Normal view

Nga Kruja në Tiranë për të shitur pistoletën, arrestohet te ‘Kthesa e Kamzës’ 26-vjeçari

By: A R
26 August 2026 at 13:00

Një 26-vjeçar nga Kruja është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se po transportonte një armë zjarri me qëllim shitjen e saj. Policia njofton se operacioni i koduar “Price” u finalizua nga shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve.

Sipas policisë, informacioni operacional lidhej me një person që po udhëtonte nga Kruja drejt Tiranës me një armë zjarri në automjet. 26-vjeçari, me inicialet N. D., banues në Krujë, u arrestua në vendin e quajtur “Kthesa e Kamzës”.

Gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte, efektivët gjetën dhe sekuestruan një pistoletë, e cila dyshohet se ishte siguruar dhe po transportohej për t’u shitur në Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu automjeti me të cilin lëvizte 26-vjeçari dhe celulari i tij. Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i plotë:

Lëvizte nga Kruja në Tiranë, për të shitur një pistoletë, arrestohet 26-vjeçari. Sekuestrohet arma, automjeti me të cilin lëvizte i arrestuari dhe celulari i tij. Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacionit të siguruar në rrugë operative, për një shtetas që po levizte drejt Tiranës, me armë zjarri, në automjet, finalizuan operacionin e koduar “Price”, gjatë të cilit u arrestua te vendi i quajtur “Kthesa e Kamzës”, shtetasi N. D., 26 vjeç, banues në Krujë.

Nga kontrolli në automjetin që drejtonte 26-vjeçari u gjet 1 armë zjarri (pistoletë) që dyshohet se ishte siguruar dhe po transportohej me qëllim shitjen në Tiranë. Vijon hetimi për identifikimin dhe ndalimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast kriminal, si dhe për dokumentimin ligjor të të gjitha rrethanave të tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Horoskopi ditor për nesër, e Enjte 27 Gusht 2026

By: A R
26 August 2026 at 12:51

Dashi

Priten probleme shume te mëdha sot ne jetën tuaj ne çift. Do jeni te dy kokëfortë dhe nuk do merreni vesh për asgjë. Beqaret do jene me shume fat dhe do gjejnë personin qe do ju përshtatet me se miri. Mbrëmja do jete e veçante dhe mjaft emocionuese. Me financat mundohuni te tregoheni te kujdesshëm sepse gjendja ne një moment mund t’iu dale jashtë kontrollit.

Demi

Do jeni me te disponueshem gjate kësaj dite ndaj partnerit tuaj dhe marrëdhënia ne çift do jete me e mire. Beqaret do dashurohen koke e këmbë me një person qe sapo e kane njohur dhe do fillojnë një lidhje te qëndrueshme. Ne planin financiar gjendja do filloje te përmirësohet dalëngadalë dhe nuk do keni aspak probleme për te kryer shpenzimet me te domosdoshme.

Binjaket

Jeta ne çift do vazhdoje te ece me se miri gjate gjithë kësaj dite. Nuk do keni asnjë debat apo problem me partnerin dhe do filloni ta shohin me një sy tjetër te ardhmen. Beqaret do jene me shume se kurrë kureshtare dhe do dëshirojnë te provojnë emocione te reja. Marsi do sjelle goxha probleme financiare. Merrni masa sa me shpejt sepse gjendja do jete vërtet e vështirë.

Gaforrja

Do ndiheni shume mire sot pranë personit qe dashuroni dhe marrëdhënia ne çift do ete e ngrohte. Do shkëmbeni me te çdo ide apo mendim. Beqaret do e gjejnë me ne fund personin ideal dhe do fillojnë me te një lidhje serioze. Ne planin financiar do jeni me shume fat. Jo vetëm qe do kryeni investimet e nevojshme, por do mund te hiqni edhe disa para mënjanë.

Luani

Ndikimi i yjeve do jete shume negativ gjate kësaj dite për ju qe jeni ne një lidhje. Për këtë arsye do lindin debate dhe mosmarrëveshje ne çdo moment. Beqaret nuk do mundin dot te përfitojnë nga ftesat qe do ju bëhen dhe do mbeten serish me te njëjtin status. Ne planin financiar nuk do ndodhe asgjë e jashtëzakonshme, por mundohuni sa te mundni te ruani qëndrueshmërinë.

Virgjeresha

Duhet me çdo kusht te shmangni konfliktet ne çift gjate kësaj dite ju qe jeni ne një lidhje. Nëse e shihni qe situata filloj\ te acarohet me mire ikni dhe qëndroni pak kohe larg. Beqaret do përfitojnë pa fund nga liria qe kane dhe as qe do e kenë te nevojshme një lidhje. Ne planin financiar nuk do ndikoje asnjë planet, prandaj gjendja do mbetet e mire.

Peshorja

Marrëdhënia ne çift do thellohet edhe me shume gjate kësaj dite dhe do e keni me te lehte te flisni hapur me partnerin. Paragjykimet duhet t’i lini mënjanë. Beqaret do ndihen gjate gjithë kohës te dëshiruar nga te tjerët dhe do e fillojnë menjëherë një lidhje. Ne planin financiar do keni probleme te njëpasnjëshme dhe nuk do arrini dot te kryeni as shpenzimet me te nevojshme.

Akrepi

Te dashuruarit do kenë një dite te kënaqshme dhe pa probleme. Dashurohuni ashtu si ta mendoni se është me mire. Priten takime te rëndësishme gjate kësaj dite për ata qe janë ende vetëm. Ka mundësi qe gjithçka te ndryshoje njëherë e mire për ta. Saturni do ju ndihmoje ne planin financiar dhe do e rigjeni ekuilibrin e munguar. Tashme do ndiheni me te qete.

Shigjetari

Jeta ne çift do ketë ndikim shume te madh nga planetët gjate gjithë kësaj dite. Here do jeni ne humor te mire dhe here do konfliktoheni për gjera te kota me partnerin. Beqaret do flirtojnë gjithë kohës me disa persona qe ne fakt nuk ja vlejnë. Kujdes mos bëni gabime. Financat menaxhojini me përkujdes ne mënyrë qe gjithçka te ece me se miri. Ju mundeni!

Bricjapi

Gjithçka do ndodhe si me magji sot ne jetën tuaj ne çift dhe emocionet e kënaqësitë do jene te papërshkrueshme. Beqaret do ndihmohen nga Jupiteri. Ata do afrohen me tepër pranë personit qe pëlqejnë dhe do ja shprehin ndjenjat ne një mënyrë te veçante. Financat do varen nga ju. Po shpenzuat shuma te konsiderueshme menjëherë do përballeni me vështirësi pa fund.

Ujori

Shume gjera te jashtëzakonshme kane për te ndodhur sot ne jetën tuaj ne çift. Emocionet do shumëfishohen dhe do ju duket sikur jeni mbi re. Beqaret do jene gati ta pranojnë propozimin e dikujt dhe do fillojnë një lidhje serioze. Gjendja e te ardhurave nuk do jete aq e mire sa mendonit. Lërini për me vone disa investime dhe mos shpenzoni shuma te mëdha.

Peshqit

Dite tejet e vështirë kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Nuk do merreni vesh mire me atë qe keni ne krah dhe mund te debatoni ashpër. Beqaret do kenë mundësi vetëm për aventura kalimtare, asgjë me shume sesa aq. Buxhetin do e menaxhoni me shume përkujdes. Nuk do kryeni aspak investime te panevojshme te cilat do mund ta tronditnin situatën.

