Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të niset për në Shtetet e Bashkuara të dielën dhe do të takohet me Presidentin Donald Trump në Florida një ditë më vonë.
Kjo do të jetë vizita e pestë e Netanyahut për të takuar Trump në Shtetet e Bashkuara këtë vit.
Udhëtimi i tij vjen ndërsa administrata Trump dhe ndërmjetësit rajonalë shtyjnë përpara për të vazhduar me fazën e dytë të armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.
Trump u tha gazetarëve në mesin e dhjetorit se Netanyahu ndoshta do ta vizitonte atë në Florida gjatë festave të Krishtlindjeve.
“Ai do të donte të më takonte. Nuk e kemi vendosur zyrtarisht, por ai do të donte të më takonte”,-tha Trump para se të nisej për në resortin e tij Mar-a-Lago.
Një gamë e gjerë çështjesh rajonale pritet të diskutohej, duke përfshirë Iranin, bisedimet mbi një marrëveshje sigurie Izrael-Siri, armëpushimin me Hezbollahun në Liban dhe fazat e ardhshme të marrëveshjes së Gazës.
Progresi në kalimin në fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza të tetorit, e cila u ndërmjetësua nga Uashingtoni dhe aleatët e tij rajonalë, deri më tani ka qenë i ngadaltë./mxh
Një tërmet me magnitudë 6.6 ballë ka goditur sot pranë brigjeve të Tajvanit, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së.
Epiqendra e tërmetit ishte rreth 20 milje në lindje të Qarkut Yilan, Tajvan, dhe goditi rreth orës 23:05 sipas kohës lokale. Administrata Qendrore e Motit e Tajvanit e vlerësoi tërmetin si një magnitudë 7.0 ballë.
Tërmeti u ndje në Taipei, kryeqytetin e Tajvanit, sipas Reuters. Qeveria e qytetit të Taipeit tha se nuk kishte raportime të menjëhershme për dëme të mëdha.
Më 24 dhjetor, një tërmet me magnitudë 6.1 ballë goditi qarkun bregdetar juglindor të Tajvanit, Taitung. Ky tërmet tronditi gjithashtu ndërtesat në Taipei. Tajvani është i prirur ndaj tërmeteve dhe është pranë kryqëzimit të dy pllakave tektonike./mxh
Elbasani i ka paraqitur FSHF-së një kërkesë zyrtare për shqyrtim disiplinor ndaj Tiranës. Klubi verdheblu kërkon që ndeshja të regjistrohet si fitore në tavolinë për ta.
Sipas Elbasanit, Tirana ka refuzuar vazhdimin e ndeshjes duke braktisur fushën, veprim që përbën shkelje disiplinore.
Kërkesa nuk lidhet me vendimet teknike të arbitrit, por me sjelljen e ekipit bardheblu. Rregullorja e FSHF parashikon humbje në tavolinë në raste refuzimi për të luajtur ose mosvazhdim të ndeshjes.
Tirana ka pasur edhe më herët episode të ngjashme gjatë këtij sezoni. Vendimi përfundimtar pritet nga organet disiplinore të FSHF-së./mxh
Një episod i rëndë dhune është regjistruar mbrëmjen e djeshme në autostradën Tiranë–Durrës, ku gazetari Elton Tozaj është sulmuar fizikisht rreth orës 19:30, në rrethana që ende mbeten të paqarta.
Sipas deklarimeve të familjarëve, Tozaj është goditur brutalisht nga disa persona, të cilët ata pretendojnë se janë tashmë të identifikuar. Dhuna e ushtruar ndaj tij ka qenë e ashpër, duke i shkaktuar dëmtime serioze fizike.
Gazetari ndodhet aktualisht nën kujdes intensiv mjekësor dhe, sipas familjes, gjendja e tij shëndetësore paraqitet e rënduar. Ajo që e bën situatën edhe më alarmante është fakti se Tozaj po përballet me rrezikun e humbjes së shikimit, ndërsa mjekët po bëjnë gjithçka për stabilizimin e gjendjes së tij.
