Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 December 2025Java News

Debate në ambientet e Kuvendit, Luan Baçi: Të lejohet raportimi i mediave…

By: A R
23 December 2025 at 10:52

Mbledhja e sotme e “Etikës’ për përjashtimin e 29 deputetë të PD të kërkuar nga PS është shoqëruar me debate dhe tone të larta zëri.

Gazetarët dhe operatorët janë larguar nga punonjësit e kuvendit për të qëndruar në korridor përpara sallës ku po zhvillohet mbledhja.

Deputeti demokrat Gent Strazimiri ka debatuar me punonjësit e kuvendit duke i kërkuar që media të lejohet e të mbuloj e raportoj zhvillimet në sekretariatin e Etikës.

Rusia godet Ukrainën pranë kufirit polak, Varshava reagon duke ngritur avionë luftarakë

By: A R
23 December 2025 at 10:45

Polonia ngre avionë luftarakë në ajër pas sulmeve ruse ndaj Ukrainës

Forcat e armatosura të Polonisë njoftuan se avionët luftarakë polakë dhe të aleatëve u ngritën në ajër këtë mëngjes, pasi Rusia ndërmori sulme ajrore ndaj Ukrainës perëndimore, pranë kufirit polak.

Komanda operative e ushtrisë polake bëri të ditur se, krahas avionëve, sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore dhe radarët e zbulimit u vendosën në gatishmëri të shtuar.

“Avionët luftarakë u ngritën në ajër dhe sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore dhe të zbulimit me radar u vunë në gatishmëri të shtuar. Këto masa janë parandaluese në natyrë dhe synojnë sigurimin dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore, veçanërisht në zonat ngjitur me rajonet e kërcënuara,” thuhet në deklaratë.

Ky reagim vjen vetëm disa muaj pas një episodi të ngjashëm, kur Polonia mbylli hapësirën e saj ajrore dhe ngriti avionët luftarakë në përgjigje të një sulmi rus ndaj Kievit në shtator.

Që prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, Polonia është detyruar të vendosë avionët e saj luftarakë në gatishmëri disa herë, duke u përpjekur të mbrojë kufirin dhe hapësirën ajrore të NATO-s.

Sulmet e fundit të Rusisë kanë shkaktuar ndërprerje emergjente të energjisë elektrike në Ukrainë, përfshirë kryeqytetin Kiev dhe rrethinat e tij, ndërsa alarmet për sulme ajrore janë dëgjuar në pjesën më të madhe të vendit.

Polonia, si vend anëtar i NATO-s, ka theksuar se masat e saj janë të natyrës parandaluese, por mbeten të domosdoshme për sigurinë e hapësirës ajrore dhe përballjen me rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit pranë kufirit lindor të Aleancës.

Media britanike “Saga”: Shqipëria mes destinacioneve kryesore për të udhëtuar në 2026-n

By: A R
23 December 2025 at 10:38

Pallate të lashta, dete të kristalta dhe plazhe të pazbuluara me çmime të përballueshme – ekspertët tanë të udhëtimit rekomandojnë destinacionet më të mira për pushime në vitin 2026, shkruan Elle Hammond në të përditshmen britanike “Saga”.

Po kërkoni alternativa të përballueshme për të kaluar pushimet tuaja në vitin 2026, ekspertët e “Saga Holidays” ju sugjerojnë shtatë destinacionet kryesore për të vizituar këtë vit.

Nëse ju pëlqejnë aventurat e guximshme në një vend të largët apo një vendpushim i qetë diku më familjar, këto shtatë destinacione të rekomanduara ofrojnë diçka për çdo lloj vizitori!

Shqipëria

Shqipëria rekomandohet si një nga destinacionet më të mira për pushime në vitin 2026, falë plazheve të pazbuluara, ujërave ngjyrë bruz dhe çmimeve të përballueshme.

Ekspertët e udhëtimit e kanë krahasuar Shqipërinë me Kroacinë.

Shqipëria po bëhet me shpejtësi një nga vendet më të njohura në Evropë.

Vendi i bukur mesdhetar i ka të gjitha – nga plazhet te kultura bizantine por me një çmim të shkëlqyer.

Vendet kryesore përfshijnë:

Plazhet me ujërat ngjyrë bruz të Ksamilit – të cilin mund ta vizitoni duke bërë një udhëtim me traget nga Korfuzi.

Berati – i njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve” është i famshem për arkitekturën e tij osmane dhe shqiptare.

Gjithashtu, mos humbisni një vizitë në kryeqytetin plot jetë të Shqipërisë, Tiranën.

Ndërsa popullariteti i Shqipërisë rritet, kjo është koha e përkryer për ta eksploruar atë përpara se vendi të përfshihet nga turizmi masiv.

Pse duhet ta vizitoni Shqipërinë në vitin 2026?

Interesi për Shqipërinë vazhdon të rritet, ku sipas një raporti, turizmi u rrit me 5% në fillim të vitit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Shqipëria është aktualisht një nga vendet më të lira në Evropë.

Vendi mesdhetar tërheq turistë nga e gjithë bota falë akomodimit, ushqimit dhe transportit cilësor dhe të përballueshëm.

Revista britanike e udhëtimeve “Saga” e ka renditur Shqipërinë ndër shtatë vendet më të mira për pushime në vitin 2026:

1. Shqipëria
2. Japonia
3. India
4. Afrika e Jugut
5. Kosta Rika
6. Uzbekistani
7. Italia

Tensionet në kulm Venezuelë-SHBA, mblidhet Këshilli i Sigurimit të OKB

By: A R
23 December 2025 at 10:31

Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet të martën (23.12.) në një takim urgjent për të diskutuar tensionet midis Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara.  Qeveria në Karakas kërkoi takimin me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës.  Ndërkohë, retorika e qeverisë amerikane ndaj Venezuelës po bëhet gjithnjë e më e ashpër.

