Normal view

Received — 27 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Projektligj i ri për forcimin e kontrollit dhe identifikimin tatimor me BE-në

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Një projektligj i ri për bashkëpunimin administrativ në fushën e tatimeve dhe shkëmbimin e informacionit tatimor synon të forcojë bashkëpunimin e Shqipërisë me administratat tatimore të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të krijojë mekanizma më efikasë për identifikimin e aktiviteteve ekonomike me karakter ndërkufitar.

Projektligji, i hedhur për konsultim publik, përafron kuadrin shqiptar me Direktivën e Këshillit 2011/16/BE, të njohur si DAC 1, të ndryshuar së fundi nga Direktiva e Këshillit (BE) 2025/872.

Në fokus të nismës është shkëmbimi i informacionit tatimor, përfshirë edhe shkëmbimin automatik të të dhënave që disponohen nga administrata shqiptare për persona me rezidencë tatimore në një shtet tjetër anëtar të BE-së.

Informacioni që mund të shkëmbehet përfshin të ardhurat nga punësimi, shpërblimet nga pjesëmarrja në bordet drejtuese, disa produkte të sigurimit të jetës, pensionet, pronësinë dhe të ardhurat nga pasuritë e paluajtshme, honoraret dhe dividendët që nuk lidhen me një llogari kujdestarie.

Sipas projektligjit, shkëmbimi automatik duhet të realizohet të paktën një herë në vit dhe jo më vonë se gjashtë muaj pas përfundimit të vitit tatimor gjatë të cilit informacioni është bërë i disponueshëm.

Regjimi i ri gjithsesi, do të prodhojë efekte nga data e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Një tjetër element i nismës lidhet me forcimin e identifikimit tatimor. Për periudhat tatimore që nisin më 1 janar 2030, komunikimi i numrit të identifikimit tatimor (TIN), të lëshuar nga shteti i rezidencës, do të kërkohet, kur të jetë e mundur, për kategori të caktuara të ardhurash.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të ketë përgjegjësi edhe për kontrollin e cilësisë dhe validimin e TIN-it në informacionin që shkëmbehet me administratat tatimore të vendeve të tjera.

Projektligji parashikon gjithashtu shkëmbimin e informacionit me kërkesë dhe spontan. Në rastin e një kërkese nga një administratë tatimore e një shteti anëtar, informacioni me rëndësi të parashikueshme për administrimin e tatimeve duhet të sigurohet, në parim, brenda tre muajve, ndërsa në rrethana të caktuara afati mund të shkojë deri në gjashtë muaj.

Bashkëpunimi do të shtrihet edhe në rastet kur administrata tatimore shqiptare ka të dhëna që mund të jenë të rëndësishme për një tjetër shtet, veçanërisht kur ekziston rreziku i humbjes së të ardhurave tatimore ose përdorimit të strukturave ndërkufitare për shmangie të detyrimeve fiskale.

Nisma ligjore parashikon edhe mundësinë e zhvillimit të kontrolleve të njëkohshme dhe auditimeve të përbashkëta ndërmjet administratës shqiptare dhe autoriteteve tatimore të vendeve të BE-së.

Në kuadër të këtyre procedurave, nëpunës të autorizuar të një shteti tjetër anëtar mund të marrin pjesë në hetime administrative në Shqipëri, përfshirë edhe përmes mjeteve elektronike të komunikimit. Kur auditimi zhvillohet në territorin shqiptar, nëpunësit e huaj do të veprojnë në prani dhe nën drejtimin e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Sipas relacionit, projektligji synon në këtë mënyrë të krijojë një kuadër më të integruar të bashkëpunimit tatimor ndërkombëtar, duke rritur aftësinë e administratave për të gjurmuar informacionin financiar dhe ekonomik që lidhet me më shumë se një juridiksion tatimor.