Familjarët janë shprehur të tronditur nga ngjarja dhe kanë kërkuar reagim të menjëhershëm nga autoritetet, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të dhunës.
Në javët e fundit, Elton Tozaj ka qenë aktiv në hapësirën publike me deklarata që kanë ngjallur reagime dhe polemika. Ndër to, ai ka bërë pretendime lidhur me moderatoren Luana Vjollca dhe marrëdhënien e saj me ish-partnerin Krenar Çoçaj, duke përmendur disa situata të supozuara ndjekjeje në udhëtime dhe pushime jashtë vendit.
Në reagim ndaj këtyre deklaratave, moderatorja Luana Vjollca ka njoftuar se ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj gazetarit, duke i cilësuar pretendimet si të pavërteta, fyese dhe cenim serioz të figurës së saj publike./mxh
Shkurta Haxhiu i ka dhënë fund rrugëtimit të saj në Big Brother VIP Kosova 4 mbrëmjen e djeshme, duke u eliminuar si banorja e dytë që u largua nga shtëpia gjatë asaj nate.
Ajo u përball me një nominim të fortë dhe vendimtar, ku në televotim ishin gjithashtu Alba Pollozhani, Labinot Rexha, Benita Zena dhe Dolce. Ky nominim erdhi si pasojë e shkeljeve të rregullave nga disa prej banorëve, çka e bëri votimin edhe më të ndjeshëm dhe të komentuar.
Menjëherë pas daljes nga shtëpia, Shkurta nuk e fshehu zhgënjimin e saj. Ajo ngriti kritika të hapura ndaj produksionit, duke deklaruar se gjatë qëndrimit në reality nuk i ishte dhënë hapësira e mjaftueshme për të treguar rrëfimin e saj personal dhe për të shprehur vlerat që ajo përfaqëson si artiste dhe aktiviste.
Pakënaqësia e saj u shtri edhe ndaj panelit të opinionistëve. Në reagimin e saj, Haxhiu u shpreh ashpër për Leonora Jakupin dhe Olta Gixharin, të cilat i cilësoi si opinionistet më negative që kishte përjetuar ndonjëherë në një format televiziv./mxh
Kryedemokrati Sali Berisha i bëri thirrje nga Korça kryeministrit Edi Rama që të japë dorëheqjen.
Në fjalën e tij në turin e ‘Foltores’, Berisha u shpreh se dënimi ndaj Ramës është pa kthim dhe kapital.
Berisha shtoi se protestat qytetare janë e vetmja mënyrë për të përcjellë Ramën nga largimi nga pushteti.
“Thashë edhe një herë, kur na kanë provokuar në shkallën më ekstreme, kemi ditur t’u tregojmë në mënyrën më të vendosur vendin të gjithë atyre. Ndaj dhe ju garantoj se Edi Rama i ka ditët e numëruara, kohërat e numëruara.
Se, se ashtu siç thotë edhe legjenda, keni parë, s’keni parë një të vdekur me të gjallë, të dy ata janë të vdekur politikisht bashkë me Rilindjen e tyre, që është një strofull krimi, strofull krimi edhe duhet të largohet nga historia.
Ndaj dhe demokratë dhe demokrate të Korçës, qytetarë dhe qytetare të Korçës, ju ftoj në emër të dinjitetit tonë njerëzor, të dashurisë sonë për këtë vend, për këtë komb që po rrokulliset si asnjëherë në historinë e tij, që po ecën drejt shuarjes me këto përmasa largimi nga vendi, për këtë komb që varfërohet, në një kohë kur Shqipëria është nga vendet më të begata, më përrallore me pasuritë e saj.
Për trashëgiminë tonë, se dhe ajo ka vlerën, për familjen, për familjen dhe vlerat e saj. Miq, ligji që miratoi ky bastard i George Sorosit, ligji që miratoi është ligji i shkatërrimit të përfundimtar të familjes. Të rinjtë nuk e dinë. Edhe s’kanë pse ta dinë.
