Normal view

Qeveria e Jemenit pretendon se ka kryer gati 200 sulme ndaj rebelëve Huthi –

16 August 2026 at 19:21


Forcat e armatosura të qeverisë së Jemenit njoftuan të dielën se kanë kryer gati 200 sulme ndaj rebelëve Huthi të mbështetur nga Irani në 24 orët e fundit.

“Ushtria e Jemenit nisi 181 operacione ushtarake në 24 orët e fundit, duke përdorur dronë, artileri dhe raketahedhës”, sipas zëdhënësit Kolonel Majid Abdullah Al-Nuzaili.

Al-Nuzaili pretendoi se dhjetëra militantë Houthi ishin vrarë ose plagosur. Si qeveria ashtu edhe rebelët Huthi kanë raportuar përleshje dhe sulme me dronë përgjatë shumë pjesëve të vijave të frontit, të cilat shtrihen disa qindra milje nga bregu i Detit të Kuq deri në kufirin e Jemenit me Omanin.

Analistët thonë se Huthi-t duket se po mobilizohen për një ofensivë që do të synonte të merrte më shumë pjesë të vijës bregdetare të Detit të Kuq.


Home
Kryefaqja

Shiko në:

YouTube

Alarmi i zjarreve në Shqipëri, 27 vatra në 24 orë, 8 aktive dhe 4 nën monitorim

By: E B
16 August 2026 at 21:01

Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike përditësimin më të fundit mbi situatën e zjarreve në vend.

Deri në orën 20:00 të datës 16 gusht 2026, në territorin e Shqipërisë janë regjistruar 27 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive dhe 4 janë në monitorim.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 487 forca operacionale dhe 30 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë vendosur edhe 100 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive vijojnë të jenë në Dajt, Gurë-Lurë, Qafë Helmes, Bruç, Lufaj, Fushë-Lajë dhe Rrjoll.

Në Dajt ndërhyrja vijon me 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Gurë-Lurë vijon një angazhim i gjerë i forcave bashkiake, MZSH-së, policisë, ADZM-së, vullnetarëve dhe 50 efektivëve të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Korridoret e hapura në terren kanë penguar afrimin e flakëve drejt banesave dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Lufaj të Mirditës vijon puna e forcave në terren, me mbështetjen e një helikopteri të Forcave të Armatosura. Ndërkohë, zjarri në Tharri është vënë nën kontroll.

Në Zhejë të Kurbinit, zjarri është fikur plotësisht pas ndërhyrjes së MZSH-së, forcave bashkiake, policisë dhe një helikopteri të Forcave të Armatosura.

Në Fushë-Lajë të Pukës zjarri mbetet aktiv, por me intensitet të ulët dhe pa paraqitur rrezik për zonat e banuara. Në Rrjoll, situata po monitorohet nga afër, përfshirë edhe përmes përdorimit të dronëve.

Autoritetet vijojnë operacionet në terren për shuarjen dhe monitorimin e vatrave të zjarrit, ndërsa situata mbetet nën vëzhgim të vazhdueshëm.

Zjarri në Belgjikë alarmon Gjermaninë, evakuohen banorët pranë kufirit: Flakët vetëm 1.5 km larg

By: E B
16 August 2026 at 20:51

Autoritetet e qytetit gjerman Monschau, pranë kufirit me Belgjikën, u kanë bërë thirrje të dielën banorëve të zonave pranë kufirit të evakuohen, për shkak të një zjarri masiv pyjor që po përhapet në territorin belg dhe po afrohet drejt Gjermanisë.

Sipas autoriteteve lokale, fronti i zjarrit ndodhet rreth 1.5 kilometra nga kufiri gjerman dhe rreth 1.8 kilometra nga zona më e afërt e banuar.

Forcat zjarrfikëse kanë punuar gjatë gjithë natës për të vënë nën kontroll zjarrin, i cili konsiderohet si më i madhi në historinë e Belgjikës. Flakët kanë përfshirë që prej mesditës së së premtes parkun natyror malor Fagnes, në lindje të Belgjikës, dhe janë përhapur në drejtim të territorit gjerman.

Autoritetet belge bëjnë me dije se zjarri ka shkatërruar rreth 30 mijë hektarë sipërfaqe.

Edhe nëse flakët nuk arrijnë të kalojnë në territorin gjerman, autoritetet paralajmërojnë për ndotje të konsiderueshme të ajrit nga tymi.

“Për këtë arsye, banorëve të zonave pranë kufirit u është rekomanduar të evakuohen”, thuhet në njoftimin e autoriteteve të Monschau, qytet me rreth 12 mijë banorë.

Ndërkohë, autoritetet belge kanë urdhëruar tashmë evakuimin e qytetit Küchelscheid, i cili ndodhet rreth 10 minuta me makinë nga Monschau.

Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë përpjekjet për të frenuar përhapjen e zjarrit.

Hamza: Pas 6 vitesh në Hagë, 16 shtatori duhet t’i kthejë në shtëpi ish-krerët e UÇK-së

By: E B
16 August 2026 at 20:44

Në 16 shtator pritet të merret vendimi nga Gjykata Speciale në Hagë, për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se 16 shtatori duhet të jetë dita e lirimit të ish-krerëve të UÇK-së, që sipas tij po mbahen në qelitë e paraburgimit padrejtësisht prej 6 vitesh.

