Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 January 2026Java News

Tragjedia në Zvicër/ Von der Leyen: BE do të ofrojë ndihmë mjekësore

By: Os De
1 January 2026 at 20:55

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen ka shprehur dhimbjen dhe solidaritetin pas tragjedisë së ndodhur në një klub nate në Crans-Montana, në Zvicër. 

“Jam thellësisht e trishtuar nga zjarri në Crans-Montana. Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë të prekurit. Po punojmë me autoritetet zvicerane për t’u ofruar ndihmë mjekësore viktimave përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së. Evropa është në solidaritet të plotë me Zvicrën”, shkroi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen në X. 

 

VIDEO- Pukë, një banesë shkrumbohet nga zjarri, familja me 5 anëtarë mbetet e pastrehë! Shkak..

By: Os De
1 January 2026 at 20:50

Flakët e zjarrit kanë përfshirë një banesë në Gjegjan të Pukës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Haxhiaj të njësisë administrative Gjegjan, teksa mësohet se largësia e zonës me qendrën e Pukës dhe terreni e bën të pamundur ndërhyrjen në kohë të shërbimit zjarrfikës. 

Nga zjarri është djegur plotësisht banesa. Fatmirësisht nuk ka pasur lëndime për anëtarët e familjes Ndoj.  

Si pasojë e zjarrit që përfshiu banesën e Zef e Pjetër Ndoj, 5 anëtarët e familjes kanë mbetur nën qiell të hapur. 

Shkak për zjarrin paraprakisht dyshohet një shkëndijë elektrike. 

Aksidenti tragjik që i mori jetën 3 të rinjve, reagon Bashkia Tepelenë: Ngushëllime familjarëve

By: Os De
1 January 2026 at 20:45

Bashkia Tepelenë ka reaguar pas aksidentit tragjik në aksin ‘Gjirokastër-Tepelenë’ ku humbën jetën tre të rinjtë, Martin Dulaj, Anxhelo Ruçi dhe Klajdi Myftari.

Në njoftimin zyrtar, Bashkia shpreh ngushëllime për familjarët dhe të afërmit e viktimave. 

Postimi i Bashkisë Tepelenë: 

‘Ngjarja e rëndë e ndodhur në këtë ditë të vitit ka tronditur thellë gjithë komunitetin e Tepelenës.  Ky fillim viti na gjen të pikëlluar, jo për një lindje apo gëzim, por për humbjen e parakohshme të tre të rinjve, bij të këtij qyteti të vogël. 

Me hidhërim të thellë dhe në emër të Bashkisë Tepelenë, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e Martinit, Anxhelos dhe Klajdit, si edhe për të afërmit, shokët e miqtë e tyre. 

Zoti ju dhëntë forcë, durim dhe kurajo për të përballuar këtë tragjedi të rëndë. Kujtimi i tyre do të mbetet i paharruar në zemrat e të gjithëve. Ceremonia mortore do të bëhet për: Martin Dulaj në fshatin Veliqot ora 11.00, Anxhelo Ruçi në varrezat e qytetit Majkosh ora 11.00, Klajdi Myftari në varrezat e qytetit Majosh ora 12.00’, thuhet në njoftim. 

Holandë, dhunë ndaj policisë gjatë natës së Vitit të Ri/ Dy persona humbin jetën e dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur

By: Os De
1 January 2026 at 20:40

Policia holandeze u përballë me një nivel dhune të paprecedentë gjatë natës së Vitit të Ri, duke u sulmuar me fishekzjarrë dhe shpërthime të tjera, ndërsa dy persona humbën jetën gjatë incidenteve. 

Një djalë 17-vjeçar dhe një burrë 38-vjeçar u vranë, ndërsa në Gjermani dy adoleshentë 18-vjeçarë humbën gjithashtu jetën nga fishekzjarrët e bëra vetë. 

Sulmet ndaj policisë dhe zjarrfikësve u regjistruan në të gjithë vendin. Në Breda, policia u sulmua me bomba molotovë, ndërsa në Rotterdam, u trajtuan 14 pacientë për lëndime të syve, përfshirë 10 të mitur, ku dy prej tyre iu nënshtruan operacionit. 

Kryetarja e Sindikatës së Policisë Holandeze, Nine Kooiman, tha se ajo u sulmua vetë dhe e përshkroi dhunën si “të paprecedentë”. 

Autoritetet paralajmërojnë se nga viti 2026 do të hyjë në fuqi ndalimi i fishekzjarrëve, ndërsa sipas Shoqatës Holandeze të Piroteknikës, këtë vit janë shpenzuar 129 milionë euro për to. 

 

 

Zjarri në Zvicër/ “Jemi në gjendje shoku!” Dy vajza të reja i shpëtuan tragjedisë, u larguan sapo panë flakët

By: Os De
1 January 2026 at 20:32

Në Crans-Montana, ka lëvizje të vazhdueshme të të rinjve dhe familjeve, në kërkim të lajmeve për fëmijët e tyre. 

‘Vajzat janë në gjendje shoku, ju lutem lërini të qeta’, i drejtohet me ton të qetë një baba gazetarëve. Dy vajza në të 20-tat, kishin mbërritur më 30 dhjetor nga Chiuso-Ossola për të festuar Vitin e Ri. 

Ato po hynin në lokal përmes një shkalle. Sapo vendosën këmbën në shkallë, panë flakët dhe arritën që të ikin.  

Një vajzë tjetër, ndaloi pak para hyrjes. 

‘Dëgjova dikë duke thirrur zjarr, zjarr dhe u fshehëm», tregon ajo. 

Nga sot fillon bonus-malus, sigurim më i shtrenjtë i mjetit për drejtuesit që kanë shkaktuar dëme

By: Os De
1 January 2026 at 20:21

Duke filluar nga 1 janar 2026, do të nisë aplikimi i sistemit bonus-malus në sigurimin e detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. 

