Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 January 2026Java News

“Durana, një nga evazionet më të mëdha”, Bozdo akuzon: Qeveria përzgjedh kompanitë, vjedh paratë dhe…

By: A R
15 January 2026 at 11:46

Nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eno Bozdo, në një deklaratë për shtyp ka kërkuar që të bëhet transparencë sa i përket parkut Durana.

Ai e ka quajtur të gjithën një nga evazionet më të mëdha fiskale, ndërsa ka shtuar se është qeveria që ka implementuar skemën duke grabitur paratë e shqiptarëve dhe duke ua dorëzuar kompanive të përzgjedhura.

“Të bëhen publike emrat e kompanive të regjistruara në park, emrat e pronarëve dhe përjashtimet fiskale që janë përfituar.
Modeli dhe përputhshmëria me legjislacionin, informacione që do të ndikojnë në bërjen transparencë në këtë që po paraqitet para shqiptarëve si një nga evazionet më të mëdha fiskale, me konceptimin e bashkëpunimin e plotë të qeverisë shqiptare.
Vetë qeveria përzgjedh kompanitë dhe implementon skemën. Qeveria pra vjedh paratë dhe i çon në kompanitë e përzgjedhura.

Duarana është pikërisht skema që BE e ka luftuar prej kohësh”, tha ai.

 

Deklarata e plotë:

Me cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe në pozicionin e nënkryetarit të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, i jam drejtuar dje me një shkresë zyrtare, Ministres së Ekonomisë dhe Ministrit të Financave, për të marrë një informacion sa më të plotë për cështjen shqetësuese të Parkut Virtual Teknologjik «Durana» !

Letra kërkon informacion të plotë mbi këto cështje:
a. Emrat e kompanive të regjistruara në këtë park, emrat e pronarëve të tyre, adresat reale të kompanive, përfitimet financiare që këto kompani kanë marrë si pasojë e përjashtimeve fiskale që parku ofron ;
b. Arsyet e përzgjedhjes së këtij modeli nga ana e qeverisë shqiptare, si dhe përputhshmëria e këtij modeli me legjislacionin e BE-së, vecanërisht me rregullat e Ndihmës Shtetërore;
Këto informacione do të ndihmojnë për të hedhur dritë dhe bërë transparencën e plotë mbi një cështje shumë të ndjeshme, e cila po shpaloset përpara opinionit publik si një ndër evazionet më të mëdha fiskale, dhe kësaj radhe si asnjëherë tjetër, me konceptimin dhe bashkëpunimin e plotë të qeverisë shqiptare.
Me pak fjalë, jemi përpara një situate ku mesa duket, vetë qeveria që ka ndërtuar një skemë evazioni fiskal, përzgjedh kompanitë e saja të preferuara dhe më pas implementon ajo vetë këtë skemë! Praktikisht, qeveria vjedh paratë publike dhe i dërgon ato tek kompanitë e përzgjedhura!
Gjatë kësaj jave, përfaqësues të qeverisë kanë mbajtur qëndrimin se ky është një model që haset në vendet e BE-së. Por në fakt, pretendimet e qeverisë se Bashkimi Evropian ofron modele të tilla, janë totalisht të paqena dhe të rreme. E vërteta është kjo:

Së pari, nuk ekziston asnjë model i një “Parku Virtual” me përjashtime tatimore, në asnjë vend anëtar të BE-së.
Së dyti, në parqet fizike, e vetmja gjë që mund të krahasohet me një “përjashtim” është sistemi unik i Estonisë, ku norma 0% e taksës aplikohet vetëm mbi fitimin që ri-investohet dhe mbahet brenda kompanisë, duke paguar taksë të plotë kur shpërndahet si divident. Pra referenca që qeveria i bën modeleve në të ngjashme në BE janë të rreme;
Së treti, dhe më e rëndësishmja: modeli “Durana” i qeverisë, është pikërisht praktika që Bashkimi Evropian ka luftuar prej vitesh për ta eleminuar.
BE-ja ka një standard tatimor ndërkombëtar të detyrueshëm, të njohur si Qasja Nexus (Nexus Approach of Base Erosion and Profit Shifting (BEPS) Action Plan-BEPS). Ky standard është krijuar nga OECD, për të parandaluar përdorimin e lehtësirave tatimore për mashtrime me dokumente/evasion fiskal.
Parimi është i qartë:
• Modeli i BE-së kërkon që çdo lehtësim tatimor për inovacionin të jetë drejtpërdrejt proporcional me shpenzimet reale dhe të verifikueshme të Kërkimit dhe Zhvillimit (R&D)—njerëzit, laboratorët, puna—të kryera në atë vend. Ai shpërblen aktivitetin ekonomik real.
• Ndërsa në Modelin Durana, jepen përjashtime 100% nga taksat bazuar në regjistrim, duke shkëputur plotësisht lehtësimin tatimor nga lidhja fizike (Nexus) e punës. Ai shpërblen regjistrimin me dokumente/virtual.
BE-ja ofron ulje të normës tatimore për fitimet nga inovacioni, jo një përjashtim të plotë 100% pa mbikëqyrje. Duke dhënë përjashtime të plota pa dëshmi të aktivitetit fizik, modeli Durana shkel frymën dhe shkronjën e drejtësisë tatimore të vendosur nga partnerët tanë evropianë.

Afera “Durana” na sjell përpara një cështjeje tjetër shumë të ndjeshme: minimi i konkurrencës së ndershme dhe mbështjetja e pabarabartë e bizneseve! Sepse “Durana” krijon një fushë loje tërësisht të pabarabartë që dënon bizneset e ndershme shqiptare:
Çdo kompani tjetër e ndershme shqiptare e IT-së që paguan punonjësit, investon në zyrat e saj dhe respekton ngarkesën e plotë tatimore, tani është në një disavantazh konkurrues masiv dhe të paqëndrueshëm kundrejt kompanive të regjistruara në këtë “Park Virtual” të pretenduar.
Nga ana tjetër, stimuli fiskal nuk është për inovacionin e vërtetë, ai është për shmangie tatimore. Ai ridrejton kapitalin nga Kërkimi dhe Zhvillimi i vërtetë drejt regjistrimeve fantazmë, duke mbytur kështu potencialin për rritje të ndershme dhe të qëndrueshme në sektorin e teknologjisë të vendit tonë.

