“Asnjë anëtar s’mund të numërojë dhe plotësojë votat e subjektit të vet”: Kush numëron në QKN dhe a i zbatoi KQZ rregullat?
“Asnjë anëtar i ekipit të numërimit nuk mund të numërojë dhe plotësojë votat e subjektit të vet”.
Kështu thuhet në nenin 21, paragrafin 3, të Rregullores Zgjedhore Nr. 16/2024 Qendrat Komunale të Numërimit, e miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por a është zbatuar në këto qendra ky nen thelbësor në numërimin e votave të kandidatëve për deputetë – nuk dihet.

Ky rregull synon të parandalojë ndikimin politik dhe manipulimin e mundshëm gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë. Por, mbetet e paqartë nëse ky nen është zbatuar realisht në praktikë nga KQZ apo nëse është ushtruar mbikëqyrje për zbatimin e kësaj ndalese.
Dyshimet janë shtuar pas procesit të rinumërimit të votave në QNR, i cili ka nxjerrë në pah parregullsi serioze dhe manipulime në numërimin e votave të kandidatëve për deputetë. Këto gjetje kanë ngritur pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si është menaxhuar procesi i numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe nëse ekipet përkatëse kanë respektuar ndarjen e paanshme të detyrave.
Nëse rezulton se anëtarë të ekipeve të numërimit kanë marrë pjesë në numërimin e votave të subjekteve që përfaqësojnë, atëherë bëhet fjalë për shkelje të drejtpërdrejtë të rregullores së KQZ-së dhe dështimin e KQZ-së për të mbikëqyrur zbatimin e rregullores së vet. Një skenar i tillë do të nënkuptonte jo vetëm dështim në zbatimin e ligjit, por edhe cenim të besimit publik në procesin zgjedhor.
Numërimi nga komisionerë të partive politike
Sipas Ligjit për Zgjedhjet, numërimi i fletëvotimeve në Qendrat Komunale të Numërimit është caktuar të bëhet nga anëtarë të nominuar nga partitë politike dhe duke ju dhënë përparësi anëatarëve të këshillave të votimit që kanë shërbyer në ditën e zgjedhjeve.
Por, është në dorën e KQZ-së që me aktet nënligjore të përcaktojë kriteret për numrin e grupeve të numërimit, mënyrën e organizimit të punëdhe ndarjen e detyrave midis anëtarëve të grupit të numërimit.

Ashtu si kërkohet në ligj, rregullorja zgjedhore e KQZ-së e legjitimon përfshirjen e përfaqësuesve politikë në vetë procesin e numërimit. Sipas Nenit 20 të Rregullores Zgjedhore Nr.16/2024, ekipet e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit përbëhen në mënyrë që të reflektojnë përfaqësimin politik në Këshillat Komunale të Zgjedhjeve për aq sa është e mundur.
Më tej, rregullorja përcakton se kryesuesit e ekipeve të numërimit zgjidhen nga katër subjektet politike që kanë fituar numrin më të madh të votave në zgjedhjet e fundit, ndërsa përzgjedhja bëhet përmes një formule rotacioni të zbatuar nga KKZ-të. Kjo do të thotë se procesi i numërimit të votave u besohet drejtpërdrejt komisionerëve të propozuar nga partitë politike, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë në rezultat.

Në parim, kjo përbërje synon të krijojë një ekuilibër politik dhe mbikëqyrje reciproke mes subjekteve zgjedhore. Por në praktikë, ky model mbart rrezik serioz të konfliktit të interesit, sidomos nëse nuk zbatohet me rigorozitet ndalesa ligjore e vendosur nga KQZ që u pamundëson anëtarëve të ekipeve të numërimit të numërojnë votat e subjektit që përfaqësojnë.
Zbulimet e fundit nga rinumërimi i votave në QNR, ku janë evidentuar manipulime në votat e kandidatëve për deputetë, e bëjnë edhe më problematike këtë skemë. Ato shtrojnë pyetjen nëse rotacioni dhe ndarja e detyrave janë zbatuar realisht, apo nëse komisionerë partiakë kanë pasur qasje të drejtpërdrejtë në numërimin e votave të subjekteve të tyre dhe nëse KQZ ka ushtruar mbikëqyrje efektive për zbatimin e aktit të vet nënligjor që e ndalon një praktikë të tillë.
The post “Asnjë anëtar s’mund të numërojë dhe plotësojë votat e subjektit të vet”: Kush numëron në QKN dhe a i zbatoi KQZ rregullat? appeared first on Sinjali.