Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 December 2025Java News

AKSHI nën hetim për tenderat, Rama: Ai është institucion krenarie, në shkurt dalim me E-Albania 2.0

By: A R
30 December 2025 at 12:53

Ne konferencen e fundvitit me gazetaret, kryeministri Edi Rama ka folur edhe për hetimet për drejtoreshën e AKSHI, Merlinda Karçanaj.

“Dorëheqje për AKSHI? AKSHI është një institucion krenarie për ne që të jemi shumë të qartë bashkë. Krenarie! Jo për të ulur kokën por për të qenë krenar, dhe është institucion për të qenë krenar sepse kemi qenë këtu ne kur të shkohej të mbahej radha për çdo letër dhe ata që kishit jashtë duhej të vinin këtu se s’kishin shans të merrnin një copë letër jashtë. 620 mln lekë ka kursyer AKSHI për shqiptarët”, tha Rama.

“Nëse BERZH e konsideron me progres të fortë Shqipërinë në administratë dhe shërbime publike, një rol të madh këtu ka AKSHI. Rrini, prisni se shumë shpejt, në shkurt do dalim me E-Albania 2.0 falë AKSHI-t dhe do shumë gjëra të reja për shqiptarët. E votojnë shqiptarët PS-në, jo bandat. Prandaj shqiptarët jashtë e votojnë masivisht PS-në se nuk flenë me zhurmën e tenxhereve në vesh.

U shkon dhe atyre tymi I tenxhereve, po rata e kuptojnë shumë mirë çfarë loje bëhet këtu. Në 2029 do llafosemi prapë. Të tjerat, secili bën punën e vet. Sa pika shiu ka këtu, secili bën punën e vet. Deri në 2029 me qeverinë e PS me 83 mandate në Kuvend”, shtoi ai.

“Agasi e rrahu Ulsiun me grushta”, Manja i përgjigjet Berishës: Për shpifjesi kjo, e ke leje ta përdorësh emrin tim!

By: A R
30 December 2025 at 12:46

Ulsi Manja i ktheu përgjigje kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili në foltore tha se Ergys Agasi, i akuzuar për pengmarrje nga SPAK, e kishte goditur me grushte ish-ministrin Manja.

“Sali, ktheje dhimbjen në forcë! Më thanë që më kishe qarë hallin dje në foltoren tënde buzë trotuarit. Të mirëkuptoj, Sali: kur më shumë lajm bën emri im dhe ty s’të ngjit më fjala, ke leje ta përdorësh emrin tim sa herë të duash. Për shpifje të rëndomta si kjo e “grushtave”, për përralla dimri, thashetheme pazari e kafenesh, për çfarëdo që t’i vijë mbarë moshës tënde”, lexohet në postimin e Manjës në Facebook.

“Nëse emri im të ndihmon të bësh lajm më shumë se Ervin Salianji, përdore emrin tim, se si i thonë fjalës, një rrugë e dy punë: ti tretësh çdo ditë e më shumë politikisht, ndërsa mua më shtohen ndjekësit në politikë”, shton Manja.

Shtyhet më 15 janar seanca gjyqësore ndaj të pandehurve të dosjes “Plumbi i artë”

By: A R
30 December 2025 at 12:40

Gjykata e Posaçme shtyu për më 15 janar seancën gjyqësore ndaj të pandehurve të dosjes “Plumbi i artë”.

Shkak i shtyrjes u bë mungesa e avokatëve të dy prej të penduarve në proces.

Ky shqyrtim gjyqësor ndodhet në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të kërkuar nga SPAK.

“SPAK, SPAK, SPAK…”/ Kryeministri: Opozita në depresion e përdor për të goditur qeverinë!

By: A R
30 December 2025 at 12:26

Pyetja e parë që iu bë kryeministrit Edi Rama në konferencën e fundit për vitin 2025 lidhej me punën e Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion (SPAK). Gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka, e pyeti edhe për protestat e opozitës të cilat janë planfikuar të mbahen edhe përgjatë 2026-ës, derisa siç ka deklaruar vetë kryedemokrati Sali Berisha, të rrëzohet qeveria.

Gazetarja Elja Zotka: A konsideroni SPAK-un opozitën tuaj të vërtetë dhe kur folët për një reflektim të kufijve mes pushteteve, a e kishit parasysh se mund të ketë një ndërhyrje në arkitekturën e reformës së drejtësisë së re?

Kryeministri Edi Rama: Meqë fjalën dhe kryefjalën dhe kallëzuesin e kundrinorin e keni SPAK, pikën e parë e keni SPAK-un, do përgjigjem natyrisht. SPAK-u nuk është opozita e qeverisë, është institucion i krijuar falë vullnetit të kësaj force qeverisëse. I garantuar nga kjo forcë qeverisëse, në sensin që të tjerë janë betuar se do ta shkrinin, por nuk e bëjnë dot sepse votat i kemi ne. Kështu që, nuk është opozitë e qeverisë, por depresioni i thellë në të cilin ndodhet opozita politike e qeverisë, bën që puna e SPAK-ut të jetë e vetmja pikë referimi e opozitës depresive për të goditur qeverinë.

Natyrisht, të 700 tenxheret, produktin e gjithë procesit e marrin dhe e ziejnë, gatuajnë 700 lloj gjellërash duke bërë diçka që nuk ndodh këtu për herë të parë, duke shfrytëzuar gjysmë të vërteta për të prodhuar një tym të jashtëzakonshëm që djeg sytë e publikut, që shurdhon publikun me presion dhe dezinformon publikun thellësisht.

Sa i përket protestave poshtë penxheres, i kemi ndarë punët prej shumë vitesh, unë dhe PS-ja në zyrë, të tjerët në rrugë. Në liritë njerëzore siç e patë, Shqipëria është në vend shumë dinjitoz dhe kjo është pjesë e lirive, s’kam problem unë me këto.

