Normal view

12:00 Fitoi 1 milion euro, por kuponi kishte përfunduar në plehra! Punonjësit e pastrimit aksion kërkimi në Itali: U gjet pas kontrollit të 6 milionë ton mbeturina

By: Anisa
5 August 2026 at 12:00

Një burrë në Bitonto, në rajonin e Puglias në Itali, rrezikoi të humbiste një fitore prej 1 milion eurosh pasi hodhi gabimisht në plehra kuponin fitues të basteve.

Falë ndërhyrjes së punonjësve të kompanisë së pastrimit Sanb, bileta u gjet brenda 48 orëve mes grumbujve të mbeturinave, pas kontrollit në gati 6 milion ton mbeturina.

“U gjet mes tonesh me mbeturina“, ka deklaruar ai, pasi punonjësit i erdhën në ndihmë për ta gjetur.

Sapo kuptoi gabimin, fituesi kërkoi ndihmë për të lokalizuar kuponin. Punonjësit identifikuan automjetin kompresor që kishte mbledhur mbeturinat dhe nisën një operacion të posaçëm kërkimi.

Pas orësh kontrollesh në grumbujt e mbeturinave, ata arritën të gjenin kuponin fitues, duke i mundësuar lojtarit të tërhiqte çmimin prej 1 milion eurosh.

Historia ka bërë jehonë në Itali për shkak të përfundimit të saj të pazakontë, ndërsa ndërhyrja e shpejtë e punonjësve të pastrimit rezultoi vendimtare për gjetjen e biletës së çmuar./ad

 

11:50 I armatosur pranë fushës së golfit të Trumpit, arrestohet një person përpara vizitës së Trump në Kaliforni

By: Anisa
5 August 2026 at 11:50

Një 38-vjeçar është arrestuar pranë fushës së golfit në pronësi të Presidentit amerikan Donald Trump në Rancho Palos Verdes, Kaliforni, vetëm pak ditë përpara vizitës së presidentit për një darkë për mbledhje fondesh të Partisë Republikane.

Autoritetet thanë se i dyshuari u gjet me armë dhe municione të paligjshme, ndërsa hetimet janë ende në vijim.

Sipas Departamentit të Sherifit të Los Anxhelosit, Jeanine John Taele u vu re duke ecur në fushën e golfit, duke bërë fotografi dhe video, ndërsa dukej se monitoronte përgatitjet e sigurisë. Ai u arrestua të dielën pas raportimit të agjentëve federalë të veshur civilë.

Gjatë kontrollit, policia zbuloi se Taele kërkohej edhe në lidhje me një rast grabitjeje të hetuar nga Departamenti i Policisë së El Segundo.

Ai mbante një karikator me 16 fishekë me municion të ndaluar, ndërsa në automjetin e tij u gjet një pistoletë e mbushur dhe municione të tjera. Aktualisht ai përballet me akuza për mbajtje të fshehur të armës së zjarrit dhe posedim të municioneve të ndaluara.

Një ditë më pas, agjentët e FBI-së dhe të Task Forcës së Përbashkët Kundër Terrorizmit kontrolluan banesën e tij në Downey, ku sekuestruan një pushkë të modifikuar në mënyrë të paligjshme të tipit AR, një pistoletë kalibri .45, jelekë antiplumb, karikatorë me kapacitet të lartë, sasi të konsiderueshme municionesh dhe fletore me përmbajtje që autoritetet e cilësuan shqetësuese.

Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Shërbimin Sekret të SHBA-së, ndërsa zyrtarët nuk përjashtojnë ngritjen e akuzave të tjera. Megjithatë, ata theksuan se deri më tani nuk është identifikuar një kërcënim i besueshëm për komunitetin dhe nuk ka prova që i dyshuari po planifikonte një sulm ndaj Presidentit Trump.

Arrestimi ndodhi në prag të vizitës së Trumpit në Kaliforni, ku ai pritet të marrë pjesë në një aktivitet për mbledhje fondesh dhe më pas të udhëtojë drejt Las Vegasit. Vizita zhvillohet në një periudhë kur aktiviteti politik po intensifikohet përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA./ad

11:40 NDARJA TERRITORIALE. A KA ARDHUR KOHA TA ZHDUKIM JUGUN DHE VERIUN?

By: Anisa
5 August 2026 at 11:40

Unë jam gjithmonë pro ndarjes territoriale. Duke lëvizur nga një vend në tjetrin, njerëzit i ndryshojnë kufinjtë ekonomikë, politikë dhe administrativë. Në 2000 vjetët e fundit, nga harta e Shqipërisë janë zhdukur pothuajse gjithë qendrat e mëdha ku dikur jetonin mijëra njerëz të cilët me ikjen e tyre e kthyen Butrintin, Apolloninë apo Bylisin në gërmadha. Ne sot mendojmë se sa e bukur ishte jeta poshtë harqeve prej guri apo portikëve të këtyre qyteteve madhështorë por njerëzit që kanë jetuar aty dikur kanë menduar ndryshe.

Ata janë larguar sepse mesa duket një ditë nuk kishin më punë, tokat ishin të thata, uji shterroi dhe fëmijët mërziteshin shpejt. Kështu vendosën të zhvendosen në Fier, në Ballsh dhe në Sarandë apo edhe në Tiranë sic ndodhi me banorët e Albanopolisit të humbur.

Prandaj sot na mungojnë qytetet fantastike ku jetuan heronjtë e lashtësisë, që nga Sarda magjike që dukej si një Manhattan mbi liqenin e Komanit, deri te Stellushi i Matit ku ka lindur Skënderbeu.
Njerëzit ikën që andej pa menduar se po linin pas kujtime që sot i kemi humbur. Asnjë ushtri, asnjë urdhër dhe asnjë parlament nuk mundi ti mbante të lidhur pas varfërisë.
E njëjta gjë ndodh edhe sot. Njerëzit që ikin nga Kukësi, nga Erseka dhe nga Skrapari i bëjnë fshatrat apo qytetet e tyre të pajetueshme.
Disa vjet më parë isha në fshatin tim të origjinës në Blush të Kolonjës, ku nuk kishin mbetur më shumë se njëzet shtëpi të banueshme. Duke parë atë shkreti i dhashë të drejtë katragjyshit tim që u zhvendos në Korcë pa e kthyer kokën mbrapa. Nëse do kishte mbetur aty me shijen e reve në gojë, unë tani do isha njëri nga njëzet burrat e Blushit që sot jetojnë duke mallkuar gjyshërit që nuk zbritën më herët në qytet.

Por pamja e trishtuar e fshatit nga kam origjinën është pak për të më bindur se bashkia e Kolonjës nuk bën dot asgjë për atë katund të mjerë që pas disa dekadash nuk do ekzistojë më.

Në vitin 2004 i propozova parlamentit një ndarje të re territoriale. Atëherë Shqipëria kishte 375 komuna dhe bashki. Si Ministër i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit kërkova që të mbeteshin rreth 120 njësi, pra një e treta.
Për fat të keq Kryeministri i kohës as e kuptoi dhe as guxoi ta mbronte projektin që duhet të jetë edhe sot në arkivat e kuvendit i shkelur me këmbë nga deputetët e të dy partive të mëdha, që i trajtonin komunat si lopë dhe kryetarët si vica.

Unë mora mbi shpinë urrejtjen e tyre si një njeri që doja t’i ndaja nga kafshët e punës së përditshme kurse Kryeministri humbi zgjedhjet nga këta deputetë të cilët nuk i votuan më as komunat e tyre, sic ndodh me barinjtë që abuzojnë me kafshët shtëpiake.

