Dy ish-emisarë të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Federica Mogherini dhe Miroslav Lajçak, janë përfshirë në skandale që kanë tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.
Mogherini, ish-Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme (2014–2019) dhe aktualisht drejtuese e kolegjit pasuniversitar “College of Europe”, u arrestua në dhjetor 2025 në Bruksel, bashkë me zyrtarë të tjerë të lartë, si pjesë e një hetimi mbi një skemë të dyshuar mashtrimi që lidhej me fondet për trajnime diplomatike diplomatike. Hetimi përfshiu ambientet e kolegjit dhe zyrat e Shërbimit Diplomatik të BE-së.
Lajçak, ish-dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, dha dorëheqje pas publikimit të dokumenteve nga SHBA-të që zbardhnin shkëmbime mesazhesh të tij lidhur me Jeffrey Epstein. Ai ka pranuar se komunikimi ishte i papërshtatshëm dhe e ka përshkruar atë si “gjykim të dobët”, por nuk e konsideron akt kriminal. Bashkimi Evropian ka theksuar se kjo nuk e komprometon procesin e dialogut Kosovë-Serbi, që ai e ndërmjetësoi për pesë vjet.
Skandalet nënvizojnë sfidat e transparencës dhe përgjegjësisë në diplomacinë evropiane, ndërsa hetimet për Mogherinin dhe kritikat ndaj Lajçak vazhdojnë. Rastet e tyre pasqyrojnë ndikimin e figurave të larta evropiane dhe ndjeshmërinë e rolit të tyre në proceset ndërkombëtare./mxh
Cristiano Ronaldo , i cili po i afrohet ditëlindjes së 41-të, thuhet se nuk është i lumtur në Al Nassr dhe mund të largohet nga klubi i Ligës Profesionale Saudite në qershor.
Sipas gazetës portugeze Record, sulmuesi ndihet i keqtrajtuar nga Fondi i Investimeve Publike (PIF), i cili zotëron Al Nassr së bashku me Al Hilal, Al Ittihad dhe Al Ahli.
Ronaldo beson se PIF po bllokon transferimet kyçe të Al Nassr për të penguar shanset e tyre për titull, pavarësisht se skuadra është vetëm një pikë prapa liderëve të ligës, Al Hilal.
Ai përmendi shembuj të tillë si transferimi i Karim Benzemas nga Al Ittihad në Al Hilal dhe nënshkrimi i sulmuesit të ri Georges Ilenikhena nga Monaco nga Al Ittihad, ndërsa Al Nassr shtoi vetëm mesfushorin irakian Abdulkareem nga Al Zaëraa në afatin kalimtar.
Në shenjë proteste, ai refuzoi të luante në fitoren e fundit 1-0 të Al Nassr ndaj Al Riyadh në ligë.
Sipas Fabrizio Romanos, Ronaldo pasi e bojoktoi ndeshjen dje (e hënë), sot ai nuk ka dal në stërvitje.
Kontrata e tij përfshin një klauzolë lirimi prej 50 milionë eurosh që mund të lehtësojë një largim, me destinacione të mundshme që përfshijnë Major League Soccer (MLS) ose një rikthim në Evropë./mxh
Kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kryen një fushatë intensive të bombardimeve në Iran vitin e kaluar, rrjeti i bashkëpunëtorëve dhe partnerëve të armatosur rajonalë të Iranit qëndroi kryesisht në heshtje.
Por, i ashtuquajturi bosht i rezistencës pritet të hyjë në lojë dhe të mbështesë Iranin nëse presidenti amerikan, Donald Trump, jetëson kërcënimet e tij dhe autorizon një veprim ushtarak kundër Republikës Islamike, thonë ekspertët.
Irani e sheh një konflikti të ri të mundshëm me SHBA-në si kërcënim ekzistencial, ndryshe nga lufta e qershorit 2025, tha Hamidreza Azizi, bashkëpunëtor në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.
Kjo nënkupton se Teherani është “gati të futet plotësisht në lojë dhe të përdorë çdo kapacitet që ka, në kuptim të kapaciteteve të veta ushtarake, dhe në të njëjtën kohë kapacitetin asimetrik të boshtit të rezistencës” për të siguruar mbijetesën e tij, tha Azizi.
Veçse ka sinjale që aleatët e Iranit në Irak, Liban dhe Jemen po përgatiten për luftë në rast të një sulmi të SHBA-së ndaj Teheranit.
Irani ka shpenzuar dekada duke e ndërtuar boshtin, që është një rrjet i bashkëpunëtorëve të armatosur dhe grupeve militante të mbështetura nga Teherani në Lindjen e Mesme. Anëtarët e boshtit përfshijnë Hezbollahun e Libanit, rebelët Huthi të Jemenit dhe milicitë proiraniane në Irak.
Ky rrjet ka qenë element kyç i strategjisë frenuese të Teheranit kundër kërcënimeve të perceptuara nga Shtetet e Bashkuara dhe kryesisht nga Izraeli.
Por, aleanca ka pësuar goditje të mëdha në vitet e fundit. Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad, aktorja e vetme shtetërore në këtë rrjet përveç Iranit, u rrëzua në dhjetor të vitit 2024.
Hezbollahu, ndërkaq, është dobësuar jashtëzakonisht shumë pas luftës njëvjeçare me Izraelin, gjatë së cilës u vra udhëheqësi i kamotshëm i grupit, Hassan Nasrallah.
Megjithatë, pavarësisht kapaciteteve të dobësuara ushtarake, rrjeti mund t’i ofrojë fuqi shtesë zjarri Iranit në rast të një konflikti me SHBA-në, thonë ekspertët.
Gjatë luftës 12-ditore me Iranin në qershor, Izraeli dhe më pas SHBA-ja bombarduan objektet kyç bërthamore dhe ushtarake iraniane. Teherani u përgjigj duke gjuajtur qindra raketa balistike dhe dronë drejt Izraelit, armikut të tij të përbetuar, si dhe duke shënjestruar një bazë amerikane në Katar.
Anëtarët e boshtit të rezistencës të Iranit nuk u përfshin në këtë konflikt të shkurtër.
“Irani nuk e tërhoqi këmbëzën gjatë luftës së qershorit”, tha Azizi. “Atëbotë, Irani erdhi në përfundim se mund ta menaxhonte vet konfliktin. Nuk deshi ta zgjeronte konfliktin dhe deshi që t’i jepte fund atij sa më shpejt që ishte e mundur”.
Por, një konflikt i ri i mundshëm me SHBA-në mund të ndryshojë kalkulimet e Iranit, thanë ekspertët.
Udhëheqja klerikale e Iranit ndodhet në pikën e saj më të dobët në dekada, duke u përballur me trazira dhe kolaps ekonomik në vend si dhe me një grumbullim masiv ushtarak amerikanë pranë kufijve të Iranit. Duke luftuar për mbijetesë, sundimtarët e Iranit janë të gatshëm të përdorin të gjitha mjetet në arsenalin e tyre, sipas ekspertëve.
