Normal view

“Ta zgjidhim me referendum…”, Boçi zbulon planin e PD-së për të penguar uljen e numrit të bashkive

6 August 2026 at 21:53

Opozita do të kërkojë zhvillimin e një referendumi për reformën territoriale, si një mundësi për të kundërshtuar draftin e socialistëve për uljen e numrit të bashkive në 46.

Kështu u shpreh bashkëkryetari i territoriales, Luçiano Boçi, i cili ishte në intervistë për rubrikën “Përballë Lajmit”, në Klan News, për gazetarin Besard Jacaj. Demokrati theksoi se duhet të jenë qytetarët vendimmtarët për organizimin territorial të vendit.

Sipas tij, reforma territoriale duhet të ndërtohet mbi vullnetin e komuniteteve dhe jo të vendoset në mënyrë të njëanshme nga qeveria.

“Ne kërkojmë që të bëhet një referendum, projekti i PD dhe projekti i PS. Kjo është një reformë që duhet të vijë nga poshtë-lart, se është kërkesa e komunitetit, të jenë qytetarët ata që vendosin. Kemi një ligj problematik për referendumet, është tentuar disa herë të realizohet edhe në 2014-2015. Nuk është bërë. Këtu është edhe çështje dëshire. A ka dëshirë një njeri arrogant, harbut? Nuk ka dëshirë, ne e dimë këtë gjë. Por, ne do t’i drejtohemi KQZ-së, sipas procedurave ligjore”, u shpreh ai.

I pyetur mbi propozimin e Partisë Demokratike për ndarjen e vendit në 100 bashki, Boçi tha se ky numër është rezultat i analizave të kryera mbi efektet e reformës së vitit 2014 dhe konsultimeve me qytetarët.

“Nuk e bëjmë ne numrin, shkon vetë numri në mënyrë natyrale. 100 bashki nuk janë shumë. Janë numri i optimizuar i 61-shit. Shumë, relativisht, është përdorur për numrin 378 të njësive bashkiake e komunave që ka pasur para vitit 2014, por do të na duhej një emision shumë i gjatë për ta argumentuar një gjë të tillë. Numri që propozon PD, se ka pasur edhe 90 edhe 120, ka qenë edhe varianti për 120 dhe ka prevaluar ai me 100”, tha ai.

Boçi argumentoi se reforma aktuale ka krijuar distancë mes qytetarëve dhe pushtetit vendor, duke ndikuar në cilësinë e shërbimeve dhe llogaridhënien.

“Te kjo pjesa e ndarjes në 100, ne nuk kemi pasur një projekt paraprak, siç PS e kishte dhe kërkon ta mbushë me argumente. Ne aty shkuam pasi dëgjuam qytetarët, pasi bëmë një analizë të reformës së vitit 2014, sepse nxorëm në pah të metat e kësaj reforme dhe shkaqet e dështimit të saj. Një nga shkaqet ishte largësia e qytetarit nga qendra, mungesa e urbanizimit, mungesa e shërbimeve, mungesa e kërkesës së llogarisë, dhe për ta afruar këtë ne optimizuam numrin e bashkive, të qendrave të shpërndarjes së shtetit në territor, se pushteti lokal, në këtë rast reforma territoriale, është marrëdhënia e shtetit me qytetarin. Sa më larg ta lësh atë marrëdhënie, aq më e vogël është ajo dhe qytetari rrezikon të largohet nga ai shtet, siç ka ndodhur në Shqipëri”, tha ai.

“SHBA-ja të pranojë faktet”, kreu i parlamentit iranian: S’na duhet më teatër në diplomaci!

6 August 2026 at 21:40

Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka kritikuar ashpër Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Donald Trump, duke i akuzuar se po ndjekin një “diplomaci teatri” dhe një strategji të dështuar në marrëdhëniet me Iranin.

Në një postim në platformën X, Ghalibaf shkroi: “Sulmi masiv po vjen… prit, s’ka problem, duan të negociojnë.’ Kjo është diplomaci teatri që përsëritet. Përdorimi i kërcënimeve plus premtimeve të pa mbajtura dhe lajmet false si levë kundër nesh është strategji e dështuar. Pranoni faktet dhe përmbushni angazhimet tuaja. Nuk na duhet më teatër.”

Deklarata e tij vjen në kontekstin e tensionit të vazhdueshëm midis Teheranit dhe Uashingtonit, pas një periudhe konflikti ushtarak dhe përpjekjesh për arritjen e një armëpushimi dhe një memorandumi mirëkuptimi (MoU) që daton që nga pranvera e këtij viti.

Ghalibaf, i cili ka luajtur rol qendror si kryenegociator i Iranit në bisedimet me SHBA-në (duke përfshirë takimet e mediuaura në Islamabad dhe më vonë), ka theksuar se Uashingtoni ka ndjekur një “strategji të dështuar” dhe ka kërkuar kthimin te angazhimet e mëparshme të armëpushimit.

Sipas tij, ndryshimet e shpeshta të qëndrimeve amerikane – nga kërcënimet për sulme të mëdha deri te thirrjet për negociata – dëmtojnë besueshmërinë e procesit diplomatik.

Ghalibaf ka kërkuar që SHBA-ja të “pranojë faktet” dhe të zbatojë angazhimet e mëparshme, duke theksuar se Irani nuk ka nevojë për “më shumë teatër”.

I dënuar për kokainën e Frakullës, ekstradohet nga Kolumbia “kimisti” i laboratorit

6 August 2026 at 21:32

Ekstradohet nga Kolumbia në Shqipëri shtetasi kolumbian Saimir Rosales Rodriguez, i dënuar me 14 vite burg pas hetimeve të SPAK.

Burime të gazetares së Top Channel Anila Hoxha konfirmojnë se i shumëkërkuari iu dorëzua autoriteteve shqiptare në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit.

