Normal view

Fruthi rikthehet në alarm! ISHP: Rrezik përhapjeje, prindërit po vonojnë vaksinimin e fëmijëve

By: E B
18 August 2026 at 22:59

Rastet me fruth nuk kanë munguar gjithë vitit në Shqipëri, por rënia e mbulesës vaksinale për shkak të skepticizmit e shton rrezikun e përhapjes tek të pavaksinuarit, por jo vetëm. Në Kosovë raportohen shifra të rritura të personave të infektuar.

“Fakti që ka në Kosovë rreziku është real, pasi ata vijnë për të pushuar në Shqipëri dhe çdo i pavaksinuar që bie në kontakt”, tha Rivena Daja, eksperte e ISHP.

ISHP raporton se ka një rritje të lehtë të vaksinimit me dozën e parë, por prindërit e shtyjnë në kohë vaksinën që bëhet ndaj fruthit në moshën 1 vjeç për shkak të dyshimeve që kanë në lidhje me autizmin.

“Me dozë të parë 83%, por për të krijuar mbrojtje duhet të varijmë në 97% me dy doza”, tha Daja.

Një fëmijë i infektuar me fruth ka 90% shanse për të infektuar një të pavaksinuar, qoftë ky fëmijë apo i rritur. Por, kur ka mbetur më pak se një muaj nga fillimi i shkollave, kopshteve dhe çerdheve, ISHP i bën thirrje drejtuesve të këtyre institucioneve të mos pranojnë asnjë fëmijë të pavaksinuar.

“Ligji i sëmundjeve infektive përcakton se asnjë fëmijë nuk mund të regjistrohet pa plotësuar kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit”, u shpreh ajo.

Gjatë gjithë vitit 2026 ka pasur një rritje të numrit të fëmijëve të infektuar me fruth, ku pjesa më e madhe e të infektuarve kanë qenë nën 5 vjeç dhe të pavaksinuar.

Përshkallëzohet përplasja Francë-Iran! Parisi dëbon dy diplomatë iranianë

By: E B
18 August 2026 at 22:47

Franca do të dëbojë dy diplomatë iranianë në ditët në vijim, tha sot Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot në një postim në platformën X.

Njoftimi erdhi një ditë pasi Ministria e Jashtme iraniane njoftoi se nuk do të lejonte që dy punonjës të ambasadës franceze në Teheran, të cilët ishin përfshirë në një mosmarrëveshje diplomatike, të ktheheshin në Iran.

Muajin e kaluar, Ministria e Jashtme Franceze raportoi se punonjësit e ambasadës franceze në Teheran ishin ndaluar dhe kërcënuar nga anëtarë të shërbimeve iraniane të sigurisë.

Londër/ Zjarr masiv përfshin qendrën e riciklimit, re të dendura tymi mbulojnë qiellin

By: E B
18 August 2026 at 22:40

Një zjarr masiv shpërtheu pasditen e së martës në një qendër riciklimi në Bermondsey, në juglindje të Londrës, duke shkaktuar një re të dendur tymi që u përhap në qiell mbi kryeqytetin britanik.

Zjarri ka rënë në një zonë të banuar, ku ndodhen edhe disa biznese. Për shuarjen e flakëve u mobilizuan rreth 100 zjarrfikës.

Incidenti rikthen shqetësimet për zjarret në këtë zonë, pasi një tjetër zjarr i madh kishte shpërthyer në Bermondsey edhe në muajin qershor.

Major fire in SE London. Recycling centre again #fire #bermondsey #selondon #londonfire #surreyquays #selondon pic.twitter.com/oXoZn1Fvhn

— Nikki909 (@Nikki90099) August 18, 2026

Autoritetet dhe ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Analiza e REL: Çfarë ndodh nëse Kosova mbetet pa president pas 4 tetorit?

By: E B
18 August 2026 at 22:31

Më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore gjatë së cilës, sipas Kushtetutës, postin e presidentit të Kosovës mund ta mbajë një ushtrues detyre.

Albulena Haxhiu, si kryeparlamentare e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës, filloi ta ushtronte detyrën e presidentes më 4 prill, kur Vjosa Osmanit i mbaroi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit.

Si rezultat i mosarritjes së një konsensusi mes partive politike parlamentare për emrin e presidentit të ardhshëm të Kosovës, vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kuvendi i dalë nga votimet e 7 qershorit ka mbetur pa u konstituuar, me gjithë kalimin e afatit kushtetues për një gjë tillë, teksa subjektet politike duken ende larg një marrëveshjeje për presidentin.

Çfarë nëse kreu i ri i shtetit të Kosovës nuk zgjidhet deri më 4 tetor? Kush do të udhëhiqte me Kosovën pas kësaj date?

Interpretimet janë të ndryshme, e një situatë e tillë nuk është paraparë nga akti më i lartë juridik në Kosovë – Kushtetuta.

Njohës të zhvillimeve politike e juridike në Kosovë konsiderojnë se nuk ka bazë kushtetuese që vendi të vazhdojë të udhëhiqet nga një ushtrues i detyrës së presidentit pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore.

Por, në Lëvizjen Vetëvendosje – parti e cila i fitoi zgjedhjet e fundit – vlerësojnë se postin do të mund ta ushtronte kryetari i ri i Kuvendit, deri në zgjedhjen e presidentit të ri.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë për Radion Evropa e Lirë se periudha gjashtëmujore për ushtrimin e detyrës së presidentit përbën afat absolut, dhe si i tillë nuk mund të përsëritet në asnjë skenar.