“Ne nuk jemi noterë të SPAK”, Rama për Ballukun: 16 mijë faqe s’janë prova, por arkiv! USB-në s’e ka tërhequr askush

By: A R
30 December 2025 at 12:17

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundit për mediat këtë vit, u ndal edhe tek çështja më e nxehtë e aktualitetit shqiptar, që lidhet me dosjen hetimore ndaj zëvendëskryeministres dhe njëherazi ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku.

Në konferencën para gazetarëve Rama tha se prokuroria dhe sistemi i drejtësisë erdhi te “dera jonë”, qeverisë”, duke shkelur kështu kompetencat e legjislativit. Rama tha se është mbajtur qëndrimi i duhur institucional nga ana e kabinetit qeveritar dhe paralajmëroi se i njëjti qëndrim do të vijojë të mbahet edhe ne Parlament.

Sa i takon dosjes hetimore me 16 mijë faqe, kryeministri e ironizoi duke thënë se nuk është gjë tjetër veçse arkivi i kryeministrisë, teksa shtoi se USB-ja e kryeministrisë nuk është tërhequr nga asnjë deputet i Parlamentit.

“Askush dhe askush tjetër nuk ka hyrë në përmbajtjen be rastit, por ky rast ndryshon nga rastet e tjera sepse ka ardhur tek ne, nuk është në rrugët e pushtetit gjyqësor. Dhe kur rasti vjen në derën tonë, të pushtetit legjislativ, atëherë pushteti legjislativ duhet të shprehet. Këshilli i Mandateve nuk është një zyrë noterie, dhe Parlamenti nuk noterizon kërkesat që vijnë. Nuk do të doja në fakt që të kishe përmendur 16 mijë faqe në prova sepse ajo më ka provokuar që ditën e parë.

Po të isha unë në Këshillin e Mandateve, do u thoja ikni dhe ejani me një dosje për deputetët e Parlamentit. 16 mijë faqet nuk janë produkt i hetimit dhe nuk kanë se si të jenë produkt i hetimit. Janë 16 mijë faqe ku është futur brenda arkivi i ministrisë. 16 mijë faqe një vandak me dokumente zyrtare dhe kjo është afërmendsh, nuk ka nevojë fare ta shohësh. USB-në e sjellë nga Prokuroria nuk e ka tërhequr asnjë deputet i Parlamentit dhe as ministrja apo avokati.

Nuk kemi të bëjmë me një ndryshim qëndrimi, por me një qëndrim shumë të duhur nga ana jonë, sepse rasti vjen në Parlament, u fut në territorin e pushtetit ekzekutiv, me një kërkesë skandaloze për pezullim, e pa ndodhur në historinë e botës. Rasti erdhi te ne dhe ne mbajtën një qëndrim institucional, edhe në Parlament do të mbajnë qëndrim, kjo nuk diskutohet”, tha kryeministri Rama.

Pse korrupsioni, dhuna dhe padrejtësia nuk na tronditin më

30 December 2025 at 12:11

Nga Rudina Koromani, Psikologe Klinike

Në Shqipëri – ashtu si në pjesën më të madhe të Ballkanit – nuk na mungojnë ligjet. Na mungon diçka shumë më thelbësore: kuptimi i ligjit. Dhe kur ligji nuk kuptohet, nuk përjetohet dhe nuk mendohet, e keqja nuk shpërthen me zhurmë. Ajo bëhet normale.

Hannah Arendt e përshkruan këtë proces në librin e saj të famshëm Eichmann in Jerusalem: A Report on the Banality of Evil (1963). Ajo tregon se e keqja moderne nuk kryhet domosdoshmërisht nga njerëz sadistë apo monstruozë, por nga individë “normalë” që ndalojnë së menduari. Jo së menduari teknikisht, por moralisht. Kur subjekti nuk pyet më veten “a është e drejtë?”, por vetëm “a është e lejuar?” ose “a më penalizon?”, e keqja humbet karakterin e saj skandaloz dhe kthehet në rutinë.

Psikanaliza e Jacques Lacan-it e shpjegon këtë fenomen nga një kënd tjetër, por me të njëjtin përfundim. Në Écrits (1966) dhe në seminarët e tij mbi ligjin dhe autoritetin (Le Séminaire, Livre VII: L’éthique de la psychanalyse), Lacan shpjegon se ligji funksionon vetëm kur është pjesë e asaj që ai e quan Rendi Simbolik.

Po çfarë është kjo Simbolikë, e cila shpesh tingëllon abstrakte?
Me fjalë të thjeshta, Simbolikja është sistemi i kuptimeve që i jep peshë fjalës, rregullit dhe autoritetit. Është arsyeja pse një ligj nuk është thjesht një kërcënim, por një kufi që pranohet. Kur ligji simbolizohet, ai nuk zbatohet vetëm nga frika, por nga bindja se mbron diçka të përbashkët. Kur kjo simbolikë shembet, ligji mbetet ose i dhunshëm, ose qesharak.

Massimo Recalcati, në librat e tij Il complesso di Telemaco (2013) dhe La legge della parola (2022), flet hapur për krizën bashkëkohore të ligjit simbolik. Sipas tij, shoqëritë moderne – dhe veçanërisht ato post-autoritare – nuk vuajnë nga mungesa e ligjit, por nga zbrazja e tij nga kuptimi etik. Ligji ekziston, por nuk besohet. Dhe ajo që nuk besohet, shkelet.

Kjo na sjell drejtpërdrejt te korrupsioni. Në Shqipëri, korrupsioni nuk perceptohet më si shkelje morale, por si aftësi për t’ia dalë. Ky është momenti kur ligji nuk simbolizon më drejtësinë, por pengesën. Kur ryshfeti quhet “nder” dhe abuzimi “zgjidhje”, kemi hyrë pikërisht në atë që Arendt do ta quante banalitet i së keqes.

