Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se ka një ndryshim orari në ndeshjen e javës së 24-t të kampionatit “Kategoria Superiore”, Partizani – Tirana.
Derbi i kryeqytetit do të zhvillohet të dielën, në orën 16:30, në stadiumin “Air Albania”.
Ky ndryshim është miratuar nga Komisioni i Ligave dhe Garave./et
Parlamenti Evropian ka miratuar një propozim të Komisionit Evropian për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh, për të financuar shpenzimet ushtarake dhe buxhetore.
Anëtarët e Parlamentit Evropian miratuan kredinë për Ukrainën për periudhën 2026-27 me 458 vota pro, me 140 ligjvënës që votuan kundër dhe 44 abstenime, transmeton Telegrafi.
Kredia për Ukrainën përbëhet nga 60 miliardë euro ndihmë ushtarake dhe 30 miliardë euro mbështetje buxhetore të financuara përmes huamarrjes së BE-së.
Vota në Parlamentin Evropian ishte planifikuar më parë për një seancë të posaçme plenare të thirrur më 24 shkurt për të shënuar përvjetorin e katërt të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, por u shty për më 11 shkurt.
Më 19 dhjetor, samiti i Bashkimit Evropian miratoi një vendim për një kredi të përbashkët për t’i siguruar Ukrainës 90 miliardë euro, të cilat mbulojnë dy të tretat e nevojave të Ukrainës në periudhën 2026-27 si në sektorin buxhetor ashtu edhe në atë të mbrojtjes.
Më 4 shkurt, ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper) ranë dakord mbi mekanizmat për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh në vitet 2026-27, duke përfshirë edhe lejimin e vendeve të treta për të marrë pjesë./et
Gjykata Administrative do të zhvillojë më datë 3 prill seancën përgatitore lidhur me kërkesë-padinë e Erion Veliajt për prokurorin e posaçëm, Ols Dado.
Kryebashkiaku pretendon se është emëruar prokuror në kundërshtim me ligjin, pasi nuk kishte kryer Magjistraturën.
Veliaj pretendon gjithashtu se zoti Dado ka kaluar nga statusi i noterit direkt në atë të prokurorit, pa përmbushur kushtet ligjore. /et
Kanë kaluar vetëm 48 orë, nga momenti kur jo vetëm katër përfaqësuesit e UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, por gjithë kombi shqiptar e jo vetëm u shokuan tërësisht nga aktakuza e Prokurosisë Speciale. Madje, jo vetëm formulimi i saj, por edhe shkalla e dëmimit të kërkuar ishte jashtë çdo logjike dhe ndoshta do të kishte qenë me burrërore prejt tyre të kërkonin dënime të përjetshme se sa të fshiheshin pas numrave. Duke dashur të eleminoj çdo emocion apo zëmratë njerëzore, krejtësisht të natyrshme, ndrydha reagimin e menjëhershëm që është krejtësisht normal në një rast të tillë. Por, nuk mundesha ta kapërdij në asnjë moment që njerëzit të cilët rrokën armët për të mbrojtur jetën e tyre e të familjarëve të tyre, shfarosjen që kishte planifikuar regjimi millosheviçian dhe ultranacionalistët serbë jo verëm që ia paskan dalë të realizojnë këtë mbrojtje, por paskan pasur edhe gjithë predispozicionin për të kryer krime. Absurditet të tillë rrallë dëgjon të artikulohet. Por, gjithsesi, aludimet apo interpretimet emocionale nuk përbëjnë argumentet dhe është e vërtetë. Le të fillojmë me argumentet thelbësore. Pyetja shtrohet se çfarë konsiderohen në të drejtën ndërkombëtare “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”?
Dhe nëse konsulton këtë aspekt mëson se:
Në të drejtën ndërkombëtare, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit janë dy kategori të ndryshme, por shumë serioze, të parashikuara kryesisht në:
-Konventat e Gjenevës (1949)
-Statutin e Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN / ICC)
-Të drejtën zakonore ndërkombëtare
Krimet e luftës
Janë shkelje të rënda të ligjeve dhe zakoneve të luftës, që kryhen gjatë një konflikti të armatosur (ndërkombëtar ose civil).
Përfshijnë:
1-Sulme kundër civilëve;
Vrasja e qëllimshme e civilëve;
Bombardime pa dallim;
Sulme ndaj spitaleve, shkollave, objekteve humanitare.
2-Keqtrajtimi i robërve të luftës;
Tortura;
Trajtim çnjerëzor;
Ekzekutime pa gjyq;
3-Përdorimi i armëve të ndaluara
Armë kimike
Armë biologjike
Disa lloje minash ose armësh që shkaktojnë vuajtje të panevojshme
4-Marrja e pengjeve
5-Plaçkitja dhe shkatërrimi i panevojshëm i pronës
6-Rekrutimi i fëmijëve nën 15 vjeç në luftë
Kusht paraprak: duhet të ketë konflikt të armatosur aktiv.
Krimet kundër njerëzimit
Janë akte shumë të rënda të kryera si pjesë e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile, edhe jashtë një lufte.
Përfshijnë:
1- Vrasje masive
2- Shfarosje (extermination)
3- Skllavëri
4- Deportim ose zhvendosje me forcë
5- Burgim arbitrar
6- Torturë
7- Dhunë seksuale e organizuar
8- Përndjekje për motive politike, etnike, fetare
9- Apartheid
10-Zhdukje me forcë e personave
Kusht paraprak: duhet të jetë sulm i organizuar, i gjerë ose sistematik ndaj civilëve.
Dallimi kryesor
Krime lufte
Ndodhin gjatë luftës
Lidhen me shkelje të ligjeve të konfliktit
Krime kundër njerëzimit
Mund të ndodhin edhe pa luftë
Lidhen me sulm sistematik ndaj civilëve
Është një sqarim i domosdoshëm sepse opinioni publik, duhet të jetë shumë i qartë se për çfarë bëhet fjalë konkretisht dhe jo emocionalisht.
