Normal view

Situata kritike në Priskë, thirrje urgjente për zjarrfikësit në të gjithë vendin: Të nisen për ndihmë

By: E B
12 August 2026 at 22:55

Drejtues i Trajnimeve në Drejtorinë për Mbrojtjen e Zjarreve, Agustin Pepkolaj, i ka bërë thirrje të gjitha strukturave të forcave zjarrfikëse në bashki të ndryshme të vendit, që janë aktualisht të lira, që të paraqiten për ndihmë pranë vatrës së zjarrit në Priskë të Tiranës.

Përmes një reagimi, Pepkolaj deklaroi se kërkohet mobilizim dhe solidaritet maksimal mes strukturave zjarrfikëse, në këtë situatë të vështirë zjarresh.

Thirrja e Pepkolaj:

THIRRJE URGJENTE

Të gjitha strukturat e MZSH-së, të bashkive që aktualisht janë të lirë dhe mund të angazhohen në ndihmë, pa cenuar gatishmërinë dhe kapacitetet operacionale në bashkitë e tyre, të paraqiten për mbështetje në Tiranë, pranë vatrës së zjarrit në Priskë.

Kërkohet mobilizim dhe solidaritet maksimal mes strukturave zjarrfikëse, duke ruajtur njëkohësisht nivelin e nevojshëm të gatishmërisë në çdo bashki.

Forca të shumta policie në Vlorë, “rrethohet” Lungomarja! Kontrollohen disa banesa

By: E B
12 August 2026 at 22:44

Forca të shumta policie, të armatosura, kanë rrethuar zonën në hyrje të Lungomares në Vlorë, ndërsa janë kryer kontrolle në disa banesa.

Sipas policisë, aksioni lidhet me arrestimin e personave në kërkim.

Forcat e policisë vijojnë kontrollet në zonë, ndërsa pritet një njoftim zyrtar për të dhënë më shumë detaje mbi operacionin dhe personat e përfshirë.

Zjarret në Priskë dhe Farkë, ndërpritet furnizimi me ujë në disa zona

By: E B
12 August 2026 at 22:35

Për shkak të situatës së krijuar nga zjarret në zonat e Priskës dhe Farkës, është ndërprerë energjia elektrike në Stacionin e Pompave në Priskë, duke sjellë edhe ndërprerjen e furnizimit me ujë në disa zona.

Ujësjellës-Kanalizime Tiranë (UKT) njofton se, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike, është ndërprerë furnizimi me ujë për abonentët në zonën e Priskës.

Ndërkohë, për rrjedhojë të situatës së krijuar, ndërprerje të furnizimit me ujë do të ketë edhe në zonën e Lundrës.

UKT bën me dije se do të vijojë të monitorojë situatën dhe do të njoftojë qytetarët për rikthimin e furnizimit me ujë, sapo situata të normalizohet.

UKT do dalë më një njoftim të dytë me rikthimin e situatës normale”, thuhet në njoftimin e publikuar nga institucioni.

Karoline Leavitt largohet nga posti i sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Trump konfirmon vendimin

By: E B
12 August 2026 at 22:27

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, do të largohet nga posti në fund të gushtit.

Leavitt, e cila është 28 vjeç, ka qenë zëdhënësja kryesore e administratës Trump dhe personi përgjegjës për komunikimin e përditshëm të Shtëpisë së Bardhë me mediat.

Largimi i saj vjen pak kohë pasi ajo u rikthye në detyrë pas lejes së lindjes. Leavitt kishte marrë pushim nga prilli deri në korrik dhe u rikthye në podiumin e Shtëpisë së Bardhë në mes të korrikut.

Leavitt ishte emëruar në këtë detyrë në fillim të mandatit të dytë të Trump dhe u bë personi më i ri që ka mbajtur postin e sekretarit të shtypit të Shtëpisë së Bardhë.

Begaj kërkon ndëshkim për zjarrvënësit: Duhet të ndëshkohen sipas ligjit!

By: E B
12 August 2026 at 22:20

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar për situatën e zjarreve në disa zona të vendit, duke shprehur mirënjohjen për zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura dhe të gjithë ata që po përballen me flakët.

Në mesazhin e kreut të shtetit thuhet se keqbërësit që i vënë flakën vendit duhet të ndëshkohen ashpër dhe sipas ligjit.

Në këto ditë me temperatura të larta, kur shumë zjarre kanë rënë në disa zona të vendit, zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura dhe të gjithë ata që po luftojnë me flakët meritojnë mirënjohjen tonë. Me guxim, përkushtim dhe sakrificë, ata po mbrojnë jetën, familjet, banesat dhe pasuritë tona. Respekt për çdo zjarrfikës dhe efektiv që po përballet me rrezikun në vijën e parë. Keqbërësit që i vënë flakën vendit duhet të ndëshkohen ashpër dhe sipas ligjit. Përballë kësaj situate, secili prej nesh ka një detyrë: të jemi të kujdesshëm, të respektojmë udhëzimet e autoriteteve, të mos rrezikojmë jetën dhe të bëjmë pjesën tonë për të mbrojtur komunitetin, pronën dhe natyrën. Sot, Shqipëria ka nevojë për solidaritetin dhe përgjegjësinë e të gjithëve”, tha Begaj.

Zjarri përfshin sipërfaqe të mëdha në Daias, flakët rrezikojnë banesat (VIDEO)

By: E B
12 August 2026 at 22:07

Situata në Daias dhe në kodrat përreth vijon të mbetet tejet kritike. Zjarri i përmasave të mëdha po përpin sipërfaqe të tëra me bimësi, ndërsa një operacion masiv është vënë në lëvizje nga forcat e emergjencës për mbajtjen e flakëve nën kontroll.

