Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 January 2026Java News

Militanti krahason Berishën me diellin: Doktor të rrosh… Shyqyr që e kemi! (VIDEO)

By: Os De
5 January 2026 at 19:55

Në foltoren e Berishës nuk mungojnë as shenjat e adhurimit të liderit. 

Një ndër militantëve të sotëm që u ngjit në Foltore e krahasoi Berishën me diellin (e partisë) dhe u shpreh i gëzuar shyqyr që e kemi. 

“Ja dielli. Doktor të rrosh…! Shyqyr që e kemi!” – u shpreh militanti duke u drejtuar nga Berisha. 

 

Tension në Manhattan! Turma pro dhe kundër Maduros përplasen para gjykatës

By: Os De
5 January 2026 at 19:41

Ndërkohë që brenda gjykatës federale të Manhatanit, Nicolas Maduro u deklarua i pafajshëm, jashtë gjykatës u mblodhën turma të mëdha njerëzish.

Dy grupe me qëndrime të kundërta protestuan paralelisht: njëra palë brohoriti kapjen e Maduro-s, ndërsa pala tjetër protestoi kundër ndalimit të tij dhe kërkoi lirimin.

Protestuesit u panë duke valëvitur flamuj venezuelianë dhe duke brohoritur slogane si: “Kush jemi ne? Venezuela! Çfarë duam? Liri!”. Disa mbanin pankarta me mbishkrimin “Liri për të burgosurit tanë politikë në Venezuelë”, ndërsa të tjerë shfaqnin banderola ku shkruhej “Liri për Presidentin Maduro”. Në protestë u vu re edhe një pankartë me mbishkrimin “Trump për Mbret”.

Sipas prokurorisë amerikane, Maduro akuzohet se ka udhëhequr “banda kriminale të sponsorizuara nga shteti” dhe ka korruptuar institucione shtetërore për të lehtësuar importimin e sasive të mëdha të kokainës në Shtetet e Bashkuara. Akuzat përfshijnë gjithashtu çështje që lidhen me armë dhe bashkëpunim kriminal ndërkombëtar.

Paraqitja e sotme në gjykatë konsiderohet një moment kyç në një proces që pritet të jetë i gjatë dhe me ndikim të madh politik e diplomatik, ndërsa zhvillimet në Nju Jork po ndiqen me vëmendje të lartë nga komuniteti ndërkombëtar.

Përfundon foltorja e PD/ “Rama si Maduro..” Berisha: Ja ku janë “forcat tona delta”, priti se do të të vijnë në Surrel!

By: Os De
5 January 2026 at 19:34

Kreu i PD, Sali Berisha, nga Foltorja para Kryeministrisë ka lëshuar akuza ndaj kryeministrit Edi Rama duke e cilësuar atë më keq se Maduro dhe duke e paralajmëruar se do të ketë të njëjtin fat si ai. 

Sali Berisha: Viti 2026 ngjason në histori me vitin e rrëzimit të diktaturave njëra pas tjetrës, narkodiktaturat dhe autokracitë sociale. 

Ky është më keq se Maduro, kontrollon me Franc Çopajn çmimin e kokainës. 

Ky njëlloj si Maduro ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale, ka marrë mandatet e opozitës, është njëlloj si Maduro sepse ky është I lidhur me kartelet më të fuqishme të drogës në Evropës. Ky është më keq se Maduro, kontrollon me Franc Copajn çmimin e kokainës në Evropë, ky është sa Maduro për shqiptarët sepse nëse Maduro ka përzënë 20% të popullatës, Ramaduro ka përzënë 40% të popullatës. Ky është më keq se Maduro, sepse ky preferon verëra 33 mijë euro shishe. 

Dhe me Lindat e tij vjedh qindra mln euro nga AKSHI. Olsi i Ramaduros instalonte fabrikën e parë të drogës në Xibrakë. E kuptoni pse thoshte në artikull se jam Maduro. Jo jo je Ramaduro. 

 

Petro Koçi: Berisha dhe Lapaj kanë sjellje gangsterësh

By: Os De
5 January 2026 at 19:30

Opozita vijon me protesta duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama, por për ish-deputetin socialist Petro Koçi, tubimet e tyre nuk kanë domethënie politike. I ftuar në emisionin “Tema e Ditës” me Arbër Hitaj në RTSH, Koçi u shpreh se kreu i PD-së, Sali Berisha, dhe drejtuesi i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, po sillen “si gangsterë”.

Protestat opozitare nuk janë domethënëse ndaj të cilave të ketë reagime që pastaj të shënojnë zhvillime të cilat mund të ndryshojnë status quon. Zoti Berisha dhe Lapaj si një kopje e tij, nuk mund të tronditin momentin politik në të cilin ndodhet Shqipëria. Të dy këto  personazhe janë me profil gangsterësh”, tha ai.

