Normal view

Një gjak, dy ekipe: Përballja Shqipëri-Kosovë në Lojërat Mesdhetare, nën tingullin e këngës së Adem Jasharit

By: A R
21 August 2026 at 22:52

Nga Andi Deçka

Nesër në mbrëmje, 22 gusht, nën qiellin e ngrohtë mesdhetar të Tarantos, një fushë e vogël do të mbajë mbi vete një kuptim shumë më të madh se përmasat e saj.

Në orën 18:00, Shqipëria dhe Kosova do të përballen në padel në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, një përballje që, përtej pikëve, volley të shpejta dhe mureve prej xhami, do të shkruajë një faqe të re në historinë sportive të kombit. Vetë padeli po shkruan histori në Taranto. Për herë të parë, ky sport është pjesë e programit zyrtar të Lojërave Mesdhetare si disiplinë për medalje, duke bërë debutimin e tij në një nga skenat më të mëdha të sportit ndërkombëtar shumëdisiplinor. Taranto 2026 zhvillohet nga 22 deri më 28 gusht, me Shqipërinë dhe Kosovën mes kombeve pjesëmarrëse.

Por përballja e nesërme mbart një simbolikë krejt tjetër. Për Shqipërinë dhe Kosovën, kjo nuk është thjesht një ndeshje. Është një takim vëllazëror, një identiteti sportiv dhe dy komuniteteve që prej kohësh e kanë përjetuar sportin në çdo qelizë si pjesë e njëri tjetrit.

Dhe në një fazë zyrtare ndërkombëtare të përmasave të tilla, përballja e tyre në fushën e padelit bëhet një moment që meriton të kujtohet. Ka diçka thellësisht poetike në këtë histori: një sport i lindur larg Ballkanit e vendeve tona bëhet skena qe krijon së bashku një histori të re suksesi.

Padeli është rritur jashtëzakonisht vitet e fundit dhe si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, kanë investuar gjithnjë e më shumë në zhvillimin e tij, në infrastrukturë dhe në krijimin e një kulture të re konkurruese. Ajo që dikur shihej si një sport i ri dhe modern i raketës, sot është kthyer në një disiplinë serioze ndërkombëtare e shpejtë, moderne, sociale dhe gjithnjë e më ambicioze. Debutimi i tij në Taranto 2026 është një tjetër hap i rëndësishëm në këtë aspekt. Në njërën anë, Shqipëria. Në tjetrën, Kosova. Mes tyre, një rrjetë por edhe një gjak i përbashkët, pasione të njejta dhe një besim i përbashkët në atë që sporti mund të krijojë.

Kliko për të dëgjuar këngën e tifozëve shqiptarë në Taranto

Nesër, në orën 18:00, Taranto nuk do të dëshmojë vetëm një ndeshje padeli.Do të dëshmojë Shqipërinë dhe Kosovën duke bërë histori së bashku. Dhe diku mes tingullit të topit që përplaset në xham dhe brohoritjeve nga tribunat, do të nisë një histori e re për padelin ne vendet tona.

Top Channel

Begaj në Itali, pritet nga Mattarella e Meloni, mbështet kuqezinjtë në Lojërat Mesdhetare

By: A R
21 August 2026 at 22:44

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Itali ku mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”. Pjesëmarrja e Kreut të Shtetit erdhi me ftesë të veçantë të Presidentit të Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, në kuadër të mbështetjes për delegacionin e sportistëve shqiptarë.

Gjatë kësaj vizite, Presidenti Begaj u prit zyrtarisht nga Presidenti italian Sergio Mattarella dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni. Më pas, ai ndoqi nga tribuna kryesore parakalimin e ekipeve dhe ecurinë e ceremonisë festive që shënoi nisjen e këtij eventi të rëndësishëm multisportiv.

Ekipi kombëtar shqiptar përfaqësohet në këtë edicion me një delegacion prej 71 sportistësh, të cilët do të garojnë në 17 disiplina të ndryshme. Mes tyre numërohen emra me rezultate të larta e të spikatura në arenën evropiane dhe atë ndërkombëtare.

“Taranto 2026” merr një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pasi edicioni i ardhshëm i Lojërave Mesdhetare do të njohë mikpritjen e shqiptarëve me Kosovën flamurmbajtëse.

E fundit: 8 vatra zjarri mbeten aktive, shpëtohen disa banesa në Pukë e Mirditë, ndërhyrje nga ajri në Dukat!

By: A R
21 August 2026 at 22:36

Situata e krijuar nga vatra të shumta zjarri në territorin e vendit vijon të kërkojë angazhimin maksimal të strukturave të emergjencës. Sipas përditësimit zyrtar të dhënë nga Ministria e Mbrojtjes në orën 21:00, në shkallë vendi janë regjistruar gjithsej 26 vatra, nga të cilat 8 mbeten ende aktive, 4 janë vendosur nën mbikëqyrje dhe 1 është nën kontroll të plotë.

Për zbutjen e pasojave dhe mbrojtjen e popullsisë, në operacione janë angazhuar 270 efektivë të Forcave të Armatosura, 5 automjete zjarrfikëse, si dhe një flotë ajrore e përbërë nga 4 helikopterë dhe 2 avionë të specializuar ‘Air Tractor’.

Zhvillimet në vatrat kryesore të vendit

Operacionet po vazhdojnë në disa bashki ku terreni dhe kushtet atmosferike paraqesin vështirësi shtesë:

Gojan–Gjegjan (Pukë): Në këtë zonë me terren të thyer po operojnë 6 mjete zjarrfikëse me 29 efektivë, 10 punonjës të pyjores, 50 forca bashkiake, 50 vullnetarë dhe 40 ushtarakë, të mbështetur nga 2 helikopterë. Ndërhyrja e koordinuar bëri të mundur shpëtimin e 2 banesave të banuara dhe evakuimin e disa banorëve në zonat më të rrezikuara.

Shtanë (Mirditë): Vijon mbrojtja e perimetrit të banuar me 40 forca bashkiake, 30 ushtarakë, 2 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë. Policia e Shtetit ka përfunduar evakuimin e banorëve të kërcënuar, ndërsa një ekip mjekësor me ambulancë ndodhet në vendngjarje.

Dukat (Vlorë): Janë përforcuar trupat në terren me 100 efektivë të ushtrisë, 9 zjarrfikës, 8 punonjës të shërbimit pyjor dhe 12 forca të njësisë administrative. Ndërhyrja ajrore po kryhet me 2 avionë ‘Air Tractor’. Edhe pse zjarri po ngjitet shpatit të malit, nuk raportohet rrezik për shtëpitë.