Në vendngjarje ndodhen repartet zjarrfikëse të Tiranës dhe Kamzës, ndërsa për shkak të përmasave të vatrës janë kërkuar përforcime urgjente edhe nga Elbasani. I pranishëm në pikën më kritike është edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, së bashku me struktura të tjera policore për të menaxhuar situatën në terren e për të garantuar sigurinë.

Momentalisht zjarri shtrihet kryesisht në zonat kodrinore. Ndërhyrja nga ajri me helikopterë është e pamundur për shkak të errësirës së natës, ndërsa deri më tani nuk ka forca të ushtrisë të angazhuara në terren.

Pavarësisht masivitetit të flakëve, fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për banesa të përfshira nga zjarri. Sidoqoftë, flakët kanë depërtuar në 2 deri në 3 objekte të pabanuara, të cilat janë djegur tërësisht.

Autoritetet bëjnë me dije se çdo shtëpi në afërsi të vatrave të zjarrit është marrë nën monitorim të rreptë. Prallë çdo banese të rrezikuar është pozicionuar një automjet zjarrfikës ose një mjet fuoristradë me personel të specializuar, me qëllim garantimin e mbrojtjes dhe ndërhyrjen e menjëhershme në rast se flakët do të afrohen më tej.

 

Trump: SHBA ka “kontroll të plotë” mbi Hormuzin! Irani: Ngushtica do të mbetet e mbyllur

By: E B
12 August 2026 at 21:57

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për Ngushticën e Hormuzit janë përshkallëzuar sërish, pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA ka “kontroll të plotë” mbi këtë pikë strategjike të Gjirit Persik.

Në një postim të ri në Truth Social, Trump pretendoi se bllokada detare amerikane ndaj Iranit është e hekurt dhe se Teherani nuk ka më kapacitetin për të sfiduar kontrollin amerikan mbi ngushticën.

“SHBA-të kanë kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit. Mendoj se do ta mbajmë atë!”, shkroi Trump, duke e cilësuar bllokadën detare si një “Mur Çeliku”.

Presidenti amerikan vijoi me një seri akuzash ndaj Iranit, duke pretenduar se vendi nuk ka më marinë apo forcë ajrore funksionale dhe se Garda Revolucionare është “shkatërruar”. Trump kritikoi gjithashtu gjendjen ekonomike të Iranit, duke pretenduar se vendi është pa para dhe se inflacioni ka arritur në 300 për qind.

Deklaratat e Trump vijnë ndërsa Irani mban një qëndrim diametralisht të kundërt për statusin e Hormuzit. Teherani ka refuzuar pretendimin amerikan për kontrollin e ngushticës dhe ka deklaruar se ajo do të mbetet e mbyllur derisa SHBA të plotësojë kushtet e vendosura nga pala iraniane.

Irani: Hormuzi nuk do të hapet

Mohsen Rezaei, zyrtari i lartë iranian i sigurisë, ka përsëritur qëndrimin e Teheranit gjatë takimit me ambasadorin kinez. Sipas tij, Ngushtica e Hormuzit nuk do të rihapet derisa Shtetet e Bashkuara t’i japin fund luftës dhe bllokadës detare, të lirojnë asetet e ngrira iraniane dhe të bien dakord për një armëpushim më të gjerë në rajon, përfshirë Gazën dhe Libanin.

“Derisa të përmbushen të gjitha kushtet, ngushtica do të mbetet e mbyllur”, ka deklaruar Rezaei.

Përplasja e deklaratave mes Uashingtonit dhe Teheranit po shoqërohet edhe me rënie të ndjeshme të trafikut detar. Sipas të dhënave të publikuara nga Reuters, vetëm tetë anije kaluan nëpër Hormuz të martën, ndërsa trafiku ka rënë në nivele shumë të ulëta për shkak të pasigurisë dhe rrezikut të vazhdueshëm për transportin detar.

Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për të gjetur një zgjidhje vazhdojnë. Pakistani dhe Katari janë përfshirë në përpjekjet për ndërmjetësim mes dy vendeve, por deri tani palët mbeten larg një marrëveshjeje të re. Reuters raportoi sot se SHBA dhe Irani vazhdojnë të jenë në mosmarrëveshje për rikthimin e marrëveshjes së përkohshme të paqes.

Ngushtica e Hormuzit është një nga pikat më të rëndësishme të transportit energjetik në botë dhe çdo kufizim i trafikut në këtë korridor ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet e naftës dhe furnizimet globale. Me Uashingtonin që pretendon kontrollin e plotë dhe Teheranin që këmbëngul se ngushtica do të qëndrojë e mbyllur, përplasja për Hormuzin mbetet një nga pikat më të rrezikshme të krizës SHBA-Iran.

Shqipëria nuk është vend për të gjithë…

12 August 2026 at 21:48
Nga Alba Malltezi

Të jetosh në Shqipëri duhen disa karakteristika jo sipërfaqësore dhe aspak të lehta: Të kesh durim të madh, të dish të gëzosh, të shijosh përshëndetjet me zemër, por edhe inatet shpërthyese dhe veprimet e papritura, jo përherë kuptimplota. Të kesh një ekuilibër të jashtëzakonshëm brenda vetes për të përballuar mungesën e ujit, por edhe rënien e energjisë elektrike nga ngarkesa e rrjetit, të presësh komshiun që ka parkuar duke bllokuar të gjithë hyrje-daljet, por edhe të mos provokohesh nga taksisti që i ka ardhur në majë të hundës duke shmangur trafikun e ditës e përgjigjet si i vjen në çast, në mendje.

