvënësve, u gjykua bashkë me të tjerë. Në fund, ai dhe pesë persona të tjerë u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan publikisht.

Por edhe ky gjyq nuk e mbylli plotësisht çështjen.

Pyetja më e madhe mbeti pezull: Kush e kishte urdhëruar zjarrin?

Dhe këtu historia futet në territorin e akuzave, dëshmive kontradiktore dhe politikës.

Janë hedhur akuza ndaj figurave fetare dhe qarqeve që mbështesnin revolucionin, por përgjegjësia e saktë e niveleve më të larta të opozitës nuk është provuar në mënyrë të pakundërshtueshme. Për këtë arsye, është më e saktë të thuhet se autorësia e drejtpërdrejtë e grupit të zjarrvënësve është mbështetur nga hetimet e mëvonshme, ndërsa pyetja për porositësit mbetet shumë më e debatueshme.

Nga zjarri te revolucioni

Ajo që ndodhi pas 19 gushtit ishte ndoshta më e rëndësishme se vetë zjarri. Në Abadan shpërthyen protesta. Ceremonitë mortore u kthyen në demonstrata politike. Forcat e ushtrisë u vendosën në qytet. Atmosfera u përkeqësua me shpejtësi. Lajmi për qindra njerëz të djegur të gjallë u përhap në të gjithë Iranin. Dhe këtu qëndron rëndësia historike e Cinema Rex.

Shumë iranianë, të cilët deri atëherë mund të kishin qenë indiferentë ose të pavendosur, nisën ta shihnin konfliktin si një çështje personale. Nëse regjimi ishte vërtet përgjegjës për vdekjen e qindra njerëzve në një kinema, atëherë, në sytë e shumë qytetarëve, nuk kishte më vend për kompromis.

Zjarri u bë një nga katalizatorët më të fuqishëm të revolucionit. Studimet historike e konsiderojnë ngjarjen një pikë kthese në intensifikimin e protestave kundër Shahut.

Disa javë më vonë, më 8 shtator 1978, erdhi një tjetër pikë kthese: E Premtja e Zezë, kur forcat qeveritare hapën zjarr ndaj demonstruesve në sheshin Jaleh të Teheranit. Kriza politike tashmë kishte kaluar në një fazë tjetër. Grevat u zgjeruan. Industria e naftës, arteria ekonomike e vendit, u godit rëndë. Demonstratat u bënë masive.

Në janar 1979 Shah-u u largua nga Irani.

Më 1 shkurt 1979, Khomeini u kthye në Teheran pas viteve në mërgim.

Më 11 shkurt, regjimi monarkik u shemb.

Irani që kishte ekzistuar për më shumë se dy mijëvjeçarë si monarki, në pak ditë hyri në një epokë krejt tjetër.

Tragjedia që ndryshoi edhe historinë e terrorizmit

Cinema Rex u kujtua për një kohë të gjatë edhe për një arsye tjetër. Me një bilanc prej mbi 400 viktimash, ajo është përshkruar shpesh si sulmi terrorist më vdekjeprurës në botë deri në masakrën e policëve në Sri Lanka në vitin 1990, dhe më pas deri te sulmet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Ky klasifikim varet nga mënyra se si përcaktohet “sulm terrorist” dhe nga numri i viktimave të përdorur për Cinema Rex; prandaj nuk është një renditje absolutisht e pakontestueshme. Por edhe pa këtë rekord tragjik, Cinema Rex mbetet një nga rastet më të jashtëzakonshme të historisë moderne: një zjarr i vetëm vrau qindra njerëz dhe ndryshoi drejtimin e një revolucioni.

Një kinema, një film, një natë

Mbi ekranin e Cinema Rex po shfaqej Gavaznha — Drerët, një film që trajtonte varfërinë, padrejtësinë dhe tensionet sociale të Iranit të asaj kohe. Brenda sallës ishin njerëz të zakonshëm. Ata nuk ishin në një barrikadë. Nuk ishin ushtarë. Nuk po zhvillonin një betejë.

Ishin thjesht duke parë një film. Pastaj dyert u mbyllën dhe zjarri filloi. Më shumë se 400 prej tyre nuk dolën më.

Ironia tragjike e historisë së Cinema Rex është se vdekja e tyre u përdor si një armë politike në luftën për pushtet. Në ditët e para, përgjegjësia iu atribua Shahut dhe SAVAK-ut. Më vonë, provat dhe gjyqet çuan drejt militantëve islamikë. Por, pavarësisht se kush e mbajti shkrepësen, një gjë është e sigurt: zjarri i Cinema Rex i dha revolucionit iranian një shpërthim emocional që regjimi i Shahut nuk arriti më ta përballonte.

Dhe kështu, në historinë e Iranit, 19 gushti 1978 mbeti jo thjesht si nata kur u dogj një kinema. Mbeti si nata kur një shfaqje filmi përfundoi dhe një revolucion hyri në skenë.

07:00 Nga Leonard Veizi/ 19 Gusht 1989: Kur liria e munguar çau Perden e Hekurt

19 August 2026 at 07:00

Nga Leonard Veizi

Më 19 gusht 1989, në një cep të qetë të Hungarisë pranë kufirit me Austrinë, një portë u hap për pak orë. Në pamje të parë, dukej si një ngjarje e vogël, një piknik simbolik mes fqinjëve. Por në realitet, ajo portë shënoi çastin kur njerëzimi i kujtoi diktaturës një të vërtetë të pamohueshme: liria nuk është një dhuratë që jepet nga pushteti, është një instinkt i pashuar që herët a vonë e gjen rrugën për t’u shfaqur.

Ajo që ndodhi gjatë Piknikut Pan-Evropian nuk ishte thjesht një ngjarje e kalendarit historik; ishte një manifest moral dhe politik kundër mungesës absurde të lirisë që kishte mbërthyer Evropën për më shumë se katër dekada.