Kështu komunat e pangopura që ushqeheshin si shushunja me gjak buxheti mbetën gjallë deri në vitin 2015 kur vendi kaloi në një sistem më rentabël bashkish.

Në përgjithësi ndarjet territoriale ndjekin llogjikën e akuariumit : peshku i madh e ha peshkun e vogël. Pra bashkitë e pasura gëlltisin me rradhë bashkitë e varfra. Megjithatë kjo uri nuk mund të vazhdojë pa fund sepse si anemia ashtu edhe obeziteti janë të dyja sëmundje të dëmshme.

Cështja sot nuk është si do shpëtohen disa bashki nga falimentimi, por si do ndalet falimentimi si një proces i pakthyeshëm që nuk varet vetëm nga madhësia e bashkisë.

Prandaj ndoshta ka ardhur koha që bashkë me shkurtimin, bashkitë e mbetura të Shqipërisë të ndahen ndryshe.
Apo më saktë të rigrupohen.

Ndryshe nga përfytyrimi i njerëzve që nuk e njohin, Shqipëria nuk ngjitet dhe as nuk zbret duke ardhur nga jugu në veri dhe anasjelltas. Korca është më malore se Shkodra, kurse Gjirokrastra e mbushur me turistë është nja një qind metra më lart se Kukësi i zbrazur. Berati është me lart se Lezha, Bilishti është më lart se Puka dhe Pogradeci është 700 metra mbi nivelin e detit kurse Peshkopia 650.

Pra jugu që duket i ulët është i lartë dhe veriu që duket i shumë i lartë është më i ulët.
Për fat të keq ne shqiptarët kemi jetuar një iluzion që duhet ta ketë krijuar izolimi dhe largësia bashkë me letërsinë folklorike.

Ne kemi besuar gabimisht se duke shkuar në veri ka vetëm male dhe duke zbritur në jug ka vetëm fusha.
Nuk është fare e vërtetë.

Malet nxijnë njëlloj si në veri edhe në jug dhe ata që kanë vuajtur nga fjala malok nuk kanë arsye të kompleksohen.

E vërtetë është se natyra e ka ndarë Shqipërinë ndryshe nga njerëzit.
Nëse do të kuptosh cfarë ka bërë natyra duhet të ndjekësh lumenjtë e Shqipërisë. Pothuajse të gjithë burojnë nga malet në lindje dhe duke carë fushat derdhen në perëndim.
Pra nëse kufinjtë mes veriut dhe jugut janë të paqartë si shpatullat e disa burrave të përqafuar, ndarja mes lindjes dhe perëndimit është e pagabueshme. Kush e shikon hartën e Shqipërisë e kupton se kjo gjatësi elegante përbëhet nga tre pjesë.
Mal, fushë dhe bregdet.
Pak a shumë kështu mund të ndaheshin edhe bashkitë e Shqipërisë. Në tre kategori:
Malore, fushore dhe bregdetare.

Kjo ndarje do ta bënte më të lehtë koordinimin e administrimit të tyre nga cdo qeveri duke i shpërndarë fondet e merituara në mënyrë të ndryshme.
Nga trajtimi selektiv i bashkive, ndarja do merrte fuqinë e një reforme që i qetëson edhe qytetet që po humbin bashkitë.

Megjithëse ka një popullsi dhjetë herë më të vogël se të gjitha bashkitë malore të marra së bashku, Himara ka dhjetë herë më shumë të ardhura se Kukësi, Tropoja, Dibra, Librazhdi, Kolonja dhe Skrapari së bashku.
Kjo tendencë do thellohet nëse bashkitë nuk kompensohen me një skemë të re. Himara e pasur do t’i rrëmbejë fuqinë puntore bashkive malore, duke i zbrazur nga njerëzit dhe paratë derisa të vendoset një ekuilibër që s’mund t’i lihet në dorë vetën natyrës.

Por ndarja në bashki malore, fushore dhe bregdetare nuk ka vetëm avantazhe ekonomike por edhe politike.
Ajo do zhdukte konceptin e tmerrshëm të veriut dhe jugut që na ka kushtuar kaq shumë.
Kjo është ndarja më fatale që kemi patur në histori. Ky kufi politik është i panatyrshëm. Ai është krijuar nga njerëzit dhe jo nga natyra.

Koordinatat e reja administrative të shtetit tonë duhet të jenë lindja dhe perëndimi.
Dibra është lindje njëlloj si Përmeti, kurse Lezha është perëndim njëlloj si Saranda. Kamza është në fushë njëlloj si Kavaja, Elbasani dhe Fieri. Asnjëra nuk është më as jug as veri.

Kjo mund të jetë ndarja e fundit territoriale për të paktën tridhjetë vitet e ardhshme.
Prandaj ky është shansi i fundit për të votuar zhdukjen e shëmtuar mes jugut dhe veriut duke korrektuar të shkuarën.

Njëlloj si ai njeriu që ndryshon drejtimin e akrepave të orës që ka mbetur në vend prej disa shekujsh.

11:32 Avioni i parë zjarrfikës ka nisur punën për shuarjen e zjarreve, Rama: Gusht sfidues, na gjen më të fortë dhe të përgatitur

By: Anisa
5 August 2026 at 11:32

Last Updated on 05/08/2026 by Anisa

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga shuarja e zjarreve në Shqipëri, teksa tashmë është vënë në ndihmë edhe avioni i parë zjarrfikës.

Teksa e konsideron gushtin sfidues sa i përket vatrave aktive në vend, Rama shprehet se kjo periudhë i gjen më të përgatitur.

“Avioni i parë zjarrfikës ka nisur aktivitetin si forcë e shtuar e këtij gushti sfidues, i cili na gjen më të fortë e të përgatitur se asnjëherë më parë por edhe plotësisht të vetëdijshëm, për largqoftë rrezikun e përshkallëzimeve ekstreme të zjarreve përtej fuqive tona, siç po ndodh në disa vende të mëdha të Europës aktualisht💔”, shkruan Rama krahas videos./ad

 

