Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 January 2026Java News

Shiste kokainë, kapet në flagrancë 41-vjeçari me dy emra

By: A R
28 January 2026 at 09:54

Policia e Korçës arrestoi në flagrancë shtetasin N.Dh., alias M. K., 41 vjeç, banues në fshatin Voskop, Korçë, shkruan A2. Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin që ky shtetas kishte në përdorim, në fshatin  Polenë, Korçë, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e ndarë në doza gati për shitje.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Imuniteti i Ballukut, shtyhet pa afat mbledhja e Këshillit të Mandateve

By: A R
28 January 2026 at 09:45

Mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku do të shqyrtohej kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, është shtyrë pa afat.

Anëtarët e Këshillit janë njoftuar mëngjesin e të mërkurës për këtë vendim, të marrë pasi Gjykata Kushtetuese kërkoi më shumë kohë për vendimmarrjen finale lidhur me çështjen “Balluku”.

“Duke vlerësuar se një shqyrtim i tillë synon garantimin e një procesi vendimmarrjeje të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese, me qëllim shmangien e cenimit të parimit të sigurisë juridike dhe garantimin e rregullsisë kushtetuese të veprimtarisë dhe vendimmarrjes së Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Një ditë më parë Gjykata Kushtetuese nuk doli me një vendim lidhur me ankimin e Kryeministrit Rama të vendimit të Gjykatës së Posaçme për të pezulluar nga detyra e ministrit Belinda Ballukun.

Çfarë informacionesh mbledhin hakerat shtetërorë rusë në Serbi?

By: A R
28 January 2026 at 09:40

Mesazh në aplikacionin Signal… dhe hapja e një linku për një video-thirrje.

Në këtë mënyrë, Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë u bë viktimë e grupeve të hakerave rusë, konstatoi një analizë e kryer nga një prej kompanive më të mëdha IT në botë, për këtë organizatë joqeveritare serbe.

Bëhet fjalë për grupe hakerash, të cilat qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe i kanë lidhur më herët me strukturat inteligjente dhe të sigurisë në Rusi.

Gjatë sulmit, hakerat kanë pasur qasje në një pjesë të arkivit dhe kanë lexuar më shumë se 28 mijë emaile të organizatës serbe, e cila, për gati 25 vjet, ndjek reformat në sektorin e sigurisë dhe është e përfshirë në komunikime me shumë institucione evropiane.

“Lista jonë e partnerëve ndërkombëtarë dhe të huaj është shumë e madhe”, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori i Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë (BCBP), Igor Bandoviç.

Ai shton se llogaritë e punonjësve të BCBP-së u përdorën për të zgjeruar më tej operacionin e hakerimit nga dy grupet ruse.

Sipas raportit të kompanisë amerikane teknologjike, Microsoft, njëri prej tyre lidhet me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), ndërsa tjetri me Shërbimin Ushtarak të Inteligjencës (GRU) të Rusisë.

Të dyja grupet, sipas faqes zyrtare të Microsoft-it, kanë në shënjestër qeveritë, institucionet diplomatike, organizatat joqeveritare dhe kompanitë IT në mbarë botën.

“Sulmuesit përdorin çdo metodë të mundshme për të fituar qasje në emaile, skedarë dhe mesazhe të ndjeshme”, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori i kompanisë amerikane për siguri kibernetike Volexity, Steven Adair, i cili është marrë edhe me sulmin ndaj BCBP-së.

Ai shton se organizatat e shoqërisë civile në Serbi, me siguri, “do të vazhdojnë të jenë caqe, për shkak të punës dhe ekspertizës së tyre në fusha që lidhen me Rusinë, Ukrainën dhe sigurinë në Evropë”.

Si ndodhi sulmi kibernetik ndaj BCBP-së?

“Mesazhi që mora nuk dukej aspak i dyshimtë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Bandoviç.

Në korrik të vitit të kaluar, një person i prezantuar si politikani opozitar bjellorus, Sergej Tihanovski – bashkëshorti i politikanes opozitares në mërgim, Svetlana Tihanovska – i dërgoi Bandoviçit mesazh, duke i kërkuar një video-thirrje për të diskutuar për situatën politike në Ballkanin Juglindor.

Më vonë, analiza forenzike tregoi se ky mesazh ishte një nga pikat fillestare të sulmit të hakerëve rusë, që synonin të merrnin kontrollin mbi infrastrukturën e BCBP-së dhe të zgjeronin aktivitetet e tyre më tej.

Bandoviq pyeti se nga e kishte marrë kontaktin e tij personi që i drejtohej. Kur iu tha se përmes një kolegu nga Rumunia, ai nuk kishte arsye të dyshonte në autenticitetin e bisedës.

Komunikimi u zhvillua përmes aplikacionit Signal, i njohur për privatësinë dhe transmetimin e enkriptuar të të dhënave, ku përdoruesit lidhen përmes numrave të telefonit ose emrave.

Mesazhit i ishte bashkëngjitur edhe një link për video-thirrje.

Në kohën e caktuar të takimit, Bandoviç kopjoi linkun në shfletuesin e internetit.

Video-thirrja nuk u aktivizua, por hakerëve ua hapi derën drejt pothuajse gjithë komunikimit të punonjësve të BCBP-së.

Ky është një shembull i “spear phishing”, ose sulmit të shënjestruar, në të cilin sulmuesi bën që mesazhi të duket sikur vjen nga një person ose organizatë e besueshme – shpesh duke përdorur të dhëna personale të viktimës.

Qëllimi është që viktima të zbulojë informacion konfidencial, të hapë një skedar të dëmshëm ose të mundësojë qasje në sistemet kompjuterike.

Katër muaj më vonë, në nëntor, Microsoft Threat Intelligence Center, një ekip i specializuar i kompanisë Microsoft për sigurinë digjitale, e informoi BCBP-në se kishte qenë viktimë e një sulmi kibernetik.

Një nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë informative në botë, që kërkoi të mbetej anonime, por identiteti i së cilës është i njohur për REL-in, realizoi një analizë forenzike dhe identifikoi dy grupe hakerësh – “Midnight Blizzard” (Stuhia e Mesnatës) dhe “Forest Blizzard” (Stuhia e Pyllit) – si autorë të këtyre sulmeve.

Kush janë hakerët rusë që qëndrojnë pas sulmeve në Serbi?

Grupi “Midnight Blizzard” njihet nga kompania Microsoft dhe është aktiv së paku që nga viti 2018.

Sipas Microsoft-it, ky grup operon nga Rusia.

Qeveritë e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe e lidhin atë me Shërbimin e Jashtëm Inteligjent të Rusisë (SVR).

Grupi njihet për sulmet ndaj qeverive, institucioneve diplomatike, organizatave joqeveritare dhe kompanive të IT-së, kryesisht në SHBA dhe Europë.

Qëllimi i tij, sipas Microsoft-it, është “mbledhja e informacionit inteligjent përmes spiunazhit”.

Grupi tjetër, “Forest Blizzard”, lidhet me Shërbimin Ushtarak Inteligjent të Rusisë, GRU.