“Sot na ndajnë 30 ditë nga 16 shtatori, dita kur do të marrë fund procesi gjashtëvjeçar i padrejtë, që i ka mbajtur Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin të izoluar në Hagë. Gjashtë vite paraburgim. Gjashtë vite larg familjeve dhe Kosovës. Gjashtë vite përballje me paragjykime, tendenca, narrativa politike, shkelje të të drejtave dhe padrejtësi të shumta.

Pritshmëritë dhe kërkesat tona janë të qarta: drejtësi dhe lirim. Pas gjashtë vitesh, 16 shtatori duhet të jetë dita kur mbyllet ky kapitull i dhimbshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin tonë. Duhet të jetë dita kur katër ish-udhëheqësit e UÇK-së kthehen në shtëpi. Presim edhe 30 ditë. Presim drejtësi”, ka shkruar Hamza në rrjetet sociale.

Flamingo, 80 ditët pa të nesërme, pa fytyrë dhe emër

16 August 2026 at 20:32

Nga Ylli Pata

Në kulmin e rivalitetit ndërmjet Fatos Nanos dhe Ilir Metës, këtu e më shumë se 20 vjet më parë, skuadra e PR-it të kreu të PS-së, kishte zgjedhur një mënyrë perfide për të nxjerrë në pah përplasjen mes dy liderëve. Në sherrin e të cilëve, siç ndodh shpesh, fitoi një i tretë.

Ishte fushata elektorale e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001, ku në stilin amerikan liderët ftoheshin në stage me hitet botërore të muzikës. Që çuditërisht kanë ndryshuar fare pak edhe sot, edhe pse ka dalë IA si krijues i ri “intelektual”.

Zbritjen apo hipjen e Fatos Nanos në foltore e shoqëronin me “Let’s Get Loud” të Jennifer Lopez, e kthyer në hit botëror pas hapjes së Kampionatit Botëror të Femrave, në mitikun Rose Bowl t ë Pasadena-s-Los Angelos në 1999.

Kurse Ilir Meta, shoqërohej me një tjetër hit, kënduar nga një mit të muzikës botërore të viteve 80: Modern Talking: “No Face, no name, no number”.

Spinët e stafit të Fatos Nanos, me mjeshtëri u kujtonin kronistëve politikë simbolikën e zgjedhjes së këngëve, për të dhënë të kuptojnë atë çfarë donin të tregonin.

Nuk kaloi shumë kohë, e thuajse i gjithë stafi i Nanos, kaloi i gjithë për zotërinë që i kishin ofruar simbolikën e askushit.

Ky mish-mash simbolikash që lëviz me lehtësi të caktuar në narrativën politike shqiptare, në fakt është thelbi i asaj që është oferta e ardhur te publiku ndër vite. Ku për shembull, Sali Berisha, na erdhi në 2005-n, pak vite pas gjëmave të 1997 e 1998-s, me botoksin artistik të Fadil Berishës nga Nju Jorku, e slloganin e një filmi rumun shumë popullor në Shqipërinë komuniste që tregonte sagën e komisarit Roman që luftoi mafien reaksionare të Bukureshtit, menjëherë pas çlirimit të vendit nga Ushtria e Kuqe e Stalinit.

“Cu mâinile curate-Me duar të pastra”-ishte sllogani që këshilltarëve amerikano boshnjakë të fushatës së Berishës, duket ja kishte sugjeruar ndonjë nostalgjik i sagës popullore të komisarit Roman, të cilën ndaloi dhe komunizmi, ngaqë po shikoheshin si një lloj dissidence.

Vizatimi i doktorit të 1997-s me “Duart e pastra” ishte një guxim i madh në një Shqipëri, që mendohej se nuk i kishte harruar plagët e qametit. Ama qëlloi. Doktori u rikthye, me vështirës, me një operacion të fortë kthimit të xhaketave nga e mprapshta, e me mjaft make up vendas e ndërkombëtar, por u kthye. Më i fortë sesa në 1992. Këtë herë ishte “nishi” në të gjtiha drejtimet: Nuk kishte një kryeministër që e kundërshtonte, kundërshtarë e mocionistë apo një drejtësi kundër. i kishte të gjitha me vete, madje edhe presidentin e caktonte si të donte.

Se sa të pastra mbetën duart, është muhabet tjetër, e ku në këtë temë nuk ka ndonjëherë një diskutim racional e normal, por ku palët sipas llogoreve marrin përsipër të ngjyrosin sipas dëshirës e natyrisht interesit.

Megjithatë që nga “Cu mâinile curate” të doktorit të 2005-s, shumë sllogane kanë rrjedhur e arti i mendjes së kokave që së bashku me mjekrat mbushin këtë hapësirë që në epokën e Salës.

Epokë, e cila jo vetëm që nuk ka ikur, por na sjell ditë përditë, jo vetëm fytyrën, mënyrën dhe adetin e njohur të një vendi që duket se jeton “Groundhog Day”. Ku si në komedinë e famshme, nuk ka të nesërme, por vetëm të sotme, ku personazhi kryesor ka kohë, hapësirë, edhe mundësi të bëjë variacione pa fund mbi temën, deri sa të zbulojë atë nervin ku të gjejë lumturinë.