Sipas ish-deputetit, opozita po përhap thashetheme për qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme, por pa bazë reale. Ai theksoi se zgjedhjet e fundit treguan se opozita ishte e pafuqishme për të ndryshuar ekuilibrat elektoralë.

Nuk ka arsye, këto lloj temash në formë thashetheme hapen herë pas here, ne e dimë që ky është një zakon i vjetër i opozitës. Ne nuk kemi një zhvillim i cili të jetë thelbësor dhe të ndryshojë peshoren elektorale në vend. Sapo janë bërë zgjedhjet dhe opozita u provua që ishte e pafuqishme për të ndikuar dhe ndryshuar këtë peshore elektorale. Opozita mendon si të jetë e fortë dhe jo e shëndetshme. Nuk mendojnë si të ndryshojë imazhin, kredibilitetin moral dhe politik, programet, zgjidhjet që mund të ofrojë etj., që unë besoj se mund të ishin efektive nëse do preknin çështje themelore të funksionimit të shtetit, por jo që duan të heqin atë që është në pushtet që ta zëvendësojnë vetë. Kjo është një fabul që nuk mund të ecë përpara”, theksoi ai.

Ndalur te drejtësia, Koçi tha se Prokuroria e Posaçme (SPAK) është një nga “pasaportat’ kryesore të vendit për integrimin europian, një qëllim për të cilin, siç tha ai, duhet të punojë edhe mazhoranca edhe opozita. Megjithatë, ai shtoi se kjo e fundit po punon në drejtim të kundërt. Ai paralajmëroi se çdo ide për qeveri teknike do të dëmtonte procesin e negociatave.

SPAK është një nga pasaportat kryesore të procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Maxhoranca e ka shumë të qartë këtë gjë. E gjithë energjia e politikës sot duhet të fokusohet te integrimi europian. Aksioni strategjik që ka Shqipëria është integrimi europian i vendit dhe çdo qëndrim, qoftë i opozitës qoftë i mazhorancës, që e vë në dyshim këtë gjë, patjetër që do të krijonte pasoja. Edhe ideja e një qeverie teknike bie ndesh me procesin e integrimit europian sepse nëse do krijohej një qeveri ndryshe e imagjinoni çdo të ndodhë me ekipet e negocimit, hapat e ndërmarrë, do ta ndërpriste procesin. Opozita nuk është se po punon në favor të integrimit, po punon në disfavor sepse ata bëjnë një kalkulim që është dritëshkurtër. Ata mendojnë që integrimi europian i vendit do konsiderohet meritë e maxhoracës dhe jo atyre. Por edhe nëse është ashtu, për interesin e Shqipërisë nuk do kishte asgjë të keqe”, u shpreh ai.

Arrestimi nga SHBA, reagon djali i Maduros: Asnjë vend nuk është i sigurt! Babai im u rrëmbye, kërkoj solidaritet ndërkombëtar

By: Os De
5 January 2026 at 19:23

Nicolás Maduro Guerra, djali i presidentit të rrëzuar të Venezuelës, Nicolás Maduro, tha të hënën se babai i tij u “rrëmbye” nga Shtetet e Bashkuara dhe bëri thirrje për “solidaritet ndërkombëtar” me të në mënyrë që ai të mund të kthehet në vendin e Amerikës së Jugut. 

Maduro Guerra i bëri këto deklarata gjatë seancës së inaugurimit të Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, e mbajtur dy ditë pasi Maduro dhe gruaja e tij, Cilia Flores, u kapën në një operacion ushtarak amerikan në Karakas. Gjatë fjalimit të tij, Maduro Guerra tha se operacioni shkelte sovranitetin e Venezuelës dhe paralajmëroi se kjo mund të ndodhte në një vend tjetër. 

“Nëse e normalizojmë rrëmbimin e një kreu shteti, asnjë vend nuk është i sigurt. Sot është Venezuela, nesër mund të jetë çdo komb që refuzon të nënshtrohet. Ky nuk është një problem rajonal, është një kërcënim i drejtpërdrejtë për stabilitetin global, për njerëzimin dhe për barazinë sovrane të kombeve”, tha ai. 

“Njerëz të botës, po ju them: solidariteti ndërkombëtar me Nicolás-in, me Venezuelën, nuk është një gjest politik opsional, është një detyrë etike dhe ligjore. Heshtja përballë këtyre shkeljeve implikon ata që heshtin dhe dobëson sistemin ndërkombëtar që të gjithë pretendojnë se e mbrojnë”, tha ai. 

Maduro Guerra iu referua gjithashtu përfshirjes në aktakuzën e fundit të SHBA-së kundër babait të tij, Flores dhe të tjerëve, të cilët akuzohen për trafik droge dhe vepra penale me armë. Maduro Guerra i hodhi poshtë akuzat. 

“Unë dhe familja ime po persekutohemi”, tha ai. 