Disa anëtarë të tij janë identifikuar drejtpërdrejt si oficerë të GRU-së në aktakuzën që Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur në vitin 2018 ndaj 12 anëtarëve të GRU-së, për hakimin e Komitetit Kombëtar Demokrat, komitetit të Kongresit Demokrat dhe fushatës së kandidates për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton.

Qëllimi i tij ishte “ndikimi në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve në vitin 2016”.

Sipas aktakuzës, GRU kryente sulme masive “spear phishing” ndaj anëtarëve të fushatës së Clintonit, duke siguruar qasje në dhjetëra mijëra emaile.

Pas sulmeve të suksesshme, ata hakuan kompjuterët e institucioneve që drejtonin fushatën, vodhën dokumente dhe fjalëkalime dhe monitoruan në fshehtësi punën e punonjësve.

Ky rast nuk përfundoi në gjykim, pasi të gjithë të akuzuarit nuk ishin të disponueshëm për autoritetet amerikane.

Sipas Microsoft-it, shënjestra të sulmeve të këtij grupi rus janë qeveritë, organizatat joqeveritare, kompanitë e IT-së dhe universitetet.

Sulme të ngjashme janë regjistruar në SHBA, Australi, Kanada, Indi, Ukrainë, Izrael dhe Japoni.

Disa prej sulmeve, që përfshijnë paraqitjen e rreme si individë të besueshëm dhe komprometimin e llogarive, janë analizuar nga kompania amerikane për siguri kibernetike, Volexity, nga Uashingtoni.

“Jemi të bindur se këto sulme, që targetojnë individë dhe organizata të angazhuara në çështje që lidhen me Rusinë, Ukrainën dhe sigurinë evropiane, janë vepër e kërcënimeve kibernetike ruse”, thotë për Radion Evropa e Lirë Steven Adair, themelues dhe drejtues i kompanisë Volexity.

Ai shton se aktorët rusë përdorin teknika të avancuara për t’i komprometuar përdoruesit, duke evoluar nga paraqitja e rreme si ambasadorë dhe diplomatë deri te krijimi i faqeve të rreme të konferencave, për të “vjedhur” kredencialet e pjesëmarrësve të mundshëm.

Faqe e rreme për Konferencën e Sigurisë në Beograd

Një analizë forenzike, e kryer nga një kompani e madhe ndërkombëtare e IT-së për BCBP-në serbe, tregoi se gjatë monitorimit vetëm për një muaj – nga fillimi i nëntorit deri në fillim të dhjetorit 2025 – u regjistruan më shumë se 28 mijë qasje në emailet e punonjësve të BCBP-së.

Kjo përfshinte hapjen e mesazheve dhe dokumenteve të dërguara si bashkëngjitje, si dhe qasjen në arkivin dhe korrespondencën e mëparshme me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, shpjegojnë nga BCBP-ja.

“U regjistruan përpjekje për komunikim shtesë me punonjësit tanë, nga të cilat dukej qartë se, pas hyrjes në sistem, hakerat kishin një pamje praktike të komunikimeve në kohën kur po zhvilloheshin”, thotë Bandoviç.

Operacioni u zgjerua më tej kur grupi i hakerëve krijoi edhe një faqe të rreme, e cila u reklamua si platforma zyrtare për regjistrimin e pjesëmarrësve në Konferencën e Sigurisë në Beograd.

Konferenca, e organizuar nga BCBP-ja, u mbajt nga data 17 deri më 19 nëntor në Beograd.

Ky ishte edicioni i katërt i këtij takimi, që konsiderohet një nga ngjarjet më të mëdha rajonale për çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë, dhe mbledh mbi 500 pjesëmarrës nga Serbia dhe jashtë.

Ngjarja ishte pjesërisht e mbyllur, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve politikë, diplomatëve, ekspertëve dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare.

Një analizë tjetër forenzike nga kompania amerikane, Volexity, tregoi se mysafirët dhe pjesëmarrësit u orientuan me email drejt faqes së rreme, me qëllim që “infiltrimi të përhapej te pjesëmarrësit ndërkombëtarë, përfaqësuesit e qeverive, organizatave ndërkombëtare, komunitetit akademik dhe shoqërisë civile”.

“Para konferencës, institucionet e Bashkimit Evropian dërguan një paralajmërim për një fushatë ‘spear phishing’ që përhapej nga llogaritë e rreme të Konferencës së Beogradit dhe shënjestronte partnerët tanë në BE dhe Amerikën e Veriut”, tregon Bandoviç.

Ai shton se një nga qëllimet ishte që të huajt të mos vinin në Beograd, ndërsa qëllim tjetër spiunazhi.

Cilat ishin përmasat e sulmit?

Në BCBP thonë se, edhe 6 muaj pas sulmit, është e vështirë të vlerësohet dëmi i shkaktuar.

“Na kontaktuan partnerë nga dy organizata – një nga Evropa dhe një nga Shtetet e Bashkuara – që thanë se kishin marrë emaile ‘phishing’ nga adresat tona. Por, kjo do të thotë se ata i njohën ato. Se sa organizata dhe individë nuk e kuptuan këtë aktivitet hakerësh, nuk mund ta dimë ende”, thotë Bandoviç.

Adair thotë për Radion Evropa e Lirë se “përmasat e këtyre sulmeve duken mjaft të mëdha”.

“Aktorët rusë krijuan një faqe tërësisht të rreme, që imitonte Konferencën e Sigurisë në Beograd, dhe sulmonin drejtpërdrejt njerëz që mund të merrnin pjesë ose të ishin të interesuar të flisnin aty. Kjo jep informacion të rëndësishëm mbi aktivitetin në Serbi, që tërheq vëmendjen e sulmuesve”, thotë Adair.

Analiza forenzike tregoi se kjo organizatë joqeveritare ishte cak i hakimeve ruse që nga vera e vitit 2024.

Që nga shtatori i atij viti, sipas analizës, ishte komprometuar llogaria e administratorit përmes VPN-it, duke u dhënë sulmuesve qasje në serverët e BCBP-së që përdoren për punë nga distanca.

Çfarë thonë institucionet në Serbi?

Bandoviç thotë se sulmet nuk janë raportuar në Prokurorinë për Krimet Teknologjike në Serbi, sepse “nuk kanë besim në një hetim të paanshëm”.

Organizata doli publikisht me të gjitha të dhënat për t’i paralajmëruar viktimat potenciale, thotë Bandoviç, dhe në fillim të dhjetorit largoi të gjitha kërcënimet nga sistemi i saj.

Shenjat e bashkëpunimit të inteligjencës serbe dhe ruse

Në vitin 2019, Departamenti amerikan i Shtetit e përshkroi Serbinë, e cila synon të anëtarësohet në BE, si një vend me “mjedisin më të depërtueshëm” për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.

Beogradi – edhe pas pushtimit rus të Ukrainës dhe sanksioneve perëndimore ndaj Moskës – mbeti një nga partnerët e paktë evropianë të Kremlinit.

Të dyja shtetet kanë vazhduar edhe bashkëpunimin në fushën e inteligjencës.