Arsimi është vendi ku kjo krizë prodhohet në heshtje. Një sistem ku nota blihet, diploma relativizohet dhe mediokriteti shpërblehet, nuk po dështon thjesht administrativisht. Ai po dështon simbolikisht. Shkolla nuk transmeton më idenë e kufirit, të meritës dhe të përgjegjësisë. Ajo u mëson të rinjve se rregulli është i negociueshëm. Ky është terreni ideal për korrupsionin e së nesërmes.

Dhuna shfaqet aty ku ligji nuk ka më autoritet simbolik. Kur fjala, institucioni dhe drejtësia nuk kanë peshë, mbetet vetëm forca. Lacan do të thoshte se aty ku ligji nuk flet më, flet trupi. Dhe kjo shpjegon pse dhuna shpesh justifikohet me fraza si “nuk kishte rrugë tjetër” apo “kështu funksionon realiteti”.

Drejtësia, në këtë kontekst, kthehet ose në spektakël, ose në farsë. Ose përdoret për të frikësuar, ose perceptohet si selektive dhe e kapur. Recalcati paralajmëron se kur ligji perceptohet si i padrejtë, subjekti nuk ndjen më faj për shkeljen e tij.

Kjo është arsyeja pse korrupsioni, dhuna dhe padrejtësia nuk na tronditin më. Jo sepse jemi bërë më të këqij, por sepse kemi humbur lidhjen simbolike me ligjin. Dhe kur ligji nuk mendohet, e keqja nuk duket më si e keqe.

Nëse duam ndryshim real, ai nuk fillon vetëm me reforma dhe ndëshkime. Fillon me rikthimin e kuptimit të ligjit në gjuhën publike, në arsim dhe në institucione.

Nuk kemi më luksin ta trajtojmë ligjin si dekor institucional dhe skandalin si spektakël mediatik. Çdo herë që justifikojmë korrupsionin, relativizojmë arsimin, tolerojmë dhunën ose mosbesojmë drejtësinë, ne nuk po shkelim vetëm rregulla – po heqim dorë nga kuptimi i tyre. Dhe një shoqëri që heq dorë nga kuptimi i ligjit, heq dorë nga vetja.

Nëse duam ndryshim real, duhet të fillojmë tani: të kërkojmë që ligji të shpjegohet, të mësohet dhe të zbatohet si vlerë e përbashkët; që arsimi të mos prodhojë cinizëm, por përgjegjësi; që drejtësia të mos frikësojë, por të bindë. Sepse ligji që nuk kuptohet do të shkelet gjithmonë – dhe një shoqëri që mësohet me shkeljen, mësohet edhe me të keqen.

Rikthimi i kuptimit të ligjit nuk është çështje formulimesh juridike, por e gjuhës, e arsimit dhe e institucioneve. Do të thotë që ligji të shpjegohet si vlerë dhe jo vetëm si ndëshkim; të mësohet si kufi i drejtë dhe jo si pengesë për t’u anashkaluar; dhe të zbatohet në mënyrë të barabartë, që të besohet. Pa këtë, çdo ligj i ri mbetet një rregull tjetër për t’u shmangur, ndërsa çdo skandal shndërrohet në lajm të konsumuar dhe të harruar.

“Rriten me 135 euro pagat për mjekët” Rama: 15 milionë euro për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale

By: A R
30 December 2025 at 12:00

Për sektorin e shëndetësisë është parashikuar një fond i posaçëm prej 15 milionë eurosh si fillim për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvitit, ndërsa premtoi rritje page me 135 euro në muaj për mjekët. Ai njoftoi gjithashtu edhe njohjen e viteve të punës për punonjësit e shërbimit shëndetësor përsa i përket pagave dhe shpërblimeve.

“Kemi hedhur një hap domethënës në funksion të rritjes të kapacitetit të trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale. Kemi vendosur një fond të posaçëm prej 15 milionë eurosh si fillim dhe kemi filluar punën për 2 gjëra, krijimin e institutit kombëtar të tumoreve dhe rrjetëzimin e sistemit të kimioterapisë në një sërë spitalesh të tjera për të ulur fluksin që ka spitali në Tiranë dhe për të rritur ndjeshëm kapacitetin e shërbimit. Ka vazhduar rritja e pagave të punonjësve të shëndetësisë dhe është marrë një vendim i ri për të filluar dhe njohjen e vjetërsisë në punë të mjekëve dhe infermierëve duke rritur dhe shpërblimet në bazë të viteve. Në tërësi parashikohet që pagat për mjekët të rritet më 135 euro të tjera në muaj”, u shpreh Rama.

Sipas kreut të qeverisë nga shtatori i ardhshëm në QSUT do të ketë një godinë të posaçme për parkimin e automjeteve.

“Janë hapur dhe janë në proces godina multifunksionale e parkimit në QSUT që do të mbyllet në shtatorin e ardhshëm dhe do të transformojë tërësish QSUT duke hequr të gjitha makinat nga territori i spitalit që do të behet një park i madh dhe i bukur që do të jetë një rritje e cilësisë së shërbimit për pacientët”, tha Rama.

“Morëm sistem raketor Javelin”, Rama për Mbrojtjen: Sot ia kalojmë edhe Serbisë! Do prodhojmë dronë dhe…

By: A R
30 December 2025 at 11:54

Kryeministri Edi Rama u fokusua edhe te sektori i Mbrojtjes, ku theksoi se ky vit ka rilidhur industrinë ushtarake të Shqipërisë, një industri që u çmontua totalisht në fillim të viteve 1990. Ai theksoi se sot është e qartë se çdo vend ka nevojë të ketë bazën e tij industriale, dhe Shqipëria ka filluar të krijojë një të tillë.

Rama vuri në dukje tendencën pozitive të rritjes së angazhimit të të rinjve ndaj Forcave të Armatosura (FA), me objektivin që personeli aktiv të rritet me 30% deri në fund të këtij mandati. Ai theksoi gjithashtu se ushtria shqiptare është tashmë ushtria më e mirëpaguar në rajon, përfshirë edhe Serbinë.

