Karabinierët italianë kanë gjetur tri piktura me vlerë mbi 9 milionë euro, të cilat ishin marrë gjatë një grabitjeje në një muze pranë Parmës.
Tri vepra të rëndësishme të Pierre-Auguste Renoir, Paul Cézanne dhe Henri Matisse janë rikuperuar nga Policia italiane, disa muaj pas grabitjes në Fondacionin “Magnani Rocca”.
Ngjarja ndodhi gjatë natës mes 22 dhe 23 marsit 2026, kur autorët hynë me forcë në muze dhe u larguan me veprat brenda pak minutash, pasi alarmi njoftoi autoritetet. Në mesin e pikturave të rikuperuara është “Tasse et plat de cerises” e Paul Cézanne, me vlerë rreth 6 milionë euro, si dhe “Les Poissons” e Renoir, e vlerësuar në rreth 3 milionë euro. Piktura e Henri Matisse, “Odalisque sur la terrasse”, vlerësohet rreth 20 mijë euro.
Operacioni u zhvillua nga skuadra e specializuar e Karabinierëve për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, gjatë kontrolleve të urdhëruara nga prokuroria. Hetimet vijojnë për të identifikuar personat përgjegjës dhe për të zbardhur të gjitha rrethanat e grabitjes.
Fondacioni “Magnani Rocca”, i themeluar në vitin 1977 nga historiani i artit Luigi Magnani, ruan një koleksion të rëndësishëm me vepra të artistëve si Dürer, Rubens, Van Dyck, Goya dhe Monet./KultPlus.com
Teatri “Migjeni” mirëpriti koncertin “Me dashni nga Shkodra drejt skenave europiane”, ku muzikantët e rinj interpretuan vepra shqiptare dhe ndërkombëtare.
Shkodra ishte ndalesa përmbyllëse e turit të Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor, e cila solli në skenën e Teatrit “Migjeni” një mbrëmje kushtuar muzikës simfonike dhe talentit të të rinjve.
Nën drejtimin e Desar Sulejmanit dhe Harlen Nikollit, orkestra interpretoi një repertor të përzgjedhur nga krijimtaria e kompozitorëve shqiptarë dhe botërorë. Koncerti, i titulluar “Me dashni nga Shkodra drejt skenave europiane”, shënoi fundin e disa ditëve të aktivitetit artistik në qytet.
Për Sulejmanin, i cili është edhe drejtor artistik dhe me origjinë nga Shkodra, koncerti kishte një domethënie të veçantë personale.
“Është një emocion gjithmonë i veçantë, është emocion prekës për mua se unë djalë Shkodre dhe gjithmonë e dua diçka të veçantë në qytetin tim të lindjes”, u shpreh ai, duke vlerësuar realizimin e projektit.
Edhe dirigjenti Harlen Nikolli veçoi përmasat e orkestrës dhe repertorin e këtij edicioni, duke e cilësuar përvojën si një emocion të papërshkrueshëm.
Përgjatë qëndrimit në Shkodër, të rinjtë e orkestrës u përfshinë në disa aktivitete, përfshirë koncerte të muzikës së dhomës dhe një program edukues të dedikuar fëmijëve, të rinjve dhe familjeve.
Pas kësaj ndalese, rrugëtimi muzikor vazhdon në qytete të tjera të Shqipërisë, përpara se orkestra të zhvendoset në skena europiane. Turi synon të jetë një tjetër hap për muzikantët e rinj drejt një karriere artistike përtej kufijve, duke e marrë me vete edhe repertorin dhe energjinë e skenës shqiptare./KultPlus.com
Përpara se të bëhej një prej emrave më të mëdhenj të letërsisë botërore, Albert Camus ishte një fëmijë i varfër nga Algjeria, për të cilin vazhdimi i shkollimit nuk ishte aspak i sigurt. Në jetën e tij, një mësues do të bëhej një prej njerëzve më të rëndësishëm.
Albert Camus lindi në vitin 1913 në Algjeri dhe humbi të atin kur ishte ende foshnjë. Nëna e tij, Catherine, nuk dinte të lexonte e të shkruante dhe punonte si pastruese për të mbajtur familjen. Në një shtëpi ku paratë ishin të pakta dhe e ardhmja nuk premtonte shumë, arsimi i mëtejshëm i Albertit dukej një mundësi e largët.
Por në shkollën fillore, mësuesi Louis Germain kuptoi se përballë kishte një fëmijë të veçantë.
Germain e inkurajoi Camus të vazhdonte shkollimin dhe e ndihmoi të përgatitej për provimin që do t’i siguronte një bursë për liceun. Ai ndërhyri edhe me familjen, duke i bindur se Alberti nuk duhej të linte shkollën për të filluar punë.
Bursa u fitua dhe Camus vazhdoi studimet. Vitet që pasuan do ta çonin nga filozofia dhe gazetaria te letërsia. “I huaji”, “Miti i Sizifit” dhe “Murtaja” do ta shndërronin në një nga zërat më të rëndësishëm të shekullit XX, ndërsa angazhimi i tij gjatë Rezistencës Franceze do ta bënte një figurë të rëndësishme edhe në jetën intelektuale të Evropës.
Pastaj erdhi 1957-a. Camus u shpall fitues i Çmimit Nobel për Letërsi. Ishte vetëm 43 vjeç dhe një nga shkrimtarët më të rinj që kishte marrë këtë vlerësim. Por mes gjithë emrave, sallave dhe ceremonive që shoqëruan Nobelin, mendimi i tij u kthye te një njeri nga e kaluara.
Te Louis Germain. Më 19 nëntor 1957, Camus i shkroi ish-mësuesit të tij për ta falënderuar. Ai i kujtoi se pa përkushtimin dhe mbështetjen e tij, pa mundësinë që i kishte krijuar për të vazhduar shkollën, rruga e tij mund të kishte qenë krejt tjetër.
Ishte një mirënjohje e pazakontë për një shkrimtar që sapo kishte marrë çmimin më të rëndësishëm të letërsisë. Por Camus e dinte se suksesi nuk kishte nisur me Nobelin. Kishte nisur shumë më herët, në një klasë të thjeshtë në Algjeri, kur një mësues pa potencialin e një fëmije që rrethanat e jetës mund ta kishin lënë pas. Louis Germain nuk ishte thjesht mësuesi i Camus. Ai ishte njeriu që i dha atij mundësinë të mos e humbiste talentin.
