Normal view

22:59 Pamela Anderson lë pas imazhin e seks-simbolit dhe hap një kapitull të ri artistik

By: Monika
27 August 2026 at 22:59

Pamela Anderson po dëshmon se fama që e shoqëroi në vitet ’90 nuk është më kufiri i identitetit të saj. Në moshën 58-vjeçare, aktorja po eksploron fusha të reja dhe po e ndërton profilin e saj publik përmes artit, dizajnit dhe një qasjeje shumë më personale ndaj jetës.

Një prej projekteve të saj më të fundit është bashkëpunimi me Olive Ateliers, përmes koleksionit “The Sentimentalist”. Frymëzimi vjen nga kujtimet e fëmijërisë dhe shtëpia bregdetare e gjyshërve të saj në Kanada, duke e kthyer nostalgjinë familjare në elemente të dizajnit të brendshëm.

Paralelisht, Anderson ka zgjeruar aktivitetin e saj përtej aktrimit. Ajo ka publikuar një libër me receta vegane dhe ka krijuar markën e bukurisë Sonsie, ndërsa në ekran ka vazhduar të marrë role që i kanë dhënë mundësinë të tregojë një tjetër anë të talentit të saj.

Performanca në “The Last Showgirl” ishte veçanërisht e rëndësishme për këtë fazë të karrierës. Roli i solli një nominim për Golden Globe dhe vlerësime nga kritikët, duke rikthyer në fokus Anderson jo thjesht si një figurë ikonike të kulturës pop, por si aktore.

Edhe mënyra se si ajo prezantohet sot është pjesë e këtij transformimi. Anderson është shfaqur shpesh pa grim dhe ka folur hapur për pranimin e moshës, duke zgjedhur të mos e fshehë procesin natyral të plakjes pas standardeve të industrisë së bukurisë.

Jeta e saj aktuale është e ndarë mes projekteve krijuese, kopshtit në ishullin Vancouver dhe familjes. Dy djemtë e saj, Brandon Thomas Lee dhe Dylan Jagger Lee, janë gjithashtu pjesë e disa prej angazhimeve të saj profesionale.

Me projekte të reja në kinema, teatër dhe dizajn, Pamela Anderson po ndërton një imazh që nuk mbështetet më te e kaluara. Nga simboli i viteve ’90 te një grua që eksperimenton me fusha të ndryshme krijuese, ajo duket se po e shkruan vetë versionin e ri të historisë së saj./MXH

22:42 Kanye West nuk do të performojë në Shën Petersburg, stadiumi mohon marrëveshjen

By: Monika
27 August 2026 at 22:42

Koncertet e Kanye West në Shën Petersburg duket se kanë marrë fund përpara se të zhvilloheshin. Gazprom Arena ka deklaruar se nuk ka lidhur asnjë kontratë zyrtare me organizatorët për eventet e parashikuara më 10 dhe 11 tetor.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, drejtuesit e stadiumit sqaruan se mungesa e një marrëveshjeje qiraje e bën të pamundur zhvillimin e koncerteve në ambientet e tyre. Ata theksuan gjithashtu se Gazprom Arena nuk ka qenë organizatore e performancave të reperit.

Çështja është bërë më e debatueshme edhe për shkak të qëndrimit të West në skenën ndërkombëtare. Koncertet e tij janë kundërshtuar në disa vende evropiane pas deklaratave antisemite dhe përdorimit të simboleve naziste. Në janar, artisti kërkoi falje dhe i lidhi disa prej sjelljeve të tij me probleme shëndetësore që, sipas tij, nuk ishin trajtuar.

Nëse do të zhvillohej, performanca në Rusi do të kishte marrë një rëndësi të veçantë, pasi West do të ishte një nga artistët e parë të mëdhenj ndërkombëtarë që do të ngjitej në skenën ruse që prej nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Megjithatë, organizatorët nuk e kanë konsideruar çështjen të mbyllur. Say Agency, kompania me bazë në Moskë që kishte marrë përsipër organizimin, tha se vendimin e stadiumit e kishte mësuar nga mediat dhe se, deri në atë moment, nuk e kishte marrë një njoftim zyrtar për anulimin.

Ndërkohë, edhe nga politika ruse kanë ardhur reagime kundër ardhjes së reperit. Deputeti konservator Vitaly Milonov ka kritikuar idenë e koncertit dhe ka propozuar me ironi që West të interpretojë këngë tradicionale ruse në vend të repertorit të tij.

Kështu, e ardhmja e koncerteve të Kanye West në Shën Petersburg mbetet e paqartë, ndërsa për momentin Gazprom Arena mohon se ekziston një marrëveshje që do t’i lejonte reperit të performonte atje./MXH

22:38 392 viktima dhe mbi 1 300 të zhdukur, pas përmbytjeve në Nepal dhe Kinë

By: Monika
27 August 2026 at 22:38

Të paktën 392 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet apokaliptike në rajonin malor kufitar mes Nepalit dhe Kinës, ndërsa mbi 1 300 të tjerë rezultojnë të zhdukur, bëjnë të ditur autoritetet, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë.

Nga viktimat, 359 janë regjistruar në Nepal dhe tre në Kinë.

Shumë prej trupave të gjetur në territorin nepalez janë transportuar nga rrjedha e ujit për kilometra në drejtim të kufirit me Indinë.

Në disa raste, ekipet e shpëtimit kanë gjetur vetëm pjesë trupash.

Policia nepaleze raportoi se qindra persona janë shpëtuar ose kanë marrë ndihmë mjekësore, ndërsa mijëra efektivë të ushtrisë dhe policisë janë angazhuar në operacionet e shpëtimit.