“Ky vit ka rilindur industrinë tonë ushtarake që u çmontuar totalisht në fillim të 1990. Sot është e qartë se të gjitha vendet kanë nevojë të kenë bazën e tyre industriale dhe Shqipëria ka nisur ta bëjë këtë. Ndërkohë që kemi parë me pozitivitet edhe tendencën në rritje të qasjes së të rinjve ndaj FA ku objektivi është që personeli aktiv të rritet me 30 % deri në fund të këtij mandati. Kemi ushtrinë më të mirë paguar në rajonin tonë përfshirë edhe Serbinë”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se një nga arritjet më të rëndësishme është se Shqipëria po bëhet një prodhues i kapaciteteve ushtarake, duke i përdorur për nevojat e veta dhe duke i eksportuar jashtë.

Një hap tjetër i rëndësishëm është nisja e prodhimit të uniformave ushtarake “Made in Albania”, që do të përdoren fillimisht për ushtrinë shqiptare dhe më pas edhe për vendet e tjera.

“Ambicia kryesore është Shqipëria një vend prodhues të kapaciteteve ushtarake që jo vetëm ti përdorë për nevojat e veta por dhe të eksportojë kapacitete industriale ushtarake. Ky vit është vit historik për mbrojtjen pasi është hedhur hapi për prodhimin “Made in Albania” që do të nis që nga prodhimi i uniformave në radhë të parë për veten dhe pastaj për të tjerët. Do të prodhojmë mjete të blinduara”, tha Rama.

Rama theksoi gjithashtu se Shqipëria ka marrë një sistem raketor Javelin, duke e forcuar kështu kapacitetin mbrojtës të ushtrisë shqiptare dhe duke i afruar kapacitetet ushtarake të vendit me standardet më të larta ndërkombëtare.

“Më shumë siguri në shkolla”, Rama për arsimin: Në vitin 2026 nis zbatimi i kurrikulave të reja

By: A R
30 December 2025 at 11:48

Kryeministri Edi Rama tha para gazetarëve se viti 2026 do të shënojë nisjen e aplikimit të kurrikulave të reja në sistemin arsimor, duke e cilësuar këtë vit si një periudhë me “hapa të rëndësishëm në arsim”.

Në konferencën e fundit për mediat për këtë vit, Rama theksoi investimet në teknologji, infrastrukturë dhe siguri në shkolla, rritjen e numrit të laboratorëve inteligjentë, nisjen e projekteve të transportit dhe “smart city”, si dhe rishikimin e kurrikulave për arsimin parauniversitar dhe të lartë.

“Dy fjalë, lidhur me arsimin. Më vjen mirë që kemi bërë hapa të rëndësishëm këtë vit në arsim. Duke nisur nga fuqizimi i sistemit të teknologjisë në dispozicion të nxënësve. Ka shkuar në 350 numri laboratorëve inteligjentë. Do punohet për të patur 1000 brenda vitit 2027. Që do të sjellë një bazë shumë ndihmëse dhe domethënëse për të gjithë fëmijët dhe nxënësit. Ndërkohë ka vijuar ndërtimi infrastrukturës arsimore.

Ka nisur projekti i transportit, besojmë se duke nisur nga sezoni i ardhshëm arsimor do të futen në të gjithë sistemin. Është nënshkruar marrëveshja për smart city. Projekti francez në Korçë, ka avancuar pozitivisht është bërë gati struktura dhe është përfunduar edhe projekti i zbatimit të ndërtesës. Ndërkohë është dyfishuar numri i oficerëve të sigurisë në shkolla. 839 është numri I punonjësve sociale, mekanizëm për komunikim të drejtpërdrejtë mësues nxënës.

Ka nisur rishikimi i kurrikulave. Klasat I, VI dhe X nisin me kurikul të re vitin e ardhëm. Në arsimin e lartë janë bërë investime që vijojnë. Ka përfunduar faza e parë për studiot që do marrin pjesë në konkursin për universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës, janë 40 kompani që kanë shprehur interes. Vijon transformimi i Bujqësorit në Tiranë, për diploma te njehsuara me Universitetin e Bokut. Janë 252 projekte, ku numrin më të madh e ka Universiteti i Tiranës”, tha Rama.

Rama: Çdo biznes do të ofrojë pagesa elektronike, investime të reja në arsim dhe infrastrukturë

By: A R
30 December 2025 at 11:41

Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së fund vitit, prezantoi një pasqyrë të zhvillimeve kryesore të vitit 2025 si dhe prioritetet e qeverisë për periudhën në vijim, duke u ndalur te rritja ekonomike, zhvillimi i turizmit, investimet infrastrukturore dhe reformat në arsim.

Një nga pikat kryesore të konferencës ishte ulja e përdorimit të parasë cash në ekonominë shqiptare. Rama theksoi se deri në qershor të vitit të ardhshëm, të gjitha bizneset që operojnë në sektorin e turizmit dhe transportit do të duhet të ofrojnë forma alternative pagesash, përfshirë kartat bankare dhe pagesat elektronike. Sipas tij, brenda vitit të ardhshëm, kjo praktikë do të shtrihet në çdo biznes në vend, për t’u ardhur në ndihmë si qytetarëve ashtu edhe turistëve.

