Normal view

PDK kërkon vazhdimin e seancës konstituive: Kushtetuta nuk është rekomandim!

11 August 2026 at 21:01

Partia Demokratike e Kosovës i ka kërkuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që ditën e mërkurë, 12 gusht, të thërrasë vazhdimin e seancës së Kuvendit të Kosovës.

Grupi Parlamentar i PDK-së i është drejtuar zyrtarisht Deharit, duke kërkuar që procesi i konstituimit të Kuvendit të vijojë pa vonesa të mëtejshme dhe deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të marrë nga qytetarët.

Në kërkesën e saj, PDK ka ftuar edhe grupet e tjera parlamentare dhe deputetët e zgjedhur që të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit, duke e cilësuar pjesëmarrjen e tyre si një dëshmi të gatishmërisë për të përmbushur përgjegjësitë që u kanë besuar qytetarët.

PDK ka reaguar edhe për situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar shtyrjen e procesit si shkelje të afateve dhe rregullave kushtetuese.

Në një reagim të publikuar në Facebook, partia e drejtuar nga Bedri Hamza ka theksuar se Kushtetuta përcakton që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

Sipas PDK-së, edhe Gjykata Kushtetuese e ka interpretuar këtë afat duke sqaruar se 30 ditët nuk janë vetëm afat për nisjen e procesit, por se brenda kësaj periudhe Kuvendi duhet të përfundojë konstituimin.

“Kushtetuta nuk është rekomandim. Aktgjykimet nuk janë zgjedhje. Rregullat vlejnë për të gjithë, edhe për pushtetin”, thuhet në reagimin e PDK-së, e cila e konsideron situatën aktuale si një goditje ndaj rendit kushtetues.

Ndërkohë, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është shtyrë pas kërkesës së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka kërkuar më shumë kohë për të arritur një marrëveshje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës lidhur me çështjen e presidentit të ardhshëm.

Sipas subjektit fitues të zgjedhjeve të 7 qershorit, mungesa e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Zjarr në Devoll, flakët përfshijnë zonën pyjore mbi Sinicë

11 August 2026 at 20:52

Një zjarr ka përfshirë një sipërfaqe pyjore në zonën e njohur si “Lëndina e Madhe”, mbi fshatin Sinicë në Devoll.

Pas marrjes së njoftimit për flakët nga shërbimi zjarrfikës i Bashkisë Devoll, drejt zonës është nisur një ekip prej 11 zjarrfikësish dhe 3 punonjësish të shërbimit pyjor.

Forcat në terren po punojnë për vënien nën kontroll dhe neutralizimin e vatrës së zjarrit, ndërsa ndërhyrja vijon.

Për momentin nuk dihet sipërfaqja e saktë e përfshirë nga flakët dhe as shkaku i rënies së zjarrit.

Shërbimet zjarrfikëse po monitorojnë situatën dhe po punojnë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve në zonën pyjore.

Hekurudhat shqiptare drejt standardeve të BE-së, hyjnë në fuqi rregullat e reja! Çfarë ndryshon…

11 August 2026 at 20:45

Sektori hekurudhor në Shqipëri po i nënshtrohet një procesi të thellë transformimi dhe përafrimi me standardet e Bashkimit Evropian. Përmes botimit të fundit në Fletoren Zyrtare, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka prezantuar rregullat e reja teknike për infrastrukturën, krahas një kornize të detajuar për monitorimin e performancës së tregut, kushteve sociale dhe shkallës së hapjes ndaj operatorëve të rinj.

Përafrimi teknik me BE-në, çfarë ndryshon?

Në qendër të këtij zhvillimi është Urdhri Nr. 179, i cili miraton rregulloren “Për kushtet teknike për ndërveprimin në lidhje me nënsistemin ‘Infrastrukturë’ të sistemit hekurudhor”. Ky dokument përfaqëson një hap thelbësor në kuadër të Agjendës Kombëtare të Reformave 2024–2027 dhe instrumentit evropian të rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Rregullorja e re përafrohet plotësisht me normat e Komisionit Evropian (konkretisht Rregulloren 1299/2014), duke garantuar që rrjeti shqiptar të jetë teknikisht i ndërveprueshëm dhe i aftë të integrohet pa pengesa me rrjetet e vendeve të BE-së. Për zbatimin e këtij udhëzimi janë ngarkuar Autoriteti i Sigurisë Hekurudhore, administratorët e infrastrukturës dhe sipërmarrësit e këtij sektori.

Urdhri do të shfuqizohet automatikisht në ditën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, moment kur rregulloret evropiane do të kenë zbatim të drejtpërdrejtë në vend.

Transparenca dhe monitorimi i tregut

Kushtet e reja teknike shoqërohen me një standardizim të lartë të raportimit institucional. Autoritetet kërkojnë tashmë një transparencë maksimale për të monitoruar shkallën e hapjes së tregut. Të gjitha sipërmarrjet hekurudhore që zotërojnë mbi 1% të tregut do të duhet të raportojnë pjesën e tyre, të ndarë specifikisht në shërbime komerciale dhe Shërbime të Detyrimit Publik (PSO), si për udhëtarët ashtu edhe për mallrat.

Kjo kornizë e re kërkon të dhëna të detajuara edhe mbi licencimin, duke përfshirë tarifat dhe kohën e nevojshme (në ditë kalendarike) për t’u pajisur me një licencë. Po ashtu, një seksion i veçantë i kushtohet kapaciteteve të infrastrukturës fizike, ku kërkohet skanimi i plotë i numrit të stacioneve (të ndara sipas fluksit të pasagjerëve, nga nën 1.000 deri në mbi 25.000 udhëtarë në ditë), terminaleve të mallrave, depove dhe impianteve të furnizimit.

Fokus te kushtet sociale dhe fuqia punëtore

Përtej elementeve teknikë dhe tregtarë, shteti po rrit monitorimin mbi kushtet sociale dhe trajtimin e fuqisë punëtore në hekurudha. Operatoret janë të detyruar të raportojnë statistika të thelluara demografike për stafin, duke përfshirë ndarjen gjinore (përqindjen e burrave dhe grave) dhe grup-moshat (nën 30 vjeç, 30–50 vjeç, dhe mbi 50 vjeç).

Stabiliteti i punësimit është një tjetër tregues kyç; sipërmarrjet duhet të deklarojnë llojin e kontratave të punonjësve (të përhershme, të përkohshme, me kohë të pjesshme, apo praktika). Ky standardizim pritet të ofrojë një pamje të qartë mbi mbrojtjen e të drejtave të stafit, në veçanti për kategoritë specifike si makinistët e trenave dhe mirëmbajtësit e infrastrukturës.

Amerikanët qëllojnë anijen, përshkallëzohet situata në Lindjen e Mesme

11 August 2026 at 20:00

Katër anëtarë të ekuipazhit të një anije, humbën jetën të martën gjatë një sulmi nga rebelët Houthi – të mbështetur nga Irani –në ngushticën Bab el-Mandeb, njoftoi Ministria e Transportit e Jemenit; ndërkohë, burime të tjera raportuan për një sulm me raketë ndaj një anijeje kontejnerësh pranë brigjeve të Pakistanit, që dyshohet të jetë kryer nga SHBA-ja.