Trafikuan drogë me taksi në Mykonos, goditet rrjeti me shqiptarë, grekë e turq. Zbardhen përgjimet telefonike

By: A R
26 August 2026 at 12:43

Autoritetet greke kanë shkatërruar një rrjet të mirëorganizuar të trafikimit dhe shpërndarjes së kokainës në ishullin e Mykonosit. Grupi kriminal përdorte tre kompani transporti privat (transfer) si mbulesë për të kamufluar aktivitetin e paligjshëm dhe për të pastruar paratë.

Mediat greke raportojnë se, në pranga kanë rënë 9 persona, shqiptarë, grekë dhe turq, të cilët ishin pronarë të këtyre kompanive që transportonin turistë brenda ishullit.

Gjatë operacionit të zhvilluar më 21 gusht, policia sekuestroi sasi të ndryshme droge, para të gatshme dhe 7 furgonë që përdoreshin për lëvizjen e lirshme në çdo zonë pa ngjallur dyshime.

Hetimet zbuluan se anëtarët përdornin gjuhë të koduar për të shmangur zbulimin. Kokaina rozë thirrej “lachmatzoun”, “garniturë rozë”, “me ngjyra” apo “recetë sekrete”, ndërsa kokaina e zakonshme emërtohej si “klasike”, “vezë” apo “vajza”.

Rrjeti shiste 1 gram kokainë të zakonshme për 120-150 euro, 1 gram kokainë rozë për 170-200 euro dhe MDMA për 60-80 euro grami. Në një përgjim telefonik të datës 19 korrik, dy anëtarë të rrjetit dëgjohen duke udhëzuar njëri-tjetrin për vendndodhjen e lëndës narkotike:

Anëtari 1: “Ke edhe… në… panelin e instrumenteve përpara, atje në ndarjen e kruskotit…”

Anëtari 2: “Po.”

Anëtari 1: “Ke edhe dy lakman. Janë në… në lojë…”

Anëtari 2: “Po.”

Anëtari 1: “Mbaje mendjen… Vetëm mbaje mendjen, kështu. Mbaje mendërisht.”

Hetimet kishin nisur që në fillim të korrikut pas informacioneve për një organizatë që operonte mes Atikës dhe Mykonosit, ku pikënisja ishte përgjimi i një personi jo grek të njohur me pseudonimin “ISA”.

Lidhur me mënyrën se si funksiononte kjo mbulesë, një oficeri i Prokurorisë greke u shpreh:

Si një mjet për të fshehur aktivitetin e tyre të paligjshëm në ishullin e Mykonosit, ata përdorin kompani transporti që janë aktive në transportimin e turistëve dhe vizitorëve në ishull. Nëpërmjet këtij aktiviteti profesional, anëtarët e organizatës vendosin kontakt të drejtpërdrejtë me një numër të madh vizitorësh të huaj ose vendas në ishull.

Përveç parave të gatshme, grupi përdorte edhe metoda moderne pagese për të justifikuar të ardhurat. Oficeri i policisë që drejtoi hetimet shpjegoi.

Anëtarët e organizatës nuk ishin të kufizuar vetëm në përdorimin e parave të gatshme për shitjen e drogës. Ata gjithashtu përdornin instrumente elektronike të pagesës POS, llogaritë e platformës Revolut dhe IRIS, me qëllim lehtësimin e klientëve të tyre dhe arritjen e pastrimit të parave duke justifikuar transaksionin si një aktivitet legjitim nga ofrimi i shërbimeve të transferimit.”

Të gjithë të arrestuarit pritet të dalin të enjten e ardhshme përpara hetuesit për të dhënë dëshmitë e tyre zyrtare.

Ish-ambasadori Walker, letër liderëve të partive në Kosovë. Ja emri që propozon për President

By: A R
26 August 2026 at 12:34

Ish-ambasadori amerikan, William G. Walker, ka propozuar Faton Bislimin, lobuesin për çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në SHBA, si kandidat për president të Kosovës.

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, përmes një letre dërguar kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini, ka shprehur shqetësimin e tij për krizën politike për zgjedhjen e presidentit të ri.

Në letrën që ka siguruar KosovaPress, Walker e konsideron person adekuat për postin e presidentit Faton Bislimim, i cili ka qenë edhe deputet i parlamentit të Kosovës.
“Kam dëgjuar emrat e disa kandidatëve të mundshëm. Të gjithë ia vlen të merren në konsideratë, por sipas gjykimit tim, asnjëri prej tyre nuk i zotëron të gjitha aftësitë e nevojshme, përvojën dhe personalitetin që kërkon ky post. Më lejoni të sugjeroj një zgjedhje të mundshme. E njoh Faton ‘Tony’ Bislimin prej shumë vitesh. Kemi diskutuar shpesh për politikën e Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe për vendin e këtij shteti të ri në Evropë dhe në botë. Nuk kam asnjë dyshim për pavarësinë e mendimit të Tonit dhe për aftësinë e tij për të shprehur qëndrimin e tij mbi çdo temë. Sipas mendimit tim, i vetmi ndër emrat e mundshëm, Toni i zotëron të gjitha aftësitë e nevojshme – si dhe personalitetin që u përshtatet atyre – për të qenë një President i suksesshëm. Më lejoni të rendis aftësitë që i konsideroj thelbësore për një presidencë të suksesshme”, thuhet në letrën e tij dërguar.

Walker thekson veçanërisht se Kosova ka nevojë për një president që përfaqëson vendin në tërësi, e jo një parti apo një qëndrim të caktuar politik./KosovaPress/

Shkoi për festën e gjinisë së fëmijës, arrestohet në Berat i kërkuari për tentativë vrasjeje

By: A R
26 August 2026 at 12:24

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) të Fierit kanë ekzekutuar mbrëmjen e djeshme urdhër-arrestin për Bledar Çunin, i shpallur në kërkim si autor i dyshuar për ngjarjen e rëndë të regjistruar në muajin dhjetor 2025 në Durrës, ku mbeti i plagosur me armë zjarri i riu Fabion Kuçi, i njohur si personazh i rrjetit social “Tik-Tok” me nofkën “Guçi”.

Arrestimi në Berat gjatë festës familjare

Sipas informacioneve nga gazetari Elton Qyno, policia kriminale e Durrësit dhe ajo e Beratit kishin siguruar informacion në rrugë operative se 35-vjeçari ndodhej në qytetin e Beratit. Çuni kishte udhëtuar atje për të marrë pjesë në një festë familjare dhe shoqërore të organizuar për zbulimin e gjinisë së fëmijës së bashkëshortes së tij.

Pas përfundimit të festës në ambientet e një lokale, forcat e ndërhyrjes së shpejtë ndërhynë dhe bënë të mundur kapjen e tij pa i lënë mundësi rezistence. Gjatë operacionit, automjeti i tij dhe mjete të tjera të pranishme iu nënshtruan kontrollit nga strukturat e policisë, ndërsa ditën e sotme ai pritet të dërgohet në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës për t’u njohur me masën e sigurisë “Arrest në burg” dhënë nga gjykata.

Prapavija e ngjarjes dhe dinamika e sulmit

Ngjarja e dhunshme ndaj Fabion Kuçit dyshohet se ka nisur si pasojë e konflikteve, fyerjeve dhe sharjeve të ndërsjella në rrjetin social “Tik-Tok”. Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Durrësit dhe pamjeve filmike të sekuestruara:

Bledar Çuni, i cili mbante një kapuç por me fytyrë të zbuluar, dyshohet se është personi që ka qëlluar me armë zjarri pistoletë dhe ka përdorur sende të forta (karrige metalike) ndaj të riut, i cili u fshi pas banakut të lokalit.