11:30 NJË REFORMË PA VETËQEVERISJE

By: Anisa
5 August 2026 at 11:30
Nga Thoma Gëlliçi
Në territorin urban të Detroitit ndodhet Hamtramcku, një qytet i vogël me bashkinë, kryetarin, këshillin bashkiak, policinë, administratën dhe buxhetin e vet.
Hamtramcku ka një sipërfaqe prej rreth 5.4 kilometrash katrorë dhe afro 28 mijë banorë. Ai rrethohet tërësisht nga Detroiti, por vazhdon të jetë qytet i pavarur. Një makinë e policisë së Detroitit ose një qytetar mund të ecë nëpër një rrugë të Detroitit, të kalojë për dy kilometra në Hamtramck dhe të hyjë përsëri në Detroit.
Pranë tij ndodhet Highland Parku, me më pak se 9 mijë banorë dhe një sipërfaqe rreth 7.7 kilometra katrorë. Edhe ai është i rrethuar nga Detroiti, por mbetet qytet dhe bashki më vete, jo lagje e Detroitit.
Mbajtja e dy bashkive të vogla brenda një territori të madh urban mund të duket e kushtueshme. Megjithatë, në sistemin amerikan vetëqeverisja vendore konsiderohet pjesë e rëndësishme e demokracisë. Banorët duan të vendosin drejtpërdrejt për policinë, taksat, rrugët, pastrimin, planifikimin e territorit dhe shërbimet që marrin.
Hamtramcku ka ruajtur edhe identitetin e tij shoqëror dhe kulturor. Ai ka qenë vendbanim i disa brezave emigrantësh dhe sot përfaqëson një komunitet me tipare të veçanta. Pavarësia vendore u jep banorëve më shumë mundësi të ndikojnë në vendimmarrje dhe t’u kërkojnë llogari drejtuesve të qytetit.
Kjo nuk do të thotë se Hamtramcku dhe Highland Parku nuk kanë pasur probleme financiare dhe administrative. Por vështirësitë e tyre nuk janë përdorur si arsye për t’i shkrirë bashkitë dhe për t’i bashkuar me Detroitin.
Një bashki nuk është joefikase sepse është e vogël. Dobësia e saj mund të vijë nga keqadministrimi, mungesa e ekonomisë lokale, shpopullimi, paaftësia për të mbledhur taksa ose mungesa e kompetencave dhe e financimit.
Edhe më i qartë është rasti i zonës së Grosse Pointe, në verilindje të Detroitit. Në një sipërfaqe të përbashkët tokësore prej rreth 27 kilometrash katrorë ndodhen pesë qytete të pavarura: Grosse Pointe City, Grosse Pointe Park, Grosse Pointe Farms, Grosse Pointe Woods dhe Grosse Pointe Shores.
Së bashku kanë rreth 45 mijë banorë. Më i vogli ka më pak se 3 mijë banorë dhe më i madhi rreth 16 mijë. Secili ka administratën, këshillin, policinë, zjarrfikësit dhe shërbimet e veta.
Banorët pranojnë kostot e administrimit sepse duan kontroll të drejtpërdrejtë mbi sigurinë, pronën, hapësirat publike, planifikimin urban dhe standardin e komunitetit ku jetojnë.
Këto qytete bashkëpunojnë për shërbime të përbashkëta. Ato ndajnë sistemin shkollor, bibliotekat dhe shërbime të tjera, pa humbur pavarësinë administrative dhe politike. Bashkëpunimi nuk kërkon domosdoshmërisht shkrirjen e njësive vendore.
SHQIPËRIA, 61 BASHKI NË HARTË DHE NJË QENDËR PUSHTETI
Në Shqipëri, debati për reformën territoriale përqendrohet kryesisht te numri i bashkive. Bashkitë e vogla paraqiten si të kushtueshme, të dobëta dhe të paafta për të mbijetuar financiarisht. Kundërshtimi i banorëve shpërfillet, ndërsa drejtuesit vendorë përshkruhen si njerëz që mbrojnë postet dhe privilegjet e tyre.
Por problemi kryesor nuk është numri i bashkive. Shqipëria ka formalisht 61 të tilla, ndërsa praktikisht funksionon si një bashki e vetme, me Edi Ramën si kryetar të saj.
Kryeministri ndërhyn drejtpërdrejt në çështje që, në një sistem të decentralizuar, duhet t’u përkisnin autoriteteve vendore. Ai zhvillon mbledhje me punonjësit e bashkive, u kërkon zbatimin e orarit, kontrollon administratën dhe kërkon dorëheqje. Kryetarët e bashkive kanë zyra, administratë dhe tituj, por pak pushtet real. Disa prej tyre e quajnë publikisht kryeministrin “shefi”, duke pranuar varësinë e tyre politike dhe institucionale.
Bashkitë varen nga qeveria për fondet, rrugët, ujësjellësit, shkollat, rindërtimin dhe investimet e mëdha. Në vend që kryetari i bashkisë të përfaqësojë komunitetin përballë qeverisë, ai shpesh përfaqëson qeverinë përballë komunitetit.
Reforma territoriale e vitit 2015 e uli numrin e njësive të qeverisjes vendore nga 373 në 61 bashki. Bashkitë u zmadhuan në territor, por nuk u forcuan në kompetenca. Njësitë administrative që zëvendësuan komunat mbetën pa buxhete dhe pa pushtet vendimmarrës. Administratori pret vendimin e kryetarit të bashkisë, ndërsa kryetari pret fondet ose miratimin e qeverisë.
Kështu u krijua një zinxhir vartësie që fillon në fshat dhe përfundon në zyrën e kryeministrit.
Pushteti vendor nuk matet me numrin e zyrave, të punonjësve dhe të vulave, por me kompetencat, financat dhe mundësinë për të marrë vendime të pavarura. Pikërisht këto u mungojnë bashkive shqiptare.
Vendimet kryesore për territorin, zonat bregdetare dhe investimet strategjike merren në nivel qendror. Ujësjellësit janë përqendruar në struktura rajonale. Politikat arsimore, emërimet, shëndetësia, policia dhe pjesa kryesore e mbrojtjes civile kontrollohen nga qeveria. Bashkive u kërkohet të mbajnë përgjegjësi për problemet, pa pasur mjetet dhe kompetencat për t’i zgjidhur.
Edhe varësia financiare është e thellë. Shumë bashki mbështeten te transfertat e Buxhetit të Shtetit dhe te fondet që shpërndahen nga ministritë dhe agjencitë qendrore. Investimet paraqiten më pas si ndihmë e qeverisë ose si dhuratë personale e kryeministrit, megjithëse financohen me paratë e taksapaguesve.
FSHATI, HALLKA E HARRUAR E REFORMËS
Viktima më e madhe e këtij sistemi është fshati.
Fshati nuk është thjesht një grup shtëpish brenda territorit të një bashkie të madhe. Ai është një komunitet historik, ekonomik dhe shoqëror, me territor, burime dhe interesa të përbashkëta.
Megjithatë, reforma e vitit 2015 e la pa përfaqësim real, pa buxhet dhe pothuajse pa asnjë mundësi për të vendosur mbi territorin e vet.
Fshatrat nuk kanë as kufij të përcaktuar. Nuk kontrollojnë pronat që historikisht kanë qenë pasuri të përbashkëta të komunitetit: pyjet, malet, livadhet, kullotat, burimet e ujit, përrenjtë dhe lumenjtë.
Këto pasuri nuk janë vetëm pjesë e identitetit të fshatit. Ato kanë qenë baza e ekonomisë së tij. Prej tyre siguroheshin drutë, kullotat, uji, prodhimet pyjore dhe të ardhurat e familjeve. Pa këto burime, fshati humbet mundësinë për të zhvilluar bujqësinë, blegtorinë, turizmin dhe veprimtari të tjera lokale.
Sot vendimet për këto pasuri merren kryesisht nga shteti. Jepet leje për hidrocentrale që devijojnë lumenjtë dhe pakësojnë ujin për banorët. Miratohen impiante fotovoltaike në toka të përdorura tradicionalisht si kullota. Jepet e drejta e shfrytëzimit të pyjeve, mineraleve ose burimeve të tjera pa i përfshirë realisht komunitetet që jetojnë aty.
Fshati merr pasojat, ndërsa vendimin dhe përfitimin i marrin të tjerët.
Humbja e kontrollit mbi territorin dhe burimet ka dobësuar ekonominë lokale, ka nxitur largimin e banorëve dhe ka pakësuar të ardhurat e bashkive. Më pas, varfëria dhe shpopullimi përdoren si argument për të thënë se këto komunitete nuk janë të afta të vetëqeverisen.
Ky është një mekanizëm që ushqen vetveten: fshatit i hiqen prona, kompetenca dhe të ardhura; ai varfërohet dhe zbrazet; pastaj dobësia e tij përdoret për t’ia pakësuar edhe më tej përfaqësimin.
Një reformë e vërtetë territoriale duhet të fillojë pikërisht nga fshati. Çdo fshat duhet të ketë kufij të qartë, përfaqësim të zgjedhur nga banorët dhe të drejtën për t’u shprehur për përdorimin e pyjeve, kullotave, ujërave dhe pasurive të tjera të territorit të tij. Ai duhet të marrë një pjesë të të ardhurave që krijohen nga shfrytëzimi i këtyre burimeve dhe të ketë një buxhet minimal për nevojat e komunitetit.
Ata qe sjellin si shembull 28 komitetet ekzekutive te kohes se komunizmit u duhet thene se ato 28 komitete shoqeroheshin me disa qindra kooperativa bujqesore qe kishin kryesine dhe organet e veta, brigade pune dhe mjete pune, me disa qindra keshilla fshati apo keshilla te fshatrave te bashkuar me baze kooperativen qe kishin pervec mjeteve dhe instrumenta per qeverisje duke perfshire kufij te qarte, prona te qarta bile edhe gjykatat brenda fshatit.
Ndersa sot fshati ka mbetur vetëm emër në adresë. Vendimet merren as në qytetin ku ndodhet bashkia por ne Tirane , ndërsa fondet, administrata dhe investimet përqendrohen gjithnjë e më larg banorëve.
REFORMA NUK FILLON NGA HARTA
Diskutimi për reformën territoriale nuk mund të kufizohet te pyetja nëse Shqipëria duhet të ketë 61, 50 apo 30 apo 100 bashki. Pa përcaktuar kompetencat, burimet financiare, pronat vendore dhe raportin me qeverinë qendrore, ndryshimi i hartës mbetet një riorganizim zyrash.
Mund të shkrihen bashki, të bashkohen territore dhe të ndryshohen emërtimet, por sistemi mbetet i njëjtë për sa kohë çdo rrugë, ujësjellës, shkollë, investim ose leje e rëndësishme varet nga Tirana.
Shembulli i Hamtramckut tregon se një qytet i vogël mund të mbijetojë edhe kur rrethohet tërësisht nga një metropol i madh, nëse banorët kanë të drejtën të qeverisin komunitetin e tyre. Shembulli i pesë qyteteve të Grosse Pointe tregon se njësitë e vogla mund të ndajnë shkolla, biblioteka dhe shërbime, pa u shkrirë dhe pa humbur zërin politik.
Në Shqipëri po propozohet e kundërta: njësitë vendore zmadhohen, fshatrat largohen nga qendra e vendimmarrjes dhe pushteti përqendrohet gjithnjë e më shumë në Tiranë.
Një banor i Hamtramckut jeton brenda Detroitit gjeografikisht, por jo politikisht. Ai ka bashkinë dhe drejtuesit e vet. Një banor i një fshati shqiptar mund të jetojë dhjetëra kilometra larg qendrës së bashkisë, por nuk ka as pushtet mbi pyllin, kullotën, lumin apo rrugën pranë shtëpisë së tij.
Ky është dallimi ndërmjet ndarjes territoriale dhe vetëqeverisjes. Hamtramcku dhe Grosse Pointe kanë territore të vogla, por pushtet vendor. Shqipëria ka bashki të mëdha në hartë, por fshatra dhe komunitete gjithnjë e më të vegjël në vendimmarrje.
Në hartë, Shqipëria ka 61 bashki. Në zinxhirin real të vendimmarrjes, ka vetëm një qendër pushteti. Reforma e re , sic paraqitet, rrezikon të ndryshojë kufijtë e bashkive pa ndryshuar këtë realitet.