Vdekjet në bordin e anijes “Tihamah” (në pronësi egjiptiane), nëse konfirmohen, do të shënonin rastet e para fatale gjatë një sulmi të Houthi-ve ndaj anijeve tregtare që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt. Houthi-t nuk e kanë marrë përsipër përgjegjësinë për këtë sulm.

Ministria jemenase bëri të ditur se viktimat ishin tre shtetas pakistanezë dhe një indonezian, duke shtuar se ekuipazhi humbi kontrollin e anijes pas sulmit.

Tre pjesëtarë të Rojës Bregdetare u plagosën pasi u vunë në shënjestër nga një dron ndërsa përpiqeshin të shpëtonin ekuipazhin, thanë burime ushtarake jemenase. Më 20 korrik, Houthi-t shpallën një embargo detare ndaj Arabisë Saudite në Detin e Kuq, si kundërpërgjigje ndaj asaj që ata e përshkruan si rrethim saudit. Riadi e mohon se Jemeni ndodhet nën rrethim.

Anija u godit nga një predhë e panjohur, sipas një raporti të marrë nga agjencia UKMTO (Operacionet Detare Tregtare të Mbretërisë së Bashkuar), e cila është e lidhur me Marinën Britanike.

Incidenti ndodhi ndërsa anija ishte e ankoruar në verilindje të ishullit Perim, në Jemen, njoftoi grupi britanik i sigurisë detare “Ambrey”.

Ndërkohë kontenjeri “Vela Nova” – që lundronte me flamur të Panamasë – u godit nga një raketë pranë brigjeve të Pakistanit ndërsa hynte në Gjirin e Omanit, thanë për agjencinë Reuters burime të sigurisë detare.

Gazeta “The Wall Street Journal” raportoi se anija u sulmua nga një helikopter amerikan, i cili qëlloi me një raketë “Hellfire” drejt timonit të anijes, pasi ajo u përpoq t’i shmangej bllokadës amerikane ndaj anijeve të lidhura me Iranin në rajon.

Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Komanda Qendrore e SHBA-së.

Nëse konfirmohet, ky do të ishte anija e 12-të e sulmuar nga forcat amerikane që nga shpallja e bllokadës në prill dhe e treta që nga rivendosja e saj më 14 korrik.

Nga karburantet te faturat e shtëpisë, çfarë e nxiti rritjen e inflacionit gjatë muajit korrik?

11 August 2026 at 19:47

Ritmi i rritjes së çmimeve të konsumit në Shqipëri ka pësuar një përshpejtim të ndjeshëm gjatë muajit korrik. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) tregojnë se norma e inflacionit e matur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK) arriti në 3,4 për qind në muajin Korrik 2026.

Ky nivel shënon një rritje të dukshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku në korrik 2025 inflacioni fiksohej në 2,5 për qind. Në krahasim me muajin paraardhës (qershor 2026), çmimet e konsumit u rritën me 0,2 për qind.

Ushqimet dhe strehimi, “pesha” kryesore në xhepat e qytetarëve

Sipas analizës së INSTAT, rritja vjetore e çmimeve gjatë muajit korrik është ndikuar në mënyrë përcaktuese nga dy grupe kryesore që zënë edhe pjesën më të madhe të shpenzimeve familjare:

“Ushqime dhe pije joalkoolike”, i cili ka kontribuar me +1,18 pikë përqindje në nivelin e përgjithshëm të inflacionit.

“Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, që ndikoi me +0,83 pikë përqindje.

Gjithashtu, një ndikim të ndjeshëm në rritjen e inflacionit dhanë edhe kostot e Transportit (+0,52 pikë përqindje), si dhe pajisjet e mirëmbajtjes së shtëpisë (+0,23 pikë përqindje).

Transporti shënon rritjen më të madhe vjetore, ulen veshjet

Për sa i përket ecurisë vjetore sipas grupeve (korrik 2026 përkundrejt korrikut 2025), rritja më e lartë e çmimeve u regjistrua në grupin “Transporti” me 8,0%, i pasuar nga “Argëtim, sport dhe kulturë” me 6,0%, “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,5%, si dhe “Qira, ujë, energji elektrike, gaz e karburante” me 4,1%. Çmimet e ushqimeve u rritën me 3,5% me bazë vjetore.

Në krahun tjetër, prirje rënëse të çmimeve shfaqën vetëm dy grupe: “Veshje dhe këpucë”, çmimet e të cilave u ulën me 1,8%, dhe “Informacioni dhe komunikimi”, me një ulje prej 0,9%.

Ecuria mujore, transporti kërcen me 4,7% në korrik

Për sa i përket ndryshimeve në krahasim me muajin qershor 2026, shtrenjtimi më i fortë i çmimeve brenda një muaji u vërejt sërish te Transporti, me një rritje prej 4,7%. Ky kapërcim u ndoq nga grupi i shpenzimeve për banesën dhe energjinë (+0,6%) si dhe argëtimi e kultura (+0,4%).

Ndërkohë, gjatë muajit korrik u vu re një lirim i lehtë i çmimeve në disa sektorë: komunikimi ra me 1,5%, veshjet me 1,3%, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike shënuan një rënie lehtësisht sezonale prej 0,5% krahasuar me qershorin.

Sipas INSTAT, përllogaritjet e reja të IÇK-së mbështeten tashmë në klasifikimin e azhornuar evropian ECOICOP 2018 (me vit reference 2025=100) dhe bazohen në një shportë prej 411 produktesh e shërbimesh, duke u harmonizuar plotësisht me metodologjitë ndërkombëtare.

E zhytur në krizë institucionale, Kosova rrezikon humbjen e përhershme të milionave nga BE-ja

11 August 2026 at 19:34

Bashkimi Evropian ka alokuar afro 170 milionë euro për Kosovën, në kuadër të Planit të tij të Rritjes, për gjysmën e dytë të vitit 2026.

Por, Kosova rrezikon të humbë një shumë të konsiderueshme të këtyre mjeteve, nëse vazhdon kriza politike dhe mosfunksionimi i institucioneve shtetërore. Ajo mund t’i përfitojë mjetet financiare nga BE-ja vetëm nëse i ndërmerr reformat e domosdoshme.

Më shumë se dy muaj pas zgedhjeve të parakohshme parlamentare, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar. Seanca konstituive, e nisur më 6 gusht, u shty dy herë, me kërkesë të kreut të partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje.

Albin Kurti kërkoi kohë shtesë për konsultime me partitë e tjera lidhur për arritjen e një marrëveshjeje të gjerë politike, që përfshin edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm. Pikërisht mungesa e konsensusit mbi presidentin çoi Kosovën në zgjedhjet e parakohshme.

Komisioni Evropian (KE) paralajmëron se zvarritja e formimit të institucioneve të reja, pas votimeve të 7 qershorit, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në zbatimin e reformave dhe në qasjen e Kosovës në fondet e BE-së.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Guillaume Mercier, përsërit thirrjen e rregullt të Brukselit drejtuar aktorëve politikë në Kosovë për të siguruar stabilitet institucional.