Në shtator të vitit 2025 u zbulua se shërbimet ruse në perëndim të Serbisë, kishin organizuar kampe stërvitore, ku shtetas moldavianë dhe rumunë, sipas autoriteteve në Kishinjev, përgatiteshin për të shkaktuar trazira gjatë zgjedhjeve në Moldavi.

Autoritetet në Serbi thirrën Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) për t’i hetuar pretendimet se, gjatë një proteste antiqeveritare më 15 mars në Beograd, ishte përdorur një top zanor kundër demonstruesve.

Moska dhe Beogradi, pa ofruar prova, akuzojnë shërbimet perëndimore se qëndrojnë pas protestave masive në Serbi, përmes të cilave kërkohet llogaridhënie për vdekjen e 16 personave në një aksident në Novi Sad.

Bashkëpunimi kundër “revolucioneve me ngjyra” – term i përdorur nga Moska për të përshkruar rrëzimin e regjimeve autoritare në ish-republikat sovjetike – u shpall nga Beogradi dhe Kremlini që në vitin 2021.

Me kreun e atëhershëm të shërbimit inteligjent rus, Nikolaj Patrushev, bisedonte Aleksandar Vulinin, zyrtar prorus në Qeverinë e Serbisë, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara për bashkëpunim me Rusinë.

Opozitarët rusë e akuzuan Vulinin se i kishte përgjuar në Beograd dhe se informacionet ia kishte transmetuar Kremlinit – gjë që u pasua me arrestimin e tyre në Moskë.

Serbia, gjithashtu, ishte në qendër të akuzave se kishte ofruar strehë për diplomatët rusë, të cilët u dëbuan nga disa vende të BE-së nën dyshimet për spiunazh./Analiza e marrë nga REL

Dorëzohet përgjimi i “21 janarit”, ish-prokurori: Hetimet për zyrtarët e lartë nuk janë të qarta!

By: A R
28 January 2026 at 09:28

Kaseta origjinale e diktofonit me regjistrimet e komunikimeve të Gardës së Republikës, ku u dhanë urdhrat e vrasjeve së protestuesve më 21 Janarin 2011, është dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme nga gazetari Artan Hoxha.

Në të janë 36 minuta regjistrim, ku dëgjohen bisedat e ish-kreut të gardës Ndrea Prendi dhe vartësve të tij para, gjatë dhe pas vrasjes së 4 protestuesve dhe plagosjes së dhjetëra të tjerëve.

“Audio-përgjimi i 21 janarit është një provë e rëndësishme. Hetuesit do të ketë informacion më të saktë”, kështu u shpreh ish-prokurori Ervin Karanxha në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News.

Gjithashtu gjatë intervistës, nënvizoi se hetuesit do të ndjekin edhe disa faza. “Edhe regjistri do të jetë objekt hetimi, pra nëse ka regjistër, duhet të verifikohet dhe ballafaqohet. Do jetë akti i ekspertimit që do ta sqarojë se çfarë është komunikuar gjatë kësaj periudhe. Ngjarja e 21 janarit u quajt e mbyllur dhe kanë ndodhur ato që kemi diskutuar më pas. Gabimi i parë procedura ishte që në nisje të hetimit, sepse duhet të ishin marrë deklarime edhe zyrtarë të lartë. Gjykata e Lartë thotë duhet të hetohen zyrtarë të lartë, pra të bëhen veprime procedurale, këto duhet të ishin bërë para 15 vitesh. Në atë kohë janë dënuar mbi 40 protestues. Ka pasur gjatë protestës edhe policë të dëmtuar, por nuk u arrit të provohej se kush person ka goditur. Por ka pasur edhe raste u hetuan. Zyra e prokurorit të përgjithshëm hetonte zyrtarë të lartë. Na rezulton se ish ministri Lulzim Basha ka shkuar te Bamir Topi, ndiko tek Ina Rama. Ky person duhet të ishte hetuar vetë. Mendoj që edhe ish-prokuroren Ina Rama duhet ta thërrasë SPAK. Problemi është hetimi i zyrtarëve të lartë. Nuk ka asnjë akt…Hakerat iranianë, u bë një ndërhyrje tek SHIK dhe dolën të dhënat e regjistrat e bashkëpunëtore dhe ka dalë që Ina Rama është bashkëpunëtore e shërbimit…Pra si mundet që një prokuror i përgjithshëm të jetë bashkëpunëtor? Shërbimi Sekret jep të dhëna për prokurorë e gjyqtarë. Edhe tek 21 janari duhet pyetur, pse nuk u mor hetime për zyrtarë të lartë siç u bë për deputetë të opozitës së asaj kohe”, nënvizoi ai.

Horror në Selanik: Gjenden dy gra të vdekura në një bodrum, njëra prej tyre ishte hedhur në kazanin e plehrave

By: A R
28 January 2026 at 09:20

Një ngjarje tronditëse ka vënë në alarm autoritetet greke në Selanik gjatë 24 orëve të fundit. Dy gra, përdoruese droge, u gjetën të vdekura në bodrumin e një 52-vjeçari, i cili u arrestua dhe pranoi para policisë se ishte i përfshirë në vdekjen e tyre.

Sipas policisë, viktima e parë është një grua 46-vjeçare, e cila rezultonte e zhdukur që nga viti 2024. Familja e saj kishte denoncuar zhdukjen në shkurt 2025 në Policinë e Aleksandrupolit, duke deklaruar se nuk kishin pasur kontakt me të që nga shtatori 2024. Hetimet zbuluan se ajo nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë.

Autori 52-vjeçar deklaroi se më 30 tetor 2024 ndodhej me 46-vjeçaren në bodrumin e banesës së tij për të konsumuar drogë. Me ta ishte edhe një tjetër person, gjithashtu përdorues droge.

Sipas dëshmisë së tij, gruaja po fliste në telefon dhe filloi të bërtiste, moment në të cilin ai dhe personi tjetër i mbuluan gojën, duke i shkaktuar asfiksi fatale. Më pas, trupin e saj e hodhën në një kazan mbeturinash.

Sa i përket viktimës së dytë, autori pretendon se ajo vdiq më 24 korrik 2025, gjithashtu në bodrumin e tij, pas përdorimit të drogës. Ai tha se më pas e transportoi trupin në çatinë e pallatit ku banon dhe e fshehu në një papafingo.

“Ra në gjumë dhe nuk u zgjua më”, ka deklaruar ai, ndërsa autoritetet theksojnë se autopsia do të zbardhë shkaqet reale të vdekjes.

Hetimet morën kthesë vendimtare kur oficerët e policisë konstatuan se dy gratë e zhdukura kishin një njohje të përbashkët me 52-vjeçarin. Pas ndjekjes së tij, policia ndërhyri dhe e arrestoi. Aktualisht, hetimet e policisë greke janë në zhvillim, ndërsa ekipe speciale po kontrollojnë banesën ku dyshohet se ndodhën krimet.

Autoritetet bëjnë me dije se pritet edhe arrestimi i personit tjetër që, sipas dëshmisë së autorit, ishte i pranishëm në bodrum gjatë vrasjes së parë.