Në sulm kanë marrë pjesë edhe persona të tjerë, mes tyre Fabjan Brahja (i arrestuar më herët në muajin maj 2026 në Kamëz) dhe një shtetas tjetër me iniciale L.B., ku pamjet tregojnë se ngjarja është filmuar gjithashtu me telefon nga një prej autorëve.

Si pasojë e dhunës dhe e të shtënave, Kuçi pësoi dëmtime serioze në njërën këmbë, ndërsa autorët u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Të kaluarat kriminale dhe hetimet në vijim

Bledar Çuni është një personazh me precedentë të mëparshëm penalë, i skeduar dhe ndaluar më herët nga autoritetet për vepra penale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Çështja ndaj tij vijon të pasurohet me prova të reja, përfshirë dëshminë e vetë të dëmtuarit Fabion Kuçi, i cili e ka identifikuar qartësisht Çunin si një nga autorët kryesorë të këtij krimi të mbetur në tentativë.

Ylli Zalla monitorohej me dron ‘Bayraktar’, para arrestimit ‘patrullonte’ me kallash në dorë (VIDEO)

By: A R
26 August 2026 at 12:16

Këto pamje janë gjatë monitorimit që policia e Tiranës i ka bërë të shumëkërkuarit Ylli Zalla, i cili u prangos pak ditë më parë në afërsi të banesës së tij në Krujë.

Siç duket nga pamjet, ai është mbajtur nën vëzhgim me dron të teknologjisë së lartë, dronin “Bayraktar”, për të mbajtur nën kontroll lëvizjet e tij.

Në pamje, Zalla shfaqet duke lëvizur në zonë me një kallashnikov në krah, armë që iu sekuestrua bashkë me 3 karikatorë.

Ai u mbajt në survejim nga policia e Tiranës derisa u prangos nga forcat speciale RENEA, pas 10 muajsh arrati.

Ylli Zalla u ndalua pasi akuzohet për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municionit, por në disa reagime në rrjetet sociale i ka mohuar këto akuza. Zalla shprehej se policia nuk donte ta arrestonte, por ta vriste, dhe sipas tij, kjo ishte arsyeja pse qëndronte në arrati.

Zalla u shpall në kërkim më 14 nëntor të vitit 2025, pas kontrolleve që Policia po kryente në zonën e Fushë-Krujës, në kuadër të hetimeve për atentatin në aeroportin e Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Në banesën e tij, Policia tha se kishte gjetur një arsenal armësh.

Blutë u rikthyen në banesën e Zallës më 20 shkurt të këtij viti, ku po ashtu gjetën një tjetër arsenal armësh, lëndë plasëse, municion luftarak, lëndë narkotike dhe uniforma policie.

Në përpjekje për arrestimin e tij, Policia shkoi sërish në banesën e tij më 23 qershor, ku gjetën një armë zjarri, pistoletë me fishekë në fole, gati për qitje, një celular, municion luftarak dhe një detektor frekuencash.

Një ditë para arrestimit, atij iu vendos lëndë plasëse në banesë.

Aleanca dorëzon kallëzim penal për 17 vendime të qeverisë së Albin Kurtit

By: A R
26 August 2026 at 12:08

Subjekti politik, Aleanca ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Qeverisë në detyrë të Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, për 17 vendime që ka marrë në mbledhjen e 12 gushtit.

Sipas deputetit të zgjedhur nga kjo parti, Besnik Tahiri, këto vendime janë në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret qeveritare.

Qeveria në detyrë nuk guxon në asnjë moment të shkelë ligjin që vetë e ka miratuar, Ligjin për Qeveri, në ligj të cilin kemi punuar edhe ne për të qenë, për shkak se është ekskluzivisht e thënë në qartë se kjo qeveri i ka kompetencat dhe detyrime të kufizuara”, tha Tahiri në deklarimin për media para ndërtesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, në Prishtinë.

Çfarë vendime kishte marrë më 12 gusht Qeveria në detyrë e Kosovës?

Në mbledhjen e 12 gushtit, ekzekutivi në detyrë kishte marrë gjithsej 24 vendime, ndër to ishin qiradhënia e parcelave në Cërnillë të Ferizajt, deri më 18 dhjetor 2033, vendimi për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror, ai për emërimin e komisioneve të pranimit për pozitat e drejtorëve ekzekutivë në Agjencinë Qendrore të Prokurimit, në Thesarin e Kosovës dhe në Agjencinë Kosovare për Standardizim.

Po ashtu disa vendime që lidhen me procedura të shpronësimit dhe prona publike, për themelimin e Komisionit Kombëtar për Refugjatë, vendimi për ndarjen e 100 mijë eurove për DokuFest-in dhe vendime e emërime të tjera për komisione të pranimit në pozita të larta drejtuese.

Në kallëzimin penal, Aleanca tha se ka përmendur edhe çështjen që, sipas saj, disa deputetë të zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje po bëjnë shkelje duke vazhduar funksione ekzekutive si ministra.

Nuk mundesh të shkosh paradite në seancë e të betohesh si deputet, të votosh si deputet dhe pastaj prej aty të vazhdosh në Qeveri dhe të ushtrosh detyra ekzekutive si ministër në detyrë

Kurti, së bashku me disa ministra në detyrë, janë betuar si deputetë të legjislaturës së 11-të më 6 gusht.

Më 15 korrik 2025 Gjykata Supreme e Kosovës kishte shpallur të të paligjshëm dhe e kishte shfuqizuar një udhëzim administrativ të nxjerrë nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

Atë kohë kjo gjykatë kishte thënë se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese, duke nxitur kundërshtim të ashpër nga Qeveria në detyrë.

Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”, kishte thënë Supremja.

Që nga zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, ekzekutivi kosovar është në detyrë. Që atëherë, qeveria ka ndërmarrë mbi 70 vendime.

Përfaqësuesit e subjekteve të tjera politike, por edhe ata të shoqërisë civile i kanë vlerësuar këto vendime si në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë.

Sipas tyre, një qeveri në detyrë duhet të kufizohet në aktivitetet e domosdoshme dhe në zbatimin e agjendës së planifikuar më herët.

Liridon Salihi nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se Qeveria në detyrë mund të emërojë kandidatë në pozita publike vetëm nëse procedurat për plotësimin e këtyre pozitave janë iniciuar në kohën kur Qeveria ka qenë me mandat të plotë.

Vendime të kundërligjshme i kanë cilësuar edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësinë, që kanë argumentuar se vendimet e ekzekutivit bien ndesh me Ligjin për Qeverinë.

Gzim Shala nga ky institut ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ligji ndalon inicimin e procedurave të reja për emërime në pozita publike dhe marrjen e vendimeve që nuk janë të domosdoshme – siç është dhënia me qira e pronave.

Kjo situatë cenon parimet e sundimit të ligjit, sepse kemi të bëjmë me një situatë të qartë, që është e kundërligjshme dhe është kundërkushtetuese, dhe prapë vazhdon”, ka argumentuar ai.

Megjithatë, një këshilltare ligjore e Kurtit ka shkruar më herët në rrjetet sociale se Ligji për Qeverinë, ndonëse vendos kufij në veprimin e Qeverisë, nuk e bën ekzekutivin një “organ nominal, pa funksion dhe pa përgjegjësi”.

