Tregu i sigurimeve gjatë vitit 2025 pati një zgjerim të ndjeshëm me 10% krahasuar me vitin 2024, që ishte 7%, sipas të dhënave më të fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Referuar shifrave zyrtare, primet e shkruara bruto arritën në vlerën e 27.1 miliardë lekëve, ndërsa primi i sigurimit për frymë u rrit për të pestin vit radhazi, duke shkuar në rreth 119 euro ose 11.8% më shumë krahasuar me vitin 2024.
Tregu i sigurimeve vazhdon të dominohet nga produktet e tregut të Jo-Jetës, që lidhen kryesisht me sigurimet e detyrueshme motorike, të cilat zënë 91% të primeve totale të tregut. Ndërsa, sipas AMF, sigurimet e Jetës kishin 8.99% të vëllimit të përgjithshëm të primeve për vitin 2025.
Sa i përket ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 37.62%, ndërsa primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 62.38% të totalit të tregut për vitin e kaluar.
Sa i përket portofolit të sigurimit nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, që lidhen me përmbytjet, gjatë vitit 2025 pati një rritje prej 10.25% të vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 8.85% të numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me vitin 2024./kb
Një plan për ndërtimin e një “Harku të Pavarësisë” të përhershëm pranë Urës Memoriale, midis Memorialit të Linkolnit dhe Varrezave Kombëtare të Arlingtonit, po shqetëson arkitektë dhe historianë për shkak të ndikimit në peizazhin monumental të kryeqytetit amerikan.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e ndërtimit të një harku triumfi të përhershëm rreth 75 metra të lartë, në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Monumenti, i quajtur “Harku i Pavarësisë”, parashikohet të vendoset në Memorial Circle, një rrethrrotullim pranë Urës Memoriale, midis Memorialit të Linkolnit dhe Varrezave Kombëtare të Arlingtonit.
Madhësia e monumentit ka ndezur menjëherë debate. Me gati dy herë e gjysmë lartësinë e Shtëpisë së Bardhë dhe dukshëm më i lartë se Memoriali i Linkolnit, harku pritet të dominojë boshtin monumental të zonës. Sipas ekspertëve, kjo do të prishte ekuilibrin vizual, duke kufizuar pamjet drejt Arlington House dhe lumit Potomac.
Trump e ka krahasuar publikisht projektin me Harkun e Triumfit në Paris, duke deklaruar se versioni amerikan do ta “tejkalonte shumë”. Për krahasim, Harku i Triumfit është 49.5 metra i lartë, çka do ta bënte strukturën e propozuar në Uashington një nga harqet triumfale më të mëdha në botë.
Qarqet arkitekturore dhe historike, që fillimisht e mirëpritën idenë e një monumenti simbolik për përvjetorin e pavarësisë, tashmë po shprehin rezerva serioze për shkallën dhe vendndodhjen. Sipas Washington Post, kritiku i artit Catesby Lee, i cili më herët kishte sugjeruar një hark më të vogël dhe të përkohshëm, rreth 20 metra i lartë, thekson se një strukturë kaq e madhe dhe e përhershme “nuk i përket” këtij vendi. Ai ka përmendur gjithashtu arkitektin Nicholas Leo Charbonneau, i cili raportohet se po bashkëpunon me Shtëpinë e Bardhë për projektin.
Një tjetër shqetësim lidhet me vendosjen e monumentit në një nyje trafiku të ngarkuar, çka do të ndryshonte karakterin “serioz dhe përkujtimor” të korridorit që historikisht lidh simbolikisht Veriun dhe Jugun pas Luftës Civile. Po ashtu, qasja për këmbësorët do të ishte e vështirë për shkak të trafikut të dendur rreth Memorial Circle.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe pamjes nga Varrezat Kombëtare të Arlingtonit drejt Uashingtonit. Sipas ekspertëve, kjo panoramë është pjesë thelbësore e përvojës së vizitorëve dhe një hark i përmasave të tilla do ta riformësonte ndjeshëm.
Në aspektin politik, projekti shoqërohet me lëvizje që mund të lehtësojnë miratimin e tij. Trump emëroi së fundmi biznesmenin Rodney Mims Cook Jr. në Komisionin e Arteve të Bukura, organi federal që shqyrton projektet e monumenteve të reja në kryeqytet. Presidenti ka publikuar gjithashtu në rrjetet sociale imazhe të varianteve të mundshme të harkut, përfshirë versione me detaje ari.
Sa i përket financimit, është hedhur ideja që ndërtimi të mbulohet nga donacione private të mbetura nga një tjetër projekt i Shtëpisë së Bardhë, salla e banketeve, me një kosto të vlerësuar rreth 400 milionë dollarë. Megjithatë, çdo monument i ri në Uashington kërkon miratim nga disa komitete dhe, në raste të caktuara, edhe pëlqimin e Kongresit./kb
Fitim Makashi lindi më 10 prill 1944 në Gjirokastër. Në vitin 1963 nis studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë për aktor dhe ka mbaruar në 1967. Për një kohë të gjatë punon si pedagog në ILA dhe në të njëjtën kohë pati një angazhim të herë pas herëshme në Teatrin Popullor (sot TK); Zyrtarisht do të jetë viti 1978 kur do të emërohet aktor në këtë Teatër, vendi ku vazhdoj karrierën artistike si aktor për rreth 12 vjet, saktësisht deri nga mesi i viteve 90-të.
Gjatë kësaj kohe realizon një sërë rolesh që lanë gjurmë në skenën e teatrit, nga ku mund të kujtojmë rolin e Pedagogut në “Pas provimit të dytë” , Drejtori i fermës në “Ata që duhen”, roli i Benit tek “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu tek “Dritat e skenës”, Telhai tek “Besa”, Filipoviç` tek shfaqja “Inspektori” që mbahet edhe si roli i fundit i tij në Teatër.
Fillimet në film i ka që në vitin 1967 me një rol episodik të një marinari në filmin “Dueli i heshtur”, duke vazhduar me filmat e tjerë si “Prita” (1968) “Njësiti gueril” (1969) “Ndërgjegja” (1972) “Rugicat që kërkonin diell” (1975) “Në fillim të verës” (1975) “Ilegalët” (1976) “Nga mesi i errësirës” (1978) “Intendenti” (1980) “Gjurmë në kaltërsi” (1981) “Tre njerëz me guna” (1985) “Shpella e piratëve” (1991) “Vdekja e kalit” (1992)./kb
Mbi 227 persona kanë humbur jetën nga shembja e një miniere në lindje të Kongos. Ngjarja ndodhi në minierat Rubaya, të cilat kontrollohen nga një grup rebel.
Sipas “Reuters”, numri i saktë i viktimave vijon të jetë në verifikim, ndërsa shumë minatorë dyshohet se kanë mbetur ende të bllokuar nën rrënoja.
Rubaya prodhon rreth 15% të koltanit në botë, i cili është shumë i kërkuar nga prodhuesit e telefonave celularë, kompjuterëve, komponentëve hapësinorë dhe turbinave me gaz./kb
Komisioni i Mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka miratuar kërkesën e kreut të Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho për shtimin e masave të mbrojtjes ndaj prokurorit të posaçëm, Altin Dumani.
Kërkesa e Brahos vjen pas presioneve të vazhdueshme dhe për shkak se prokurori Dumani ka në dorë disa dosje të rëndësishme. Ish-kreu i SPAK-ut, Altin Dumani është edhe një nga prokurorët e dosjes “Veliaj”, së bashku me prokurorin Ols Dado.
Raportohet se me vendim të komisionit, përveç Dumanit, janë miratuar masa mbrojtëse edhe për disa prokurorë të tjerë të Strukturës së Posaçme./kb
Delegacioni i BE-së në Shqipëri ka publikuar për herë të parë Udhëzuesin Praktik për Bizneset mbi Përgjegjësinë e Zgjeruar të Prodhuesit, hap i cili i ndihmon ata të përgatiten për zbatimin e këtij sistemi të ri europian. Sipas përfaqësuesve të BE-së, ky hap lidhet me Kapitullin 27 “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike” si pjesë e procesit të integrimit të vendit tonë në familjen europiane.
