Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 January 2026Java News

Netanyahu pranon ftesën e Trump-it për t’u bashkuar në Bordin e Paqes

By: A R
21 January 2026 at 08:57

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pranuar ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për t’u bashkuar në nismën e quajtur si “Bordi i Paqes”.

Zyra e kryeministrit izraelit njoftoi të mërkurën në rrjetet sociale se Netanyahu do të jetë pjesë e kësaj strukture, pavarësisht se ajo u prezantua si pjesë e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin, e cila synon përfundimin e luftës shkatërruese në Gaza.

Sipas vizionit të Trump, në këtë organizëm janë ftuar shumë liderë botërorë dhe ai pritet të mbikëqyrë “ndërtimin e kapaciteteve qeverisëse, marrëdhëniet rajonale, rindërtimin, tërheqjen e investimeve, financimet në shkallë të gjerë dhe mobilizimin e kapitalit” në Rripin e Gazës.

Megjithatë, pjesëmarrja e Netanyahu-t ka shtuar shqetësimet për paanshmërinë e këtij bordi, i cili do të drejtohet nga vetë Trump dhe ku përbërja e tij do të jetë nën kontrollin e presidentit amerikan.

Tatimet sekuestrojnë kompjuterat e agjencive imobiliare, pas evazionit me çmimet e apartamenteve

By: A R
21 January 2026 at 08:49

Në zbatim të Planit Operacional në sektorin e Ndërtimit, Drejtoria e Hetimit Tatimor, në bashkëpunim me Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren njoftoi se ka ushtruar kontrolle në 9 subjekte, që ushtrojnë aktivitet si agjenci imobiliare.

Kontrollet u fokusuan në verifikimin e deklarimit të pagave reale të punonjësve, regjistrimin e tyre në organin tatimor, realizimin e shitjeve, lëshimin e faturave të fiskalizuara, si dhe kryerjen e verifikimeve të tjera të nevojshme gjatë procesit të kontrollit.

Kontrollet evidentuan shkelje të rënda: Punonjës të padeklaruar, dokumentacion jotatimor, mungesë transparence në çmime dhe mosrespektim të detyrimeve ligjore për faturimin dhe fiskalizimin e shitjeve.

Bazuar në provat e mbledhura, përfshirë intervistat dhe vetëdeklarimet e punonjësve, strukturat e specializuara të Administratës Tatimore sekuestruan edhe njësi kompjuterike, me qëllim vijimin e hetimit të thelluar, dokumentimin e mëtejshëm të shkeljeve tatimore dhe referimin në organet përkatëse të drejtësisë.

Nga informacioni i marrë në njësitë kompjuterike rezulton se ka evazion tatimor në lidhje me çmimet e shitjeve të apartamenteve.

Administrata Tatimore bën me dije se aksioni i sapo nisur nuk është i përkohshëm. Ai do të vijojë me seriozitet dhe vendosmëri ndaj çdo subjekti që nuk reflekton pagat reale në listëpagesat e ardhshme, duke dëmtuar pensionet e punonjësve, konkurrencën e ndershme dhe interesin publik.

Tatimet ftojnë të gjithë tatimpaguesit në fushën e ndërtimit të deklarojnë menjëherë pagat reale, për të shmangur masat administrative dhe penale, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, për veprën e fshehjes së të ardhurave.

Në kuadër të zbatimit të Planit Sektorial për Ndërtimin dhe rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, përmes deklarimit të pagave reale sipas profesioneve në sektorin e ndërtimit, Administrata Tatimore pas rreth 30 ditësh nga publikimi i listës së pagave indikative për këtë sektor, konkretisht duke filluar nga data 15 janar ka nisur kontrollet në terren.

Kontrollet e nisura do të zhvillohen kryesisht në subjektet e vlerësuara me risk për nëndeklarim të pagave, të cilat janë njoftuar më parë nga Administrata Tatimore, por nuk kanë reflektuar ndryshime në listëpagesa, pavarësisht njoftimit elektronik të dërguar në llogaritë e tyre në sistemin tatimor, e-Filing.

Fokus i kontrolleve do të jetë verifikimi i pagave të deklaruara në listëpagesa, duke i krahasuar ato me pagat indikative sipas profesioneve përkatëse, listë e  përcjellë në llogaritë elektronike të tatimpaguesve, si dhe e publikuar në faqen zyrtare të Administratës Tatimore./monitor.al

Milo për “Bordin e Paqes”: Përpjekje e SHBA për të spostuar OKB-në dhe forcuar udhëheqjen e vetme

By: A R
21 January 2026 at 08:41

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, ka bërë një analizë të thelluar të zhvillimeve më të fundit gjeopolitike, duke u fokusuar te projekt-statuti i shumëdiskutuar për “Bordin e Paqes”. I ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, Milo hodhi dritë mbi prapaskenat e kësaj nisme, duke e cilësuar atë si një lëvizje strategjike të Shteteve të Bashkuara për të rikonfirmuar hegjemoninë e tyre në një rend botëror që po ndryshon me shpejtësi.

Mungesa e Gazës dhe “mini-karta” e re

Sipas Milos, i cili konfirmoi se e ka parë projekt-statutin që qarkullon, bie në sy një detaj: mungesa e përmendjes së Gazës, e cila është edhe shkaku kryesor i nismës.

“Sebepi është Gaza. Janë gati 13 nene të projekt-statutit dhe nuk përmendet Gaza me emër, por ka fjalë të përgjithshme,” u shpreh ai.

Diplomati e krahasoi dokumentin me një “mini kartë të OKB-së”, duke theksuar se megjithëse aty shkruhet se nuk do të ketë mbivendosje me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, realiteti tregon të kundërtën.

“Duket se tentohet që të spostohet OKB-ja. Të mos harrojmë se SHBA u largua nga 31 organizata të OKB-së,” shtoi Milo.

Rendi i ri dhe beteja për unipolaritet

Për ish-ministrin, kjo lëvizje duhet lexuar në kontekstin e një përplasjeje të madhe mes fuqive globale. Ai argumenton se Uashingtoni po përpiqet të forcojë unipolaritetin dhe udhëheqjen e vetme, në një kohë kur po konturohet një rend i ri ndërkombëtar me disa pole: SHBA, Rusia, Kina dhe potencialisht Bashkimi Evropian.

“Askush nuk ka për të fituar, sepse askush nuk do të pranojë të fitojë njëra palë në kurriz të tjetrës. Që tani kanë filluar përplasjet për këtë Bord Paqeje,” nënvizoi ai, duke parashikuar një konkurrencë të ashpër platformash dhe konceptesh.