Të jetosh në Shqipëri zemra të helmohet nëse nuk gjen rrugën e duhur për të mjekuar të afërmit që vuajnë, por edhe emocionohesh kur në sportelet e postës një nëpunëse e thjeshtë sillet me shumë njerëzillëk ndaj të moshuarve, duke ua zgjidhur problemet e keqkuptuara.

Të jetosh mirë në Shqipëri duhet të jesh stërvitur sikur të ecësh mbi vezë, ose mbi thëngjij të ndezur si akrobatët më të mirë të jetës. E në gjithë këtë stërvitje të pareshtur, të përditshme, të përnatshme e të kudogjendur, dallon mes të gjithëve, mes atyre që dorëzohen e largohen, ata që të mikpresin dhe të buzëqeshin, qëndrojnë dhe rezistojnë, pavarësisht çdo gjëje.

Nuk është e lehtë të jetosh në Shqipëri sepse Shqipëria nuk është për të gjithë. Të vë në provë në të panumërtat aspekte të jetës, të vë para vështirësive të pamenduara në një vend tjetër rreth-e rrotull, ashtu si dhe papritur të zgjidh problemet sa hap e mbyll sytë.

E meqë është kthyer në modë edhe Odiseu me aventurat dhe metaforën e simbolikat e jetës, ja, kështu janë shqiptarët për Shqipërinë: banorë të lashtë që duhet t’i rezistojnë provave dhe tundimeve, lajkave dhe provokimeve, kurtheve e padrejtësive për të qëndruar… të qetë në shtëpi.

Sulmi kibernetik trondit Poloninë, ekspozohen të dhënat e 19 milionë qytetarëve

By: E B
12 August 2026 at 21:41

Autoritetet polake kanë njoftuar një rrjedhje masive të të dhënave mjekësore dhe personale të rreth 19 milionë qytetarëve, pas një sulmi kibernetik ndaj një kompanie që ofronte softuer për sektorin shëndetësor.

Ministri i Çështjeve Dixhitale, Krzysztof Gawkowski, e cilësoi incidentin si “një nga incidentet më të mëdha” të sigurisë kibernetike të regjistruara ndonjëherë në Poloni, vend me rreth 37 milionë banorë.

“Nuk ka asgjë që të tregojë sot se kemi të bëjmë me një sulm nga jashtë, me origjinë nga Rusia ose ndonjë shtet tjetër”, deklaroi Gawkowski.

Sipas hetimeve paraprake, autorët e sulmit dyshohet se kanë vepruar për motive financiare. Ministri tha se autoritetet nuk do të paguajnë shpërblim dhe paralajmëroi ndjekje të ashpër penale për personat përgjegjës.

Të dhënat e vjedhura kanë një madhësi prej rreth dy terabajtësh dhe përfshijnë kryesisht informacione mbi vizitat mjekësore, recetat dhe dokumente të tjera të përdorura për monitorimin e pacientëve.

Autoritetet polake theksuan se natyra dhe shtrirja e të dhënave të komprometuara ndryshon nga një qytetar te tjetri. Për këtë arsye, qeveria ka njoftuar krijimin e një mekanizmi që do t’u mundësojë qytetarëve të kontrollojnë nëse të dhënat e tyre janë prekur nga sulmi.

Rreth 12 mijë institucione mjekësore përdornin shërbimet e kompanisë që u vu në shënjestër të sulmit kibernetik, duke e bërë incidentin një prej rasteve më të mëdha të komprometimit të të dhënave në sektorin shëndetësor në Poloni.

Ministria e Mbrojtjes bën bilancin: Zjarret vijojnë të jenë aktive në 10 vatra, mbi 500 forca dhe 7 mjete ajrore në terren

By: E B
12 August 2026 at 21:26

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 11 orëve të fundit vijojnë të jenë aktive 10 vatra zjarri.

Përmes një njoftimi, ‘Mbrojtja’ thekson se në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 531 forca operacionale dhe 29 mjete, mes tyre 104 efektivë të MZSH-së, 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 120 forca bashkiake/ADZM/shërbimi pyjor, 20 efektivë të Policisë së Shtetit, 31 vullnetarë dhe 6 përfaqësues të AKMC-së dhe Emergjencave Civile. Nga ajri janë angazhuar 5 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë Air Tractor.

Në Dajt vijon puna me 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore, ndërsa në Priskë e Madhe po operojnë 15 efektivë me 4 automjete zjarrfikëse dhe mbështetje nga 2 helikopterë. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Drenie, bashkia Patos, operacioni vijon nga toka me forcat zjarrfikëse dhe 30 efektivë të FA-së, të mbështetur edhe nga një autoambulancë ushtarake.

Në Krujë vijon angazhimi në disa vatra. Në Abaze operojnë forcat tokësore, 57 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në lagjen Bojë, njëra vatër po trajtohet nga toka, ndërsa për vatrën në terren të vështirë është angazhuar 1 helikopter i FA-së dhe pranë banesave janë pozicionuar 3 automjete zjarrfikëse. Në Krastë–Halil vijon puna pa rrezik aktual për zonat e banuara.

Në Nëmerçkë dhe Dhëmbel, bashkia Përmet, vijon puna në terren të vështirë malor. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Gurë-Lurë, bashkia Dibër, vijon një nga operacionet më të rëndësishme, me angazhimin e MZSH-së, Policisë së Shtetit, forcave bashkiake, ADZM-së, shërbimit pyjor, vullnetarëve, AKMC-së, 50 efektivëve të FA-së dhe 2 avionëve Air Tractor. Forcat janë pozicionuar pranë banesave që mund të rrezikohen.