Nga ritual ditor në barrë mujore, pse po shtrenjtohet kafeja në Tiranë

By: A R
28 January 2026 at 09:12

Vitin e kaluar, çmimi mesatar i kafesë u rrit me 5.4%, ritmi më i lartë që nga viti 2022. Një filxhan kafe në zonat e preferuara të Tiranës tani kushton në një minimum 110 lekë, nga 80-90 lekë që ishte në fillim të 2025, ndërsa në periferi kushton 80-90 lekë minimumi nga 60-70 lekë që ishte më parë.

Çmimi i kafesë në vendin tonë shkon përtej përballueshmerisë së filxhanit, teksa prek drejtpërdrejt ritualin e përditshëm social. Shqipëria ka një densitet të lartë të bareve në raport me popullsinë dhe kafeja është pika e takimit për punë, biseda dhe pushim. Nga një shpenzim i vogël kafeja po shndërrohet në një barrë të papërballueshme sidomos për të rinjtë, pensionistët dhe punonjësit me paga fikse.

Burimet nga tregu pohojnë se rritja e çmimeve po vjen nga dy arsye kryesore. Së pari dhe kryesorja, rritja e çmimit në tregjet ndërkombëtare dhe rritja e konsumit nga turistët në anën tjetër.

Importet e kafesë vitin e kaluar arritën në një rekord prej 8,1 mijë tonë me rritje 5,3% në krahasim me 2024, sipas doganave.

Shkaku kryesor i rritjes së fortë në vitin e fundit lidhet me ofertën globale për kafe të shkaktuar nga klima.

Prodhuesit kryesorë, veçanërisht Brazili dhe Vietnami, janë goditur nga episode të motit ekstrem si thatësira të gjata të ndjekura nga reshje intensive që kanë dëmtuar rendimentin. Kafeja është një kulturë shumë e ndjeshme ndaj ndryshimeve të temperaturës dhe reshjeve, ndaj edhe devijime të vogla përkthehen shpejt në rënie të prodhimit dhe rritje çmimesh.

Në të njëjtën kohë, kërkesa globale ka vazhduar të rritet, sidomos në Azi dhe në tregjet urbane të vendeve në zhvillim, ku konsumi i kafesë po rritet me ritme më të shpejta se në Europë dhe Amerikën e Veriut. Ky kombinim i kërkesës në rritje me ofertën e kufizuar ka krijuar një presion të drejtpërdrejtë mbi çmimet ndërkombëtare.

Gjithashtu Shqipëria ka hyrë në një fazë ku kërkesa për kafe po nxitet nga flukset e vizitorëve. Me mbi 12 milionë turistë në vitin 2025, konsumimi i kafesë në qytete si Tirana, Durrësi, Vlora apo Saranda është bërë pjesë e industrisë së turizmit.

Për bizneset, kjo e ndryshon plotësisht logjikën e çmimit, pasi kafeja nuk shitet më vetëm për shqiptarin me të ardhura mesatare, por edhe për turistin europian që është i mësuar të paguajë 3–5 euro për një ekspres.

Nëse një pjesë e madhe e klientëve është e gatshme të paguajë më shumë, çmimi i tregut zhvendoset lart për të gjithë, edhe për vendasit.

Rritja e çmimit të kafesë ndikon në strukturën e bizneseve të vogla, të cilat janë masivisht të lidhura me këtë produkt. Në shumë bare shqiptare, kafeja përbën një pjesë të madhe të xhiros dhe të fitimit.

Në një mjedis të dominuar nga turizmi, zgjedhja shpesh anon nga rritja e çmimeve, duke e zhvendosur modelin e biznesit gjithnjë e më shumë drejt konsumatorit të huaj.

75 mln $ e 70 VIP-a në Shtëpinë e Bardhë, dokumentari për Melania Trump “tërbon” amerikanët

By: A R
28 January 2026 at 09:04

Dokumentari Melania, që tregon jetën e Zonjës së Parë së SHBA-ve, në 20 ditët para se Donald Trump, të merrte (për herë të dytë) detyrën e presidentit, do të shfaqet në kinema amerikane vetëm pas 2 ditësh.

Por ai ka shkaktuar tashmë një stuhi polemikash.

Së pari për koston: Amazon ka paguar 40 milionë dollarë për të drejtat e filmit dhe do të shpenzojë edhe 35 milionë për reklamim, ndërsa pritet që në fundjavën e parë në Amerikë, filmi të fitojë vetëm rreth 2 milionë dollarë. Krahasuar me shpenzimet është shumë pak sepse dokumentari më i suksesshëm i vitit 2024, Am I Racist?, në 3 ditët e para fitoi 4.5 milionë dollarë, ndërsa kishte kushtuar vetëm 3 milionë dollarë.

Trump e ka postuar shpesh filmin në rrjetet sociale,ndërsa së fundmi ka shkruar se “biletat po shiten shpejt”. Teksa parashikohet që nuk do të ketë shumë fitime, fotot me mbishkrime fyese që kalimtarët kanë shkruar mbi posterat e filmit janë bërë tashmë meme në rrjet.

Zgjedhja e regjisorit ka shkaktuar gjithashtu reagime të forta: Brett Ratner nuk ka drejtuar një film që nga viti 2017, kur 6 gra e akuzuan për sjellje të pahijshme seksuale.

Por polemika më e madhe shpërtheu pas shfaqjes speciale për të ftuarit, ku ishin rreth 70 persona, nga Mike Tyson te mbretëresha Rania e Jordanisë. Ngjarja u mbajt të shtunën, 24 janar, në Sallën Lindore të Shtëpisë së Bardhë. Të ftuarit u pritën nga një orkestër ushtarake që luante tema të njohura filmi dhe një këngë. Ata morën edhe dhurata, përfshirë ëmbëlsira me ngjyrë bardh e zi me emrin e zonjës së parë.

Problemi është se ngjarja u mbajt pak orë pas vdekjes së Alex Pretti-t, i vrarë nga disa policë në Minneapolis. Ftesat ishin dërguar prej muajsh, por shumë e panë këtë si moment të gabuar. Shumë amerikanë mendojnë se të ftuarit më të njohur, përfshirë kreun e Apple Tim Cook, atë të Amazon, Andy Jassy (i cili, gjithashtu, ka financuar filmin) dhe presidenten e Bursës së New York-ut, Lynn Martin, nuk duhej të shkonin dhe se Trump duhet të kishte anuluar mbrëmjen.

Deputetja demokrate Alexandria Ocasio-Cortez shkroi në rrjet:

Policët vrasin një infermier, sekretarja e Drejtësisë përpiqet të marrë të dhëna të fshehta të zgjedhësve, gjysma e vendit po përballet me krizë për shkak të të ftohtit të ashpër, dhe me çfarë po merret presidenti? Organizon një mbrëmje filmi në Shtëpinë e Bardhë.

LETRA / 76 kryebashkiakë në mbështetje të Veliajt dhe Imamoglu: Të shqetësuar për mbajtjen e tyre në burg pa afat

By: A R
28 January 2026 at 08:55

Kryetarët e bashkive anëtare të Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40 shprehin shqetësimin e tyre të thellë për paraburgimin pa afat të Kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në një letër të përbashkët, krerët e 76 bashkive e quajnë mbajtjen në paraburgim pa afat të Imamoglusë dhe Veliajt një “trend të rrezikshëm” që kërcënon demokracinë vendore në Ballkan dhe më gjerë.

