Normal view

Aksion në parcelat me kanabis, policia jep detaje për ngjarjen në Pukë: Uniformat blu qëlluan në ajër! Personi i armatosur u arratis

By: A R
22 August 2026 at 22:40

Policia ka dhënë informacione dhe detaje në lidhje me një ngjarje të ndodhur gjatë një aksion në parcelat me kanabis në zonat e thella malore të Pukës, ku uniformat blu qëlluan në ajër.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kodërbojë ku gjatë kontrollit të një parcele ku ishin kultivuar bimë të dyshuara narkotike, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një person të armatosur.

Sipas policisë, personi pasi ka konstatuar efektivët është larguar me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për të ndaluar.

Në këto kushte për ta paralajmëruar një prej punonjësve të Policisë ka qëlluar me armë zjarri në ajër, por personi i armatosur, duke përfituar nga terreni, ka mundur të largohet.

Pukë/Informacion paraprak

Në fshatin Kodërbojë, gjatë kontrollit të një parcele ku ishin kultivuar bimë të dyshuara narkotike, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një person të armatosur.

Ky person, pasi ka konstatuar punonjësit e Policisë, është larguar me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për të ndaluar.

Një prej punonjësve të Policisë ka qëlluar me armë zjarri në ajër, për ta paralajmëruar, por personi i armatosur, duke përfituar nga terreni, ka mundur të largohet.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Ndërkohë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, të Komisariatit të Policisë Pukë dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë vijojnë kontrollet për kapjen e personit.

VIDEO/ Bayern fiton Superkupën e Gjermanisë, thyen Dortmund

By: A R
22 August 2026 at 22:37

Bayern fiton 1-2 ndaj Dortmund dhe merr Superkupën e Gjermanisë. Bavarezët e zhbllokuan sfidën në minutën e 28-të.

Nathaniel Brown shënoi për 0-1, duke i dhënë avantazhin skuadrës së Vincent Kompany.

Pak para pushimit, Michael Olise dyfishoi epërsinë e Bayern Munich.

Verdhezinjtë u futën në lojë me Silvan por vetëm kaq.

 

 

 

VIDEO/ Te Kombëtarja nuk e shmangin dot më, sulmuesi e nis me gol sezonin e ri në Itali

By: A R
22 August 2026 at 22:30

Stiven Shpendi po pret prej kohësh një ftesë nga Kombëtarja shqiptare e futbollit. Një ftesë që nuk i erdhi kurrë nga Silvinjo, por as nga Maran në grumbullimin e tij të parë në qershor.

Megjithatë, do të jetë e vështirë që sulmuesi të lihet përsëri jashtë grumbullimeve kuqezi, pasi ai e ka nisur sezonin e ri me fanellën e Empolit me këmbën e mbarë, duke shënuar që në ndeshjen e parë të Serisë B, kundër Kremonezes.

Në minutën e 21-të të takimit, sulmuesi i cili më parë ka luajtur me moshat kuqezi deri me Shqipërinë U21, u tregua i aftë që të shfrytëzonte një goditje nga këndi për të çuar topin në rrjetë. Goli fillimisht u anulua për pozicion jashtë loje, por më pas u akordua i rregullt.

SHIH VIDEON

Stiven Shpendi ka shënuar 15 gola në sezonin e kaluar në Serinë B me fanellën e Empolit, ndërsa një edicion më parë kishte shënuar 4 të tillë me fanellën e Karrarezes.

 

Për tre ditë rresht ‘elektrizoi’ qytetin/ Kryeministri Rama publikon pamje nga ‘Festivali i Dritave’ në Durrës

By: A R
22 August 2026 at 22:22

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga ‘Festivali i Dritave’ në Durrës, i mbajtur në datat 17, 18 dhe 19 gusht.

Për tre ditë Durrësi u kthye në një skenë të artit, muzikës dhe dritës, me “Festivalin e Dritave” që u mbajt në sheshin Liria.

Aktivitetet nisnin në orën 20:00 dhe vijonin deri në mesnatë, ndërsa programi ndërthurte elemente të historisë dhe të së ardhmes së Durrësit.

Në skenë u prezantuan performanca muzikore, valle popullore, kërcim modern, kuartet harqesh dhe shfaqje akrobatike, ndërsa përmes videove dhe fotografive u sollën edhe pamje nga Durrësi i vjetër.

Muriqi “rrëmben skenën”, realizon me Fenerbahçen

By: A R
22 August 2026 at 22:20

Vedat Muriqi ka shënuar golin e tij të parë që prej rikthimit te Fenerbahçe, duke ndëshkuar Konjasporin, në ndeshjen e dytë të kampionatit turk.

Në minutën e shtatë, sulmuesi tregoi edhe një herë instinktin e tij prej golashënuesi. Ai realizoi nga fare pranë, pas një topi të dërguar në zonë, duke ndezur kështu festën vendase.

