Një akt i vetëm mirësie më kujtoi se, pavarësisht kaq shumë provave për të kundërtën, engjëjt më të mirë të natyrës sonë nuk janë domosdoshmërisht të dënuar
Martin Kettle*
Ndoshta po kërkon arsye për të qenë më optimist në fund të një viti që ka qenë veçanërisht dëshpërues? Nëse është kështu, vazhdo leximin. Në nëntor, po udhëtoja me tren drejt Londrës. Kur zbrita nga treni dhe iu drejtova barrierës së biletave, kuptova se nuk e kisha portofolin. E dija që e kisha pasur kur hipa në tren. Fillova një kërkim të padenjë në xhepat e palltos, xhaketës dhe pantallonave, një skenë që do t’u kishte shkuar për shtat aftësive komike të Çarli Çaplinit ose Zhak Tatis. Por nuk kishte asnjë dyshim: disi kisha arritur ta lija portofolin në tren.
Një punonjës i sjellshëm i stacionit mori të dhënat dhe tha se do ta përcillte mesazhin përgjatë linjës. I lashë numrin e telefonit. Por ishte orë piku, më vuri në dukje ai, dhe shanset për ta marrë portofolin mbrapsht kishin shumë gjasa të ishin zhdukur bashkë me trenin që po largohej. Ndërkohë telefonova bankën dhe, pas disa përpjekjesh, arrita të bllokoja kartat. U ndjeva tmerrësisht budalla, i plakur dhe i turpëruar. Shkova të pija diçka me miqtë dhe u mëshirova vetveten.
Disa orë më vonë, hodha një sy në telefon. Mes email-eve ishte një nga një grua e quajtur Natalja. Ajo shpjegonte se e kishte gjetur portofolin tim në tren dhe se tashmë e kishte dorëzuar te shërbimi i sigurisë në zyrat e “Guardian”-it. Çdo gjë ishte e paprekur, përfshirë kartat dhe pak para cash. Ajo kishte vënë re lidhjen me “Guardian”-in falë kartës sime të Unionit Kombëtar të Gazetarëve dhe kishte marrë mundimin jo të vogël të shkonte vetë në zyrë për ta dorëzuar portofolin.
Një nga miqtë e mi ka zakon t’i pyesë njerëzit, në këto kohë të errëta politike, nëse mund të përmendin tri gjëra që duhet të na japin të gjithëve arsye për optimizëm. Mund ta provosh edhe ti, sepse është më e vështirë nga sa duket, por për mua, historia e mirësisë së Nataljas ofron një fillim qetësues. Më duket se Shekspiri duhet të ketë pasur parasysh një histori të tillë kur shkroi atë varg të bukur te “Tregtari i Venecias” për qiririn, rrezja e të cilit ndriçon si një vepër e mirë në një botë të keqe.
Në mënyrë inkurajuese, nuk jam i vetëm. Vetëm dy javë pasi mora portofolin mbrapsht, lexova një artikull nga gazetari i shkëlqyer i “Belfast Telegraph”, Sam Mekbrajd, i cili fillonte kështu: “Javën e kaluar isha gati të hipja në një autobus në qendër të Belfastit, kur kuptova se portofoli që mendoja se ishte në xhepin e pasmë nuk ishte aty, nuk ishte në çantë, nuk ishte në pallto – nuk ishte askund mbi mua.” Dhe po, e merr me mend vazhdimin. Pak më vonë, telefoni i Samit ra me lajmin se shoferi i autobusit e kishte dorëzuar portofolin, me paratë të paprekura.
Ndoshta përvoja e Mekbrajdit dhe e imja ishin thjesht një rastësi – dy gazetarë të ndarë nga Deti Irlandez që përjetuan të njëjtin fat të mirë në të njëjtën kohë. Ndoshta, nëse është kështu, ato ilustrojnë një version të teorisë thellësisht të diskutueshme të Rupert Sheldrake për shkakësinë formuese, ose të ashtuquajturën rezonancë morfike, sipas së cilës njerëzit në vende të ndryshme disi mësojnë të sillen ndryshe pa i nxitur askush dhe pa e orkestruar askush këtë sjellje.
Shpjegimi më i sigurt, megjithatë, është thjesht se ka më shumë Natalja sesa mund të mendosh. Ndoshta shumë më tepër. Nuk po them se, nëse humb portofolin, mund të të garantoj një qytetar të vëmendshëm e të ndershëm që do të sigurojë kthimin e tij. Siç thoshte Shekspiri, ne jetojmë në një botë të keqe. Por jam i gatshëm të them se shanset për të ndeshur mirësinë e të panjohurve, ashtu siç më ndodhi mua, janë dukshëm më të larta sesa errësira e pandërprerë e pamjes tepër të zakonshme të Britanisë në vitin 2025 mund të të bëjë të besosh.
