Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 January 2026Java News

30 mijë veprimtari në kuadër të Festës së Pranverës

By: A R
30 January 2026 at 14:52

Me afrimin e Festës së Pranverës, Kina nisi një fushatë kulturore dhe turistike njëmujore, që përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh dhe masash promovuese për të përmbushur më mirë nevojat e njerëzve, shkruan “Xinhua”.

Nga fundi i janarit deri në fillim të marsit, fushata do të përfshijë rreth 30.000 aktivitete të mbajtura në të gjithë vendin, duke ofruar produkte dhe evente kulturore e turistike sezonale të përqendruara në zakonet, shfaqjet dhe ekspozitat tradicionale të Vitit të Ri.

Gjatë kësaj periudhe, do të shpërndahen më shumë se 360 ​​milionë juanë (rreth 51.6 milionë dollarë amerikanë) në kuponë konsumi dhe subvencione. Po ashtu, do të ketë edhe zbritje në çmimet e biletave dhe promovime turistike ndërrajonale.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit e startoi fushatën nga Quanzhou, në provincën Fujian e Kinës Lindore.

Kurti për Bordin e Paqes: Kosova dëshiron të kontribuojë ku të ketë nevojë

By: A R
30 January 2026 at 14:45

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten para mediave se Kosova dëshiron të kontribuojë për paqe në botë kudo ku ka nevojë, teksa e ka komentuar pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, nismë e presidentit amerikan, Donald Trump në kuadër të planit për të rindërtuar Gazën e shkatërruar nga lufta.

Përmes këtij bordi, Shtetet e Bashkuara synojnë zgjidhjen e konflikteve globale.

Duke folur për herë të parë për Bordin e Paqes, Kurti ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në të është vazhdimësi e kontributit të Kosovës për Gazën, duke nisur me pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Kurti i është referuar pjesëmarrjes së FSK-së në një konferencë të organizuar në dhjetor të vitit 2025 në Doha të Katarit nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara për të diskutuar për Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese.

“Prandaj kemi qenë të interesuar të marrim pjesë edhe në organet vendimmarrëse politike”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Sipas tij, njëra prej arsyeve pse Kosova merr pjesë në iniciativa të tilla është për shkak se edhe ajo vetë ka qenë përfituese e paqes përmes ndërhyrjes së forcave ndërkombëtare.

“Sa i përket Gazës, ju e dini që ne i kemi ndarë gjysmë milioni euro si Qeveri dhe ky është proces i cili do të vazhdojë edhe në vijim”.

Bordi i Paqes është themeluar më 22 janar në Davos të Zvicës, në prezencë të presidentit Trump. Kosova është përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani.

Ky mekanizëm do të mbikëqyrë udhëheqjen e Rripit të Gazës, pasi Shtetet e Bashkuara ndërmjetësuan një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian.

Profesori i studimeve për paqe dhe konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, Gëzim Visoka, i ka thënë ditë më parë Radios Evropa e Lirë se pjesëmarrja e Kosovës në këtë bord, mund t’i sjellë vendit përfitime të rëndësishme në politikën e jashtme, pavarësisht kostove të mundshme.

Sipas tij për sa kohë Kosova mbetet jashtë organizatave të mëdha ndërkombëtare si NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, nisma të tilla mund t’i shërbejnë forcimit të pozicionit të saj diplomatik.

“Kjo platformë mund t’i ofrojë Kosovës një hapësirë për lobim dhe për të kërkuar njohje të reja nga shtete si Maroku apo vende të tjera që ende nuk e kanë njohur Kosovën…Deri më tani, sistemi i OKB-së nuk i ka ofruar Kosovës barazi, qasje të duhur, nuk ka qenë në shërbim të së drejtës së Kosovës për vetëvendosje, për anëtarësim në sistemin ndërkombëtar dhe për njohje ndërkombëtare. Në një farë mënyre, kjo është edhe një protestë ndaj rendit të OKB-së, i cili ka përfunduar duke u bërë vegël e fuqive të mëdha”, ka thënë mes tjerash ai.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi në tetor të vitit 2023, pasi Hamasi vrau mbi 1.200 njerëz në Izrael dhe mori qindra pengje.

Sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë shkaktuan mijëra të vrarë, krizë urie dhe dëme të mëdha infrastrukturore.

Marrë nga Radio Evropa e Lirë

U kap pas 29 vitesh, si Kostandin Nishku vrau me gjakftohtësi të miturin me plumb në kokë

By: A R
30 January 2026 at 14:37

Kostandin Nishku i fshihej drejtësisë prej vitit 1997, por pas 29 vitesh, ai u arrestua në Greqi për llogari të drejtësisë së vendit tonë. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një 10-vjeçari, nipi i një personi i cili i kishte vrarë vëllain.

Historia tragjike nis më datë 19 mars 1997 në Gramsh, kur Nishku, alias Baki Duzha, së bashku me shtetasin Roland Kotorri, kanë shkuar të armatosur në shtëpinë e shtetasit Kujtim Bregu. Objektivi i tyre ishte Veli Bregu, vëllai i Kujtimit, pasi Veli Bregu në vitin 1993 kishte vrarë vëllain e Nishkut dhe gjatë trazirave të vitit 1997 ishte arratisur nga burgu.

Veli Bregu nuk ndodhej në banesë dhe aty ishin vetëm Kujtimi, gruaja e tij, djali 10-vjeçar dhe vajza 15-vjeçare. Pasi i ka kërkuar të tregojnë ku ndodhet Veli Bregu dhe nuk ka marrë përgjigje, nishku ka urdhëruar shtetasin Roland Kotorri që të vrasë djalin e mitur dhe pas refuzimit të Kotorrit, e ka qëlluar me pistoletë në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Pas ngjarjes Nishku është larguar drejt Greqisë, ku dhe ka jetuar me identitetin e rremë Hariz Vjeri. Identifikimi i tij është kryer bazuar në identitetin e rremë dhe krahasimin fotografik të fotos së autorit të vitit 1997 dhe fotos së pasaportës së marrë në mënyrë të paligjshme në vitin 2013.

Pas arrestimit, pritet ekstradimi i nishkut në vendin tonë, ku do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm.

Berisha njofton protestën e radhës: Ju pres pas një muaji në Tiranë që të shpëtojmë Shqipërinë

By: A R
30 January 2026 at 14:30

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar sot në 30 janar se protesta e radhës e opozitës së bashkuar do të mbahet në 10 shkurt 2026 në Tiranë, duke bërë thirrje për mobilizim masiv të qytetarëve për të kundërshtuar qeverisjen aktuale. Ai e përshkroi qeverinë e kryeministrit Edi Rama si një grup të kapur nga korrupsioni dhe akuzoi se vendi po drejtohet si një diktaturë me fasadë demokratike, ku pluralizmi është iluzion dhe institucionet janë të kontrolluara nga mazhoranca.