Muri i pabarazisë

Për dekada me radhë, Evropa kishte jetuar e ndarë nga një mur i padukshëm por vrasës: Perdja e Hekurt. Në njërën anë lulëzonin demokracitë dhe tregu i lirë, ndërsa në anën tjetër sundonte një arkitekturë frike, ku lëvizja e lirë konsiderohej tradhti dhe dëshirohej si një luks i paarritshëm.

Gjermania ishte shenja më e dhimbshme e kësaj ndarjeje. Qytetarët e Gjermanisë Lindore ishin të burgosur brenda kufijve të tyre, të privuar nga e drejta elementare për të lëvizur, për të zgjedhur dhe për të ëndërruar pa mbikëqyrjen e shtetit. Për ta, Perëndimi nuk ishte thjesht një vend tjetër gjeografik, por simboli i jetës së mohuar.

Çarja e parë

Ndryshimet që nisën nga Moska me perestrojkën e Gorbaçovit dhe reformat e guximshme në Hungari krijuan një çarje në strukturën e bllokut komunist. Por momenti i vërtetë i kthesës ndodhi kur qindra gjermanolindorë, të mbledhur për Piknikun Pan-Evropian, morën guximin të vrapojnë drejt portës së hapur.

Pika e kthesës psikologjike: Në atë sekondë vendimtare, rojet hungareze zgjodhën të mos qllonin. Ky gjest tregoi diçka jetike: sistemet totalitare nuk jetojnë vetëm te tanket dhe armët, por te frika që mbjellin tek njerëzit. Atë ditë, kur qindra veta kaluan kufirin dhe mbijetuan, frika ndërroi anë. Diktatura e kuptoi se nuk mund t’i vriste të gjithë, dhe qytetarët kuptuan se fuqia e tyre e bashkuar ishte më e madhe se ajo e regjimit.

Zinxhiri i lirisë

Ngjarja e 19 gushtit shërbeu si shkëndija që ndezi një zjarr të pashuar. Nga ky episod lindi një reaksion zinxhir i pandalshëm:

Mijëra qytetarë nga Lindja vërshuan drejt Hungarisë dhe ambasadave në Pragë, duke sfiduar hapur pushtetin e Berlinit.

Demonstratat e së hënës në Leipzig dëshmuan se populli nuk ishte më i gatshëm të uste kokën.

Muri i Berlinit ra, jo sepse politikanët vendosën ta fshinin me dashje, por sepse turmat e njerëzve e kishin bërë tashmë të pamundur ekzistencën e tij.

Mesazh për kohën tonë

Pikniku Pan-Evropian i 19 gushtit 1989 mbetet një nga leksionet më të fuqishme të historisë moderne. Ai na kujton se asnjë mur, sado i lartë të jetë, dhe asnjë regjim, sado i blinduar të duket, nuk mund t’i bëjë ballë dëshirës së njeriut për liri.

Atë ditë u hap një e çarë në Perden e Hekurt, por në të vërtetë u hap rruga e një epoke të re, duke dëshmuar se kur njerëzit vendosin të ecin drejt dritës, asnjë fuqi në tokë nuk mund t’i mbajë pas telave.

11:30 Si të përdorni kondicionerin gjatë verës, 5 truke për të mos shpenzuar energji dhe para

18 August 2026 at 11:30

Nuk e duan të gjithë, por sigurisht që kondicioneri është miku më i mirë i mirëqënies në ditët e nxehta të verës. Freskon, than lagështirën, na ndihmon të kemi në shtëpi një temperaturë të duhur dhe të pushojmë natën.

Megjithatë në çdo rast është e nevojshme të përdoret në mënyrën e duhur për të shmangur ftohjen dhe për të mos patur surpriza kur vjen fatura e energjisë elektrike.

Sytë tek temperatura

Nëse jashtë temperatura është më shumë se 30 gradë, nuk është nevoja që për të patur freskt të çosh temperaturën e kondicionerit në 18 gradë Celcius. Në këtë mënyrë vetëm konsumoni elektricitet. Për të shijuar freskinë, mjafton ta mbani 4-5 gradë më pak nga jashtë. Për më tepër një diferencë e madhe e vendos trupin përballë një ndryshimi të menjëhershëm që nuk është mirë për shëndetin. Më mirë është të ndizni kondicionerin gjysëm ore para se të rini në dhomë, ose të përdorni “Timer”, dhe të prisni që temperatura të zbresë.

Kujdes me dyert e dritaret

Kur ndizni kondicionerin sigurohuni që dyert e dritaret të jenë të mbyllura për të mos hyrë ajri i nxehtë nga jashtë. Për ajrosje shfrytëzojmë orët e vona të mbrëmjes apo ato herët në mëngjes kur kalimi i ajrit është i pandjeshëm.

Funksioni “Dry”

Kur kemi arritur temperaturën që duam, përdorim funksionin “Dry”, pra komandën e tharëses së lagështirës. Ajo ndihmon në ruajtjen e ajrit të freskët dhe të thatë.

Mos e mbani ndezur natën

Të mbash kondicionerin ndezur për gjithë natën është thjesht një shpërdorim i energjisë elektrike dhe rrezik i madh që të ftoheni. Në pjesën më të madhe të rasteve, freskia e natës është temperaturë normale për trupin dhe nuk është nevoja për ftohje artificiale.

Rreziku i ftohjes artificiale

Rreziqet më të mëdha vijnë nga ndryshimet termike, për shembull kur hyni në një dhomë të ftohtë të djersitur nga vapa, apo nga mospastrimi i aparaturës. Në filtër mblidhet pluhuri, mikroorganizma dhe myk nëse nuk pastrohet, përgjegjëse këto edhe për alergjitë dhe infeksionet.

