Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 December 2025Gazeta Fjala

09:00 Festa e ndërrimit të viteve, policia e Tiranës plan masash për sigurinë dhe lëvizjen

By: Kesjana
30 December 2025 at 09:00

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka marrë masa të posaçme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festimeve të ndërrimit të viteve. Masat parashikojnë shtimin e pranisë policore me uniformë dhe të Policisë Kriminale në të gjithë qytetin, veçanërisht në zonat me fluks qytetarësh. Do të ketë pika fikse kontrolli në hyrje-daljet e kryeqytetit, si dhe patrullime të shtuara.

Policia do të intensifikojë monitorimin e qarkullimit rrugor për parandalimin e aksidenteve, si dhe kontrollet ndaj subjekteve dhe individëve që tregtojnë apo posedojnë lëndë piroteknike.

Prani e shtuar policore do të ketë edhe në sheshe publike, pedonale, objekte kulti, ambiente argëtimi dhe qendra tregtare. Paralelisht, do të vijojë bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit në kohë reale për parandalimin e ngjarjeve kriminale.

Masat e Policisë konsistojnë në:

-shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe atyre të Policisë Kriminale, në të gjitha zonat urbane, me fokus të veçantë në zonat me fluks qytetarësh, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike;

-vendosjen e pikave fikse të kontrollit në hyrje dhe dalje të qytetit, si dhe shtimin e patrullimeve të lëvizshme, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe rritjen e sigurisë;

-intensifikimin e masave për monitorimin e qarkullimit rrugor, nëpërmjet kontrolleve të shtuara, përdorimit të mjeteve inteligjente dhe patrullimeve në akset kryesore urbane dhe interurbane, me synim parandalimin e aksidenteve rrugore;

-kryerjen e kontrolleve të vazhdueshme ndaj subjekteve dhe individëve që posedojnë/shesin lëndë piroteknike (fishekzjarre dhe/ose kapsolla), për parandalimin e rreziqeve dhe ngjarjeve aksidentale;

-rritjen e prezencës së shërbimeve të Policisë, në sheshe publike, shëtitore, pedonale, objekte kulti, në ambiente argëtimi (bare, restorante, lokale nate) dhe në qendra tregtare, me objektiv garantimin e mbarëvajtjes së festimeve;

-bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit në kohë reale, për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Policia apelon qytetarët të denoncojnë çdo paligjshmëri pranë patrullave ose në numrat pa pagesë 129 dhe 112, duke garantuar gatishmëri të plotë për ndërhyrje të menjëhershme gjatë gjithë ditëve të festimeve/kb

08:50 Nga sot ndryshojnë vendndodhjen zyrat e IdentiTek

By: Kesjana
30 December 2025 at 08:50

Duke nisur nga dita e sotme, disa zyra të IdentiTek në Tiranë do të ndryshojnë vendndodhjen.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Brendshme, e cila thotë se zyrat e reja do të funksionojnë pranë njësive administrative përkatëse.

Konkretisht janë 3 zyra IdentiTek që ndryshojnë vendndodhjen.
Njoftimi i ministrisë

 

Nga 30 dhjetori ndryshojnë vendndodhjet e disa zyrave të aplikimit të IdentiTek në Tiranë

Nga nesër, do të ndryshojë vendndodhja e disa zyrave të aplikimit për dokumente biometrike në qytetin e Tiranës, konkretisht zyrave IdentiTek 5 dhe IdentiTek 8 & 9. Zyrat e reja do të funksionojnë pranë njësive administrative përkatëse.

Zyra IdentiTek 5, e cila ndodhet në Rrugën “Robert Shvarc”, në zonën e Komunës së Parisit, do të zhvendoset dhe do të ofrojë shërbimet pranë Njësisë Administrative Nr. 5, në zonën e Bllokut.

Ndërkohë, zyra IdentiTek 8 & 9, që operon në Rrugën e Barrikadave, do të ndahet si më poshtë:

 

•      IdentiTek 8 do të funksionojë pranë Njësisë Administrative Nr. 8, në Rrugën e Dibrës;

 

•      IdentiTek 9 do të funksionojë pranë Njësisë Administrative Nr. 9, në Bulevardin “Zogu I”.

Qytetarët që kanë kryer aplikime për karta identiteti pranë zyrave IdentiTek 8 & 9 deri më sot, do t’i tërheqin dokumentet e tyre pranë Njësisë Administrative Nr. 8.

