Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 January 2026Java News

“Jam mbret i tarifave”/ Kërcënon Trump: Mund t’i vendos për vendet që s’bien dakord për Groenlandën

By: E S
17 January 2026 at 16:55

Presidenti i SHBA, Donald Trump, i cili e quati veten “mbreti i tarifave”, kërcënoi më herët sot se mund të përdorë tarifat si një mjet për të ushtruar presion mbi vendet e treta që të bien dakord për aneksimin e Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan ka shprehur vazhdimisht dëshirën e tij për të kontrolluar Groenlandën, e cila është një rajon gjysmë-autonom i Danimarkës, duke argumentuar se është me rëndësi strategjike. Megjithatë, deklaratat e tij shkaktuan reagime të forta, jo vetëm nga Kopenhageni dhe Groenlanda, por edhe nga qeveritë evropiane dhe kongresistët amerikanë nga të dyja partitë.

Komentet e Trump erdhën gjatë një eventi për kujdesin shëndetësor në Shtëpinë e Bardhë, ku ai iu referua mënyrës se si kërcënimi me tarifat i ka detyruar vendet e tjera të zhvilluara të pranojnë çmime më të larta të barnave në mënyrë që të ulin çmimet në Shtetet e Bashkuara.

“Mund ta bëj për Groenlandën. Mund të vendos tarifa për vendet nëse nuk pajtohen me Groenlandën, sepse na duhet për arsye sigurie kombëtare. Mund ta bëj,” tha ai.

Trump nuk specifikoi shumën e tarifave të mundshme ose cilat vende do të ishin në shënjestër. Në të njëjtën kohë, një vendim është në pritje nga Gjykata Supreme e SHBA-së, e cila mund të vendosë mbi ligjshmërinë e tarifave që Trump ka vendosur.

“Unë jam mbreti i tarifave dhe mbreti i tarifave ka bërë një punë të shkëlqyer,” tha Trump, duke shtuar: “Shpresoj ta fitojmë çështjen në Gjykatën Supreme, sepse nëse nuk e bëjmë, do të jetë një turp për vendin tonë”.

Për një parlament të ri!

17 January 2026 at 16:46

Nga Mentor Kikia

Nga të gjitha idetë që qarkullojnë ditët e fundit, më shumë më pëlqen ajo për ndërtimin e një parlamenti të ri. Një ide që ka kohë që përflitet, por asnjëherë nuk u realizua.

Eshtë e turpshme sesi e kemi lënë parlamentarizmin shqiptar me një ndërtesë të vjetër e të shëmtuar.

Ata njerëz meritojnë shumë më shumë.

Niveli i tyre akademik, profesional e politik, aq më shumë këtë legjislaturë, nuk përputhet fare me nivelin e godinës. Tërë ai kontribut për Shqipërinë dhe ja si ua shpërblemjë.

Sado të kushtojë, unë jam për ta ndërtuar një parlament të ri. Kemi për të parë nëse nuk do të punojnë edhe më shumë për këtë vend.

Në foto: Parlamenti ekzistues dhe projekti për parlamentin e ri, që nuk u ndërtua kurrë.

Arratisja e Altin Ndocit/ “U ankua për dhimbjen e veshkave”, zbardhet dosja e Prokurorisë për 8 të pandehurit

By: E S
17 January 2026 at 16:38

Altin Ndoci, i konsideruar një person me rrezikshmëri të lartë, vazhdon të qëndrojë në arrati pas daljes nga Spitali i Durrësit më 13 janar 2026. Arratisja e tij ka shkaktuar një valë hetimesh dhe masa të rrepta disiplinore, duke çuar në shkarkimin e të gjithë zinxhirit komandues të Burgut të Durrësit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Ndoci kishte shkuar në Spitalin Rajonal të Durrësit për probleme me veshkat, ku ka shfaqur dhimbje të vazhdueshme dhe shqetësime të tjera shëndetësore. Ai kishte marrë rekomandimin e mjekut të burgut për të kryer kontroll dhe trajtim të specializuar.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi më herët se për dërgimin e Ndocit në spital nuk janë respektuar procedurat e parashikuara për raste të tilla. Shkeljet u evidentuan edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë, ku Ndoci shihet duke zbritur nga autoambulanca për t’u futur në spital i shoqëruar nga efektivët, por pa pranga në duar.

Të njëjtën pamje tregojnë edhe momentet e arratisjes, kur 39-vjeçari vrapoi jashtë rrethimit të spitalit pa asnjë pengesë, duke siguruar largimin e tij me një automjet tip Audi ngjyrë e zezë, që e priste jashtë. Pas largimit, drejtimi i tij mbetet i panjohur. Policia ka reagoi menjëherë, duke ushtruar kontrolle të shumta në qytete si Kavajë, Tiranë dhe Elbasan, duke tentuar të kapë Ndocin, i cili dyshohet të jetë fshehur për të shmangur kapjen.

Hetimet dhe arrestimet e zyrtarëve

Një ditë pas arratisjes, shërbimi i kontrollit të brendshëm të burgjeve arrestoi tetë zyrtarë të Burgut të Durrësit. Mes të arrestuarve janë zv.shefi i policisë, pesë efektivët që shoqëronin Ndocin, specialistja e informacionit dhe kryeinfermierin, të gjithë të dyshuar për shpërdorim detyre.

Gjykata e Durrësit caktoi këtë të shtunë, 17 janar, masat e sigurisë për të arrestuarit: tre në burg (Dezdemon Pazaj, Sali Ferrollari dhe Fatjon Braçi), dy në arrest shtëpie (Aulon Çuku dhe Violeta Uka) dhe tre me detyrim paraqitjeje (Aranit Çela, Preng Marvataj dhe Dorian Saraçi).

Fillimisht, Prokuroria kërkoi “arrest në burg” për të gjithë të arrestuarit, por gjatë seancës ndryshoi kërkesën për disa prej tyre. Mbrojtja kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë, duke argumentuar se ndalimi është i paligjshëm dhe disproporcionale, pasi nuk ekzistojnë prova konkrete që të justifikojnë dyshimet, dhe se efektivët nuk paraqesin rrezik arratisjeje apo ndikimi në prova.

Pasojat dhe reagimi i institucioneve

Arratisja e Ndocit nxori në dritë shkelje të rënda procedurale dhe përgjegjësi të drejtpërdrejta të zinxhirit komandues të Burgut të Durrësit. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vendosi shkarkimin e të gjithë zinxhirit komandues si masë disiplinore.

Hetimet vijojnë për të zbuluar të gjitha përgjegjësitë dhe për të siguruar kapjen e Ndocit. Autoritetet po monitorojnë çdo lëvizje të mundshme të tij dhe po angazhojnë forca të shumta policore për ta rikthyer nën arrest të sigurt.