Në fakt Dita e Marmotës Phil, nuk ka qëndruar në vend vetëm me personazhin kryesor “Komisarin Roman” të “Duarve të Pastra”, por me të gjithë auditorin e qytetit provincial të Pennsylvania-s, i cili jo vetëm ushqehet e varet prej tij, por ka një lloj varësie, ngaqë e di se nëse personazhi kryesor që vijon të endet në të njëjtën ditë, e gjen lumturinë, atëherë zhduken të gjithë.

Një ditë e re lind mbi dëborën e bardhë të Punxsutawney-t, ku nuk ka më dje, as “tre bandat e Lubonjës” e as emisionet e ekspertëve që parashikojnë çdo tre ditë apokalipse të mëdha.

Por, në realitet e gjitha është një fantazi. Pasi e nesërmja ishte thjesht një vegim, jemi ende në Punxsutawney-t, me vetëm me një ndryshim. Ku nga Marmota Phil, ka gati 80 ditë që festohet Dita e Flamingos.

Që jo vetëm këtu, por në të gjithë botën, ku ka marrë shumë famë quhet “Revolucioni i Flamingove”. I cili ashtu si 2 shkurti i marmotës Phil pritet me shumë interes, aq sa të gjithë mediat e East Coast të SHBA dhe Kanadasë ja mësyjnë për të qenë në festën e madhe të popullit të Phil-it.

I gjithë ky revolucion i gjatë, duket se ka dalë nga e njëjta dorë e skenaristit të “Groundhog Day”, i cili nuk e kishte fare me banorët e Punxsutawney. Madje nuk ka qytet më atë emër, e ka shpikur vetë shkrimtari, për të treguar atë që donte ai.

Në këtë revolucion kanë dalë shumë fytyra, shumë emra, shumë video, e ka pasur pafund marshime e fjalime. Por deri tani nuk ka mbetur asnjë, madje shumë prej fytyrave dhe emrave që janë dukur në “ditën e djeshme” të flamingove po zihen me njëri-tjetrin, duke sharë e sulmuar. Duke shpikur histori e ngjarje, me shpresë se do të shkojnë të nesërmen me një “jetë më të lumtur”. Në fakt, edhe mund t’ja arrijnë sepse në këto afro 80 ditë mund të kenë thënë një fjalë më të mirë, të kenë menduar një vepër më të mirë, e ëndërruar diçka për nesër.

Por çdo mesdite del “komisari Roman” i cili kujton se e nesërmja nuk është aspak çështje kaq e thjeshtë, e çdo herë sjell versione sesi ajo do të arrihet, duke treguar ama se kush janë ata që nuk e lejojnë të bëhet. Adhuruesit nuk mungojnë komplimentet se ai nuk ndryshon kurrë, edhe pse ka vite që duan ta heqin.

Dhe në darkë, dalin doktorët me mjekra që vërtetojnë se e nesërmja nuk ka ardhur, jemi sërish në ditën e Marmotës. Nuk ka rëndësi nëse e ka emrin Phil apo Flamingo…

Tritoli i shkatërroi gjysmën e banesës, Ylli Zalla: Policia dhe bandat po tentojnë të më vrasin

By: E B
16 August 2026 at 20:22

Report Tv ka siguruar pamje nga pasojat e shkaktuara nga shpërthimi me tritol gjatë natës në banesën e Ylli Zallës në fshatin Zall në Fushë-Krujë.

Nga pamjet duket se sasia e lëndës plasëse ka qenë e konsiderueshme, pasi rreth gjysma e banesës ka dalë jashtë përdorimit.

Ndërkohë pranë banesës është shfaqur edhe vetë Ylli Zalla, i cili ndodhet në kërkim për atentatin në Rinas.

Përmes një videoje, Zalla mohon se tritolin e ka vendosur vetë për të marrë azil politik, teksa akuzon Policinë dhe bandat e krimit të organizuar se po përpiqen ta vrasin.

“Unë Ylli Zalla në nëntor 2025 vjen Policia e Shtetit më akuzon për lidhjen e Rinasit. Hyjnë makina, dalin makina. Pa ekspertizë e pa asnjë lloj prove më ngatërrojnë me bandat. Kalojnë disa muaj dhe gjejnë armatim, Ylli Zalla s’ka armatim. Pas kësaj, në qershor 2026, në datën 22 më vijnë Policia e Shtetit pas shtëpie me më vra vdek e në tokë. Unë jam hallexhi, kam fëmijët pa bukë. Ja çfarë më ka bërë mua Policia e Shtetit. Unë dyshoj te Policia dhe bandat. Gazetarët flasin kot, thonë kërkon azil. Unë nuk kërkoj azil, nuk largohem nga prona ime”, thotë mes të tjerash Zalla.

Ylli Zalla është shpallur në kërkim që prej nëntorit 2025, pasi është i dyshuar si bashkëpunëtor në atentatin e Rinasit. Më pas, në 20 shkurt të këtij viti, atij iu gjet edhe një arsenal armësh, me të cilat dyshohet se furnizonte grupet kriminale.

Shkrirja e Bashkisë Selenicë!

16 August 2026 at 20:06

Nga Silvana Begaj 

Reforma territoriale duhet të bëhet për t’i afruar shërbimet me qytetarin dhe për t’i bërë bashkitë më funksionale, jo thjesht për të zvogëluar numrin e tyre.