Kemi hapur një kapitull të tjetër me nevojën për të ulur keshin, në ndërveprimet ekonomike të vendit dhe janë vendosur disa limite por ajo që dua të theksoj deri në qershor të vitit të ardhshëm çdo biznes që operon në sektorin e turizmit dhe transportit duhet të garantojnë edhe forma të tjera për pagesat për qytetarët. Dhe brenda vitit të ardhshëm çdo biznes në Shqipëri duhet të garantoj forma alternative të pagesave në mënyrë që kushdo qoftë vendas apo turist të paguaj më kartë apo me pagese elektronike”, tha Rama

Në fushën e arsimit, Kryeministri vlerësoi progresin e bërë në modernizimin e shkollave dhe integrimin e teknologjisë. Aktualisht, 350 shkolla janë pajisur me laboratorë inteligjentë, ndërsa objektivi është arritja e 1000 laboratorëve deri në vitin 2027. Ai bëri të ditur gjithashtu se ka vijuar ndërtimi i infrastrukturës arsimore dhe ka nisur projekti i transportit shkollor me mjete të prodhuara në vend.

Sipas Ramës, këto masa janë pjesë e një vizioni më të gjerë për modernizimin e vendit dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Në lidhje me arsimin , më vjen shumë mirë kemi bërë hapa të rëndësishëm në arsim duke filluar nga fuqizimi i sistemimit te teknologjisë në dispozicion të nxënësve. Ka shkuar në 350 shkolla numri i pikave të laboratorëve inteligjent dhe do të punohet për të arritur objektin e shpallur me 1000 laborator brenda vitit 2027. Ka vazhduar ndërtimi i infrastrukturës arsimore, ka filluar projekti i transportit me mjete të prodhuara në vend dhe nga sezoni i ardhshëm arsim do të fusim në përdorim mjetet për mësuesit dhe nxënës në bazë të distancave. Ndërkohë është nënshkruar marrëveshja për smartcity që është një marrëveshje e sigurisë për shkollat”, u shpreh Rama.

Gurë të çmuar dhe sende të vjedhura me vlerë 1 milion euro, 4 të arrestuar në Milano, mes tyre 2 shqiptarë

By: A R
30 December 2025 at 10:59

Pas arrestimit të bandës së hajdutëve që po kryenin goditje në provinca të ndryshme, Policia italiane ka vënë në pranga “mendjet” përgjegjëse për rishitjen e mallrave të vjedhura.

Dy shqiptarë, një peruan dhe një italian u arrestuan si pjesë e një operacioni të Policisë Shtetërore italiane të koordinuar nga Prokuroria Publike e Milanos për goditjen e një aktiviteti ilegal të riciklimit të mallrave të vjedhura dhe pastrimin e parave, duke rezultuar në sekuestrimin e një milion eurove.

Të arrestuarit në burg janë dy shtetas shqiptarë të moshës 36 dhe 52 vjeç dhe një peruan 60-vjeçar, banorë të Milanos. Një italian 58-vjeçar është në arrest shtëpiak. Të gjithë mbahen përgjegjës, në shkallë të ndryshme, për krimet e marrjes së mallrave të vjedhura, pastrimit të parave dhe vetë-pastrimit.

Hetimi, i kryer nga Policia e Milanos, identifikoi katër individët si kontaktet kryesore të autorëve të vjedhjeve, të cilëve u shisnin bizhuteri, gurë të çmuar dhe ora me vlerë të lartë, të cilat më pas u rishitën si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Gjatë hetimit gjashtëmujor, ishin kryer disa hetime, duke përfshirë një urdhër arresti dhe një urdhër paraburgimi kundër pesë shtetasve shqiptarë përgjegjës për një seri vjedhjesh banesash të kryera në provinca të ndryshme të Lombardisë. Gjatë këtij hetimi, Policia e Shtetit rikuperoi mallra të vjedhura me një vlerë të vlerësuar prej afërsisht një milion eurosh.

Katër të dyshuarit u gjetën në shtëpitë e tyre përkatëse në provincën e Milanos. Pas kontrolleve të shtëpive të të katërve, policia rikuperoi afërsisht 6,000 euro, tre ora me vlerë të madhe, pajisje për peshimin e metaleve të çmuara, pajisje të shumta elektronike, katër makina të shtrenjta dhe 900 gramë bizhuteri ari.

Balla jep lajmin e trishtë, ndahet nga jeta ish-zv.Kryeministri socialist

By: A R
30 December 2025 at 10:48

Ish zv-kryeministri dhe ish-ministri i Bujqësisë, Zyhdi Pepa, është ndarë nga jeta.

Lajmi bëhet me dije nga kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla.

“Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste i shpreha sot ngushëllimet familjes së shokut dhe profesorit tonë Zyhdi Pepa, i cili u nda nga jeta.

Zyhdi Pepa ka përfaqësuar Partinë Socialiste si deputet në dy legjislatura, gjithashtu ka qenë Zëvendës Kryeministër dhe Ministër i Bujqësisë. U prehsh në paqe Profesor”, shkruan Balla.

Zyhdi Pepa ka shërbyer si ministër i Bujqësisë gjatë viteve 1991–1992, në një kohë kur bujqësia përbënte një nga sektorët më të ndjeshëm dhe jetikë të ekonomisë shqiptare.

Mandati i tij përkoi me proceset e para të reformimit ekonomik, privatizimit të tokës dhe riorganizimit të institucioneve shtetërore pas rënies së regjimit komunist.

Në të njëjtën periudhë, Pepa ka ushtruar edhe funksionin e zëvendëskryeministrit, duke qenë pjesë e qeverisë së stabilitetit që kishte për detyrë menaxhimin e tranzicionit politik dhe institucional të vendit.

Qeveria ku ai mori pjesë ishte e përbërë nga përfaqësues të spektrit të ndryshëm politik dhe synonte garantimin e rendit, reformave bazë dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira.

Ai ka ushtruar detyrën si zv.kryeministër dhe ministër i Bujqësisë në qeverinë e Ylli Bufit dhe më pas te Vilson Ahmeti.

Krishtlindja kthehet në tragjedi, nënë e bijë ndërrojnë jetë nga helmimi pas një darke familjare në Itali

By: A R
30 December 2025 at 10:43

Festimet e Krishtlindjeve të një familjeje në Itali u shndërruan në një makth pasi nënë e bijë humbën jetë pas një darke familjare.