Në malin e Moravës, bashkia Devoll, vijon puna e forcave operacionale në zonën e mbrojtur me pyll pishe, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën në të gjithë territorin, në koordinim me strukturat qendrore dhe vendore të sistemit të mbrojtjes civile, duke vlerësuar në kohë reale zhvillimin e vatrave dhe nevojën për përforcim të kapaciteteve tokësore dhe ajrore.

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se angazhimi do të vijojë deri në vënien nën kontroll dhe shuarjen e plotë të çdo vatre aktive.

Ndarja territoriale po përjetohet si humbje territoresh pushteti brenda PS

12 August 2026 at 21:15

Nga Mero Baze

Ndarja territoriale e propozuar nga Partia Socialiste ka përfunduar në një debat të brendshëm brenda Partisë Socialiste, jo për arsyet se si duhet të jetë ndarja territoriale, por për shkak se ajo është kthyer në një parametër për epshin politik brenda partisë të drejtuesve të qarqeve.

Kjo e ka degraduar tanimë debatin e shëndetshëm profesional mbi ndarjen territoriale dhe e ka transformuar atë në një debat në balancën e pushtetit politik brenda partisë.

Takimi i sotëm i kryeministrit Edi Rama me 15 kryetarët e bashkive që parashikohen të shkrihen nuk zgjidh gjë në këtë mes, pasi problem më i madh nuk janë bashkitë që janë shkrirë, por bashkitë që për të njëjtat arsye duhet të ishin shkrirë.

Gjestet “revoltuese” të djegies së teserave natyrisht janë çështje kryetarësh dhe përpjekje për t’iu imponuar që të mos shkrihen bashkitë, por përtej këtyre gjesteve primitive, brenda Partisë Socialiste ka realisht pakënaqësi në nivele të larta politike për ndarjen.

Nuk është fjala pse duhet shkrirë Poliçani. Natyrisht që duhet shkrirë, por është më logjike të bashkohet me atë që ka qenë, pra me Skraparin, sesa me Beratin. Njësoj dhe Ura Vajgurore. Ajo është vazhdim natyral i Kuçovës dhe jo i Beratit. Kur dhe Poliçanin dhe Urën Vajgurore ia jep Beratit dhe lë pa kuptim Çorovodën vetëm, duket që ka një influencë politike dhe jo një kriter unik për gjithë vendin.

Njësoj mund të thuhet për Divjakën. Është logjike që ajo të shkrihet me Lushnjën, por nuk është aspak logjike që Roskoveci të qëndrojë me të njëjtin kriter bashki më vete dhe Patosi, që është një qytet dyfish më i madh se Roskoveci, të bashkohet me Fierin. Mund të bashkohej me Roskovecin dhe të bëhej një bashki tjetër e madhe.

Dhe këtu duket që kriteri ka qenë politik.

Qarku i Gjirokastrës me të drejtë u ribë i gjithi duke u koncentruar në tre rrethet historike, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, por në Sarandë, Konispoli nuk ka ndonjë arsye të jetë më vete dhe jo me Sarandën, nëse përdorim të njëjtin kriter.

Po kështu, kur bashkon Cërrikun dhe Belshin me Elbasanin, prapë nuk gjen dot arsye pse të mos bashkosh dhe Peqinin, pasi bashkë kanë qenë. Duket që dhe këtu ka kriter politik.

Pikërisht humbja e kritereve profesionale të shkrirjes së bashkive në njësi më të vogla, duke u mbështetur në arsyetime jo bindëse, janë shkaku i pakënaqësisë së brendshme në PS, pasi shumë drejtues qarqesh kanë besuar se kriteret do jenë rigoroze për të gjithë dhe ata do të ishin të gjithë të barabartë para kritereve. Tani duket qartë që “disa kanë qenë dhe më të barabartë” dhe kjo ka ngjallur pakënaqësi. Nuk e kam fjalën për pakënaqësitë e kryetarëve që humbasin bejlerllëkun, por të atyre që nuk e humbasin dhe që mbijetojnë pikërisht se reforma nuk mbështetet mbi parime të qarta që prodhojnë një hartë të re, por mbështetet mbi një hartë që prodhon parime sipas nevojës.

Dhe kjo do guxim të rishikohet pa qenë nevoja të shkojnë të gjithë të xhindosur drejt votimit. Parimet shmangin konfliktin dhe mbi të gjitha rivalitetin e shpifur të disa deputetëve,  për shkak se bashkitë e tyre s’i ka zënë lapsi. Kjo nuk do të thotë se ata kanë më shumë pushtet, pasi dhe ata mund t’i zërë lapsi në vend të bashkive, por një ndarje që ka më shumë përjashtime se rregulla, nuk qëndron dot në këmbë, as brenda Partisë Socialiste, as brenda parlamentit.

Po të jetë për qoka, Partia Socialiste më mirë e ka t’i bëjë një qokë PD dhe të miratojë ndarjen e saj, dhe të quhet konsensuale, sesa të miratojë një hartë të saj, që krijon një klimë toksike edhe brenda PS.

Qokë se qokë, të paktën le t’ia bëjnë qokën opozitës, nëse nuk duan të kenë as kritere.

Rekord historik në NBA, Los Angeles Lakers shiten për 12.5 miliardë dollarë

By: E B
12 August 2026 at 21:12

Sa vlen një institucion? Përgjigja për Los Angeles Lakers, një prej skuadrave më ikonike jo vetëm në NBA, por në të gjithë botën e sportit, është shifra rekord prej12.5 miliardë dollarësh që Josh Kushner dhe Bob Iger, sipas ESPN, do të derdhin në favor të Mark Walter, sipërmarrësit që vetëm një vit më pare kishte blerë kontrollin e skuadrës nga familja Buss, që e ka mbajtur në pronësi skuadrën kaliforniane të basketbollit për 45 vjet.