“Ne veçse po shohim sinjale që boshti i rezistencës – çfarëdo që ka mbetur nga ai – po aktivizohet”, tha Azizi.
Udhëheqësi i Hezbollahut tha më 26 janar se grupi po përgatitet për “një agresion të mundshëm dhe është i vendosur të mbrojë” veten, por nuk tregoi se si do të reagojë nëse Irani sulmohet.
Hezbollahu, që për një kohë të gjatë ka qenë bashkëpunëtori më i fuqishëm i Iranit, vazhdon të jetë kërcënim i madh, thanë ekspertët.
“Hezbollahu është goditur rëndë, por nuk është eliminuar”, tha Sascha Bruchmann, analist për çështje ushtarake dhe të sigurisë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike me seli në Londër. “Ai ka humbur një pjesë të madhe të kapaciteteve të tij strategjike, një pjesë të konsiderueshme të arsenalit të raketave, punëtorive për prodhimin e dronëve dhe tunelet përgjatë kufirit me Izraelin që i përdorte për sulm, por ai mbetet një milici e fuqishme”.
Në Irakun fqinj, milicitë proiraniane kanë nisur një fushatë për rekrutimin e luftëtarëve, përfshirë edhe sulmuesve vetëvrasës.
Udhëheqësi i Kataib Hezbollah, që është një nga milicitë, lëshoi një deklaratë të ashpër më 25 janar, duke i bërë thirrje luftëtarëve të tij të përgatiten për luftë.
I themeluar më 2007, Kataib Hezbollah është një nga anëtarët më të fuqishëm të Forcave të Mobilizimit Popullor (PMF), një organizatë ombrellë e grupeve të armatosura, kryesisht shiite, të mbështetura nga Irani, që është pjesë e Ushtrisë së Irakut që nga viti 2016. PMF është një aktor i rëndësishëm ushtarak dhe politik në Irak.
“Përfshija e Irakut në këtë konflikt mund t’i kushtojë politikisht”, tha Bruchmann. “Por, të gjitha bastet bien poshtë nëse [udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali] Khamenei vritet ose nëse regjimi beson se po rrëzohet, pasi disa nga milicitë shiite irakiane kanë shpallur besnikëri ndaj Khameneit”.
Në Jemen, rebelët Huthi kanë kërcënuar se do të tërhiqen nga një marrëveshje armëpushimi që u arrit me SHBA-në vitin e kaluar. Rebelët jemenas u pajtuan të ndalnin sulmet e tyre me raketa dhe dronë ndaj transportit ndërkombëtar në Detin e Kuq. Në këmbim, SHBA-ja u zotua për ndalim të sulmeve ajrore që kishin për shënjestër grupin.
Colin Clarke, drejtor ekzekutiv i Qendërs Soufan, një institut kërkimor me seli në Nju Jork, tha se nëse boshti i rezistencës do të mbetet sërish i heshtur pas një sulmi tjetër kundër Iranit, ai mund të “rrezikojë të humbasë rëndësinë”.
“Këta bashkëpunëtorë janë dizajnuar si mekanizma pengues për ta mbrojtur regjimin, prandaj përdorimi i tyre në kohë krize do të dukej thelbësor”, tha ai./mxh
Pas muajsh polemikash, skandalesh publike dhe përmbajtjesh shpërthyese, rrjetet sociale të Fabrizio Corona-s janë mbyllur. Meta ka çaktivizuar llogaritë e ish-paparacit dhe të formatit të tij online “Falsissimo”, duke konfirmuar se masa është marrë për “shkelje të shumta të Standardeve të Komunitetit”.
Në vitin e fundit, Fabrizio Corona është shndërruar në një nga figurat më destabilizuese të showbiz-it italian, pasi bëri publike krizën martesore mes Fedez dhe Chiara Ferragni-t, duke publikuar video, audio, mesazhe private dhe prapaskena të marrëdhënies së çiftit më të famshëm të Italisë.
Zbulimet e Corona-s kanë thyer narrativën publike të “familjes perfekte” dhe kanë shkaktuar një stuhi mediatike, me pasoja të rënda në imazhin publik të Ferragni-t dhe në marrëdhënien e saj me sponsorët dhe opinionin publik. Ky episod shënoi pikën e kthesës, duke e vendosur Corona-n sërish në qendër të vëmendjes kombëtare.
Paralelisht me çështjen Fedez–Ferragni, Corona ka intensifikuar sulmet ndaj asaj që ai e ka quajtur “sistemi mediatik i Alfonso Signorini-t”, duke akuzuar ish-moderatorin e Grande Fratello-s se disa të rinj kanë përfituar hyrjen në program në këmbim të favoreve seksuale. Një nga ish-konkurrentët, Antonio Medugno, deklaroi në “Falsissimo” se kishte përjetuar afrime të padëshiruara në vitin 2021 dhe formalizoi kallëzimin për dhunë seksuale dhe zhvatje.
Në disa episode të “Falsissimo”, Corona ka përdorur gjuhë të ashpër dhe akuza personale, të cilat janë konsideruar nga palët e përmendura si shpifje dhe shkelje e rëndë e të drejtave personale. Këto përmbajtje kanë çuar në ankesa ligjore, të dërguara drejtpërdrejt te platformat online.
Pse iu mbyllën profilet
Meta ka sqaruar se heqja e profileve nuk lidhet me një urdhër penal të menjëhershëm, por me shkelje të përsëritura të rregullave të platformës, që përfshijnë:
– përmbajtje potencialisht shpifëse
– publikim materialesh private pa pëlqim
– shkelje të privatësisë dhe dinjitetit personal
– përdorim të përsëritur të gjuhës agresive dhe denigruese
Vendimi është marrë pas sinjalizimeve të shumta dhe vlerësimeve të brendshme, në përputhje me politikat e kompanisë.
Pak ditë para mbylljes së profileve, Gjykata Civile e Milanos kishte vendosur një masë ndaluese ndaj disa përmbajtjeve të “Falsissimo”, duke i kërkuar Corona-s të ndalojë publikimin e materialeve që cenojnë reputacionin e Alfonso Signorini-t. Megjithatë, Meta ka theksuar se veprimi i tyre është autonom dhe i bazuar në standardet e platformës, jo thjesht në vendimin gjyqësor.
Reagimi i Corona-s
Përmes avokatit të tij, Corona e ka cilësuar vendimin si “censurë” dhe ka folur për një rrezik serioz për lirinë e shprehjes, duke pretenduar se mbyllja e profileve është pasojë e presioneve të fuqive mediatike dhe ekonomike që janë ndier të kërcënuara nga zbulimet e tij./mxh
Nëse ke hyrë ndonjëherë në shtëpinë e një burri dhe ke menduar se duket sikur nuk ka ndodhur asgjë interesante që nga viti 2012, ka shumë mundësi që ai të bëjë një jetë… shumë të mërzitshme. Jo domosdoshmërisht në kuptimin e keq të fjalës, por në atë mënyrën e qetë të të jetuarit, të parashikueshme dhe pa asnjë surprizë.