Selenica është një territor i gjerë, rural dhe me shumë fshatra të shpërndarë. Nëse Bashkia Selenicë shkrihet me Vlorën, për shumë banorë administrata do të largohet edhe më shumë. Banorët e Kotës, Sevasterit, Vllahinës dhe zonave të tjera nuk duhet të detyrohen të shkojnë deri në Vlorë për çështje që sot mund t’i zgjidhin shumë më pranë vendbanimit të tyre.

Jam kundër sepse:

– Selenica ka nevoja dhe prioritete të ndryshme nga qyteti i Vlorës.
– Ekonomia rurale, bujqësia, blegtoria, infrastruktura e fshatrave dhe tradita minerare kërkojnë vëmendje të posaçme.
– Brenda një Bashkie Vlorë shumë më të madhe ekziston rreziku që Selenica dhe fshatrat e saj të humbasin peshë në vendimmarrje.
– Investimet mund të orientohen natyrshëm drejt qytetit dhe bregdetit, ku është përqendruar popullsia dhe aktiviteti ekonomik.
– Selenica rrezikon të humbasë jo vetëm një institucion, por edhe zërin dhe përfaqësimin e saj lokal.
– Kursimi i disa kostove administrative nuk mund të jetë më i rëndësishëm se shërbimi që merr qytetari.

Dhe dua të shtoj diçka edhe nga përvoja ime personale.

Ndryshe nga problematikat që mund të hasen në shumë institucione të tjera vendore, unë kam konstatuar se Bashkia Selenicë ka staf profesional, korrekt, të sjellshëm dhe bashkëpunues. Kur një administratë lokale funksionon dhe qytetari gjen njerëz që e dëgjojnë dhe përpiqen t’i japin zgjidhje, kjo është një vlerë që duhet ruajtur dhe përmirësuar, jo zhdukur.

Sigurisht që Selenica mund dhe duhet të bëhet më e fortë. Mund të reformohet administrata, të rriten investimet, të fuqizohen njësitë administrative dhe disa shërbime të specializuara mund të realizohen në bashkëpunim me Vlorën. Por bashkëpunimi nuk kërkon shkrirjen e Bashkisë.

Një bashki nuk duhet të gjykohet vetëm nga numri i banorëve. Duhet të shohim territorin, distancat, fshatrat që administron, ekonominë, identitetin e zonës dhe, mbi të gjitha, sa pranë qytetarit është pushteti vendor.

Selenica nuk ka nevojë të zhduket si bashki. Ka nevojë të fuqizohet.

Unë jam KUNDËR shkrirjes së Bashkisë Selenicë dhe besoj se zëri i banorëve të saj duhet të dëgjohet përpara se të merret një vendim që do të ndikojë për shumë vite në të ardhmen e gjithë zonës.

@highlight Bashkia Selenice

Vuçiç paralajmëron zgjedhjet e parakohshme: Do t’i shpall shumë shpejt, do të jenë të vështira

By: E B
16 August 2026 at 19:55

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se zgjedhjet do të shpallen “shumë shpejt”, pa dhënë një datë të saktë, ndërsa bëri të ditur se fushata zgjedhore do të zgjasë nga 45 deri në 60 ditë.

“Do t’i shpall zgjedhjet shumë shpejt, që të mos habiten nga shpejtësia me të cilën do të shpallen. Fushata do të zgjasë nga 45 deri në 60 ditë”, tha Vuçiç.

Ai u shpreh gjithashtu se, sipas tij, kundërshtarët politikë po përgatiten seriozisht për procesin zgjedhor.

Vuçiç pretendoi se në këto përgatitje po marrin pjesë edhe të huaj, ndërsa shtoi se synimi i tij është, sipas tij, ruajtja e stabilitetit, paqes dhe unitetit të Serbisë.

“Do të jenë zgjedhje të vështira. Ata janë favoritë, por ne do të luftojmë dhe do ta shpëtojmë Serbinë”, deklaroi presidenti serb të dielën.

Sulm me dronë ndaj Rusisë, Moska pretendon 822 të rrëzuar dhe 7 viktima: Ukraina godet edhe fabrikën ushtarake

By: E B
16 August 2026 at 19:44

Ukraina ka kryer një nga sulmet më të mëdha me dronë ndaj Rusisë që prej fillimit të luftës, duke lëshuar qindra mjete ajrore pa pilot në disa rajone ruse. Sipas autoriteteve ruse, të paktën shtatë persona kanë humbur jetën në sulmet, ndërsa Ministria e Mbrojtjes në Moskë pretendon se ka rrëzuar 822 dronë ukrainas gjatë natës.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se rreth 600 dronë ishin drejtuar drejt kryeqytetit rus, ndërsa një pjesë e tyre u neutralizuan mbi rajonin e Moskës. Në një nga incidentet, një 83-vjeçar humbi jetën pasi një dron goditi një banesë private.

Sulmet shkaktuan gjithashtu dëme në disa zona. Në Podolsk, një magazinë në pronësi të kompanisë ruse Wildberries u përfshi nga zjarri, ndërsa në rajonin e Rostovit, një sulm me më shumë se 150 dronë vrau pesë persona, dëmtoi banesa dhe një stacion hekurudhor, si dhe shkaktoi një zjarr në një zonë pyjore.