11:20 Skandali Epstein rikthehet në Britani, kryeministri Andy Burnham po shqyrton hapjen e një hetimi publik

By: Anisa
5 August 2026 at 11:20

Qeveria britanike po shqyrton mundësinë e hapjes së një hetimi publik mbi aktivitetet në Mbretërinë e Bashkuar të financierit të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.

Lajmi u konfirmua nga ministrja për Viktimat, Alex Davies-Jones, në një intervistë për BBC Newsnight.

Sipas saj, kryeministri Andy Burnham ka rënë dakord të takohet me ‘viktimat’ e Epstein dhe po shqyrton hapat që mund të ndërmerren, tashmë që ka akses në të gjithë informacionin si kreu i qeverisë.

Davies-Jones bëri të ditur se në diskutim është edhe mundësia që hetimi të përfshijë pretendimet ndaj ish-pronarit të Harrods, Mohamed Al Fayed, i akuzuar nga dhjetëra gra për abuzime seksuale.

Ministrja, e cila më herët kishte dhënë dorëheqjen nga qeveria duke akuzuar drejtuesit se nuk kishin dëgjuar të mbijetuarit e Epstein, tha se tani ka marrë garanci nga Burnham se çështja do të trajtohet me seriozitet.

Sipas BBC-së, përpara se Burnham të merrte detyrën si kryeministër, aktivistë të Partisë Laburiste i dorëzuan një dokument ku kërkohej ngritja e një hetimi të gjerë publik për aktivitetet e Epstein në Britani, akuzat ndaj Mohamed Al Fayed dhe pretendimet për dhunë seksuale ndaj bashkëpronarit të West Ham, David Sullivan. Ky i fundit i ka mohuar kategorikisht akuzat.

Anouska di Georgiou, një nga të mbijetuarat e Jeffrey Epstein, e mirëpriti mundësinë e një hetimi, por theksoi se viktimat kanë nevojë për veprime konkrete dhe jo vetëm për premtime.

Ne kemi dëgjuar premtime edhe më parë. Ajo që ka rëndësi tani është veprimi, jo titujt“, u shpreh ajo për BBC Newsnight./ad

11:10 Një pjesë e raketës SpaceX gati të përplaset në Hënë, reagon NASA: Nuk ka asnjë rrezik për Tokën

By: Anisa
5 August 2026 at 11:10

Një pjesë e humbur e një rakete SpaceX, që ka qenë duke lëvizur në orbitë me shpejtësi rreth 2.43 kilometra në sekondë, pritet të përplaset me Hënën.

Sipas NASA-s, përplasja parashikohet të ndodhë rreth orës 07:35 dhe nuk konsiderohet të paraqesë ndonjë rrezik për Tokën.

Objekti është pjesa e sipërme e një rakete Falcon 9, me madhësinë e një ndërtese pesëkatëshe dhe me peshë mbi 4,000 kilogramë. Pas përfundimit të misionit të saj, kjo pjesë mbeti në hapësirë dhe prej kohësh ka qenë duke lëvizur në mënyrë të pakontrolluar.

Sipas ekspertëve, përplasja nuk do të jetë e dukshme me sy të lirë nga Toka. Megjithatë, ata që kanë qasje në teleskopë të fuqishëm mund të jenë në gjendje të vëzhgojnë një shkëndijë të shkurtër në sipërfaqen e Hënës në momentin e goditjes.

Zëdhënësi i NASA-s, Jimi Russel, tha se ndërsa NASA do të vazhdojë të vëzhgojë vendin e impaktit për qëllime shkencore, teksa theksoi se “nuk ka rrezik për Tokën”.

Një raketë SpaceX Falcon 9 niset

Shkencëtarët e NASA-s po planifikojnë të mbledhin të dhëna hënore nga ngjarja dhe të përsosin teknikat për gjurmimin e objekteve në hapësirë.

“Është diçka vërtet e madhe që po përplaset me Hënën. Nuk është aspak e rrezikshme, ne mund ta shikojmë shfaqjen“, tha Dr. Matt Bothwell, astronom publik në Universitetin e Kembrixhit./ad

 

11:10 Reagon Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndaj rregullores së re të GJKKO-së për mediat: Kërkohet rishikimi i kufizimeve për gazetarët

By: Anisa
5 August 2026 at 11:10

Last Updated on 05/08/2026 by Anisa

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar ndaj rregullores së brendshme të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), që përcakton rregullat për sigurinë, rendin dhe sjelljen në ambientet e institucionit, duke ngritur shqetësime për kufizimet ndaj aksesit të medias.