Berisha theksoi se vetëm qytetarët mund të rrëzojnë këtë grup kriminal dhe bëri thirrje që të gjithë të bashkohen në protestën e 10 shkurtit në orën 17:00 në Tiranë, duke e konsideruar këtë një mundësi historike për t’i dhënë një leksion qeverisë aktuale.

Ai paralajmëroi se protesta do të jetë e fuqishme dhe se mbështetësit kanë pritur me padurim datën e tubimit, ndërsa detajet për demonstratën do të bëhen publike në ditët në vijim.

“Revolta dhe vetëm revolta është përgjigja e merituar e sovranit ndaj këtij grupi që nuk ka ligj, kushtetutë e as moral.  Revolta dhe vetëm revolta është rruga e daljes, e përmbysjes së diktaturave autokratike, njëlloj si në vendet e tjera. Ndaj dhe ftoj dhe njëherë me datën 10 shkurt të gjithë shqiptarët, të gjithë qytetarët e Tiranës, në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit në protestën më të fuqishme që ka njohur Shqipëria kundër regjimit të drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve”, u shpreh kreu demokrat.

Kreu i PD-së akuzoi qeverinë se mban nën kontroll institucionet, duke krijuar një mjedis ku korrupsioni dhe vjedhjet e fondeve publike janë të përhapura dhe të pandëshkuara. Ai paralajmëroi se nuk mund të ketë bashkëpunim me atë që e quajti një regjim kriminal dhe se qytetarët duhet të ngrihen kundër abuzimeve dhe padrejtësive.

Në fjalimet e tij, Berisha bëri thirrje për unitet të të gjitha shtresave të shoqërisë, duke nënvizuar rolin vendimtar të rinisë në protestat që po organizohen. Ai theksoi se ky nuk është vetëm një tubim partiak, por një shprehje e ndërgjegjes qytetare kundër abuzimeve të pushtetit dhe një mundësi për të kërkuar një ndryshim rrënjësor në vend.

Zyrtari i lartë europian ‘qorton’ Shqipërinë për paraburgimin, Rama ndan deklaratën

By: A R
30 January 2026 at 14:22

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në Facebook-un e tij këtë të premte, 30 janar, deklaratën e Gianluca Esposito, Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit, sa i takon praktikës së paraburgimit në vendin tonë.

“Mbipopullimi i burgjeve mbetet sfidë e madhe për administratën shqiptare të burgjeve dhe këtë nuk e them unë. E thotë Komiteti ynë për Parandalimin e Torturës.

Paraburgimi mund të justifikohet në një rast të caktuar vetëm nëse ekzistojnë tregues specifikë për një nevojë reale të interesit publik. Gjykata për të Drejtat e Njeriut vëren gjithashtu se autoritetet kombëtare gjyqësore duhet të marrin në konsideratë marrjen e masave më pak dëmtuese se paraburgimi në fazën para nisjes së gjyqit, në varësi të rrethanave specifike të çështjes.

Është përgjegjësi e autoriteteve gjyqësore që të sigurojnë, në një rast të caktuar, se paraburgimi i një personi të akuzuar të mos tejkalojë një afat të arsyeshëm. Gjykata e Strasburgut e thotë qartë, se barra e provës në këto raste nuk duhet të përmbyset duke ia ngarkuar personit të ndaluar detyrimin për të provuar ekzistencën e arsyeve që justifikojnë lirimin e tij.

Problemi kryesor i praktikës së paraburgimit në Shqipëri është përdorimi i tepruar dhe i paarsyetuar mjaftueshëm i kësaj mase, veçanërisht në gjykatat e shkallës së parë dhe gjatë rishikimeve periodike”, ka deklaruar dje në Tiranë, 29 janar, Esposito.

Kreu i qeverisë shkruan krahas videos se “arresti me burg pa gjyq ka sjellë rezultatin skandaloz të një vendi europian me shumë të paraburgosur se sa të burgosur, duke alarmuar edhe Këshillin e Europës”.


Edhe në konferencën e fundvitit, Rama e konsideroi alarm nga KE praktikën e paraburgimit në vend, duke bërë apel që të ndërhyhet sa më shpejt.

Ai theksoi po ashtu se e 1/3-a e të burgosurve janë të pa dënuar.

“Jemi vendi më skandaloz i Këshillit të Europës për nivelin e dënimeve, jemi vetëm me Rusinë mbrapa, por Rusia u përjashtua nga Këshilli. Kemi 1985 të dënuar dhe 4442 të burgosur. Në Shqipëri falë edhe jush, nuk ka të pafajshëm, por ka të dënuar, qysh në momentin që dyshohen. E ka kaluar njëherë këtë traumë ky vend. Kjo shifër tregon që në Shqipëri probabiliteti që ti të shkosh në burg si i dyshuar është më i lartë se sa të jesh fajtor. Ky është fakti më rrëqethës, Këshilli ka bërë një dokument të të tërë për paraburgimin për çdo njeri që beson te dinjiteti i tjetrit, ai dokument është alarm, sepse në fund të ditës sensi i drejtësisë është më mirë “100 fajtorë jashtë se sa një i pafajshëm brenda”, ka thënë ai më herët.

Për herë të parë në Shqipëri, numri i makinave e kalon 1 milion në 2025

By: A R
30 January 2026 at 14:14

Në Shqipëri, në fund të vitit 2025 qarkullonin në vend mbi 1 milion mjete rrugore, duke shënuar një rekord historik. Nga këto, 847 mijë ishin autovetura.

Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e katërt të vitit 2025, numri i mjeteve rrugore në qarkullim në territorin e Shqipërisë ishte 1.048.092. Ndër to, autoveturat përbënin 80,8% të mjeteve gjithsej, të ndjekura nga motorët me 6,1% dhe automjetet për transport të përzier me 5,8%.

Tirana zë peshën më të madhe me 34,7% të mjeteve gjithsej, e ndjekur nga Durrësi me 13,6%. Ndërkohë, Gjirokastra dhe Kukësi kanë numrin më të ulët të mjeteve, përkatësisht me 2,1% dhe 2,4%.

Gjatë këtij tremujori janë regjistruar për herë të parë 24.854 mjete, nga të cilat 81,2% ishin autovetura. Sërish, qarku i Tiranës udhëheq me 40,3% të regjistrimeve të reja.