Mbetet në dorën tënde nëse kjo është diçka që e vlerëson te një burrë ose jo, gjithsesi, ja 11 detaje në shtëpinë e një burri që tregojnë se ai bën një jetë të tillë:
1. Enët e kuzhinës janë shumë bazike
Nëse në kuzhinë ka vetëm minimumin e domosdoshëm, ka gjasa që ai të mos jetë i interesuar të eksperimentojë me receta apo shije të reja. Erëza bazë, enë standarde dhe receta të njëjta, gjithçka tregon një rutinë të qëndrueshme dhe pa surpriza.
2. Dekori i shtëpisë është i përgjithshëm
Burrat që jetojnë jetë të sigurta dhe të parashikueshme, shpesh zgjedhin ambiente neutrale. Pa elementë trendi apo objekte që “bien në sy”, shtëpia e tyre reflekton qetësi, qëndrueshmëri dhe rehati.
3. Televizori është pika qendrore
Kur hapësira është e ndërtuar rreth televizorit, e jo rreth mikpritjes për shembull, kjo mund të tregojë një jetë më të izoluar. Por jo domosdoshmërisht të keqe, filmat dhe serialet shpesh janë mënyra më e thjeshtë për t’u çlodhur pas një dite të ngarkuar.
4. Çdo dhomë është vetëm funksionale
Nëse shtëpia duket më shumë si vend për “të mbijetuar” sesa për të shijuar jetën, ka gjasa që rutina e tij të jetë e pandryshueshme. Mungojnë hapësirat spontane, personale apo sociale, gjithçka është praktike.
5. Shtëpia duket sikur ka mbetur në kohë
Mobilje të vjetra, objekte familjare dhe sende të ruajtura prej vitesh tregojnë një lidhje me të shkuarën dhe mungesë interesi për ndryshime. Për këta burra, ajo që kanë është e mjaftueshme.
6. Nuk ka kafshë shtëpiake apo bimë
Pa kafshë dhe pa bimë, jeta në shtëpi mbetet thuajse në vijë të drejtë. Këta burra nuk kanë nevojë për përshtatje apo për të treguar kujdes të vazhdueshëm ndaj një individi tjetër, gjithçka ndjek rregullat e tij dhe vetëm të tijat.
7. Ka një librari të pasur
Ironikisht, një jetë “e mërzitshme” mund të jetë shumë e pasur nga brenda. Burrat që lexojnë shumë dhe kalojnë kohë vetëm, shpesh janë më empatikë dhe më të lidhur me botën sesa duken në pamje të parë.
8. Mobiljet janë zgjedhur për rehatinë e tij
Nëse gjithçka në shtëpi është menduar për komoditetin personal dhe jo për mysafirët, kjo tregon se ai vlerëson vetminë dhe qetësinë. Dhe e vërteta është se vetmia e zgjedhur me vetëdije është jashtëzakonisht e shëndetshme.
9. Mungon arti
Një shtëpi pa piktura, fotografi apo objekte personale shpesh reflekton mungesë shprehjeje emocionale. Megjithatë, nëse ai krijon art, por e mban për vete, kjo mund të jetë e vlefshme për mirëqenien e tij.
0. Dhoma e gjumit duket si hotel
Dhoma shërben vetëm për gjumë: çarçafë perfektë, ndriçim i matur dhe asgjë personale. Një hapësirë e pastër, e kontrolluar dhe e pandarë me askënd tjetër.
11. Banjoja ka vetëm gjërat bazë
Pa produkte trendi, pa rutina të ndërlikuara. Vetëm ato që i duhen vërtet. Një rutinë e qëndrueshme, e cila sipas studimeve, lidhet edhe me mirëqenie mendore më të mirë./mxh
Marie Poradeci, vajza e poetit të shquar Lasgush Poradeci, ka shprehur publikisht indinjatën e saj, duke rrëfyer se familja e shkrimtarit nuk është përfshirë në një aktivitet përkujtimor që pritet të zhvillohet në Vjenë.
Ajo bëri të ditur se është informuar vetëm në mënyrë zyrtare për vendosjen e një pllake përkujtimore në banesën ku Lasgush Poradeci ka jetuar për rreth dhjetë vite, por pa marrë një ftesë për të qenë e pranishme në ceremoni. Sipas saj, ky veprim është fyes dhe i pajustifikueshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për familjen e një figure të tillë kombëtare.
Marie Poradeci theksoi se informacionet për vendndodhjen e pllakës dhe detaje të tjera janë siguruar prej saj, çka sipas saj e bënte të domosdoshme përfshirjen e familjes në aktivitet. Ajo tregoi se, edhe pse i është ofruar mbulimi i shpenzimeve të udhëtimit, kjo nuk mund të zëvendësojë mungesën e një ftese zyrtare dhe respektin institucional.
Në deklaratën e saj, ajo kritikoi ashpër Bashkinë e Pogradecit, duke e akuzuar për trajtim të padrejtë dhe neglizhent ndaj figurës së babait të saj ndër vite. Sipas saj, prej më shumë se 35 vitesh janë marrë vendime që kanë fshirë gradualisht emrin dhe trashëgiminë e Lasgush Poradecit nga hapësirat publike të qytetit.
Ajo përmendi heqjen e emrit të poetit nga Pallati i Kulturës, degradimin e monumenteve përkujtimore dhe dështimin për ta kthyer banesën e tij në muze, duke e cilësuar gjithë procesin si një seri premtimesh të pambajtura dhe keqmenaxhimi.
“Ndjej se figura e babait tim është përdorur dhe keqpërdorur për interesa të tjera, ndërsa familja është lënë në harresë”, u shpreh ajo, duke theksuar se zhgënjimi i saj vjen jo vetëm si vajzë, por edhe si qytetare që sheh se si trajtohet trashëgimia kulturore në Shqipëri./mxh
Ukraina ka rënë dakord me partnerët e saj perëndimorë se çdo shkelje e vazhdueshme e një marrëveshjeje të ardhshme armëpushimi nga Rusia do të shkaktojë një përgjigje të koordinuar ushtarake nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, raportoi sot Financial Times.
Sipas raportit, të cilin Reuters nuk mundi ta verifikonte menjëherë, plani u diskutua vazhdimisht në dhjetor dhe janar midis zyrtarëve ukrainas, evropianë dhe amerikanë dhe parashikon një përgjigje shumështresore ndaj çdo shkeljeje të një armëpushimi të rënë dakord nga Rusia.
Të dërguarit nga Kievi, Moska dhe Uashingtoni do të takohen në Abu Dhabi të mërkurën dhe të enjten për bisedime që synojnë përfundimin e luftës, raportoi Financial Times. Sipas propozimit, çdo shkelje e armëpushimit nga Rusia do të shkaktonte një përgjigje brenda 24 orëve, fillimisht me një paralajmërim diplomatik dhe, nëse është e nevojshme, me veprime nga ushtria ukrainase për të ndaluar shkeljen.