Kufizimi i kompetencave nuk është pezullim i ekzekutivit“, ka shkruar më 19 gusht, Tea Blakaj Hoxha.

Ligji për Qeverinë përcakton se një qeveri në detyrë ka kompetenca të kufizuara, që nuk mund t’i tejkalojë. Aty, në mënyrë të qartë ndalohet marrja e vendimeve të rëndësishme.

Sipas këtij ligji, një qeveri në detyrë mund t’i zbatojë vetëm aktivitetet e domosdoshme, të planifikuara në planin vjetor dhe në Ligjin për Buxhetin.

Asaj nuk i lejohet të miratojë iniciativa për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim nga Kuvendi, e as të miratojë projektligje, ndryshime kushtetuese, strategji apo dokumente konceptuale.

Ligji thotë, po ashtu, se një qeveri në detyrë nuk mund të nisë procedura të reja për emërime në funksione publike, e as të propozojë kandidatë për pozita që kërkojnë miratimin e Kuvendit.

Kallëzimi penal i dorëzuar nga Aleanca vjen në kohën kur Kosova ende nuk ka arritur të përmbyllë konstituimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve nuk ka dhënë emrin e kryeparlamentarit, që do të hapte rrugë për konstituimin e Kuvendit. Kjo parti ka insistuar që fillimisht të ketë një marrëveshje për çështjen e presidentit të ri dhe më pas të mund të vazhdohet me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë./REL

Sauditët me armë bërthamore? Trump dërgon në Kongres marrëveshjen për miratim

By: A R
26 August 2026 at 11:53

Irani njoftoi se ka rifilluar bisedimet me fqinjin e tij, Omanin, për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa përballet me presion të shtuar ekonomik nga Presidenti amerikan Donald Trump në kuadër të konfliktit më të gjerë.

Irani dhe Omani kanë zhvilluar prej javësh bisedime të herëpashershme lidhur me kontrollin e trafikut në këtë rrugë ujore strategjike, e cila përpunonte një të pestën e dërgesave globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm para se të fillonte lufta në muajin shkurt.

Që atëherë, pjesa më e madhe e transportit detar është ndërprerë.

Të martën, të dyja vendet njoftuan se diskutuan për “një korridor të përbashkët dhe të përkohshëm lundrimi” përmes ngushticës dhe ranë dakord për pastrimin e saj nga minat.

Trump deklaroi se të gjitha minat në ngushticë ishin hequr, duke përsëritur komente që i kishte bërë edhe më parë.

Megjithëse armiqësitë aktive midis SHBA-së dhe Iranit janë zbutur kryesisht, përpjekjet diplomatike për të arritur një marrëveshje paqeje kanë ngecur dhe kalimi përmes kësaj rruge ujore mbetet i rrezikshëm.

Presidenti Trump i ka dorëzuar Kongresit për shqyrtim një marrëveshje të rëndësishme bërthamore me Arabinë Saudite, por nuk ka hequr dorë nga kushti i tij i minutës së fundit që mbretëria të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin, bëri të ditur një zyrtar i administratës.

Ky hap pritet të nxisë debate intensive disamujore mes ligjvënësve mbi mënyrën se si të forcohet industria amerikane bërthamore, duke frenuar njëkohësisht përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë në Lindjen e Mesme.

Kur zyrtarët e administratës Trump njoftuan muajin e kaluar marrëveshjen 30-vjeçare, ata deklaruan se ajo do t’u jepte kompanive amerikane një rol qendror në zhvillimin e infrastrukturës bërthamore të Arabisë Saudite, duke përjashtuar konkurrencën e huaj.

Megjithatë, marrëveshja ka rezultuar e diskutueshme, pasi mund të hapë rrugën për pasurimin e uraniumit në territorin saudit.

Biznesmeni i akuzuar për vrasjen e gazetares: Më ngritën kurth, organizatori ishte ish-këshilltari i kryeministrit

By: A R
26 August 2026 at 11:44

Biznesmeni Yorgen Fenech, i cili po gjykohet për bashkëpunim në vrasjen e gazetares investigative Daphne Caruana Galizia në Maltë, ka mohuar çdo përfshirje në krim dhe ka deklaruar në gjykatë se është futur në kurth nga policia.

Fenech, 44 vjeç, foli për herë të parë në gjyqin e tij që prej arrestimit shtatë vjet më parë. Gjatë katër ditëve të dëshmisë, ai akuzoi Keith Schembri, ish-shefin e kabinetit të kryeministrit të atëhershëm Joseph Muscat, se ishte organizatori i vërtetë i vrasjes.

Kur gjyqtarja Edwina Grima e pyeti drejtpërdrejt se kush ishte “organizatori i vërtetë”, Fenech u përgjigj: “Keith Schembri.”

Schembri nuk është akuzuar për vrasjen. Policia ka deklaruar se ai nuk ka qenë kurrë i dyshuar, ndërsa Schembri ka mohuar çdo përfshirje.

Fenech: Schembri ishte i fiksuar pas gazetares
Fenech tha se kishte pasur një miqësi të ngushtë me Schembrin dhe se të dy flisnin pothuajse çdo ditë. Sipas tij, Schembri ishte zemëruar veçanërisht nga shkrimet e Caruana Galizias, përfshirë një artikull ku gazetarja kishte shkruar për problemet e tij shëndetësore.

Fenech pretendoi se gjatë një barbeque në fermën e familjes së tij, Schembri foli për gazetaren dhe se një tjetër person i pranishëm, Melvin Theuma, kishte thënë se “mund ta eliminonin lehtësisht”.

Sipas dëshmisë së Fenech, disa javë më vonë Theuma i tha se kishte kontaktuar persona që po përgatitnin tashmë një plan për vrasjen e gazetares dhe kërkonin 120 mijë euro.

Fenech tha se ia tregoi këtë Schembrit dhe se përgjigjja e tij ishte: “Vazhdo, vazhdo, vazhdo.”

Vrasja dhe arrestimet
Daphne Caruana Galizia u vra më 16 tetor 2017, kur një bombë e vendosur në makinën e saj shpërtheu pranë shtëpisë së saj në Maltë.

Prokuroria mbështetet pjesërisht në dëshminë e Melvin Theuma, i cili ka pranuar se ishte ndërmjetësi në komplot. Ai pretendon se Fenech i dha 150 mijë euro për të angazhuar tre persona për vrasjen.

Tre burra, George dhe Alfred Degiorgio dhe Vincent Muscat u arrestuan në dhjetor 2017 dhe janë dënuar për vrasjen. Muscat ka pranuar përfshirjen e tij në këmbim të një dënimi më të shkurtër.

Akuzat për rrjedhje informacioni
Fenech pretendoi gjithashtu se Schembri i kishte dhënë informacione konfidenciale për operacionet e policisë, përfshirë paralajmërime për arrestime.

Ai tha se pas vrasjes kishte përcjellë mesazhe mes Schembrit dhe Theumës dhe se një prej tyre kishte të bënte me paralajmërimin e autorëve për arrestimin e tyre.

Fenech pretendoi gjithashtu se Schembri i kishte dërguar një pamje ekrani të një raporti konfidencial të Europol, ku renditeshin persona të dyshuar në hetim.

Prokuroria: Gjurmët e gishtërinjve janë kudo
Prokuroria e ka kundërshtuar fuqishëm versionin e Fenech. Gjatë marrjes në pyetje, avokati i prokurorisë Godwin Cini e pyeti nëse Fenech ishte personi që kishte pushtetin real, jo Theuma.