Ushtria nepaleze ka evakuuar me helikopter qindra persona nga zonat e prekura.

Sipas kryeministrit Balen Shah, mbi 13 000 efektivë të ushtrisë dhe policisë janë mobilizuar për operacionet e emergjencës.

Vetëm gjatë së enjtes, 573 persona u evakuuan përmes 69 fluturimeve të ndihmës.

Bordi i Turizmit të Nepalit bëri të ditur se 31 shtetas të huaj të raportuar të zhdukur janë shpëtuar, ndërsa 667 udhëtarë nga Nepali dhe vende të tjera vijojnë të konsiderohen të zhdukur.

Në anën kineze, në Tibet, më shumë se 550 persona rezultojnë të zhdukur, sipas mediave shtetërore kineze, mes tyre rreth 260 shtetas të huaj.

Ministria e Jashtme e Indisë njoftoi gjithashtu se të paktën 288 shtetas indianë janë të zhdukur në Nepal.

Shumë prej tyre ishin pelegrinë që udhëtonin drejt malit Kailash dhe liqenit Manasarovar në Tibet, ndërsa 73 persona punonin në një projekt hidroenergjetik në lumin Trishuli.

Përmbytja e së mërkurës shkatërroi ura, mbuloi rrugë dhe dëmtoi banesa brenda pak sekondash, duke izoluar komunitete të tëra.

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë mes baltës dhe mbetjeve të shkaktuara nga rrjedha e fuqishme e ujit.

Vlerësimet paraprake sugjerojnë se një shembje akullnajore dhe rrjedhje masive inertesh mund të kenë bllokuar përkohësisht një degë të lumit Bhotekoshi, duke krijuar një liqen natyror.

Shpërthimi i mëvonshëm i këtij liqeni dyshohet se shkaktoi një valë të fuqishme uji, akulli dhe balte që përfshiu zonat në rrjedhën e poshtme.

Autoritetet kineze kanë paralajmëruar ndërkohë për rrezikun e përmbytjeve të tjera, pasi në anën nepaleze të kufirit është formuar një tjetër liqen.

Sipas televizionit shtetëror kinez, duke cituar Ministrinë e Burimeve Ujore, liqeni përmban rreth 2,0 milionë metra kub ujë, ndërsa deri në 3,0 milionë metra kub të tjera mund të derdhen në të.

Autoritetet thanë se liqeni kishte nisur tashmë të tejmbushej.

Fatkeqësia kërcënon gjithashtu jetesën e komuniteteve në këtë zonë të thellë të Himalajeve.

Organizata gjermane e ndihmës ”Welthungerhilfe” paralajmëroi se humbja e banesave dhe të korrave mund t’i lërë shumë familje pa burimet e tyre kryesore të jetesës./MXH

22:27 Polonia, Spanja, Holanda dhe Suedia ringrenë çështjen e aseteve ruse në favor të Ukrainës

By: Monika
27 August 2026 at 22:27

Katër vende evropiane – Polonia, Spanja, Holanda dhe Suedia – po shtyjnë, në një letër të përbashkët të botuar sot, për të përdorur asetet e ngrira ruse në Bashkimin Evropian për të forcuar mbështetjen financiare për Ukrainën.

Ndërsa ky opsion u shqyrtua shkurtimisht, ai u braktis përfundimisht dhjetorin e kaluar, me 27 shtetet anëtare që ranë dakord më në fund për një kredi prej 90 miliardë eurosh për të ndihmuar Ukrainën, të garantuar nga buxheti i BE-së.

Rreth 210 miliardë euro asete ruse janë ngrirë në BE që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt 2022.

Përdorimi i këtyre fondeve është kundërshtuar veçanërisht fuqishëm nga Belgjika, ku 90% e këtyre aseteve mbahen, të menaxhuara nga Euroclear.

“Ne jemi të vetëdijshëm se kjo është një çështje komplekse dhe se duhet të gjejmë zgjidhje që marrin parasysh interesat legjitime”, thuhet në letër.

Megjithatë, këto vende shtojnë se Rusia nuk po ndjek një rrugë negociatash dhe Ukraina ka nevojë për më shumë fonde “si në afat të shkurtër ashtu edhe në afatgjatë”.

Në këto rrethana, “ne besojmë se është koha të rishikojmë çështjen se si asetet e ngrira të Rusisë mund të përdoren në mënyrë më efektive në dobi të Ukrainës”, deklarojnë ministrat e Jashtëm të këtyre katër vendeve në një letër drejtuar, ndër të tjera, Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas.

”Duke përdorur këto asete të ngrira, BE-ja siguron që Rusia të paguajë pa vonesë për shkatërrimin që ka shkaktuar në Ukrainë, duke zvogëluar njëkohësisht barrën mbi taksapaguesit tanë”, pohojnë ministrat./MXH

22:16 Aksident tragjik në Lezhë/ Humb jetën i mituri

By: Monika
27 August 2026 at 22:16

Një aksident tragjik ka ndodhur në superstradën Lezhë-Shkodër. Një automjet ka përplasur për vdekje një të mitur, 12-vjeçar, i cili po lëvizte me monopatinë.

Automjeti ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po heton shkaqet e aksidentit./ MXH

22:10 V*au gruan shtatzënë dhe më pas qëlloi veten, ndërron jetë 26-vjeçari

By: Monika
27 August 2026 at 22:10

Egzon Bytyçi, 26-vjeçari i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij shtatzënë, Jetlira Foniqi, ka ndërruar jetë mbrëmjen e së enjtes në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Lajmi është konfirmuar për Klan Kosovën nga drejtori i Mjekimit në QKUK, Shaqir Uka. Bytyçi ndodhej prej disa ditësh në gjendje të rëndë, pasi pas vrasjes së bashkëshortes dyshohet se kishte qëlluar edhe veten në kokë. “Egzon Bytyçi ka vdekur në orët e mbrëmjes së sotme pasi nuk ka arritur t’u bëjë ballë plagëve”, deklaroi Uka.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 23 gushtit në fshatin Kërvasari të Malishevës. Rasti u raportua në Polici rreth orës 23:20, ndërsa brenda dhomës së gjumit u gjetën të plagosur me armë zjarri çifti i ri.