Antonella di Ielsi, 50 vjeç, dhe Sara di Vita, 15 vjeç, vdiqën brenda pak orësh gjatë fundjavës në spitalin Cardarelli në Italinë jugore.

Sipas mediave italiane, shkaku i vdekjes dyshohet të jetë helmimi nga ushqimi pas një darke që familja hëngri më 23 dhjetor.

Menuja përfshinte kërpudha, peshk dhe ushqime deti, përfshirë midhje, pjata që shijohen tradicionalisht në rajon gjatë sezonit të Krishtlindjeve.

Nëna dhe vajza përjetuan të njëjtat simptoma, të përziera dhe dhimbje të forta barku, duke rezultuar në shtrimin e tyre në spital. 15-vjeçarja ishte e para që vdiq në orën 22:30 të mbrëmjes së të shtunës, e ndjekur nga nëna e saj, disa orë më vonë, të dielën në mëngjes.

Babai dhe bashkëshorti, Gianni, u dërgua gjithashtu në spital, i cili po trajtohet në njësinë e kujdesit intensiv në spitalin Spallanzani të Romës. Nëna dhe vajza kishin qenë në spital edhe dy herë të tjera më 25 dhe 26 dhjetor përpara se të ktheheshin në spital të shtunën me simptoma edhe më të rënda.

E vetmja e mbijetuar ishte vajza e dytë e familjes, 18 vjeç, e cila besohet se nuk kishte ngrënë në darkën fatale.

Policia mblodhi mostra ushqimore nga shtëpia e familjes, duke përfshirë produkte të konservuara dhe produkte të freskëta, për të përcaktuar se cili produkt mund të ketë shkaktuar helmimin.

Furnizimi me ujë në Vlorë, UK apel qytetarëve: Në 48 orët e para mos e përdorni për konsum dhe gatim

By: A R
30 December 2025 at 10:35

Ujësjellës-Kanalizime Rajoni Vlorë njofton qytetarët se riparimi i avarisë së rëndë në rrjetin e furnizimit me ujë ka përfunduar dhe sistemi i prodhimit është vendosur në funksion që prej orëve të para të mëngjesit.

Për 48 orët e para pas rikthimit të furnizimit, qytetarët këshillohen që ujin ta përdorin vetëm për përdorim të jashtëm, jo për konsum apo gatim.

“Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë, njofton qytetarët për përfundimin e riparimit të avarisë së rëndë në rrjetin e furnizimit me ujë. Sistemi i prodhimit është vendosur në funksion prej orëve të para të mëngjesit.

Zona 24 orëshe ka nisur furnizimin me ujë. Pjesa tjetër e qytetit do të furnizohet në orarin e pasdites. Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor do të ndjek protokollin zyrtar për kontrollin e cilësisë së ujit dhe matjen e parametrave.

Ne keto kushte kërkojmë mirëkuptimin tuaj që uji të përdoret vetëm për përdorim të jashtëm për 48 orët e para, jo për konsum dhe gatim. Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin e krijuar gjatë këtyre ditëve dhe ju falenderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj”, thuhet në njoftim.

Përgjimet dhe dëshmitë, si ushqim për gjyqin popullor

30 December 2025 at 10:22

Nga Ylli Manjani

Vendimet e masave të sigurisë janë ushqimi bazë për “drejtësinë popullore”.

Nuk di të ketë raste të tjera të ngjashme në perëndim, ku gjykatat për të justifikuar një masë arresti shkruajnë 200, 300, 400 e deri 500 faqe vendim.

Në fakt, gjykata në këto raste ka për detyrë të shpjegojë thjesht arsyet përse duhet aplikuar masa e sigurisë dhe përse kjo masë është në proporcion me nevojën, rrezikun e dështimit hetimor dhe lirisë  individit.  Sa faqe doni ti japim kësaj gjëje? 5, 10 ja maksimumi 20. Por kurrsesi 200 faqe e lart.

Në vendimet e gjykatave të masave të sigurisë do të gjeni çdo gjë, çdo thashethem apo hamendësim nën pretekstin “dyshim i arsyeshëm”, por vetëm arsyet përse njeriu duhet siguruar nuk thuhet, ashtu siç kërkon ligji me prova e arsye bindëse.

Tani pyetja lind, përse kaq shumë faqe të shkruara për një detyrë shumë më të thjeshtë?!

Gjykatat tona, veçanërisht GJKKO, mbush faqe të tëra vendimi me tekste përgjimesh; me thënie dëshmitarësh; me foto provash të cilat duhet të ruhen nga prokurori i çështjes në dosje si sytë e ballit.

Këto materiale hetimore, jo gjykatësit të masës po as gjykatësit që gjykojnë themelin e akuzës nuk duhet ti shikojnë paraprakisht. Të paktën përgjimet e dëshmitë jo.

Atëherë përse i shkojnë gjykatësit të masës?!  Përse ky i fundit i përfshin në mënyrë krejt të panevojshme në tekstin e një vendimi i cili sado ta ruash prap bëhet publik?! Se vendimet e gjykatave nuk sekretohen, siç sekretohet dosja hetimore dreqi e mori!

Sigurisht ka edhe të dhëna të tjera që nxjerrin prokurorët për të dëmtuar mbrojtjen e të hetuarve apo pandehurve, po shumica e atyre që thonë se “kam lexuar dosjen” në fakt lexojnë vendimet absurde të gjykatësve të masave të sigurisë, të cilat në thelb bëjnë përmbledhje të montuar përgjimesh, apo thënie të shkëputura dëshmish.

Përgjimet dhe dëshmitë janë super interesante për të bërë gjyq popullor. Dhe gjyq që nuk i jep asnjë shanc viktimës të mbrohet më publik jo e jo që s’mbrohesh dot se të shqyejnë, por as në sallën e gjyqit nuk mbrohesh sepse gjykata e ka dhënë verdiktin e saj që në fazën e hershme hetimore.