Sistemi bonus-malus nënkupton prime më të shtrenjta sigurimi, krahasuar me ato aktuale, për ata drejtues mjetesh që kanë shkaktuar dëme dhe prime më të ulëta për drejtuesit që nuk kanë shkaktuar dëme. 

Megjithatë, sipas ekspertëve të tregut, ndryshimi do të jetë shumë më i madh në rastin e drejtuesve që kanë shkaktuar dëme (malus), ndërkohë që zbritja për drejtuesit pa histori dëmesh (bonus) pritet të jetë në përmasa modeste. 

Në vitin 2024, AMF miratoi rregulloren “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”. Kjo rregullore hyri në fuqi në 1 janar 2025, por në vitin e parë të zbatimit ndër faktorët e riskut nuk u përfshi parimi bonus-malus, duke u shtyrë për në vitin 2026. 

Në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë ndjekin disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit dhe vjetërsia e mjetit. 

Aplikimi i sistemit bonus-malus është i parashikuar në ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që ka hyrë në fuqi qysh në vitin 2021. Megjithatë, ligji e parashikon si të drejtë të kompanive të sigurimit, por jo një detyrim. Zbatimi i parimit bonus-malus u bë i mundur vetëm pas miratimit të rregullores “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”. 

Edhe me miratimin e kësaj rregulloreje, tregu i këtij produkti nuk po shfaq konkurrencë të mirëfilltë dhe primet e sigurimit janë pothuajse të njëjta në të gjitha kompanitë. 

Ndarja e tregut të sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta është pothuajse e pandryshuar edhe këtë vit. Sipas informacionit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për 9-mujorin 2025 tregu i këtij produkti kryesohet nga Sigal, me 20.64% të primeve të shkruara bruto, nga 20.6% që mbante një vit më parë. Ndjek Eurosig, me 15.19% (nga 15.25% një vit më parë) dhe Sigma, me 14.59% (nga 14.6% një vit më parë). 

Edhe për kompanitë e tjera, ndryshimi i pjesës së tregut është i papërfillshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 

Problemi i konkurrencës në tregun e TPL-ve u ngrit edhe këtë vit gjatë raportimeve në Kuvendin e Shqipërisë nga AMF dhe Autoriteti i Konkurrencës. Deputetët nënvizuan se ngrirja e ndarjes së tregut mes kompanive për këtë produkt është një fakt që tregon qartë mungesën e konkurrencës efektive./ Monitor 

 

 

 

Liturgji hyjnore festive për Rrethprerjen e Zotit dhe Shën Vasilin e Madh, 70 vjet jetë dhe dëshmi e Kryepeshkopit Joan

By: Java News
1 January 2026 at 20:16

Me shkëlqim dhe përkushtim u kremtua sot Liturgjia Hyjnore festive në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë, me rastin e festës së Rrethprerjes së Zotit dhe kujtimit të Shën Vasilit të Madh. 

Liturgjia u krye nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, së bashku me Mitropolitin e Beratit, Hirësi Astin, dhe klerikë të Kryepeshkopates. 

Në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, Kryesekretari i Sinodit të Shenjtë, Arkimandriti Ignat Todri, në emër të klerikëve dhe besimtarëve të Kishës Orthodhokse, përcolli urime të përzemërta për 70-vjetorin e Kryepiskopit Joan, duke vlerësuar jetën dhe shërbesën e tij si hierark, bari dhe dëshmitar i besimit në kohë të vështira. 

Në fjalën e tij u theksua rrugëtimi i Fortlumturisë së Tij nga vitet e përndjekjes fetare, pjesëmarrja në Kishën e nëndheshme, formimi theologjik, shërbesa shumëvjeçare në Mitropolinë e Korçës, deri te thirrja për të drejtuar Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. 

Urime dhe bekime përcolli edhe Hirësi Asti, Mitropoliti i Beratit. 

Më pas, Kryepeshkopi Joan drejtoi Dhoksologjinë për Fillimin e Vitit të Ri, duke iu lutur Zotit, Krijuesit dhe Zotit të shekujve, që të bekojë vitin e ri dhe popullin e Tij. 

Atmosfera festive u pasurua edhe nga përvjetori i 70-të i lindjes së Kryepiskopit Joan, i cili feston ditëlindjen më 1 janar. Në Qendrën Sinodike, pranë Katedrales, klerikë dhe besimtarë morën pjesë në pritjen tradicionale, ku Fortlumturia e Tij bekoi dhe ndau kekun e Shën Vasilit të Madh. 

Kryepeshkopi Joan mori urime nga Patriarkë të Kishave simotra, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij z. Bajram Begaj, Kryeministri, ministra, deputetë, akademikë dhe personalitete të shquara të vendit. 

Rrugëtimi i Kryepeshkopit Joan – nga njohja me besimin në kohën e komunizmit, studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kthimi në Shqipëri për ringritjen e Kishës Orthodhokse, shërbesa 27-vjeçare në Korçë dhe deri te froni i Kryepiskopit – mbetet një dëshmi e gjallë e hirit të Perëndisë dhe e përkushtimit ndaj Krishtit dhe Kishës. 

 

U shpall klinikisht i vdekur/ Familja e 44-vjeçarit merr vendimin e guximshëm, dhuron organet në Ditën e Vitit të Ri

By: Os De
1 January 2026 at 20:14

Familja e një burri 44-vjeçar, i cili u shpall klinikisht i vdekur në Spitalin “Agios Dimitrios” në Selanik, mori vendimin e guximshëm për të dhuruar organet e tij, duke i dhënë shpresë të tjerë njerëzve.

44-vjeçari po trajtohej për një hemorragji cerebrale në repartin e kujdesit intensiv, dhe kur mjekët konfirmuan se ai kishte vdekur në tru, të afërmit e tij vendosën të vazhdonin jetën e të tjerëve përmes dhurimit të organeve.