10:00 Nga Leonard Veizi/ Universi Balzakian brenda “Komedisë njerëzore”

18 August 2026 at 10:00

Më 20 maj 1799, në Paris, lindi romancieri dhe dramaturgu francez Honore de Balzak – Ndahet nga jeta më 18 gusht 1850

Nga Leonard Veizi

Sot e gjithë ditën ai vazhdon të mbetet shkrimtar i adhuruar, jo vetëm në Francën e tij, por në krejt botën. Përfaqësuesi më i madh i realizmit në Evropën perëndimore, me letërsinë e tij ai dominoi gjithë shekullin e XIX…

…Në bibliotekën familiare, ku rrëmoja çdo ditë për të gjetur libra interesantë që mund t’i lexoja pas mësimeve, mes titujve të tjerë gjendej dhe “Xha Gorioi”, të cilin si ende i parritur hezitoja ta lexoja. Por kur saga e bibliotekës po shkonte drejt fundit, edhe mundësia e përzgjidhjes ishte në limitet e saj, vendosa të merrja në dorë veprën e shkrimtarit francez, për të cilin realisht nuk kisha asnjë rekomandim e për më tepër as që kisha kërkuar të dija qoftë dhe diçka të përciptë mbi të. I bindur që libri do të ishte i mërzitshëm, – sepse kështu më pat thënë një e afërmja ime teksa më pa me “Xha Gorionë” nëpër duar, – vendosa t’i shkoja kapriços time deri në fund. Pavarësisht të gjithave, duhet të mësohesha me një letërsi për të rritur, qoftë dhe duke gabuar në përzgjedhje.

Vetëm pasi kisha lexuar 30 apo 40 faqe nga romani, dhe isha zhytur e fantazoja mbi një botë të paimagjinueshme, krejt e ndryshme nga ajo që jetonim, nuk e kuptoja se si një letërsi e tillë mund të quhej “e mërzitshme”. Dhe meqenëse regjistrat e leximit janë të ndryshme dhe vlerësimi për një vepër është i ndryshëm, padyshim.

Në përfundim të leximit, edhe pse në një moshë relativisht të vogël, besova po aq sa një burrë në moshë që kishte lexuar pafund, se autori i librit, Honore De Balzak, ishte një shkrimtar i jashtëzakonshëm apo gjenial. I këtij mendimi kam qenë në mënyrë konstante edhe kur pak vite më vonë, i vetmi që do të thyente mitin e tij ishte një tjetër shkrimtar europian, por këtë herë britanik: Shekspir. Nga ai çast, kur De Rastinjaku i pensionit të zonjës Voker, ishte bërë si shok a udhëheqës për mua, kërkova që biblioteka e familjes të pasurohej me të tjerë libra në shqip të këtij autori francez. Balzak, ishte autori i pikës së kthesës, për atë çfarë unë kërkoja nga letërsia, dhe që padyshim e gjeta.

Ky ishte prologu i njohjes time me këtë shkrimtar të përmasave botërore. Ndërsa epilog ende nuk ka, sepse gama e botimeve nga i njëjti emër, apo qoftë dhe me pseudonim, është kaq e madhe sa do të duhej një bibliotekë e dytë fizike, dhe një kohë e dytë leximi, këtë herë vetëm për të.

Materialet enciklopedike që flasin për jetën e tij thonë se Honoré de Balzak lindi në Tours më 20 maj 1799. Ndërsa vdiq në 18 gusht 1850 në Paris. Edhe pse ishte regjistruar në fakultetin e jurisprudencës duke punuar njëkohësisht në një zyrë noterie, në moshën 20 vjeçare zbuloi dhuntinë e tij për të shkruar. Thuhet se në një dhomë të vogël në lagjen Bastija, nga 1821 deri 1829, shkroi vepra duke i firmosur si Horas dë Sent-Obë. Për 20 vjet ai arriti të realizonte 90 krijime mes te cilave kishte romanca e tregime, të gjitha këto të bashkuara në një vepër të vetme me titull “La comédie humaine” apo thënë në shqip “Komedia njerëzore”. Bëhet fjalë për një analizë të jetës shoqërore dhe private në një Francë në zhvillim e sipër, epoka e “monarkisë borgjeze”. E para është një romancë historikë, “Le Shuons” botuar në vitin 1829, për të cilën është frymëzuar nga revolta e Vande-se; megjithatë do të jenë veprat e tjera të tij që do t’i sigurojnë sukses dhe admirim nga ana e publikut. Ato janë: “Lëkura e shagrenit”, “Evgjeni Grande”, “Mjeku i fshatit”, “Iluzione të humbura”, “Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve”.

Në vitin 1834 Balzak mendoi t’i shkrinte të gjitha krijimet e tij në një vepër të vetme, një monument i vërtete mbi shoqërinë franceze të asaj kohe. Kështu publikoi të famshmen “Komedia njerëzore”. Fillimisht vepra duhet të përmbante 150 romanca të ndara në tre boshte kryesorë: – Studim zakonesh, – Studim filozofik, – Studime analitike. Grupi i parë përbëhej nga vepra të përfunduara prej kohësh dhe ishte i ndarë në 6 skena të cilat përfaqësonin: jetën private, atë të provincës, jetën parisiene, politike, ushtarake dhe atë të fshatit. Romancat duhet të përmbanin rreth 2000 personazhe, sepse dëshira e tij ishte të krijonte një rrjet ngatërresash mes vëllimeve të ndryshme. Vetëm 2/3 e projektit u realizua. Episodet më të famshme janë: “Xha Gorio”, “Evgjéni Grande”, “Kushërira Betë”, “Iluzione të humbura”. Në 1937 realizoi “La vielle fille” që u bë romani i parë i publikuar në një gazetë.

Balzaku ia doli mbanë pas të tridhjetave. Nisi të frekuentojë sallonet aristokratike. Pati të dashur një markezë, de Castri. Reputacioni i tij si njohës shumë i mirë i botës femërore do t’i vlente. Në 1832 merr një letër të nënshkruar nga një konteshë polake, Eva Hanska. Ky do të ishte fillimi i një historie romantike që zgjati deri në vdekjen e tij. Aso kohe Balzak po jetonte mes të luksit dhe shpenzonte paradhëniet për vepra ende të pashkruara, të cilat shpresonte t’i përfundonte brenda afatit. Ai rend pas kohës pas iluzioneve. Punonte nga 10-12 orë në ditë duke pirë kafe njëra pas tjetrës dhe gati preku fundin në qershorin e vitit 1832. Romani i tij “Lui Lambert” duket si një autobiografi. Aty paraqitet një djalosh intelektual i ekzaltuar, romantik që vdes në fund nga çmenduria.