Pak më vonë, Fenerbahçe fitoi penallti, por 11-metërshi nuk iu besua Vedat Muriqit.

Theksojmë se në edicionin e tij të vetëm me klubin nga Stambolli, 32-vjeçari në 36 ndeshje të zhvilluara, numëroi 15 gola dhe 5 asiste në kampionat.
Ky sezon mund të jetë mundësia ideale për “Piratin” që të rikthehet në qendër të vëmendjes në futbollin turk dhe të dëshmojë edhe një herë se mbetet një sulmues që mund të bëjë diferencën.

Të shtëna me armë në një zonë të thellë të Pukës/ Policia thërret përforcime

By: A R
22 August 2026 at 22:12

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mbrëmjen e sotme në zonën e njohur si “Hamalla e Dedës”, pranë fshatit Qafë T’Mugu, në Qelëz të Pukës.

Sipas të dhënave paraprake, një skuadër e Policisë ka qenë duke monitoruar një parcelë të dyshuar të kultivuar me kanabis, në një zonë të thellë malore. Dyshohet se punonjësit e Policisë janë pikasur nga personat që mund të jenë të përfshirë në kultivimin e lëndëve narkotike, pas së cilës janë dëgjuar të shtënat.

Për shkak të situatës, efektivët në terren kanë kërkuar përforcime. Në drejtim të zonës së thellë malore raportohet se janë nisur forca shtesë, ndërsa një grup i FNSH-së nga Shkodra është angazhuar për mbështetje.

Nuk ka ende të dhëna zyrtare për persona të plagosur apo për ndonjë arrestim lidhur me të shtënat. Policia vijon kontrollet dhe operacionin në zonën malore.

Në të njëjtën zonë, vetëm tre ditë më parë, një shtetas u arrestua nga Policia nën dyshimin për kultivim të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.

Ngjarja vijon të jetë në zhvillim, ndërsa priten të dhëna të tjera nga Policia për rrethanat dhe autorët e mundshëm të të shtënave.

Zjarri në Malin e Çikës, flakët afrohen drejt fshatit turistik të Dhërmiut

By: A R
22 August 2026 at 22:08

Një zjarr i përmasave të mëdha vijon të përparojë në zonën e Malit të Çikës, duke u shtrirë në të dyja anët e masivit malor dhe duke ngritur shqetësimin për zonat turistike të Dhërmiut dhe Palasës.

Flakët nisën në zonën mbi Dukat dhe, gjatë natës, u përhapën në një sipërfaqe të konsiderueshme në drejtim të Malit të Çikës. Terreni i thyer dhe malor e ka bërë të vështirë ndërhyrjen e forcave nga toka.

Në operacion janë angazhuar forcat zjarrfikëse, rreth 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe strukturat e Emergjencave Civile. Për shkak të vështirësisë së terrenit, ndërhyrja është përforcuar edhe nga ajri, me dy avionë “Air Tractor”, të cilët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrave.

Situata është veçanërisht shqetësuese për shkak të drejtimit të flakëve. Pas përhapjes nga krahu i Dukatit, zjarri ka kaluar në anën tjetër të malit, në drejtim të Dhërmiut dhe Palasës, duke e afruar vatrën me një prej zonave më të frekuentuara turistike të jugut.

Autoritetet po punojnë për të parandaluar avancimin e zjarrit dhe për të izoluar vatrat. Fillimisht zjarri u shfaq në disa vatra dhe dyshohet se mund të jetë shkaktuar qëllimisht, por shkaku përfundimtar mbetet për t’u përcaktuar nga hetimet.

Një tjetër shqetësim lidhet me mundësinë e ndryshimit të kushteve atmosferike. Forcimi i erës do të mund të favorizonte përhapjen e mëtejshme të flakëve drejt zonave të tjera të masivit dhe Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Gjykata amerikane rrëzon pezullimin e vizave emigruese për 75 vende, preket edhe Shqipëria

By: A R
22 August 2026 at 22:07

Një gjykatë federale në SHBA ka rrëzuar vendimin e janarit të Presidentit Donald Trump që pezullonte lëshimin e vizave emigruese për shtetasit nga 75 vende, duke e cilësuar masën si të paligjshme.

Vendimi u dha të premten nga gjyqtarja federale Jeannette Vargas në Manhattan. Sipas saj, politika e administratës Trump tejkalonte kompetencat ligjore të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio dhe binte ndesh me ligjin federal të emigracionit.

Politika ishte shpallur nga Departamenti i Shtetit në janar dhe kishte prekur aplikantë për viza emigratore nga dhjetëra vende të botës. Në listë përfshiheshin vende të Amerikës Latine, si Brazili, Kolumbia dhe Uruguai, vende të Ballkanit, përfshirë Bosnjë-Hercegovinën dhe Shqipërinë, si dhe Pakistanin, Bangladeshin dhe shumë shtete të Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Karaibeve, raporton Reuters.