Procedurat për heqjen e mëlçisë dhe të dy veshkave filluan në orën 4 të mëngjesit të Ditës së Vitit të Ri, me kirurgët e transplantimit të Spitalit “Hipokrati” që punuan pa ndërprerje për të siguruar që organet të mund të shpëtonin jetë.

Sipas raportimeve, një pacient 50-vjeçar po i nënshtrohet transplantit të mëlçisë, ndërsa tashmë janë identifikuar marrësit për dy veshkat, për të cilët po kryhen analizat për përshtatshmërinë.

Ministri i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, vlerësoi aktin e familjes, duke e cilësuar si një shembull madhështie shpirtërore:

“Në ditën e Vitit të Ri, disa njerëz treguan madhështinë e shpirtit duke dhuruar jetë për të tjerët përmes humbjes së të dashurve të tyre. Kirurgët e Spitalit Hipokrati punuan pa orar dhe pa pushim për të sjellë shpresë dhe jetë. Urime stafit tonë të spitaleve që punon për të shpëtuar jetë, pa marrë parasysh festat dhe sakrificat personale!”

Kosovë, rifillon procesi i numërimit të votave për kandidatët

By: Os De
1 January 2026 at 20:04

Të enjten, në ora 16:00, në 11 komuna ka rifilluar procesi i verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.

Qendrat Komunale të Numërimit, në të cilat ka rifilluar procesi, u takojnë këtyre komunave: Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj, dhe Suharekë.

Numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara nga të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit është mbi 2,009 nga 2,557 vendvotime apo më shumë se 78.57%.

27 komunat me 1,033 vendvotime, të cilat kanë përmbyllur aktivitetet të mërkurën ne mesdite janë: Mamushë (6), Shtërpcë (17), Junik (6), Hani i Elezit (11), Kllokot (8), Partesh (7), Mitrovicë e Veriut (22), Novobërdë (23), Zveçan (11), Viti (64), Zubin Potok (15), Ranillug (10), Dragash (57), Istog (62), Obiliq (33), Gllogoc (73), Deçan (51), Shtime (34), Klinë (63), Kamenicë (50), Fushë Kosovë (62), Leposaviq (25), Graçanicë (33), Vushtrri (95), Rahovec (78), Skënderaj (72) dhe Kaçanik (45).

Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat janë duke u transmetuar në platformën e KQZ-së për rezultate.

Ç’presim nga viti ekonomik 2026?

1 January 2026 at 19:58

Nga Fatos Çoçoli 

Pas vitit 2025 që konsolidoi rritjen ekonomike, qëndrueshmërinë makroekonomike dhe orientimin europian të Shqipërisë, viti 2026 që sapo hyri pritet të jetë një vit i thellimit të zhvillimit.

Në këtë vit, përfitimet nuk do të maten vetëm me norma rritjeje, por me cilësinë e rritjes. Me ndikimin tek qytetarët dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të ekonomisë.

Rritje ekonomike më e qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse

Për këtë vit,  2026, rritja ekonomike pritet të jetë më pak e varur nga faktorë ciklikë dhe më shumë e mbështetur në investime publike dhe në ato private afatgjata, në zgjerimin e sektorëve prodhues dhe në rritjen e shërbimeve me vlerë të shtuar. Kjo do të thotë një ekonomi që rritet jo vetëm “më shpejt”, por edhe më drejt.

Viti 2026 pritet të shënojë rritje të investimeve të huaja direkte në energji, infrastrukturë, turizëm elitar dhe teknologji, si dhe interes më të madh për Shqipërinë si destinacion afër Tregut të Përbashkë europian. Ky vit do të sjellë përhapje më të gjerë të teknologjisë digjitale në biznes dhe administratë. Kjo do të rrisë njohuritë, standardet dhe so sjellë paga më të mira.

Punësim më i mirë dhe paga më të larta

Një nga përfitimet kryesore të vitit 2026 pritet të jetë shtimi i kërkesës për fuqi punëtore të kualifikuar, duke shkaktuar presion pozitiv për rritje pagash, veçanërisht në ndërtim, industri, shërbime profesionale dhe teknologji, si dhe ulje graduale të informalitetit, përmes digjitalizimit dhe kontrolleve më të zgjuara të administratës tatimore .

Ekonomia pritet të shpërblejë më shumë aftësinë dhe profesionalizmin.

Në 2026, projektet infrastrukturore do të jenë motorë zhvillimi. Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës që do të përfundojë do ta lidhë më Shqipërinë me tregjet e rajonit dhe BE-në, duke përmirësuar logjistikën, duke lehtësuar eksportet dhe ulur kostot për biznesin. Kjo e bën ekonominë shqiptare më të hapur dhe më konkurruese.

Me rritjen e punësimit dhe pagave, si dhe me shtesat mujorë për pensionistët, konsumi familjar pritet të forcohet. Bizneset e vogla dhe të mesme do të përfitojnë nga kërkesa më e qëndrueshme dhe besimi i qytetarëve tek e ardhmja ekonomike e vendit pritet të rritet. Ekonomia e 2026-s synon të jetë më pranë jetës reale të njerëzve.

Nëse ruhet kujdesi makroekonomik i Bankës së Shqipërisë dhe kjo është e garantuar, inflacioni pritet të mbetet i moderuar, ndërsa kreditimi për biznesin dhe qytetarët të jetë më i lehtë. Kjo krijon një mjedis më të parashikueshëm për investime dhe plane afatgjata.

Afërsia me Bashkimin Europian si avantazh ekonomik

Viti 2026 pritet të forcojë harmonizimin e standardeve me BE-në, rritjen e eksporteve drejt tregjeve europiane dhe përmirësimin e klimës ligjore dhe institucionale.

Integrimi europian do të shndërrohet në këtë vit gjithnjë e më shumë nga proces politik në përfitim ekonomik konkret.