Modeli “Durana”, i sajuar nga qeveria shqiptare për të vjedhur paratë e shqiptarëve, në emër te skemave financiare gjoja “të certifikuara nga BE” shënon një rekord të ri të kapjes së shtetit, ku tashmë nuk janë grupet e interest që deformojnë vendimarrjen qeveritare për interesa të tyret, por vetë qeveria që deformon me qëllim vendimarrjen e saj për t`i mbushur xhepin një grupi kompanish që janë po klientë të saj!

Franca, Gjermania dhe Suedia dërgojnë trupa në Groenlandë

By: A R
15 January 2026 at 11:34

Tensionet gjeopolitike në Arktik po hyjnë në një fazë të re dhe të paparashikuar.

Disa shtete evropiane kanë vendosur të dërgojnë trupa ushtarake në Groenlandë, në përgjigje të kërkesës së Danimarkës dhe në një klimë gjithnjë e më të acaruar me Shtetet e Bashkuara.

Kështu, Suedia, Norvegjia, Gjermania dhe Franca kanë nisur personel ushtarak për të forcuar praninë evropiane në ishullin arktik, raporton La Repubblica.

Qeveria daneze ka konfirmuar se do të rrisë praninë e ushtrisë së saj në Groenlandë, përfshirë edhe stërvitje ushtarake. Edhe pse Groenlanda gëzon autonomi të gjerë, ajo mbetet territor i Mbretërisë së Danimarkës.

Kryeministrja Mette Frederiksen ka theksuar se operacioni zhvillohet në kuadër të NATO-s, por koha e vendimit ngre pikëpyetje politike të qarta.

“Qëllimi është të trajnojmë Forcat e Armatosura për operime në kushtet unike të Arktikut dhe të forcojmë praninë e Aleancës në rajon, në dobi të sigurisë evropiane dhe transatlantike”, ka deklaruar Ministria daneze e Mbrojtjes. Megjithatë, pothuajse paralelisht me këtë njoftim, edhe shtete të tjera evropiane kanë reaguar duke dërguar trupa në zonë.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka bërë të ditur se disa oficerë suedezë kanë mbërritur tashmë në Groenlandë për t’u bashkuar me një grup shumëkombësh aleat, në kuadër të përgatitjeve për stërvitjen daneze Operation Arctic Endurance.

Norvegjia ka vënë në dispozicion personel ushtarak me gradë të lartë, ndërsa Gjermania ka dërguar një patrullë zbulimi prej 13 ushtarësh. Një kontingjent francez me të njëjtën përbërje pritet t’u bashkohet atyre.

Bëhet fjalë për një situatë të paprecedentë, sidomos pas përfundimit pa rezultate të samitit në Uashington mes përfaqësuesve të SHBA-ve, Danimarkës dhe Groenlandës. Edhe pse numri i trupave evropiane në Nuuk mbetet ende i kufizuar, niveli i tensionit brenda Aleancës Perëndimore konsiderohet më i larti i regjistruar ndonjëherë.

Në këtë kontekst, brenda Bashkimit Evropian po diskutohet hapur mundësia e aktivizimit të nenit 42, paragrafi 7 i Traktatit të BE-së, që parashikon ndihmë të ndërsjellë në rast agresioni të armatosur ndaj një shteti anëtar. Pyetja kyçe mbetet: a mund të zbatohet ky nen ndaj një vendi aleat në NATO dhe, teorikisht, kundër Shteteve të Bashkuara?

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shmangur një qëndrim frontal, duke deklaruar se një skenar i tillë “nuk shtrohet aktualisht”.

“Groenlanda i përket popullit të saj dhe është pjesë e NATO-s. Është e rëndësishme që banorët e saj ta dinë se ne respektojmë vullnetin e tyre”, ka thënë ajo.

Edhe Parlamenti Evropian ka dalë në mbrojtje të sovranitetit të Groenlandës, duke i cilësuar çdo përpjekje për ta minuar atë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe presidenti francez Emmanuel Macron, sipas të cilit shkelja e sovranitetit të një vendi evropian dhe aleat do të kishte “pasoja zinxhir të paprecedent”. Ndërsa zëvendëskancelari gjerman Lars Klingbeil ka paralajmëruar se “marrëdhënia transatlantike, ashtu siç e njihnim, po shpërbëhet”.

E PLOTË / Kufizime për SPAK-un: Kushtetuesja ndalon përdorimin pa kriter të të dhënave personale!

By: A R
15 January 2026 at 11:27

Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim me peshë në raportin mes hetimit penal dhe mbrojtjes së të drejtave themelore, duke vendosur kufij të qartë për sekuestrimin dhe përpunimin e të dhënave të nxjerra nga telefonat celularë në procedimet penale të drejtuara nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në vendimin nr. 44, datë 29 korrik 2025, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka pranuar pjesërisht ankimin kushtetues të Onejda Ymerajt dhe ka konstatuar cenimin e fshehtësisë së korrespondencës dhe të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, për aq sa të dhënat e sekuestruara nga telefoni i saj celular nuk lidhen me objektin e hetimit penal.

Thelbi i konfliktit
Çështja lidhet me sekuestrimin e një telefoni celular nga oficerët e policisë gjyqësore, me iniciativë, në kuadër të një hetimi penal për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK ka pretenduar se veprimi ishte i domosdoshëm dhe urgjent, për të shmangur rrezikun e humbjes ose fshirjes së të dhënave elektronike, duke e konsideruar telefonin si mjet prove.

Nga ana tjetër, kërkuesja ka argumentuar se ajo nuk ishte person nën hetim, se sekuestrimi u krye pa vendim gjykate dhe se ekspertimi teknik-elektronik i telefonit ka sjellë aksesim masiv e të pakufizuar në të dhëna personale dhe komunikime private, përfshirë edhe informacione sensitive që nuk kishin asnjë lidhje me hetimin.

Çfarë vendosi Gjykata Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se, në realitetin teknologjik të sotëm, telefoni celular nuk është thjesht një objekt fizik, por një “arkiv” i jetës personale dhe profesionale të individit, që përmban korrespondencë, të dhëna personale dhe informacione të palëve të treta. Për rrjedhojë, sekuestrimi i tij përbën njëkohësisht ndërhyrje serioze në privatësi.

Në këtë kuadër, Gjykata ka mbajtur një qëndrim të balancuar, sepse ka njohur legjitimitetin e interesit publik për hetimin e veprave të rënda penale, por ka theksuar se ndërhyrja duhet të jetë e ligjshme, e domosdoshme dhe proporcionale.