Është thelbësore që institucionet e Kosovës të konstituohen pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me kornizën kushtetuese dhe me procedurat e përcaktuara”, thotë Mercel për Radion Evropa e Lirë (REL).

Vonesat në formimin e institucioneve rrezikojnë të pengojnë reformat e rëndësishme dhe mund të ndikojnë në aftësinë e Kosovës për të përfituar plotësisht nga mundësitë e ofruara nga BE-ja, duke përfshirë edhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, shton ai.

Në dhjetor të këtij viti skadon afati për përmbushjen e gjithsej 27 hapave reformues nga Prishtina zyrtare, me një vlerë totale prej 165.9 milionë eurosh.

Shumë zyrtarë evropianë, me të cilët ka biseduar REL-i, tashmë flasin për humbje shumëmilionëshe, që Kosova mund të pësojë si pasojë e krizës institucionale.

Ndërsa Komisioni Evropian është duke vlerësuar raportimin e Kosovës për këta hapa, situata politike në vend ka ndikuar në mënyrë të pashmangshme në ritmin e zbatimit dhe ka kufizuar përparimin në një numër reformash kyç, duke vënë në rrezik një pjesë të financimit në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje“, thotë për REL-in një zyrtar evropian, në kushte anonimiteti.

E para në hartimin e Agjendës së Reformave, e fundit në raportim

Kosova ishte ndër të parat që dorëzoi Agjendën e Reformave në vitin 2024, por ishte e fundit që paraqiti raportin mbi nivelin e zbatimit të saj.

Autoritetet kosovare paraqitën kërkesën e parë për shpërndarjen e mjeteve, pak para skadimit të afatit, më 15 korrik 2026, duke raportuar për hapat e Agjendës së Reformave që fillimisht ishte paraparë të përmbusheshin në dhjetor 2024, qershor 2025, dhjetor 2025 dhe qershor 2026.

Për të ruajtur financimin në dispozicion, do të jetë thelbësore të sigurohet funksionimi efektiv i institucioneve dhe konsensusi politik i nevojshëm për të mbajtur fokusin e qëndrueshëm në zbatimin e agjendës së dakorduar të reformave“, nënvizon një burim evropian.

Zëdhënësi i KE-së, Mercier, thekson se një marrëveshje e shpejtë midis partive politike për një kandidat unifikues për president ka rëndësi të veçantë.

Vetëm një dialog efikas ndërpartiak dhe një ndjenjë e përbashkët e qëllimit do t’i lejojë Kosovës të ndjekë objektivat e përbashkëta dhe të realizojë reformat që kërkojnë qytetarët e saj“, thotë ai për REL-in.

Brenda 18 muajsh, Kosova kaloi nëpër tri procese zgjedhore, duke mbajtur dy herë zgjedhje parlamentare, si dhe zgjedhje lokale (dy runde).

Përmbushja e hapave reformues, në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së, kërkon angazhimin e të dy pushteteve: Qeverisë – e cila harton, negocion dhe zbaton objektivat konkrete të politikave – dhe Kuvendit, i cili miraton reformat përkatëse.

Dhjetori dhe rreziku për humbjen e përhershme të fondeve

Fundi i vitit 2026 shënon përfundimin e periudhës së tolerancës, e cila në Bruksel njihet si “periudha gri”, për hapat reformues që fillimisht duhej të përmbusheshin në shtetet e rajonit, përfshirë Kosovën, në dhjetor 2024 dhe dhjetor 2025.

Komisioni Evropian e mundësoi këtë periudhë tolerance, e cila i referohet kohës pas skadimit të një afati, gjatë së cilës veprimet e vonuara mund të korrigjohen ende pa shkaktuar pasojat që do të sillte mosrespektimi i afatit.

Sipas këtij parimi, të gjithë hapat reformues, që kishin afatin fillestar gjatë vitit 2024, kanë afat shtesë prej 24 muajsh për zbatim. Ndërkaq, për hapat që kishin afat gjatë vitit 2025, toleranca është 12 muaj.

Për të gjitha reformat e parapara për zbatim deri më dhjetor 2024, përkatësisht dhjetor 2025, afati përfundimtar është fundi i vitit 2026, kur rrezikohet humbja e përhershme e fondeve.

Nëse vendet përfituese nuk i përmbushin kushtet, përkatësisht nuk zbatojnë reformat e parashikuara, Komisioni Evropian ka të drejtë t’i mbajë fondet e destinuara për këta hapa reformues. Këto mjete mund të shpërndahen tek vendet tjera që janë më të suksesshme në procesin reformues.

Kosova, përfituesja më e madhe vetëm në teori

Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor është planifikuar për periudhën 2024–2027. Ajo ka vlerë prej 6 miliardë eurosh dhe paraqet paketën më ambicioze financiare për rajonin.

Alokimi i mjeteve të Planit të Rritjes është bërë bazuar në numrin e popullsisë dhe Prodhimin e Brendshëm Bruto. Nga kjo pako, për Kosovën janë alokuar 882.6 milionë euro, çka e bën atë përfituesen më të madhe për kokë banori.

Në periudhat e mëhershme, Kosova nuk u kualifikua për pranim të mjeteve nga Plan i Rritjes, meqë – gjithashtu për shkak të ngërçit politik – nuk ishin miratuar marrëveshjet relevante për këtë pako evropiane.

Pasi në shkurt të këtij viti Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjet që lidhen me Planin e Rritjes, Kosova u kualifikua për të përfituar nga fondet evropiane.

Deri më tani, Kosova ka pranuar vetëm mjetet e parafinancimit në vlerë prej 61.8 milionë eurosh, që përfaqësojnë 7 për qind të shumës së përgjithshme të alokuar.

Për fondet e tjera, Kosova duhet të dëshmojë zbatimin e hapave reformues, duke dorëzuar raportin për reformat e bëra.

Komisioni Evropian vendos për shpërndarjen e fondeve dy herë në vit, por vetëm pasi të ketë verifikuar se një vend ka përmbushur me sukses hapat dhe objektivat konkrete të përcaktuara në Agjendën e Reformave./REL

Nga “ankandi elektronik” te “sekretet shtetërore”, Ministria e Mbrojtjes prezanton ligjin e ri për prokurimet

11 August 2026 at 19:16

Ministria e Mbrojtjes ka hedhur për konsultim publik një projektligj tërësisht të ri që do të rregullojë procedurat e blerjeve dhe tenderave në sektorët strategjikë të vendit. Drafti i ri “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë” synon të shfuqizojë dhe zëvendësojë plotësisht ligjin aktual nr. 36/2020, për ta përafruar atë me standardet dhe direktivat e Bashkimit Evropian.

Nga amendament, në një ligj tërësisht të ri

Sipas relacionit shoqërues, nisma nisi fillimisht si një paketë e thjeshtë amendamentesh për të ndryshuar ligjin ekzistues. Megjithatë, pas konsultimeve me shërbimet e Komisionit Evropian dhe vlerësimit të bërë nga Programi SIGMA (një nismë e përbashkët e BE-së dhe OECD-së), u evidentua nevoja për ndërhyrje të thella. Ekspertët ndërkombëtarë vlerësuan se kuadri shqiptar përputhej vetëm pjesërisht me Direktivën 2009/81/KE. Duke qenë se ndryshimet e kërkuara preknin mbi 50% të përmbajtjes së ligjit të vitit 2020, qeveria vendosi rikonceptimin e plotë të tij në një ligj të ri për të shmangur paqartësitë juridike.