Në tërësi, viti ekonomik 2026 pritet të jetë një vit i përfitimeve të dukshme, ku rritja ekonomike shndërrohet në më shumë punë, më shumë të ardhura dhe më shumë siguri për të ardhmen.

Sfida kryesore do të mbetet menaxhimi i mirë i kësaj rritjeje, por pritshmëritë janë që 2026 të jetë një vit ku ekonomia shqiptare fillon të shpërblejë më qartë përpjekjet e viteve të fundit./ shqiptarja.com

 

Aktori postim prekës pas aksidentit tragjik me tre viktima në Gjirokastër: Pse m’i more o Zot, nuk do t’ju harroj kurrë vëllezër

By: Os De
1 January 2026 at 18:48

Një aksident tragjik tronditi orët e para të mëngjesit të 2026-ës, ku në aksin Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur “Bypass”, dy makina u përplasën me njëra-tjetrën, ku humbën jetën tre persona.

Nga përplasja e dy mjeteve, mjeti tip Volkswagen ku udhëtonin Klejdi Myftari 24 vjeç dhe Anxhelo Ruçi 27 vjeç, ku të dy kanë humbur jetën nga plagët e marra dhe mjeti tjetër tip Mercedes Benz ku udhëtonin shtetasit Martin Dulaj 25 vjeç i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje dhe Arsida Demiri 19 vjeç, e cila është transportuar në drejtim të Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar.

Për këtë aksident ka reaguar edhe aktori i njohur i spektaklit të humorit “Portokalli”, Deivis Myslymi, i cili ishte miq me dy nga viktimat.

Në postimin e tij në rrjetet sociale, aktori shkruan: “Çfarë të shkruar?! Çfarë të them për ju?! Pse m’i more, o Zot?! Një “pse” që nuk merr përgjigje… Ti e di, o Zot, pse. Të lutem, m’i ruaj atje lart. Nuk do t’ju harroj KURRË o vëllezër”.

 

Pyetet nga gazetari: Zoti President, a keni një rezolutë për Vitin e Ri?/ Trump përgjigjet: Paqe. Paqe në Tokë (VIDEO)

By: Os De
1 January 2026 at 18:45

Presidenti Donald Trump zbuloi rezolutën e tij për Vitin e Ri të mërkurën pasi u pyet nëse kishte një të tillë. 

“Paqe. Paqe në Tokë”, tha ai së bashku me zonjën e parë Melania Trump në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida. 

Llogaria zyrtare e reagimit të shpejtë të Shtëpisë së Bardhë në X ndau një postim të Fox News në X që shfaqte videoklipin e komenteve të presidentit, duke shkruar: “Presidenti i Paqes – dhe Zonja e Parë më mahnitëse në histori”. 

Një vjetori i fillimit të mandatit të dytë të Trump është më pak se një muaj larg – ai u betua më 20 janar 2025. 

Që nga marrja e detyrës, presidenti ka kërkuar të promovojë paqen në mbarë globin dhe ka kryesuar një mori veprimesh ushtarake. 

 

Merr fund epoka e qirave të lira, arsyet e shtrenjtimit, sa duhet të paguani në një muaj

By: Os De
1 January 2026 at 18:35

Qiratë ishin grupi me rritjen më të lartë të çmimeve në muajin nëntor 2025, me 6.7 për qind duke forcuar më tej tendencën që nisi nga vera e këtij viti. Ato ishin  përbërësi kryesor i inflacionit në nëntor, duke zhvendosur ushqimet. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë për një trend rritës të fortë gjatë vjeshtës 2025 që po vazhdon. Ekspertët e lidhin ecurinë ë e shtrenjtimit të qirave me një seri faktorësh që lidhen me kërkesën dhe ofertën. 

Kryesorja lidhet me faktin se rritja e çmimeve të banesave ka bërë të papërballueshëm blerjen e një apartamenti të ri për shumicën e të punësuarve. Kur blerja e një shtëpie bëhet më e shtrenjtë, njerëzit detyrohen të qëndrojnë më gjatë me qira ose të kërkojnë shtëpi me qira në vend që të blejnë.  Kjo rrit numrin e qiraxhinjve dhe për pasojë çmimet ngrihen. Edhe pronarët që kanë kredi të shtrenjta shpesh rrisin qiranë për të mbuluar pagesat e tyre mujore. Gjithashtu kërkesa për qira po përballet me një presion në rritje për vizitorët e huaj. 

Shqipëria është atraktive për turistët edhe për shkak se çmimet e qirave ditore janë të lira, me vetëm 50 euro nata në zonën e qendrës. Dhënia me qira ditore e shumë apartamenteve për turistët ka çuar në rritjen e çmimeve për qiratë afatgjata jashtë trendëve normale. 

Ekspertët e tregut pohojnë se një pjesë e apartamenteve të shituara janë bosh dhe përdoren vetëm pak ditë në vit nga emigrantët dhe huajt, duke bërë që të mos hidhen në tregun e qirave. 

Familjet me buxhete të kufizuara po e shtyjnë blerjen e shtëpisë dhe detyrohen të paguajnë qira gjithnjë e më të larta, ndërsa agjentët imobiliarë pohojnë se edhe në zonat periferike janë të pakta apartamentet me çmime të lira. Agjentët e tregut të qirasë nënvizojnë se shumë pak prona listohen me çmime 300–350 euro, kryesisht në periferitë “Astir” ose “Fresku”, të cilat merren menjëherë nga qiramarrësit. 

Në segmentin e qirave rezidenciale, sivjet çmimet për apartamente 1+1 në Tiranë kanë arritur deri në 900 euro në muaj në zonat më të kërkuara të qytetit. Të dhënat nga agjencitë e pasurive të patundshme tregojnë se tregu i qiradhënies po shënon rritje të vazhdueshme, me çmime që janë rritur mesatarisht 6 deri në 57% në vetëm një vit. Në Tiranë, zona më e shtrenjtë për qiratë e apartamenteve vijon të mbetet pranë stadiumit “Air Albania”. Për banesa 2+1, çmimi mesatar arriti në 1,800 euro në muaj. Krahasuar me vjet çmimet u rritën me 13%. 