2

Gjyqtarja argumentoi se ndalimi i lëshimit të vizave vetëm mbi bazën e kombësisë së aplikantit ishte në kundërshtim me skemën ligjore amerikane. Ajo e konsideroi politikën haptazi të paligjshme.

Padia ishte ngritur nga organizata për të drejtat e emigrantëve dhe aplikantë për viza, të cilët kundërshtuan pezullimin e procedurave.

1

Shkatërrohet organizata e drogës në Mykonos/ 10 të arrestuar dhe sekuestrime me vlerë mbi 170 mijë euro

By: A R
22 August 2026 at 19:55

Një organizatë kriminale e përfshirë në trafikimin dhe shpërndarjen e llojeve të ndryshme të drogës, përfshirë edhe të ashtuquajturën “kokainë rozë”, është goditur nga autoritetet greke në ishullin e Mykonosit.

Operacioni u zhvillua gjatë orëve të mëngjesit të së premtes, më 21 gusht, në kuadër të kontrolleve të koordinuara në Mykonos dhe në Atikë. Si rezultat, u arrestuan 9 anëtarë të organizatës kriminale, ndërsa një tjetër 22-vjeçar u arrestua për posedim droge.

Hetimi i kryer nga oficerët e Nëndrejtorisë së Narkotikëve të Policisë Greke zbuloi se grupi kishte një strukturë të mirëorganizuar dhe funksiononte sipas një hierarkie të përcaktuar.

Si funksiononte organizata

Sipas autoriteteve greke, në krye të rrjetit qëndronte një 35-vjeçar, i cili siguronte lëndët narkotike dhe organizonte transportin e tyre drejt ishullit. Ai përdorte banesën e tij si bazë për ruajtjen, përpunimin dhe shpërndarjen e drogës, ndërsa administronte edhe të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal.

Një tjetër 35-vjeçar, i cilësuar si zëvendësi i tij, kishte rol në ruajtjen e lëndëve narkotike, gjetjen e klientëve dhe furnizimin e shpërndarësve.

Në organizatë kishte edhe një 54-vjeçare, e cila kryente rolin e “arkëtares”. Ajo dyshohet se kujdesej për ruajtjen e parave dhe transferimin e fitimeve nga Mykonosi drejt Athinës.

Një 34-vjeçar, i cili punonte si shofer transporti VIP, dyshohet se shfrytëzonte profesionin e tij për t’iu afruar turistëve dhe vizitorëve në ishull dhe për t’u ofruar lëndë narkotike.

Në të njëjtin aktivitet dyshohet se ishin përfshirë edhe 5 anëtarë të tjerë rajonalë, të moshave 24 deri në 34 vjeç, të cilët punonin si shoferë ose shoqërues.

Përfitimet kalonin 170 mijë euro

Autoritetet greke vlerësojnë se përfitimi i paligjshëm i pritshëm nga shitja e drogës së sekuestruar, i kombinuar me shumat e parave të gjetura gjatë operacionit, kalon 170 mijë euro.

Ndërkohë, bëhet e ditur se 4 prej personave të arrestuar kishin qenë më parë në vëmendjen e autoriteteve ligjzbatuese për vepra të ngjashme penale.

Hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit të organizatës dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë pasur rol në rrjet vijojnë.

Po kthehej prej pune kur u përplas për vdekje nga makina/ Si u la 4 orë pa ndihmë babai i tre fëmijëve në Durrës, shoferi ia mbathi

By: A R
22 August 2026 at 18:24

Një aksident i rëndë rrugor ndodhi në orët e para të mëngjesit të së premtes, ku babai i tre fëmijëve të mitur, Vasil Hasani, 41 vjeç, u përplas nga një makinë në aksin Shkozet-Shijak, në Rrashbull, ndërsa lëvizte me biçikletë.

41-vjeçari, pasi është përplasur me makinë rreth orës 02:00, është lënë në rrugë pa iu dhënë ndihma e parë, teksa shoferi është larguar nga vendi i ngjarjes.

I riu është gjetur rreth orës 06:00 të mëngjesit nga një kalimtar, i cili ka njoftuar autoritetet, por ishte tepër vonë, pasi babai i tre fëmijëve kishte ndërruar jetë.

Policia ende nuk e ka identifikuar autorin, i cili është larguar pa i dhënë ndihmën e parë 41-vjeçarit, i cili qëndroi për më shumë se katër orë në rrugë.

Hasani ka qenë duke u kthyer nga puna në kohën kur është aksidentuar, ndërsa familja i bën thirrje autoriteteve që të zbardhin rastin dhe të vënë para drejtësisë shoferin e aksidentit.