“Mjedisi është një nga temat kryesore dhe prioritetet kyçe për BE-në, dhe partneriteti me sektorin privat është një nga mënyrat që do të na çojë përpara për të zgjidhur dhe adresuar të gjitha sfidat në këtë fushë. Pra, përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit është një nga konceptet kyçe të ekonomisë qarkulluese që promovon një prodhim më të qëndrueshëm. Kjo është pjesë e kuadrit politik për reduktimin e mbetjeve dhe për garantimin e qëndrueshmërisë mjedisore, dhe bëhet një moment kyç sepse është pjesë e negociatave për Kapitullin 27 “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”, thotë Andrea Ferrero, Shef i Seksionit të Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik dhe Social, BE.
Ndërsa për ekspertët e ekonomisë qarkulluese, ligji i cili do të plotësohet deri në fund të vitit me të gjitha aktet nënligjore përcakton rregulla të qarta për menaxhimin e mbetjeve.
Udhëzuesi i ri i BE-së është pjesë e fushatës kombëtare “Redukto, Ripërdor, Riciklo për një Shqipëri më të Gjelbër” dhe synon të lehtësojë tranzicionin e bizneseve drejt ekonomisë qarkulluese, duke e shndërruar përgjegjësinë mjedisore në një avantazh konkurrues./kb
Për shumicën e politikanëve dhe gazetarëve, përgjigjja pothuajse për çdo pyetje është të shohësh lart. Jo nga hëna, yjet apo majat e oxhaqeve, por nga udhëheqësit: njerëzit që ulen në krye të institucioneve, ushtrojnë pushtet dhe përcaktojnë vijën që të tjerët ndjekin. Kreu i shtyllës totemike është pika e vetme e fokusit dhe historitë që vlejnë zakonisht vijnë nga lartësitë e pushtetit.
Nëse e përkul qafën mjaftueshëm pas, Davosi nuk është më një panair bisedash në një resort zviceran skish, por një grumbullim liderësh botërorë; fluturimi i Keir Starmer-it drejt Pekinit kthehet në një samit fuqish të mëdha; madje edhe pyetja se kush duhet të jetë deputeti për Gorton dhe Denton, në thelb, lidhet me drejtimin e Partisë Laburiste. Për këtë shkrim, bibliotekarët e kërkimit të Guardian-it numëruan sa herë shfaqeshin fjalët “leader” apo “leadership” në shtypin britanik. Vetëm gjatë javës së fundit, shifra e përafërt arrin në 2,000. Një e treta e këtyre historive kanë të bëjnë me një njeri të vetëm: Donald Trump.
“Dimë shumë se si dukej Greqia e shekullit të pestë për një qytetar athinas,” vërente EH Carr në veprën e tij klasike Çfarë është historia?, “por pothuajse asgjë se si dukej ajo për një spartan, një korintas apo një teban – për të mos përmendur një persian, apo një skllav ose një banor tjetër joqytetar në Athinë.” Gjashtëdhjetë e pesë vjet më vonë, lajmet tona të përditshme mbeten Athinë nga mëngjesi në darkë, me zor se dëgjohet ndonjë zë spartan.
Deri në një javë si kjo, e cila na kujton se pushteti nuk u përket vetëm të pushtetshmëve. Mjafton të shohësh çrregullimin që Minneapolis-i, një qytet me pak më shumë banorë se Croydon-i, i shkaktoi Trump-it, kreut të superfuqisë së vetme botërore.
Pas muajsh rezistence nga banorët e Minesotës, shefi i emigracionit të presidentit, Gregory Bovino, është detyruar të largohet nga qyteti. Drejtuesja e sigurisë së brendshme të Trump-it, Kristi Noem, përballet ose me shkarkimin ose me proces shkarkimi (impeachment). Anëtarë kyç të ekipit të tij po shqyejnë njëri-tjetrin. Dhe politika e brendshme emblemë e republikanëve – terrorizimi i qyteteve multikulturore demokrate nga mijëra mercenarë bullizues, të maskuar dhe të armatosur sikur po shkojnë në Basra – tashmë kundërshtohet nga një shumicë e qartë e amerikanëve.
Po t’u lihej liderëve konvencionalë, kjo nuk do të kishte ndodhur. Vetëm javën e kaluar në Uashington, një numër vendimtar përfaqësuesish demokratë sfiduan partinë e tyre për t’u rreshtuar me Trump-in dhe për të derdhur më shumë para në goditjen ndaj emigracionit. Vetëm javën e kaluar në Davos, mijëra drejtuesit më të paguar në botë – miliarderë si Stephen Schwarzman, i cili fiton për një orë më shumë se sa fiton një amerikan mesatar për një vit – u rreshtuan me bindje për të dëgjuar Ego-n Portokalli të llomotiste. Përballë përzierjes klasike të administratës mes karotave dhe kërcënimeve, perandoritë mediatike të SHBA-së, universitetet e saj më të mira dhe firmat kryesore ligjore u palosën si origami.
Trump-i pa dyshim priste të njëjtën gjë edhe në Midwest-in e akullt. Në vend të kësaj, trupat e tij u përballën me një kundërpërgjigje jo të dhunshme. Dhjetëra mijëra njerëz në Minneapolis dhe Saint Paul dolën javë pas jave në protesta, edhe kur ishte aq ftohtë – shkruante një reporter – sa nuk mund të mbante shënime: “Boja në stilolapsat e mi ishte ngrirë.” Pavarësisht ekzekutimeve shtetërore që kanë pushtuar lajmet botërore, pavarësisht gazit lotsjellës dhe dhunës, banorët e zakonshëm të Minesotës vazhduan të dilnin.
Kur të tjerë u fshehën për të mos u përballur me gangsterët e emigracionit, fqinjët e tyre u siguruan që ata të kishin ushqim dhe furnizime. Të tjerë vepruan si vëzhgues të ICE-së, duke monitoruar dhunën dhe barbarinë e banditëve të armatosur, rrogat e të cilëve paguhen nga taksapaguesit amerikanë. Shumë prej tyre kanë vazhduar detyrat qytetare edhe pas vrasjes së Renee Good, poete dhe nënë, të cilën punonjës të ICE-së e qëlluan në fytyrë dhe më pas e quajtën “kurvë e ndyrë”; si edhe Alex Pretti-n, një infermier i ekzekutuar nga një bandë prej shtatë agjentësh, gjoja sepse po mbante lart një telefon.
Këta dy njerëz të zakonshëm u vranë nga qeveria e tyre dhe më pas u shpifën prej saj. Trupat e tyre u etiketuan si “terroristë të brendshëm”. Bashkëqytetarët e tyre në Minesotë u sulmuan si një “kryengritje ilegale e organizuar” nga Joe Lonsdale, bashkëthemelues i Palantir-it. Për një gjë ai kishte të drejtë: aktivistët kanë qenë shumë të organizuar, duke ofruar trajnim për të sapoardhurit, duke i kthyer restorantet në spitale fushore, duke drejtuar rrjete të ndërlikuara për të dërguar furnizime te familjet e Minesotës që kishin frikë për sigurinë e tyre. Por kjo nuk është një kryengritje, jo kur nëna që fryjnë bilbila përballen me burra të maskuar me armë, të paguar deri në 50,000 dollarë vetëm për t’u regjistruar në ICE; jo kur një kamerë telefoni përdoret kundër gazit lotsjellës; apo kur protestuesit prangosen dhe tërhiqen zvarrë.
Qendra e kësaj veprimtarie është jugu i Minneapolis-it, i cili doli për herë të fundit në titujt botërorë gjashtë vjet më parë, si vendi ku George Floyd u vra nga oficerë policie. Disa prej atyre që u ngritën në protestat e Black Lives Matter të asaj kohe duket se kanë ringjallur rrjetet e vjetra. Të tjerë vënë në dukje se Minesota kryeson rregullisht matjet e besimit shoqëror: me fjalë të tjera, banorët e saj janë ndër më të prirurit për t’i besuar fqinjit përballë, sesa liderit në majë të piramidës.