Në zonën e ish-Bllokut, çmimi për apartamente 1+1 në shtator të këtij viti arriti 650 euro në muaj. Krahasuar me vjet, çmimet e qirasë janë rritur me 16%.  Për apartamentet 2+1, çmimi i qirasë ka arritur 900 euro apo 6% më shumë se 2024. Në Rrugën e Elbasanit, çmimi i qirave për apartamentet 1+1 është 700 euro në muaj në 2025 apo rreth 8% më shumë se vjet. Rritje të ndjeshme në këtë zonë kanë shënuar qiratë për prona 2+1. 

Qiratë për apartamentet 1+1 në zonën e Komunës së Parisit vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtat nivele si gjatë vitit 2024, mesatarisht rreth 650 euro në muaj. Për apartamentet 2+1, çmimet e qirave arritën 800 euro në muaj apo 14% më shumë se në vitin 2024. 

Ndryshime çmimesh janë shënuar edhe për qiratë në zonën e Liqenit Artificial. Çmimet e qirave për apartamente 1+1 arritën në 900 euro në muaj. Krahasuar me vjet, çmimet u rritën 13%. Për apartamentet 2+1, çmimet arritën në 1,400 euro në muaj, nga 1,200 euro në muaj që ishin vjet. Krahasuar me vjet, çmimet janë shtrenjtuar 17%. 

Në kontrast, turistët që marrin me qira për periudha afatshkurtra, mund të gjejnë shtëpi me qira në kryeqytet përmes platformave online edhe në 40-60 euro/ditë, shumë më lirë sesa në kryeqytete të njohura europiane, ku mesatarisht në ditë duhet të paguajnë më shumë se 100 euro. Të dhënat e AirDNA, njësia analitike e platformës së qiradhënies Airbnb, bënë të ditur se në fund të 2024-s, në gjithë vendin kishte rreth 21 mijë njësi të listuara, nga të cilat rreth 3 mijë në Tiranë. 

Inflacioni i përgjithshëm ka luajtur gjithashtu rol. Kostoja e materialeve të ndërtimit, taksat, shërbimet dhe mirëmbajtja e banesave është rritur, dhe pronarët e transferojnë këtë rritje tek qiramarrësit. Në disa qytete, situata rëndohet edhe nga përdorimi i shumë apartamenteve për qira afatshkurtër turistike, të cilat janë më fitimprurëse.  Edhe në  vijim çmimet e qirave pritet të vijojnë rritjen për shkak të kërkesës së lartë, dhe mungesës së ofertës të përballueshme. 

Nëse qeveria dhe bashkitë nuk ndërhyjnë duke promovuar ndërtim banesash me çmime të përballueshme dhe të aplikohen politika për banesa sociale barra për qiramarrësit nuk do të lehtësohet, përndryshe rritja do të jetë edhe me agresive lajmërojnë aktorët e tregut./Monitor 

Pse lexoheshin gazetat nga faqja e fundit?

1 January 2026 at 18:29

Nga Veton Surroi

1.Ky shkrim, siç do të shihni, nuk është prodhim i Inteligjencës artificiale.

Fakti që duhet cekur se nuk është i këtillë, do të thotë se sot kemi një numër të konsiderueshëm shkrimesh, postimesh në Facebook apo recitimesh mendimesh të thella nga influenceret me dekolte po aq të thella që tingëllojnë të përkryera në gjuhë e strukturë.

Por dëshmia se ky nuk është produkt i Inteligjencës artificiale – për aq sa është inteligjencë, është produkt i asaj natyrale – lidhet me konstatimin se kur kanë ekzistuar gazetat e shtypura në letër, një pjesë e konsiderueshme e lexuesve e fillonin leximin jo nga faqja e parë, por nga faqja e fundit e gazetës.

Këtu nuk ndihmon Chatgpt, se po ta pyesni atë do t’jua japë një elaborim të gjatë, por pa i gjetur thjeshtësinë dhe thelbin e përgjigjes. Thjeshtësia dhe thelbi i përgjigjes është se një pjesë e konsiderueshme e njerëzve e fillonte leximin nga faqja e fundit, sepse prej aty kalohej menjëherë te lajmërimet për vdekje dhe përkujtimet për të vdekurit.

Faqet e përkujtimeve – apo në gjuhën e redaksive të gazetave, faqet e të vdekurve – ishin të vërteta të pakontestueshme, mbase edhe për dallim prej atyre që ishin të kontestueshme e që fillonin në faqe të parë, sepse çdo gjë që fillonte në të parën ishte e kontestueshme e çdo gjë që përfundonte tek e parafundit nuk kishte kontestim.

Ose, ta marrim nga një kënd tjetër, siç do të thuhej më për toke, lexuesi e fillonte prej faqeve të fundit, sepse nuk donte të mbetej jashtë kodit shoqëror, nuk donte të mbetej i painformuar lidhur me një vdekje të dikujt, një emri që e njihte personalisht apo ia njihte rrethin familjar apo kishte një ndërlidhje që krijonte ndjenjën e obligimit që të shkonte në varrim apo të shprehte ngushëllimet.

2. Njërit prej bashkëpunëtorëve të mi shumë të afërt për shumë vjet i kishte vdekur nëna në fillim të këtij viti.

Jetojmë më pak se dy kilometra larg njërit-tjetrit, por lajmi për vdekjen e saj udhëtoi nëntë muaj. Kur arriti, lajmi i bartur fjalë pas fjale mbante më vete edhe zemërimin e thyerjes së kodit tonë shoqëror – si është e mundur që nuk kisha shkuar në varrim apo ngushëllime? Dhe, madje, si nuk e kisha bërë këtë për një person me të cilin para 35, a 30, a 20 vjetësh kisha pasur afërsi aq të madhe?