Në një konferencë për shtyp të hënën, Presidenti i SHBA-së Donald Trump sugjeroi që Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro të japë dorëheqjen: “Varet tërësisht nga ai se çfarë dëshiron të bëjë. Mendoj se do të ishte e mençur nga ana e tij ta bënte këtë”, u përgjigj Trump kur u pyet nëse qeveria amerikane kishte ndërmend ta detyronte Maduron të jepte dorëheqjen duke ushtruar presion mbi Venezuelën. Trump shtoi, se “nëse ai dëshiron të bëjë diçka – nëse sillet ashpër, do të jetë hera e fundit që do të sillet ashpër.”

Pak më parë edhe Sekretarja e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Kristi Noem kishte kërkuar dorëheqjen e Maduros. “Ne nuk kufizohemi vetëm në kapjen e këtyre anijeve, por gjithashtu po i dërgojmë botës një mesazh se aktivitetet e paligjshme të Maduros janë të patolerueshme dhe se ai duhet të largohet”, tha Noem për Fox News. Anijet për të cilat e ka fjalën Noem janë dy cisterna nafte që SHBA-të i sekuestruan së fundmi në brigjet e Venezuelës.  Një anije e tretë mallrash thuhet se është ende duke u gjurmuar nga Roja Bregdetare e SHBA-së.

Trump: “Do të mbajmë anijet”
Sipas Trump, cisternat e naftës të sekuestruara do të mbeten në pronësi të Shteteve të Bashkuara. Duke iu referuar cisternës së parë të naftës të sekuestruar më 10 dhjetor, republikani tha për naftën: “Ne do ta mbajmë atë”. Ai shtoi se ajo mund të përdoret për rezerva strategjike. Trump vazhdoi: “Ne do i mbajmë edhe anijet”.

Qeveria e Venezuelës e dënoi ashpër sekuestrimin. Eksportet e naftës bruto të Venezuelës kanë rënë ndjeshëm që atëherë. Anijet e ngarkuara mbeten në ujërat e Venezuelës nnga frika se rrezikojnë konfiskimin. Në fillim të viteve 2000, Venezuela shtetëzoi fushat e naftës, duke prekur kompanitë e huaja, përfshirë ato nga SHBA-ja. Kjo u pasua nga një mosmarrëveshje për kompensimin.

Fushata kërcënuese e Trump kundër Maduros përfshin praninë ushtarake në rritje në rajonin e Amerikës së Jugut. Përpara operacioneve kundër cisternave të naftës, ushtria amerikane kishte sulmuar vazhdimisht anije në Karaibe dhe në Paqësorin lindor në javët e fundit, duke pretenduar se ato kontrabandonin drogë drejt Shteteve të Bashkuara. Dhjetëra njerëz humbën jetën në këto sulme.

Protesta e PD-së para Kryeministrisë, analisti: Fitoi Berisha, por jo opozita!

By: A R
23 December 2025 at 10:21

Analisti Ergys Mërtiri ka komentuar protestën e Partisë Demokratike të mbajtur para kryeministrisë këtë të hënë (22 dhjetor), teksa tha se ky tubim i dha një moment politik Sali Berishës, por jo opozitës në tërësi.

Fitoi Berisha, por jo opozita. Çdokush e kupton që nuk rrëzohet Edi Rama me militantët e partisë që mblidhen në shesh dhe protestojnë kundër tij. Dihet që militantët janë kundër Ramës. Çështja është a erdhën qytetarë në shesh. Populli shqiptar nuk e do Edi Ramën, por nuk e do as Sali Berishën dhe nuk vjen në një protestë të thirrur nga Berisha,” tha ai.

Në studion e emisionit “3D” në RTSH, analisti u shpreh se Berisha arriti të rikuperojë disi pozitat e tij pas nisjes së foltoreve, kur pjesëmarrja ishte e ulët.

Kur nisi foltoren, Berisha ishte keq, pak njerëz ishin në shesh. Që Berisha të fitojë dhe Rama të përmbyset, duhet të vijë i gjithë populli në shesh. Berisha ja hodhi lumit momentalisht. Tashmë ka një foltore paralele nga Salianji dhe ka një indinjatë e militantëve dhe anëtarëve të PD. Berisha me këtë protestë u ngrit pak nga fundi,” u shpreh Mërtiri.

“Njerëzit më pyesin, pse del në krah të Berishës?”, Duka: Problem s’është e majta, por kleptokracia

By: A R
23 December 2025 at 10:13

Agron Duka thotë se shpesh njerëzit e pyesin pse del krah Sali Berishës.

Ai thotë se nuk del krah Berishës, por kundër kleptokracisë.

“Po më pyesin shpesh: “Pse del në krah të Berishës në protestë?”

Përgjigjja ime është e thjeshtë dhe e qartë: Unë dal kundër kleptokracisë dhe jo në krah të Berishës.

Nuk jam aspak dakord me ata që thonë: “Këta vjedhin, por nuk kemi alternativë”, sepse pikërisht kjo logjikë na ka mbajtur peng për vite me radhë.

Sipas këndvështrimit tim, problemi kryesor sot nuk është e majta apo e djathta, por një sistem kleptokratik që ka kapur shtetin.

Unë jam kundër kleptokracisë.