Gjykata ka konstatuar shkelje kushtetuese për pjesën e të dhënave dhe korrespondencës që nuk lidhen me objektin e hetimit penal dhe ka urdhëruar asgjësimin e kopjeve të tyre. Ndërkohë, ka lejuar vijimin e mbajtjes në sekuestro vetëm të atyre të dhënave që lidhen drejtpërdrejt me hetimin, duke i nënshtruar ato kontrollit gjyqësor dhe garancive procedurale.

Mesazh për hetimet penale
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese i vendos një standard të ri praktikës hetimore: sekuestrimi i celularëve dhe ekspertimi i tyre nuk mund të shndërrohen në një “peshkim të gjerë” të jetës private të individit. Organet e ndjekjes penale duhet të dallojnë qartë mes provës së nevojshme dhe ndërhyrjes së tepruar në të drejtat themelore.

Vendimi është përfundimtar, hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare dhe ngarkon SPAK-un që, brenda tre muajve, të zbatojë masat e urdhëruara duke respektuar garancitë kushtetuese të përcaktuara nga Gjykata./nl/TemA

 

Dokumenta bashkëngjitur

Pezullimi i vizave, reagon Ambasada e SHBA në Tiranë: Nuk preken ato turistike, por vetëm…

By: A R
15 January 2026 at 11:12

Ambasada Amerikane ka theksuar se DASH po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihma sociale në Shtetet e Bashkuara dhe të mos konsiderohen barrë publike.

Përditësime mbi Përpunimin e Vizave Emigruese për Shtetësitë me Rrezik të Lartë të Përdorimit të Përfitimeve Publike
Përditësime mbi Përpunimin e Vizave Emigruese për Shtetasit nga Vendet me Rrezik të Lartë të Përdorimit të Përfitimeve Publike

Presidenti Trump ka bërë të qartë se emigrantët duhet të jenë financiarisht të vetë-mjaftueshëm dhe të mos përbëjnë barrë financiare për amerikanët. Departamenti i Shtetit po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihma sociale në Shtetet e Bashkuara dhe të mos konsiderohen barrë publike.

Duke filluar nga 21 janari 2026, Departamenti i Shtetit do të pezullojë lëshimin e të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të vendeve të mëposhtme:

Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Antigua dhe Barbuda, Armeni, Azerbajxhan, Bahamas, Bangladesh, Barbados, Bjellorusi, Belize, Butan, Bosnje dhe Hercegovinë, Brazil, Birmani, Kamboxhia, Kamerun, Kepi i Gjelbër, Kolumbi, Bregu i Fildishtë, Kubë, Republika Demokratike e Kongos, Dominikë, Egjipt, Eritre, Etiopi, Fixhi, Gambia, Gjeorgji, Ganë, Grenadë, Guatemalë, Guine, Haiti, Iran, Irak, Xhamajkë, Jordani, Kazakistan, Kosovë, Kuvajt, Republika e Kirgistanit, Laos, Liban, Liberi, Libi, Moldavi, Mongoli, Mali i Zi, Marok, Nepal, Nikaragua, Nigeri, Maqedoni e Veriut, Pakistan, Republika e Kongos, Rusi, Ruandë, Shën Kits dhe Nevis, Shën Luçia, Shën Vincent dhe Grenadinat, Senegal, Sierra Leone, Somali, Sudani i Jugut, Sudan, Siri, Tanzani, Tajlandë, Togo, Tunizi, Ugandë, Uruguai, Uzbekistan dhe Jemen.

Pyetje të Shpeshta

Çfarë ndodh me takimin tim për intervistën e vizës emigruese?
Aplikantët për vizë emigruese që janë shtetas të vendeve të prekura mund të dorëzojnë aplikimet për vizë dhe të marrin pjesë në intervista, dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë takime për aplikantët, por asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet për këta shtetas gjatë kësaj periudhe pezullimi.

A ka ndonjë përjashtim?
Shtetasit me dyshtetësi që aplikojnë me një pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i listuar më sipër janë të përjashtuar nga ky pezullim.

A ndikon kjo në vizën time aktuale të vlefshme?
Asnjë vizë emigrimi nuk është hequr si pjesë e këtij udhëzimi. Për pyetje që lidhen me hyrjen në Shtetet e Bashkuara, ju referojmë te Departamenti i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara.

A zbatohet kjo për vizat turistike?
Jo, ky pezullim zbatohet vetëm për aplikantët e vizave emigruese. Vizat turistike janë viza jo-emigruese.

Mashtroi rojën e vendparkimit se ishte pronari i automjetit, arrestohet 18-vjeçari në Tiranë

By: A R
15 January 2026 at 11:06

Një 18-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së kryeqytetit për vjedhjen e një makinë te vendparkimi i automjeteve në rrugën “Hajdar Hidri”. Sipas Policisë, i riu mashtroi rojën e vendparkimit se ishte pronari i automjetit. Makina tip “Volksëagen Jetta” u gjet në Valias.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, menjëherë pas njoftimit se në një vendparkim për automjete, në rrugën “Hajdar Hidri”, ishte vjedhur nëpërmjet mashtrimit, 1 automjet tip “Volksëagen Jetta”, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, u identifikua dhe u arrestua autori i dyshuar i vjedhjes, shtetasi A. L., 18 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, u gjet në fshatin Valias, automjeti i vjedhur.

18-vjeçari dyshohet se me qëllim vjedhjen, ka shkuar te vendparkimi i automjeteve, ku ka mashtruar rojën e subjektit, se do të merrte automjetin e tij”, njofton Policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Arktiku nën tension/ Si politika e Trump dhe aktiviteti rus rrezikojnë marrëveshjet ndërkombëtare

By: A R
15 January 2026 at 10:56

Para ardhjes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, situata në Arktik ishte e qartë: nga njëra anë Rusia, që kontrollon rreth gjysmën e bregdetit, dhe nga ana tjetër shtatë vendet perëndimore që kanë dalje në zonën polare, SHBA, Kanada, Norvegji, Finlandë, Suedi, Danimarkë (përmes Groenlandës) dhe Islandë. Këto tetë vende themeluan Këshillin e Arktikut në 1996, kryesisht për të mbrojtur mjedisin, por shpejt interesat u fokusuan te burimet natyrore nën akull: rreth 70% e rezervave të papërdorura të naftës dhe gazit në botë.