Këto ndryshime kanë qëllim rritjen e aksesueshmërisë së shërbimeve të aplikimit për dokumente identifikimi, duke i afruar ato më pranë qytetarëve, në njësitë administrative përkatëse./Kb

08:30 Pekini qëllon raketa gjatë stërvitjes rreth Tajvanit, 130 avionë pranë ishullit

By: Kesjana
30 December 2025 at 08:30

Kina qëlloi raketa në Ngushticën e Tajvanit këtë mëngjes, gjatë ditës së dytë të stërvitjeve ushtarake rreth ishullit.

Gazetarët në Pingtan, ishulli kinez më i afërt me Tajvanin kontinental, panë një breshëri raketash të shpërthenin në ajër, duke lënë gjurmë tymi të bardhë.

Tajvani, nga ana e tij, raportoi sot se kishte zbuluar 130 avionë kinezë dhe 22 anije ushtarake rreth ishullit në 24 orë.

Ky është numri më i lartë i avionëve kinezë të raportuar në një ditë të vetme që nga 15 tetori 2024.

Kina filloi një ditë të dytë ushtrimesh me armë zjarri rreth Tajvanit këtë mëngjes, që synojnë të simulojnë një bllokadë të porteve kryesore të ishullit vetëqeverisës dhe sulme ndaj objektivave detare. Lojërat dy-ditore të luftës, të koduara ‘Misioni i Drejtësisë 2025’, filluan të hënën dhe janë kritikuar nga Taipei si “frikësim ushtarak” nga Pekini. Ushtria Çlirimtare Popullore (PLA) e Kinës tha këtë mëngjes se “forcat tokësore të Komandës së Teatrit Lindor të PLA-së kryen stërvitje me armë zjarri me rreze të gjatë në ujërat në veri të Tajvanit dhe arritën efektet e dëshiruara”.

Shfaqja e fundit e forcës vjen pas një serie shitjesh masive armësh në Taipei nga Shtetet e Bashkuara, avokati kryesor i sigurisë së Tajvanit, dhe komenteve të kryeministres japoneze Sanae Takaichi se përdorimi i forcës kundër Tajvanit mund të justifikojë një përgjigje ushtarake nga Tokio.

Pekini paralajmëroi dje se “forcat e jashtme” që armatosin Taipein do ta “shtynin Ngushticën e Tajvanit në një situatë të rrezikshme lufte të afërt”, por nuk përmendi drejtpërdrejt asnjë vend. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, tha se çdo përpjekje për të ndaluar bashkimin e Kinës me Tajvanin është “e dënuar me dështim”. Pekini e pretendon ishullin si pjesë të territorit të tij sovran dhe ka refuzuar të përjashtojë veprimet ushtarake për ta pushtuar atë./kb

08:20 1947 – Rumani, fundi i një mbretërie në hijen e Luftës së Ftohtë

By: Leonard
30 December 2025 at 08:20

Viti 1947 shënoi një nga aktet më dramatike të historisë rumune moderne. Në Evropën Lindore, Lufta e Ftohtë sapo kishte nisur të kristalizohej në kufij ideologjikë, dhe Rumania ndodhej tashmë nën hijen e rëndë të Ushtrisë së Kuqe dhe ndikimit të drejtpërdrejtë të Bashkimit Sovjetik. Në këtë klimë frike, presioni politik dhe shantazhi institucional, Mbreti Mikael I – ende i ri në moshë, por tashmë i lodhur nga pesha e historisë – u përball me një ultimatum pa kthim.

Më 30 dhjetor 1947, në pallatin mbretëror në Bukuresht, atij iu kërkua të abdikonte nga froni. Qeveria e re komuniste, e instaluar me mbështetjen vendimtare të Moskës, i paraqiti aktin e abdikimit jo si një zgjedhje, por si një detyrim brutal. Refuzimi, sipas dëshmive të mëvonshme, do të sillte pasoja të rënda: arrestime masive, gjakderdhje dhe ndëshkim të drejtpërdrejtë ndaj familjes mbretërore dhe bashkëpunëtorëve të saj. Përballë këtij shantazhi të hapur, Mbreti Michael u detyrua të nënshkruante dokumentin që i jepte fund monarkisë rumune dhe shpallte Republikën Popullore të Rumanisë.