Katër vatra aktive zjarri në gjithë territorin, si paraqitet situata! Zonat më problematike

By: A R
22 August 2026 at 18:20

Situata e zjarreve në vend paraqitet në përmirësim, ndërsa disa prej vatrave kryesore janë izoluar ose shuar. Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 17:00 të 22 gushtit, gjatë ditës janë evidentuar 10 vatra zjarri, prej të cilave 4 vijojnë aktive dhe 6 janë nën mbikëqyrje.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 332 forca operacionale dhe 15 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 150 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse, një ekskavator i rëndë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

* Gojan–Gjegjan, Pukë – Situata ka shënuar përmirësim të ndjeshëm. Vatrat në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë izoluar dhe vijon kontrolli i vijës së zjarrit për të parandaluar riaktivizimet. Gjatë ditës janë angazhuar forca të MZSH Pukë, Fushë-Arrëz dhe Kamëz, shërbimi pyjor, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë/banorë dhe 40 efektivë të FA-së, të mbështetur nga mjete zjarrfikëse, ekskavator dhe 2 helikopterë të FA-së.

* Prozhem, Pukë – Vatra vijon aktive në sipërfaqe pyjore. Në terren janë angazhuar MZSH, Shërbimi Pyjor dhe banorë të zonës. Intensiteti ndikohet nga era, por aktualisht nuk ka rrezik për banesat.

* Shtanë–Tenë, Mirditë – Vijon operacioni me forcat vendore dhe FA. Nuk ka rrezik për banesat.

* Mali i Dajtit – Vijon ndërhyrja me 25 efektivë MZSH, 5 forca ADZM dhe 30 efektivë të FA-së, me mbështetje nga 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, zjarri në Dukat është shuar plotësisht, ndërsa vatrat e tjera vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje nga strukturat në terren.

Gjithçka ndodhi në vetëm 6 minuta! Vrasja e turistit portugez, kamerat e sigurisë filmuan ngjarjen! Çfarë ndodhi te “Principotes”, në Ksamil

By: A R
22 August 2026 at 18:13

Vetëm 6 minuta! Kaq ka zgjatur sherri i ndodhur pak ditë më parë në Ksamil ku humbi jetën turisti portugez Luis Miguel Varela Mendez.

Kamerat e sigurisë duket se kanë filmuar gjithçka ka ndodhur.

Gjithçka ka nisur në orën 05:14 dhe ka përfunduar në orën 05:20:28 kur Sokrat Vata largohet në drejtim të lokalit “Principotes”, i shoqëruar edhe nga një kamerier i biznesit.

DINAMIKA:

Në orën 05:14:24 të datës 18.08.2026 vërehen se nga ambientet e lokalit “Principodes vërehen se dalin disa shtetas dhe qëndrojnë tek dera e ambienteve të jashtme të subjektit “Paradise’, ku ndër ta janë të identifikuar shtetasit Ibrahim Lemoie, Sudae Akmahmat, Florian Cetina dhe Luis Mendes i veshur me një bluze të bardhe me një shkrim me ngjyrë të zezë nga mbas.

Në orën 05:15:22 të datës 18.08.2026 nga ana e parkimit në anën jugore te “Principotes” vërejmë që afrohen dy shtetas konkretisht Davit Heuertvent përpara dhe Sokrat Lipan (Vata), i veshur me të këmishë të bardhë, në vendin ku ndodheshin shtetasit e huaj.

Në orën 05:16:39 shtetasi Sokrat Lipan (Vata), vërehet se shtyhet me një person të veshur me bluze me ngjvrë të bardhe dhe Sokrati vërehet se largohet prej atu dhe shkon në drejtim të shezlloneve.

Në orën 05:16:47 shtetasi Sokrat Lipan ndjek një nga personat i cili është i veshur me të bardha dhe Sokrati i ndjek nga mbas në drejtim të parkimit.

Në orën 05:16:54 shtetasi Sokrat Lipan (Vata), vërehet se vjen me vrap në drejtim të shtetasit Ibrahim Lemoie, i cili përplaset në shezllone dhe bie në tokë dhe Sokrati e godet në drejtim të tij.

Në orën 05:17:14 në këto momente afrohet shtetasi Luis Mendes dhe shtyn me trup shtetasin Sokrat Lipan, i cili bie në tokë. Shtetasi Sokrat Lipan (Vata), ngrihet nga toka dhe i afrohet shtetasit Luis Mendes dhe fillon dhe godet në drejtim të tij.

Në orën 05:17:20 shtetasi Davit Heuertventi veshur me tuta të shkurtra dhe një si në këmishë me ngjvrë të errët së bashku me shtetasin Sokrat Lipan (Vata), godasin shtetasin Luis Mendes dhe gjatë kësaj kohe vjen shtetasi Sudae Akhmat pet të ndihmuar shokun e tij shtetasin Luis Mendes dhe godet shtetasin Sokrat Lipan.