Në fund të marrjes në pyetje, Cini i tha Fenech: “Kë po përpiqesh të mashtrosh? Gjurmët e gishtërinjve të tu janë kudo në këtë çështje.”

Fenech këmbënguli se regjistrimet e bisedave të tij me Theumën ishin përdorur për ta shantazhuar dhe se hetuesit kishin ndihmuar në fshehjen e rolit të Schembrit.

Yorgen Fenech deklarohet i pafajshëm për bashkëpunim në vrasjen e Daphne Caruana Galizias, teksa gjyqi vijon.

VIDEO / Rrëfehet Aleksandër Çipa: Historia e dashurisë dhe momenti kur iu afrua vdekjes

By: A R
26 August 2026 at 10:54

Gazetari Aleksandër Çipa vjen në një rrëfim të rrallë dhe krejt ndryshe nga imazhi që publiku njeh prej vitesh. Në podcastin “Kohë për Reflektim” në DritareTV, ai lë për pak mënjanë analizat dhe komentet e aktualitetit për të ndarë historinë e jetës së tij. Nga kujtimet e fëmijërisë dhe ndikimi i familjes, te dashuria, sfidat personale dhe momentet më të vështira që ka përjetuar, Çipa zbulon anën më njerëzore të rrugëtimit të tij.

Çipa kujton fillimet e tij në botën e shkrimit, kur ende fëmijë publikonte krijimet e para në revistat “Fatosi” dhe “Pionieri”, për të vijuar më pas me gazetat lokale në Gjirokastër e Vlorë, e më vonë në mediat kombëtare. Ai e lidh këtë pasion me mjedisin familjar dhe ndikimin e të atit, poetit Lefter Çipa, duke theksuar se marrëdhënia e tij e parë ka qenë me letërsinë dhe fjalën.

Duke iu zhveshur petkut serioz të ekranit, Aleksandër Çipa zbulon një anë pak të njohur të vetes. Ai rrëfen se beson te karakteristikat e shenjave të horoskopit, ndërsa ndalet edhe te historia e njohjes me bashkëshorten, duke treguar për herë të parë detaje nga një prej kapitujve më personalë të jetës së tij.
Në intervistë, gazetari ndalet edhe te raporti me familjen, mënyra se si ka rritur fëmijët dhe historia e njohjes me bashkëshorten, një episod që e rrëfen me detaje dhe emocion.

Një nga momentet më prekëse të bisedës është kur Aleksandër Çipa kujton një periudhë dramatike, duke treguar se për shkak të profesionit dhe ka qenë shumë pranë vdekjes. Ai e cilëson atë si një nga sprovat më të mëdha të jetës, një përvojë që, sipas tij, i ndryshoi mënyrën se si e sheh jetën dhe njerëzit.

Ethet e Nilit/ Pacienti ‘zero’ në Korçë, ISHP nis hetimin epidemiologjik

By: A R
26 August 2026 at 10:45

Pas konfirmimit të rastit të parë me Ethet e Nilit në Shqipëri, Instituti i Shëndetit Publik ka nisur hetimin epidemiologjik në qarkun e Korçës. Një ekip specialistësh të ISHP-së nga Tirana ka mbërritur në terren për kryerjen e hetimit entomologjik dhe depistimin në vatër, me qëllim identifikimin e pranisë së mushkonjës që transmeton virusin e Nilit Perëndimor dhe marrjen e masave të nevojshme të kontrollit.

Rasti i konfirmuar i përket një 72-vjeçari nga Korça, i cili aktualisht ndodhet nē gjendje tē rëndë në Spitalin Rajonal të Korçës, ku po merr trajtimin mjekësor përkatës. I moshuari jeton në qytetin e Korçës dhe dyshohet se është pickuar nga një mushkonjë gjatë kohës që qëndronte në një lulishte, ku kalonte një pjesë të konsiderueshme të ditës. Pas shfaqjes së shqetësimeve shëndetësore, ai është paraqitur në spital, ndërsa analizat laboratorike kanë konfirmuar infektimin me virusin e Nilit Perëndimor.

Ndërkohë, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik po kryejnë hetime në terren në zona të ndryshme të qarkut të Korçës, për të evidentuar nëse është e pranishme mushkonja që transmeton sëmundjen dhe për të përcaktuar masat e nevojshme për kontrollin e saj.

Në kuadër të hetimit dhe marrjes së masave parandaluese, ekipet e specializuara po kryejnë edhe depistimin në vatër. Gjithashtu, pritet ndërhyrja për dezinfektimin dhe trajtimin e zonave të identifikuara si të mundshme për praninë e mushkonjave.

Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen te njerëzit kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Në shumicën e rasteve infeksioni mund të jetë pa simptoma ose të shfaqet me temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të përziera dhe të vjella. Në raste të rënda, virusi mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë komplikacione serioze. Autoritetet shëndetësore vijojnë monitorimin në terren, ndërsa hetimi i ISHP-së pritet të përcaktojë shkallën e përhapjes së mushkonjës bartëse dhe masat që do të ndërmerren për parandalimin e rasteve të tjera.

Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: Pesë vatra ende aktive. Vijon beteja me flakët në Malin e Dajtit

By: A R
26 August 2026 at 10:33

Ministria e Mbrojtjes ka informuar se gjatë 24 orëve të fundit në territorin e vendit janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 5 vijojnë të jenë aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje.

Ministria njofton se fokusi kryesor i ndërhyrjeve mbetet Mali i Dajtit, ku zjarret vijojnë aktive pas disa riaktivizimeve në të dyja anët e kreshtës. Operacioni vijon edhe sot me përforcimin e 50 efektivëve të Forcave të Armatosura, ndërsa në terren janë angazhuar edhe forca zjarrfikëse dhe të ADZM-së. Mbështetja nga ajri po realizohet me një helikopter dhe dy avionë Air Tractor.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara ndërsa bën të ditur se në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 219 forca operacionale dhe 35 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 60 efektivë, një helikopter dhe dy avionë Air Tractor.

Në qarkun Dibër vijojnë aktive dy vatra zjarri. Në Ballenjë–Kostenjë operacioni po vijon me angazhimin e 6 forcave të AZM Dibër, ndërsa vatra në Qafë të Helmës, në Bulqizë, vijon të monitorohet. Edhe në këto raste nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun Elbasan vijojnë aktive vatrat në Malin e Dardhës, në Librazhd, ku është shënuar riaktivizim, si dhe në Malin e Qukësit, në Prrenjas. Në terren janë angazhuar efektivë të MZSH Librazhd, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se nuk rrezikohen zonat e banuara.

Ndërkohë, situata paraqitet më e përmirësuar në Pukë. Në Gjegjan, Gojan i Vogël, Gojan i Madh, Prozhëm dhe Tërbun nuk ka më vatra aktive, ndërsa zonat vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Riatdhesimi i 5 shqiptarëve nga Siria, dalin pamjet nga Rinasi, Lamallari: Vijojmë punën për..

By: A R
26 August 2026 at 10:24

Pesë shtetas shqiptarë, mes tyre tre të mitur dhe një e moshuar 79-vjeçare, u kthyen në atdhe nga Siria në orën 01:20, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve shqiptare për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen ende në zonat e konfliktit dhe kampet në Siri.

Në aeroportin e Rinasit, për të ndjekur nga afër procesin e kthimit dhe pritjen e shtetasve, ishin Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Koordinatorja Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Lejdi Dervishi, përfaqësues të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe të strukturave të tjera shtetërore të përfshira në këtë proces.