Dajt (Tiranë) & Bërshi (Klos): Në Dajt po operojnë 30 ushtarakë, 13 zjarrfikës, 9 forca të AZM-së dhe 1 helikopter, ku një pjesë e vatrave është izoluar plotësisht. Në Bërshi po punojnë 5 zjarrfikës, 10 forca lokale dhe 30 ushtarakë, po ashtu pa rrezik për banesat.

Përmirësimi i situatës në disa rajone

Njoftimi zyrtar nëvizon se ndërhyrjet e orëve të fundit kanë sjellë rezultate pozitive në disa pika kritike. Vatra e Farkës është vënë tërësisht nën kontroll, ndërsa zjarri në Mal Milot është shuar plotësisht.

Zonat si Lufaj, Kalivaç dhe Mali i Çikës vazhdojnë të mbahen nën mbikëqyrje të rreptë për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) bëri me dije se strukturat operacionale do të mbeten në gatishmëri përgjatë gjithë natës për garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Vendimi i gjykatës britanike mund të pengojë deportimin e viktimave shqiptare të trafikimit

By: A R
21 August 2026 at 22:26

Një vendim i fundit i drejtësisë britanike mund të ndikojë në procedurat e deportimit drejt Shqipërisë të të rinjve shqiptarë të identifikuar si viktima të trafikimit. Gjykata ka vlerësuar se viktimat meshkuj mund të përballen me rrezik edhe disa vite pas shfrytëzimit, ndërsa ka nxjerrë udhëzime të reja për autoritetet britanike.

Vendimi i fundit i një gjykate britanike të emigracionit mund të pengojë deportimin drejt Shqipërisë të një numri të konsiderueshëm të rinjsh shqiptarë që janë identifikuar si viktima të trafikimit.

Çështja lidhet me rastin e një 21-vjeçari shqiptar, i cili fillimisht ishte trafikuar nga një grup kriminal në Belgjikë dhe më pas ishte dërguar në Britani, ku ishte detyruar të punonte në kultivimin e kanabisit.

Megjithëse autoritetet e kishin njohur si viktimë trafikimi, atij iu refuzua kërkesa për azil, me argumentin se mund të kthehej në mënyrë të sigurt në Shqipëri.

Rasti u shqyrtua nga tre gjyqtarë të lartë të gjykatës së emigracionit, të cilët arritën në përfundimin se 21-vjeçari vijonte të përballej me një rrezik real nga trafikantët edhe pesë vite pas periudhës së shfrytëzimit.

Në vendimin e tyre, gjyqtarët nxorën gjithashtu udhëzime të reja që autoritetet britanike duhet t’i marrin në konsideratë përpara se të marrin vendim për deportimin e viktimave meshkuj të trafikimit drejt Shqipërisë.

Një nga argumentet e paraqitura lidhet me mungesën e strukturave të posaçme në Shqipëri për trajtimin dhe mbështetjen e kësaj kategorie viktimash.

Sipas të dhënave të paraqitura gjatë procesit gjyqësor, djemtë dhe burrat e rinj shqiptarë përbëjnë tashmë grupin më të madh të viktimave të trafikimit në Britani.

Vendimi mund të ketë ndikim në mënyrën se si autoritetet britanike vlerësojnë rastet e viktimave shqiptare të trafikimit përpara se të procedojnë me kthimin e tyre në Shqipëri.

La vajzën 11-vjeçare vetëm për dy ditë për të ndjekur ndeshjen në Elbasan, babai nën hetim në Qipro

By: A R
21 August 2026 at 22:14

Një 11-vjeçare dyshohet se është lënë vetëm në shtëpi për dy ditë nga babai i saj, i cili kishte udhëtuar në Shqipëri për të ndjekur një ndeshje futbolli në Elbasan. Policia në Qipro ka nisur hetimet ndaj tij për neglizhencë dhe abuzim ndaj fëmijës.

Policia në Qipro po heton një rast të dyshuar të neglizhencës ndaj një fëmije, pasi një vajzë 11-vjeçare u gjet e vetme në banesën e familjes, pa praninë e një të rrituri.

Ngjarja u konstatua mbrëmjen e së enjtes, kur policia u njoftua për situatën dhe efektivët shkuan në banesën ku ndodhej vajza.

Gjatë komunikimit me efektivët, 11-vjeçarja dyshohet se ka deklaruar se babai i saj kishte udhëtuar jashtë vendit për të ndjekur një ndeshje futbolli dhe kishte munguar prej dy ditësh.

Sipas të dhënave që po verifikohen nga autoritetet qipriote, babai kishte udhëtuar drejt Shqipërisë për të ndjekur ndeshjen e Paphos FC kundër Dynamo City, e zhvilluar në Elbasan në kuadër të eliminatoreve të Ligës së Konferencës së UEFA-s.

Për këtë ndeshje, klubi qipriot kishte organizuar edhe një udhëtim për tifozët, me nisje nga Paphos më 19 gusht.

Pas konstatimit të rastit, shërbimet e Mirëqenies Sociale u vunë në dijeni dhe morën përsipër mbrojtjen dhe kujdesin për vajzën.

Ndërkohë, policia ka nisur procedurat hetimore ndaj babait, i cili dyshohet për neglizhencë dhe abuzim ndaj fëmijës.

Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes. Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse babai është kthyer në Qipro dhe nëse ndaj tij është lëshuar apo jo një urdhër-arresti.

Dita e 83-të / Protestuesi paralajmëron përshkallëzim në shtator: Do të bllokojmë rrugët!

By: A R
21 August 2026 at 22:05

Një protestues nga sheshi “Skënderbej” ka paralajmëruar përshkallëzim të protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama gjatë muajit shtator. Ai tha se protestat, të cilat sipas tij vijojnë prej 83 ditësh, do të shoqërohen edhe me bllokime rrugësh.

Gjatë protestës së zhvilluar sot në sheshin “Skënderbej”, një qytetar deklaroi se aksioni opozitar dhe qytetar do të përshkallëzohet gjatë muajit shtator.

Protestuesi kritikoi ashpër deputetët e Kuvendit, duke i cilësuar si “plehra” dhe duke i akuzuar se e kanë çuar vendin në një situatë të rëndë.

Sipas tij, Shqipëria përballet me probleme të shumta në sektorë të rëndësishëm, ndërsa akuzoi pushtetin se merret me vjedhje dhe propagandë.

Ai paralajmëroi se situata pritet të ndryshojë në shtator, kur, sipas tij, në protesta do të bashkohen më shumë të rinj, studentë dhe qytetarë që aktualisht ndodhen me pushime, si dhe persona nga diaspora.

Protestuesi tha se aksioni do të vijojë me bllokimin e rrugëve, duke theksuar se qeveria nuk mund të largohet përmes protestave të qeta, të cilat i përshkroi me shprehjen “këngë e valle”.