Në një deklaratë zyrtare, UGSH pretendon se disa pika të rregullores dhe komentari shoqërues krijojnë pengesa për raportimin gazetaresk, duke cenuar sipas tyre lirinë e medias dhe të drejtën e informimit publik mbi proceset gjyqësore.

Unioni kërkon rishikimin e dokumenteve, veçanërisht për pjesët që lidhen me akreditimin, numrin e gazetarëve në sallat e gjyqit dhe rregullat për regjistrimet mediatike.

Reagimi

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e |Organizuar (GJKKO) ka publikuar vendimin nr 49, datë 17.07.2026 “ RREGULLORE E BRENDSHME “PËR SIGURINË, RENDIN, SOLEMNITETIN DHE RREGULLAT E SJELLJES NË AMBIENTET E GJKKO-së” dhe komentarin PËR RREGULLOREN E BRENDSHME “PËR SIGURINË, RENDIN, SOLEMNITETIN DHE RREGULLAT E SJELLJES NË AMBIENTET E GJKKO-së”. Janë dy dokumenta që përcaktojnë kritere, procedura dhe kufizime të reja për praninë e mediave dhe gazetarëve në këtë institucion.

Komentari shoqërues prej 532 faqesh në një kapitull të veçantë, mishëron disa kufizime që ngjallin shqetësime serioze, kur ballafaqohen me të drejtën për raportim dhe lirinë e medias. Kjo rregullore fikson procedura burokratike penguese për gazetarët, kufizime mbi numrin e gazetarëve dhe rregulla të reja për regjistrimet mediatike dhe praninë në mjediset e institucionit gjyqësor.

UGSH konstaton se Rregullorja dhe komentari në këtë rast, kanë përmbajtje tekstuale udhëzuese se si të shkelet Kushtetuta e vendit, neni 22 i së cilës garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit. Në këto dy dokumenta udhëzohet dhe urdhërohet se si gazetarët të pengohen të raportojnë dhe të transmetojnë, por kryesisht edhe se si të jenë të kufizuar për të regjistruar faktet që ndodhin në gjykatë.

Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut në nenin 6 të saj, garanton se proceset gjyqësore zhvillohen publikisht dhe neni 10 i kësaj Konvente mbron të drejtën për informimin publik mbi funksionimin e drejtësisë.

UGSH vlerëson se këto dy dokumenta ekspozojnë bindjen e hartuesve dhe drejtuesve të këtij institucioni se media përbën një rrezik për procesin gjyqësor dhe për këtë arsye kanë krijuar një kapitull dhe pika specifike penguese e kufizuese për gazetarët, operatorët dhe mjetet profesionale të tyre në sallat e gjykimeve dhe mjediset e institucionit në fjalë.

Nga leximi i plotë i teksteve në fjalë, UGSH vëren se kërkesa për autorizim paraprak, kushtëzon praninë e mediave dhe e trajton aksesin nga një e drejtë në një leje administrative. Sipas kësaj procedure, po për seancat e papritura apo zhvillime të befta, kur media nuk mund të përmbushë afatin e përcaktuar në këtë rregullore, a nuk kemi precedentin e kufizimit pengues?!

Pika ku përcaktohet kufizimi i gazetarëve, ku mungojnë kriteret përzgjedhëse, cënon parimin e së drejtës së pranisë së seicilës media dhe pluralizmit informues. Mungesa e këtyre kritereve në Rregullore dhe Komentar, i jep atribut administratës ose strukturave të sigurisë së institucionit të selektojnë praninë e gazetarëve dhe mediave, legjitimohet diskrecioni i administratës për të lejuar dhe refuzuar hyrjen.
Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut në nenin 10 përcakton se kufizimet duhet të jenë të parashikueshme dhe të bazuara në kritere të qarta. Pika tjetër e rregullores ku përcaktohet kufizimi i fotografimit dhe regjistrimit, mbart riskun e ndalimeve absolute. Ky komentar, sipas pikëpamjes sonë, është burim kufizimesh shtesë. Njëkohësisht sipas nesh, koncepti i prezumimit të medias si rrezik për rendin, bie ndesh me parimin e publikimit të gjykimit.

Në këto dy dokumenta nuk ekziston mekanizmi i ankimit, nëse një gazetar apo media refuzohet, nuk ekziston një procedurë për të kundërshtuar vendimin.

Pika tjetër ku përcaktohen kriteret e akreditimit, paraqet probleme serioze për redaksitë dhe vetë reporterët e profilit që ndjekin proceset në këtë institucion. Realizimi i këtij procesi akreditimi nga Gjykata një herë në vit, është absurd dhe skualifikon nga kjo e drejtë jo vetëm shumë reporterë, por mund të ndodhë të pengojë edhe media që e kanë siguruar këtë akreditim, nëse reporteri, për një arsye apo tjetër, largohet për një periudhë nga puna dhe aktiviteti. Procedura e fiksuar akredituese nuk parashikon zëvendësime dhe akreditime pasuese.

UGSH sjell në vëmendje të hartuesve të këtyre dy dokumentave dhe titullarëve të këtij institucioni, se vendime dhe procese pararendëse në institucione të larta eruopiane të drejtësisë, kanë vlefshmëri reference për të mos rënë në shkelje dhe cënime të ligjit themelor dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Unioni i Gazetarëve Shiptarë, nisur nga parimi se media është rojtare publike e demokracisë, vëren se në këto dy dokumenta bazike për marrëdhënien e institucionit të GJKKO me mediat dhe gazetarët, përcaktohen orientime konkrete se si të administrohet media, kufizohet rëndë aksesi i saj, sidomos prej akreditimit të kufizuar, etj.

UGSH apelon pranë këtij institucioni për rishqyrtimin e këtyre dy dokumentave në kapitujt për marrëdhëniet me mediat. Ne kërkojmë një ndërhyrje redaktuese të menjëhershme.
Ndërkohë i drejtohemi Zyrës së Bashkimit Evropian në Tiranë si donatore dhe mbështetëse kryesore e Reformës në Drejtësi, Ambasadës Amerikanë në Tiranë, Zyrës së Përfaqësisë së OSBE-së në Tiranë dhe institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë liritë themelore në vendin tonë, të ushtrojnë ndikimin e tyre të menjëhershëm, për të mos lejuar që rregullore dhe komentarë të tillë, të shndërrohen në modele të censurës dhe shkeljes së lirisë themelore brenda një gjykate të posaçme sikundër është GJKKO./ad

11:00 Shqiptarët mbeten pas Europës, vetëm 1 në 11 persona blen bileta online për evente

5 August 2026 at 11:00

Vetëm 8.6% e individëve në Shqipëri kanë blerë online bileta për koncerte, festivale apo evente të tjera gjatë tre muajve para vrojtimit të vitit 2025, sipas të dhënave të Eurostat.

Kjo shifër është ndjeshëm më e ulët krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian, ku 26.8% e qytetarëve kanë përdorur internetin për blerjen e biletave. Në vendet e BE-së, më shumë se një në katër persona përdor platformat online për të siguruar hyrjen në evente.

