Normal view

Operacion antidrogë në Korçë / Arrestohet një person, sekuestrohen doza kokaine, para dhe municione

By: A R
21 August 2026 at 21:13

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë po zhvillon një operacion të gjerë antidrogë në rajonin juglindor të vendit, me fokus goditjen e personave të përfshirë në shpërndarjen dhe shitjen e lëndëve narkotike.

Deri më tani, gjatë veprimeve operative të policisë, është bërë i mundur arrestimi i një personi. Gjatë kontrolleve të ushtruara në automjetin e tij si dhe në banesë, efektivët gjetën dhe sekuestruan disa doza me lëndë narkotike të llojit kokainë, një shumë parash, armë të ftohta si dhe fishekë.

Aksioni policor është ende në zhvillim e sipër. Policia po vijon kontrollet në disa banesa të tjera për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Situatë kritike në Gojan të Pukës, zjarri del jashtë kontrollit! Raportohet për 4 banesa të djegura

By: A R
21 August 2026 at 18:09

Zjarri në fshatin Gojan të Pukës ka dalë jashtë kontrollit, duke rrezikuar jetën e banorëve. Flakët kanë djegur 4 banesa në lagjen Pepaj, ndërkohë që rrezikohen të tjera.

Për t’i shpëtuar rrezikut të flakëve, autoritetet kanë nisur evakuimin urgjent të banorëve të zonës, të cilët janë strehuar përkohësisht pranë shkollës së Gojanit të Madh. Të ndodhur përballë një situate dramatike, banorët po kërkojnë me urgjencë ndërhyrje nga ajri për vënien e vatrës nën kontroll.

Ekipet e zjarrfikësve dhe efektivët e Forcave të Armatosura po përballen me një terren tejet të vështirë.

Gjykata e Lartë hap garën për zgjedhjen e kreut të ri, ja afati për kandidaturat

By: A R
21 August 2026 at 17:23

Gjykata e Lartë ka nisur zyrtarisht procedurën për zgjedhjen e kryetarit të ri, pasi mandati tre vjeçar i Sokol Sadushit përfundon më 17 tetor.

Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë që plotësojnë kriteret ligjore dhe dëshirojnë të kandidojnë për këtë funksion kanë afat deri më 11 shtator 2026 për të paraqitur shprehjen e interesit, së bashku me dokumentacionin e kërkuar.

Zgjedhja e kryetarit të ri pritet të përfundojë përpara përfundimit të mandatit aktual të Sadushit. Synimi është që drejtuesi i ri i Gjykatës së Lartë të nisë detyrën më 18 tetor 2026, duke garantuar vijimësinë e drejtimit të institucionit.

Sadushi do të vijojë të ushtrojë detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë deri në vitin 2029 pasi është emëruar si gjyqtar në 2020 dhe mandati i anëtarit të Gjykatës së Lartë zgjat 9 vjet.

12

Situatë kritike në Malin e Polisit në Librazhd, zjarri përfshin disa hektarë pyje. Forcat zjarrfikëse në terren

By: A R
21 August 2026 at 17:55

Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë masivin pyjor të Malit të Polisit, në Njësinë Administrative Polis, në bashkinë e Librazhdit. Sipas banorëve të zonës, situata paraqitet alarmante, pasi flakët kanë përfshirë disa hektarë sipërfaqe pyjore. Temperaturat e larta, thatësira po favorizojnë përhapjen e shpejtë të zjarrit.

Masivi pyjor i prekur është shfrytëzuar vitet e fundit me leje nga kompani private, ndërsa mbetjet e thata të krijuara pas ndërhyrjeve në pyll po vështirësojnë përpjekjet për neutralizimin e flakëve. Në terren ndodhen forcat zjarrfikëse dhe shërbimi pyjor, të cilët po punojnë për izolimin e vatrave dhe frenimin e përhapjes së zjarrit.

 

 

Ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit të thepisur dhe malor, ku lëvizja e mjeteve zjarrfikëse është e kufizuar dhe aksesi në disa prej vatrave paraqet vështirësi. Ndërkohë, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht.

Situata vijon të monitorohet, ndërsa prioritet mbetet izolimi i vatrave dhe parandalimi i përhapjes së flakëve në pjesë të tjera të masivit pyjor. Autoritetet pritet të përcaktojnë edhe sipërfaqen e saktë të përshkuar nga zjarri.

Zhupa: Ministria propagandon suksesin, ndërsa në spitale mungojnë edhe kushtet elementare

By: A R
21 August 2026 at 14:17

 

Deputetja e PD, Ina Zhupa, ka denoncuar mënyrën se si autoritetet kanë menaxhuar rastin e turistes australiane të kafshuar nga gjarpri në Valbonë, duke e cilësuar si një tjetër dëshmi të problemeve të sistemit shëndetësor. Zhupa thotë se 112 nuk i është përgjigjur siç duhet thirrjes për ndihmë, ndërsa në spital kanë munguar edhe elementë bazë si akulli dhe fashat. Sipas saj, në vend që rasti të shërbente për një hetim dhe për përmirësimin e shërbimeve, ministria e ka paraqitur si sukses, duke e kthyer në propagandë. Deputetja thekson se këto problematika nuk prekin vetëm turistët, por mijëra qytetarë që përballen çdo ditë me një sistem shëndetësor që nuk u përgjigjet nevojave të tyre.

Reagimi i Ina Zhupës:

Kur propaganda bie përballë një jete në rrezik, ajo që mbetet është e vërteta e hidhur e një shëndetësie të dështuar.

Një turiste e kafshuar nga gjarpri në Valbonë telefonoi 112 për të kërkuar ndihmë. Telefonata iu mbyll. Ndihma nuk erdhi nga shteti, por nga njerëzit dhe autoritetet e aktivizuara nga familja e saj mijëra kilometra larg.

Dhe kur më në fund mbërriti në spital, u përball me mungesa që nuk duhet të ekzistojnë në asnjë spital: kushtet më elementare, si akulli dhe fashat.

Më e dhimbshmja është se, në vend të një hetimi dhe një ndjese, kjo histori u kthye në propagandë nga ministria si një sukses.

Ky është problemi i madh i një sistemi që kujdeset të “shes sapunin për djath” sesa të përmirësohet realisht dhe t’ju përgjigjet nevojave të qytetarëve. Çdo ditë mijëra qytetarë përballen me këto situata në një sistem që nuk i përgjgjet nevojave, thjesht marrin vëmendje ndërkombëtare kur gjenden turistët.