Honore de Balzak njihej se një burrë aventurash, dëshirash e në të njëjtën kohë edhe ëndërrimtar, i plagosur nga kontradiktat e jetës moderne.

Në 1838 Balzak u dallua në luftën e tij për të drejtën e autorit. Ai kishte një vullnet shumë të madh për të punuar megjithëse shëndeti kishte filluar të bëhej një pengesë e madh për të.

Në 1822 Balzak u njoh me L’or de Bernit, një grua e pjekur e cila i qëndroi gjithnjë pranë deri në ditën e vdekjes së saj më 1836.

Në 1839 u bë anëtar i shoqërisë së shkrimtareve dhe po atë vit u zgjodh kryetar i saj.

Në 18 gusht 1850, disa muaj pasi ishte martuar me baroneshën Hanska, Balzak u nda nga jeta.

Dhe kaq për jetën e këtij gjeniu që na ka dhuruar vepra kaq të mëdha.

07:00 Nga Leonard Veizi/ Si u kthye romani “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit” në armikun më të madh të ideologjive totalitare

18 August 2026 at 07:00

Erih Maria Remark dhe Brezi i Humbur

Nga Leonard Veizi

Kur dëgjojmë fjalën “luftë”, mendja na shkon menjëherë te heronjtë e lavdishëm, betejat epike dhe flamujt që valëviten krenarë. Por çfarë ndodh nëse heqim vellon e propagandës dhe shohim realitetin e saj të zhveshur? Pikërisht këtë pyetje, me një brutalitet të pangjashëm dhe sinqeritet të thellë, e shtron romani “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit” i Erih Maria Remark, një zë paralajmërues dhe tronditës i një brezi të humbur… 

Romani, i botuar në vitin 1929 në një Gjermani të mbetur në rrënoja, u konsiderua si një bombë letrare që shpërtheu në zemër të ndërgjegjes evropiane. Ai rrëfen historinë e Polit Boimer, një nxënës i ri që bashkë me shokët e tij të klasës, të dehur nga parullat nacionaliste dhe patriotike, rendin vullnetarisht në frontin e Luftës së Parë Botërore. Aty, ëndrrat e tyre për lavdi shkrihen si dëbora në një pranverë të ftohtë, duke u zëvendësuar nga tmerri i llogoreve, erërat e vdekjes dhe absurditeti i një kasaphanë masive. Përmes syve të Polit, ne shohim se si ushtarët kthehen në numra pa emër, miqësia bëhet një mburojë e brishtë kundër çmendurisë, dhe shpirti njerëzor, jo vetëm trupi, shkatërrohet në një humbje të dhimbshme të pafajësisë. Ky nuk ishte një tregim mbi fitoret apo humbjet, por mbi një brez të tërë të cilin lufta e vodhi, duke ia bërë të pamundur kthimin në shtëpi, qoftë edhe fizikisht të mbijetuar.

Përplasja

Ky zë i sinqertë dhe i dhimbshëm, që refuzonte të zbukuronte luftën, u bë shpejt një kërcënim për ideologjitë autoritare që po rriteshin në Evropë. Ndërsa nazistët fitonin terren në Gjermani, ata kërkonin të ndërtonin një mit të ri mbi ushtarin e pamposhtur dhe heroizmin kombëtar. Romani i Remarkut, duke shfaqur brishtësinë, vuajtjen dhe pafuqinë e luftëtarëve, ishte e kundërta e kësaj narrativë.

Austria

Në gushtin e vitit 1929, Austria ndalon qarkullimin e romanit “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”. Në Austri, si edhe në vende të tjera konservatore dhe nacionaliste të kohës, romani u ndalua sepse konsiderohej antimilitarist dhe demoralizues. Autoritetet mendonin se ai minonte krenarinë kombëtare, duke e paraqitur ushtarin gjerman jo si hero, por si viktimë të tmerrit të luftës. Në thelb, ndalimi në Austri në 1929 tregon frikën e autoriteteve nga e vërteta e luftës dhe fuqia që ka arti për të sfiduar propagandën.

Nazizmi

Në vitin 1933, kur Partia Naziste erdhi në pushtet, “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit” u etiketua si “letërsi degjeneruese” dhe u bë një nga librat e parë që u dogjën publikisht në Berlin, një akt që simbolizonte përpjekjen për të fshirë çdo dëshmi të dhimbjes njerëzore dhe për ta zëvendësuar atë me urrejtjen. Vetë Remark u shpall armik i popullit, i humbi shtetësinë gjermane dhe u detyrua të emigrojë. Ky fat nuk e ndali romanin, përkundrazi, e shndërroi në një simbol ndërkombëtar të rezistencës kundër shtypjes dhe propagandës.

Trashëgimia

Pavarësisht ndalimeve, djegieve dhe përndjekjeve, romani u përhap në të gjithë botën, duke u përkthyer në dhjetëra gjuhë. Ai frymëzoi adaptimin e parë filmik në Hollivud në vitin 1930, i cili fitoi çmimin Oscar dhe solli historinë e Polit në një audiencë edhe më të gjerë. Kjo vepër nuk ndikoi vetëm në letërsi, por edhe në zhvillimin e kulturës paqësore dhe në shqyrtimin e thellë të pasojave psikologjike të luftës.

Aktualitet

Sot, “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit” qëndron si një nga kryeveprat më të rëndësishme të letërsisë botërore, një dëshmi e fuqishme e çmimit njerëzor të konflikteve. Mesazhi i tij universal — se lufta nuk ka fitues dhe se plagët e saj mbeten shumë më gjatë se zhurma e armëve — mbetet po aq i rëndësishëm sot sa ishte një shekull më parë. Duke u përpjekur ta heshtnin këtë zë, regjimet totalitare në fakt e bënë atë edhe më të fortë dhe e ngritën në piedestalin e një himni kundër luftës.