“Do ta paguash për atë që ke bërë”/ Pas dyerve të gjykatës në Nju Jork, Maduro i përgjigjet protestuesit: Jam rob lufte

By: Os De
5 January 2026 at 19:13

Arrestimi i Maduros dhe gruas së tij u zhvillua sot me momente dramatike. 

Zhurma e prangave në këmbët e Maduros dëgjohej qartë përpara se ai të hynte në sallën e gjyqit, ku ai u kthye, tundi kokën dhe dukej sikur i tha “buenos días” disa personave në sallë. 

Momenti më i tensionuar erdhi në fund të seancës, kur një qytetarë filloi t’i bërtiste në spanjisht se do të “paguante” për atë që kishte bërë. 

Maduro iu kthye dhe iu përgjigj në spanjisht, duke u përshkruar si një “president i rrëmbyer” dhe një “i burgosur lufte”, para se të shoqërohej jashtë i prangosur, duke kaluar pas gruas së tij përmes derës së pasme të oborrit. 

 

Xi Jinping-u takon kryeministrin irlandez Micheal Martin

By: Os De
5 January 2026 at 19:02

Të hënën paradite, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Pekin me kryeministrin irlandez Micheal Martin, që ndodhet për një vizitë shtetërore në Kinë.

Gjatë takimit, presidenti Xi u shpreh që Kina është e gatshme të forcojë shkëmbimet strategjike, të thellojë besimin e ndërsjellë politik dhe të zgjerojë bashkëpunimin pragmatik me Irlandën, për t’u sjellë të dy popujve përfitime dhe për të nxitur zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-BE.

Ai theksoi më tej që Kina do të vazhdojë të promovojë zhvillimin cilësor dhe të zgjerojë hapjen me botën e jashtme. Pala kineze është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me palën irlandeze në fushën ekonomiko-tregtare, të inteligjencës artificiale, të ekonomisë digjitale, të mjekësisë etj., dhe të promovojë investimet e dyanshme, për të ndarë së bashku mundësitë dhe për të arritur zhvillimin e përbashkët.

Nga ana e tij, kryeministri Micheal Martin u shpreh se Irlanda i përmbahet politikës së “një Kine” dhe është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me Kinën në fushën e tregtisë, investimeve, teknologjisë, biomjekësisë, energjisë së përtëritshme, inteligjencës artificiale, arsimit etj. Irlanda do të thellojë kontaktet me Kinën për të mbrojtur ligjin ndërkombëtar dhe tregtinë e lirë. Zhvillimi i qëndrueshëm i marrëdhënieve BE-Kinë ka rëndësi të madhe, vuri në dukje Martin, duke shtuar që Irlanda do të luajë një rol konstruktiv për nxitjen e zhvillimit të shëndetshëm të marrëdhënieve BE-Kinë

Protesta e PD/ Boçi: Rama ka ndërtuar një narkoshtet, meriton fatin e Maduros. Korrupsioni është sistem

By: Os De
5 January 2026 at 19:00

Ka nisur protesta e radhës e Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë. 

Në fjalën e tij Luçiano Boçi u shpreh kritik ndaj qeverisë Rama, duke thënë se kryeministri ka sjellë vetëm korrupsion për shqiptarët. 

“Kemi dëgjuar shumë opinione për platformën tonë, dhe u themi se nuk jemi këtu për spektakël politik, por jemi për të kërkuar llogaridhënie e drejtësi në mungesë të institucioneve. Jemi këtu për të transmetuar dhe për të mbrojtur të vërtetat tona sepse janë të vërteta të qytetarëve. Sot 46 % e tyre janë rrezik varfëri apo në rrezik përjashtimi social. Qytetarët mbajnë mbi supe peshën e korrupsionit”, ka thënë ai. 

Gjithashtu ai theksoi se shqiptarët janë grabitur, ndërsa vetë jetojnë në luks. 

Boçi holli edhe akuza ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke thënë se kryeministri Edi Rama po e mbron sepse është i frikësuar për vetë fatin e tij. 

“Me të gjitha grabitjet dhe vjedhjet është e vërteta e qytetarëve, dhe talljet që u bën Rama me shpurën dhe lugën bosh që u bën me tigra si barake dhe satelit orbital. Qytetarët e kanë kuptuar se sot po kërkon ti shkatërrojë familjen. Ballukët, Agasët, Mirlindat bëjnë vallen e vdekjen mbi fatet shqiptarëve dhe vetë notojnë në luks të shfrenuar. Të vërtetat tona janë të vërtetat e Sali Berishës dhe të PD”. 

 

 

SHBA/ Gjyqi për Maduron dhe gruan e tij zgjat 30 minuta, largohen nga gjykata. Seanca e radhës më 17 mars. Reagon avokati… 

By: Os De
5 January 2026 at 18:56

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe gruaja e tij kanë lënë sallën e gjyqit pas seancës dëgjimore, e cila zgjati rreth 30 minuta.

Maduro është urdhëruar të paraqitet për seancën e tij të radhës në gjykatë më 17 mars.