 

Barça tremb Inter, në Spanjë zbulojnë prapaskenat, Deco ka bindur “demin” argjentinas

By: A R
21 August 2026 at 13:53

Nëse në Itali e mohojnë, në Spanjë janë të sigurt: Lautaro Martinez ka një akord me Barcelonën. Javën e shkuar drejtori sportiv i Barçës, Deco, është takuar me agjentin e sulmuesit të Inter duke gjetur një akord total mes tyre. Ky ndryshim kursi vjen menjëherë pasi dëshira e tyre kryesore, Julian Alverz është zbehur thuajse përfundimisht.

Gjithnjë sipas mediave spanjolle, pasi kanë marrë pëlqimin nga agjenti i Lautatos, drejtuesit e Barcelonës janë gati t’i ofrojnë Inter 100 milionë euro për të lënë të lirë sulmuesin argjentinas.

Pavarësisht se oferta është e jashtëzakonshme, për Inter është pak e vështirë të lë të lirë kapitenin e tyre dhe të gjejnë një sulmues tjetër deri në fund të merkatos së verës.

Kriza e marrëdhënies me Trump/ Meloni për NYT: Besoja se gjërat do të ishin më të lehta, por kanë shkuar ndryshe

By: A R
21 August 2026 at 13:51

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka pranuar se marrëdhënia e saj me presidentin amerikan Donald Trump nuk ka shkuar ashtu siç kishte shpresuar, pavarësisht përputhjeve mes tyre në çështje si emigracioni dhe kundërshtimi i kulturës “woke”.

Në një intervistë për “The New York Times”, Meloni tha se kishte besuar se bashkëpunimi me Trump do të ishte më i lehtë, por situata ka marrë një tjetër drejtim.

Sipas kryeministres italiane, ajo dhe Trump nuk kanë folur prej disa javësh. E pyetur nëse do të kontaktojnë pas pushimeve verore, Meloni u përgjigj me rezervë: “Epo, do të shohim”.

Megjithatë, ajo theksoi se marrëdhëniet personale nuk përcaktojnë politikën e Italisë.

“Vazhdoj të besoj se uniteti i Perëndimit është shumë i rëndësishëm. Nuk e përcaktoj strategjinë italiane në bazë të marrëdhënieve të mia personale”, tha Meloni.

Propozimi i PS për shkrirjen e bashkive/ Këshilli Bashkiak i Memaliajt vendos zhvillimin e dëgjesave publike në njësitë administrative

By: A R
21 August 2026 at 13:47

Me propozim të këshilltarëve të opozitës dhe përfaqësuesve të partive të vogla, Këshilli Bashkiak i Memaliajt zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme, ku u vendos organizimi i dëgjesave publike me komunitetin në të gjitha njësitë administrative të bashkisë.

Në mbledhje morën pjesë 12 nga 15 anëtarët e këshillit, ndërsa vendimi u miratua me votë unanime. Dëgjesat do të zhvillohen në datat 8, 9 dhe 10 shtator, me dy takime në ditë, duke përfshirë të gjitha njësitë administrative.

Për drejtimin dhe organizimin e këtyre takimeve u ngrit një komision i përbërë nga këshilltarë bashkiakë. Kryetare e komisionit u zgjodh Afize Sula, nënkryetar Flamur Muçomati, sekretar Xhevit Kaçorri, ndërsa anëtarë Bujar Mamaj dhe Petrit Lumani.

Dëgjesat publike synojnë të sjellin më pranë institucionit vendor shqetësimet dhe problematikat e banorëve në njësitë administrative të Bashkisë Memaliaj.

 

Amnesty International: Marrëveshja katastrofike Itali-Shqipëri për ndalimin e migrantëve duhet të shërbejë si “alarm” për BE-në

By: A R
21 August 2026 at 13:11

Mbajtja e migrantëve dhe azilkërkuesve në qendra ndalimi jashtë territorit, sipas Marrëveshjes Itali-Shqipëri, po vë në rrezik sigurinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut, deklaroi Amnesty International në një raport të publikuar ndërsa zhvillimet në Ceuta vazhdojnë të nxjerrin në pah rreziqet e politikave të kahershme të Bashkimit Evropian (BE) për migracionin, të përqendruara te përjashtimi dhe izolimi.

Raporti “Italia: Ndalimi jashtëterritorial i migrantëve dhe detyrimet për të drejtat e njeriut” analizon marrëveshjen e vitit 2023 për ngritjen e dy strukturave të migracionit në Shqipëri, të administruara nga autoritetet italiane. Marrëveshja ka çuar në transferimin me forcë të qindra personave, të cilët përballen me ndalimin, ndërsa shumë prej tyre nuk kanë mundësi reale për të marrë ndihmë ligjore. Kushtet në këto qendra dhe pasojat e rënda njerëzore të politikave italiane të zhvendosjes së migrantëve jashtë territorit kanë shtyrë disa persona drejt vetëlëndimit apo tentativave për vetëvrasje.

“Qëllimi përfundimtar i ndalimit jashtë territorit është frenimi i migracionit dhe përpjekja për të zhvendosur apo shmangur si përgjegjësinë për t’iu përgjigjur njerëzve që migrojnë, ashtu edhe detyrimin për t’u ofruar azil atyre që kanë nevojë. Marrëveshja e Italisë me Shqipërinë tregon edhe një herë kostot e pashmangshme që kjo qasje ka për të drejtat e njeriut”, tha Eve Geddie, Drejtore e Zyrës së Amnesty International për Institucionet Evropiane.

“Pak përpara hyrjes në fuqi të marrëveshjes, Amnesty International ngriti alarmin për ndikimin e dëmshëm që ajo do të kishte në mënyrë të pashmangshme mbi të drejtat e njerëzve në rrezik në det dhe të personave të transferuar në Shqipëri. Është e qartë se këto shqetësime tashmë janë bërë realitet.”

Amnesty International beson se gjetjet e saj duhet të shërbejnë si paralajmërim për BE-në lidhur me ndikimin katastrofik të politikave të migracionit që synojnë të mbështeten gjithnjë e më shumë te vendet jashtë kufijve të saj për menaxhimin e migracionit, në vend që të zgjerojnë rrugët e sigurta dhe të rregullta të migrimit.