Rezistuesit në Minneapolis ofrojnë një shembull të asaj që historiani Moshik Temkin e quan udhëheqje nga poshtë. Në librin e tij të fundit, Luftëtarë, rebelë dhe shenjtorë: Arti i udhëheqjes nga Makiaveli te Malcolm X, Temkin shkruan se nën sundim autoritar, shoqëritë do t’u drejtohen “liderëve që kanë pak ndjekës dhe asnjë pushtet institucional”. Ai jep si shembull rezistencën në Francën e Vichy-t. “Ata mund të mos jenë në gjendje ta quajnë veten hapur liderë, apo ta zbulojnë veten si të tillë, madje as të zbulojnë veten fare. Mund të mos i dimë kurrë as emrat e tyre.” Fuqia e tyre nuk vjen nga ndikimi i drejtpërdrejtë, por nga shembulli.
Përballë përçarjes etnike të mbjellë nga Shtëpia e Bardhë, një numër i konsiderueshëm banorësh të Minesotës kanë treguar fqinjësi. Duke u tërhequr nga agresioni dhe tejkalimi i kompetencave nga togerët e Trump-it, amerikanëve u është ofruar një shembull solidariteti popullor. Beteja e Minneapolis-it nuk ka mbaruar: agjentët e ICE-së ende hedhin gaz lotsjellës nëpër shkolla dhe kërcënojnë protestuesit (“Ngre zërin dhe ta fshij zërin,” thotë një nga bullizuesit para kamerës, nga siguria e SUV-it të tij). Zëvendësuesi i Bovino-s, Tom Homan, nuk është ndonjë përmirësim i madh: ai ndihmoi në krijimin e praktikës së ICE-së për ndarjen e fëmijëve nga prindërit. Por pas një viti në të cilin establishmenti amerikan ka folur për një “ndryshim vibe” dhe për një ortodoksi të re trumpiane, qytetarët në SHBA dhe në mbarë botën mund të shohin se kjo nuk është e vërtetë: se ajo kundërshtohet prej tyre, përballë pajisjeve ushtarake dhe agresionit të pafalshëm.
Këtë javë, Minneapolis-i u ofron atyre që duan të tregojnë historinë e SHBA-së një narrativë tjetër, edhe pse se çfarë do të jetë ajo, pashmangshëm mbetet e paqartë. Për EH Carr-in, rëndësia e çdo presidenti apo e turmave protestuese nuk vendoset njëherë e përgjithmonë, por debatohet përgjithmonë nga ata që kthehen pas me pyetjet e epokës së tyre. Siç shkroi ai: “Historiani nuk i përket së shkuarës, por së tashmes.” Të gjithë ne një ditë do të përbëjmë lëndën e parë të historisë; të gjithë do t’i përkasim së ardhmes. Kjo duhet të na ndryshojë.
Për presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian, ka dy përgjegjës për nxitjen e protestave të fundit që përfshinë vendin. Ata janë presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Sipas tij, njerëz të pafajshëm u përdorën për të vrarë forca ushtarake dhe për t’i vënë flakën çdo gjëje që u dilte përpara.
“Qoftë Trump, qoftë Netanyahu, qoftë evropianët, të gjithë kërkuan të provokonin, të krijonin përçarje. Një numër njerëzish të pafajshëm i nxorën në rrugë dhe i nxitën se ky vend duhet të copëtohet…, për të krijuar konflikt dhe urrejtje midis njerëzve. Për të krijuar përçarje. Në asnjë protestë normale njerëzit nuk marrin armë. Ata nuk vrasin forca ushtarake. Ata nuk i vënë flakën ambulancave. Ata nuk i vënë flakën pazarit”.
Megjithatë, presidenti iranian paralajmëroi se Khamenei do t’i neutralizojë gjithmonë komplotet.
“Ne jemi gati të dëgjojmë. Është detyra jonë të ulemi me ta dhe të zgjidhim problemet e tyre. Por të gjithë e dinë se çështja nuk ishte vetëm protesta shoqërore. Ata provokuan, po kërkonin dhe janë duke kërkuar ta copëtojnë shoqërinë. Prania e udhëheqjes së Ajatollah Ali Khamenei i ka neutralizuar këto komplote dhe do t’i neutralizojë gjithmonë ato”.
Tensionet SHBA-Iran u rritën pas një shtypjeje të përgjakshme të protestave në të gjithë Iranin nga autoritetet e tij në javët e fundit. Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka pranuar publikisht mijëra vdekje gjatë protestave.
Ndërkohë, një ditë më parë para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se Irani po kërkon një marrëveshje. Presidenti amerikan i bëri sërish thirrje Teheranit të heqë dorë nga programi bërthamor për të shmangur sulmin ushtarak amerikan. Ai ka kërcënuar vazhdimisht të ndërhyjë nëse Irani do të vazhdojë të vrasë protestues./kb
Një shpërthim i virusit Nipah në shtetin lindor indian të Bengalit Perëndimor ka rritur ndjeshëm shqetësimet në Kinë dhe në disa vende të Azisë Juglindore, duke i shtyrë autoritetet të forcojnë kontrollet shëndetësore në aeroporte.
Që prej dhjetorit 2025, janë konfirmuar dy raste të infektimit me virusin Nipah në Bengal Perëndimor, njoftoi të mërkurën Ministria e Shëndetësisë e Indisë. Institucioni nuk dha detaje mbi identitetin e të infektuarve, por theksoi se nga 196 persona të kontaktuar, të gjithë janë gjurmuar, nuk kanë shfaqur simptoma dhe kanë rezultuar negativë në testime për virusin.
Një shpërthim i virusit Nipah në shtetin lindor indian të Bengalit Perëndimor ka rritur ndjeshëm shqetësimet në Kinë dhe në disa vende të Azisë Juglindore, duke i shtyrë autoritetet të forcojnë kontrollet shëndetësore në aeroporte.
Që prej dhjetorit 2025, janë konfirmuar dy raste të infektimit me virusin Nipah në Bengal Perëndimor, njoftoi të mërkurën Ministria e Shëndetësisë e Indisë. Institucioni nuk dha detaje mbi identitetin e të infektuarve, por theksoi se nga 196 persona të kontaktuar, të gjithë janë gjurmuar, nuk kanë shfaqur simptoma dhe kanë rezultuar negativë në testime për virusin.
A ka arsye për t’u shqetësuar?
TË LIDHURA
Kthimi i “Nipah”, çfarë dihet për virusin vdekjeprurës që po trondit Azinë
Virusi i rrezikshëm rikthehet në Azi, Nipah ndez alarmin global
Raste me virusin Nipah në Indi, vendet aziatike forcojnë kontrollet në aeroporte
Ekspertët thonë se situata duhet ndjekur me kujdes, por nuk ka arsye për panik të menjëhershëm.
Ja çfarë dihet deri tani:
Çfarë është virusi Nipah?
Virusi Nipah (NiV) është një virus zonotik, që do të thotë se transmetohet nga kafshët te njerëzit. Bartësit kryesorë janë lakuriqët e natës frutorë, por infektimi mund të ndodhë edhe përmes produkteve ushqimore të kontaminuara ose nga njeriu te njeriu përmes kontaktit të drejtpërdrejtë.
Virusi është potencialisht vdekjeprurës. Periudha e intubimit zakonisht zgjat nga 5 deri në 14 ditë, ndërsa simptomat shfaqen zakonisht brenda 3-4 ditëve. Infeksioni shkakton sëmundje të rënda respiratore dhe neurologjike, duke nisur me ethe dhe dhimbje koke, dhe në raste të rënda përparon në inflamacion të trurit.
“Shkalla e vdekshmërisë është e lartë, nga 40 deri në 75 për qind te personat e infektuar”, tha për Al Jazeera eksperti Abbas.
Megjithatë, sipas tij, numri bazë i riprodhimit të virusit, pra numri mesatar i personave që infektohen nga një i sëmurë, është zakonisht më pak se 1, çka tregon se përhapja nga njeriu te njeriu është e kufizuar dhe ka pak gjasa që virusi të kthehet në pandemi globale, siç ndodhi me COVID-19.