Dobësia e Evropës

Një pjesë e analizës iu kushtua edhe pozicionit të brishtë të Evropës në këtë “shah” gjeopolitik. Duke iu referuar studimeve ndërkombëtare, Milo evidentoi tri mangësi kryesore të kontinentit të vjetër: përçarja e brendshme, mungesa e një lidershipi politik solid dhe një ndarje strategjike në rritje me SHBA-në.

“Evropa nuk është fuqi e madhe ushtarake, por mbetet fuqi e madhe ekonomike,” tha ai.

Bashkëjetesë e detyruar, jo dakordësi

Në mbyllje, Milo vuri në dukje agresivitetin e shtuar të politikës së jashtme amerikane për të ruajtur superioritetin përballë ambicieve globale të Pekinit dhe platformave të Moskës. Sipas tij, bota nuk po shkon drejt një rendi të ri me sens normativ dhe rregulla të pranuara nga të gjithë, por drejt një situate ku fuqitë do të detyrohen të gjejnë forma bashkëjetese mes përplasjeve.

Vangjeli: Pas takimit në Davos, po punohet intensivisht për një vizitë të Ramës në Uashington

By: A R
21 January 2026 at 08:33

Analisti Lorenc Vangjeli ka deklaruar se pas takimit të kryeministrit Edi Rama në Davos, po punohet intensivisht për një vizitë të tij në Uashington, e cila nuk përjashtohet të ndodhë së shpejti.

Në emisionin “Trialog” në RTSH, Vangjeli tha se pritej një zhvillim nga SHBA që në Tiranë do të interpretohej si mbështetje për qeverinë.

Unë kam paralajmëruar që pritet diçka nga SHBA që në Tiranë do të lexohet si mbështetje për qeverinë dhe takimi në Davos nuk e përjashton një vizitë të radhës së Ramës në Uashington, jo domosdoshmërish për të takuar Trump. Ftesa e Shqipërisë në Bordin e Paqes ngjan se është një dhuratë. Kjo duhet parë në dy këndvështrime. Pjesëmarrja e Shqipërisë në një institucion të tillë të krijuar, për shkak të rrethanave konkrete, peshës modeste që ka Shqipëria nuk është më shumë sesa një numër më shumë në rreshtin e shumë vendeve. Nëse në këtë segment kjo nuk ka ndonjë rëndësi të posaçme, në Shqipëri kjo bëhet e tillë për të deklasifikuar narrativën e opozitës që po flet për një dimër në marrëdhëniet e kryeministrit me administratën e Trump”, u shpreh Vangjeli.

Duke iu referuar reagimeve të opozitës, Vangjeli tha se çdo zhvillim ndërkombëtar, sado pozitiv qoftë, në Tiranë shpesh shndërrohet në produkt absurd.

Në Tiranë, në mënyrën më absurde të mundshme ka shpërthyer gara mes opozitës e drejtuar nga dikush që është zyrtarisht non grata nga SHBA dhe shefit të qeverisë të cilit i konsiderohet mëkat që mund të ketë ftohje të marrëdhënieve të tij personale me administratën e Trump. Ka një magji të frikshme, sa herë që ne marrim diçka qoftë dhe të shenjtë këtu brenda, e trazojmë me mjetet dhe mekanizmat tona dhe e shndërrojmë në produkt absurd”, theksoi ai.

Trump ashpërson qëndrimin për Groenlandën para Davosit: Nuk ka më kthim mbrapa

By: A R
21 January 2026 at 08:26

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ashpërsuar retorikën ndaj Groenlandës, vetëm pak ditë para pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke deklaruar në rrjetet sociale se “nuk ka më kthim mbrapa” dhe se “Groenlanda është imperative”.

Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump u pyet se deri ku ishte i gatshëm të shkonte për ta marrë nën kontroll Groenlandën. Përgjigjja e tij ishte e prerë: Do ta merrni vesh.

Ndërkohë, në Davos, presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi për një “zhvendosje drejt një bote pa rregulla”, ndërsa kryeministri kanadez Mark Carney tha se “rendi i vjetër nuk po kthehet më”.

Trump-i kishte planifikuar të mbërrinte në Davos të mërkurën, por një problem i vogël elektrik në avionin Air Force One e detyroi atë të kthehej pas. Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti do të udhëtojë drejt Davosit me një avion tjetër, ndërsa mbetet e paqartë nëse vonesa do të ndikojë në axhendën e tij.

Presidenti amerikan tha se ka “shumë takime të planifikuara për Groenlandën” dhe shtoi se “gjërat do të shkojnë mjaft mirë” për këtë territor.

I pyetur nga BBC nëse një përçarje e mundshme e NATO-s do të ishte një çmim që ai do ta pranonte për Groenlandën, Trump u shpreh se “askush nuk ka bërë më shumë për NATO-n se unë” dhe se “NATO do të jetë e lumtur dhe ne do të jemi të lumtur”, duke theksuar se aleanca është e nevojshme për sigurinë globale. Megjithatë, ai vuri në dyshim nëse NATO do t’i vinte në ndihmë SHBA-ve në rast nevoje.

NATO ka aktualisht 32 vende anëtare dhe bazohet në parimin e mbrojtjes kolektive të përcaktuar në Nenin 5, sipas të cilit një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.

Trump nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake për të marrë Groenlandën. I pyetur nga NBC News nëse do ta përdorte forcën, ai u përgjigj shkurt: Pa koment.

Ministrja e Industrisë dhe Burimeve Natyrore e Groenlandës, Naaja Nathanielsen, tha për BBC Newsnight se groenlandezët janë “të hutuar” nga kërkesat e presidentit amerikan.

“Ne nuk duam të jemi amerikanë dhe këtë e kemi bërë shumë të qartë”, u shpreh ajo, duke shtuar: “Çfarë vlere i jepni kulturës sonë dhe të drejtës sonë për të vendosur për të ardhmen”?

Para Davosit, Trump publikoi pamje ekrani që, sipas tij, tregonin mesazhe nga Macron dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Në to, Rutte shprehej i gatshëm të gjente një zgjidhje për Groenlandën, ndërsa Macron thoshte se “nuk e kupton se çfarë po bën”, por ofronte organizimin e një takimi me liderë të tjerë në Paris.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha në fjalimin e saj në Davos se Europa është “plotësisht e përkushtuar” ndaj sigurisë së Arktikut, por theksoi se kjo mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit. Ajo i quajti gjithashtu “gabim” tarifat shtesë të propozuara nga Trump.

Presidenti amerikan ka paralajmëruar vendosjen e një tarife 10% për të gjitha mallrat e importuara nga tetë vende europiane, duke nisur nga 1 shkurti, nëse ato kundërshtojnë marrjen e Groenlandës. Von der Leyen theksoi se BE-ja qëndron në “solidaritet të plotë” me Groenlandën dhe Mbretërinë e Danimarkës, duke shtuar se sovraniteti i tyre është “i panegociueshëm”.