Camus vdiq në vitin 1960, në një aksident automobilistik, vetëm tre vjet pas Nobelit. Por historia e tij me Germain mbeti si një nga kujtimet më njerëzore të rrugëtimit të tij. Sepse përpara se të kishte lexues, kritikë, libra dhe një Nobel, Albert Camus kishte një mësues që i tha, në mënyrën e vet: vazhdo.
Dhe ndonjëherë, një mundësi e tillë mjafton për të ndryshuar një jetë./KultPlus.com
Një nga romanet më enigmatike të Haruki Murakamit, “Hard-Boiled Wonderland and the End of the World”, është përshtatur për teatër, duke sjellë në skenë universin surreal dhe fantastiko-shkencor të shkrimtarit japonez.
Në rolin kryesor është aktori Tatsuya Fujiwara, i cili rikthehet në teatrin Barbican të Londrës, aty ku nisi karrierën e tij skenike pothuajse 30 vjet më parë.
Romani ndërthur dy histori: një thriller futurist që zhvillohet në Tokio dhe një botë misterioze ku protagonisti humbet kujtesën dhe hijen e tij. Dy rrëfimet gradualisht afrohen, duke sjellë në qendër tema si identiteti, kujtesa, vetmia dhe ndërgjegjja.
Produksioni drejtohet nga koreografi francez Philippe Decouflé, i cili e ka përshtatur botën e Murakamit përmes teatrit, kërcimit dhe elementeve vizuale. Krijesat fantastike të romanit, përfshirë njëbrirëshat, marrin jetë përmes balerinëve dhe kostumeve skenike.
Një moment i veçantë ishte vizita e vetë Murakamit në prova, ku shkrimtari pa se si personazhet dhe botët që kishte krijuar më shumë se 40 vjet më parë morën jetë në skenë.
Produksioni pati premierën në Tokio, udhëtoi në Japoni dhe Singapor, ndërsa pas Londrës do të përfundojë turneun në Paris. Shfaqja vjen në një periudhë kur kultura japoneze po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në skenat ndërkombëtare./KultPlus.com
Një hapësirë e menduar për librin, imagjinatën dhe kureshtjen e fëmijëve po merr një pamje të re në Korçë. Biblioteka e Fëmijëve “Thoma Turtulli” ka përfunduar pajisjen me teknologji bashkëkohore dhe elementët e nevojshëm për ta kthyer atë në një mjedis më modern dhe funksional.
Pas ndërhyrjeve të realizuara, biblioteka është gati të presë fëmijët e qytetit në një ambient të përshtatur për lexim, mësim dhe aktivitete të ndryshme që lidhen me librin. Synimi është që qëndrimi në bibliotekë të mos jetë vetëm një mundësi për të marrë një libër, por një përvojë që nxit dëshirën për të lexuar dhe për të zbuluar.
Teknologjia e re i jep hapësirës një tjetër dimension, duke e afruar bibliotekën me mënyrën se si fëmijët e sotëm mësojnë, eksplorojnë dhe komunikojnë me informacionin. Krahas librit, ata do të kenë mundësi të përdorin një mjedis më bashkëkohor, të përshtatshëm për aktivitete edukative dhe kulturore.
Në një kohë kur konkurrenca mes librit dhe botës digjitale është gjithnjë e më e pranishme, krijimi i hapësirave të tilla synon ta bëjë leximin më tërheqës për brezat e rinj. Një bibliotekë moderne mund të shërbejë jo vetëm si vend ku ruhen dhe lexohen libra, por edhe si një pikë takimi për fëmijët, ku dija, kultura dhe kreativiteti bashkohen.
Për Korçën, rikualifikimi i bibliotekës së fëmijëve përfaqëson një investim te një prej mënyrave më të rëndësishme për formimin e brezit të ri: përmes librit dhe leximit.
Tashmë, “Thoma Turtulli” është gati të hapë dyert për një tjetër brez lexuesish, duke ofruar një hapësirë ku fëmijët mund të mësojnë, të lexojnë, të krijojnë dhe mbi të gjitha, të zbulojnë kënaqësinë e të pasurit një libër pranë./KultPlus.com
Një histori mbi një planet në krizë, natyrën që kërkon të rikthehet dhe njerëzit që përpiqen të imagjinojnë një të ardhme tjetër i ka siguruar shkrimtares britanike EJ Swift çmimin Arthur C. Clarke 2026.
Swift u shpall fituese e edicionit të 40-të të çmimit prestigjioz për romanin “When There Are Wolves Again”, një vepër që ndërthur fantastiko-shkencoren me dramën njerëzore dhe shqetësimet mjedisore të kohës sonë.
Ndryshe nga një histori që e ndërton të ardhmen vetëm përmes teknologjisë apo skenarëve fantastikë, romani i Swift nis nga një realitet shumë i afërt me të tashmen. Ndryshimet klimatike, pasojat e pandemisë, aktivizmi dhe dëshira për të rikthyer habitatet e humbura bëhen pjesë e një rrëfimi që shtrihet në rreth pesëdhjetë vite.
Në qendër janë dy gra, Lucy dhe Hester, jeta e të cilave formësohet nga ngjarje të ndryshme, por të lidhura me një botë që ndryshon vazhdimisht.
Lucy rritet në periudhën e pandemisë së Covid-19 dhe më vonë përfshihet në lëvizjet për mbrojtjen e mjedisit dhe rikthimin e natyrës së egër në Britani. Hester, ndërkohë, zgjedh dokumentarin si mënyrë për të rrëfyer botën dhe mbart në historinë e saj ndikimin e katastrofës së Çornobilit. Dy jetë të ndara që ecin paralelisht për dekada, derisa në vitin 2070 rrugët e tyre bashkohen.
Pikërisht përmes këtyre dy personazheve, Swift e zhvendos vëmendjen nga një katastrofë hipotetike te pyetja se çfarë mund të bëhet pas saj. Romani nuk fokusohet vetëm te dëmi, por edhe te mundësia e ripërtëritjes.
Drejtori i çmimit, Tom Hunter, e përshkroi librin si një vepër që shqyrton “fuqinë e shpresës afatgjatë përballë kolapsit klimatik”, ndërsa kryetari i jurisë, Dr. Andrew M. Butler, e cilësoi atë si një histori mbi ndryshimin mjedisor dhe mundësinë e rimëkëmbjes.