Mizori e panevojshme
Nga tetori 2024 deri në janar 2025, Italia zhvilloi tre operacione detare dhe transferoi me forcë 74 persona drejtpërdrejt nga ujërat ndërkombëtare drejt Shqipërisë, në kuadër të Marrëveshjes. Pas një sërë vendimesh të gjykatave italiane që rrëzuan urdhrat e ndalimit për këta persona, Italia ndaloi transferimet drejt Shqipërisë nga deti i hapur.

Megjithatë, në mars 2025, qeveria italiane ndryshoi zbatimin e Marrëveshjes për të lejuar mbajtjen në Shqipëri të burrave ndaj të cilëve ishin lëshuar urdhra dëbimi në Itali. Si rezultat, qindra burra – sipas raportimeve mbi 500 – kryesisht persona të racializuar, janë transferuar me forcë në qendrën e ndalimit në Gjadër gjatë 15 muajve të fundit.

Nga 11 prilli deri më 16 maj 2025, në qendrën e Gjadrit u regjistruan 42 incidente kritike, përfshirë të paktën dy tentativa për varje, një protestë gjatë së cilës tre persona u plagosën nga xhamat e thyer, si dhe raste të ndryshme vetëlëndimi.

Qeveria italiane ka penguar monitorimin e pavarur të zbatimit të Marrëveshjes, përfshirë kufizimin e mbikëqyrjes parlamentare dhe anashkalimin e procedurave të zakonshme legjislative. Për shkak të kufizimit të aksesit dhe mbikëqyrjes nga vëzhgues të pavarur të të drejtave të njeriut, ajo që ndodh në qendrat e ndalimit në Shqipëri mbetet kryesisht e mbuluar nga fshehtësia.

Megjithëse personat e ndaluar në Shqipëri janë nën juridiksionin italian, distanca fizike nga Italia, e kombinuar me aksesin e kufizuar te avokatët, gjykatat dhe mekanizmat e tjerë mbrojtës, cenon ndjeshëm ushtrimin efektiv të së drejtës për të kërkuar azil dhe për të pasur akses në drejtësi.

Një avokat i intervistuar nga Amnesty International tha se nuk kishte mundur ta takonte klientin e tij përpara seancës dhe se nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme për të përgatitur siç duhet mbrojtjen. Sipas tij, procesverbalet e intervistave të azilit, ku personat u përgjigjeshin pyetjeve vetëm me fjalë të shkurtra apo njëfjalëshe, ishin shenjë se ata mund të ishin frikësuar ose intimiduar.

“Personat e ndaluar në Shqipëri janë, kuptueshëm, të traumatizuar. Ata mund të kenë kaluar shkretëtirën, të jenë ndaluar dhe keqtrajtuar në Libi, t’i kenë mbijetuar kalimit të detit me mjete lundruese të pasigurta dhe më pas, pasi janë kapur nga autoritetet italiane, të kenë kaluar ditë të tëra duke udhëtuar drejt Shqipërisë. Të tjerë, të transferuar nga qendrat e ndalimit në Itali, shkëputen nga jeta e tyre, duke lënë pas komunitetet dhe rrjetet mbështetëse, dhe pritet që papritur të përballen me një mjedis të ri, kontrolle dhe dokumentacion – të gjitha këto në kushte izolimi. Ajo që detyrohen të përjetojnë është një mizori e patolerueshme dhe e panevojshme”, tha Eve Geddie.

Cenimi i shtetit të së drejtës

Gjykatat italiane dhe Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian kanë konstatuar se rregullat dhe praktikat italiane lidhur me kërkesat për azil të paraqitura nga persona që vijnë nga vende të përcaktuara nga Italia si “të sigurta” – përcaktim që përdoret si bazë për shqyrtimin e përshpejtuar të kërkesave – nuk janë në përputhje me legjislacionin përkatës të BE-së dhe nuk ofrojnë garanci të mjaftueshme për aplikantët.

Pavarësisht vendimeve të përsëritura të gjykatave italiane që kanë urdhëruar lirimin e personave të ndaluar në Shqipëri, qeveria italiane ka vazhduar zbatimin e marrëveshjes. Ajo është përpjekur të kufizojë kontrollin gjyqësor mbi përcaktimin e “vendeve të sigurta”, duke përdorur legjislacion të parashikuar për situata urgjente, pa dhënë arsye të mjaftueshme, duke cenuar kështu shtetin e së drejtës.

Edhe personat me urdhra dëbimi në Itali, të cilët ndodheshin tashmë në qendra ndalimi atje, u janë nënshtruar transferimeve të paligjshme jashtë territorit, jashtë dispozitave të parashikuara nga legjislacioni kombëtar dhe evropian.

“Është më se e qartë se modeli Itali-Shqipëri është i pamundur të zbatohet në përputhje me detyrimet e Italisë për të drejtat e njeriut. Ky realitet duhet të jetë një alarm për BE-në që çdo plan të ardhshëm për zgjerimin e përdorimit të ndalimit jashtë territorit dhe mjeteve të tjera të eksternalizimit të migracionit ta pezullojë”, tha Eve Geddie.

“Autoritetet italiane duhet t’i japin menjëherë fund marrëveshjes me Shqipërinë, të zbatojnë alternativa ndaj ndalimit të migrantëve – i cili sipas së drejtës ndërkombëtare duhet të mbetet masa e fundit – dhe t’u garantojnë të gjithë personave që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare akses në procedura azili efektive dhe jodiskriminuese, si dhe kushte dinjitoze pritjeje në territorin italian. Të gjithë refugjatët dhe migrantët duhet të kenë akses në garanci ligjore efektive dhe të përfitojnë nga monitorimi i pavarur.”

Sfondi

Marrëveshja Itali-Shqipëri hyri në fuqi më 23 shkurt 2024 dhe parashikohet të qëndrojë në fuqi për pesë vjet, pas së cilës do të rinovohet automatikisht. Sipas raportimeve, qeveria italiane ka parashikuar mbi 670 milionë euro për funksionimin e saj deri në vitin 2028.