Ndryshimet krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024:

-Numri total i mjeteve është rritur me 9,3%.

-Regjistrimet e reja kanë shënuar rritje prej 8,5%.

Sipas INSTAT, në mjetet e regjistruara për herë të parë, Volkswagen mban vendin e parë me 18,6%, i ndjekur nga Mercedes-Benz me 17,5%. Në Shqipëri, numri i automjeteve për 1 mijë banorë është rritur në 358, nga më pak se 200 që ishte disa vjet më parë.

Megjithatë, ky nivel mbetet nën mesataren europiane prej 550 autovetura për 1.000 banorë sipas Eurostat dhe ndër më të ulëtat në Europë, duke ia kaluar vetëm Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Marrë nga Monitor

I fshihej drejtësisë prej 29 vitesh, arrestohet në Greqi i dënuari për vrasjen e një 10-vjeçari

By: A R
30 January 2026 at 14:07

Arrestohet në Greqi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, shtetasi Kostandin Nishku, 65 vjeç.

Nishku është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Kolegji Penal i Kasacionit, me vendimin nr. 319, datë 18.11.1998, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr. 103, datë 10.09.1998, të Gjykatës së Apelit Durrës, e cila e ka dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasje për shkak të cilësive të veçanta”, parashikuar nga neni 79 i Kodit Penal.

Nishku i fshihej drejtësisë prej 29 vitesh. I arrestuari ka vrarë një fëmijë 10 vjeç, më datë 19.03.1997 në Gramsh, pasi kishte shkuar në banesën e tij për t’i vrarë babanë. Pasi nuk e ka gjetur objektivin në shtëpi, i ka vrarë fëmijën.

“Veliaj dhe kostoja demokratike e reformës në drejtësi”, si përpjekjet e ndërkombëtarëve nxitën centralizimin e pushtetit

By: A R
30 January 2026 at 13:56

Nga Luka Petrović

Integrimi evropian në Ballkanin Perëndimor mbetet një proces i hapur dhe thellësisht i kontestuar. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të qeverive rajonale për të treguar përparim, nismat reformuese shpesh hasin vështirësi për t’u shndërruar në ndryshime institucionale domethënëse. Ky tension është veçanërisht i dukshëm në fushat e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit, ku përputhshmëria formale dhe performanca e jashtme kanë marrë gjithnjë e më shumë përparësi ndaj substancës demokratike.

Gjatë dekadave të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol qendror në formësimin e zhvillimeve politike dhe institucionale në Ballkan. Ky angazhim ka prodhuar rezultate të përziera dhe shpesh ka qenë i harmonizuar me agjendën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, veçanërisht në vende si Mali i Zi, Serbia dhe Shqipëria. Megjithatë, ndonëse marrëdhëniet diplomatike mbeten të forta, rezultatet e reformave kanë qenë shumë më pak bindëse.

Në mbarë rajonin, vendet kandidate për anëtarësim në BE vazhdojnë të përballen me dobësi të rrënjosura institucionale, keqpraktika politike dhe korrupsion. Një faktor kontribues qëndron në vetë procesin e anëtarësimit. Në praktikë, ai shpesh ka theksuar rezultatet e zbatimit – arrestime, akuza penale dhe ndërtimin e shpejtë të institucioneve të reja – në kurriz të garancive procedurale dhe respektimit të procesit të rregullt ligjor. Ky problem nuk është unik për zgjerimin e BE-së. Çdo shtet që synon të hyjë në regjime ndërkombëtare ligjore ose ekonomike, qoftë BE, GJPN (ICC) apo OBT (WTO), përballet me presione të ngjashme. Aty ku institucionet janë të brishta, qeveritë mund t’i drejtohen përputhshmërisë performuese, duke i dhënë përparësi veprimeve të dukshme mbi reformën e qëndrueshme.

Nga këndvështrimi i Brukselit dhe Uashingtonit, Ballkani Perëndimor ka përfaqësuar prej kohësh si një mundësi strategjike, ashtu edhe ekonomike. Anëtarësimi në NATO i vendeve si Mali i Zi dhe Shqipëria e përforcoi këtë perceptim, duke i pozicionuar ato si pararendëse për anëtarësimin eventual në BE. Administrata të njëpasnjëshme amerikane, përfshirë ato të presidentëve Obama dhe Biden, mbështetën në mënyrë të qetë reforma ambicioze në sektorin e drejtësisë në Shqipëri, me synimin për të harmonizuar institucionet vendase me standardet ligjore evropiane. Këto përpjekje, të mbështetura nga Departamenti Amerikan i Shtetit, institucionet e BE-së dhe organizata si Fondacioni “Shoqëria e Hapur”, synonin forcimin e qeverisjes demokratike dhe frenimin e korrupsionit. Megjithatë, si në shumë nisma reformuese të drejtuara nga jashtë, kombinimi i stimujve dhe zgjedhjeve të dizajnit institucional prodhoi pasoja që nuk u parashikuan dhe as u adresuan plotësisht.

Reforma gjyqësore në të gjithë Ballkanin është përballur vazhdimisht me pengesa strukturore. Në disa raste, modelet e reformës të mbështetura nga aktorë të huaj kanë favorizuar autoritet të fortë prokurorial të izoluar nga mbikëqyrja demokratike. Në vend që të forconte llogaridhënien, ky konfigurim ka tërhequr gjithnjë e më shumë kritika për mundësimin e drejtësisë selektive dhe persekutimit politik. Ndjekja e besueshmërisë së reformave jashtë vendit ka përkuar, në disa raste, me një konsolidim të heshtur të pushtetit brenda vendit.

Përvojat e Malit të Zi dhe Serbisë pasqyrojnë këto dinamika më të gjera. Vlerësimet e BE-së kanë vënë në dukje se Mali i Zi ka bërë pak përparim në reformën gjyqësore, pavarësisht zbatimit të një Strategjie për Reformën në Drejtësi dhe planeve përkatëse të veprimit. Ngërçi politik, dialogu i dobët institucional dhe llogaridhënia e kufizuar e gjyqësorit vazhdojnë, edhe pas krijimit të institucioneve të reja kundër korrupsionit. Në Serbi, pezullimi i fondeve të USAID-it në fillim të vitit 2025 ekspozoi se si narrativat e reformës mund të ripërdoren shpejt për kontroll politik të brendshëm. Veprimet qeveritare kundër OJQ-ve kritike ndaj transparencës dhe të drejtave të njeriut – të justifikuara përmes pretendimeve për ndërhyrje të huaj – ngritën shqetësime brenda BE-së dhe theksuan brishtësinë e angazhimeve për shtetin e së drejtës kur stimujt e jashtëm ndryshojnë.