Por, në manifestin e Marksit, armiku apo gjëja më e keqe e planetit sipas filozofit parajak terrorist, Karl Marks, ishte prona private. Post-marksistët, post-marksistët kanë shpallur familjen dhe shpërbërjen e saj, ndryshimin e gjinive dhe shpërbërjen e tyre si qëllimin kryesor të një bote të ardhshme.
Ndaj dhe kjo betejë është një betejë për familjen tonë, e cila ka mbajtur kombin nga shekulli në shekull, nga mijëvjeçari në mijëvjeçar dhe i detyrojmë një lloj sa Zotit ekzistencën tonë.
Këtu, nga Korça, i deklaroj Edi Ramës se dënimi yt është pa kthim dhe është kapital.
Dënimi yt politik është pa kthim dhe kapital.
Jep dorëheqjen! Jep dorëheqjen, se nuk ka forcë në botë që të mban më në pushtet.
Se korçarët, se tiranasit, se shqiptarët, çdo ditë betohen për të treguar vendin që meriton. Të falenderojë Zotin që Shqipëria nuk ka dënim me vdekje, me vjedhjet që kanë bërë. Jua them unë juve, ama.
Ndaj dhe Partia Demokratike dhe opozita e cila ka gjithë trashëgiminë e saj, ka të drejtën me vete, ka guximin e qytetarëve.
Në javë që vijnë, Edi Ramën do e përcjellin në honet e historisë, në banesën e turpit, për vjedhjet që ka bërë. Kjo kërkon nga çdo qytetar, kërkon nga çdo demokrat e demokratë, protestë paqësore të qëndrueshme.
Ne nuk duhet të humbasim nordin tonë. Të gjitha betejat i kemi fituar me qëndresë paqësore. Paqja është shumë herë më e fortë se të gjitha të tjerat. Erdhën me rebelim në ’97-ën, i përzumë me votë. Grabiten votën, do t’i përzëmë përsëri këto muaj së bashku”,-tha Berisha./Mxh
Vllaznia e mbylli gjysmën e parë të sezonit të rregullt në Superiore në vendin e katërt, me 30 pikë pas 18 javësh.
Shkodranët kanë realizuar 24 gola, duke pasur sulmin e dytë më të mirë të kampionatit, pas Dinamos. Mbrojtja renditet e pesta, me 16 gola të pësuar.
Nga 30 pikët totale, 19 janë marrë në fazën e parë, ku Vllaznia kryesonte renditjen, ndërsa në fazën e dytë ka grumbulluar vetëm 11 pikë.
Diferenca me vendin e parë, që mbahet nga Egnatia, është aktualisht 7 pikë. Forca kryesore e Vllaznisë kanë qenë ndeshjet në shtëpi. Vështirësitë kryesore janë hasur në transfertë, ku rezultatet kanë qenë të kufizuara./mxh
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka zhvilluar takimin e paralajmëruar me demokratët në qytetin e Shkodrës, ku ka reaguar me tone të ashpra ndaj mesazhit të shpërndarë nga zyrat e PD-së, që u bënte thirrje anëtarëve të mos merrnin pjesë në këtë takim, me pretendimin se ai ishte i organizuar nga kryebashkiaku Benet Beci.
Gjatë fjalës së tij, Salianji akuzoi drejtues të Partisë Demokratike se po përpiqen të ushtrojnë presion mbi bazën dhe të pengojnë mbledhjen e demokratëve të pakënaqur. “Rrogëtarët e PD nuk ju njohin dhe nuk duan t’i shohin sallat plot, që nuk mbushen prej nesh apo prej meje, por prej pakënaqësisë që ka çdo demokrat,” u shpreh ai, duke shtuar se kontributi, sakrifica dhe merita e anëtarëve të partisë po shpërfillen, ndërsa rregullat e përcaktuara në statut, sipas tij, “hidhen në kosh të plehrave”.
Salianji kritikoi ashpër atë që e quajti sjellje të “kolltukofagëve”, të cilët, sipas tij, janë të fiksuar pas karriges dhe mendojnë se mund të ushtrojnë presion përmes deklaratave publike. “Mendojnë se na bëjnë presion duke thënë çudira në publik, por e kanë gabim,” deklaroi ai.