Ndërsa po zhvilloheshin diskutime për një datë të përshtatshme, avokati mbrojtës i Maduros theksoi “çështjet me ligjshmërinë e rrëmbimit ushtarak”.

Ai gjithashtu tha se ka disa probleme shëndetësore dhe mjekësore dhe kërkon një formular që mund të plotësohet “në mënyrë që të marrë ndihmën e duhur mjekësore gjatë paraburgimit”.

Avokati mbrojtës i Cilia Flores tha gjithashtu se ajo ka disa probleme shëndetësore. “Ajo ka mavijosje të rënda në brinjë dhe do të na duhet vëmendja e duhur”, thotë Mark Donnelly.

Maduro u ndal dhe u kthye nga galeria përpara se të shoqërohej jashtë sallës së gjyqit së bashku me gruan e tij.

Të dy u deklaruan të pafajshëm gjatë procedurave. Gjykatësi u tha atyre se do t’i marrë në pyetje herën tjetër në orën 11:00 më 17 mars.
Maduro para gjykatës në Nju Jork, avokati i tij: Nuk po kërkon lirim me kusht, mund ta bëjë kur… 
Avokati i Maduros thotë se klienti i tij nuk po kërkon të lirohet me kusht, por mund ta bëjë këtë gjë në vazhdim. Maduro dhe gruaja e tij kanë dalë tashmë para gjykatës në Nju Jork ku të dy nuk kanë pranuar fajësinë. 

“Jam presidenti i Venezuelës”/ Gjyqi ndaj Maduros e gruas së tij në Nju Jork, nuk pranojnë fajësinë

By: Os De
5 January 2026 at 18:39

Nicolas Maduro dhe gruaja e tij, Cilia Flores, u paraqiten për herë të parë në gjykatën federale për t’u përballur me akuzat për narkoterrorizëm.

Ata akuzohen për konspiracion narko-terrorizmi, komplot për importimin e kokainës, posedimi i mitralozëve dhe pajisjeve shkatërruese, konspiracion për të poseduar mitraloz dhe pajisje shkatërruese.

Gjykatësi Alvin Hellerstein u shpreh në fillim të seancës se puna e tij është të sigurohet që ky të jetë një gjyq i drejtë.

Maduro qëndroi në këmbë ndërsa iu kërkua të konfirmojë emrin e tij në gjykatë.

Gjykatësi vazhdoi duke i thënë Maduros se “do të ketë një kohë dhe një vend për të gjithë këtë” përpara se ta përsërisë pyetjen e tij.

Maduro përgjigjet duke konfirmuar emrin e tij. Në fjalët e tij të para publike që kur u soll në SHBA, Maduro i thotë gjykatës se është presidenti i Venezuelës dhe se u kap nga shtëpia e tij në Karakas.

“Nuk jam fajtor, jam një njeri i mirë, jam ende president i vendit tim”, vazhdon ai.

Vëmendja në gjykatë tani kthehet te gruaja e Nicolas Maduros, Cilia Flores, së cilës i kërkohet të ngrihet në këmbë dhe të konfirmojë emrin e saj.

“Po, unë jam Cilia Flores Maduro, unë jam zonja e parë e Venezuelës”, i thotë ajo gjykatës.

Ky është një ton i ngjashëm me Maduron, i cili e përshkroi veten si presidenti i Venezuelës në sallën e gjyqit.

Flores gjithashtu nuk pranon fajësinë për akuzat.

“Opozita s’ngjall më shpresë”/ Meçe: ‘Sekti Berishian’ është i ezauruar në Shqipëri

By: Os De
5 January 2026 at 18:31

Analisti politik Arben Meçe, i ftuar në “Tirana Live” në ABC News, ka komentuar zhvillimet e fundit në opozitë dhe sjelljen politike të Sali Berishës, duke i cilësuar ato si të përsëritura dhe jashtë normales.

Sipas Meçes, opozita ndodhet në një fazë ezaurimi, ndërsa veprimet dhe deklaratat e Berishës nuk prodhojnë më shpresë apo alternativë për qytetarët, por synojnë vetëm krijimin e përditshëm të një ngjarjeje mediatike.

Ai theksoi se Partia Demokratike është e uzurpuar nga një “sekt”, çka po pengon mendimin opozitar dhe përfaqësimin real të qytetarëve, duke nënvizuar se ndryshimi në opozitë do të vijë vetëm me largimin e Berishës nga drejtimi i PD-së.

“Do të vazhdojë çdo ditë e njëjta skemë. Nuk e di se çfarë po prodhon. Nuk gjen më asnjë mekanizëm për të analizuar sjelljet e Berishës. Nuk ka një njeri normal që të dalë 3 herë në konferenca shtypi dhe thotë gjithmonë të njëjtat gjëra. Sot ngaqë s’kishte se çfarë të thoshte, në dyert e SPAK ka thënë çudira. Në këtë kuadër dhe në këtë logjikë, produkti do të jetë ky që pamë sot. Shenjat tregojnë që ‘sekti Berishian’ është i ezauruar në Shqipëri.