Rikthehet kaosi në aksin rrugën Tiranë-Elbasan, trafik i rënduar dhe radhë kilometrike automjetesh

By: E S
17 January 2026 at 16:28

Rikthehet sërish kaosi dhe trafiku i rënduar në aksin e rrugës kombëtare Tuneli i Krrabës-Rrethrrotullimi i Bradasheshit, në hyrje të Elbasanit.

Që prej orës 14:30 të së shtunës, drejtuesit e mjeteve po përballen me radhë të gjata dhe lëvizje tepër të ngadalësuara, në rrugën që lidh Tiranën me Elbasanin, Librazhdin dhe më tej me Juglindjen e Shqipërisë.

Shkak kryesor i situatës është fluksi i shtuar i automjeteve në drejtim të Pogradecit dhe Korçës, ku me qindra familje nga kryeqyteti udhëtojnë për të kaluar fundjavën.

Ky fluks ka rënduar ndjeshëm qarkullimin dhe ka vështirësuar lëvizjen normale të automjeteve, sidomos në segmentet më problematike të aksit.

Në pikun e trafikut janë shtuar edhe shërbimet e Policisë Rrugore, e cila po punon për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur bllokimet totale.

A bashkëpunuan për vrasjen e gjyqtarit Kalaja? Prokuroria kërkon hapjen e telefonave të Elvis e Gjon Shkëmbit

By: E S
17 January 2026 at 16:20

A ka pasur apo jo bashkëpunim mes Elvis Shkëmbi dhe xhaxhaxhit të tij për të vrarë gjyqtarin e apelit Astrit Kalaja?

Për të vërtetuar këtë dyshim ndaj dy të arrestuarve nën hetim për vrasje të funksionarit të drejtësisë në bashkëpunim, prokuroria ka dërguar dy aparate telefoni që ishin në përdorim të Elvis dhe Gjon Shkëmbit në burg nha dita e krimit në një sallë gjykate.

Dy prokurorët e çështjes siç bëjnë me dije burime të sigurta të Top Channel kanë kërkuar kodin e telefonit nga 30 vjeçari Elvis Shkëmbi dhe xhaxhait të tij, por asnjëri prej tyre nuk e ka vendosur në dispozicion.

Në këto kushte është kërkuar ekspertizë nga policia shkencore për të zbërthyer komunikimet në të dy aparatet, për të kqyrur bisedat mes nipit dhe xhaxhait dhe personave të tjerë, çka do të provojë rolin e Gjon Shkëmbit nëse ka pasur apo jo rol shtytës ose bashkëpunues ditën kur udhëtuan drejt Tiranës për procesin civil mbi pronësinë.

Megjithëse Gjon Shkëmbi nga 6 tetori kërkon lirinë në mënyrë të përsëritur me pretendimin se nuk dinte asgjë për planet e nipit, gjykatat e kanë lënë në burg.

Gjoni shprehet se kur nipi qëlloi për vdekje gjyqtarin që sapo kishte shpallur vendimin kundër, ai i tha nipit: Na fike.

Ndërsa kërkesa e fundit për liri e Gjon Shkëmbit u shty për tu shqyrtuar në datën 27 janar.

Provat e deritanishme tregojnë se 30 vjeçari kishte hyrë edhe herë tjetër gjatë procesit i armatosur dhe pa u vënë re, një situatë kjo e përsëritur edhe ditën e ngjarjes.

Vrasësi nuk është ankuar për masën e burgut në gjykatë por ka dëshmuar para hetuesve se ndjeu urrejtje për vendimin sipas tij të padrejtë ndaj dhe qëlloi me armë ndaj gjyqtarit që e vrau në sallë dhe dy të tjerëve që ishin palë të cilët i la të plagosur.

Prokuroria po shikon edhe pjesën e dëshmisë ku Elvis Shkëmbi thotë se për proceset e tejzgjatura ishte ankuar edhe pranë Inspektoriatit të lartë të drejtësisë dhe disa institucioneve të tjera

Pas vrasjes së Astrit Kalasë, u vu në diskutim siguria e gjykatave dhe prokurorive. Por me gjithë deklaratat, ende çështja mbetet e pazgjidhur./tch

11 aktakuza të ngritura vitin e kaluar për krimet e luftës në Kosovë, 33 të tjerë gjykohen në mungesë

By: E S
17 January 2026 at 16:11

Njëmbëdhjetë aktakuza për krime lufte janë ngritur deri në dhjetorin e vitit të kaluar. Gjatë kësaj periudhë janë akuzuar 36 persona, në mesin e tyre 33 për gjykim në mungesë.

Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Speciale, derisa ka thënë se numri total i aktakuzave në mungesë është 20, ku akuzohen 102 persona.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ju njofton se gjatë vitit 2025, konkretisht deri më 01 dhjetor të këtij viti janë ngritur 11 aktakuza për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile. Gjatë kësaj periudhe janë akuzuar 36 persona, prej tyre 33 persona të akuzuar për gjykim në mungesë, ndërsa janë parashtruar 8 kërkesa për caktim te paraburgimit ndaj 10 personave. Ndërsa, numri total i rasteve me aktakuza është: 74 raste me 80 aktakuza ndaj 216 personave. Numri i aktakuzave të dorëzuara me gjykim në mungesë është: 20 aktakuza për gjykim në mungesë ndaj 102 personave”, thuhet në këtë përgjigje.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani flet për vështirësitë që kanë autoritetet vendore për të ndjekur penalisht kriminelët e luftës. Ai thekson se ka kaluar kohë e gjatë dhe se “provat janë lehtësisht të zhdukshme”.

Hasani thotë ndër tjera se është me rëndësi që Kosova të ketë aktgjykime të formës së prerë për krime lufte.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se vitet e fundit kanë dominuar aktakuzat në mungesë për krime lufte.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës e konsideron vitin 2025 si vit të drejtësisë.

Fatmire Haliti nga kjo organizatë thotë se ka pasur progres në aspektin e qasjes në drejtësi të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Aktgjykimi i parë në mungesë është shpallur gjatë vitit 2024, ku i dënuari është Çedomir Aksiq i cili kreu krime lufte në Reçak, Mulapolc dhe Petrovë – fshatra në komunën e Shtimes.

Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë mbi 13 mijë civilë, mbi 20 mijë gra e burra të dhunuar seksualisht, mbi gjashtë mijë të zhdukur, prej tyre 1.600 vazhdojnë të jetë të pagjetur e më shumë se 800 mijë persona të zhvendosur gjatë viteve 1998-1999. Por Serbia vazhdon t’i mohojë të gjithë këto krime të kryera në Kosovë./Kosovapress/

Fadroma përplas punëtorin në kantier, 45-vjeçari ndërron jetë në spital

By: E S
17 January 2026 at 16:03

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në Palasë. Një mjet fadromë ka goditur një person brenda një kantieri ndërtimi.