Ata kërkojnë t’i jepet fund masës së paraburgimit ndaj tyre: “Thirrja jonë e qartë është t’i jepet fund paraburgimit pa afat të Kryetarit Ekrem İmamoğlu dhe Kryetarit Erion Veliaj, dhe t’u lejohet të presin në liri procedurat ligjore, duke ushtruar njëkohësisht detyrat që u janë besuar nga qytetarët që përfaqësojnë”.

Sipas nënshkruesve të letrës, largimi nga detyra i zyrtarëve të zgjedhur pa një vendim përfundimtar “nuk është drejtësi” dhe minon vullnetin e votuesve. Ata i referohen edhe Raportit të tetorit 2025 të Komisionit të Venecias dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se ndalimi duhet të jetë masë e fundit dhe jo mjet për pengimin e mandatit. B40 bën thirrje për drejtësi transparente, proporcionale dhe respektim të mandateve demokratike.

Më poshtë letra e plotë e Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40:

Letër e përbashkët: Qëndrim solidarizues për Demokracitë Lokale dhe dhënien fund të masës së paraburgimit për Kryetarin e Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Ne, të nënshkruarit kryetarë të bashkive të Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40, nisma më e rëndësishme e rajonit të Ballkanit, e themeluar nën udhëheqjen e z. Ekrem İmamoğlu, Kryetar i Bashkisë së Stambollit, shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me shfaqjen e një trendi të rrezikshëm që kërcënon demokracinë vendore në Ballkan dhe në botë.

Pavarësisht përkatësive tona të ndryshme politike, ne jemi të bashkuar në ngritjen e alarmit për paraburgimin pa afat të Kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, President themelues i Rrjetit B40, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Presidenti i tretë i Rrjetit B40, si edhe të kryetarëve të tjerë. Largimi nga detyra i zyrtarëve të zgjedhur në mënyrë demokratike, pa një vendim përfundimtar, nuk është drejtësi. Ai minon vullnetin e votuesve dhe paraqet kërcënime të drejtpërdrejta për demokracitë vendore.

Raporti i tetorit 2025 i Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës paralajmëron shprehimisht se përdorimi i paraburgimit ndaj kryetarëve aktualë të bashkive përbën rrezik serioz për qeverisjen demokratike. Kur zbatohet pa afat, një paraburgim i tillë i privon në praktikë qytetarët nga përfaqësimi, duke i mënjanuar përfaqësuesit e zgjedhur prej tyre pa një procedurë të rregullt ligjore.

Sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndalimi duhet të mbetet një masë e fundit, jo një mjet për ta penguar ushtrimin e mandatit për arsye politike. Kur një kryetar bashkie i zgjedhur mbahet i ndaluar pa kusht ose pa gjyq, qytetarët mbeten pa përfaqësim, çka gërryen besimin e publikut dhe legjitimitetin institucional.

Është e qartë se ndalimi dhe procedurat gjyqësore që lidhen me Kryetarin Ekrem İmamoğlu dhe Kryetarin Erion Veliaj nuk përputhen me parimet dhe standardet e sanksionuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të artikuluara në Raportin e tetorit 2025 të Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës.

Ne theksojmë çfarë nuk po kërkojmë. Ne nuk kërkojmë imunitet, as nuk komentojmë mbi thelbësinë e akuzave apo mbi fajësinë ose pafajësinë. Apeli ynë është i kufizuar, parimor dhe plotësisht në përputhje me standardet evropiane.

Thirrja jonë e qartë është t’i jepet fund paraburgimit pa afat të Kryetarit Ekrem İmamoğlu dhe Kryetarit Erion Veliaj, si edhe kryetarëve të tjerë të ndaluar, dhe t’u lejohet të presin në liri procedurat ligjore, duke ushtruar njëkohësisht detyrat që u janë besuar nga qytetarët që përfaqësojnë.

Drejtësia duhet të jetë transparente, proporcionale dhe respektuese ndaj zgjedhjes demokratike. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve përkatëse t’i zbatojnë këto parime dhe të mbrojnë demokracinë vendore.

Ne, kryetarët e bashkive të nënshkruar më poshtë të Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40, u bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve përkatëse të sigurojnë rivendosjen e mandateve demokratike dhe zbatimin e qëndrueshëm të normave evropiane në të gjitha rastet që kanë të bëjnë me zyrtarë vendorë të zgjedhur.

Instituti i Vjenës: Skenari i anëtarësimit të pjesshëm për Shqipërinë në BE

By: A R
28 January 2026 at 08:48

Mali i Zi dhe Shqipëria janë të parët në radhë për anëtarësim në BE nga të gjitha vendet kandidate.

Pranimi i këtyre vendeve është një perspektivë realiste dhe jo si rezultat i favorizimit të BE-së, analizoi këto ditë një forum i mbajtur nga Instituti Ndërkombëtar i Vjenës për Studime Ekonomike (wiiw).

Pjesëmarrësit vunë në dukje se pavarësisht pozicionit të favorshëm, Shqipëria ka një përqendrim shqetësues të pushtetit dhe Presidenti i Serbisë Vuçiç mund të krijojë ende paqëndrueshmëri në Mal të Zi, ndaj një skenar i anëtarësimit të pjesshëm në BE është më i mundshëm në tre vitet e ardhshme.

Sipas këtij skenari anëtarësimi i pjesshëm do të thotë që një vend kandidat hyn në bashkimin ekonomik dhe institucional të Bashkimit Europian, pa qenë ende anëtar me të drejta të plota politike (vote).

Sipas këtij skenari Shqipëria do ketë akses në tregun e brendshëm të BE-së, të përfshihet në politikat e saj ekonomike, të marrë fonde zhvillimi dhe të zbatojë legjislacionin europian, ndërkohë që nuk do të ketë të drejtë vote në Këshillin e BE-së, nuk do të ketë komisioner europian dhe nuk do të ketë përfaqësim të plotë në Parlamentin Europian.

Sipas këtij skenari Mali i zi dhe Shqipëria do të jenë brenda BE-së në aspektin ekonomik dhe rregullator brenda tre viteve të ardhshme, po për shumë vite të tjera nuk mund të jenë anëtar politik i Unionit.

Ky model sipas analistëve të Vjenës synon të kapërcejë paradoksin aktual të zgjerimit, ku vendeve kandidate u kërkohet të zbatojnë një pjesë shumë të madhe të rregullave të BE-së, por për vite të tëra nuk përfitojnë ekonomikisht nga ky proces.

Me këtë formë anëtarësimi kompanitë shqiptare do të kenë akses real në tregun e përbashkët europian, pa tarifa dhe pa barriera jo-tarifore, që investitorët e huaj ta trajtojnë vendin si pjesë të hapësirës ekonomike të BE-së dhe që ekonomia shqiptare të integrohet drejtpërdrejt në zinxhirët e prodhimit dhe të shërbimeve të Europës.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria do të mund të merrte fonde shumë më të mëdha se ato që merr sot përmes instrumenteve të para-anëtarësimit, duke përfituar nga fondet strukturore, bujqësore dhe infrastrukturore që sot janë të rezervuara vetëm për shtetet anëtare.

