Normal view

Received — 26 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rruga e re e Fterrës drejt përfundimit, lehtësohet qarkullimi i banorëve

HIMARË, 25 qershor /ATSH/ Rruga e re që lidh fshatin Fterrë me rrugën nacionale është drejt përfundimit, në kuadër të investimeve të Bashkisë Himarë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

Investimi pritet të lehtësojë lëvizjen e banorëve drejt zonave urbane, të përmirësojë aksesin në shërbime dhe të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

Fterra, një nga fshatrat më të njohur të krahinës së Kurveleshit, shquhet për peizazhet malore, shtëpitë karakteristike prej guri dhe trashëgiminë e pasur kulturore. E vendosur mes natyrës së paprekur, zona po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të apasionuar pas turizmit natyror dhe atij rural, ndërsa përmirësimi i infrastrukturës pritet ta bëjë destinacionin edhe më të aksesueshëm. 

The post Rruga e re e Fterrës drejt përfundimit, lehtësohet qarkullimi i banorëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 24 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Tifozët norvegjezë pushtojnë Times Square me “Viking Row”

NEW YORK, 23 qershor /ATSH/ Mijëra tifozë të kombëtares së Norvegjisë pushtuan sheshin e famshëm Times Square në New York, duke krijuar një atmosferë festive me këngë, thirrje dhe ritualin e tyre të veçantë, të njohur si “Viking Row”.  

Të veshur me ngjyrat kuqe, blu dhe të bardhë, si dhe me helmeta vikinge, mbështetësit norvegjezë imituan lëvizjet e vozitjes së një anijeje vikinge, duke e kthyer një nga pikat më ikonike të Manhattan-it në një “det” të kuq, të bardhë dhe blu.  

Manifestimi u zhvillua në prag të ndeshjes së Norvegjisë me Senegalin në Kupën e Botës 2026 dhe është bërë një nga imazhet më virale të turneut, duke reflektuar entuziazmin e tifozëve norvegjezë në rikthimin e ekipit të tyre në Botëror pas 28 vitesh.  

The post Tifozët norvegjezë pushtojnë Times Square me “Viking Row” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 22 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Bimët e shtëpisë që mund ta bëjnë ambientin të ndihet më i freskët gjatë verës

TIRANË, 22 qershor /ATSH/ Me temperaturat e larta dhe përdorimin e vazhdueshëm të kondicionerëve, gjithnjë e më shumë njerëz po zgjedhin zgjidhje natyrale për ta bërë shtëpinë më të freskët. Sipas revistës italiane Grazia, disa bimë të brendshme ndihmojnë në krijimin e një mikroklime më të këndshme, duke rritur lagështinë e ajrit dhe duke e bërë vapën më të përballueshme.  

Ekspertët shpjegojnë se kjo ndodh falë procesit të evapotranspirimit: bimët thithin ujin nga toka dhe e lëshojnë atë në formë avulli përmes gjetheve, duke e bërë ajrin të ndihet më i freskët dhe më pak i thatë.  

Ndër bimët më të rekomanduara për verën janë palma Areca, Pothos-i dhe fieri i Bostonit, të cilat ndihmojnë në rritjen e lagështisë dhe përmirësojnë ndjesinë e komfortit në ambiente të mbyllura. Edhe bimë si aloe vera, Ficus Benjamin dhe Calathea njihen për aftësinë e tyre për të krijuar një ambient më të këndshëm gjatë ditëve të nxehta.  

Sipas specialistëve, grupimi i tre deri në pesë bimëve në një kënd të ndriçuar të shtëpisë mund të krijojë një “mikroklimë të gjelbër”, duke e bërë hapësirën më të freskët dhe më të rehatshme, pa rritur konsumin e energjisë.  

The post Bimët e shtëpisë që mund ta bëjnë ambientin të ndihet më i freskët gjatë verës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Studimi: Macet krijojnë lidhje emocionale me njerëzit, njësoj si foshnjat dhe qentë

KONEKTIKAT, 22 qershor /ATSH/  Macet mund të jenë shumë më të lidhura emocionalisht me njerëzit sesa besohej deri më sot. Një studim i publikuar në revistën shkencore Current Biology dhe i kryer nga studiues të Oregon State University zbuloi se shumica e maceve krijojnë lidhje të sigurta emocionale me kujdestarët e tyre, të ngjashme me ato të foshnjave dhe qenve.  

Gjatë eksperimentit, macet kaluan disa minuta me pronarët e tyre në një mjedis të panjohur, më pas mbetën vetëm dhe, në fund, u ribashkuan me ta. Studiuesit vunë re se shumica e maceve shfaqnin qetësi dhe besim kur pronarët ishin pranë, ndërsa tregonin shenja të lehta stresi gjatë mungesës së tyre.  