Sipas të dhënave të raportuara pas ngjarjes, Bytyçi dyshohet se qëlloi me një plumb në kokë bashkëshorten e tij, Jetlira Foniqi, dhe më pas qëlloi veten po në kokë. Babai i 26-vjeçarit raportoi rastin në Polici, ndërsa në vendngjarje hetuesit sekuestruan një armë.

Jetlira u transportua me urgjencë drejt QKUK-së, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. 25-vjeçarja ishte në javën e 34-t të shtatzënisë, vetëm pak javë larg lindjes së fëmijës. Ajo ndërroi jetë pas mbërritjes në Emergjencë.

Ndërkohë, Bytyçi mbeti në gjendje kritike. QKUK njoftonte edhe më 25 gusht se 26-vjeçari vazhdonte të merrte trajtim në Qendrën Emergjente dhe gjendja e tij nuk kishte ndryshuar. Mbrëmjen e 27 gushtit, ai ndërroi jetë si pasojë e plagëve. Nga hetimet dhe informacionet e para të raportuara në mediat e Kosovës, xhelozia është një prej pistave të ngritura për motivin e krimit. Po ashtu, ishte raportuar për konflikte të shfaqura kohët e fundit mes çiftit, për të cilat familjarët e Jetlirës kishin deklaruar se nuk kishin qenë në dijeni.

Në media u raportua gjithashtu se familjarë të Bytyçit kishin folur për probleme të mëparshme të shëndetit mendor gjatë qëndrimit të tij në Gjermani. Policia kishte sqaruar se këto pretendime nuk ishin verifikuar, ndaj ato nuk përbëjnë një konstatim mjekësor apo një shkak të provuar të ngjarjes./MXH

21:59 Nicolas Cage në betejë ligjore me Netflix, kërkon 105 milionë dollarë për filmin e vjedhur

By: Monika
27 August 2026 at 21:59

Një film i Nicolas Cage që ende nuk ka dalë për publikun është bërë objekt i një konflikti të madh ligjor me Netflix. Producentët e “Fortitude” kanë ngritur padi ndaj kompanisë së transmetimit, duke pretenduar se një kopje e filmit është zhdukur nga ambientet e Netflix në Los Angeles.

Sipas padisë, dëmi i pretenduar arrin në të paktën 105 milionë dollarë. Bëhet fjalë për një thriller spiunazhi me sfond Luftën e Dytë Botërore, i realizuar me një buxhet rreth 45 milionë dollarë dhe ku Cage luan një prej roleve kryesore.

Përplasja nisi pasi Netflix kërkoi ta shihte filmin përpara se të vendoste nëse do të merrte të drejtat e tij. Kopja iu dorëzua kompanisë më 15 qershor 2026 dhe shfaqja u zhvillua të nesërmen.

Producentët pretendojnë se, pas përfundimit të shfaqjes, materiali duhej të fshihej dhe kopja fizike të kthehej. Në vend të kësaj, ata thonë se disku u vodh nga zyrat e kompanisë.

Sipas palës paditëse, incidenti ka krijuar një problem serioz për të ardhmen e filmit. Nëse “Fortitude” qarkullon ose publikohet në mënyrë të paligjshme përpara premierës, vlera e tij në treg mund të bjerë ndjeshëm dhe mund të dëmtohet ekskluziviteti që lidhet me daljen zyrtare.

Netflix i ka kundërshtuar pretendimet. Kompania argumenton se filmi ishte dorëzuar pa masat e sigurisë që konsiderohen të zakonshme në industrinë e filmit dhe thekson se nuk zotëron të drejtat e “Fortitude”.

Tashmë çështja pritet të zgjidhet në gjykatë, ndërsa fati i filmit mbetet i lidhur me këtë përplasje mes producentëve dhe gjigantit të streaming-ut./mxh

21:39 Bizneset dhe qytetarët morën 2.3 mld euro kredi në 6 muaj! BSH: Ulen interesat për huatë në lekë, por rriten ato në euro

By: Monika
27 August 2026 at 21:39

Qytetarët dhe bizneset kanë marrë më shumë kredi në gjashtëmujorin e parë të këtij viti krahasuar me vjet. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë nga janari deri në fund të qershorit, bankat kanë aprovuar kredi me vlerë 2.3 miliardë euro, që është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë, në rritje me 214 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Referuar raportit të fundit të bankës, kërkesa për kredi ka qenë në rritje në të gjithë sektorët e ekonomisë sa u takon bizneseve, pasi kanë marrë në total 148.7 miliardë lekë hua gjatë kësaj periudhe.

“Në krahasim me gjashtë muaj më parë, përmirësim kanë shfaqur kreditë për biznesin e mesëm, si dhe financimi i bizneseve që veprojnë në sektorët e tregtisë dhe të shërbimeve”, thuhet në raport.

Norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë për biznese ishte 6.4%, e njëjtë me vitin e kaluar, ndërsa interesi mesatar për kreditë në euro u rrit me 0.2%, dhe aktualisht janë në 6%, i ndikuar kryesisht nga kredia për shumat deri në 250 mijë euro.