Nga ana e Bashkimit Europian, kjo shihet si një mënyrë për të stabilizuar Ballkanin Perëndimor, për ta lidhur atë fort me ekonominë europiane dhe për të ulur ndikimin e aktorëve të tjerë gjeopolitikë, pa u detyruar të marrë menjëherë vendime politike të ndjeshme për anëtarësimin e plotë.

Nga ana e vendeve kandidate, anëtarësimi i pjesshëm shihet si një mënyrë për të mos humbur edhe një dekadë tjetër në pritje, ndërkohë që popullsia emigron dhe ekonomitë mbeten të izoluara nga tregu më i madh në botë.

Për lëvizjen e njerëzve, anëtarësimi i pjesshëm në BE nënkupton se qytetarët e një vendi si Shqipëria të kenë më shumë të drejta për të punuar, studiuar dhe qëndruar në vendet e BE-së, por jo pa kufizime. Modeli që po diskuton BE është i ngjashëm me atë që ka sot Norvegjia ose Zvicra në disa fusha, por më i kufizuar.

Analistet e Vjenës pohuan se Ballkani Perëndimor ka pritur në radhë për një kohë të gjatë, duke theksuar se, fitimet nga konvergjenca ekonomike e BE-së kanë qenë mjaft të pakta. Për më tepër, politikat e rrepta fiskale në rajon kufizojnë manovrat.

Ndryshe nga Ukraina, Ballkani Perëndimor ka qenë mjaft i mirë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe perspektiva e tyre e përgjithshme është pozitive, me një situatë makroekonomike mjaft të qëndrueshme. Çështja më problematike këtu është mungesa e konkurrueshmërisë, e shoqëruar me një nevojë urgjente për një politikë më të mirë industriale./Marrë nga Monitor

Divorcet në rekord historik, çfarë po i ndodh familjes shqiptare?

By: A R
28 January 2026 at 08:40

Shqiptarët po martohet gjithnjë e më pak dhe po ndahen gjithnjë e më shumë. Shifrat më të fundit të INSTAT tregojnë se numri i martesave ka rënë në nivelin më të ulët historik, ndërsa divorcet kanë marrë drejtim të kundërt, duke arritur kulme që nuk janë parë kurrë më parë.

Një në tre martesa kanë përfunduar në divorc në vitin 2024, sipas shifrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.

Të dhënat për martesat konfirmojnë se Shqipëria nuk po përballet vetëm me një valë ndarjesh, por edhe me një tkurrje të fortë të vetë institucionit të martesës.

Nga rreth 29 mijë martesa në vitin 1990, niveli mbetet relativisht i qëndrueshëm gjatë viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000, me luhatje rreth 25–27 mijë në vit, përpara se të nisë një rënie strukturore pas vitit 2004.

Një ndërprerje e fortë vihet re që nga mesi i viteve 2000, kur martesat bien nën 22 mijë dhe nuk arrijnë më të rikuperojnë nivelet e mëparshme, pavarësisht disa rikthimeve të përkohshme.

Pas vitit 2015, trendi bëhet qartësisht negativ, me një përshpejtim të rënies pas vitit 2019. Pandemia e thellon më tej këtë prirje, por rënia nuk ndalet as pas saj.

Viti 2024 shënon minimumin historik me vetëm 16 120 martesa, gati gjysma e nivelit të fillimit të viteve ’90, duke reflektuar jo thjesht një efekt demografik apo ekonomik, por një ndryshim të thellë në zgjedhjet sociale, emigracionin e të rinjve dhe hezitimin gjithnjë e më të madh për të formalizuar lidhjet në martesë.

Sakaq edhe treguesi i divorceve për 1 000 martesa, i cili në vitin 1990 ishte 9.2, ka ndjekur një trajektore rritëse për më shumë se tri dekada, por vitet e fundit kanë thyer çdo rekord të mëparshëm.

Nga fundi i viteve ’90, kur treguesi zbriti në minimumin historik prej 5.9 në vitin 1997, divorci nisi një ngjitje të pandalshme gjatë viteve 2000 dhe 2010, duke kaluar mbi 20 ndarje për 1 000 martesa që pas vitit 2018.Raportimi më i fundit tregon se viti 2024 shënon një rekord absolut prej 29.8 divorceve për 1 000 martesa, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në vend.

Analistë të fushës socio-demografike shohin në këto shifra jo vetëm një ndryshim statistikor, por një transformim të thellë të strukturave sociale.

Gëzim Tushi, sociolog shprehet se, në vitet pas tranzicionit, kur mungesa e perspektivës dhe krizat ekonomike mbajtën bashkë familje të tëra, divorci shpesh shihej si luks ose dështim. Sipas tij, sot, shqiptarët, të ekspozuar ndaj ndikimeve ndërkombëtare, më të pavarur ekonomikisht dhe më të vetëdijshëm për standardet e mirëqenies personale, po bëjnë zgjedhje të reja për jetën në çift.

Ekspertë të familjes dhe politikave sociale vlerësojnë se rritja e divorceve është ndikim i drejtpërdrejtë i disa faktorëve kryesorë: urbanizimit të shpejtë, emigracionit masiv të brezave të rinj, presionit ekonomik mbi familjet e reja dhe një normë sociale që ka evoluar drejt mirëqenies individuale, mbi mbijetesën kolektive.

Nga ana tjetër, sistemi gjyqësor dhe shërbimet sociale po përballen me një volum gjithnjë e më të madh çështjesh familjare, që kërkojnë reagim politik dhe mbështetje institucionale, sipas komunikimeve të marra nga psikologët socialë në gjykata.

Z.Tusha thekson se, një rritje e divorceve sjell sfida të reja për kujdesin ndaj fëmijëve, për çështjet e pronës dhe për mbështetjen sociale të prindërve të vetëm.

Avokate Nexhi Beqiri shton se divorcet vitet e fundit vijnë kryesisht nga çifte në të 40at, të cilët nuk bëjnë kompromise si dikur. Problematika që ndjekin këto divorce, sipas avokates, janë ndarjet e pasurive dhe kujdestaritë e fëmijëve, të cilët marrin muaj e vite në dyert e gjykatave./Marrë nga Monitor

Tabaku kërkoi dekriminalizimin e plotë të shpifjes, Balla: Si mund ta votoj ligjin tënd kur unë jam në gjyq me Berishën për atë vepër penale

By: Os De
27 January 2026 at 23:04

Kërkesën e deputetes Jorida Tabaku, që shpifja të dekriminalizohet si vepër penale tërësisht dhe për të gjithë, jo vetëm për gazetarët, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi si një qokë të deputetes demokrate ndaj kryetarit të partisë së saj, Sali Berishës. 