“Do ta shpëtojmë atdheun nga këta plehra, që e kanë çuar në fund Shqipërinë. Nuk kemi shëndetësi, ushtri. Këtu nuk prodhohet një gozhdë, këtu vetëm vidhet dhe vetëm propagandë.

Në shtator do ta ketë të vështirë, do ta shikojë se kush është populli i vërtetë. Vjen rinia. Do të vijnë edhe nga diaspora.

Do t‘i bllokojmë rrugët të tëra. Do të ketë përshkallëzim për t’i përmbysur këto 137 deputetë. 3 mund të jetë pak të ndryshëm. 137 janë plehra”, tha ai.

Protestat kundër qeverisë vijojnë prej 83 ditësh, ndërsa deklarata e protestuesit sinjalizon një intensifikim të aksionit qytetar gjatë muajit shtator.

Zyrtare/ Një tjetër anglez për Interin, prezantohet mesfushori

By: A R
21 August 2026 at 21:57

Curtis Jones është zyrtarisht lojtari më i ri i Interit, duke u transferuar te klubi zikaltër pas tetë sezonesh me Liverpoolin.

Mesfushori anglez iu bashkua akademisë së Liverpoolit në moshën 6-vjeçare dhe refuzoi mundësinë për t’u afruar me Manchester United dhe Manchester City.

Ai debutoi me ekipin e parë të Liverpoolit më 7 janar 2019, ndërsa golin e parë e shënoi më 5 janar 2020 në derbin ndaj Evertonit.

Me Liverpoolin, Jones regjistroi 228 ndeshje dhe 22 gola, duke fituar dy tituj të Premier League, një FA Cup, dy Kupa të Ligës, një Community Shield dhe Kupën e Botës për Klube në vitin 2019.

Në dhjetor 2025 ai u bë mesfushori më i ri i Liverpoolit që arriti 200 paraqitje për klubin që nga Steven Gerrard. Me Anglinë U21 fitoi Europianin e vitit 2023, ndërsa me kombëtaren A debutoi në vitin 2024 dhe shënoi ndaj Greqisë në Nations League.

Jones mund të luajë në disa pozicione të mesfushës dhe njihet për teknikën, driblimin dhe lëvizshmërinë me topin. Transferimi te Interi shënon aventurën e parë të tij jashtë Anglisë dhe e bashkon me bashkëkombësit John Stones dhe Djed Spence, duke u bërë anglezi i gjashtë në historinë e klubit zikaltër.

DËSHMITË/ Vata pranon vrasjen e portugezit, turku: Sokrati më tha se ishte rrëzuar nga motori…

By: A R
21 August 2026 at 21:47

Zbardhet dëshmia e Sokrat Vatës, të dyshuarit për vrasjen e 21-vjeçarit portugez në Ksamil, para trupit gjykues të Gjykatës së Sarandës.

Vata ka pranuar autorësinë e krimit, por ka sqaruar rrethanat e ngjarjes, duke pretenduar se nuk e ka kuptuar momentin kur ka goditur me thikë turistin, për shkak të sherrit masiv që kishte shpërthyer.

Para trupit gjykues, Sokrat Vata u ka kërkuar ndjesë familjarëve të viktimës dhe ka shprehur pendesë për atë që ka ndodhur.

“U kërkoj ndjesë familjarëve të viktimës, u shpreh ngushëllimet e mia, jam penduar për atë që ka ndodhur. Një grup turistësh francezë ishin brenda në lokal. Ata po bënin zhurmë, shoku im u kërkoi që të mbanin qetësi, por ata nuk u bindën dhe filluan të na shanin. U afruam më afër dhe u kërkuam sërish të mbanin qetësi, por ata filluan të na godisnin. Gjatë përleshjes fizike kemi dalë në pjesën e jashtme. Njëri nga ata kishte një thikë. E kam neutralizuar dhe i kam marrë thikën. Në këtë moment, dikush nga turistët e huaj më goditi me shkelm në nofull. Aty jam rrëzuar dhe ata kanë tentuar të më godasin sërish. Instinktivisht kam lëvizur dorën për t’u mbrojtur. Nuk e kujtoj si e kam goditur, pasi isha në shok. Nuk e dija nëse ndonjëri nga ata ishte plagosur, pasi ishin shumë. Nga shoku jam larguar”, ka deklaruar Vata.

Nuh Mahmutoglu: Vata më telefonoi dhe më kërkoi ndihmë

Ndërkohë, shtetasi turk Nuh Mahmutoglu, i ndaluar pas ngjarjes, ka deklaruar para gjykatës se kishte njohje me Sokrat Vatën dhe se kishin bashkëpunuar për turistët, pasi ai komunikonte në gjuhën angleze.

Mahmutoglu ka thënë se Vata e ka telefonuar rreth orës 06:30 dhe i ka kërkuar ndihmë për ta shoqëruar drejt Tiranës, duke i thënë se ishte rrëzuar nga motori.

Edhe të ndaluarit e tjerë kanë mbajtur qëndrim mohues para trupit gjykues, duke pretenduar se nuk e kanë parë momentin e sherrit.

Kamerat nuk fiksojnë qartë momentin e goditjes me thikë

Nga analizimi i pamjeve filmike, momenti kur 21-vjeçari portugez është goditur me thikë nuk dallohet qartë.

Në momentin kur është goditur me thikë, i riu ka vijuar të ecë për disa metra dhe më pas ka rënë.

Ndërkohë, nga pamjet e kamerave të lokalit, përveç përleshjes fizike, nuk kuptohet qartë nëse kamarierët e lokalit e kanë konstatuar se 21-vjeçari ishte plagosur dhe nuk kanë njoftuar policinë, apo nëse nuk kanë arritur ta kuptojnë në atë moment se i riu ishte plagosur.

Lufta në fazë të rrezikshme, Rusia mësyn qendrat tregtare në Ukrainë, viktima dhe zjarr

By: A R
21 August 2026 at 21:38

Forcat ruse kanë goditur një qendër tregtare në Kryvyi Rih, në Ukrainë, duke lënë të paktën 15 persona të vdekur dhe 121 të plagosur, mes tyre disa fëmijë.

Sipas autoriteteve ukrainase, sulmi është kryer në dy valë, ndërsa vala e dytë dyshohet se ka pasur në shënjestër edhe ekipet e shpëtimit që po punonin në vendngjarje.

Presidenti Volodymyr Zelensky e ka dënuar sulmin si “cinik dhe të neveritshëm”, duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave.

Në një tjetër sulm gjatë natës, në rajonin e Kharkivit, dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur, ndërsa disa banesa janë shkatërruar ose dëmtuar.