Sigurisht që ky transaksion do të duhet të miratohet në asamblenë e pronarëve të NBA përpara se të mbyllet plotësisht, por kjo është pak më shumë se një formalitet e për më tepër, është konfirmimi se Los Angeles Lakers bëhen skuadra sportive më e kushtueshme në historinë e sportit, një rekord që e kishte edhe përpara një viti kur u shit për më shumë se 10 miliardë dollarë.

Kush janë pronarët e rinj të LA Lakers? Josh Kushner, 41 vjeç është vëllai i dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump dhe që presidenti i FIFA, Gianni Infantino e kishte përzgjedhur si partnerin ideal të tentativës së tij të dështuar për të shitur një pjesë të botërorit të futbollit.

Jo aq për emrin apo për pasurinë që ka prej 5.2 miliardë dollarë sipas Forbes, sesa për fondin ku Kushner është pronar, Thrive Capital që kontrollon asete për më shumë se 60 miliardë dollarë.

Ndërsa Iger, 75 vjeç është Shefi Ekzekutiv historik i Disney që e shndërroi kompaninë në një kolos të argëtimit me blerjet e Pixar, Marcel, Lucasfilm dhe Fox. Iger ka investuar te Thrive Capital me Kushner që nga viti 2022, por u kthye të punojë përfundimisht me të që pas largimit nga Disney në fund të vitit të kaluar.

Përsa i përket NBA, Kushner dhe Iger dukeshin të interesuara për pronësinë e skuadrës së re të Las Vegasit, por përfituan nga problemet e Walter dhe mbyllën këtë transaksion me Lakers. Ata marrin në trashëgimi një klub global e vlerësuar nga Forbes me 10 miliardë dollarë dhe që është ende e lidhur fort me emrin e familjes Buss me Jeanie Buss që formalisht është Governor deri në 2030 siç ishte në akordin e nënshkruar në momentin e kalimit të skuadrës te Walter.

Ata do të kërkojnë ta bëjë Lakers një skuadër akoma më të madhe dhe më ikonike pa harruar këtu edhe historinë dhe elementët që e bënë këtë skuadër një institucion global: sukseset sportive që janë ndërthurur me shkëlqimin e Hollyëoodit dhe të fabrikës së ëndrrave që është Los Angeles.

Zjarr i madh në Lundër të Tiranës, era e favorizon vatrën! Dy helikopterë aksion nga ajri për të shuar flakët

By: A. Q
12 August 2026 at 20:57

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë ditën e sotme në Daias të Tiranës, pranë Lundrës dhe është përhapur me shpejtësi të madhe në një zonë me bimësi të dendur e shkurre.

Në terren për shuarjen e flakëve mbërritën forcat zjarrfikëse, të ndihmuara edhe nga 2 helikopterë, një Cougar dhe një Black Hawk.

Zjarri, i favorizuar edhe nga era e fortë, ka vënë në vështirësi, si dhe ka rrezikuar edhe jetët e forcave zjarrfikëse.

Ndërkohë raportohet se nuk ka probleme për banesat, pasi zona e përfshirë nga flakët është kryesisht me bimësi të dendur dhe shkurre. Pranë zonës ku ka rënë zjarri, janë aktive edhe dy vatra të tjera zjarri, në Dajt e Priskë, të cilat fatmirësisht janë nën kontroll.

Ndërkohë prej dy ditësh digjet masivi me pishë të zezë dhe bredh në Parkun Kombëtar të Lurës, në Dibër. Ky është një nga operacionet me angazhimin më të madh: mbi 220 forca dhe 2 avionë Air Tractor. Era e fortë dhe terreni i thyer e vështirësojnë ndërhyrjen. Shqetësimi është shtuar nga afërsia e flakëve me disa banesa, ndaj zjarrfikësit kanë krijuar perimetrin e sigurisë në fshatin Gurë-Lurë.

Merr fund ‘telenovela’ Lukaku, sulmuesi belg transferohet në Turqi, ja ku do luajë këtë sezon!

By: A. Q
12 August 2026 at 20:52

Romelu Lukaku i ka dhënë lamtumirën Serisë A dhe tashmë do të vazhdojë karrierën e tij në radhët e Fenerbahçes në Turqi.

Lajmi është bërë zyrtar nga të dy klubet që kanë finalizuar transferimin pasi futbollisti kishte bërë të qartë se nuk do të vazhdonte më në elitën e futbollit italian edhe pse drejtimin e Napolit e kishte marrë Masimiliano Alegri.

Akordi mes palëve është zyrtarizuar pas pagesës së një shifre prej 7 milionë eurosh të Fenerbahçes në arkat e klubit italian.

Gjysma e kësaj shume do t’i shkojë Çelsit sipas marrëveshjes së mëparshme mes palëve, atë të dy viteve më parë që bëri të mundur transferimin e tij te napolitanët.

Ndërtuan pa leje në “Shën Jan” të Karaburunit, vihet në pranga njëri prej pronarëve, shpallet në kërkim ortaku!

By: A. Q
12 August 2026 at 20:46

Pas një prej pronarëve të lokalit prej druri që po ndërtohej në gjirin e Karaburunit, Policia e Vlorës ka shpallur në kërkim edhe ortalun e tij.

Pasditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, së bashku me Kryeinspektorin e IKMT-së, Afrim Qendro, morën pjesë në operacionin për prishjen e një ndërtimi pa leje, “beach bar”, në zonën e Karaburunit.

