PRISHTINË, 14 maj/ATSH/ Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet nga komuna e Skenderajt, Hysni Mehani, po pretendon se është sulmuar fizikisht nga kryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku.
Mehani përmes një shkrimi në Facebook të bërë në llogarinë e ish-kandidatit të VV-së për asamble në Skenderaj, Bahri Zabeli, pretendon se Lushtaku ia ka marrë edhe telefonin personal.
“Te dashur miq jam sulmuar nga Sami Lushtaku dhe banda e tij. Telefonin personal ma kanë marrë. Lus policinë të mbroj familjen time dhe ftoj familjaret për përmbajtje”, thuhet në postimin e profilit të Zabelit, që në fund mban njoftimin se është bërë nga Mehani, transmeton KosovaPress.
Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, tha se ka qenë dëshmitare okulare e ngjarjes. Sipas saj, Mehani është sulmuar fizikisht nga kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.
Fejza, nga ambientet e spitalit ku po trajtohet Mehani, tha se ngjarja ka ndodhur, derisa ata po qëndronin në një kafeteri në qendër të Skenderajt.
“Ishim në kafe pa asnjë lloj komunikimi paraprak me zotëri Lushtakun. Ai u afrua dhe e sulmoi zëvendësministrin Mehani. Fillimisht me telefon, pastaj me dorë, pastaj edhe me gotë, siç keni pasur mundësinë me pa edhe dëmin, të cilin e ka në fytyrën e tij. Kur sekretari i qendrës sonë, Bardh Zabeli tentoi të ndërhyjë për ta qetësuar situatën, me i nda pak, mos të vazhdojë ajo përplasja fizike, ai u sulmua edhe nga disa persona të tjerë përreth, të cilët unë nuk i di se kush janë, as nuk i njoh, por ishin bashkë me zotëri Lushtakun në atë moment”, tha Fejza.
Ajo e cilësoi rastin si sulm ndaj demokracisë dhe kërkoi reagim nga organet kompetente.
Pas pretendimeve të LVV, kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, reagoi duke thënë se pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij ka tentuar që ta sulmojë atë sot në Skenderaj.

“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmoj në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit kurse etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më prandaj edhe reaguan”, shkroi Lushtaku,
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dënoi ashpër sulmin ndaj zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani.
Kurti në mbledhjen e qeverisë tha se veprimet e tilla nuk i trembin dhe nuk i shtyjnë të tërhiqen nga gara politike në asnjë qytet.
Pas sulmit ndaj zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka dënuar dhunën e sotme politike, duke shprehur shqetësime për klimën e rrezikshme të gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve dhe terrorit digjital.
Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës mospajtimet politike duhet të mbeten gjithmonë brenda normave demokratike, institucionale dhe qytetare.
The post Kandidati i VV-së për deputet, Hysni Mehani pretendon se u sulmua nga kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.