Këtë vit, gara ishte veçanërisht e gjerë. Juria shqyrtoi 132 libra të dorëzuar nga 52 shtëpi botuese britanike dhe autorë të pavarur, përpara se të përzgjidhte gjashtë finalistët. Përballë Swift ishin Matt Dinniman me “Dungeon Crawler Carl”, Laila Lalami me “The Dream Hotel”, Silvia Park me “Luminous”, qntm me “There Is No Antimemetics Division” dhe Lorraine Wilson me “The Salt Oracle”.
Për autoren britanike, çmimi vjen pas një tjetër nominimi për Arthur C. Clarke Award. “The Coral Bones” kishte qenë më parë finalist, ndërsa Swift ka shkruar edhe “Paris Adrift” dhe trilogjinë “Osiris Project”, ku temat e krizave mjedisore dhe pasojave të tyre shoqërore zënë një vend të rëndësishëm. Krijimtaria e saj është ndikuar, ndër të tjera, nga Margaret Atwood, Barbara Kingsolver, Kim Stanley Robinson dhe Emily St. John Mandel.
Arthur C. Clarke Award është themeluar në vitin 1987 dhe mban emrin e një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë fantastiko-shkencore britanike. Çmimi i jepet romanit më të mirë fantastiko-shkencor të botuar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit paraprak. Margaret Atwood ishte fituesja e parë, me “The Handmaid’s Tale”. Në dekadat pasuese, çmimi ka nderuar autorë si Emily St. John Mandel dhe Colson Whitehead.
Një traditë e veçantë e çmimit lidhet edhe me vlerën monetare: fituesi merr një shumë që përditësohet simbolikisht çdo vit. Për vitin 2026, Swift do të shpërblehet me 2,026 paund. Në një kohë kur kriza klimatike po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e realitetit të përditshëm, “When There Are Wolves Again” e përdor fantastiko-shkencoren jo për të ikur nga e tashmja, por për ta parë atë nga larg. Dhe në këtë distancë, romani ngre një pyetje të thjeshtë, por të madhe: nëse e ardhmja mund të ndryshojë, çfarë zgjedhim të bëjmë me të tashmen?/KultPlus.com
Në zemër të Beratit, aty ku historia dhe trashëgimia ruhen mes mureve të lashta të Kalasë, teknologjia po hap një tjetër mënyrë për ta parë dhe përjetuar kulturën. Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” ka nisur testimin e një eksperience të re interaktive, ku VR/XR dhe inteligjenca artificiale bashkohen me artin dhe historinë.
Nisma synon ta largojë vizitën muzeale nga një përvojë thjesht pasive, duke i bërë vizitorët pjesë të rrëfimit. Përmes mjeteve digjitale, ata mund të eksplorojnë trashëgiminë e Beratit nga këndvështrime të reja dhe të ndërveprojnë me përmbajtjen kulturore në mënyra më të afërta me gjuhën e teknologjisë së sotme.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e ka cilësuar këtë si një mënyrë të re për të zbuluar dhe përjetuar kulturën, përmes ndërthurjes së historisë me teknologjitë VR/XR, inteligjencën artificiale dhe mjete të tjera digjitale.
Sipas tij, vizitorët bëhen pjesë e një rrëfimi interaktiv, ndërsa trashëgimia kulturore merr një formë të re komunikimi me publikun dhe veçanërisht me brezat e rinj.
Eksperienca është zhvilluar nga “Kultura Digjitale” në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri”. Drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Miklor Pasku, e konsideron nismën një hap drejt transformimit digjital të institucioneve kulturore, duke e bërë Beratin qytetin e parë në Shqipëri që mirëpret eksperienca të tilla interaktive në një muze.
Gjatë fazës së testimit, vizitorët mund të provojnë eksperiencën VR me Ava, ciceronen digjitale, ndërsa përmes pikturës interaktive mund të bashkëbisedojnë me figurën e Onufrit. Kështu, vizita në muze nuk mbetet vetëm një vështrim mbi veprat e ekspozuara, por shndërrohet në një përvojë më të gjallë dhe të personalizuar.
Për një turist italian që e provoi eksperiencën, ndërthurja e botës digjitale me trashëgiminë reale ishte veçanërisht interesante. Ai e vlerësoi nismën si një mënyrë origjinale për t’i afruar të rinjtë me artin dhe për ta bërë vizitën muzeale më tërheqëse.
Në këtë mënyrë, teknologjia nuk zëvendëson historinë, por bëhet një tjetër gjuhë për ta treguar atë. Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” ndodhet në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, brenda Kalasë së Beratit, dhe është themeluar në vitin 1986. Ai mban emrin e Onufrit, një prej figurave më të rëndësishme të pikturës ikonografike shqiptare të shekullit XVI.
Koleksioni i muzeut përfshin 196 ikona dhe objekte liturgjike, duke ruajtur një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë artistike dhe fetare shqiptare.
Tashmë, përmes VR/XR dhe inteligjencës artificiale, kjo trashëgimi po kërkon një mënyrë të re për të komunikuar me publikun. Në një qytet ku e kaluara është e pranishme në çdo gur, teknologjia po krijon ura të reja mes historisë dhe brezave që do ta trashëgojnë atë./KultPlus.com
Tetëdhjetë vite jetë, por një krijimtari që vazhdon të jetojë në zërat e këngëtarëve, në meloditë e festivaleve dhe në kujtesën e atyre që janë rritur me këngët e saj. Zhuliana Jorganxhi feston sot 80-vjetorin, duke mbajtur pas vetes një nga krijimtaritë më të pasura të teksteve të këngëve në kulturën shqiptare.
Rreth 3 mijë tekste këngësh janë shkruar prej saj gjatë dekadave të krijimtarisë. Një shifër që tregon përmasën e punës, por që nuk mund të tregojë plotësisht ndikimin e saj. Sepse disa vargje nuk mbeten në letër. Ato marrin melodi, zë dhe jetë të re në kujtesën e publikut.