Moszgjedhja e presidentit të ri, deri më 4 tetor, sipas Cakollit, përbën skenarin më të rrezikshëm kushtetues me të cilin mund të ballafaqohet Kosova.

“Në një situatë të tillë, vendi do të hynte në një terren kushtetues, i cili, përveçse do të ishte serioz dhe i rrezikshëm, do të duhej medoemos të kishte parashtresë në Gjykatën Kushtetuese”, shprehet ai.

Melos Kolshi, hulumtues ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për Radion Evropa e Lirë se pas 4 tetorit, çdo vazhdim i ushtrimit të detyrës së presidentit do të ishte pa bazë kushtetuese, dhe do të cenonte seriozisht rendin kushtetues.

Ai konsideron se mungesa e presidentit me mandat kushtetues nuk është çështje formale – duke theksuar rolin që presidenti e ka në funksionimin dhe në formimin e institucioneve, në përfaqësimin e vendit, në sigurinë dhe mbrojtjen, dhe në procedurat e tjera që Kushtetuta ia rezervon kreut të shtetit.

“Mungesa e një personi që ka bazë kushtetuese për t’i ushtruar këto kompetenca do ta vendoste vendin përballë një krize të re institucionale dhe kushtetuese, për të cilën Kushtetuta nuk ofron një mekanizëm të qartë zgjidhjeje”, thotë ai.

LVV: Ushtrues të ri të detyrës së presidentit deri në zgjedhjen e tij
Situata shihet ndryshe në LVV.

Deputeti i LVV-së në Kuvendin e Kosovës, Adnan Rrustemi, thotë se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit është e varur nga pozita e kryetarit të Kuvendit.

Sipas tij, pas zgjedhjes, kryetari i ri i Kuvendit nis ushtrimin e detyrës së presidentit deri në zgjedhjen e presidentit. Afati prej gjashtë muajsh, i përcaktuar nga Kushtetuta, nis të rrjedhë nga fillimi, me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, thotë ai.

“Është në frymën dhe përmbajtjen, por edhe në funksionin e Kushtetutës, që të garantojë vazhdimësi institucionale. Asnjëherë, e për asnjë arsye, vendi nuk mund të mbetet pa president apo pa ushtrues detyre të presidentit. Vakum institucional nuk mund të ketë në asnjë rrethanë”, deklaron Rrustemi për Radion Evropa e Lirë.

Cakolli nga KDI thotë se interpretimi që afati gjashtëmujor automatikisht ripërtërihet me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit nuk qëndron në aspektin kushtetues.

Ai vlerëson se kjo do të ishte edhe e rrezikshme, pasi do të relativizohej rëndësia e zgjedhjes së presidentit.

“Në qoftë se do të mund të zgjidhnim një kryetar Kuvendi, kurdo që është në prag të skadimit të afatit gjashtëmujor, do të kishim vetëm ushtrues detyre të presidentit në vazhdimësi, e që, si e tillë nuk është ideja e as qëllimi pse ekzistojnë dispozitat kushtetuese në fjalë”, thotë Cakolli.

Sipas Kolshit nga IKD, afatet kushtetuese nuk mund të trajtohen si afate orientuese, ndërsa Kuvendi nuk mund ta normalizojë vendimmarrjen jashtë tyre.

“Nëse, megjithatë, arrihet në situatën kur përfundon afati gjashtëmujor, ndërsa presidenti i ri nuk është zgjedhur, atëherë kemi një paqartësi serioze”, thotë ai.

Në kërkim të një marrëveshjeje për presidentin, LVV-ja nuk ka propozuar kandidatin e saj për kryetar të ri të Kuvendit, duke lënë pezull konstituimin e legjislaturës së 11-të, që do t’i hapte rrugë edhe formimit të qeverisë së re.

Mungesa eventuale e një presidenti të zgjedhur pas 4 tetorit, sipas Cakollit, do të pamundësonte shumë procedura që duhet të ndiqen.

Përveç se vendi do të mbetej pa komandant suprem të ushtrisë, e pa organin që balancon pushtetet, Cakolli thotë se “nuk do të kishim instancë as për ta dekretuar mandatarin e ri për pozitën e kryeministrit, e aq më pak që të merren veprime që kanë të bëjë me, ta zëmë, çështjen e shpalljes së zgjedhjeve eventuale e të tjera”.

Ndërkohë, në debat është ngritur edhe çështja e afatit 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, i cili nis vetëm pas konstituimit të Kuvendit.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha për mediat se brenda kësaj periudhe partitë duhet “të gjejnë kandidatin që është i pranueshëm për të gjitha palët”.

Cakolli thotë se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit e ka krijuar një problem të dyfishtë me afatet kushtetuese: “Sa më shumë vonohet konstituimi, aq më shumë ky afat [60-ditor] shtyhet përtej 4 tetorit, kur përfundon afati gjashtëmujor i ushtruesit të detyrës së presidentit”.

Sipas tij, vonesa ia shkurton Kuvendit kohën që e ka në dispozicion për ta zgjidhur çështjen e presidentit para përfundimit të periudhës gjashtëmujore gjatë së cilës në vend të presidentit të zgjedhur mund të ketë ushtrues detyre.

“Nëse presidenti nuk zgjidhet dhe konsumohet edhe afati 60-ditor, krijohet një problem edhe më serioz sa i përket ushtrimit të kompetencës për caktimin potencial të zgjedhjeve, nëse ndërkohë ka përfunduar edhe afati kushtetues i ushtruesit të detyrës së presidentit”, thotë Cakolli.