Nëse armiqësitë vazhdojnë përtej kësaj, plani parashikon një fazë të dytë, me ndërhyrjen e forcave nga i ashtuquajturi koalicion i të vullnetshmëve, i cili përfshin shumë shtete anëtare të BE-së, si dhe Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë, Islandën dhe Turqinë. Publikimi shton se në rast të një sulmi më të gjerë, një përgjigje e koordinuar nga një forcë e mbështetur nga Perëndimi, e cila do të përfshijë edhe ushtrinë amerikane , do të aktivizohet 72 orë pas shkeljes fillestare./mxh
Një debat i fundit në shtëpinë e “Big Brother VIP” ka shkaktuar reagime të ashpra jashtë saj, pas një koment i rëndë nga Rogerti ndaj Stenaldos. Gjatë përplasjes, Rogerti tha se Stenaldo “e ka mallkuar Zoti” për shkak të aftësisë së tij të kufizuar në shikim, një deklaratë që ka shkaktuar indinjatë të menjëhershme.
Familjarët e Stenaldos, që menaxhojnë edhe llogarinë e tij zyrtare në Instagram, kanë dënuar publikisht këtë gjuhë, duke e cilësuar si thellësisht çnjerëzore dhe të papranueshme. Në një postim ku është shpërndarë edhe video e momentit të ofendimit, ata theksojnë se përdorimi i emrit të Zotit për të justifikuar fjalë urrejtjeje ndaj një personi me aftësi të kufizuara është një mungesë totale empatie dhe një nga nivelet më të ulëta të etikës njerëzore.
Familjarët bëjnë thirrje publike ndaj produksionit të “Big Brother VIP” dhe Top Channel, duke kërkuar që raste të tilla të mos normalizohen dhe të ketë përgjegjësi për gjuhën e përdorur brenda formatit. Ngjarja ka nxitur gjithashtu një debat të gjerë në rrjetet sociale, ku shumë përdorues shprehin shqetësim për kufijtë e etikës dhe mesazhet që transmetohen në prime-time./mxh
Pas daljes së publikimeve të dosjes së bujshme “Epstein”, policia ka nisur hetimet lidhur me pretendimet se Peter Mandelson i ka dhënë Epstein informacione të ndjeshme ndaj tregut, raporton “skynews”.
Në email dolën biseda mes Epstein dhe Mandelson për çështje qeveritare e politike, në kohën kur Lord Mandelson shërbente si sekretar biznesi dhe zëvendëskryeministër de facto në qeverinë e Gordon Broën.
Dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë tregojnë se Epsteinit iu dërguan diskutime të brendshme të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar pas krizës globale financiare./mxh
Forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftuan se kanë rrëzuar një dron që i përket Iranit në ujërat e Detit Arabik.
Incidenti vjen ndërsa prania ushtarake amerikane në rajon është rritur për t’iu kundërvënë kërcënimeve ajrore dhe për të siguruar rrugët e transportit detar, dhe tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit kanë hyrë në një fazë të re.
Zëdhënësi i CENTCOM-it, kapiteni Tim Hawkins, përshkroi detajet e dy përballjeve ushtarake të sotme. Sipas raportit, më 3 shkurt, një avion luftarak amerikan F-35C e rrëzoi atë pasi një dron iranian Shahd-139 me një regjim pushtimi u drejtua drejt aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln në Detin Arabik.
Anija transportuese ishte e stacionuar 500 milje larg bregdetit jugor të Iranit, dhe droni kishte vazhduar të përparonte pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së për të ulur tensionet. Trupat dhe pajisjet amerikane nuk u dëmtuan në incident./mxh
Afati kalimtar dimëror i vitit 2026 ka përfunduar në ligat kryesore dhe lista e Transfermarkt tregon se marrëveshjet më të mëdha u përqendruan përsëri rreth Ligës Premier.
Transferimi më i shtrenjtë i dimrit u bë nga Manchester City, i cili solli Antoine Semenyo nga Bournemouth për 72 milionë euro.
Ai pasohet nga një tjetër transferim i shtrenjtë që vjen në Ligën Premier. Liverpooli solli qendërmbrojtësin Jeremy Jacquet për 63.6 milionë euro, i cili do të mbetet i huazuar te Rennes deri në fund të sezonit.
Crystal Palace ishte ndër më aktivët në krye të listës. Ata sollën sulmuesin Jorgen Strand Larsen nga Wolverhampton për 49.7 milionë euro, i ndjekur nga Brennan Johnson, i cili erdhi nga Tottenham Hotspur për 40 milionë euro.
Dy transferime nga jashtë Evropës në 10 më të mirët
Tottenhami e transferoi Conor Gallagherin nga Atletico Madridit për 40 milionë euro, ndërsa Atletico Madridi e forcoi sulmin e tyre duke transferuar Ademola Lookmanin nga Atalanta për 35 milionë euro.
I vetmi largim nga Liga Premier në dhjetëshen e parë ishte rikthimi i Lucas Paquetas në Brazil. Flamengo i pagoi West Hamit 42 milionë euro për mesfushorin sulmues, një nga marrëveshjet më të mëdha të dimrit jashtë Anglisë.
Në listë ka edhe dy nënshkrime të tjera të rëndësishme. Al-Hilal solli 18-vjeçarin Kader Meite nga Rennes për 30 milionë euro, ndërsa West Ham bleu Taty Castellanos nga Lazio për 29 milionë euro.
Gjithashtu të spikatur në fund të 10 më të mirëve janë Fulham, i cili solli Oscar Bobbo nga Manchester City për 31.2 milionë euro, si dhe Bournemouth, i cili bleu sulmuesin Rayan nga Vasco da Gama për 28.5 milionë euro.
Në përgjithësi, ky dimër ka treguar se klubet angleze vazhdojnë të diktojnë ritmin e tregut, dhe se edhe “shtresa e mesme” e Ligës Premier po hyn gjithnjë e më shumë në transferime që deri vonë ishin të rezervuara vetëm për gjigantët e elitës.
10 transferimet më të shtrenjta të janarit 2026:
Antoine Semenyo (Nga Bournemouth te Manchester City) – 72 milionë euro
Jeremy Jacquet (Nga Rennes te Liverpool) – 63.6 milionë euro
Jorgen Strand Larsen (Nga Wolves te Crystal Palace) – 49.7 milionë euro
Lucas Paqueta (Nga West Ham te Flamengo) – 42 milionë euro
Conor Gallagher (Nga Atletico Madrid te Tottenham) – 40 milionë euro
Brennan Johnson (Nga Tottenham te Crystal Palace) – 40 milionë euro
Ademola Lookman (Nga Atalanta te Atletico) – 35 milionë euro
Oscar Bobb (Nga Manchester City te Fulham) – 31.2 milionë euro
Kader Meite (Nga Rennes te Al-Hilal) – 30 milionë euro
Rayan (Nga Vasco da Gama te Bournemouth) – 28.5 milionë euro./et
Një studim australian ka dhënë prova të reja mbi arsyen pse njerëzit me skizofreni përjetojnë halucinacione dëgjimore (dëgjim zërash)
Hulumtimi i ri, i udhëhequr nga psikologët e Universitetit të Uellsit të Ri Jugor (UNSW) në Sidnei, ofron deri tani provat më të qarta se “zërat” te skizofrenia mund të lindin nga një çrregullim në mënyrën se si truri e njeh zërin e vet të brendshëm. Studimi sugjeron se truri mund të keqidentifikojë mendimet e brendshme si tinguj që vijnë nga bota e jashtme.