Qëndrimi u mbështet edhe nga kryeministri kanadez Mark Carney, i cili tha se angazhimi i Kanadasë ndaj Nenit 5 të NATO-s është “i palëkundur” dhe se vendi i tij mbështet plotësisht të drejtën e Groenlandës për të vendosur vetë për të ardhmen e saj.

Në deklaratat e tij, Macron tha se preferon “respektin ndaj bullizmit” dhe “shtetin e së drejtës ndaj brutalitetit”.

Më herët, Trump-i kërcënoi me një tarifë 200% ndaj verës dhe shampanjës franceze, pasi Macron-i thuhet se refuzoi një ftesë për t’iu bashkuar një iniciative të quajtur “Bordi i Paqes” për Gazën. Presidenti francez e dënoi “grumbullimin e pafund të tarifave të reja”, duke e quajtur të papranueshme përdorimin e tyre si mjet presioni mbi sovranitetin territorial.

Macron-i është ndër zërat që kërkon nga BE-ja të shqyrtojë masa hakmarrëse ndaj tarifave amerikane, përfshirë instrumentin kundër shtrëngimit ekonomik, të njohur si “bazuka tregtare”.

Burime pranë komisionit të tregtisë ndërkombëtare kanë bërë të ditur se Parlamenti Europian po planifikon të pezullojë miratimin e marrëveshjes tregtare SHBA-BE të arritur në korrik, një hap që do të shënonte një tjetër përshkallëzim të tensioneve mes Uashingtonit dhe Europës.

Dita e sotme me shi dhe shtrëngata, temperaturat nuk ndryshojnë

By: A R
21 January 2026 at 08:18

Për ditën e sotme (21 janar) vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura.

Sipas SHMU-së, do të ketë reshje shiu të herëpashershme me intensitet kryesisht të ulët që në orët e para të 24-orëshit. Lokalisht në jug të vendit në intervale të shkurtra kohore reshjet e shiut do të jenë në formën e shtrëngatave.

Gjatë ditës reshjet e shiut do të mbeten prezente të herpasherëshme me intensitet kryesisht të ulët, lokalisht në qendër dhe jug të vendit hera-herës reshje shiu me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave. Në zonën e Alpeve, në verilindje-lindje në lartësitë mbi 300-400 metër si dhe në juglindje-jug në lartësitë mbi 600-700 metër reshje dëbore me intensitet të ulët.

Era do të fryjë me drejtim verilindje– lindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 18 m/s.  Deti do të jetë me valëzim të forcës 3-4 ballë.

21 Janari, Rama: Drejtësia i ngjan një breshke, por sado të vonojë nuk do të harrojë

By: A R
21 January 2026 at 08:11

Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar 21 janarin përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai shprehet se 15 vite më parë ndodhi një krim shtetëror i pashembullt dhe “katër të vrarë ende nuk prehen në paqe”.

Ai thekson se “drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë”, por shpreh bindjen se drejtësia nuk do të harrojë.

“Mirëmëngjes dhe sot, në 15-vjetorin e një krimi shtetëror të pashembullt në historinë e demokracisë së re shqiptare, kur katër të vrarë ende nuk prehen dot në paqe dhe drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë, me bindjen që sado të vonojë drejtësia për 21 janarin nuk do të harrojë, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Më 21 Janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua nga opozita e asaj kohe përpara Kryeministrisë humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”.

Kujtojmë se Gjykata e Lartë ka vendosur më 12 mars 2024që dosja e 21 janarit të hetohet nga SPAK duke pranuar kërkesën e familjarëve të viktimave. Për këtë arsye, SPAK ka marrë në pyetje familjarë të viktimave, drejtues të gardës si dhe organizatorë të protestës.

“21 Janari”/ Sot 15 vite nga vrasja e 4 protestuesve në bulevard, krimi shtetëror që ende kërkon drejtësi

By: A R
21 January 2026 at 08:03

Sot shënohen 15 vite nga tragjedia e 21 Janarit, ku katër protestues, konkretisht Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj u qëlluan për vdekje. Ngjarja ndodhi më 21 janar të 2011-ës,  ku qindra qytetarë ishin ngritur në protestën e socialistëve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me thirrje kundër Kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha. Tensionet mes protestuesve dhe gardistëve u agravuan deri në tentativat e qytetarëve për t’u futur në oborrin e kryeministrisë, çka pasoi të shtënat brenda territorit të kryeministrisë, që lanë të vdekur katër protestuesit e sipërpërmendur.

Në vitin 2021, 10 vite pas ngjarjes së rëndë, kryeministri Edi Rama i shpalli “Dëshmorë të Atdheut” katër protestuesit e vrarë.

Në vitin 2023, ish-kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Tiranës që dosja e vrasjes së Aleks Nikës t’i kalojë SPAK-ut.

Vendimi i Strasburgut dhe nisja e hetimeve nga SPAK

Ishte vendimi i Gjykatës së Strasburgut në mars të 2024-ës që e cilësoi 21 Janarin si krim shtetëror dhe që të hetohej si e tillë nga drejtësia shqiptare, duke i hapur kështu rrugë hetimeve nga ana e SPAK e cila ngriti 3 vepra penale: “shpërdorim i detyrës”, “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, që prej më shumë se një dekadë kërkojnë drejtësi për vrasjen e djalit të tyre.

Një sërë zyrtarësh e ish-zyrtarësh janë marrë në pyetje nga SPAK për të zbardhur rolin e tyre gjatë protestës së 21 Janarit të 2011-ës, sikurse ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, zëvendësi i tij Agron Kuliçaj, deputeti i PS, Xhemal Qefalia, ish-ministri Saimir Tahiri, ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi, ish-deputeti socialist Arben Çuko, ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Bamir Topi, presidentin e Partisë së Lirisë Ilir Meta, etj,.

Nisja e hetimeve paraprake

Kujtojmë se fillimisht drejtësia shqiptare vendosi 4 vite burg për katër jetët e ndërprera në mes në demonstratën e 21 janarit. Hetimi i ngjarjes çoi si të pandehur dy gardistë për vrasjen e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt, por la pa autor vrasjen e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës. Gjykimi i dy ish-gardistëve, Agim Llupo dhe Ndrea Prendi nisi në maj 2012.

Në prag të mbylljes së gjyqit prokurorët kërkuan 23 vjet burg për Prendin dhe 25 vite për Llupon. Argumentet e prokurorisë nuk bindën gjykatën. Në shkurt 2013 tre gjyqtarë të kryeqytetit zhveshën të pandehurit Ndreu e Llupo nga akuza e “vrasjes” dhe i shpallën të pafajshëm.