Ankandet elektronike dhe siguria e informacionit

Projektligji i ri sjell një sërë instrumentesh të munguara ose të rregulluara dobët më parë. Për herë të parë detajohet përdorimi i “ankandit elektronik”, si dhe parashikohet “njoftimi vullnetar për transparencë paraprake”.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar mbrojtjes së të dhënave sensitive. Projektligji harmonizon terminologjinë dhe masat mbrojtëse për kontratat që përfshijnë “informacion të klasifikuar” (sekret shtetëror), duke u mbështetur në ligjin e ri të vitit 2023. Gjithashtu, vendosen kritere strikte për nënkontraktorët, duke parashikuar një interval detyrues nënkontraktimi me kufi maksimal deri në 30% të vlerës së kontratës kryesore, si dhe rregulla të qarta për zbatimin e standardeve të NATO-s, standardeve evropiane të cilësisë dhe atyre mjedisore (EMAS).

Ankimet dhe kontrolli administrativ

Për të rritur transparencën dhe për të shmangur abuzimet, projektligji qartëson rolet e institucioneve mbikëqyrëse. Autoriteti i Prokurimit Publik (APP) ngarkohet me kontrollin e procedurave pas nënshkrimit të kontratës (deri në 3 vjet pas lidhjes së saj), ndërsa Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) mbetet filtri kryesor për ankesat e operatorëve ekonomikë. Afatet e ankimit janë bërë më dinamike, duke variuar nga 7 në 10 ditë, në varësi të vlerës së procedurës (nën apo mbi kufirin e lartë monetar). Për zyrtarët që shkelin rregullat me dashje, parashikohen gjoba nga 20 mijë deri në 500 mijë lekë, si dhe kallëzim penal.

Sipas relacionit të firmosur nga Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ky projektligj nuk ka efekte financiare për buxhetin e shtetit. Dokumenti, i cili ka kaluar tashmë fazën e bashkërendimit me ministritë e linjës, është i hapur për komentet dhe sugjerimet e palëve të interesuara për një periudhë 20-ditore.

Nxehtësi rekord dhe thatësirë në Britani, 27 milionë njerëz kanë nevojë për ujë

11 August 2026 at 15:00

Vitet e fundit, mbi një milion hektarë tokë në Evropë janë djegur nga zjarret, një sipërfaqe dyfish më e madhe se Liguria ose një e treta e Belgjikës. Megjithatë, trendi po përkeqësohet ndjeshëm, duke pasur parasysh se Kontinenti i Vjetër ka hyrë në këtë fazë të nxehtësisë ekstreme, duke u ngrohur me më shumë se dyfishin e shpejtësisë së të gjithë planetit.

Ndër vendet më të goditura janë ato që nuk kanë përjetuar kurrë një nxehtësi të tillë më parë si Britania e Madhe.

Tre të katërtat e Anglisë tani po përjetojnë kushte thatësire dhe presin me frikë kulmin e “valës së pestë” në vitin 2026. Bujqësia është në gjunjë dhe 27 milionë njerëz kanë parë ujin e tyre të rrjedhshëm të kufizuar.

Asnjëherë në 20 vitet e fundit, fermerët britanikë nuk e kanë korrur drithin kaq herët. Masat ujore po zhduken njëra pas tjetrës, me nivelet e ujit që bien midis 11% dhe 70% krahasuar me vitin e kaluar. Njëzet e dy përqind e rrjedhave të ujit klasifikohen si “jashtëzakonisht të ulëta”, dhe rrjedhat e tyre po i afrohen dhe po i tejkalojnë nivelet më të ulëta të mbajtura që nga viti 1976.

Të enjten, pas një vere me temperatura rekord, Britania pritet të thyejë rekorde të reja. Temperaturat parashikohet të arrijnë 36 gradë Celsius në pjesën më të madhe të vendit. Vetëm këtë vit, janë regjistruar 245 zjarre në vendet më të mbrojtura natyrore të vendit, ndërsa 45 milionë njerëz jetojnë në zona të goditura nga thatësira. Kufizime të rrepta në përdorimin e ujit të rubinetit janë vendosur në gjysmën e këtyre zonave.

Ashtu si Britania e Madhe, pjesa më e madhe e Evropës Perëndimore po përjeton një verë me dy fytyra për Kontinentin e Vjetër, i cili duket se është copëtuar nga ndryshimi i temperaturave midis Lindjes dhe Perëndimit. Ky është rezultat i ngrohjes globale dhe efekteve shkatërruese të El Niño , një fenomen moti që shkakton ngrohje jonormale të Oqeanit Paqësor, duke shkaktuar ngjarje ekstreme të motit në të gjithë globin.

Sipas të dhënave nga shërbimi evropian i Kopernikut, temperatura mesatare në Evropën Perëndimore në qershor dhe korrik ishte 21.62 gradë Celsius, 2.79 gradë mbi mesataren e viteve 1991-2020.

Kjo është vlera më e lartë ndonjëherë dhe tejkalon rekordin e mëparshëm të regjistruar në vitin 2022 me pothuajse 0.9 gradë. Ky ka qenë një fillim i jashtëzakonshëm i verës, për shkak të vazhdimësisë së valëve të nxehtësisë, gjithnjë e më të gjata dhe më të shpeshta, të cilat nuk u lënë zonave kohë të rikuperohen para se të goditen përsëri nga nxehtësia dhe thatësira. Një rreth vicioz, pasi nxehtësia përshpejton avullimin dhe than tokën. Tokat e thata, nga ana tjetër, zvogëlojnë ftohjen e prodhuar nga avullimi, duke favorizuar temperatura edhe më të larta.

Megjithatë, më e keqja nuk ka ardhur ende. Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike (OBM), El Niño do të vazhdojë të intensifikohet midis gushtit dhe tetorit, duke u shndërruar në një “super Niño”. Në të vërtetë, sipas agjencisë amerikane NOAA, ka shumë të ngjarë që të arrijë kategorinë “shumë të fortë” deri në fund të vitit, me pasojat e drejtpërdrejta të një fenomeni të këtij intensiteti që mund të vazhdojnë deri në vitin 2027.

Pra, çfarë mund të presim këtë vjeshtë? Parashikimi për gusht-tetor tregon një probabilitet të lartë të temperaturave mbi normalen në pjesën më të madhe të planetit. El Niño pritet gjithashtu të prodhojë rishpërndarjen e tij karakteristike të reshjeve , me kushte më të lagështa se normalet në pjesë të Azisë qendrore, Evropës jugore, Amerikës Veriore perëndimore dhe Amerikës Jugore juglindore. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se dimri i ardhshëm do të jetë më i ngrohtë, por ndikimi në temperaturat në vitin 2027 mund të jetë shkatërrues, me një rekord të ri nxehtësie në horizont.