Pasi Ministria e Brendshme italiane refuzoi në mënyrë të përsëritur kërkesat e Amnesty International për akses në qendrat e ndalimit në Shqipëri, duke përmendur arsye të sigurisë dhe rendit publik, hulumtimi është bazuar në korrespondencën me Ministrinë e Brendshme, shqyrtimin e dokumenteve gjyqësore, informacionet e shkëmbyera brenda rrjetit të shoqërisë civile Tavolo Asilo e Immigrazione, raportet e parlamentarëve dhe Avokatëve të Popullit, si dhe intervistat me agjencitë e OKB-së dhe me dy avokatë të personave të ndaluar në Gjadër./Amnesty.org

Bilanc lufte nga aksidentet, në Durrës 5 viktima dhe 3 të plagosur në 4 ditë

By: A R
21 August 2026 at 13:05

Në harkun kohor të katër ditëve, aksidentet në Durrës, kanë shënuar shifra të frikshme të personave që kanë humbur jetën me 5 viktima dhe 3 të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë. Viktima e fundit u shënua mëngjesin e së premtes në zonën e Rrashbullit.

Nuk kanë të ndalur aksidentet me pasoja fatale në Durrës gjatë kësaj jave. Viktima e radhës është shënuar në orët e para të mëngjesit në zonën e Rrashbullit, ku një automjet ka përplasur për vdekje një 32-vjeçar që po lëvizte me biçikletë për të shkuar në punë.

Pas përplasjes drejtuesi i mjetit ka ikur nga vendngjarja, ndërsa i ndjeri i identifikuar si Vasil Hasani 32-vjeç, baba i dy fëmijëve është lënë pa ndihmën e para derisa sa është gjetur pa jetë nga kalimtarë të rastit rreth dy orë pas aksidentit.

Policia ka njoftuar se ka identifikuar mjetin nga kamerat e sigurisë si dhe po punon përkapjen e drejtuesit. Po në orët e para të mëngjesit një tjetër automjet ka dalë nga rruga në vendin e njohur si kodra e Vilës së Zogut duke u rrokullisur disa herë.

Drejtuesi i mjetit u dërgua në spital ku paraqitet në gjendje të rëndë shëndetësore. Në këto katër ditë pasojat nga aksidentet në Durrës i ngjajnë një zone lufte.

Në fakt situata pranohet edhe nga shefi i qarkullimit rrugor në Drejtorinë e Policisë së Durrësit i cili shprehet se qëllimi i strukturës që drejton është parandalimi edhe pse e vetme kjo forcë nuk mund t’ia dalë përballë fluksit dhe morisë së mjeteve në këtë periudhë.

Ndërkohë mbetet për tu parë nëse ashpërsimi i dënimeve për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor që kanë hyrë në fuqi këto ditë do të japin efekt në parandalimin e aksidenteve të rënda rrugore.

Fitime minimale, mbyllje aktiviteti dhe…! Si u “shkatërrua” rrjeti i kompanive të pastrimit të parave Veliaj-Xoxa

By: A R
21 August 2026 at 13:04

Erald Simixhiu, një familjar i afërt i Ajola Xoxes, vendosi në mesin e këtij gushti që të mbyllë kompaninë e tij, “Arts Lab”, pasi u përfshi në listën e të të pandehurve mes një grupi personash, ndër të cilët kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe disa biznesmenë.

Studioja artistike e Simixhiut akuzohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) se ka shërbyer si mbulesë për aktivitete të organizuara fiktivisht nga Xoxa, me qëllim pastrim e parave që kishin si origjinë bashkinë e Tiranës, e drejtuar nga bashkëshorti i saj.

“Arts Lab” nuk është e para që pësoi “tronditje” pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, në shkurt 2025.

Më herët, pezulloi aktivitetin “Nan Gallery”, një tjetër subjekt i kontrolluar nga Ajola Xoxa dhe që akuzohet se ka kryer ankande fiktive të veprave të artit, me blerës biznesmenë që aplikonin dhe fitonin leje ndërtimi në Bashkinë e kryeqytetit.

Ndërsa “goditja” më e madhe që duket se ka marrë Ajola Xoxe është ulja në minimun e normës së fitimit të zyrës së saj ligjore, “Partners Law”.

Në vitin 2025, ajo deklaroi një fitim afro 4 mijë euro, me një ulje drastike me rreth 92 përqind, krahasuar me të ardhurat në shumën 4.8 milionë lekë të reja të deklaruar një vit më herët.

Në foto: Kryebashkiaku (i arrestuar) i Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortja, Ajola Xoxe

Në periudhën e fundit të vitit 2025, Xoxe u përball me vështirësi shëndetësore, falë një shtatëzanie që u finalizua në fund të qershorit 2026, me lindjen e djalit të dytë të çiftit, një situatë që mund të ketë ndikuar disi edhe në aktivitetin e saj financiar.

Megjithatë, situata e vështirë financiare duket se ka përfshirë të gjithë vitin 2025, edhe atë periudhë kur Xoxes nuk i kishin shfaqur ende problemet shëndetësore. Një vit që nisi shumë keq për familjen e kryebashkiakut, me arrestimin e tij në fillim të Shkurtit.

“Dorëzohet” Simixhiu

Në 10 Gusht 2026, në adresën e Qendrës Kombëtare të Biznesit mbërrin aplikimi me tekstin: “Unë, Erald Simixhiu”, shtetas austriak, lindur në Tiranë, në vitin 1971, vendos të prishë shoqërinë “Arts Lab” dhe fillimin e procedurës së likujdimit…”.

I gjendur në Tiranë këto ditë të nxehta vere, Simixhiu, daja i Ajola Xoxes, vendos të mbyllë studion e tij, të krijuar në vitin 2021, me objekt veprimtari të ndryshme në fushën e botimit, artit dhe kulturës, etj.

Në foto: Vendimi për mbylljen e shoqërisë “Arts Lab”

Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme thuhet se “Arts Lab” ka përfituar fonde nga një grup kompanish, të lidhura të gjitha në mënyrë direkte apo indirekte nga Ajola Xoxa.

Nga analizimi i të dhënave për këtë kompani rezulton se ka gjeneruar të ardhura nga subjektet ‘Rametal’, 50.000 euro; ‘BYL-A’, 43.000 euro; ‘Jedas’, 30.000 euro; ‘Harabel’, 29.000 euro; ‘Eventus’, 26.000 euro; ‘Muza’, 11.000 euro, Driant Zeneli 5.000 euro dhe Shoqata Bash-Art, përfituese e fondeve nga Bashkia Tiranë, 8.000 euro”.