“Ndryshimi i vetëm i sqarimit për çështjen që lidhet me mediat dhe propozimit të zonjës Tabaku dhe propozimit final ka të bëjë me qasjen tonë të artë, që ne nuk bëjmë ligje për vete. Ju më thoni mua, që unë të votoj një ligj që të amnistojë kryetarin e partisë tuaj. Unë jam në gjyq penal me kryetarin e partisë tuaj, ai është akuzuar për shpifje. Ju, zonja Tabaku, më ftoni që të votoj një ligj që amniston kryetarin e partisë tuaj. Për gazetarët, padyshim që i kemi përjashtuar”,- tha Balla. 

Horror në Selanik/ Gjenden dy gra të vdekura në një bodrum, njëra prej tyre ishte hedhur në kazanin e plehrave

By: Os De
27 January 2026 at 22:59

Një ngjarje tronditëse ka vënë në alarm autoritetet greke në Selanik gjatë 24 orëve të fundit. Dy gra, përdoruese droge, u gjetën të vdekura në bodrumin e një 52-vjeçari, i cili u arrestua dhe pranoi para policisë se ishte i përfshirë në vdekjen e tyre.

Sipas policisë, viktima e parë është një grua 46-vjeçare, e cila rezultonte e zhdukur që nga viti 2024. Familja e saj kishte denoncuar zhdukjen në shkurt 2025 në Policinë e Aleksandrupolit, duke deklaruar se nuk kishin pasur kontakt me të që nga shtatori 2024. Hetimet zbuluan se ajo nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë.

Autori 52-vjeçar deklaroi se më 30 tetor 2024 ndodhej me 46-vjeçaren në bodrumin e banesës së tij për të konsumuar drogë. Me ta ishte edhe një tjetër person, gjithashtu përdorues droge.

Sipas dëshmisë së tij, gruaja po fliste në telefon dhe filloi të bërtiste, moment në të cilin ai dhe personi tjetër i mbuluan gojën, duke i shkaktuar asfiksi fatale. Më pas, trupin e saj e hodhën në një kazan mbeturinash.

Sa i përket viktimës së dytë, autori pretendon se ajo vdiq më 24 korrik 2025, gjithashtu në bodrumin e tij, pas përdorimit të drogës. Ai tha se më pas e transportoi trupin në çatinë e pallatit ku banon dhe e fshehu në një papafingo.

“Ra në gjumë dhe nuk u zgjua më”, ka deklaruar ai, ndërsa autoritetet theksojnë se autopsia do të zbardhë shkaqet reale të vdekjes.

Hetimet morën kthesë vendimtare kur oficerët e policisë konstatuan se dy gratë e zhdukura kishin një njohje të përbashkët me 52-vjeçarin. Pas ndjekjes së tij, policia ndërhyri dhe e arrestoi. Aktualisht, hetimet e policisë greke janë në zhvillim, ndërsa ekipe speciale po kontrollojnë banesën ku dyshohet se ndodhën krimet.

Autoritetet bëjnë me dije se pritet edhe arrestimi i personit tjetër që, sipas dëshmisë së autorit, ishte i pranishëm në bodrum gjatë vrasjes së parë.

‘Molotovi të kategorizohet si armë zjarri’, Braçe nxjerr foto nga protestat e Berishës: E papranueshme

By: Os De
27 January 2026 at 22:56

Në diskutimet për ndryshimet në Kodin Penal, deputeti Erion Braçe propozoi nga foltorja e Kuvendit që ligjvënësit të miratojnë kategorizimin e molotovit nga ligji si armë zjarri. Duke paraqitur foto nga protestat e dhunshme të Sali Berishës në Tiranë, Braçe tha se kjo formë e protestimit është e papranueshme dhe duhet ndëshkuar ashpër penalisht. 

“Jam plotësisht dakord edhe me ashpërsimin që i bëhet dispozitave që ndëshkojnë zjarrvënien, është një problem shumë i madh për mjedisin dhe mjedisin e kemi të përbashkët. 

Nga viti 2013 e këtej unë nuk di ndonjë gazetar të dënuar për shpifje. Le të çohet dhe të dalë kudo që është dhe të thotë: po, jam dënuar unë për shpifje. Nuk di që të kemi pasur gazetarë në burg, sepse ishte një periudhë që në burg kanë hyrë gazetarë ose persona të tjerë që kanë parë tanke që lëviznin në territorin e Republikës së Shqipërisë. 

,,,e drejta për protestë, për të kundërshtuar një ligj, një politikë, një qeveri, ama unë vazhdoj të mendoj që është e papranueshme gjuha që opozita të flasë me gjuhën e zjarrit, me molotovin, apo që qeveria të flasë me gaz lotsjellës, me plumba, jo e jo”,- tha Braçe. 

 

 

Korreshi ngre tonet në Kuvend: E keni në terezi, hani petulla me mjaltë.. Po na çani dërrasat, sistemin e drejtësisë e keni të kalbur

By: Os De
27 January 2026 at 22:51

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka ngritur tonet gjatë fjalës së tij në Kuvend ndaj deputetëve të PS, duke u shprehur sistemi i drejtësisë në vend është ‘i kalbur’. 

Ai po ashtu u shpreh se pjesë e sistemit të drejtësisë që sipas tij është ‘i mbaruar’, nuk është vetëm SPAK-u. 

“Sot edhe SPAK bën hetim penal për të gjithë policët që kalojnë kufirin me 50 mijë lekësha. Ju thoni ndërtimet pa leje. Kush i kishte këto bashkitë, se po na çani dërrasat këtu në Parlament. I paskeni të gjithë të punësuarit sylesh. E dini ju çfarë ka bërë qeveria. Një rast iu dogj shtëpia njërit në Lushnje, asnjë lekë, asgjë, se i hedhin për të tjera gjëra. 

Një tjetër thoshte dua shtëpi se po më vdes baba, i vdiq. Ti e ke në terezi, petulla me mjaltë, me Nutella, por ti s’e di që për të bërë një divorc do 7 vjet nëpër gjykata. Sot sistemin e drejtësisë e ke të kalbur, sistemin e drejtësisë e ke të mbaruar, nuk është vetëm SPAK-u”, u shpreh Korreshi. 

 

 

 

 

FOTO/ Tifoz i zjarrtë i PAOK, ky është i riu shqiptar që humbi jetën nga aksidenti në Rumani

By: Os De
27 January 2026 at 22:46

Personi në foto është i riu shqiptar, Vasil Pilo i cili humbi jetën këtë të martë me 6 tifozë të PAOK në një aksident tragjik në Rumani. Ai është identifikuar zyrtarisht vetëm pak minuta më parë nga policia rumune, e cila tashmë ka kaluar informacionin edhe drejt policisë greke.

Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga burime të sigurta pranë ambasadës shqiptare në Greqi. Vasil Pilo mësohet se jetonte me familjen e tij në Alexandria të Imathias në Greqi prej shumë vitesh. Jashtë kamerave miqtë e tij tregojnë se Vasili ishte tifoz i zjarrtë i PAOK dhe ishte prezent në gjithë ndeshjet e skuadrës së tij të zemrës, atë çka po bënte edhe sot teksa po udhëtonte drejt Francës.

Nga ana tjetër, Genci Sadiku është shqiptari tjetër emigrant i cili vetëm rreth orës 14:00 ka mundur të komunikojnë nëpërmjet telefonit me familjen e tij vetëm për pak sekonda. Ai është shprehur se do të rikthehet në Shqipëri.