Kështu ka ndodhur me krijimtarinë e Jorganxhit. Ajo ka shkruar për dashurinë, ndarjen, mallin, rininë, lirinë dhe shpresën. Ka ditur të gjejë fjalët e thjeshta për ndjenja të ndërlikuara dhe t’i vendosë ato brenda melodive që më pas janë bërë pjesë e jetës së shumë shqiptarëve. E lindur në Korçë, një qytet me traditë të fortë muzikore dhe poetike, Jorganxhi u formësua në një mjedis ku kënga ishte pjesë e përditshmërisë. Serenatat e qytetit, atmosfera artistike dhe dashuria për fjalën do të bëheshin pjesë e rrugëtimit të saj krijues.
Në vargjet e saj, fjala shqipe fitoi një tjetër tingull. Ajo u bë më e afërt me publikun, më e drejtpërdrejtë dhe njëkohësisht më poetike. Këngë si “Jon”, “Kthehu për vete, për mua” dhe “Ne, bijtë e lirisë”, së bashku me dhjetëra krijime të tjera, dëshmojnë shtrirjen e këtij repertori. Ato i përkasin një kohe të caktuar, por emocionet që mbartin kanë kaluar përtej saj.
Sepse historia e një këngëtari apo kompozitori nuk është gjithmonë vetëm historia e autorit. Në shumë raste, ajo bëhet historia e dëgjuesve. Dhe Zhuliana Jorganxhi ka shkruar për dëgjuesit. Për ata që kanë dashuruar, për ata që kanë pritur, për ata që janë ndarë, për ata që kanë ëndërruar një jetë tjetër. Vargjet e saj kanë gjetur vend në përvoja të zakonshme njerëzore dhe pikërisht për këtë arsye janë bërë të paharrueshme.
Krijimtaria e saj nuk është kufizuar vetëm te muzika e lehtë. Ajo është shndërruar në një dëshmi të ndryshimeve shoqërore dhe kulturore që ka përjetuar Shqipëria gjatë dekadave.
Në këngët e saj mund të dallohen gjurmët e një shoqërie që ndryshonte, nga emocionet intime të dashurisë deri te temat e lirisë dhe të shpresës. Në këtë mënyrë, tekstet e saj mund të lexohen edhe si një arkiv i ndjenjave të një brezi.
Më vonë, jeta në mërgim solli një tjetër dimension në marrëdhënien e saj me gjuhën dhe vendin e origjinës. Larg Shqipërisë, fjala shqipe mori edhe më shumë peshë. Kujtimet, vendet dhe njerëzit e lënë pas u bënë pjesë e një identiteti që vazhdoi të shprehej përmes krijimtarisë.
Sepse largësia nuk e zbehu lidhjen me vendin e lindjes. Përkundrazi, e bëri atë më të dukshme. Në librin “Zëri i shpirtit tim”, Jorganxhi shpalos një pjesë të kësaj bote të brendshme, ku krijimtaria dhe përvoja personale takohen. Është një tjetër dëshmi e një artisteje që e ka parë fjalën jo vetëm si mjet shprehjeje, por si mënyrë për të ruajtur kujtesën.
Në fund, ndoshta ky është edhe kuptimi më i madh i krijimtarisë së saj. Të krijosh diçka që vazhdon të jetojë edhe kur momenti për të cilin është shkruar ka kaluar. Të shkruash një ndjenjë dhe ta bësh atë të përbashkët. Të kthesh një varg në këngë dhe këngën në kujtim. Në 80-vjetorin e saj, Zhuliana Jorganxhi mbetet një prej emrave që kanë lënë gjurmë të thella në tekstin e këngës shqiptare. Një poete që për dekada ka qenë pranë melodive, por që në thelb ka shkruar për njeriun dhe emocionet e tij.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse vargjet e saj vazhdojnë të tingëllojnë. Sepse koha mund të ndryshojë këngët, skenat dhe zërat, por disa ndjenja mbeten gjithmonë të njëjta./KultPlus.com
Java e fundit e edicionit të gjashtë të “Porto Palermo Festival” nisi me një mbrëmje të veçantë, ku muzika live u ndërthur me ritmet elektronike, duke krijuar një atmosferë ndryshe në skenën e kalasë historike.
Në qendër të mbrëmjes ishte violinisti dhe kompozitori shqiptar me karrierë ndërkombëtare, Olen Çesari, i cili solli për publikun virtuozitetin dhe energjinë e tij përmes një performance të mbushur me ritëm. Tingujt e violinës së tij u shkrinë me atmosferën e festivalit, duke e kthyer hapësirën historike në një skenë ku tradita e instrumentit takohej me një qasje bashkëkohore.
Pjesë e kësaj nate ishte edhe DJ Pashaliman, i cili iu bashkua Çesarit me ritmet elektronike dhe set-in e tij. Dy formatet muzikore krijuan një dialog të pazakontë mes violinës dhe elektronikës, duke i dhënë performancës një dimension modern dhe dinamik.
Publiku u përfshi në këtë eksperiencë muzikore, ndërsa kalaja e Porto Palermos u mbush me tinguj që lëviznin mes melodive të violinës dhe ritmeve elektronike. Ishte një mbrëmje që tregoi se hapësirat e festivalit mund të shërbejnë edhe si pika takimi mes zhanreve dhe stileve të ndryshme muzikore.
Me “Olen Çesari & Deejay’s Night”, “Porto Palermo Festival” vijon programin e edicionit të gjashtë, duke sjellë në skenën e tij artistë dhe formate të ndryshme që i japin festivalit një karakter të veçantë në peizazhin kulturor veror./KultPlus.com
Tradita shqiptare merr jetë në qytetin e gurtë përmes këngës, valles dhe ritmeve popullore. Gjirokastra u kthye mbrëmjen e kaluar në një skenë të hapur të folklorit shqiptar, duke mirëpritur koncertin “Fest Folk 2026”, një tjetër ndalesë e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore në turin e tij nëpër Shqipëri.
Në qytetin e gurtë, ku tradita është pjesë e pandashme e identitetit dhe peizazhit kulturor, artistët e ansamblit sollën një repertor të pasur me këngë, valle dhe motive popullore nga krahina të ndryshme të vendit.
Këngët dhe vallet tradicionale u shndërruan në një udhëtim përmes kulturës shqiptare, duke sjellë në skenë larminë e kostumeve, ritmeve dhe mënyrave të interpretimit që kanë kaluar brez pas brezi.
Për publikun, mbrëmja ishte një rikthim te tingujt e traditës, por edhe një dëshmi se folklori vijon të ketë një vend të rëndësishëm në jetën kulturore. Artdashës, banorë të Gjirokastrës dhe turistë iu bashkuan aktivitetit, duke ndjekur nga afër performancat e artistëve.