Në vijim, Salianji theksoi se personalisht nuk i nënshtrohet presionit, duke sjellë si shembull edhe përballjet e tij me qeverinë. “Presionin nuk e njoh. Nuk më bëjnë dot presion as njerëz më të rëndësishëm se këta. Nuk më bëri presion as Rama në burg, ku më vendosi regjimi,” tha ai./mxh
Pavarësisht rritjes së përdorimit të teknologjisë dhe platformave digjitale, bizneset në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë të mbeten prapa në shitjen dhe blerjen online. Sipas të dhënave të Balkan Barometer 2025, vetëm 20% e kompanive në nivel rajonal deklarojnë se shesin produkte ose shërbime përmes internetit, ndërsa shumica dërrmuese, 80%, ende nuk janë të përfshira në tregtinë elektronike.
Në këtë panoramë, Shqipëria shfaqet me performancë relativisht më të mirë, pasi 26% e bizneseve raportojnë se operojnë online, një shifër më e lartë se mesatarja e rajonit. Megjithatë, edhe në Shqipëri, 74% e kompanive ende nuk shesin apo blejnë produkte përmes platformave digjitale, çka tregon se potenciali për zhvillim mbetet i pashfrytëzuar.
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Serbia kryeson listën me 27% të bizneseve aktive në tregtinë online, e ndjekur nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut me 24%. Në anën tjetër të renditjes qëndrojnë Bosnje dhe Hercegovina me vetëm 11%, Kosova me 13%, si dhe Mali i Zi me 18%, duke reflektuar diferenca të ndjeshme në nivelin e digjitalizimit të ekonomive të rajonit.
Faktorë si mungesa e infrastrukturës digjitale, kostot e larta të investimit, siguria kibernetike dhe niveli i ulët i besimit në pagesat online vazhdojnë të frenojnë zhvillimin e tregtisë elektronike. Ndërkohë, të dhënat e Ballkan Barometer tregojnë se përshpejtimi i digjitalizimit të bizneseve mbetet një element kyç për rritjen e konkurrueshmërisë, zgjerimin e tregjeve dhe integrimin më të shpejtë ekonomik të Ballkanit Perëndimor. Anketa për botimin e vitit 2025 të Ballkan./mxh
Agjencitë kryesore kundër korrupsionit në Ukrainë thanë se po hetojnë akuza për blerje votash nga anëtarë të parlamentit dhe se shërbimet e sigurisë po pengonin përpjekjet për të kryer kontrolle. Hetimi, i lajmëruar më 27 dhjetor, ishte më i fundit në një seri hetimesh nga dy agjencitë, Zyra e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës, që kanë tronditur politikën e brendshme në Ukrainë.
Zyra e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit e njohur si SAPO tha se hetuesit e saj kishin identifikuar me dyshim “një grup kriminal të organizuar” që përfshinte deputetë aktualë në Verhovna Rada, parlamentin ukrainas. Anëtarët e grupit, sipas SAPO-s, kanë marrë përfitime të paligjshme në këmbim të votave të tyre në parlament. Por, detaje të mëtejshme mbi këto akuza nuk janë bërë publike.
Ndërkohë, Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit, e njohur si NABU, tha se hetuesit e saj po pengoheshin teksa tentonin të hynin në ndërtesat administrative të përdorura nga deputetët. Agjencia e ngarkuar me sigurimin e deputetëve, Shërbimi Shtetëror i Mbrojtjes, i mohoi akuzat, duke i thënë shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se rojet thjesht po verifikonin identitetin e hetuesve.
“Fakti është se punonjësit e NABU-s po përpiqen të sjellin persona të panjohur ose të pakuptueshëm në territorin e regjimit, në territorin e institucionit shtetëror”, tha zëdhënësi i shërbimit, Oleksiy Morozov.