Abdikimi nuk ishte thjesht një akt formal. Ai shënoi shkëputjen përfundimtare të Rumanisë nga rendi i saj historik dhe hyrjen e saj në bllokun sovjetik. Menjëherë pas kësaj, familja mbretërore u detyrua të largohej nga vendi, pothuajse pa asnjë pasuri personale, nën mbikëqyrjen e autoriteteve komuniste. Fillimisht ata gjetën strehë në Greqi, më pas në Britaninë e Madhe, duke jetuar një ekzil të hidhur, larg atdheut dhe fronit që kishte humbur pa luftë, por jo pa dhimbje.

Në vitet që pasuan, Mbreti Michael dhe familja e tij u vendosën përfundimisht në Zvicër. Atje, larg intrigave politike, ai jetoi një jetë modeste për një ish-monarh: punoi si pilot testues, mekanik avionësh dhe fermer, duke mbajtur mbi vete jo më kurorën, por kujtimin e një vendi të humbur. Për dekada me radhë, atij iu ndalua kthimi në Rumani, ndërsa regjimi komunist u përpoq ta fshinte figurën e tij nga historia zyrtare.

Megjithatë, historia nuk u mbyll me abdikimin. Pas rënies së komunizmit, figura e Mbretit Michael I u rikthye si simbol i një Rumanie të mohuar dhe të ndërprerë dhunshëm nga totalitarizmi. Ai vdiq në Zvicër, në vitin 2017, duke mbetur deri në fund një dëshmitar i gjallë i shekullit të ideologjive, ku mbretërit u rrëzuan jo nga populli, por nga perandoritë e frikës.

Në këtë mënyrë, abdikimi i vitit 1947 nuk mbetet thjesht një episod politik, por një dramë historike që përmbledh fatin e një vendi të tërë, të kapur mes sovranitetit të humbur dhe rendit të ri të imponuar nga Lindja.

Përgatiti: L.Veizi

08:20 AKEP përgatit rregullore të re për autorizimin e ofrimit të shërbimeve të komunikimit

By: Kesjana
30 December 2025 at 08:20

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka përgatitur një projetkrregullore të re për zbatimin e regjimit të autorizimit të përgjithshëm. Regjimi i autorizimit të përgjithshëm përfshin ato shërbime që operatorët e komunikimeve elektronike mund t’i ofrojnë me njoftim në AKEP.

Rregullorja aktualisht në fuqi parashikon që çdo subjekt është i lirë të ofrojë rrjete dhe shërbime të komunikimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me kërkesat e këtij ligji, kundrejt autorizimit të lëshuar nga AKEP, me përjashtim të rasteve kur rrjetet dhe/ose shërbimet e komunikimeve elektronike nuk kanë qëllime fitimi dhe kur nuk janë të disponueshme për publikun ose përdoren vetëm për nevoja të përdorimit privat ose për nevoja të brendshme të institucioneve.

Ndërsa projektrregullorja e re përcakton se çdo sipërmarrës që synon të ofrojë rrjete apo shërbime të komunikimit elektronik në territorin e Republikës së Shqipërisë të disponueshme për publikun, përveç shërbimeve ndërpersonale që nuk bazohen në numra, ka detyrimin të njoftojë në AKEP .

Ligji parashikon që AKEP i regjistron operatorët ose ofruesit e shërbimeve në bazën e të dhënave elektronike brenda shtatë ditëve nga marrja e njoftimit dhe njofton regjistrimin e tyre me shkrim. AKEP do të lëshojë Certifikatën e Konfirmimit për çdo sipërmarrës, pas njoftimit dhe regjistrimit në Regjistrin e Autorizimit të Përgjithshëm, sipas Nenit 27 të Ligjit “Për komunikimet Elektronike”. Për shërbimin, AKEP do të aplikojë një tarifë prej 50 mijë lekësh. Tarifa do aplikohet vetëm një herë për regjistrimin e parë të sipërmarrësit në regjistrin e ri të Autorizimit të Përgjithshëm.

Ndërsa lëshimi i Certifikatës së Konfirmimit të Ndryshimeve të të dhënave në regjistrin e autorizimit të përgjithshëm do të ketë një tarifë prej 20 mijë lekësh. Certifikata do të lëshohet në rastet e njoftimit nga sipërmarrësi të ndryshimeve të ndodhura në informacionin e dhënë fillestar ose atë pararendës.