“Ky është rreziku që është krijuar nga vonesa. Kemi dy afate kushtetuese që tashmë nuk ecin më paralelisht dhe, në skenarin e dështimit të zgjedhjes së presidentit, mund ta çojnë vendin në një situatë për të cilën Kushtetuta nuk ofron një zgjidhje”, paralajmëron ai.

Kolshi, ndërkaq, thotë se “afati maksimal gjashtëmujor për ushtrimin e detyrës së presidentit është afat i veçantë, dhe nuk lidhet me afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit”.

“Pra, fillimi eventual i afatit 60-ditor nuk e zgjat dhe as nuk e pezullon afatin gjashtëmujor të ushtruesit të detyrës së presidentit”, thekson ai.

Cila do të ishte zgjidhja?
Sipas IKD-së dhe KDI-së zgjidhja për gjithë këtë situatë është që çështja të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Cakolli thotë se së paku dhjetë deputetë të Kuvendit të Kosovës, me kalimin e 4 tetorit, do të duhej të kërkonin nga Kushtetuesja që, së pari, të vendoste masë të përkohshme, dhe, së dyti, të konstatonte se cili është efekti juridik i prodhuar nga dështimi i Kuvendit për të zgjedhur presidentin para skadimit të afatit gjashtëmujor të ushtrimit të detyrës.

“Pastaj i mbetet Gjykatës që, qoftë bazuar në dokumentet përgatitore të Kushtetutës, apo edhe në bazë të opinioneve që mund të marrë nga vendet e tjera, të përcaktojë se çfarë ndodh tutje: a vijon kryetari i Kuvendit, apo ka ndonjë instancë tjetër që do ta marrë atë pozitë”, thotë ai.

Përcaktimi i pasojave kushtetuese dhe i mënyrës së funksionimit të institucioneve në një situatë të tillë, edhe sipas Kolshit, do të duhej të ishte çështja kyç që do të definohej nga Gjykata Kushtetuese.

“Prandaj, zgjidhja duhet të kërkohet, para së gjithash, brenda afateve ekzistuese kushtetuese, përmes zgjedhjes së presidentit të ri. Lejimi që këto afate të kalojnë, pa zgjedhjen e presidentit, do ta fuste Kosovën në një territor kushtetues të paparashikuar, ku vazhdimi i ushtrimit të detyrës, përtej kufirit gjashtëmujor, nuk mund të justifikohet pa një bazë të qartë kushtetuese”.

Sipas Rrustemit të LVV-së, zgjidhja është zgjedhja e presidentit të ri, për të cilin, thotë ai, duhet të ketë dialog e marrëveshje politike.

Lidhur me mandatin e ushtrueses së detyrës së presidentit dhe veprimet që duhet të ndiqen në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri deri më 4 tetor, Radio Evropa e Lirë pyeti edhe në Zyrën e Presidentit, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti zgjidhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

Zgjedhja bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, apo me 80 vota nga 120 deputetët sa ka gjithsej Kuvendi i Kosovës.

Procesi i zgjedhjes së presidentit mund të organizohet deri në tri votime. Nëse as në rundin e tretë – kur kërkohen 61 vota nga të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë – asnjëri nga kandidatët nuk i merr votat e nevojshme, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh./REL

Fluks i lartë në Morinë! Mijëra kosovarë drejt bregdetit shqiptar, krijohet trafik në kufi

By: E B
18 August 2026 at 22:21

Në pikën e përbashkët kufitare të Morinit, fluksi i lëvizjeve të qytetarëve dhe mjeteve është pothuajse i njëjtë si gjatë fundjavës, por edhe në ditët e zakonshme. Mesa duket, qytetarët e Kosovës po shfrytëzojnë ditët e mbetura të këtij sezoni veror për të pushuar në bregdetin shqiptar.

Edhe mëngjesi i kësaj të marte nisi me fluks të lartë lëvizjesh nga Kosova drejt Shqipërisë. Pavarësisht aplikimit të procedurës së thjeshtuar të kalimit të kufirit pa kontrolle për të gjitha mjetet me targa të Shqipërisë dhe Kosovës, herë pas here vihen re kolona të gjata deri në thellësi të territorit të Kosovës. Kjo për shkak të procedurave standarde të kontrollit për automjetet me targa të shteteve të huaja. Shumica prej tyre u përkasin shtetasve nga Kosova që jetojnë e punojnë në shtetet e ndryshme të Europës, por që kanë ardhur këtë sezon vere për të kaluar pushimet bashkë me familjet e tyre.

Një pjesë e emigrantëve i kanë mbyllur pushimet verore dhe përmes pikës kufitare të Morinit po kthehen në shtetet ku jetojnë e punojnë. Gjatë orëve të para të ditës, kanë hyrë në Shqipëri rreth 2300 automjete dhe sipas policisë kufitare fluksi më i lartë ishte mes orës 5 deri në orën 7 të mëngjesit.

Nuk ka një shifër të saktë përsa i përket qytetarëve, për shkak të procedurave të regjistrimit, gjithsesi një mesatare ditore e përafërt i kalon 25 mijë në ditët e zakonshme, ndërsa fundjavat pothuajse dyfishi i këtij numri.

Është ende herët për të bërë një bilanc krahasues me sezonin e kaluar, por gjithsesi këtë vit mendohet për një numër më të lartë hyrje-daljesh përgjatë sezonit veror, jo vetëm në pikën e përbashkët kufitare të Morinit, por edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Këtë vit edhe Qafë Morina në Tropojë dhe Qafë Prushi në Has kanë shënuar rritje të numrit të qytetarëve në hyrje e dalje, për shkak të zgjerimit të hartave dhe guidave turistike që lidhen me rrugëkalimet drejt Parkut Kombëtar të Valbonës, Lumit të Shalës dhe Liqenit të Komanit.

Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: Përmirësohet situata, 4 vatra vijojnë të jenë aktive

By: E B
18 August 2026 at 22:10

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar të dhënat mbi situatën e zjarreve në vend.

Sipas Ministrisë deri në orën 20:00, situata e zjarreve paraqitet në përmirësim, me 7 vatra të regjistruara, nga të cilat 4 mbeten aktive dhe 3 nën monitorim.

Forcat operacionale vijojnë punën në terren, ndërsa mbështetja e Forcave të Armatosura ka qenë e konsiderueshme, me 140 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Njoftimi:

Ministria e Mbrojtjes – përditësim mbi situatën e zjarreve

(18 Gusht 2026 – ora 20:00)

Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 20:00, situata e zjarreve paraqitet në përmirësim, me 7 vatra të regjistruara, nga të cilat 4 mbeten aktive dhe 3 nën monitorim.

Forcat operacionale vijojnë punën në terren, ndërsa mbështetja e Forcave të Armatosura ka qenë e konsiderueshme, me 140 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Vatrat aktive kryesore:

* Dajt, Tiranë – Vijon puna për izolimin e vatrës me 50 efektivë të FA dhe 1 helikopter. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Priskë, vatra është riaktivizuar, por po ndiqet nga forcat operacionale dhe gjithashtu nuk rrezikon banesat.

* Lufaj, Mirditë – Vatra mbetet aktive, por me intensitet të ulët dhe avancim të lehtë. Forcat janë pozicionuar pranë zonës dhe nuk ka rrezik për banesat.

* Mali i Tërbunit, Pukë – Vijon operacioni në terren të vështirë. Janë angazhuar 13 zjarrfikës, 8 punonjës të Shërbimit Pyjor, 45 forca bashkiake, 22 vullnetarë dhe 30 efektivë të FA, me mbështetjen e 2 helikopterëve. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Zjarri në Gurë-Lurë është shuar plotësisht, pas një operacioni me rreth 150 forca vendore, 30 efektivë të FA dhe 2 avionë Air Tractor.

Gjithashtu është shuar plotësisht vatra në Bruç, Mat, ndërsa vatrat në Qafë Helmes, Tharri dhe Selenicë janë në monitorim dhe pa rrezik për zonat e banuara.

Në të gjitha vatrat vijon angazhimi dhe monitorimi i koordinuar i strukturave të Mbrojtjes Civile, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe kufizimin e përhapjes së zjarreve.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

“Gjithçka është antikushtetuese”, shpërthen ish-kryeministri: Kurti e katandisi Kosovën në kaos!

By: E B
18 August 2026 at 22:02

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se aktualisht i gjithë procesi i themelimit të institucioneve është antikushtetues.

Ai thotë se kemi një presidente që e ka detyrën për shkak se ka qenë kryetare e Kuvendit, por aktualisht nuk është, pasi nuk është mbledhur Kuvendi.

Po ashtu, kemi një kryeministër në detyrë që ka dy vjet që bën zgjedhje e nuk bën dot institucione.

Më poshtë postimi i tij:

I gjithë procesi i themelimit të institucioneve që duhet të dalin nga zgjedhjet parlamentare është në terren jokushtetues.
1. Kuvendi nuk është themeluar brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga certifikimi i zgjedhjeve. Kurdo që konstituohet, ai mund të kontestohet.
2. Funksionimi i Qeverisë në detyrë është jokushtetues pasi Kryeministri në detyrë dhe disa ministra janë betuar si deputetë, dhe sipas ligjit nuk kanë të drejtë të ushtrojnë funksione në qeveri. Vendimet e kësaj qeverie janë qartësisht të kontestueshme. Për këtë ka një aktgjykim të Gjykatës Supreme.
3. Nga betimi si deputete, ish Kryetarja e Kuvendit nuk mund të ushtrojë detyrën e Presidentes. Ajo nuk është më Kryetare e Kuvendit, pasi ajo legjislaturë është mbyllur me dhënien e betimit të 120 deputetëve të ri.
Shkaktari është Kurti dhe të gjithë ata që e pasojnë. Vetëm dikush që kundër vetë ekzistencës së shtetit të Kosovës e katandis rendin kushtetues në këtë gjendje kaosi dhe jokushtetutshmërie.

Alarm në Emirate! Aktivizohen sistemet e mbrojtjes ajrore pas kërcënimit raketor

By: E B
18 August 2026 at 21:54

Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe ka njoftuar se sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit kanë zbuluar një kërcënim raketor.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, ministria u ka bërë thirrje qytetarëve dhe banorëve që të ndjekin vetëm njoftimet dhe udhëzimet e publikuara nga burimet zyrtare.

Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu se tingujt e fortë që mund të dëgjohen në zona të ndryshme mund të lidhen me operacionet e përgjimit dhe reagimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore ndaj kërcënimeve raketore.

Ministria e Mbrojtjes deklaron se strukturat e saj janë në “gatishmëri të plotë” dhe të përgatitura për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi që mund të cenojë sovranitetin, sigurinë dhe stabilitetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Deri në publikimin e këtij njoftimi, nuk janë dhënë detaje të tjera mbi origjinën e kërcënimit apo nëse janë shkaktuar dëme.

Ura e Ibrit ende e mbyllur për makina, BE-ja kërkon koordinim mes Kosovës dhe komunave

By: E B
18 August 2026 at 21:47

Komisioni Evropian (KE) tha të martën se pret “koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës” për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër – që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Zëdhënësja e KE-së, Anita Hipper, tha në një konferencë për media më 18 gusht se qëndrimi i Bashkimit Evropian (BE) për urën është i qartë.