Rodriguez është një nga trafikantët e përfshirë në dosjen e Frakullës, i njohur ndryshe si “Kimisti”, i cili pas operacionit antikokainë kishte arritur të largohej nga Shqipëria.

Rrezikoi jetën e pushuesve, drejtuesi i Jet Ski ndëshkohet me 3 milionë lekë gjobë

6 August 2026 at 21:27

Gjatë patrullimit në vendin e quajtur “Plazhi i Hidrovorit”, në zonën e Zvërnecit, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues (Jet Ski), i cili kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku po laheshin pushuesit, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.

Në përfundim të veprimeve administrative, mjeti lundrues u bllokua, ndërsa ndaj poseduesit të tij, shtetasit A. V., u vendos masë administrative me vlerë 300.000 lekë të rinj, në zbatim të legjislacionit në fuqi.

Policia e Shtetit apelon ndaj të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara për pushuesit. Çdo shkelje që cenon sigurinë e pushuesve do të ndëshkohet sipas ligjit.

Prapaskenat e atentatit të vitit 1996/ Gjyqi për vrasjen e Tupac, zbardhen detajet e reja për pesë personat në dy makinat e natës fatale

6 August 2026 at 21:17

Detaje të reja mbi vrasjen në vitin 1996 të ikonës së muzikës rep, Tupac Shakur, pritet të dalin në dritë gjatë gjyqit ndaj Duane “Keffe D” Davis. Davis, 63 vjeç, akuzohet për orkestrimin e të shtënave me armë pranë Rrugës së Las Vegasit, ku mbeti i plagosur edhe manjati i muzikës rep Marion “Suge” Knight. Gjyqi ndaj Davis, i cili u arrestua në vitin 2023 dhe është deklaruar i pafajshëm, do të fillojë më 10 gusht.

Sipas autoriteteve dhe të dhënave hetimore, ngjarja e 7 shtatorit 1996 rrodhi nga një rivalitet i ashpër mes anëtarëve të sektit të bandës Bloods nga Bregu Lindor dhe sektit Crips nga Bregu Perëndimor, që drejtohej nga Davis në Compton të Kalifornisë.

Natën e ngjarjes, Shakur ndodhej në sediljen e pasagjerit në makinën e llojit BMW që drejtohej nga Knight, kur nga një automjet Cadillac i bardhë u hap zjarr. Shakur ndërroi jetë një javë më vonë në moshën 25-vjeçare, ndërsa Knight i mbijetoi plagëve.

Në automjetin nga u qëllua ndodheshin katër persona, të cilët nuk u përballën me akuza për sa kohë ishin në jetë. Përmes të dhënave të gjykatës, dëshmive dhe kujtimeve të Davis të vitit 2019, zbardhen rolet dhe fatet e të gjithë personave të përfshirë në të dyja automjetet:

Personat në makinën e viktimave (BMW)

Tupac Shakur

Një nga reperët më me ndikim të të gjitha kohërave, me pesë albume në vendin e parë, gjashtë nominime Grammy dhe i anëtarësuar në Rock & Roll Hall of Fame. Lindur në Nju Jork si Lesane Parish Crooks nga prindër aktivistë të Partisë Black Panther, ai ndërroi jetë gjatë periudhës kur albumi i tij “All Eyez on Me” po shiste miliona kopje.

Marion “Suge” Knight

Themeluesi i shtëpisë diskografike Death Row Records, i cili po drejtonte makinën ditën e ngjarjes dhe u gërvisht nga një plumb apo shrapnel. Sot 61 vjeç, Knight po vuan një dënim prej 28 vjetësh burg në Kaliforni për një ngjarje të vitit 2015 ku goditi për vdekje një biznesmen.

Personat në makinën e sulmuesve (Cadillac)

Duane “Keffe D” Davis

I akuzuari kryesor që ndodhej në sediljen e parë të pasagjerit. Davis ka pranuar se mori pistoletën nga një bashkëpunëtor dhe e hodhi në sediljen e pasme.

Orlando “Baby Lane” Anderson

Nipi i Davis, i cili ishte 22 vjeç atëherë dhe u rrah në kazinonë MGM Grand nga Shakur dhe bashkëpunëtorët e tij pak para të shtënave. Të shtënat konsiderohen hakmarrje për këtë rrahje. Anderson, i cili gjithmonë e mohoi përfshirjen, vdiq dy vjet më vonë gjatë një të shtëne me armë në Compton.

Deandrae “Freaky” Smith

Ndodhej në sediljen e pasme pranë AndersonitNdonëse autoritetet dyshonin se Anderson qëlloi, një dëshmi para jurisë së madhe pretendoi se ishte Smith ai që mori armën dhe hapi zjarr mbi makinën e reperit. Smith ndërroi jetë në vitin 2004 nga shkaqe natyrore.

Terry “Bubble Up” Brown

Drejtuesi i automjetit Cadillac atë natë. Sipas kujtimeve të Davis, Brown bëri një kthesë pasi panë Shakurin të varur nga dritarja e makinës për t’u afruar pranë konvoit. Brown mbeti i vrarë gjatë një të shtëne me armë në vitin 2015 në Compton.

Arma e përdorur në krim dhe makina e llojit Cadillac nuk u gjetën kurrë nga hetuesit. Gjyqi i ardhshëm pritet të hedhë dritë të plotë mbi njërën nga ngjarjet më të bujshme të historisë së muzikës botërore.

Pezullohet operacioni për shkak të errësirës, vatra e zjarrit në Drenije vijon të mbetet aktive

6 August 2026 at 21:09

Që prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm, shërbimet zjarrfikëse të Patosit janë përballur me një betejë me flakët të shpërthyera në masivin pyjor të Drenijes.

Pavarësisht ndërhyrjes së efektivëve përgjatë gjithë ditës, vatra e zjarrit në Drenije vijon të mbetet aktive. Sipas shefit të shërbimit zjarrfikës të Patosit, Alket Halimi, efektivët kanë filluar tërheqjen nga terreni për shkak të pamundësisë së ndërhyrjes nga errësira.