Verdikti i pafajësisë nxori nga qelia Llupon, i cili u gjykua në masën “arrest në burg”.

Për vrasjen e Aleks Nikës, hetimi nuk zbuloi asnjë autor të dyshuar. Predha që i mori jetën ishte dëmtuar aq shumë, sa arma e krimit s’mund të identifikohej.

Pas shtatë muajsh, tre gjyqtarët e Apelit prishën vendimin e Shkallës së Parë, duke ndryshuar kualifikimin e veprës penale që u rëndonte të akuzuarve.

Nga akuza për “vrasje me dashje”, Ndrea Prendi u fajësua për “vrasje nga pakujdesia” të Faik Myrtajt dhe u dënua me 1 vit burg.

Për Agim Llupon Apeli dha 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia” të Ziver Veizit. Pas mbetjes pa autor të vrasjes së Aleks Nikës, Apeli i Tiranës la pa autor edhe vrasjen e Hekuran Dedës.

Procesit gjyqësor ndaj të akuzuarve për vrasjet e 21 janarit i vuri kapak Gjykata e Lartë në prill 2016. Pas 4 vitesh “pezull”, Kolegji Penal vendosi të mos pranojë rekursin e bërë nga prokuroria kundër vendimit të Apelit.

Familjarët e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës iu drejtuan gjykatës me padi civile për dëmshpërblim financiar nga Garda dhe Ministria e Brendshme. Çështja u dërgua edhe në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Çështja u zgjidh me pajtim mes paditësve dhe qeverisë shqiptare në prill të vitit 2017.

Qeveria i akordoi një fond 160 milionë lekë shtesë Ministrisë së Brendshme, për të dëmshpërblyer familjarët e viktimave.

Nga ana tjetër, familja Nika kishin vijuar procesin ligjorë duke kërkuar hetim të veçuar për vrasjen e Aleks Nikës.

Në vitin 2020, Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet edhe vrasjen e Aleks Nikës që kishte mbetur pa autorë për t’i rihapur sërish në 2021. Familja e Aleks Nikës ka kërkuar vazhdimisht që kjo çështje ti kalonte për hetim SPAK por ky i fundit nuk pranonte të hetonte një çështje e cila po hetohej njëkohësisht edhe nga Prokuroria e Tiranës.

Në 14 nëntorit 2023, Gjykata e Strasburgut doli në përfundimin se 21 janari ishte krim shtetëror dhe duhet të hetohet si i tillë nga drejtësia shqiptare. Strasburgu vendosi që për çështjen e Aleks Nikës t’i hapej rrugë hetimit të munguar. Me anë të këtij vendim familja Nika ju drejtua Gjykatës së Lartë.

Pas një viti, Gjykata e lartë doli më një vendim ku urdhëroi SPAK të regjistronte kallëzimin e familjes Nika dhe të niste hetimet për 21 Janarin.

600,000 banorë janë larguar nga Kievi që nga 9 janari, shkak sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike

By: E S
20 January 2026 at 23:03

Kryebashkiaku i Kievit i tha sot AFP-së se 600,000 njerëz janë larguar nga kryeqyteti ukrainas që kur ai bëri thirrje më 9 janar që Kievi të evakuohet përkohësisht, pasi gjysma e ndërtesave nuk kanë ngrohje pas sulmeve masive ruse.

Të hënën në mbrëmje, një sulm rus ndaj infrastrukturës energjetike la përsëri pothuajse gjysmën e pallateve të apartamenteve të Kievit pa ngrohje, ku temperaturat janë shumë të ulëta.

“Jo të gjithë kanë mundësinë të largohen nga qyteti, por për momentin popullsia është zvogëluar”, tha Vitali Klitschko për AFP në një intervistë, duke shtuar se 600,000 njerëz ishin larguar nga kryeqyteti, i cili ka një popullsi prej rreth 3.6 milionë banorësh.” Temperatura po arrin -20°C dhe Putini po e përdor atë për të thyer rezistencën, për të zhytur të gjithë botën në depresion, për të krijuar tension në shoqëri”, u ankua ai.

Gjatë intervistës, u dha një alarm, duke paralajmëruar për rrezikun e sulmeve ajrore. Kryebashkiaku u bëri thirrje përsëri qytetarëve që kanë një vendbanim tjetër të zhvendosen atje për të lehtësuar presionin në rrjetin energjetik të qytetit.

Më 9 janar, gjysma e pallateve të apartamenteve, rreth 6,000 ndërtesa, ishin pa ngrohje, ujë dhe energji elektrike , duke e shtyrë kryebashkiakun t’u bënte thirrje banorëve, atyre që mundeshin, të largoheshin përkohësisht nga shtëpitë e tyre.

Në një deklaratë të ashpër që me sa duket kishte për qëllim Klitschkon, Zelensky u kishte bërë thirrje autoriteteve komunale në atë kohë “të mos shmangnin problemet, por t’i zgjidhnin ato, veçanërisht aty ku ka burime për ta bërë këtë, si në Kiev”.

Parlamenti ukrainas ka mbetur gjithashtu pa ngrohje, ujë dhe energji elektrike, tha sot kryetari i tij Ruslan Stefanchuk. “Pas një sulmi të ri natën me raketa dhe dronë rusë, qytetet ukrainase janë pa energji elektrike, ujë dhe ngrohje. Rada (parlamenti ukrainas) është i privuar edhe nga këto shërbime themelore”, shkroi ai në mediat sociale.

Ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike janë bërë normë që kur forcat ruse filluan të godisnin sistematikisht infrastrukturën energjetike të Ukrainës në vitin 2022. Disa banorë të kryeqytetit tani thonë se kanë një ose dy orë energji elektrike në ditë, nëse kanë fare.

Gazetarët e AFP në Kiev panë dyqane dhe restorante të mbyllura për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike, dritat e rrugëve të fikura dhe nuk kishte ndriçim publik natën në disa lagje.

“Imagjinoni sikur të mos ketë energji elektrike ose ujë në shtëpinë tuaj. Nuk mund të lani, radiatorët tuaj janë të ngrirë, situata është shumë kritike”, theksoi Klitschko. “Ne po luftojmë për të mbijetuar dhe për t’u ofruar shërbime banorëve, ngrohje, ujë, energji elektrike”.

Më shumë se një milion familje në Kiev mbeten pa energji elektrike për shkak të sulmeve të fundit ruse në kryeqytetin ukrainas, tha sot Presidenti Volodymyr Zelensky. “Vetëm në Kiev, sonte mbi një milion familje mbeten pa energji elektrike. Një numër i konsiderueshëm ndërtesash nuk kanë ngrohje, më shumë se 4,000 pallate apartamentesh”, tha presidenti ukrainas në një fjalim të filmuar, i cili u publikua sonte.