Trump ndryshoi strategjinë amerikane pas Luftës së Ftohtë, duke mos u mbështetur tek aleatët perëndimorë. Ai e bëri të qartë se SHBA-ja duhet të veprojë vetë, duke rritur tensionin me Kanadanë për qasje të lirë në “Kalimin e Veriut perëndimor”, që lidh Atlantikun me Paqësorin dhe duke fokusuar vëmendjen tek Groenlanda.

Ndërkohë, Rusia ka përforcuar praninë e saj në rajon: 13 baza ajrore, 10 radarë dhe mbi 40 anije. Së bashku me Kinën, Moska po synon të zgjerojë ndikimin, përfshirë në zonat si Ishujt Svalbard, ku rusët tashmë janë prezentë me komunitete dhe laboratore shkencore.

Edhe Kanadaja është pjesë e vendeve që e synon Groenlandën, sidomos për Dorsalen Lomonosov, një varg malor nën det, i pasur me naftë dhe gaz, që lidhet nga Siberia në zonën mes Kanadasë dhe Grenlandës. Shtetet përfshihen në debat mbi sovranitetin e fondeve detare sipas Konventës së të Drejtës së Detit.

Historikisht, vendet perëndimore kanë arritur kompromiset e tyre, si p.sh. në 2022, kur Kanadaja dhe Groenlanda ndanë ishullin e Hansit, duke mbyllur një histori 49-vjeçare. Megjithatë, politika më agresive e SHBA-ve dhe prania ruse e Kinës rrisin tensionet dhe rrezikojnë stabilitetin e rajonit.

E para herë në histori, astronautët kthehen më herët nga misioni hapësinor

By: A R
15 January 2026 at 10:47

Katër astronautë janë rikthyer të sigurt në Tokë të enjten pas nja jave të pazakontë në hapësirë që detyroi ekuipazhin të largoheshin nga Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar një muaj më herët nga sa ishte parashikuar.

Astronautët e NASA-s Zena Cardman, Mike Fincke, Kimiya Yui dhe Oleg Platonov, u ulën në Oqeanin Paqësor pas 11 orësh udhëtim.

Kjo është hera e parë në historinë 25-vjeçare të stacionit që misioni merr fund para kohe për shkak të një problemi shëndetësor.

NASA nuk ka dhënë detaje për cilin nga astronautët bëhet fjalë apo për situatën. Megjithatë, tha se është nën kontroll dhe jo urgjencë.

Problemi shëndetësor e detyroi NASA-n të anulonte një shëtitje të planifikuar në hapësirë më 8 janar, ku Cardman dhe Fincke do të bënin riparime në pjesën e jashtme të stacionit.

Para se të largohej, Fincke tha se ai dhe kolegët “ishin mirë, të sigurt dhe po kujdesen mirë për ta.”

Udhëtimi në kthim ishte pa problematika. Astronautët e Crew-11 kaluar 165 ditë në Stacionin Hapësinor.

Ata shkuan atje në gusht dhe duhet të qëndronin deri në fund të shkurtit. Tani në stacion kanë mbetur vetëm tre persona: astronauti Chris Williams dhe kozmonautët Sergey Kud-Sverchkov dhe Sergei Mikaev.

Udhëtimi i ardhshëm ishte parashikuar jo më herët se 15 shkurti, por NASA po sheh mundësinë për ta shtyrë.

“Vendimi 44/25 i Kushtetueses rrëzon hetimet e ngritura mbi grabitjen e të dhënave nga celularët”

By: A R
15 January 2026 at 10:40

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar pas zbardhjes së vendimit nr. 44/25 të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një goditje themelore ndaj praktikës së sekuestrimeve gjenerike të celularëve dhe përvetësimit masiv të të dhënave private nga SPAK.

Sipas Manjanit, vendimi përcakton qartë se hetimi penal nuk mund të ndërtohet mbi shkeljen e privatësisë dhe të drejtave kushtetuese, por vetëm mbi një proces të rregullt ligjor.

“Jam shumë kurioz të shoh se si do justifikohet mbajtja në këmbë e çështjeve penale të hapura mbi bazën e të dhënave që janë marrë harbutërisht nga memoriet e celularëve!

Vendimi 44/25 i Gjykatës Kushtetuese, i cili më në fund u zbardh, tregon qartë se :

1. Sekuestro e celularëve nuk është sekuestro e një sendi të thjeshtë por njëkohësisht përbën edhe sekuestro të korrespondencës private.

2. Të dhënat elektronike që gjenden në memoriet e celularëve apo kompjuterave janë të mbrojtura nga nenet 35, 36 të Kushtetutës si dhe nga neni 8 i Konventës. Pra janë pjesë e të drejtës për jetë private dhe të garantimit të fshehtësisë së korrespondencës.

3. Kur hetimit i duhet me patjetër një e dhënë elektornike private, gjykata/prokurori vetëm në rrethana të justifikuara mirë lejohet të kërkojnë nga mbajtësi i mjetit/arkivës elektronike private fiks atë të dhënë që duan. Jo të tjerat. Personi që i jep ato më vullnetin e tij, duhet të bëhet me dije paraprakisht se po jep një të drejtë të mbrojtur me Kushtetutë. Pra “nuk mjafton vullneti por edhe vetëdija reale e mbajtësit të të dhënës”- thotë gjykata.

Ndalohet marrja e të gjithë memories së aparateve elektronike!

4. Edhe sekuestro apo marrja e dhunshme e informacionit elektronik bëhet vetëm pasi të jetë shterruar më parë dakordësia e vetëdijshme e mbajtësit të memories private. Në çdo rast duhet një vendim gjykate që të autorizojë specifikisht të marrjen e të dhënës së kërkuar dhe, jo çdo gjë që gjen aty.

5. Nuk ka më vendime gjenerike sekuestro celularësh apo kompjuterash pa treguar paraprakisht në gjykatë se çfarë informacioni konkret kërkohet të merret.

Ka plot përcaktime të tjera ai vendim, i cili ka vendosur kufinjtë në përdorimin e të dhënave private elektronike për qëllime hetimi.

Tani shihini se si kanë filluar një pjesë e mirë e çështjeve penale nga SPAK. Me vendime gjenerike sekuestrosh; me vjedhje të të dhënave private nga memoriet e celularëve apo kompjuterave si të personave në hetim dhe, më keq akoma, të personave të tjerë.