Nisur nga këto definicione është absolutisht marrëzi të akuzosh pjestarët apo drejtuesit e UÇK-së për këto krime mizore sepse, edhe sikur të kishin dashur, e kanë pasur të pamundur t’ kryejnë sepse ishin në kushtet e ekzistencës pa pushim. Përballë kishin një nga ushtritë më të organizuara, të armatosur deri në dhëmbë dhe të përgatitur psikologjiisht për spastrim etnik së bashku me paramilitarët e frikshëm. Ishte pikërisht ky fakt, këto krime lufte dhe kundër njerëzimit të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë që detyruan opinionin botëror të reagonte me forcë dhe më pas ndërhyrjen e NATO-s, nga ajëri dhe toka që bënë të mundur eksistencën e shqiptarëve. Krimet e tyre monstruoze ndaj shqiptarëve janë dokumentuar dhe pranuar nga të gjitha institucionet ndërkombëtare politike apo të së drejtës ndërkombëtare. Ku dhe ku kanë kryer sulme sistematike kundër civilëve, ku dhe kur kanë bombarduar spitale, shkolla etj., ku dhe ku kanë kryer torturat çnjerëzore, kur ata lëviznin papushim si për mbijetës ashtu edhe për të ndalur krimet kundër bashkëqytetarëve të tyre. Të trajtosh UÇK-në, një nga lëvizjet më legjitime për mbrojtjen e jetës dhe atdheut njëlloj me ushtrinë sërbe dhe paramilitarët e tyre famëkeqë nuk është më absuditet, por tradhëti ndaj vlerave univerale dhe të drejtave univerale të njeriut. Të vesh kaq qorrazi shenjën e barazimit midis kriminelëve të regjur si Karaxhiç, Arkan e shumë të tjerë me Thaçin, Veselin etj., është ligësi njerëzore, juridike dhe historike. Nuk e di dhe as dua të di se çfarë motivesh i kanë shtyrë prokurorët specialë të shkrijnë kufijtë sublimë midis kriminelëve dhe viktimave, por ajo që del si konkluzion është një precedent i frikshëm dhe i rrezikshëm, pasi agresori do trajtohet si viktimë e viktimat si kriminelë. A thua se UÇK e organziaur dhe e armatosur deri në dhëmbë sulmoi Serbinë dhe kreu gjëma të tilla.
Madje, edhe në momentin që ushtria serbe u largua nga territori i Republikës së Kosovës, ishin trupat e NATO- dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë që kishin kontroll mbi gjithë territorin. Si ka mundësi që nuk konstatuan apo u vunë në dijeni për krime të tilla. Si ka mundësi që me dhjetra gazetarë apo reporterë lufte nuk dhanë asnjë lajm që të tregonte për krime të ndryshme të kryera nga pjestarë të UÇK? Si ka mundësi që përçartje si trafiku organeve apo marrëzi të tilla të besohen kaq kollaj, kur edhe më i painformuari e di se këto janë absolutisht të pamundura të ndodhin objektivisht dhe subjektivisht?!
Por ja që edhe ky absurditet ndodhi. Ndodhi në mes të Europës, kontinentit që ka kaluar kalvare luftrash pafund e dy konflikte botërere në territorin e saj, ku çështja agresor-viktimë është më e qartë se kudo tjetër. Nuk janë emocionet që shkaktuan këtë reagim të gjithë shqiptarëve kudo janë, por është klithmë ndaj padrejtësisë që nuk i bëhet vetëm shqiptarëve, por çdo kombi që ka përjetuar genocidin skundër shqiptarët në çdo cep të planetit.
Është klithmë e viktimave në atë botë e në këtë botë, është klithma e të pafajshmeve të sfarit njerëzor, në Sarajevë, është klithma e çdo viktime të torturuar, abuzuar seksualisht, klithma e fëmijëve të mbetur jetimë e të gjymtuar nga bombardimet apo aktet barbare, është klithma e familjeve të zhdukura dhe gurrëve të rrënojva, është klithma e së drejtës për jetë e liri, që nuk ka aktakuzë burokratësh të llastuar e mirëpaguar ta ndalë për të oshëtirë golbalisht.
Kjo aktakuzë cinike dhe e ligë nuk ka shokuar shiptarët, por çdo njeri të lirë në planet, çdo institucion ndërkombëtar!
Krenarë dhe mirënjohës pa fund për çdo pjestar të UÇK-së, çdo drejtues të saj, për çdo shqiptar që ishte pjesë aktive e rezistencës për mbijetesë dhe lirinë e Kosovës sepse janë shembull që do të gjëmojë përjetë në histori, se si mbijetoi një komb nga shfarosja e nacionalizmit serb!
Sepse Lirika ka emër- UÇK, por po ashtu edhe Krimi ka emër dhe autorë- Millosheviç-Serbi!
Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka reaguar ashpër, duke i cilësuar si skandaloze deklaratat e Sali Berishës lidhur me protestën e zhvilluar të martën. Sipas tij, ka një kontradiktë të hapur mes asaj që thuhet publikisht dhe asaj që ndodh në terren.
“Vjen një moshë që besoj se njeriu nuk mundet ta tejkalojë më vetveten. Dhe doktori këtu, për mua, këto janë deklarata skandaloze që ka bërë. Vetë militantët, militantët e urdhëruar prej tij, hedhin zjarr, hedhin molotovë ndaj policëve, dhe ai thotë që qeveria po i vë zjarrin policisë”, tha Bido.
Deputeti i PS shtoi se Berisha i ishte rikthyer retorikës së përdorur në 21 janarin e vitit 2011. “U kthye dhe filloi të fliste prapë për ato stilolapsat pistoletë, siç doli pas 21 janarit, duke thënë që zjarri ndaj kolegut të Neës24 ishte hedhur nga policia, ndërkohë që ne pamë se kush po e hidhte zjarrin. Filloi të fliste për policët që janë bërë mish për top dhe nuk e kuptoj, kur e kishte vetë në dorë që të mos hidheshin molotovët. Thotë se polici bën detyrën e vet atje. Mjafton që të mos hidhet molotovi dhe nuk ka policë të plagosur. Dhe këto skenat me “Azem, ti je gjallë” i kemi parë edhe në të shkuarën. Shfrytëzimi i dëmtimit të Bledionit, për mua, është i rëndë”, tha Bido. /et
Vendimet për legalizimin e ndërtimeve informale do t’u dërgohen qytetarëve drejtpërdrejt në profilin e tyre në platformën e-Albania. Agjencia Shtetërore e Kadastrës informon se dokumenti do të mbërrijë menjëherë në telefon apo kompjuter, duke eliminuar nevojën për paraqitje fizike në sportele apo pritjen në radhë.