Rreth 65% e maceve të studiuara u klasifikuan si të lidhura në mënyrë të sigurt me kujdestarët e tyre, një përqindje shumë e ngjashme me atë të vërejtur te foshnjat njerëzore. Sipas studiuesve, gjetjet sfidojnë stereotipin se macet janë kafshë të ftohta dhe të pavarura, duke treguar se ato i shohin njerëzit e tyre si një burim sigurie dhe ngushëllimi.  

The post Studimi: Macet krijojnë lidhje emocionale me njerëzit, njësoj si foshnjat dhe qentë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 21 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Tifozët skocezë “pinë” Bostonin, lokalet mbeten pa birrë gjatë Kupës së Botës

BOSTON, 21 qershor /ATSH/ Tifozët e kombëtares së Skocisë, të njohur si “Tartan Army”, kanë pushtuar Bostonin gjatë Kupës së Botës 2026, duke krijuar një atmosferë festive, por edhe duke shkaktuar mungesa të pazakonta të birrës në disa prej bareve dhe lokaleve të qytetit.  

Sipas mediave amerikane, mijëra tifozë skocezë mbushën pubet dhe restorantet e Bostonit, ndërsa disa bare raportuan se rezervat e birrës u shteruan plotësisht dhe u detyruan të kërkonin furnizime emergjente. Vetëm në një nga taproom-et e birrës Samuel Adams u konsumuan mbi 4 000 gota birrë dhe u zbrazën afro 90 fuçi brenda katër ditësh.  

Pronarët e lokaleve thanë se nuk kishin parë kurrë një fluks të tillë klientësh, me shitje që në disa raste tejkaluan edhe ato të festës së Shën Patrikut, tradicionalisht një nga periudhat më të ngarkuara për baret e Bostonit.  

Megjithëse Skocia pësoi humbje ndaj Marokut, tifozët e saj lanë një përshtypje pozitive te banorët e qytetit, duke u vlerësuar për atmosferën festive dhe ndikimin e tyre të rëndësishëm në ekonominë lokale.  

The post Tifozët skocezë “pinë” Bostonin, lokalet mbeten pa birrë gjatë Kupës së Botës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 20 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Pse macet hanë bar? Ja çfarë thotë shkenca

USA, 20 qershor, ATSH/ Një studim i kryer nga studiues të universitetit amerikan High Point University ka hedhur dritë mbi një sjellje të zakonshme të maceve: ngrënien e barit dhe nxjerrjen përsëri nga stomaku.

Duke analizuar masat bimore të vjella nga macet me mikroskop elektronik, studiuesit zbuluan se qimet e gëlltitura gjatë pastrimit të përditshëm mbeten të “kapura” te trikomet, strukturat mikroskopike me formë gjembash që gjenden në sipërfaqen e disa bimëve.

Sipas kërkuesve, bari vepron si një lloj “kurthi për qimet”, duke i ndihmuar macet të pastrojnë stomakun dhe të eliminojnë grumbullimet e qimeve të gëlltitura gjatë lëpirjes së gëzofit.

Pra, ngrënia e barit nuk është një shenjë sëmundjeje. Përkundrazi, ajo duket të jetë një sjellje instinktive, e zhvilluar gjatë evolucionit, që i ndihmon macet të mbajnë të pastër sistemin e tyre tretës.

 

The post Pse macet hanë bar? Ja çfarë thotë shkenca appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 17 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Policia vietnameze shpëton 400 mace të destinuara për therje

HANOI, 17 qershor /AFP/ – Më shumë se 40 mace të vjedhura janë ribashkuar me pronarët e tyre pasi policia vietnameze goditi një rrjet të trafikimit të mishit të maceve dhe shpëtoi rreth 400 kafshë shtëpiake që dyshohet se ishin destinuar për therje, njoftuan organizatat për mbrojtjen e kafshëve.  

Nëntë persona u arrestuan javën e kaluar në lidhje me grupin kriminal, i cili sipas mediave lokale specializohej në vjedhjen dhe grumbullimin e maceve në jug të Vietnamit.  

Gjatë operacionit, autoritetet gjetën më shumë se 400 mace të gjalla të mbyllura në kafaze dhe rreth 80 mace të ngordhura të ruajtura në akull, ndërsa 21 mace të tjera u sekuestruan në një vend tjetër.  

Organizata Humane World for Animals tha se rreth 100 nga macet e shpëtuara kanë ngordhur më pas për shkak të kushteve të rënda që kishin përjetuar. Megjithatë, dhjetëra kafshë janë rikthyer te familjet e tyre, ndërsa vullnetarët dhe veterinerët vijojnë të kujdesen për të mbijetuarat.  

