Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 January 2026Sinjali

Ekskluzive | Ky është zyrtari policor të cilit iu dogj vetura në Pejë – dyshohet se s’është hera e parë

20 January 2026 at 20:46

Gazeta Sinjali ka mësuar identitetin e zyrtarit policor, vetura e të cilit u përfshi nga flakët në Pejë.

Sipas burimeve të besueshme të Sinjalit nga strukturat e afërta me hetimin, bëhet fjalë për zyrtarin policor Endrit Hajdari, ndërsa rasti po trajtohet si incident i dyshimtë dhe me rrethana ende të paqarta.

Burimet theksojnë se ekziston dyshimi që kjo nuk është hera e parë që vetura e tij digjet, çka e bën ngjarjen edhe më serioze dhe me fokus të shtuar nga organet e rendit.

Po ashtu, Sinjali mëson se menjëherë pas incidentit janë arrestuar disa persona që kanë kaluar në atë zonë, të cilët dyshohet se mund të kenë lidhje me rastin, pasi sipas informacioneve fillestare duart e tyre kundërmonin benzine.

Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa priten detaje të reja nga Policia dhe Prokuroria lidhur me shkakun e zjarrit dhe rrethanat e ngjarjes.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ekskluzive | Ky është zyrtari policor të cilit iu dogj vetura në Pejë – dyshohet se s’është hera e parë appeared first on Sinjali.

Ekskluzive | I digjet vetura zyrtarit policor në Pejë, arrestohen disa persona – u dyshuan pasi “kundërmonin” benzine

20 January 2026 at 20:43

Një incident i rëndë ka ndodhur në Pejë, ku një veturë në pronësi të një zyrtari policor është përfshirë nga flakët, në rrethana që po hetohen nga autoritetet.

Burime të besueshme të Sinjalit nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se kjo dyshohet të jetë hera e dytë që zyrtarit policor i digjet vetura, çka e bën rastin edhe më të ndjeshëm dhe me interes të veçantë për organet e rendit.

Sipas të njëjtave burime, menjëherë pas raportimit dhe daljes së njësive policore në vendngjarje, janë arrestuar disa persona që po kalonin në afërsi të lokacionit, të cilët janë ndalur për verifikim dhe intervistim.

Arsyetimi i dyshimit ndaj tyre lidhet me faktin se, sipas informacioneve fillestare, duart e tyre kundërmonin benzine, duke ngritur dyshime se mund të kenë lidhje me zjarrvënien.

Rasti është duke u trajtuar nga njësitë relevante hetimore, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë zhvillime të reja lidhur me motivin, rrethanat dhe personat e mundshëm të përfshirë në këtë incident.

Hetimet janë në fazë fillestare dhe autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje zyrtare për mënyrën se si është shkaktuar zjarri.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ekskluzive | I digjet vetura zyrtarit policor në Pejë, arrestohen disa persona – u dyshuan pasi “kundërmonin” benzine appeared first on Sinjali.

Bahamasi heq vizat për Kosovën

20 January 2026 at 20:39

Kosova dhe Bahamasi kanë nënshkruar marrëveshje për heqjen reciproke të vizave, duke mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dy vendeve.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila ka theksuar se kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

“Sapo u nënshkrua marrëveshja mes Republikës së Kosovës dhe Komonuelthit të Bahamasit për heqjen reciproke të vizave për qytetarët e të dy vendeve. Një tjetër lajm i mirë dhe hap i mëtejmë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe pas njohjes së fundit të Kosovës nga Bahamasi”, ka shkruar Gërvalla.

Më 19 dhjetori, Bahamasi u bë shteti i 121 që njohu Pavarësinë e Kosovës.

Bahamasi është ishull që gjendet në Karaibe dhe ka 400 mijë banorë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Bahamasi heq vizat për Kosovën appeared first on Sinjali.

Vrasja e kosovares 71 vjeçare në Zvicër: Lirohet nipi, në burg djali dhe nusja

20 January 2026 at 19:35

Fillimisht ishin arrestuar djali i saj (51), nusja e saj (48) dhe nipi i saj (27). Tani, nipi është liruar nga paraburgimi.

Një shtetase 71 vjeçare e Kosovës nga qyteti Buchs, Kantoni i Cyrihut, është vrarë – dhe sipas gjetjeve fillestare, familja e saj është përgjegjëse. Pak pas mesnatës në prag të Krishtlindjeve, Policia Kantonale e Cyrihut kishte marrë një raport se një person i pajetë ishte gjetur në një ndërtesë banimi.

Pjesëtarët e ndihmës së shpejtë që u përgjigjën mundën vetëm të konfirmonin vdekjen e gruas, transmeton albinfo.ch. Policia e përshkroi atë si një krim të dhunshëm.

Fillimisht, u arrestuan tre shtetas zviceranë. Sipas hetimit të Blick ata janë: djali i saj (51), nusja e saj (48) dhe nipi i saj (27), shkruan blick.ch.

Sipas Erich Wenzinger, zëdhënës i Prokurorisë Publike të Cyrihut, tani vetëm dy persona prej tyre mbeten në paraburgim. Ai konfirmoi për Blick se ata janë të afërm me të ndjerin. Ndërsa nipi është liruar, prindërit e tij – djali dhe nusja  – mbeten në burg.