“Fest Folk 2026” synon të sjellë këngën dhe vallen popullore pranë publikut në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke e kthyer çdo ndalesë në një festë të trashëgimisë kulturore.
Pas qyteteve të tjera ku ka ndaluar gjatë këtij turi, Gjirokastra u bë pjesë e këtij udhëtimi artistik, duke i dhënë folklorit një tjetër hapësirë për të komunikuar me publikun.
Në fund të mbrëmjes, “Fest Folk 2026” la pas tingujt e këngëve dhe ritmet e valleve popullore, duke rikujtuar se pasuria folklorike shqiptare mbetet një nga format më të gjalla të ruajtjes dhe përcjelljes së identitetit kulturor./KultPlus.com
Aktorja legjendare Julie Andrews ka konfirmuar se nuk do të rikthehet në rolin e Mbretëreshës Clarisse në filmin e ardhshëm “The Princess Diaries 3”, duke e lidhur vendimin me pensionimin e saj nga paraqitjet në ekran.
Andrews, 90 vjeçe, luajti në dy filmat e parë të serisë, të publikuar në vitet 2001 dhe 2004, përkrah Anne Hathaway. Ajo ka treguar se gjatë gjithë vitit të kaluar ishte pyetur nëse do të dëshironte të rikthehej në filmin e tretë, por në fund vendosi të refuzojë ofertën.
“Është shumë e vështirë të thuash jo”, ka deklaruar Andrews, duke shtuar se e konsideron veten tashmë të pensionuar nga aktrimi në ekran.
“Kam pasur një rrugëtim të mrekullueshëm dhe mendova se ky film do të zhvillohej shumë mirë edhe pa pasur nevojë që gjyshja të shfaqej në të në moshën time”, u shpreh ajo.
Një karrierë tetëdekadëshe
Julie Andrews ka një karrierë që shtrihet në më shumë se tetë dekada. Ajo ka fituar Çmimin Oscar për rolin në “Mary Poppins”, shtatë çmime Golden Globe dhe ka marrë tri nominime për Tony Awards.
Në vitin 2000, ajo u nderua me titullin Dame nga Mbretëresha Elizabeth II.
Pas “The Princess Diaries 2”, Andrews është fokusuar kryesisht në role zanore, duke kontribuar në produksione si “Shrek”, “Despicable Me” dhe serialin e Netflix “Bridgerton”, ku është zëri i Lady Whistledown.
“The Princess Diaries 3” ende pritet të realizohet
Për filmin e tretë u raportua në vitin 2024 se ishte në zhvillim, me Adele Lim si regjisore. Anne Hathaway pritet të rikthehet në rolin e Mia Thermopolis, ndërsa Robert Schwartzman dhe Chris Pine janë konfirmuar për rikthimin e tyre si personazhet që lidhen romantikisht me të.
Hathaway kishte shtyrë punën për filmin për shkak të angazhimit në “The Devil Wears Prada 2”, por më pas ka deklaruar se synimi është që “The Princess Diaries 3” të jetë projekti i radhës.
Dy filmat e parë, të bazuar në librat e autores Meg Cabot, tregojnë historinë e Mia Thermopolis, e cila zbulon se është trashëgimtare e fronit të Genovias dhe përgatitet për rolin e saj mbretëror nën udhëzimin e gjyshes Clarisse.
Andrews kishte shprehur edhe më herët rezerva për një rikthim, duke thënë se ndonjëherë është më mirë “ta lësh një gjë të mirë ashtu siç është”, në vend që ta zgjasësh historinë deri në atë pikë sa të humbasë vlerën e saj./KultPlus.com
Kosova do të përfaqësohet me dy ekipe kombëtare të futbollit në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, të cilat do të zhvillohen në Itali.
Në këtë ngjarje të rëndësishme sportive, Kosovën do ta përfaqësojnë Kombëtarja U21 e meshkujve dhe Kombëtarja U18 e femrave.
Kombëtarja U21 e Kosovës është shortuar në Grupin B, së bashku me Italinë, Shqipërinë dhe Algjerinë.
Ndërsa Kombëtarja U18 e femrave do të garojë në Grupin B, ku do të përballet me Italinë dhe Slloveninë.
Pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare do t’u mundësojë dy ekipeve kosovare të përballen me përfaqësuese të tjera dhe të prezantojnë vendin në një prej ngjarjeve më të rëndësishme shumësportëshe të rajonit.
Kosova do të synojë paraqitje sa më të mira në Taranto, me djemtë dhe vajzat që do të mbrojnë ngjyrat dardane në arenën mesdhetare./KultPlus.com
112 vjet më parë, në Gollomboç, lindi shkrimtari i shquar Sterjo Spase (1914-1989).
Sterjo Spasse është një nga autorët më në zë në letrat shqipe pas viteve ’30, prozator me kontribute të spikatura. Romani “Pse?”, i botuar në vitin 1935, mbahet si romani i parë filozofik i shkruar në Shqipëri, në gjuhën shqipe.
Letërsia e tij zë fill që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Kjo ishte një periudhë në të cilën shkrimtari Sterjo Spasse u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit. Spasse është konsideruar si një prozator emblematik i atyre viteve, duke u larguar nga tematika e zakonshme e romaneve të kohës për të shenjuar dhe një tipologji të re të rrëfimit në historinë e prozës, të romanit shqip, duke e shpënë llojin letrar drejt modernizmit.
Veprimtaria letrare e shkrimtarit Sterjo Spasse është e shumëllojshme. Shkroi punime pedagogjike, tekste shkollore, u mor me përkthime, shkroi artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane, etj.
Botoi katër përmbledhje tregimesh: “Kurorë rinie” (1934), “Në krahët e një femre” (1934), “Nusja pa duvak” (1944) dhe “Të fala nga fshati” (1958) si dhe dhjetë romane: “Nga jeta në jetë – Pse!?” më 1935 – që mbahet si kryevepra e tij, “Afërdita” (1944), “Ata nuk ishin vetëm” (1952), “Afërdita përsëri në fshat” (1954), “Buzë liqenit” (1965), “Zjarre…” (1972), “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje ja liri” (1978), dhe “Kryengritësit” (1983).