Më pas, le të vijnë në pushtet ata që i mbështet ky popull, qofshin të majtë apo të djathtë.

Këtë nuk e them si opozitar, por si qytetar i lirë, që ka zgjedhur të jetojë në këtë vend dhe të mos heshtë përballë padrejtësisë”, thotë Duka pas protestës së djeshme.

Big Brother Politics, edicioni i paraburgimit

23 December 2025 at 10:06
Nga Ornela Çuçi

Meqë politika shqiptare ka hyrë zyrtarisht në fazën e paraburgimit, arrest-shtëpisë, detyrim-paraqitjes dhe monitorimit 24/7, ndoshta është koha ta bëjmë më në fund transparente, andaj propozoj:
SUPER BIG BROTHER, një reality show politik, pa skenar. Skenarin e kanë konsumuar pjesëmarrësit prej vitesh.
Koncepti:
Një shtëpi e vetme.
Kamera 24 orë.
Banorë që, për herë të parë, nuk flasin për popullin,
por jetojnë si populli, me rregulla, me orare, pa shofer, pa imunitet, pa “një telefon që ta marrin gjithë dynjanë në qafë”.
Zë do të ketë boll. Sepse aty ku pushteti rrëshqet,
fjalët shtohen. Justifikimet gjithashtu.
Pse do të ishte më i suksesshëm se çdo fenomen televiziv? Përfshirë këtu Luisin.
Sepse këta janë personazhe që publiku i njeh prej 30 vitesh, jo të panjohur VIP që hyjnë për famë apo se janë pabuksa thjesht.
Sepse nuk janë aktorë, janë produkte reale të pushtetit, dhe e luajnë veten pa nevojë për regji. E aktorë më të mirë nuk ke ku gjen.
Sepse publiku nuk ka më nevojë për dramë dashurie,
por për dramë drejtësie. Gati është të shqyeje në çdo kohë.
Dhe sepse ky format nuk ka nominime nga banorët,
por nga realiteti ligjor, me sa duket I vetmi deri tani që nuk negocion.
Dhe sepse ata kanë ende shumë për të dhëne.
Rubrikat kryesore
• Dhoma e Rrëfimit → ku flitet pafund, por nuk pranohet asgjë
• Sfida e Javës → të jetosh pa u justifikuar
• Prime Time → justifikime live
• Eliminimi → jo me SMS, por me dosje
Një Big Brother pa fitues. Fituesit i kemi parë tashmë.
Mesazhi publik: Ky nuk është show argëtimi. Është edukim qytetar.
Suksesi i garantuar
Shqiptarët e kanë ndjekur politikën si serial tragjik për dekada. Me role të njëjta, dialogë të njëjtë, dhe fund që nuk vinte kurrë.
Tani është koha ta shohin pa montazh.
Sepse kur drejtimi i një vendi shndërrohet pa asnjë turp në format televiziv, problemi nuk është më as paraburgimi, as kamerat. Problemi është se kjo na duket krejt normale.
Dhe ky është ndoshta dënimi më i madh, jo për ata brenda shtëpisë, por për ne jashtë saj, që jemi mësuar ta quajmë këtë realitet.

Trump largon 30 diplomatë dhe përgatit terrenin për besnikët e tij

By: A R
23 December 2025 at 09:58

Administrata e presidentit Donald Trump ka tërhequr në heshtje rreth 30 ambasadorë dhe diplomatë të lartë amerikanë nga postet e tyre jashtë vendit, në kuadër të një riorganizimi në Departamentin e Shtetit që synon promovimin e emërimeve besnike ndaj administratës së re.

Lëvizja, e konfirmuar nga disa diplomatë aktualë dhe ish-zyrtarë të lartë, konsiderohet e pazakontë pasi prek diplomatë karriere të shërbimit të jashtëm, të cilët zakonisht qëndrojnë në poste edhe pas ndërrimit të administratave për shkak të rolit të tyre apolitik.

Sipas zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, ambasadorët e tërhequr nuk do të shkarkohen, por do të ricaktohen në detyra të tjera. “Ambasadorët janë përfaqësues personalë të Presidentit dhe është e drejta e tij të sigurohet që ata të avancojnë axhendën ‘America First’”, u shpreh një zyrtar i lartë amerikan.

Megjithatë, Shoqata Amerikane e Shërbimit të Jashtëm (AFSA) dhe sindikata që përfaqëson diplomatët amerikanë kanë shprehur shqetësim se procesi i ri i promovimeve favorizon diplomatë të afërt me administratën, duke rrezikuar politizimin e diplomacisë amerikane.

Rajoni më i prekur është Afrika, ku janë tërhequr ambasadorë ose shefa misionesh nga disa vende, përfshirë Nigerin, Ugandën, Senegalin, Somalinë dhe Nigerinë. Urdhra tërheqjeje janë dhënë edhe për përfaqësues diplomatikë në Lindjen e Mesme dhe në disa vende evropiane, përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Riorganizimi nuk u njoftua publikisht dhe u zbulua përmes raportimeve të mediave amerikane Politico, Associated Press dhe The Guardian.

Senatorja demokrate Jeanne Shaheen paralajmëroi se largimi i ambasadorëve karriere po dobëson rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare, duke i hapur rrugë ndikimit të Kinës dhe Rusisë.

Ndërkohë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka deklaruar se administrata ka ndryshuar kriteret e promovimit të diplomatëve, si pjesë e një politike më të gjerë për të rishikuar programet e diversitetit dhe për të forcuar kontrollin politik mbi Departamentin e Shtetit.