Konsumi i mishit të qenve dhe maceve është i ligjshëm në Vietnam, megjithëse tregtarët janë të detyruar të disponojnë dokumente që vërtetojnë origjinën e kafshëve.  

The post Policia vietnameze shpëton 400 mace të destinuara për therje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 16 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Mjekësia shqiptare në zi, ndahet nga jeta pediatri dhe neonatologu i njohur Edi Tushe

TIRANË, 16 qershor, ATSH/ Është ndarë nga jeta mbrëmjen e së hënës mjeku i njohur pediatër dhe neonatolog, Dr. Edi Tushe, një prej figurave më të respektuara të mjekësisë shqiptare. Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga klinika ku ai ushtronte profesionin, përmes një mesazhi prekës në rrjetet sociale.

“Sot tavolina e tij mbeti bosh. Stetoskopi heshti. Dera nuk do të hapet më për të pritur fëmijët që e donin aq shumë. Dhe zemrat tona mbetën me një plagë që nuk do të mbyllet kurrë plotësisht. Sa shumë njerëz ke ndihmuar. Sa shumë fëmijë ke shëruar. Sa shumë prindër ke qetësuar. Sa shumë dashuri ke lënë pas”, shkruajnë kolegët e tij në mesazhin e lamtumirës.

Për dekada me radhë, Dr. Edi Tushe i qëndroi pranë brezave të tërë të fëmijëve dhe prindërve shqiptarë, duke u bërë një emër i dashur dhe i besuar në kujdesin ndaj të porsalindurve dhe fëmijëve. Profesionalizmi, përkushtimi dhe humanizmi i tij i rrallë i siguruan respektin e kolegëve dhe mirënjohjen e mijëra familjeve.

Përveç punës së tij si pediatër dhe neonatolog, Dr. Tushe luajti një rol të rëndësishëm në themelimin dhe zhvillimin e shërbimit të neonatologjisë në Shqipëri. Ai dha gjithashtu një kontribut të vyer në formimin e brezave të rinj të mjekëve, duke përcjellë ndër vite përvojën, dijet dhe pasionin e tij për profesionin.

Ndarja e tij nga jeta lë një boshllëk të madh në komunitetin mjekësor shqiptar, ndërsa kujtimi dhe vepra e Dr. Edi Tushes do të mbeten të paharruara te kolegët, pacientët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të përfitojnë nga përkushtimi i tij.

The post Mjekësia shqiptare në zi, ndahet nga jeta pediatri dhe neonatologu i njohur Edi Tushe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Fundi një tradite, Jakarta ndalon shfaqjet e majmunëve “valltarë”

JAKARTA, 15 qershor /ATSH/ Pas vitesh kritikash nga organizatat për mbrojtjen e kafshëve, autoritetet në Jakarta i kanë dhënë fund përfundimisht praktikës së përdorimit të majmunëve për shfaqje rrugore, të njohur si “dancing monkeys”.

Edhe pse ndalimi ishte miratuar që në vitin 2013, shfaqjet vazhduan për vite me radhë në mënyrë të fshehtë. Sipas mediave ndërkombëtare, autoritetet kanë forcuar zbatimin e ligjit, duke çuar në eliminimin e plotë të kësaj praktike.

Aktivistët për të drejtat e kafshëve kanë denoncuar prej kohësh kushtet e rënda ndaj majmunëve, të cilët shpesh merreshin nga natyra në moshë të vogël dhe stërviteshin me metoda të dhunshme për të kryer shfaqje në rrugë, pavarësisht lodhjes apo dëmtimeve fizike.

Organizatat e mbrojtjes së kafshëve e kanë cilësuar vendimin si një hap të rëndësishëm për mirëqenien e kafshëve, duke theksuar se zbatimi i ligjeve është thelbësor për t’i dhënë fund formave të shfrytëzimit dhe keqtrajtimit të tyre.

Mbyllja përfundimtare e këtij kapitulli në kryeqytetin indonezian konsiderohet një fitore e rëndësishme për mbrojtjen e kafshëve dhe përpjekjet për t’i kthyer ato në habitatet dhe kushtet e tyre natyrore.

The post Fundi një tradite, Jakarta ndalon shfaqjet e majmunëve “valltarë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria italiane jep dritën jeshile për resortin në Sardenjë, rajoni paralajmëron ankimim

Itali, 14 qershor /ATSH/ Debati mes zhvillimit turistik dhe mbrojtjes së zonave me vlera të larta natyrore po zhvillohet edhe në vende të Bashkimit Europian. Në Itali, qeveria ka miratuar fazën e parë të projektit turistik “Tavolara Bay” në Cala Finanza të Sardenjës, pavarësisht kundërshtimit të autoriteteve rajonale, institucioneve të mbrojtjes së trashëgimisë dhe organizatave mjedisore.