Pushteti vendor dhe shërbimet e emergjencës bëjnë me dije se operacioni për shuarjen e flakëve do të rifillojë në të njëjtën orë të ditës së nesërme.

Akuzohet për kanosje, shpallet në kërkim ish-zyrtari i Policisë Uljan Shpataraku

By: E S
6 August 2026 at 21:00

Policia e Himarës ka shpallur në kërkim policor ish-policin Uljan Shpataraku.

Ish-zyrtari policor një nga njerëzit më të afërt të ish kryepolicit Ilir Proda është kallëzuar nga punonjësit e një hoteli në zonën e Dhërmiut të cilët pretendojnë se janë kanosur e kërcënuar nga Shpatarku.

Pas një debati verbal, punonjësit pretendojnë se i ka kërcënuar me jetë.

Shpataraku aktualisht është i përjashtuar nga organizata e policisë, madje disa ditë më parë kërkoi në gjykatë rikthimin.

Në vend të rindërtimit ngrihet bazë ushtarake në Gaza, Bordi i Paqes jep kontratën e parë

By: E S
6 August 2026 at 20:52

Bordi i Paqes, i krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump për të mbikëqyrur rindërtimin e Gazës, ka dhënë kontratën e parë të ndërtimit në këtë territor palestinez. Projekti parashikon ndërtimin e një baze të përkohshme ushtarake për 150 pjesëtarë, ku do të vendosen ushtarë marokenë.

Sipas gazetës britanike The Guardian, kontrata ende nuk është konfirmuar përfundimisht, por i është dhënë kompanisë amerikane Arkel International, e cila më parë ka realizuar projekte për qeverinë amerikane në vende si Iraku.

Bordi i Paqes drejtohet nga Trump, ndërsa në udhëheqjen e tij janë edhe Jared Kushner dhe Steve Witkoff. Një zyrtar i komitetit tha se disa kontrata janë në fazën përfundimtare të përgatitjes, por asnjëra nuk është finalizuar ende.

Baza ushtarake do të ndërtohet në një zonë nën kontrollin e ushtrisë izraelite, e cila aktualisht kontrollon një pjesë të madhe të territorit të Gazës. Objekti do të jetë rreth 1.6 kilometra larg kufirit me Izraelin dhe do të ketë një rrugë të shpejtë evakuimi në rast sulmesh.

Plani lidhet me krijimin e Forcave Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) për Gazën, ku Maroku ka paralajmëruar dërgimin e një kontingjenti të vogël ushtarak. Megjithatë, kuadri ligjor për vendosjen e këtyre forcave ende nuk është miratuar.

Ndërkohë, planet fillestare për rindërtimin e Gazës janë reduktuar nga një projekt i gjerë në një projekt pilot.

Sipas vlerësimeve, rreth 80 për qind e ndërtesave në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar gjatë luftës, ndërsa rreth dy milionë banorë vazhdojnë të përballen me kushte të vështira jetese në kampe të improvizuara.

25 vatra zjarri në 12 orët e fundit në të gjithë vendin, 10 mbeten aktive

By: E S
6 August 2026 at 20:45

Gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

“Përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturave, njësive të qeverisjes vendore dhe Forcave të Armatosura – në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar 47 automjete zjarrfikëse dhe 454 forca operacionale. Në mbështetje janë angazhuar gjithashtu 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë, avioni “Air Tractor” dhe 3 automjete zjarrfikëse të FA-së me personelin përkatës”, thuhet në njoftim.

Në zonën e Dajtit vijon operacioni nga toka dhe ajri. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në fshatin Priskë, bashkia Tiranë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në fshatrat Riban dhe Ngraçan, bashkia Mallakastër, zjarri po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së forcave nga toka dhe ajri.

Në qarkun Elbasan vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës, Mjekësit dhe zonës së mbrojtur në malin e Valamarës. Vatrat në Shqiponjë dhe Mjekës janë nën kontroll, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Kostren 2, bashkia Berat, është riaktivizuar vatra e zjarrit dhe forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e saj. Ndërkohë, zjarret në Floq, bashkia Korçë, dhe në Shpërdhet–Drojë, bashkia Kurbin, janë shuar.

“AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin”, njoftoi Ministria.

U kap me katër pistoleta “Glock” rrugës për Sarandë, zbardhet dëshmia e 31-vjeçarit: Mendova se ishin lodra

By: E S
6 August 2026 at 20:35

Është zbardhur dëshmia e 31-vjeçarit Kejdi Banaj, i arrestuar dy javë më parë pasi u kap me 4 pistoleta të tipit “Glock” në automjetin e tij, teksa udhëtonte në drejtim të Sarandës.

Banaj, gjatë seancës për caktimin e masës së sigurimit, ka dhënë versionin e tij për ngjarjen, duke pretenduar se nuk kishte dijeni për përmbajtjen e qeses së zezë që u gjet në makinën e tij.

Ai ka deklaruar se personi që i kishte futur sendet në automjet ishte 26-vjeçari me iniciale E.S., të cilin thotë se e njihte prej shumë vitesh.

“Unë jam përdoues i lëndëve narkotike prej vitesh dhe nuk e di fare se si ka ndodhur ngjarja. Mua më morën te shtëpia më çuan aty dhe s’kam ditur fare. Nuk kam qenë i vetëdijshëm në rastin konkret se si ndodhi ngjarja, vazhdoj që mos të jem i kthjellët. Unë kam deklaruar të gjithë të vërtetën.

Më mori E.S. Kam 20 vjet që e njoh. Më ka ardhur dhe më ka thënë do ikim në Sarandë të gjejmë një shtëpi të bënim ca ditë plazh. Ai ishte me nusen dhe fëmijën. Kishim kohë pa u takuar. Nusen e tij e lamë në Elbasan, shkuam në Tiranë, ai mori një porosi dhe e futi në makinën time, ndërsa vetë mori një makinë tjetër.