Iu përkeqësua gjendja teksa ishte në banesë, detaje të reja nga vdekja e Shemit

By: A R
23 December 2025 at 09:49

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për vdekjen e këngëtarit të njohur, Shemsi Krasniqi, njohur për publikun si Shemi.

Uniformat blu të Kosovës lajmërojnë se gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, teksa Shemi ndodhej në banesë.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 15:00 në Prishtinë në “Rr. e UÇK-së”.

“Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

Kujtojmë se dje më datë 22 dhjetor, ndërroi jetë në mënyrë krejt të papritur këngëtari Shemi, në moshën 64-vjeçare.

Trupi i tij pa shenja jete u gjet në Dragodan të Prishtinës, rreth orës 15:00. Dyshohet se shkak i vdekjes ka qenë një sulm në zemër.

Shemsi Krasniqi, i njohur për publikun me pseudonimin artistik “Shemi”, ishte këngëtari kryesor i grupit muzikor “Ilirët”, një ndër formacionet më të pëlqyera dhe më me ndikim në rrymën rock-folk shqiptare, veçanërisht në periudhën e viteve 1980–1990.

Grupi “Ilirët” u themelua në vitin 1981 dhe u shqua për ndërthurjen e tingujve rock me motive të muzikës tradicionale shqiptare. Ata fituan popullaritet të madh falë koncerteve energjike dhe këngëve që trajtonin tema me peshë shoqërore dhe historike.

Spiropali nderime te monumenti i Skënderbeut në Shkupin e vjetër: Simbol i qëndresës

By: A R
23 December 2025 at 09:42

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, sëbashku me Zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, morën pjesë në një ceremoni nderimi pranë monumentit të heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu në Shkupin e vjetër.

Në ceremoni u bashkuan edhe Kryetari i Çairit Izet Mexhiti, si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal në Komunën e Çairit.

Spiropali shkruan se “në zemër të Shkupit të vjetër, guri flet me histori dhe koha merr frymë krenarie, ndaluam për të nderuar simbolin e qëndresës, të dinjitetit dhe të shpirtit europian, duke vendosur kurorën e nderit pranë monumentit të Gjergj Kastriot Skënderbeut.”

Postimi i Spiropalit:

Sonte, në zemër të Shkupit të vjetër, aty ku guri flet me histori dhe koha merr frymë krenarie, ndaluam për të nderuar simbolin e qëndresës, të dinjitetit dhe të shpirtit europian, duke vendosur kurorën e nderit pranë monumentit të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në këtë moment kujtese dhe respekti ishim së bashku me Zëvendëskryeministrin Arben Fetai dhe Kryetarin e Çairit Izet Mexhiti, si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal në Komunën e Çairit, të bashkuar me nderim dhe krenari.

Pas ceremonisë, dita u mbush me ngjyra dhe emocione: shfaqja artistike, ritmi i tupanëve dhe fëmijët me veshje e simbole kombëtare e bënë këtë çast edhe më të gjallë. Një kujtesë e përbashkët për rrënjët tona të forta dhe përkatësinë tonë natyrore në Europë.

BE i jep dritën jeshile Macron-it: Është mirë të flitet me Kremlinin

By: A R
23 December 2025 at 08:54

Ndërsa Rusia ftoh sërish pritshmëritë duke paralajmëruar se negociatat e paqes po ecin “ngadalë”, Bashkimi Europian hedh poshtë akuzat se është i përçarë. Gjithçka nisi nga ftesa e presidentit francez Emmanuel Macron për një dialog me Vladimir Putinin, një nismë që ka ngjallur jo pak shqetësime në kryeqytetet europiane.

Frika kryesore lidhet me dy pika: se Franca mund të dobësojë unitetin europian dhe se Kremlini mund ta shfrytëzojë këtë hap për të përçarë BE-në. Për këtë arsye, një zëdhënës i Komisionit Europian u përpoq të ulë tonet, duke theksuar se “mbetemi të koordinuar me shtetet anëtare për çdo kontakt dypalësh të mundshëm me Rusinë, në funksion të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”. Sipas Brukselit, çdo përpjekje që synon paqen është e mirëpritur.

Megjithatë, mbetet një çështje e pazgjidhur që krijon siklet në institucionet europiane. Kush do ta përfaqësonte realisht BE-në në një takim të mundshëm me presidentin rus? Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian? Antonio Costa, presidenti i Këshillit Europian? Apo Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas? Pyetje që aktualisht nuk kanë përgjigje të qarta dhe që kanë shtyrë ekipin e Von der Leyen të zbusë konturet e propozimit të Macron-it.

Edhe Gjermania ka mohuar çdo përçarje me Francën. Pas dy humbjeve politike të Berlinit në nivel europian, për përdorimin e aseteve ruse të ngrira dhe për dështimin e marrëveshjeve tregtare me Mercosur-in, qeveria gjermane ka theksuar se uniteti europian mbi luftën në Ukrainë nuk është vënë në diskutim.

“Nuk kemi asnjë shqetësim që qëndrimi i përbashkët europian të lëkundet”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Steffen Meyer. Megjithatë, Kancelaria ka konfirmuar se nuk janë planifikuar bisedime mes Macron-it dhe kancelarit Merz, as përfshirje gjermane në kontakte me Kremlinin.

Ndërkohë, Brukseli ka rinovuar sanksionet ekonomike ndaj Moskës, përfshirë embargon e naftës dhe përjashtimin e disa bankave ruse nga sistemi Swift.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, një kthesë e shpejtë drejt paqes në Ukrainë duket ende larg. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shfaqet më optimist lidhur me planin e përgatitur së bashku me Shtetet e Bashkuara.