Shqipëria ofron ndoshta ilustrimin më të qartë të këtyre tensioneve. Krijimi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) pas reformave kushtetuese të vitit 2016 u promovua gjerësisht si gur themeli i rinovimit të drejtësisë. Aktorë si nga SHBA-ja ashtu edhe nga BE-ja u përfshinë ngushtë në formësimin dhe mbështetjen e procesit, me më shumë se 27.5 milionë dollarë amerikanë ndihmë të drejtuara drejt sektorit të drejtësisë në Shqipëri. Pritshmëria ishte që një organ i fuqishëm dhe i pavarur prokurorial do të përballej më në fund me korrupsionin e nivelit të lartë.

Në vend të kësaj, reformat prodhuan një arkitekturë gjyqësore të karakterizuar nga pabarazi. SPAK u shfaq si një institucion i fuqishëm, i drejtuar nga prokuroria, që operon me kontrolle të kufizuara dhe mbikëqyrje minimale demokratike. Shqetësimet e hershme se Shqipëria po bëhej një terren prove për një interpretim të zgjeruar të pavarësisë prokuroriale fillimisht u hodhën poshtë. Me kalimin e kohës, megjithatë, këto paralajmërime fituan peshë. Kritikët argumentojnë gjithnjë e më shumë se autoriteti i SPAK-ut ushtrohet në mënyra që pasqyrojnë leverdi politike dhe pritshmëri të jashtme, më tepër sesa drejtësi të paanshme.

Struktura e stimujve që rrethon reformën kundër korrupsionit ndihmon në shpjegimin e këtij rezultati. E matur ndaj standardeve të BE-së dhe perceptimeve ndërkombëtare, suksesi shpesh barazohet me veprime të dukshme zbatimi. Arrestimet e profilit të lartë gjenerojnë tituj dhe sinjalizojnë angazhim, edhe kur hetimet mbeten të errëta dhe shqyrtimi gjyqësor i kufizuar. Analistë dhe vëzhgues të shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime se ndjekjet penale zbatohen në mënyrë të pabarabartë, duke synuar figura politikisht të cenueshme, ndërsa të tjerë kursehen.

Këto shqetësime janë përforcuar nga një model i paraburgimit të zgjatur para gjykimit në disa çështje të spikatura. Paraburgimi i ish-presidentit Ilir Meta nxiti akuza për ndjekje penale të politizuar, ndërsa arrestimi i kryetarit të bashkisë me etni greke, Fredi Beleri, ngriti alarme te mbrojtësit e të drejtave të pakicave. Më së shumti, çështja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ardhur të simbolizojë mangësi më të gjera procedurale brenda sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Veliaj është mbajtur në paraburgim pa gjykim për gati një vit mbi akuza për korrupsion, pavarësisht mungesës së një aktakuze përfundimtare dhe kërkesave të përsëritura për masa alternative. Në nëntor 2025, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi se shkarkimi i tij nga detyra ishte antikushtetues, duke e rikthyer formalisht si kryetar bashkie. Megjithatë, ai ka mbetur në paraburgim, i paaftë për të ushtruar mandatin e tij. Analistë ndërkombëtarë të së drejtës kanë paralajmëruar se paraburgimi i zgjatur i një zyrtari të zgjedhur pa gjykim rrezikon të minojë përfaqësimin demokratik dhe besimin e publikut në pavarësinë e gjyqësorit.

Ndërsa fajësia ose pafajësia mund të përcaktohen vetëm përmes një procesi gjyqësor të drejtë, mënyra e trajtimit të çështjes ka përforcuar shqetësimet se paraburgimi para gjykimit po përdoret gjithnjë e më shumë si zëvendësim i procesit të rregullt ligjor. Në kontekstin e anëtarësimit në BE, praktika të tilla rrezikojnë të ngatërrojnë zbatimin e dukshëm me reformën e vërtetë të shtetit të së drejtës, duke turbulluar dallimin mes llogaridhënies dhe oportunizmit.

Një ndryshim në politikën amerikane në fillim të vitit 2025 shënoi një pikë kthese të mëtejshme. Vendimi i Presidentit Trump për të pezulluar operacionet e USAID-it dhe për të ndalur financimin e programeve të reformës gjyqësore në Shqipëri, përfshirë mbështetjen për SPAK-un, sinjalizoi një pranim të nënkuptuar se nismat e mëparshme ishin shndërruar në mjete të politizuara, më shumë sesa në instrumente të drejtësisë institucionale. Ndërsa tërheqja e financimit në vetvete nuk mund të zgjidhë problemet themelore, ajo theksoi brishtësinë e modeleve të reformës të nxitura nga jashtë.

Ballkani Perëndimor – dhe Shqipëria në veçanti – ka padyshim nevojë për reformë gjyqësore të thellë dhe të qëndrueshme. Megjithatë, përparimi nuk varet nga numri i arrestimeve apo krijimi i institucioneve të fuqishme, por nga respektimi i parimeve demokratike. Kufizimet mbi paraburgimin para gjykimit, shqyrtimi i rregullt gjyqësor, transparenca në vendimmarrjen prokuroriale dhe përputhja me standardet evropiane të procesit të rregullt ligjor janë thelbësore. Pa këto garanci, reforma rrezikon të minojë vetë shtetin e së drejtës që pretendon të avancojë.

Artikulli origjinal:

Western geopolitics and Balkan corruption: How US and EU justice reform efforts fuelled power centralization and failed justice 

Arratisja e Ndocit, Lamallari: Reagim i menjëhershëm ndaj zinxhirit drejtues, masa të forta për sigurinë në sistemin e burgjeve

By: A R
30 January 2026 at 13:50

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, në një konferencë për media, deklaroi se Ministria e Drejtësisë ka reaguar menjëherë dhe pa ekuivok pas situatës së ndodhur në burgun e Durrësit, ku u gjet telefon në qelinë e një prej të burgosurve, duke marrë masa të menjëhershme administrative dhe penale ndaj zinxhirit përgjegjës.

Sipas Lamallarit, reagimi institucional përfshiu pezullimin e zinxhirit përgjegjës dhe vënien e tyre në dispozicion të hetimit penal, si dhe shkarkimin e drejtorit të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës. Paralelisht, u realizua transferimi i të dënuarve që ndodheshin në këtë institucion drejt burgjeve me nivel më të lartë sigurie.