Objekti prej druri po ndërtohej nga shtetasit O. Sh. dhe S. D., të cilët ishin proceduar penalisht më parë dhe kishin tejkaluar afatin kohor për prishje vullnetare.

Gjatë operacionit u vu në pranga njëri prej ndërtuesve, shtetasi S. D., ndërsa ortaku i tij, shtetasi O. Sh., u shpall në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.

“Drejtori i Përgjithshëm Hita dhe Kryeinspektori Qendro, gjatë një prononcimi, përcollën mesazhin për të gjithë qytetarët që të mos ndërmarrin iniciativa për të kryer ndërtime pa leje, pasi do të përballen me forcën e ligjit”, njoftoi institucioni.

Ndërkohë, nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë vijojnë veprimet hetimore për nxjerrjen para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë përgjegjës, që kanë lejuar apo kanë dhënë leje në kundërshtim me ligjin.

Kolonët izraelitë rrethojnë shtëpitë palestineze në Bregun Perëndimor, reagon IDF

By: A. Q
12 August 2026 at 20:43

Kolonët izraelitë vazhduan të bllokonin shtëpitë palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar verior të dielën , pavarësisht mbërritjes së oficerëve për t’i dëbuar ata, tha ushtria, sipas një dëshmitari okular dhe një fotografi të AFP-së.

Rrethimi i shtëpive të një familjeje të madhe palestineze filloi të dielën. Një grup kolonësh ngritën një tendë aty pranë, në fshatin Qusra, në jug të Nablusit , dhe bllokuan transportin dhe shpërndarjen e furnizimeve.

“Nuk kemi marrë asnjë ushqim apo ilaç”, tha Qusay Abu Rida, një nga banorët e rrethuar, për AFP-në në telefon, duke shtuar se ai ka energji elektrike falë paneleve diellore.

Sipas ushtrisë, oficerët shkuan në vendngjarje në mëngjes, hoqën tendën dhe “po përpiqeshin të evakuonin civilët që janë atje”.

Pasdite, një fotograf i AFP-së vuri re se ushtria ishte larguar nga zona nga e cila ishte larguar tenda, por se kolonët ishin ende atje.

“Ushtria u tërhoq dhe, për momentin, ne vazhdojmë të jemi nën rrethim, me kolonët te dera jonë”, tha Abu Rida për AFP-në.

Gjatë vizitës së tyre, “oficerët shprehën shqetësimin e tyre të fortë për veprimet që po kryhen nga civilët izraelitë kundër familjes palestineze”, tha ushtria.

Ushtria njoftoi masa disiplinore kundër anëtarëve të forcave të sigurisë që u filmuan në vendngjarje disa ditë më parë.

Ushtria tha të martën se kishte marrë raportime për kolonë që hynin me forcë në shtëpitë dhe tokat palestineze në zonë dhe vendoseshin atje. Ajo denoncoi “një aktivitet të paligjshëm dhe të papranueshëm që prek banorët e këtyre zonave dhe prish jetën e tyre të përditshme”.

Sipas zyrtarëve palestinezë, kolonët izraelitë i kishin vënë flakën një xhamie në fshatin Qusra në fund të korrikut.

Dhuna është rritur ndjeshëm në Bregun Perëndimor, me sulme pothuajse të përditshme nga kolonët në fshatrat palestineze që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, i cili shkaktoi luftën në Gaza.

Më shumë se 500,000 izraelitë jetojnë në vendbanime në territorin palestinez, të cilin Izraeli e ka pushtuar që nga viti 1967, midis rreth tre milionë palestinezëve. Sipas ligjit ndërkombëtar, këto vendbanime janë të paligjshme.

Një numërim i AFP bazuar në të dhënat e Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë tregon se ushtarët ose kolonët kanë vrarë të paktën 1,097 palestinezë – luftëtarë dhe civilë – që nga 7 tetori.

Sipas shifrave izraelite, të paktën 48 izraelitë – civilë dhe anëtarë të forcave të sigurisë – u vranë në sulmet palestineze ose gjatë operacioneve ushtarake izraelite gjatë së njëjtës periudhë.

EMRI/ Ndezi dy zjarre në Lundër dhe Shkozë, ish-ushtaraku pensionist dënohet, por burgu i konvertohet në liri me kusht!

By: A. Q
12 August 2026 at 19:57

Vetëm tre ditë pas arrestimit për piromani, 70-vjeçari Sami Alliu është dënuar nga Gjykata e Tiranës po zjarrvënie.

Ai u arrestua më 9 gusht pranë disa mbeturinave që kishin marrë flakë në zonën e Lundrës, ndërsa gjatë hetimeve policia e bëri përgjegjës edhe për një tjetër zjarr në Shkozë, pranë një kabine elektrike.

Gjykata e dënoi me 6 muaj burg, por dënimi u konvertua në 1 vit liri me kusht. Kjo do të thotë se gjatë kësaj periudhe Alliu nuk duhet të kryejë asnjë vepër tjetër penale.

Prokurori Indrit Bimi e dërgoi çështjen për gjykim të drejtpërdrejtë, bazuar në provat e mbledhura dhe deklarimet e 70-vjeçarit, i cili pranoi se kishte ndezur zjarrin. Megjithatë, ai ka mohuar që veprimi të ketë qenë i qëllimshëm.