Rrugës ndodhi çfarë ndodhi, mua më kapën, ai iku se ishte para me makinë. Kur më kanë kapur atëherë kam kuptuar çfarë kam pasur në makinë. Qesen e zezë që la tek makina ime e mori ai me kunatin e tij në Tiranë dhe unë nuk e dija çfarë kishte aty. Erdhi më takoi papritur, kisha 4 vjet pa e parë. Në fillim më kërkoi tek babai, atij ia mori numrin e telefonit, pastaj më takoi mua”, ka deklaruar Banaj para gjykatës.

Më herët, gjatë marrjes në pyetje nga policia, Banaj kishte dhënë një tjetër rrëfim, ku kishte treguar edhe mënyrën se si kishte përfunduar qesja me armë në automjetin e tij.

Banaj është treguar bashkëpunues me policinë, duke treguar edhe kodin e celularit, si dhe duke treguar njëherazi edhe bashkëpunëtorët.

“Ai ka deklaruar se banon në Tiranë, ku ka një zyrë imobiliare në Astir. Në datë 14.07.2026, rreth orës 13:00, te biznesi i tij ka shkuar një shtetas i quajtur E., mbiemrin nuk ia mban mend, djali i “M…”, që qëndron në “Rrugën e Kavajës”, për të kërkuar atë. Ai nuk ishte, ka takuar babanë e tij dhe i ka marrë numrin e telefonit, e ka marrë në telefon dhe i ka shkuar poshtë shtëpisë me bashkëshorten dhe vajzën e tij. Për këtë mund të verifikohen telefonatat në telefonin e tij personal me kod 2580. I ka kërkuar që t’i gjente një apartament dhe makinë me qira në Sarandë.

U nisën të tre bashkë dhe me kunatin e tij, emrin nuk e di, për në Sarandë me një makinë. Në datë 15.07.2026, rreth orës 08:00, i ka thënë që të shkonin për të marrë diçka në Tiranë dhe do ta paguante 150 euro për të bërë shoferin. Makinën ia la dikujt dhe mori makinën “Citroen”, me targa AB 302 SF, se ku nuk e di.

U nisën dhe, kur shkuan në Tiranë, ndaluan ngjitur te “Hotel I…”, në autostradë te “Qafa e Kasharit”, ku doli nga makina me kunatin e tij, morën një qese të zezë te ferrat dhe erdhi te makina, e futi mbrapa sediljes te këmbët dhe i tha të shkonte për në Sarandë. Ai mori një automjet “Skoda”, ngjyrë gri, që ia kishin lënë aty, dhe se ai e dinte që kishte sende të kundërligjshme, armë në makinë, por i mendonte lodër”, thuhet në dosjen hetimore.

Kapja në tunelin e Skërficës

Operacioni policor u zhvillua në aksin Kardhiq-Delvinë, në tunelin e Skërficës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se një automjet i marrë me qira nga Kejdi Banaj do të përdorej për transportin e armëve të zjarrit drejt Sarandës.

Sipas dosjes hetimore, policia dyshonte gjithashtu se Banaj do të merrte në Lushnje rreth 500 gramë kokainë, të cilën do ta sillte në Sarandë për ta shitur në doza të vogla.

Pas ndjekjes së automjetit, në orën 16:15 është bërë ndalimi i tij në “Tunelin e Skërficës”. Në drejtim të mjetit ishte Kejdi Banaj dhe gjatë kontrollit, në pjesën e pasme të automjetit, nën tapicerinë e pasagjerit të krahut të djathtë, është gjetur një thes plastik me ngjyrë të zezë. Brenda tij u gjetën katër armë zjarri të llojit pistoletë tip “Glock”.

Gjatë hetimeve, Banaj ka kompromentuar 26-vjeçarin E.S. nga Tirana, i cili rezulton i shpallur në kërkim që prej marsit të këtij viti për një akuzë të ngjashme.

Gjykata ka caktuar ndaj Kejdi Banajt masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa vijojnë hetimet për personat e tjerë të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.

KLGJ apo GJKKO? Apo të dy?

6 August 2026 at 19:52

Nga Plarent Ndreca

Dje dhe sot shumë miq dhe kolegë më kanë pyetur: “Pse e ke përfshirë KLGJ-në në memorandumin që i ke drejtuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe nuk je kufizuar vetëm te Rregullorja e GJKKO-së?”.

Sepse, sipas gjykimit tim, problemi nuk fillon me Rregulloren e GJKKO-së. Ajo është vetëm faza më e avancuar e një kulture institucionale që nisi më herët me Udhëzimin nr. 716 të KLGJ-së për marrëdhëniet e gjykatave me median. Pikërisht aty, për herë të parë, u pranua ideja se një organ administrativ mund të rregullojë me akt nënligjor çështje që, sipas Kushtetutës, i përkasin ligjit.

Një shtet i së drejtës fillon nga respektimi i kufijve që Kushtetuta i vendos pushtetit. Neni 4 i Kushtetutës përcakton se “e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit”. Kjo do të thotë se çdo organ shtetëror mund të ushtrojë vetëm ato kompetenca që Kushtetuta dhe ligji ia kanë dhënë shprehimisht.

Për qytetarin, logjika kushtetuese është e kundërt. Nenet 15 dhe 17 garantojnë se të drejtat dhe liritë themelore janë themeli i rendit juridik dhe mund të kufizohen vetëm me ligj. Pra, shteti vepron vetëm kur autorizohet; qytetari është i lirë, përveç rasteve kur ligji, në përputhje me Kushtetutën, vendos një kufizim.