Ku është shfaqur më parë?
Shpërthimi i parë u regjistrua në 1998 në Malajzi dhe Singapor, ku fermerë derrash dhe kasapë u infektuan nga kafshë të sëmura. Rreth 250 persona u infektuan dhe mbi 100 humbën jetën.
Në vitin 2014, raste të virusit u shënuan në Filipine, të lidhura me therjen e kuajve dhe konsumimin e mishit të kontaminuar.
Që prej vitit 2001, shpërthime sporadike, por të përsëritura, janë regjistruar në Azinë Jugore, veçanërisht në Bangladesh dhe Indi. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në Bangladesh infektimet janë lidhur me konsumimin e lëngut të palmës së papërpunuar, kontaktin e ngushtë me sekrecione të personave të infektuar dhe kujdesin ndaj pacientëve të sëmurë.
Në Indi, rastet e para zyrtare u regjistruan në Bengal Perëndimor në vitin 2007, por një shpërthim i mëhershëm u identifikua në qytetin Siliguri në vitin 2001, ku 75% e rasteve ishin staf spitalor ose vizitorë.
Që prej vitit 2018, dhjetëra vdekje janë raportuar në shtetin Kerala, i cili konsiderohet aktualisht si zona me rrezikun më të lartë në botë për virusin Nipah.
Shkaqet e shpërthimeve në shtete të tjera indiane mbeten të paqarta. Disa ekspertë mendojnë se infektimi mund të lidhet me konsumimin e frutave të ndotura nga pështyma ose urina e lakuriqëve të natës, ndërsa Këshilli Indian i Kërkimeve Mjekësore ka sugjeruar se, përveç kontaktit fizik, virusi mund të transmetohet edhe nëpërmjet ajrit, ndonëse kjo nuk është vërtetuar plotësisht.
Sipas Abbasit, fakti që dy rastet e fundit në Bengal Perëndimor janë punonjës shëndetësorë në të njëjtin spital tregon mundësinë e transmetimit nga një pacient i infektuar, por ende i padiagnostikuar.
A ekziston një vaksinë kundër virusit?
Aktualisht nuk ka vaksinë apo trajtim të miratuar për virusin Nipah, as për njerëzit dhe as për kafshët, sipas OBSH-së.
Universiteti i Oksfordit po zhvillon prova klinike për një vaksinë në Bangladesh, ndërsa faza e dytë e testimeve nisi në dhjetor 2025.
Në mungesë të vaksinës, mjekët kanë përdorur antivirale si Ribavirina, megjithëse efektiviteti i saj mbetet i paqartë. Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka deklaruar se edhe Remdesiviri mund të ndihmojë në parandalim, të paktën në eksperimente me primatë.
Në Kerala, Remdesiviri u përdor gjatë një shpërthimi në vitin 2023, duke ndikuar në uljen e shkallës së vdekshmërisë.
Cilat vende kanë forcuar kontrollet shëndetësore?
Tajlanda, Indonezia, Nepali dhe Malajzia kanë shpallur masa të shtuara kontrolli në aeroportet ndërkombëtare.
Tajlanda ka caktuar zona të veçanta për avionët që vijnë nga vende të prekura dhe ka kërkuar që pasagjerët të plotësojnë formularë shëndetësorë përpara kalimit në emigracion. Në aeroportin Suvarnabhumi të Bangkokut janë instaluar edhe skanerë termikë për zbulimin e etheve.
Masa të ngjashme janë zbatuar edhe në Malajzi, Indonezi dhe Nepal.
Si mund të parandalohet përhapja e virusit?
Në Kinë, shqetësimet janë rritur ndjeshëm, sidomos për shkak të udhëtimeve masive gjatë festave të pranverës. Media shtetërore CCTV raportoi se vendi nuk ka regjistruar asnjë rast, por paralajmëroi për rrezik importimi të virusit.
Sipas ekspertëve, virusi Nipah nuk përhapet si COVID-19 dhe nuk pritet të shkaktojë bllokime masive. Rastet e rënda mund të menaxhohen me kujdes intensiv.
OBSH rekomandon masa parandaluese si: higjiena e mirë personale, ajrosja e ambienteve, shmangia e turmave, qëndrimi në shtëpi në rast sëmundjeje dhe kërkimi i ndihmës mjekësore në kohë.
Në veçanti, organizata thekson nevojën për kufizimin e aksesit të lakuriqëve të natës te produktet ushqimore, sidomos te lëngu i palmës. Frutat duhet të lahen, qërohen dhe ato me shenja kafshimi nga lakuriqët duhet të hidhen poshtë.
Autoritetet shëndetësore ndërkombëtare theksojnë se vëmendja, transparenca dhe parandalimi janë çelësi për të mbajtur nën kontroll virusin Nipah dhe për të shmangur përhapjen e tij përtej kufijve./kb
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e konsideron të papërgjegjshëm dhe të paprecedentë vendimin e këshillit të Lartë Gjyqësor për ta përcjellë çështjen e gjyqtares së Posaçme Irena Gjoka në derën e Inspektorit të Lartë të drejtësisë, në një kohë që ajo rezulton e dënuar në Greqi për përdorim të një vize të falsifikuar.
Sipas opozitës sjellja e KLGJ ngre pikëpyetje të forta mbi pavarësinë dhe paanshmërinë e këtij institucioni.
REAGIMI I GRUPIT PARLAMENTAR TË PD
“Kjo sjellje e papërgjegjshme dhe e paprecedent e KLGJ-së, në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve organike që e ngarkojnë me marrjen e vendimeve për rastet e papajtueshmërisë dhe pazgjedhshmërisë së gjyqtarëve, ngre pikëpyetje të forta për pavarësinë dhe paanshmërinë e organit të qeverisjes të pushtetit gjyqësor. Dërgimi për kompetencë ILD është një përpjekje e qartë për ta zvarritur akoma edhe më tej këtë çështje, me pasoja shumë të rënda për pushtetin gjyqësor, të drejtat e qytetarëve dhe besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të zbatojë ligjin dhe të kërkojë menjëherë nga KLGJ deklarimin e mbarimit të mandatit për gjyqtaren e dënuar.
Në mbledhjen e së premtes, Këshilli i Lartë Gjyqësor rrëzoi njëkërkesë për verifikimin e statusit të gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka lidhur me mosdeklarimin prej saj të një dënimi penal të dhënë nga drejtësia greke në vitin 2005. Mbi bazën e propozimit të një prej anëtarëve cështja në fjalë pritet ti kalojë për shqyrtim ILD-së./kb
Kriza energjetike që shpërtheu pas luftës në Ukrainë rriti çmimet e elektricitetit në mbi 500 euro/MWh në gusht 2022. Që atëherë, shumë parqe fotovoltaike janë futur në prodhim dhe të tjera janë në ndërtim ose në proces aplikimi.
Megjithatë, tregu tashmë është i ngopur dhe kjo ka sjellë ulje të ndjeshme të çmimeve të elektricitetit në bursën Alpex. Për shembull, në dhjetor 2025, gjatë një muaji me konsum të lartë, çmimi ra në 25 euro/MWh, ndërsa gjatë gjysmës së muajit janar 2026 qëndrimet ishin nën 30 euro/MWh.
Ky fenomen quhet “kanibalizim”, ku parqet PV e ulën vetë çmimin e shitjes së energjisë që prodhojnë.
Përputhja e ligjit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Europian do të lejojë edhe formimin e çmimeve negative. Kjo do të thotë se ndonjëherë elektriciteti me shumicë mund të ketë çmim nën zero, dhe rrallë, edhe konsumatori përfundimtar (p.sh. OSHEE) mund të paguhet për energjinë që përdor.
Shkaku është se energjia e prodhuar nga dielli ka disa karakteristika të veçanta:
Nuk mund të ruhet/magazinohet.
Prodhohet kryesisht midis orës 10:00 – 16:00, kur kërkesa është më e ulët.
Greqia, dikur importuese neto, tani mund të eksportojë energji fotovoltaike drejt Shqipërisë.