/e.xh/r.e/

The post Projektligj i ri për forcimin e kontrollit dhe identifikimin tatimor me BE-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Paketa e Maleve nis zbatimin, Demo: 200 aplikime të miratuara nga bashkitë

 

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ “Paketa e Maleve po nis të japë rezultatet e para konkrete dhe ky është vetëm fillimi”, deklaroi ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, në një videomesazh drejtuar qytetarëve dhe bashkëkombasve në diasporë.

Sipas tij, Paketa e Maleve tashmë është përqafuar nga qytetarë që “dashurinë që kanë për vendlindjen e tyre, për tokën e të parëve, po e kthejnë në mundësi zhvillimi për ekonominë lokale dhe atë familjare”, teksa bëri të ditur se “sot ne kemi edhe dallëndyshet e para të suksesit”.

Demo tha se bashkitë po e shohin Paketën e Maleve “si një mundësi zhvillimi ekonomik rural dhe si një instrument që s’e kanë pasur kurrë më parë për të adresuar nevojat e qytetarëve dhe krijuar ekonomi lokale”.

“Tani, 52 bashki kanë miratuar mbi 460 zona prioritare, kemi rreth 1 900 aplikime në platformën paketaemaleve.gov.al”, bëri të ditur ministri.

“Rreth 200 aplikime janë miratuar tashmë nga këshillat bashkiakë, ndërsa kemi edhe rastet e para konkrete të suksesit dhe lejet e para të zhvillimit për të vazhduar investimin”, shtoi Demo.

Sipas tij, “procesi po kalon nga interesi, tek aplikimi dhe tashmë tek investimi real në territor”.

Duke iu drejtuar qytetarëve që mund të jenë skeptikë për këtë mekanizëm, Demo nënvizoi se “Paketa e Maleve është një instrument në dorën e bashkive si incentivë për zhvillim ekonomik rural”.

“Jo vetëm që nuk prek pronën private, por adreson shpesh dhe kalvarin e atyre qytetarëve të cilët duan të investojnë në tokat e të parëve apo atyre që kanë mbi 10 vjet që e posedojnë”, u shpreh ai.

Demo sqaroi se Paketa e Maleve zbatohet mbi pasuri shtetërore, përmes një procesi të plotë verifikimi, me 45 ditë afishim publik dhe me garanci që çdo pretendim pronësie i dokumentuar të trajtohet përpara se procedura të vijojë.

“Qëllimi është i qartë: të zgjidhim problematika të mbartura prej vitesh dhe t’i kthejmë ato në mundësi të reja për investim, punësim dhe zhvillim lokal”, deklaroi ministri, teksa nënvizoi se, dhe rezultatet e para po tregojnë se kjo po bëhet realitet.

/e.xh/r.e/

The post Paketa e Maleve nis zbatimin, Demo: 200 aplikime të miratuara nga bashkitë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcohet dollari me 0,14 lekë, euroja humb lehtë terren

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, të enjten dollari amerikan vijoi të forcojë pozitat në raport me lekun, krahasuar me një ditë më parë, ndërsa euroja shënoi rënie të lehtë.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan këmbehet me 79,23 lekë ose 0,14 lekë më shumë ndërsa euroja zbriti me 0,02 lekë, duke u kuotuar në vlerën e 92,25 lekëve.
Paundi britanik këmbehet me 107,55 lekë, ose 0,19 lekë më pak se ditën e mërkurë dhe franga zvicerane zbriti me 0,07 lekë duke u këmbyer sot me 98,34 lekë.
Monedha kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 79.23 +0.14
Euro EUR 92.25 -0.02
Poundi Britanik GBP 107.55 -0.19
Franga Zvicerane CHF 98.34 -0.07
Jeni Japonez (100) JPY 49.70 -0.05
Dollari Australian AUD 56.86 +0.10
Dollari Kanadez CAD 57.07 +0.03
Korona Suedeze SEK 8.31 -0.03
Korona Norvegjeze NOK 8.47 0.00
Korona Daneze DKK 12.34 0.00
SDR SDR 108.73 +0.19
Ari (OZ 1) XAU 363133.27 -2,122.54
Argjendi (OZ 1) XAG 5405.86 -11.60
Juani Kinez (onshore) CNY 11.79 +0.02
Juani Kinez (offshore) CNH 11.79 +0.02
Lira Turke TRY 1.65 +0.01