‘Një nga turistët më goditi në nofull’/ Lihet në burg autori i vrasjes së portugezit! Ja masat për të arrestuarit e tjerë

By: A R
21 August 2026 at 21:27

Gjykata e Sarandës ka dhënë sot në 21 gusht masat e sigurisë për autorin e vrasjes në një beach bar në Ksamil dhe personat e tjerë, të përfshirë në ngjarje

Po ashtu, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për autorin e ngjarjes, S.V. Po ashtu, gjykata ka caktuar “Arrest në burg” për dy shtetasit turk, N.M dhe E.P, raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci.

Është caktuar “Arrest në burg” me afat 45 ditë për E.B, S.S dhe I.C. Gjithashtu, gjykata ka caktuar “Detyrim paraqitje” për shtetasit L.S, R.Sh, M.Zh, M.M dhe K.K.

10 orë seancë, çfarë tha autori në gjykatë:

S.V, autori i dyshuar i vrasjes së turistit portugez ka rrëfyer në gjykatë pozicionin e tij në ngjarjen e rëndë. Ai u ka kërkuar falje familjarëve të viktimës.

“U kërkoj ndjesë familjarëve të viktimës. U shpreh ngushëllimet e mia, jam penduar për atë që ka ndodhur. Një grup turistësh francez ishin brenda në lokal ata po bënin zhurmë. Shoku im u kërkoi që të mbanin qetësi, ata nuk u bindën e filluan të na shanin.

Ju afruam më afër dhe u kërkuam sërish të mbajnë qetësi, por ata filluan të na godisnin. Gjatë përleshjes fizike, kemi dalë në pjesën e jashtme. Njëri nga ata kishte një thikë, e kam neutralizuar dhe i kam marrë thikën. Në këtë moment dikush nga turistët e huaj më goditi me shkelm në nofull, aty jam rrëzuar. Ata kanë tentuar të më godasin sërish, instiktivisht kam lëvizur dorën për t’u mbrojtur, nuk e kujtoj si e kam goditur, pasi isha nën shok nuk e dija nëse ndonjëri nga ata ishte plagosur, pasi ishin shumë. Nga shoku, jam larguar”, ka thënë S.V.

Ndërkohë shtetasi turk N.M para gjykatës ka deklaruar se kishte njohje me autorin e dyshuar S.V, se kanë bashkpunuar për turistët, duke qenë se ai komunikonte anglisht. “S.V më ka marrë në telefon në 6:30 dhe më ka kërkuar ndihmë që ta shoqëroja për në Tiranë, pasi më tha se ishte rrëzuar nga motorri”.

Para trupit gjykues edhe të ndaluarit e tjerë kanë mbajtur qëndrim mohues, pasi pretendojnë se nuk e kanë parë momentin e sherrit.

Nga analizimi i pamjeve filmike, momenti i plagosjes 7 herë me thikë i 21- vjeçarit portugez nuk dallohet qartë. Në momentin që është qëlluar me thikë ai ka ecur dhe disa metra me tutje dhe ka rënë në tokë.

Por, nuk kuptohet qartë nga kamerat nëse kamerierët e kanë parë që 21 vjeçari ishte plagosur dhe nuk kanë njoftuar policinë apo nuk kanë arritur ta kuptojnë.

Zjarri në Dukat drejt shuarjes, vijon operacioni nga toka dhe ajri

By: A R
21 August 2026 at 21:18

Operacioni për shuarjen dhe vënien nën kontroll të zjarreve në Dukat të Vlorës ka vijuar pa ndërprerje, me angazhimin e Forcave të Armatosura nga toka dhe ajri.

Në terren janë angazhuar 70 efektivë të Forcës Tokësore, 29 efektivë të Komandës Mbështetëse dhe 2 efektivë të Policisë Ushtarake, ndërsa ndërhyrja nga ajri është mbështetur nga dy avionë zjarrfikës.

Falë ndërhyrjes së forcave në terren, është bërë e mundur shuarja e pjesës më të madhe të vatrave të zjarrit, ndërsa ekipet vijojnë monitorimin e situatës për të parandaluar riaktivizimin e flakëve.

Operacion antidrogë në Korçë, kontrolle në disa banesa, një i arrestuar

By: A R
21 August 2026 at 21:10

Një operacion po zhvillohet nga policia e juglindjes për goditjen e personave të përfshirë në shitjen e narkotikëve.

Korrespondentja e Top Channel Dhorjela Çule raporton se deri më tani, mësohet se në pranga ka rënë një person.

Gjatë kontrollit në mjet dhe në banesë, këtij të fundit i janë gjetur doza kokaine, shuma lekësh, armë të ftohta e fishekë.

Operacioni është ende në zhvillim, ndërsa mësohet se po kryhen edhe kontrolle banesash për të dyshuar të tjerë.

Pritet komunikata zyrtare nga policia për detaje të tjera.

Zjarret në Shqipëri po i ndezin ‘armiqtë e huaj’? Flet ministri i Mbrojtjes

By: A R
21 August 2026 at 21:01

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, në një intervistë për Klan News me moderatorin Besard Jacaj, komentoi situatën e zjarreve në vendin tonë.

I pyetur nëse ka ndonjë informacion që zjarret të jenë ndezur nga “armiq të huaj”, Nufi tha se ky është një detaj, që i takon Ministrisë së Brendshme. Ministri nënvizoi se Mbrojtja, me aq sa mundet, po bën maksimumin për të shuar flakët.

“Nuk e di nëse zjarret në Shqipëri po ndizen nga “armiqtë e huaj”. Ky detaj është për Policinë e Shtetit dhe për Ministrinë e Brendshme. Ne bëjmë të mundur që të jemi në vijë të parë të zjarrit dhe të mund të ndërhyjmë në kohë. Kemi pasur mjete ajrore, që janë gjendur në terren, sapo ka nisur zjarri. Në Krujë, forcat kanë qenë aty për shtatë minuta. Jemi në situatë tepër të vështirë sot, por forcat janë aty”, tha ai.

Më tej, ministri u shpreh se situata është kritike në Pukë, Mirditë dhe në Vlorë.

Muaji gusht ka qenë muaj i vështirë për të përballuar situatën. Tepër kritike paraqitet situata në Gojan të Pukës. Kanë ardhur në ndihmë edhe zjarrfikëse nga rrethet përqark. Situata e erës e ka përkeqësuar vatrën e zjarrit. Flakët janë parandaluar që të shkojnë dhe në banesa të tjera. Situata ka qenë e vështirë, duke shpëtuar edhe jetët e njerëzve. Situatë kritike është dhe në Dukat të Vlorës. 105 forca të FA kanë qenë aty, dy avionët Air Tractor kanë qenë gjithë ditën atje. Nga flakët janë përfshirë banesa, që nuk kanë qenë të banuara. Situata është menaxhuar mirë”, u shpreh Nufi.

Ministri theksoi se zjarrfikësit do të vlerësohen maksimalisht, qoftë edhe monetarisht, pasi ata janë heronj, që kanë rrezikuar jetën e tyre.