Ushtria ukrainase konfirmoi se kishte goditur fabrikën “Kamensky” në rajonin e Rostovit, duke e cilësuar atë një objekt të rëndësishëm të industrisë ushtarake ruse që përdoret për furnizimin e forcave të armatosura.

Ndërkohë, edhe Rusia ka vijuar sulmet ndaj Ukrainës. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se një sulm me raketa në Kryvyi Rih vrau dy persona dhe plagosi 14 të tjerë, ndërsa një tjetër person humbi jetën në Sumy. Në Kiev, sulmet ruse shkaktuan zjarre në disa zona dhe plagosën gjashtë persona.

Sulmet e ndërsjella ajrore vijnë në një periudhë kur Ukraina ka intensifikuar përdorimin e dronëve dhe raketave me rreze të gjatë kundër objektivave ushtarake dhe energjetike në territorin rus, ndërsa Moska ka vazhduar goditjet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase.

Sherr mes shitësve të biletave në Portin e Vlorës, njëri nxjerr thikën dhe plagos tjetrin

By: E B
16 August 2026 at 19:30

Një konflikt këtë të diele mes dy shitësve të biletave për anijet turistike ka përfunduar në plagosje në qytetin e Vlorës. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në portin e Vlorës.

Debati mes tyre ka agravuar duke sjellë që njëri prej tyre të përdorë thikën për të plagosur personin tjetër me të cilin po konfliktohej.

Pas ngjarjes policia ka arrestuar autorin teksa i plagosuri është transportuar në spital ku po merr ndihmë mjekësore. Ende nuk dihen shkaqet që quan në agravimin e situatës teksa policia ka nisur hetimet.

Zjarri në Vlorë dhe tymi në Kosovë

16 August 2026 at 19:14

Nga Mero Baze

Zjarri në një hotel në qendër të Vlorës dhe kundërpërgjigjja e dobët ndaj tij është një aksident që ka shkaktuar, deri tani, së paku pesë të plagosur rëndë me djegie dhe dëme të mëdha materiale.

Ka dy reagime mbresëlënëse ndaj këtij aksidenti.

I pari vjen nga përfaqësuesi i operatorëve turistikë në Vlorë. Vasil Bedinaj, që drejton këtë organizatë, ka marrë përsipër të akomodojë gjithë pushuesit e hotelit, që kanë paguar për pushimet e tyre, falas në hotele të tjera të qytetit. Nuk di nëse do t’ia arrijë, por fakti që një institucion vetërregullues i turizmit arrin t’u dalë zot pasojave të një aksidenti, tregon një shkallë të avancuar të organizimit të tyre. Dhe ky është lajm i mirë. Solidariteti në këtë moment të vështirë për investitorin e dëmtuar dhe turistët që janë viktimizuar nga aksidenti lë një shije të mirë.

Reagimi tjetër, ai për viktimat, erdhi nga Kosova. Në aksident, së paku pesë të plagosur janë qytetarë të Kosovës, që kanë marrë dëmtime të shkallëve të ndryshme nga djegiet.

Reagimi i kryeministrit të Kosovës ishte dramatik.

E para dramatike ishte vetë fakti që reagoi.

Nuk them se nuk ka të drejtë të reagojë për qytetarët e vet që janë lënduar në një hotel që ka marrë zjarr, por reagimi duhet të jetë proporcional. Reagohet nga nivele ndoshta më të ulëta, nga Ministria e Shëndetësisë për të koordinuar ndihmën mjekësore ndaj tyre, apo dhe Ministria e Jashtme, për t’i çuar diku jashtë për trajtim serioz, të mbuluar nga shteti shqiptar apo së bashku me Kosovën.

Pra, një reagim që t’i adresohet problemit që kanë ata pesë qytetarë.

Kosova ka shtetas të saj që pësojnë aksidente kudo në botë. Diku rrëzohet një autobus, diku vdesin në aksidente automobilistike, apo në aksidente në punë në Perëndim. Aksidentet janë pjesë e jetës dhe reagimi ndaj tyre ka të bëjë kryesisht me përballimin e pasojave.

Nuk kam parë kurrë ndonjë reagim të qeverisë së Kosovës me këtë ton, si ky reagimi i Kurtit  për pesë qytetarë që janë lënduar në një hotel për shkak të një zjarri në Vlorë. Është shumë mirë të reagojë, duke u ardhur në ndihmë bashkë me qeverinë e Shqipërisë, por fakti që reagon vetë kryeministri dhe jo pjesa e administratës së tij që duhet të merret konkretisht me zgjidhjen e problemit, tregon se këtu kemi diçka më shumë se kujdes institucional për qytetarët e lënduar.

Dhe pikërisht këtu qëndron problemi me dramatizimin e ngjarjes. Më shumë sesa për zjarrin në Vlorë, Albin Kurti duket i interesuar për tymin e tij në Kosovë. Qytetarët e plagosur kanë nevojë për mjekë, trajtim dhe kujdes institucional, jo për një kryeministër që ua kthen fatkeqësinë në komunikatë politike.