Redaksia e botimeve “Rilindja” i botoi në vitin 1968 një komplet veprash në tetë vëllime, ndërsa herë pas here ka botuar vepra të ndryshme. Më 1980-1985 iu botuan po ashtu në Tiranë botimi integral “Vepra”, me nëntë vëllime. Në vitin 1980 iu përkthye në anglisht romani “Zgjimi”.
U nda nga jeta në vitin 1989, ndërsa shtëpia e tij në Pustec është restauruar dhe kthyer në muze./atsh
Elton John dhe Dua Lipa kanë shënuar pesëvjetorin e publikimit të këngës së tyre të përbashkët “Cold Heart”, e cila ndër vite është kthyer në një prej bashkëpunimeve më të suksesshme të dy artistëve.
Në një postim në rrjetet sociale, Elton John kujtoi pesë vitet që nga bashkimi i tyre muzikor, duke theksuar se kënga tashmë ka kaluar shifrën prej 5.3 miliardë dëgjimesh, përcjell KultPlus.
“Pesë vite që kur ‘Cold Heart’ na bashkoi, 5.3 miliardë dëgjime më vonë dhe pesë vite miqësi të mrekullueshme”, shkroi ai.
Artisti britanik falënderoi gjithashtu fansat për mbështetjen dhe dashurinë e vazhdueshme ndaj këngës.
“Faleminderit të gjithëve që vazhdoni ta doni dhe ta mbështesni këngën”, u shpreh Elton John.
“Cold Heart (PNAU Remix)” u publikua në vitin 2021 dhe bashkoi Elton John dhe Dua Lipën në një projekt që ndërthur elemente nga disa prej këngëve të njohura të artistit britanik me një produksion modern elektronik./KultPlus.com
Kori Siparantum do të udhëtojë më 17 gusht drejt Kuala Lumpurit të Malajzisë, ku do ta përfaqësojë Kosovën në MCE International Choir Festival 2026, një prej ngjarjeve të rëndësishme të skenës korale ndërkombëtare.
Festivali pritet të mbledhë mbi 200 kore nga vende të ndryshme të botës, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për shkëmbim kulturor dhe artistik përmes muzikës.
Në këtë skenë ndërkombëtare, Siparantum Choir do të prezantojë muzikën, identitetin dhe kulturën e Kosovës, duke vazhduar rrugëtimin e tij në aktivitetet prestigjioze të artit koral, përcjell KultPlus.
Nën drejtimin e dirigjentit Memli Kelmendi, kori do të garojë në dy kategori: B4 – Vocal Ensemble dhe A5 – Mixed Choir, ku do të përballet me ansamble korale nga vende të ndryshme të botës.
Përveç garës, Siparantum Choir do të jetë pjesë edhe e koncertit ndërkombëtar “Songs Around the World – Echoes of Light”, ku do të performojnë kore nga Rusia, Kosova, Singapori, Tajlanda dhe Filipinet.
Koncerti synon të krijojë një takim të veçantë mes kulturave dhe traditave të ndryshme, të bashkuara përmes gjuhës universale të muzikës.
Pjesëmarrja në MCE International Choir Festival 2026 përbën një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin ndërkombëtar të Kori Siparantum dhe në përpjekjet për ta prezantuar Kosovën në ngjarje të rëndësishme të artit koral botëror./KultPlus.com
Spotify ka njoftuar një etiketë të re, “AI Persona”, e cila do t’u sinjalizojë përdoruesve se identiteti publik i një artisti mund të jetë krijuar nga inteligjenca artificiale dhe se nuk përfaqëson një person real.
Etiketa pritet të nisë të shfaqet në platformë nga mesi i shtatorit, si pjesë e përpjekjeve të Spotify për të rritur transparencën në një industri muzikore ku përmbajtja e krijuar me AI po bëhet gjithnjë e më e pranishme.
Spotify do ta identifikojë edhe vetë disa profile
Etiketa nuk do të aplikohet vetëm te artistët që vetëdeklarohen si “AI Persona”. Spotify do të shqyrtojë gjithashtu profile të tjera dhe do të identifikojë artistët, identiteti publik i të cilëve, përfshirë emrin dhe fotografitë, duket se përfaqëson një identitet fotorealist të krijuar nga inteligjenca artificiale.
Artistët tashmë mund të deklarohen vetë si “AI Persona”.
Sipas rregullave fillestare, muzika e këtyre profileve do të përjashtohet nga rekomandimet editoriale dhe algoritmike të Spotify-t. Megjithatë, përdoruesit që i ndjekin këta artistë do të vazhdojnë ta shohin muzikën e tyre në rekomandime.
Etiketa do të shfaqet në disa pjesë të platformës
Nga mesi i shtatorit, etiketa “AI Persona” do të jetë e dukshme në profilet e artistëve, përmes një baneri dhe në seksionin “About”, në rezultatet e kërkimit dhe pranë këngëve brenda listave të dëgjimit.
Duke klikuar mbi etiketën, përdoruesit do të mund të shohin nëse artisti është vetëdeklaruar si “AI Persona” apo nëse profili është shqyrtuar nga Spotify dhe kompania ka marrë një “vendim të informuar”.
Në rastin e dytë, artistët do të kenë mundësi të ankohen ndaj vendimit. Spotify planifikon që në muajt e ardhshëm t’u mundësojë edhe përdoruesve të raportojnë profile që dyshojnë se përfaqësojnë “AI Persona”.
Etiketa nuk tregon se si është krijuar muzika
Spotify thekson se “AI Persona” i referohet identitetit publik të artistit dhe jo mënyrës se si është krijuar muzika.
Për informacion rreth përdorimit të inteligjencës artificiale në krijimin e këngëve, platforma ofron veçmas funksionet AI Credits dhe SongDNA.
Kompania ka bërë të ditur se qasja ndaj inteligjencës artificiale do të vazhdojë të zhvillohet në përputhje me ndryshimet në industrinë muzikore.
Spotify synon gjithashtu që rekomandimet e saj të mos përfshijnë spam, përmbajtje me cilësi të ulët apo materiale të krijuara me përpjekje minimale./KultPlus.com
Brukseli është mbuluar me ngjyra, pasi sheshi historik “Grand Place” është shndërruar në një vepër gjigante arti për edicionin e 24-t të “Flower Carpet”, një prej ngjarjeve më të njohura kulturore dhe turistike të kryeqytetit belg.