Punimi u botua në revistën shkencore “Schizophrenia Bulletin” dhe thekson gjithashtu një rrugë të mundshme drejt identifikimit të shënuesve biologjikë (biomarkerëve) të skizofrenisë, një hap shumë i rëndësishëm, pasi aktualisht nuk ekzistojnë analiza gjaku, skanime të trurit apo teste laboratorike që mund ta konfirmojnë pa dyshim këtë diagnozë.
Profesori Thomas Whitford nga Shkolla e Psikologjisë në UNSW ka studiuar prej vitesh mënyrën se si funksionon “të folurit e brendshëm” te njerëzit e shëndetshëm dhe te ata që jetojnë me çrregullime të spektrit të skizofrenisë.
“Të folurit e brendshëm është zëri në kokën tuaj që rrëfen në heshtje mendimet, planet apo veprimet tuaja. Shumica e njerëzve e përjetojnë rregullisht këtë, shpesh pa e vënë re, edhe pse ka individë që raportojnë se nuk e kanë fare këtë përvojë”, shpjegon Whitford.
Ai shton: “Hulumtimi ynë tregon se, kur ne flasim, qoftë edhe vetëm në mendje, një pjesë e trurit që përpunon tingujt e jashtëm bëhet më pak aktive. Kjo ndodh sepse truri parashikon tingullin e zërit tonë. Por te njerëzit që dëgjojnë zëra, ky mekanizëm parashikimi duket se nuk funksionon siç duhet, ndaj truri reagon sikur zëri po vjen nga dikush tjetër”.
Valët e trurit konfirmojnë një teori 50-vjeçare
Sipas profesorit Whitford, këto gjetje mbështesin fuqishëm një teori që ka ekzistuar prej dekadash në fushën e shëndetit mendor: se halucinacionet dëgjimore në skizofreni mund të vijnë nga keqinterpretimi i të folurit të brendshëm si të folur të jashtëm.
“Kjo ide ka ekzistuar prej 50 vjetësh, por ka qenë shumë e vështirë për t’u testuar, sepse të folurit e brendshëm është, nga natyra, një proces privat”, thekson ai.
Për ta matur këtë, studiuesit përdorën EEG (elektroencefalogram), një metodë që regjistron aktivitetin elektrik të trurit. Edhe pse nuk mund ta “dëgjojmë” të folurin e brendshëm, truri gjithsesi reagon ndaj tij.
Te njerëzit e shëndetshëm, përdorimi i të folurit të brendshëm shkakton të njëjtën ulje të aktivitetit të trurit si kur ata flasin me zë të lartë, një shenjë se truri e njeh tingullin si të vetin.
“Por te njerëzit që dëgjojnë zëra, kjo ulje e aktivitetit nuk ndodh. Përkundrazi, truri i tyre reagon edhe më fort ndaj të folurit të brendshëm, sikur ai të vinte nga dikush tjetër. Kjo mund të shpjegojë pse këta zëra duken kaq realë”, thotë Whitford.
Si u testua mekanizmi i parashikimit të trurit
Studiuesit ndanë pjesëmarrësit në tre grupe:
1.55 persona me skizofreni që kishin përjetuar halucinacione dëgjimore në javën e fundit.
2.44 persona me skizofreni që ose nuk kishin pasur kurrë halucinacione dëgjimore, ose nuk i kishin përjetuar kohët e fundit.
3.43 persona të shëndetshëm pa histori skizofrenie.
Të gjithë pjesëmarrësit mbanin një kapë EEG ndërsa dëgjonin tinguj përmes kufjeve. Në momente të caktuara, atyre u kërkohej që në heshtje të imagjinonin se po shqiptonin rrokjet “bah” ose “bih”, ndërkohë që dëgjonin njërën prej tyre në kufje, pa e ditur paraprakisht nëse tingulli i dëgjuar do të përputhej me atë të imagjinuar.
Çfarë ndodhi?
Te njerëzit e shëndetshëm, aktiviteti i trurit u ul kur rrokja e imagjinuar përputhej me atë që dëgjonin. Kjo ndodhi në korteksin dëgjimor, pjesën e trurit përgjegjëse për përpunimin e tingujve dhe të folurit. Ky është një tregues se truri e parashikoi saktë tingullin.
Te njerëzit me halucinacione të fundit, ndodhi e kundërta: aktiviteti i trurit u rrit kur tingulli i imagjinuar përputhej me atë të dëgjuar. Kjo sugjeron se mekanizmi i parashikimit të trurit është i dëmtuar.
“Ky efekt i kundërt tregon se truri i tyre mund të mos e njohë më zërin e brendshëm si të vetin, duke e interpretuar gabimisht si zë të jashtëm”, shpjegon Whitford.
Grupi i dytë (njerëzit me skizofreni pa halucinacione të fundit) tregoi një reagim të ndërmjetëm mes grupit të shëndetshëm dhe atij me halucinacione.
Çfarë do të thotë kjo për studimin e skizofrenisë?
Studiuesit theksojnë se këto rezultate ofrojnë provën më të fortë deri më tani se njerëzit me skizofreni mund të përjetojnë mendimet e tyre sikur të ishin zëra të jashtëm.
“Gjithmonë ka qenë një teori bindëse se njerëzit në fakt po dëgjojnë mendimet e tyre të folura me zë, por ky studim ofron testin më të drejtpërdrejtë dhe më të fortë deri tani”, thotë Whitford.
Në të ardhmen, ekipi kërkimor synon të testojë nëse ky model i reagimit të trurit mund të përdoret për të parashikuar se kush mund të zhvillojë psikozë.
Nëse kjo rezulton e suksesshme, mund të mundësojë:
identifikimin më të hershëm të personave me rrezik të lartë,
fillimin më të shpejtë të trajtimit,
dhe potencialisht parandalimin e përkeqësimit të simptomave.