Prokuroria Publike nuk ka shpjeguar rrethanat e sakta të vdekjes së 71-vjeçares. Wenzinger përmend me këtë rast se hetimet janë në vazhdim. Lind edhe pyetja: Pse u desh të vdiste gjyshja? Wenzinger shpjegon: “Sekuenca e saktë e ngjarjeve dhe çdo motiv i mundshëm për vrasjen janë objekt i hetimit penal në vazhdim nga Prokuroria Publike e Cyrihut.”

Siç ka mësuar Blick, e gjithë familja është me origjinë nga Kosova. Ndërsa, siç zbulon një postim në Facebook nga një djalë tjetër i të ndjerës, trupi i 71-vjeçares u riatdhesua në vendin e saj të lindjes. Ajo u varros më 30 dhjetor, në Kamenicë.

Postimi i djalit në Facebook nuk thotë se nëna e tij është vrarë. Thjesht thotë se ajo ka ndërruar jetë. Janë shprehur shumë ngushëllim, transmeton albinfo.che. Sipas hulumtimit të Blick, burri i gruas së ndjerë – një ish-shofer i VBZ (Transporti Publik i Cyrihut) – gjithashtu jetonte në të njëjtën familje. Vendndodhja e tij aktuale nuk dihet.

Prezumimi i pafajësisë vlen për të gjithë të përfshirët deri në një përfundim ligjërisht të detyrueshëm të procedurave.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Vrasja e kosovares 71 vjeçare në Zvicër: Lirohet nipi, në burg djali dhe nusja appeared first on Sinjali.

Në Podujevë abuzimi më i madh me vota ndodhi brenda LVV-së – ‘përfituesi’ më i madh del të jetë Ejup Maqedonci

20 January 2026 at 19:30

Edhe komisionerët e Llapit e tjetërsuan votën e qytetarëve të kësaj komune. Rinumërimi i vetëm 10 për qind të votave në Podujevë shpërfaqi në masë të madhe vjedhje të votave brenda kandidatëve të partisë. 

Nga rinumërimi i vetëm 11 prej 110 kutive të votimit, kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje u kanë devijuar më së shumti votat. Në këtë parti janë tjetërsuar plot 1.062 vota. 

Përfituesi më i madh nëpërmjet manipulimit të votave në Qendrën e Numërimit në Podujevë del të jetë Ejup Maqedonci, të cilit i ishin përshkruar 288 vota më tepër sesa ka marrë realisht.

Maqedonci ka përfituar nga keqnumërimi 11.3 për qind të votës së partisë.

Pos Maqedoncit, 246 vota u vodhën për kandidatin Vendenis Lahu, 174 për Adelina Stubllën, 65 për Drita Pajazitin e 58 për Fitim Hazirin.

Pos LVV-së, devijime të votës pati edhe në PDK. Në këtë subjekt u abuzua me 120 vota të kandidatëve. Më së shumti përfitoi Ditjona Statovci, së cilës iu përshkruan 85 vota më shumë në QKN. Ajo përfitoi rrejshëm 14.1 për qind të votës së partisë.

Edhe në LDK pati abuzim të 103 votave të kandidatëve. Përfituesi më i madh nga votat e vjedhura është Qëndrim Softolli me 23 sosh. 
Në AAK gjithsej u vodhën 45 vota.

Devijimet në rezultatin e kandidatëve kanë shtyrë KQZ-në që të bëjë rinumërim të 100 për qind në të gjitha komunat.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, tha se KQZ-ja po planifikon që shpallja e rezultateve përfundimtare të bëhet në fillim të muajit shkurt.

“Aktualisht numri i ekipeve të angazhuara në procesin e rinumërimit gjatë një dite pune është 76. Bazuar në këtë kapacitet dhe numri i vendvotimeve të mbetura për t’u rinumëruar, planifikojmë dhe po bëjmë përpjekje që i gjithë procesi të përmbyllet deri në fund të muajit janar”, ka bërë të ditur Elezi.

Procesi i rinumërimit përfshin në total 2.557 vendvotime.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Në Podujevë abuzimi më i madh me vota ndodhi brenda LVV-së – ‘përfituesi’ më i madh del të jetë Ejup Maqedonci appeared first on Sinjali.

140 komisionerët që numëruan votat në Prizren rrezikojnë burgimin deri në 5 vjet

20 January 2026 at 19:26

Me dënim deri në 5 vjet heqje lirie mund të përballen 140 komisionerët që ishin të angazhuar për numërimin e votave në Prizren. Në këtë komunë, 45 mijë e 709 vota u janë shtuar ose hequr kandidatëve gjatë numërimit fillestar

Rreth 140 komisionerë që ishin të angazhuar gjatë numërimit të votave në Prizren, rrezikojnë dënimin me burgim nga një deri në pesë vjet. 

Rinumërimi ka gjetur se 45 mijë e 709 vota u janë shtuar ose hequr kandidatëve gjatë numërimit fillestar vetëm në këtë komunë. 

Prokuroria Themelore nuk ka treguar se sa nga këta komisionerë janë intervistuar si pjesë e hetimeve që janë hapur të dielën. 

“Çështja ndodhet në fazë të hershme të hetimeve. Për shkak të natyrës konfidenciale të procedurës, Prokuroria Themelore në Prizren nuk mund të japë detaje apo komente në këtë fazë”, tha Prokuroria Themelore e Prizrenit. 

Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula të hënën ka paralajmëruar intervistimin e të gjithë komisionerëve të qendrave ku nuk përputhen votat. Ajo ka paralajmëruar intervistimin edhe të kandidatëve për deputetë.

Para një jave, KQZ-ja mori vendim që të çojë në rinumërim të gjitha vendvotimet e rregullta të Komunës së Prizrenit, pasi nga një proces verifikues i dy kutive me fletëvotime, ka gjetur dallim prej 714 votash.

Të dielën përfundoi rinumërimi i të gjitha votave në Prizren dhe rezultatet shtynë prokurorinë të nisë hetimin. 

Të gjithë këtyre komisionerëve, me vendim të KQZ-së, u është ndërprerë mandati. Në të njëjtën mbledhje u vendos edhe për rinumërim të plotë të të gjitha votave në nivel vendi.

Në Qendrën e Numërimit në Prizren ishin 28 tavolina, e në secilën nga to nga 5 komisionerë; një i Vetëvendosjes, një i PDK-së, një i LDK-së, një i AAK-së dhe i pesti nga radhët e komuniteteve.
Kandidatit të Partisë Demokratike, Fetah Paçarizi gjatë numërimit i ishin shtuar 6000 vota që nuk ia kanë dhënë qytetarët. E të gjithë kandidatëve të këtij subjekti, 19.225 vota. 

20 kandidatëve të LDK-së u ishin shtuar 4.469 vota, 22 të LVV-së 3.120, 32 të AAK-së 1.179, kurse kandidatëve nga partitë e tjera 1.346. 

Pos votave të shtuara, rinumërimi ka nxjerrë në pah se 16.366 vota u ishin hequr kandidatëve. Më i dëmtuari nga abuzimi është Uran Ismali i PDK-së me 763 vota. 

Ditën e zgjedhjeve, në Prizren, në vendvotime të rregullta të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 71.385 qytetarë.

The post 140 komisionerët që numëruan votat në Prizren rrezikojnë burgimin deri në 5 vjet appeared first on Sinjali.

Kontrollohen pronat e Arianit Sllamnikut, i konfiskohen armë e medikamente

20 January 2026 at 19:15

Policia e Kosovës, konkretisht Sektori Rajonal i Hetimeve i DRP Gjilan, në bashkëpunim me institucionet dhe njësitë relevante, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, më 20.01.2026 ka ndërmarrë veprime fillestare hetimore ndaj të dyshuarit Arianit Sllamniku, nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar veprimtari mjekësore në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas Policisë, i dyshuari po hetohet për veprat penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” si dhe “Eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave”, të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Me qëllim të sigurimit dhe mbledhjes së provave, dhe bazuar në urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjilan, është realizuar kontroll në pronat e të dyshuarit. Gjatë kontrollit kanë qenë prezent edhe inspektorë të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë asistuar në identifikimin e medikamenteve farmaceutike.

Gjatë kontrollit policor janë gjetur dhe sekuestruar: dy armë zjarri të gjata dhe dy armë zjarri të shkurtra (me leje përkatëse), sasi municioni dhe disa karikatorë, medikamente të ndryshme, libra protokolli, si dhe pajisje elektronike, përfshirë shtëpizë kompjuteri, telefon dhe mikroçipa.

I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kontrollohen pronat e Arianit Sllamnikut, i konfiskohen armë e medikamente appeared first on Sinjali.

BBC-ja raporton se Parlamenti Evropian pritet ta pezullojë miratimin e marrëveshjes tregtare me ShBA-në

20 January 2026 at 18:33

Miratimi i marrëveshjes tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, për të cilën ishte arritur pajtim në korrikun e vitit të kaluar, pritet të pezullohet nga Parlamenti Evropian, sipas burimeve të afërta me Komisionin për Tregti Ndërkombëtare të këtij institucioni, raporton televizioni britanik, BBC.

Pezullimi i miratimit të marrëveshjes pritet të njoftohet të mërkurën pasdite në Strasburg, sipas transmetuesit publik britanik.

Në korrikun e vitit të kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kishin arritur një marrëveshje në fushën e golfit në Skoci, pronë e kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas marrëveshjes, taksat amerikane ndaj të gjitha importeve nga vendet e BE-së do të uleshin në 15 për qind, gjë që shihej si pakt pozitiv në kohën kur Trumpi ishte duke kërcënuar me tarifë prej 30 për qind ndaj importeve.

Megjithatë, marrëveshja duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian, por Komisioni për Tregti Ndërkombëtare nuk e ka përfunduar ende shqyrtimin e saj.

Të shtunën, disa orë pas kërcënimit të Trumpit me taksa amerikane për shkak të kundërshtimit të disa vendeve evropiane që ShBA-ja ta marrë nën kontroll Grenlandën, anëtari gjerman me ndikim i Parlamentit Evropian, Manfred Weber, tha se “miratimi [i marrëveshjes tregtare ShBA – BE] nuk është i mundshëm në këtë fazë”.

Përderisa marrëveshja po finalizohej, Bashkimi Evropian i kishte pezulluar taksat hakmarrëse ndaj mallrave amerikane me vlerë të 93 miliardë eurove, transmeton gazeta “Nacionale”.