/e.xh/r.e/

The post Forcohet dollari me 0,14 lekë, euroja humb lehtë terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Botërore e Liqeneve, AKKSHI: Shkenca dhe inovacioni, me rëndësi për mbrojtjen e ekosistemeve ujore

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Dita Botërore e Liqeneve, që shënohet më 27 gusht, vë në fokus rëndësinë e kërkimit shkencor dhe inovacionit në mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të liqeneve.

Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) theksoi se liqenet duhet të shihen jo vetëm si pasuri natyrore dhe peizazhe për t’u admiruar, por edhe si laboratorë natyrorë për kërkimin shkencor dhe zhvillimin e zgjidhjeve inovative.

Sipas AKKSHI-t, monitorimi i cilësisë së ujit, vlerësimi i biodiversitetit, identifikimi i ndotjes dhe analizimi i ndikimit të ndryshimeve klimatike kërkojnë përdorimin e teknologjive dhe zgjidhjeve të reja.

Në këtë drejtim, inovacioni mundëson monitorim më të shpejtë dhe të saktë të cilësisë së ujit, sisteme inteligjente për zbulimin dhe parandalimin e ndotjes, teknologji të reja për trajtimin dhe rehabilitimin e ujërave, si dhe sisteme digjitale për mbledhjen, ruajtjen dhe analizimin e të dhënave.

“Shkenca na ndihmon t’i kuptojmë liqenet. Inovacioni na ndihmon në menaxhimin efektiv të tyre”, nënvizon AKKSHI, teksa evidenton rëndësinë e ndërthurjes së kërkimit shkencor me teknologjinë për ruajtjen e ekosistemeve ujore.

/e.xh/

The post Dita Botërore e Liqeneve, AKKSHI: Shkenca dhe inovacioni, me rëndësi për mbrojtjen e ekosistemeve ujore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AIDA: Mbi 29 mijë kompani me kapital të huaj në Shqipëri, 66% janë aktive

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) informon se 29 339 kompani me kapital 100% të huaj ose të përbashkët janë regjistruar në Shqipëri deri në korrik 2026, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB).

Nga totali i kompanive të regjistruara, 19 370 janë aktive, ose rreth 66%, duke ruajtur nivele të ngjashme me një vit më parë, kur kompanitë aktive përbënin 65% të totalit. Pjesa tjetër, rreth 34%, kanë status joaktiv, përfshirë subjektet pasive, të çregjistruara, të falimentuara, të pezulluara ose në likuidim e procedurë falimenti.

Sipas shpërndarjes gjeografike, Tirana vijon të jetë qarku me përqendrimin më të madh të kompanive aktive me kapital të huaj ose të përbashkët. Në kryeqytet operojnë 12 814 kompani, ose 66,2% e totalit. Pas Tiranës renditen Durrësi me 13,4% dhe Vlora me 7,8%.

Për sa i përket origjinës së kapitalit, kompanitë me kapital italian kanë praninë më të lartë në Shqipëri, të ndjekura nga kompanitë me origjinë nga Kosova, Turqia, Greqia dhe SHBA-ja.

Kompanitë me kapital të huaj ose të përbashkët janë të pranishme në një gamë të gjerë aktivitetesh ekonomike. Shërbimet zënë peshën më të madhe, me 41,1% të totalit, të ndjekura nga tregtia me shumicë dhe pakicë me 26%.

Ndër sektorët e tjerë me prezencë të konsiderueshme janë industria përpunuese me 9,6%, informacioni dhe komunikacioni me 8,8% dhe ndërtimi me 7,6%.