“Nuk e di si jam gjallë, por jam mirë. Do vij përsëri në shtëpi”, kanë thënë familjarët jashtë kamerave për mediat greke. Euronews.al

Trump: Bordi i Paqes mund ta zgjerojë misionin e tij në territore të tjera

By: Os De
27 January 2026 at 22:40

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se zona e përgjegjësisë së Bordit të Paqes që ai krijoi për të zgjidhur situatën në Rripin e Gazës mund të zgjerohet në territore të tjera.

“Dhe tani, për më tepër, kemi Bordin e Paqes, vetëm për t’u siguruar që gjërat të shkojnë mirë, dhe ndoshta mund të përhapet në territore të tjera kur të kemi nevojë për to”, tha ai në një intervistë me WABC.

Më 22 janar, përfaqësuesit e 19 vendeve nënshkruan kartën që themelon Bordin e Paqes për Gazën në një ceremoni në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Sipas Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, atij i janë bashkuar edhe vende të tjera. Ndërsa Bordi u krijua për të qeverisur enklavën, misioni i tij pritet të shtrihet edhe në konflikte në pjesë të tjera të botës.

Sjellje bullizuese dhe denigruese, zarfi i zi nxjerr nga loja e ‘Big Brother VIP’ Keijsin! Banorët as nuk çohen ta përshëndesin

By: Os De
27 January 2026 at 22:36

Keijsi Hyseni është larguar mbrëmjen e sotme nga shtëpia e Big Brother VIP Albania. Ishte njëri prej zarfeve të zinj që shënoi përfundimin e rrugëtimit të tij në spektakël dhe kjo për shkak të sjelljeve denigruese që kishte treguar përballë një tjetër banori, Kristit. 

Bëhet fjalë për një përballje të një nate më parë dhe jo vetëm, teksa Keijsi ka ofenduar Kristin me fjalë denigruese dhe bullizuese gjithashtu dhe duke vënë në diskutim orientimin seksual të tij. 

Situata nuk u diskutua, por menjëherë u lexua zarfi pas transmetimit të klipit. 

Dalja e Keijsit, ndau dhe banorët në dy grupe, një pjesë e vogël të cilët zgjodhën që ta përcillnin deri tek dera dhe pjesa tjetër që nuk i dhanë as dorën. Kjo nxiti dhe një debat mes Selin dhe Mateos, pasi ky i fundit zgjodhi që ta përshëndeste tek dera e kuqe. 

Ky ishte zarfi i dytë i zi që është lexuar mbrëmjen e sotme. I pari ishte për Rogert Sterkaj, i cili u paralajmërua për sjelljen e tij të rëndë kundrejt banorëve të shtëpisë. Rogerti u dërgua në televotim të përhershëm. 

 

Lamallari ironizon opozitën: Për kallëzimet ‘pushka top’, por do mbani përgjegjësi për shpifjet

By: Os De
27 January 2026 at 22:29

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ka ironizuar deputetët e opozitës duke thënë se mund të bëjnë kallëzime sa të duan, por do të mbajnë përgjegjësi për shpifjet. 

“Është Ministria e Drejtësisë që komunikon me Komisionin Europian. Ka shumë të drejtë deputeti Manja kur thotë që e gjitha është për ta marrë flamurin, kishit mundësi shumë vite ta merrnit flamurin, nuk e morët. Gazetarët dënoheshin atëherë me ligj. Keni merakun, meqë u hap kjo e dekriminalizimit të shpifjes, meqë bëhet për gazetarët, përfitojmë edhe ne se dy gjëra na kanë ngelur, ose shpifja ose gjysmë kallëzimet, kërkesat për informacione që i paraqisni si kallëzime. Për këtë të dytën, pushka top, për shpifjet jo, do të mbani përgjegjësi.”, theksoi ai. 

VIDEO- Aksidenti tragjik i tifozëve të PAOK-ut, një shqiptar mes viktimave. Një tjetër i plagosur

By: Os De
27 January 2026 at 22:22

Një aksident fatal me shtatë viktima ndodhi në Rumani, ku pjesë ishin tifozë të PAOK-ut, ndërsa ishin nisur për të ndjekur ndeshjen e skuadrës së tyre të zemrës në Francë.

Në furgon ishin dhjetë persona mes tyre, dy me kombësi shqiptare, por me nënshtetësi greke. Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka konfirmuar për Klan News se Vasil Palo është një nga viktimat, ndërsa shqiptari tjetër G. Sadiku është i plagosur, por jashtë rrezikun për jetën.

Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë udhëtimit të tifozëve drejt Lyon-it të Francës, ku PAOK do të luajë një ndeshje të vlefshme për grupet e Europa League.

Sipas autoriteteve, furgoni që transportonte tifozët u përplas ballë për ballë me një kamion, pasi tentoi të parakalonte.

Një video e publikuar nga kamera e një automjeti tregon momentin dramatik kur furgoni devijon nga korsia dhe përplaset me kamionin.

Përplasja rezultoi fatale për shtatë tifozë, ndërsa shoferi i kamionit mbeti i plagosur rëndë.

Protesta e PD, Zogaj: Më e madhja e kësaj partie pas zgjedhjeve të majit, por nuk e rrëzon qeverinë

By: Os De
27 January 2026 at 22:20

Analisti Preç Zogaj e cilëson protestën e fundit të Partisë Demokratike si më të madhën e kësaj force politike pas zgjedhjeve të 11 majit, por thekson se ajo nuk e rrëzon qeverinë.

I ftuar në emisionin “Triolog”, Zogaj nënvizon se kjo protestë nuk e rrëzon qeverinë, pasi sipas tij mungojnë rrethana të tjera që do ta çonin vendin drejt një krize politike.

“Kjo protestë e PD-së është më e madhja e kësaj partie pas zgjedhjeve të majit. Protestat e opozitës janë protesta politike që i organizon një parti politike, ku flasin liderët e Partisë Demokratike. Protesta politike të kësaj natyre nuk arrijnë kurrë të shkaktojnë zgjedhje të parakohshme ose të rrëzojnë qeverinë.

Janë shënuar vetëm dy raste kur është arritur krijimi i një qeverie teknike dhe në të dyja këto raste kjo ka pasur lidhje me komponentin popullor të protestës, duke qenë protesta masive, gjithëpërfshirëse dhe jo vetëm të përqendruara në një shesh ku njerëzit vijnë me autobusë të organizuar nga partia.

Për të bërë një mbledhje të tillë, një parti e madhe i ka këto mundësi, ndërsa protestat popullore që kanë shkaktuar krizë politike kanë qenë të shtrira jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera.

Kjo protestë nuk e rrëzon qeverinë, pasi duhet të ketë rrethana të tjera për ta çuar vendin drejt një krize politike. Opozita ka 30 vjet që duhet t’i japë fund kësaj stilieme, por kurrë nuk e bën dhe i kthehet vazhdimisht asaj, sepse kjo e karakterizon. Opozita tenton dhe mirë bën që tenton”, tha Zogaj.

❌
❌