Sipas medias italiane “La Nuova Sardegna”, vendimi i Këshillit të Ministrave i hap rrugë zhvillimit të një kompleksi turistik në një zonë me vlera të larta natyrore pranë Zonës së Mbrojtur Detare Tavolara-Punta Coda Cavallo. Projekti është bërë objekt i një përplasjeje institucionale mes qeverisë qendrore dhe Rajonit të Sardenjës, i cili ka njoftuar se do ta ankimojë vendimin në gjykatë.

Presidentja e Rajonit të Sardenjës, Alessandra Todde, ka deklaruar se kompetencat rajonale dhe instrumentet e mbrojtjes së territorit duhet të respektohen plotësisht, ndërsa autoritetet rajonale argumentojnë se procedura e përdorur nga qeveria nuk duhet të anashkalojë planifikimin territorial dhe normat natyrore.

The post Qeveria italiane jep dritën jeshile për resortin në Sardenjë, rajoni paralajmëron ankimim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 13 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gjon Mili në “Marubi”, hapet retrospektiva e pionierit të fotografisë moderne

SHKODËR, 13 qershor /ATSH/ Një udhëtim magjepsës në universin e dritës, lëvizjes dhe inovacionit artistik është hapur për publikun shqiptar me ekspozitën “Gjon Mili: Retrospektivë”, një nga ngjarjet më të rëndësishme fotografike të viteve të fundit, që sjell për herë të parë në Shqipëri një koleksion origjinal të veprave të mjeshtrit shqiptaro-amerikan të fotografisë.

E kuruar nga Howard Greenberg, ekspozita e prezantuar në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” përmbledh një pjesë të trashëgimisë së jashtëzakonshme të Gjon Milit (1904-1984), fotografit që ndryshoi mënyrën se si bota e sheh fotografinë, duke e kthyer atë nga një mjet dokumentimi në një laborator eksperimentimi me kohën dhe dritën.

Gjatë udhëtimit në ekspozitë, vizitori përballet me një galeri figurash të rëndësishme të shekullit XX. Portrete të legjendave të jazz-it si Duke Ellington, Charlie Parker, Billie Holiday dhe Count Basie shfaqen jo thjesht si fotografi artistësh, (muzikantët më të famshëm të kohës), por si fragmente ku muzika ngjan sikur vazhdon të dëgjohet edhe pas shkrepjes së aparatit.

Fotografia e Duke Ellington-it në piano, e rrethuar nga fytyra të përqendruara dhe të zhytura në ritmin e muzikës, té ngjit energjinë elektrizuese të skenës jazz, ndërsa Charlie Parker shfaqet në një kompozim minimalist, ku drita dhe hija e izolojnë artistin në një dialog intim me instrumentin e tij.

Imazhe mbresëlënëse janë edhe fotografitë e Billie Holiday. Këtu përdorimi i dritës dhe ekspresiviteti i artistes krijojnë një intensitet emocional të mrekullueshëm.

Retrospektiva sjell gjithashtu një tjetër dimension të krijimtarisë së Milit: eksperimentet revolucionare me dritën stroboskopike dhe ekspozimet e shumëfishta. Veprat e njohura të vizatimeve me dritë, përfshirë referencat ndaj serisë së famshme me Pablo Picasso-n, dëshmojnë sesi Mili arriti të fotografojë vetë lëvizjen, duke e bërë kohën pjesë të imazhit.

Në një epokë kur fotografia shihej kryesisht si regjistrim i realitetit, Gjon Mili e sfidoi këtë kufi. Ai përdori teknologjinë dhe njohuritë shkencore për të krijuar imazhe që zbulonin atë që syri i njeriut nuk mund ta perceptonte në çast,  trajektoren e lëvizjes, ritmin e trupit, gjurmën e dritës në hapësirë.

Ekspozita përfshin edhe fotografi të rralla nga rrethet artistike të kohës, mes tyre skena me Pablo Picasso-n në vilën e tij në Francë, ku mjeshtri i kubizmit shfaqet në momente spontane, larg formalitetit të portreteve zyrtare.

Retrospektiva sjell gjithashtu portrete dhe momente të rralla të disa prej figurave më të njohura të kulturës botërore. Mes tyre spikasin fotografitë e regjisorit legjendar Alfred Hitchcock, të kapur me syrin e mprehtë të Milit, si dhe imazhe të hershme të Tina Turner, shumë përpara se të shndërrohej në një ikonë globale të muzikës rock. Këto vepra dëshmojnë afërsinë e fotografit shqiptaro-amerikan me qendrat më të rëndësishme të artit, muzikës dhe kinemasë së shekullit XX.