Në fëmijërinë time, kur jetonim në Bolivi, një lajm i këtillë do të arrinte me një letër, ndoshta për një muaj, ndoshta për dy, por jo tetë. Dhe Bolivia ishte 11 mijë kilometra larg, jo dy.

Dhe, vërtet, si ishte e mundur që kjo të ndodhte, paradoksalisht, në revolucionin informativ, ku marrim vesh çdo sekondë se çka ndodh në çdo cep të botës, ku jetojmë në një botë aq të digjitalizuar sa Danimarka ka vendosur që letra e fundit që do të dorëzohet në kuti postare do të jetë më 30 dhjetor.

(Për ata që janë më të rinj, kutitë postare kanë qenë kuti metalike në të cilën është futur letra me pullë postare të ngjitur në të – pulla postare ka pasur një ngjitës me primesa të së ëmblës, kur duhej lagur me gjuhë për ta ngjitur në zarf a kartolinë).

Kutitë postare u zhdukën nga qyteti ndoshta në të njëjtën kohë kur humbi peshën e vet kolona e afisheve të fletëmorteve që ngjiteshin në drunjtë e rrugës kryesore të Prishtinës, që atëherë u bë sheshi “Nënë Tereza”. Kur u bënë gjithnjë e më të parëndësishme afishet, morti fitoi rëndësinë e vet në faqet e fundit të gazetës.

3. Rruga e lajmit të mortit u transformua me shpejtësinë me të cilën kaluam një shekull, kaluam prej socializmit në shoqëri të hapur, prej revolucionit industrial në atë informativ, prej okupimit në liri e pavarësi.

Dikur ishte thirrja telefonike, në kohën kur telefonat ishin të paktë. E njoh cingërimën e telefonit të zi, i cili mbante numrin 3437, më vonë 23437, në të cilin erdhi lajmi për vdekjen e gjyshes.

Ishin afishet – ato të vendosura në aletë e qyteteve e në dyer banesash dhe shtëpish; lajme definitive.

Dhe, pastaj faqet e të vdekurve në gazeta e kur shkuan edhe gazetat u bënë lajmërimet në Facebook, me ciklin e vet 24-orësh, me drejtpërdrejtësinë e transmetimit të ndërrimit të jetës së një personi, ndonjëherë gati si të ishte transmetim i drejtpërdrejtë.

E si atëherë të mos më mbërrijë lajmi për vdekjen e një gruaje nëntë muaj pas?

Arsyeja e parë dhe e natyrshme ishte largimi shumëvjeçar mes meje dhe personit të cilit i vdiq nëna; do të bëhen gati njëzet vjet që kemi humbur kontaktin normal – jo atë intensiv, të cilin e kishim e që bënte të dëgjoheshim e shiheshim disa herë në ditë, por një normal, në të cilin do të komunikonim një herë në aq sa ta definojmë se është normale.

Dhe, këtu, te normaliteti kalojmë tek arsyeja e dytë. Është vështirë të përcaktohet se çka është shkalla e komunikimit, që do të quhet “normale” në periudhën e Facebookut e mediave të tjera sociale, për shkak se jetojmë me nënkuptueshmërinë se i kemi të gjitha informatat, aty në telefon. Ky është megjithatë një iluzion, apo madje vetiluzion kolektiv, sepse në telefon i kemi informatat të cilat na serviren në bazë të algoritmeve të kompanive të mëdha, e këto algoritme ndërtohen me ndërveprimin tonë me rrethin e mediave sociale. Algoritmi nuk më ka treguar se i ka vdekur nëna një personi, të cilin unë duhej ta ngushëlloja në varrim, për arsye të thjeshtë se ai person jeton në një botë tjetër algoritmike, me miqtë e tij virtualë, me afinitetet politike, kulturore e të tjera, që nuk e sjellin afër botës sime algoritmike. Facebooku na ka kufizuar në 5 mijë miq virtualë e algoritmi i tij na udhëzon çdo ditë që vëmendja jonë të jetë e drejtuar kah, kush, kë e shau në debat të mbrëmjes, a do të puthet një banor i “Big Brotherit” me tjetrin, reklamat e patundshmërive, veshjeve sportive, aranzhimeve turistike – vdekja e një personi të rëndomtë nuk përbën interes të veçantë.

E kështu mbërrijmë tek arsyeja e tretë, se kemi kaluar prej jetës në hapësirë publike fizike, në jetë të hapësirës publike virtuale. Dikur dilej në qytet për të parë e për t’u parë, pihej një kafe për të këmbyer informata, mendime, dëshpërime e gëzime – lajmi i mortit ishte aty diku – në afishe e gazetë, pjesë e hapësirës publike. Tash dalim në Facebook, dimë për njëri-tjetrin edhe më shumë se mbase kemi nevojë, prej ushqimit e pijes, veshmbathjes deri te paralajmërimi se për kë do të votojmë. Por, dimë për aq sa na ka udhëzuar dhe kufizuar algoritmi të dimë, një udhëzim dhe kufizim që pas një kohe kalon në konvencion; jemi të kënaqur me atë që dimë brenda balonës sonë informative dhe këtë e dëshmojmë duke hapur telefonin për të parë ç’ka të re në Facebook.

4.Në botën tonë virtuale ndodh të dimë shumëçka, por jo gjithherë të dimë për atë që na përket dhe për të cilën kemi përgjegjësi. Kjo ndodh jo sepse jemi bërë më pak njerëzorë, por sepse kemi pranuar, shpesh pa e vënë re, që një pjesë të marrëdhënieve tona t’i delegojmë tek algoritmi.

Algoritmi na informon, por nuk na obligon. Na tregon çfarë është e re, por jo çfarë është e rëndësishme. Dhe morti, si ngjarje thellësisht njerëzore dhe shoqërore, humbet pikërisht aty ku humbet hierarkia e vlerave: në një hapësirë ku gjithçka matet me vëmendje dhe asgjë me përgjegjësi.