Në orën 05:17:35-05:17:46 shtetasi Serxhi Selimi godet shtetasin francez Ibrahim Lemoie me grushte, gjatë kësaj kohe shtetasi Luis Mendes për t’u larguar nga goditjet qe po merrte nga Sokrat Lipan dhe David Heurtevent largohet me nxitim futur brenda në det.

Në orën 05:17:53 shtetasi Luis Mendes afrohet nga ana jugore e plazhit ne vendin ku ndodhen kamarieret dhe goditet nga shtetasi Serxhi Ademi me grushte dhe e ata e shtynë në det.

Në orën 05:18:04 shtetasi Luis Mendes del nga uji dhe ecën në drejtim të shezllonave të plazhit “Paradise” ku vërehet se bluzën e bardhë e ka të gjakosur.

Në orën 05:18:24 shtetasi David Heuertvent vërehet se largohet në drejtim ambienteve të brendshme të Principotes, I cili dallohet që është i gjakosur tek pjesa e përparme e rrobave dhe po fshihet.

Në orën 05:20:28 largohet shtetasi Sokrat Lipan alias Vata i cili bluzën e bardhë e ka të gjakosur dhe mbas tij është kamerieri, Igli Cekani që e shoqëron nga pas në drejtim të lokalit “Principotes”.

Izraeli goditi bazën ajrore në Siri, ministri i Mbrojtjes: Turqia po përgatiste aktivitet që kërcënonte sigurinë tonë

By: A R
22 August 2026 at 18:06

Izraeli goditi më 18 gusht bazën ajrore Abu al-Duhur, në veriperëndim të Sirisë, me tetë sulme ajrore. Sipas autoriteteve siriane, sulmet goditën pistën dhe zonat e magazinimit, ndërsa nuk u raportuan viktima.

Sipas Al Jazeera, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se sulmi u krye pasi Izraeli kishte marrë informacione se Turqia po përgatiste aktivitet në bazë, i cili sipas tij mund të përbënte kërcënim për sigurinë e Izraelit.

Sipas Katz, ushtria izraelite kishte propozuar kryerjen e sulmit dhe, përpara operacionit, Izraeli kishte paralajmëruar qeverinë siriane. Ministri tha gjithashtu se informacionet ishin ndarë me zyrtarët amerikanë.

Turqia mohon praninë ushtarake në bazë

Ankaraja i ka hedhur poshtë pretendimet e Izraelit. Ministria turke e Mbrojtjes ka deklaruar se nuk kishte delegacion ushtarak turk në bazën Abu al-Duhur, as para dhe as gjatë sulmit.

Edhe Siria ka mohuar se po përgatiste krijimin e një baze ushtarake turke apo vendosjen e përhershme të trupave turke në këtë objekt.

Ministri i Jashtëm sirian, Asaad al-Shaibani, tha se zyrtarë ushtarakë turq e kishin vizituar bazën, por në kuadër të trajnimeve dhe bashkëpunimit ushtarak. Ai mohoi se kishte një plan për vendosjen e përhershme të forcave turke.

SHBA: Sulmi rrezikoi përshkallëzimin

Sulmi izraelit ka shkaktuar reagime edhe nga Shtetet e Bashkuara. I dërguari amerikan për Sirinë dhe Turqinë, Tom Barrack, e cilësoi sulmin si një “përshkallëzim të panevojshëm” dhe paralajmëroi për rrezikun e një përplasjeje më të gjerë mes Izraelit, Turqisë dhe Sirisë.

Ndërkohë, SHBA po punon për krijimin e një mekanizmi komunikimi mes tre vendeve, me synim shmangien e incidenteve dhe përplasjeve të drejtpërdrejta ushtarake.

Sulmi ndaj Abu al-Duhur ka rritur tensionet mes Izraelit dhe Turqisë, ndërsa të dyja palët po përplasen gjithnjë e më shumë për rolin dhe praninë ushtarake në Sirinë e pasluftës.

Plagosja e efektivit të FA në Mirditë/ Ministria e Mbrojtjes: U dëmtua gjatë furnizimit të mjetit me ujë. Ndodhet te “Trauma” jashtë rrezikut për jetën

By: A R
22 August 2026 at 18:03

Një efektiv i Forcave të Armatosura është dëmtuar gjatë operacionit për shuarjen e zjarreve në Mirditë, teksa po kryente procesin e furnizimit me ujë të një mjeti zjarrfikës.

Efektivi A. K. është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ai po ndiqet nga mjeku neurokirurg dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i MB

Në operacionin e Forcave të Armatosura në Mirditë për shuarjen e zjarreve, një prej efektivëve A. K. është dëmtuar gjatë procesit të furnizimit me ujë të mjetit zjarrfikës.
Efektivi i lënduar është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës, në Tiranë, ku po merr aktualisht trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Efektivi i FA po ndiqet nga mjeku neurokirurg dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë qëndrimit në Spitalin e Traumës, efektivi është vizituar nga Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjenerallejtënant Arben Kingji, të cilët janë interesuar menjëherë nga afër për gjendjen e tij shëndetësore.