I lindur në Korçë në vitin 1904 dhe i larguar drejt Shteteve të Bashkuara në moshë të re, Gjon Mili ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme si fotograf i revistës prestigjioze Life, duke u bërë një nga emrat më novatorë të fotografisë botërore. Punët e tij ndikuan jo vetëm fotografinë artistike, por edhe mënyrën se si shkenca, sporti, muzika dhe performanca mund të dokumentoheshin përmes imazhit.

Për publikun shqiptar, kjo ekspozitë është më shumë se një retrospektivë. Ajo përbën një rikthim simbolik të një prej figurave më të rëndësishme shqiptare në historinë e artit botëror, duke rivendosur emrin e Gjon Milit në kujtesën kulturore kombëtare dhe duke i dhënë publikut mundësinë të zbulojë nga afër një krijues që e ktheu fotografinë në poezi të dritës dhe kohës.

Ekspozita “Gjon Mili: Retrospektivë” realizohet në bashkëpunim me Howard Greenberg Gallery dhe me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

The post Gjon Mili në “Marubi”, hapet retrospektiva e pionierit të fotografisë moderne appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 12 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Vdekja e kalit Deniz rikthen debatin në SHBA, Filadelfia ndalon karrocat me kuaj, presion ndaj Nju Jorkut

FILADELFIA, 12 qershor /ATSH/ – Vetëm pak ditë pasi kali Deniz ngordhi papritur teksa tërhiqte një karrocë me turistë në Central Park, autoritetet në Filadelfia kanë vendosur të ndalojnë përdorimin e karrocave të tërhequra nga kuajt, duke i dhënë hov një debati të ri për fatin e kësaj industrie në New York City.  

Organizata për mbrojtjen e kafshëve, mes tyre  PETA⁠ dhe  NYCLASS⁠, po kërkojnë që edhe Nju Jorku të ndjekë shembullin e Filadelfias dhe të miratojë të ashtuquajturin “Ryder’s Law”, një projektligj që synon heqjen graduale të karrocave me kuaj nga rrugët e qytetit.  

Deniz, një kalë 16-vjeçar, u rrëzua dhe ngordhi më 9 qershor ndërsa transportonte dy pasagjerë në Central Park. Ngjarja tronditi vizitorët dhe riktheu kritikat ndaj kushteve në të cilat përdoren kuajt në një nga atraksionet më të njohura turistike të qytetit.  

Sipas mediave amerikane, kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka shprehur mbështetje për eliminimin e karrocave me kuaj nga Central Park dhe po shqyrton opsionet ligjore për zbatimin e një tranzicioni drejt alternativave të tjera të transportit turistik.  

Ndërkohë, në Këshillin Bashkiak të Nju Jorkut është rihapur diskutimi për “Ryder’s Law”, i cili parashikon daljen graduale nga përdorimi të karrocave me kuaj, transferimin e kafshëve në strehimore të posaçme dhe programe rikualifikimi për punonjësit e sektorit.  

Mbështetësit e ndalimit argumentojnë se kuajt përballen me rreziqe të vazhdueshme në mjedisin urban, ndërsa kundërshtarët e masës e konsiderojnë industrinë një traditë historike të Nju Jorkut dhe një burim të rëndësishëm të ardhurash nga turizmi.  

Vdekja e Denizit ka shtuar presionin ndaj autoriteteve të qytetit, ndërsa organizatat për mbrojtjen e kafshëve kërkojnë që Nju Jorku të marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e karrocave me kuaj, një simbol i vjetër i qytetit që prej vitesh mbetet në qendër të polemikave.

The post Vdekja e kalit Deniz rikthen debatin në SHBA, Filadelfia ndalon karrocat me kuaj, presion ndaj Nju Jorkut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 10 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

148 vjet nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ngjarja që hodhi themelet e shtetit kombëtar shqiptar

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ – Sot shënohen 148 vjet nga themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ngjarja më e rëndësishme e shekullit XIX në historinë e shqiptarëve dhe momenti që shënoi fillimin e organizimit politik kombëtar për mbrojtjen e trojeve dhe të identitetit shqiptar.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u themelua më 10 qershor 1878, në një kohë kur trojet shqiptare rrezikonin të copëtoheshin sipas vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit dhe diskutimeve të Kongresi i Berlinit.

Punimet e kuvendit u drejtuan nga Iljaz Pashë Dibra, ndërsa programi politik u hartua nga ideologë të shquar të Rilindjes Kombëtare, si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri dhe Jani Vreto.

Lidhja kishte tri objektiva kryesore: kundërshtimin e copëtimit të trojeve shqiptare, bashkimin e tyre në një vilajet të vetëm brenda Perandorisë Osmane dhe afirmimin e shqiptarëve si një komb më vete në sytë e opinionit evropian, pavarësisht dallimeve fetare.