Në total, “Arts Lab” e Erald Simixhiu ka arkëtuar 240.000 euro, dhe të gjitha rezultojnë që janë si transaksione mes OJF-ve të Ajola Xoxës si dhe ndonjë OJF-je tjetër që gjithashtu ka marrë fonde nga Bashkia e Tiranës me firmën e Erjon Veliajt.

Prokurorët e SPAK-ut dyshojnë se të gjitha veprimtaritë financiare, të dyshuara fiktive, të “Arts Lab” janë menaxhuar nga Ajola Xoxe.

“Nan Gallery” mbyll qepenin

Në një vilë në zonën elitare të ish-Bllokut në Tiranë, të përfituar pa qira, kuratorja Ajola Xoxe drejtoi për disa vite “Nan Gallery”, një qendër artistike, në të cilën zhvilloheshin herë pas here ankande për shitje pikturash.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme zbuluan se “blerësit” ishin biznesmenë ndërtimi, të cilët nuk duket se kishin asnjë lidhje me artin. Sipas prokurorëve, “blerja” e pikturave në galerinë e Ajolës, në shifra dhjetra mijëra euro, ishin një formë “shpërblimi” për lejet e ndërtimit që ata merrnin tek bashkëshorti i saj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Nan Gallery” u krijua në vitin 2023, në pronësi të qendrës “Harabel”, kjo e fundit e menaxhuar nga Ajola Xoxa.

Arrestimi i Veliajt duket se i prishi ecurinë e ankandeve. Në Prill të vitit 2025, vetëm dy muaj pasi kryebashkiaku i Tiranës u detyrua me vendim të Gjykatës së Posaçme që të bëhet rezident i paraburgimit të Durrësit, “Nan Gallery” pushon së ekzistuari.

Në foto: Vendimi për pezullimin e aktivitetit të “Nan Gallery”

Sot, në datë 11 Prill 2025, ortaku i vetëm, “Qendra Harabel”, vendosi të pezullojë përkohësisht aktivitetin e “Nan Gallery”, thuhet në dokumentin e dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në atë kohë.

Në një verifikim të kryer së fundmi nga “Boldnews.al”, rezulton se “Nan Gallery” vijon të jetë ende nën statusin “e pezulluar”.

Studioja ligjore e Ajolës, në greminë

Për Ajola Xoxe, viti 2025 mund të konsiderohet pa asnjë ngjyrim të tepruar si “greminë financiare” dhe jo vetëm. Pa kaluar ende dy muaj nga nisja e vitit, bashkëshorti i saj, Erion Veliaj, një nga njerëzit më të fuqishëm politikisht në Shqipëri, provoi shijen e hidhur të prangave.

Prokuroria e Posaçme e akuzon Veliajn për 13 akuza. Plot 9 prej të cilave janë për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë”, të tjerat janë për “pastrim parash”, “fshehje të pasurisë”.

Ndërsa një akuzë tjetër, tërësisht minore krahasuar me të tjerat, është “futja e pajisjeve të ndaluara në mjediset e burgut”, referuar përdorimit të telefonit të një punonjësit të burgjeve për të folur me familjarët e tij.

Në thuajse të gjithë rastet e korrupsionit, Prokuroria e akuzon se i ka kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxe, për të cilën u caktua fillimisht masa e sigurimit “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Ajola Xoxe ka si profesion të parë juristen-avokaten. Ajo zotëron studion ligjore “Partner’s Law” prej vitit 2018. Prokuroria thotë se ka provuar që zyra ligjore ka qenë qendra e koordinimit të veprimtarisë së dyshuar kriminale të Ajolës.

Në foto: Bilanci Tregtar i “Partner’s Law” për vitin 2024

Referuar bilanceve të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se, të paktën në periudhën 2022-2024, të ardhurat e deklaruara nga studioja ligjore “Partner’s Law” varionin nga 50 mijë deri në 80 mijë euro.

Por, në vitin 2025, kjo shumë u reduktua në vlera tërësisht minimale. Për vitin 2025, ‘Partner’s Law” e Ajola Xoxes deklaron një fitim në shumën e 350 mijë lekë të reja ose afërsisht 4 mijë euro.

Në foto: Bilanci Tregtar i “Partner’s Law” për vitin 2025

Një e dhënë domethënëse që dëshmon se, pas arrestimit të bashkëshortit të saj, Ajola pësoi një rrënim financiar.

Ajola merr “kontrollin” e mamasë

“Ava Studio” është një tjetër subjekt tregtar, i përfshirë në hetimet e Prokurorisë së Posaçme ndaj Erion Veliajt.

Me aktivitet në fushën e artit dhe kulturës, kompania është themeluar në vitin 2021 nga Valbona Xoxe, por që sipas SPAK-ut përdorej nga vajza e saj, Ajola, si trampolinë për kalimin e fondeve nga bashkia e Tiranës në llogaritë e familjes së kryebashkiakut.

Në Korrik të vitit 2025, rreth 6 muaj pasi dhëndri i saj, Veliaj, u arrestua, pronarja në letra, Valbona Xoxe, pezulloi aktivitetin e “Ava Studio”.

Në foto: Vendimi për pezullimin (e përkohshëm) të aktivitetit të “Ava Studio”

Megjithatë, ajo u rikthye sërish aktive në nëntor të vitit të kaluar. Veç se, kësaj radhe, Ajola u shfaq zyrtarisht pranë kësaj kompanie.

Me ri-aktivizimin e subjektit, “Ava Studio” ndryshon kontaktin e saj. Tashmë, për çdo komunikim me Valbonën, duhet të kalohet fillimisht nga adresa elektronike info@thepartners.al, e cila është e njëjtë me atë të studios ligjore të Ajola Xoxes, “Partner’s Law”./boldnews

Alarm në Berlin! Zbulohet depo armësh në një pyll, dyshohet se ka lidhje me shërbimet sekrete ruse

By: A R
21 August 2026 at 12:32

Një depo sekrete armësh është zbuluar në një pyll në Brandenburg, pranë Berlinit, duke ngritur dyshime të forta për përfshirje të shërbimeve të inteligjencës ruse.