“Kjo masë ka potencial të madh për t’u bërë një biomarker i zhvillimit të psikozës. Në fund, besoj se kuptimi i shkaqeve biologjike të simptomave të skizofrenisë është hapi i parë i domosdoshëm për zhvillimin e terapive të reja dhe më efektive,” përfundon profesori. /et
Do t’ju befasojë sa herët fëmijët, në fakt, fillojnë të krijojnë kujtime
Nuk është e rrallë që prindërit të mendojnë se çfarë do të mbajë mend fëmija nga fëmijëria dhe çfarë lloj kujtimesh do ta shoqërojnë gjatë jetës. Deri vonë, besohej se fëmijët pothuajse nuk mbanin mend asgjë para moshës trevjeçare, por sot ekspertët thonë se kujtesa e fëmijëve është shumë më e fortë dhe më e zhvilluar sesa mendohej dikur.
Kujtimet afatgjata që ata formojnë mund të mos jenë gjithmonë plotësisht të sakta, por megjithatë, fëmijët janë në gjendje të kujtojnë shumë gjëra nga fëmijëria e tyre e hershme.
Ja pse kjo është e rëndësishme dhe çfarë mund të bëjnë prindërit lidhur me këtë:
Ideja se fëmijët nuk mbajnë mend asgjë para moshës trevjeçare është e gabuar
“Fëmijët shpesh arrijnë të kujtojnë ngjarje shumë më të hershme sesa kemi besuar më parë”, ka deklaruar për HuffPost profesorja që studion gjuhën dhe kujtesën në Universitetin Memorial të Newfoundland-it në Kanada, prof. Carol Peterson.
Disa nga studimet e saj fokusohen në fenomenin e njohur si “amnezia e fëmijërisë”, ideja se fëmijët (dhe madje edhe të rriturit) mbajnë mend shumë pak nga jeta para moshës tre ose katër vjeç. Për dekada me radhë, ekspertët mendonin se kjo ndodhte sepse truri i fëmijëve nuk ishte në gjendje të formonte kujtime para një momenti të caktuar zhvillimi.
Megjithatë, Peterson dhe studiues të tjerë kanë zbuluar se kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë. Një nga studimet e saj tregoi, për shembull, se fëmijët që përjetojnë situata mjekësore urgjente në moshën dyvjeçare dhe që intervistohen vite më vonë – janë në gjendje të kujtojnë qartë elementet kryesore të asaj përvoje. Edhe pse kujtimet mund të mos jenë aq të detajuara sa tek fëmijët më të rritur, ato ekzistojnë dhe janë të pranishme.
Studime të tjera sugjerojnë se fëmijët e moshës pesë, gjashtë apo shtatë vjeç e kujtojnë mjaft mirë atë që u ka ndodhur kur ishin tre vjeç, por fillojnë t’i humbin këto kujtime rreth moshës tetë apo nëntë vjeç.
Prandaj, nuk ka një konsensus të qartë për moshën kur formohen kujtimet e qëndrueshme – kjo varet nga vetë fëmija. Megjithatë, thelbi është i qartë: fëmijët mund të mbajnë mend disa përvoja shumë më herët sesa mendojmë.
Ajo që mbajnë mend më shumë është emocioni
“Gjithçka që ka rëndësi emocionale, fëmijët do ta mbajnë mend”, ka thënë më herët për HuffPost psikologia klinike nga Los Anxhelosi, Dr. Jenny Yip.
Nga ana tjetër, ka edhe lajme të mira: shumica e fëmijëve nuk ndryshohen ndjeshëm nga një ngjarje e vetme emocionale apo nga një kujtim i izoluar, gjë që është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për përvoja emocionalisht të vështira.
“Ngjarjet e vetme, përveç atyre që janë vërtet traumatike, rrallëherë kanë efekt afatgjatë në zhvillimin emocional dhe social të fëmijëve”, shpjegon psikologu klinik Mark Rienecke. “Në përgjithësi, fëmijët janë mjaft të qëndrueshëm.”
Prindërit luajnë rol kyç në formësimin e kujtimeve të fëmijëve
Një pjesë e punës së Peterson si studiuese është t’i ndihmojë fëmijët të zhvillojnë aftësinë për të kujtuar në mënyrë më të rrjedhshme. Ajo shpesh i pyet fëmijët për kujtimin e tyre më të hershëm dhe vetë rikujtimi i këtyre përvojave shpesh i ndihmon fëmijët të lidhen më mirë me të tjerët.
Kjo është e rëndësishme, sepse fëmijët i përdorin kujtimet për të ndërtuar ndjenjën e identitetit ndërsa rriten.
“Dallimi qëndron te mënyra se si prindërit flasin me fëmijët e tyre. Kur prindërit flasin me ta për përvojat që kanë kalua, për atë që kanë bërë javën e kaluar, verën e kaluar apo vitin e kaluar – kjo është si të stërvitësh një muskul”, shpjegon Peterson. “Fëmija zhvillon zakonin të reflektojë më shumë mbi kujtimet dhe t’i ruajë ato më mirë.”
Edhe pse prindërit kanë prirje të theksojnë vetëm kujtimet e bukura dhe të shmangin bisedat për përvojat negative, sipas saj është e rëndësishme që të përfshihen të dyja.
“Një nga gjërat më të rëndësishme që fëmijët duhet të mësojnë është të kuptojnë dhe të përballen me përvojat negative që kanë pasur në jetë. Të flasësh për to, ta ndihmosh fëmijën t’i kuptojë dhe ta ndiejë se ka pasur një farë kontrolli dhe është përballur mirë me to, këta janë hapa shumë të rëndësishëm”, përfundon ajo. /ET
Ndryshimet që sjell shtatzënia janë të shumta, por një nga faktet më të habitshme është se gjatë kësaj periudhe zemra e gruas pëson ndryshime strukturore dhe funksionale
Gjatë shtatzënisë, trupi i gruas kalon nëpër transformime të thella fiziologjike, dhe një nga sistemet që përshtatet më shumë është ai kardiovaskular. Siç shpjegon American Heart Association (AHA), një nga ndryshimet kryesore është rritja e vëllimit të gjakut me rreth 30–50 për qind, gjë që e ngarkon më shumë zemrën. Për këtë arsye, zemra duhet të pompojë më shumë gjak për të përmbushur nevojat e nënës dhe fetusit.
Sipas Mayo Clinic, zemra e gruas shtatzënë mund të zmadhohet lehtë dhe të rrahë më shpejt për t’u përshtatur me këtë vëllim të shtuar gjaku. Ritmi i zemrës (pulsi) zakonisht rritet me rreth 10–15 rrahje në minutë krahasuar me periudhën para shtatzënisë. Në të njëjtën kohë, National Institutes of Health (NIH) raporton se tensioni i gjakut mund të bjerë lehtë në fillim të shtatzënisë për shkak të zgjerimit të enëve të gjakut, por zakonisht stabilizohet në tremujorin e dytë dhe të tretë.