Afati i këtij pezullimi përfundon më 9 shkurt dhe, nëse nuk bëhet një zgjatje tjetër ose nëse nuk ndodh miratimi i marrëveshjes nga Parlamenti Evropian, taksat e BE-së ndaj mallrave amerikane do të hyjnë në fuqi më 7 shkurt.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post BBC-ja raporton se Parlamenti Evropian pritet ta pezullojë miratimin e marrëveshjes tregtare me ShBA-në appeared first on Sinjali.

Ajova vlerëson partneritetin me FSK-në: Mbi 15 vjet bashkëpunim dhe stërvitje të përbashkëta

20 January 2026 at 18:10

Gjatë fjalimit vjetor “Condition of the Guard 2026”, Gjeneral Major Stephen Osborn, Adjutant Gjeneral i Ajovës, vlerësoi mysafirët e dalluar që përfaqësonin partneritetin e Gardës Kombëtare të Ajovës me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në këtë ngjarje u përmendën Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Komandant i FSK-së, Komandant Rreshter Major Bedri Zuka, udhëheqësi më i lartë nënoficer, si dhe Drilon Zogaj, konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Des Moines.

Në njoftimin e Gardës Kombëtare të Ajovës u theksua se ky bashkëpunim ka ndërtuar ndër vite kapacitete dhe besueshmëri të ndërsjellë, duke nënvizuar se “partneriteti me FSK-në ka forcuar ndërveprimin dhe gatishmërinë e të dy forcave”.

Tutje u tha se, për më shumë se 15 vjet, ushtarët dhe aviatorët e Ajovës kanë bashkëpunuar ngushtë me FSK-në për të rritur ndërveprimin dhe gatishmërinë operacionale.

“Vetëm gjatë vitit 2025, partneriteti përfshiu 26 shkëmbime bilaterale me mbi 500 pjesëmarrës, në fusha si manovrat, mjekësia ushtarake, logjistika, mbrojtja kibernetike dhe zhvillimi profesional”, u tha në njoftim.

Si moment i rëndësishëm u veçua momenti kur FSK-ja bashkëngjiti një kompani këmbësorie në Brigadën e 2-të Luftarake të Divizionit të 34-të të Këmbësorisë së Ajovës, gjatë rotacionit në “Joint Readiness Training Center”. Ky hap, siç u theksua, “shënon pjesëmarrjen e parë të Kosovës në një mision stërvitor të përmasave të mëdha jashtë kufijve të saj”.

Po ashtu, në vitin 2025, Garda Kombëtare e Ajovës tha se rekrutoi qytetarin e parë nga Kosova, Andren Gashi, i cili iu bashkua Krahut të 132-të të Gardës Ajrore të Ajovës si pjesëtar i Forcave të Sigurisë. 

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ajova vlerëson partneritetin me FSK-në: Mbi 15 vjet bashkëpunim dhe stërvitje të përbashkëta appeared first on Sinjali.

Zvicra synon rritjen e numrit dhe zgjatjen e misionit të ushtarëve në KFOR deri në vitin 2029

20 January 2026 at 18:09

Komisioni i Politikës së Sigurisë i Këshillit të Shteteve (CPS-S) në Zvicër, ka shprehur mbështetjen për zgjatjen e angazhimit të ushtarëve zviceranë në kuadër të KFOR-it në Kosovë deri në vitin 2029, si dhe për rritjen e numrit të tyre.

Sipas një njoftimi të shërbimeve parlamentare, komisioni vlerëson se “prania e KFOR-it dhe e kontingjentit zviceran Swisscoy në Kosovë mbetet e domosdoshme, pasi situata në terren, veçanërisht në pjesën veriore të vendit, vazhdon të jetë e brishtë”.

CPS-S, që është Dhoma e Lartë e Parlamentit të Zvicrës, thekson se prania e KFOR-it është “ende e nevojshme edhe për të kontribuar në garantimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

“Stabiliteti i Kosovës dhe i Ballkanit Perëndimor është edhe në interes të Zvicrës, ku jetojnë rreth 500 mijë persona me origjinë nga Evropa Juglindore, prej të cilëve mbi 150 mijë janë me origjinë kosovare”, u tha në njoftimin e shërbimeve parlamentare të Zvicrës, raporton CDT.

Në këtë kuadër u tha se “CPS-S mbështet edhe rritjen e numrit të ushtarëve zviceranë në Kosovë nga 195 në 215”.

Po ashtu, sipas njoftimit, propozohet që Këshilli Federal të ketë kompetencë që, gjatë mandatit, ta rrisë kontingjentin me deri në 30 ushtarë shtesë, pa afat të caktuar, për t’iu përgjigjur nevojave të mundshme të ardhshme të KFOR-it.

Parashikohet edhe mundësia e angazhimit të përkohshëm të deri në 50 ushtarëve shtesë për mirëmbajtje, si për shembull të helikopterëve zviceranë, si dhe deri në 20 ushtarë shtesë për sigurinë e vetë kontingjentit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Zvicra synon rritjen e numrit dhe zgjatjen e misionit të ushtarëve në KFOR deri në vitin 2029 appeared first on Sinjali.

Ambasadori britanik: Rinumërimi bartë rreziqe sa i përket afateve, me rëndësi që Presidenti të zgjidhet me kohë

20 January 2026 at 18:04

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, theksoi rëndësinë që të respektohen afatet e parapara për zgjedhjen e presidentit të ri.