“Arratisje” sekrete nga Turqia. Trump u fsheh në kamionin e ushqimit dhe ndërroi avionin

11 August 2026 at 14:51

Duket një skenar filmi, por në këtë rast është ngjarje e vërtetë. Donald Trump ndërroi avionët në mënyrë sekrete, ndërsa u largua nga samiti i NATO-s në Turqi muajin e kaluar.

Mediat amerikane raportojnë se kjo u bë për shkak të një kërcënimi të mundshëm për jetën e Presidentit nga Irani. Lideri i Shteteve të Bashkuara hipi në bordin e Air Force One përballe telekamerave, përpara se të zhvendosej përmes një kamioni kateringu të aeroportit dhe të transportohej në një avion ushtarak, pa dijeninë e gazetarëve dhe disa anëtarëve të stafit të Shtëpisë së Bardhë, shkruan “Washington Post”.

Mediat në SHBA, përfshirë CNN, raportojnë se shërbimi sekret amerikan kishte zbuluar informacione të besueshme se Irani do të qëllonte një raketë kundër avionit. Shtëpia e Bardhë nuk ka konfirmuar ende zhvendosjen sekrete të Presidentit, shkruan A2.

Trump ka konfirmuar gjatë samitit të Ankarasë se ai është shenjestra kryesore e Iranit. Manovra klandestine erdhi, në atë kohë, vetëm një ditë pasi ushtria amerikane kishte rifilluar sulmet ndaj shtetit të ajatollahëve pas dështimit të negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit për t’i dhënë fund luftës.

Trump kishte mbërritur në Turqi me avionin e ri të dhuruar nga Katari, por njoftoi se do të largohej në bordin e Air Force One për hir të kohërave të vjetra.

Megjithatë, kishte udhëtuar për në Britani me një avion ushtarak dhe më pas kishte hipur në avionin e dhuruar nga Katari për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara.

Zelensky: Rusia përdori raketa balistike të Koresë së Veriut në sulmet në Zaporizhia

11 August 2026 at 14:45

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka denoncuar përdorimin e raketave balistike të Koresë së Veriut nga Rusia në sulmet e fundit në Zaporizhia.

Në një postim në X, Zelenskyy e përshkroi sulmin si një “sulm çnjerëzor, që synon të shkaktojë dëme maksimale, veçanërisht në infrastrukturën që u shërben civilëve”.

Sipas raportimeve, gjashtë persona u vranë dhe 19 të tjerë u plagosën në zonë.

Zelenskyy tha gjithashtu se në Kiev një spital i sëmundjeve infektive u dëmtua nga një sulm, ndërsa goditjet ndaj nënstacioneve elektrike në Kherson dhe Kharkiv shkaktuan ndërprerje të energjisë.

“Çdo veprim i Rusisë – rritja e prodhimit të raketave balistike, furnizimi me pajisje nga Koreja e Veriut, përgatitja për mobilizim – e gjithë kjo tregon se Moska nuk po përgatitet për paqe, por për përshkallëzim”, tha presidenti ukrainas, duke u bërë thirrje aleatëve të përgjigjen me sanksione dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Zelenskyy paralajmëroi gjithashtu për rrezikun që paraqet transferimi i trupave dhe armëve nga Koreja e Veriut drejt Rusisë, si për Ukrainën, ashtu edhe për pjesën tjetër të botës.

Në një mesazh video të hënën në mbrëmje, presidenti ukrainas tha se, “për herë të parë”, Rusia “nuk mund të zhvillojë luftë pa përforcime nga Koreja e Veriut”.

“Sa më shumë sulme nga Koreja e Veriut të ndodhin këtu, në Ukrainë dhe në Evropë, dhe sa më shumë të përdoren raketat dhe ushtarët e saj, aq më shumë ato korrigjojnë mangësitë dhe dobësitë e tyre”, tha Zelenskyy, duke shtuar se kjo përbën një rrezik për pjesën tjetër të botës.

Në të njëjtin mesazh, ai përshëndeti edhe sulmin ajror ndaj një uzine petrokimike ruse në Siberinë perëndimore, të zhvilluar një ditë më parë, duke e cilësuar atë si një “arritje shumë të rëndësishme” të ushtrisë ukrainase.

BE, kritika Beogradit: Deklaratat për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit duhet të shmangen

11 August 2026 at 14:35

Bashkimi Evropian ka thënë se deklaratat për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, si dhe veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të shmangen.

“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian më 11 gusht.

“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata e tij nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua edhe nga një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.

Komisioni Evropian rikujtoi gjithashtu se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre evropiane. BE-ja komentoi edhe rrënimet e fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, me të cilat presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kishte lidhur deklaratën e tij për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.

Sa i përket situatës në liqenin e Gazivodës/Ujmanit, ne tashmë kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me rrënimet e fundit”, thuhet në përgjigje.

Sipas Komisionit Evropian, çdo masë zbatuese me pasoja të pakthyeshme duhet të respektojë procesin e rregullt ligjor.

“Personave të prekur duhet t’u jepet mundësi efektive për të kërkuar mbrojtje ligjore dhe, kur është e zbatueshme, mbrojtje të përkohshme gjyqësore para se masa të zbatohet”, thuhet në përgjigje.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në Kosovë, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit. Rreth dy të tretat e këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës. Uji nga sistemi i Ujmanit dhe Ibër-Lepencit furnizon shtatë komuna, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, të cilat prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.

Ekspertët që kanë folur më herët për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se devijimi i rrjedhës së Ibrit është teknikisht i mundshëm, por do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe, nëse do t’i shkaktonte dëme Kosovës, do të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare. Serbia është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit. Kjo konventë përcakton, mes të tjerash, parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe detyrimin për të mos u shkaktuar dëme të konsiderueshme shteteve të tjera. Kosova nuk është palë në këtë konventë, pasi nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Kishte shkuar me pushime në Republikën Domenikane, vdes tragjikisht adoleshentja britanike

11 August 2026 at 14:24

Një 16-vjeçare britanike ka humbur jetën në rrethana tragjike gjatë pushimeve familjare në Republikën Dominikane, ndërsa dy vëllezërit e saj kanë mbetur të plagosur rëndë.

Abbie Lainton, nga Suindon, ndërroi jetë më 30 korrik, gjatë qëndrimit në vendin e Karaibeve, ku kishte udhëtuar së bashku me prindërit, motrën Carley dhe vëllain Bradley. Dy vëllezërit e saj u dëmtuan rëndë në të njëjtin incident, ndërsa rrethanat e sakta të aksidentit ende nuk janë bërë të ditura.

Familja ndodhej në Republikën Dominikane për pushime, kur ndodhi ngjarja fatale. Deri më tani, nuk është sqaruar sesi Abbie dhe dy vëllezërit e saj u gjendën në situatë rreziku apo çfarë e shkaktoi ngjarjen. Familjarët dhe të afërmit po përballen me humbjen e vajzës së re, ndërsa vëmendja mbetet edhe te gjendja e dy fëmijëve të tjerë të familjes, të cilët mbetën të plagosur.

Abbie ishte nxënëse dhe anëtare e një ekipi cheerleading. Ajo pritej të merrte rezultatet e provimeve GCSE dhe, sipas miqve të familjes, po përgatitej të shijonte pushimet verore së bashku me shoqërinë e saj dhe të mendonte për të ardhmen.