Nga Lidhja doli një Komitet Kombëtar, i cili mori atributet e një qeverie të përkohshme dhe organizoi veprimtarinë politike, diplomatike dhe ushtarake në mbrojtje të interesave kombëtare. Nënkomitetet e krijuara në krahinat shqiptare luajtën një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e territoreve shqiptare nga pretendimet e shteteve fqinje.

Veçanërisht e rëndësishme ishte qëndresa e organizuar në veri të vendit, ku forcat shqiptare të drejtuara nga Ali Pashë Gucia dhe Hodo Beg Sokoli arritën të mbronin Plavën, Gucinë, Hotin dhe Grudën.

Megjithëse veprimtaria e saj u ndërpre në vitin 1881, Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbetet simbol i unitetit kombëtar dhe i përpjekjeve të shqiptarëve për liri, vetëvendosje dhe shtetformim, duke zënë një vend të veçantë në historinë e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. 

The post 148 vjet nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ngjarja që hodhi themelet e shtetit kombëtar shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 5 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gonxhja: Thesaret e ikonografisë shqiptare udhëtojnë drejt Francës

CHAMBÉRY, 5 qershor /ATSH/ – Mbi 45 ikona të përzgjedhura nga fondi i pasur i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar do të prezantohen për herë të parë në Francë, në ekspozitën “Ikonat e Shqipërisë – Thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës”, e cila do të çelet më 13 qershor në Musée des Beaux-Arts de Chambéry. Ministri Blendi Gonxhja e bëri të ditur lajmin në një postim në rrjetet sociale.

Ekspozita, që do të qëndrojë e hapur deri më 13 nëntor, përbën një ngjarje të rëndësishme kulturore dhe një hap domethënës në promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë shqiptare. Ajo realizohet në kuadër të bashkëpunimit mes Korçës dhe Chambéry-t, me mbështetjen e institucioneve kulturore shqiptare dhe franceze.

Publiku francez do të ketë mundësinë të zbulojë një pjesë të veçantë të artit ikonografik shqiptar përmes veprave që dëshmojnë mjeshtërinë artistike, historinë dhe dimensionin shpirtëror të traditës sonë shumë shekullore. Ekspozita vë në pah veçantinë e artit të krishterë mesdhetar dhe dialogun e tij me traditat artistike evropiane.  

Veprat e ekspozuara janë pjesë e koleksionit të jashtëzakonshëm të Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, i cili administron një nga fondet më të mëdha të ikonografisë bizantine dhe pasbizantine në botë, me mijëra ikona dhe objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare.  

Kjo ekspozitë synon të afrojë publikun evropian me një trashëgimi artistike ende pak të njohur jashtë vendit dhe të forcojë më tej urat kulturore mes Shqipërisë dhe Francës.  

The post Gonxhja: Thesaret e ikonografisë shqiptare udhëtojnë drejt Francës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 4 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Tarantino: Hollywood-i pas pandemisë është kthyer në një “fabrikë sallami pa shije”

LOS ANXHELOS, 4 qershor /ATSH/ Regjisori i njohur amerikan, Quentin Tarantino, ka kritikuar ashpër industrinë e filmit në Hollywood pas pandemisë, duke e cilësuar atë si një “fabrikë sallami pa shije” dhe duke pranuar se sot preferon më shumë të lexojë libra sesa të shohë filma.

Në një artikull të botuar për revistën e kinemasë Sight and Sound, autori i filmave kult si “Pulp Fiction” dhe “Kill Bill” shprehet se e ka gjithnjë e më të vështirë të gjejë filma të rinj që ta magjepsin.

“Më duket pothuajse e pamundur që të dalë një film i ri pa e analizuar deri në imtësi dhe pa i vënë re menjëherë dobësitë”, shkruan Tarantino.

Megjithatë, ai veçoi disa përjashtime, duke vlerësuar filmin “The Rip” të regjisorit Joe Carnahan, me protagonistë Matt Damon dhe Ben Affleck. Ai lavdëroi gjithashtu versionin e ri të “West Side Story” nga Steven Spielberg dhe dy kapitujt e parë të sagës “Horizon: An American Saga” të realizuar nga Kevin Costner.

Sipas Tarantinos, shumë pak filma të viteve të fundit kanë arritur ta “rrëmbejnë” dhe ta çojnë në atë “tokë magjike të kënaqësisë” që dikur e bënte të dashuronte kinemanë mbi çdo formë tjetër arti.

“Ditët e sotme do të preferoja të lexoja një libër”, u shpreh ai.

Regjisori shtoi se, edhe pse i konsideron vitet 1980 si një periudhë jo veçanërisht të fortë për kinemanë, ai i falte dobësitë e filmave të asaj kohe sepse e donte përvojën e të shkuarit në kinema. Sot, sipas tij, vetë koncepti i filmit shpesh i ngjall më shumë përbuzje sesa entuziazëm. 