Ish-ushtarak dhe i divorcuar, Alliu jeton i vetëm në një kontejner pranë zonës ku ndodhën zjarret. Sipas dëshmisë së tij, ai merrej herë pas here me pastrimin e hapësirave përreth. Ditën e ngjarjes, ai ka treguar se kishte mbledhur mbeturina pranë një magazine dhe u kishte vënë flakën, por situata doli jashtë kontrollit pasi zjarri u përhap dhe ai nuk arriti ta shuante.

Ndërkohë, të dhënat e Policisë së Shtetit tregojnë se nga 1 qershori deri më 11 gusht janë identifikuar 21 persona të dyshuar për zjarrvënie, të cilët janë arrestuar. 44 persona të tjerë po hetohen në gjendje të lirë, ndërsa 3 janë shpallur në kërkim. Për zjarrvënien e qëllimshme, Kodi Penal parashikon dënime që, në rastet kur shkaktohen viktima, mund të arrijnë deri në 20 vite burg.

“Kemi 650 forca në terren”- Ministri i Mbrojtjes flet për zjarret në vend: Situatë e vështirë në Krujë dhe Lurë, era favorizon flakët!

By: A. Q
12 August 2026 at 19:49

Zjarret vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit, ndërsa situata më problematike paraqitet në Krujë, veçanërisht në lagjen “Abaze”.

Era e fortë dhe terreni malor po favorizojnë përhapjen e flakëve, duke e bërë ndërhyrjen e forcave në terren më të vështirë.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, në një intervistë për Abc News, tha se situata në Krujë është përkeqësuar pasditen e sotme, pas orës 14:00. Sipas tij, në zonë janë angazhuar efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës nga bashkitë dhe helikopterë të FA-së.

Nufi theksoi se kushtet atmosferike po favorizojnë përhapjen e flakëve, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e evakuimit të banorëve nëse situata do të përkeqësohet. Sipas ministrit, terreni i vështirë malor dhe shpejtësia e përhapjes së zjarrit përbëjnë një sfidë për forcat që po luftojnë me flakët.

“Ka qenë e qetë situata deri nga dreka, pas orës 14, në lagjen “Abaze” ka pasur një agravim të situatës edhe pas erës. Kemi prezentë në terren efektivë të Forcave të Armatosur, zjarrfikës nga bashkitë dhe helikopterë nga Forcat e Armatosura që po operojnë për shuarjen e zjarrit në Krujë. Era favorizon flakët në Krujë. Pas vlerësimit të situatës, nëse është e nevojshme do bëhet dhe evakuimi i banorëve, me qëllim që të mos kemi dëme në jetë njerëzish apo dëmtime banesash. Forcat tona janë në territor, tereni është malor dhe përhapja e zjarrit është shumë e lartë“, tha ai.

Kruja nuk është e vetmja zonë ku situata paraqitet problematike. Ministri i Mbrojtjes u shpreh se forca të shumta janë angazhuar edhe në Grykë-Lurë, ku zjarret kanë prekur një zonë brenda Parkut Kombëtar.

Ministri deklaroi se kapacitetet e angazhuara për përballimin e situatës janë të konsiderueshme. Sipas tij, aktualisht në terren ndodhen 650 forca dhe 75 mjete, ndërsa një pjesë e rëndësishme e operacionit po zhvillohet nga ajri.

“Kemi një situatë të vështirë në Grykë Lurë, që është dhe Park Kombëtar. Edhe atje kemi forca. Kemi situatë të vështirë në Fier, në Mirditë me dy vatra zjarri. Ky vit na gjen më të përgatitur se kurrë në menaxhimin e emergjencave civile, 5 helikopterë të FA në gjendje aktive, dy avionë Air Tractor. Janë 650 forca të angazhuara në terren dhe janë duke u përballur me zjarret, janë 75 mjete, 30 janë nga FA. Situata e Krujës ka qenë një prej situatave më të rrezikshme që kemi patur në 4 vitet e fundit. Situata monitorohet 24 orë në shtatë ditë. Çdo ditë ka një vlerësim risku. Në fund të javës mund të kemi ulje të temperaturave, mund të kemi dhe shira në zonat lokale, që mund të ndihmojnë në shuarjen e vatrave. Sa i përket dëmeve, vlerësimi do të bëhet në një moment të dytë. Në përfundim të situatës së zjarreve . Fatmirësisht deri sot nuk kemi asnjë jetë të humbur“, u shpreh ministri.

Në kushtet e temperaturave të larta dhe erërave, edhe një vatër e vogël mund të shndërrohet shumë shpejt në një situatë të pakontrollueshme. Për këtë arsye, Nufi u bëri apel qytetarëve që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre. Ai tha se ka dyshime se shumica e vatrave të zjarrit janë shkaktuar nga dora e njeriut.

“Pjesa më e madhe e zjarreve që janë përhapur dhe janë shumëfishuar, kanë pikënisje situata njerëzore. Dyshimet kryesore janë se janë shkaktuar nga dora e njeriut. Bëj thirrje qytetarëve  që evitojmë në maksimum ndezjen e zjarreve, një zjarr i vogël, sidomos në kushte ku kemi, me këto temperatura të larta shumëfishojnë zjarret dhe i kthejnë ato në një krizë kombëtare“, theksoi ai.

VIDEO/ Imazhe tmerri nga Filipinet, tonelata me mbeturina bllokuan lumenj e kanale pas përmbytjeve! Viktima dhe 500 mijë të prekur

By: A. Q
12 August 2026 at 19:41

Imazhe të shkatërrimit mjedisor dhe humanitar po shfaqen nga Filipinet, ku shirat e rrëmbyeshëm që zgjatën për ditë të tëra kanë shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dheu dhe dëme masive në infrastrukturë.