Pra ti gjykohesh nga një gjykatë që e ka paragjykuar bashkë me popullin(turmën) çështjen.

Kjo që ndodh sot në realitet nuk ka asnjë lidhje me proçesin e rregullt ligjor. Asnjë lidhje me hetimin e gjykimin e paanshëm e të drejtë. Asnjë, po asnjë lidhje!

Kjo është një situatë që kërkon saktësime ligjore shtesë që rrigin garancitë për proçes të rregull gjyqsor në sallën e gjyqit dhe jo në studiot e lajmeve.

Por ligji nuk mjafton.  Kërkohet saktësim i praktikës gjyqsore nga Gjykata e Lartë, duke vendosur kufinj të qartë të rolit të gjykatës dhe të mënyrës së administrimit të provave dhe të dhënave hetimore.

Dhe po, duhet të ketë edhe masa disiplinore për gjykatës që me vetëdije të plotë lejojnë nxjerrjen në publik, dmth vendimi i tyre është dokument publik, të të dhënave hetimore.

Drejtësia Popullore është dëmi më i madh që i vjen publikes. Edhe shkatërrimi popullor i individit është pjesë e dëmit publik.

Horoskopi / Surpriza, vendime të fshehta dhe emocione që ndryshojnë rrjedhën e jetës

By: A R
30 December 2025 at 10:14

Dashi
Energjia juaj është e lartë dhe ju shtyn të merrni iniciativa të reja. Kujdes me vendimet e nxituara, sidomos në marrëdhënie pune. Në dashuri kërkohet më shumë durim.

Demi
Fokusi është te stabiliteti dhe siguria. Një çështje financiare mund të marrë drejtim pozitiv nëse veproni me maturi. Në planin personal, kërkoni qetësi dhe harmoni.

Binjakët
Komunikimi është arma juaj më e fortë. Sot mund të sqaroni keqkuptime ose të hapni rrugë të reja bashkëpunimi. Në dashuri, sinqeriteti është thelbësor.

Gaforrja
Ndjeshmëria juaj është më e theksuar. Është një moment i mirë për t’u përqendruar te familja dhe mirëqenia emocionale. Mos i mbani brenda shqetësimet.

Luani
Ambicia dhe vetëbesimi ju ndihmojnë të dilni në pah. Një vlerësim ose lajm i mirë mund t’ju motivojë më shumë. Në marrëdhënie, shmangni dominimin e tepërt.

Virgjëresha
Detajet kanë rëndësi të veçantë sot. Organizimi dhe përkushtimi ju sjellin rezultate konkrete. Në jetën personale, përpiquni të mos jeni shumë kritikë.

Peshorja
Kërkoni ekuilibër mes detyrimeve dhe kohës për veten. Një bisedë e hapur mund të përmirësojë ndjeshëm një marrëdhënie të rëndësishme.

Akrepi
Intuita ju udhëheq drejt zgjedhjeve të sakta. Është ditë e favorshme për vendime të thella dhe ndryshime personale. Në dashuri, pasioni është i pranishëm.

Shigjetari
Optimizmi ju hap dyer të reja. Mundësi për udhëtime, mësim ose projekte kreative. Kujdes vetëm me premtimet që bëni.

Bricjapi
Puna dhe përgjegjësitë janë në plan të parë. Përkushtimi juaj vlerësohet, por mos harroni të gjeni kohë për pushim dhe reflektim personal.

Ujori
Ide të reja dhe mendim origjinal. Sot është moment i mirë për të ndarë vizionet tuaja me të tjerët. Në marrëdhënie, kërkohet më shumë fleksibilitet.

Peshqit
Ndjeshmëria dhe kreativiteti ju ndihmojnë të shprehni veten. Një situatë emocionale mund të qartësohet nëse i besoni instinktit tuaj.

Rikthimi i ujit në Vlorë, drejtori i UKV: Në orët e pasdites i gjithë qyteti kthehet në normalitet

By: A R
30 December 2025 at 10:02

Pas pesë ditësh pa furnizim me ujë dhe protestës së qytetarëve të mbajtur një ditë më parë, situata në Vlorë po shkon drejt normalizimit.

Drejtori i Ujësjellësit Vlorë, Ermal Murati, në një prononcim për gazetarin e Top Channel, Mikel Marsi, deklaroi se defekti i rëndë është drejt zgjidhjes dhe se qyteti pritet të kthehet plotësisht në normalitet gjatë orëve të pasdites.

Sipas tij, pajisja e dëmtuar është tashmë funksionale dhe situata po monitorohet vazhdimisht. Aktualisht, një pjesë e qytetit po furnizohet me ujë, ndërsa depot po mbushen për të garantuar furnizim të plotë në vijim.

“Pajisja e vendosur tashmë është në rregull. Situata është monitoruar dhe jemi mirë. Po furnizohet një pjesë e qytetit, ndërsa depot janë duke marrë ujë. Ishte një dëmtim shumë i rëndë, por tashmë mund të themi që jemi në fund të avarisë, fatmirësisht. Pati një angazhim maksimal nga të gjithë: AKUK, bashkia dhe Qeveria Shqiptare. Ndjesë qytetarëve për problematikën. Natyrisht që më pas do të ketë një vlerësim për të gjithë këtë situatë”, u shpreh ai.

Mungesa e ujit për disa ditë me radhë nxiti reagimin e banorëve të Vlorës, të cilët dje dolën në protestë, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për furnizimin me ujë të pijshëm.