Të dhënat janë publikuar nga AIDA bazuar në informacionin e QKB-së, duke ofruar një panoramë të pranisë dhe shpërndarjes së kompanive me kapital të huaj dhe të përbashkët në ekonominë shqiptare.

/e.xh/r.e/

The post AIDA: Mbi 29 mijë kompani me kapital të huaj në Shqipëri, 66% janë aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kadastra përfundon legalizimin e 112 banesave në Lushnjë

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka përfunduar procesin e legalizimit për 112 banesa në njësitë administrative Kolonjë dhe Bubullimë (bashkia Lushnjë).

Sipas njoftimit të Kadastrës, të gjithë aplikuesit që kanë plotësuar dokumentacionin dhe kanë qenë të pranishëm gjatë procesit të matjeve në terren janë pajisur me vendimin e legalizimit.

Në kuadër të vijimit të procesit, ASHK ka publikuar në faqen zyrtare listat emërore të banorëve që duhet të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për përfundimin e legalizimit, si edhe listën e personave që nuk janë gjetur në banesë gjatë verifikimeve në terren.

Kadastra u bën thirrje qytetarëve që e kanë emrin në këto lista të paraqesin një kërkesë pranë Drejtorisë Vendore të Kadastrës Lushnjë, duke lënë edhe një numër kontakti.

“Bashkëpunimi është i rëndësishëm që procesi të mos mbetet pezull dhe legalizimi i banesës të mund të përmbyllet”, thekson ASHK.

/e.xh/r.e/

The post Kadastra përfundon legalizimin e 112 banesave në Lushnjë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Karakaçi: Autostrada Kashar–Rrogozhinë nis ndërtimin brenda këtij viti, pjesë e Korridorit Blu

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Projekti i autostradës Kashar-Rrogozhinë nis fazën e ndërtimit brenda këtij viti, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka miratuar projektin e zbatimit, duke i hapur rrugë procesit të shpronësimeve.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se pas diskutimeve për mënyrën e lidhjes së aksit Kashar-Rrogozhinë me bajpasin e Tiranës, tashmë janë përmbyllur detajet e projektit dhe se autostrada nis ndërtimin brenda këtij viti.

“ARRSH ka miratuar projektin e zbatimit që ka ardhur në ministri ditën e sotme dhe do të nisë menjëherë procesin e shpronësimeve, duke i hapur rrugë nisjes së punimeve brenda këtij viti”, u shpreh Karakaçi në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale.

“Kashar-Rrogozhinë është pjesë e Korridorit Blu dhe vazhdimi i aksit Thumanë-Kashar. Me një gjatësi prej 33,5 kilometrash, kjo do të jetë autostradë e kategorisë A dhe do të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë veri–jug, duke ndihmuar në lehtësimin e trafikut në një prej akseve më të ngarkuara të vendit, Tiranë–Durrës”, deklaroi ministri.

Karakaçi theksoi se projekti është pjesë e një pakete më të gjerë investimesh strategjike në infrastrukturën rrugore, që synon përmirësimin e lidhjeve kombëtare dhe integrimin e vendit me rrjetin europian të transportit.

“Ky është një projekt i rëndësishëm që, së bashku me kantierët që kemi hapur, si Bypass-i i Tiranës, Bypass-i i Elbasanit, Elbasan–Rrogozhinë, Elbasan–Qafë Thanë dhe autostrada Milot–Balldren, do të kontribuojë në modernizimin e infrastrukturës rrugore të vendit dhe do ta çojë një hap më tej lidhjen e Shqipërisë me rrjetin europian të transportit”, theksoi Karakaçi.

Autostrada Kashar–Rrogozhinë konsiderohet një nga segmentet e rëndësishme të Korridorit Blu, duke synuar forcimin e lidhjes veri–jug dhe përmirësimin e aksesit të Shqipërisë në korridoret europiane të transportit.

/e.xh/r.e/

The post Karakaçi: Autostrada Kashar–Rrogozhinë nis ndërtimin brenda këtij viti, pjesë e Korridorit Blu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