Edhe qytetarët morën më shumë kredi se vjet, rreth 786 milionë euro në total, të udhëhequr kryesisht nga nevoja për blerje banese, por rritje thuhet në raport është regjistruar edhe për kredinë konsumatore. Interesi mesatar për kredinë në lekë për blerje banese ishte 3.9% në gjashtëmujorin e parë të vitit, aq sa ishin edhe vjet, ndërsa ato në euro u rritën në 5.4% nga 4.9% që ishin në të njëjtën periudhë të 2025-ës.

Ndikim në kërkesën e lartë për kredi për të financuar blerjen e banesës sipas bankës ka dhënë edhe procesi i rivlerësimit që po zhvillohet prej muajit shkurt, ndërsa pritshmëritë janë për kërkesë të lartë për hua edhe në periudhën e mbetur të vitit./mxh

21:33 Aktivistja thirrje qytetarëve: Nesër të mblidhemi te selia e PS-së në orën 17:30, t’i përshëndesin me vezë

By: Monika
27 August 2026 at 21:33

Last Updated on 27/08/2026 by Monika

Aktivistja Arvina Lleshi, në protestën e 89-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, ka bërë një njoftim për qytetarët, duke i ftuar ata që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar për ditën e nesërme te selia e Partisë Socialiste.

Aktivistja the se mbledhja e “qeverisë së krimit” do të zhvillohet nesër në orën 17:30 në selinë e PS-së, dhe u bëri apel qytetarëve që të marrin pjesë në tubim.

“Kam një njoftim për të gjithë qytetarët. Nesër, qeveria e krimit, në orën 17:30, ka mbledhje te selia e PS-së. Ftoj të gjithë qytetarët që kanë mundësi të marrin pjesë”, u shpreh aktivistja.

Aktivistja u kërkoi protestuesve të merrnin me vete vezë, për të “përshëndetur” ministrat. “Të marrin vezë me vete dhe të shkojmë t’u bëjmë përshëndetjen e radhës, duke iu thënë: “Nuk na përfaqësoni, nuk na përfaqësoni, nuk na përfaqësoni”. Mos harroni, nesër te selia e PS-së”, tha ajo./MXH

21:26 Kancelari Merz më popullor në Ukrainë se sa në Gjermani

By: Monika
27 August 2026 at 21:26

Kancelari gjerman Friedrich Merz gëzon një mbështetje dukshëm më të madhe në Ukrainë sesa në vendin e tij, sipas një sondazhi të zhvilluar nga grupi ukrainas i vlerësimit “Rating Group”.

Rreth 64% e ukrainasve të pyetur shprehen pozitivisht për Merz, ndërsa në sondazhet e zhvilluara në Gjermani, mbështetja për kancelarin në disa raste ka zbritur nën 20%.

Në renditjen e politikanëve ndërkombëtarë, presidenti francez Emmanuel Macron rezulton më i vlerësuari, me 79% të ukrainasve që kanë një qëndrim pozitiv ndaj tij.

Në anën tjetër, presidenti rus Vladimir Putin renditet i fundit, me më shumë se 97% të të anketuarve që shprehen negativisht për të.

Sipas sondazhit, qëndrimi i ukrainasve ndaj kancelarëve gjermanë është përmirësuar gradualisht.

Në shkurt 2025, ish-kancelari Olaf Scholz kishte një nivel miratimi prej 57%, pak para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani.

Mbështetja për drejtuesit gjermanë ishte në nivelin më të ulët në prill 2022, pak pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës, kur Gjermania kishte bërë angazhime relativisht më të kufizuara për furnizime me armë dhe ndihmë financiare.

Që prej atëherë, Gjermania është shndërruar në një nga mbështetësit kryesorë të Ukrainës, ndërsa ndihma gjermane është shoqëruar me rritjen e perceptimit pozitiv ndaj udhëheqjes së vendit.

Sondazhi u zhvillua nga 4 deri më 9 gusht, me pjesëmarrjen e 2 000 personave të moshës mbi 18 vjeç.

Në sondazh u përfshinë banorë të territoreve të kontrolluara nga qeveria ukrainase, ku rrjeti celular funksionon./mxh

21:18 Tri ditë zi kombëtare pas zjarreve shkatërruese me 12 viktima

By: Monika
27 August 2026 at 21:18

Presidenti algjerian Abdelmadjid Tebboune shpalli tri ditë zi kombëtare, pasi zjarret pyjore në verilindje të vendit vranë të paktën 12 persona dhe plagosën dhjetëra të tjerë.

“Me zemër të rëndë dhe shpirt të pikëlluar përballë tragjedisë së humbjes së bashkëqytetarëve tanë, shpall tri ditë zi kombëtare dhe anulimin e të gjitha ngjarjeve kulturore dhe garave sportive”, tha ai.

Të mërkurën në mbrëmje, ministri i Brendshëm, Said Sayoud raportoi të paktën 12 vdekje dhe 54 persona të shtruar në spital me djegie, përfshirë gjashtë në gjendje të rëndë, në lidhje me zjarret shkatërruese pyjore pranë Bejas, Jijel dhe Tizi-Ouzou.

“Pesë vdekje u regjistruan në Jijel, katër në Beja dhe tri në Tizi-Ouzou”, sipas Sayoud.

Videot e zjarreve u shpërndanë në mediat sociale gjatë natës, veçanërisht nga qytetarët e bllokuar nga flakët.

Dhjetëra banorë u evakuuan, veçanërisht në Jijel dhe Beja.

Në Jijel, shumë familje u strehuan në plazhe ose në zonat urbane të kursyera nga zjarret, sipas videove të postuara në internet, që AFP nuk mundi t’i verifikonte menjëherë.

Sot, 46 zjarre ishin ende aktive nga 193 të regjistruara në 24 orë, sipas agjencisë së Mbrojtjes Civile.