Opozita duhet të prezentë ndaj qytetarit, jo ndaj medias. Kjo situatë, e kësaj proteste/foltoreje nuk është normale. Vetëm një psikoanalist mund të zbërthejë këto veprime anormale të Berishës. Rëndësi për Berishën ka që çdo ditë të prodhojë një ngjarje. Nuk duhet të gëzojmë që kemi këtë opozitë. Nuk është në favorin tonë kjo opozitë. Uzurpimi i opozitës nga një sekt sjell këtë produkt. PD është një sekt, që nuk mbështetet nga asnjë moral. Berisha nuk, prodhon asnjë fije shprese tek qytetari shqiptar dhe po ndrydh mendimin opozitar. Ndryshimi do të vijë ditën që Berisha do largohet nga drejtimi i PD”, tha Meçe.

LIVE-Sali Berisha rinis “Foltoret” para Kryeministrisë/ Opozita pa mbështetje në bulevard

By: Os De
5 January 2026 at 18:20

Demokratët e nisin këtë vit të ri me një traditë të vjetër, foltoret e çdo të hëne. Pasditen e sotme, përpara Kryeministrisë, po mbahet foltorja e shtatë radhazi, ku nuk ka ndryshim nga foltoret e vitit 2025, si për shkak të pjesëmarrjes, ashtu edhe të figurave që janë pjesë e saj. 

ABC News raportoi se ka një numër edhe më të vogël pjesëmarrësish, ndonëse ende nuk ka nisur foltorja nr. 7. Për fillimin e foltores nuk ka surpriza, pasi ato nisin me vonesë, në momentin kur Berisha vjen në podium. Deri në këto momente, të pranishëm janë sekretari i PD-së, Flamur Noka, dhe nënkryetari Boçi. 

Edhe në vitin 2026 nuk do të kemi një bashkim mes Berishës dhe Lapajt, ku ky i fundit e ka zhvendosur protestën e ditës së sotme në orën 19:00, për të mos pranuar bashkimin me Berishën. 

Nicolas Maduro do të përfaqësohet në gjyq nga avokati i Assange/ Akuzat që rëndojnë për ish-presidentin venezuelian dhe gruan e tij

By: Os De
5 January 2026 at 18:15

Nicolas Maduro do të përfaqësohet nga Barry Pollack, një avokat amerikan me përvojë i cili aktualisht përfaqëson Julian Assange dhe ndërmjetësoi marrëveshjen e tij për pranimin e fajësisë dhe lirimin nga burgu verën e kaluar.

Mark Donnelly, një avokat nga Hjustoni dhe ish-prokuror i Departamentit të Drejtësisë, i tha gjykatës se do të përfaqësojë gruan e Maduros, Celia Flores. Biografia e Donnelly-t thotë se ai flet spanjisht.

Akuzat me të cilat përballet Maduro

Departamenti Amerikan i Drejtësisë të shtunën publikoi një padi të re kundër presidentit të rrëzuar të Venezuelës, Nicolas Maduro, së bashku me gruan e tij, Celia Flores, djalin e tij Nicolas Maduro Guerra dhe zyrtarë të tjerë venezuelianë.

Në aktakuzë, prokurorët federalë në Nju Jork pretendojnë se “për më shumë se 25 vjet, udhëheqësit venezuelianë kanë abuzuar me pozicionet e tyre të besimit publik dhe kanë korruptuar institucione dikur legjitime për të kontrabanduar tone me kokainë në Shtetet e Bashkuara”.

Maduro ishte “në ballë të këtij korrupsioni”, thotë aktakuza, dhe përdori “pushtetin e tij të paligjshëm dhe institucionet që ai korruptoi për të transportuar mijëra ton kokainë në Shtetet e Bashkuara”.

Sipas aktakuzës, Maduro, në pozicione të ndryshme qeveritare, u siguroi pasaporta diplomatike venezueliane trafikantëve të drogës, siguroi mbulim diplomatik për aeroplanët e përdorur për të pastruar para nga Meksika në Venezuelë, dhe bashkëpunëtorët e tij “bashkëpunuan me disa nga trafikantët më të dhunshëm dhe më të frytshëm të drogës dhe narko-terroristët në botë” për fitimin e tyre.

Flores akuzohet, ndër të tjera, për pranimin e “qindra mijëra dollarëve në ryshfete për të ndërmjetësuar një takim midis një trafikanti të madh droge dhe drejtorit të Zyrës Kombëtare Kundër Drogës të Venezuelës” në vitin 2007.

Ndërsa dyshohet se trafikonin kokainë midis viteve 2004 dhe 2015, Maduro dhe Flores “urdhëruan së bashku rrëmbime, rrahje dhe vrasje kundër atyre që u detyroheshin para droge ose dëmtonin ndryshe trafikun e drogës, përfshirë vrasjen e një bosi lokal të drogës në Karakas, Venezuelë”, sipas aktakuzës.