“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, deklaroi Hipper.

Duke folur për gjendjen aktuale, ajo rikujtoi se ura është e hapur për këmbësorë, por jo ende për qarkullimin e automjeteve.

“Ne e kemi bërë vlerësimin tonë, janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. dhe qëndrimi ynë mbetet se ende presim koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat duhet të përmirësohen”, tha Hipper.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ndërkaq, në një letër drejtuar emisarit të posaçëm evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, tha se Beogradi ka pranuar me shqetësim deklaratën e zëdhënëses së BE-së.

Sipas tij, në këtë deklaratë, BE-ja shprehu vlerësimin e saj se kushtet për rihapjen e urës janë përmbushur, raporton Tanjug.

Në letër, Petkoviq tha se një vlerësim i tillë është veçmas shqetësues për Beogradin, pasi, siç tha, nuk paraqet as situatën aktuale në terren as faktin që parakushtet për të cilat palët ishin pajtuar në kuadër të kornizës së dialogut, nuk janë përmbushur.

Deklarata e BE-së vjen pasi misioni paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, njoftoi më 10 gusht se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së tij të përhershme në urë.
KFOR-i tha se vendimi lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë, dhe se procesi do të jetë gradual dhe në varësi të kushteve. Ky mision, megjithatë, do të vazhdojë të mbajë prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut, si dhe në veri të Kosovës, në përgjithësi.

Ura kryesore mbi Ibër ishte bllokuar pas luftës së vitit 1999 dhe, ndër vite, ka qenë vatër e tensioneve etnike.

Kosova dhe Serbia u pajtuan për hapjen e urës në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Sipas planit të zbatimit, të dakorduar më 2016, ura duhej të hapej për trafik në janar të vitit 2017.

Punimet për revitalizimin e saj, në të cilat u investuan rreth 1.5 milion euro, përfunduan më 2018. Megjithatë, ura nuk u hap asnjëherë për automjete.

Në vitin 2024, përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e saj nxitën kundërshtime nga serbët lokalë, dhe kërkesa nga bashkësia ndërkombëtare që çdo veprim të bëhej përmes koordinimit.

Indonezia tronditet nga pasgoditjet, mbi 2 mijë lëkundje pas tërmetit 7.7

By: E B
18 August 2026 at 21:39

Indonezia po përballet me një aktivitet të fortë sizmik pas tërmetit me magnitudë 7,7, që goditi vendin të shtunën.

Sipas mediave lokale, deri tani janë regjistruar 2.119 pasgoditje, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se lëkundjet mund të vazhdojnë edhe për tre deri në katër javë.

Agjencia indoneziane e Meteorologjisë, Klimatologjisë dhe Gjeofizikës bëri të ditur se pasgoditjet kanë pasur magnituda nga 1,3 deri në 6,2. Prej tyre, 24 kanë qenë mbi magnitudën 5, ndërsa 70 lëkundje janë ndier nga banorët.

Tërmeti kryesor goditi të shtunën provincën East Nusa Tenggara, ku ndodhet edhe qendra turistike e Labuan Bajo, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Antara, bilanci deri tani është 68 viktima dhe 213 të plagosur.

Pas goditjeve të fuqishme, autoritetet kanë mbyllur përkohësisht disa prej atraksioneve turistike në ishullin Flores, me qëllim kryerjen e kontrolleve të sigurisë. Ndër vendet e mbyllura janë Shpella Rangko, Fshati Tradicional Wae Rebo dhe Parku Kombëtar Kelimutu.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive, më shumë se 12 mijë persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre për shkak të frikës nga pasgoditjet dhe janë strehuar në komplekse dhe fshatra të ndryshme.

Ekipet e emergjencave kanë evidentuar dëme të mëdha në infrastrukturë. Të paktën 914 banesa janë dëmtuar rëndë, 126 kanë pësuar dëme të moderuara dhe 317 dëme të lehta. Gjithashtu, janë dëmtuar 93 objekte arsimore, 36 objekte shëndetësore dhe 38 ndërtesa qeveritare.

Ndërkohë, aktiviteti sizmik vijoi edhe të martën me një tjetër tërmet të veçantë. Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare raportoi një lëkundje me magnitudë 5,8 në zonën e Ishujve Batu, në Sumatrën Veriore. Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së e vlerësoi tërmetin me magnitudë 5,6.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa ekipet në terren po punojnë për vlerësimin e dëmeve dhe për garantimin e sigurisë së banorëve.

Alarm në Vlorë! Dyshohet për lëndë plasëse në një fugon të braktisur (VIDEO)

By: E B
18 August 2026 at 21:32

Dyshohet për lëndë plasëse në një fugon në rrugën “28 Nëntori” në Vlorë. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po verifikon sinjalin e dyshuar.

Mjeti dyshohet se ka qenë i braktisur prej dy ditësh, ndërsa është tërhequr me karrotrec nga policia për verifikime të mëtejshme.

Durrës/ I riu plagoset me mjet prerës pas një sherri, dërgohet me urgjencë në spital

By: E B
18 August 2026 at 21:23

Një i ri ka mbërritur me urgjencë në spitalin e Durrësit, me plagë të shkaktuara nga mjete prerëse.

Burime bëjnë me dije se i riu është futur menjëherë në sallën e kirurgjisë, ndërsa ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.