Një kërkesë shtesë që parashikohet në projektrregulloren e re është se sipërmarrësi duhet të depozitojë në AKEP brenda 3 muajve nga data e fillimit të ofrimit të shërbimit kontratat e punës së punonjësve, shoqëruar me dokumentacionin që vërteton edukimin dhe kualifikim profesional të tyre, me qëllim garantimin e ofrimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike, si edhe vërtetim të pagesave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Ndër kushtet e autorizimit të përgjithshëm, projektrregullorja përcakton edhe një afat prej 15 ditësh (nga marrja e njoftimit prej AKEP) për kryerjen e pagesave administrative ose tarifave për të drejtat e përdorimit të burimeve të kufizuara, depozitimin e bilancit vjetor dhe raportit të ekspertit kontabël, nëse aplikohet.

Kushte të tjera të përcaktuara në regjimin e autorizimit të përgjithshëm janë mbrojtja e të dhënave personale dhe mbrojtjen specifike të privatësisë në komunikimet elektronike, lejimi i përgjimit nga autoritetet kompetente, të përcaktuara në legjislacionin në fuqi, detyrimet e aksesit dhe interkoneksionit, detyrimet për transparencë ndaj ofruesve të rrjeteve të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun, etj.

Projektrregullorja parashikon që ofrimi i rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike nga sipërmarrësit, mund të kufizohet nga AKEP, kur kjo është e nevojshme për arsye të interesit publik, sigurisë publike ose shëndetit publik./Monitor.al/kb

08:20 2015–2025, rreth 300 mln kredi për ujësjellësit, por humbjet në rrjet nuk ndryshojnë

By: Kesjana
30 December 2025 at 08:20

Qeveria e Shqipërisë ka marrë rreth 589 milionë euro kredi të huaja për të financuar sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, nga të cilat rreth 300 milionë euro janë kredi të marra pas vitit 2015, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.

Duke përfshirë edhe financimet nga buxheti i shtetit dhe tarifat që paguajnë qytetarët për financimin e shërbimit, vendi duhet t’i kishte të zgjidhura tashmë çështjet e furnizimit me ujë të pijshëm, por ka ndodhur krejt e kundërta.

Megjithë këto financime, humbjet e ujit në rrjet janë të njëjta në dekadën e fundit. Të dhënat e Entit Rregullator të Ujit tregojnë se humbjet teknike në rrjet ishin 67 për qind në vitin 2024, ndërsa 64% në vitin 2023 dhe në një nivel të ngjashëm edhe më herët.

Nga rreth qindra projekte të financuara me kredi të huaja deri në vitin 2025, sektori i ujësjellës-kanalizimeve ka përthithur rreth 599 milionë euro në periudhën 1990–2025.

Në një vend me popullsi si Shqipëria, kjo shumë do të mjaftonte për të ndryshuar rrënjësisht furnizimin me ujë. Nëse këto investime do të ishin përqendruar në uljen e humbjeve në rrjet, Shqipëria sot do të ishte shumë pranë furnizimit të pandërprerë me ujë në zonat urbane dhe turistike.

Humbjet aktuale në rrjet janë mbi 60% dhe tregojnë se problemi nuk është te prodhimi i ujit, por te keqmenaxhimi, pasi uji nuk faturohet.

Ekspertët pohojnë se vetëm përgjysmimi i humbjeve do të sillte një rritje reale të furnizimit me 30–40%, pa ndërtuar burime të reja. Shumica e qyteteve të mëdha do të kishin 24 orë në ditë furnizim me ujë.

Investimet janë shpërndarë në një numër të madh projektesh të vogla, shpesh të fokusuara në ndërtimin e infrastrukturës së re, pa ndërhyrë në mënyrën se si operon sistemi.

Sipas të dhënave zyrtare, kapaciteti mesatar vjetor i të gjitha burimeve të ujit të përdorura për prodhimin e ujit të pijshëm nga shoqëritë ujësjellës-kanalizime të monitoruara për vitin 2021 ishte 495 milionë metra kub. Po në këtë vit, vëllimi i përgjithshëm i ujit të prodhuar ishte 311,2 milionë metra kub, ndërsa kërkesa totale ishte 100 milionë metra kub.

Të dhënat tregojnë se uji total i disponueshëm për të gjitha shoqëritë UK tejkalon kërkesën kombëtare nga konsumatorët që ato shërbejnë me rreth 80%, por ndërkohë qytetet dhe zonat rurale të vendit, në shumë raste, vuajnë nga mungesa e ujit. Uji prodhohet, por nuk shndërrohet në shërbim të qëndrueshëm për konsumatorin./Monitor.al/kb

08:10 Vlora prej 5 ditësh pa ujë/ Rregullohet tubi i çarë, furnizohet një pjesë e qytetit

By: Kesjana
30 December 2025 at 08:10

Është rregullluar në Vlorë defekti i tubit kryesor që shkaktoi mungesën e ujit në qytetin bregdetar prej 5 ditësh.