I dëmtuari, 45-vjeçari Kreshnik Haska, është transportuar me urgjencë drejt spitalit, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

“Sot, në një kantier ndërtimi, në fshatin Palasë, Himarë, dyshohet se shtetasi E. P., 26 vjeç, gjatë punës brenda kantierit, duke kryer manovra me mjetin fadrom, ka aksidentuar shtetasin K. H., 45 vjeç, punëtor po në atë kantier. Shtetasi K. H., si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spitalin e Vlorës.

Në ambientet e Komisariatit të Policisë Himarë është bërë menjëherë shoqërimi i shtetasit E. P., për veprime të mëtejshme hetimore.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.“, njofton policia.

Pretendimet për përdorimin e “topit zanor” gjatë protestës antiqeveritare, Brukseli i bën sërish thirrje Serbisë të hetojë

By: E S
17 January 2026 at 15:55

Komisioni Evropian ka përsëritur kërkesën ndaj autoriteteve të Serbisë që të hetojnë nëse gjatë protestës antiqeveritare në Beograd më 15 mars 2025 është përdorur top zanor.

“Ashtu siç është theksuar tashmë, presim një hetim të shpejtë, transparent dhe të besueshëm mbi pretendimet për përdorimin e armëve zanore kundër demonstruesve”, thuhet në deklaratën e shërbimit për shtyp të Komisionit Evropian.

Thirrja e re e institucioneve në Bruksel lidhur me përdorimin e mundshëm të topit zanor, të cilin autoritetet në Beograd e mohojnë, erdhi pasi mediat evropiane e aktualizuan sërish këtë çështje.

Portali Politico publikoi më 15 janar se shërbimet sekrete serbe, në bashkëpunim me Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), kanë testuar topa zanorë mbi qen, në kuadër të hetimit të pretendimeve të demonstruesve se gjatë protestës së 15 marsit ishte përdorur armë zanore.

Zyrtarë të Komisionit Evropian konfirmuan se janë në dijeni të “raporteve shqetësuese”.

“Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të zhvillohen si zakonisht, veçanërisht kur bëhet fjalë për sigurinë”, u tha nga shërbimi për shtyp i Komisionit Evropian, duke rikujtuar se, sipas standardeve evropiane për të drejtat e njeriut, autoritetet kanë detyrimin të mbrojnë pjesëmarrësit në tubime nga lëndimet dhe dhuna.

Radio Evropa e Lirë shkroi në prill 2025 për raportin e FSB-së, të cilin atëherë e prezantoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq tha se hetimi i shërbimit rus, i cili për eksperiment “përdori qen”, kishte përfunduar se gjatë protestës në Beograd nuk ishte përdorur armë e ndaluar “top zanor”.

Në raportin që u publikua atëherë në faqen e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), thuhet se pajisjet zanore që zotërojnë organet policore serbe janë testuar mbi qen në poligonin e BIA-s.

Në raport theksohet se gjatë testimeve “objektet biologjike nuk kanë shfaqur shqetësim”, si dhe se tri ditë pas testimit nuk janë vërejtur ndryshime në gjendjen e tyre.

“Në bazë të rezultateve të marra, mund të nxirret përfundimi kategorik se pajisjet zanore nuk janë përdorur gjatë protestës së 15 marsit”, deklaroi presidenti i Serbisë duke prezantuar raportin, për të cilin shërbimi rus nuk u deklarua publikisht.

Autoritetet serbe, pas dëshmive të demonstruesve dhe akuzave se gjatë protestës së 15 marsit në Beograd ishte përdorur armë zanore e ndaluar, kërkuan që hetuesit rusë të zhvillonin një “hetim të pavarur”.

Përveç FSB-së ruse, autoritetet e Serbisë ftesë për një hetim të pavarur i bënë edhe Byrosë Federale të Hetimit të SHBA-së (FBI). Megjithatë, nuk ka informacione se si FBI u është përgjigjur autoriteteve serbe.

Studentët në bllokadë, të cilët që nga vdekja e 16 personave në Novi Sad udhëheqin protesta masive në Serbi duke kërkuar përgjegjësi nga autoritetet për tragjedinë, e kanë përfshirë hetimin e incidentit në demonstratat e 15 marsit në listën e kërkesave zyrtare.

Deri më sot, megjithatë, nuk ka informacione zyrtare se çfarë shkaktoi frikën dhe panikun e mijëra demonstruesve që, gjatë nderimit të viktimave të aksidentit në Novi Sad, u shpërndanë papritur nga rruga — përballë, siç e përshkruan, tingujve dhe dridhjeve të forta dhe të pazakonta.

Pasuan gjithashtu dëshmi të shumta për probleme shëndetësore në ditët pas protestës — si marramendje, humbje ndjenje, të përziera, tension i lartë i gjakut dhe probleme me dëgjimin.

Autoritetet fillimisht mohuan se posedonin top zanor, por më vonë pranuan se policia ka pajisje sonike, duke pretenduar se ato “nuk janë përdorur kurrë”.

Bashkimi Evropian kërkoi hetim menjëherë pas ngjarjes lidhur me pretendimet e demonstruesve.

Hetim për incidentin po zhvillon edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, institucion gjyqësor i Këshillit të Evropës.

“Topi zanor” bën pjesë në grupin e armëve jo-vdekjeprurëse që mund të përdoren për qëllime policore dhe ushtarake – për kontroll të trazirave, zmbrapsje të sulmeve ose komunikim në distanca të mëdha./REL

Rritja e kapaciteteve për arsimin profesional, Rama: Të krijojmë kushte të shkëlqyera për studentët

By: E S
17 January 2026 at 15:45

Kapacitetet lidhur me arsimin profesional duhet të rriten, sipas kryeministrit Edi Rama.

Rama, në takimin me kryebashkiakët në Golem deklaroi se duhen krijuar kushte të shkëlqyera si për arsimim, por edhe akomodim të studentëve.

Një tjetër komponent për të cilin unë dëshiroj që të kemi një qasje të re dhe një angazhim të madh të bashkive, është arsimi profesional. Ne na duhet të rrisim kapacitetet e arsimit profesional, por që të rrisim kapacitetet e arsimit profesional, e kemi diskutuar dhe ri diskutuar brenda nesh në qeveri, ne duhet të krijojmë në radhë të parë kushte të shkëlqyeshme, jo të mira. Kushte të shkëlyera. Duhet të kemi shkolla të arsimit profesional me laboratorë kuptimplotë , jo klasa si ato që gjetëm dikur në arsimin profesional ku elektriçistët e rinj, e mësonin zanatin nga një mësues që iu vizatonte poçin në dërrasën e zezë, por duhet të jenë laboratorë të cilësisë më të mirë dhe konviktet e shkollave profesionale, duhet të jenë hotele dinjitoze, me kushte shumë të mira për të gjithë nxënësit që vijnë në këtë rast, edhe nga zona të thella, nga zona rurale, nga familje të ardhura të ulëta në mënyrë që, që në momentin e parë, nga kushtet të kuptohet dhe të ndjehet rëndësia e gjësë dhe respekti shoqëror për formimin profesional.