Vendimi 44/25 i Gjykatës Kushtetuese u jep dërrmën këtyre çështjeve që kanë nisur në mënyrë harbute me të dhëna të vjedhura harbutshe.

***

Jam shumë i vetëdijshëm që njerëzia e etur për gjak e dhunë, ose e ngelur shtatzënë mendërisht duke pritur video me seks që mund të ketë vjedhur SPAK. Por kjo që ka ndodhur nuk ka lidhje me proçes të rregullt ligjor. Një ditë, diku, dikush do duhet ti hedhë në kosh këto proçese. Sa më shpejt të ndodhë kjo aq më me pak kosto për ne.

E përsëris:

Proçesi është garancia jonë, jo emrat konkretë, aq më pak bëmat e tyre.” – shkruan Manjani.

Ngjarje e rëndë në Korçë, e moshuara ndërron jetë nga asfiksia

By: A R
15 January 2026 at 10:32

Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në 15 janar 2026 në qytetin e Korçës.

Një banesë në lagjen numër 13 ka marrë flakë dhe si pasojë e tymit, një 70-vjeçare ka ndërruar jetë në banesë. Viktima Fluturie Potka ishte e paralizuar.

E moshuara jetonte e vetme. Zjarrfikësja dhe policia ndodhen në vendngjarje.

“Korçë/Informacion paraprak

Më datë 15.01.2026, rreth orës 09.10, në lagjen nr. 13, Korçë, ka rënë zjarr në banesën e shtetases Fluturie Potka, rreth 73 vjeçe, e cila si pasojë e asfiksisë, ka ndërruar jetë.

Shërbimet e policisë dhe të zjarrfikëses ndodhen në vendngjarje, për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

Grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkakun e rënies së zjarrit dhe për të bërë dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.

Kjo nuk është hera e parë që ndodhin të tilla ngjarje në vendin tonë. Edhe më herët janë shënuar raste të ngjashme, ku të moshuar që jetojnë vetëm, kanë ndërruar jetë pasi flakët kanë përfshirë banesën e tyre.

Protesta e fermerëve grekë, bllokohet sot aksi Kakavijë-Janinë

By: A R
15 January 2026 at 10:23

Aksi rrugor Kakavijë-Janinë do të jetë i bllokuar duke nisur nga ora 12:30 (me orën greke) si pasojë e protestave të fermerëve grekë.

Policia Kufitare e Kakavijës bën me dije se do të lejohen për qarkullim vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shtetërore, ndërsa kërkon mirëkuptimin e qytetarëve.

“Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 12:30 (me orën greke) deri në një njoftim të dytë, aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.

Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës”, thuhet në njoftim.

Protestat e fermerëve kanë paralizuar Greqinë prej javësh, duke bllokuar akse kombëtare në shenjë pakënaqësie për vonesat në dhënien e subvencioneve të Bashkimit Europian.

Fermerët janë shprehur se do të intensifikojnë protestat nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen nga qeveria greke.

Izraeli dhe Irani siguruan njëri-tjetrin përmes Rusisë: Nuk do të sulmojmë të parët!

By: A R
15 January 2026 at 09:57

Disa ditë para se të shpërthenin protestat në Iran në fund të dhjetorit, zyrtarët izraelitë njoftuan udhëheqjen iraniane përmes Rusisë se nuk do të ndërmerrnin sulme ndaj Iranit nëse Izraeli nuk do të sulmohej i pari. Të paktën kështu raporton Washington Post këtë të mërkurë.

Irani u përgjigj përmes kanalit rus se gjithashtu do të përmbahej nga një sulm paraprak, thanë diplomatë dhe zyrtarë rajonalë të njohur me shkëmbimin.

Komunikimet mes Izraelit dhe Iranit, dhe roli që Rusia luajti si ndërmjetëse, ishin të pazakonta duke pasur parasysh armiqësinë mes dy rivalëve të Lindjes së Mesme, të cilët u përfshinë në një luftë 12-ditore në qershor.

Por kontaktet pasqyronin dëshirën e Izraelit për të shmangur perceptimin se po përshkallëzonte tensionet ndaj Iranit ose se po udhëhiqte ndonjë sulm të ri kundër tij, në një kohë kur Izraeli po përgatitej për një fushatë të madhe ushtarake kundër Hezbollahut, milicia e lidhur me Iranin në Liban, sipas diplomatëve dhe zyrtarëve rajonalë.

Këto garanci private binin në kontrast me retorikën publike të Izraelit në fund të vitit të kaluar, kur zyrtarët e tij sugjeruan hapur mundësinë e sulmeve të reja ndaj Iranit për të frenuar atë që ata e quanin rimbushje të shpejtë të arsenalit të raketave balistike të vendit.

Edhe pse zyrtarët iranianë reaguan pozitivisht ndaj nismës izraelite, ata ishin të kujdesshëm për qëllimet e Izraelit, thanë dy zyrtarë të njohur me shkëmbimin e mesazheve. Irani besonte se edhe nëse garancitë izraelite ishin të sinqerta, ato linin të hapur mundësinë që ushtria amerikane të kryente sulme ndaj Iranit si pjesë e një fushate të koordinuar nga dy aleatët, ndërsa Izraeli po përqendronte fuqinë e tij vetëm ndaj Hezbollahut.

Megjithatë, “për Iranin, ishte një marrëveshje e mirë” të qëndronte jashtë çdo përplasjeje Izrael–Hezbollah, tha një zyrtar i lartë rajonal, i cili, si të tjerët të intervistuar për këtë raport, foli në kushte anonimiteti. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se mbështetja e Iranit për Hezbollahun, sidoqoftë, tashmë është ulur ndërsa Teherani përballet me trazira të brendshme.

Nuk është e qartë tani se si protestat e furishme në Iran javët e fundit, të cilat kanë sfiduar kontrollin e qeverisë, kanë ndryshuar llogaritjet e Izraelit dhe Iranit dhe nëse dy vendet do të respektojnë ende marrëveshjen e tyre private. Presidenti Donald Trump ka shqyrtuar sulme ndaj objektivave të regjimit iranian si përgjigje ndaj shtypjes së protestave, dhe çdo sulm mund ta shtyjë Iranin të hakmerret ndaj Izraelit, një aleat i SHBA-ve, thonë analistët.

Një zyrtar i lartë iranian i tha Reuters-it se nëse do të sulmohej, Irani do të hakmerrej ndaj bazave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, raportoi agjencia të mërkurën, pa përmendur Izraelin si një nga objektivat e mundshëm.