Policia konfirmon për ABC News se ngjarja është regjistruar pak minuta më parë në zonën e Plazhit, pas një konflikti dhe sherri mes të lënduarit dhe një personi tjetër. Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Në vijim të hetimeve, policia po punon për identifikimin dhe kapjen e personit të përfshirë në konflikt, ndërsa po verifikohen rrethanat dhe dinamika e ngjarjes. Pritet që në vijim të ketë më shumë detaje mbi shkaqet e konfliktit dhe gjendjen shëndetësore të të riut.

Vrasja e turistit portugez në Ksamil, zbardhen emrat e të arrestuarve

By: E B
18 August 2026 at 21:17

Janë zbardhur emrat e personave të cilët kanë përfunduar në pranga në lidhje me vrasjen e turistit portugez, që u masakrua nga goditjet me thikë në Ksamil nga autori Sokrat Vata.

Bëhet fjalë për shtetasit :

Sokrat Lipan alias Sokrat Vata
Nuh Mahmutoglu, dhe Ezgi Perlak, të dy me shtetasi turke
Serxhi Selimi,
Ervis Bunci,
Ildi Cekani
Murat Zhabina
Miosid Matushaj
Luciano Seferi,
Romeo Shehu
Kristi Koshi

Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit David Heurtevent dhe Bekim Bulica.

Sipas hetimeve të policisë, 20-vjeçari portugez u përfshi në një konflikt në orët e para të mëngjesit në Ksamil, ku më pas dyshohet se u godit disa herë me thikë nga Sokrat Vata. I riu humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.

Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe persona të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në konflikt, kanë ndihmuar autorin të largohej ose nuk kanë kallëzuar ngjarjen në polici.

Në lidhje me ngjarjen, policia ka ushtruar kontrolle dhe ka shoqëruar dhjetëra persona, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar rolin e secilit prej të arrestuarve dhe personave të shpallur në kërkim.

Rezoluta për SPAK-un/ Kuvendi kërkon shmangien e paraburgimeve dhe goditjen e pasurive të korrupsionit

By: E B
18 August 2026 at 21:11

Mazhoranca socialiste ka miratuar në 23 korrik rezolutën ndaj SPAK-ut të siguruar nga Top Channel, ku ndër të tjera e udhëzon për shmangien e paraburgimeve.

Rezoluta, e cila mban firmën e kryeparlamentarit Niko Peleshi, i ka shkuar SPAK dhe i kërkohet që brenda 23 gushtit të hartojë një plan veprimi për zbatimin e 32 rekomandimeve të vitit 2026. Kuvendi i thekson Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që të rishikojë praktikën e masave të sigurimit personal, duke rritur përdorimin e masave alternative në përputhje me standardet europiane të të drejtave të njeriut.

“Kuvendi rekomandon për vitin 2026 analizimin çdo 4 muaj të kohëzgjatjes së paraburgimit dhe raportit të tij me dënimet përfundimtare, me qëllim evidentimin e rasteve kur koha e qëndrimit në paraburgim afrohet ose mbulon në mënyrë substanciale dënimin përfundimtar, si dhe marrjen e masave për shmangien e kësaj praktike”, theksohet në Rezolutën e Rekomandimeve të Kuvend-it për SPAK-un.

Më tej, vlerësohet e nevojshme reduktimi i stokut të çështjeve të mbartura dhe përmirësimi i dosjeve të dërguara për gjykim mbi të gjitha në lidhje me standardet e provueshmërisë.

Në dokument renditet me rëndësi edhe forcimi i kapaciteteve për hetime financiare dhe pasurore paralele. Kuvendi i rekomandon SPAK-ut rritjen e fokusit në konfiskimin e pasurive në çështjet e korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta të administratës publike, me qëllim që ndjekja penale të mos kufizohet vetëm në përgjegjësinë individuale, por të prodhojë edhe goditje reale të përfitimit ekonomik të paligjshëm.

“Kuvendi rekomandon për vitin 2026 zhvillimin e analizave periodike për efektivitetin e ndjekjes penale në çështjet ku përfshihen zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë, përfshirë jo vetëm numrin e procedimeve dhe personave të dërguar në gjykatë, por edhe shkallën e konfiskimit të pasurive. Vijimin e konsolidimit të rezultateve në hetimin dhe ndjekjen penale të çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, me synim rritjen e numrit të procedimeve që përfundojnë me vendime gjyqësore të formës së prerë, me fokus të posaçëm te korrupsioni i nivelit të lartë, pastrimi i parave, trafikimi i narkotikëve dhe veprat penale të kryera në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale”, theksohet në Rezolutën e Rekomandimeve të Kuvend-it për SPAK-un.

Kuvendi sugjeron edhe përshpejtimin e rekrutimit të hetuesve financiarë e të BKH-së dhe të oficerëve të policisë gjyqësore, duke shpërndarë në mënyrë të balancuar ngarkesën e punës. Porosi i lihet edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar si dhe përparimin e Sistemit Elektronik të Menaxhimit të Çështjeve, për të forcuar transparencën me raportim statistikor në kohë reale.

Në listën e rekomandimeve, ndër të tjera Kuvendi udhëzon Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit që të analizojë në përputhje me rekomandimin e BE-së, nevojën për rishikim të rregullave dhe procedurave lidhur me procesin e emërimit të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, për të qartësuar dhe garantuar procese të hapura, konkurruese dhe pa vonesa.

Raporti evropian: Rusia po armatos Iranin nëpërmjet Detit Kaspik! I dërgon TNT, municione dhe pjesë për dronë

By: A. Q
18 August 2026 at 21:03

Një rrugë e re furnizimi ushtarak iranian nga Rusia nëpërmjet Detit Kaspik është zbuluar nga një dokument i qeverisë evropiane (BE), i cituar nga NBC News.