Efektivët në Milot kanë rrezikuar jetën, mbi ta kanë qenë shtyllat e tensionit të lartë. Kanë rrezikuar jetën edhe pilotët e Air Tractor. Pilotët kanë kovat e fundit, që përdor çdo forcë ajrore në botë. Kemi 5 mjete ajrore, kemi 2 Air Tractor. Mund të kemi kapacitete shtesë në 2027, 2026 ka qenë viti me kapacitete më të larta. Edhe lopatat apo mjetet bazike kanë funksione tepër të rëndësishme. Këta njerëz janë heronj dhe vlerësimi për ta është maksimal”, nënvizoi Nufi.

Gruaja 57-vjeçare gjendet e vdekur në shtëpi, i biri arrestohet si autori i dyshuar

By: A R
21 August 2026 at 20:52

Një grua 57-vjeçare, e identifikuar si Maria Vittoria Carbone nga Tito në Itali u gjet e vdekur mbrëmjen e së enjtes, më 20 gusht, brenda apartamentit.

Në pranga është vënë djali i saj 31-vjeçar, gjatë një grindjeje.

Shërbimet e urgjencës mjekësore u përpoqën më kot ta ringjallnin gruan, e cila kishte pësuar trauma të rënda në fytyrë, raportojnë mediat italiane.

I riu, Giampiero Santamaria, i cili kishte marrë trajtim në qendrën e shëndetit mendor për njëfarë kohe, u arrestua në flagrancë.

Sipas një rindërtimi fillestar, 57-vjeçarja kishte shkuar në Tito për të vizituar djalin e saj, i cili jeton në një apartament ngjitur me atë të babait të tij, nga i cili ajo ishte divorcuar prej disa kohësh.

Përshkallëzohen tensionet Ankara-Tel Aviv, Izraeli paralajmëron Turqinë: Mos e vini në provë durimin tonë

By: A R
21 August 2026 at 20:43

Tensionet mes Izraelit dhe Turqisë përshkallëzohen për shkak të zhvillimeve në Siri. Izraeli ka paralajmëruar Ankaranë kundër zgjerimit të përfshirjes së saj ushtarake në territorin sirian, pak ditë pasi ushtria izraelite sulmoi bazën ajrore Abu al-Duhur në veriperëndim të Sirisë.

Sulmi, i kryer të martën, dëmtoi bazën ajrore, ndërsa nuk u raportuan viktima. Izraeli pretendon se objekti po përgatitej për përdorim nga forcat turke.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, akuzoi presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan se po e tërheq Turqinë në “aventura të rrezikshme” në Siri dhe e paralajmëroi Ankaranë të mos vërë në provë vendosmërinë e Izraelit për t’u vetëmbrojtur, shkruan A2CNN.

Ndërkohë, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Damasku ishte pranë shkeljes së një “status quo-je” sigurie, duke lejuar vendosjen e trupave turke në Siri. Si Siria, ashtu edhe Turqia i kanë mohuar këto pretendime.

Përplasja mes dy vendeve është zhvendosur gjithnjë e më shumë në Siri, ku Turqia është shfaqur si një mbështetëse e rëndësishme e presidentit sirian Ahmed al-Sharaa dhe po ndihmon në trajnimin dhe rindërtimin e forcave të armatosura siriane.

Izraeli kundërshton krijimin e një pranie të përhershme ushtarake turke në Siri, duke argumentuar se një zhvillim i tillë mund të kërcënojë sigurinë e tij dhe të kufizojë lirinë e veprimit të ushtrisë izraelite në territorin sirian.

Një vështrim përmes sondazheve për zgjedhjet amerikane të nëntorit

21 August 2026 at 20:35

Nga Thoma Gëllçi

Zgjedhjet amerikane të 3 nëntorit 2026, ato që quhen zgjedhjet e mesmandatit, do të përcaktojnë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan. Në Dhomën e Përfaqësuesve republikanët kanë një shumicë shumë të ngushtë që sondazhet e japin siguri se do të kalojë në anën e demokratëve, ndërsa në Senat kanë një avantazh më të dukshëm. Megjithatë, sondazhet e muajve të fundit tregojnë se edhe gara për Senatin është bërë shumë më konkurruese.

Në Dhomën e Përfaqësuesve demokratëve u duhen vetëm disa vende shtesë për të marrë shumicën. Republikanët kontrollojnë aktualisht 220 vende, kundrejt 215 të demokratëve. Kjo do të thotë se një ndryshim neto prej vetëm tre mandatesh do të mjaftonte që demokratët të merrnin drejtimin e Dhomës.

Situata në Senat është më e ndërlikuar.

Republikanët kanë 53 senatorë, ndërsa demokratët dhe senatorët e pavarur që votojnë zakonisht me ta kanë 47. Për të marrë kontrollin e Senatit, demokratëve u duhet një fitim neto prej katër vendesh. Kjo do të thotë se ata duhet jo vetëm të fitojnë disa vende që sot mbahen nga republikanët, por edhe të mbrojnë vendet e tyre më të rrezikuara.

Deri në fillim të këtij viti, rruga e demokratëve drejt shumicës në Senat dukej e pamundur. Por gjatë verës rezultatet e sondazheve flasin për një ndryshim të lojës.
Karolina e Veriut është aktualisht një nga mundësitë më të mira për demokratët. Ish-guvernatori Roi Kuper po përballet me republikanin Majkëll Uotli për një vend që sot mbahet nga republikanët. Sondazhet e fundit e kanë nxjerrë Kuper vazhdimisht përpara, në disa raste me diferencë të konsiderueshme. Nëse kjo prirje vazhdon deri në nëntor, Karolina e Veriut do të jetë vendi i parë që kalon nga republikanët te demokratët.

Një tjetër garë shumë e rëndësishme është Ohajo. Demokrati Sherrod Braun, ish-senator i këtij shteti, po sfidon republikanin Xhon Hjusted. Braun ka dalë përpara në disa nga sondazhet e fundit. Kjo është e rëndësishme sepse Ohajo gjatë viteve të fundit ka votuar gjithmonë për republikanët në zgjedhjet presidenciale. Këtë radhë Braun, i cili ka një profil politik të fortë, ka edhe një elektorat personal. Kjo gjë po e bën garën shumë konkurruese.

Në Mein, senatorja republikane Suzan Kollins përballet me demokratin Troi Xhekson. Kollins ka fituar vazhdimisht në këtë shtet që, në zgjedhjet presidenciale, ka votuar për demokratët, kryesisht falë profilit të saj të moderuar. Këtë vit, megjithatë, sondazhet tregojnë një garë pothuajse të barabartë dhe në disa prej tyre Xhekson ka dalë më përpara.