Nis hetimi/ Gara kthehet në tragjedi, u mbyt nga shalqiri, 37-vjeçari vdes në sy të gruas

By: A R
30 December 2025 at 09:57

Një garë argëtuese për ngrënien e shalqirit në Brazil u shndërrua në tragjedi, kur një burrë 37-vjeçar humbi jetën pasi u mbyt gjatë konkurrimit, para syve të bashkëshortes së tij. Sipas mediave lokale, ngjarja ndodhi më 11 dhjetor në një vendpushim në Sao Pedro. Viktima, Carlos Cerasoma, kishte marrë pjesë në një konkurs ku pjesëmarrësit duhej të hanin sa më shpejt një copë shalqiri, pa përdorur duart, për të fituar një çmim simbolik – një porcion patate të skuqura.

Vetëm pak minuta pas nisjes së garës, 37-vjeçari filloi të shfaqte shenja mbytjeje. Një roje plazhi u thirr menjëherë, ndërsa disa persona të pranishëm tentuan t’i jepnin ndihmën e parë dhe të kryenin reanimim kardiopulmonar (CPR).

Pavarësisht përpjekjeve, Cerasoma u dërgua me urgjencë në spital, ku fatkeqësisht ndërroi jetë. Shkaku i vdekjes u regjistrua si asfiksi, si pasojë e bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes.

Bashkëshortja e tij, Kimberly Santos, deklaroi për mediat se tavolina e përdorur në garë ishte shumë e ulët për gjatësinë e burrit të saj, duke e detyruar atë të përkulej më shumë se normalisht, çka sipas saj mund të ketë ndikuar në incident. Ajo theksoi gjithashtu se në vendngjarje nuk kishte ekip mjekësor dhe se ndihma u ofrua vetëm nga kalimtarë të rastësishëm.

Sipas raportimeve lokale, Kimberly Santos ka shprehur synimin për të ndërmarrë veprime ligjore, me qëllim hetimin e plotë të rrethanave në të cilat ndodhi kjo tragjedi.

“Kujdes nga mesazhet në Whatsap…”, Policia e Shtetit, paralajmërim për fushatë mashtruese

By: A R
30 December 2025 at 09:49

Policia e Shtetit ka paralajmëruar qytetarët për qarkullimin e një fushate mashtruese (phishing) në platformën “WhatsApp”.

Këto mesazhe paraqiten si kërkesë për votim për çmimin e parë të një burse falas, në favor të një personi të afërt me dërguesin, i cili dyshohet se mund të ketë rënë më parë pre e këtij mashtrimi, duke sjellë më pas përhapjen e mesazhit te kontaktet e tij.

Mesazhet synojnë marrjen e kontrollit të llogarisë në aplikacionin “WhatsApp”, duke i drejtuar përdoruesit drejt faqeve të rreme dhe duke i nxitur të vendosin kode verifikimi, të cilat përdoren nga autorët për të përvetësuar llogarinë, përcjell A2.

⚠ Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve:

• Të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, edhe kur mesazhi iu shkon nga kontakte të njohura;

• Të mos japin kode verifikimi, fjalëkalime apo të dhëna personale;

• Të aktivizojnë verifikimin me dy hapa (Two step verification) në aplikacionin “WhatsApp”;

• Të raportojnë çdo rast të dyshimtë pranë strukturave të Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit po monitoron situatën dhe fton qytetarët të tregojnë kujdes maksimal ndaj mesazheve që ofrojnë votime, çmime apo përfitime të menjëhershme.

Kërkimi shkencor në hije, pse 0,3% e PBB-së nuk mjafton për zhvillimin afatgjatë

By: A R
30 December 2025 at 09:38

Shqipëria ka alokuar në vitin 2024 rreth 0,3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për aktivitetet e kërkimit shkencor dhe zhvillimit, sipas statistikave të publikuara për herë të parë nga Instituti i Statistikave (INSTAT) sot .

Të dhënat tregojnë një nivel të ulët të financimit publik për kërkimin dhe inovacionin, në një kohë kur këto fusha konsiderohen kyçe për rritjen afatgjatë dhe konkurrueshmërinë ekonomike të vendit

Pjesa dërrmuese e fondeve të buxhetit të shtetit është përqendruar te institucionet e arsimit të lartë, të cilat kanë përfituar 54,7% të totalit të financimeve për kërkim dhe zhvillim. Pas tyre renditet sektori qeveritar me 43,8%, ndërsa OJF-te kane përfituar vetëm 1,5% të fondeve të alokuara.

Sipas klasifikimit të objektivave socio-ekonomike (NABS), mbi gjysmën e fondeve, 52,6% janë orientuar drejt “përmirësimit të përgjithshëm të njohurive”, përmes kërkimit dhe zhvillimit të financuar nga universitetet. Ky orientim tregon se prioriteti kryesor i financimit publik mbetet mbështetja universiteteve, më shumë sesa zhvillimi i kërkimit të aplikuar apo projekteve të lidhura drejtpërdrejt me sektorët ekonomikë.

Të dhënat e INSTAT-it tregojnë gjithashtu se fusha si arsimi, energjia, bujqësia, shëndetësia dhe teknologjia industriale marrin vetëm një pjesë relativisht të vogël të fondeve totale, ndërsa investimet në kërkim për transportin, telekomunikacionin dhe infrastrukturën mbeten të kufizuara.

Strukturë aktuale e financimit nuk shkon në projekte të orientuara nga nevojat konkrete të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.

INSTAT klasifikon “Kërkimi dhe Zhvillimi (K&Zh)” një punë kreative dhe sistematike e ndërmarrë me qëllim të rritjes së stokut të njohurive, duke përfshirë njohuritë për njerëzimin, kulturën dhe shoqërinë dhe për të krijuar aplikacione të reja nga njohuritë e fituara.

Kërkimi shkencor përfshin punën kreative dhe hulumtimin origjinal të ndërmarrë mbi baza sistematike për të fituar njohuri të reja, duke përfshirë njohuritë për njerëzimin, kulturën dhe shoqërinë.

Të dhënat e përpunuara nga INSTAT lidhen me parashikimet e buxhetit, jo me shpenzimet në fund të vitit kalendarik.

Marrë nga Monitor

❌
❌