Pikërisht për këtë arsye, neni 118 i Kushtetutës vendos kushte të qarta për nxjerrjen e akteve nënligjore. Nuk mjafton që një organ të ketë një kompetencë të përgjithshme administrative. Ligji duhet të përcaktojë shprehimisht organin që autorizohet, llojin e aktit, çështjet që mund të rregullohen dhe parimet mbi të cilat ai akt duhet të mbështetet. Në të kundërt, nuk kemi më zbatim të ligjit, por krijim normash të reja nga një organ që nuk ushtron funksion ligjvënës. Kjo cenon parimin e ndarjes së pushteteve dhe ndërhyn në kompetencën kushtetuese të Kuvendit.

Sipas gjykimit tim, pikërisht këtë precedent krijoi Udhëzimi nr. 716 i KLGJ-së. Ai u mbështet në idenë se një kompetencë e përgjithshme organizative mjafton për të rregulluar me akt nënligjor çështje që ligji nuk ia ka deleguar, ose për të plotësuar boshllëqe që vetëm ligjvënësi ka të drejtë t’i mbushë.

Mjafton të lexohet baza ligjore e udhëzimit. Neni 5 i ligjit flet për transparencën, lirinë e medias dhe publicitetin e gjykimit. Ai nuk autorizon KLGJ-në të nxjerrë një akt normativ që kufizon këto të drejta. Megjithatë, udhëzimi bën pikërisht të kundërtën: aty ku ligji garanton transparencën, ai vendos kufizime; aty ku ligji garanton publicitetin e gjykimit, ai krijon mekanizma administrativë që e kufizojnë atë.

Ky ishte precedenti.

Mbi këtë precedent u ndërtua më pas edhe Rregullorja e GJKKO-së, e cila e çoi këtë logjikë edhe më tej. Një gjykatë, që nuk është organ i administratës qendrore dhe aq më pak organ me kompetencë normative të përgjithshme, pretendon të rregullojë me rregullore të drejtat e avokatëve, medias, publikut dhe mënyrën e zhvillimit të procesit gjyqësor.

Pikërisht për këtë arsye, këtë problematikë ia kam përcjellë jo vetëm KLGJ-së, por edhe Ministrit të Drejtësisë dhe Kryetarit të Kuvendit, sepse bëhet fjalë për kompetenca që Kushtetuta ia rezervon ligjvënësit. Kjo nuk është një çështje e izoluar dhe as një debat për një udhëzim apo një rregullore. Është një problem i kulturës kushtetuese të ushtrimit të pushtetit dhe, për këtë arsye, ka pasoja që shkojnë përtej një institucioni të vetëm.

Shpesh më pyesin pse jam kaq kritik ndaj sistemit gjyqësor, kur shkelje të ligjit ndodhin edhe në pushtete të tjera. Përgjigjja është e thjeshtë. Gjyqësori është pushteti që kontrollon ligjshmërinë e veprimeve të të gjitha pushteteve të tjera. Është garancia e fundit e shtetit të së drejtës.
Por nëse edhe ai fillon të ushtrojë kompetenca që ligji nuk ia ka dhënë, atëherë nuk kemi më vetëm një shkelje të ligjit. Kemi cenuar vetë mekanizmin fundor që garanton sundimin e ligjit.

Rama mbledh Qeverinë në Pogradec. Më 7 shtator mbahet Asambleja që mund të ndryshojë kabinetin

By: E S
6 August 2026 at 19:43

Nuk do të ketë pushime vere deri në fund të gushtit për ministrat e Qeverisë Rama 4.

Kryeministri Edi Rama do ta vijojë traditën e takimeve informale të Qeverisë njohur si ‘retreat’, përpara sesionit të ri parlamentar.

Burime nga qeveria i konfirmuan gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se me 24 dhe 25 gusht pritet që të gjithë ministrat të raportojnë për prioritetet e secilës ministri për muajt në vazhdim.

Të njëjtat burime pohuan se ky retreat, parashikohet të mbahet në qytetin e Pogradecit.

Ndërkohë, nga brenda Partisë Socialiste, nuk përjashtohet mundësia edhe e mbledhjes së Asamblesë Kombëtare Socialiste në fillim të shtatorit përpara rinisjes nga puna të Parlamentit, ky seanca e radhës është me 7 shtator.

Nëse kjo ndodh atëherë ky mund të jetë momenti nga ku kryesocialisti Edi Rama mund të bëjë ndryshime në kabinetin qeverisës.

Brenda qeverisë prej disa javësh qarkullojnë zëra për një rifreskim drejtimi të mundshëm në të paktën 6 ministri.

Megjithatë kjo mbetet në dorë të Edi Ramës, i cili elementin surprizë e ka sportin e tij të preferuar.

Gjithsesi fillim shtatori si për Qeverinë ashtu edhe për PS pritet të jetë me plot zhvillime, pasi vetë Rama i ka vënë të tijët nën një kërkesë llogarie të shtuar, kulmuar me dokumentin Besa, një qasje që ai e ka prezantuar si metodën e re të punës për mandatin e katërt qeverisës.

Sakaq, nëse Rama do të vendosë mbajtjen e mbledhjes së asamblesë të PS, do të duhet të vendoset në rendin e ditës edhe mocioni për hapjen e dialogut kombëtar mbi marrëveshje e re për Shqipërinë, depozituar në PS prej deputetes Elisa Spiropali.

Alarm për bombë në stacionin e autobusëve në Prishtinë

By: E S
6 August 2026 at 19:37

Një alarm për mjet të dyshuar shpërthyes është raportuar pasditen e së enjtes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, duke vënë në lëvizje forcat e Policisë së Kosovës.

Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, autoritetet kanë marrë njoftimin rreth orës 16:30 dhe kanë reaguar menjëherë duke zbatuar masat e nevojshme të sigurisë.

Pllana bëri të ditur se në vendngjarje janë angazhuar njësitë përkatëse, të cilat po trajtojnë informacionin dhe po kryejnë verifikimet përkatëse.