Ai tha se procesi i rinumërimit të votave është shumë i rëndësishëm për integritetin e procesit.

“Kjo dëshmon aftësinë e sistemit për të identifikuar dobësitë dhe për t’i adresuar ato, në mënyrë që të ruhet integriteti i zgjedhjeve. Kjo natyrisht bartë disa rreziqe sa i përket afateve kohore dhe shpresoj që Komisioni ta kryejë rinumërimin sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai për T7.

Hargreaves tha se “është jashtëzakonisht e rëndësishme që pas kësaj, partitë politike të bashkohen, Kuvendi të konstituohet dhe qeveria të nisë punën, në mënyrë që buxheti dhe marrëveshjet ndërkombëtare të miratohen sa më shpejt”.

“Po ashtu, është shumë e rëndësishme që procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të zhvillohet sipas afateve të paraprara. Jam i bindur se të gjitha partitë janë të përkushtuara për këtë, sepse të gjithë e kuptojnë rëndësinë që këto procese tejet të rëndësishme kanë për Kosovën”, tha ai.

Ambasadori britanik tha se Kosova këtë vit duhet të bëjë përparim drejt integrimit.

“Në vitin 2026, ndërsa Kosova hyn në vitin e saj të 19-të të shtetësisë, është thelbësore që të ketë një qeveri që është në gjendje të veprojë me vendosmëri, të bëjë përparim drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, dhe të vazhdojë në këtë rrugë të demokracisë që ka qenë mbresëlënëse gjatë viteve të fundit”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ambasadori britanik: Rinumërimi bartë rreziqe sa i përket afateve, me rëndësi që Presidenti të zgjidhet me kohë appeared first on Sinjali.

Trump: Pa mua, sot nuk do të kishte NATO

20 January 2026 at 18:03

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka publikuar këtë të martë një status në rrjetin e tij social Truth Social, ku pretendon se roli i tij ka qenë vendimtar për mbijetesën e NATO-s.

Sipas Trump, pa ndërhyrjen e tij aleanca ushtarake do të ishte shpërbërë dhe do të kishte mbetur pjesë e historisë.

Në postimin e tij, Trump shkruan:

Nëse unë nuk do të kisha ardhur, sot nuk do të kishte NATO!!!

Do të kishte përfunduar në koshin e historisë. E trishtueshme, por e VËRTETË!!

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Trump: Pa mua, sot nuk do të kishte NATO appeared first on Sinjali.

AUV ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga disa regjione të Polonisë

20 January 2026 at 17:47

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bazuar në raportet e Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve dhe Komisionit Evropian njofton se në Poloni është konfirmuar prania e Avian Influenza (HPAI–H5N1), dhe se ka ndaluar importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga disa regjione të shtetit të Polonisë.

AUV ka njoftuar edhe se kjo masë hyn në fuqi menjëherë dhe mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës.

Postimi:

AUV ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga disa regjione të shtetit të Polonisë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), bazuar në raportet e Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Komisionit Evropian të datës 11.01.2026, njofton se në Republikën e Polonisë është konfirmuar prania e Avian Influenza (HPAI–H5N1).

Sëmundja është evidentuar në ferma komerciale, familjare dhe te shpezët e egra në regjionet Lubuskie, Wielkopolskie, Kodzkie dhe Podlaskie.

Në funksion të mbrojtjes së shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në Republikën e Kosovës, AUV vendos ndalimin e menjëhershëm të importit të shpezëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga zonat e prekura. Përveç nëse ato kanë origjinën nga ferma të paprekura nga sëmundja, të cilat gjenden në një rreze prej 50 km larg zonave të prekura.

Kjo masë hyn në fuqi menjëherë dhe mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës.

AUV do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe informimin e publikut dhe operatorëve ekonomikë për çdo ndryshim eventual.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vazhdonë ta monitorojë me kujdes situatën epidemiologjike dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje. Publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen me kohë për çdo ndryshim eventual.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post AUV ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga disa regjione të Polonisë appeared first on Sinjali.

Greqia përgatitet për mot katastrofik, mbyllen shkollat në Athinë

20 January 2026 at 17:29

Greqia është përfshirë nga një valë e frikshme e motit të keq, me ulje të forta temperaturash, reshje shiu dhe dëbore, që kanë ngritur alarmin e kuq në vend.

Me vendim të Guvernatorit Rajonal Nikos Hardalias dhe pas një rekomandimi nga anëtarët e Komitetit të Vlerësimit të Rrezikut, Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve Mjekësore të Emergjencës, të gjitha shkollat ​​fillore dhe të mesme publike dhe private, si dhe shkollat ​​e natës në të gjithë Atikën, do të mbeten të mbyllura nesër, të mërkurën, më 21 janar, për arsye paraprake.

Ky vendim u mor me qëllim mbrojtjen e nxënësve dhe stafit mësimdhënës nga rreziqet që mund të lindin nga udhëtimi për në shkolla dhe nga shkollat, pasi priten reshje të dendura shiu me dendësi të lartë nga mesi i ditës e tutje.