Vdekja e saj ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe komuniteti ku ajo jetonte. Një mike e familjes, Becky Jamieson, e përshkroi Abbie-n si një vajzë shumë të dashur dhe theksoi se ajo kishte ende gjithë jetën përpara.

“Abbie ishte shumë e dashur nga familja e saj, miqtë dhe të gjithë ata që e njihnin”, tha Jamieson, duke kujtuar se 16-vjeçarja duhej të ishte duke shijuar verën me shoqërinë e saj dhe duke pritur rezultatet e GCSE-ve.

Në vend të festimit të rezultateve dhe vazhdimit të jetës shkollore, familja tani po përballet me një humbje të pariparueshme.

Në homazhin e saj, Becky Jamieson e përmbylli mesazhin me fjalët:“Për Abbie-n, përgjithmonë 16 vjeçe, përgjithmonë e dashur dhe kurrë e harruar.”

Aksident në Elbasan –Peqin, kamionçina përplaset me autobusin

11 August 2026 at 14:16

Një aksident u regjistrua sot në 11 gusht në aksin Elbasan-Peqin në fshatin Përparim.

Një kamionçinë u karambolua me një autobus, raporton gazetari i Klan News Fatos Salliu.

Si pasojë e aksidentit ka pasur dëme materiale, ndërsa udhëtarët kanë pësuar tronditje, por se nuk ka të lënduar.

Në vendin e ngjarjes shkoi policia për të normalizuar trafikun dhe për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.

Mega-operacioni në Spanjë, në hetim rrjeti shqiptar – Sekuestrohen 21 tonë kokainë dhe 1 mln € cash

11 August 2026 at 14:04

Një mega-operacion ndërkombëtar kundër trafikut të kokainës ka zbuluar një rrjet kriminal që shtrihej mes Ekuadorit, Spanjës dhe Dubait, me dyshime për përfshirjen e një grupi kriminal me origjinë shqiptare.

Në qendër të hetimit janë dy vëllezër biznesmenë nga Arnedo, në La Rioja të Spanjës. Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej tyre, agjentët e Njësisë Qendrore Operative të Gardës Civile gjetën rreth një milion euro cash, të fshehura në tre kuti këpucësh poshtë krevatit.

Sipas hetuesve, dy vëllezërit kishin në administrim rreth një duzinë kompanish që vepronin në transport, importin e produkteve ushqimore, parfumeri dhe shërbime portuale.

Dyshohet se këto biznese përdoreshin si mbulesë për futjen e ngarkesave të mëdha të kokainës në Evropë, përmes porteve të Valencias, Malagës dhe Algecirasit.

Në kuadër të operacionit “Mondragón”, autoritetet kanë sekuestruar në total më shumë se 21 tonë kokainë në Ekuador, Brazil dhe Spanjë, ndërsa janë arrestuar 44 persona.

Hetuesit thonë se struktura funksiononte në tre nivele: kokaina nisej nga Ekuadori, Spanja shërbente si pikë hyrëse në Evropë, ndërsa në Dubai ndodheshin investitorë me origjinë shqiptare, të dyshuar se financonin blerjet e drogës dhe injektonin para në kompanitë spanjolle për të maskuar aktivitetin kriminal.

Shkelësit “kapen” nga teknologjia, ministri Lamallari publikon pamjet e kontrolleve

11 August 2026 at 13:50

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka ndarë pamje nga kontrollet në rrugë, ku teknologjia përdoret për monitorimin e trafikut dhe identifikimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Lamallari thekson se, krahas qytetarëve, teknologjia është një prej aleatëve më të rëndësishëm të Policisë së Shtetit në garantimin e sigurisë rrugore.

“Pas qytetarëve, aleati më i fortë i policisë është teknologjia”, shkruan ministri, ndërsa shton se rritja e numrit të turistëve dhe e qarkullimit të mjeteve sjell edhe një përgjegjësi më të madhe për parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë në rrugë.

Sipas Lamallarit, radarët, dronët dhe automjetet inteligjente mundësojnë monitorimin e vazhdueshëm të trafikut, duke identifikuar shpejtësinë, shkeljet dhe sjelljet që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Më tej, ministri nënvizon se me zbatimin e projektit “Smart City” synohet një transformim i rëndësishëm në mënyrën e garantimit të sigurisë rrugore dhe asaj publike në Shqipëri.

Pas qytetarëve, aleati më i fortë i policisë është teknologjia. Me rritjen e numrit të turistëve që vizitojnë vendin tonë nga viti në vit, rritet dhe qarkullimi i mjeteve dhe përgjegjësia jonë për garantimin e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.

Radarët, dronët dhe makinat inteligjente janë një sy i pagabueshëm dhe i përhershëm mbi trafikun, duke identifikuar shpejtësinë, shkeljet dhe sjelljet që vënë në rrezik qytetarët. Me zbatimin e projektit #SmartCity do të bëjmë një kapërcim epokal për sigurinë rrugore dhe atë publike në tërësi në Shqipëri“, shkruan ministri.

Shqipëria drejt tkurrjes! INSTAT: Vetëm 218 lindje më shumë se vdekjet në tremujorin e dytë

11 August 2026 at 13:40

Demografia e vendit vijon të japë sinjale alarmi. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, Shqipëria po ecën me ritme të shpejta drejt një ngadalësimi të theksuar të rritjes së popullsisë.

Gjatë muajve prill, maj dhe qershor, në të gjithë territorin e vendit u regjistruan 5,083 lindje, duke shënuar një rënie prej 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga ana tjetër, numri i vdekjeve ka pësuar një ulje prej 3.7%, duke u regjistruar në kuotën e 4,865 humbjeve të jetës.

Megjithatë, diferenca mes tyre, e njohur si shtesa natyrore, ka zbritur në vetëm 218 persona.

Kjo do të thotë se, pa llogaritur faktorin e emigracionit, popullsia e Shqipërisë është shtuar natyrshëm me më pak se 220 banorë gjatë këtij tremujori, një shifër kjo historikisht e ulët për dinamikën demografike të vendit.

Por problemi nuk qëndron vetëm te shifra kombëtare, por sidomos te shpërndarja gjeografike.

Shtesë natyrore pozitive u regjistrua në vetëm 5 qarqe të vendit, ku mbizotëron Tirana më pas renditetn Durrësi, Kukësi, Dibra dhe Lezha.

Ndërsa 7 qarqe të tjera Korçë, Fier, Elbasan, Berat, Gjirokastër, Vlorë dhe Shkodër, shënuan bilanc negativ, ku numri i vdekjeve ka kapërcyer ndjeshëm atë të lindjeve, duke reflektuar një popullsi në plakje të theksuar dhe ritme të ulëta lindshmërie.

Sipas të dhënave të INSTAT qarku me shtesën natyrore më të lartë mbetet Tirana me 1.033 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça me 265 vdekje më shumë sesa lindje.

Ekspertët e çështjeve sociale dhe demografike e shohin këtë tendencë si një kambanë alarmi për të ardhmen e tregut të punës, sistemeve të pensioneve dhe strukturës moshore të shoqërisë shqiptare, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe politika më efektive mbështetëse për familjet e reja.