Ministria e Mbrojtjes vijon të ndjekë nga afër gjendjen shëndetësore të efektivit dhe t’i qëndrojë pranë në këtë situatë.

Akuzohet për përdhunimin e një të reje në Greqi, 52-vjeçari shqiptar arrestohet pas 4 vitesh në Mal të Zi

By: A R
22 August 2026 at 18:00

Një 52-vjeçar me shtetësi shqiptare, i akuzuar për përdhunimin e një të reje në një plazh të izoluar të Halkidikisë në Greqi, është arrestuar në Mal të Zi, katër vite pas ngjarjes, raportojne mediat greke.  Sipas mediave greke, arrestimi u krye të mërkurën e kaluar, pasi ndaj 52-vjeçarit ishte në fuqi një urdhër-arresti evropian për akuzën e përdhunimit. Autoritetet greke kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Greqisë, ku pritet të dalë përpara drejtësisë.

Ngjarja ka ndodhur më 30 maj 2022, kur viktima, e cila në atë kohë ishte 22 vjeçe dhe punonte në një hotel të zonës, kishte shkuar në një plazh të izoluar për të bërë një banjë para se të niste turnin e punës.

Sipas dëshmisë së saj, ndërsa qëndronte në plazh, autori iu afrua dhe nisi t’i fliste. Kur ajo i ktheu shpinën, ai dyshohet se e sulmoi nga pas, e goditi dhe e përdhunoi. “Mund të mos kisha dalë e gjallë”, kishte deklaruar ajo pas ngjarjes.

Iute credit ankohet se publikimi i skandaleve nga media mund t’i largojë klientët

By: A R
22 August 2026 at 17:36

Kompania e mikrokredive të shtrenjta, Iute, ankohet se publikimi i lajmeve në media është një rrezik, që kërcënon për biznesin e saj.

Shqetësimi është publikuar në prospektin e listimit të obligacionit 140 milionë euro, që kompania siguroi në qershorin e këtij viti.

Iute ankohet se publikimi i skandaleve nga media mund t'i largojë

“Në vitet e fundit, ka pasur një rritje të mbulimit negativ mediatik në lidhje me kreditë afatshkurtra dhe me pagesë të vetme të llojit që ofrojmë. Disa grupe të mbrojtjes së konsumatorëve, si dhe politikanë dhe zyrtarë qeveritarë në juridiksione të ndryshme ku ne operojmë, kanë mbështetur veprime qeveritare të hartuara për të vendosur kufizime të rrepta në aktivitetet e huadhënësve afatshkurtër të konsumatorëve, siç jemi ne,” thuhet në prospekt.

Iute ankohet se publikimi i skandaleve nga media mund t'i largojë

Sipas Iute, shqetësimet e mediave mund të detyrojnë rregullatorët të vendosin më shumë kufizime mbi kreditë e saj duke dëmtuar bizesin.

“Tarifat dhe/ose interesi i ngarkuar nga ne dhe të tjerët në industri tërheqin publicitet mediatik në lidhje me industrinë dhe mund të perceptohen si të diskutueshme. Karakterizimi negativ i këtyre llojeve të kredive dhe praktikave të huadhënies mund të çojë në ndryshime më kufizuese ose negative legjislative ose rregullatore, të cilat, nga ana tjetër, mund të kenë një efekt negativ material në biznesin tonë, gjendjen financiare, rezultatet e operacioneve, perspektivat ose flukset e parave të gatshme,” vijon prospekti.

Grupi me qendër në Estoni vëren se kreditë e saj shkojnë kryesisht për klientët e pashërbyer që kanë qasje të kufizuar ose aspak në shërbimet tradicionale bankare për shkak të kritereve të rrepta të huadhënies bankare. Ndaj sipas saj, në tregje të tilla, perceptimi negativ publik për sektorin e kreditimit të konsumatorit mund të lindë jo vetëm nga natyra e produkteve të ofruara, por edhe nga rastet e sjelljes së keqe, praktikave të padrejta ose shkeljeve rregullatore nga pjesëmarrës të tjerë të tregut.

“Zhvillimet negative që ndikojnë në sektor në tërësi, duke përfshirë skandalet, veprimet zbatuese ose falimentimet që përfshijnë huadhënës të palëve të treta, mund të rezultojnë në dëmtim të reputacionit, ulje të besimit të klientëve dhe rritje të kontrollit rregullator në të gjithë industrinë, pavarësisht nga praktikat tona të pajtueshmërisë, sjelljes ose biznesit,” thotë kompania.