Ministri i Brendshëm dhe ministri i Shëndetësisë, Mohamed Seddik Ait Messaoudene, vizituan Bejan dhe Jijelin, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve APS.

Sipas xhandarmërisë, tre rrugë kryesore që lidhin këto rajone lindore mbetën të mbyllura edhe sot.

Çdo verë, verilindja e Algjerisë preket nga zjarret në pyje, një fenomen i përkeqësuar nga thatësirat dhe valët e nxehtësisë gjithnjë e më të shpeshta, të nxitura nga ndryshimet klimatike.

Në korrik, autoritetet regjistruan gati 2 000 zjarre, duke rezultuar në të paktën gjashtë vdekje, dhe gati 2 000 të tjera midis majit dhe qershorit.

Në vitet e fundit, zjarret e mëdha kanë shkaktuar vdekjen e dhjetëra njerëzve në Algjeri, kanë shkatërruar mijëra hektarë pyje dhe tokë bujqësore si dhe shumë shtëpi./mxh

21:10 Mladiç alias simboli i mizorisë në kohë lufte

By: Monika
27 August 2026 at 21:10

Ratko Mladiç, i cili vdiq sot në Hagë, e konsideronte veten si hero të popullit serb, por për drejtësinë ndërkombëtare ai përfaqësonte kuintesencën e së keqes për krimet e kryera nga forcat nën urdhrat e tij gjatë luftës në Bosnje, nga rrethimi i Sarajevës deri te masakra e Srebrenicës.

Mladiç kaloi vitet e fundit në burg, pasi u arrestua në vitin 2011 dhe u dënua në vitin 2017 me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit në Bosnje, i cili shkaktoi 100 000 të vrarë midis viteve 1992 dhe 1995.

Dënimi u konfirmua në apel më 8 qershor 2021.

Mes këtyre mizorive ishte masakra e 8 000 burrave dhe adoleshentëve myslimanë në Srebrenicë, një gjenocid sipas drejtësisë ndërkombëtare dhe masakra më e rëndë e kryer në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ish-Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad al Hussein, e kishte përshkruar ish-gjeneralin si kuintesencën e së keqes.

I arrestuar në vitin 2011 pas 16 vitesh arrati, ushtari trupvogël dhe arrogant e përfundoi jetën në qeli, si një plak i sëmurë.

Por, deri në vdekjen e tij, ai mbeti në sytë e një pjese të komunitetit serb lajmëtari i kauzës së popullit serb.

”Të vizatosh me gjak”

Në Beograd, emri ose fytyra e tij janë vizatuar me grafite në dhjetëra mure.

“Unë jam gjenerali Mladiç. Kam mbrojtur vendin tim dhe popullin tim”, kishte deklaruar ai që në paraqitjen e tij të parë para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (TPIJ), i cili u mbyll në vitin 2017.

Për pjesën tjetër, ky burrë, herë i zemëruar dhe brutal, herë i gëzuar dhe gazmor, sipas atyre që e kanë njohur, kishte shpjeguar një ditë se kufijtë “gjithmonë janë vizatuar me gjak dhe shtetet janë përcaktuar me varre”.

Ai konsiderohet arkitekti i tretë i spastrimit etnik gjatë luftës që e ndau Bosnjën sipas vijave të ndarjeve komunitare.

Nga Beogradi, presidenti Slobodan Milosheviç, i cili vdiq në paraburgim në vitin 2006, ndezi Ballkanin me retorikën e tij “serbomadhe”, ndërsa manovronte me komunitetin ndërkombëtar; në “kryeqytetin” e tij në Pale, pranë Sarajevës, psikiatri Radovan Karaxhiç, ideologu i serbëve të Bosnjës, i dënuar në vitin 2019 me burgim të përjetshëm, përhapte propagandën e tij fanatike.

Ratko Mladiç ishte krahu i tyre i armatosur, i vetmi nga treshja i lindur në Bosnje, më 12 mars 1943, sipas pretendimit të tij, ndërsa drejtësia ndërkombëtare e konsideron vitin 1942 si vitin e lindjes.

– Ushtari nga fshati –

Jetim i një partizani të vrarë nga ustashët kroatë pro-nazistë, ai e kuptoi shumë herët se donte të bëhej ushtar dhe në moshën 22-vjeçare u bë një nga oficerët më të rinj të ushtrisë jugosllave.

Kur shpërtheu lufta, pasi kishte luftuar kundër kroatëve, ai u transferua shpejt në Bosnje, kryeqyteti i së cilës, Sarajeva, iu nënshtrua një rrethimi prej gati katër vitesh.

Më shumë se 10 000 banorë, përfshirë disa qindra fëmijë, do të vriteshin nga plumbat e snajperëve ose predhat që binin nga lartësitë e mbajtura nga forcat e Mladiçit.

Megjithatë, shumë serbë të Bosnjës i relativizojnë, madje i mohojnë, mizoritë e kryera.

Mbështetësit e tij vazhdojnë të përhapin imazhin e një ushtari nga fshati, të dashuruar me tokën e tij, respektues të kodeve të nderit ushtarak, i cili nuk kishte si objektiv tjetër veçse një Jugosllavi të bashkuar dhe më pas mbrojtjen e “popullit të tij” kundër atyre që ai i quante “turq”, boshnjakët myslimanë.

Më 8 janar 2024, disa dhjetëra tifozë futbolli, të mbledhur në urën e famshme të Vishegradit, në lindje, për të festuar përvjetorin e entitetit serb, brohoritën emrin e gjeneralit ndërsa hidhnin një fishekzjarr të madh. Po atë mbrëmje, gjatë një ceremonie zyrtare në Banja Luka, në veri, me të njëjtin rast, përmendja e emrit të tij dhe atij të Karaxhiçit nga udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, u prit me duartrokitje të gjata.