Të themeluara në vitin 2015 si pjesë e reformave gjithëpërfshirëse që synonin çrrënjosjen e korrupsionit të rrënjosur prej kohësh, të dyja agjencitë kanë ndërtuar reputacion për kryerjen e hetimeve politikisht të ndjeshme, si dhe për luftën për të ruajtur pavarësinë e tyre nga entitete të tjera të zbatimit të ligjit.
Një hetim mbi ryshfete në sektorin e energjisë, përfshirë financimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore për infrastrukturën e rrjetit elektrik, doli në pah publikisht muajin e kaluar, kur zyrtarët kundër korrupsionit bastisën zyra në Kiev.
Ky hetim, i cili është ende në proces e sipër, çoi përfundimisht në shkarkimin nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të Andriy Yermak, shefit të tij të kabinetit prej kohësh dhe një figure kyçe ndërmjetëse në negociatat e paqes me Shtetet e Bashkuara. Shkarkimi i Yermakut erdhi në një moment të vështirë për Zelenskyyn. Akuzat i kanë njollosur reputacionin e tij brenda vendit dhe kanë shtuar presionin për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, diçka që presidenti ukrainas e ka kundërshtuar për shkak të ligjit ushtarak dhe luftës së gjithanshme të Rusisë kundër Ukrainës./mxh
Deputeti demokrat, Ivi Kaso deklaroi sot se Partia Demokratike është instrumenti i vetëm politik dhe shoqëror që mund ta përmbysë neodiktaturën me të cilën përballet vendi.
Në fjalën e tij në “Foltoren” në Korçë, Kaso u shpreh se është detyrë e demorkatëve që jo vetëm të mbajnë gjallë flamurin e PD-së, por edhe t’u ofrojë qytetarëve shqiptarë rrugën drejt vlerave të BE-së.
“27 dhjetori përkon edhe me 35-vjetorin e themelimit të kësaj dege. Mblidhemi sot për një përvjetor, një moment reflektimi. Sot e mbajmë gjallë këtë flamur; ai është dëshmi e forcës dhe vitalitetit.
Kemi parë përpjekje për të vjedhur flamurin dhe vulën, por falë sakrificës suaj, sot jemi alternativa kryesore për qeverisjen e vendit. Ky është gjithashtu një moment reflektimi: varfëria dhe padrejtësia janë bërë pjesë e përditshmërisë. Fermerët janë në pikë të hallit, të rinjtë nuk gjejnë mbështetje, gjyqësori është në kolaps dhe krimi ka kapur zgjedhjet.
Megjithatë, edhe sot ka shpresë dhe ajo është PD. Ajo është instrumenti i vetëm politik dhe shoqëror që mund ta përmbysë këtë gjendje. Nuk mund të heshtim. Misioni ynë është përmbysja e neodiktaturës. Jemi gati t’u ofrojmë qytetarëve rrugën drejt Europës së vlerave,”- tha Kaso./mxh
Christian Pulisic është aktualisht futbollisti me vlerësimin mesatar më të lartë në Serie A. Sipas të dhënave të përmbledhura nga “Fantacalcio”, paraqitjet e tij me Milanin e vendosin në krye të renditjes sezonale.
Amerikani kryeson listën e lojtarëve që kanë zhvilluar të paktën 50 për qind të ndeshjeve në kampionat. Në 10 paraqitje, Pulisic ka shënuar shtatë gola dhe ka dhuruar dy asistime.
Pas tij renditet bashkëlojtari Luka Modric, ndërsa vendin e tretë e mban Nico Paz i Comos. Në mesin e dhjetë më të vlerësuarve janë edhe portierët Mile Svilar dhe Wladimiro Falcone.
Lista përfshin gjithashtu lojtarë nga Juventus, Napoli dhe Inter, duke reflektuar performancat më konstante deri në këtë fazë të sezonit./mxh
Reshjet e para të dëborës në Gjermani i rikthehen gjermanëve aktivitetet e tyre të preferuara dimërore.