Yesterday — 20 January 2026Java News

“Bordi i Paqes”, Preç Zogaj: Ftesa për Shqipërinë ishte e natyrshme, SHBA kanë një afinitet të veçantë historik

By: E S
20 January 2026 at 22:52

I ftuar në studion e emisionit “Trialog” në RTSH1, moderuar nga Alba Alishani, analisti Preç Zogaj komentoi përfshirjen e Shqipërisë në listën e vendeve të ftuara për Bordin e Paqes, duke e cilësuar atë si një zhvillim tërësisht normal dhe të pritshëm.

“Shqipëria është pjesë e një liste për këtë rast. Është një listë që nuk mund të lihej jashtë. Po të lihej jashtë është e pa imagjinueshme. Shqipëria është një vend pro amerikan dhe i afishuar botërisht. Nga ana tjetër edhe SHBA në shumë raste përgjatë historisë kanë dëshmuar se kanë një afinitet të veçantë me Shqipërinë dhe e kanë dëshmuar me akte”, u shpreh Zogaj.

“”

Analisti theksoi se shërbimet që Shtetet e Bashkuara i kanë bërë Shqipërisë janë të pakrahasueshme me ato të çdo vendi tjetër.

Në këtë kontekst, ai vlerësoi se përgjigjja pozitive e Shqipërisë ndaj ftesës ishte e duhura dhe se nuk ekziston asnjë arsye për kritika.

“Shërbimet që SHBA i kanë bërë Shqipërisë nuk ja ka bërë asnjë vend tjetër i botës. Ftesa është gjëja më normale dhe gjëja më anormale do të ishte që Shqipëria të lihej jashtë listët dhe do të lexohej si një qëndrim. Shqipëria i ka prirë përgjigjes pozitive dhe mirë ka bërë dhe nuk ka shkak për ndonjë kritik”, tha ai.

“Jemi 1 nga 60 vendet e ftuara në Bordin e Paqes”, ish-ministri i Jashtëm Milo: Kujdes me detyrimet ndaj BE-së

By: E S
20 January 2026 at 22:45

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, ka bërë thirrje për modesti dhe kujdes diplomatik lidhur me ftesën e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e iniciativës ndërkombëtare “Bordi i Paqes”. I ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, nën moderimin e Alba Alishanit, Milo analizoi pozicionin e Shqipërisë në këtë tryezë të re gjeopolitike, mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

Në panelin ku ishin të pranishëm edhe analistët Preç Zogaj, Lorenc Vangjeli dhe Arion Sulo, Milo theksoi se politika e jashtme kërkon seriozitet.

“”

Milo u shpreh skeptik ndaj idesë se kjo ftesë përbën ndonjë status special për Tiranën zyrtare.

“Është shumë mirë që Shqipëria është në këtë organizim ndërkombëtar. Por Shqipëria është një nga 60 vendet që janë ftuar. Nuk kemi të bëjmë me raporte privilegji. Duhet të jemi më modestë në trajtimin e ftesës që na është bërë,” theksoi ish-shefi i diplomacisë shqiptare.

Sipas tij, është ende herët për të llogaritur përfitimet konkrete, ndërkohë që reagimet ndërkombëtare rreth kësaj nisme kanë qenë të përziera.

Pika më delikate e diskutimit ishte balanca e Shqipërisë mes aleatit strategjik SHBA dhe aspiratës për në BE. Milo solli në vëmendje deklaratën e Von der Leyen, duke nënvizuar se Evropa ndodhet në një pozitë të vështirë dhe po kërkon pavarësinë e saj strategjike.

Për Milon, Shqipëria duhet të jetë e kujdesshme për angazhimet e saj kontraktuale me Brukselin.

“Ne si Shqipëri duhet të jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm, sepse kemi detyrime edhe ndaj BE-së, që të shfaqim të njëjtin qëndrim në politikën ndërkombëtare për t’iu atashuar vendimeve të BE-së”, paralajmëroi ai.

Trump: Do ta zbuloni se sa larg do të shkoj me Groenlandën. Macron dhe Starmer janë të ashpër kur unë nuk jam pranë

By: E S
20 January 2026 at 22:38

Intervista përmbyllëse e Donald Trump, me pyetje nga gazetarët, pati disa referenca interesante për Groenlandën dhe mundësinë e aneksimit.

Kur u pyet se sa larg ishte i gatshëm të shkonte për të blerë Groenlandën, ai u përgjigj vetëm: “Do ta zbuloni vetë”.

Një gazetar e pyeti gjithashtu presidentin amerikan nëse shpërbërja përfundimtare e NATO-s ishte çmimi që ai ishte i gatshëm të paguante për Groenlandën.

“Mendoj se do të gjejmë një zgjidhje që do të kënaqë si NATO-n ashtu edhe ne. Por ne kemi nevojë për Groenlandën për arsye sigurie, ne kemi nevojë për të për sigurinë kombëtare dhe madje edhe për sigurinë globale”, u përgjigj ai.

Ai gjithashtu vlerësoi se situata në Groenlandë do të “zhvillohej mjaft mirë”. Kur u pyet për tarifat që ai propozon të vendosë ndaj Evropës nëse ajo nuk e mbështet planin e tij për të aneksuar Groenlandën, ai u përgjigj: “Kemi shumë takime të planifikuara në lidhje me Groenlandën. “Siç e dini, unë po nisem për në Davos sonte dhe kemi shumë takime të planifikuara për Groenlandën. Dhe mendoj se gjërat do të shkojnë mjaft mirë.”

Nër të tjera Trump tha: Starmer dhe Macron janë të ashpër kur unë nuk jam pranë tyre.

Zbardhet dosja e SPAK: 425 tentativa hakerimi ndaj kompjuterit të Altin Dumanit

By: E S
20 January 2026 at 22:29

Kompjuteri i ish-kreut të SPAK, Altin Dumani, është tentuar të hakërohet 425 herë në periudhën shkurt-mars të vitit të kaluar.

Emisioni “Në Shënjestër”, me autore Klodiana Lalën në News24, zbuloi këtë të martë detaje të reja nga dosja hetimore e hakërimit të kompjuterave të disa prokurorëve të SPAK, për të cilën akuzohen Agim Ismaili, ish-drejtor i përgjithshëm i burgjeve dhe dy njohjet e tij Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj.

Gazetari Xhevair Zhabina tha se edhe kreu i ri i SPAK, Klodian Braho, ka qenë në fokus të personave që ndërhynë në sistemin kompjuterik të SPAK.