Nuk ka si t’i shpëtosh faktit që mediat – tradicionale dhe sociale njësoj – janë motorë të pagjumë të pesimizmit tonë kolektiv refleks. Ne jetojmë në një vend ku dështimi, rreziku dhe rrezikshmëria konsiderohen gjithnjë të pranishme dhe në rritje. Mediat tona raportojnë pa pushim raste të tmerrshme mizorie, shfrytëzimi, lakmie dhe zemërimi. Si rezultat, askujt në profesionin tim nuk do t’i shkonte ndër mend se historia e portofolit tim ia vlente të ndahej me publikun, përveçse ndoshta në Krishtlindje.
Sigurisht, në pamjen e gjerë të gjërave, historia e portofolit tim ishte e parëndësishme. Por pesimizmi refleks është një problem i madh për shoqëritë moderne, jo një i vogël. Ja një shembull më i gjerë se si funksionon ai. Kur Endi Bërnëm ishte ministër i Shëndetësisë në qeverinë e Gordon Braun-it, ai ftoi një grup prej nesh në Uajt-holl për të ndarë disa sondazhe të brendshme që po e shqetësonin qeverinë. Sondazhet tregonin se pritshmëritë e publikut ndaj Shërbimit Kombëtar Shëndetësor po binin, kryesisht të nxitura nga raportimet e përsëritura për kriza në shëndetësi. Në të njëjtën kohë, përvojat personale të publikut me NHS-in, si edhe ato të të afërmve të tyre më të ngushtë, mbeteshin pothuajse njëzëri shumë të mira.
Më kujtohet se isha skeptik ndaj këtyre gjetjeve. Edhe atëherë njihja shumë histori të këqija nga NHS-i, si edhe disa të mira. Por pyetjet që Bërnëm ngriti në dritën e grupeve fokusuese të ministrisë mbetën të vlefshme. Si ta kapërcejmë bindjen e publikut se NHS-i në nivel makro ishte në rënie dhe se ata vetë thjesht kishin qenë me fat? Si t’i bëjmë njerëzit të kuptojnë se përvojat e tyre të mira personale nuk ishin një rastësi e rrallë, dhe të kenë besim se NHS-i – ose dhjetëra forma të tjera të së mirës së përbashkët – mund të funksionojnë për të gjithë?
Në thelb, kjo është e njëjta mundësi që ngrihet nga akti i vetëm i mirësisë së Nataljas. Mund ta shprehësh në mënyra të ndryshme. Ndoshta të gjithë ne, dhe veçanërisht mediat dhe politikanët tanë, jemi shumë të shpejtë për të besuar më të keqen. Ndoshta normat tona shoqërore dhe morale janë më të ndershme dhe më të qëndrueshme sesa supozojmë. Ndoshta jetojmë në një vend më të mirë nga sa mendojmë. Ndoshta duhet të jemi më pak të zemëruar.
Nëse edhe një pjesë e kësaj është e vërtetë, pyetjet që pasojnë nga ndershmëria e Nataljas janë të tilla si këto: si mund të shkojmë përtej bindjes, të ushqyer nga kaq shumë ekzagjerime politike dhe mediatike, se të gjithë jetojmë në një shkretëtirë ulëritëse të mungesës së qytetarisë, keqsjelljes dhe paaftësisë, nga e cila streha jonë e vetme është ose frika, ose shtypja? Çfarë mund të bëjmë për ta ndihmuar veten të shohim se përvojat individuale të mirësisë, mirësjelljes dhe ndershmërisë nuk janë oaze të rastësishme fati të mirë në një shkretëtirë ligësie të përgjithshme?
Përgjigjet, padyshim, nuk janë të lehta. Por ato ekzistojnë dhe ia vlen të kultivohen. Mirësia e Nataljas më kujtoi se, pavarësisht kaq shumë provave për të kundërtën, engjëjt më të mirë të natyrës sonë nuk janë domosdoshmërisht të vdekur apo të dënuar. Ende ka plot gjëra në shoqërinë tonë që funksionojnë mirë, pikërisht ashtu siç do të donim të funksiononin.
*Martin Kettle është kolumnist i “Guardian”-it.