Nuk është e qartë gjithashtu nëse zyrtarët izraelitë do të tërhiqeshin nga garancitë e dhjetorit dhe do të bashkoheshin në një sulm të udhëhequr nga SHBA-të nëse do të shihnin një mundësi për të rrëzuar qeverinë iraniane. Ndërsa protestat shpërthyen në Iran, zyrtarët izraelitë i përshkruan përgatitjet e tyre ushtarake si mbrojtëse dhe zyrtarët e qeverisë e të sigurisë izraelite shmangën gjuhën hapur agresive. Në qershor, Izraeli ndërmori një sulm të papritur të gjerë kundër Iranit edhe pse negociatat bërthamore mes SHBA-ve dhe Iranit ishin në zhvillim.

27-vjetori i masakrës së Reçakut, Begaj: Ndërgjegjësoi komunitetin ndërkombëtar për gjenocidin që po ndodhte në Kosovë

By: A R
15 January 2026 at 09:47

Kosova shënon 27-vjetorin e masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më tragjike në historinë e vendit. Më 15 janar 1999, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të Shtimes, një akt i tmerrshëm që tronditi jo vetëm Kosovën, por edhe botën.

Presidenti i Kosovës, Bajram Begaj, në një deklaratë për këtë përvjetor, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje për historinë e Kosovës, duke kujtuar se denoncimi i masakrës nga Ambasadori William Walker, 27 vjet më parë, bëri thirrje për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve dhe ndihmoi në përshpejtimin e rrugës drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Sot përkujtojmë masakrën e Reçakut dhe nderojmë martirët e saj. Denoncimi i saj 27 vite më parë nga Ambasadori William Walker ndërgjegjësoi komunitetin ndërkombëtar për gjenocidin që po ndodhte në Kosovë. Ndërgjegjësimi solli Konferencën e Rambujesë, ndërhyrjen e NATO-s, lirinë, shtetin e Kosovës dhe paqen që sot e gëzojmë bashkërisht. Kjo masakër nuk mund të harrohet! Thirrja për drejtësi nuk mund të shuhet! Nderim martirëve! Mirënjohje aleatit tonë strategjik, SHBA-së”, shkruan Begaj.

Aktivitete të ndryshme përkujtimore do të zhvillohen gjatë ditës për të nderuar viktimat e masakrës dhe për të theksuar rëndësinë e paqes, drejtësisë dhe kujtesës kolektive. Masakra e Reçakut mbetet një simbol i vuajtjeve të popullit të Kosovës dhe një dëshmi e rëndësisë së drejtësisë në rikthimin e paqes dhe lirisë.

Kjo ngjarje tragjike është një kujtesë për të gjithë se përpjekjet për drejtësi dhe paqe duhet të vazhdojnë, duke nderuar gjithashtu aleatët që qëndruan krah Kosovës në momentet më të vështira të historisë së saj.

Hapet gara për numrin 2 të ‘FBI-së shqiptare’, kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët

By: A R
15 January 2026 at 09:37

Pas emërimit të Joni Ketës në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), pozita e Zëvendësdrejtorit ka mbetur vakant, duke krijuar një mundësi të mire pune për hetuesit e kualifikuar të brendshëm të institucioneve të sigurisë.

Ky post është vend kyç në strukturën e BKH-së, duke mbikëqyrur menaxhimin e burimeve njerëzore, koordinimin e aktiviteteve operative dhe administrimin e proceseve ndërinstitucionale. Kandidatët e interesuar duhet të demonstrojnë aftësi të forta në menaxhimin e stafit, në komunikim, në punën në grup dhe në ndërveprimet me institucionet e tjera shtetërore.

Për të marrë pjesë në këtë garë, kandidatët duhet të dorëzojnë një dosje të plotë dokumentesh që përfshin:

Kërkesën për aplikim – dokument formal që shpreh interesin dhe motivimin për të marrë këtë pozicion;

Platformën profesionale – një përshkrim të qartë të vizionit për rolin e Zëvendësdrejtorit, duke përfshirë menaxhimin e burimeve njerëzore, koordinimin institucional dhe strategjitë për përmirësimin e performancës së BKH-së;

Jetëshkrimin – një përmbledhje të përvojës profesionale dhe arritjeve në fushën e hetimit dhe menaxhimit;

Vlerësimin e fundit nga eprori direkt – për të pasqyruar performancën dhe kontributin në detyrat aktuale;

Çdo dokumentacion shtesë – certifikata, trajnim profesional, kualifikime akademike apo të tjera që mbështesin përgatitjen dhe aftësitë e kandidatit;

Certifikatën e njohjes së gjuhës angleze – për të dëshmuar aftësitë gjuhësore të nevojshme për bashkëpunim ndërkombëtar.

Dorëzimi i dokumenteve bëhet drejtpërdrejt në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore të BKH-së, dhe afati i fundit për aplikim është 22 janar 2026.

Autoritetet e BKH-së vlerësojnë rëndësinë e këtij konkursi për sigurimin e një drejtimi të kualifikuar dhe profesional të institucionit.

Ulen kuotat e lumenjve Drin dhe Bunë rreth 20 cm

By: A R
15 January 2026 at 09:33

Qarku Shkodër po shënon një përmirësim të dukshëm të situatës këtë të enjte, 15 janar, pasi kuotat e lumenjve Drin dhe Bunë kanë shënuar rënie rreth 20 cm.

Në njësitë administrative Dajç dhe Obot niveli i ujit është në rënie, ndërsa lëvizja aktualisht kryhet vetëm me mjete me kalueshmëri të lartë dhe jo më me varka

Në territorin e bashkisë Vau Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Nuk raportohen problematika apo situata emergjente. Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e vazhdueshëm.

Sipas të dhënave të administruara nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nivelet e ujit në pikat monitoruese vijojnë të jenë nën kuotat kritike, dhe paraqiten si më poshtë:

Lumi Buna, ura e vjetër e Pazarit: 8.40 m
Lumi Drin, ura e Bahçallëkut: 7.80 m
Lumi Buna, Dajç: 6.30 m

Hidrovoret e Velipojës vijojnë të funksionojnë normalisht në kuotën -1.90 m dhe punojnë në kapacitet të plotë, duke garantuar menaxhimin e prurjeve. Nga verifikimet në terren, argjinaturat dhe veprat e artit nuk paraqesin problematika dhe funksionojnë në kushte normale.
Reparti i Këmbësorisë së Veriut ka vijuar operacionin mbështetës dhe monitorues në fshatin Obot, Njësia Administrative Ana e Malit, ku janë angazhuar 15 forca dhe 2 mjete me kalueshmëri të lartë.