Këto ndryshime kardiovaskulare janë thelbësore për të siguruar një qarkullim optimal të gjakut që furnizon fetusin me lëndë ushqyese dhe oksigjen, ndërsa ndihmon në largimin e produkteve të mbetjeve metabolike. Siç thekson British Heart Foundation, pa këtë përshtatje, zhvillimi normal i fetusit do të ishte i pamundur, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, edhe pse këto ndryshime janë zakonisht fiziologjike dhe jo patologjike, World Health Organization (WHO) thekson se është e rëndësishme që gratë shtatzëna të monitorojnë rregullisht shëndetin e zemrës dhe tensionin e gjakut. Ngarkesa e tepërt mbi sistemin kardiovaskular mund të çojë në komplikacione si:
Preeklampsia (tension i lartë i rrezikshëm në shtatzëni),
Çrregullime të ritmit të zemrës,
Sëmundje kardiake të mëparshme që mund të përkeqësohen gjatë shtatzënisë.
Prandaj, siç shkruan The Lancet në studime të fundit mbi shëndetin kardiovaskular në shtatzëni, kontrollet e rregullta mjekësore, matja e tensionit, analizat e gjakut dhe, në raste të caktuara, ekokardiografia janë thelbësore për një shtatzëni të sigurt.
Në përfundim, zemra e gruas shtatzënë “rritet” jo vetëm simbolikisht nga dashuria, por edhe realisht për shkak të ndryshimeve fiziologjike që e ndihmojnë trupin të mbështesë rritjen dhe zhvillimin e fetusit. Megjithatë, siç theksojnë ekspertët e shëndetit, këto ndryshime duhet të monitorohen me kujdes për të siguruar mirëqenien e nënës dhe fëmijës. /ET
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka reaguar sërish sot lidhur me protestën e thirrur nga opozita më 10 shkurt.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Noka ka ndarë pamje nga një takim me demokratë, teksa thekson se para Kryeministrisë do të ketë pjesëmarrrës nga e gjithë Shqipëria kundër narkoshtetit.
“E vërteta është se përpara kryeministrisë do të ketë pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria, nga veriu, jugu, mali dhe fusha, se protestuesit janë shqiptarë pa dallime dhe se kudo nëpër Shqipëri jeta është vështirësuar dhe po kudo vota blihet e manipulohet haptas. Narkoshteti aplikon një standard si në veri dhe në jug: Vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje. Shqiptarët i bashkon halli”,-shkruan ndër të tjera Noka./mxh
Në marrëveshjen e koalicionit midis konservatorëve dhe socialdemokratëve,qeveria gjermane i vendosi vetes objektivin e mëposhtëm: “Ne do të krijojmë një sistem pensioni të besueshëm për të gjitha brezat.” Për ta arritur këtë, Friedrich Merz beson se sistemi i pensioneve duhet të reformohet dhe kancelari gjerman dëshiron të përshpejtojë procesin.
Një “reformë gjithëpërfshirëse e pensioneve” do të nisë këtë vit
Këtë e njoftoi Friedrich Merz e deklaroi në pritjen vjetore të Bursës Gjermane (Deutsche Börse) në Eschborn, pranë Frankfurtit. Ideja e tij themelore për reformën e planifikuar është që sigurimi i detyrueshëm i pensioneve të ruhet, por të jetë vetëm një element ndër të tjerët në një nivel të ri gjithëpërfshirës mbulimi. Sigurimet private të pensioneve dhe pensionet e ndërmarrjeve, të cilat financohen me bazë kapitalizimi, duhet të luajnë një rol shumë më të rëndësishëm se më parë, theksoi Merz, duke iu referuar një “ndryshimi të afërt të paradigmës në politikën gjermane të pensioneve”.
Pensionet janë një prioritet në reformat sociale
Në një intervistë për gazetën Tagesspiegel, kreu i kancelarisë, Thorsten Frei, gjithashtu vendosi si qëllim nisjen e reformës së pensioneve në vitin 2026. “Deri në fund të vitit, ne do të kemi zbatuar reformat e para të mëdha sociale, dhe përparësi u kemi dhënë pensioneve,” tha politikani i CDU-së. Por gjithashtu është e qartë “se jo gjithçka do të jetë gati deri në dhjetor.” Aktualisht, një komision për pensionet po shqyrton propozime të mundshme. Ai duhet t’i paraqesë ato deri në fund të tremujorit të dytë. Sipas Frei-t, disa nga këto propozime mund të zbatohen mjaft shpejt, ndërsa të tjera do të kërkojnë një periudhë më të gjatë përgatitore.
Vitin e kaluar, pensionet ishin subjekt i polemikave të ashpra, edhe brenda partive konservatore unioniste. Organizata e rinisë e CDU-së, Junge Union (JU) protestoi kundër planeve për reformën e pensioneve të dakorduara midis partive unioniste dhe SPD-së dhe kërcënoi se do të refuzonte paketën ligjore që duhej të miratohej nga Bundestagu para fundit të vitit 2025. Në fund, projektligji u miratua, pas një premtimi të bërë për të rinjtë se do të nisë një reformë themelore e pensioneve në vitin 2026.
Këshilli Ekonomik i afërt me CDU-në kërkon shkurtime në sistemin e pensioneve
Këshilli Ekonomik i afërt me CDU-në, një shoqatë sipërmarrjesh, së fundmi paraqiti propozime për reformimin e sistemit të pensioneve. Për të reduktuar shpenzimet federale, Këshilli propozoi shkurtimin e pensionit të posaçëm për nënat dhe eleminimin e daljes në pension në moshën 63 vjeç. Në vend të kësaj, mosha e daljes në pension duhet të lidhet “në afat të mesëm” me pritshmërinë e jetës.
Ndërsa propozimet e Këshillit Ekonomik u kritikuan ashpër nga të gjitha partitë, tani ato kanë mbështetjen e ekonomistes Veronika Grimm. “Na duhen propozime që reduktojnë barrën mbi buxhetin federal, por edhe mbi landet federale dhe komunat,” tha ajo në emisionin e përbashkët të mëngjesit të ARD dhe ZDF. Sepse krahasuar me vendet e tjera evropiane, barra e taksave dhe e sigurimeve shoqërore ka arritur në “nivel rekord”.
Në fushën e sigurimeve të pensioneve, për shembull, shteti ka ecur kryesisht në drejtimin e gabuar, paralajmëroi Grimm. Dhe miliardat e parashikuara për vitet e ardhshme po ushtrojnë presion edhe më të madh mbi buxhetin federal. Prandaj, rritja e moshës së daljes në pension sipas saj, është një “faktor i rëndësishëm”. Në mënyrë të ngjashme, “dalja në pension në moshën 63 vjeç dhe pensioni për nënat duhet në fakt të vihen në diskutim”./mxh
Tradhti, konflikte të mëdha apo drama? Jo domosdoshmërisht – gjithnjë e më shumë gra po largohen nga martesa për shkak të lodhjes emocionale, mungesës së vlerësimit dhe nevojës për një fillim të ri
Ajo që dikur dukej e paimagjinueshme po ndodh gjithnjë e më shpesh: gra në moshë të mesme po largohen nga martesa, jo për shkak të skandaleve apo tradhtisë, por sepse janë të lodhura emocionalisht dhe nuk duan ta jetojnë pjesën tjetër të jetës në pakënaqësi.