Nuk ka ndërlidhje të mjaftueshme për eksport në vendet fqinje.
Çmimet pranë zeros rrezikojnë seriozisht investimet që janë kryer dhe po kryhen ende.
Me një kosto prej 30-40 euro/MWh, investimet në PV mund të përballen me falimentim dhe ndikojnë edhe në sistemin bankar, i cili ka dhënë shumë kredi për këtë sektor.
Parqet fotovoltaike (PV), që prodhojnë energji elektrike nga dielli, në kushtet aktuale fitimin e tyre e kanë rreth 40,000 euro për hektar për megavat kapacitet të instaluar në vit, më pak se fitimet nga fermat bujqësore, sidomos serrat.
Të dhënat e kapaciteteve deri më 2025, së bashku me 600 MW energji eolike që pritet të hyjnë në vitin e ardhshëm, tregojnë një rritje të konsumit prej +10%. Tregu i përbashkët Shqipëri-Kosovë mbetet i ndjeshëm ndaj çmimeve të ulëta dhe risqeve nga oferta e lartë e energjisë së rinovueshme. /Marrë nga Monitor/kb
Këto janë pamjet në rrugët e Medeljinit në Kolumbi, ku qindra tifozë dolën për të pritur Lionel Messin.Ylli argjentinas dhe shokët e skuadrës udhëtuan për në hotel me autobus nën masa të rrepta sigurie, por kjo nuk e shmangu kaosin.
Me pankarta në duar dhe brohoritje, tifozët ishin aty për ta parë nga afër legjendën e Argjentinës. Lionel Messi dhe skuadra e Inter Miami kanë nisur një tur në Amerikën Latine për të zhvilluar disa ndeshje miqësore.
Kampionët e MLS në Amerikë do të sfidojnë Atletico Nacional këtë të shtunë dhe ai pritet që të jetë titullar./kb
Dëshpërues, vdekjeprurës dhe zbrazët nga çdo zbulim – mund të bëhej një dokumentar i denjë për ish-modelen nga Sllovenia, por ky është i pashpëtueshëm
Xan Brooks
Takimi im me Melanian është rezervuar për të premten në drekë, në një park tregtar në periferi të Bristolit, brenda një kinemaje të madhe që duket se është fshirë e zbrazur në pritje. Kur dokumentari i diskutueshëm i Brett Ratner-it, i mbështetur nga Amazon, u shfaq paraprakisht në Shtëpinë e Bardhë fundjavën e kaluar, lista e të ftuarve përfshinte Mike Tyson-in, Mbretëreshën Rania të Jordanisë dhe vetë presidentin. Sot jemi vetëm unë në sallë dhe Melania në ekran. Kjo e bën përvojën më intime dhe ekskluzive.
Kjo ndjesi ngrohtësie shoqërore shtrihet deri te titrat hapës; aty, pikërisht, bie të ftohtit dhe hyn novokaina, ndërsa ylli i filmit dhe producentja ekzekutive nis të na udhëheqë – me një ngadalësi të dhimbshme, akullnajore – nëpër përgatitjet për inaugurimin e dytë presidencial të bashkëshortit të saj. Ajo rrëshqet nga prova e rrobave te shtrimi i tryezës, nga “darka me qirinj” te “balloja e yjeve”, me një fytyrë si grusht dhe një zë si llamarinë. “Dritë qirinjsh dhe frak i zi dhe vizioni im krijues,” thotë, sikur të rendiste përbërësit e një kazani. “Si zonjë e parë, fëmijët do të mbeten gjithmonë prioriteti im,” pëshpërit, dhe pothuajse e imagjinon teksa i josh drejt shtëpizës së saj prej xhenxhefili.
Pa dyshim që ka një dokumentar të madh për t’u bërë për Melania Knauss-in, modelen ambicioze nga Sllovenia që u martua me një magnat të pasurive të paluajtshme në Nju Jork dhe më pas u gjend e hedhur në rolin e një Eva Braun-i të ditëve tona; por Melania i tmerrshëm nuk është ai. Është nga ato filma të rrallë, si njëbrirësh, që nuk kanë asnjë cilësi shpenguese. Madje nuk jam i sigurt nëse kualifikohet si dokumentar; më shumë duket si një copë taxidermie dizajni, e stërshtrenjtë dhe e akullt në prekje, e ofruar si tribut mesjetar për të qetësuar mbretin lakmitar në fronin e tij.
Dhe kështu vazhdon. Melania lëviz nëpër veprim si një automaton i plogësht, flet pa pushim por nuk thotë asgjë, shoqëruar nga Mar-a-Lago te Trump Tower e deri në destinacionin final, Shtëpinë e Bardhë. Çfarë pak drame ka, kryesisht varet nga shqetësimi i saj se bluza e bardhë i rri shumë e lirë në qafë dhe duhet prerë e pastaj shtrënguar, për tmerrin e rrobaqepësve. Melania thotë se i mungon nëna; thotë se e do Michael Jackson-in dhe Barron-in dhe ndoshta edhe bashkëshortin e saj, megjithëse vetë Trump-i është kryesisht një prani në sfond, që shfaqet herë pas here për t’u mburrur me fitoren elektorale dhe për t’u ankuar se inaugurimi i tij përplaset me transmetimet televizive të kampionatit universitar të futbollit amerikan. “Ndoshta e bënë me qëllim,” thotë ai.
Është dëshpëruese, është vdekjeprurëse dhe spektakolarisht e pazbulueshme. Filmi i Ratner-it luan si një ribërje e stolisur me ar e plehrash e The Zone of Interest të Jonathan Glazer-it, ku një Hirushë me sy si kopsa tregon stoli ari dhe fustane firmato, duke na shpërqendruar me mjeshtëri, ndërsa bashkëshorti i saj dhe klientela e tij përgatiten të çmontojnë Kushtetutën dhe të zhvatin asetet e qeverisë federale. “E bardhë dhe ari – kjo je ti,” gërrhet një nga servilët e saj, ndërsa ajo merret me skemën e ngjyrave të ballos dhe zonja e parë e ardhshme pranon se po, vërtet, kjo është e saktë.
Nuk është spoiler të zbulohet se, uf, falë Zotit, inaugurimi i dytë i Trump-it shkon mrekullisht mirë në fund. Kjo pavarësisht përplasjes së pafat me ndeshjen e futbollit universitar. Kjo pavarësisht lirshmërisë irrituese të bluzës së bardhë të zonjës së parë. Përgatitjet janë rraskapitëse, por euforia e momentit e mban gjallë deri në fund, deri te balloja e yjeve ku ajo kërcen shkurtimisht nën ritmet e YMCA të Village People. “Të qëndrosh zgjuar 22 orë u ndje si asgjë,” thotë me entuziazëm, gjë e këndshme për t’u dëgjuar dhe mirë për të. Por argëtimi nuk është ngjitës, të ftuarit janë një makth dhe dy orë Melania ndihen si ferr i pastër, i pafund.
Sot, anëtaret e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Ogerta Manastirliu dhe Iris Luarasi zhvilluan një takim me Presidenten e sapozgjedhur të Asamblesë, Petra Bayer.
Takimi u fokusua tek rruga e Shqipërisë drejt mbylljes së procesit të post-monitorimit dhe diskutimi për hapat pozitivë që po ndërmerren.
Presidentja Bayer, e njohur për angazhimin e saj në të drejtat e njeriut dhe të grave, shprehu mbështetje për avancimin e reformave dhe respektimin e standardeve europiane.
Anëtaret e delegacionit shqiptar theksuan rëndësinë e vazhdimit të reformave me ritëm dhe seriozitet të qëndrueshëm, me synimin që në fund të vitit 2026 Shqipëria të përmbyllë këtë proces me rezultate konkrete.
Takimi konfirmoi angazhimin e përbashkët për promovimin e të drejtave të njeriut, avancimin e të drejtave të grave dhe integrimin e Shqipërisë në standardet europiane.