Policia ka siguruar perimetrin e zonës, ndërsa pritet të japë detaje të tjera pas përfundimit të kontrolleve dhe vlerësimit të situatës.

Vijon përhapja e zjarrit në Mallakastër, flakët drejt Vloshit, rikthehet ndërhyrja nga ajri

By: E S
6 August 2026 at 19:28

Zjarri që prej tre ditësh ka përfshirë zonën e Mallakastrës vijon të jetë aktiv, ndërsa flakët po avancon në terrenin mes Lofkëndit dhe Drenies.

Raportohet se era e fortë po favorizon përhapjen e zjarrit, duke bërë që vatra të lëvizë në drejtim të Vloshit dhe të përfshijë sipërfaqe të tjera me bimësi dhe masive pyjore.

Përballë situatës së vështirë, është rikthyer edhe ndërhyrja nga ajri. Helikopterët kanë rifilluar hedhjen e ujit mbi vatrat aktive, në mbështetje të forcave zjarrfikëse dhe strukturave të emergjencave që po punojnë në terren.

Përpjekjet vijojnë për të frenuar avancimin e flakëve dhe izoluar vatrat e zjarrit. Situata mbetet dinamike, ndërsa ekipet në terren po monitorojnë drejtimin e përhapjes dhe zonat e rrezikuara.

Ngërçi në formimin e institucioneve, SHBA thirrje liderëve politikë në Kosovë: Ka ardhur koha për progres dhe stabilitet

By: E S
6 August 2026 at 19:20

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë u bëri thirrje liderëve politikë në Kosovë të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve të reja në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Reagimi vjen pasi dështoi edhe përpjekja e radhës për konstituimin e Kuvendit.

Në reagimin e saj, Ambasada amerikane tha se qytetarët presin që udhëheqësit të veprojnë në interesin më të mirë të vendit, duke paralajmëruar se ngërçi politik po i kushton Kosovës mundësi të humbura.

“Udhëheqja politike e Kosovës duhet të bashkëpunojë për të formuar institucionet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tij që të përmbushin zotimin për të punuar në interesin më të mirë të vendit”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Mesazhi erdhi pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi shtyrjen e konstituimit të Kuvendit për të vijuar bisedimet për zgjedhjen e presidentit. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati për konstituimin e Kuvendit përfundon më 7 gusht.

Vijon beteja me flakët në fshatrat e Fierit, rinis operacioni nga ajri për shuarjen e zjarrit

By: E S
6 August 2026 at 19:10

Zjarri që ka shpërthyer në kufirin mes fshatrave Lofkënd dhe Drenije vazhdon të përhapet me shpejtësi, i ndihmuar nga era e fortë.

Sipas informacioneve nga terreni, vatra e flakëve po avancon në drejtim të Vloshit, duke rritur rrezikun për sipërfaqe të tjera me bimësi dhe pyje.

Pas një ndërprerjeje të përkohshme, helikopterët kanë rifilluar operacionet ajrore në mbështetje të forcave zjarrfikëse dhe strukturave të emergjencës, të cilat vazhdojnë punën për izolimin e flakëve.

Operacioni mbetet në zhvillim. Autoritetet po monitorojnë nga afër situatën dhe po bëjnë përpjekje për ta vënë zjarrin nën kontroll.

Lufta ndryshon turizmin/Konflikti në Lindjen e Mesme dëmton fluturimet dhe rrit kërkesën për Europën

6 August 2026 at 19:01

Lufta mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit po ndryshon ndjeshëm planet e pushimeve verore të mijëra turistëve. Konflikti ka detyruar shumë kompani ajrore të shmangin hapësirën ajrore të Lindjes së Mesme, duke sjellë fluturime më të gjata, vonesa dhe kosto më të larta.

Sipas Al Jazeera, pasiguria në rajon po detyron udhëtarët të ndryshojnë itineraret ose të anulojnë udhëtimet. Një prej tyre është Nadia Waleed nga Londra, e cila pa që ndalesa e saj në Dubai u zgjat nga tre në 18 orë, ndërsa fluturimi i kthimit u shty me një muaj.

Edhe operatorët turistikë në Britaninë e Madhe raportojnë mijëra rezervime të riorganizuara ose të anuluara, sidomos për udhëtimet që kalojnë përmes Dubait, Katarit dhe Abu Dhabit. Në të njëjtën kohë, turistët po zgjedhin gjithnjë e më shumë destinacione evropiane që konsiderohen më të sigurta.

Italia, Spanja, Greqia dhe Norvegjia janë ndër vendet që kanë shënuar rritjen më të madhe të kërkesës këtë verë. Edhe kompania TUI konfirmon se rezervimet për pushime brenda Evropës janë në rritje, ndërsa interesi për paketat e organizuara është shtuar.

Ndërkohë, Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit ka zgjatur paralajmërimet për fluturimet mbi disa vende të Lindjes së Mesme, ndërsa linja të mëdha ajrore kanë kufizuar fluturimet drejt rajonit. Pasojat po ndihen edhe në destinacionet turistike si Sri Lanka, ku rezervimet kanë rënë ndjeshëm, duke shtuar shqetësimet për sezonin veror.

VIDEO / Nufi ndan pamjet: Tre avionët zjarrfikës, investim strategjik për sigurinë e Shqipërisë

6 August 2026 at 18:52

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike për investimet në mbrojtjen civile dhe marrëveshjen e huasë FMF me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Nufi i cilësoi akuzat e opozitës si “krejt të pakuptimta”, ndërsa theksoi se ato vijnë në një kohë kur strukturat e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura po përballen me situatën e zjarreve në vend.

“Në këtë situatë zjarresh dhe pune të jashtëzakonshme të të gjithë efektivëve zjarrfikës, të Emergjencave Civile në Forcat e Armatosura, të pilotëve heronj të Forcës Ajrore – reagimi dhe akuzat e Partisë Demokratike janë krejt të pakuptimta duke zgjedhur të bëjë tymnajë me dy prej hapave më të rëndësishëm të ndërmarra së fundmi nga Shqipëria për sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen civile”, shkruan ai.