”Hakmarrje ndaj turqve”

Në vitin 1994, vajza e tij Ana, studente e mjekësisë, vrau veten.

Disa dëshmitarë kanë vlerësuar se Ratko Mladiç ishte bërë më brutal pas vdekjes së saj, e cila ndodhi një vit para Srebrenicës.

Pas marrjes së enklavës myslimane nga trupat e tij në korrik 1995, ai shfaqet në pamjet e kohës duke iu drejtuar grave dhe të moshuarve.

“Mos kini frikë. Ngadalë, ngadalë, lërini gratë dhe fëmijët të largohen të parët”, u thotë ai. Në një tjetër pamje shihet duke i prekur me dorë faqen një fëmije të vogël boshnjak, në mënyrë atërore.

Pamje të tjera e tregojnë në Srebrenicë me qëndrim luftarak, duke u gëzuar për këtë “hakmarrje ndaj turqve”.

Pas Marrëveshjes së Paqes së Dayton-it, Ratko Mladiç qëndroi në Bosnje, i mbrojtur në strehën e tij në Han Pijesak, një bazë gjysmë e futur nën tokë në një pyll me pisha në lindje të vendit.

Më pas u vendos në Beograd, i mbrojtur nga ushtria.

Zyrtarisht i kërkuar, ai nuk fshihej shumë, krasiste trëndafilat, shkonte në furrë buke, darkonte në restorant dhe ndiqte ndeshje futbolli. Kur Milosheviçi u largua nga pushteti në vitin 2000, Mladiç kaloi në ilegalitet.

Arrestimet dobësuan rrjetet e tij dhe, për Serbinë, e cila synonte të hynte në Bashkimin Evropian, ai u bë një problem.

Më 26 maj 2011, ai u kap te një kushëri në një fshat në veri të Serbisë dhe më pas u dorëzua.

Para transferimit të tij në Hagë, ai kishte kërkuar të shkonte te varri i vajzës së tij, Ana./mxh

20:58 Shorti/ Barça-City në start, Bayern rigjen Arsenalin. Zbulohen kundërshtarët

By: Monika
27 August 2026 at 20:58

Barcelona dhe Bayern Munich kanë mësuar tetë kundërshtarët për fazën e ligës në Champions League.

Katalanasit do të përballen me Manchester City, Paris Saint-Germain, Aston Villa, Sporting CP, Feyenoord, Galatasaray, Como dhe Sabah.

Bavarezët do të përballen me Arsenal, Atlético Madrid, Real Betis, Manchester United, Bodo/Glimt, Lille, Slavia Praha dhe Viking./mxh

Shorti/ Barça-City në start, Bayern rigjen Arsenalin. Zbulohen

Shorti/ Barça-City në start, Bayern rigjen Arsenalin. Zbulohen

20:47 Shkolla ‘Kolë Idromeno’ në Shkodër gati për vitin e ri arsimor, Rama: Investimet vijojnë edhe në tre shkolla të tjera

By: Monika
27 August 2026 at 20:47

Shkolla “Kolë Idromeno” në Shkodër është gati të presë nxënësit për vitin e ri shkollor, pas ndërhyrjeve për përmirësimin e ambienteve dhe kushteve të mësimit. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili publikoi pamje nga shkolla e rinovuar.

Rama tha se ndërkohë vijojnë punimet në shkollën “Ismail Qemali”, ndërsa në muajt në vijim investimet do të shtrihen edhe në shkollën “Skënderbej” dhe gjimnazin “Oso Kuka”.

“Shkolla ‘Kolë Idromeno’ në Shkodër, gati për të pritur nxënësit në vitin e ri shkollor. Ndërkohë, vijojnë punimet në shkollën ‘Ismail Qemali’, ndërsa në muajt në vijim investimet do të shtrihen edhe në shkollën ‘Skënderbej’ dhe gjimnazin ‘Oso Kuka’”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, investimet synojnë krijimin e shkollave moderne dhe përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe stafet pedagogjike në Shkodër./mxh

20:38 Situata e zjarreve në vend/ Riaktivizohet vatra në Malin e Dajtit, ndërhyrje e gjerë në Dibër

By: Monika
27 August 2026 at 20:38

Last Updated on 27/08/2026 by Monika

Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 20:00, në territorin e vendit janë raportuar 8 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive, 2 janë nën mbikëqyrje dhe 1 është shuar plotësisht.

Për menaxhimin e situatës janë angazhuar struktura operacionale vendore dhe qendrore, përfshirë MZSH, Forcat e Armatosura, ADZM/AZM, shërbimin pyjor, Policinë e Shtetit, strukturat bashkiake dhe vullnetarë. Në mbështetje të operacioneve tokësore janë aktivizuar 2 helikopterë të Forcave të Armatosura.

Në Malin e Dajtit, pas riaktivizimit të 3 vatrave, janë angazhuar 20 forca zjarrfikëse dhe të AZM-së, të mbështetura nga 1 helikopter i FA. Ndërhyrja ka vijuar në terren të vështirë, ndërsa vatra mbetet aktive.

Angazhimi më i gjerë tokësor është regjistruar në qarkun Dibër.

Në Qafë të Helmës kanë operuar 27 forca: 8 nga MZSH Bulqizë, 9 nga shërbimi pyjor dhe 10 vullnetarë, duke punuar me prita dhe pompa shpine.

Në Vajkal janë angazhuar forcat zjarrfikëse, 4 forca pyjore, 5 policore, 6 bashkiake, 13 të sektorit të shërbimit dhe 13 vullnetarë, ndërsa për shkak të erës operacioni është mbështetur edhe nga 1 helikopter i FA.