Për dekada me radhë, divorcet në këtë moshë ishin më të zakonshme te burrat, të cilët shpesh e ndërprisnin martesën për të nisur lidhje me gra më të reja. Sot, studimet tregojnë se ky model po ndryshon rrënjësisht.
Gjithnjë e më shumë gra në moshë të mesme po vendosin të ndërpresin martesën edhe kur nuk ka pasur konflikte të mëdha, dhunë apo tradhti. Shumë burra mbeten të befasuar nga ky vendim, sepse kanë besuar se marrëdhënia e tyre ishte “normale” dhe e qëndrueshme, shpesh duke mos e kuptuar pakënaqësinë e heshtur të bashkëshorteve të tyre.
Historia e Kate – momenti kur gjithçka ndryshoi
Një mbrëmje të shtatorit, 53-vjeçarja Kate po darkonte me bashkëshortin e saj. Ajo priste që ai ta pyeste për një prezantim të rëndësishëm në punë, i cili e kishte shqetësuar prej ditësh. Por ai e harroi këtë dhe e ktheu bisedën te futbolli.
Në atë çast, Kate ndjeu se nuk ishte më e parë, e dëgjuar apo e rëndësishme në martesën e saj. Ajo piu një gotë verë dhe mendoi: “Unë nuk mund ta jetoj kështu edhe 20 vjet të tjera.”
Po atë mbrëmje vendosi të kërkonte divorc.
Kate është shembull i një trendi në rritje, të njohur si “walkaway wives”, gra që largohen nga martesa në heshtje, pa drama të mëdha, por pas vitesh zhgënjimi emocional, ndjesisë së padukshmërisë dhe mungesës së vlerësimit, transmeton Telegrafi.
Çfarë tregojnë statistikat?
Sipas të dhënave të publikuara nga The Telegraph, sot pothuajse gjysma e divorceve nisin nga gra në moshë të mesme, dhe 56 për qind e tyre thonë se do ta ndërprisnin martesën nëse janë të palumtura.
Raporti Beyond the Break, i publikuar në nëntor 2025 nga studio ligjore Mishcon de Reya dhe komuniteti britanik për gra në moshë të mesme NOON, tregon se gjithnjë e më shumë gra kërkojnë divorc sepse, siç shprehen ato, “u ka ardhur në majë të hundës”.
64 për qind e grave deklaruan se shkaku i divorcit nuk ishte tradhtia.
23 për qind thanë se nuk ndjenin më dashuri për bashkëshortin.
11 për qind u shprehën se nuk donin ta kalonin pjesën tjetër të jetës me një burrë që ishte bërë emocionalisht i largët.
Ana Clarke (41) tregoi: “Kërkesa ime për divorc në tetorin e kaluar e tronditi plotësisht ish-bashkëshortin tim. Ai e interpretoi heshtjen time si pranim të mangësive të tij, ndërsa unë në fakt po shkëputesha emocionalisht nga martesa.”
Pse burrat shpesh befasohen?
Shumë burra e përjetojnë divorcin si një vendim të papritur. Por psikoterapistja Susie Masterson thekson se gratë shpesh shprehin pakënaqësinë e tyre për vite me radhë, thjesht pa u marrë seriozisht.
Studimet tregojnë se burrat e martuar janë mesatarisht më të lumtur, sepse nevojat e tyre emocionale dhe praktike plotësohen më shpesh brenda martesës. Ndërkohë, gratë shpesh mbajnë barrën më të madhe të:
punëve shtëpiake,
kujdesit për fëmijët,
organizimit të jetës familjare,
dhe menaxhimit emocional të marrëdhënieve.
Kjo krijon një lodhje të heshtur që shpesh mbetet e padukshme.
Çfarë po ndodh në shoqëritë tona?
Në kontekstin shqiptar dhe ballkanik, ky trend merr një kuptim edhe më të fortë.
Për shumë vite, gratë kanë qëndruar në martesa të pakënaqshme për shkak të:
varësisë financiare,
presionit familjar (“mos e prish shtëpinë”),
frikës nga gjykimi i shoqërisë,
dhe bindjes se “gruaja duhet të durojë për hir të fëmijëve”.
Sot, gjithnjë e më shumë gra në moshë të mesme po e shohin divorcin jo si dështim, por si mundësi për një fillim të ri.
Shumë prej tyre kanë karrierë të tyren, pavarësi financiare dhe një vetëdije më të fortë për nevojat e tyre emocionale. Kjo i bën më të guximshme për të thënë: “Nuk dua të jetoj e pakënaqur vetëm sepse kështu është zakoni.”
Çfarë ndodh pas divorcit?
Sipas raportit:
71 për qind e grave thanë se nuk kanë frikë të jetojnë vetëm.
Megjithatë, 49 për qind e grave të divorcuara raportuan probleme me shëndetin mendor, si ankth dhe depresion.
Vështirësitë financiare mbeten shqetësimi më i madh pas divorcit.
Pavarësisht këtyre sfidave, 76 për qind e grave të divorcuara deklaruan se nuk pendohen për vendimin e tyre dhe do ta përsërisnin nëse një martesë tjetër do të rezultonte e pasuksesshme.
Një ndryshim i thellë shoqëror
Avokatja familjare Ellie Foster përfundon:
“Për shumë gra, dekada të tëra kanë qenë të përqendruara te kujdesi për të tjerët. Tani ato po zgjedhin veten. Ekziston një lloj lirie e ëmbël në momentin kur më në fund mund të mendojnë për dëshirat e tyre. Shumë pak nga klientet e mia flasin për dëshirën për një partner të ri. Përkundrazi, shumica thonë: ‘Kurrë më’.”
Ky trend nuk është thjesht personal, është një ndryshim kulturor që po prek mënyrën se si ne e kuptojmë martesën, dashurinë dhe lumturinë. /et
Banorë të fshatit Tërovë në bashkinë e Korçës kanë denoncuar se prej disa javësh edhe pse furnizimi me ujë është i pandërprerë gjatë 24 orëve, uji që u vjen në çezmat e tyre mban erë të rëndë dhe është i pakonsumueshëm as për pirje dhe as për gatim.
Në të tilla kushte ata po detyrohen të blejnë ujin për të pirë pasi kanë frikë nga helmimi, gjë që po u rëndon situatën ekonomike.
Në lidhje me këtë shqetësim të banorëve drejtoria e ujësjellës kanalizime të Korçës shprehet jashtë kamerave se i janë bërë analizat e ujit, i cili del brenda parametrave normale për t’u konsumuar.
Por duke patur parasysh shqetësimin e banorëve ka ndërhyre edhe drejtoria rajonale e shëndetit publik e cila gjithashtu ka marrë mostra të ujit dhe pritet të japë edhe ajo një përgjigje mbi cilësinë e ujit dhe sa qëndron shqetësimi i banorëve./mxh