Maduro akuzohet për katër vepra penale, komplot për të kryer narkoterrorizëm, komplot për të importuar kokainë, posedim të mitralozëve dhe pajisjeve shkatërruese.

Flores përballet me akuza për komplot për të importuar kokainë, posedim të mitralozëve dhe pajisjeve shkatërruese, dhe komplot për të poseduar mitralozë dhe pajisje shkatërruese.

“Nuk ka shkelje të së drejtës ndërkombëtare në Venezuelë”/ Ambasadori i SHBA në OKB: Trump e paralajmëroi Maduron…

By: Os De
5 January 2026 at 18:08

Ambasadori i SHBA në OKB Mike Waltz, është shprehur se në operacionin e SHBA në Venezuelë nuk ka pasur aspak shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Ai theksoi se Trump i dha shumë mundësi Madurës, por që sipas tij nuk u morën aspak parasysh.

“Ne nuk e kemi pushtuar Venezuelën, nuk kemi forca ushtarake në vend. Ne kemi sjellë para drejtësisë një kriminel të kërkuar të cilit Presidenti Trump i dha shumë mundësi. Ne nuk do të tërhiqemi nga detyrimet tona ndaj botës dhe qytetarëve të Venezuelës. Më shumë se 50 vende dhe organizata nuk e njohin Maduron si udhëheqësin e zgjedhur të vendit. Zgjedhjet ishin një farsë dhe Maduro nuk është Presidenti i vendit”, tha ambasadori i SHBA-së në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

 

Lapaj: Në orën 19:00 rikthehem me vrap ke sheshi! Më duhen batanije, karrige e ngrohëse, na i vodhën..

By: Os De
5 January 2026 at 18:01

Adriatik Lapaj ka paralajmëruar rikthimin e tij në shesh dhe vendosmërinë për të mos u larguar. 

“Në 19:00 rikthehem në shesh! 

Do më gjeni aty! 

Më duhen batanije, karrige, ngrohëse. Na i vodhën ato që kishim. 

Ne nuk kemi frikë!” – shprehet Lapaj. 

 

SHBA/ Sulmohet shtëpia e Zv/presidentit JD Vance në Ohio, arrestohet një person

By: Os De
5 January 2026 at 17:54

Një person është në paraburgim pas një sulmi gjatë natës në shtëpinë e JD Vance, në të cilin u thyen dritaret, thanë autoritetet në Ohio të hënën.

Zëvendëspresidenti amerikan nuk ishte në rezidencën e tij në Cincinnati në atë kohë, sipas një deklarate nga Shërbimi Sekret Amerikan, transmeton Telegrafi.

Agjencia tha se një mashkull i rritur u arrestua pak pas mesnatës “për shkaktimin e dëmtimit të pronës, duke përfshirë thyerjen e dritareve në pjesën e jashtme të një rezidence personale të lidhur me zëvendëspresidentin”, raportoi CNN.

“Shërbimi Sekret Amerikan po koordinohet me Departamentin e Policisë së Cincinnati dhe Zyrën e Prokurorit të SHBA-së, ndërsa vendimet e akuzave po rishikohen”, tha zëdhënësi, Anthony Guglielmi.

Kanali i lajmeve të Cincinnati WLWT tha se agjentët e Shërbimit Sekret dhe policia e Cincinnati kaluan disa orë në shtëpinë në lagjen East Walnut Hills, pasi iu përgjigjën raporteve për dëmtime të dritareve.

 

Nga Altin Dumani te Dorina Bejko e Vladimir Mara, kreu i ri i SPAK firmos strukturën e re/ Përcaktohet rolet që do të kenë prokurorët

By: Os De
5 January 2026 at 17:48

Kryeprokurori i SPAK Klodian Braho firmos strukturën e re. 

Siç bëjnë me dije burimet e gazetares së Top Channel Anila Hoxha, Altin Dumani merr detyrën e shefit të seksionit për marrëdhëniet me jashtë vendit. 

Prokurorja Dorina Bejko merr drejtimin e seksionit për hetimin e korrupsionit, ndërsa prokurori Vladimir Mara merr drejtimin për seksionin kundër krimit të organizuar. 

 

Nis në Belgjikë gjykimi për 9 të akuzuarit për vrasjen e Ardit Spahiut/ Mediat belge: Franc Çopja organizoi ekzekutimin

By: Os De
5 January 2026 at 17:43

Këtë të hënë nis para Gjykatës së Krimeve të Rënda të Brukselit një çështje e pazakontë, e cila do të zhvillohet gjatë ditëve në vijim në kompleksin Justitia. Masa të forta sigurie janë parashikuar për gjykimin e nëntë personave të akuzuar për një nga vrasjet e para mafioze të lidhura me narkotrafikun, që tronditën kryeqytetin belg. 