“Sot, bashkë me Ogerta Manastirliun, si anëtare të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, patëm kënaqësinë të takonim Presidenten e sapozgjedhur, Petra Bayer – një mikeshë e çmuar dhe një luftëtare e palëkundur për të drejtat e njeriut dhe veçanërisht për të drejtat e grave. Folëm hapur për një temë që ka peshë: rrugën e Shqipërisë drejt mbylljes së procesit të post-monitorimit. Diskutuam për hapat pozitivë që po ndërmerren dhe për çfarë duhet të vijojë me të njëjtin ritëm e seriozitet, që në fund të 2026-s ta përmbyllim këtë kapitull me rezultate konkrete. #PACE #CouncilOfEurope #HumanRights #WomensRights #Albania Reforma StandardetEuropiane”, shkruan Luarasi./Kb
Një email i datës 25 maj 2012 tregon se Thorbjørn Jagland, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës në atë periudhë, i ka dërguar një mesazh Jeffrey Epstein, një ditë pas një vizite zyrtare në Shqipëri. Në komunikimin elektronik, Jagland shkruan shkurt: “Kam qenë në Tiranë, vajza të jashtëzakonshme”
Email-i është dërguar më 25 maj 2012, ndërsa vizita zyrtare e Jagland në Shqipëri është zhvilluar më 24 maj 2012, sipas axhendave dhe burimeve publike.
Sipas arkivave zyrtare, gjatë vizitës së tij në Tiranë, Jagland ka zhvilluar takime institucionale me Edmond Haxhinaston, ministër i Jashtëm i kohës, Sali Berishën, kryeministër, Bamir Topin, president i Republikës. Vizita ishte pjesë e angazhimeve të Këshillit të Europës në Shqipëri.
Thorbjørn Jagland ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, institucioni paneuropian që mbikëqyr demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës në 47 vende. Ai ka qenë gjithashtu ish-kryeministër dhe ish-ministër i Jashtëm i Norvegjisë.
Email-i i publikuar nuk përmban detaje mbi takime private apo aktivitete jashtë axhendës zyrtare të vizitës në Tiranë. Komenti i bërë në këtë komunikim privat nuk shoqërohet me shpjegime apo kontekst shtesë dhe, deri më tani, nuk ka prova publike që të tregojnë për ndonjë vijimësi konkrete përtej këtij mesazhi.
Megjithatë, fakti që ky komunikim është zhvilluar me Jeffrey Epstein, një figurë e përfshirë më vonë në skandale të rënda ndërkombëtare, ngre pikëpyetje mbi natyrën e marrëdhënieve dhe kontakteve private me figura të larta institucionale, çështje që mbeten ende të paqarta dhe të hapura për sqarim.
Foto: Emaili që Thorbjørn Jagland i ka dërguar Jeffrey Epstein/kb
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka shprehur rezerva për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kjo e fundit rrëzoi kërkesën e ish-ministrit për heqjen e masës arrest me burg.
Në reagimin e tij përmes përfaqësuesit ligjor, Beqaj është shprehur se nuk ka dijeni për rezultatet e votimit. Sipas tij, rrëzimi i kërkesës tregon se kundër ankimit të tij kanë votuar të paktën 4 gjyqtarë, por ndoshta kanë votuar “en bloc” të tetë gjyqtarët.
Beqaj ironizon duke theksuar se kërkesa për rrëzimin e vendimeve të masave të sigurimit ndoshta janë bezdisëse dhe të dorës së dytë për Gjykatën Kushtetuese në krahasim me çështje të tjera shumë më themelore për shtetin e së drejtës që gjykojnë, por kjo nuk duhet t’ju çojë në vlerësime krahasimisht më simpliste si në rastin e tij.
Reagimi i Ilir Beqajt
Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese!
Po ju drejtohem publikisht pas njoftimit të publikuar në faqen ëeb të Gjykatës më 28 janar 2026, ku bëhet e ditur se është rrëzuar kërkesa ime për të kundërshtuar vendimin e GJKKO të datës 6 korrik 2024 mbi masën e sigurimit “arrest në burg”.
Kjo padyshim më bën subjektiv dhe ju besoj edhe për këtë arsye mund ta neglizhoni këtë komunikim. E keni gati klishenë që vendimet e gjykatës nuk komentohen.
Por, meqë shqiptarët fitojnë çështje në GJEDNJ (Strasburg), kjo ndodh sepse ja që edhe ju jepkeni vendime të padrejta.
Atëherë, në një shoqëri demokratike, si e jona, çdokush ka të drejtë të shprehet lirshëm kundër padrejtësive. Mjafton që ta bëjë në mënyrë të paqtë dhe etike.
Ende nuk kam dijeni të rezultatit të votimit. Por rrëzimi i kërkesës tregon se kundër kërkesës sime kanë votuar të paktën 4 gjyqtarë, por ndoshta kanë votuar en bloc të tetë gjyqtarët.
Ky komunikim publik është vetëm për ata gjyqtarë që kanë votuar rrëzimin e kërkesës.
Kam bërë kërkesë në Gjykatën tuaj të nderuar më 1 korrik 2025. Sipas njoftimit të kahershëm, seanca do të zhvillohej në datë 23 dhjetor 2025, ndërsa njoftimi i rrëzimit të kërkesës u bë publik më 28 janar 2026. Kaq mjafton për të kuptuar se sa seriozë jeni në trajtimin e çështjeve që gjykoni. 7 muaj për të bërë vlerësimin e një mase sigurie. A ka kuptim që të jepni një vendim për një masë sigurie 19 muaj nga dhënia e vendimit të parë? Një shqyrtim i tillë i stërzgjatur e humbet funksionin e tij si garanci efektive. Çfarë lloj drejtësie qenka kjo? Kujt i duhet kjo lloj drejtësie kaq e vonuar?
Për ju kërkesat për rrëzim të vendimeve të masave të sigurimit mund të jenë “bezdisëse”, mund të jenë “të dorës së dytë” krahasuar me çështje të tjera shumë më themelore për shtetin e së drejtës që gjykoni, por kjo nuk duhet t’ju çojë në vlerësime krahasimisht më simpliste në raste si ky i imi.
Më 6 korrik 2024 GJKKO ka arsyetuar se, meqë veprat penale që dyshohet se kam kryer si funksionar i lartë parashikojnë dënim të lartë, ekziston rreziku që të largohem nga Shqipëria. Edhe Apeli i GJKKO më 7 gusht 2024 ka konfirmuar këtë rrezik.
Por vetë tekstet e arsyetimeve të vendimeve të shkallës së parë dhe Apelit të GJKKO, nëse lexohen, janë kontradiktore me vendimet e po këtyre gjykatave ndaj meje.
Nga leximi i vendimeve që unë kam kërkuar të rrëzoni rezulton:
Funksionar i lartë
Gjykatat (6 korrik dhe 7 gusht) kanë arsyetuar që në krye të herës se drejtori i përgjithshëm i SASPAC nuk është funksionar i lartë as sipas Kushtetutës (neni 135, pika 2) dhe as sipas KPrP (75/a). Anipse SPAK ka hyrë në vitin e shtatë të funksionimit, ende nuk di se kë ka subjekt të vetin.
Korrupsioni pasiv
Gjykatat (6 korrik dhe 7 gusht 2024) kanë arsyetuar që në krye të herës se dyshimet për korrupsion pasiv bazohen vetëm në hamendje. Kanë ftuar organin e akuzës për hetime të mëtejshme edhe për të përcaktuar vlerën e dyshuar të korrupsionit, sepse kjo lidhet edhe me kompetencën lëndore të SPAK. Në mungesë të një vlere korrupsioni, sado minimale qoftë, akuza për korrupsion nuk ka ekzistuar që në krye të herës.