Alaska është një tjetër shtet që po tërheq vëmendjen. Demokratja Meri Peltola po sfidon senatorin republikan Dan Sallivan. Peltola ka treguar më parë se mund të tërheqë votues të pavarur dhe republikanë të moderuar. Disa sondazhe të fundit e kanë nxjerrë përpara Sallivanit, ndërsa të tjera tregojnë një garë shumë të ngushtë. Për këtë arsye Alaska është futur në grupin e shteteve që mund të përcaktojnë shumicën.

Një nga zhvillimet më të pazakonta është gara në Teksas. Demokrati Xhejms Talariko dhe republikani Ken Pakston po zhvillojnë një garë që deri më tani duket barazim. Kjo është interesante për një shtet si Teksasi, ku gjithmonë ka pasur një epërsi të republikanëve. Disa sondazhe kanë nxjerrë Talarikon përpara me një ose dy pikë, ndërsa të tjera Pakstonin me një diferencë të ngjashme. Praktikisht gara është brenda marzhit të gabimit të sondazheve.

Vetë fakti që Teksasi po diskutohet si një shtet konkurrues për Senatin është i rëndësishëm. Për shumë vite republikanët kanë pasur një avantazh të qartë në zgjedhjet në këtë shtet. Nëse demokratët arrijnë të fitojnë Teksasin, rruga e tyre drejt shumicës në Senat bëhet shumë më e lehtë.

Edhe Ajoua është afruar. Republikania Eshli Hinson vazhdon të konsiderohet pak më e favorizuar ndaj demokratit Xhosh Turek, por sondazhet e fundit tregojnë diferenca prej vetëm disa pikësh. Kjo e ka kthyer Ajouan nga një vend relativisht i sigurt republikan në një garë që duhet ndjekur deri në fund.

Nga ana tjetër, demokratët kanë edhe vende që duhet t’i mbrojnë.

Më problematik është Miçigani. Pas primareve demokrate, Abdul El-Sajed po përballet me republikanin Majk Roxhers. Disa sondazhe e kanë nxjerrë Roxhersin përpara, disa të tjera tregojnë barazim ose diferenca më të vogla. Për demokratët, humbja e Miçiganit do ta komplikonte shumë matematikën e Senatit.

Nëse ata fitojnë, për shembull, Karolinën e Veriut, Ohajon, Meinin dhe Alaskën, por humbasin Miçiganin, fitimi neto do të ishte vetëm tre vende. Për shumicën u duhen katër. Në këtë rast do të duhej të fitonin edhe Teksasin, Ajouan ose një tjetër shtet republikan.

Edhe Xhorxhia mbetet një vend që demokratët duhet ta mbrojnë. Senatori Xhon Osof ka dalë përpara republikanit Majk Kollins në sondazhet e fundit, në disa raste me diferencë të ndjeshme. Megjithatë, Xhorxhia mbetet një shtet shumë i ndarë politikisht dhe rezultati mund të varet nga pjesëmarrja e elektoratit.

Matematika e Senatit, pra, mund të përmblidhet relativisht thjesht. Demokratët kanë nevojë për katër vende neto. Objektivat e tyre kryesore janë Karolina e Veriut, Ohajo, Mein, Alaska, Teksas dhe Ajoua. Në të njëjtën kohë duhet të mbrojnë Miçiganin dhe Xhorxhian.

Nëse mbajnë të gjitha vendet që kanë sot, një kombinim si Karolina e Veriut, Ohajo, Mein dhe Alaska do t’u jepte shumicën. Nëse humbasin Miçiganin, do t’u duhej një fitore shtesë, për shembull në Teksas ose Ajoua.

Kjo është arsyeja pse gara e këtij viti është më e hapur nga sa dukej disa muaj më parë. Republikanët vazhdojnë të kenë avantazhin fillestar, sepse mbrojnë një shumicë prej 53 vendesh dhe demokratët kanë nevojë për disa fitore njëkohësisht. Por numri i shteteve konkurruese është rritur.

Në Dhomën e Përfaqësuesve situata është edhe më e thjeshtë: demokratëve u duhen vetëm tre mandate neto. Nëse klima politike kombëtare mbetet e favorshme për opozitën, marrja e Dhomës është një mundësi reale.

Për këtë arsye zgjedhjet e nëntorit mund të prodhojnë tre rezultate të ndryshme. Republikanët mund të ruajnë të dyja dhomat. Demokratët mund të marrin Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa republikanët të mbajnë Senatin. Ose demokratët mund të arrijnë të marrin kontrollin e të dyja dhomave.

Për momentin, varianti i dytë duket më i lehtë për demokratët, sepse rruga drejt shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve është më e shkurtër. Senati mbetet më i vështirë. Por sondazhet e gushtit tregojnë se gara është bërë reale dhe se rezultati nuk mund të parashikohet sot.

Në javët e ardhshme vëmendja kryesore do të jetë te Karolina e Veriut, Ohajo, Mein, Miçigan, Alaska dhe Teksas. Janë këto gara që do të përcaktojnë se kush do ta kontrollojë Senatin amerikan dhe ndoshta edhe kongresin pas zgjedhjeve të nëntorit.

Ethet e gushtit në PS, Rama mbledh ministrat në Pogradec: “Prova” dhe sinjalet për 6 ndryshime në Qeveri?

By: A R
21 August 2026 at 19:54

Ditët e Gushtit po shkojnë drejt fundit, ndërkohë ethet e këtij muaji për Partinë Socialiste e cila qeveris vendin në mandatit e katërt po shtohen.

Kjo si pasojë e nisjes të vrullshme të sesionit të ri politik nga Edi Rama, me dy takime të rëndësishme gjatë kësaj fundjave dhe fillim javën tjetër në Pogradec.

Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu ka mësuar se ora 11:30 e të dielës do të gjejë të mbledhur në vilën qeveritare të qytetit liqenor 12 drejtuesit politikë të qarqeve bashkë me kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare.

Burime nga PS pohuan se në fokus të këtij takimi do të jetë dokumenti Besa dhe një tjetër dokument njohur si “Prania e Besës” dorëzuar grupit parlamentar socialit në fund të korrikut.

Rama nga ky takim pritet të marrë refleksione mbi këto dy dokumente me qëllimin final pasurimin dhe shkuarjes drejt një dokumenti final dhe pa anashkaluar përgatitjet për zgjedhjet lokale të 2027.

Mbrëmja e të kësaj të Diele do ta gjejë Ramën, drejtuesit politikë, kryetarët e komisioneve parlamentare dhe ministrat në një darkë, e cila me gjasë do t’i shërbejë shtensionimit të etheve të gushtit, përpara “provimit të performancës” të hënën.

Po në Pogradec në vilën qeveritare në atë që njihet si një “retreat” mbledhje informale e qeverisë, ministrat do të raportojnë për ecurinë e dikastereve të tyre për periudhën Janar-Gusht 2026.