Në reagimin e tij, kryeministri Albin Kurti u shpreh me nota dramatike për ngjarjen, me fjali të tipit “po ndjekim nga afër situatën”, “jemi shumë të tronditur”, “po bashkëpunojmë me autoritetet” etj., a thua se në Vlorë dikush kishte organizuar një akt terrorist ndaj pesë shtetasve nga Kosova që synonte shkatërrimin e qeverisë së Albin Kurtit.

Reagimi dramatik i Albin Kurtit për zjarrin në Vlorë kishte tone aq alarmante dhe të larta, sa duket sikur do ta nguliste në mendjen e njerëzve si një ngjarje negative në historinë kombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, madje në zemër të Vlorës.

Në një moment, gati-gati dukej sikur po thoshte:

“A ju kam thënë, bre pisa, mos shkoni në Shqipëri për pushime, po s’më keni dëgjuar.”
Për fat, deri tani s’kemi asnjë viktimë dhe shpresojmë që ata pesë të plagosur t’ia dalin deri në fund. Por, larg qoftë, nëse dikush nuk ia del dot, me këtë ritëm dramatizimi ka rrezik që Kurti ta shpallë edhe ditë zie kombëtare aksidentin, vetëm që ta marrin vesh të gjithë se nuk duhet me shku për pushime në Shqipëri.

Ja, ai ishte në Greqi në det dhe u kënaq. Nuk pati asnjë zjarr afër hotelit të tij ato ditë.

Tragjedi nga zjarret në Salaminë, 2 viktima dhe qindra të evakuuar, banorët nxirren me varka nga ishulli

By: E B
16 August 2026 at 19:01

Zjarret masive në Salamina të Greqisë i kanë marrë jetën 2 personave në zonën e Peristerias, ndërsa raportohet se rreth 364 të tjerë janë evakuuar.

Sipas mediave greke, një operacion i gjerë për evakuimin e civilëve përmes rrugëve detare është duke u zhvilluar aktualisht në ishullin e Salaminës, ku dy vatra të mëdha zjarri po përhapen me shpëjtësi.

Roja Bregdetare Helenike njoftoi se operacioni i evakuimit po zhvillohet në zonat detare pranë Peristerias, Kolones, Maroudit dhe Saterlit, nën koordinimin e Qendrës Operacionale të Rojës Bregdetare.

Në operacion janë angazhuar forca të Brigadës së Zjarrfikësve, mjete të Rojës Bregdetare, tragete, varka ndihmëse dhe mjete private.

Situata në ishull vijon të jetë kritike, pasi erërat e forta po vështirësojnë ndjeshëm përpjekjet për shuarjen e flakëve.

Zjarri i parë shpërtheu në zonën e Peristerias rreth orës 14:45, ndërsa rreth orës 15:00 u raportua edhe një vatër e dytë në zonën e Selinias.

“U bë armik nga protesta”, Gonxhja për fondin e Kanye West: Pse 3 milionë euro në Berlin janë normale dhe koncerti në Tiranë jo?

By: E B
16 August 2026 at 18:47

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja mbrojti edhe një herë mbështetjen me fond që qeveria i dha koncertit të Kanye West në Tiranë, vendim që u shoqërua me kritika në opinionin publik.

I ftuar në emisionin “Ditari i Pasdites” nga Denisa Pasholli në A2CNN, Gonxhja solli në vëmendje faktin që Shqipëria harxhon 3 milionë euro për një panair në Berlin.

Ministri vuri në dukje se do të vijohet me kokëfortësi te ekonomia e eventeve, pasi është mënyra më e zgjuar e promovimit të vendit.

S’e kuptoj pse duhej bërë ‘armik i klasave’ Kanye West! Edhe ata që do të donin të vazhdonin me protestën mund të ishin në event, mund të mos e kishin sabotuar një event që ishte për Shqipërinë dhe për ne, për të gjithë vendin tonë. Mund të mos kishim paguar ndoshta atë faturë që paguam, për shkak të këtij anatemimi dhe kësaj lufte donkishoteske me koncertin. Mund të kishim qenë më të zgjuar, më të pjekur dhe mund ta kishim eventin edhe pa e bërë atë harxhim nga ana e shtetit dhe të kishim fituar ato 6 pikë ca milionë euro, t’i kishim në arkën e shtetit, që do përdoren për nevoja që shteti gjatë vitit planifikon dhe rishpërndan”, tha Gonxhja.

“Ne do investojmë kokëfortësisht te ekonomia e eventeve, sepse është mënyra e promovimit të vendit më e zgjuar e mundshme. Ndoshta njerëzit nuk e dinë, por ne harxhojmë disa miliona euro në vit për të bërë disa panaire jashtë shtetit. Pse qenka normale të harxhojmë bie fjala në Berlin 3 milionë euro për tre ditë event, për 250 metra pavion, dhe pse nuk harxhokemi disa miliona euro për të bërë një megaevent, një gjë globale, ku do vijnë dhjetëra mijëra të huaj të huaj, edhe nga rajoni, do kenë një eksperiencë të veçantë dhe do ketë rekomandime pozitive për ta vizituar prapë”, vijoi ministri.

Pas zjarrit në hotel, operatorët turistikë në Vlorë hapin dyert për pushuesit: Akomodim falas dhe ndihmë për të dëmtuarit

By: E B
16 August 2026 at 18:36

Shoqata e Operatorëve Turistikë të Vlorës është solidarizuar me pushuesit e prekur nga zjarri që përfshiu në orët e para të mëngjesit ambientet e hotelit “Brooklyn”.