Kemi bërë hapa përpara, por unë do ju ftoja të gjithëve që të mendoni dhe sa më parë, të na sillni propozime për nukle të formimit dhe arsimit profesional në të gjithë territorin që mund të shkojnë nga profesionet që lidhen me natyrën e ekonomisë së territorit ku ju drejtoni dhe deri tek formimi për teknologjinë. Duhet t’u japim mundësinë të gjithë fëmijëve në të gjithë territorin e Shqipërisë, pavarësisht pozicionit gjeografik, që të kenë një akses në formimin profesional me teknologjinë. Kemi bërë laboratorë, do kemi të gjitha shkollat me laboratorë por ata që shkojnë një shkallë më lart, duhet të kemi kudo një klasë, duhet të kemi kudo një shkollë profesionale dhe një klasë e shkollës profesionale dhe sikur shkolla profesionale të jetë vetëm shkollë turizmi, një klasë të jetë për teknologjinë”, tha Rama.

Qytetarët dhe bizneset po përballen me një valë shtrenjtimesh/ Ja sa do të rriten faturat e ujit në Kosovë

By: E S
17 January 2026 at 15:36

Qytetarët dhe bizneset në Kosovë po përballen me një valë shtrenjtimesh të ujit për periudhën 2026-2028. Drejtori i Departamentit të Tarifave, Refik Ramaj, paralajmëron rritje deri 39 për qind për amvisëritë dhe 29 për qind për konsumatorët jo-shtëpiak, ndërsa për ujërat e ndotura rritja shkon deri 25 për qind. Rritja vjen pas shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Ramaj në një intervistë për KosovaPress, thekson se rritja e tarifave është e ndikuar nga disa faktorë kryesorë, siç është shtrenjtimi i energjisë elektrike, zvogëlimi i normës së subvencionimit dhe inflacioni.

“Tarifat e vjetra për konsumatorë shtëpiak kanë qenë 0.38 centë, kurse tani do të ketë një rritje. Për procesin tarifor 2026-2028 do të ketë një rritje prej 39 për qind për amvisëri, ndërkaq 29 për qind për konsumatorët jo shtëpiak. Mesatarja e rritjes konsumatorë shtëpiak dhe jo-shtëpiak është 34 për qind. Tarifat për ujërat e ndotura, sektori shtëpiak 25 për qind, po ashtu edhe ai jo-shtëpiak, mesatarja natyrisht 25 për qind. Çfarë ka ndikuar në këtë rritje prej 34 për qind, së pari ka ndikuar rritja enorme e energjisë elektrike, e cila është 150 për qind apo 2.5 herë është rritur. Siç është e ditur në bazë të kalkulimeve tona, pjesëmarrja e energjisë elektrike në strukturën e shpenzimeve operative është 20 për qind, kur kjo shumëzohet me 150 me këtë rritjen, del 30 për qind. 30 për qind është rritja vetëm për energji elektrike….Faktori i dytë është zvogëlimi i normës ndër subvencionimit…Faktori i tretë është inflacioni”, thekson Ramaj.

Duke folur për tarifat sipas qyteteve, Ramaj tha se në Prishtinë çmimi për ujë ka kaluar nga 0.45 në 0.63 euro, ndërsa për ujërat e ndotura nga 0.08 në 0.12 euro.

“Në Prishtinë ka qenë 0.45 për ujë, tash është 0.63. Për ujerat e ndotura ka qenë 0.08, është bërë 0.12, Prizreni ka qenë 0.40 është bërë 0.56, për ujërat e ndotura 0.15, është bërë 0.19. Peja ka qenë 0.28 për ujë, është bërë 0.39…Gjakova ka qenë 0.39 tash është 0.53…_(Për biznese)për Prizrenin për biznese është 0. 42, nga 0.32, për Pejën ka qenë 0.39, tash 0.51, për Mitrovicën ka qenë 0.55, 0.69, Gjakova ka qenë 0.55 tash 0.67… Kompanitë me aplikacionin tarifor kanë ardhë me kërkesa shumë më të lartë, disa kanë kërkuar 100 për qind rritjen e tarifave, disa më pak, por ne kemi aplikuar norma shkencore, kritere profesionale, kemi ardhe deri tek kjo strukturë”, shprehet ai.

Kryetari i Shoqatës së Konsumatorit, Selatin Kaçaniku thotë se shtrenjetimi i tarifave të ujit do të ketë ndikim të madh tek konsumatoret. Sipas tij, jeta e qytetareve vetëm sa vazhdon të rendohet.

Ndërkaq, kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, paralajmëron se rritja e tarifave rëndon mbi sektorin hotelier dhe turistik, që ende po përpiqet të rimëkëmbet nga pasojat e pandemisë. Madje, nuk përjashton edhe mundësinë e mbylljes se disa bizneseve./REL

Kievi në të ftohtë ekstrem dhe pa ngrohje, bombardimet ruse shkaktojnë krizë historike energjetike

By: E S
17 January 2026 at 15:28

Termometri në dhomën e Sergejt, në qendër të Kievit, në bregun e djathtë të Dnieprit, shënon 14 gradë me ngrohëset ndezur.

“Ngrohin, por pak. Tubat ishin ngrirë dhe nga centrali vjen uji me temperaturë shumë të ulët”, thotë ai. Bashkëshortja e tij ulur në divan mbante mbi veten xhinse, një pulovër dhe një pallto dimri.

Sulmet ruse ndaj termocentraleve dhe nënstacioneve kanë lënë qytetin me kapacitet shumë të ulët të energjisë. Pavarësisht punimeve të vazhdueshme për rikuperim, Kievit i mungon më shumë se gjysma e energjisë që zakonisht konsumon.

“Sistemi mund të mbulojë vetëm 60% të nevojës aktuale energjetike; dje prodhoi 11 gigavat nga 18 gigavat të nevojshëm”, deklaroi presidenti Zelensky.

“Është hera e parë në histori që pjesa më e madhe e qytetit mbetet pa ngrohje gjatë dimrit të acartë”, shton kryebashkiaku Vitalij Klitschko. Probleme ka pasur edhe te ndriçimi publik, me intensitet të llampave 20% më të ulët.

Shumica e ndërtesave në Kiev, veçanërisht ato të ndërtuara në periudhën sovjetike, janë të lidhura me telerrezistencë qendrore, që furnizon me ujë të ngrohtë nga termocentralet e mëdha TPP5 dhe TPP6.

Me temperaturat nën -20°C, bombardimet e këtyre centraleve bllokuan qarkullimin e avullit, duke çuar deri në shpërthimin e tubave.

“Thirrëm hidraulikët, por ishin të ngarkuar”, tregon Sergej.