Në këtë mënyrë qytetarët mund të marrin vendimin për legalizimin në kohë reale, me gjurmueshmëri elektronike dhe siguri më të lartë.
Po ashtu në mënyrë elektronike tashmë do të ofrohet edhe një tjetër shërbim siç është aplikimi online për kalimin në pronësi të truallit shtetëror në përdorim.
Aplikimi kryhet elektronikisht, pa nevojë paraqitjeje fizike, duke ngarkuar dokumentacionin përkatës në sistem. Ky shërbim pritet të përshpejtojë proceset e kalimit në pronësi, të rrisë formalizimin dhe të ulë hapësirat për vonesa apo keqkuptime procedurale./et
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka uruar për emërimin në detyrën e Prefektit të Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdarin.
Balla e cilëson një përgjegjësi të rëndësishme në shërbim të qytetarëve dhe të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla theksoi se prefekti ka një rol kyç si përfaqësues në nivel qarku dhe si garant i zbatimit të ligjshmërisë nga organet e pushtetit vendor.
Postimi i Ballës
Urime Prefektit të ri të Qarkut Tiranë!
I urova sot Shkelqim Hajdarit suksese në detyrën e re Prefektit të Qarkut Tiranë, një përgjegjësi e rëndësishme në shërbim të qytetarëve dhe të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional. Prefekti ka një rol të rëndësishëm si përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave në nivel qarku dhe garant i zbatimit të ligjshmërisë nga organet e pushtetit vendor. Tirana, si zemra administrative, politike dhe ekonomike e vendit, kërkon përkushtim, integritet dhe vendimmarrje të drejtë në zbatim të ligjit. Jam i bindur se me profesionalizëm dhe përgjegjësi Shkelqim Hajdari do ta përmbushë me dinjitet këtë mision në shërbim të komunitetit.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka emëruar prokurorin e njohur si i diskutueshëm, Akın Gürlek, si Ministër të Drejtësisë të Turqisë — një lëvizje që ka nxitur reagime të ashpra politike dhe kritika nga opozita dhe organizatat për të drejtat e njeriut.
Kush është Akın Gürlek
Akın Gürlek është një jurist turk dhe ish-prokuror i Përgjithshëm i Stambollit, i cili ka fituar famë e kritikë për rolin e tij në çështje gjyqësore që prekën zyrtarë të lartë dhe figura politike, përfshirë anëtarë të Partisë Republikane Popullore (CHP) — partisë kryesore opozitare në Turqi.
Ai ka lindur më 1982 në Nevşehir të Turqisë dhe ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në sistemin gjyqësor, duke shërbyer si gjyqtar në disa gjykata të rëndësishme para se të emërohej prokuror kryesor i Stambollit.
Pse është figurë e diskutueshme
Akın Gürlek u bë i njohur në publik për hetimet dhe çështjet penale ndaj anëtarëve dhe drejtuesve të partisë opozitare CHP, veçanërisht ndaj kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, një nga kundërshtarët më të fortë politikë të Erdoganit. Gjatë kohës së tij si prokuror, janë ngritur akuza dhe janë bërë arrestime që sipas kritikëve janë politike dhe të motivuara nga interesi i qeverisë, një pretendim që vetë autoritetet turke i mohojnë.
Opozita e ka quajtur emërimin e tij si një “shpërblim për operacionet ligjore që ka ndërmarrë kundër tyre”, duke argumentuar se kjo lëvizje forcon kontrollin e pushtetit ekzekutiv ndaj sistemit të drejtësisë.
Çfarë nënkupton emërimi i tij si Ministër i Drejtësisë
Akın Gürlek mori detyrën e Ministrit të Drejtësisë më 11 shkurt 2026, duke zëvendësuar Yılmaz Tunç në një ndryshim kabineti — pjesë e një riorganizimi të qeverisë nga Presidenti Erdoğan.
Ky është ndryshimi i parë i madh në Kabinet që nga zgjedhjet e vitit 2023, dhe shumë analistë e shohin këtë si një sinjal se qeveria dëshiron të forcojë drejtësinë penale në qendër të agjendës politike, veçanërisht në kohë kur ka debate për reforma kushtetuese dhe sfida politike nga opozita.
Reagimet politike
– Opozita e ka kritikuar ashpër emërimin, duke argumentuar se ai përfaqëson një instrumentalizim të drejtësisë për qëllime politike.
– Qeveria dhe mbështetësit e Erdoganit thonë se emërimi reflekton besimin në përvojën dhe aftësitë e tij profesionale. (përmendet në raporte të mediave ndërkombëtare) /kb
Kryetari i Partisë Demorkatike, Sali Berisha, tha sot se protesta e djeshme e opozitës ishte një kapitull i ri për vendin, përmes kryengritjes paqësore kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Në një konferencë nga selia e PD-së, Berisha u shpreh se pjesëmarrja e djeshme bindi shqitparët për gjendjen e qeverisë dhe fitoren e sigurt mbi të.
“Protestuestit dje i zbardhën faqen Shqipërisë. Shënuan një kapitull të ri në kryengritjen paqësore të popullit shqiptar kundër narkoregjimit të Edi Ramës. Pas 20 shkurtit 1991, 10 shkurti 2026 do të shënohet në përpjekjen e shqiptarëve për dinjitet kombëtar e njerëzor si ngjarja më e rëndësishme dhe faqja më e ndritur për çlirimin nga autodiktatura kriminale që kryesohet nga Edi Rama. Mirënjohje atyre, që dje rikthyen shpresën dhe besimin e shqiptarëve në triumfin e tyre mbi narkoshtetin. Shqipëria është tjetër sot, nuk është kurrë më ajo e një dite më parë. Kjo është meritë e madhe e njerëzve të idealeve dhe sakrificës, të gatshëm në mbrojtjen e idealeve më të çmuara. Bindi çdo shqiptar se fitorja mbi narkoregjimin është e sigurt dhe se Rama është kufomë politike e pakallur. Regjimi i i tij kundërmon dhe duhet hedhur sa më parë”,-tha Berisha./Kb
Reshjet e shumta të javëve të fundit në juglindje kanë krijuar probleme serioze në tokat bujqësore, veçanërisht për kulturat e lashta si gruri dhe elbi. Lagështira e tepërt dhe mungesa e kullimit po rrezikojnë drejtpërdrejt rendimentin e këtij sezoni, sidomos në zonat fushore.