The post Tarantino: Hollywood-i pas pandemisë është kthyer në një “fabrikë sallami pa shije” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Temperatura rekord dhe reshje ekstreme, OKB paralajmëron për “Super El Niño”

ROMË, 4 qershor /ATSH/ Fenomeni klimatik “El Niño” mund të rikthehet në muajt e ardhshëm me një intensitet të pazakontë, duke rritur temperaturat globale dhe duke sjellë reshje ekstreme në shumë rajone të botës, paralajmëroi Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), agjenci e Kombeve të Bashkuara.

Sipas ekspertëve të WMO-së, ekziston një probabilitet prej rreth 80% që El Niño të formohet para muajit shtator, ndërsa disa modele klimatike sugjerojnë se ai mund të shndërrohet në “Super El Niño”, një nga episodet më të fuqishme të regjistruara ndonjëherë.

“El Niño0 është një fenomen natyror që karakterizohet nga ngrohja e pazakontë e ujërave sipërfaqësore në pjesën qendrore dhe lindore të Oqeanit Paqësor tropikal. Edhe pse ndodh periodikisht, ndikimet e tij ndihen në shkallë globale, duke ndryshuar modelet e reshjeve, temperaturave dhe stuhive.

Ekspertët paralajmërojnë se, i kombinuar me ngrohjen globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, “El Niño0 mund të çojë temperaturat mesatare botërore në nivele rekord. Në disa zona priten periudha të gjata thatësire, ndërsa rajone të tjera mund të përballen me reshje intensive, përmbytje dhe fenomene të tjera ekstreme të motit.

Ngjarjet e mëparshme të forta të El Niño-s kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi, furnizimin me ujë, ekosisteme dhe ekonomi në mbarë botën. Episodi i viteve 1997-1998, i konsideruar ndër më të fuqishmit e shekullit të kaluar, solli humbje miliarda dollarëshe dhe ndikoi në jetën e miliona njerëzve.

Organizata Botërore Meteorologjike thekson se monitorimi i vazhdueshëm dhe përgatitja e hershme janë thelbësore për të zbutur pasojat e mundshme të këtij fenomeni klimatik në muajt dhe vitet në vijim.

The post Temperatura rekord dhe reshje ekstreme, OKB paralajmëron për “Super El Niño” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

32 vjet pa Massimo Troisin, aktorin që e bëri napolitanen gjuhë universale

ROMË, 4 qershor /ATSH/ Në historinë e kinemasë italiane ka pak artistë që kanë lënë një gjurmë aq të veçantë sa Massimo Troisi. Tridhjetë e dy vjet pas vdekjes së tij, aktori, regjisori dhe skenaristi napolitan vazhdon të mbetet një pikë referimi për breza të tërë spektatorësh dhe artistësh.

Troisi u nda nga jeta më 4 qershor 1994, në moshën 41-vjeçare, vetëm pak orë pasi kishte përfunduar xhirimet e filmit të tij më të njohur, “Il Postino”, që më pas do të fitonte famë botërore dhe do të nominohej për disa çmime Oscar.

Me stilin e tij të veçantë, zërin e pasigurt dhe humorin e ndërtuar mbi situata të përditshme, Troisi arriti të revolucionarizonte komedinë italiane. Ai e solli dialektin napolitan në ekranin e madh duke e bërë të kuptueshëm dhe të dashur për publikun ndërkombëtar, jo përmes fjalëve, por përmes emocioneve dhe gjesteve që përcillte.

I lindur në San Giorgio a Cremano, pranë Napolit, Troisi u bë i njohur fillimisht në teatër dhe televizion, përpara se të afirmohej në kinema me filma si “Ricomincio da tre”, “Scusate il ritardo” dhe “Le vie del Signore sono finite”.

Edhe pas më shumë se tre dekadash, veprat e tij vazhdojnë të transmetohen dhe të zbulohen nga breza të rinj, ndërsa shumë kritikë e konsiderojnë Troisin një artist që arriti të fliste për ndjenjat njerëzore me një thjeshtësi dhe ndershmëri të rrallë.

Për shumë italianë, Massimo Troisi mbetet jo vetëm një aktor i madh, por një simbol i kulturës napolitane dhe i një mënyre të veçantë për të treguar historitë e jetës së përditshme.

The post 32 vjet pa Massimo Troisin, aktorin që e bëri napolitanen gjuhë universale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 2 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Historia e panjohur e vajzës në foton simbol të Republikës Italiane

ROMË, 2 qershor /ATSH/ Tetëdhjetë vjet më parë, fotografi italian Federico Patellani realizoi një nga imazhet më simbolike të lindjes së Republikës Italiane, një fotografi që për dekada mbeti e mbuluar nga misteri.