Rregullimi i tubit u bë në orët e para të mëngjesit, ku më pas nisi dhe furnizimi me ujë i depove, duke u rikthyer uji në një pjesë të qytetit.

Mësohet se furnizimi nuk po bëhet me kapacitetet të plota për shkak se pajisja është ende duke u testuar./kb

08:00 Shoqata e pasurive të paluajtshme thirrje Presidentit Begaj: Dekretoni sa më parë rivlerësimin e pronave

By: Kesjana
30 December 2025 at 08:00

Shoqata e pasurive të paluajtshme “Narea” i ka bërë kërkesë këtë të hënë presidentit Bajram Begaj Të dekretojë ligjin për rivlerësimin e pronave.

Grupet e interesit shprehin shqetësim se në këtë mënyrë po pengohet botimi në fletoren zyrtare, hyrja në fuqi nga 1 janari 2026 dhe nxjerrja e akteve nënligjore, duke krijuar pasiguri dhe tension në tregun e pasurive të paluajtshme.
“Ka 1 vit e gjysmë që është dërguar propozimi. Narea pavarësisht se ka shprehur në mënyrë konstante rezerva për masën e tatimit 5% për banesat, pavarësisht se ka ngritur pikëpyetje mbi zbatueshmërinë e amortizimit 1%/vit vjetërsi, beson shumë se një vonesë e mëtejshme e dekretimit të këtij ligji do të sjellë efekte shumë më negative” thuhet në kërkesën e shoqatës./kb

07:50 Diplomati ngre alarmin: NATO po shkërmoqet, do mbetemi pa çati mbi kokë!

By: Kesjana
30 December 2025 at 07:50

Diplomati Roland Bimo thotë se Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë më ngushtë me njëra-tjetrën, duke lënë mënjanë dasitë e udhëheqësve të vendeve respektive, sidomos kur bëhet fjalë për çështjet e sigurisë.

Sipas tij, edhe pse Në Kosovë siguria garantohet nga KFOR dhe SHBA, situata mund të ndryshojë.

“Pa le se çfarë po ndodh në NATO, pa le se si po shkërmoqet NATO, që është një problem më vete të cilin duhet ta atakojmë që sot që të mos ndodhemi mbas pesë-gjashtë vjetësh kur NATO të mos ekzistojë, të mos të ngelemi pa çati, pa tavan mbi kokë. Domethënë të jemi në gjendje që të orientohemi se si do garantohet siguria në atë vend kur të mos ekzistojë NATO”, tha Bimo

“Kjo që po them unë, të mos ekzistojë NATO, nuk është nuk është shpikja ime. Po të shikosh se çfarë thotë zoti Trump për NATO-n, e çfarë thonë nga Amerika për NATO-n, është një çështje që europianët do duhet të mbrojnë Europën. Pra ka shumë të ngjarë që brenda katër-pesë vitesh, siguria në Europë do të jetë e një karakteri më kontinental”.

“Nuk po mundohem të them se çfarë duhet bërë, por po mundohem të potencoj domosdoshmërinë e një dialogu, një debati për këto probleme që duhet bërë bashkë Kosovë-Shqipëri. Dhe ne nuk e kemi fare luksin për kapriçot e njërit apo tjetrit, qoftë ky me emrin Albin Kurti, apo qoftë ky me emrin Edi Rama, që populli shqiptar të mos ketë një ë një bashkëpunim. Populli shqiptar ka shumë nevojë që liderat e tij të mblidhen herë pas here dhe ne t’i shikojmë se si bisedojmë me njëri-tjetrin, se si shkëmbejnë mendime me njëri-tjetrin dhe si shkëmbejnë informacion. Është tjetër gjë të kemi amerikanët ndërmjetës dhe të kemi europianët ndërmjetës për çështjet tona dhe tjetër gjë kur bashkëpunojmë me njëri-tjetrin”, shtoi Bimo./kb

Yesterday — 29 December 2025Gazeta Fjala

22:58 Agron Shehaj bën bilancin e punës së SPAK në 2025: Më e rëndësishmja, ajo që ndodhi me Berishën

By: Monika
29 December 2025 at 22:58

Kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, e vlerësoi punën e SPAK në vitin 2025, duke renditur të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur këtë vit. Por ai veçoi edhe akuzën ndaj ish-kryeministrit Berisha, duke e vënë në krye të ngjarjeve të rëndësishme.