Personazhet kryesorë të dosjes, Franc Gegeli dhe Mikael Qosja, dyshohet se janë pjesë e një klani mafioz shqiptar, i përmendur shpesh në hetime për importimin e sasive të mëdha të kokainës në Evropë. Më 27 nëntor 2020, Ardit Spahiu, 38 vjeç, shtetas shqiptar, u vra në një pritë në rrugën “Condor”, në zonën Molenbeek-Saint-Jean. Rreth orës 17:45, një person i maskuar dhe i armatosur me mitraloz të pajisur me silenciator, sipas dëshmitarëve, qëlloi në breshëri ndaj tij. Në vendngjarje u gjetën 17 gëzhoja dhe nëntë plumba goditën viktimën. 

Sipas ekspertizës fillestare të mjekut ligjor, ka shumë gjasa që Ardit Spahiu të jetë ekzekutuar përfundimisht në trotuar, pasi ishte rrëzuar nga plagët. Hetimet tregojnë se edhe viktima ishte e përfshirë në trafikun e drogës, nëpërmjet një klani tjetër shqiptar, klani Alibey, rival i grupit të Franc Gergely-t. Ky konflikt dyshohet se vazhdonte prej vitesh dhe kishte sjellë disa atentate të porositura në Shqipëri. Këto informacione u janë dhënë hetuesve nga familjarët e viktimës, gjatë një komisioni rogator të zhvilluar në atë kohë. Shkaqet e konfliktit ndryshojnë sipas dëshmive: luftë për kontrollin e tregut, vjedhja e një ngarkese prej 50 kilogramësh kokainë, borxhe financiare apo thjesht përplasje personale. 

Roli i Sky ECC 

Hetimi mbeti për një kohë i bllokuar, derisa autoritetet arritën të dekriptojnë rrjetin Sky ECC, aplikacionin e komunikimit të përdorur gjerësisht nga krimi i organizuar ndërkombëtar. “Ishte sikur të uleshe në tryezën e kriminelëve”, shprehej atëherë një zyrtar i lartë i policisë federale. Dekriptimi i Sky ECC çoi në goditjen e shumë grupeve kriminale në mbarë botën dhe zbuloi edhe komunikime që lidhen me organizimin e vrasjes së Ardit Spahiut. Këto mesazhe përfshinin shkëmbime midis Franc Gergely-t (i njohur edhe si Franc Copja) dhe personave të tjerë të përfshirë në çështje, tre prej të cilëve janë ende në arrati. 

Juristët do të duhet të përcaktojnë motivet e kësaj vrasjeje, nëse të pandehurit shpallen fajtorë. 

Franc Gergely u arrestua në shtator 2023 në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u ekstradua në Belgjikë në dhjetor, në një rast të paprecedentë bashkëpunimi gjyqësor mes Belgjikës dhe këtij vendi të Lindjes së Mesme./ shqiptarja.com  

Flet mes lotëve babai i njërit prej viktimave të tragjedisë së Zvicrës: Ai ishte dielli i shtëpisë sonë, herën e fundit…

By: Os De
5 January 2026 at 16:58

Tragjedia e rëndë në lokalin “Le Constellation” në Crans-Montana të Zvicrës, ku dhjetëra të rinj humbën jetën natën e Vitit të Ri, ka goditur rëndë dhe disa familje italiane.

Mes viktimave ishte edhe 16-vjeçari Giovanni Tamburi nga Bolonja.

Babai i tij, sipërmarrësi italian Giuseppe Tamburi, pronar i kompanisë së verërave, ka folur me lot në sy për mediat, duke përshkruar raportin e veçantë që kishte me të birin.

“Giovanni ishte dielli im. Jetoja me të dhe për të. Ishte i dashur nga të gjithë, një djalë i sjellshëm, i mirë, shumë i aftë në shkollë dhe sport. Djali ideal për çdo prind”, rrëfen ai.

Tamburi tregon se e kishte kujdestarinë e djalit që i vogël dhe se jetonin bashkë në Bolonja. ‘Për tre ditë me radhë familja jetoi me ankth, derisa analizat e ADN-së konfirmuan më të keqen’-tregon ai.

Giovanni kishte shkuar në Crans-Montana për pushimet e fundvitit. Natën e ndërrimit të viteve kishte dalë me shokët për darkë dhe më pas kishin shkuar në festën e organizuar në “Le Constellation”.

“E dija që do të shkonte atje. E pashë për herë të fundit kur i dhashë paratë për mbrëmjen.”, tregon i ati.

Giuseppe Tamburi thotë se kur pa trupin e djalit, ai nuk ishte shumë i djegur, të paktën në fytyrë, dhe dyshohet se 16-vjeçari ka humbur jetën nga asfiksia e tymit, ndërsa përpiqej të shpëtonte.

“Giovanni ishte atletik, jam i sigurt se bëri gjithçka për të shpëtuar, por ndoshta ishte shumë vonë”, thotë ai.