Sipas buletinit të ri të emergjencës së Shërbimit Kombëtar Meteorologjik, karakteristikat kryesore të motit të keq janë:

Shira dhe stuhi të rrëmbyeshme nga mëngjesi i hershëm i së mërkurës në shumë zona të vendit qendror dhe jugor dhe nga pasditja e së njëjtës ditë në Egje.

Reshje të dendura dëbore lokalisht të mërkurën në zonat malore-gjysmëmalore të Greqisë kontinentale dhe në zonat e Thesalisë dhe Maqedonisë me lartësi të ulët dhe

Erëra të forta lokalisht dhe ulje e ndjeshme e temperaturave.

Qendra Kombëtare e Koordinimit për Operacionet dhe Menaxhimin e Krizave (ESKEDIK) njoftoi se është tashmë në komunikim me Autoritetet Vendore të Shkallës së Parë dhe të Dytë , si dhe me të gjitha organet e përfshira në mënyrë që të informohet plotësisht rreth fenomeneve të afërta të motit, në mënyrë që të mund të ndërmarrin veprime operative nëse është e nevojshme.

Rajonet më të rrezikuara janë:

-Atikë

-Peloponez

-Greqi Qendrore

-Thesalia

-Maqedonia Perëndimore

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Greqia përgatitet për mot katastrofik, mbyllen shkollat në Athinë appeared first on Sinjali.

Centrali bërthamor i Çernobilit në Ukrainë humbi të gjithë energjinë nga burimet e jashtme pas sulmeve ruse

20 January 2026 at 17:28

Centrali bërthamor i Çernobilit në Ukrainë, vendi i katastrofës më të rëndë bërthamore civile në botë, humbi të gjithë energjinë elektrike nga burimet e jashtme pas aktiviteteve të gjera ushtarake të martën në mëngjes, njoftoi Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) në një postim në platformën X.

Sipas IAEA-s, disa nënstacione elektrike ukrainase, jetike për sigurinë bërthamore, janë prekur nga aktivitetet ushtarake, ndërsa linjat e energjisë drejt disa centraleve të tjera bërthamore janë gjithashtu të dëmtuara, raporton Reuters.

Ndërkohë, Rusia ka ndërmarrë një sulm të kombinuar me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës herët të martën, duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe ngrohje për mijëra ndërtesa banimi në Kiev, në mes të temperaturave të ulëta, kanë bërë të ditur zyrtarët ukrainas.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Centrali bërthamor i Çernobilit në Ukrainë humbi të gjithë energjinë nga burimet e jashtme pas sulmeve ruse appeared first on Sinjali.

Lavrov: Rusia është e gatshme të komunikojë me ShBA-në për Ballkanin

20 January 2026 at 17:03

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë të martën se Moska është duke komunikuar me Shtetet e Bashkuara lidhur me Ballkanin dhe se është e gatshme t’i zhvillojë ato kontakte.

“Ne kemi më shumë mundësi të komunikojmë me Shtetet e Bashkuara [sesa me Bashkimin Evropian] lidhur me Ballkanin, kur bëhet fjalë për Bosnje-Hercegovinën dhe shtetet tjera në rajon. Këto kontakte po vazhdojnë. Nuk kanë rezultuar ende me ndonjë rezultat pozitiv apo diçka tjetër. Por, ne jemi të hapur për kontakte të tilla, dhe për sa mund të gjykoj, edhe kolegët tanë amerikanë kanë gatishmëri për t’i zhvilluar ato”, është cituar të ketë thënë Lavrov në një konferencë për media, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Departamentin amerikan të Shtetit dhe Bashkimin Evropian për koment dhe është në pritje të përgjigjeve.

Deklaratat e kryediplomatit rus vijnë në një periudhë kur figura të rëndësishme në Kosovë, nisur nga presidentja Vjosa Osmani paralajmërojnë për rrezikun e ndikimit rus në rajonin e Ballkanit, ndërsa Serbinë e portretizojnë si “dorë të zgjatur të Rusisë” në rajon.

Serbia ruan marrëdhënie të ngrohta me Rusinë dhe është shteti i vetëm që nuk i ka vendosur sanksione Moskës për luftën e nisur në Ukrainë.

Analistë të çështjeve politike kanë përsëritur disa herë për Radion Evropa e Lirë se ndikimi ekonomik, dezinformimi dhe aftësia për të përfituar nga skemat e korruptuara, janë tri elementet kyç përmes së cilave Rusia e shtrin ndikimin në Ballkan dhe që Serbia e Republika Sërpska – entitet serb në Bosnje e Hercegovinë – janë më të rrezikuarat në rajon nga ndikimi rus, pasi në to mund të rritet sentimenti i nacionalizmit ekstrem.

Kurti: Serbia nuk mund t’iu thotë “jo” urdhrave të Kremlinit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë të martën gjatë një bashkëbisedimi të zhvilluar në Shtëpinë e Kosovës në Davos të Zvicrës se vendi ynë rrezikon të përballet me ndonjë pushtim nga Serbia për faktin se i ka 48 baza operative të avancuara rreth kufijve të këtij shteti.

“Por, nuk e besoj që do të ndodhë. Gjasat janë shumë të vogla. Përveç nëse Kremlini urdhëron diçka. Nuk mendoj se Beogradi guxon t’iu thotë ‘jo’ urdhrave të presidentit [rus, Vladimir] Putin për ta destabilizuar rajonin”.