Në qendër të fotos ishte një vajzë e re, identiteti i së cilës mbeti i panjohur për shumë vite. Vetëm në vitin 2016, falë një hetimi gazetaresk, u zbulua se kush ishte gruaja e portretizuar në këtë imazh ikonik.

Sot, 80 vjet pas referendumit historik të vitit 1946, ekspozita fotografike “Donna Repubblica”, e organizuar nga Muzeu Kombëtar i fotografisë, sjell në vëmendje historinë e kësaj fotografie dhe atmosferën e viteve të pasluftës.

Ekspozita kujton entuziazmin e fushatës referendare dhe pjesëmarrjen historike të grave italiane, të cilat për herë të parë u thirrën të votonin, duke shënuar një moment kyç në historinë demokratike të Italisë. Muzeu ruan fondin e fotografit Patellani, me mbi 600 mijë vepra fotografike që dokumentojnë një periudhë vendimtare të historisë italiane.

The post Historia e panjohur e vajzës në foton simbol të Republikës Italiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet Giuseppe Ungaretti, mjeshtri i vargut modern italian

MILANO, 2 qershor /ATSH/ Poezia italiane humbi 56 vjet më parë një prej emrave të saj më të shquar. Giuseppe Ungaretti, poet, kritik dhe përfaqësues i madh i Ermetizmit.

Ungaretti ndërroi jetë në Milano gjatë natës mes 1 dhe 2 qershorit 1970, në moshën 82-vjeçare, pas një bronkopneumonie. Pak muaj më parë ai kishte udhëtuar në Nju Jork për të marrë një çmim ndërkombëtar, një udhëtim që, sipas biografëve, ndikoi në përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore.

I lindur në Aleksandri të Egjiptit në vitin 1888, Ungaretti revolucionarizoi poezinë italiane me vargjet e tij të përqendruara, thelbësore dhe të ngarkuara me emocion. Veprat e tij më të njohura përfshijnë përmbledhjet poetike L’Allegria dhe Sentimento del Tempo, të cilat ushtruan ndikim të madh në breza të tërë poetësh.

Në vitin 1965 ai u intervistua nga regjisori dhe shkrimtari Pier Paolo Pasolini për dokumentarin Comizi d’amore. Gjatë bisedës, Ungaretti artikuloi një prej postulateve e tij më të njohura: “Të gjithë njerëzit, në mënyrën e tyre, janë të pazakontë”, duke nënvizuar natyrën komplekse të qenies njerëzore.

Pas vdekjes, ai u varros në Varrezat Verano të Romës pranë bashkëshortes së tij, Jeanne. Trashëgimia e tij vazhdon të mbetet një pikë referimi për poezinë moderne italiane dhe europiane.

The post Përkujtohet Giuseppe Ungaretti, mjeshtri i vargut modern italian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 1 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Macet mund të ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë kancerin tek njerëzit

UASHINGTON, 1 qershor /ATSH/ Macet mund të luajnë një rol të rëndësishëm në avancimin e kërkimeve mbi kancerin te njerëzit, sipas një studimi të ri shkencor që ka zbuluar ngjashmëri të konsiderueshme gjenetike mes dy specieve.

Studiuesit analizuan mostrat e tumoreve nga afro 500 mace shtëpiake për të identifikuar gjenet që lidhen me zhvillimin e kancerit. Sipas studimit, të publikuar në revistën shkencore Science, macet ndajnë një pjesë të madhe të kodit të tyre gjenetik me njerëzit, më shumë se disa gjitarë të tjerë si qentë, lopët apo minjtë.

Një nga ngjashmëritë më të rëndësishme u zbulua te gjeni FBXW7, i cili vepron si shtypës i tumoreve si te njerëzit ashtu edhe te macet. Shkencëtarët vunë re se ky gjen ishte shpesh i ndryshuar te tumoret e gjirit te macet, ndërsa mutacionet e tij te njerëzit lidhen me rezultate më të pafavorshme në rastet e kancerit të gjirit.

“Është një mundësi unike për të ndihmuar dy specie njëkohësisht”, tha studiuesja Louise van der Weyden.

Sipas autorëve të studimit, zbulimet mund të kontribuojnë në zhvillimin e trajtimeve më të mira për kancerin te macet, ndërsa njëkohësisht mund të ndihmojnë në kuptimin më të thellë të mekanizmave të sëmundjes te njerëzit dhe në krijimin e terapive të reja.

“Ka një përfitim të dyfishtë, një fitore si për macet ashtu edhe për njerëzit”, tha Geoffrey Wood, bashkautor i studimit.

The post Macet mund të ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë kancerin tek njerëzit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