Sipas Eurostat, përdorimi i blerjeve online për bileta në BE është rritur me 3.8 pikë përqindje krahasuar me vitin 2024, i ndikuar nga zgjerimi i platformave digjitale dhe rikthimi i aktiviteteve kulturore.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përdorimi i internetit për blerjen e biletave mbetet i ulët. Shqipëria renditet pas Serbisë, me 11.4%, dhe Maqedonisë së Veriut, me 10.8%, ndërsa para Bosnjë-Hercegovinës me 7.4%, Kosovës me 7.35% dhe Malit të Zi me 6%.

Edhe vendet fqinje të Bashkimit Europian kanë nivele më të larta. Në Greqi, 38.9% e qytetarëve kanë blerë bileta online, ndërsa në Kroaci kjo shifër është 28.3% dhe në Slloveni 20.9%.

Në Europë, përdorimi më i lartë i blerjes së biletave online është regjistruar në Irlandë, me 51.5%, e ndjekur nga Norvegjia me 50.3%, Holanda me 48.1% dhe Danimarka me 47.9%.

Të dhënat lidhen edhe me vështirësitë që has tregu shqiptar në organizimin e eventeve të mëdha. Një shembull ishte koncerti i Kanye West në Tiranë, i cili synonte një audiencë prej rreth 60 mijë personash, por shitja e biletave nuk arriti ritmin e pritshëm.

Çmimet e biletave, që varionin nga 120 deri në 330 euro, u konsideruan një nga faktorët që ndikuan në interesin e publikut vendas. Organizatorët kishin deklaruar se nevojiteshin të paktën 40 mijë bileta të shitura për ta bërë aktivitetin ekonomikisht të leverdishëm.

Rasti i këtij koncerti tregoi vështirësitë e organizimit të eventeve të mëdha në një treg ku fuqia blerëse është më e ulët dhe përdorimi i platformave online për blerjen e biletave mbetet ende i kufizuar./monitor/ kb

10:45 SHBA pranë marrëveshjes me Iranin për ngushticën e Hormuzit! Trump: Mund të arrihet sot ose nesër

5 August 2026 at 10:45

Shtetet e Bashkuara dhe Irani duket se janë pranë arritjes së një marrëveshjeje të përkohshme për rihapjen e ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për transportin e naftës në botë. Sipas Axios, që citon dy burime rajonale dhe një zyrtar amerikan, marrëveshja po negociohet me ndërmjetësimin e Omanit dhe mund të shpallet që gjatë së mërkurës.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se negociatat me Teheranin kanë qenë “shumë të mira”, duke bërë të ditur se bisedimet kanë zgjatur gjatë gjithë së martës. Ai u shpreh optimist se një marrëveshje mund të arrihet “sot ose nesër”, duke theksuar se Irani dëshiron t’i japë fund konfliktit.

“Po zhvillojmë diskutime shumë të mira. E vetmja gjë që ka rëndësi është veprimi dhe ata duan të arrijnë një marrëveshje. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, deklaroi Trump para se të nisej me Air Force One nga Los Anxhelesi.

Në një intervistë për Fox News, Trump paralajmëroi gjithashtu se nëse Irani nuk rihap “shumë shpejt” ngushticën e Hormuzit, do të përballet me “goditje shumë të forta”. “I kemi goditur shumë rëndë, por goditja më e fortë ende nuk ka ardhur dhe shpresoj të mos kemi nevojë ta përdorim. Zgjedhja ime e parë është një marrëveshje diplomatike”, u shpreh ai.

Sipas Axios, drafti i marrëveshjes parashikon një mekanizëm të përkohshëm 60-ditor për rihapjen e ngushticës, me garancinë e Omanit, i cili kontrollon një pjesë të kësaj rruge strategjike detare.

Megjithatë, mediat shtetërore iraniane thanë se një marrëveshje me Omanin do të shtyhet për aq kohë sa Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë kërcënimet ndaj Iranit.

Shpresat për një marrëveshje ndikuan menjëherë edhe në tregjet financiare. Çmimet e naftës ranë, ndërsa bursat aziatike u rritën, pasi investitorët presin rikthimin e qarkullimit normal në ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm./kb

10:00 Ulet çmimi i naftës, këtë të mërkurë zbret në 199 lekë/litër

5 August 2026 at 10:00

Çmimet e karburanteve në pikat e furnizimit në vend kanë shënuar një ulje për naftën, benzinën dhe gazin.

Këtë të mërkurë nafta zbret në 199 lekë/litër

Nga fotografia e siguruar, në një pikë karburanti “Shell”, çmimet e afishuara janë: nafta FuelSave Diesel 199 lekë/litër, V-Power Diesel 222 lekë/litër, benzina FuelSave Unleaded 189 lekë/litër, V-Power Racing 215 lekë/litër, ndërsa gazi AutoGas LPG tregtohet me 69 lekë/litër./kb

09:45 Probleme për Igli Taren, grabitet në një tren në Itali

5 August 2026 at 09:45

Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka përjetuar momente të pakëndshme gjatë një udhëtimi me tren në Itali, pasi u bë pre e një vjedhjeje.

Sipas mediave italiane, pasi mori pjesë në funeralin e ish-kapitenit historik të Milanit, të zhvilluar në Bazilikën e Sant’Ambrogio në Milano, Tare udhëtoi me tren drejt Romës.

Gjatë udhëtimit, çanta e ish-futbollistit shqiptar u vodh nga hapësira e dedikuar për bagazhet gjatë udhëtimit. Sapo mbërriti në stacionin “Roma Termini”, Tare iu drejtua Policisë Hekurudhore të Lazios për të denoncuar ngjarjen.

Sipas raportimeve policia identifikoi autorin e dyshuar vetëm pak minuta pas denoncimit. Ai u lokalizua dhe u vu në pranga, ndërsa çanta e vjedhur u sekuestrua dhe iu kthye Tares./kb

09:30 Bllokohet autostrada Tiranë-Durrës/ ARRSH udhëzon drejtuesit e mjeteve

5 August 2026 at 09:30

Në vijim të realizimit të punimeve për ndërtimin e objektit: “Zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës (Faza III)”, është i nevojshëm zbatimi i Planit të Menaxhimit të Trafikut.

Më datë 6 dhe 7 gusht 2026, nga ora 00:00 deri në 04:30, do të kryhet montimi i trarëve metalikë të mbikalimit të ri të Kasharit, për zbatimin e këtyre punimeve, si dhe për sigurinë rrugore është i nevojshëm bllokimi i dy korsive të aksit kryesor në drejtimin Durrës-Tiranë.

Gjatë këtij intervali, trafiku që lëviz nga Durrësi në drejtim të Tiranës, Aeroportit “Nënë Tereza” dhe Kosovës do të devijohet në rampat e autostradës Thumanë-Kashar.

Mjetet me destinacion aeroportin dhe Kosovën do të vijojnë lëvizjen në autostradën Kashar-Thumanë, ndërsa automjetet me destinacion Tiranën do të orientohen me sinjalistikën e përkohshme në rrugën dytësore duke u rikthyer në autostradën Durrës–Tiranë pas mbikalimit të Kasharit./kb

09:00 Parashikimi i motit, 5 Gusht 2026

5 August 2026 at 09:00

Territori shqiptar përgjatë gjithë 24-orëshit do të jetë nën dominimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike, ku në orët e para të mëngjesit dhe të mesditës parashikohet që kthjellimet të mbizotërojnë në të gjithë vendin tonë.

Sipas MeteoAlb, pjesa e dytë e ditës sjell kalime të lehta të vranësirave, të cilat më të dukshme do të jenë në skajin verilindor dhe juglindor të Shqipërisë. Pritet që vija bregdetare, edhe përgjatë pasdites, të dominohet kryesisht nga kthjellimet.