Mashtrim me pasoja të rënda
Se si kualifikohet pasoja e rëndë në ligjin penal shqiptar e përcakton një vendim unifikues i GJL i vitit 2003. Por vetë ai vendim thotë se, bazuar në “zhvillimin aktual të vendit” (pra të vitit 2003), pasojë e rëndë është çdo vlerë mbi 2 milionë lekë. Paga minimale në shkallë vendi është rritur 5 herë nga 2003. A nuk është bërë atëherë vlera minimale e pasojës së rëndë 10 milionë lekë? Por kjo e rrëzon pasojën e rëndë. Për koincidencë, një ditë para rrëzimit të kërkesës ndaj meje, Kuvendi miratoi ndryshime në Kodin Penal. Neni 143/a/8 flet për mashtrim ndaj interesave financiare të BE-së. Pra, vepra penale e dyshuar për mua sipas nenit 143 qenka e cilësuar gabim. Mbrojtja ime nuk ka si ta dinte këtë gjë deri më 30 tetor 2025, kur ka sjellë informacione tek ju. Por ju vetë duhet të jeni të interesuar për zhvillimin e ligjit penal në Shqipëri. Neni 143/a/8 i Kodit Penal besoj se do të jetë në fuqi pas 2–3 javësh. Prandaj edhe akuza për mashtrim nuk ka ekzistuar që në krye të herës.
Shkelje e barazisë në tender
Mjafton një vendim i GJK i vitit 2006 për të provuar se akuza për shkelje të barazisë në tender është e pabazuar që në krye të herës. Acquis i BE-së nuk është burim i së drejtës penale në Shqipëri. Shqipëria nuk është ende shtet anëtar i BE-së. Rregulloret e BE-së që pretendohet se kam shkelur nuk janë ende ligj në Shqipëri. Ndërsa i famshmi Udhëzuesi PRAG nuk është ligj as në BE, as në Shqipëri. Ja pra që edhe ky dyshim nuk ka ekzistuar që në krye të herës.
Nëse sa më sipër mund të duket se i përket gjykimit të themelit, unë nuk pajtohem.
Nuk pajtohem sepse veprat penale të dyshuara u vendosën artificialisht në kërkesën e SPAK për masë sigurie. U rrit artificialisht dënimi maksimal për të ngritur alibinë e rrezikut të largimit. Çfarë më shtynte mua të largohesha nga vendi? E kisha dhe e kam një procedim tjetër penal për një fakt penal shumë më të rëndë dhe kisha masën “detyrim paraqitje”.
Sipas procedurës suaj, ne nuk kemi mundësinë të dëgjohemi. Rregullat tuaja na pengojnë të flasim vetë para jush. Në 7 muaj që trajtoni çështjen nuk na jepni as 2 orë kohë mundësinë të flasim para jush. Nëse do ta kisha pasur mundësinë, sa parashtrova më sipër do t’i kishit dëgjuar prej meje më 23 dhjetor 2025. Edhe ndryshimet e pritshme në Kodin Penal, sepse drafti me ndryshimet kishte dalë në konsultim publik që në tetor 2025.
E kam të qartë se çfarë do të ketë arsyetimi i rrëzimit të kërkesës. Shumë formalist do të jetë. Arsyetim tipik i një gjykate fakti.
Por ju, të nderuar, nuk jeni shkalla e katërt e gjyqësorit në Shqipëri.
Ka vite që jeni kthyer në shkallë të katërt gjykimi. Ka ndodhur ditë pas dite. E kanë sjellë këtë frymë ata anëtarë që kanë ardhur nga gjyqësori. Kanë sjellë frymën proceduraliste, afatet e tejzgjatura të gjykimit dhe arsyetimit.
Prandaj ndoshta duhet ndaluar me ligj që gjyqtarët nga tre shkallët e gjyqësorit të jenë anëtarë të GJK.
Kjo javë filloi me formalizimin e Korporatës së Drejtësisë. Të hënën u bë mbledhja inauguruese e Korporatës. Në atë mbledhje u nda edhe shqetësimi për raportin e zhdrejtë midis të paraburgosurve dhe të burgosurve në Shqipëri.
Unë nuk prisja pranim të kërkesës sime thjesht dhe vetëm se i përkas këtij raporti të zhdrejtë. Por rrëzimi i palogjikshëm i kërkesës sime është dëshmi e qartë se juve nuk ju ndjen fare për shqetësimet e shoqërisë shqiptare.
Të nderuar anëtarë të Gjykatës,
Unë nuk kam ndonjë interes të veçantë për arsyetimin e vendimit.
Por ju keni mundësinë të silleni si gjykatë e ligjit. Në të mirë të kujtdo që ndeshet në tre shkallët e gjykimit me çështje si këto që ndeshën në rastin tim.
Keni mundësinë të vendosni kornizën e funksionarëve të lartë subjekt i SPAK.
Keni mundësinë të vlerësoni peshën ligjore të rregulloreve të BE-së për sa kohë Shqipëria nuk është vend anëtar i BE-së.
Keni mundësinë të vendosni një mekanizëm që i lejon gjykatave të aktualizojnë vlera absolute monetare të kahershme që përcaktojnë shkallë të posaçme dëmi penal.
Nëse jepni vlerësim për këto çështje, do të ndikoni drejtpërdrejt edhe në uljen e çështjeve gjyqësore, sepse do të orientoni gjykatat në vendimmarrje më të unifikuara.
Shpresoj që vendimi i arsyetuar të jetë në lartësinë e rolit tuaj: mbrojtje reale e lirisë dhe e ligjshmërisë./Kb
Edhe pse janë krijuar për libra komikë, vizatimet e artistit – njëherazi të shthurura dhe qesharake – mbi neurozat e veta dhe mbi “glamazona” me çizme deri në kofshë, janë befas fuqishëm tronditëse kur vendosen në muret e një galerie.
Eddy Frankel
Është shqetësuese të hysh në një galeri dhe të shohësh frikërat dhe ankthet e tua më të thella të shtrira hapur mbi mure, por pikërisht kjo është fuqia e Robert Crumb-it. Prej më shumë se gjysmë shekulli, ky artist i dobët, i çuditshëm, i vështirë dhe në mënyrë të sikletshme i fiksuar pas seksit (sot në të tetëdhjetat), ka prodhuar pa pushim komikë “underground” që zhveshin neurozat e tij më intime – dhe, në të njëjtën kohë, t’i kthejnë ato pasqyruar lexuesit.
Tani ai po festohet në një galeri londineze ultra-luksoze, me faqe të shkëputura nga blloqet e tij të shënimeve, të kornizuara si vepra arti të lartë. Vetëm se kjo nuk është “art i rafinuar”: është i ndyrë, i zemëruar dhe paranojak. Është Crumb klasik: burra të dobët që dridhen nga frika, ankthi dhe hormonet në një botë mizore, të pamëshirshme e pa kuptim – të mbushur, sigurisht, me gra gjigante me çizme deri në kofshë.
Punët më të mira janë më të thjeshtat, njëlloj batutash vizuale. Crumb e vizaton veten duke u shpëlarë në tualet, ndërsa në mur shkruhet me grafiti: “Ja ku jam ulur dhe s’po më ecën, u përpoqa të bëj jashtë dhe vetëm gazra nxora.” Dështim i mjerë dhe humor i trashë – ky është universi i Crumb-it. Në autoportrete të tjera, ai e ka tytën e një arme pas kokës së tij të madhe e qesharake, ose ankohet se askush s’mund ta kuptojë. “Ndoshta vetë-ndëshkim,” shkruhet në një vizatim, “ose ndoshta është e vërtetë!” Ai është një përzierje e tmerrshme, por jashtëzakonisht e identifikueshme, e vetë-urrejtjes së tejskajshme dhe arrogancës ekstreme.
Si të mos ishte kështu? Bota që ai sheh është e ndyrë, brutale dhe politikisht e ankthshme. Në një imazh, një alien vajton lakminë dhe mashtrimin e racës njerëzore. Një burrë i mjerë, me hundën që i rrjedh, qan: “E kam shkatërruar jetën time, jam i humbur.” Kudo sheh njerëz të lumtur e të shëndetshëm që injorojnë dhe përçmojnë krijesat e vogla, të torturuara dhe të çuditshme përreth tyre.