Në lagje ka 3 hidraulikë për 100 ndërtesa. Shumë prej tyre janë në front. Një mik i tij, hidraulik, po shkonte te një shtëpi me një të porsalindur, ku dhoma më e ngrohtë ishte me vetëm 10 gradë.

Qeveria ka ngritur 50 kuzhina mobile dhe ka lejuar funksionimin e taksive dhe aplikacioneve si Uber dhe Bolt gjatë gjithë natës për t’u zhvendosur në ambiente të ngrohta.

Presidenti Zelensky ka shpallur gjendjen e emergjencës energjetike, duke theksuar se situata është dramatike.

“Tre ditë ishim pa ujë, shkrijmë borën në ballkon për të pasur ujë”, rrëfen Olga. Me bllokimet elektrike, ashensorët bëhen të rrezikshëm, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe të sëmurët mbeten në apartamentet e tyre në të ftohtë, pa dritë dhe pa ujë.

Lyuba punon në një kopsht ku shpesh mungon energjia elektrike, duke pamundësuar përgatitjen e ushqimit për fëmijë.

Kur kthehet rryma, ndizen të gjithë frigoriferët, bojlerët, ngrohësit dhe larëset e rrobave. Pika e tensionit djeg siguresat, dhe nuk ka personel për t’i zëvendësuar.

Situata është e ngjashme edhe në Odessa, ku sulmet ruse po krijojnë emergjenca serioze.

Parashikimet e motit flasin për akoma më shumë probleme me motin, ndërsa Zelensky paralajmëron se Rusia po përgatit një tjetër valë sulmesh. Negociatat diplomatike të ditëve në vijim kërkojnë kujdes: Moska shpesh shoqëron çdo marrëveshje me sulme, edhe pse shpesh nënshkruan akorde të përkohshme.

Sot në Miami, ekipi diplomatik ukrainas, Umerov, Budanov dhe kreu i partisë kryesore Arakamia do të takohen me përfaqësuesit e Trump. Marrëveshja për garancitë e sigurisë mund të jetë pranë.

“Për ne është e përfunduar, nëse ka miratimin amerikan mund të nënshkruhet gjatë forumit në Davos”, thotë Zelensky. Por Trump thotë se ai nuk do të nënshkruajë.

Zelensky përgjigjet:

Thjesht nuk jemi në të njëjtën linjë për disa çështje. Është e kuptueshme, unë mbroj interesat e shtetit tonë, por ultimatumet nuk janë të dobishme./ La Repubblica

I ngriti pritë dhe e qëlloi me çifte, 44-vjeçari shqiptar vret burrin e të dashurës së tij në Greqi

By: E S
17 January 2026 at 15:19

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi. Mësohet se një 44-vjeçar me shtetësi shqiptare ka ekzekutuar me çifte një 51-vjeçar, babai i një fëmije të mitur në fshatin Spathohori të Agrinjo.

Viktima ishte kryeplak i fshatit, por burime policore i thanë Top Channel se krimi ka prapaskenë erotike dhe nuk ka lidhje me detyrën e viktimës. Dyshohet se autori kishte lidhje intime me gruan e viktimës, dhe ky ishte shkaku i konfliktit.

Burimet sqaruan se autori i kishte ngritur pritë viktimës dhe sapo ky u afrua me automjetin e tij, e qëlloi me çifte të cilën e kishte me leje duke e lënë të vdekur më vend.

Automjeti i viktimës u rrëzua në një greminë ku edhe u gjet prej banorëve të zonës. Pak orë mbas krimit, autori i telefonoi rajonit të policisë duke pranuar autorësinë.

Ai u tha agjentëve se dëshironte të dorëzohej pasi ishte i penduar për krimin. Në cilësinë e provës materiale u gjet edhe arma e krimit.

Pas takimit me kryebashkiakët, Rama inspekton punimet në shëtitoren “Taulantia” dhe godinën e parkimit të ri publik

By: E S
17 January 2026 at 15:12

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Durrës një takim me kryetarët e bashkive të vendit, ku u diskutuan sfidat kryesore me të cilat do të përballen bashkitë gjatë vitit, përgatitjet për sezonin turistik dhe nevoja për një betejë të përbashkët politike e shoqërore kundër mbetjeve plastike.

Krahas takimit, kreu i qeverisë pati dhe inspektime në disa projekte që po kryhen në qytetin bregdetar.

Fillimisht, Rama inspektoi punimet në kantierin e shëtitores “Taulantia” në Durrës me kryebashkiaken Emiriana Sako.

Projekti është programuar nga Bashkia e Durrësit dhe financuar nga Fondi Shqiptar të Zhvillimit, mbi projekt-idenë e propozuar nga studioja prestigjioze ndërkombëtare Bofill Taller de Arquitectura.

Rama u shpreh se ky investim do të krijojë një bulevard të ri dhe shumë cilësor, teksa shtoi se paralelisht duhet punuar dhe në kanalet ku pati mbetje plastike gjatë reshjeve.

“Vijnë shumë prurje të plastikës nga ujërat e fryra dhe ato krijojnë një situatë si ajo atje, që është e pamundur të përballohet nga asnjë lloj kanali. Kështu që duhet bërë paralelisht. Kur e ka afatin për t’u mbyllur, para sezonit? Kryevepër. Kjo deri në maj mbyllet. Kjo është super se krijon një bulevard të ri dhe shumë cilësor”, tha Rama teksa inspektoi punimet.

Më pas, Rama, sërish me Sakon, pa punimet e përfunduara në godinën e parkimit të ri publik pranë Stacionit të Trenit.

Krahas 353 vendeve të parkimi për makinat dhe një stacioni biçikletash, janë krijuar hapësirat edhe për funksione të tjera në shërbim të komunitetit.

“Ka përfunduar puna për projektin e godinës së parkimit të ri publik pranë Stacionit të Trenit, një vepër e bukur publike, që furnizohet me energji diellore e do të funksionojë si një qendër multimodale, ku krahas 353 vendeve të parkimi për makinat dhe një stacioni biçikletash, janë krijuar hapësirat për funksione të tjera në shërbim të komunitetit, si hapësira për studentët apo sipërmarrësit e rinj në fushën e teknologjisë, si edhe aktivitete të tjera social-kulturore”, shkruan Rama.

Protesta e 24 Janarit, Berisha: Nuk marrim pushtet me dhunë, e largojmë Ramën me protesta paqësore

By: Os De
17 January 2026 at 15:00

Kreu i PD, Sali Berisha foli sot për protestën e opozitës në 24 Janar, para Kryeministrisë. Gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha tha se opozita nuk synon të marrë pushtet me dhunë. 

Ai shtoi se beson tek një kryengritje paqësore dhe të qëndrueshme prej të cilës mund të cilës mund të ndryshojë pushtet. 