Kështu ndodh që lajmi të udhëtojë shpejt, por të mos mbërrijë në kohë. Jo sepse nuk ekzistojnë mjetet, por sepse mungon prania. Jo sepse jemi larg, por sepse jetojmë secili në një hapësirë tjetër informimi, në një normalitet tjetër, të përcaktuar nga ajo që na shfaqet në ekran.

Prandaj, ky rrëfim nuk është as nostalgji dhe as refuzim i botës digjitale. Është një kujtesë e thjeshtë se disa gjëra nuk mund të zëvendësohen: as morti, as kujtesa, as detyrimi njerëzor për të qenë aty — fizikisht dhe në kohë.

Ja pse është me rëndësi të takohemi, në këto ditë festash e në çdo ditë tjetër deri te festa tjetër.

T’i flasim njëri-tjetrit.
Të dëgjohemi duke u shikuar në sy.
T’i shtrëngojmë duart.
Të përqafohemi përmallshëm.

T’i ruajmë rrëfimet gjallë duke i këmbyer me njëri-tjetrin, me fjalë të gjallë, në botën e prekshme.

Tragjedia në Zvicër/ Flet dëshmitari: Theva dritaren për të shpëtuar, miqtë e mi nuk ia dolën

By: Os De
1 January 2026 at 18:24

Një zjarr i madh ka përfshirë barin “Le Constellation” në resortin e skive Crans-Montana në Zvicrën jugperëndimore, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe mbi 100 të plagosur. Ngjarja ndodhi në orët e para të Vitit të Ri, ndërsa dhjetëra turistë dhe vendas po festonin.

Një video e publikuar nga brenda barit tregon momentin kur tavani mori flakë, duke u përhapur me shpejtësi në të gjithë ambientin. Dëshmitarët thonë se gjithçka ishte prej druri, çka e bëri zjarrin të përhapet brenda sekondave.

Një i mbijetuar, i cili ndodhej në bodrum, rrëfeu për agjencinë AFP se ishte i bllokuar nga tymi dhe flakët dhe se arriti të shpëtonte vetëm pasi theu një dritare.

“Isha vetëm dhe nuk e dija si mund t’ia dilja, por arrita të thyej një dritare dhe të dal prej saj.
Gjysma e rrobave të mia ishin djegur, ishte çmenduri.

Isha në bodrum. Unë dhe miqtë e mi po argëtoheshim, fatkeqësisht disa nga miqtë tanë nuk janë më mes nesh për shkak të zjarrit.

Ishte çmenduri. Njerëzit ishin të bllokuar. U detyrova të vendos një tavolinë për t’u fshehur pas saj, i rrethuar nga flakët. Por dola. Kjo është gjëja kryesore.”, tha ai, citon BBC.

Duke folur për momentet para se të niste zjarri, ai tha se në bar ndodheshin kamariere “me shishe shampanje dhe flakë shumë pranë tavanit”, dhe se “zjarri u përhap papritur”.

Autoritetet kanë përjashtuar mundësinë e një sulmi, duke e trajtuar ngjarjen si zjarr aksidental. Disa dëshmitarë besojnë se flakët nisën nga qirinj të vendosur mbi shishe shampanje, të cilët prekën tavanin. “Zjarri mori hov papritur,” tha një i mbijetuar.

Ministria e Jashtme italiane: 16 prej të zhdukurve janë shtetasit tanë!

Ministria e Jashtme italiane raportoi se 16 shtetas italianë janë ende të zhdukur, ndërsa 12 deri në 15 të tjerë ndodhen në spital. Tre prej tyre kanë pësuar djegie të rënda dhe pritet të transportohen në Itali për trajtim.

Autoritetet zvicerane konfirmuan se mbi 100 persona janë plagosur, shumica me djegie të rënda, ndërsa spitalet në Valais, Lozanë dhe Zyrih janë në kapacitet të plotë.

Solidaritet dhe ndihmë nga komuniteti

Në vendngjarje janë vendosur lule dhe mesazhe ngushëllimi për viktimat. Bizneset lokale ofruan ndihmë gjatë emergjencës. Një dëshmitar, Dominic Dubois, tha për Reuters se një bar aty pranë, Bar 1900, qëndroi hapur për të strehuar të mbijetuarit dhe për t’u ofruar ngrohtësi. Edhe një degë e bankës UBS u hap për të pritur njerëzit dhe për të ndihmuar.

Dubois shtoi se kishte “skena të tmerrshme”, por shumë persona treguan forcë dhe qetësi për të ndihmuar në nxjerrjen e trupave nga flakët.

Autoritetet zvicerane pritet të japin një përditësim zyrtar mbi numrin e viktimave dhe shkakun e zjarrit. Ndërkohë, spitalet po përballen me një fluks të madh pacientësh, ndërsa procesi i identifikimit të viktimave mund të zgjasë javë.

E nis Vitin e Ri me meshën solemne, Papa Leoni: Të lutemi të gjithë së bashku për paqe

By: Os De
1 January 2026 at 18:19

Papa Leoni XIV e nisi Vitin e Ri me një meshë, gjatë së cilës përsëriti thirrjen për paqe në botë. Ati i Shenjtë solli në vëmendje edhe Vitin Jubile për besimtarët katolikë, që mbyllet më 6 janar të 2026.

“Në këtë ditë, le të lutemi të gjithë së bashku për paqen: së pari, midis kombeve të përgjakura nga konflikti dhe vuajtjet, por edhe brenda shtëpive tona, në familjet e plagosura nga dhuna ose dhimbja. Në agimin e vitit të ri, Liturgjia na kujton se për secilin prej nesh, çdo ditë mund të jetë fillimi i një jete të re, falë dashurisë bujare të Zotit, mëshirës së Tij dhe përgjigjes së lirisë sonë. Është bukur ta shohësh vitin që vjen në këtë mënyrë: si një udhëtim të hapur për t’u zbuluar”

Sipas mediave të huaja, Papa pranoi se shumë njerëz dhe organizata në mbarë botën tashmë i janë përkushtuar përfundimit të dhunës dhe kanë krijuar nisma të panumërta për ndërtimin e paqes.