SHTESA NATYRORE E POPULLSISE

Lindjet 5,083 bebe

Vdekjet 4,865 persona

Shtesa natyrore 218 Persona

Spanja në alarm nga zjarret! Mbi 244 mijë hektarë të përfshirë nga flakët

11 August 2026 at 13:31

Spanja po përballet sërish me zjarre dhe me temperaturat përvëluese.

Zjarrfikësit dhe njësitë ushtarake po luftojnë me flakët në rajonin verior të Hueskas dhe në Huelva, në jug të Spanjës.

Gjithashtu një zjarr i madh është përhapur në zonën jugperëndimore i nxitur edhe nga moti i nxehtë dhe era e fortë.

Kreu rajonal i emergjencave të Andaluzisë, Antonio Sanz, e krahasoi shuarjen e zjarrit rreth qytetit mesjetar të Niebla, me një “garë me pengesa në distancë të gjatë” dhe që pritet të zgjasë disa ditë.

Gati 500 persona janë evakuuar nga zona, ndërsa po vlerësohen masa të mëtejshme paraprake, pasi flakët kanë djegur një sipërfaqe gati 20 mijë hektarë.

Erërat e forta dhe terreni i thyer i zonëss po ndikojnë në përhapapjen në aktivizimin e dhjetra zjarreve të tjera.

Në qytetin Penas de Riglos, në veri të Huescas, njësia ushtarake ndihmoi në përpjekjet e shuarjes së zjarrit, pasi flakët dogjën mbi 3600 hektarë pyje.

Spanja ëshhtë përballur me një sezon shkatërrues zjarresh që kanë djegur më shumë se 244 mijë hektarë tokë ose 6 herë më shumë se një vit më parë.

Horoskopi ditor për nesër, e Mërkurë 12 Gusht 2026

11 August 2026 at 13:00

Dashi

E ardhmja e marrëdhënieve tuaja nuk është e qartë deri sa të qartësohet e kaluara. Nëse doni dhe ju duan, vështirësitë e ditës do të zgjidhen lehtësisht dhe nuk do të ndikojnë në planet tuaja. Në situatat e komplikuara nuk duhet të veproni me kokëfortësi.

Demi

Sot ju do të kujtoni se sa e vështirë është të merreni me partnerin. Pikërisht gjysma juaj mund të prishë ditën me pamjen e zymtë apo me mungesën e vullnetit për të harruar mëritë e vjetra. Mos i shkoni pas nëse kjo lojë bëhet e pakëndshme, por përqendrohuni më mirë në çështjet më të rëndësishme.

Binjakët

Të lindurit e kësaj shenje duhet të përpiqen që të vënë në linjën e duhur problemet e transportit dhe komunikimit. Duke ecur në rrugë do të ndesheni me disa surpriza të pakëndshme, si bllokim trafiku, vonesa gjë që do të shkaktojnë humbjen r një takimi të rëndësishëm.

Gaforrja

Krejt papritmas mund të bëheni të lirë, mund të zgjidhni që të hiqni dorë nga blerjet e planifikuara apo nga situata që mund t’iu imponohen. Rrezikoni të bëni blerje me cilësi të dobët dhe me një çmim mjaft të lartë. Mos u sforconi nëse nuk gjeni një dhuratë të duhur për partnerin tuaj, prisni një moment të dytë.

Luani

Do të viheni në krye të një loje diplomatike dhe do të merreni me menaxhimin e situatave me disa njerëz që ju rrethojnë. Çdo dialog rrezikon të kthehet në debat. Një zili e vjetër mund të dëmtojë edhe marrëdhëniët më të ngrohta. Lidhjet e së kaluarës mund të dëmtojnë raportin tuaj të qëndrueshëm dhe nëse jeni të martuar, edhe martesën.

Virgjëresha

Shumica prej jush nuk do të jenë të aftë për të guxuar. Disa nga ju mund të ndjehen edhe të turpshëm nga një kontakt. Zjarri në shpirtin tuaj, vështirë të gjejë rrugën për të dalë jashtë. Mund të thoni gjithçka që mendoni me veten tuaj, por nuk do ta gjeni kurrë kurajon për ta thënë me zë të lartë.

Peshorja

Gjatë kësaj dite do të ndjeheni edhe njëherë të tërhequr nga ish-i juaj. Ngjarjet të cilat mund ti keni planifikuar prej kohësh, do t’iu zhgënjejnë. Mos e humbni shpresën pasi shumë shpejt momentet pozitive të një situate do ti përdorni në avantazhin tuaj. Nëse keni shfaqur një iniciativë, shumë shpejt perspektiva juaj do të përmirësohet.

Akrepi

Kjo nuk është dita më e lehtë për ndërveprim. Një atmosferë zyrtare ose paaftësi e juaj për të paguar do t’iu vërë në vështirësi. Sot keni nevojë për një ambient zbavitës në mënyrë që të shprehni plotësisht veten tuaj.

Shigjetari

Kjo ditë nuk do të shkojë vaj. Një takim që keni ëndërruar mund të anulohet për arsye të jashtme. Mund të ndeshni probleme në rrugë dhe në mënyrat e komunikimit, gjë që do t’iu mërzisë.

Bricjapi

Kujdesi i tepërt është një e keqe e vogël krahasuar me guximin e tepruar që mund të tregoni. Mos bëni asgjë që mund të kompromentojë planet tuaja. Mbani fjalën tuaj dhe mendimet nën kontroll. Mundohuni të parashikoni probleme e mundshme dhe merrni masat e nevojshme për parandalimin e tyre.

Ujori

Kjo është dita kur mund të kontrolloni plotësisht situatën. Përdorni opsionet që keni në dispozicion në mënyrë që të depërtoni edhe në dyert e mbyllura. Në këtë mënyrë ju do të kurseni energjinë tuaj dhe do të jeni në gjendje të përdorni situatën në avantazhin tuaj.

Peshqit

Detyra juaj profesionale mund të rezultojë më e rëndësishme se planet personale. Nëse jeni marrë më shumë me punët dhe kujdesin ndaj tyre, duhet të merrni një moment qetësie. Puna e çrregullt mund të krijojë një përshtypje të dobët tek kolegët dhe menaxheri juaj.

“Nga sulmet e Iranit, të parët në botë për sigurinë kibernetike”, Rama: Falë bashkëpunimit me izraelitët…

11 August 2026 at 12:51

Kryeministri Edi Rama ka dhënë lajmin sot në 11 gusht se Shqipëria është renditur në vendin e parë në botë në “National Cyber Security Index” (NCSI), me një rezultat prej 98.33 pikësh.

Rama e ka cilësuar këtë arritje si një lajm të jashtëzakonshëm dhe si rezultat të një pune të gjatë për forcimin e sigurisë kibernetike në vend. Sipas tij, Shqipëria ka kaluar nga një situatë e cenueshme pas sulmit të madh kibernetik të vitit 2022 nga Irani.

Kryeministri kujtoi sulmin kibernetik të 15 korrikut 2022, duke e përshkruar atë si një goditje të rëndë ndaj infrastrukturës digjitale të shtetit shqiptar.