Temperaturat e ajrit do të vijojnë të rriten në vlerat minimale dhe maksimale, duke luhatur vlerat ditore nga 15°C, temperatura më e ulët e shënuar në zonën malore, deri në 40°C, vlera më e lartë në rang vendi.

Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi 35 km/h nga drejtimi kryesisht veriperëndimor. Kjo do të bëjë që në brigjet detare të krijohet dallgëzim 2 ballë./kb

08:45 Modeli shqiptar i trajtimit të azilit, KE: Pas situatës në Spanjë, vendet e treta mund të kontribuojnë

5 August 2026 at 08:45

Bashkimi Evropian tha të martën se nuk mund të ketë më lëvizje të mëtejshme nga enklava spanjolle e Afrikës Veriore, Ceuta, pasi migrantët që kanë kaluar në territor janë kthyer në Marok.

Duke folur pas një videokonference emergjente të ministrave të brendshëm të BE-së, Komisioneri Evropian për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, tha se Spanja kishte konfirmuar se situata në Ceuta – një enklavë në bregdetin e Afrikës së Veriut, në kufi me Marokun – është nën kontroll dhe se zona Shengen nuk ishte prekur.

“Sapo kemi përfunduar takimin tonë të Ministrave të Brendshëm mbi ngjarjet e javës së kaluar në Seuta dhe, sigurisht, pati solidaritet të plotë me Spanjën. Takimi, mendoj, ishte gjithashtu një mundësi shumë e dobishme për të sqaruar faktet në terren. Ministri i Brendshëm spanjoll konfirmoi se situata është nën kontroll, se askush nuk është zhvendosur në Spanjën kontinentale dhe se zona Shengen nuk është prekur.”

Brunner tha se ministrat e brendshëm shprehën “solidaritet të plotë me Spanjën” gjatë takimit dhe mirëpritën reagimin e shpejtë të autoriteteve spanjolle për të kontrolluar situatën në kufirin e jashtëm të BE-së. Komisioneri tha se ngjarjet e fundit demonstruan rëndësinë e zbatimit të plotë të rregullave të reja të BE-së për migracionin dhe azilin, duke përfshirë kontrollin kufitar, procedurat e përshpejtuara të azilit dhe kthimet më të shpejta.

Ai gjithashtu përshkroi një plan me pesë pika të propozuar nga Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, i cili përqendrohet në bashkëpunim më të fortë me vendet partnere, kthime më të shpejta, mbrojtje të përforcuar të kufijve të jashtëm, sisteme të përforcuara të paralajmërimit të hershëm për të luftuar dezinformimin dhe përpjekje të intensifikuara kundër rrjeteve të kontrabandës së migrantëve. Por ai foli edhe për qendrat e kthimit në vendet e treta.

“Po, le të përqendrohemi te qendrat e kthimit. Kjo është legjitime dhe është detyrë e shteteve anëtare ta bëjnë këtë, atyre që duan ta bëjnë. Por të përqendrohemi edhe te koncepti i vendit të tretë të sigurt, që do të thotë se procedura e azilit mund të bëhet jashtë Bashkimit Evropian, aty ku koncepti i vendit të tretë të sigurt e lejon këtë. Pra, po, të dyja qendrat e kthimit, por edhe procedurat e azilit jashtë Bashkimit Evropian u përmendën nga disa shtete anëtare, po.”

Brunner tha se BE po vazhdon negociatat me Marokun për një marrëveshje gjithëpërfshirëse partneriteti, duke theksuar se migracioni mbetet një element qendror i bisedimeve. Ai hodhi poshtë sugjerimet se negociatat ishin të lidhura me zhvillimet e fundit në Ceuta, duke thënë se autoritetet në vend të kësaj kishin identifikuar rrjetet kriminale të kontrabandës dhe dezinformimin online si nxitësit kryesorë pas kalimeve. /kb

08:30 FIFA në krizë, Infantino thërret mbledhje urgjente mes presionit për dorëheqje dhe rebelimit të UEFA-

5 August 2026 at 08:30

FIFA në krizë, Infantino thërret mbledhje urgjente mes presionit
Kriza brenda FIFA-s po thellohet. Presidenti Gianni Infantino ka thirrur një mbledhje urgjente me stafin drejtues të organizatës në Rabat të mërkurën, ndërsa presioni ndaj tij është rritur ndjeshëm pas polemikave për projektin “FIFA Forward Enterprise”.

Mbledhja do të zhvillohet me pjesëmarrjen e sekretarit të përgjithshëm Mattias Grafstrom dhe drejtuesve kryesorë të FIFA-s, në një përpjekje për të menaxhuar situatën e krijuar pas tërheqjes së planit për përfshirjen e investitorëve privatë në një kompani që do të menaxhonte aspektet komerciale të turneve të FIFA-s.

Projekti, i cili parashikonte shitjen e rreth 20% të kompanisë së re ndaj investitorëve privatë, u kundërshtua fuqishëm nga UEFA, CONCACAF dhe Konfederata Aziatike e Futbollit. UEFA madje kërcënoi me bojkot të kompeticioneve të FIFA-s nëse plani nuk tërhiqej. Pas anulimit të projektit, UEFA deklaroi se ka “humbur besimin” te Gianni Infantino, ndërsa disa federata kanë tërhequr mbështetjen për presidentin e FIFA-s.

Ndërkohë, disa anëtarë të Këshillit të FIFA-s po kërkojnë mbështetjen e 19 votave për të thirrur një takim ku Infantino të japë shpjegime për këtë çështje dhe për menaxhimin e rasteve të fundit, përfshirë edhe çështjen e Folarin Balogun.

Ish-trajneri i Arsenalit dhe drejtuesi i zhvillimit global të futbollit në FIFA, Arsene Wenger, i cili ishte kritikuar për heshtjen e tij, reagoi duke sqaruar se nuk kishte qenë pjesë e këtij projekti. “Besoj fuqimisht në një FIFA të pavarur që i shërben futbollit me përkushtim, transparencë dhe integritet”, deklaroi Wenger, duke e cilësuar tërheqjen e planit si një vendim “të domosdoshëm”.

Situata komplikohet edhe më shumë pas dorëheqjes së këshilltarit të tij të lartë Carlos Cordeiro dhe deklaratave të shefit operativ të FIFA-s, Kevin Lamour, i cili tha se stafi ishte “mashtruar” gjatë procesit.

Ndërkohë, beteja politike brenda FIFA-s pritet të varet nga qëndrimi i federatave aziatike. Disa vende si Katari dhe Emiratet e Bashkuara kanë dalë në mbështetje të Infantinos, ndërsa presidenti i federatës së Jordanisë, Princi Ali Bin Al Hussein, e ka akuzuar FIFA-n për presion dhe “shantazh”. FIFA ndodhet përpara një prej krizave më të mëdha të viteve të fundit dhe e ardhmja politike e Gianni Infantinos duket më e pasigurt se kurrë./kb

08:15 Armët gjermane po testohen në Ukrainë? Pistorius zbulon sekretin e Obusit më të ri në luftë

5 August 2026 at 08:15

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, pa dashje zbuloi se obusët vetëlëvizës me rrota RCH-155, shumë të përparuar të Gjermanisë, tashmë janë dorëzuar në Ukrainë. Kwshtu raportoi Bild më 4 gusht.

Duke folur gjatë një vizite në uzinën e prodhimit të mbrojtjes në Kassel, Pistorius vuri në dukje se sistemi “po merr miratim të madh në Ukrainë”, duke shënuar treguesin e parë të nivelit të lartë se pjesët e artilerisë të premtuara prej kohësh janë tashmë brenda vendit.