Në dritën e konflikteve të sotme, çfarë mësimi mund të nxjerrim nga ky roman, i cili na kujton se pas çdo uniformë fshihet një histori njerëzore?

10:00 Nga Leonard Veizi/ “Ferma e kafshëve”, përralla që na dha të kuptonim diktaturën më mirë se shumë libra historie

17 August 2026 at 10:00

Romani ku fjalia e famshme e barazisë deformohet në: “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat.”

 Nga Leonard Veizi

Më 17 gusht 1945 u botua për herë të parë “Ferma e kafshëve” ose siç njihet në orgjinal “Animal Farm), novela e famshme e shkrimtarit britanik Xhorxh Oruell. Në pamje të parë, është një histori e thjeshtë për kafshët e një ferme që revoltohen kundër pronarit të tyre njerëzor. Në të vërtetë, është një nga alegoritë më të fuqishme politike të shekullit XX, një libër për revolucionin, pushtetin, propagandën dhe mënyrën se si një ideal për barazi mund të shndërrohet në një sistem të ri shtypjeje…

…Oruelli e shkroi veprën gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, duke u nisur veçanërisht nga përvoja e tij politike dhe nga zhgënjimi me mënyrën se si revolucioni sovjetik ishte shndërruar nën Stalinin në një diktaturë. Por madhështia e librit qëndron pikërisht këtu: “Ferma e kafshëve” nuk është vetëm një sulm ndaj një regjimi të caktuar. Është një paralajmërim për çdo pushtet që pretendon se sundon në emër të barazisë, ndërsa në të vërtetë kërkon bindje absolute.

Në fermën e zotit Xhons, kafshët jetojnë në kushte të këqija. Plaku Major, një derr i moshuar dhe i respektuar, u flet për një botë tjetër: një botë ku kafshët nuk do të shfrytëzohen më nga njeriu dhe ku frytet e punës së tyre do t’u përkasin vetë atyre.

Ideja është e thjeshtë dhe bindëse: të gjithë duhet të jenë të barabartë.

Kafshët revoltohen, dëbojnë pronarin dhe marrin kontrollin e fermës. Në fillim duket sikur revolucioni ka triumfuar. Krijohet një sistem i ri dhe në mur shkruhet parimi themelor:

“Të gjitha kafshët janë të barabarta.”

Por pushteti ka një sëmundje të vjetër: ai të ndryshon sapo e ke në dorë.

Derrat, të cilët janë kafshët më të zgjuara të fermës, marrin drejtimin. Mes tyre dalin në pah Napoleoni dhe Snobolli. Ata përfaqësojnë dy mënyra të ndryshme të konceptimit të revolucionit dhe të pushtetit. Përplasja e tyre përfundon me dëbimin e Snobollit nga ferma dhe marrjen e pushtetit absolut nga Napoleoni.

Kështu fillon pjesa më e errët e romanit.

Napoleoni nuk e shfuqizon menjëherë revolucionin. Ai bën diçka shumë më të zgjuar: e ndryshon kuptimin e tij. Qeni i bindur, frika, propaganda dhe kontrolli i informacionit bëhen instrumentet e regjimit të ri. Derrat fillojnë të jetojnë më mirë se kafshët e tjera. Pastaj fillojnë të përdorin privilegjet që dikur i kishin dënuar te njerëzit.

Kafshët punojnë gjithnjë e më shumë, ndërsa udhëheqësit hanë më mirë.

Dhe kur dikush pyet se çfarë po ndodh, propaganda i bind se kujtesa e tyre është e gabuar.

Kjo është një prej goditjeve më të forta të Oruellit: diktatura nuk ka nevojë vetëm të kontrollojë të tashmen; ajo duhet të kontrollojë edhe të shkuarën.

Nëse njerëzit nuk kujtojnë se si ishte dje, atëherë pushteti mund t’u tregojë se si ka qenë dje. Kështu, parimet ndryshojnë pak nga pak. Në fund, fjalia e famshme e barazisë deformohet në: “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat.”

Është një absurditet gjuhësor, por pikërisht për këtë arsye është aq i frikshëm. Sepse diktatura shpesh nuk e heq fjalën “barazi”. E mban atë në pankartë, në fjalime dhe në dokumente. Thjesht i jep një kuptim tjetër.

Oruelli dhe Stalini

“Ferma e kafshëve” është ndërtuar si një alegori e Revolucionit Rus dhe zhvillimeve që pasuan. Napoleoni lidhet qartësisht me Josif Stalinin, ndërsa Snobolli me Leon Trockin. Revolucioni i kafshëve pasqyron Revolucionin e Tetorit; dëbimi i Snobollit kujton përjashtimin e Trockit; spastrimet, gjyqet dhe ekzekutimet e kafshëve pasqyrojnë terrorin politik të viteve të Stalinit.

Por Oruelli nuk shkroi një tekst të thatë politik. Ai zgjodhi kafshët. Dhe pikërisht këtu qëndron fuqia e tij letrare.

Një derr, një kalë, një gomar apo një qen mund të thotë gjëra që në një roman politik do të dukeshin si tezë. Këtu ato bëhen pjesë e një përralle. Lexuesi qesh, pastaj shqetësohet, dhe në fund kupton se ka lexuar një histori shumë më njerëzore nga sa dukej.

Bokseri, kali punëtor, është një nga figurat më tragjike. Motoja e tij është: “Do të punoj edhe më shumë.” Kur forcohet me vështirësitë, ai nuk e vë në dyshim sistemin. Ai beson se puna dhe besnikëria do ta shpëtojnë. Por kur nuk i nevojitet më, regjimi e braktis.

Bokseri është njeriu ideal për çdo diktaturë: punon, bindet, beson dhe nuk pyet.