Disa njësi hoteliere në Vlorë, në bashkëpunim edhe me Bashkinë, kanë ofruar ambiente për akomodimin e pushuesve të prekur nga ngjarja, me qëllim që pushimet e tyre të mos ndërpriten.

Kreu i Operatorëve Turistikë, Vasil Bedini, bën me dije se turistët do të akomodohen pa pagesë në hotele të tjera. Ndërkohë, për pushuesit që kanë humbur veshmbathje apo sende personale nga zjarri, operatorët turistikë do të kujdesen për t’u siguruar gjithçka që u nevojitet.

Solidariteti i operatorëve turistikë synon që pushuesit e prekur nga ngjarja të vijojnë qëndrimin e tyre në Vlorë dhe programin e pushimeve, pavarësisht situatës së krijuar pas zjarrit

Tragjedi në Vlorë! 69-vjeçari gjendet i pajetë në oborrin e banesës, dyshimet e para

By: E B
16 August 2026 at 18:22

Një ngjarje e rëndë ka tronditur thellësisht pasditen e kësaj të diele fshatin Mallkeq në Vlorë. Prej ku mësohet se është vetëvrarë në oborrin e banesës së tij me atutomatik një shtetas 69-vjeçar, i identifikuar me inicialet K.B.

Sipas informacionit paraprak të dhënë nga blutë e Vlorës, 69-vjeçari dyshohet se vuante nga depresioni. Ndërkohë grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 16:00, në fshatin Mallkeq, dyshohet se është vetëvrarë me armë zjarri automatik, në oborrin e banesës së tij, shtetasi K. B., 69 vjeç.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se 69-vjeçari vuante nga depresioni.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Pas zjarrit në hotel, kryebashkiakja e Vlorës mbledh bizneset: Siguria e qytetarëve dhe pushuesve është prioritet

By: E B
16 August 2026 at 18:09

Pas situatës së vështirë të krijuar nga zjarri në Vlorë, kryetarja e Bashkisë, së bashku me ekipin e bashkisë, drejtuesin e operatorëve turistikë Vasil Bedini dhe përfaqësuesesit e biznesit zhvilloi një takim për të diskutuar masat dhe reagimin ndaj situatave të tilla.

Në një reagim të saj, kryetarja e bashkisë thekson se prioritet mbetet shëndeti dhe siguria e qytetarëve dhe pushuesve të prekur nga zjarri.

Ajo shprehet se është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët dhe qendrat spitalore ku të dëmtuarit po marrin kujdesin mjekësor.

“Si mjeke, si nënë e pastaj me të gjitha përgjegjësitë e kryetarit të bashkisë, jam në kontakt të vazhdueshëm me familjarët dhe qendrat spitalore”, shprehet ajo, duke uruar shërim të plotë për të gjithë të prekurit.

Kryetarja e Bashkisë Vlorë nënvizon gjithashtu rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit mes institucioneve, bizneseve dhe komunitetit për përballimin e situatave emergjente.

“Kur përballemi me to, duhet të jemi pranë njerëzve dhe të reagojmë menjëherë, të gjithë bashkë”, thekson ajo.

Gonxhja për “rifreskimin” e qeverisë: Vendimin e merr Rama, nuk më trembin protestat e shtatorit

By: E B
16 August 2026 at 17:57

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja foli në emisionin “Ditari i Pasdites” nga Denisa Pasholli në A2CNN për retreat-in në qeveri dhe aludimin për rifreskim të kabinetit. Gonxhja tha se retreat-et shërbejnë si një ndihmë për situatën dhe se pritet raportim nga ministrat. Ai theksoi se më pas është kryeministri ai që merr vendimin për qëndrimin e tij.

Këto retreat-e janë më shumë ndihmëse për situatën që nuk është po themi situatë goxha stresante edhe në nivel drejtimi, ngarkese. Besoj që aty duhet të ketë raportim nga të gjithë ne dhe për këtë jemi të informuar. Pastaj nuk diskutohet që kryeministri merr qëndrimin e vet. Ne jemi të mandatuar nga kreu i qeverisë dhe jemi atje në një bashkërrugëtim, sipas detyrave qe kemi dhe performancës që kemi”, tha Gonxhja.

I pyetur nëse e tremb ideja që mund të kemi një rikthim të protestave masive në shtator, ministri Gonxhja tha se nuk e tremb kjo ide, por e shqetëson energjia e investuar gabim dhe e keqpërdorur.

Nuk më tremb fare si ide. Mua më shqetëson kur energjia jonë…sepse edhe ajo është një pjesë e vogël e energjisë së bashkëqytetarëve tanë. Më shqetëson kur kjo energji investohet gabim dhe kur keqpërdorohet, kur mund të jetë e keqinformuar, nga fakti që ne jemi në një fazë ku lajmi merret i mirëqenë, sepse vijmë nga një shoqëri që ka qenë gati symbyllur besuese ndaj lajmit që publikohet apo që shkruhet. Ne si shoqëri na ka rënë vigjilenca, s’jemi dyshues dhe pyetës ndaj vetes dhe asaj që shikojmë”.