Por forcimet rregullatore janë vetëm njëra prej pasojave që tremb kompaninë e kredive me interesa dyshifrorë. Pasoja tjetër lidhet me rënien e kërkesës.

“Përveç kësaj, aftësia jonë për të tërhequr dhe mbajtur klientët varet shumë nga suksesi i fushatave tona të marketingut dhe reputacioni publik, duke përfshirë perceptimet e shërbimit tonë ndaj klientit, integritetit, praktikave të biznesit dhe gjendjes financiare. Kufizimet në aftësinë tonë për të reklamuar produktet tona ose perceptimet negative ose publiciteti në lidhje me huadhënien afatshkurtër në përgjithësi – edhe nëse lidhen me incidente në dukje të izoluara ose me praktika jo specifike për kreditë afatshkurtra, siç është mbledhja e borxheve – mund të gërryejnë besimin tek ne dhe të dëmtojnë reputacionin tonë midis klientëve ekzistues dhe potencialë, gjë që mund ta bëjë të vështirë për ne të ruajmë ose zgjerojmë bazën tonë të klientëve ose mund të zvogëlojë kërkesën për produktet dhe shërbimet tona, të cilat të dyja mund të kenë një efekt negativ material në biznesin tonë, gjendjen financiare, rezultatet e operacioneve, perspektivat ose flukset e parave të gatshme,” përfundon kompania.

E FUNDIT – SITUATA ME ZJARRET NE VEND PAS 14:00, RAPORTON MBROJTJA

By: A R
22 August 2026 at 14:21

Ministria e Mbrojtjes – përditësim mbi situatën e zjarreve

(22 Gusht 2026 – ora 14:00)

Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 14:00, situata e zjarreve paraqitet në përmirësim, ndërsa vijon angazhimi i koordinuar i strukturave të Mbrojtjes Civile.

Gjatë ditës janë raportuar 11 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive dhe 7 janë nën mbikëqyrje. Në operacione janë angazhuar 332 forca operacionale dhe 15 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 150 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse, 1 ekskavator i rëndë, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive janë:

* Gojan–Gjegjan, Pukë – vijon operacioni i gjerë nga toka dhe ajri. Janë angazhuar 15 efektivë MZSH Pukë me 4 mjete, 12 efektivë Fushë-Arrëz me 2 mjete, 5 efektivë Kamëz me 1 mjet, 13 punonjës pyjorë, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë/banorë dhe 40 efektivë të FA-së, si dhe mjete të rënda dhe 2 helikopterë të FA-së. Ndërhyrja ka sjellë përmirësim të ndjeshëm të situatës në Gojan të Madh dhe Gojan të Vogël.

* Shtanë–Tenë, Mirditë – operacioni vijon me forca të MZSH-së, strukturave vendore, shërbimit pyjor dhe FA-së. Nuk ka rrezik për banesat.

* Mali i Dajtit – vijon ndërhyrja me 25 efektivë MZSH, 5 forca ADZM dhe 30 efektivë të FA-së, të mbështetur nga 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

* Shtuf, Mirditë – vatra mbetet aktive, por me intensitet të ulët dhe po monitorohet nga strukturat vendore.

Në Dukat, pas angazhimit të forcave tokësore dhe mbështetjes së FA-së, zjarri raportohet i fikur dhe po mbahet nën mbikëqyrje, ndërsa edhe vatrat e tjera të raportuara në Dibër, Lezhë, Elbasan dhe Vlorë janë në mbikëqyrje.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

E FUNDITQarkullonte me automjet i armatosur, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 40-vjeçari në Tiranë

By: A R
22 August 2026 at 14:12

Si rezultat i kontrolleve të befasishme të kryera nga shërbimet e Sektorit Operacional, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatit të Policisë Nr. 1, në zonën e Liqenit të Thatë, u ndalua për kontroll automjeti me të cilin qarkullonte shtetasi G. K., 40 vjeç.

Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë dhe një krehër me municion luftarak.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi G. K. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Kapet në flagrancë duke ndezur zjarr, vihet në pranga 62-vjeçari në Mirditë. Në pak ditë kishte ndezur 5 vatra të tjera

By: A R
22 August 2026 at 13:46

62-vjeçari u kap në kuadër të operacionit policor të koduar “Piromani 2”, pas një pune gjurmuese 48-orëshe, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe ndjekjes në terren me pajisje dron, pasi dyshohej se merrej me zjarrvënie të qëllimshme.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë finalizuan me sukses fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Piromani”, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. D., 62 vjeç, banues në fshatin Rraja e Valës, Njësia Administrative Rrëshen, Bashkia Mirditë.

Arrestimi i tij u krye për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Në momentin e kapjes, 62-vjeçari sapo kishte ndezur një vatër zjarri në fshatin Rraja e Valës. Nga veprimet hetimore dhe ndjekja në terren është dokumentuar se, gjatë ditëve të mëparshme, ky shtetas kishte ndezur edhe 5 vatra të tjera zjarri.