Sipas mediave gjermane, Shërbimi Federal për Mbrojtjen e Kushtetutës dyshon se depoja mund të jetë krijuar në emër të shërbimeve ruse të inteligjencës.

Çështja po hetohet nga Zyra e Prokurorit Federal, nën dyshimet se armët mund të ishin pjesë e përgatitjeve për një akt të rëndë dhune që rrezikon sigurinë e shtetit.

Autoritetet gjermane dyshojnë se armët ishin fshehur për t’u përdorur nga agjentë të gatshëm për të kryer të ashtuquajturat “operacione mobile”, përfshirë edhe vrasje, në emër të Rusisë.

Sipas raportimeve, një person i dyshuar, i arrestuar së fundmi në Rumani, mund të ketë qenë përgjegjës për krijimin e depos së fshehtë.

Depoja u zbulua pas një informacioni të marrë nga autoritetet, të cilat nisën menjëherë hetimet dhe vendosën zonën nën vëzhgim.

Megjithatë, sipas mediave gjermane, personat që kishin ngritur depon duket se kanë kuptuar se po monitoroheshin nga autoritetet.

Rrethanat e sakta të krijimit të depos dhe personat që qëndrojnë pas saj janë ende nën hetim. Prokuroria po përpiqet të përcaktojë nëse bëhet fjalë për një operacion të organizuar nga shërbimet ruse të inteligjencës dhe nëse armët ishin destinuar për sulme në territorin gjerman.

Zbulimi vjen në një periudhë kur autoritetet gjermane kanë paralajmëruar vazhdimisht për rritjen e aktiviteteve të dyshuara të spiunazhit dhe sabotazhit të lidhura me Rusinë në Gjermani.

Kryeministri Rama reagon për incidentin e mosvënies së Himnit Shqiptar në një aktivitet në Pustec

By: A R
21 August 2026 at 12:32

Reagimi i Kryeministrit Edi Rama në platformën X:

 

Ajo që ndodhi në Pustec është një parodi domethënëse për botëkuptimet tona të ndryshme në këtë lagje të Europës. Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kërkoi paraprakisht që të luhej edhe himni shqiptar. U injorua dhe më pas kërkoi ndjesë për një faj që nuk ishte i tij. U tregua një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane, në nder të vetes dhe të komunitetit të tij maqedonoverior, të cilit i duam vetëm më të mirën. Ne e kemi nderuar edhe atë komunitet të vockël me një status të posaçëm si bashki më vete, pikërisht sepse për Shqipërinë minoritetet nuk janë statistikë, por pasuri kombëtare, dhe qytetarët minoritarë nuk janë numra, por vëllezër e motra me të njëjtat liri dhe të drejta si të gjithë ne. Tani, kjo ardhja e herëpashershme në territorin tonë e trupave të cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik, herë nga një vend, herë nga një tjetër e herë nga një tjetër akoma, nuk se na shqetëson për vete, për sovranitetin e Shqipërisë jo e jo, por as për ekuilibrat e jetës politike këtu brenda, ku nuk ka mushkë Troje të rritur në kodrat tona apo “diasporë” të eksportuar nga brenda lagjes sonë që na lëkund. Gjithësesi, u shpreh sot një keqardhje të sinqertë për të gjithë sponsorëve të këtij cirku të lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale, ndërsa mëmëdhetarëve mes nesh që në kësi rastesh hidhen përpjetë përpara pasqyrave të tyre digjitale, duke kërkuar përgjigje me të njëjtën monedhë, u them: Jo, Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit🇦🇱🦅🇪🇺

Detaje/ Vrasja e turistit portugez në Ksamil, miqtë e 20-vjeçarit: Vata po ngacmonte një grua! Luis Mendes ndërhyri për të qetësuar situatën

By: A R
21 August 2026 at 12:23

Miqtë e 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes, i cili humbi jetën pasi u godit me thikë në orët e para të së martës në Ksamil, kanë dhënë dëshmi në polici lidhur me dinamikën e ngjarjes.

Të rinjtë janë marrë në pyetje nga policia gjatë pasdites të së enjtes dhe kanë deklaruar se Mendes kishte ndërhyrë pasi kishte parë një grua duke u ngacmuar në rrugë.

Sipas miqve, Mendes ishte personi i parë nga grupi që tentoi të ndalonte situatën. Ata kanë pretenduar gjithashtu se Sokrat Vata, i dyshuari kryesor për vrasjen, ishte pjesë e grupit që po ngacmonte gruan.

Pas përplasjes së parë verbale, debati mes dy grupeve vijoi deri në hyrjen e një resort në Ksamil. Sipas dyshimeve të policisë, pikërisht aty ka ndodhur përplasja që përfundoi me vrasjen e 20-vjeçarit.

Autoritetet shqiptare vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive të personave të përfshirë.

Mendes ndodhej në Shqipëri me miqtë e tij kur u përfshi në konfliktin që i mori jetën.

‘Më rrezikohet jeta’/ E kërkuar nga autoritetet në Ankara, Gjykata e Apelit lë në fuqi arrestin në burg për aktivisten turke

By: A R
21 August 2026 at 12:21

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën “arrest në burg” për shtetasen turke Julide Yazici, 32 vjeç, e cila u arrestua në Shqipëri pasi rezultoi e shpallur në kërkim nga autoritetet turke.

Yazici, e cila sipas të dhënave të bëra publike ka përfituar azil politik në Francë, akuzohet nga drejtësia turke për dhënie ndihme logjistike për një organizatë terroriste dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste.

Ajo ishte shpallur në kërkim për përfshirjen e dyshuar në protesta në mbështetje të të drejtave të kurdëve, të zhvilluara disa vite më parë në Turqi. Sipas dosjes së autoriteteve turke, gjatë kontrolleve në një banesë në Stamboll janë gjetur prova që lidhen me hetimin. Për këtë çështje, Yazici është dënuar në mungesë me 4 vite burgim.

Në seancat gjyqësore në Shqipëri, Yazici ka deklaruar se është e persekutuar politikisht për shkak të qëndrimit të saj kundër presidentit turk Recep Tayyip Erdogan. Ajo ka pretenduar se, nëse ekstradohet drejt Turqisë, i rrezikohet jeta. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe avokatët e saj.