Këtë vit, tradita e tapetit me lule është ndërthurur me artin japonez, duke sjellë në qendër të sheshit një kompozim të frymëzuar nga vepra ikonike e Katsushika Hokusait, “Vala e Madhe e Kanagavës”.
Për realizimin e tapetit janë përdorur rreth 500 mijë lule dahlia, të përzgjedhura në 15 varietete dhe 10 ngjyra të ndryshme.
Punëtorët kanë kaluar orë të tëra duke vendosur me kujdes secilën lule mbi kalldrëmin e “Grand Place”, duke krijuar gradualisht një mozaik shumëngjyrësh që ka tërhequr turistë dhe banorë të shumtë.
Dahliat, zgjedhje edhe për shkak të temperaturave
Përzgjedhja e dahlias nuk është bërë vetëm për arsye estetike. Në një Evropë që po përballet me temperatura të larta, organizatorët kanë zgjedhur një lule që mund t’i përballojë më mirë kushtet e nxehta.
“Për tapetin me lule po përdorim dahlias. Dahlia është një lule shumë e fortë. Ajo vjen fillimisht nga malësitë e Meksikës dhe është mësuar me temperatura të tilla. Është shumë rezistente ndaj nxehtësisë. I pëlqen më shumë nxehtësia dhe thatësira sesa shiu, ndaj është shumë e përshtatshme për Brukselin këto ditë”, tha Dennis Van Der Meer, organizator i “Flower Carpet”.
Me temperaturat që pritet të arrijnë deri në 35 gradë Celsius, lulet janë vendosur njëra pas tjetrës, duke i dhënë një pamje të veçantë një prej shesheve më të famshme të Evropës.
160 vjet marrëdhënie diplomatike mes Belgjikës dhe Japonisë
Edicioni i këtij viti ka edhe një rëndësi të veçantë diplomatike, pasi shënon 160-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Belgjikës dhe Japonisë.
Japonia është rikthyer si vend nderi në këtë aktivitet, pas pjesëmarrjes së fundit në vitin 2016.
Tapeti gjigant me lule do të qëndrojë i ekspozuar në “Grand Place” nga 13 deri më 16 gusht, duke ofruar një ndërthurje të veçantë mes traditës belge të artit floral dhe estetikës japoneze./KultPlus.com
Veprat guerile të artistit anonim britanik Banksy kanë gjeneruar miliona dollarë në ankande dhe kanë tërhequr turma vizitorësh, por instalacionet e tij në hapësirat publike po u kushtojnë gjithnjë e më shumë taksapaguesve britanikë.
Autoritetet publike në Londër kanë shpenzuar rreth 203 mijë dollarë (175 mijë euro) që nga viti 2024 për heqjen, mbrojtjen dhe menaxhimin e tri veprave të Banksyt, sipas të dhënave të siguruara nga BBC përmes kërkesave në bazë të ligjit për lirinë e informimit.
Shuma pritet të rritet edhe më tej, ndërsa autoritetet po përpiqen të heqin një prej muraleve të fundit të artistit, të realizuar vitin e kaluar në muret e Royal Courts of Justice në Londër.
67 mijë dollarë për heqjen e muralit në gjykatë
Vepra paraqet një gjyqtar me paruke duke goditur me çekiç një protestues. Deri tani, Ministria britanike e Drejtësisë ka shpenzuar rreth 67 mijë dollarë për përpjekjet për heqjen e saj.
Ndërkohë, rreth 48 mijë dollarë të tjera janë shpenzuar për sigurinë dhe orët shtesë të stafit gjatë kohës që murali qëndroi në ndërtesë.
Pasi përpjekjet fillestare për pastrimin dështuan, kontraktorët kanë nisur të përdorin teknologji lazer. Nëse edhe kjo metodë nuk funksionon, zyrtarët kanë paralajmëruar se mund të jetë e nevojshme të zëvendësohet pjesa e dëmtuar e gurit.
Murali ka rindezur debatin e vjetër mbi statusin e artit të rrugës së Banksyt: vandalizëm kriminal apo art publik me vlerë kulturore?
Kritikë të tij, mes tyre Nick Timothy, kanë argumentuar se taksapaguesit nuk duhet të paguajnë për pastrimin e asaj që e konsiderojnë dëmtim të një simboli kombëtar të shtetit të së drejtës.
Në anën tjetër, mbështetësit e artistit thonë se veprat e Banksyt tërheqin vizitorë, gjenerojnë interes për hapësirat publike dhe e bëjnë artin të qasshëm edhe jashtë muzeve dhe galerive.
Edhe skulptura në Waterloo i kushtoi shtrenjtë Londrës
Rasti i muralit në gjykatë nuk është i vetmi që ka shkaktuar shpenzime për autoritetet.
Në prill, Këshilli i qytetit të Westminsterit deklaroi se kishte shpenzuar rreth 81 mijë dollarë për barriera sigurie, masa mbrojtëse dhe shpenzime administrative pasi Banksy kishte vendosur fshehurazi një skulpturë në Waterloo, pranë sheshit Trafalgar.
Meqenëse vepra ndodhet në tokë publike, këshilli u bë pronari i saj ligjor dhe ende po shqyrton se si do të veprojë me të.
Ndërkohë, në gusht të vitit 2024, autoritetet londineze hoqën një kabinë roje policie të cilën Banksy e kishte transformuar duke e paraqitur me peshq në formë piranjash. Procesi kushtoi gati 3 mijë dollarë.
Kabina nuk përfundoi në mbeturina. Ajo u vendos në magazinë dhe pritet të ekspozohet për publikun pas rihapjes së Muzeut të Londrës në nëntor.
Rastet e fundit kanë rikthyer kështu pyetjen se kush duhet të mbajë përgjegjësinë për veprat e artit të rrugës që shfaqen në prona publike: artisti, autoritetet apo taksapaguesit./KultPlus.com
Ekspozita “Kujtesa e një kohe” e artistes Magbule Xhemaili që u hap në Ulqin më 2 gusht në Muzeun Vendor – Kulla e Ballshajve, në Qytetin e Vjetër të Ulqinit po vazhdon të jetë e hapur edhe më tutje, dhe do të qëndrojë e hapur deri më 17 gusht, shkruan KultPlus.
Ekspozita është organizuar në kuadër të manifestimit kulturor “Skena Verore”, në bashkëpunim me IP “Qendra për Kulturë” – Ulqin.