Por cilat janë dosjet që tre të akuzuarit mundën të merrnin nëpëmjet hakerimit të emaileve të disa prej prokurorëve të SPAK?

Dhe pse ish-drejtuesi i lartë i burgjeve, Agim Ismaili, ishte i interesuar të dinte nëse kishte ndonjë hetim të hapur për eprorin e tij, ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, fillimisht gjithçka nis e zbulohet me veprimtarinë e shtetasit Zambak Gjoni.

Ish-punonjës fillimisht në Drejtorinë e Burgjeve dhe më pas në Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit, i cili në mënyrë të habitshme zotëronte disa materiale hetimore, të cilat mbanin vulën secret.

Materiale të cilat sipas hetimeve, ndër të tjerë, në muajin mars të vitit 2025, ai ia kishte dërguar me qëllim publikimi në portalin e këtij të fundit një gazetari të njohur në qarqet mediatike.

Një gabim që në fakt rezultoi fatal, pasi gazetari në fjalë me t’u njohur me këtë material dhe faktin që ishte në hetim dhe publikimi i këtij dokumenti përbënte shkelje të rëndë ligjore, njoftoi menjëherë strukturën e SPAK.

Strukturë e cila nga ana e saj nisi menjëherë një hetim se si kishte mundur të rridhte një informacion i tillë nga vetë brenda radhëve të saj.

Kur ky informacion ishte ende në faze përpunimi dhe nuk ishte bërë ende publik.

Ndërhyrje për të cilën u njoftua menjëherë edhe vetë drejtuesi i SPAK në këtë kohë, Altin Dumani. i cili urdhëroi nisjen e një hetimi të zgjeruar për të zbuluar se si ky informacion kishte përfunduar në duart e personave jashtë institucionit.

Dosja Hetimore

Më datë 12 Mars 2025, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Z. Altin Dumani, ka vënë në dijeni prokurorin e çështjes, se shtetasi Zambak Gjoni i ka dërguar administratorit të një portali mediatik,

informacione në lidhje me procedimin penal Nr. 277/1 të vitit 2022, të cilat i dispononte në formatin ‘Ëord’. Ky procedim pason atë Nr. 277 të vitit 2020, ku në themel të hetimit ishte procedura e dhënies me konceision shoqërisë ‘Albtek Energy’ sh.p.k. për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut të Elbasanit dhe prodhimin e energjisë në vitin 2014 si dhe zbatimi në vijim i angazhimit të marrë përsipër nga kjo shoqëri.

Ku në kuadër të këtij hetimi prokuroria ka kërkuar dërgimin për gjykim të të pandehurve, Lefter Koka, me detyrë ish-Ministër Mjedisi, Alqi Bllako, Stela Gugallja, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto etj.

Por cilat ishin bisedat që kishin kryer midis tyre Zambak Gjoni, Arnold Rrokaj dhe Agim Ismaili. Dhe pse këta persona ishin të interesuar për të pasur në duar këto dosje. Ishte thjesht një kuriozitet siç ata u u justifikuan përpara oficerëve të policisë gjyqësore apo qëllimi i tyre ishte që me anë të këtyre materialeve hetimore, të shantazhonin personat që ishin në investigim nga organi i drejtësisë.

Ndërkohë që nga kqyrja që iu bë aparatit celular të prokurorit të çështjes që po hetonte aferën e inceneratorit të Elbasanit, materiali që u gjet në telefonin e tij përkonte me atë që Zambak Gjoni kishte shpërndarë te gazetari, që më pas kishte bërë denoncimin edhe në SPAK.

Forumi i Davos, Macron: BE duhet të përdorë mjetet e veta kundër tarifave të Trump

By: E S
20 January 2026 at 22:20

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një “qasje të re koloniale” në mosmarrëveshjen për Groenlandën dhe për përpjekje për të dobësuar Evropën, të cilën ai thotë se mund të kundërpërgjigjet me masa ekonomike.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka përdorur prej kohësh tarifat tregtare si “armë ekonomike” dhe tani ka kërcënuar të vendosë tarifa të reja për vendet evropiane që sfidojnë kërkesën e tij për të blerë ishullin arktik të Groenlandës, që është një pjesë gjysmë-autonome e Danimarkës.

“Tarifat e reja të Trump janë krejtësisht të papranueshme, aq më tepër kur ato përdoren si levë kundër sovranitetit territorial”, tha sot Macron në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos.

Më herët, Trump publikoi mesazhe private me Macron ndërsa grindja kërcënoi të errësonte plotësisht axhendën e Davosit.

“Përballë brutalizimit të botës, Franca dhe Evropa duhet të mbrojnë një multilateralizëm efektiv, pasi i shërben interesave tona dhe të gjithë atyre që refuzojnë t’i nënshtrohen sundimit të forcës”, shtoi ai.

Presidenti francez tha se BE-ja duhej të përdorte Instrumentin e saj Kundër-Shtrëngimit, për t’iu kundërvënë tarifave ekonomike të Trump.

“Evropa ka mjete shumë të forta tani, dhe ne duhet t’i përdorim ato kur nuk respektohemi dhe kur e gjithë loja nuk respektohet. Mekanizmi Kundër-Shtrëngimit është një instrument i fuqishëm, dhe ne nuk duhet të hezitojmë ta përdorim atë në mjedisin e vështirë të sotëm”, ​​tha ai.

Firmoset marrëveshja në Uashington, Kosova dhe Ishujt Bahamas heqin vizat mes dy vendeve

By: E S
20 January 2026 at 22:10

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë me dije sot në 20 janar se Kosova dhe Ishujt Bahamas kanë finalizuar një marrëveshje të rëndësishme që parasheh heqjen e ndërsjellë të vizave për qytetarët e të dy shteteve, duke hapur kështu rrugën për lëvizje më të lirë mes dy vendeve.

Lajmi është bërë publik përmes një postimi në platformën X, ku Osmani ka njoftuar se marrëveshja është nënshkruar sot në Uashington, nga përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës dhe Ishujve Bahamas. Sipas saj, ky akt përbën një hap konkret drejt thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. “Marrëveshja për përjashtimin reciprok nga vizat për qytetarët e Kosovës dhe Ishujve Bahamas është nënshkruar sot në Uashington, D.C., nga ambasadorët përkatës të dy shteteve”, ka shkruar presidentja.

Osmani thekson se ky zhvillim është rezultat i drejtpërdrejtë i bashkëpunimit dhe dialogut të nisur pas takimit të saj me kryeministrin e Bahamasit, Philip Davis, i cili pasoi njohjen zyrtare të Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në muajin dhjetor. Sipas presidentes, heqja e vizave nuk është vetëm një marrëveshje teknike, por një shprehje e vullnetit të përbashkët për të ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Ajo ka nënvizuar se ky hap synon të afrojë më shumë qytetarët e dy vendeve dhe të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim në fusha të ndryshme.