“Mirë se u kthyet në shtëpi!”, shkroi ministri Lamallari, në një postim në rrjetet sociale, duke shpërndarë dhe pamjet e operacionit.

Mes të riatdhesuarve është shtetasja H.T., 79 vjeçe, e cila kishte udhëtuar drejt Sirisë pas humbjes së djalit të saj, i cili ishte larguar drejt këtij vendi për t’iu bashkuar formacioneve të ISIS-it. Ajo kishte shkuar me qëllim marrjen dhe kujdesin për nipërit e saj.

Pas rënies së strukturave territoriale të ISIS-it, H.T. kishte qëndruar në kampin Al-Hol, në kushte veçanërisht të vështira jetese, duke vijuar të kujdesej për fëmijë të mitur, përfshirë edhe dy fëmijë jetimë që ndodheshin nën kujdesin e saj.

Ministri Lamallari përgëzoi përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të përfshira në Task-Forcën e ngritur me Urdhër të Kryeministrit, për përmbushjen e masave dhe koordinimin e nevojshëm për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga zonat e konfliktit.

Procesi i riatdhesimit vijon përmes bashkëpunimit ndërinstitucional, me angazhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Arsimit.

Lamallari konfirmoi se institucionet shqiptare do të vijojnë punën për kthimin e të gjithë shtetasve shqiptarë që ndodhen ende në Siri, duke garantuar respektimin e procedurave ligjore dhe të sigurisë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e përshtatshëm të të miturve.

Ndërron jetë i burgosuri në Fier, pjesë e grupit që pastronte paratë e kokainës në Belgjikë

By: A R
26 August 2026 at 10:15

Një i burgosur ka ndërruar jetë sot në 26 gusht në burgun e Fierit.

I burgosuri që ka ndërruar jetë është Ardian Malasi.

Ai ishte dënuar me tetë vite heqje lirie. Dyshohet se Malasi ka pësuar hemoragji celebrale.

Malasi, pjesë e grupit që pastroi paratë e kokainës në Belgjikë

Ardian Malasi, që ndërroi jetë në burgun e Fierit është dënuar me 8 vite burg për kryerjen e veprës penale “Pastrim i produktit të veprës penale së veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Vendimi ka marrë formën e prerë më datë 01.06.2026. Malasi ishte arrestuar që në datën 26.10.2023. Ai ishte transferuar nga burgu “Jordan Misja” në Tiranë për në IEVP Fier në datë 16.07.2026. Kishte vuajtur 4 vite, 1 muaj e 18 ditë në burg. I kishin mbetur për të shlyer edhe 3 vite, 10 muaj e 12 ditë.

Shtatë të vrarë në Gaza, sulmi izraelit shkatërron magazinën me ndihma

By: A R
26 August 2026 at 10:00

Shtatë palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, ndërsa vazhdojnë shkeljet e armëpushimit të vendosur tetorin e kaluar, sipas burimeve mjekësore lokale.

Tre persona u vranë dhe të tjerë u plagosën nga një sulm ndaj një banese në Beit Lahiya, pranë spitalit Kamal Aduan. Më herët, një sulm me dron në zonën al-Mauasi, në Khan Younis, vrau një person dhe plagosi tre të tjerë.

Tre palestinezë të tjerë humbën jetën nga plagët e marra në sulme të mëparshme në Khan Younis. Sipas korrespondentes së Al Jazeera Arabic, Nour Khaled, dy prej tyre ishin plagosur gjatë një sulmi të hënën, ndërsa personi i tretë rreth dy javë më parë.

Ndërkohë, një sulm izraelit gjatë natës shkatërroi një magazinë ku ruheshin furnizime ushqimore dhe ushqyese për fëmijë, gra shtatzëna dhe nëna që ushqejnë me gji. Sipas Medical Aid for Palestinians (MAP), shpërthimi shembi çatinë dhe muret e objektit, duke varrosur nën rrënoja të gjithë furnizimet, të cilat u dëmtuan dhe u bënë të papërshtatshme për konsum.

Magazina i përkiste organizatës humanitare lokale Ard El Insan dhe furnizonte rreth 60 pika mjekësore, që u shërbejnë deri në 100 grave dhe fëmijëve çdo ditë.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Shëndetësisë në Gaza paralajmëroi për një krizë të rëndë të oksigjenit. Drejtori i Përgjithshëm Munir al-Bursh, tha se vetëm 12 nga rreth 34 stacione oksigjeni janë ende funksionale dhe paralajmëroi se çdo defekt i mëtejshëm mund të rrezikojë jetën e pacientëve.

Sulmet vazhdojnë, pavarësisht thirrjeve të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për ndalimin e sumeve izraelite në Gaza.

Zjarr në Linaj të Malësisë së Madhe, digjen 3 shtëpi, detajet e para

By: A R
26 August 2026 at 09:49

Një vatër zjarri është shfaqur gjatë orëve të mesnatës në fshatin Linaj të Malësisë së Madhe.

Zjarri ka shkaktuar dëme në disa banesa të pabanuara.

Si pasojë e flakëve janë djegur dy deri në tre shtëpi, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikësve ka parandaluar përhapjen e zjarrit drejt banesave ku jetojnë familje.

Aktualisht, situata në zonë është nën kontroll.

Ligjet u ndryshuan, siguria e grave jo

By: A R
26 August 2026 at 09:39

Një grua shtatzënë, 25 vjeçe, u vra më 24 gusht në Malishevë. Për vrasjen dyshohet bashkëshorti i saj.

Gati katër vjet më parë, një tjetër grua shtatzënë u vra në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Edhe për vrasjen e saj dyshohej bashkëshorti.

Vrasja e 35-vjeçares, në nëntor të vitit 2022, nxiti protesta dhe vuri nën presion institucionet për të ndryshuar mënyrën se si i trajtojnë dhe parandalojnë rastet e dhunës ndaj grave.

Në vitet që pasuan, u ndryshuan ligje, u shkurtuan afatet për hetimin dhe gjykimin e rasteve të dhunës në familje dhe u investuan 600 mijë euro në një sistem elektronik për mbikëqyrjen e personave ndaj të cilëve gjykatat vendosin masa të tilla.

Por, vrasja e 24 gushtit ngre pyetjen: sa kanë ndryshuar këto masa sigurinë e grave në praktikë?

Të dhënat e Policisë së Kosovës, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, tregojnë se në katër vjetët e fundit janë vrarë 11 gra – tri prej të cilave deri më tash këtë vit, përcjell A2.

Në shumicën e rasteve, autorë të vrasjeve janë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Organizatat që merren me të drejtat e grave thonë se problemi nuk është më vetëm mungesa e ligjeve, por mënyra se si ato zbatohen: sa monitorohen rastet e raportuara, sa respektohen urdhrat mbrojtës, sa shpejt reagojnë institucionet dhe çfarë ndodh kur sistemi dështon.

Arrita Rezniqi, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se institucionet nuk po i monitorojnë mjaftueshëm rastet e raportuara të dhunës në familje.

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, shkon edhe më tej – sipas saj, vrasjet e grave duhet të trajtohen si urgjencë kombëtare.

Edhe vetë vlerësimi më i fundit i Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave pranon se, krahas progresit, vazhdojnë probleme në sistem.