Specialistët e bujqësisë theksojnë se kullimi është kushti kryesor që këto kultura të shprehin potencialin e tyre prodhues. Teprica e ujit në tokë dëmton rrënjët, ul aktivitetin mikrobiologjik dhe prish strukturën e saj, duke i bërë bimët më të ndjeshme ndaj sëmundjeve.
“Gruri, elbi dhe të lashtat e tjera duhet të plotësojnë një sërë kushtesh për të shprehur aktivitetin e tyre prodhues. Ndër këto kushte, rëndësia më e madhe është kullimi, për shkak edhe të reshjeve të shumta kohët e fundit. Teprica e ujit shkakton dëme të mëdha në këto kultura: rrënjët mbeten në sipërfaqe, ulet aktiviteti mikrobiologjik i tokës, prishet struktura e saj nga prania e tepërt e ujit dhe bimët janë më të predispozuara të preken nga sëmundjet”,-thekson Përparim Kuqo, Specialist pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore.
Specialistët kërkojnë ndërhyrje urgjente për hapjen dhe mirëmbajtjen e kanaleve kulluese, si dhe planifikimin e plehërimit plotësues, për të minimizuar humbjet.
“Duhen hapur me patjetër kanalet kulluese dhe të jenë në gatishmëri gjatë gjithë kohës. Kjo duhet të jetë një masë urgjente. Fermerët duhet të planifikojnë edhe plehërimin plotësues, sepse është një masë e domosdoshme”,-shprehet Kuqo.
Situata paraqitet më problematike në Bashkinë e Maliqit, ku sipërfaqe të konsiderueshme vijojnë të jenë të mbuluara me ujë. Nëse situata e lagështirës vazhdon, rendimenti i këtij viti për grurin dhe elbin pritet të jetë i kufizuar, me ndikim më të theksuar në parcelat që kanë mbajtur ujë për një kohë të gjatë.
“Dëmi që kemi, sidomos në Bashkinë e Maliqit, është goxha i konsiderueshëm. Ka ende sipërfaqe të mbuluara me ujë. Edhe në Qendrën e Transferimit të Teknologjisë Bujqësore kemi deri në 2 hektarë të mbuluar me ujë, pavarësisht masave që kemi marrë. Rendimenti i sivjetshëm do të jetë i kufizuar, sidomos në ato parcela që kanë mbajtur lagështi, më i theksuar në Bashkinë e Maliqit”,-tha specialisti.
Ndërsa fushat në disa zona vijojnë të jenë të mbuluara nga uji, sfida për fermerët mbetet rikthimi i tokës në kushte normale prodhimi. Specialistët theksojnë se vetëm përmes masave të menjëhershme për kullimin dhe kujdesit të shtuar agroteknik mund të zbuten dëmet, në të kundërt, prodhimi i grurit dhe elbit këtë vit do të jetë dukshëm më i ulët në zonat më të prekura.
Në këto kushte, fermerët mbeten në pritje të përmirësimit të motit dhe ndërhyrjeve të shpejta në sistemet kulluese, me shpresën për të shpëtuar sa më shumë nga prodhimi i këtij viti./Kb
11 shkurt 2026 – Këshilli i Evropës, organizata kryesore evropiane për të drejtat e njeriut që përfshin 46 vende anëtare, ka vendosur të heqë imunitetin diplomatik të Thorbjørn Jagland, ish-Sekretarit të Përgjithshëm të saj — hap që lejon hetimin e tij zyrtar nga autoritetet norvegjeze në lidhje me dosjet e Jeffrey Epstein.
Çfarë ndodhi?
Jagland, politikan i njohur norvegjez — i cili ka shërbyer gjithashtu si kryeministër i Norvegjisë, ministër i Jashtëm dhe kryetar i Komitetit të Çmimit Nobel për Paqen — është nën hetim nga policia norvegjeze për dyshime për korrupsion të rëndë, lidhur me dokumentet e botuara që lidhen me Jeffrey Epstein, financieri amerikan i dënuar për abuzim seksual.
Për shkak se Jagland gëzon imunitet diplomatik për veprimet e tij zyrtare gjatë kohës kur drejtoi Këshillin e Evropës (nga 2009 deri 2019), hetimi kishte qenë në pengesë — deri tani. Këshilli i Evropës pranoi kërkesën e autoriteteve norvegjeze dhe heqja e imunitetit u miratua nga Komiteti i Ministrave të 46 vendeve anëtare.
Pse po hetohet?
Hetimi nuk nënkupton se Jagland është fajtor — deri më tani nuk është ngritur akuzë formale. Por policia norvegjeze po heton nëse gjatë lidhjeve të tij me Epstein ai ka pranuar dhurata, udhëtime të paguara, huamarrje ose përfitime të tjera, që mund të konsiderohen si forma korrupsioni apo ndikimi të pahijshëm, përfshirë edhe plane private udhëtimesh me familjen.
Avokati i tij tha se Jagland e merr këtë çështje seriozisht dhe do të bashkëpunojë me hetimin.
Çfarë janë “dosjet Epstein”?
Që nga fundi i vitit të kaluar, një sasi dokumentesh e mesazhe elektronike të sekuestruara në hetimet amerikane për Epstein janë bërë publike. Këto dosje përmbajnë referenca të shumta për figura të shquara nga politika, biznesi dhe aristokracia evropiane dhe amerikane, duke nënkuptuar lidhje të ndryshme me financierin e dënuar. Këto zbulime kanë shkaktuar hetime të reja në disa vende dhe shqetësime të mëdha mbi ndikimin dhe marrëdhëniet me personalitete të larta. /kb
Ky artikull i botuar nga Corriere della Sera analizon ndryshimet e fundit në strukturën e komandës ushtarake të NATO-s, duke theksuar një zhvendosje të pjesshme të përgjegjësive nga Shtetet e Bashkuara drejt aleatëve europianë.
