Artistja shqiptaro-kanadeze nga Toronto publikon këngën e saj më të re “Can’t Walk All Over Me”, një mesazh për vetëvlerësimin, fuqinë dhe identitetin mes dy kulturave
Artistja shqiptaro-kanadeze Ana Golja po rikthehet fuqishëm në skenën muzikore me këngën e saj më të re, “Can’t Walk All Over Me”, një projekt që ajo e përshkruan si një këngë dashurie kushtuar vetes.
E lindur dhe e rritur në Toronto në një familje shqiptare, Golja thotë se muzika e saj është pasqyrim i shpirtit dhe i përvojave të saj personale.
“Në thelb, jam dikush që gjithmonë jam tërhequr nga tregimi i së vërtetës, në çfarëdo forme që ajo vjen – qoftë përmes një skene, një kënge apo një pune si producente”, shprehet këngëtarja dhe autorja e këngëve.
Golja u bë e njohur për publikun kanadez pas paraqitjes së saj në serialin e njohur “Degrassi: The Next Generation”. Kënga e saj më e fundit, e publikuar së fundmi, ka marrë reagime pozitive nga fansat dhe artistë të tjerë.
Një këngë për vetëvlerësimin
Për Ana Goljën, “Can’t Walk All Over Me” është më shumë se një këngë. Ajo është një deklaratë personale për vlerën që njeriu i jep vetes.
“Do të thotë se tani e di vlerën time dhe nuk jam më e gatshme të bëj kompromis me të vetëm për të ruajtur paqen. Për një kohë të gjatë, mendoj se shumë gra, edhe unë, mësohen të besojnë se të jesh gjithmonë e pajtueshme me të tjerët është e njëjtë me të qenit njeri i mirë. Kjo këngë është refuzimi im i kësaj mënyre të të menduarit”, thotë ajo.
Golja shpreson që mesazhi i saj të frymëzojë edhe të tjerët që ta duan dhe ta vlerësojnë veten.
“Dua që ata të ndihen të lirë të mos e zvogëlojnë më veten vetëm për t’i bërë të tjerët të ndihen rehat. Nëse qoftë edhe një person e dëgjon këtë këngë para se të hyjë në një hapësirë ku më parë është ndier i anashkaluar dhe kjo ia ndryshon pak qëndrimin, atëherë e kam bërë punën time”, shprehet artistja.
E rritur mes dy botëve
Rrënjët shqiptare kanë një vend të veçantë në historinë dhe identitetin e Ana Goljës.
Nëna e saj, Ardiana Golja, kujton se Ana që në fëmijëri shfaqte një energji dhe talent të veçantë.
“Ajo ishte një fëmijë plot energji, jetë, dashuri dhe talent. Besoj se ka lindur duke kërcyer”, tregon nëna e saj.
Familja Golja emigroi nga Shqipëria në vitin 1991, duke u larguar nga regjimi komunist. Ardiana Golja tregon se familjet e tyre ishin të përndjekura politikisht dhe se ajo vetë u rrit në një kamp internimi.
Për Ana Goljën, rritja në Kanada si pjesë e një familjeje shqiptare i ka dhënë një perspektivë të veçantë artistike.
“Të jesh shqiptaro-kanadeze do të thotë se jam rritur mes dy botëve. Mendoj se kjo më ka dhënë një instinkt të natyrshëm për histori rreth identitetit dhe dualitetit – për njerëz që janë më shumë se një gjë në të njëjtën kohë”, thotë ajo.
Artistja e sheh nënën e saj si modelin më të madh në jetën e saj, duke vlerësuar jo vetëm mbështetjen që i ka dhënë, por edhe jetën që ajo ka ndërtuar për veten.
Një zë për vajzat shqiptaro-kanadeze
Golja e pranon se rrugëtimi i saj në industrinë e filmit, televizionit dhe muzikës nuk ka qenë gjithmonë i lehtë.
Ajo thotë se gjatë fillimit të karrierës nuk shihte shumë vajza shqiptare në industrinë artistike. Pikërisht për këtë arsye, prania e saj në skenën kanadeze ka një kuptim të veçantë.
“Ka shumë rëndësi për mua, sepse nuk jam rritur duke parë shumë gra shqiptare në film, televizion apo muzikë. Nëse një vajzë e re shqiptaro-kanadeze sheh ose dëgjon diçka që kam krijuar dhe ndihet e parë apo e dëgjuar, kjo për mua ka më shumë rëndësi se pothuajse çdo gjë tjetër që bëj”, shprehet Golja.
Nga aktrimi te muzika
Ana Golja e nisi karrierën si aktore në vitin 2005, kur interpretoi rolin e Lucy-t në serialin kanadez policor “1-800-Missing”. Më pas ajo mori pjesë në disa produksione dhe role televizive, ndërsa në vitin 2010 u shfaq në “Connor Undercover”.
Roli që i solli më shumë njohje ishte ai i Zoë Rivas në serialin për të rinj “Degrassi: The Next Generation”.
Megjithatë, rrugëtimi i saj muzikor ka kërkuar edhe një fillim nga e para.
“Rindërtimi i karrierës sime muzikore nga e para, pasi u largova nga menaxhmenti im i mëparshëm, ishte një nga gjërat më të vështira që kam bërë profesionalisht. Do të thoshte vite të tëra shkrimi dhe regjistrimi, duke besuar te vetja, pa garanci se ndonjëra prej tyre do të shihte dritën e ditës”, tregon Golja.
Sot, ajo thotë se ndodhet në një tjetër fazë të karrierës dhe më në fund ndihet e lirë ta ndajë me publikun atë që e ka krijuar nga zemra dhe shpirti.
“Tani jam në anën tjetër të kësaj rruge dhe më në fund mund ta ndaj zemrën, shpirtin dhe artin tim me botën”, përfundon Ana Golja./TheArtisteFondationc/KultPlus.com