“Sa u përket ngjarjeve më të rëndësishme të vitit 2025 të SPAK, ajo që është më e rëndësishme është që një kryetar bashkie hiqet zvarrë dhe ccohet në burg. Ka ndodhur edhe me Arben Ahmetajn që është tani në Zvicër dhe me Belinda Ballukun. Për nga rëndësia ajo që ka ndodhur në 2025 e që ka nisur nga 2024 është ajo që ndodhi me ish-kryeministrin Sali Berisha. Edi Rama është kryeministri më i korruptuar, por antikorrupsioni duhet të veprojë ndaj të gjithëve.

Ky është moment historik direkt pas atyre ngjarjeve të vitit 1991. Rreziku më i madh është se të pandehurit e sotëm po përdorin mediat dhe analistët kundër drejtësisë. Ne kemi nisur një fushatë me çadra për drejtësinë në të gjithë Shqipërinë për të mbledhur firma në mbështetje të drejtësisë duam të mbledhim 100 mijë firma nga qytetarët se janë me drejtësinë”- tha Shehaj./mxh

22:46 Zgjedhjet në Kosovë/ Diplomati: Proces korrekt, por triumfalizëm i tepruar pas rezultatit

By: Monika
29 December 2025 at 22:46

Diplomati i karrierës, Roland Bimo komentoi sot rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë.

Bimo vlerësoi procesin zgjedhor si korrekt dhe në respekt të standardeve ndërkombëtare, por kritikoi triumfalizmin e tepruar pas rezultatit.

“Është një fitore për popullin e Kosovës për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet dhe për plotësimin e standardeve demokratike. Por të gëzohemi vetëm pse dimë të votojmë do të thotë ta vendosim stekën shumë ulët. Pas më shumë se tri dekadash demokraci, Kosova nuk duhet të kënaqet vetëm me zhvillimin korrekt të zgjedhjeve, ndërsa përdorimi i termave si “historike” e zhvlerëson procesin. Kjo ndjenjë triumfalizmi dhe përdorimi i fjalës historike vend e pa vend. Ishte elektorati ai që zgjidhi ngërçin, pasi politika kosovare nuk ishte në gjendje të binte dakord për asgjë. Rezultati dhe standardi zgjedhor mund të maskojnë problemin kryesor të politikës shqiptare: mungesën e kompromisit”,-tha Bimo./mxh

22:31 Erion Veliaj në arrest/ Ristani: Tirana funksionon edhe pa kryetarin

By: Monika
29 December 2025 at 22:31

Kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani komentoi sot situatën në Bashkinë e Tiranës, teksa kryetari Erion Veliaj është i arrestuar dhe në qelinë e Burgut të Durrësit.

Në një studio televizive, Ristani u shpreh se çështja ndaj Veliajt ka një ndikimi sepse bëhet fjalë për një kryetar të zgjedhur.

Ristani shtoi se pavarësisht kontekstit politik e juridik, shërbimet ndaj qytetarëve nuk mund të ndalojnë në asnjë moment.

“Performanca e bashkisë ka qenë në ato standarde që ka qenë në të gjithë këto vite. Dua të jem shumë e sinqertë unë mendoj që jo vetëm në Bashkinë e Tiranës, por në të gjithë sendimentin e qytetit kalibrimi ynë nga një rend drejtësie që historikisht nuk e kishim parë të tillë, do kohën e vet. Patjetër që ndikon për më tepër kur bëhet fjalë për një kryetar të zgjedhur, vizioni i të cilit ka drejtuar qytetin për vite të tëra. Por shërbimet e qytetit janë shërbime nuk mund të ndalojnë në asnjë moment sido të jetë konteksti politik apo juridik për çdo lloj çështje. Qyteti duhet pastruar, kopshtet e shkollat do funksionojnë, janë shërbime bazike por të shumta të numër që nuk ta japin luksin për të ndalur. Ajo infrastrukturë punonjësish të Bashkisë Tiranë vijon të jap shërbimet e saj pasi janë të nevojshme dhe pa to nuk do mund të kalonim dot 24 orë”,-tha Ristani./mxh

22:15 Rasti i paprecedentë, pezullohet portieri i Bylis

By: Monika
29 December 2025 at 22:15

Gjatë ndeshjes së fundit të Superiores mes Bylisit dhe Vorës, portieri Jeremy Vachoux u largua nga fusha në minutën e 42-të në shenjë proteste.