Pas një sezoni të ngjeshur Krishtlindjesh, Leoni XI ka disa ditë pushim para se të kremtojë festën e Epifanisë së kishës më 6 janar dhe të mbyllë zyrtarisht Vitin e Shenjtë 2025

Tragjedia në Zvicër, MEPJ: Deri më tani nuk ka shqiptarë mes viktimave, jemi në kontakt me autoritetet atje

By: Os De
1 January 2026 at 17:55

Ministria e Jashtme ka reaguar në lidhje me zjarrin tragjik në Zvicër, në barin e VIP-ave, ku 47 persona mbetën të vdekur dhe 100 të tjerë janë plagosur. 

Në një reagim për Report Tv bëhet me dije se deri më tani nuk ka shqiptarë mes viktimave dhe se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase, të cilat po vijojnë verifikimet për identifikimin e personave që kanë humbur jetën në tragjedinë e Crans-Montana. 

‘Përfaqësia jonë diplomatike në Zvicër është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase të cilat informojnë se po vijojnë me verifikimet për identifikimin e personave që kanë humbur jetën. 

Deri në momentin që flasim, nga komunikimet me autoritetet zvicerane nuk ka të dhëna për shtetas shqiptarë mes viktimave të tragjedisë në Crans-Montana.  

Përfaqësia jonë diplomatike mbetet në kontakt me autoritetet përgjegjëse në Zvicër për informacione të reja, në orët në vijim. 

 

Në vend të një kartoline urimi

1 January 2026 at 17:50

Nga Namir Lapardhaja

Ky vit i sapo nisur le të mos jetë thjesht një ndërrim datash në kalendar, por një provë e asaj se çfarë zgjedhim të jemi. Jo një vit i zhurmshëm premtimesh, por një vit i qartë zgjedhjesh.

Le të jetë vit i dashurisë mbi urrejtjen, sepse urrejtja lodh dhe shter, ndërsa dashuria rindërton edhe aty ku gjithçka duket e djegur. Vit i qetësisë mbi zhurmën, sepse në heshtje dëgjohet më mirë e vërteta. Vit i shpirtit mbi stomakun, ku nevojat e brendshme të mos mbeten peng i oreksit për më shumë.

Le të jetë vit i virtyteve mbi veset, i së vërtetës mbi gënjeshtrën, i përuljes mbi arrogancën që na ndan dhe na bën të verbër ndaj tjetrit. Vit i ndihmës mbi nëpërkëmbjen, sepse askush nuk ngrihet duke shtypur të tjerët. Vit i individit mbi turmën, ku mendimi personal të mos shkrihet në britmën kolektive.

Le të jetë vit i urtësisë mbi prepotencën, i arsyes mbi verbërinë, i reales mbi virtualen që shpesh na largon nga jeta e vërtetë. Vit i dijes mbi injorancën, i ecjes mbi ngecjen, sepse çdo hap përpara, sado i vogël, është një fitore ndaj apatisë.

Le të jetë vit i faljes, jo i hakmarrjes; i kërkesave të ndershme, jo i harresave të qëllimshme. Vit i dielltë, jo i mbuluar me re; i bardhë në synime, jo i zi në mendime; vit i gëzimeve që ndahen, jo i hidhërimeve që grumbullohen.

Dhe mbi të gjitha, le të jetë një vit i mbushur me të mira, i rrethuar nga njerëz që mendojnë mirë, që bëjnë mirë, që përpiqen vetëm për mirë. Sepse ajo që ngelet nga urimi nuk janl fjalët e shkruara me ngut, por ajo që zgjedhim të bëjmë në përditshmëri me ndërgjegje.

Falen detyrimet tatimore e doganore për bizneset/ Hyn në fuqi “paqja fiskale”

By: Os De
1 January 2026 at 17:48

Nga sot do të nisë zbatimi i faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore të papaguara nga bizneset, deri më 31 dhjetor 2024.

Në falje nuk do të përfshihen detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për kontributet, ligji përcakton vetëm fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave të krijuara deri më 31 dhjetor 2014.

Përveç fshirjes së plotë të detyrimeve mbi 10 vite të papaguara, ligji parashikon edhe falje të detyrimeve më të reja, por me kushtin që të paguhet një pjesë e detyrimit.

Nga ana tjetër, biznesi i madh do të ketë mundësi të nënshkruajë marrëveshje me administratën tatimore dhe të rishikojë pasqyrat financiare, duke paguar një tatim më të ulët për fitimin, 5%.

Tragjedia në resortin e skive/VIDEO – Shfaqet momenti i shpërthimit të zjarrit në lokal

By: Os De
1 January 2026 at 16:50

Ky është moment i shpërthimit të zjarrit në një resort turistik në Zvicër duke shkaktuar një tragjedi të rëndë me viktima e të plagosur. Nga pamjet,  zjari ka shpërthyer rreth orës 01:30 të mëngjesit në lokalin “Le Constellation”, një bar-restorant shumë i frekuentuar nga të rinjtë në zonën turistike të Crans-Montana, teksa njerëzit po festonin vigjiljen e vitit të ri.

Sipas burimeve policore dhe spitalore, bilanci paraprak flet për rreth 40 persona të vdekur dhe afërsisht 100 të plagosur, shumica me djegie të rënda.

The moment fire in Swiss ski resort breaks out on New Year’s Eve.

The fire has left dozens of people feared dead and more than 100 injured pic.twitter.com/6tsZH5uVcZ

— Sky News (@SkyNews) January 1, 2026

❌
❌