Ministri bëri të ditur se i ka kërkuar Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në sistemin e burgjeve rritjen e hetimeve proaktive në të gjitha institucionet penitenciare të vendit, me qëllim shmangien e situatave të ngjashme dhe evidentimin e paligjshmërive, veçanërisht atyre që lidhen me futjen e sendeve të paligjshme në burgje.

“Këto raste kërkojnë masa shumë më të gjera sesa trajtimi i një ngjarjeje konkrete. Për këtë arsye kam kërkuar organizimin e një tryeze të rëndësishme me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë, ku fokusi kryesor do të jetë siguria në sistemin e burgjeve”, u shpreh Lamallari.

Pyetur më tej për arratisjen e të burgosurit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit, sipas të cilave shoqërimi në spital i të dënuarve me rrezikshmëri të lartë dhe me gjendje të mirë ekonomike kryhet shpeshherë për favore personale, takime speciale apo në këmbim të ryshfetit ndaj zyrtarëve të burgjeve, ministri theksoi se është vënë në dijeni të këtyre informacioneve. Ai theksoi se fakti që nuk u njoftua as Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe as Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, ishin arsyeja e shkarkimit të drejtorit të burgut të Durrësit.

“Jam vënë në dijeni për këto informacione. Vizitat e pretenduara për kontrolle shëndetësore nuk ishin njoftuar as në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe as në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm. Kjo ishte arsyeja kryesore pse mora menjëherë vendimin për shkarkimin e drejtorit”, deklaroi Lamallari.

Ai shtoi se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm do të jetë i pranishëm në çdo IEVP, për të garantuar proaktivitet, evidentimin dhe goditjen e këtyre rasteve përpara se ato të përshkallëzohen. Sipas ministrit, aktualisht po përgatitet një raport i detajuar, ndërsa informacionet ditore po përcillen vazhdimisht nga strukturat e kontrollit.

Schieder vlerëson klimën e dialogut në Kuvend: Vendimet kërkojnë përgjegjësi

By: A R
30 January 2026 at 13:42

Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder, ka vlerësuar sot gjatë një konference për shtyp klimën e bashkëpunimit brenda Kuvendit të Shqipërisë, duke theksuar përgjegjësinë e përbashkët të aktorëve politikë në procesin vendimmarrës.

Sipas Schieder, përfaqësuesit në Kuvend e kanë siguruar se janë të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë që mbartin dhe për vendimet që duhet të marrin, në funksion të interesit publik dhe të proceseve integruese.

Ai nënvizoi se bashkëpunimi në Kuvend për disa çështje po ecën pozitivisht, duke vlerësuar dialogun institucional mes grupeve parlamentare.

Në këtë kuadër, Schieder theksoi se ekziston hapësirë për opozitën për të diskutuar me deputetët e mazhorancës mjaft çështjet kyçe dhe për të kontribuar në ushtrimin e përgjegjësive parlamentare.

Vala tjetër e të ftohtit në SHBA, disa qytete të bllokuara prej ditësh dhe pa energji elektrike

By: A R
30 January 2026 at 12:55

Pjesa më e madhe e SHBA-ve u zgjua e veshur me një shtresë të bardhë akulli dhe dëborë për shkak të stuhisë dimërore.

Vala tjetër e të ftohtit i është afruar jugut të SHBA-ve, ku ekspertët thonë se rreziku i hipotermisë rritet për njerëzit në pjesë të Misisipit dhe Tenesit. Vendet po hyjnë në ditën e gjashtë të bllokimit në shtëpi, pa energji elektrike dhe me temperatura nën zero.

Në New Jersey, borëpastruesit dhe kamionët me kripë pastrojnë rrugët vazhdimisht për të shmangur trafikun dhe problemet. Në pamje shfaqen edhe punëtorë duke hequr borën e dendur të grumbulluar nëpër trotuare. Ndërkohë po rritet numri i vdekjeve të shkaktuara nga moti i keq.

Dy persona u aksidentuan nga dy borëpastruese në Massachusetts dhe Ohio, ndërsa një grua u gjet e pajetë në Kansas. Në Misisipin verior, zyrtarët paralajmëruan se mund të duhen disa ditë që energjia elektrike të rikthehet.

Ndërkohë, autoritetet kanë dërguar shtretër, batanije, ujë dhe gjeneratorë në stacionet e ngrohjes në zonat e goditura rëndë pas stuhisë më të keqe që nga viti 1994. Dëmet janë të mëdha në disa shtete amerikane, ndërkohë që është pezulluar mësimi në shumë rajone për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Sinoptikanët parashikojnë se ngricat do të vazhdojnë edhe në muajin shkurt. Reshje të dendura dëbore pritet të përfshijnë Koralinen e Veriut dhe të Jugut, Virxhinian dhe Xhorxhian verilindore këtë fundjavë.

Horoskopi ditor për nesër, e Shtunë 31 Janar 2026

By: A R
30 January 2026 at 12:47

Dashi

Do iu konkretizohen shume nga ëndrrat tuaja sot dhe do ndiheni me se miri ne krahët e partnerit. Shfrytëzojeni çdo sekonde deri ne maksimum. Beqaret duhet t’i kushtojnë vëmendje çdo personi qe do iu vije rrotull sepse asnjëherë nuk i dihet çfarë mund te ndodhe. Ne planin financiar do përballeni me surpriza te këqija dhe kjo për shkak te një menaxhimi te keq qe keni bere.

Demi

Asnjë planet nuk do merret me jetën tuaj sentimentale kështu qe gjithçka do ju ece për mrekulli. Do kuptoheni mire dhe do e ruani te forte bashkepunimin ne çift. Beqaret do e bëjnë shume shpejt për vete personin qe pëlqejnë. Ne planin financiar gjerat nuk do ecin mire. Marsi do ju nxite te shpenzoni pa fund dhe gjendja do përkeqësohet.

Binjaket

Tregohuni me tolerante dhe me te përkushtuar ndaj partnerit tuaj gjate kësaj dite nëse nuk doni qe ai ta kërkoje ngrohtësinë diku tjetër. Beqaret nuk do e mbajnë mendjen tek dashuria sepse do jete te mbushur me pune dhe impenjime. Ne planin financiar do jeni te kujdesshëm dhe nuk do hidhni hapa te nxituara. Gjendja do jete mjaft e kënaqshme.

Gaforrja

Partneri do ua plotësojë te gjitha dëshirat gjate kësaj dite dhe do ju beje te ndiheni me se miri. Edhe ju do e dashuroni me pasion dhe do ndiheni me fat qe e keni ne krah. Beqaret do kenë një dite te ndërlikuar dhe nuk do e mbajnë mendjen tek dashuria. Financiarisht do jeni te bekuar. Do hiqni edhe para mënjanë, por edhe do kryeni shpenzimet e nevojshme.