Raporti i publikuar në vitin 2026 evidenton, mes tjerash, mospërputhje në të dhënat mes institucioneve, dallime në qasjen në shërbime nga një komunë në tjetrën dhe ritme të ndryshme të zbatimit të masave nga drejtësia, shërbimet sociale dhe shëndetësia.

Një nga mekanizmat që duhej ta rriste sigurinë e grave ishte mbikëqyrja elektronike.

600 mijë euro dhe një sistem që priti 20 muaj

Në prill të vitit 2023, disa muaj pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së, Qeveria e Kosovës ndau 600 mijë euro për projektin “Sistemi i monitorimit elektronik”.

Vendimi zyrtar përcaktonte se paratë do të përdoreshin për financimin e projektit gjatë atij viti.

Sistemi, megjithatë, nuk u lansua publikisht deri më 10 dhjetor të vitit 2024 – rreth 20 muaj pas ndarjes së mjeteve.

Gjatë lansimit, kryeministri Albin Kurti tha se hallkat elektronike do të vendoseshin në dorën ose këmbën e personit të dyshuar apo të dënuar për dhunë.

Sistemi ishte menduar edhe si një mekanizëm për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Në rast se personi nën mbikëqyrje i afrohet viktimës në kundërshtim me urdhrin mbrojtës, sistemi duhet ta alarmojë policinë në nivel lokal dhe qendror, duke mundësuar reagimin e saj.

Por, të dhënat e deritanishme tregojnë përdorim të kufizuar të këtij mekanizmi.

Në një dokument të Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet se, deri në prill të vitit 2025, gjykatat kishin nxjerrë vetëm tetë aktvendime për monitorim elektronik, të cilat po zbatoheshin nga Policia e Kosovës.

Nuk dihet se sa prej tyre lidheshin me dhunën në familje.

Po ashtu, nuk dihet se sa persona janë aktualisht nën mbikëqyrje elektronike.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Policia e Kosovës tha se sistemin e mbikëqyrjes elektronike të urdhrave mbrojtës e zbaton që nga dhjetori i vitit 2024 dhe se ai është funksional në të gjitha drejtoritë rajonale të policisë.

Sipas saj, personat, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, pajisen me byzylykë elektronikë, ndërsa sistemi përfshin edhe gjurmues GPS që vendosen te palët në procedurë.

Policia tha se ka sasi të mjaftueshme të byzylykëve dhe gjurmuesve GPS për të mundësuar monitorimin e rasteve në kohë reale.

Megjithatë, nuk tregoi se sa persona janë nën mbikëqyrje elektronike dhe as sa prej rasteve të monitoruara lidhen me dhunën në familje.

Rezniqi thotë se mungesa e këtyre të dhënave e vështirëson edhe vlerësimin nëse mekanizmi po e përmbush qëllimin për të cilin është krijuar.

Por, sipas saj, as vendosja e hallkës elektronike nuk është e mjaftueshme nëse pas alarmit nuk pason reagimi i shpejtë institucional.

“Nuk mjafton vetëm byzylyku – në këto raste është e nevojshme të ketë reagim të menjëhershëm të policisë, në mënyrë që të shmanget çdo lloj rreziku për viktimën”, thotë Rezniqi për Radion Evropa e Lirë.

Ligjet ndryshuan. Po praktika?

Mbikëqyrja elektronike nuk ishte ndryshimi i vetëm.

Në nëntor të vitit 2023, Kosova ndryshoi Kodin e Procedurës Penale për t’u dhënë përparësi rasteve të dhunës në familje dhe dhunimit.

Me ndryshimet, hetimet për këto vepra duhet të përfundojnë brenda një viti nga fillimi i tyre. Në raste të ndërlikuara, afati mund të zgjatet edhe për gjashtë muaj.

Ligji vendosi për herë të parë edhe afate të posaçme për gjykimin: 60 ditë kur çështja shqyrtohet nga një gjyqtar i vetëm dhe 90 ditë kur shqyrtohet nga një trup gjykues.

Këto afate janë më të shkurtra se ato të përgjithshmet që parashiheshin më parë, pasi synimi ishte që rastet e dhunës në familje të mos zvarriteshin në sistemin e drejtësisë.

Por, për Rezniqin, shkurtimi i afateve nuk e zgjidh problemin kryesor.

Ajo thotë se rastet e dhunës në familje zakonisht trajtohen brenda një afati relativisht optimal dhe se sfida më e madhe mbetet mënyra se si institucionet reagojnë ndaj rrezikut dhe si i zbatojnë mekanizmat që tashmë i kanë në dispozicion.

Ajo shton se llogaridhënia duhet të shtrihet edhe te mënyra se si drejtësia i trajton autorët e vrasjeve të grave.

“Kemi parë raste kur autorët e vrasjes së grave janë dënuar me burgim të përjetshëm në shkallë të parë. Disa prej këtyre vendimeve janë konfirmuar edhe në instanca më të larta, ndërsa në raste të tjera vendimet janë kthyer në rigjykim ose janë ndryshuar. Prandaj, është e nevojshme të ketë konsistencë në trajtimin e këtyre rasteve”, thotë Rezniqi.

Demolli e sheh një tjetër boshllëk: mungesën e një mekanizmi shtetëror që do të analizonte çdo vrasje të një gruaje për të përcaktuar nëse dhe ku ka dështuar sistemi.

Sipas saj, një analizë e tillë është veçanërisht e rëndësishme në rastet kur viktima ka raportuar më herët dhunë apo ka kërkuar mbrojtje nga institucionet.

“Shumica e grave të vrara kanë kërkuar më herët ndihmë nga institucionet, prandaj duhet të ketë llogaridhënie kur një grua që ka kërkuar mbrojtje, përfundon e vrarë. Të përcaktohet ku po dështon sistemi: policia, prokuroria, gjykatat, shëndetësia apo institucionet e tjera”, thotë Demolli.

Vrasja e rëndë në Kosovë dënohet me së paku dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

I dyshuari për vrasjen në Malishevë është duke u trajtuar në spital për shkak të plagëve që, sipas raportimeve, dyshohet se ia ka shkaktuar vetes me armë zjarri.

Vrasja u dënua nga përfaqësues të shoqërisë civile, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të shtetit.

“Shoqëria jonë nuk mund të jetë e sigurt përderisa gratë nuk janë të sigurta as në shtëpitë e tyre”, tha, mes tjerash, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Por, pesha e këtij konstatimi matet edhe me atë që ndodh pasi reagimet publike të heshtin./ REL

Kredi shtëpie me 0% interes për 300 punonjës të administratës, aplikimet nisin më 27 gusht

By: A R
26 August 2026 at 09:28

Punonjësit e administratës publike do të kenë mundësi të aplikojnë për kredi me 0% interes për blerjen e një banese. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hapur thirrjen për përfitimin e 300 kredive të lehtësuara.

Aplikimet do të hapen më 27 gusht 2026 dhe do të qëndrojnë të hapura deri më 25 shtator 2026. Procedura do të kryhet online përmes platformës e-Albania.

Skema është e ndarë mes pesë institucioneve, të cilave u janë përcaktuar kuota të ndryshme. Konkretisht, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë nga 70 kuota secila, ndërsa Policia e Burgjeve/Ministria e Drejtësisë ka 20 kuota.

Vlera e financimit do të përcaktohet në bazë të çmimit të referencës dhe sipërfaqes së banesës, sipas të dhënave të certifikatës familjare.

Kush mund të përfitojë?

Për të përfituar nga kredia e lehtësuar, aplikantët duhet të plotësojnë disa kushte. Ndër kriteret kryesore janë të qenit i punësuar në administratën publike, në përputhje me përcaktimet e ligjit “Për strehimin social”.