Sipas dokumentit, përmbajtja e të cilit u konfirmua nga një zyrtar perëndimor, Rusia po transporton eksplozivë, pjesë dronësh dhe municione në Iran, duke kontribuar në përpjekjet e Teheranit për të zëvendësuar disa nga pajisjet ushtarake që humbi gjatë luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

Ngarkesa përfshin trinitrotoluen ( TNT ), një lëndë shpërthyese që mund të përdoret, ndër të tjera, për të prodhuar koka bërthamore.

Shkalla e transferimeve dhe sa larg ka përparuar arsenali i Iranit mbeten të panjohura, pasi agjencitë perëndimore të inteligjencës nuk i kanë bërë publike vlerësimet e tyre.

Pse Deti Kaspik është një “korridor i sigurt”

Me rëndësi të veçantë është rruga që Moska dhe Teherani dyshohet se kanë zgjedhur për të transportuar materialin në fjalë. Deti Kaspik është një det pa dalje në det, i kufizuar ekskluzivisht nga Rusia, Irani, Kazakistani, Turkmenistani dhe Azerbajxhani.

Statusi ligjor i Detit Kaspik nuk lejon praninë e forcave të armatosura nga vendet që nuk kanë qasje në të. Kjo praktikisht do të thotë që anijet luftarake amerikane ose të tjera perëndimore nuk mund të vendosen atje për të kapur ngarkesat që lëvizin midis porteve ruse dhe iraniane.

Në të njëjtën kohë, anijet mund të çaktivizojnë transponderët e sistemit të tyre të identifikimit automatik (AIS), duke e bërë më të vështirë monitorimin e lëvizjeve të tyre.

Kjo rrugë u lejon kështu të dy vendeve të anashkalojnë kalimet detare dhe pikat ku SHBA-të dhe aleatët e saj kanë aftësi shumë më të mëdha mbikëqyrjeje.

Qëllimi është rindërtimi i programit iranian të dronëve. Rëndësi e veçantë u kushtohet komponentëve të dronëve të përfshirë në ngarkesë.

Para luftës, Irani kishte zhvilluar një nga programet më të rëndësishme të dronëve në rajon, të përqendruar në Shahed, të cilin e kishte furnizuar edhe në numër të madh në Rusi për përdorim në luftën në Ukrainë.

Sulmet amerikane dhe izraelite kanë goditur një pjesë të konsiderueshme të aftësive ushtarake iraniane. Rivendosja e prodhimit të dronëve kërkon si komponentët e nevojshëm ashtu edhe eksplozivët për kokat e tyre luftarake – materiale që, sipas dokumentit evropian, përfshihen në dërgesat ruse.

Ndërrimi i roleve midis Moskës dhe Teheranit

Zhvillimi është gjithashtu i rëndësishëm për një arsye tjetër: ai përmbys në një farë mase rolet që Rusia dhe Irani kanë pasur deri vonë në bashkëpunimin e tyre ushtarak.

Për vite me radhë, rrjedha e pajisjeve ushtarake është zhvendosur kryesisht nga Teherani në Moskë. Irani i ka siguruar Rusisë dronë, si dhe asistencë teknike për zhvillimin e linjave të prodhimit përkatës në tokën ruse, për të forcuar Moskën në frontin ukrainas.

Tani, sipas informacioneve të reja, Rusia është ajo që furnizon ushtarakisht Iranin.

Për Moskën, forcimi i Teheranit shërben gjithashtu për qëllime më të gjera strategjike. Një Teheran më i fortë ushtarakisht mund ta detyrojë SHBA-në të mbajë më shumë forca dhe burime në Lindjen e Mesme, duke kufizuar potencialisht vëmendjen dhe mjetet që mund t’i ndajë Ukrainës.

Izraeli kishte nisur rrugën në mars

Kjo linjë furnizimi e veçantë ishte vënë tashmë në shënjestër nga Izraeli.

Sipas Times of Israel, sulmet ajrore izraelite në mars të vitit 2026 goditën portin e Bandar Anzali, në bregdetin verior të Kaspikut të Iranit.

Sulmet shkatërruan infrastrukturën portuale dhe anijet e Marinës Iraniane, me zyrtarët izraelitë që pretendojnë se qëllimi ishte ndërprerja e kësaj linje të veçantë furnizimi.

Megjithatë, provat në dokumentin evropian të cituar tani nga NBC News sugjerojnë se transferimet ose vazhduan ose rifilluan pas sulmeve izraelite. Prandaj,

sulmi ndaj Bandar Anzali duket se ka shkaktuar një ndërprerje të përkohshme ose ridrejtim në vend të një mbylljeje të përhershme të linjës.

Vështirë për të ndaluar rrjedhën

Gjeografia e Kaspikut e ndërlikon më tej çdo përpjekje për të kapur dërgesat.

Pesë vendet bregdetare kanë një sërë portesh, gjë që lejon një sërë rrugësh dhe e bën më të vështirë neutralizimin e rrjetit me sulme në një strukturë të vetme.

Moska dhe Teherani nuk kanë komentuar publikisht për dërgesat specifike.

Gjithashtu mbetet e paqartë nëse sasia e materialit rus është e mjaftueshme për të kompensuar humbjet e pësuara nga arsenali iranian nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit.

Ukraina po përdor dronët britanikë kundër Rusisë, Lavrov kërcënon Londrën: Do keni pasoja, rrezikoni të shiheni si pjesë e luftës!

By: A. Q
18 August 2026 at 20:55

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Rusia ka të drejtë ta konsiderojë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Britanisë në sulmet ndaj territorit rus si pjesëmarrje në luftën në Ukrainë, raportoi agjencia e lajmeve Interfax.