“Do t’i kem detajet nesër në mëngjes. Plani përfshin 20 pika. Jo gjithçka është perfekte, por plani është gati”, deklaroi ai, duke theksuar se parashikohen garanci sigurie mes Ukrainës, Europës dhe SHBA-ve.

Çelësi mbetet qëndrimi i Rusisë. Nga Moska, sinjalet janë të ftohta. Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, pranoi se përparimi është i ngadaltë dhe se “dikush po përpiqet ta sabotojë procesin”.

Ai theksoi se Rusia është e gatshme të vazhdojë negociatat vetëm brenda kornizës së marrëveshjeve të Anchorage-it, duke kërkuar që çdo paqe të marrë parasysh “territoret e reja”. Një referencë që në praktikë përjashton shumicën e propozimeve të paqes të hedhura në tryezë javët e fundit.

Alarm nga shërbimet perëndimore të inteligjencës: Rusia mund të sulmojë Starlink

By: A R
23 December 2025 at 08:46

Rusia po përgatitet për luftë në hapësirë. Të paktën kështu paralajmërojnë dy shërbime perëndimore të inteligjencës, sipas të cilave Moska po zhvillon një sistem të ri sulmi ushtarak që synon goditjen e satelitëve në orbitë, veçanërisht atyre të rrjetit Starlink, në pronësi të kompanisë së Elon Musk.

Sipas këtyre burimeve, projekti rus bazohet në krijimin e një “reje” me mikroprojektilë, të aftë për të shkatërruar ose çaktivizuar lloje të ndryshme satelitësh. Një armë e tillë, nëse do të realizohej dhe vihej në funksion, do të ishte vendimtare në përballjen ushtarake me Perëndimin, pasi sot pothuajse të gjitha sistemet moderne të mbrojtjes mbështeten te udhëzimi satelitor. Përmes tyre drejtohen raketat dhe ndërtohen rrjete për të zbuluar e interceptuar sulmet armike.

Në Ukrainë, për shembull, një nga kontributet kryesore të Shteteve të Bashkuara ka qenë pikërisht asistenca logjistike e bazuar në satelitë, e cila ka luajtur rol kyç në operacionet ushtarake në terren.

Nëse konfirmohet, ky do të ishte një hap i mëtejshëm në përshkallëzimin e sfidës ushtarake të Kremlinit: një garë drejt hapësirës që, ndryshe nga ajo e viteve ’60, nuk ka të bëjë me eksplorimin, por me dominimin ushtarak përtej atmosferës së Tokës. Jo rastësisht, edhe NATO që prej vitit 2019 ka miratuar një “strategji hapësinore”, duke e konsideruar hapësirën një fushë të re të konfliktit. Kontrolli i Tokës nga lart do të thotë avantazh strategjik.

Megjithatë, ekspertët e Aleancës Atlantike mbeten të ndarë. Disa dyshojnë se Rusia ka arritur realisht të projektojë një armë të tillë, pasi rreziku që “reja” e mikroprojektilëve të godasë pa dallim edhe satelitë të vendeve mike, përfshirë Kinën, mbetet shumë i lartë. Të tjerë, si gjenerali Christopher Horner, komandant i divizionit hapësinor të ushtrisë kanadeze, nuk e përjashtojnë mundësinë që teknologjia ruse të ketë arritur këtë nivel, madje paralajmërojnë se Moska mund të jetë duke punuar edhe për një armë bërthamore në hapësirë.

Sipas raportit të inteligjencës perëndimore, skenari parashikon lëshimin në orbitë të satelitëve të vegjël, të aftë për të shpërndarë mikroprojektilë vetëm disa milimetra të mëdhenj, praktikisht të padukshëm për sistemet aktuale të mbikëqyrjes. Modeli krahasohet me dronët që mbajnë brenda tyre dronë më të vegjël, të cilët lëshohen në momentin e duhur. Analistët, megjithatë, mbeten skeptikë për kontrollin e trajektores së këtyre mbetjeve, të cilat mund të përplasen pa dallim me satelitë të tjerë.

Rusia ka zhvilluar edhe më parë programe raketore për të goditur objekte në hapësirë, ndaj nuk përjashtohet që një studim i tillë të jetë realisht në zhvillim. Por për momentin, dyshimet mbi efektivitetin e kësaj arme mbeten të mëdha. Ajo që duket e qartë është se fronti i ri i luftës është zhvendosur shumë lart, mes yjeve.

“Flota e Artë” me armë hipersonike! Trump njofton ndërtimin e anijeve të reja, do të mbajnë emrin e tij

By: A R
23 December 2025 at 08:38

Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur planet për krijimin e një flote të re luftarake të Marinës së SHBA, të quajtur “Golden Fleet” – “Flota e Artë”, ku pjesë qendrore do të jenë anije të reja luftarake që do të mbajnë emrin e tij. Njoftimi u bë gjatë një eventi në resortin Mar-a-Lago në Florida, në praninë e zyrtarëve të lartë amerikanë të mbrojtjes dhe diplomacisë.

Sipas Trump, ndërtimi i anijes së parë të klasës “Trump”, e quajtur USS Defiant, pritet të nisë së shpejti, ndërsa anijet e para mund të jenë operacionale brenda dy vitesh e gjysmë. Presidenti deklaroi se fillimisht janë miratuar dy anije, por plani afatgjatë parashikon ndërtimin e deri në 25 të tilla. Ai i përshkroi anijet si “më të mëdhatë, më të shpejtat dhe më të fuqishmet që janë ndërtuar ndonjëherë”, të pajisura me armë hipersonike dhe sisteme tejet shkatërruese.

