Mbi 50 të moshuar të zhdukur në Ukrainë, dyshohet se…
Mbi 50 civilë, shumica të moshuar, janë zhdukur pasi dyshohet se janë marrë me forcë nga trupat ruse dhe janë deportuar në Rusi nga fshati Hrabovske, në rajonin ukrainas të Sumy-t, bëjnë të ditur autoritetet e Kievit.
Ngjarja ka ndodhur mesnatën e 19 dhe 20 dhjetorit, kur njësi të Brigadës së 36-të ruse kaluan kufirin dhe shkuan shtëpi më shtëpi, duke marrë banorët që kishin mbetur në fshat pavarësisht urdhrit të evakuimit. Sipas burimeve zyrtare, një nga personat e rrëmbyer është 89 vjeç, ndërsa fati i të gjithë të deportuarve mbetet ende i panjohur.
Hrabovske ndodhet në kufi me rajonin rus të Belgorodit dhe vetëm 10 kilometra larg autostradës strategjike R45 Sumy–Kharkiv, një arterie e rëndësishme për lëvizjen e forcave ukrainase. Për shkak të kësaj pozite, zona ka qenë objekt interesimi për ushtrinë ruse, e cila prej ditësh po përpiqej të avanconte në këtë drejtim.
Rrëmbimi i civilëve është konfirmuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës dhe nga qeveria e Kievit. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, e cilësoi ngjarjen si “një krim të hapur lufte”, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të kërkojë kthimin e personave të deportuar.
Ai theksoi se, përveç të moshuarve, mijëra qytetarë ukrainas, përfshirë fëmijë, janë marrë me forcë dhe dërguar në Rusi. Sipas autoriteteve ukrainase, numri i të miturve të transferuar me dhunë arrin të paktën në 19 mijë.
Për shkak të rrezikut të shtuar në zonat kufitare, presidenti Volodymyr Zelensky ka urdhëruar evakuimin e detyruar të 5 mijë e 700 banorëve të rajonit Sumy që ende refuzojnë të largohen nga shtëpitë e tyre. Kryqi i Kuq dhe vullnetarë lokalë kanë nisur operacionet e evakuimit, ndërsa një pjesë e popullsisë mbetet ende në zonat e rrezikut.
Ndërkohë, autoritetet ukrainase raportojnë për lëvizje të reja të trupave ruse pranë Hrabovskes, si dhe për tërheqje taktike të forcave ukrainase nga disa pozicione për shkak të ofensivës së vazhdueshme.
Sipas Avokatit të Popullit të Ukrainës, personat e deportuar janë mbajtur fillimisht në izolim dhe nuk kanë pasur asnjë mundësi kontakti me familjarët. Deri tani, asnjë informacion zyrtar nuk është bërë publik mbi vendndodhjen e tyre.
The post Mbi 50 të moshuar të zhdukur në Ukrainë, dyshohet se… first appeared on JavaNews.al.