Komentet e tij erdhën pas publikimit të një artikulli të ‘Times’ të shtunën, se dronët e prodhuar në Britani ishin përdorur për herë të parë në sulme me rreze të gjatë veprimi ndaj Rusisë.

Pas publikimit, ambasada ruse në Londër paralajmëroi Britaninë për “pasoja” të paspecifikuara për furnizimin e Kievit me dronë.

Kryeministri britanik Andy Burnham tha sot se Britania do ta mbështesë Ukrainën “100%” në luftën e saj kundër Rusisë dhe do të qëndrojë pranë Kievit “në orën e saj të nevojës”.

Moska më parë ka akuzuar specialistët britanikë për pjesëmarrje në sulme në tokën ruse, duke thënë se roli i Britanisë do të “merret parasysh” në përgjigjen e saj.

VIDEO/ E frikshme, Musiala humbet përsëri ndjenjat në fushë në miqësoren e Bayern! Shikoni pamjet tronditëse

By: A. Q
18 August 2026 at 20:47

Dy ditë pasi i ra të fikët në një ndeshje miqësore kundër Leipzig, futbollisti Jamal Musiala pësoi një tjetër goditje shëndetësore.

Këtë herë kundër Heidenheim, në një miqësore të Bayern Munich.

Lojtari ndërkombëtar gjerman papritmas ra në tokë pa ndjenja, por disa minuta më vonë ai rifitoi vetëdijen me ndihmën e mjekëve dhe përfundimisht u largua nga fusha (VIDEO këtu).

Rënia e re vjen në një kohë veçanërisht të ndjeshme për 23-vjeçarin, i cili sapo ishte rikthyer në aksion pas dëmtimit të rëndë që pësoi në vitin 2025 dhe po përpiqet të rikthehet plotësisht në ritmin garues.

(VIDEO këtu)

“Shkaktar është Kurti”- Ngërçi politik në Kosovë, Abdulla Hoti: Të gjitha institucionet aktualisht janë antikushtetuese

By: A. Q
18 August 2026 at 19:59

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se aktualisht i gjithë procesi i themelimit të institucioneve është antikushtetues.

Ai shprehet se kemi një presidente që e ka detyrën për shkak se ka qenë kryetare e Kuvendit, por aktualisht nuk është, pasi nuk është mbledhur Kuvendi.

Po ashtu, kemi një kryeministër në detyrë që ka dy vjet që bën zgjedhje e nuk bën dot institucione.

Më poshtë postimi i Abdullah Hotit:

Të gjitha institucionet në Kosovë aktualisht janë antikushtetuese. I gjithë procesi i themelimit të institucioneve që duhet të dalin nga zgjedhjet parlamentare është në terren jokushtetues.

  1. Kuvendi nuk është themeluar brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga certifikimi i zgjedhjeve. Kurdo që konstituohet, ai mund të kontestohet.
  2. Funksionimi i Qeverisë në detyrë është jokushtetues pasi Kryeministri në detyrë dhe disa ministra janë betuar si deputetë, dhe sipas ligjit nuk kanë të drejtë të ushtrojnë funksione në qeveri. Vendimet e kësaj qeverie janë qartësisht të kontestueshme. Për këtë ka një aktgjykim të Gjykatës Supreme.
  3. Nga betimi si deputete, ish Kryetarja e Kuvendit nuk mund të ushtrojë detyrën e Presidentes. Ajo nuk është më Kryetare e Kuvendit, pasi ajo legjislaturë është mbyllur me dhënien e betimit të 120 deputetëve të ri.

Shkaktari është Kurti dhe të gjithë ata që e pasojnë. Vetëm dikush që kundër vetë ekzistencës së shtetit të Kosovës e katandis rendin kushtetues në këtë gjendje kaosi dhe jokushtetutshmërie.”

Kriza politike në Kosovë, mbyllet takimi mes kryeministrit dhe Abdixhikut! Kurti: Diskutuam kriteret për figurën presidentit të ri!

By: A. Q
18 August 2026 at 19:54

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se palët kanë diskutuar për kriteret dhe figurën e presidentit apo presidentes së re të Kosovës, duke shprehur vullnet për arritjen e një marrëveshjeje.

Kurti tha se qëllimi është që, në bazë të vullnetit të qytetarëve, Kosovës t’i sjellin një president apo presidente të re, pa pasur nevojë për zgjedhje të reja.

“Ne në bazë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës që vendit t’i sjellim një president apo presidente të re, që nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, që duhet të sigurojmë funksionim demokratik të institucioneve të shtetit dhe se për këtë mund dhe duhet të ndërtojmë mirëbesim. Shqyrtuam e diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes së re nga shumë kënde dhe në disa rrafshe, por në veçanti sa i përket vlerave, meritave dhe kontributit në shoqëri, për me sa vëzhgohet edhe në profesionet e caktuara. Është vendim tejet i rëndësishëm dhe është proces shumë i ndjeshëm”, është shprehur ai.

Aksident në bulevardin e Vlorës, dy skuterë përplasen ‘kokë më kokë’, plagosen drejtuesit!

By: A. Q
18 August 2026 at 19:50

Një aksident rrugor ndodhi pasditen e sotme (18 gusht) në bulevardin “Ismail Qemali” në Vlorë, në zonën e njohur si ‘Aleksandria’.

Dy drejtues skuterash janë përplasur me njëri-tjetrin, ndërsa si pasojë e aksidentit kanë mbetur të lënduar të dy.

Të plagosurit janë transportuar drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Paraprakisht nuk raportohen detaje të tjera për gjendjen shëndetësore të të lënduarve.

❌