“Ky veprim pasqyron përkushtimin tonë të ndërsjellë për të forcuar lidhjet mes dy shteteve tona, por mbi të gjitha për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes njerëzve tanë”, ka shtuar Osmani. Për këtë zhvillim ka reaguar edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila e ka cilësuar marrëveshjen si një lajm shumë pozitiv dhe si një hap të mëtejmë në konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe me Ishujt Bahamas. Ajo theksoi se ky vendim vjen menjëherë pas njohjes së Kosovës nga ky shtet dhe dëshmon për progresin e shpejtë në ndërtimin e raporteve diplomatike.

Heqja e vizave pritet të lehtësojë udhëtimet, kontaktet ndërnjerëzore dhe bashkëpunimin mes Kosovës dhe Ishujve Bahamas, duke forcuar më tej pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe rrjetin e saj të partnerëve diplomatikë.

Punonjës të padeklaruar, paga jo reale, dhe evazion tatimor/ Tatimet, kontroll në agjencitë më të mëdha imobilare

By: E S
20 January 2026 at 22:01

Administrata tatimore ka ushtruar kontrolle në agjencitë më të mëdha në vend.

Përmes një njoftimi, bëhet e ditur se janë evidentuar punonjës të padeklaruar, paga jo reale, mungesë faturimi dhe evazion tatimor në shitjen e apartamenteve.

Tatimet i bëjnë thirrje këtyre agjencive që të deklarojnë pagat reale, teksa aksioni ndaj informalitetit do të vijojë.

“Zero tolerancë ndaj informalitetit në ndërtim. Administrata Tatimore ka ushtruar kontrolle në agjencitë imobiliare më të mëdha në vend, duke evidentuar punonjës të padeklaruar, paga jo reale, mungesë faturimi dhe evazion tatimor në shitjen e apartamenteve. Aksioni do të vijojë pa tolerancë e kompromis! Deklaroni pagat reale për të shmangur masat administrative dhe penale”, thuhet në njoftim.

“OKB, joefektive në përfundimin e luftërave”, Trump: Bordi i Paqes mund të zëvendësojë Kombet e Bashkuara

By: E S
20 January 2026 at 21:52

Presidenti Donald Trump tha se Bordi i Paqes, i formuar për administrimin e Gazës, mund të zëvendësojë Kombet e Bashkuara.

Trump e cilësoi OKB si joefektive në përfundimin e luftërave.

“OKB-ja thjesht nuk ka qenë shumë e dobishme. Unë jam një adhurues i madh i potencialit të OKB-së, por ajo kurrë nuk e ka përmbushur potencialin e saj. OKB-ja duhet të kishte zgjidhur të gjitha luftërat që unë zgjidha. Unë kurrë nuk shkova në to, as nuk mendova të shkoja”, u tha Trump gazetarëve.

“Mos ve skedina fituse o bos, të marrim %”/ SMS-të që zbuluan policët që vinin baste, zbardhen bisedat

By: E S
20 January 2026 at 21:43

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ekzekutoi sot masat e sigurisë ndaj gjashtë punonjësve të policisë dhe një shtetasi civil, si pjesë e operacionit “Last Bet”, i zhvilluar në rajonet Elbasan dhe Korçë.

Efektivët, duke shfrytëzuar atributet e funksionit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe favorizuar ushtrimin e llotarive të palejuara / basteve sportive.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, ka siguruar dosjen hetimore ndaj tyre, ku në vijim të veprimeve hetimore të kryera është administruar akti i ekspertimit teknik të celularëve të sekuestruar, janë evidentuar të ruajtura biseda të zhvilluara në aplikacionin e komunikimit “WhatsApp” midis punonjësit të policisë i identifikuar si E.P., dhe R.T., po ashtu punonjës policie, me përmbajtje të organizimit dhe ushtrimit të lojërave të fatit.

Polici me inicialet E.P.: He mo tiger se te thash me vilu dy skedina po i vuna tjeter kund se me vonove

Polici me inicialet R.T: Iken 200 mij lek

Polici me inicialet E.P.: naj ndeshje te sigurt

Polici me inicialet R.T: Argjentina 2/3plus Mexica 2/plus 70 mij lek… mos na ven skedina fituse o boss ta marrim te qet at %

Polici me inicialet E.P.: Un kam lujt nja dy neshje sot mbrapsh kam kap 4 skedina

Polici me inicialet R.T: Jam 3.7 plus… Nuk du me i prek ma

Polici me inicialet E.P.: Jo mos maj shpresa te shefi tpakten deri nga mesi mujit

Polici me inicialet R.T: Ore po hapja user altinit mor vlla e i ban llogarite nfund muji

Polici me inicialet E.P.: jam te i marr borxh 1 milion

Polici me inicialet R.T: ti je pronari nr1

Polici me inicialet E.P.: ej neser duhet me dorzu leket e llotos

Polici me inicialet R.T: zemra

Polici me inicialet E.P.: kshuqe po erdhe te pijm kafe… Thuj te rrije ai ja japim i 5 mij leksh ma shum a 10 ja jap un

Polici me inicialet R.T: thash se neser duhet me shku me ba dorzimet e lekve

Polici me inicialet E.P.: ok se i them un per kte nuk a problem

Polici me inicialet R.T: por per leket e llotos

Polici me inicialet E.P.: A i ka cu?

Polici me inicialet R.T: Iliri

Polici me inicialet E.P.: po

Polici me inicialet R.T: ke edhe ti 1 mili e 50

Polici me inicialet E.P.: 1 miljon o jet

Polici me inicialet R.T: 50tshja esht e ktij muji

Polici me inicialet E.P.: 50 jan te mujit

Polici me inicialet R.T: qe kena hy … e i kam leket po i kam than atij shokut qe ia kam marr kur i qova 2.2 milion

Polici me inicialet E.P.: pasneser duhet me qu leket e llotos

Nga sa më sipër ka dyshime se shtetasit E.P dhe R.T, të dy punonjës policie të Policisë së Shtetit, kanë organizuar dhe ushtruar veprimtarinë e kundërligjshme të lojrave të fatit. E.P. ka bashkëpunuar edhe me shtetasin I.T. në kryerjen e veprës penale.

R.T. prej datës 16.05.2016 është punonjës i “Policisë së Shtetit”, me funksion aktual Specialist për Krimet në Zonën Policore Nr. 16 në Stacionin e Policisë Manëz në Komisariatin e Policisë Durrës, ndërsa personi nën hetim E.P. ndodhet me masë sigurimi “Arrest në burg’ në kuadër të këtij procedimi penal i dyshuar për veprat penale të “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” të parashikuar nga nenet 109/b/2 dhe 283/1 të Kodit Penal.

