LONDËR, 26 qershor /ATSH/- Ky Botëror me 48 skuadra ka sjellë disa përballje intriguese dhe një sërë paraqitjesh mbresëlënëse, nga kombëtaret më pak të favorizuara, të cilat kanë arritur të marrin rezultate pozitive ndaj disa prej ekipeve më të forta në botë, shkruan BBC.
Kepi i Gjelbër, Curaçao, Gana dhe Afrika e Jugut – të renditura përkatësisht në vendet e 64-ërt, 81-të, 65-të dhe 54-ërt në renditjen botërore – kanë marrë pikë ndaj Spanjës (e 3-ta), Ekuadorit (i 29-ti), Anglisë (e 4-ta) dhe Koresë së Jugut (e 28-ta).
Por a janë këto surpriza thjesht rezultat i fatit, apo pas tyre fshihet një përgatitje taktike e menduar mirë?
Një analizë më e detajuar e ndeshjeve, tregon se këto rezultate nuk kanë ardhur rastësisht. Përkundrazi, ekipet që befasuan, kanë ndjekur disa modele të përbashkëta taktike.
Të mos biesh në kurthin e kundërshtarit
Barazimi 0-0 i Kepit të Gjelbër kundër Spanjës, ishte ndoshta surpriza më e madhe e turneut deri tani, por edhe një nga paraqitjet më të disiplinuara nga pikëpamja taktike.
Kombëtarja e tretë më e vogël në historinë e Kupës së Botës, neutralizoi Spanjën falë një organizimi mbrojtës në skemën 4-5-1.
Çelësi i suksesit ishte distanca shumë e vogël mes vijës së mesfushës dhe asaj të mbrojtjes, duke mos lënë hapësira për lojtarët spanjollë.
Përballë një blloku kaq kompakt, skuadrat që mbajnë gjatë topin zakonisht, zgjedhin ta rikthejnë lojën prapa, me shpresën se kundërshtari do të dalë përpara dhe do të krijojë hapësira.
Spanja veproi pikërisht kështu, duke e kthyer topin mbrapa për të tërhequr mesfushorët e Kepit të Gjelbër.
Por afrikanët nuk ranë në grackë. Ata ruajtën pozicionet dhe nuk e prishën strukturën mbrojtëse.
Edhe kur mbrojtësit spanjollë, avancuan me topin në këmbë, për të provokuar një reagim, lojtarët e Kepit të Gjelbër, vazhduan të ruanin qetësinë dhe lëvizën vetëm në momentin e duhur.
Si pasojë, Spanja pati shumë vështirësi të gjente lojtarë mes linjave. Zgjidhjet e vetme mbetën sulmet nga krahët ose pasimet e gjata mbi mbrojtjen.
Një skenar pothuajse identik, u pa edhe në mënyrën se si Gana, u mbrojt ndaj Anglisë.
Nën drejtimin e Thomas Tuchel, Anglia i kushton edhe më shumë rëndësi, tërheqjes së kundërshtarit duke qarkulluar topin në prapavijë, për të sulmuar më pas hapësirat që krijohen.
Gana ishte përgatitur për këtë. Jordan Ayew qëndroi afër portës kundërshtare, për të penguar Elliot Anderson, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës u vendos në dy linja kompakte pranë zonës së saj, pa lënë hapësira mes mbrojtjes dhe mesfushës.
Refuzimi i Kepit të Gjelbër dhe Ganës për të ushtruar presion, në momentet kur kundërshtari përpiqej t’i nxirrte nga pozicionet, reflektohet edhe në statistikat.
Një tregues i quajtur PPDA (pasimet që kundërshtari lejohet të kryejë përpara një veprimi mbrojtës) mat intensitetin e presionit. Sa më i lartë të jetë ky numër, aq më pak agresiv ka qenë presioni.
Në barazimin ndaj Spanjës, PPDA-ja mesatare e Kepit të Gjelbër ishte 51,2, ndërsa ajo e Spanjës vetëm 5,9.
Në 15 minutat e para të ndeshjes Angli-Ganë, PPDA-ja e Ganës arriti në 62.
Me fjalë të tjera, të dyja skuadrat zgjodhën me vetëdije, një qasje pasive në mbrojtje.
Megjithatë, me kalimin e minutave, ato e rritën gradualisht intensitetin e presionit, duke tentuar të fitonin iniciativën dhe të shfrytëzonin rastet, në fund të takimit.
Mbulimi i gjithë gjerësisë së fushës
Për të kuptuar pse disa skuadra të vogla patën sukses, vlen të shihet edhe pse disa të tjera dështuan.
Humbja e Arabisë Saudite kundër Spanjës, nxori në pah, një problem të zakonshëm të ekipeve që mbrohen shumë pranë portës.
Në teori, një mbrojtje me pesë lojtarë, duhet të ofrojë më shumë siguri. Në praktikë, ndodhi e kundërta.
Lojtarët sauditë shpesh tërhiqeshin drejt mbajtësit të topit, duke humbur qartësinë në pozicionim.
Edhe mesfusha me katër lojtarë, zhvendosej më shumë seç duhej drejt anës, ku ndodhej topi, duke lënë të pambuluar krahun tjetër të fushës.