Ndërsa Skuileri, zëdhënësi i Napoleonit, është mjeshtri i propagandës. Ai di t’i shpjegojë çdo dështim si fitore dhe çdo privilegj të udhëheqësve si një sakrificë të domosdoshme për të mirën e përbashkët.

Kështu Oruelli prek një mekanizëm që nuk i përket vetëm shekullit XX: pushteti fillon të sundojë vërtet atëherë kur arrin t’i bindë njerëzit se ajo që shohin me sytë e tyre nuk është e vërtetë.

Pse mbetet aktual Oruelli?

“Ferma e kafshëve” u botua në vitin 1945, por pyetjet e saj nuk kanë dalë nga moda.

Çfarë ndodh me një revolucion pasi triumfon?

Kush e kontrollon pushtetin?

Kush shkruan historinë?

Çfarë ndodh kur propaganda bëhet më e fortë se faktet?

Dhe mbi të gjitha: a mund të mbijetojë barazia kur disa njerëz – ose disa kafshë – marrin të drejtën të jenë mbi të tjerët?

Këto nuk janë pyetje vetëm për komunizmin sovjetik. Janë pyetje për natyrën e pushtetit.

Sepse Oruelli e kishte kuptuar një të vërtetë të hidhur: diktaturat nuk lindin gjithmonë duke shpallur se duan të jenë diktatura. Shpesh nisin me premtime të bukura. Premtojnë drejtësi, barazi, liri dhe një të ardhme më të mirë.

Pastaj vjen privilegji. Pastaj frika. Pastaj propaganda.

Dhe në fund vjen fjalia që përmbledh gjithë tragjedinë e fermës: disa janë bërë më të barabartë se të tjerët.

 

Një libër për çdo shoqëri që harron

Në Shqipëri, “Ferma e kafshëve” pati një fat të veçantë. Për një kohë të gjatë, vepra e Oruellit nuk mund të lexohej lirisht në kushtet e regjimit komunist. Arsyeja ishte e qartë: një libër që tregonte se si një revolucion mund të përfundojë në diktaturë, se si propaganda mund të falsifikojë të vërtetën dhe se si udhëheqësit mund të tradhtojnë idealet e fillimit, ishte shumë më tepër se një fabul me kafshë.

Ishte një pasqyrë.

Dhe diktaturat nuk i duan pasqyrat.

Sot “Ferma e kafshëve” lexohet si një klasik i letërsisë politike. Por ndoshta duhet lexuar edhe si një manual i kujdesit qytetar. Jo sepse na tregon se cili sistem është i përsosur – sepse asnjë sistem politik nuk është – por sepse na mëson të dyshojmë kur dikush kërkon pushtet të pakufizuar në emër të një ideali të pakundërshtueshëm.

Oruelli nuk kishte frikë vetëm nga diktatori.

Ai kishte frikë nga shoqëria që mësohet me diktatorin.

Dhe kjo është arsyeja pse, tetë dekada pas botimit të parë, “Ferma e kafshëve” vazhdon të jetë e bezdisshme. Sepse nuk na lejon të mendojmë se diktatura është gjithmonë diçka që u ndodh të tjerëve.

Ndonjëherë ajo fillon pikërisht aty ku të gjithë brohorasin për barazinë.

Dhe historia e fermës na kujton se, kur pushteti fillon të ndryshojë fjalët, të kontrollojë kujtesën dhe të shpallë disa njerëz më të barabartë se të tjerët, revolucioni mund të ketë përfunduar – por tirania sapo ka filluar.

08:30 Tualeti romak, aty ku kryheshin nevojat, bëheshin muhabetet dhe shkruheshin edhe “gjëra të pista”

17 August 2026 at 08:30

Nëse sot tualeti publik është zakonisht një vend ku njeriu hyn, kryen punën dhe largohet sa më shpejt, në Romën e lashtë ai mund të kishte një funksion krejt tjetër. Ishte nevojë higjienike, por edhe hapësirë shoqërore, vend takimi, skenë për thashetheme, humor vulgar dhe madje një lloj “rrjeti social” i gdhendur në mur.

Në vitet e Perandorisë Romake, publicae latrinae u përhapën në të gjithë qytetin. Sipas historianit gjerman Karl Wilhelm Weeber, tualetet publike ishin ndër shërbimet e zakonshme të jetës urbane dhe ishin të aksesueshme për qytetarët. Në vitin 315 pas Krishtit, Roma kishte rreth 4 mijë vende të tilla, të shpërndara në 144 pika.

Foricae, siç quheshin disa prej tyre, ishin dhoma të mëdha ku mund të uleshin njëherësh 30 apo 40 njerëz. Ulëset prej mermeri ishin të shpuara dhe të vendosura zakonisht në formë patkoi, njëra pranë tjetrës. Poshtë tyre kalonte një kanal me ujë të rrjedhshëm që largonte mbetjet drejt sistemit të kanalizimeve, përfshirë Cloaca Maxima, një nga veprat më të famshme inxhinierike të Romës.

Privatësia, me standardet e sotme, ishte pothuajse e panjohur. Nuk kishte kabina të ndara. Burra, gra dhe fëmijë mund të gjendeshin në të njëjtën hapësirë. Në vend të letrës higjienike përdorej një sfungjer i vendosur në një shkop, i cili shpëlahej me ujë.

Por pikërisht mungesa e privatësisë e kthente latrinën në një vend ku njerëzit jo vetëm kryenin nevojat, por edhe bisedonin. Mund të uleshe pranë dikujt dhe të filloje një muhabet, ashtu siç ndodh sot në një kafene apo në një shesh. Madje poeti Martial tallej me njerëzit që kalonin një pjesë të madhe të ditës në tualete, duke kërkuar ndonjë ftesë për darkë.

Dhe, siç duket, romakët nuk e humbnin rastin për të bërë shaka.

Arkeologjia ka nxjerrë në dritë një tjetër aspekt të jetës së tyre: muret e tualeteve publike dhe banjave ishin shpesh të mbushura me grafite. Dhe jo grafite të tipit “Romani ishte këtu”. Kishte ofendime, deklarata erotike, reklama seksuale, thashetheme, shaka vulgare dhe mesazhe që sot do të quheshin pa mëdyshje “të pista”.