“Ne besojmë se me një kryengritje paqësore të qëndrueshme, është plotësisht e mundur largimi i tyre nga pushteti. Ndaj dhe duhet të krijojmë një bindje të gjerë, tek qëndrestarët, opozitarët, tek të gjithë ata që duan të shpëtojnë Shqipërinë nga kjo e keqe; se një kryengritje e zgjatur, paqësore është jetike dhe vendimtare për fatin e Shqipërisë, për shpëtimin nga kjo bandë, organizatë kriminale të vendit.
Po bëjmë përgatitjet tona dhe besojmë se shumë shpejtë qytetarët, opozitarët do të jenë të gatshëm për këtë akt, proces, lëvizje.” – u shpreh, mes të tjerash, Berisha. 

“Je më e bukura e fshatit”, reagon motra e 46-vjeçarit të dhunuar pas publikimit të mesazheve: Mjaft me këtë telenovelë, s’kërkojmë hakmarrje por..

By: Os De
17 January 2026 at 14:53

“Mjaft më me këtë telenovelë. Drejtësia duhet të thotë fjalën e saj.”

Ky është apeli i bërë publik nga Xhuli Meçaj, motra e të dhunuarit Altin Meçaj, në një prononcim për mediat. Ajo kërkon që ngjarja të trajtohet me qetësi dhe pa spekulime, duke ia lënë zbardhjen e plotë të së vërtetës organeve të drejtësisë.

Reagimi i saj vjen pas publikimit gjatë ditës së djeshme të disa mesazheve në rrjete sociale, të cilat, sipas familjes Meçaj, janë të manipuluara dhe nuk pasqyrojnë realitetin. Xhuli Meçaj thekson se familja e saj këmbëngul në hetim të plotë dhe transparent të ngjarjes, duke shtuar se askush nuk duhet të paragjykohet përpara vendimit të drejtësisë.

“Ne nuk mbajmë përgjegjësi për disfatat që vajza ka pasur në jetë, por nuk mund të lejojmë që ato të kthehen në trauma për familjen tonë,” është shprehur Meçaj, duke nënvizuar se përhapja e akuzave dhe interpretimeve të pabazuara po rëndon padrejtësisht mbi familjen e saj.

Ajo ka theksuar gjithashtu se familja Meçaj ruan respekt maksimal për familjen Lamaj, pavarësisht situatës së rëndë të krijuar. Sipas saj, dhuna ndaj një të moshuari është e pafalshme dhe e dënueshme moralisht dhe ligjërisht, por familja nuk kërkon hakmarrje dhe as përshkallëzim të konfliktit.

“Ne nuk e dëshirojmë hakmarrjen. Kërkojmë vetëm drejtësi dhe zbardhje të së vërtetës,” ka deklaruar Xhuli Meçaj, duke apeluar për ndalimin e gjuhës së urrejtjes dhe presionit publik mbi palët e përfshira.

Ndërkohë, pritet që institucionet përgjegjëse të vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa familjarët kërkojnë që çështja të mos shndërrohet në një “gjyq publik”, por të trajtohet sipas ligjit.

 

Deformim, paragjykim, propagandë, madje edhe racizëm: Mbi një film për Kosovën të shfaqur në televizionin publik gjerman ARD

17 January 2026 at 14:45

Nga Enver Robelli

Magazina për kritikë të filmit në Gjermani “Kino-Zeit” (“Koha për kinema”) në një kritikë për filmin “Kill Me Today, Tomorrow I’m Sick!” (“Më vrit sot, nesër jam i sëmurë!”) që në hyrje shkruan: “Joachim Schroeder, i njohur për filmat e tij dokumentarë, tenton të realizojë bashkë me Tobias Streck një film artistik mbi Kosovën dhe misionet paqeruajtëse që erdhën në vend pas luftës – a ia dalin mbanë ata?”

E shikova mbrëmë këtë film në mediatekën e televizionit gjerman ARD dhe përgjigjja është: autorët e filmit jo vetëm që nuk ia dalin, por kanë arritur – në vitin 2018! – të prodhojnë një film thellësisht paragjykues e propagandistik, i cili deformon historinë e luftës në Kosovë. Me bollëk përdoren edhe klishetë raciste. Shqiptarët e Kosovës i trajtojnë gratë si shtazët. Edhe më keq: janë myslimanë dhe pothuaj të gjitha gratë e tyre janë të mbuluara. Kryengritësit e dikurshëm, të lavdëruar si çlirimtarë, mbajnë një kasaphanë ku u heqin organet civilëve serbë dhe i çojnë në Budapest për shitje. Kështu pretendon filmi.

Krimet e luftës të kryera me plan nga shteti serb ndaj popullsisë civile shqiptare nuk përmenden fare. Me të drejtë magazina gjermane “Kino-Zeit” shkruan: “Është mëkat, mbi të gjitha, që kësisoj lihet anash rrëfimi fillimisht i rëndësishëm mbi sulmet ndaj pakicave në Kosovën e pasluftës, por edhe mizoritë e mëparshme të luftës dhe politika kolonialiste e Serbisë ndaj banorëve të Kosovës – të cilat në film pothuajse janë injoruar plotësisht.”

Aktorët janë nga hapësira gjermane, serbë apo me origjinë sllave nga ish-Jugosllavia. Filmi është xhiruar në Novi Pazar dhe në Tirolin Jugor. Aktorët nuk dinë shqip. Andaj kur flasin shqip, ata tingëllojnë sikur mbajnë gurë në gojë.

Ngjarja vendoset në Kosovën e vitit 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, kur organizatat ndërkombëtare zbarkojnë në Prishtinë. Në qendër të filmit është Anna Neubert, një punonjëse e OSBE-së, e cila mbërrin me idealizmin e “shpëtimtares perëndimore”, e bindur se urrejtja ndëretnike mund të zhduket shpejt.

Megjithatë, entuziazmi i saj zbehet sapo ballafaqohet me realitetin në terren. Ajo vëren se misioni nuk po funksionon sipas planeve: dhuna ndaj civilëve serbë vazhdon, ndërsa OSBE-ja duket e painteresuar për të hetuar këto raste apo për të mbajtur përgjegjës figurat e fuqishme lokale (si personazhi Rhaci, i cili i ngjan Hashim Thaçit; rolin e tij e luan aktori serb Boris Millivojeviq). Anna fillon të dyshojë thellësisht te misioni dhe te njerëzit që e rrethojnë, të cilët rezultojnë të jenë të korruptueshëm dhe larg idealeve që proklamojnë. Ata ose përfundojnë te ndonjë prostitutë, ose kalojnë kohën duke treguar barcoleta seksiste.

Gjermania Anna Neubert i ndihmon shoferit të saj Plaka (Carlo Ljubek, aktor gjerman me prindër kroatë) të hap një radio multietnike, gazetarët e së cilës i sulmon me armë një bashkëpunëtor i afërt i “komandant Rhacit”. Kur nuk vret, bashkëpunëtori bën seks në tualetin e një bari në Prishtinë me një ndërkombëtar të OSBE-së, të cilin pastaj e vret me gjakftohtësi – po në tualet.