Spanja e kuptoi këtë dobësi dhe e ndryshonte vazhdimisht drejtimin e lojës, nga njëri krah në tjetrin.
Në këtë mënyrë, Lamine Yamal dhe Pedro Porro krijuan vazhdimisht situata dy kundër një, ndaj mbrojtësit të krahut të Arabisë Saudite. Pikërisht një mbingarkesë e tillë solli edhe golin e tretë të Spanjës.
Mesfushori i krahut, nuk arriti të rikthehej në kohë për të penguar Porron, ndërsa mbrojtësi i krahut nuk guxoi të dilte ndaj tij, sepse do të linte të lirë Yamalin.
Me kohën dhe hapësirën që kishte, Porro dërgoi një krosim në shtyllën e dytë, topi u devijua në qendër dhe Mikel Oyarzabal e shtyu lehtësisht në rrjetë.
E njëjta dobësi u pa edhe te Suedia në humbjen 5-1 kundër Holandës.
Skema 5-3-2 me vetëm tre mesfushorë, e bëri edhe më të vështirë, mbulimin e gjerësisë së fushës.
Holanda e mbajti të tërhequr mbrojtësin e majtë suedez, me anë të sulmuesit të krahut, ndërsa Denzel Dumfries përfitonte nga hapësirat për të depërtuar nga pas.
Suedia nuk arriti ta përballonte këtë situatë numerike dhe u përmirësua vetëm pasi kaloi në skemën 4-5-1, ashtu si Kepi i Gjelbër dhe Gana.
Provoko kundërshtarin dhe më pas godit shpejt
Nëse skuadrat më pak të favorizuara duan të marrin rezultate ndaj ekipeve të mëdha, nuk mjafton vetëm të mbrohen mirë. Ato duhet të jenë të rrezikshme edhe kur kanë topin.
Afrika e Jugut, për shembull, realizoi 14 goditje ndaj shtatë të Koresë së Jugut, edhe pse zotëroi vetëm 31% të topit.
Sekreti ishte mënyra se si e nxirrte topin nga mbrojtja. Në vend që portieri ta dërgonte menjëherë larg, skuadra niste aksionet me pasime të shkurtra, duke tërhequr presionin e kundërshtarëve dhe më pas, duke luajtur topa të gjatë e të saktë drejt zonave ku kishte hapësirë.
Kjo strategji u përdor edhe nga Kepi i Gjelbër dhe Iraku. Lojtarët vendoseshin larg njëri-tjetrit me qëllim që kundërshtarët, nëse dëshironin t’i pengonin individualisht, të detyroheshin të përshkonin distanca të mëdha.
Kjo krijonte kohën e nevojshme, për të gjetur mesfushorët dhe sulmuesit në hapësirë.
Natyrisht, kjo mënyrë loje mbart edhe rreziqe. Afrika e Jugut kundër Meksikës dhe Iraku kundër Norvegjisë pësuan gola pikërisht, duke tentuar të dilnin me top nga mbrojtja.
Megjithatë, të dyja skuadrat krijuan edhe shumë raste të mira dhe me pak më shumë saktësi në finalizim, historia e ndeshjeve mund të kishte qenë krejt tjetër.
Futbolli është një lojë kompromisesh
Kur Koreja e Jugut ushtroi presion të lartë, Afrika e Jugut nuk hoqi dorë nga filozofia e saj. Ajo vazhdoi të luante përpara me pasime më të sakta dhe, sapo kaloi mesfushën, sulmoi me shpejtësi, duke shënuar golin, që i siguroi kualifikimin në fazën tjetër.
Dhe, sigurisht, pak cilësi individuale
Të gjitha këto shembuj tregojnë se diferenca taktike mes kombëtareve është zvogëluar ndjeshëm, pavarësisht pozicionit të tyre në renditjen botërore.
Edhe skuadrat me lojtarë më pak cilësorë, mund t’u shkaktojnë probleme rivalëve më të fortë, nëse organizohen mirë dhe veprojnë si një grup i bashkuar.
Megjithatë, në këtë nivel duhet edhe pak fat dhe paraqitje të jashtëzakonshme individuale.
Në këtë Botëror, portieri 40-vjeçar Vozinha fitoi admirimin e tifozëve me pritjet spektakolare ndaj Spanjës.
Ndërkohë, portieri i Curaçaos, Eloy Room, barazoi rekordin e Kupës së Botës me 15 pritje në një ndeshje, duke ndihmuar vendin e tij të fitonte pikën e parë.
Taktikat mund t’i ndihmojnë kombëtaret më të vogla të ngushtojnë diferencën ndaj gjigantëve dhe t’i detyrojnë ata të luajnë sipas ritmit të tyre.
Por, atmosfera unike e Kupës së Botës duket se nxjerr gjithashtu në pah, te shumë futbollistë, një nivel performance, që ndoshta as vetë nuk e dinin se e zotëronin. //a.i/
The post BOTËRORI 2026 – Revolucioni i skuadrave “modeste”: Si po ndryshon harta e Kupës së Botës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.