Në Pompe, Herculaneum dhe në pika të tjera të Perandorisë janë gjetur mbishkrime të tilla. Disa janë jashtëzakonisht të drejtpërdrejta: përmendin marrëdhënie seksuale, organe intime, dëshira dhe ofendime me një gjuhë që nuk lë shumë hapësirë për interpretim. Të tjera janë më të tërthorta, duke përdorur humorin, ironinë ose emrat e njerëzve të njohur për autorët e tyre.

Një nga vlerat më të mëdha të këtyre grafiteve, për studiuesit, nuk qëndron te vulgariteti i tyre. Përkundrazi. Ato janë dokumente të rralla të gjuhës së folur. Poetët si Catullus dhe Martial na kanë lënë një letërsi të pasur, përfshirë vargje me përmbajtje seksuale, por grafitet e zakonshme tregojnë se edhe njerëzit e thjeshtë përdornin një fjalor të drejtpërdrejtë dhe shpesh brutal.

Në këtë kuptim, muri i një latrine romake mund të jetë po aq interesant për një gjuhëtar sa një dorëshkrim për një historian të letërsisë.

Edhe jeta e përditshme rreth higjienës ishte e lidhur me ekonominë. Shumica e njerëzve nuk kishin banja private; një luks i tillë ishte kryesisht privilegj i shtresave të pasura. Për nevojat shtëpiake përdoreshin edhe enë për mbetjet, ndërsa urina mblidhej në enë të posaçme. Dhe urina kishte vlerë: përmbante amoniak dhe përdorej nga larësit dhe ngjyruesit e tekstileve.

Perandori Vespasian vendosi edhe një taksë mbi mbledhjen e urinës. Kur u kritikua për një taksë kaq të pazakontë, sipas Suetoniusit, ai shqiptoi shprehjen që mbeti proverbiale: pecunia non olet — “paraja nuk qelbet”.

Romakët, megjithatë, nuk ishin gjithmonë shembull i disiplinës urbane. Në Pompe dhe qytete të tjera janë gjetur edhe paralajmërime kundër ndotjes dhe hedhjes së mbeturinave në vende të papërshtatshme. Edhe qyteti më i fuqishëm i botës së lashtë kishte problemet e veta me njerëzit që nuk respektonin rregullat.

Në fund, latrinat romake na tregojnë diçka më interesante sesa mënyrën se si një qytetërim i lashtë menaxhonte mbetjet. Ato na tregojnë njerëzit.

Sepse njeriu, edhe para dy mijë vjetësh, ishte po ai: ulej pranë të tjerëve, fliste, qeshte, përgojonte, kërkonte të bënte përshtypje, linte një mesazh në mur dhe, herë pas here, shkruante edhe diçka që nuk do të donte ta lexonte më vonë.

Roma kishte ujësjellës, kanalizime, banja madhështore dhe inxhinieri të jashtëzakonshme. Por kishte edhe diçka shumë më të zakonshme: njerëz që bënin muhabet në tualet.

Dhe, në këtë pikë, distanca prej dy mijë vjetësh duket papritur shumë e shkurtër.

Burimi: bazuar nga disa shkrime te botuar ne focus.it

07:00 Nga Leonard Veizi/ Të vdesësh në këmbë si Petro Luarasi

17 August 2026 at 07:00

17 gusht 1911 – Vrasja e mësuesit të gjuhës shqipe, i cili u helmua nga njerëzit që punonin për qarqet antishqiptare

Nga Leonard Veizi

Ai kërkoi të udhëtonte mbi mushkë nga Erseka deri në fshatin e tij, Luaras. Por dëshmitarët thonë se mbeti në Gostivisht. Brenda trupit zbërtheheshin dhe shpëndaheshin me shpejtësi elementet kimike të një substance vdekjeprurëse. Kishte pirë vetëm një kafe te një “mik”, por pas kësaj nisën spazmat e ethshme që i shkaktonin djersë të vazhdueshme dhe mjegullimin e vështrimit. Ndërsa ai mbahej fort pas samarit të mushkës dhe nuk rrëzohej. Veç nxirrte vrerin që binte mbi jelet dhe qafën e kafshës. “Vritmëni, por mblidhmani gjakun, se do t’u duhet nipërve dhe mbesave për të shkruar gjuhën shqipe”. Petro Luarasi kishte vdekur vërtet. Pas tij dhe vetë mushka e cila kishte marrë sasinë e mjaftueshme të helmit përmes lëkurës së qafës. Një gjë e tillë do të kishte rrëzuar në tokë çdo burrë tjetër. Por jo Petro Luarasin. Atë natë të 17 gushtit 1911, ishte 47 vjeç…

…Petro Nini, mbetet një prej figurave më emblematike të gjuhës shqipe. I paepur si ai. Dhe pse e dinte mirë se ishte në shënjestrën e administratës osmane dhe pjesës shoviniste të klerit grek, që të dy aspak dashamirës me gjuhën shqipe, ai nuk u tërhoq asnjëherë. Dhe veç kësaj mbetet simboli i një burri, vdekjen e të cilit do ta kishte ëndërr çdo shqiptar që merrej fort me punët e Shqipërisë, pikërish atëherë kur askush prej atyre që na rrethonin nuk donin të flitej shqip dhe, ca më pak, që ajo të shkruhej. Jo se nuk do të ëndërronin një vdekje si ajo e Mic Sokolit mbi grykën e topit dhe po aq si të Selam Musait. Por sepse Petro Nini, shqiptari mbi të cilën ranë aq shumë mallkime priftërinjsh e mitropolitësh, “vdiq në këmbë”, ashtu si nuk do të donin kurrë ta shihnin armiqtë e tij. “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi”. Dhe ai, si një burrë i vërtetë, i sertë e luftarak, ra dhe u ngrit aq herë sa duhej, duke u bërë njëherazi dhe modeli më i mirë i shprehjes së tij monumentale.