Është një hap pas i amerikanëve brenda NATO-s dhe, për pasojë, një hap përpara për europianët.
Komanda Supreme Ushtarake e Aleancës mbetet nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara, pikërisht të gjeneralit Alexus Grynkewich, i cili mbikëqyr të gjitha operacionet nga selia qendrore në Mons, Belgjikë.
Alexus Grynkewich
Por dje, 10 shkurt, Komiteti Ushtarak, i përbërë nga përfaqësuesit e 32 vendeve anëtare, konfirmoi vendimin për të rishpërndarë detyrat në tre qendrat operative, “Joint Force Command”, që raportojnë direkt te Grynkewich. Shtetet e Bashkuara do t’i lënë Italisë udhëheqjen e Komandës së Napolit, ndërsa Mbretëria e Bashkuar do të marrë drejtimin e Komandës së Norfolk në Virxhinia.
Në qendrën e tretë, me bazë në Brunssum, në Holandë, një gjeneral polak do të shoqërojë kolegun e tij gjerman, Ingo Gerhartz.
Ndryshimet, sipas faqes së NATO-s, do të ndodhin gradualisht gjatë viteve.
Nuk ekzistojnë rregulla që përcaktojnë kohëzgjatjen e mandatit të një komandanti në këtë nivel, por zakonisht qëndrohet 2-3 vjet. Në Napoli, admirali i Marinës amerikane, George Wikoff, mori detyrën më 19 nëntor 2025, ndaj duket se do të kalojë pak kohë para se një zyrtar italian të marrë rolin e tij.
Megjithatë, ky është një ndryshim i rëndësishëm.
George Wikoff
Ministria e Mbrojtjes, nën drejtimin e Guido Crosetto, e konsideron këtë vendim si një njohje për qeverinë italiane, që prej kohësh ka theksuar rëndësinë strategjike të krahut jugor të NATO-s.
Reagime të ngjashme vijnë edhe nga Mbretëria e Bashkuar: britanikët do të udhëheqin aktivitetet e bazës së Norfolk, duke garantuar sigurinë e rrugëve transatlantike dhe mbrojtjen e Groenlandës. Ky është një detaj interesant, edhe pse tensioni rreth Ishullit të Arktikut, i nxitur nga kërcënimet e mundshme për aneksim nga Trump, është ulur ndjeshëm.
Gjermanët dhe polakët, nga ana tjetër, do të menaxhojnë së bashku nga Brunssum, rajonin e Europës Lindore. Edhe këtu duket qartë ngarkesa e përgjegjësisë që i jepet Polonisë, një nga vendet më të vendosura për të mbështetur rezistencën ukrainase kundër agresionit të Vladimir Putinit.
Baza e Norfolk
Presidenti i Komitetit Ushtarak, admirali Giuseppe Cavo Dragone, komentoi skenarin e ri përmes një postimi në platformën “X”:
Është një arritje historike, aleatët europianë, përfshirë edhe anëtarët e rinj, janë thirrur të luajnë një rol më të fortë në udhëheqjen ushtarake të Aleancës.
Cavo Dragone thekson se Shtetet e Bashkuara konfirmojnë “angazhim të fortë ndaj NATO-s”.
Washingtoni, përveç që mbetet në krye të hierarkisë, përfundon edhe zinxhirin e tre komandave taktike, duke marrë nga britanikët kontrollin e “Allied Maritime Command” (Marcom), i vendosur në Northwood, pranë Londrës.
Dy qendrat e tjera nën drejtimin amerikan janë “Air Command” në Ramstein, Gjermani, dhe “Land Command” në Izmir, Turqi.
Dokumentet e NATO-s shpjegojnë se tre strukturat “taktike” janë “shtesë” për të treja komandat operative, por Northwood, Izmir dhe Ramstein ofrojnë analizat e nevojshme për menaxhimin e krizave ose situatave emergjente.
Cavo Dragone
Këto janë aspektet tekniko-ushtarake, të cilat natyrisht rrjedhin nga ndryshimi politik i vendosur nga Washingtoni.
Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga aleatët një ndarje më të madhe të shpenzimeve që nga koha e Barack Obama-s.
Donald Trump shtyn për një hap më tej: jo vetëm shpenzimet, por edhe përgjegjësitë e komandës në rajonet ku mund të delegohet drejtimi duhet të shpërndahen. Atlantiku është i mbrojtur nga kërcënime të menjëhershme dhe për këtë mund t’i besohet partnerëve më të ngushtë, britanikëve.
Mesdheu është vazhdimisht nën vëzhgimin e Flotës së 6-të amerikane, ndaj koordinimi i NATO-s mund t’i lihet Italisë.
Sa i përket Lindjes dhe Ukrainës, kjo lëvizje përputhet me linjën e Trump: le t’i menaxhojnë europianët./kb
Edhe në Durrës banorët që preken nga projekti “TID Durrës”, kanë protestuar përpara Bashkisë. Ata janë kundër trajtimit me qira pa arritur dakordësimin e shpronësimit të pronave të tyre. Gjatë protestës qytetarët u përplasën me këshilltarët dhe punonjësit e policisë, teksa këta të fundit kanë kryer dhe arrestime.
Banorët kërkuan fillimisht të hyjnë në mbledhjen e këshillit bashkiak për të ndalur nisjen e diskutimeve. Disa prej këshilltarëve që u paraqitën me vonesë, u penguan nga protestuesit të hynin në bashki, teksa nuk munguan as përplasjet fizike dhe ofendimet ndaj tyre.
Kërkesës së banorëve për të penguar këshilltarët të marrin pjesë në mbledhje, efektivët e policisë iu përgjigj me arrestime. Sipas bashkisë, është miratuar në parim vlera financiare e shpronësimit prej 867.776.164 lekë, për pasuritë pronë private, që preken nga ky investim publik.