“Flota e Artë” e SHBA me armë hipersonike! Trump njofton

Projekti është pjesë e një zgjerimi më të gjerë të Marinës amerikane, që përfshin edhe anije të tjera të mëdha e të vogla, si dhe mjete pa ekuipazh. Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se SHBA po mbetet pas Kinës në kapacitetet e ndërtimit detar, ndërsa Pekini zotëron tashmë marinën më të madhe në botë.

Trump tha se anijet do të ndërtohen në SHBA dhe do të krijojnë mijëra vende pune, duke e konsideruar këtë projekt si një hap kyç për ringjalljen e industrisë amerikane të ndërtimit të anijeve luftarake.

Moti për sot i paqëndrueshme, me vranësira mesatare dhe reshje lokale

By: A R
23 December 2025 at 08:30

Ditën e martë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të kryesisht të paqëndrueshme.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, vendi ynë parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura.

Reshjet e shiut pritet të bëhen prezente në orët e mëngjesit fillimisht përgjatë vijës bregdetare dhe gradualisht do të shtrihen në të gjithë vendin.

Reshjet parashikohet të jenë me intensitet kryesisht të ulët e lokalisht reshje shiu në formën e shtrëngatave afatshkurtra kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore dhe në jugperëndim të vendit.

Në Alpe e relievet malore në verilindje-lindje-juglindje duke filluar prej orëve të pasdites reshje bore me intensitet të ulët.

Mjegull e dendur/mjegullinë përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit si dhe në momentin e reshjeve të shiut dhe dëborës.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 7 m/sek, përgjatë vijës bregtdetare e zonave luginore era fiton shpejtësi deri në 12m/s .

Deti – Valëzimi forcës 2-3 ballë.

“More 64 mijë vota dhe nuk mbledh dot 64 vetë!”, Lapaj: O do të bjerë Edi, o do të më lërë shëndeti mua!

By: A R
23 December 2025 at 08:22

Kryetari i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, në një lidhje me emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV debatoi me analistin Andi Tela që e pyeti se pse partia që ka marrë mbi 64 mijë vota në zgjedhjet e 11 majit nuk mbledh as 64 protestues te kryeministria ku Lapaj po qëndron prej rreth 15 ditësh. Lapa e pranoi se është vrarë nervi i shoqërisë, por e ftoi gazetarin që shkonte dhe t’i bashkohej protestës.

“Unë kam 15 ditë që them kjo duhet të jetë protestë e qytetit. Unë kam dalë këtu pa logo. Nuk është koha të rrisim partitë, por Shqipërinë. Ta shpëtojmë nga pengmarrja. T’i lëmë logot te selitë. Të bashkohen të gjithë për ta detyruar këtë zotërinë të largohet.

Kjo fitohet kur dalin të gjithë. Qytetarët të dalin masivisht pa dallim. Mund të mos e duam njëri-tjetrin, por kemi një hall të përbashkët: Edi Ramën që vjedh shqiptarët. Nëse jemi veç e veç, Edi Rama na mund të gjithëve”-tha Lapaj.

Më pas ai debatoi me analistin Andi Tela pasi e pyeti pse ajo parti që mori mbi 64 mijë vota në zgjedhje nuk mbledh dot as 64 njerëz në protestë.

“Unë kam dalë si qytetar këtu. Partia nuk më vlen më shumë se Shqipëria. Unë e nisa i vetëm. E konsiderova si aktivizëm qytetar. Janë mbi 30 që flenë përnatë këtu. Të shtunën në shesh kanë qenë të paktën 2 mijë persona. Në protestën e dytë do të jenë goxha më shumë. Në Shqipëri është vrarë fryma, është  vrarë nervi. Edhe ti (i drejtohet Andi Telës) duhet të vish këtu. Po nuk e bën dot, më thuaj bravo që po e bëj unë. Kjo tani po rritet. Të shtunën ishin 2 mijë, të shtunën tjetër  mund të jenë 5 mijë. Kjo nuk është çështje vetëm e imja, por edhe e juaja. Kjo hajdutëri e madhe ka dëmtuar edhe vendin tuaj.

Në këtë republikë talllavaje, ku njerëzit janë trajtuar si çështje e dorës së dytë, ku kanë kuptuar se të gjithë e kanë jo seriozisht, sigurisht që vritet besimi. Askush nuk mund të më thotë mua: pse nuk nxjerr njerëzit. Hajde t’i nxjerrim. Që ka vdekur nervi është fakt. Ne po mundohemi që kësaj shoqërie në gjendje kome t’i kthejmë jetën. Dua që vajzës time nesër t’i them se babai yt e bëri luftën e vet. O do bjerë Edi, o do më lërë shëndeti mua.

Gjinishi: PD nuk e bën dot rotacionin, nuk është rritur në këto 4 mandate të Ramës në pushtet

By: A R
23 December 2025 at 08:14

Pedagogu Ermir Gjinishi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV u shpreh se protesta është normale, por PD nuk e bën dot rotacionin, sepse nuk është rritur në këto 4 mandate të Ramës në pushtet.