Ndryshe nga takimet e shkuara të këtij formati, nuk do të marrin pjesë zëvendës ministrat, por vetëm ministrat dhe drejtorët e agjencive në varësi të tyre.

Sikurse në ‘retreatet’ e viteve të shkuara, çdo ministër do të raportojë për edhe prezencën mediatike dhe në rrjetet sociale.

Por nuk mbaron këtu sprinti politik i Ramës që nis këtë të dielë.

Burime nga PS i pohuan po ashtu Top Channel se ma gjasë në javën e parë e shtatorit do të mblidhet asambleja kombëtare socialiste.

Nëse do t’i referohemi mbledhjeve të shkuara të asambleve socialiste, ato janë përdorur nga Rama për të shpalosur ndryshime në kabinetin qeverisës.

Por, a do ta përdorë Edi Rama mbledhjen e kësaj asambleje për të ndryshuar drejtimin e të paktën 6 ministrive?

Numërimi mbrapsht ka nisur.

Top Channel

Ukraina synon të blejë sisteme antibalistike me kredinë prej 90 miliardë eurosh të BE-së

By: A R
21 August 2026 at 19:45

Një zyrtar i Komisionit Evropian, i përfshirë në diskutimet mbi kredinë prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, i ka thënë Euronews-it se Kievi ka sugjeruar që paketa e radhës e financimit për mbrojtjen të mund të përdoret për blerjen e sistemeve të raketave antibalistike, krahas kapaciteteve të tjera, shkruan Euronews.

Zyrtari nuk mundi të specifikonte nëse bëhej fjalë për sistemin amerikan të raketave të mbrojtjes ajrore “Patriot” apo për ekuivalentin e tij evropian sistemin franko-italian të raketave tokë-ajër “SAMP/T NG” pasi diskutimet ishin ende në vazhdim dhe nuk ishte bërë asnjë porosi zyrtare.

Porosia pritet të bëhet para muajit shtator, ndërsa parashikohet të kërkohen gjithashtu raketa dhe dronë.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dënoi një sulm vdekjeprurës rus në Ukrainë, të ndodhur gjatë natës së të mërkurës, i cili la të vdekur të paktën 16 persona dhe të plagosur 33 të tjerë. Ajo la të kuptohej se ishte rrugës një ndihmë në fushën e mbrojtjes kundër raketave balistike.

“Rusia po e humbet luftën që nisi. Dhe po kundërpërgjigjet duke vënë në shënjestër civilët dhe infrastrukturën civile,” tha ajo në një deklaratë të publikuar në platformën e rrjeteve sociale X.

“Ne po punojmë me shtetet anëtare dhe partnerët tanë për të mbështetur kapacitetet kundër-balistike të Ukrainës, në mënyrë që Ukraina të ketë mjetet për të parandaluar humbjen e jetëve.”

Burimi i sistemeve të mundshme të ardhshme të raketave antibalistike mund të shkaktojë pakënaqësi, pasi shumë shtete anëtare të BE-së, si Franca, argumentojnë se mbështetja financiare nga blloku duhet të përdoret për të blerë armë evropiane dhe për të mbështetur industrinë evropiane të mbrojtjes.

Ndërkohë, të tjerë besojnë se Ukrainës duhet t’i jepet fleksibilitet i plotë për të blerë gjithçka që i nevojitet për t’u mbrojtur menjëherë kundër pushtimit rus në shkallë të gjerë.

“Nevojat urgjente të Ukrainës duhet të jenë në plan të parë,” shkruan ministrat e mbrojtjes të Finlandës, Suedisë, Lituanisë, Danimarkës, Polonisë, Estonisë dhe Letonisë në një letër të botuar në korrik, duke argumentuar për një fleksibilitet më të madh lidhur me ndihmën financiare.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përsëriti së fundmi thirrjet që Uashingtoni të ofrojë më shumë raketa përgjuese “Patriot”, në mënyrë që forcat e armatosura të Ukrainës të mund të zmbrapsin raketat ruse, ta kalojnë dimrin dhe të “shpëtojnë jetë njerëzish”.

Megjithatë, në korrik ai njoftoi gjithashtu se Ukraina do të bëhej përdoruesi i parë në kushte luftarake i sistemeve raketore franko-italiane SAMP/T NG.

Sipas një deklarate publike, Kievi synon t’i porosisë këto sisteme përmes kësteve të viteve 2026 dhe 2027 të kredisë mbështetëse për Ukrainën, të cilat duhet të dorëzohen “sa më shpejt të jetë e mundur” duke filluar nga viti i ardhshëm.

‘Prodhuar në Evropë’ Rreth 60 miliardë euro nga shuma totale prej 90 miliardë eurosh e kredisë do të vihen në dispozicion për të forcuar mbrojtjen e vendit gjatë kohës së luftës, ndërsa pjesa e mbetur do të shërbejë për të mbështetur buxhetin kombëtar të Ukrainës.

Ukrainës do t’i jepen gjithsej 28,3 miliardë euro në vitin 2026 për të mbështetur kapacitetet e saj industriale të mbrojtjes, ndërsa një pjesë e fondeve tashmë është disbursuar.

Kushti “Prodhuar në Evropë” brenda paketës së fondeve për mbrojtjen synon të sigurojë që sa më shumë financime të shkojnë te prodhuesit evropianë të pajisjeve ushtarake, në vend të atyre të huaj.

Përparësi u jepet prodhuesve në Ukrainë, si dhe atyre të industrisë së mbrojtjes në BE dhe EEA-EFTA, ndonëse lejohet edhe qasja e caktuar për vende të treta.

Brukseli mund të japë një përjashtim lidhur me rregullat e mbrojtjes nëse pala ukrainase dëshiron të blejë armatime që nuk prodhohen në Evropë, siç është sistemi i raketave të mbrojtjes ajrore “Patriot”. Përjashtime të tilla janë dhënë edhe më parë për blerjen e pajisjeve me dronë.

Zjarret në Mirditë, Nufi konfirmon vënien e flakëve nën kontroll: Ndaloni pakujdesitë, po rrezikohen jetë njerëzish dhe efektivësh

By: A R
21 August 2026 at 19:37

Situata e shkaktuar nga vatra e zjarrit në fshatin Ten të Mirditës është inspektuar drejtpërdrejt nga Ministria e Mbrojtjes përmes ministrit Ermal Nufi. Operacioni intensiv i orëve të fundit ka bërë të mundur neutralizimin e rrezikut të menjëhershëm për zonat e banuara, duke shmangur dëmet në pronë apo në njerëz.

Për shkak të terrenit mjaft të thyer malor dhe mungesës së rrugëve kaluese për mjetet motorike, ndërhyrja tokësore është mbështetur në mënyrë kritike nga ajri.