Nufi iu referua edhe marrëveshjes së huasë FMF prej 302 milionë dollarësh me SHBA-të, për të cilën tha se është një investim i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes, si dhe investimit për blerjen e tre avionëve të dedikuar për shuarjen e zjarreve.

“PD nisi një sulm e deri padi në gjykatë, për marrëveshjen e Huasë FMF prej 302 milion dollarësh me SHBA ; dhe tani në vend që të solidarizohet me efektivët e emergjencave civile në gjithë Shqipërinë (që mund të jenë të majtë apo të djathtë), të cilët po i shërbejnë Atdheut për të përballuar situatën e zjarreve – sulmojnë edhe investimin për pajisjen e Shqipërisë me 3 avionë të dedikuar për shuarjen e zjarreve”, shkruan ai.

Sipas ministrit, pajisja me avionë zjarrfikës synon të rrisë kapacitetet e Shqipërisë në fushën e mbrojtjes civile, ndërsa procesi është zhvilluar në përputhje me legjislacionin shqiptar, mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, transparencës dhe konkurrencës.

Investimi në tre avionët e rinj zjarrfikës, i cili fillon që me trajnimin në kushte dhe kohë reale të pilotëve tanë për përdorimin e tyre, ka si qëllim të forcojë kapacitetet tona në kuadër të mbrojtjes civile.

Ky është një investim i bërë plotësisht konform legjislacionit shqiptar në fuqi, mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë, i cili sipas ligjit është fituar nga oferta më e ulët. Mbi të gjitha, ky investim ka rëndësi strategjike për rritjen e sigurisë civile, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, të pasurisë dhe të mjedisit”, shkruan ai.

Në fund të reagimit të tij, ministri deklaroi se çështjet që lidhen me sigurinë kombëtare, mbrojtjen civile dhe partneritetet strategjike nuk duhet të përdoren për përfitime politike.

Ai falënderoi gjithashtu zjarrfikësit, efektivët e Emergjencave Civile, pilotët e Forcës Ajrore dhe strukturat e tjera që po angazhohen në përballimin e situatës së zjarreve në vend.

“E kam thënë dhe do e përsëris sa herë të jetë e nevojshme: çështjet që prekin sigurinë kombëtare, mbrojtjen civile dhe/apo partneritetet strategjike nuk duhet të jenë fushë për konsum politik. Dhe nëse ndodh: rasti më i mirë është padije; ndër rasti më i keq është dashakeqësi kundër interesit qytetar dhe atij kombëtar. Kjo, në mes të një situate emergjencash civile që po menaxhohen me profesionalizëm nga heronjtë në vijën e parë të zjarrit dhe nga të gjitha strukturat bashkiake, agjencitë shtetërore dhe nga efektivët e Forcave të Armatosura – për të cilët gjej rastin t’i shpreh mirënjohjen më të thellë dhe falënderimin për punën dhe shërbimin ndaj Shqipërisë”, përfundon ai.

UNICEF: Një fëmijë vritet përditë në Gaza, pavarësisht se ka armëpushim

6 August 2026 at 18:45

Sipas UNICEF-it, rreth 300 fëmijë janë vrarë në Rripin e Gazës gjatë afërsisht 300 ditëve që nga shpallja e armëpushimit më 10 tetor 2025, një mesatare prej një fëmije të vrarë çdo ditë.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët thekson se qindra të tjerë janë plagosur, shumë prej tyre me lëndime të rënda, duke paralajmëruar se situata humanitare për fëmijët mbetet alarmante, pavarësisht premtimeve për ndalimin e luftimeve.

Drejtori rajonal i UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Edouard Beigbeder, deklaroi se një armëpushim gjatë të cilit vazhdon të humbasë jetën mesatarisht një fëmijë në ditë nuk mund të konsiderohet një zgjidhje që mbron fëmijët. Ai u bëri thirrje palëve të përfshira në planin e paqes të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara që t’i shndërrojnë zotimet në veprime konkrete, duke ndalur dhunën dhe duke garantuar qasje të plotë për ndihmat humanitare.

UNICEF njofton se familjet në Gaza janë të detyruara të jetojnë në vetëm një pjesë të kufizuar të territorit, mes ndërtesave të shkatërruara, rrënojave dhe mbeturinave që ende nuk janë pastruar. Fëmijët përballen çdo ditë me mungesë ushqimi, ujë të pijshëm të sigurt, shërbime sanitare dhe kujdes shëndetësor. Gjendja është veçanërisht e rëndë për foshnjat e lindura para kohe, pasi mungesa e inkubatorëve ka detyruar spitalet që në disa raste të vendosin më shumë se një foshnjë në të njëjtën pajisje.

Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore në Gaza, që nga tetori i vitit 2023 janë vrarë mbi 73 300 palestinezë. UNICEF vlerëson se më shumë se 58 000 fëmijë kanë humbur njërin ose të dy prindërit, ndërsa mbi një milion të mitur kanë nevojë urgjente për mbështetje psikologjike dhe shërbime mbrojtëse. Organizata ka raportuar më herët se rreth 17 000 fëmijë janë të pashoqëruar ose janë ndarë nga familjet e tyre, duke e cilësuar këtë si një nga krizat më të mëdha të mbrojtjes së fëmijëve në botë.

Përveç rrezikut të vazhdueshëm nga sulmet, fëmijët në Gaza po përballen me pasoja të rënda në jetën e përditshme. Zhvendosjet e përsëritura, humbja e të ardhurave familjare, mungesa e arsimit dhe qasja e kufizuar në kujdes shëndetësor kanë ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre. Sipas organizatës, shumë fëmijë e kalojnë ditën duke kërkuar ujë, duke pritur në radhë për ushqim ose duke mbledhur dru për zjarr, në vend që të ndjekin shkollën apo të luajnë.