Sipas trajnerit Mirel Josa, ky veprim erdhi pasi kërkesa e lojtarit për zëvendësim nuk u realizua menjëherë nga stafi teknik.

Arbitri i ndeshjes, Ermis Çelaj, e ndëshkoi portierin me karton të verdhë për këtë veprim të paprecedentë në kampionat. Ky ndëshkim e çon Vachoux në kuotën e katër kartonëve të verdhë, duke sjellë pezullimin e tij automatik për ndeshjen e radhës.

Si rrjedhojë, pavarësisht ecurisë së marrëdhënies me klubin, portieri do të mungojë zyrtarisht në sfidën kundër Tiranës.

Mungesa e tij vlerësohet si një humbje për organikën e ekipit ballshiot, duke pasur parasysh rolin e tij si titullar.

Aktualisht, stafi teknik duhet të planifikojë ndryshimet në formacion për rifillimin e kampionatit. Deri më tani, klubi i Bylisit nuk ka lëshuar një njoftim zyrtar për masa disiplinore shtesë ndaj lojtarit./mxh

22:06 Dy çështje kryesore në agjendë/ Takim Trump-Netanyahu në Mar-a-Lago

By: Monika
29 December 2025 at 22:06

Presidenti Donald Trump u takua sot me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në një pritje në rezidencën Mar-a-Lago.

Në agjendën e takimit janë diskutime për armëpushimin në Gaza dhe veprimet e reja kundër Iranit.

Trump e paralajmëroi Iranin kundër rindërtimit të programit të tij bërthamor, pasi ka këmbëngulur se aftësitë bërthamore të Teheranit u shkatërruan plotësisht nga sulmet amerikane në vendet kryesore të pasurimit bërthamor në qershor.

Por zyrtarët izraelitë kanë cituar në mediat lokale duke shprehur shqetësim në lidhje me rindërtimin e furnizimit të Iranit me raketa me rreze të gjatë veprimi të afta për të goditur Izraelin.

Irani ka këmbëngulur se nuk po pasuron më uranium në asnjë vend, duke u përpjekur t’i sinjalizojë Perëndimit se mbetet i hapur për negociata të mundshme mbi programin e tij atomik./mxh

22:03 “Ti thua hallall SPAK, marrtë nga ditët tona!”/ Debat mes Abilekajt dhe Lalës

By: Monika
29 December 2025 at 22:03

Last Updated on 29/12/2025 by Monika

U diskutua bilanci i punës së SPAK për vitin 2025, me fokus hetimet që kanë tronditur skenën politike dhe debatet mbi kufijtë e kompetencave të këtij institucioni.

Gazetarët Klodiana Lala dhe Enton Abilekaj shkëmbyen qëndrime të kundërta lidhur me akuzat për tejkalim kompetencash nga ana e SPAK, veçanërisht mbi aludimet se është përgjuar një anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë diskutimit, Enton Abilekaj ngriti shqetësimin për hetime të mundshme pa vendim gjykate, duke theksuar se një praktikë e tillë do të përbënte shkelje të rëndë ligjore dhe cenim të garancive kushtetuese.

Nga ana tjetër, Klodiana Lala theksoi se asnjë prokuror nuk mund të kryejë përgjime pa një procedim penal të regjistruar dhe pa bazë ligjore. Ajo u shpreh se, nëse provohet se një prokuror ka përgjuar në mënyrë të paligjshme një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, ai duhet të përballet me pasojat më të rënda ligjore.

Debati u fokusua edhe te roli i Gjykatës Kushtetuese. Sipas Lalës, vëmendja është përqendruar kryesisht te SPAK, ndërkohë që thelbi i problematikës qëndron te funksionimi i gjykatës. Ajo shtoi se prokurorët janë vetë subjekte të hetueshme dhe nuk qëndrojnë mbi ligjin.

Nga ana e tij, Abilekaj argumentoi se Prokuroria, si palë akuzuese, është njëkohësisht palë në procesin gjyqësor, duke theksuar nevojën për një balancë më të qartë mes rolit të hetimit dhe garancive procedurale./mxh

22:00 Qori: SPAK po heton oligarkët kryesorë, pres që të përfundojnë përpara drejtësisë

By: Monika
29 December 2025 at 22:00

Last Updated on 29/12/2025 by Monika

Kryetari i partisë “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” duke vlerësuar akuzat e ngritura ndaj zyrtarëve dhe politikanëve të lartë, u shpreh se priste që në vitin 2026 të ketë edhe akuza ndaj oligarkëve dhe ata të përfundojnë përpara drejtësisë.