Ja disa nga pikat më interesante gjatë sezonit të ftohtë të dimrit:
Nëse jeni romantik në zemër, nuk duhet të humbisni udhëtimin me hekurudhën e Harzit. Duke kaluar nëpër pesazhet përrallore të Saksonisë së Poshtme, Brockenbahn do të ngjitet deri në majën e malit më të lartë të Gjermanisë Veriore, në Brocken.
Nuk ka dimër pa një udhëtim me slitë! Merrni një slitë poshtë shpateve të pyllëzuara të Taunus në Hessen, Wallberg në jug të Bavarisë ose Schalenggen në Allgäu.
Një shëtitje me karroca me kuaj në pesazhin përrallor të Altenberg në malet e Saksonisë, ose bëni sporte dimërore në shpatet e Sonnenberg në Oberharz.
Të bëni ski, të shijoni një vrap të qetë ose të provoni disa sporte të guximshme në dëborë.
Temperaturat e para nën zero krijojnë një botë magjepsëse dritash, teksa vizitorët bëjnë patina në akull nën impiantet industriale në zonën e Ruhrit në Essen.
Ashtu si kështjella përrallore e Hirushes, Kalaja e Moritzburgut e mbuluar me borë ndodhet në brigjet e një liqeni të ngrirë. Qyteti i vjetër historik i Dresdenit me Semper Opera House dhe Zwinger janë gjithashtu dicka për t’u parë kur mbulohen nga shtresa të dendura akulli.
Në majën madhështore të Dreitorspitze, 2.600 metra të lartë, do të shijoni një pamje mahnitëse mbi vargmalet bavareze Wetterstein të mbuluara me dëborë.
Pushimet në bregdet në dimër janë një eksperiencë e paharrueshme në ishullin më të madh të Gjermanisë Rügen.
Me gurë stralli të mbuluar me një shtresë të trashë akulli në bregun e Detit Baltik, një shëtitje e thjeshtë dimërore kthehet në një eksplorim aventuresk të një planeti të ngrirë.
Cili do të ishte aktiviteti juaj i preferuar dimëror në Gjermani?/mxh
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbërritur pasditen e sotme në qytetin e Korçës.
Kjo është ndalesa e radhës për kryedemokratik, që vijon turin e ‘Foltores’.
Mësohet se Berisha do të zhvillojë një bashkëbisedim të hapur dhe të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe simpatizantët demokratë.
Prej pak javësh, Berisha po zhvillon një tur takimes me demorkatët në zona të ndryshme të vendit, ku fokusi i diskutimeve mbetet situata politike dhe mazhoranca./mxh
Tajlanda dhe Kamboxhia i dhanë fund javëve të përplasjeve të ashpra kufitare të shtunën me një armëpushim të dytë në muajt e fundit, pas luftimeve më të rënda prej vitesh mes dy vendeve të Azisë Juglindore.
Armëpushimi po respektohej, tha një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Tajlandës, Surasant Kongsiri, për Reuters rreth dy orë pasi ai hyri në fuqi në mesditë.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Kamboxhias nuk raportoi për asnjë përplasje pas asaj që tha se ishte një sulm ajror tajlandez herët të shtunën, përpara njoftimit të armëpushimit.
Marrëveshja, e nënshkruar nga ministri tajlandez i Mbrojtjes, Natthaphon Narkphanit, dhe homologu i tij kamboxhian, Tea Seiha, i dha fund 20 ditëve luftime që vranë të paktën 101 persona dhe zhvendosën më shumë se gjysmë milioni njerëz në të dy anët, duke përfshirë fluturime të avionëve luftarakë, shkëmbime zjarri me raketa dhe breshëri artilerie.
Përplasjet u rindezën në fillim të këtij muaji pas dështimit të një armëpushimi që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, kishin ndihmuar të ndërmjetësonin për ta ndalur një rund të mëparshëm luftimesh.
Diplomati kryesor i Kamboxhias, Prak Sokhonn, dhe homologu i tij tajlandez, Sihasak Phuangketkeow, do të takohen me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi, në provincën Yunnan të Kinës të dielën dhe të hënën për të diskutuar situatën kufitare, sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme e Kamboxhias dhe një zyrtari tajlandez.
