Normal view

Received — 3 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gjykata e BE-së lë në fuqi rregullat e rrepta ndaj “Messenger”, “Meta” humbet apelin

LUKSEMBURG, 3 qershor /ATSH-DPA/- “Meta” ka humbur apelin kundër vendimit të Bashkimit Evropian, për të vendosur rregulla të rrepta ndaj aplikacionit të saj të mesazheve “Messenger”.

Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Evropian në Luksemburg konfirmoi sot vendimin e Komisionit Evropian, për të klasifikuar “Messenger” si një “gatekeeper” sipas Aktit për Tregjet Digjitale.

Në të njëjtën kohë, gjykata anuloi një vendim të mëparshëm të revokuar, që kishte të bënte me shërbimin e blerjeve “Marketplace”.

Komisioni Evropian përcaktoi në vitin 2023, se “Messenger” dhe “Marketplace” përmbushnin kriteret për t’u konsideruar “gatekeepers” – platforma të mëdha që shërbejnë si porta kryesore për bizneset që të arrijnë konsumatorët në tregjet digjitale.

Ky status i vendos kompanive, detyrime të veçanta, për të garantuar konkurrencë më të drejtë në tregun digjital.

Në vitin 2025, Komisioni Evropian anuloi vendimin për përcaktimin për “Marketplace”, pasi nuk ishte arritur pragu i kërkuar i përdoruesve komercialë.

Gjykata vendosi se ky anulim ishte i pavlefshëm, duke argumentuar se vlerësimi i të dhënave nga Komisioni ishte i pasaktë dhe arsyetimi i tij ishte “hipotetik dhe i paplotë”.

Përsa i përket “Messenger-it”, gjykata mbështeti Komisionin Evropian, dhe la në fuqi përcaktimin si “gatekeeper”.

Si “Meta” ashtu edhe Komisioni Evropian mund ta apelojnë vendimin në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, instanca më e lartë gjyqësore e BE-së.

Përveç “Messenger-it”, disa shërbime të tjera të “Meta-s” janë aktualisht të klasifikuara si “gatekeepers”, përfshirë “Facebook”, “Instagram”, “WhatsApp” dhe “Meta Ads”. / /a.i/

The post Gjykata e BE-së lë në fuqi rregullat e rrepta ndaj “Messenger”, “Meta” humbet apelin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Procesi gjyqësor ndaj Metës, farsë e turpshme

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dalë sërish këtë të martë nga ambientet e paraburgimit, pasi ka marrë leje për disa orë për të pritur ngushëllimet për babanë e tij të ndjerë, pranë një hoteli në kryeqytet.

Meta shoqërohej nga efektivë të Policisë së Burgjeve, ndërsa jashtë ambienteve ku po zhvilloheshin homazhet u prit nga mbështetës, bashkëpunëtorë dhe figura politike.

Në ngushëllime mori pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili komentoi edhe procesin gjyqësor ndaj Metës.

Berisha e cilësoi procesin ndaj ish-Presidentit të Republikës si “një farsë të turpshme”, duke pretenduar se akuzat ndaj tij janë të pabazuara dhe me motive politike.

“Është një farsë e turpshme, e mbajtur gjallë me falsitete dhe si zbatim i porosisë së Edi Ramës”, deklaroi Berisha para mediave.

Ai u bëri thirrje mediave që të hetojnë dokumentacionin e çështjes, duke pretenduar se akuzat ndaj Metës “nuk kanë substancë”.

“Edhe njëherë u them, asnjëra prej akuzave nuk ka absolutisht substancë”, u shpreh Berisha.

Berisha gjithashtu shtoi se, “Meta është një i burgosur politik”.

/gj.m/j.p/

The post Berisha: Procesi gjyqësor ndaj Metës, farsë e turpshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