Në Parañaque, në zonën metropolitane të Manilës, ekipet e pastrimit u përballën me kushte veçanërisht të vështira, pasi u është dashur të kalojnë nëpër ujëra të thella e të ndotura, të mbushura me mbeturina, për të hequr mbeturinat e grumbulluara që po bllokonin rrjedhën e ujit në lumenj dhe kanale.

Shirat e rrëmbyeshëm që kanë rënë vazhdimisht në zonë për më shumë se një javë kanë larguar sasi të mëdha mbeturinash, duke bërë që ato të grumbullohen në lumenjtë dhe kanalet e qytetit bregdetar.

Në disa zona, mbeturinat kanë mbuluar pothuajse të gjithë sipërfaqen e ujit.

Ekipet e pastrimit po punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira, duke përdorur vinça, ekskavatorë, varka dhe kova të mëdha për të hequr mbeturinat e grumbulluara.

Imazhet gjithashtu nxjerrin në pah një problem kronik të menaxhimit të mbeturinave në zonë . Një studim i vitit 2021 kishte treguar se lumi Pasing aty pranë është një burim i rëndësishëm i mbeturinave plastike që përfundojnë në det.

Gjoba më të rrepta në tryezë

Ndërsa ekipet vazhdojnë punën e tyre të gjerë për të hequr mbeturinat, autoritetet po kërkojnë të ashpërsojnë dënimet për ata që hedhin ilegalisht mbeturina.

“Kjo nuk është situata që dëshiron qeveria. Ne duam rrugë ujore të projektuara siç duhet ku uji të mund të rrjedhë lirisht”, tha një zëdhënës i presidentit.

Grumbullimi i mbeturinave në kanale dhe lumenj e përkeqëson më tej situatën gjatë periudhave të reshjeve ekstreme, pasi bllokon rrjedhën normale të ujit.

Efektet e stuhisë shtrihen përtej Manilës. Më shumë se 500,000 njerëz në 33 provinca në Filipine u prekën nga musonet, të cilat u intensifikuan nga dy ciklone tropikale.

Rreth 98,000 njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, ndërsa qindra shtëpi u dëmtuan.

Në të njëjtën kohë, dhjetëra mijëra banorë u zhvendosën në strehimore emergjente.

Imazhe të pabesueshme: Tonelata me mbeturina bllokuan lumenjtë dhe kanalet në Filipine, ekipet luftojnë për t’i pastruar ato.

Ndërkohë, ka të vdekur, të zhdukur dhe të plagosur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës. Shumica e viktimave u regjistruan në provincat Benguet, Rizal dhe Batangas, në ishullin Luzon.

Rreth 20 stuhi dhe uragane çdo vit

Filipinet janë ndër vendet më të ekspozuara ndaj ngjarjeve të rënda të motit, pasi vendndodhja e tyre gjeografike shpesh i vë përballë stuhive tropikale dhe tajfuneve.

Vlerësohet se rreth 20 ngjarje të tilla e prekin vendin në vit.

Një pjesë e madhe e popullsisë jeton në zona me rrezik të lartë , ku reshjet e dendura të shiut mund të shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje të tokës në shkallë të gjerë. Pasojat nuk kufizohen vetëm në dëmet materiale, por ndikojnë ndjeshëm edhe në jetën e përditshme të qytetarëve, komuniteteve lokale dhe aktivitetin ekonomik.

Në të njëjtën kohë, ndryshimi global i klimës për shkak të aktivitetit njerëzor konsiderohet se po e përkeqëson situatën. Sipas komunitetit shkencor, ndryshimi i klimës mund të amplifikojë disa ngjarje ekstreme të motit, duke i bërë ato më intensive ose më të gjata dhe duke rritur rreziqet për zonat e cenueshme.

Days of heavy rain just turned a river near Manila Bay into an actual sea of garbage. Floods swept all the rubbish straight into it. Wild to see. pic.twitter.com/zuoll0BVtZ

— Adetunji Adewolu (@AdetunjiAdewolu) August 12, 2026

VIDEO/ Tmerr në Minesota, tre anëtarë të një familjeje të vrarë në çerdhe! Viktimat, pronarët e qendrës dhe fëmija i tyre

By: A. Q
12 August 2026 at 19:28

Një tragjedi ndodhi të mërkurën në mëngjes (12 gusht) në një qendër kujdesi për fëmijë në Hopkins, Minesota të SHBA-ve, ku dy persona dhe një fëmijë, të gjithë anëtarë të së njëjtës familje, u vranë.

Sipas New York Times, autori i krimit ishte një burrë, i cili është midis të vdekurve.

Hetuesit besojnë se dy të rriturit që humbën jetën ishin pronarët e qendrës së kujdesit për fëmijë, e cila drejtohej nga shtëpia e tyre.

Gjashtë fëmijë të tjerë ishin në qendrën e kujdesit ditor dhe janë të sigurt me familjet e tyre.

Shefi Johnson e përshkroi sulmin si një çështje familjare dhe tha se hetuesit nuk besojnë se ka një kërcënim të vazhdueshëm.

“Kjo është një situatë e tmerrshme dhe tragjike për çdo komunitet, veçanërisht këtu në Hopkins, ku nuk jemi mësuar të shohim këto lloj krimesh”, tha Shefi Johnson.

Autoritetet po hetojnë shkaqet dhe rrethanat e sulmit vdekjeprurës.

JUST IN: Three people have just been ST*BBED to death at a Hopkins, Minnesota home DAYCARE, per local reports

There is currently a MASSIVE police presence.

Horrific. Pray for the victims pic.twitter.com/9XJcdWHIrD

— Eric Daugherty (@EricLDaugh) August 12, 2026

❌