Janë evidentuar 131 pronarë (privatë dhe shtet) për të cilët është caktuar vlera e shpronësimit. Projekti i rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn”, i njohur si TID Durrës, parashikon shpronësimin e 74 familjeve durrsake, i cili sipas zhvilluesve parashikon ta rikthejë qytetin e Durrësit në hartën Europiane të destinacioneve kulturore dhe historike, si dhe të ofrojë mundësi përfitimi ekonomik nëpërmjet trashëgimisë së pasur kulturore dhe historike të qytetit për komunitetet lokale./kb
Kryeministri Edi Rama dhe Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, janë fotografuar paraditen e sotme duke biseduar në ambientet e korridorit të Kryeministrisë, ku pak minuta më parë u zhvillua prezantimi i 14 shërbimeve te reja si pjesë e programit “Fondi Social 2026”.
“Ka një gjë në protokollin shqiptar, që personi më i rëndësishëm flet i fundit. Kështu që ju kërkoj ndjesë zoti kryeministër që do të na dëgjoni të gjithëve”,-tha me shaka Gonzato.
Ndërsa kryeministri Edi Rama iu përgjigj ambasadorit pak çaste më vonë, kur mbajti fjalën e tij të rastit.
“I kam të kursyera falënderimet me ambasadorët se ata bëjnë detyrën e tyre dhe duket sikur bëjnë ndonjë sakrificë që janë me ne”,-tha Rama.
Ndoshta edhe pas takimit, Rama e Gonzato kanë vijuar batutat, edhe pse nga mimika e të dyve duket sikur po shkëmbehet një komunim për ndonjë çështje politike serioze./Kb
Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla ka reaguar në rrjetet sociale pas dënimit të tij me një vit burg.
Memolla u dënua nga Apeli i GJKKO-së dy ditë më parë, më ppas u vetëdorëzua në polici dhe ditën e djeshme u dërgua në burgun e Rrogozhinës.
Në reagimin e bërë, Memolla e cilëson veten një të burgosur politik dhe pretendon se është dënuar nga gjyqtarë që i cilëson kundërshtarë politikë.
Më tej, në reagimin e tij, Memolla shprehet se është sulmuar dhe burgosur sepse ka ndihmuar dikë në nevojë si dhe deklaron se do ta çojë çështjen në Straburg.
Kryebashkiaku socialist akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” i kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet e SPAK-ut është konstatuar dhe provuar se Memolla, në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022, ka ndikuar tek elektricisti Blerim Xhamani që të mos i ndërpresë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim votën në favor të tij, si dhe komunikoi me të për punësimin në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës.
Reagimi i Memollës
Miqtë e mi, t’ju flas tashmë në cilësinë e një ish kryetari është normale por në cilësinë e një të burgosuri politik me apo pa të drejtë sigurisht që është e rëndë.
Së pari, falenderoj me zemër çdo mik/e, shok/shoqe, koleg/e, mbështetës/e, qytetar/e dhe familjarë për mbështetjen e pakufijshme që më keni dhënë nga dhjetori i vitit 2020 e deri më sot, bashkë kaluam sfida përtej asaj çfarë mendonim se ishim të aftë të përballonim por sot fjalët për të përmendur arritjet tona mendoj që janë të tepërta pasi kush ka pasur sadopak besim dhe dëshirën e mirë, ka parë transformimin dhe ‘luftën’ e pastër që të gjithë bashkë kemi bërë krah për krah për të bërë më të mirën për qytetin tonë.
Së dyti, kushtet në të cilat flas nuk janë absolutisht ato që prisja nga vetja ime dhe nga drejtësia për të cilën kam luftuar fort, por mesa duket tentakulat e gjyqtarëve kundërshtarë politik, shtrihen më gjerë sesa besimi dhe forca që ka drejtësia e re, ama lufta ime nuk mbaron këtu, do përdor çdo mundësi ta fitoj të drejtën time deri në Stasburg.
Së treti, fjala merr dhenë më shpejt se era dhe përveçse flitet se këtë situatë e kam “peshqesh” nga kundërshtarë politik, nuk më pëlqen aspak ideja që diskutimi zgjerohet duke thënë që “peshqeshi” vjen nga rradhët e partisë socialiste qoftë brenda qytetit apo më lart.
Miqtë e mi, me Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama në krye, në Rrogozhinë, kemi fituar pesë palë zgjedhje, qytetarët na besuan plot pesë herë për aq kohë sa kam qenë drejtues apo kandidat, nëse do kishte sulme personale, askush s’do më kishte lejuar të ushtroja këtë “pushtet” me të gjithë ju përkrah nëse punët do ishin ndryshe nga çfarë janë, unë jam socialist dhe i tillë do mbetem dhe ju duhet të siguroheni që me ose pa mua të qëndroni të bashkuar, mos lejoni as kundërshtarët politik dhe as njëri tjetrin që t’ju distancojë nga qëllimi final, këto s’janë vetëm fjalët e një të burgosuri por janë fjalët e dikujt që njeh çdo rrënjë, degë apo gjethe të familjes së madhe socialiste.
Së katërti, sulmet personale, politike madje edhe familjare kanë qenë të njëpasnjëshme që në momentin që kam futur këmbët në zyrën e kryetarit të bashkisë Rrogozhinë dhe kam pasur bindjen që janë normale por të sulmohem dhe të burgosem sa kam ndihmuar dikë në nevojë, e kam shprehur dhe do ta them sërish…sa herë të kem mundësi t’i qëndroj pranë dikujt në vend që ta “gjunjëzoj” përballë vështirësive të jetës, çdo herë do kisha bërë të njëjtën sjellje për ta ndihmuar, qoftë kjo për energjinë elektrike apo nevoja të tjera jetësore. Kryetarllëku ikën e vjen po dashtë zoti jeta do të jetë shumë më e gjatë sesa kaq.