“Çdo protestë në një shoqëri demokratike është normale. Çështja është cfarë pritet nga protesta. Protesta nuk është shfaqje, është alternativë për ndryshime. Ne kemi 12 vite që mblidhemi pas çdo proteste të opozitës dhe themi sa veta u mblodhën, çfarë u tha. Bonaparti thotë se nëse e lufton armikun me të njëjtat mjete, po i mëson si të mbrohet më mirë. E vërteta është se majta nuk duhet të jetë më në pushtet. Po ne i kemi këtu katër mandate. Në këto katër mandate nuk kemi një opozitë që të jetë rritur. Duhet një rotacion që PD nuk po e bën dot. Të thuash që je në një protestë kombëtare dhe të vijnë mijëra njerëz: ose nuk ke struktura të organizuara ose ti nuk motivon njerëz. Vetëm sikur të vinin kryetarët e grup-seksioneve, aq ishin. Ky është problemi që ka opozita. Të merresh me skandalet e qeverisë është e kotë. Nuk ka kevojë populli të sensibilizohet”- tha Gjinishi.

“Nuk ka opozitë”, Luca përplaset me Demaliajn: Qeveria nuk ka ankth se ka përballë paçavuren PD

By: A R
23 December 2025 at 08:06

Analisti Ilir Demalia dhe biznesmeni Gjergj Luca debatuan për dobësinë e opozitës që nuk arrijnë të ngrejnë popullin në revoltë, përpara skandaleve të shumta të qeverisjes së Ramës. Ndërsa Demalia tha se vendi nuk ka opozitë, Luca u shpreh se qeveria nuk është në ankth sepse opozita përballë saj është një paçavure.

Pjesë nga biseda

Ilir Demaliaj: Nuk ka opozitë. I dalin 3 mijë vetë kur janë gjithë këto skandale.

Gjergj Luca: Qeveria nuk është në ankth se ka këtë paçavure përballë.

Ilir Demaliaj:  Nuk ta lë njeri pushtetin. Djemtë e rinj pjesë e lojës së vjetër janë.

Gjergj Luca: Unë i besoj vetëm Qorit. Ai ka qenë konseguent. Brenda PD shoh një djalë që e përdori partia. Salianji e lejoi dhe kur u kthye e panë shtrembër. Këto janë turpet e asaj partie.

Ilir Demaliaj: Nuk ke forcë politike. Nuk ta lëshon njeri. Ke në Parlament akoma ata që kanë hedhur në erë Gërdecin, që kanë bërë piramidat.

Gjergj Luca: Kanë 4 javë që përsëritin të njëjtin shirit. Ka në motivim për këta?

Ilir Demaliaj: Jam dakord me ata dy çunat e PD. Por nuk ta lëshon njeri partinë.

Gjergj Luca: Doktor Alimehmeti mbledh njerëz më shumë seç pati sot në shesh. Po të më kërkojë, dal sot.

Ylli Rakipi: Lucë, po e ngatërron. Alimehmeti u kthye te Saliu.

Gjergj Luca: Epo mirë, hajt shohim filxhan. Kur të ndërrojë jetë Saliu.

Ilir Demaliaj: As atëherë nuk bëhet ajo parti.

Protesta e PD-së para Kryeministrisë, ‘Reuters’ publikon analizën

By: Os De
22 December 2025 at 23:11

Protestuesit hodhën molotov drejt Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë pas ngritjes së akuzave për korrupsion nga prokurorët. 

Tensionet politike në Shqipëri janë rritur javët e fundit, ndërsa hetimet për korrupsion kanë përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë dhe projekte të mëdha publike. 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kërkuar parlamentit heqjen e imunitetit të disa zyrtarëve dhe lejimin e arrestimeve të mundshme. 

Ende nuk dihet se kur Kuvendi, ku partia në pushtet e kryeministrit Edi Rama ka shumicën, do të votojë mbi këto kërkesa. 

Gjatë protestës, policia e pajisur me mjete kundër trazirave mbrojti godinën qeveritare, ndërsa nuk pati përplasje të drejtpërdrejta mes forcave të rendit dhe protestuesve. 

Një nga protestuesit u shpreh se zemërimi i qytetarëve lidhet me dyshimet për keqpërdorim të miliona eurove nga fondet publike dhe mungesën e përgjegjësisë politike. 

Protestat vijnë në një kohë kur institucionet po hetojnë dyshime për korrupsion në projekte infrastrukturore me vlerë të lartë. 

 

 

  

Paradoksi shqiptar: Ndërtime rekord, por 57.1% e shqiptarëve jetojnë në banesa të mbipopulluara

By: Os De
22 December 2025 at 23:07

Ndonëse Shqipëria mban rekordin në Europë për peshën e ndërtimeve në raport me madhësinë e ekonomisë dhe pallatet e reja e kullat vijojnë të lartësohen çdo ditë, ironikisht, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të mbipopullimit të banesave në Europë.

Të dhënat më të fundit tregojnë se 57.1% e popullsisë jeton në banesa të mbipopulluara, një shifër shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, që në vitin 2024 ishte 16.9%.

Sipas Eurostat niveli më i lartë regjistrohet në Mal të Zi, ku 61.6% e popullsisë jetojnë në banesa të mbipopulluara.

Kur një banesë quhet e mbipopulluar

Eurostat e quan një banesë të mbipopulluar kur familja që jeton aty nuk ka mjaftueshëm dhoma për numrin dhe përbërjen e anëtarëve të saj.

Sipas këtij standardi, një banesë duhet të ketë të paktën:
-një dhomë për familjen në tërësi,
-një dhomë për çdo çift,
-një dhomë për çdo të rritur të vetëm,
-një dhomë për dy fëmijë të vegjël,
-ose dhoma të veçanta për adoleshentët, sipas moshës dhe gjinisë.

Nëse këto kushte minimale nuk plotësohen dhe shumë persona ndajnë pak dhoma, banesa klasifikohet si e mbipopulluar, pavarësisht madhësisë në metra katrorë. Ky tregues përdoret nga

Eurostat për të matur cilësinë e kushteve të jetesës dhe presionin mbi strehimin.