Në Sllatinë, Dibër, janë angazhuar 10 zjarrfikës, 4 forca të ADZM-së, 5 forca të njësisë administrative dhe 7 vullnetarë. Për shkak të terrenit të thyer dhe malor, forcat kanë lëvizur me mjete 4×4 dhe operacioni është mbështetur gjithashtu nga 1 helikopter i FA.

Në Arrmollë janë angazhuar 4 forca dhe 1 autobot uji, duke bërë të mundur normalizimin e situatës pa rrezik për banesat e tjera.

Në Ungrej, Lezhë, për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 2 automjete zjarrfikëse me 7 forca operacionale, 6 forca bashkiake dhe 4 vullnetarë. Ndërhyrja përfundoi me shuarjen e plotë të vatrës.

Ndërkohë, në Elbasan, vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje, pa rrezik për zonat e banuara./mxh

20:36 Vendet nordike shqyrtojnë bashkimin e bursave në një treg të vetëm rajonal

By: Monika
27 August 2026 at 20:36

Një grup i kompanive dhe investitorëve më të mëdhenj të vendeve nordike po shqyrton mundësinë që Suedia, Danimarka, Norvegjia dhe Finlanda të bashkojnë bursat e tyre kombëtare në një treg të vetëm rajonal, me synimin për të rritur likuiditetin dhe për të tërhequr më shumë kompani për t’u listuar në bursë. Ideja për krijimin e një burse të vetme për të gjithë rajonin nordik është rikthyer në diskutim. Raportimet e së mërkurës, duke iu referuar personave në dijeni të diskutimeve, thanë se aleanca e biznesit Nordic Compass po shqyrton disa mundësi, përfshirë bashkimin e bursave kombëtare të Suedisë, Danimarkës, Norvegjisë dhe Finlandës, si dhe harmonizimin e kuadrit të tyre rregullator.
Nordic Compass i tha Euronews se po analizon një sërë mundësish, por se puna është ende në fazat paraprake. “Grupi i Nordic Compass për tregjet e kapitalit po punon për të përmirësuar mundësitë për sigurimin e kapitalit, me synim mbështetjen e konkurrueshmërisë në të gjitha fazat, nga kompanitë e reja, kapitali sipërmarrës, rritja dhe zgjerimi i bizneseve, deri te ofertat publike fillestare (IPO), si dhe ekosistemin për listimet e kompanive nordike”, tha Christian Clausen, drejtues i grupit të aleancës për tregjet e kapitalit dhe kryetar i BlackRock për vendet nordike.

“Kjo përfshin analizimin e një sërë nismash të mundshme, përfshirë çështjet që lidhen me likuiditetin. Puna është ende në një fazë eksploruese dhe nuk është arritur ende asnjë marrëveshje për iniciativa apo përfundime konkrete”, shpjegoi Clausen për Euronews.

Nordic Compass u krijua në maj si një aleancë pan-nordike e biznesit, ku bëjnë pjesë më shumë se 25 kompani, fondacione dhe organizata, mes tyre Wallenberg Investments, EQT, Nordea, SEB, Nasdaq Nordic, Ericsson, Nokia, Saab, Orsted dhe Novo Nordisk Foundation.

E drejtuar nga ish-kryeministri finlandez Jyrki Katainen, aleanca punon në katër fusha: tregjet e kapitalit, teknologjitë e avancuara, mbrojtja dhe energjia.

Nismat e para të aleancës pritet të prezantohen në një samit që do të mbahet në Goteborg më 4 dhe 5 nëntor, ku raportohet se mund të paraqitet edhe propozimi për tregjet e kapitalit.

Fondet nordike të pensioneve dhe investitorët sovranë menaxhojnë rreth 4 trilionë dollarë (3.43 trilionë euro) dhe marrin më shumë se 175 miliardë dollarë në vit, por ky kapital është i shpërndarë në katër tregje të veçanta dhe jo i bashkuar në një treg të vetëm.

Kush i zotëron bursat?

Çdo bashkim do të kërkonte bashkëpunimin e tre aktorëve që nuk janë drejtpërdrejt nën drejtimin e aleancës.
Nasdaq operon shumicën e bursave kombëtare të rajonit, Euronext zotëron bursën e Oslos, ndërsa Euroclear luan një rol qendror në shlyerjen e transaksioneve me tituj financiarë në vendet nordike.

Nasdaq nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Euronext, nga ana tjetër, sinjalizoi gatishmëri për të bashkëpunuar. Kompania i tha Euronews se, përmes Oslo Børs, depozituesve të saj të titujve në Norvegji dhe Danimarkë, Nord Pool dhe Admincontrol, ajo ka një prani të konsoliduar në rajonin nordik dhe është “në dialog me Nordic Compass për të kontribuar potencialisht në masa praktike”.

“Euronext mirëpret nismat që synojnë t’i bëjnë tregjet nordike të kapitalit edhe më konkurruese në nivel global”, shtoi operatori i bursës.

“Rajoni tashmë përfiton nga tradita të forta të tregjeve financiare, investitorë të sofistikuar dhe ekosisteme lokale të suksesshme. Mundësia është të ndërtojmë mbi këto pika të forta, duke e bërë më të lehtë qarkullimin e kapitalit përtej kufijve”, tha një zëdhënës i grupit për Euronews.

Euronext iu referua gjithashtu strukturës së saj shumëkombëshe si një model të mundshëm.

“Përvoja jonë tregon se likuiditeti më i madh, teknologjia e përbashkët dhe rregullat e harmonizuara mund të sjellin përfitime për kompanitë emetuese dhe investitorët, ndërsa modeli ynë federal i mban bursat lokale pranë tregjeve të cilave u shërbejnë”, përfundoi operatori i bursës.