Mes tjerash, Kurti e ka përmendur se Kosova “ka ushtri të fortë tash”, duke përmendur rritjen e numrit të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Është viti i tretë që shpenzojmë mbi 3 për qind të GDP-së [bruto prodhimit të brendshëm] për mbrojtje dhe definitivisht ata duhet të mendojnë dy herë para se të na bëjnë diçka neve. Kur mendon dy herë, nuk vepron shumë. Jam shumë optimist për periudhën në ardhje”.

Kur ka folur për vendet e rajonit, Kurti është ndalur te Bosnje-Hercegovina, duke thënë se situata tani është më e komplikuar për shkak të Republikës Sërpska – entitet serb – i cili ka lidhje direkte me Moskën dhe nuk e lejon Bosnjën që të përparojë.

“Është e vështirë të shohim se si do të zhvillohet situata… është mundësi e artë për Brukselin ta dëshmojë veten duke e afruar Bosnjën më afër rrugës së anëtarësimit në BE”.

Qasja e ShBA-së dhe BE-së ndaj Ballkanit

Më 18 dhjetor të vitit të kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump e ka firmosur ligjin e ashtuquajtur Akti për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili, mes tjerash përcakton se ShBA-ja nuk mbështet asnjë politikë që synon ndryshimin e kufijve në Ballkan përgjatë vijave etnike.

Për Kosovën, ShBA-ja është partnerja e saj më e rëndësishme dhe mbështetja e saj është jetike.

Prej vitit 1998, Uashingtoni i ka ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën.

Ky vend ka investuar në vlera të konsiderueshme edhe në vendet tjera të Ballkanit.

ShBA-ja është prezente në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor me ambasadat e saj, për dallim prej Moskës e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës – ashtu sikurse Serbia – dhe e ka vetëm një zyre ndërlidhëse në Prishtinë.

Raporte me vendet e rajonit gëzon edhe Bashkimi Evropian, pjesë e të cilit synojnë të bëhen të gjashtë vendet e Ballkanit: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

Kosova është e vetmja që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndonëse ka aplikuar në fund të vitit 2022.

Brukseli është i angazhuar në rajon edhe si ndërmjetësues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes tyre.

Për çka tjetër foli Lavrovi?

Përgjatë konferencës për media, ministri rus Lavrov është pyetur edhe nëse Moska do të përfitojë nga një marrëveshje e MOL-it të Hungarisë për t’i blerë aksionet e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS).

Ministrja e Energjisë e Serbisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq ka bërë të ditur të hënën se gjiganti rus, Gazprom Neft ka arritur marrëveshje të përkohshme për t’ia shitur kompanisë hungareze aksionet që i ka në NIS-in serb.

Gazpromi rus zotëron rreth 11.3 për qind të aksioneve të NIS-it, ndërsa njësiti i tij i sanksionuar i naftës, Gazprom Neft, 44.9 për qind.

Pjesën tjetër të aksioneve e zotërojnë Qeveria serbe dhe aksionarë tjerë.

Uashingtoni e ka sanksionuar Gazprom Neft-in për t’ia pamundësuar Moskës përdorimin e të hyrave nga nafta për ta financuar luftën në Ukrainë./REL

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Lavrov: Rusia është e gatshme të komunikojë me ShBA-në për Ballkanin appeared first on Sinjali.

Policia kërkon Isen Kurtin për “Vrasje në tentativë” në Gjakovë

20 January 2026 at 16:30

Policia në Gjakovë publikon fotografinë e një personi të dyshuar për vrasje në tentativë, kërkon bashkëpunimin e qytetarëve

Gjakovë, 20 janar 2026 – Hetuesit policorë në kuadër të Sektorit të Hetimeve Rajonale në Gjakovë, në koordinim dhe me autorizim të Prokurorit të Shtetit, kanë publikuar fotografinë e një personi të dyshuar në lidhje me veprën penale “Vrasje në tentativë”, për të cilën janë duke u zhvilluar hetime.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, i dyshuari, përkundër thirrjes policore dhe kërkimeve të realizuara në disa lokacione, nuk është paraqitur para organeve të rendit dhe aktualisht gjendet në arrati.

Në këtë drejtim, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për ofrimin e informatave që mund të ndihmojnë në identifikimin dhe lokalizimin e personit të paraqitur në fotografitë e publikuara.

Policia apelon që çdo informacion i mundshëm të raportohet në numrin emergjent 192 (pa pagesë), në stacionin më të afërt policor ose përmes adresës zyrtare elektronike info@kosovopolice.com.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Policia kërkon Isen Kurtin për “Vrasje në tentativë” në Gjakovë appeared first on Sinjali.

Elezi: Shpallja e rezultateve përfundimtare në fillim të shkurtit

20 January 2026 at 16:20

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit të votave po vijon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) dhe pritet të përmbyllet deri në fund të muajit janar, ndërsa rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve do të shpallen në fillim të muajit shkurt.