“Prova e zjarrit me SPAK do të jetë raporti me Ramën. A do të ketë hetim dhe akuzë për Ramën? Nuk mund të hetohen të gjithë hajdutët vërdallë Ramës dhe ai jo. Kam pozitivitetin të pres, por shpresojnë të mos dëgjojmë historitë justifikuese të Ramës, që të gjithë vjedhin rreth tij dhe ai jo.

Në dosjet e SPAK po hetohen oligarkët kryesorë të vendit, nga Kastrati, Dulaku, Ulaj, Shtufi, Geci, Gjoka, Ismailaj, Salillari, Samir Mane. Është gjë e mirë që hetohen oligarkët. Pres që edhe ndaj oligarkët të ketë akuza dhe të përfundojnë para drejtësisë.

Ti Ylli ke përdorur një figurë interesante, e ke quajtur Frankenshtajn, që krijesa i kundërvihet krijuesit, por ti i atribuon autorësinë Ramës dhe Berishës, por mendoj se reforma në drejtësi i është imponuar nga faktorët perëndimorë. Sic mund të kenë kontribuar në vende të tjera, kanë dashur të krijojnë institucione të shtetit të së drejtës në Shqipëri, pasi korrupsioni dhe krimi i organizuar janë konsideruar probleme të mëdha. Kemi këto institucione jo vetëm për shkak të mbështetjes së opinionit publik, por edhe prej mbështetjes së shteteve dhe organizatave ndërkombëtare./mxh

21:55 Nkunku “zgjohet” në momentin e duhur, Milani në dilema

By: Monika
29 December 2025 at 21:55

Ndeshja Milan–Verona, e fundit për kuqezinjtë në vitin 2025, ka shënuar një pikë kthese për Christopher Nkunku. Pas një pjese të parë të dobët, francezi ndryshoi ndjeshëm paraqitje në fillim të pjesës së dytë.

Goli i shënuar me penallti ishte i rëndësishëm, por më domethënës ishte reagimi i tij në lojë. Nkunku tregoi më shumë iniciativë, intensitet dhe gatishmëri fizike.

Ky moment vjen në një fazë ku zërat e merkatos janë shtuar dhe interesimi nga klubet turke është konkret. Milani dhe Allegri tani duhet të vlerësojnë nëse ia vlen të pritet vazhdimësia e tij.

Rikthimi i mundshëm i francezit krijon më shumë alternativa, por edhe konkurrencë në repartin ofensiv. Vendimi pritet të marrë formë në ndeshjet e ardhshme./mxh

21:51 Balla ironizon “Foltoren”: Sot krushqit nuk erdhën fare, ishin vetëm hyzmeqarët

By: Monika
29 December 2025 at 21:51

Last Updated on 29/12/2025 by Monika

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është shprehur sot me nota ironizuese lidhur me protestën e opozitës para Kryeministrisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla shkruan se pjesëmarrja ishte e ulët dhe se e publikon pamjen nga protesta vetëm për transparencë ndaj publikut.

“Sot krushqit nuk erdhën fare, vetëm hyzmeqarët ishin. Edhe unë mendova mos ta nxjerr sot e lënë vetëm, por me kërkesë të publikut duhet transparencë”,-shkruan Balla./mxh

21:42 Tjetër rast evazioni fiskal/ Zbulohen 4041 tonë nënprodukte mishi të padeklaruara, vlerë mbi 9 milionë euro

By: Monika
29 December 2025 at 21:42

Administrata Tatimore identifikoi një subjekt të tatimpaguesve të mëdhenj, që ushtron aktivitetin e tregtimit me shumicë të produkteve shtazore, në kundërshtim me legjislacionin tatimor në fuqi, duke kryer evazion fiskal.

Siç bëhet me dije, nga verifikimet e kryera nga Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj në Administratën Tatimore, është identifikuar mospërputhje midis inventarit fizik dhe atij të deklaruar në sasinë 4041 tonë nënprodukte të mishit.

Nga Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj, u konkludua se subjekti ka fshehur të ardhurat në vlerën 9.3 milionë euro.

Rasti u referua më tej Hetimit Tatimor, i cili e përcolli për ndjekje dhe trajtim pranë Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të evazionit fiskal, me një dëm të vlerësuar të të ardhurave tatimore në vlerën e rreth 6.4 milionë eurove./mxh

❌
❌