Janë krijuar dyshime të arsyeshme të bazuar në prova se punonjësit e policisë E.P dhe R.T. në mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë vepruar në kundërshtim me parashikimet e sanksionuara në Ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, neni 17 ku përcaktohet se Policia e Shtetit ka detyrë: “Të parandalojë, zbulojë dhe hetojë në përputhje me legjislacionin në fuqi, veprat penale dhe autorët e dyshuar të kryerjes së tyre”. “Të marrë, trajtojë dhe referojë pranë strukturave përgjegjëse, ankesat e shtetasve, në mënyrë të veçantë kallëzimet penale ose informacionet e dhëna në rrugë të ndryshme për vepra penale, si dhe kryen detyra të tjera në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

Miratohen amendimet në ligjet e reformës në drejtësi! Kryetarët ekzistues të gjykatave, në detyrë deri në 2028

By: E S
20 January 2026 at 21:35

Komisioni parlamentar për Nismat Qytetare ka miratuar amendimet në dy ligjet e reformës në drejtësi, atë për “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” dhe “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Amendimet vijnë si propozime të deputetit socialist Olsi Komici.

Ato u kontestuan nga shoqata e gjyqtarëve, pasi në një nga nenet propozohet që kryetarët në detyrë të disa gjykatave të konfirmohen si kryetarë të emëruar deri në datën 31 dhjetor 2028, duke shmangur, sipas tyre, garën për këto poste.

Deputeti propozues pranon se ky afat është vendosur për të mos krijuar vakanca deri në zgjedhjet e pasuesve, të cilët më parë duhet të kalojnë procesin e vlerësimit të figurës.

Në fushën e burimeve njerëzore, aktualisht janë 307 gjyqtarë efektivë nga 417 të parashikuar, duke operuar me vetëm 73.6% të kapaciteteve.

Sipas standardeve CEPEJ, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, është shprehur më herët se Shqipërisë i nevojiten 587 gjyqtarë, duke treguar një mungesë të thellë të kapaciteteve krahasuar me nevojat reale.

Gripi vdekjeprurës, pse këtë vit është kaq i rëndë?

By: Os De
20 January 2026 at 20:56

Jemi në sezonin e gripit … dhe pak ditë më parë A2 CNN raportoi se vetëm gjatë javës së parë të janarit në vendin tonë u raportuan rreth 13 mijë raste, kryesisht te fëmijët dhe të moshuarit, ndërsa specialistët paralajmërojnë se shifrat reale janë shumë më të larta. Instituti i Shëndetit Publik pret rritje të shtrimeve spitalore në fund të janarit ose fillim të shkurtit.

Situata është serioze edhe jashtë vendit. Portugalia regjistroi pak ditë më parë mbi 500 vdekje në ditë me spitalet të tejmbushura, ndërsa në Itali rreth 7.5 milionë persona janë infektuar që nga fillimi i sezonit.

Ndikimi i gripit përgjatë 2025-2026 ka qenë i rëndë kudo. Në Australi, ku sezoni i gripit ka mbaruar së bashku me sezonin e dimrit, infeksionet kanë zgjatur një muaj më shumë se zakonisht dhe në javët e fundit, gripi ka dëmtuar rëndë edhe sistemet shëndetësore të vendeve të tjera evropiane, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, raporton A2 CNN.

Por çfarë e bën këtë vit gripin më të rëndë?

Sipas gjetjeve të epidemiologëve, të përmbledhura në një artikull të botuar në revistën “Nature”, shkaku kryesor është varianti K i virusit A/H3N2, që ka mutacione të shumta dhe është më pak i njohur nga sistemi imunitar dhe vaksinat, duke e bërë transmetimin dhe efektet më të rënda, përcjell A2 CNN.

Varianti K i virusit H3N2

Gripi i këtij viti shkaktohet nga virusi A/H3N2, varianti K. Ekzistojnë dy arsye për aftësinë e dobët të sistemit tonë imunitar për ta luftuar atë. E para është se lloji që u bë dominues në sezonin 2025/2026, H3N2, ka qarkulluar për dekada, por nuk ka qenë dominues në sezonet e fundit të gripit. Në sezonin 2024-2025, ky lloj shkaktoi rreth gjysmën e rasteve në SHBA dhe vetëm rreth 40% të rasteve në Evropë. Prandaj, e gjeti mbrojtjen tonë imunitare të papërgatitur.

E dyta është se varianti K i nëntipit viral H3N2 ka një numër të lartë mutacionesh që e bëjnë virusin më pak të ngjashëm me llojin e përdorur për të paketuar vaksinat e gripit të këtij viti, raporton A2 CNN. Rezultati është se ekziston një përputhje e përsosur midis mbulimit të ofruar nga vaksinat dhe virusit që qarkullon.

Virus me ndryshim të shpejtë

Viruset e gripit evoluojnë vazhdimisht dhe mutohen me kalimin e kohës, duke grumbulluar ndryshime të vogla gjenetike. Për shembull, variacionet e vogla në gjenet e viruseve të gripit mund të çojnë në ndryshime në proteinat sipërfaqësore të patogjenëve, me të cilat lidhen antitrupat. Për këtë arsye, vaksinat e gripit duhet të përditësohen vazhdimisht, raporton A2 CNN. Zgjedhja e llojeve për t’u mbrojtur kundër çdo sezoni vaksinimi përcaktohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, bazuar në virusin e gripit që qarkullon në hemisferën e kundërt gjatë sezonit aktual të dimrit.

Varianti K u shfaq në shkurt 2025, por u sekuencua për herë të parë në qershor 2025, kohë kur përzgjedhja e llojeve që do të përfshiheshin në vaksinat që do të shpërndaheshin në Hemisferën Veriore kishte ndodhur tashmë.

Për fat të mirë një studim i postuar më 6 janar, tregoi se vaksinat e gripit në dispozicion stimulojnë ende një përgjigje të antitrupave të mjaftueshme për të mbrojtur kundër simptomave më të rënda të variantit K.

Antitrupat në vështirësi

Krahasuar me llojin H3N2 të përdorur në vaksinën më të përdorur gjerësisht kundër gripit, varianti K ka 11 mutacione në një proteinë, hemaglutininën, që formon thumbat, zgjatimet sipërfaqësore që virusi i gripit përdor për t’u ngjitur në qelizat pritëse. Antitrupat synojnë hemaglutininën, dhe nëse ajo pëson mutacion, aftësia e tyre për t’u ngjitur në të dhe për të neutralizuar virusin zvogëlohet.

❌
❌