Ai tha se pas sulmit iranian, autoritetet vendosën të ndërtonin një arkitekturë të re mbrojtjeje dhe të rrisnin ndjeshëm kapacitetet profesionale e teknologjike. Sipas Ramës, kjo strategji bëri që Shqipëria të ngjitej nga vendi i 54-t në vitin 2023, në vendin e 15-të në vitin 2025 dhe më pas në krye të klasifikimit botëror.

Ai theksoi gjithashtu rolin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Izraelin, në zhvillimin e sistemeve të reja të mbrojtjes kibernetike. Rama tha se sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë kanë vijuar, por sipas tij ato janë neutralizuar falë forcimit të kapaciteteve mbrojtëse.

Në deklaratën e tij, kryeministri vlerësoi edhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale në sistemet proaktive të sigurisë kibernetike, duke e paraqitur këtë si një element të rëndësishëm të avancimit teknologjik.

Kreu i qeverisë nënvizon se puna për forcimin e sigurisë digjitale duhet të vijojë edhe në sektorin privat, pasi kërcënimet kibernetike kërkojnë mbrojtje të vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Postimi i kryeministrit Edi Rama

LAJM I PABESUESHËM PO 100% I VËRTETË

Nga një sulm brutal, te vendi i parë në botë.

Bekimi i teknologjisë digjitale për vendet në zhvillim është i jashtëzakonshëm, sepse kur vjen puna tek teknologjia e re nuk ka më vende të mëdha a të vogla, të zhvilluara apo në zhvillim.

Madje përkundrazi, kush është më mbrapa mund të bëjë kërcime të mëdha përpara (leapfrogs), duke kapërcyer në pak vite etapa që të tjerëve u janë dashur dekada. Shembulli i Estonisë e ka treguar këtë në mënyrën më spektakolare, por edhe tabela bashkëngjitur e tregon më së miri sesi vende me emër të madh e vende me emër të vogël gjenden në pozicione krejt të pazakonshme për klasifikimet me të cilat jemi mësuar

Pse ka rëndësi kjo hyrje sot?

Sepse sot kemi marrë një lajm spektakolar që lidhet pikërisht me teknologjinë dhe që askush nuk do ta imagjinonte dot deri jo shumë vite më parë

Më 15 korrik 2022, kur regjimi kriminal i Teheranit ndërmori sulmin e paprecedentë kundër infrastrukturës sonë digjitale, synimi ishte sa i qartë, aq edhe i egër:

Të gjunjëzonte një shtet të vogël demokratik, që kishte guxuar t’u jepte strehë atyre që ai regjim i përndjek dhe i vret, njësoj siç Shqipëria u dha strehë hebrenjve apo edhe italianëve gjatë Luftës së Dytë Botërore; vëllezërve e motrave të Kosovës gjatë spastrimit etnik të regjimit të Beogradit; apo mijëra afganëve pas rënies së Kabulit në duart e barbarëve pa din e iman të Afganistanit

Ai sulm mund të na kishte kthyer mbrapa në epokën e sporteleve dhe radhëve të pafundme, duke na hedhur në lumë qindra miliona euro të investuara ndër vite në Shqipërinë Digjitale, sepse mbrojtja jonë kibernetike ishte ende e dobët. Por edhe falë partnerëve tanë, rezistuam dhe nuk na gjunjëzuan

Përkundrazi, ai sulm u bë pikënisja e një kthese epokale.

Vendosëm të ndërtonim një mur të atillë mbrojtës për shtetin digjital të Shqipërisë, që të ishte e pamundur të shembeshin me një sulm të ngjashëm infrastrukturat e tij publike dhe, po, siç edhe e kam thënë asokohe kur shumëkush u tall me fjalët e mia, të kalonim nga grupi i shteteve me mbrojtje të dobët, në grupin e shteteve me mbrojtje shembullore

Lajmi i sotëm kurorëzon një vizion ambicioz dhe një punë të jashtëzakonshme, me një sukses historik:

SHQIPËRIA KA DALË E PARA NË BOTË NË NATIONAL CYBER SECURITY INDEX (NCSI), ME 98.33 PIKË

Më 15 korrik 2022 u goditëm.

Në vitin 2023 kaluam në vendin e 54 falë nisjes së ndërtimit të një arkitekture të re të mbrojtjes dhe mbledhjes së kapaciteteve të larta profesionale në agjencinë e re të mbrojtjes kibernetike.

Në vitin 2025 u ngjitëm në vendin e 15, pas zhvillimit të plotë të arkitekturës së re inovative të mbrojtjes në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë izraelitë.

Sot jemi në majën e klasifikimit botëror për zhvillimin e kapaciteteve kombëtare të sigurisë kibernetike.

Ndërkohë sulmet e regjimit kriminal të Teheranit, dhe jo vetëm, nuk kanë rreshtur asnjë ditë. Por nuk keni dëgjuar më gjë për to, sepse kanë dështuar me sukses çdo ditë

Ky nuk është një kërcim magjik në renditje dhe as një dhuratë e rënë nga qielli, po rezultati i një pune të madhe për të ngritur kapacitete teknologjike të nivelit botëror, aftësi institucionale e profesionale të klasit të parë dhe për të ndërtuar një sistem që nuk pret më goditjen për të reaguar, por punon çdo ditë për ta parandaluar atë, falë edhe modelit të parë të Inteligjencës Artificiale proaktive të futur në një arkitekturë mbrojtjeje kibernetike në Europë

Dhe po, ky kapërcim epokal është po ashtu dëshmi e fuqisë së aleancave të vërteta dhe të forta. Kur goditesh, e kupton edhe më mirë se kush qëndron krah teje dhe çfarë mund të ndërtohet së bashku.

Regjimi i Teheranit deshi të na tregonte sa të dobët ishim.

Në fakt, na detyroi të bëhemi fuqia që jemi sot në mbrojtjen e Shqipërisë Digjitale.

Nga shënjestër e një prej sulmeve kibernetike më të rënda ndaj një vendi të NATO, sot Shqipëria është në avangardën botërore të zhvillimit të kapaciteteve kombëtare të sigurisë kibernetike.

Si gjithnjë, përgjigjja më e mirë ndaj atij që kërkon të të gjunjëzojë është thjesht të ngrihesh më lart se ç’ke qenë ndonjëherë dhe ne treguam edhe njëherë se dimë ta bëjmë këtë sa herë dikujt i shkon mendja të na ulë poshtë

Puna vazhdon me këmbëngulje, sepse në botën e re të teknologjisë i pari sot mund të mbetet i fundit nesër, ndërkohë që muri ynë mbrojtës duhet të shtrihet kudo, edhe në sektorin privat.

Dorëhiqet nga detyra kreu i Shërbimit Zjarrfikës: E pashë të arsyeshme të…

11 August 2026 at 12:35

Ka dhënë dorëheqjen drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit zjarrfikës, Arben Cara.

I kontaktuar nga gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat, Cara ka konfirmuar largimin nga drejti i shërbimit zjarrfikës.

Ai u shpreh se për arsye personale e ka parë të arsyeshme që të largohet nga ky post.

❌