Nga ana tjetër, siç bëjnë me dije burime për gazetaren Anila Hoxha, prokurori ka argumentuar se ekziston rreziku që e arrestuara të largohet nga vendi, ndërsa ka theksuar se, nëse dokumentacioni i autoriteteve turke konfirmon kryerjen e veprës penale, parashikohet që ajo të dorëzohet drejt Turqisë.

Prokuroria është shprehur se aktualisht po pritet dokumentacioni përkatës nga autoritetet, mbi bazën e të cilit do të vijojë procedura për ekstradimin e saj.

Me vendimin e Apelit, Yazici do të vijojë të qëndrojë në burg në Shqipëri, ndërsa pritet të vijojë procedura gjyqësore për kërkesën e ekstradimit.

Avokati turk i saj ka deklaruar më herët se për rastin do të njoftohen edhe autoritetet franceze, duke qenë se Yazici gëzon mbrojtje politike në Francë.

PDK vazhdon aksionet simbolike para Qeverisë

By: A R
21 August 2026 at 12:17

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po vazhdon edhe sot aksionet simbolike para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Përmes këtij aksioni, PDK-ja po kërkon nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të ndërmarrë hapa për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në aksionin e sotëm janë të pranishëm edhe asamblistë të PDK-së nga Lipjani, si dhe deputetë nga Aleanca.

PDK-ja ka zhvilluar edhe më herët aksione të ngjashme para institucioneve, duke kundërshtuar situatën e krijuar nga moskonstituimi i Kuvendit.

Tabaku: Shqipëria ka tokë dhe fermerë, por qeveria po e orienton tregun drejt importeve

By: A R
21 August 2026 at 11:51
Reagimi i Tabakut:
591 mijë hektarë tokë të punueshme.
606 mijë tonë produkte ushqimore të importuara në vetëm shtatë muaj.
Dy shifra që dëshmojnë paradoksin dhe dështimin politik.
Sipas Bankës Botërore, Shqipëria ka rreth 591 mijë hektarë tokë të punueshme. Por, ndërsa ka tokë, fermerë dhe një treg konsumi që po zgjerohet nga turizmi, vendi vazhdon të importojë produkte që, në një masë të konsiderueshme, mund t’i prodhonte vetë.
Ndërkohë, familjet shqiptare paguajnë më shtrenjtë për produktet e importit dhe blejnë më pak, ndërsa fermerët vuajnë nga të ardhurat e pamjaftueshme dhe nga një skemë që i godet.
Në shtatë muajt e vitit 2026 importuam 45,5 mijë tonë perime. Me rendimentin mesatar aktual, një sasi e tillë do të mund të prodhohej në rreth 1.100 hektarë, më pak se 0,2% e tokës së punueshme të Shqipërisë.
Pra, për perimet, problemi kryesor nuk është mungesa e tokës. Problemi është sezonaliteti, mungesa e serrave moderne, e magazinimit, e pikave të grumbullimit, e standardizimit dhe e furnizimit të garantuar të hoteleve dhe restoranteve.
Me drithërat, situata është edhe më shqetësuese.
Në shtatë muaj importuam rreth 239 mijë tonë drithëra. Kjo sasi përbën afërsisht 38% të gjithë prodhimit vjetor vendas të drithërave në vitin 2025, i cili ishte 623.957 tonë.
Shqipëria ka rreth 591 mijë hektarë tokë të punueshme, ndërsa sipërfaqja e mbjellë me bimë arash është vlerësuar në rreth 415 mijë hektarë. Diferenca statistikore është rreth 175.700 hektarë, megjithëse jo e gjithë kjo sipërfaqe mund të konsiderohet menjëherë tokë e lirë ose e gatshme për prodhim.
Por le të bëjmë një llogari të thjeshtë.
Nëse vetëm 25% e kësaj diference do të vihej realisht në prodhim me drithëra dhe do të arrihej rendimenti mesatar aktual, Shqipëria mund të prodhonte rreth 227 mijë tonë më shumë.
Kjo është afërsisht 95% e sasisë së drithërave që importuam në shtatë muajt e parë të vitit.
Llogaritë e mëtejshme bëjini vetë!
Sigurisht, jo çdo ton i importuar mund ose duhet të zëvendësohet nga prodhimi vendas. Importojmë edhe produkte që klima jonë nuk na mundëson t’i prodhojmë, si kakaoja, kafeja apo frutat tropikale. Një pjesë e drithërave përdoret gjithashtu për blegtorinë dhe industrinë ushqimore.
Por kjo nuk e ndryshon përfundimin: Shqipëria ka potencial, por nuk ka një politikë që e kthen këtë potencial në prodhim, treg dhe të ardhura për fermerin.
Për vite me radhë, fermerët kanë kërkuar një skemë funksionale të TVSH-së, por në këmbim kanë marrë vetëm alibi, justifikime dhe politika klienteliste nga qeveria.
Ndërkohë, qeveria na thotë se turizmi po tërheq të gjithë ekonominë. Por, nëse hotelet dhe restorantet furnizohen gjithnjë e më shumë me produkte të importuara, kërkesa e krijuar nga turizmi nuk shkon te fermeri shqiptar. Ajo përfundon te prodhuesi i huaj dhe tek importuesi.
Nga kjo histori dalin tri përfundime.
Së pari, bie alibia se rritja e turizmit po ndihmon automatikisht sektorët e tjerë. Pa një lidhje ndërmjet turizmit dhe prodhimit vendas, një pjesë e efektit ekonomik largohet jashtë vendit.
Së dyti, bujqësia vazhdon të trajtohet si sektor dytësor. Pa ujitje, mekanizim, grumbullim, magazinim, kontrata furnizimi dhe financim të përballueshëm, fermeri shqiptar nuk mund të konkurrojë me importuesin.
Së treti, modeli ynë tregtar mbetet i rënduar. Në shtatë muajt e parë të vitit, eksportet e mallrave ishin rreth 228 miliardë lekë, ndërsa importet rreth 535 miliardë lekë. Deficiti arriti afërsisht 307 miliardë lekë dhe eksportet mbuluan vetëm rreth 43% të importeve.
Rritja e eksporteve në një muaj është një shifër reale. Por ta paraqesësh atë si dëshmi të një ekonomie prodhuese dhe eksportuese do të thotë të ndërtosh një realitet të sajuar. Rritja mbështetet në pak grupe, ndërsa sektorë me potencial të madh, si bujqësia, vazhdojnë të humbasin terren.
Shqipëria ka tokën.
Ka fermerët.
Ka edhe tregun që po krijon turizmi.
Ajo që i mungon është një qeveri që t’i lidhë këto mundësi me njëra-tjetrën dhe t’i kthejë në prodhim, punësim dhe mirëqenie.