Në këtë film aludohet se shqiptarët i kanë inskenuar viktimat e luftës dhe bartin fajin për shkatërrimin e Jugosllavisë. Një fotografi e Josip Broz Titos bartet nga skena në skenë si dëshmi e rrejshme e parajsës jugosllave.

Po e citoj në fund sërish magazinën gjermane “Kino-Zeit”, e cila kritikën e përmbyll me këtë konstatim të drejtë: “Kill me today, Tomorrow I’m sick! përfaqëson mjerisht pikërisht atë sjellje hegjemoniste të Perëndimit ndaj Ballkanit, të cilën përpiqet gjoja ta kritikojë. Kështu, për shembull, personazhet gjermanë shfaqen me emër dhe mbiemër – ndërsa kjo gjë u mohohet natyrshëm figurave serbe dhe shqiptare, sikur të mos ishte asgjë e veçantë. Kjo vërehet njëlloj te produksioni, te politika e imazhit dhe te shakatë e personazhet shpesh të cekët, të cilët shërbejnë më shumë si shembuj për etni apo fe të tëra, sesa si personazhe të vërteta filmi, veprimet e të cilëve motivohen nga karakteri i tyre”.

Filmi ka qëndruar me ditë të tëra në mediatekën e ARD-së. Mbrëmë ka përfunduar afati i shfaqjes online. Ky film që pretendon të jetë artistik, duket si zgjatim i filmit gjoja dokumentar të ARD-së nga viti 2001 “Filloi me një rrenë” (“Es begann mit einer Lüge”), në të cilin deformohej historia e luftës së Kosovës dhe politikanët gjermanë akuzoheshin si gënjeshtarë që mashtruan opinionin për të siguruar përkrahjen e parlamentit për sulmet e NATO-s kundër Serbisë. Nuk është befasi që Sllobodan Millosheviqi me kënaqësi e citoi këtë dokumentar në procesin gjyqësor kundër tij në Hagë.

U la nga shoku në mjetin e rënë në përrua dhe dyshohet se e mori rrjedha e ujit/ Polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet për 30 vjeçarin

By: Os De
17 January 2026 at 14:39

Polumbarët e RENEA-s dhe shërbimet e Policisë vijojnë kërkimet në lumin e Matit, për gjetjen e 30-vjeçarit, Jurgen Karaj.

Prej datës 10 janar 2026, polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet për gjetjen e 30 vjeçarit, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit të fshatit Dars, duke e çuar më pas në lumin Mat.

Ai ndodhej në automjet si pasagjer me shoferin 24-vjeçar, Andi Losha, kur mjeti kumbi kontrollin dhe ra në përrua. Losha arriti që të dalë nga makina dhe të mbijetojë, ndërsa 30-vjeçari dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit.

Në operacionin e kërkimit janë të angazhuar polumbarët e RENEA-s, Forca Kombëtare e Sigurisë, Forca e Posaçme “Shqiponja”, e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe forca vullnetare e familjarë, të cilët vijojnë krehjen e shtratit të lumit nga të dyja anët.

Deri në këto momente, nuk është bërë e mundur gjetja e 30-vjeçarit.

“Anëtarësimi në BE, disa nga sfidat janë komplekse”/ Samiti i Diasporës, Rama-kryebashkiakëve: Jepni kontributin tuaj..

By: Os De
17 January 2026 at 14:08

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që kryebashkiakët të japin kontributin e tyre për Samitin e Diasporës, që do të organizohet në pranverë. 

Në takimin në Golem, Rama tha se bashkitë duhet t’i mbajnë të integruar dhe informuar komunitetet që jetojnë jashtë vendit. 

“Do flasim pastaj edhe për një kompoment të rëndësishëm në këtë proces, diaspora. Diaspora, jo vetëm si potencial për investime, por si pjesë e pandashme e popullit, të komuniteteve tona. Do jetë shumë e rëndësishme të kemi angazhimin tuaj, qoftë për organizimin e samitit të diasporës në pranverë, ku do jetë shumë i vyer çdo rekomandim nga ana juaj, për njerëzit që ju mendonin se duhet të jenë të ftuar në këtë samit, por edhe mënyrat sesi do ta qasim dhe do ta mbajmë komunitetin e çdo bashkie jashtë vendit, pjesë gjithmonë e më të integruar të jetës së përditshme të komunitetit dhe pjesë të informuar për zhvillimet në komunitetit përkatës.“, theksoi Rama. 

Anëtarësimi në BE, Rama: Disa nga sfidat janë komplekse dhe të rënda! Bashkitë të krijojnë grupe pune të përbashkëta me qeverinë 

Kryeministri Edi Rama thotë se anëtarësimi i vendit në BE, kalon nëpër disa sfida komplekse dhe të rënda.  

Rama, në takimin me kryebashkiakët në Golem deklaroi se BE ka një mekanizëm që u mundëson vendeve anëtare, periudha tranzitore, për t’iu nënshtruar të njëjtave rregulla.  

Sipas kreut të qeverisë, vendi ka probleme të theksuara me mjedisin dhe sigurinë ushqimore dhe shtoi se bashkitë duhet të krijojnë sistem dhe grup pune të përbashkët me qeverinë. 

“Angazhimi që nevojitet lidhur me negociatat e anëtarësimit dhe me Shqipërinë, anëtare të BE. Atë që kemi diskutuar në mbledhjen maratonë të qeverisë në fundt të vitit, edhe dje në mbledhjen e grupit parlamentar, dua ta prek këtu edhe me ju. Kam shqetësimin që jo të gjithë në nivelin udhëheqës, e kanë idenë e qartë se çfarë sfidash presin vendin, qyetarët dhe sipërmarrjet në këtë vend me hyrjen e vendit në BE. Disa nga sfidat janë jashtëzakonisht komplekse dhe të rënda, BE ka një mekanizëm që u mundëson vendeve anëtare, periudha tranzitore, për t’iu nënshtruar të njëjtave rregulla. Sfida më e rëndë që janë përballur edhe vendet e tjera para nesh, Kroacia ka marrë 10 vjet periudhë tranzitore, nuk ka pasur kaq probleme si ne me mjedisin. Nëse gjithçka do shkojë sipas planit të dakordësuar me komisionin, do duhen edhe dy vite për të bërë ratifikimin, në 2030 Shqipëria do ulet në tryezën e BE, do ketë edhe 10 vjet për mjedisin. Pra, 15 vjet nga sot. Duken shumë, por janë pak vite. Ne duam një fazë 5 vjeçare tranzitore për sigurinë ushqimore. Gjatë faze tranzitore do jesh në gjendje të mos eksportosh, por je i lejuar të konsumosh vetë. Pastaj, mbas fazës tranzitore, të mos jesh në gjendje të konsumosh vetë, nga ato që prodhon këtu dhe nuk janë të një standardi me BE. Do t’i nënshtrohesh atij tregu. Ne duhet të jetë të vetëdijshëm sot për këtë, që fermerët, sipërmarrjet tona në fshat të jenë të qartë, nëse nuk janë gati duhet të mbyllin qepenin. Kaq e thellë është nevoja për transformim dhe kaq e thellë duhet të jetë nevoja për informim. Nuk është nevoja të shkojmë në Spanjë, ja në Greqi. Çdo bashki ka ortakëri me privatët, në strukturat e agroturizmit, agropërpunimit. Është ortak bashkia dhe merr të ardhura. Do duhet të krijojmë sistem pune. Duhet grup pune i përbashkët për të trajtuar këto probleme. Në këtë grup të ishte ministri i Pushtetit Vendor, i Ekonomisë, i Turizmit, nga ana juaj të ishte kryetari i Bashkisë Lezhë, Maliq, Shkodër, Himarë, Durrës, Roskovec”, theksoi ai. 