Elezi tha se procesi i rinumërimit të vendvotimeve po vazhdon bazuar në dy vendimet e KQZ-së.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit të vendvotimeve, i cili po realizohet në bazë të dy vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në total, procesi i rinumërimit do të përfshijë të gjitha 2,557 vendvotimet ku është zhvilluar procesi i rregullt zgjedhor më 28 dhjetor 2025. Sipas vendimit të parë të KQZ-së, të datës 13 janar 2026, ishte paraparë rinumërimi i 914 vendvotimeve, ndërsa me vendimin e dytë, të datës 19 janar 2026, është vendosur që të përfshihen edhe 1,643 vendvotime të tjera, duke e zgjeruar procesin në tërësi”, tha ai për EO.

Elezi ka sqaruar se aktualisht janë angazhuar dhjetëra ekipe për të përshpejtuar procesin e rinumërimit dhe për të respektuar afatet e parapara nga KQZ-ja.

“Aktualisht, numri i ekipeve të numërimit të angazhuara në procesin e rinumërimit gjatë një dite pune është 76. Bazuar në këtë kapacitet dhe numri i vendvotimeve të mbetura për t’u rinumëruar, planifikojmë dhe po bëjmë përpjekje që të gjithë procesin e rinumërimit të arrijmë ta përmbyllim deri në fund të muajit janar”, tha Elezi.

Sipas tij, pas përfundimit të rinumërimit, KQZ-ja do të vazhdojë me hapat ligjorë për shpalljen dhe certifikimin e rezultateve përfundimtare, duke respektuar afatet për ankesa nga subjektet politike dhe kandidatët.

“Pas përfundimit të rinumërimit, KQZ, në fillim të muajit shkurt do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme. Natyrisht, procesi i rinumërimit i heq të gjitha dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, por KQZ duhet të presë afatin për paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të procedojë me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe njëkohësisht me përmbylljen e procesit zgjedhor”, bëri të ditur zëdhënësi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e mbajtur të hënën, ka vendosur që të ketë rinumërim të plotë të votave të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 dhjetorit, në vendvotimet e 28 komunave.

Sipas vendimit të 13 janarit 2026, ishte vendosur që në 10 komuna të bëhet rinumërimi i plotë, kurse në 28 të tjera vetëm 10% e vendvotimeve.

Me 11 vota për, u miratua propozimi për rinumërim në të gjitha komunat tjera dhe shkarkimi i përfaqësuesve të partive politike në Komisionin Komunal në Prizren.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Elezi: Shpallja e rezultateve përfundimtare në fillim të shkurtit appeared first on Sinjali.

Policia në Gjilan kërkon bashkëpunimin e familjeve që kanë pranuar trajtime shëndetësore nga Arianit Sllamniku

20 January 2026 at 16:07

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përkatësisht Njësia e Hetimeve Rajonale, me autorizim të Prokurorisë së Shtetit, ka nisur veprime fillestare hetimore lidhur me veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave” nga neni 257 i KPRK-së.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimet kanë për qëllim verifikimin e rrethanave të rasteve të dyshuara që ndërlidhen me trajtimin shëndetësor të ofruar nga personi Arianit Sllamniku.

Në këtë drejtim, Policia e Kosovës fton të gjitha familjet dhe qytetarët të cilët kanë pranuar shërbime shëndetësore, konsulta, terapi apo medikamente nga personi i lartcekur dhe që konsiderojnë se kanë pësuar dëm, qoftë material apo shëndetësor, të paraqiten në ambientet e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim, me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Policia në Gjilan kërkon bashkëpunimin e familjeve që kanë pranuar trajtime shëndetësore nga Arianit Sllamniku appeared first on Sinjali.

Kurti: Serbia e ka kuptuar se jemi shtet

20 January 2026 at 15:41

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Serbia më mirë se kurdo më herët e ka kuptuar se Kosova është shtet, edhe pse vazhdon ta refuzojë njohjen.

Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Kurti ka thënë se Rusia kërcënon rajonin përmes Serbisë.

“Nga katër fqinj, tre na njohin. Vetëm Serbia nuk na njeh dhe nuk duket se do ta bëjë së shpejti. Edhe pse mendoj se e kuptojnë më mirë se kurdo herë më parë që jemi shtet. Realiteti ka ndryshuar shumë. Por ajo që duhet të ndodhë është që të shuhet ëndrra e tyre për kthim. Po ashtu edhe ajo për Perandorinë Ruse apo ajo që është tash Federata Ruse. Perandoria Ruse nuk dëshiron fqinj, por kjo është e pamundur”, ka thënë ai.

Tek ka folur për veriun e Kosovës, Kurti ka thënë se para “5-10 vjetësh nuk ka pasur as liri për të ecur e folur shqip lirshëm”.

Kurti ka deklaruar se kjo është arsyeja përse duhet më shumë solidaritet brenda kontinentit Evropian dhe vetë NATO-s. Sipas tij, “Rusia dëshiron që t’i shkatërrojë të dyja, e Kina të arrijë fuqinë e SHBA-së”.

Ai ka thënë se “kushdo që ndihmon fqinjin tonë në përpjekjet për të destabilizuar, na shkakton edhe neve probleme”.

“Kërcënimi jonë për këtë është Rusia”, ka thënë Kurti.

Duke folur për ndryshimet gjeopolitike, ai ka thënë se ka turbulenca që janë të paparashikueshme.
Kurti ka shtuar se duhet të ketë bashkëpunim më të shtuar brenda NATO-s, por edhe aleanca rajonale.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kurti: Serbia e ka kuptuar se jemi shtet appeared first on Sinjali.

❌
❌