Së pesti, do ketë plot që do mërziten sikundër do jenë të shumtë dhe ata që janë gëzuar për gjendjen ku ndodhem, kam dy fjalë edhe për këtë…ndoshta do quhem i korruptuar, ndoshta hajdut, ndoshta i pabesë, ndoshta zaptues i asaj karrigeje, ndoshta do përflitem që mora apo lash stafetë kur ndërkoh aty vendoset ai që populli dhe drejtuesit mendojnë të aftë, ndoshta quhem si dikush që i ka rënë dikujt kot në qafë, mund të hidhet vrer mbi mua apo dhe ndaj familjes time, këto janë fjalë që do thuhen qofsha un më i miri apo më i keqi drejtues që ka qenë në krye të atij institucioni por dëshira e mirë dhe të kem dinjitetin tim të paprekur kanë qenë gjithnjë udhëheqësit e mi kryesor.
Së fundmi, qyetarëve i uroj përzemërsisht të kenë shëndet, mbarësi dhe dashuri në familjet e tyre.
Mbështetësve i them besojnë fort që më e mira është përpara, fati bëri një lojë tjetër me mua dhe vendosi që të vuaj dënimin në një institucion për të cilin u bë “molla e sherrit” në “kulmin” e karrierës sime por siç kuptuam edhe atëherë, fundi mund të jetë afër por shpresa për më mirë nuk ka asnjëherë fund. Vazhdoni të besoni dhe të luftoni për idealet tuaja, pavarësisht pengesave që do dalin para.
Dhe e fundit edhe më e rëndësishme, i them familjes dhe të afërmve të mi që të rrijnë me kokën lart, Edisoni juaj është i burgosur por nuk është kriminel, Edi juaj as nuk ka vrarë, as nuk ka prerë dhe as nuk ka vjedhur, ju s’keni gabuar askund ndaj mos u mërzisni, është thjeshtë një sfidë tjetër të cilën do ta kalojmë të gjithë bashkë me miq e shokë zemre pranë.
Për të gjithë…nuk është një lamtumirë por vetëm një mirupafshim për një kohë të caktuar, zoti ju bekoftë!/kb
Më 11 shkurt 2012 ndahet nga jeta këngëtarja ikonike e muzikës pop
Nga Leonard Veizi
Letrarisht, mund të themi se në panteonin e artit shpesh ngjiten zëra që shërbejnë si dritë po aq sa ngjiten dhe zëra që peshojnë sa vetë historia. Por Uitni Hjoustën ishte shkrirja e magjishme e të dyjave: një katedrale prej qelqi dhe ari që vibronte mes triumfit hyjnor dhe brishtësisë njerëzore…
…Kur heshtja ra mbi atë dhomë hoteli në shkurtin e vitit 2012, bota nuk humbi vetëm divën, por frekuencën më të lartë të shpirtit që muzika kishte njohur deri atë kohë. Ajo ishte një yll që digjej me një flakë aq intensive, sa shpesh përvëlonte edhe vetë dorën që e mbante, duke na kujtuar se pas çdo note të paarritshme fshihej një grua që kërkonte thjesht strehë nga stuhia e famës. Sot, portreti i saj nuk vizatohet me penela, por me jehonën e pandalshme të një zëri që refuzon të shuhet, duke mbetur dëshmia e përjetshme se disa shpirtra janë krijuar vetëm për të fluturuar, edhe kur krahët u rëndojnë nga suksesi.
Vdekja
Më 11 shkurt 2012, bota humbi një nga yjet më të mëdhenj të muzikës pop, Uitni Hjoustën, e cila u gjet pa jetë në hotelin Beverli Hilton në Los Anxhelos, vetëm një natë para ceremonisë vjetore të çmimeve muzikore. Humbja e saj ishte një tronditje e thellë për industrinë muzikore dhe për publikun global, që kishte rritur dhe dashur një zë që nuk kishte vetëm forcë teknike, por edhe një fuqizim emocional të pakrahasueshëm.
Simboli
Uitni Hjoustën ishte më shumë se një këngëtare; ajo ishte simbol i viteve ’80 dhe ’90, ikonë e kulturës pop dhe model për breza të rinj artistësh. Zëri i saj, i fuqishëm dhe i butë njëkohësisht, mund të mbushte sallat më të mëdha dhe të prekte zemrat më të vogla. Interpretimet e saj në hitet si “Unë do të të dua gjithmonë” dhe “Dashuria më e madhe nga të gjitha” nuk ishin thjesht këngë: ato ishin rrëfime të përjetshme të dashurisë, humbjes, shpresës dhe triumfit personal.
Aktorja
Por portreti i Uitnit nuk përbëhet vetëm nga lavdia dhe çmimet, nga Grammy-t dhe ekranet e kinemasë ku ajo interpretoi në filma si “The Bodyguard” apo i ardhur në shqip si “Truproja”. Ai është edhe portreti i një njeriu që u përball me sfidat e famës dhe peshën e pritshmërive të pafundme. Jeta e saj private shpesh u bë lajm, me beteja ndaj varësive dhe marrëdhënie të vështira, duke treguar se pas një zëri engjëllor që pushtonte skenën fshihej një shpirt i brishtë dhe thellësisht i ndjeshëm.
Ikona
Uitni Hjoustën mbetet një ikonë që tejkalon kohën. Ajo na la një dhuratë të jashtëzakonshme: një repertor këngësh që vazhdon të emocionojë dhe frymëzojë, si dhe një kujtesë të fuqisë së muzikës për të bashkuar njerëzit përtej kulturave dhe brezave. Zëri i saj mund të ketë heshtur fizikisht, por pasqyra e saj artistike vazhdon të shkëlqejë, duke na kujtuar se disa yje nuk shuhen kurrë — ata vetëm ndryshojnë formë, duke mbetur të pavdekshëm në zemrat e publikut.
Epilogu
Uitni ishte një legjendë e vërtetë, një zë që nuk mund të imitohej, një personalitet që nuk mund të harrohej dhe një simbol i përjetshëm i muzikës që preku botën me fuqinë e emocioneve të saj.
Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural zhvilluan një takim me bankat tregtare për të diskutuar progresin dhe perspektivën e Skemës së Garancisë Sovrane për sektorin bujqësor.
Takim i nivelit të lartë kishte në fokus Skemën e Garancisë Sovrane në Bujqësi dhe Programit të Financimit të Biznesit Mikro, të Vogël dhe të Mesëm nga sektori bankar.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi se kjo skemë është një instrument plotësues që forcon transmetimin e kreditimit drejt ekonomisë reale, duke ruajtur njëkohësisht parimet e menaxhimit të kujdesshëm të rrezikut dhe stabilitetin financiar.