Sakaq, deri në këto momente nuk raportohen problematika në qarkullimin rrugor.

Në akset Qafë Mali–Fierzë dhe K.Hadroj–Qafë Bënës rekomandohet përdorimi i gomave dimërore dhe/ose zinxhirëve, në përputhje me kushtet atmosferike dhe standardet e sigurisë.

Kujtojmë se një ditë më parë, aksi Qafë THORE-Theth u bllokua plotësisht si pasojë e ortekëve pranë tuneleve panoramike, rreth kilometrit 5.5 të rrugës.

Sipas njoftimit të 12 janarit, nga Ministria e Mbrojtjes, Shkodra ishte një nga zonat më të prekura për nga pasojat e motit të keq në vend, ku rreth 500 hektarë tokë bujqësore përfunduan nën ujë.

Pas arratisjes së Altin Ndocit, 15 të burgosur zhvendosen nga Durrësi në Peqin, dalin pamjet

By: A R
15 January 2026 at 09:22

Pesëmbëdhjetë të burgosur me rrezikshmëri të lartë janë transferuar nga burgu i Durrësit drejt burgut të sigurisë së lartë në Peqin. Transferimi i tyre është kryer në mesnatë, nën masa të rrepta sigurie.

Vendimi për të transferuar më të rrezikshmit e të burgosurve nga burgu në qytetin bregdetar, erdhi pas arratisjes së Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit. Nga të gjithë të burgosurit, ata që konsiderohen më të rrezikshmit, u transferuan gjatë mbrëmjes së djeshme.

Altin Ndoci mbahej pa pranga, gjatë shoqërimit në Spitalin e Durrësit. Ai kërkoi të shkojë në tualet dhe gjatë kësaj kohe, goditi dy efektivët që e shoqëronin e arriti të largohej.

Policia vijon punën për të kapur të shumëkërkuarin për vrasje nga SPAK. Ndoci dyshohet se mund të fshihet në disa qytete të Shqipërisë, por ekziston dhe mundësia që të jetë larguar jashtë vendit. Ndoci akuzohet nga SPAK për vepra të rënda penale, ndër të tjera dhe për vrasje.

Ministria e Mbrojtjes thirrje të rinjve: Bëhuni pjesë e Forcave të Armatosura

By: A R
15 January 2026 at 09:19

Ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, sot në 15 janar iu bëri thirrje të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë të konsiderojnë një rrugë karriere të jashtëzakonshme duke u bashkuar me Forcat e Armatosura të vendit. Ai nënvizon se mbetet vetëm pak më shumë se 24 orë për të aplikuar në thirrjen e re të Qendrës së Rekrutimit, duke theksuar rëndësinë e shfrytëzimit të këtij afati.

“Zgjedhja për të shërbyer në Forcat e Armatosura nuk është vetëm një karrierë premtuese, por edhe një eksperiencë që formon karakterin dhe aftësitë tuaja. Përveç trajnimeve fizike dhe profesionale, kjo rrugë ofron mundësinë për të kontribuar direkt në sigurinë dhe mbrojtjen e vendit”, deklaron ministri Vengu.

Stërvitja bazë për kandidatët e pranuar do të zhvillohet nga data 9 shkurt deri më 17 prill 2026. Programi përfshin trajnim fizik dhe taktik, zhvillim aftësish profesionale, si dhe njohuri të thelluara mbi strukturën dhe funksionimin e Forcave të Armatosura. Pjesëmarrja në këtë trajnim është një hap i rëndësishëm drejt një karriere të qëndrueshme dhe të respektuar.

Të rinjtë dhe të rejat që dëshirojnë të aplikojnë mund të kontaktojnë për informacion shtesë në numrin e telefonit 00355 4 234 8588 ose përmes WhatsApp në +355 68 340 4896. Ministri Vengu i fton të gjithë të mos humbasin këtë mundësi unike për t’u bërë pjesë e një force të fuqishme dhe për të kontribuar në mbrojtjen e vendit.

“Shërbimi në Forcat e Armatosura është më shumë se një punë, është një mision dhe një mundësi për t’u rritur personalisht dhe profesionalisht”, përfundon ministri.

Afati i fundit për aplikim është 16 janar 2026.

Po transportonte 60 kilogramë kanabis që ishte planifikuar të shitej në Tiranë dhe Krujë, arrestohet 52-vjeçari

By: A R
15 January 2026 at 09:09

Një 52-vjeçar është vënë në prangat e policisë këtë të enjte (15 janar), pasi u kap duke transportuar një sasi të konsiderueshme kanabisi.

Sipas policisë, 52-vjeçari me inicialet A. M., banues në Krujë, u kap në flagrancë në fshatin Luz të Fushë Krujës, duke transportuar me automjet 60 kilogramë kanabis, të futur në 6 thasë. Lënda narkotike, me vlerë rreth 60 mijë euro, dyshohet se do të shitej në doza të vogla në Tiranë dhe në Krujë.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 1 celular, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Tiranë/Punë operacionale dhe hetime me metoda proaktive, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve. 

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Cargo”.  

Sekuestrohen 60 kilogramë lëndë narkotike kanabis.  

Vihet në pranga 52-vjeçari që u kap në flagrancë në fshatin Luz, duke transportuar me automjet, lëndën narkotike, me qëllim shitjen.   

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Cargo”, si rezultat i të cilit u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi:

-A. M., 52 vjeç, banues në Krujë.    

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në fshatin Luz, Fushë Krujë, automjetin me drejtues shtetasin A. M., në të cilin kanë gjetur 6 thasë me lëndë të dyshuar cannabis sativa, me peshë totale 60 kilogramë.

Nga  hetimet dyshohet se lënda narkotike (me vlerë rreth 60 000 euro) do të shitej në doza të vogla në qytetin e Krujës dhe në Tiranë.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 1 celular.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

15 janari i përgjakur, 27 vite nga masakra e Reçakut

By: A R
15 January 2026 at 09:02

Sot përkujtohet 27-vjetori i Masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më të rënda dhe më tragjike të luftës në Kosovë, e cila vazhdon të mbetet një plagë e pashëruar në kujtesën kolektive të qytetarëve.