“Kemi bërë të mundur që dy helikopterë të Forcave Ajrore të vijnë për të asistuar trupat që po luftojnë në terren. Tani situata duket nën kontroll dhe është evituar djegia e banesave. Nuk rrezikojmë të kemi shtëpi të djegura apo jetë të humbura në këtë moment,” deklaroi Nufi gjatë vëzhgimit nga terreni.

Gjithashtu, kreu i Mbrojtjes nënvizoi se përsëritja e shpeshtë e vatrave në këtë rajon mbetet nën hetim nga Policia e Shtetit për të verifikuar nëse bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.

Pasqyra e vatrave më kryesore në shkallë vendi

Gjatë komunikimit me mediat, ministri detajoi edhe shpërndarjen e kapaciteteve operacionale në pikat më të nxehta të territorit kombëtar:

  • Dukat (Vlorë): Vijon të jetë pika më kritike. Janë angazhuar mbi 105 efektivë ushtarakë dhe dy avionë ‘Air Tractor’ për shkak të erërave të forta që ndihmojnë përhapjen në shpatin e malit.
  • Gojan i Madh (Pukë): Ndërhyrja po përqendrohet te riaktivizimi i një vatre dytësore, me koordinimin e 60 trupave të Regjimentit të Veriut dhe mjeteve zjarrfikëse të ardhura si përforcim nga Kukësi, Hasi dhe Kamza.
  • Klos & Dajt: Në Klos po operojnë 30 trupa të Forcës Tokësore, ndërsa në Dajt vijon asistenca ajrore me helikopterë.

Thirrje për përgjegjshmëri qytetare

Në përmbyllje të fjalës së tij, ministri u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, duke parandaluar ndezjen e zjarreve në natyrë apo veprimet e pakujdesshme që mund të nxisin fatkeqësi të tilla.

“Asnjë zjarr në këtë sezon — qoftë për pastrimin e barishteve, një cigare e hedhur pa dashje apo fishekzjarret e një ditëlindjeje — nuk duhet të bëhet shkak për situata të tilla të papërballueshme,” apeloi Nufi, duke shprehur mirënjohje për efektivët që shpesh përballen me rreziqe shtesë si linjat e tensionit të lartë.

Karakaçi: Shqipëria instalon 600 MW kapacitete të energjisë së rinovueshme

By: A R
21 August 2026 at 19:30

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi ndau sot, e premte 21 gusht, disa nga arritjet më të rëndësishme që janë realizuar në kuadër të reformave në sektorin e energjisë dhe procesit të integrimit evropian.

Karakaçi njoftoi se Shqipëria ka instaluar 600 MW kapacitete të energjisë së rinovueshme.

Ministri bëri me dije gjithashtu se po i hapet rruga disbursimit të 61 mln eurove.

Karakaçi u shpreh se është ngritur sistemi i garancive të origjinës për energjinë e rinovueshme, i cili u ofron konsumatorëve më shumë transparencë mbi burimin e energjisë që përdor.

“Një nga hapat më të rëndësishëm ishte miratimi i Ligjit të ri për Sektorin e Energjisë Elektrike”, tha Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Prononcimi i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi:

Puna e përditshme, me profesionalizëm dhe angazhim, e stafeve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë po jep rezultate konkrete dhe sot dua të ndaj me ju disa nga arritjet më të rëndësishme që kemi realizuar në kuadër të reformave në sektorin e energjisë dhe procesit të integrimit evropian, duke filluar nga data 1 janar deri më 30 qershor 2026.

Gjatë kësaj periudhe kemi përmbushur një sërë masash kyçe, duke modernizuar kuadrin ligjor dhe duke e afruar Shqipërinë me standardet e Bashkimit Evropian.

Kemi ngritur sistemin e garancive të origjinës për energjinë e rinovueshme, i cili u ofron konsumatorëve më shumë transparencë mbi burimin e energjisë që përdor.

Gjithashtu, kemi miratuar rregulla të reja për etiketimin e produkteve me ndikim në konsumin e energjisë, duke i ndihmuar qytetarët të bëjnë zgjedhje më të informuara dhe më efiçente, në përputhje me të gjitha standardet e Bashkimit Evropian.

Një nga hapat më të rëndësishëm ishte miratimi i Ligjit të ri për Sektorin e Energjisë Elektrike. Ky ligj forcon funksionimin e tregut të energjisë, rrit sigurinë e furnizimit dhe e afron vendin tonë me tregun evropian të energjisë.

Po ashtu, kemi harmonizuar legjislacionin për biokarburantet, kemi thjeshtuar procedurat për investimet në energjinë e rinovueshme dhe kemi avancuar zbatimin e paketës së integrimit të tregut të energjisë me Bashkimin Evropian.

Një tjetër arritje e rëndësishme është miratimi i Planit Kombëtar për adresimin e varfërisë energjetike, si dhe i kuadrit ligjor për komunitetet e energjisë, një masë e shumëpritur nga të gjithë vetëprodhuesit e energjisë. Këto masa krijojnë më shumë mundësi për qytetarët, bizneset dhe pushtetin vendor që të jenë pjesë aktive e tranzicionit energjetik.

Po aq domethënës është edhe fakti që ne kishim detyrim për të instaluar 600 mega kapacitete deri më datë 30 qershor 2026, kapacitete të energjisë së rinovueshme. Është fakt që tashmë ky kapacitet është instaluar dhe në Shqipëri kemi mbi 600 mega kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme. Kjo dëshmon qartë se reformat po shoqërohen me investime konkrete dhe rezultate të prekshme.

Përmbushja e këtyre masave nuk përbën vetëm një sukses në procesin e reformave, ajo sjell edhe përfitime të drejtpërdrejta për vendin. Miratimi i këtyre masave deri më 30 qershor 2026 i hap rrugën disbursimit të 61 milionë eurove në Buxhetin e Shtetit, në kuadër të Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave të Bashkimit Evropian. Këto fonde do të mbështesin investimet, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.

Sigurisht, disa masa janë ende në proces, por puna për përmbushjen e tyre vijon me të njëjtin angazhim dhe vendosmëri deri në realizimin e plotë të çdo detyrimi.

Në përfundim e ndjej të rëndësishme të falënderoj të gjithë strukturat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, institucionet dhe ndërmarrjet në varësi, si dhe çdo profesionist që ka kontribuar në arritjen e këtyre rezultateve. Këto janë fryt i një pune të përbashkët, të mbështetur në profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi.

Ne do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm për të përmbushur çdo reformë dhe çdo angazhim, duke ndërtuar një sektor energjetik më modern, më të qëndrueshëm dhe duke e afruar çdo ditë e më shumë Shqipërinë me Bashkimin Evropian.

❌