E vetmja ngushëllim vjen nga gratë: amazona gjigante, të mëdha e trupplota. Crumb i adhuron, i idhullizon, kapet dëshpërimisht pas këmbëve të tyre të trasha. Ai vetë është një tip i thyer e i mjerë, por këto gra janë diçka e mirë në botë, diçka e pastër. Në një vizatim gati të ëmbël, një burrë i vogël, tullac, me rrobë spitali, i thotë një glamazone gjigante se është shumë i lumtur dhe plot dashuri. “Çdo çast është domethënës!” shkruhet me germa të mëdha në qiell. Ku janë paranoia, mllefi dhe vetë-ndëshkimi? Janë zhdukur, me sa duket, sapo një bukuroshe del në horizont.
Poshtë janë ekspozuar kryesisht stampa nga një bllok shënimesh i viteve ’80; lart, kryesisht vizatime origjinale. Të drejtpërdrejta, qesharake, eksperimentale: ai ka një sy të shkëlqyer kompozicional, një mjeshtëri brilante të vijës dhe një stil absolutisht unik. Këtu lart ka edhe më shumë paranojë, edhe më shumë fiksim seksual – burra që ose shtrëngojnë organet e tyre gjenitale, ose shkulen nga flokët. Nuk ka mesatare: ose devijancë seksuale totale, ose ankth total. Çfarë jete.
Një portret i gruas së tij, Aline Kominsky-Crumb (edhe ajo një artiste e njohur e komikëve), duke notuar në Mesdhe, ndihet ndryshe. Nuk është i shthurur, as paranojak, as i ndyrë apo i ngarkuar – është thjesht plot dashuri, i pastër dhe i drejtpërdrejtë. Një çast i vogël gëzimi të papërlyer në një botë përndryshe mjaft të neveritshme.
Nuk jam i sigurt çfarë fitohet nga shikimi i shumicës së veprës së Crumb-it në një kontekst galerie, të kornizuar e të varur në mur, në vend që të lexohet e shtypur në një botim. Në rastin më të mirë, kjo të jep kohë dhe hapësirë për të soditur çdo imazh veçmas, për ta marrë secilin si një objekt të rëndësishëm e të ngritur, dhe jo thjesht si një faqe tjetër ankthi në një varg të gjatë faqesh ankthi. Në rastin më të keq, shkatërron përvojën e leximit, duke minuar qëllimin dhe formatin origjinal. Imazhet më narrative, më tipike të komikut, nuk funksionojnë aq mirë të varura në mur. Crumb padyshim e meriton të ekspozohet në një galeri elegante të Mayfair-it, por po aq e vërtetë është se nuk ka asgjë të keqe me librat komikë. Ata janë të lirë, të lehtë, të ndyrë dhe të vërtetë – njësoj si Crumb.
Sido që të jetë, Crumb mbetet unik dhe jashtëzakonisht qesharak. “Nuk ka fund marrëzisë,” shkruhet me germa të mëdha në një mur poshtë – dhe le të shpresojmë që vërtet të mos ketë. Sepse kur marrëzia është e Crumb-it, ajo është tmerrësisht brilante.
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
U zhvillua sot në Vlorë forumi i Dialogut me temën “Edhe disa hapa akoma drejt BE”, ku morën pjesë Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, ambasadorja franceze në vend, Catherine Suard, ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali dhe zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë.
Ambasadorja Suard theksoi se “askush nuk mund të dyshojë se Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj, që nga reforma në drejtësi, digjitalizimi i shërbimeve, mbrojtja e qytetarëve dhe harmonizimi me politikat e jashtme”.
Sipas saj, këto arritje japin besim në arenën ndërkombëtare.
“Për këtë besim, Presidenti Emmanuel Macron erdhi dy herë radhazi në Shqipëri, vizita që i dhanë një ritëm të pandërprerë marrëdhënieve tona. Shqipëria e shtrin hapin, jo vetëm ecën drejt Europës”, shtoi Suard.
Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e fazës përfundimtare të integrimit.
“Kilometrat e fundit janë më të vështirët dhe më entuziazmuesit. Këto pika janë thelbësore për integrimin tuaj të ardhshëm dhe tregojnë një drejtim të vetëm, pa rrugë të tërthorta. Kjo pakthyeshmëri e bën Shqipërinë një partner të besueshëm për Francën dhe Europën.”
“Franca është krah jush, jo për të numëruar hapat, por si partner gjatë rrugës. BE nuk është një destinacion, ajo vetë është në lëvizje”, përfundoi ajo.
Ndërsa për Schieder, “plotësimi i BE-së nuk do të përfundojë derisa Ballkani të jetë pjesë e tij, e veçanërisht Shqipëria”.
“Zgjerimi është një shans shumë i mirë edhe për BE-në, jo vetëm një përpjekje për Shqipërinë”, theksoi Schieder, duke shtuar se ka avancim të madh në procesin e negociatave, kundrejt gjërave që ende janë për t’u bërë.
“Nëse mbyllen kapitujt që është parakusht dhe reformat përmirësojnë jetesën, ka një shans që në fund të kësaj dekade, se desh thashë shekulli, të mendojmë se si do dalim…Nuk dëshiroj të them një datë specifike, por ne mandatin në PE e kemi deri në vitin 2029.
Ajo që do doja më shumë se gjithçka që si relator është të komunikoj që Shqipëria është pjesë e Bashkimit Europian”, tha Schieder./kb
Google ka prezantuar një veçori të re në shfletuesin e saj Chrome të quajtur” Auto Browse”, e cila shfrytëzon inteligjencën artificiale dhe i lejon vetë programit të marrë përsipër navigimin dhe të kryejë detyra online në emër të përdoruesit.
Mjeti bazohet në modelin Gemini 3 dhe është projektuar për të trajtuar veprime të tilla si rezervimet e fluturimeve, kërkimet e strehimit dhe dorëzimet e shpenzimeve.
Lançimi i Shfletimit Automatik është pjesë e integrimit gradual të veçorive të IA-së në Chrome.
Vitin e kaluar, Google prezantoi ” Gemini në Chrome”, i cili iu përgjigj pyetjeve në lidhje me përmbajtjen e faqes së internetit dhe sintetizoi informacionin nga skeda të shumta të hapura.
Shfletimi Automatik është i arritshëm nëpërmjet shiritit anësor Gemini në Chrome dhe aktualisht është i disponueshëm vetëm në SHBA, ekskluzivisht për abonentët e planeve me pagesë AI Pro dhe AI Ultra të Google. Nuk ka asnjë informacion se kur do të jetë i disponueshëm për jo-abonentët ose në vende të tjera.
Google e vendos mjetin e ri në vizionin më të gjerë të Silicon Valley për të ardhmen e shfletimit në internet, ku inteligjenca artificiale ndërmerr gjithnjë e më shumë veprime, duke kufizuar pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të përdoruesit.
Sot, pothuajse të gjithë shfletuesit e njohur përfshijnë një farë shkalle të inteligjencës artificiale, qoftë që nga fillimi ose përmes shtojcave të mëvonshme.
Në një prezantim para lançimit, drejtoresha e menaxhimit të produkteve Chrome, Sharmin D’Silva, tregoi se si mund të përdoret Auto Browse për blerjet online .
Kur aktivizohet, Shfletimi Automatik merr kontrollin e Chrome në një skedë të veçantë, duke kryer automatikisht klikime ndërsa përpiqet të përfundojë komandën .
Në versionin eksperimental, përdoruesit i shfaqet një paralajmërim që ta përdorë Gemini me kujdes dhe të ndërhyjë nëse është e nevojshme, pasi ata mbeten përgjegjës për veprimet e kryera nga sistemi .
Automatizimi nuk është absolut. Veprimet që Google i konsideron më të ndjeshme, si postimet në mediat sociale ose pagesat me kartë krediti , kërkojnë miratim shtesë.
Në këto raste, Auto Browse paraqet hapat që ka ndërmarrë dhe i kërkon përdoruesit të vendosë nëse do të vazhdojë.
Në të njëjtën kohë, çështjet e sigurisë nxirren në pah. Ashtu si mjetet e tjera të ” IA-së agjentike “, Auto Browse mbetet i prekshëm ndaj sulmeve të injektimit të menjëhershëm , në të cilat faqet e internetit keqdashëse mund ta mashtrojnë sistemin që të kryejë veprime të ndryshme nga ato të kërkuara fillimisht nga përdoruesi./KM