Për më shumë se një shekull, Tajlanda dhe Kamboxhia kanë kundërshtuar sovranitetin në pika të ndryshme të pademarkuara përgjatë kufirit të tyre tokësor prej 817 kilometrave – një mosmarrëveshje që herë pas here ka shpërthyer në përleshje dhe luftime.
Armëpushimi i ri do të monitorohet nga një ekip vëzhguesish nga blloku i Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), si dhe përmes koordinimit të drejtpërdrejtë mes të dy vendeve, tha Natthaphon.
Tensionet mes dy fqinjëve arritën kulmin në korrik, kur ata u përplasën për pesë ditë përgjatë disa pjesëve të kufirit, duke lënë të paktën 48 të vdekur dhe 300.000 të zhvendosur përpara se Trump të ndërhynte për të sjellë një armëpushim.
Ai armëpushim u prish në fillim të dhjetorit, me secilën palë që akuzonte tjetrën për veprime që çuan në përplasje. Anwar, aktualisht kryetar i ASEAN-it, dhe Trump nuk kishin arritur të ndërtonin një armëpushim tjetër, ndërsa luftimet u përhapën nga rajonet pyjore pranë Laosit drejt provincave bregdetare në Gjirin e Tajlandës.
Armëpushimi i rinovuar erdhi pas një takimi të posaçëm të hënën të ministrave të jashtëm të ASEAN-it në Kuala Lumpur, i ndjekur nga tri ditë bisedimesh mes palëve ndërluftuese në një pikë kufitare, ku dy ministrat e mbrojtjes u takuan të shtunën.
Ata ranë dakord për kthimin e njerëzve të zhvendosur nga zonat kufitare të prekura, duke theksuar se asnjëra palë nuk do të përdorë forcë kundër civilëve.
Tajlanda do të kthejë gjithashtu 18 ushtarë kamboxhianë që mban në paraburgim që nga përplasjet e korrikut, nëse armëpushimi respektohet plotësisht për 72 orë, sipas marrëveshjes.
Megjithatë, pakti i së shtunës nuk do të ndikojë në asnjë aktivitet demarkacioni kufitar që po zhvillohet mes dy vendeve, duke lënë detyrën e zgjidhjes së zonave të kontestuara përgjatë kufirit në mekanizmat ekzistues dypalësh./mxh
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.0 goditi bregdetin verilindor të Tajvanit mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 23:05 sipas kohës lokale.
Sipas Administratës Qendrore të Motit (CWA), lëkundjet u ndien pothuajse në të gjithë ishullin.
Tërmeti u përjetua me intensitet të lartë në disa qytete kryesore, përfshirë kryeqytetin Taipei, New Taipei, Taichung, Taoyuan dhe Tainan.
Sipas shkallës shtatë-nivelëshe të intensitetit sizmik të Tajvanit, lëkundjet u vlerësuan në nivelin 4 në shumicën e rajoneve, një nivel që shkakton lëkundje të forta të ndërtesave dhe objekteve.
Deri në këto momente, autoritetet lokale nuk kanë raportuar për viktima apo dëme të mëdha materiale. Megjithatë, ekipet e emergjencës mbeten në gatishmëri dhe po monitorojnë situatën, pasi tërmete të kësaj magnitude shpesh shoqërohen me pasgoditje.
Tajvani ndodhet në një zonë me aktivitet të lartë sizmik, e njohur si “Unaza e Zjarrtë” e Paqësorit. Për këtë arsye, infrastruktura dhe popullsia e vendit janë përgjithësisht të përgatitura për përballimin e tërmeteve./mxh
Pesë ndeshjet e Premier League, të vlefshme për javën e 18-të, u mbyllën pa surpriza në rezultate. Arsenali fitoi 2-1 në shtëpi ndaj Brighton dhe vijon të kryesojë renditjen.