Mallkimet

Gjithçka për gjuhën shqipe, deri në vetmohim. Petro Nini mbajti mbi shpinë mallkimet e tre priftërinjve. Ishin tre dhespotët e Kosturit që hynin e dilnin nga Kolonja sa herë informoheshin se Petro Nini kishte bërë “prapësinë” e radhës: Cirili, Gregori dhe Fillareti. Dy të parët e mallkuan për veprimtarinë e tij si mësues i gjuhës shqipe dhe hapjen e shkollave shqipe. Por i treti nuk u mjaftua me kaq, sepse asokohe Petro Nini kishte bërë një blasfemi të madhe: kishte përkthyer në shqipe pjesë të psalmeve të cilat u meshuan po shqip në kishën e Luarasit. Ndaj Fillareti e shkishëroi atë familjarisht.

Mesha në gjuhën shqipe i kishte acaruar në vazhdimësi dhespotët e Kosturit, që prej kohës kur Papa Kristo Negovani u masakrua po për të njëjtën gjë. Sepse kjo binte në kundërshtim me udhëzimin e Patrikanës së Stambollit, e cila kërkonte meshim vetëm në gjuhën greke, meqë në strategjinë e tyre ortodoksët shqiptarë i konsideronin grekë, duke ngatëruar qëllimisht fenë me kombësinë.

Asgjë nga këto nuk e tuti Petro Luarasin, që të trembej e ta linte në mes rrugën që kishte nisur. Dhe po ashtu do ta portretizonte Petro Luarasin një aktor si Gulilem Radoja, te filmi “Kush vdes në këmbë” i regjisorit Vladimir Prifti, nëpërmjet një shprehjeje të shkruar nga skenaristi Naum Prifti: “Mua mallkimet e atij horri s’më zënë as opingën.”

I ofruan poste, pushtet e para, e më pas e kërcënuan dhe e burgosën. Por ai u mbijetoi presioneve dhe për 24 vite me radhë nuk e zuri asnjë prej mallkimeve të mitropolitëve që vinin nga Kosturi enkas për të.

Jetëshkrimi

E çfarë të reje mund të thuash për jetën e një personaliteti si Petro Nini? Asgjë më shumë sesa faktet e njohura tanimë, të cilat tregojnë se ai luftoi për Shqipërinë e gjuhën shqipe jo vetëm me penë, por dhe më pushkë.

U lind në 22 prill të vitit 1865 në Luaras të Kolonjës. Dhe Kolonja ishte një nga trevat që nxori prej gjirit të saj shumë mësues, të cilët kontribuan në hapjen e shkollës së parë shqipe, më 7 Mars 1887, në Korçë.

Studimet i kreu në shkollën greke të Qestoratit e Hotovës në Lunxhëri të Gjitrokstrës. Qëndroi në shtëpinë e mikut të babait, patriotit Koto Hoxhi, ku mësoi privatisht të shkruante e lexonte shqip. Punën si mësues i greqishtes e nisi në shkollën e Bezhanit. Atje nisi t’u mësonte nxënësve shqip. Më pas dha mësim shqip në disa fshatra të Kolonjës, Pogradecit e Korçës. Përgatiti dhe mësues të ardhshëm të gjuhës shqipe. Punoi si mësues në Shkollën e parë Shqipe të Korçës dhe më pas si drejtor i Mësonjëtores së parë të vajzave. Në prill 1904 Petro Luarasi arratiset nga burgu ku e ishte mbyllur qeveria osmane. Mbërrin në Shtetet e Bashkuara, si emigranti i parë politik shqiptar. Atje zhvillon një aktivitet të gjerë, duke futur frymën kombëtare midis emigrantëve ekonomikë. Krijoi shoqëritë e para patriotike shqiptaro-amerikane: “Pellazgu” dhe “Malli i Mëmëdheut”. Ndihmoi Sotir Pecin për botimin e gazetës “Kombi” dhe Fan Nolin që të kurorëzohej prift e të hidhte themelet për krijimin e kishës ortodokse autoqefale shqiptare në SHBA. Themeloi librarinë e parë me libra shqip. Më 1908 u kthye në Shqipëri për të luftuar si komit për çlirim, duke krijuar një çetë në bashkëpunim me Çerçiz Topullin. Po më 1908 Petro Nini Luarasi shkoi si delegat në Kongresin e Manastirit.

Libri

Në gushtin e vitit 1911, sipas dokumenteve të kohës, thuhet se ishin agjentë në shërbim të dhespotit të Korçës, Joakimit, ata që arritën ta helmonin. Kërkuan ta shpallnin si të vdekur nga kolera dhe tentuan t’i djegin kufomën me gëlqere. Por hasën në kundërshtimin e fortë të dashamirësve të tij që ishin mbledhur për t’i bërë nderet e fundit. Ai vdiq si martir i gjuhës shqipe, duke mos e gëzuar shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë 15 muaj më vonë, atë pavarësi për të cilën luftoi aq shumë.

”Priftëria patriarkike bëri vegël të qëllim të saj fenë, të cilën e tund si këmborë friksonjëse kundër cilitdo shqiptari që dashuron shkronjat e tij, dhe që ta rrëmbejë më tepër në rrjetat e aforizmit e shkishërimit, duke i lënë vetëm një rrugëz shpëtimi: pendimin d.m.th. të mohuarit të gjuhës amtare shqipe dhe të kthyerit e tij në helenizëm. Ç’të keqe kemi bërë që na pengon neve nga udha që caktoi perëndia për tërë njerëzinë? Përse ndaloni shkrimin e këndimin e gjuhës sonë, kur tërë gjuhët e popujve janë pëlqyer prej perëndisë dhe të vlefshme për të përhapur me ato predikimin e ungjillit?” do të shkruante Petro Nini Luarasi në librin e tij: ”Mallkimi i shkronjave shqipe dhe shpërfolja e shqiptarit”, që solli jo pak shqetësim në qarqet antishqiptare të kohës.

❌