Ministri Nufi: Forcat e Armatosura në vijën e parë të zjarreve, 100 efektivë në Lurë dhe Dajt

By: E B
16 August 2026 at 17:52

Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin në terren për përballimin e vatrave të zjarrit në Lurë të Dibrës dhe në Malin e Dajtit, me qëllim shuarjen e flakëve dhe mbrojtjen e komuniteteve.

Sipas ministrit Ermal Nufi, në Lurë të Dibrës janë angazhuar 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy avionë Air Tractor dhe një automjet zjarrfikës i FA. Aktualisht, banesat në zonë nuk janë të rrezikuara.

Ndërkohë, në Malin e Dajtit, 50 efektivë të FA dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore po punojnë për shuarjen e zjarrit. Zonat e banuara nuk paraqiten në rrezik, ndërsa vatra në aksin Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër raportohet nën kontroll dhe monitorim.

Ministri ka shprehur mirënjohje për efektivët që po punojnë në terren, duke vlerësuar profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e tyre gjatë situatës së zjarreve.

Postimi i plotë:

 Forcat e Armatosura në vijën e parë të përballimit të zjarreve!
Në Lurë të Dibrës dhe në Malin e Dajtit, Forcat e Armatosura vijojnë të jenë të angazhuara në terren për përballimin e vatrave të zjarrit dhe mbrojtjen e komuniteteve.
 Lurë, Dibër: 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor dhe një automjet zjarrfikës i FA, vijojnë operacionin. Aktualisht, banesat nuk rrezikohen.
 Mali i Dajtit, Tiranë: 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore po punojnë për shuarjen e zjarrit. Zonat e banuara nuk rrezikohen, ndërsa vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.
 Mirënjohje dhe respekt për çdo efektiv të Forcave të Armatosura që ndodhet në terren, për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e treguar në këto ditë të vështira.

 

Zjarri në hotelin e Vlorës, 4 shqiptarë të Kosovës mes të plagosurve, Kurti: Po ndjekim nga afër gjendjen

By: E B
16 August 2026 at 17:44

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas zjarrit që përfshiu një hotel në Vlorë, ku si pasojë mbetën të plagosur katër shqiptarë të Kosovës.

Në një status në Facebook Kurti iu uroi shërim të shpejtë të gjithë qytetarëve të lënduar, ndërsa njoftoi se autoritetet janë në komunikim me institucionet shqiptare.

“Sot, në orët e hershme të mëngjesit, një zjarr përfshiu një hotel në Vlorë, ku si pasojë u lënduan katër shtetas të Republikës së Kosovës, tre prej të cilëve po marrin trajtim spitalor në Tiranë dhe një në Vlorë. Jemi të tronditur nga lajmi dhe po e monitorojmë nga afër gjendjen e qytetarëve tanë, duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse në Shqipëri. Të lënduarve u dëshiroj shërim të shpejtë dhe të plotë”, shkruan kryeministri.

Nga zjarri që përfshiu hotelin në zonën e Lungomares mbetën të lënduar gjashtë pushues. Pesë të plagosur u transportuan për mjekim në Tiranë, ndërsa një vajzë ndodhet në gjendje të rëndë, me djegie në pjesën më të madhe të trupit.

Disa prej pushuesve u detyruan të hidhen nga ballkonet për t’i shpëtuar flakëve dhe tymit.

Zjarri shpërthen te bagazhet pak para nisjes së avionit drejt Londrës, dyshohet bateria e litiumit

By: E B
16 August 2026 at 17:35

Një ngarkesë me bagazhe që pritej të futej në hapësirën e bagazheve të një avioni të British Airways u përfshi nga flakët në aeroportin Malpensa të Milanos, ndërsa dyshimet e para janë se zjarri u shkaktua nga një pajisje me bateri litiumi brenda një valixheje.

Incidenti ndodhi të dielën, pak para nisjes së fluturimit BA585 me destinacion Londrën. Zjarri shpërtheu në kontejnerin që transportonte bagazhet drejt Airbus A321neo, ndërsa u shua nga zjarrfikësit pa shkaktuar të lënduar.

Si pasojë e incidentit, avioni u ngrit me më shumë se dy orë vonesë. Fluturimi ishte planifikuar të nisej në orën 13:45, por u realizua vetëm në orën 16:07.

Sipas informacioneve paraprake, shkaku i mundshëm i zjarrit është një pajisje me bateri litiumi që ndodhej brenda një valixheje. Hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë vijojnë.
Ekspertët e sigurisë ajrore paralajmërojnë prej muajsh për rrezikun që paraqesin pajisjet elektronike me bateri litiumi. Sipas tyre, nëse një zjarr i tillë do të shpërthente pasi bagazhet të ishin ngarkuar në hapësirën e bagazheve të avionit gjatë fluturimit, pasojat mund të ishin shumë më të rënda, pasi sistemet e mbrojtjes në këtë pjesë të avionit janë projektuar kryesisht për të frenuar përhapjen e flakëve dhe jo domosdoshmërisht për t’i shuar plotësisht ato.
Për këtë arsye, shumë kompani ajrore ndalojnë vendosjen e pajisjeve si power bank-et dhe disa bateri litiumi në bagazhet që transportohen në hapësirën e bagazheve të avionit.

❌