Gjithashtu, aplikanti nuk duhet të ketë banesë në pronësi apo në proces legalizimi, përveç rasteve kur banesa ekzistuese është nën normat e strehimit.

Një tjetër kriter lidhet me pasuritë e tjera. Aplikanti nuk duhet të zotërojë pasuri të paluajtshme ose të luajtshme me vlerë mbi gjysmën e vlerës së banesës që synon të blejë përmes kredisë së lehtësuar.

Përfituesit duhet gjithashtu të mos kenë marrë më parë mbështetje përmes programeve të tjera të strehimit social.

Thirrja synon t’u krijojë 300 punonjësve të administratës publike mundësinë për të siguruar banesë përmes një kredie pa interes, me aplikimin që do të kryhet tërësisht online.

Britania rishikon azilin për shqiptarët e trafikuar, puna dhe kushtet ekonomike ndër faktorët e rrezikut

By: A R
26 August 2026 at 09:15

Statusi i ulët socio-ekonomik, mungesa e strehimit, arsimi i kufizuar dhe vështirësia për të siguruar një punë të ligjshme janë ndër faktorët që mund të rrisin rrezikun që burrat dhe djemtë shqiptarë të bien viktima të trafikimit.

Përfundimi përfshihet në udhëzimin e ri të Home Office, i cili ndryshon mënyrën se si do të vlerësohen kërkesat për azil të viktimave meshkuj të trafikimit nga Shqipëria.

Dokumenti pason një vendim të ri të Gjykatës së Apelit në Mbretërinë së Bashkuar, të shpallur më 13 gusht 2026. Gjykata arriti në përfundimin se meshkujt shqiptarë që kanë qenë viktima të trafikimit përbëjnë një “grup të veçantë shoqëror” për qëllimet e Konventës së Refugjatëve. Kjo nuk do të thotë se çdo viktimë shqiptare fiton automatikisht të drejtën e azilit: secili duhet të provojë se rreziku i persekutimit lidhet me statusin e tij si viktimë trafikimi dhe se ekziston rrezik real në rast kthimi.

Udhëzimi i ri identifikon një sërë dobësish ekonomike dhe sociale që mund ta bëjnë një person më të ekspozuar. Krahas statusit të ulët socio-ekonomik dhe të pastrehëve, Home Office rendit nivelin e ulët të arsimit dhe vështirësinë për të gjetur punësim të ligjshëm, problemet e shëndetit fizik ose mendor, varësitë, origjinën nga zonat rurale ose veriu i Shqipërisë, moshën e re dhe mungesën e një rrjeti familjar ose social mbështetës. Sipas dokumentit, edhe një faktor i vetëm mund të jetë i mjaftueshëm për të shtuar vulnerabilitetin në rrethana të caktuara.

Gjykata britanike thekson se nuk është vetëm një lloj kategorie e meshkujve shqiptarë që përfundojnë viktimë trafikimi. Megjithatë, në rastet e shqyrtuara përsëriten disa karakteristika: viktimat janë shpesh adoleshentë ose të rinj, vijnë nga familje më pak të pasura ose të margjinalizuara dhe kanë arsim të kufizuar. Në vitet e fundit është vënë re gjithashtu një ndryshim në natyrën e trafikimit nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar. Ndërsa më parë trafikimi drejt vendeve evropiane lidhej kryesisht me gratë dhe shfrytëzimin seksual, është rritur prania e meshkujve të trafikuar për punë të detyruar, përfshirë shfrytëzimin në tregtinë e drogës dhe kultivimin e kanabisit.

Po kështu, po fiton peshë është rekrutimi përmes internetit. Home Office vlerëson se rrjetet sociale po përdoren gjithnjë e më shumë për të tërhequr viktimat, ndërsa në këto raste ka më shumë gjasa të përfshihen rrjete të organizuara kriminale. Rrëmbimi i drejtpërdrejtë i personave me qëllim trafikimin, nga ana tjetër, nuk konsiderohet një formë e zakonshme rekrutimi.

Mungojnë strehët e posaçme për meshkujt

Megjithëse autoritetet britanike vlerësojnë se Shqipëria ka bërë përpjekje të konsiderueshme në luftën kundër trafikimit dhe se, në përgjithësi, ekziston mbrojtje e mjaftueshme për meshkujt e rritur viktima, dokumenti evidenton boshllëqe në sistemin e riintegrimit. Një prej tyre është fakti se në Shqipëri nuk ka një strehë të posaçme për meshkujt e rritur viktima të trafikimit. Akomodimi me qira mund të sigurohet me ndihmën e organizatave joqeveritare, ndërsa ofrohen edhe mbështetje shëndetësore, ndihmë për punësim dhe mbështetje financiare.

Edhe mundësitë për riintegrim ndryshojnë ndjeshëm sipas zonës. Gjykata vëren se Tirana ofron më shumë mundësi për viktimat që përpiqen të rindërtojnë jetën pas trafikimit, ndërsa në zona të tjera mungesa e banesave sociale dhe e mbështetjes për qiranë nga autoritetet lokale e bën këtë proces më të vështirë. Megjithatë, zhvendosja brenda vendit nuk konsiderohet gjithmonë një zgjidhje. Nëse një viktimë ka nevojë për strehim të mbrojtur për shkak të rrezikut nga trafikantët, gjykata vlerëson se transferimi në një zonë tjetër të Shqipërisë mund të mos jetë i mjaftueshëm për të garantuar sigurinë.

Në rastet kur trafikantët vazhdojnë ta kërkojnë viktimën, por rreziku nuk është i tillë sa të kërkojë qëndrim në strehë, Home Office thotë se zhvendosja jashtë qyteteve të mëdha mund të mos jetë e sigurt. Edhe siguria në Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan apo Shkodër duhet të vlerësohet sipas fuqisë dhe shtrirjes së rrjetit kriminal, lidhjeve të mundshme që ai ka me autoritetet dhe vulnerabilitetit të personit.

Dokumenti identifikon si pengesa të tjera për riintegrimin stigmën sociale ndaj meshkujve që pranojnë se kanë qenë viktima trafikimi, frikën nga grupet e organizuara kriminale, gjendjen ekonomike dhe kufizimet në kapacitete, financime e burokraci të shërbimeve mbështetëse. Home Office nënvizon se pamundësia për t’u rehabilituar ose për të aksesuar mbështetjen mund të rrisë përsëri rrezikun e trafikimit. /ekofin.al

Shuhet zjarri në Shashicë, 4 punonjës refuzuan evakuimin për të monitoruar zonën

By: A R
26 August 2026 at 09:06

Zjarri që përfshiu mbrëmjen e së hënës malin e Shashicës në Vlorë është shuar plotësisht gjatë natës pas një operacioni të vështirë të forcave zjarrfikëse. Flakët morën përmasa të konsiderueshme, të favorizuara nga era dhe terreni i vështirë malor.

Mëngjesin e sotëm situata paraqitet e qetë, pa rrezik për përhapje të mëtejshme të flakëve në zonën përreth.

Katër punonjës të një guroreje, të cilët mbetën pranë zonës së prekur nga zjarri, nuk pranuan të largohen, pasi po monitorojnë territorin dhe aktivitetin e gurores.

Ekipet në terren vijojnë të mbajnë situatën nën vëzhgim, ndërsa forcat zjarrfikëse mbeten në gatishmëri në rast të çdo emergjence.

❌