“Kujtesa e një kohe” sjell një përzgjedhje veprash që trajtojnë kujtesën, gjurmët urbane dhe raportin ndërmjet murit, kohës dhe identitetit. Në pikturat e Magbule Xhemailit, muri nuk paraqitet vetëm si një sipërfaqe fizike, por si dëshmitar i heshtur i përvojave njerëzore dhe i ndryshimeve shoqërore. Çarjet, shtresimet, shkrimet, gjurmët e korrozionit, motivet e tekstileve dhe fragmentet e peizazhit shndërrohen në shenja të një kohe të kaluar, por ende të pranishme në kujtesën individuale dhe kolektive. Përmes ngjyrës, teksturës dhe ndërthurjes së elementeve figurative me sipërfaqe abstrakte, artistja krijon një dialog ndërmjet së kaluarës dhe së tashmes.
Veprat e ekspozuara janë realizuar kryesisht në akrilik në kanavacë, ndërsa në disa prej tyre përdoren teknika të kombinuara dhe materiale që krijojnë shtresime e reliev, duke i afruar sipërfaqet e pikturave me muret e vjetra, fasadat e dëmtuara dhe gjurmët e qyteteve. Një pjesë e rëndësishme e ekspozitës lidhet edhe me Ulqinin, arkitekturën, atmosferën dhe trashëgiminë e tij kulturore. Motivet e mbledhura gjatë qëndrimeve të artistes në këtë qytet ndërthuren me kujtimet personale dhe me përvojën e saj shumëvjeçare artistike, duke krijuar një rrëfim vizual për vendin, kohën dhe gjurmët që mbeten pas.
Teksti kuratorial i ekspozitës është përgatitur nga Mersiha Resulbegoviq Mavriq, e cila e cilëson krijimtarinë e Magbule Xhemailit si një lloj “arkivi të heshtur”, ku sipërfaqet e pikturuara ruajnë histori, kujtime dhe fragmente të identitetit kolektiv.
Magbule Xhemaili është piktore nga Gjilani, Kosovë. Studimet për Pikturë i përfundoi në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, ndërsa magjistraturën në Pikturë e kreu nën mentorimin e profesor Esat Vallës. Ka realizuar ekspozita personale në Prishtinë, Tetovë dhe Rozhajë, si dhe ka marrë pjesë në ekspozita, projekte dhe koloni artistike brenda dhe jashtë vendit. Veprat e saj janë pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, Galerisë së Arteve të Gjilanit dhe koleksioneve private. Projekti është përkrahur në kuadër të Fondit të Mobilitetit 2025 nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Kosovës. Realizimi i ekspozitës është mundësuar në bashkëpunim me institucionet kulturore të Ulqinit dhe me mbështetjen e Komunës së Ulqinit, Organizatës Turistike të Ulqinit dhe institucioneve partnere. / KultPlus.com
Akademia Suedeze ka publikuar disa rekomandime leximi për ata që duan të njihen më nga afër me veprat e autorëve që janë vlerësuar me Çmimin Nobel në Letërsi.
Ekspertët e Akademisë kanë përzgjedhur disa romane të rëndësishme, duke ndarë edhe përshtypjet e tyre për veprat dhe autorët.
“Herscht 07769” – László Krasznahorkai
Romani i shkrimtarit hungarez László Krasznahorkai, fitues i Nobelit në Letërsi, përshkruhet nga Anna-Karin Palm si një vepër ku “gjëra të çuditshme fillojnë të ndodhin”.
Sipas saj, autori vendos ngrohtësinë e thjeshtë njerëzore përkrah dhunës dhe urrejtjes, ndërsa bukuria dhe rendi sublim që përfaqëson muzika e Bach-ut shfaqen gjatë romanit si një ëndërr e largët.
“The Vegetarian” – Han Kang
Romani i shkrimtares koreanojugore Han Kang paraqet një portret të mprehtë të një shoqërie patriarkale, të fiksuar pas karrierës dhe normave e konventave të ngurta, ndonjëherë edhe tiranike.
Steve Sem-Sandberg e përshkruan romanin si veprën që i solli Han Kang njohjen ndërkombëtare dhe që fitoi Çmimin Ndërkombëtar Booker në vitin 2016.
Historia përqendrohet te një grua koreanojugore në moshë të mesme, e cila një natë vendos papritur të mos hajë më mish.
“I Remain in Darkness” – Annie Ernaux
Anne Swärd rekomandon veprën “I Remain in Darkness” të shkrimtares franceze Annie Ernaux, një libër që trajton vitet e fundit të jetës së nënës së autores, ndërsa ajo përballet me demencën.
Swärd e cilëson atë si një prej librave më të shkurtër, por njëkohësisht më të dendur, prekës dhe të fuqishëm të Ernaux.
“Septology” – Jon Fosse
Në listën e rekomandimeve është edhe “Septology”, vepra madhore në prozë e shkrimtarit norvegjez Jon Fosse.
Anders Olsson vlerëson veçanërisht mënyrën se si motivi i dyzimit pasqyrohet në pikturën nga e cila narratori nuk mund të ndahet.
Trilogjia, e përfunduar në vitin 2021, përbëhet nga “The Other Name”, “I is Another” dhe “A New Name”. E gjithë vepra shtrihet në rreth 1,250 faqe dhe është shkruar në formën e një monologu, ku një artist i moshuar flet për një person tjetër që ka të njëjtin emër me të.
“Desertion” – Abdulrazak Gurnah
Në mesin e rekomandimeve është edhe romani “Desertion” i shkrimtarit Abdulrazak Gurnah.
Ellen Mattson e përshkruan veprën si një roman të shkruar bukur, që trajton kujtesën, humbjen dhe lidhjet misterioze që bashkojnë njerëzit edhe kur ata ndahen nga koha dhe distanca gjeografike.
Ajo e përshkruan ngjarjen qendrore të romanit si pikënisjen e një rrëfimi të gjatë dhe kompleks, ku marrëdhëniet njerëzore, historia dhe ndarja ndërthuren gjatë gjithë veprës.
Përmes këtyre rekomandimeve, Akademia Suedeze synon t’u ofrojë lexuesve një mënyrë për të zbuluar më nga afër letërsinë e autorëve të vlerësuar me çmimin më prestigjioz letrar në botë./KultPlus.com