 

Horoskopi ditor për nesër, e Dielë 18 janar 2026

By: Os De
17 January 2026 at 13:59

Dashi

Shqisa e gjashte do te jete ajo qe do t’iu udhëheqë sot. Sot është momenti qe mund t’i besoni verbërisht zërit te brendshëm, qe sot do te përfaqësohet nga Hëna, e cila sot është prezent ne aspektin harmonik me shenjen e Ujorit, dhe din saktësisht se ku t’iu çojë

Demi

Hyrja e Venusit ne shenjen e Virgjëreshës do t’iu beje qe te vlerësoni edhe me shume cilësitë e njeriut me te dashur. Ka ende disa elemente qe do te shihni ne te dhe qe do t’iu mbushin zemrën me kënaqësi duke ju dhënë njëkohësisht mundësinë te kuptoni qe edhe gjerat e vogla janë ne gjendje te bëjnë diferencën

Binjaket

Suksesi sot do te jete veçse një hap larg jush dhe nuk do te jete e nevojshme te bëni as edhe një gjë tjetër për tu ndiere plotësisht te qete dhe te realizuar. Prezenca e Hënës ne shenjen e Ujorit do t’iu inkurajoje qe te kaloni një dite ku buzëqeshja do te jete e pranishme ne fytyrën tuaj

Gaforrja

Venusi qe sot është prezent ne shenjen tuaj mike te Virgjëreshës, sot do te dëshironte qe tu shihte te relaksuar dhe te qete. Përkushtojani këtë dite aktiviteteve qe i bëjnë mire shpirtit dhe trupit, dhe qe do t’iu ndihmojnë te tregoni te gjitha aftësitë tuaja krijuese, qe zakonisht i mbani te ndrydhura

Luani

Emocionet do t’iu bëjnë qe gjate ditës se sotme te ndjeheni pak te turbullt. Sot do te ndjeheni sikur e keni humbur kontrollin e situatës, kjo për shkak te kundërshtimit te Hënës ne shenjen e Ujorit. Kjo me se shumti do te jete e lidhur me anën tuaj emocionale dhe qe është e shkaktuar nga forca ne dukje misterioze

Virgjeresha

Sot është dita kur nuk do te dëshironit te kënaqnit personat qe duan t’iu imponojnë këndvështrimin e tyre për gjera te ndryshme. Me Marsin dhe Saturnin ne harmoni me shenjen e Akrepit, do te dini te shprehni mendimet tuaja ne një mënyrë te vendosur dhe pa lëkundur, duke qene njëkohësisht shume te sigurt ne ato qe thoni

Peshorja

Merkuri qe gjendjet ne shenjen tuaj ju fton qe te gjeni kohen për tu kënaqur sa me shume sot. Sot do te njihni shume persona interesante qe do te ndihmojnë me pikëpamjet e tyre, ndonëse te ndryshme nga tuajat, te zgjeroni horizontin tuaj kulturor.

Akrepi

Sot do te jeni te tërhequr nga situata te vështira, dhe kjo fale ndikimit jo harmonik te Hënës ne shenjen e Ujorit. Nuk do te jeni ne gjendje te përmbaheni dhe do te përfundoni ne situata te komplikuara sikur te ishit kamikaz te vërtetë. Sot nuk do te keni dëshirën qe te dëgjoni asnjeri, as një këshillë

Shigjetari

Sot ndikimi pozitiv i Hënës ne shenjen e Ujorit do te beje te mundur te çojë qe ta kaloni sot ditën me kënaqësi te cilën nuk e keni përjetuar prej kohesh. Sot do te lëvizni me shume gjallëri dhe do te jeni te shpenguar ne marrëdhëniet me te tjerët, madje duke marre edhe rolin e ndërmjetësit ndërmjet miqve tuaj

Bricjapi

Sot do te ndjeheni pa busull, te çorientuar, por nuk është vendi për tu shqetësuar. Prania e Merkurit ne shenjen e Peshores do te mund te sjelle diskutime, por qe me kalimin e kohës do te gjeni mirëkuptimin dhe sqarimin e disa heshtjeve te mbetura pezull prej kohesh

Ujori

A jeni sot gati te provoni disa emocione? Sot zemra do t’iu rrahe fort, fale kjo edhe ndikimit pozitiv te Hënës ne shenjen tuaj. Ndaj përqendrojuni ne dashurinë tuaj pa menduar për pasojat e mundshme qe mund te krijohen ne te ardhmen. Shijoni te sotmen

Peshqit

Dielli dhe Venusi ne shenjen e Virgjëreshës, nuk janë ne harmoni dhe nuk mund te keni garancinë e një te hëne te qete. Disa plane qe keni bere qe me pare, me shume gjasa do te jeni te detyruar t’i kaloni, por jo për fajin tuaj, por për faj te dikujt tjetër dhe qe do te pasohet me nervozizmi nga ana juaj

Trump përsërit kërcënimin për../ Protesta në Groenlandë dhe Danimarkë

By: Os De
17 January 2026 at 13:57

Qindra demonstrues janë mblidhur para Bashkisë në Kopenhagen, si pjesë e një sërë veprimesh të planifikuara në të gjithë Danimarkën dhe Groenlandën në shenjë proteste kundër Donald Trump dhe planeve të tij për të marrë kontrollin e Groenlandës.

Plani në Kopenhagen është marshimi drejt ambasadës amerikane në kryeqytetin danez. Tubime të tjera janë paralajmëruar në Groenlandë dhe në pjesë të tjera të Danimarkës.

“Po demonstrojmë kundër deklaratave dhe ambicieve amerikane për të aneksuar Groenlandën. Ne kërkojmë respekt për Mbretërinë Daneze dhe për të drejtën e Groenlandës për vetëvendosje. Shpresojmë të tregojmë se ka shumë prej nesh që e mbështesin Groenlandën”, tha në një deklaratë Camilla Siezing, kryetarja e Shoqatës Inuit.

❌
❌