Shqipëria, rekord për shpenzimet në ndërtim

Të dhënat e tjera të Eurostat, bëjnë të ditur se shpenzimet nominale për ndërtimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2023 në Shqipëri ishin 19.1%, nga 18.8% vitin e kaluar.

Kjo shifër është më e larta në Europë, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është rreth 11%.

Pavarësisht dërtimeve, familjet shqiptare nuk arrijnë të blejnë dot apartamente për shkak të shtrenjtimit shumë më të shpejtë të tyre në raport me të ardhurat.

Sipas të dhënave të përpunuara më herët nga Monitor, për të blerë një apartament 70 metra katror kushton 14.8 milionë lekë, nga 7.8 milionë lekë një dekadë më parë. Për të blerë këtë apartament tashmë duhen gati 19 paga vjetore reale bruto (18.6), ose gati 6 vite më shumë sesa një dekadë më pare, që është ndër më të lartat në Europë.

Europa

Sipas Eurostat, në vitin 2024, 16.9% e popullsisë në Bashkimin Europian jetonte në banesa të mbipopulluara, një rënie e lehtë nga 18.1% në vitin 2014.

Mbi 30% e popullsisë në 5 vende të BE-së jetonte në banesa të mbipopulluara. Rumania raportoi përqindjen më të lartë (40.7%), e ndjekur nga Letonia (39.3%), Bullgaria (33.8%), Polonia (33.7%) dhe Kroacia (31.7%).

Në të kundërt, normat më të ulëta të mbipopullimit u regjistruan në Qipro (2.4%), Maltë (4.4%) dhe Holandë (4.6%). / Monitor

Qori shpjegon pse nuk u bashkua me protestën e PD-së: Po të çmendesha dhe të ndaja tribunën me Berishën, do të më konsideronin tradhtar

By: Os De
22 December 2025 at 23:03

Arlind Qori, kryetar i “Lëvizja Bashjkë”, në një lidhje me emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN, shpejgoi se pse partia që ai drejton nuk iu bashkua protestës së PD-së dhe aleatëve të saj sonte te kryeministria. Ai tha se nëse do të ishte në krah të Berishës, do të shkelte mbi parimet e tij dhe të forcës së tij politike.

“Unë nuk i dëgjoj fare me thënë të drejtat, thirrjet e faktorëve të vjetër politikë dhe të kompromentuar. Nuk bie dakord që po të ishim edhe ne sot me Sali Berishën, do të kishte më shumë njerëz në shesh. Se sikur unë të çmendesha edhe të ndaja të njëjtën tribunë apo të njëjtin shesh me Sali Berishën, mua nuk do më vinte asnjëri, as nga mbrapa, as në krahë.

Të gjithë mbështetësit e “Lëvizjes Bashkë” do të më konsideronin tradhtar të të gjitha parimeve që unë kam mbajtur deri tani në politikë, që është lufta e pakompromis ndaj çdo faktori të korruptuar e destruktiv të shoqërisë shqiptare kundër gjithë atyre që i shërbejnë oligarkisë ekonomike.

Tani sot Shqipëri ka shumë arsye për të protestuar, madje ka edhe më shumë arsye për të protestuar se ç’ka njerëz nëpër protesta. Ka korrupsion, ka kapje të shtetit, ka kriminalizim të gjithanshëm të institucioneve publike.

Ky rasti i fundit i AKSHI tregon diçka që është vërtetë çmëritëse, ku arrin puna deri në rrëmbim personi. Atë biznesmenin, po të mos e pranonte që të tërhiqej nga tenderi, atë të shkretin kushedi do e gjenim copa-copa ne sot, se rrëmbimi është për të të bindur të bësh diçka përndryshe, do të ekzekutojë në mënyrë krejt mafioze.

Pak më parë po dëgjoja një prokuror të antimafias italiane, Nikola Grateri, i famshëm, i cili kur fliste për mafian shqiptare thoshte që është e dyta në Evropë mbas Ndragetas. Sepse, thoshte Grateri, vjen nga një shtet ekstremisht i korruptuar, ku pastrohen paratë në përmasa të jashtëzakonshme. Shtet ekstremisht i korruptuar, pastrim shumë i madh parash. Sjell që mafia shqiptare sot të jetë shumë e fortë, jo vetëm në Shqipëri, po edhe në Evropë.

Pjesë e kësaj mafias, pjesë e këtij sistemi të kompromentuar. Mafiozë, oligarkë, sigurisht, është qeveria në radhë të parë dhe Edi Rama si kryesues i saj. Siç iu thashë, Shqipëri ka shumë arsye për të protestuar, ka arsye për t’u marrë me efektet e korrupsionit. Pensionistët nuk blejnë dot një shishe kos, ndërkohë që ai zotëria Agasi harxhonte tre milionë euro vetëm verë nga paratë të cilat janë bërë brenda ditës përmes aferave korruptive dhe ku përgjegjës janë të gjitha hallkat e shtetit. Pse nuk bashkohen partitë e opozitës?
Politika për mua në radhë të parë është alternativë morale. Në Shqipëri është mbrapsht. Besoj që në emër të këtij morali ne kemi për t’ia dalë. Nëse mbetemi mes Ramës dhe Berishës nuk kemi për t’ia dalë. Besoj se Lëvizja Bashkë është katalizatori. Politika në radhë të parë duhet të jetë parimore.”- tha Qori, ndër të tjera.

❌
❌