Me të njëjtin rezultat triumfoi edhe Liverpool përballë Wolves në “Anfield”. Florian Wirtz shënoi golin e parë sezonal me fanellën e të kuqve. Mesfushori gjerman realizoi edhe golin e dytë në minutën e 42-të, pas avantazhit të dhënë një minutë më herët nga Gravenberch.
Armando Broja u rikthye titullar te Burnley dhe qëndroi në fushë për 86 minuta. Ndeshja e Burnley ndaj Everton u mbyll në barazim 0-0.
Në takimet e tjera, Brentford fitoi 4-1 ndaj Bournemouth, ndërsa Fulham mposhti 1-0 West Ham./mxh
Eksperti i financave i “TBR Football”, Adam Williams, është duke hulumtuar detajet e transferimit të Granit Xhakës dhe rezulton se ai nuk është vetëm transferimi më me ndikim i Sunderland-it, por është edhe lojtari me fitimet më të larta të të gjitha kohërave.
Williams tha: “Nuk e dimë saktësisht se sa fiton Granit Xhaka te Sunderland, por jemi të vetëdijshëm se ai është lojtari më i paguar i Sunderland-it. Dhe si rrjedhojë, për shkak të mënyrës se si inflacioni i pagave ka vazhduar të rritet në vitet që kur Sunderland-i ishte për herë të fundit në Premier League, kjo do të thotë se ai do të jetë lehtësisht lojtari më i paguar në historinë e tyre”.
“Ai do të ketë të paktën 100,000 paundë në javë – jam i sigurt për këtë. Fakti që Sunderland, një ekip i sapongjitur në kategori, mund të barazojë pagën e tij te Bayer Leverkusen, kampionët e fundit të Bundesliga-s, ju tregon gjithçka që duhet të dini rreth dominimit financiar të Premier League krahasuar me rivalët e saj në të gjithë Evropën”, zbuloi ai.
Lidhur me paratë pas marrëveshjes Sunderland – Xhaka, Williams shtoi: “17 milionë paundë që ata kanë paguar për Xhakën, duke përfshirë bonuset, janë një marrëveshje e lirë sipas standardeve të Premier League-s, veçanërisht për një lojtar që ka luajtur mbi 200 herë në këtë divizion”.
Po, ai është 33 vjeç dhe marrëveshja trevjeçare, në letër, mund të duket si një rrezik, por është një marrëveshje që Sunderland-i me siguri mund ta përballojë.
Sipas disa raporteve të tjera, Xhaka fiton pak më pak se 6 milionë paundë në vit te Sunderland./e.t
Rritja e çmimeve të fruta-perimeve në prag të festës së fundvitit është një problematikë që shqetëson qytetarët e Gjirokastrës, të cilët shprehen se e kanë të pamundur të përballojnë shpenzimet e festës. Qytetarët shprehen se pensionet nuk u mjaftojnë as për ilaçe.
Qytetarët thonë se çmimet janë rritur ndjeshëm dhe janë kthyer në të papërballueshme, ku një kg mish në këto ditë festive tregetohet me 13 milekë të vjetra, ndërkohë që të ardhurat kanë mbetur të njëjta. Pensionet qesharake nuk mjaftojnë as për të blerë ilaçet duke e bërë natën e ndërrimit të viteve një luks të paarritshëm. Edhe familjet me të ardhura të pakta pranojnë se këtë vit janë të detyruara të heqin dorë nga traditat, pasi prioritet mbetet mbijetesa e përditshme.
Pamundësisë ekonomike ka ndikuar drejtpërdrejtë edhe në jetën sociale. Në shumë shtëpi, mungesa e fëmijëve që jetojnë në emigracion e bën situatën edhe më të rëndë, por sipas qytetarëve, edhe sikur të ishin pranë, kushtet ekonomike nuk do ta ndryshonin shumë realitetin./e.t
Kupa e Shqipërisë do të rikthehet më 10 janar 2026.
16 skuadra do të zbresin në fushë për ndeshjet e vlefshme për raundin e tretë. 3 sfida do të zhvillohen në orën 13:00, 4 do të luhen në orën 16:00, ndërsa për duelin Dinamo-Besa nuk është vendosur ende orari.