Më 15 janar 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, të mbështetura nga formacione paramilitare, ndërmorën një ofensivë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, ku u vranë 45 civilë shqiptarë të paarmatosur. Vrasjet u kryen në mënyrë brutale, duke shkaktuar tronditje të thellë si brenda Kosovës ashtu edhe në opinionin ndërkombëtar.

Ngjarja mori jehonë botërore pas deklaratave të shefit të atëhershëm të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili, pasi vizitoi vendin e krimit dhe pa trupat e viktimave, e cilësoi masakrën si krim të rëndë kundër njerëzimit. Reagimi i tij u bë një pikë kthese në ndërgjegjësimin e komunitetit ndërkombëtar për dhunën sistematike ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Masakra e Reçakut u shndërrua në simbol të vuajtjes dhe sakrificës së popullit të Kosovës, por edhe në një moment vendimtar që ndikoi drejtpërdrejt në zhvillimet e mëvonshme politike dhe ushtarake, duke kontribuar në fundin e luftës.

Në kuadër të shënimit të kësaj dite përkujtimore, sot pritet të bëjnë homazhe krerët më të lartë të shtetit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, si dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Homazhe do të zhvillojë gjithashtu edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Mosmarrëveshje SHBA-Danimarkë për Groenlandën, Trump: Është jetike për sigurinë tonë, NATO të na udhëheqë ta arrijmë

By: A R
15 January 2026 at 08:51

Danimarka ka paralajmëruar për një “mosmarrëveshje themelore” me Shtetet e Bashkuara pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë mbi Groenlandën. Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, tha se takimi me zëvendëspresidentin JD Vance dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio ishte konstruktiv, por theksoi se këmbëngulja e presidentit Donald Trump për marrjen ose “pushtimin” e Groenlandës është e papranueshme.

“Presidenti i SHBA-së Trump po këmbëngulte në pushtimin e Grenlandës, gjë që ishte krejtësisht e papranueshme. E bëmë shumë, shumë të qartë se kjo nuk është në interes të Danimarkës,” tha ai.

Trump përsëriti interesin e tij për të blerë ishullin e pasur me burime, një pozicion që ka tronditur aleatët në të gjithë Evropën dhe ka nxitur tensione me NATO-n.

Sipas presidentit amerikan Groenlanda është jetike për sigurinë kombëtare të SHBA-së, ndërsa nuk ka përjashtuar as përdorimin e forcës ushtarake. Trump ka argumentuar se kontrolli i territorit është kritik për sistemin e tij të planifikuar të mbrojtjes nga raketat, Golden Dome.

“Është jetike për Kupolën e Artë që po ndërtojmë”, tha Trump në një postim në rrjetet sociale herët të mërkurën. “NATO duhet të jetë udhëheqëse që ne ta arrijmë atë.”

Takimi njëorësh midis SHBA-së, Danimarkës dhe Groenlandës nuk arriti të sjellë një përparim të madh, megjithëse të gjitha palët ranë dakord të ngrinin një grup pune të nivelit të lartë për të diskutuar të ardhmen e territorit autonom danez.

Danimarka dhe Groenlanda janë të hapura për bashkëpunim më të madh me SHBA-në, përfshirë praninë ushtarake, por kundërshtojnë çdo ide për marrjen e territorit.

Ndërkohë, disa vende evropiane, përfshirë Suedinë, Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, shprehën mbështetje për Groenlandën dhe Danimarkën mes rritjes së tensioneve gjeopolitike në Arktik.

Sondazhet tregojnë se shumica e banorëve të Groenlandës dhe amerikanëve kundërshtojnë kalimin e ishullit nën kontrollin e SHBA-së.

Gjoba ditore deri në 500 mijë lekë, ligji i ri me sanksione ndaj përmbajtjeve të dëmshme online

By: A R
15 January 2026 at 08:43

Gjoba që arrijnë deri në 500 mijë lekë për çdo 24 orë vonesë janë arma kryesore e ligjit të ri për të detyruar platformat dhe ofruesit e shërbimeve online të heqin përmbajtjet e dëmshme në internet.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, qeveria ka përcaktuar mekanizmin administrativ që i jep Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) kompetenca të drejtpërdrejta ndëshkuese ndaj subjekteve që nuk zbatojnë vendimet gjyqësore për mbrojtjen e viktimave nga dhuna digjitale.

Sipas vendimit, AKEP do të vendosë gjoba administrative nga 30 mijë deri në 500 mijë lekë për çdo 24 orë vonesë ndaj ofruesve të shërbimeve online që nuk heqin, bllokojnë ose fshijnë përmbajtje digjitale të përcaktuara si masa mbrojtëse nga gjykata. Këtu përfshihen, ndër të tjera, imazhet intime të publikuara pa pëlqimin e viktimës, llogaritë apo fjalëkalimet e përdorura për përndjekje, si edhe profilet ose lidhjet elektronike të përdorura për ngacmim.

Gjobat e vendosura nga AKEP përbëjnë titull ekzekutiv dhe derdhen në buxhetin e shtetit. Subjektet përgjegjëse përfitojnë një ulje automatike prej 15% të shumës së gjobës, nëse pagesa kryhet brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit. Ndërkohë, ligji parashikon të drejtën e ankimit brenda 45 ditëve në gjykatën administrative kompetente.

Përtej sanksioneve financiare, ligji zgjeron ndjeshëm juridiksionin territorial të autoriteteve shqiptare. Masat mbrojtëse dhe administrative zbatohen në territorin e Republikës së Shqipërisë, por AKEP dhe autoriteti rregullator i medias audiovizive mund të urdhërojnë heqjen, bllokimin ose kufizimin e përmbajtjes digjitale pavarësisht vendndodhjes së serverit apo ofruesit të shërbimit.

Në raste të caktuara, gjykata civile mund të shkojë edhe më tej, duke urdhëruar ndalimin e kontaktit online dhe offline, si dhe sekuestrimin e çdo mjeti digjital të përdorur për ushtrimin e dhunës, për sa kohë që këto mjete ndodhen brenda territorit të vendit.

Procedurat, formatet e kërkesës dhe mënyra e njoftimit elektronik për këto masa do të miratohen me një vendim të përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor, autoritetit përgjegjës për drejtësinë dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, duke synuar standardizimin dhe përshpejtimin e ndërhyrjeve në mjedisin digjital./Monitor.al/

❌
❌