Luani

Jeta sentimentale e çifteve do jete gjithë kohës e privilegjuar. Do merrni vesh për gjithçka me partnerin tuaj dhe gjerat do ecin për mrekulli. Ju beqaret nuk duhet te joshni cilindo qe do ju dale përpara sepse do i vuani se tepërmi pasojat. Ne planin financiar tregohuni te kujdesshëm me shpenzimet dhe mos jepni as para hua.

Virgjeresha

Me qetësi dhe durim do i zgjidhni te gjitha problemet qe keni pasur ne jetën tuaj ne çift gjate kësaj dite dhe do ndiheni te qete. Beqaret do e kërkojnë pa fund dhe ne çdo cep princin e tyre te kaltër. ka shume gjasa qe ta gjejnë ne momentin me pak te pritur. Ne planin financiar mos u tregoni te pakujdesshëm sepse gjendja mund te përkeqësohet tej mase.

Peshorja

Do jeni shume te shqetësuar gjate kësaj dite për shkak te atmosferës se tensionuar qe do mbizotërojë gjate gjithë kohës. Do keni goxha mosmarrëveshje. Beqaret duhet te reflektojnë me kujdes para se te fillojnë ndonjë lloj aventure. Ne planin financiar sido qe te jete gjendja nuk duhet te merrni vendime te pamenduara, te paktën edhe për disa kohe.

Akrepi

Shprehini si t’i ndieni ndjenjat tuaja gjate kësaj dite dhe do e shihni qe atmosfera do filloje te përmirësohet. Nuk do i rezistoni dot as tundimit për te bere ndonjë çmenduri. Beqaret do jene ne humorin duhur dhe do e kërkojnë ne çdo cep dashurinë. Fati do jete ne anën e tyre. Ne planin financiar do keni shume probleme dhe do ndiheni shume te shpërqendruar.

Shigjetari

Do jeni me shume fat gjate kësaj dite ne jetën tuaj sentimentale dhe gjerat do ju ecin me se miri. Edhe ata qe kane pasur mosmarrëveshje do ndihen shume me te qete. Beqaret nuk do mendojnë aspak për te krijuar një lidhje pasi do mendojnë për çështje me te rëndësishme. Financat jo për te gjithë do jene te mira dhe kjo do varet nga mënyra sesi do i organizoni ato.

Bricjapi

Dite aspak e favorshme për te dashuruarit. Do jeni gjithë kohës me humor te keq dhe do lindin mosmarrëveshje pa mbarim. Beqaret do kenë te tjera pikësynime për jetën dhe do e lënë pas dore jetën sentimentale. Nëse doni qe t’i stabilizoni te ardhurat, mos iu besoni ne asnjë mënyrë lojërave te fatit. Keni për te humbur me tepër nga sa mendonit.

Ujori

Duhet te luftoni fort gjate kësaj dite me te gjitha “armiqtë” e jetës suaj ne çift. Mos lejoni askënd dhe asgjë t’ua prishe harmoninë qe ka mbizotëruar deri me sot. Beqaret do kenë takime, por nuk do e ndryshojnë dot statusin e tyre. Ne planin financiar do ju duhet te merreni masa shume strikte ne mënyrë qe gjendja t’iu përmirësohet.

Peshqit

Gjithçka do varet nga sjellja juaj sot ne jetën tuaj ne çift. Nëse silleni mire dhe nuk bëni çmenduri gjerat do shkojnë si duhet. Beqaret do kalojnë një dite te trazuar dhe pa ndonjë takim mbresëlënës. Asgjë nuk ka për te ndryshuar për ta. Sektori i financave do jete i privilegjuar dhe do arrini te kryeni te gjitha investimet e domosdoshme.

Champions League/ Shorti vendos Real-Benfica, duele delikate për Juven dhe Interin

By: A R
30 January 2026 at 12:39

Në Nyon të Zvicrës u hodh shorti për fazën “Play-off” të Champions League. 16 skuadrat që nuk arritën kualifikimin direkt, tashmë kanë mësuar emrat e kundërshtarëve me të cilët do të diskutojnë 8 biletat e fundit për në raundin e 1/8-ave.

Goglat kanë rezervuar një përballje epike mes Benficas dhe Real Madrid. Vetëm pak ditë pas humbjes në Lisbonë në raundin e fundit të ligës, “Los Blancos” do të rikthehen në “Estádio da Luz” për të kërkuar hakmarrjen në një sfidë ku gabimi nuk lejohet.

Ndërkohë, një tjetër çift që spikat është ai mes Monaco-s dhe PSG-së. Një “derbi” francez në skenën më të lartë europiane, që garanton se një nga pretendentët kryesorë do të mbetet jashtë fazës eliminatore që në shkurt.

Interi mund të konsiderohet disi i favorizuar nga ky short, pasi do të përballet me norvegjezët e Bodo/Glimt.

Nga ana tjetër, Juventusi do të ketë një mision tejet të vështirë. Bardhezinjtë do të udhëtojnë drejt Turqisë për t’u ndeshur me Galatasaray-n, në një atmosferë që njihet botërisht si një nga më të vështirat për ekipet mikpritëse.


SHORTI I PLOTË:

Benfica-Real Madrid

Bodo/Glimt-Inter

Monaco-PSG

Qarabag-Newcastle

Galatasaray-Juventus

Club Brugge-Atletico Madrid

Borussia Dortmund-Atalanta

Olympiacos-Bayer Leverkusen


Sfidat e para të këtij raundi do të luhen më 17 dhe 18 shkurt, ndërsa takimet e kthimit, ku do të vulosen edhe kualifikimet, do të zhvillohen një javë më pas, më 24 dhe 25 shkurt.

Gati amnistia penale, ministri: Përfitojnë 10 mijë persona. 338 do lirohen menjëherë, ulje dënimi për 980 të tjerë

By: A R
30 January 2026 at 12:31

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka njoftuar se është gati propozimi për amnistinë penale, nga e cila pritet të përfitojë mbi 10 mijë persona. Në një konferencë për shtyp, Lamallari theksoi se propozimi tashmë është firmosur dhe është dërguar në Këshillin e Ministrave, për t’u miratuar më pas në Kuvend.