Sejko nënvizoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm mes autoriteteve dhe sektorit bankar për të rritur efektivitetin e saj.
Gjatë takimit u vlerësua rritja e interesit dhe aplikimeve nga fermerët dhe bizneset agro-përpunuese, si dhe nevoja për të përmirësuar më tej aksesin në financim për bujqësinë. Palët riafirmuan angazhimin për bashkëpunim të ngushtë, me synim rritjen e kreditimit, nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik./Kb
Kanadaja është tronditur nga një sulm i rëndë me armë zjarri që ndodhi në një shkollë të mesme në provincën e British Columbia.
Sipas mediave kanadeze, disa persona humbën jetën dhe të tjerë mbetën të plagosur pasi një person i armatosur hapi zjarr brenda objektit shkollor. Autori i dyshuar u gjet më vonë i vdekur.
Dëshmia e nxënësit
Një nxënës i klasës së fundit përshkroi momentet e tmerrit brenda shkollës. Ai tregoi se sapo u dha alarmi për mbyllje emergjente (lockdown), mësuesit dhe nxënësit vepruan menjëherë për të siguruar klasën.
“Morëm tryeza dhe i vendosëm pas derës për ta bllokuar,” tha ai.
“Qëndruam të heshtur brenda për më shumë se dy orë. Në fillim nuk e kuptonim çfarë po ndodhte, por më pas filluan të qarkullonin informacione në telefonat tanë dhe e kuptuam se situata ishte shumë serioze.”
Nxënësit qëndruan të mbyllur deri në momentin kur policia i nxori jashtë në siguri.
Reagimi i autoriteteve
Policia bëri të ditur se nuk ka rrezik të mëtejshëm për komunitetin dhe se hetimet për motivin e sulmit janë në vijim. Emrat e viktimave nuk janë bërë ende publikë.
Kryeministri i Kanadasë shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe e cilësoi ngjarjen si një tragjedi që ka tronditur gjithë vendin.
Një komunitet në shok
Ngjarja ka tronditur thellë komunitetin lokal, një zonë e vogël ku banorët njihen mes tyre. Shkolla do të qëndrojë e mbyllur përkohësisht, ndërsa ofrohet mbështetje psikologjike për nxënësit dhe familjet./kb
Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetic, në parashtrimin e argumenteve ditën e sotme në gjyqin në Hagë, është ndalur tek argumentet e ZPS-së për ndërmarrje të përbashkët kriminale.
Avokati Luka Misetic deklaroi se nuk ka prova apo dokumente ku tregohet se është rënë dakord për këtë organizatë. Më tej, avokati tha se asnjë dëshmitar nuk ka folur për ekzistencën e kësaj ndërmarrjeje.
Mbrojtja e Thaçit u shpreh se në lidhje me ndërmarrjen e përbashkët kriminale që pretendohet, prokuroria nuk ka bërë asnjë pyetje ndaj asnjë dëshmitari.
Avokati Misetic tha se në një pjesë të madhe të kohës që i referohet aktakuza, Hashim Thaçi nuk ka qenë fare në Kosovë. Fakt të cilin Prokuroria Speciale përpiqet ta anashkalojë.
“Nuk ka pasur prova të takimeve ku është diskutuar ky synim, dokumente shkresore që të tregohet se është rënë dakord apo është diskutuar ky synim, nuk ka dhënë dëshmi asnjë dëshmitar lidhur me ekzistencën e këtij synimi. Në fakt, secili prej dëshmitarëve që e ka pasur mundësinë të flasë për këtë çështje, e ka hedhur poshtë teorinë e ZPS-së, dhe për më keq, ZPS-ja nuk i ka bërë pyetje asnjë dëshmitari.
Prokuroria përpiqet që ta anashkalojë problemin e mungesës së zotit Thaçi në Kosovë, duke argumentuar se anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm janë konsultuar përmes telefonit apo janë njoftuar më pas lidhur me rezultatet e takimeve të Shtabit të Përgjithshëm”, tha avokati./Kb
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në prezantimin e 14 shërbimeve të programit “Fondi Social 2026 – Garanci për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve për Mirëqenien e Qytetarëve”. Në fjalën e mbajtur, Rama tha se përpjekja nisi me një borxh të madh të akumuluar që duhej adresuar me shumë përpjekje.
Më tej, kryeministri u shpreh se krahas adresimit të borxhit u desh një punë shumë e madhe dhe për ndërtimin e një qasje të re ndaj çështjes.
“Përpjekja nisi në kushtet tejet të vështira me një borxh të akumuluar prej dhjetëra miliona eurosh ndaj personave me aftësi ndryshe dhe ndaj familjeve me ndihmë ekonomike. Ishte një borxh i madh në malin e borxheve të trashëguara që u desh adresuar me shumë përpjekje. Paralelisht me shlyerjen e borxhit dhe me ndërtimin e qasjes së re, është dashur një punë e madhe. Risia në këtë shërbim ka qenë shtrirja dhe në nivel vendor”, tha Rama.
Gjatë fjalës së mbajtur, Rama nuk kurseu as batutat me ambasadorin e BE-së, Gonzato, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në event. Rama tha se i ka të kursyera falënderimet për ambasadorët pasi duket sikur po bëjnë ndodnjë sakrificë, por thjesht po bëjnë detyrën.
Më tej, Rama vlerësoi mbështetjen e Komisonit Europian, ku tha se pa ata nuk do të ndodhte fondi social.
“I kam të kursyera falënderimet me ambasadorët se ata bëjnë detyrën e tyre dhe duket sikur bëjnë ndonjë sakrifikcë që janë me ne. Nuk do të ndodhte pa mbështetjen e Komisionit Europian. Është një vizion i bazuar në strategji, gjë që e përgëzoi dhe përfaqësuesi i UNICEF-it. Na ka ndihmuar shumë ndërveprime me Komisonin Europian dhe procesi i negociatave. Mësimet e marra në këtë proces janë përkthyer në një rezultat këtu”, tha Rama./kb