Si pasojë e zjarreve, është përfshirë nga flakët një sipërfaqe prej rreth 15 hektarësh, ndërsa vijon puna në terren për shuarjen e plotë të zjarrit dhe vënien nën kontroll të tij.

Shërbimet zjarrfikëse, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.

Nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi A. D. ka precedent të mëparshëm për zjarrvënie të qëllimshme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të aktivitetit të këtij shtetasi dhe verifikimin e përfshirjes së tij edhe në zjarrvënie të tjera të ndodhura më herët në territorin e Bashkisë Mirditë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Tregtia globale/ Analiza: Po mbarojnë rrugët alternative të sigurta detare!

By: A R
22 August 2026 at 13:40

Transporti detar global po përballet me një rrjet krizash të njëkohshme, që shtrihet nga Gjiri Persik në Detin e Zi dhe nga Deti i Kuq deri në Kanalin e Panamasë.

Për herë të parë, shqetësimi kryesor nuk lidhet vetëm me mundësinë e mbylljes së një rruge të rëndësishme detare, por me një pyetje shumë më të madhe: sa alternativa do të mbeten nëse disa prej korridoreve kryesore të transportit ndërkombëtar goditen njëkohësisht?

Një nga pikat më kritike mbetet Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës në kushte normale transportohet një pjesë e konsiderueshme e energjisë globale.
Rreth 18-20 milionë fuçi naftë në ditë, së bashku me sasi të mëdha të gazit natyror të lëngshëm (LNG), kalojnë zakonisht përmes kësaj ngushtice strategjike.

Por situata aktuale është shumë larg normalitetit.

Para krizës, trafiku në Hormuz arrinte në rreth 130-140 anije në ditë, ndërsa përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme ka sjellë një reduktim dramatik të lëvizjeve detare.

Çdo kufizim i mëtejshëm në këtë korridor do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për tregjet globale të energjisë, kostot e transportit dhe zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.

Në të njëjtën kohë, transporti përmes Detit të Kuq vazhdon të përballet me kërcënimin e sulmeve të rebelëve Huthi.
Rreziku i sulmeve ka detyruar shumë kompani detare të shmangin korridorin dhe të përdorin rrugë shumë më të gjata rreth Afrikës.

Kjo rrit ndjeshëm kohën e udhëtimit, konsumin e karburantit dhe kostot e transportit, duke ushtruar presion shtesë mbi çmimet e mallrave në tregjet ndërkombëtare.

Ndërkohë, pirateria somaleze po rikthehet si shqetësim në Gjirin e Adenit, duke shtuar një tjetër element rreziku për anijet tregtare.

Edhe Deti i Zi nuk është më një korridor i sigurt. Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës po prek drejtpërdrejt anijet, portet dhe infrastrukturën e eksportit, duke rritur rreziqet për transportuesit dhe duke ndikuar në qarkullimin e mallrave bujqësore dhe energjetike.

Goditjet ndaj infrastrukturës portuale dhe objekteve të lidhura me eksportet mund të shkaktojnë ndërprerje të mëtejshme në një rajon që luan rol të rëndësishëm në furnizimin e tregjeve globale.

Mijëra kilometra larg, Kanali i Panamasë përballet me një tjetër problem: mungesën e ujit.

Thatësira e viteve të fundit ka detyruar autoritetet të vendosin kufizime mbi numrin dhe madhësinë e anijeve që mund të kalojnë përmes kanalit.

Çdo kufizim i ri do të ishte një tjetër goditje për transportin global, pasi kanali lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë rrugët tregtare mes oqeaneve Atlantik dhe Paqësor.

Ajo që e bën situatën aktuale veçanërisht shqetësuese është se krizat nuk po zhvillohen më të izoluara.

Nëse një rrugë kryesore bllokohet, kompanitë detare zhvendosin trafikun drejt një korridori alternativ. Por kur edhe rrugët alternative përballen me luftë, sulme, pirateri apo kufizime infrastrukturore, mundësitë për devijim zvogëlohen ndjeshëm.

Kjo krijon një efekt zinxhir: rrugë më të gjata, konsum më të madh karburanti, kosto më të larta sigurimi, vonesa në porte dhe çmime më të larta për transportin e mallrave.

Në këtë panoramë, transporti detar global po përballet jo me një krizë të vetme, por me një sistem krizash të ndërlidhura, ku dobësimi i një korridori mund të rrisë menjëherë presionin mbi të tjerët.
Pyetja kryesore për tregtinë globale nuk është më vetëm se cila rrugë mund të mbyllet, por nëse do të ketë ende mjaftueshëm rrugë alternative për të mbajtur në lëvizje zinxhirët globalë të furnizimit.

❌