Pistorius shtoi se vendi ku po qëndronin të pranishmit ishte vendi ku ishte vendosur obusi i parë i dërguar në Ukrainë afërsisht dy vjet më parë, duke konfirmuar në mënyrë efektive transferimin pavarësisht asnjë njoftimi zyrtar paraprak, shkroi Bild.

Mbërritja e RCH-155 përfaqëson një përparim të madh teknologjik për operacionet ukrainase në vijën e frontit. I konsideruar si një nga sistemet më të sofistikuara të artilerisë në botë, RCH-155 është obusi i parë i aftë të qëllojë ndërsa është në lëvizje dhe të lëvizë me shpejtësi që arrijnë mbi 100 km/orë.

I pajisur me një kullë plotësisht të automatizuar, një shpejtësi qitjeje deri në nëntë fishekë në minutë dhe një rreze veprimi që tejkalon 50 kilometra, sistemi kërkon një ekuipazh prej vetëm dy personash. Lëvizshmëria e tij gjatë kryerjes së misioneve të zjarrit siguron mbrojtje kritike kundër mbikëqyrjes armiqësore nga dronë dhe kundërzjarrit të baterive krahasuar me sistemet stacionare të artilerisë si Panzerhaubitze 2000.

Ndërsa kanalet zyrtare të mbrojtjes nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht nëse obusët kanë marrë pjesë në luftime aktive, Ukraina është planifikuar të marrë një total prej 54 njësish RCH-155 nga Gjermania – një grup i mjaftueshëm për të pajisur tre batalione të plota artilerie, raportoi Bild.

Mbështetja gjermane për Ukrainën shtrihet edhe në infrastrukturën kritike mjekësore në vijën e parë, me Berlinin që kohët e fundit ka siguruar 149 stacione mjekësore të lëvizshme të modeluara sipas njësive të vendosura tashmë nga mjekët luftarakë ukrainas./kb

08:00 Aksident tragjik në aksin Korçë–Maliq/ Humb jetën një 27-vjeçar, disa persona plagosur

5 August 2026 at 08:00

Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen e një 27-vjeçari është regjistruar në aksin kombëtar Korçë–Maliq, pranë fshatit Vashtëmi.

Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Audi”, që dyshohet se po lëvizte me shpejtësi të lartë, ka goditur nga pas një automjet tjetër. Si pasojë e përplasjes së fortë, automjeti i goditur ka dalë nga rruga.

Drejtuesi i automjetit të goditur, një 27-vjeçar që udhëtonte i vetëm, ka ndërruar jetë në vendngjarje për shkak të plagëve të marra.

Drejtuesi i automjetit “Audi” është shoqëruar në polici, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit të rëndë.

Rreth orës 01:00, në aksin rrugor Korçë–Pogradec, në afërsi të fshatit Vloçisht, automjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin O. P., 26 vjeç, është përplasur me automjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin K. C., 27 vjeç.

Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i automjetit tip “Benz”, shtetasi O. P.

Gjithashtu, janë dëmtuar drejtuesi i automjetit tip “Audi”, shtetasi K. C., si dhe një pasagjer që udhëtonte në këtë automjet. Të dy po marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit./kb

07:45 Aeroporti i Vlorës/ Pacolli: Nuk jemi njoftuar për zgjidhjen e kontratës, do e dërgojmë çështjen në arbitrazh

5 August 2026 at 07:45

Last Updated on 05/08/2026 by Kesjana

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar pas lajmërimit të Ministrisë së Infrastrukturës për zgjidhjen e kontratës për Aeroportin e Vlorës.

Pacolli bën me dije se kompania MABCO nuk është lajmëruar për zgjidhjen e kontratës.

Biznesmeni thekson se është e papranueshme që investitori të informohet nga mediat dhe jo nga institucionet shtetërore.

Pacolli nënvizon se nëse lajm rezulton i vërtetë, atëherë shteti shqiptar po zgjedh me vetëdije rrugën e arbitrazhit ndërkombëtar.

Biznesmeni deklaron se nuk është një kërcënim por pasojë juridike e veprimeve joligjore dhe mosveprimeve të papërgjegjshme të përfaqesuesve të institucioneve shtetërore.

Deklarata e Behgjet Pacollit

Aeroporti i Vlorës

Sot Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurën për zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Deri në këtë moment, MABCO Constructions SA nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga Autoriteti Kontraktor. Për një investim strategjik me rëndësi kombëtare, është e papranueshme që investitori të informohet nga mediat dhe jo nga institucionet shtetërore.

Nëse ky lajm rezulton i vërtetë, atëherë shteti shqiptar po zgjedh me vetëdije rrugën e arbitrazhit ndërkombëtar.

MABCO ka bërë çdo përpjekje për ta shmangur këtë skenar dhe për të gjetur një zgjidhje institucionale. Fatkeqësisht, përballë papërgjegjshmërisë, heshtjes dhe veprimeve të paligjshme të disa përfaqësuesve shtetërorë, çdo mundësi për zgjidhje është mbyllur.

Ky arbitrazh do të jetë pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhencës, veprimeve të kundërligjshme dhe papërgjegjshmërisë së disa përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, e veprimeve të elementëve që, nën mbulesën e institucioneve, kanë vepruar jashtë ligjit, si dhe e dështimit të një sistemi drejtësie të ndikuar për të garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të investitorit.

Nuk kam dëshiruar kurrë që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë faturën e neglizhencës, papërgjegjshmërisë dhe vendimeve të paligjshme të zyrtarëve që sot vazhdojnë të sillen me indiferencë, sepse ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi personale. Dëmin nuk e paguajnë ata, por qytetarët shqiptarë dhe biznesi.

MABCO është ekspozuar financiarisht me mbi 320 milionë euro, pa përfshirë humbjen e fitimit dhe kostot ligjore. Kompania kishte përfunduar pothuajse të gjitha detyrimet kontraktore dhe ndodhej vetëm pak para fazës së certifikimit të aeroportit.

Megjithatë, pas vendimit të Gjykatës së Lartë, grupe që veprojnë në mënyrë arbitrare dhe jashtë ligjit, me mbështetje ose tolerim institucional, penguan MABCO-n të hynte në kantier dhe të përfundonte projektin. Për muaj të tërë, në prani të Policisë së Shtetit, investitori u mbajt jashtë pronës së tij, ndërsa pajisje me vlerë u dëmtuan, u shkatërruan dhe një pjesë edhe u vodhën.

Paradoksi është i qartë: nga njëra anë institucionet penguan përfundimin e projektit, ndërsa nga ana tjetër kërkojnë ta përdorin këtë pengesë si arsye për zgjidhjen e kontratës.

Kjo bie ndesh me vendimin e Gjykatës së Lartë, me Kontratën e Koncesionit, me Marrëveshjen Dypalëshe për Mbrojtjen e Investimeve ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë dhe me parimin universal të së drejtës se askush nuk mund të përfitojë nga sjellja e vet e paligjshme.

Nëse procedura konfirmohet, MABCO do të mbrojë të drejtat e saj me të gjitha mjetet juridike, përfshirë provat dhe faktet qe posedon kunder seicilit qe ka shkaktuar këtë skandal të turpshëm e deri të ARBITRAZHI tregtar ndërkombëtar kundër Republikës së Shqipërisë.

Ky nuk është një kërcënim. Është pasoja juridike e veprimeve joligjore dhe mosveprimeve të papërgjegjshme të përfaqesuesve të institucioneve shtetërore./kb

❌