Një nga rastet që ka tronditur opinionin publik ishte sulmi i 2 gushtit në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës, ku, sipas raportimeve, humbën jetën një grua shtatzënë, bashkëshorti i saj dhe djali pesëvjeçar. Banorët raportuan se nga rrënojat u nxorën edhe mbetjet e foshnjës së palindur.

UNICEF thekson se mungesa e hapësirave të sigurta për lojë dhe zhvillim po i privon fëmijët nga elementët bazë të fëmijërisë. Vlerësimet e organizatës tregojnë se ndërprerja e arsimit dhe mungesa e aktiviteteve zhvillimore do të kenë pasoja afatgjata në brezin e ri, nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme për rikuperimin e tyre.

Në të njëjtën kohë, UNICEF ka njoftuar se ka dërguar mbi 600 paleta me materiale shkollore dhe sapun në Gaza, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, i cili pritet të nisë brenda dy javësh. Organizata thekson se testi i vërtetë për çdo marrëveshje armëpushimi mbetet ndalimi i plotë i vrasjeve, shpërndarja e ndihmave në shkallë të gjerë, rikthimi në funksion i spitaleve dhe sigurimi i ujit të pijshëm për popullsinë civile.

Kasetofoni që u kthye në masakër! Zbardhet dosja e Hoxhës: Pas dy vëllezërve vrau edhe gruan e tij 19-vjeçare

6 August 2026 at 18:36

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ekstraduar drejt Shqipërisë Sokol Hoxhën, personin e akuzuar për një vrasje të trefishtë, i cili për rreth 30 vite i është shmangur drejtësisë.

Hoxha, i arrestuar disa muaj më parë në SHBA, tashmë do të përballet me drejtësinë shqiptare për një nga ngjarjet më të rënda kriminale të vitit 1997, vrasjen e dy vëllezërve Ilirjan dhe Hektor Banaj në Patos.

Ngjarja ka ndodhur më 30 mars të vitit 1997, në një periudhë të trazuar për vendin, ndërsa konflikti që çoi në vrasje nisi pas një debati për një kasetofon makine.

Sipas dosjes që disponon gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, rezulton se Ilirjan Banaj kishte pasur një përplasje me Ervin Sulollarin për shkak të një kasetofoni që ky i fundit ia kishte dhënë dhe më pas kishte përfunduar te një person tjetër. Në këtë debat ka qenë i pranishëm edhe Sokol Hoxha, i cili ndërhyri duke goditur me pëllëmbë të dy personat.

Pas konfliktit, Ilirjan Banaj është larguar dhe ka shkuar në banesën e tij. Më vonë ai ka dalë me automjetin e tij dhe, sipas dosjes, ka qëlluar me armë në ajër në një rrugë të qytetit të Patosit.

Ky veprim ka bërë që Dritan Selimi (nipi i Sokol Hoxhës), i cili sipas hetimeve kishte marrë vesh për ngjarjen, të njoftonte Sokolin. Sipas akteve të gjykimit, të dy janë armatosur me pistoletë dhe automatik dhe kanë dalë në kërkim të Ilirjan Banajt.

Në zonën e tregut të fruta-perimeve pranë stacionit të autobusëve në Patos, dy vëllezërit Ilirjan dhe Hektor Banaj janë përballur me automjetin fuoristradë pa targa ku udhëtonin Sokol Hoxha, Dritan Selimi dhe Ervin Sulollari.

Sipas dëshmive të administruara në dosje, pas një debati të shkurtër, Sokol Hoxha ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar ndaj Ilirjan Banajt. Kur Hektori ka dalë nga makina për të ndaluar sulmin ndaj vëllait të tij, edhe ai është qëlluar me armë.

Në dosje thuhet se Dritan Selimi ka përdorur automatikun ndaj Hektor Banajt, ndërsa edhe Sokol Hoxha ka qëlluar në drejtim të tij. Pas sulmit, dy autorët janë larguar nga vendngjarja me automjetin e tyre.

Një dëshmitar okular i cituar në dosje, Leonard Rrapaj, ka deklaruar se ka parë dy personat të largoheshin nga vendi i ngjarjes me një fuoristradë pa targa, ndërsa mbanin armë zjarri.

Ekspertizat mjeko-ligjore kanë dokumentuar pasojat e rënda të sulmit. Sipas dosjes, në trupin e Ilirjan Banajt janë konstatuar 11 plagë të shkaktuara nga armë zjarri, ndërsa te Hektor Banaj janë evidentuar 4 plagë të rënda, me dëmtime në organe jetësore.

Gjykata ka arritur në përfundimin se Sokol Hoxha dhe Dritan Selimi kanë kryer vrasjen në bashkëpunim, duke i shpallur fajtorë për vrasjen e dy vëllezërve.

Në dosje theksohet se rëndësinë e veprës e rëndojnë mënyra e kryerjes, përdorimi i armëve dhe fakti që autorët u larguan nga vendi i ngjarjes dhe iu shmangën drejtësisë për vite me radhë.

Përveç çështjes së vrasjes së vëllezërve Banaj, Sokol Hoxha është dënuar me burgim të përjetshëm edhe në Belgjikë për vrasjen e shtetases shqiptare Brunilda Dervishi, 19-vjeç. Me viktimën ai ishte i martuar dhe e detyronte të prostituonte. Por Dervishi e ka kundërshtuar çka i ka marrë edhe jetën.

Pas arrestimit të tij në SHBA, autoritetet shqiptare kanë nisur komunikimet me palën belge për transferimin e çështjes.

Ndërkohë, autoritetet britanike kanë revokuar pasaportën britanike që Hoxha kishte marrë rreth viteve 2000 me identitetin Hysen Gashi, emër me të cilin ai kishte hyrë më pas edhe në SHBA.

❌