Kemi kaluar në Parlament ndryshimet në Kodin Penal duke përfshirë këtu dekriminalizmin e shpifjes sidomos për një kategori të caktuar personash që kërkojnë më shumë mbrojtje, gazetarët. Sapo kam firmosur propozimin për amnistinë penale, duke e dërguar këtë propozim për akt ligjor në Këshillin e Ministrave dhe besoj se shumë shpejt do të kemi miratimi e aktit dhe më pas depozitimin në Kuvend”, tha ai.

Sipas tij, amnistia penale do të prekë një kategori të gjerë personash, duke përfshirë edhe procedimet e vitit 2024. 338 persona do të fitojnë lirinë  e menjëhershme, ndërsa për 980 të tjerë do të ketë ulje të dënimit.

Është një kategori shumë e madhe personash të cilët përfitojnë nga shifra  paraprake, duke përfshirë edhe procedimet e vitit 2024, numri i përfituesve është më shumë se 10 mijë. Janë 1230 persona të cilët aktualisht janë në sistemin penitenciar, që do të thotë 338 persona fitojnë lirim të menjëhershëm, më pas 980 të tjerë që përfitojnë ulje dënimi. Për dy vepra që konsiderohen të lehta,  drejtimi i parregullt i automjetit, vetëm për vitin 2024 llogariten 7711 procedime të regjistruara. Këto shuhen menjëherë pas miratimit të projektligjit për amnistinë, pa përfshirë këtu shumë persona të tjerë të cilët janë në shërbimin e provës”, u shpreh Lamallari.

Ai theksoi se në amnisti nuk përfshihen personat që janë hetuar, apo po hetohen dhe gjykohen nga Gjykata e Posaçme.

Jo për dënimet nga Gjykata e Posaçme. Duke marrë parasysh edhe kontekstin në të cilin ndodhemi dhe mbështetjen e vazhdueshëm që i kemi ofruar organeve të reja të drejtësisë, kemi bërë të qartë që kjo nuk përfshinë persona që kanë qenë në hetim, janë nën hetim apo gjykim nga GJKKO”, theksoi ai.

Shmanget mbyllja e qeverisë, Trump njofton paktin mes republikanëve dhe demokratëve

By: A R
30 January 2026 at 12:23

Tym i bardhë në Kongres. Presidenti amerikan, Donald Trump, njofton se Republikanët dhe Demokratët në Senat kanë arritur një marrëveshje për të ecur përpara me disa pjesë të paketës së financimit të qeverisë federale.

Palët ranë dakord për një paketë prej pesë projektligjesh shpenzimesh, por hoqën nga paketa një projektligj të gjashtë që lidhet me financimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Financimi për atë departament do të vazhdojë në shumën e tij aktuale për dy javë, ndërsa të dyja palët hartojnë një marrëveshje të re, shkruan A2.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e mbështeti marrëveshjen dhe shkroi këtë status në një postim në rrjetet sociale: “Shpresojmë që si republikanët ashtu edhe demokratët do të japin një votë “PO” dypartiake, shumë të nevojshme”. Departamenti i Sigurisë Kombëtare është përfshirë nga polemikat dhe kundërshtimet e forta të qytetarëve amerikanë, për shkak të operacioneve të dhunshme për kapjen dhe dëbimin e emigrantëve të paligjshëm.

Skema kombëtare në bujqësi, Balluku: Buxheti i 2026-ës, historik. 95% e skemave të 2025-ës janë ezauruar

By: A R
30 January 2026 at 12:15

Zv.kryeministrja, njëherësh Ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku në fjalën e mbajtur para fermerëve në dëgjesën për skemën Kombëtare 2026, garantoi mbështetjen e qeverisë shqiptare ndaj fermerëve dhe blegtorëve.

Balluku theksoi se buxheti i vitit 2026 është buxheti më i madh historik i vendosur nga qeveria për bujqësinë, blegtorinë dhe peshkimin.

Ajo nënvizoi se në vitin 2025, 600 milionë lekë u vendosën në dispozicion të skemave kombëtare, të cilat deri më tani janë ezauruar në masën 95% të tyre. Sipas ministres, ky fakt është tregues i

“Qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht për mbështetjen e fermerëve e blegtorëve. Shifrat kanë ndryshuar vit pas viti, skemat e mbështetjes asimilohen shumë më mirë nga fermerët. Viti 2025 është disponuar mbi 600 mln lekë në dispozicion të skemave të cilat janë ezauruara në 95% të tyre, që tregon se tashmë dhe skemat janë më të kuptueshme dhe aplikuesit e dinë të bëjnë procesin më mirë. Buxheti i 2026 më i madhi historik i vendosur nga qeveria për bujqësinë, blegtorinë dhe peshkimin”, deklaori Balluku.

“Merrni kredi me ofertë”, Policia: Kujdes nga mesazhet mashtruese, ju marrin paratë

By: A R
30 January 2026 at 12:07

Policia e Shtetit ka paralajmëruar qytetarët sot në 30 janar për një rritje të rasteve të mashtrimeve online që lidhen me oferta të rreme për kredi. Në një njoftim të lëshuar nga Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik, Policia thekson se janë evidentuar raste kur persona të panjohur, përmes faqeve të dyshimta në internet, rrjeteve sociale apo mesazheve elektronike, paraqiten si përfaqësues të institucioneve financiare dhe i nxisin qytetarët të aplikojnë online për kredi, me qëllim përfitimin monetar në mënyrë mashtruese.

Sipas Policisë, këto oferta janë të rreme dhe kanë si objektiv përvetësimin e të dhënave personale dhe financiare të qytetarëve. “Këto oferta janë mashtruese dhe synojnë përvetësimin e të dhënave personale dhe financiare të qytetarëve”, thuhet në njoftim. Policia apelon qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar. “Qytetarët të mos dërgojnë para, të dhëna bankare apo dokumente personale te persona të paidentifikuar apo faqe interneti të pasigurta”.

Përveç kësaj, qytetarët duhet të kontrollojnë informacionin përpara se të aplikojnë për kredi. Policia sqaron se është e rëndësishme të verifikohen burimet dhe të komunikohet drejtpërdrejt me institucionet financiare. “Qytetarët të komunikojnë drejtpërdrejt me personelin bankar, duke përdorur vetëm kontaktet zyrtare të publikuara në faqet zyrtare të bankave përkatëse, veçanërisht në rastet kur nuk kanë mundësi të paraqiten fizikisht në degët bankare”.

Policia gjithashtu fton qytetarët që çdo rast të dyshuar për mashtrim ta denoncojnë menjëherë. “Qytetarët ftohen që çdo rast të dyshuar për mashtrim ta denoncojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin dhe hetimin e këtyre veprave penale”.