Ajo që mund të dalë nga samiti në Goteborg në nëntor do të tregojë nëse puna eksploruese ka prodhuar diçka më konkrete sesa thjesht analiza.

19:59 Nis evidentimi i dëmeve nga zjarret, në Pukë po vlerësohen dëmet në pyje, banesa dhe rrjetin ujitës

By: Monika
27 August 2026 at 19:59

Teksa situata në territorin e Bashkisë Pukë është normalizuar gjatë dy ditëve të fundit sa i takon vatrave të zjarrit, pasojat e shkaktuara nga flakët mbeten të mëdha. Kryetari i Bashkisë Pukë, Rrok Dodaj, thotë se situata e krijuar gjatë ditëve të fundit ka qenë e vështirë, për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve dhe terrenit të vështirë. Sipas tij, ndërhyrja e forcave në terren, e mbështetur edhe nga ajri, ka bërë të mundur shuarjen e vatrave dhe vënien nën kontroll të situatës.

“Krahas një pune kolosale që u bë me të gjitha strukturat e Bashkisë Pukë, me MNZ-në, me AKMC-në dhe me forcat e ushtrisë, falë edhe punës së mirë që bënë forcat ajrore, të cilat punojnë në terren prej gjashtë ditësh me radhë, gjendja rezulton sot, në ditën e 11-të, e përmirësuar në të gjitha vatrat e zjarrit”, u shpreh Rrok Dodaj, Kryetar i Bashkisë Pukë.

Pas përmirësimit të situatës, Bashkia Pukë ka nisur një tjetër fazë, atë të evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve. Është ngritur grupi i punës, i cili po verifikon në terren pasojat e zjarreve, jo vetëm në sipërfaqet pyjore, por edhe në banesa dhe prona të tjera të prekura.

“Sot, Bashkia Pukë, në ditët në vijim, duke parë edhe gjendjen e përmirësuar, totalisht themi se do të bëjmë takimin e radhës me Shtabin e Emergjencave dhe do të dalim në terren për të bërë verifikimin e këtyre dëmeve që janë shkaktuar nga zjarri. Komisionet e ngritura nga Bashkia Pukë do të ndjekin çdo hap ligjor për të identifikuar këto probleme”, tha Dodaj.

Përtej bilancit të dëmeve materiale, strukturat vendore vijojnë monitorimin e territorit, me qëllim shmangien e riaktivizimit të vatrave të zjarrit. Ndërkohë, procesi i evidentimit pritet të japë një pasqyrë më të plotë të dëmeve të shkaktuara nga zjarret në territorin e Pukës./mxh

19:44 Verë “e nxehtë” politike/ Berisha: U dogjën teserat e PS-së, Rama doli me Sadushin e partisë

By: Monika
27 August 2026 at 19:44

Kryedemokrati Sali Berisha po drejton pasditen e sotme mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Në fjalën e tij, Berisha u ndal te vera politike, që e cilësoi si të “nxehtë” për disa arsye.

Ndër to, kryetari i PD-së veçoi djegien e teserave të Partisë Socialiste nga protestat e qytetarëve, si dhe daljen e përbashkët publike të kryeministrit Edi Rama me kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi në një festival në Vajzë të Selenicës.

“Vera që po lëmë pas do të jetë si vera që dogji Edi Ramën. Jemi në fund të muajit gusht. Një verë aq përvëluese, që muaj pas muaji e javë pas jave, ka shkriurë narkoshtetin dhe padrinon Edi Rama. Zjarret dogjën Shqipërinë si rrallë ndonjë vit më parë. Pothuajse nuk u menaxhuan fare. Dogjën edhe më shumë se kaq, teserat e partisë së krimit, pa llogaritur edhe mijëra që u dogjën në bulevardin e Tiranës. Kjo erë shkriu plotësisht propagandën. Rama me Sadushin e partisë ndiqte festivalet në Vajzë. Kjo verë shkriu edhe propagandën e turizmit, sepse u baronët e tyre mbrohen nga Edi Rama”-,-tha Berisha./mxh

19:38 Kundërshtarë të vështirë për Interin, çfarë vendosi shorti i Champions League

By: Monika
27 August 2026 at 19:38

Interi ka mësuar tetë kundërshtarët e tij për fazën e ligës në Champions League.

Zikaltërit do të përballen në këtë rund me Liverpool, Real Madrid, Club Brugge, Borussia Dortmund, Shakhtar Donetsk, Feyenoord, Stuttgart dhe Slovan Bratislava.

Kundërshtarët i ka mësuar edhe Manchester City. Anglezët do të përballen me Paris Saint-Germain, Barcelona, Sporting CP, Porto, Napoli, RB Leipzig, AEK Athens dhe Lens./mxh

Kundërshtarë të vështirë për Interin,

Kundërshtarë të vështirë për Interin,

19:26 Nga Inter tek Arsenal, Real Madrid mëson kundërshtarët

By: Monika
27 August 2026 at 19:26

Real Madrid ka mësuar tetë kundërshtarët e tij për fazën e ligës në Champions League.

Madrilenët do të përballen në këtë rund me Inter, Arsenal, PSV Eindhoven, Roma, RB Leipzig, Shakhtar Donetsk, LASK dhe AEK Athens.

Përgjatë kësaj faze, skuadra do të zhvillojë tetë ndeshje, ku katër prej tyre do t’i luajë në shtëpi dhe katër në transferta.

Sfidat do të jenë përcaktuese për renditjen e përgjithshme në tabelën me 36 ekipe për kalimin tutje./mxh

❌