Karcanaj pret zv/kryeministrinë e Maqedonisë së Veriut, në fokus digjitalizimi dhe mbrojtja kibernetike
TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karcanaj priti sot në një takim zëvendëskryeministrin shqiptar të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai dhe këshilltarin e tij, Bashkim Bakiu për të ndarë së bashku eksperiencën e vendeve tona.
Gjatë takimit, Fetai foli mbi arritjet e Shqipërisë si vend lider në rajon dhe jo vetëm, në qeverisjen elektronike dhe shërbimet online duke lehtësuar jetën e qytetarëve dhe bizneseve në marrjen e shërbimeve publike.
Gjithashtu Fetai vlerësoi Shqipërinë si një shembull për t’u ndjekur në rajon dhe më gjerë.
Karçanaj tha në një postim në rrjetet sociale se “i njoha dy miqtë tanë me procesin dhe hapat që kemi ndjekur në këto 11 vite në e-Qeverisje, digjitalizimi në sektorë të ndryshëm si arsim, shëndetësi, bujqësi, etj, fokusi aktual në përdorimin e inteligjencës artificiale si dhe ringritja pas sulmit kibernetik të dy viteve më parë dhe hapat e ndërmarra për forcimin e mureve tona mbrojtëse”.
“Jam e bindur se bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të na çojë më para në planet respektive, por edhe në një plan më të madh, si një rajon i tërë, me synimin e qartë, integrimin në Bashkimin Europian”, tha Karçanaj.
/k.s/
The post Karcanaj pret zv/kryeministrinë e Maqedonisë së Veriut, në fokus digjitalizimi dhe mbrojtja kibernetike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.