Babai i të riut ngre dyshime serioze për masat e sigurisë në lokal.

“Ajo që më lë pa fjalë është mungesa e një daljeje të vërtetë emergjence. Ishte vetëm një portë e vogël e mbyllur. Nëse do të ishin respektuar rregullat, sot askush nuk do të kishte vdekur”, shprehet ai i indinjuar.

Tamburi thotë se lokalin e njihte prej vitesh dhe se dikur ka shkuar edhe vetë atje, por asnjëherë nuk e kishte menduar se do të bëhej vendi ku do të humbiste jetën i biri.

“Giovanni ishte plot jetë… dhe aty e humbi. Nuk ka dhimbje më të madhe për një prind”.

Autoritetet zvicerane po vijojnë hetimet për shkaqet e zjarrit dhe për përgjegjësinë e pronarëve të lokalit.

Shqiptarët “lider” të rajonit për mbështetjen e integrimit në BE/ 43% besojnë në anëtarësim brenda 2030-ës

By: Os De
5 January 2026 at 16:52

Barometri i Ballkanit për vitin 2025 tregon rezultate pozitive për Shqipërinë, lidhur me dëshirën dhe ambicien për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian.

Kështu, sipas Barometrit, 64% e Ballkanit Perëndimor ndihet “e sigurt” se bashkëpunimi rajonal mund të përmirësojë situatën ekonomike të vendeve.

Në këtë aspekt, Shqipëria mban rekordin me 77% për nga besueshmëria e qytetarëve se bashkëpunimi rajonal është një mjet i madh ndihmës. Në vend të dytë vjen Maqedonia e Veriut (71%), më pas Kosova (67%), Mali i Zi (67%), Serbia (61%) e në fund Bosnje Hercegovinë (52%).

Mbështetja e qytetarëve për integrimin e vendit në unionin evropian është shumë i rëndësishëm, ku dhe këtu Shqipëria kryeson me 86% përkrahje.

Në vend të dytë vjen Kosova me 78% të qytetarëve që suportojnë integrimin në BE, e më pas Maqedonia e Veriut (62%), Bosnja Hercegovinë (59%), Mali i Zi (59%), e në fund Serbia (42%).

Sa i përket mbështetjes civile për anëtarësimin në BE, sipas Barometrit janë rreth 64% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor që e suportojnë këtë hap, pra rreth 10% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Kryeministri Edi Rama ka pasur si slogan në zgjedhjet e 11 majit “Shqipëria 2030 në BE”, zgjedhje këto të cila i fitoi bindshëm. Edhe një herë tjetër, popullsia shqiptare krahasuar me ato të rajonit, kanë më shumë besueshmëri se vendi ynë mund të jetë pjesë e BE-së në 2030-ën.

Sipas Barometrit, 43% e shqiptarëve presin anëtarësimin në 2030, ndërsa Kosova dhe Mali i Zi renditen me 39% secila. Bosnja Hercegovina ka besueshmërinë më të ulët për anëtarësimin e tyre në BE, me rreth 9%. Pritshmëri të ulëta vijnë dhe nga Serbia e Maqedonia e Veriut, nga të cilat 15% e secilës popullsi duket optimiste për bashkimin e tyre me BE brenda kësaj dekade.

66% e bizneseve të Ballkanit Perëndimor parashikojnë përfitime nga udhëtimi vetëm me kartë identiteti brenda rajonit, pra rreth 6% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Lidhur me këto përfitime, shqiptarët shprehen 69% me besim për udhëtimin përmes ID Card, ashtu sikurse dhe Bosnje Hercegovina (69%). Por, lista kryesohet nga Serbia, ku rreth 77% e qytetarëve të saj besojnë se mund të kenë përfitime nga lëvizja përmes kartës së identitetit. Kosova shpreh 58% besueshmëri.

39% e bizneseve të Ballkanit Perëndimor thonë se regjimi i lirë i roaming-ut brenda rajonit uli kostot e operacioneve të biznesit, ndërsa 35% thonë se përfituan nga ulja e tarifave të roaming-ut të të dhënave me BE-në.

Sa i përket shërbimit roaming, vetëm 31% e shqiptarëve janë shprehur për benefite nga ulja e tarifave me BE. Duket se përfitimi më i madh ka ardhur nga Bosnja Hercegovina, ku 63% e qytetarëve kanë shprehur kenaqësi, ndërsa më e ulëta shënohet për Kosovëm (12%).

Në tërësi, Barometri i Ballkanit 2025 e pozicionon Shqipërinë si vendin më optimist dhe më të konsoliduar në rajon në rrugën drejt Bashkimit Evropian, me mbështetje të gjerë qytetare dhe pritshmëri konkrete për anëtarësim brenda kësaj dekade. Kosova paraqitet me një nivel të qëndrueshëm mbështetjeje për integrimin evropian, por me pritshmëri më të ulëta për afatin e anëtarësimit krahasuar me Shqipërinë.

❌
❌