Përfshihet nga flakët një ndërtesë banimi në Zvicër, 5 të zhdukur e 8 të lënduar

By: A R
21 August 2026 at 11:46

Një zjarr ka përfshirë gjatë natës një ndërtesë banimi në qytetin e vogël Tousis, në lindje të Zvicrës, duke shkaktuar tetë të plagosur dhe pesë persona rezultojnë ende të zhdukur.

Policia lokale u njoftua për ngjarjen pak pas mesnatës, ndërsa flakët përfshinë një restorant dhe disa apartamente në ndërtesë, të cilat u dogjën plotësisht.

Sipas policisë kantonale të Grisons, 14 persona arritën të evakuohen nga ndërtesa. Tetë prej tyre pësuan lëndime, ndërsa gjendja e dy të plagosurve raportohet e rëndë.

Autoritetet kanë nisur kërkimet për pesë personat që rezultojnë të zhdukur, ndërsa vijojnë hetimet për përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave të zjarrit.

Ngjarja ka shkaktuar alarm në zonën e banuar, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë punën në vendngjarje.

Maliqi i kthehet kryebashkiakut të Kuçovës: Më 26 gusht shihemi në KQZ

By: A R
21 August 2026 at 11:38

Drejtuesi politik i Partisë së Lirisë për Beratin, Lefter Maliqi, përmes rrjeteve sociale ka reaguar mbi disa deklarata të kryebashkiakut të dënuar të Kuçovës se do të jetë sërish kandidat për kryebashkiak edhe në zgjedhjet e ardhshme.

REAGIMI I MALIQIT:

Qentë le të lehin, karvani le të ecë përpara!

Haha! Gallatë i dënuari, i paafti, abuzuesi Hajdari, në krye të Bashkisë së grabitur të Kuçovës, na paska përhapur fjalë tek punonjësit e Bashkisë se do të jetë kryetar prapë dhe Lefteri s’do të jetë kandidat?

Pyetja e parë: pse jeni në panik? Pse keni frikë? Haha! Po pse ju e caktoni kandidatin rival? Po pse gjithë pazaret, tenderat, emërimet, pushteti juaj i korruptuar i caktojnë kandidatët që doni ju?

Harroje, Hajdari! Ti dhe ata sipër teje, pushtetin dhe miliardat që keni përfituar me tendera korruptivë, me taksat e qytetarëve të ndershëm, nuk mund të përcaktoni dot kandidatin kukull që doni ju, për të vazhduar vjedhjet dhe abuzimet. Madje, as presionet, joshjet dhe blerjet e votave s’do të pinë ujë më, pasi e keni derdhur kupën nga abuzimet dhe skandalet!

Demokratët, opozitarët, socialistët dhe punonjësit e Bashkisë së ndershëm, që janë shumica në popull, do t’ju japin ndëshkimin ju si pakicë e korruptuar dhe do të merrni dënimin e merituar!

Vazhdo shih ëndrra, Hajdar! Më 26 gusht shihemi në KQZ, në shtator përsëri, në muajt në vazhdim dhe vitin e ardhshëm në Prokurori e Gjykatë. Mjerë ti që mendon se leku është gjithçka!Gjithçka është vetëm Zoti dhe shëndeti, kurse për mua edhe krenaria dhe dinjiteti! Bashkinë e grabitur të Kuçovës do ta fitojmë dhe s’ka forcë e pazar që na ndal! Kuçova do të kthehet në kantier ndërtimi!

Zbardhet dëshmia e autorit të plagosjes së Vladimir Brucit

By: A R
21 August 2026 at 11:36

Një pretendim se disa kamera sigurie ishin drejtuar nga biznesi i autorit të plagosjes dje në Shkodër ka qenë shkak i nisjes së një konflikti që përfundoi ne përdorimin e armës së zjarrit. Pjetin Bitani kishte ngritur shqetësimin se fqinji i tij Vladimir Bruci, i cili ka në pronësi një parkim po e vëzhgonte përmes disa kamerave të sigurisë, të cilët ishin vendosur në një shtyllë. Nga autori i ngjarës është kërkuar heqja e tyre gjë që është kundërshtuar nga Vladimir Bruci.

Konflikti për disa kamera sigurie, të cilat ishin vendosur në parkimin e Vladimir Brucit u bënë shkak i sherrit të nisur me fqinjin e tij Pjerin Bitani, që përfundoi në shkrepjen e armës së zjarrit duke lënë të plagosur Brucin që ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ndodhi në lagjen “Rus”, ku parkimi i të plagosurit ndodhet ngjitur me lokalin e autorit e ndërsa ku i fundit kishte shprehur shqetësim se pse kamerat ishin drejtuar nga lokali dhe jo nga parkimi.

Mësohet se Bitani dhe Bruci po konfliktoheshin në cepin e rrugës, e ndërsa sipas deklarimeve të dhëna në polici pretendohet nga Pjerin Bitani se Vladimir Bruci e ka ofenduar në sy të familjarëve që ndodheshin në lokal.

Ky është momenti ku 70-vjeçari qëlloi disa herë në drejtim të Vladimir Brucit duke e lënë të plagosur, si dhe duke dëmtuar një makinë që ndodhej e parkuar në anë të rrugës.

Pas ngjarjes Bitani u largua bashkë me armën e zjarrit jo shumë larg vendit të ngjarjes, ndërsa negociatat me familjarët bënë të mundur vetëdorëzimin e tij në polici.

Pavarësisht disa kontrolleve policia ende nuk ka gjetur armën e krimit të përdoruar nga Pjerin Bitani, pasi edhe ky i fundit tregon se e ka hedhur në rrugë, por pa treguar vendndodhje të saktë.

Ndërkohë, policia e Shkodrës këtë të premte ka urdhëruar për të hequr kamerat e sigurisë të vendosura në parkimin e Vladimir Brucit dhe sekuestrimin e tyre.

Ky i fundit nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi disa vite më parë u përfshi në një sherr poshtë banesës së tij me disa persona që aktualisht ndodhen në burg.

❌