Autoritetet theksojnë se mbeten të angazhuar në luftën kundër krimit kibernetik dhe bëjnë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët. “Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në luftën kundër krimit kibernetik dhe apelon për kujdes, verifikim dhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve”, përfundon njoftimi. Ekspertët e sigurisë online këshillojnë gjithashtu që përdoruesit të jenë skeptikë ndaj çdo mesazhi që premton kredi të shpejta ose të lehta, të mos klikojnë në lidhje të panjohura dhe të përdorin vetëm platformat zyrtare të bankave.

U gjetën pas 14 vitesh mungesë, 10 ikona të vjedhura i rikthehen Kishës Ortodokse

By: A R
30 January 2026 at 11:59

Dhjetë ikona me vlerë të jashtëzakonshme kombëtare, të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në Labovën e Kryqit, i rikthehen Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Pas 14 vitesh mungesë, dhjetë ikona të vjedhura me vlera të jashtëzakonshme historike dhe shpirtërore i janë rikthyer Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, priti në një ceremoni zyrtare Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkopin Joan, për rikthimin e këtyre ikonave. Gjatë fjalës së tij, ministri Gonxhja vuri theksin te rëndësia jetike e regjistrimit të pasurive kulturore:

“Ky rikthim nuk është vetëm një akt ligjor, por një akt drejtësie historike dhe shpirtërore. Regjistrimi mbetet mjeti i vetëm i besueshëm për identifikimin e origjinës së tyre në rastet kur ato rrezikojnë të trafikohen”.

Nga ana tjetër, Kryepeshkopi Joan shprehu mirënjohjen për angazhimin e institucioneve.

“Jemi të angazhuar për ta mbrojtur këtë kulturë, e cila është pjesë e identitetit tonë europian”.

Ikonat, të cilat i përkasin kishës monument kulture “Fjetja e Shën Mërisë” në Labovën e Kryqit, kishin rënë pre e trafikimit vite më parë. Gjetja e tyre u bë e mundur falë një operacioni të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimit me Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore.

“Në shtator, IPARD III”, ministri i Bujqësisë-fermerëve: Mblidhni faturat për çdo produkt, do kompensoheni!

By: A R
30 January 2026 at 11:51

Kryeministri Edi Rama sot, 30 janar, në takim me fermerët për Skemën Kombëtare 2026, për të plotësuar panoramën e kërkesave dhe nevojave të evidentuara deri më tani nga qarqet e tjera, si dhe për ta ndërtuar skemën mbi një pasqyrë sa më të plotë të realitetit në terren.

Bashkë me të Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku.

“Të mirëkuptohemi të mbështesim njëri-tjetrin në punën tonë. Qeveria është e angazhuar maksimalisht për mbështetjen e fermerëve dhe blegtorëve.

Në vitin 2025, mbi 600 mln lekë ishin në dispozicion të skemave, prej të cilave janë rezauruar në 95%, që tregon se aplikuesit e kanë më të qartë procedurën, që tregon se buxheti i vitit të shkuar, është më i madhi historik i vendosur në dispozicion për bujqësinë, blegtorinë dhe peshkimin”, deklaroi Ministrja për Infrastrukturën e Energjinë.

Salla: Model me 4 komponentë për bujqësinë! Vjen IPARD III

“Kemi marrë një Shqipëri me 120 mln euro eksportet, ndërsa sot i ka mbi 500 milion euro. Morëm një bujqësi me 700 hektarë sipërfaqe të serash, sot janë trefishuar.

Në këtë mandat, qeveria është e angazhuar të ndërtojë një model me katër komponentë.

Skema e granteve ku kemi parashikuar minimnalisht 20 milion euro, skema e subvencioneve direkte 31 mln euro e buxhetuar, kemi parashikuar dhe kemi të hapur garancinë sovrane që u mundëosn fermerëve kredi të buta me normë interesi 2%, janë 30 milion euro për 2026-ën.

Më e rëndësishmja, kompensimi i TVSH-së për të gjithë fermerët, për çdo produkt që keni shitur nga data 1 janar 2026 e në vazhdim mblidhni faturat. Dy herë në vit, më 30 qershor dhe 1 janar çoni faturat te Tatimet dhe do kompensoheni me 10% të vlerës së faturave.

Në shtator do hapet dhe IPARD III, që janë dhe 118 milion euro të tjera për sektorin e bujqësisë”, deklaroi Ministri Salla duke theksuar se ky sektor do shkojë në nivel tjetër.

Dënimi i gjyqtares Irena Gjoka, KLGJ e fut çështjen në rend dite, do të analizohen dokumentet e…

By: A R
30 January 2026 at 11:41

Sot në 30 janar Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të fusë në rend dite shqyrtimin e çështjes që lidhet me gjyqtaren Irena Gjoka, e cila për disa ditë ka qenë në qendër të vëmendjes pas dërgimit të dokumentacionit nga Prokuroria pranë KLGJ.

Prokuroria ka kryer hetime të thelluara mbi vendimin penal të Gjokës në Greqi dhe ka konstatuar se dokumenti i dënimit është i saktë dhe i vlefshëm për t’u shqyrtuar në kuadër të procedurës së verifikimit të statusit të gjyqtares.

Shqyrtimi i sotëm do të fokusohet në analizimin e dokumenteve dhe vlerësimin nëse gjyqtarja plotëson kriteret ligjore për të vijuar detyrën në sistemin gjyqësor shqiptar.

RENDI I DITËS:

1. Shqyrtimi i projektvendimit “Për numrin e kandidatëve që do të pranohen në programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2026-2027”.

2. Shqyrtimi i projektvendimit “Për miratimin e “Raportit vjetor mbi veprimtarinë e Komisionit Disiplinor gjatë vitit 2025””.

3. Shqyrtimi i projektvendimit “Për miratimin e “Raport mbi veprimtarinë e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës për vitin 2025””.

4. Shqyrtimi i projektvendimit “Për përbërjen e Komisionit të Përkohshëm për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankimit ose pushimin e hetimit ndaj një gjyqtari, për vitin 2026”.

5. Shqyrtimi i projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e kushteve dhe dokumentacionit që duhet të plotësojë magjistrati (gjyqtar) për të përfituar kredi për banim, si dhe miratimin e listës së magjistratëve (gjyqtarë) përfitues nga skema e subvencionimit të interesave të kredisë”.

6. Shqyrtimi i projektvendimit “Për miratimin e planit të komunikimit për sistemin gjyqësor”.

7. Shqyrtimi i relacionit “Për fillimin e procedurës së verifikimit të statusit të gjyqtares znj. {…}, gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

❌
❌